TIRANE – Kur dëgjova në media kryeministrin, i cili në emër të qeverisë tha: “Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajë, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare…”, si besimtar dhe katekist (mësues feje) e përshëndeta këtë nismë për këto arsye:
1. Vendi ynë vjen nga një përvojë shumë e hidhur e një lufte shumëvjeçare nga regjimi komunist e ateist që nga viti 1944, kur Partia Komuniste mori pushtetin dhe u kurorëzua me dekretin famëkeq të Komitetit Qendror të Partisë së Punës më datë 22 nëntor 1967. Ky dekret unikal në historinë e njerëzimit, gjeti iniciativën dhe justifikimin te nisma e nxënësve të gjimnazit “Naim Frashëri” Durrës, të cilët i hapën luftë fesë në emër të dijes me parullën: “T’i hapim luftë fesë me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike”. Kjo nismë u intensifikua “luftë kundër fesë, luftë kundër kapitalizmit”.
Nuk dua të zgjatem për të treguar rezultatet dhe bilancin që la prapa si “një tokë e djegur” kjo nismë kundër historisë, artit dhe kulturës në emër të “dijes”, por dëmin më të madh ky revolucion kulturor ia bëri vetë arsimit dhe dijes që ajo përçon. Duke e parë fenë si “opium” për popullin, ajo u propagandua si e kundërta e dijes dhe fetarët si spekulues të saj, madje si injorantë. Produkti i këtij edukimi të sterilizuar nga “virusi” i fesë ishte “njeriu i ri” i partisë, në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën, i indoktrinuar, i hermetizuar, vetëm në atë që i lejonte këndvështrimi i partisë, duke i përngjarë atij kalit që i vënë pengesa te sytë për të mos parë majtas e djathtas, që kështu të tërheqë karrocën rrugëve sipas vullnetit të karrocierit.
Prandaj mendoj se kultura fetare më e zgjeruar është e nevojshme të mësohet në shkollat e arsimit të përgjithshëm për të mirën e vetë arsimit dhe nxënësve, të cilët nesër do të bëhen qytetarë të përgjegjshëm me dije të gjithanshme, me mendje të hapur, me liri për të zgjedhur sipas kartës së të drejtave të njeriut të besojnë apo jo, për të dhënë kontributin e tyre sa më mirë në shoqëri, si fetarë, ateistë ose agnostikë.
2. Arsimimi i imponuar ateist, që për hir të së vërtetës vazhdon edhe sot në një formë të moderuar, u ka bërë një padrejtësi morale vetë njerëzve të dijes, të shkencës, të kulturës, të artit, të historisë dhe të politikës, të cilët i kanë dhënë një kontribut të madh shoqërisë njerëzore në kohëra dhe forma të ndryshme, ku arritjet e tyre personale i shikonin në radhë të parë si frymëzim hyjnor dhe produkt i vlerave të moralit të tyre fetar. Këto personalitete të shumtë kanë lënë gjurmë dhe shenja të dukshme si gurë kilometrikë në rrugëtimin e shoqërisë njerëzore dhe, sa për ilustrim, mund të përmendim vetëm disa prej tyre: astronomi Koperniku 1473-1543, matematicieni Kepler 1571-1630, matematicieni Anjshtain 1879-1955, filozofët Dekart 1596-1650, Hegel 1770-1831, Paskali 1623-1662, artisti Mikelanxhelo 1475-1564, Onufri shek. XVI, shkrimtar Dostojevski 1821-1846, Naim Frashëri 1846-1900, politikan Linkolni 1809-1865, imzot Noli 1882-1965 e shumë të tjerë.
Mbaj mend që kur mësohej për të tillë personalitete të shkencës, artit, kulturës dhe politikës, përcaktoheshin si njerëz me ide të kufizuara (besim në Zot). Ky përcaktim fyes ndaj tyre as nuk i fyeu e as i zvogëloi ata, por në të vërtetë fyeu dhe zvogëloi atë brez të arsimuar me këto dije ateiste deri në marrëzi, sa duke vënë gishtin e madh midis diellit dhe syrit, duke mos e parë atë, thoshin se ai “nuk ekziston” dhe për të tjerët që e shikonin atë i etiketonin si të marrë e të verbër. Këtë handikap në vlerësimin e njerëzve me bindje fetare dhe të veprës së tyre, duhet ta riparojmë sa më parë, dhe këtë mision mund ta luajë sot shkolla përmes një arsimi gjithëpërfshirës, pra edhe atë të njohurive fetare, dhe kjo është në nderin e kombit tonë.
3. Është për t’u theksuar se ende në shkollat tona, duke filluar nga cikli i ulët e deri tek ai më i larti, në mësimdhënie mbisundon ekskluzivisht vetëm teoria e evolucionit të jetës dhe të vetë njeriut, ku njeriu paraqitet si produkt evolutiv i një kafshe si majmuni. Ky trajtim dhe prezantim i njëanshëm sigurisht që është një mbetje e metodologjisë ateisto-komuniste, por në botën demokratike dhe të qytetëruar, në shkolla, përveç saj mësohen paralelisht edhe teori të tjera mbi jetën dhe krijimin e gjithësisë dhe të vetë njeriut, që përputhen me këndvështrimin e fesë, që e shikon njeriun si një krijesë të veçantë në shëmbëlltyrë dhe ngjashmëri me vetë Zotin Perëndi. Sot teoria e evolucionit është një teori sa utopike po aq edhe në krizë, dhe është e domosdoshme që në shkollat e arsimit të përgjithshëm të mësohet në mënyrë më të zgjeruar dhe të detajuar teoria teiste ose kreacioniste e krijimit. Në këtë mënyrë i jepet çdo njeriu mundësia e njohjes e gjithë spektrit të diturisë dhe e mundësisë për të zgjedhur, evolucionin ose krijimin nga Zoti.
4. Fakti që e bën më emergjente vendosjen e një mësimi fetar më të zgjeruar në kurrikulat e arsimit të përgjithshëm është ai që vë në dukje vetë kryeministri, për rrezikun që po bëhet gjithnjë e më evident dhe i vështirë për t’u kontrolluar, mësimi i deformuar i fesë nga grupe ekstremiste të cilat, duke shfrytëzuar këtë vakum dijeje mbi fenë, përpiqen me të gjitha format dhe mënyrat e mësimdhënies ta mbushin me mësime ekstreme dhe të dhunshme në emër të fesë dhe vetë Zotit, “që të nxjerrin përfitime duke përgjakur njerëzimin, apo duke i tërhequr prej hunde” (citimi i kryeministrit).
Ky fakt që i ngjan tingullit të kambanës që paralajmëron rrezik global, nuk duhet neglizhuar, ndryshe nesër do të jetë shumë vonë dhe situata do të jenë të pamenaxhueshme. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim mund të luajë arsimimi i brezit të ri, duke i dhënë më tepër hapësirë mësimit të historisë së feve dhe të doktrinave zyrtare të tyre si dhe njëkohësisht të parimeve themelore që këto besime kanë në lidhje me moralin, dashurinë dhe sakrificën për të gjithë njerëzit. Në këtë mënyrë fëmijët dhe të rinjtë shumë shpejt dhe drejt do të kuptojnë përse nuk mund të ketë dhunë në emër të fesë, dhe si e tillë ajo nuk mund të quhet më besim te Zoti e as rrugë për tek ai. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që shkollat publike do marrin përsipër të bëjnë nxënës besimtarë, por t’i aftësojë ata që të mund të dallojnë drejt se çfarë është një besim i bazuar në baza të shëndosha fetare e institucionale, dhe çfarë janë grupime ose mësime të shtrembëruara dhe madje antifetare në thelbin e tyre.
5. Tani vijmë në një pikë shumë delikate, e cila do të kërkojë të trajtohet me shumë kujdes. Vetë kryeministri thotë se: “Ky projekt nuk cenon laicitetin e shkollës, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm”. Që të përgatitet shoqëria me një kulturë të shëndoshë laike, duke filluar siç është rasti nga fëmijët dhe të rinjtë, kërkohet një bashkëpunim i të gjithë aktorëve në këtë lojë. Kjo do të thotë që, është shumë e rëndësishme që për hartimin e këtyre teksteve, ku do të prezantohen besimet fetare me të gjithë diversitetin e tyre, nuk mjafton vetëm ajo që kryeministri tashmë ka bërë të njohur, bashkëpunimin me institucione dhe ekspertë të mirënjohur të botës, si Opservatori i laicitetit në Paris, por duhet përfshirë në mënyrë aktive dhe të qenësishme edhe një faktor tjetër gjithashtu, i cili ka ditur përherë të jetë i ekuilibruar dhe tolerant në përqasje të tilla, ai i Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilat kryeministri i fton gjithashtu të japin kontributin e tyre.
Shqetësimi përherë mbetet se sa e sinqertë është kjo ftesë nga ana e kryeministrit për Komunitetet Fetare në vend dhe a do dëgjohet realisht zëri i tyre me sugjerimet dhe shqetësimet që ato do të ofrojnë dhe ngrenë? Këto rezervime i kemi nga përvoja të kaluara, kur Komunitetet Fetare shpesh janë thirrur të japin sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për çështje të përbashkëta, madje edhe për ato të arsimit, por që nuk kanë gjetur mirëkuptimin, qoftë edhe pjesërisht, në përfshirjen e tyre në ligjet dhe rregulloret e hartuara. Përvojat e kaluara kanë treguar për një klimë mosbesuese ndërmjet dy palëve, pa folur këtu për çështje të tjera të ndjeshme që Komunitetet Fetare për 25 vjet me radhë kanë ngritur, si ai i objekteve të kultit, që janë monumente kulture dhe nuk u janë kthyer, si dhe të pronave, duke i lënë ato të pafuqishme për t’u organizuar dhe për të fituar pavarësinë ekonomike, dhe për pasojë edhe administrative, në mënyrë që të japin kontributin e tyre lirisht dhe qenësor.
Në këto kushte, duket sikur kemi të bëjmë me një shfaqje të radhës, ku politika kujtohet për fenë vetëm atëherë kur krijohen probleme, edhe pse për këto probleme nuk janë direkt fajtore Komunitetet Fetare, përkundrazi, pikërisht sepse ato janë lënë të braktisura dhe të pafuqishme si ekonomikisht ashtu edhe administrativisht, kanë gjetur terren elementë dhe grupe që ngrenë struktura dhe institucione paralele me objektet e tyre të kultit dhe klerikë të tyre, ku mësohen dhe ushtrohen metoda dhe sjellje fetare jashtë normës dhe standardeve të institucioneve zyrtare fetare.
6. Si përfundim, mendoj se iniciativa e kryeministrit është një hap në drejtimin e duhur dhe meriton mbështetjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve që mund të kontribuojnë në këtë drejtim, ku Komunitetet Fetare kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm, ashtu siç e kanë pasur dhe luajtur historikisht në historinë e popullit tonë. Ato kanë treguar me mësime dhe shembuj se, pavarësisht dallimit dhe ndryshimit në bindje dhe sjellje fetare, njerëzit janë të barabartë përpara Zotit dhe të gjithë meritojnë respekt dhe dinjitet. Shqiptarët përherë kanë ditur të shohin ato që kanë të përbashkëta mes tyre dhe jo ato që i ndajnë e largojnë, në mënyrë që të ruanin të paprekur harmoninë dhe vëllazërinë mes tyre, dhe për këtë kontributi i besimeve dhe shembulli i tyre është unik dhe ka fituar me të drejtë admirimin e shumë studiuesve dhe personaliteteve botërore.
Në këtë kuadër, Komunitetet Fetare duhet të garantojnë se ajo që nxënësit do të mësojnë rreth besimeve fetare të jenë të sakta si nga ana doktrinarë, ashtu edhe nga ana praktike e zbatimit të tyre, duke përfshirë moralin dhe sjelljen e caktuar që secila fe dhe besim transmeton respektivisht, dhe jo të bëhen përgjithësime dhe anashkalime, ku më tepër do të krijonin konfuzion dhe debat me pasojë grindje dhe ndasi në mes të nxënësve. Informimi duhet të bëhet në baza të sakta shkencore dhe jetësore, duke kontribuar realisht në forcimin e klimës së respektit dhe dialogut të ndërsjellë, larg formalizmave dhe shablloneve të vjetruara dhe të destinuara për të dështuar.
Besimi dhe feja janë pjesë integrale e historisë së shoqërisë njerëzore dhe ato nuk mund të injorohen ose të anashkalohen. Përpjekje të tilla kanë sjellë shtrembërime të mëdha dhe kriza të forta në shoqëri të ndryshme, ku shembulli i vendit tonë gjatë periudhës së fundshekullit të kaluar është ende i freskët dhe pasojat janë ende të gjalla. Diskutimi dhe debati i sotëm na bën edhe një herë më të vetëdijshëm për këto fakte dhe na fton të tregohemi të zgjuar dhe të matur që gabime të së shkuarës të mos përsëriten, por të mësojmë prej tyre dhe t’i korrigjojmë për të mirën e vendit dhe tonën.
* Përgjegjës i zyrës së katekizmit KOASH
Komentet