VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PËRQAFIM I FLLADIT DHE FLETËS – Nga ATDHE GECI

By | March 21, 2021
blank

Komentet

blank

KOHA SHTESË në 7 vjet e 7 ditë – Nga VISAR ZHITI

– mbresë rreth romanit “Extra time” të shkrimtarit Durim Taçi, shkruar në vetën e dytë –

“Extra time” më erdhi si një befasi me të gjitha kuptimet. Dhe i tillë është, arrin të të gjejë dhe të godet, si era mbase e të trondit si një tërmet, pa zhurmë, por i heshtur.

Se jeta kështu është, dhimbja e saj ashtu si dhe ngazëllimet, e zakonshmja dhe e pazakonshmja, etj, etj, duan dhe një sendërtim të dytë, për t’u kuptuar më mirë dhe jo vetëm kaq, për t’u ndjerë e ty të duhet ta ndalësh kohën, më saktë ta krijosh, ta rikrijosh ende më saktë, jo perjetesinë e pamundur, por të përhershmen, një të gjithmontë tonën.

Libri/ romani, besoj, mbetet më i përshtatshmi për ta mbartur rrjedhën e jetës si një praní, ëndërr dhe mister bashkë, ku e pritura dhe e papritura ngatërrohen mes tyre, shkëmbejnë dhe vendet ose kapitujt. I tillë është dhe libri yt, aq shumë filmik, që më shumë ngjan se shikohet se sa lexohet. Dhe ashtu siç ti kërkon një “extra time” – kohë shtesë rrëfimi, kështu do të duheshin dhe “extra words” për të rrefyer rrëfimin, fjalë shtesë që s’janë shpikur ende dhe ti ke nxjerrë shpirt nga fjala, pa i kërkuar ato, janë fjalë të përditëshme tonat, a u ke dhënë shpirt të ri a nga Qielli ka rrjedhur ajo frymë prej Ati a të gjitha bashkë a diçka tjetër e përtejme, një si ndihmë prej Hyu a të gjitha ishin këtu, brenda nesh.

Libri yt përjetohet, ritmi i tij është pulsim i gjallë, si një ecje e nxituar e atij që nuk ka kohë ta thotë kumtin e vet më të rëndëishëm, por që duhet thënë patjetër, shenjat e tij do të donin të kundërshtonin harrimin dhe ti ia del ta pakësosh atë, duke hequr të tepërtat, siç thoshte Mikelanxhelo për statujën, por duke vënë të tepërtën e rëndë, jo që të përftohet një statujë, por jetë e jetës.

Të teorizosh si kritikët e të thuash që është pasqyrë e një realiteti, jo, nuk ke për të qenë i saktë, – i them vetes, – as të shtosh se është një realitet tjetër paralel letrar, gabim, – prapë i them vetes, – por vêrtet “Extra time” është një të jetuar tjetër, si zanafillor, me magjinë e leximit, real si ai i përjetuari që s’lejohet të bëhet kujtim, i shpalosur në një një tashmë autoritare, të filtruar natyrisht, se ti je shkrimtari, me atë  teknologji që bëhet lënda e së përhershmes, (gjuhësisht koha e tashme e përhershme duhet krijuar medoemos), që s’është një dimension sipas logjikës së varfër të njerëzve, por vërshim njëherësh e-shkuar-e-tashme-e-ardhme-bashkë, duke i bërë një çarje çesariane barkut të Kronosit,

Ky është libri yt, një  risi në letrat shqipe, sipas meje. Në fund të fundit ai është një rrefim në altarin e vetes, një e folur me vete, nga një tronditje supreme, ndërkaq e mbajtur 7 vjet brenda vetes dhe e zbrazur për 7 ditë si në një mit, prandaj dhe libri me të drejtë mund të quhet dhe mitobiografi, duke iu larguar vetes, si shpirti që kërkon të na ngrihet lart, për të na kqyrur me një mosfolje të shenjtë.

Shkrimtari e thyen këtë pakt nga shkaku i demonit të tij të brendshëm, ti flet dhe s’e ke për gjë t’i  rrefehesh vegimeve ashtu si dhe një ikone, apo urës, bregut pranë shtëpisë, agut, ashensorit, që pasi hap dyert, nuk sjell atë që duam dhe e nis sërisht, të vijë me ëndrrën e asaj që duam.

Shkrimtari i jep zë të heshtur fletës së shkrimit nē kompjuter, të kaltër si një copë parajsore qielli dhe studion e krijimit e bën fushë futbolli, ku luajnë jeta me vdekjen, me arbiter fatin. Që pas lojës janë bashkë. E kush fitoi?

Po kjo është lojë, pa fitues të vërtetë dhe humbës të vërtetë dhe Zoti e di ku është e vërteta, si e qysh. E bukur dhe frikshme! Dikur, thua ti. Dhe dikur është dhe nesër, Ti mundohesh t’i bashkosh si në një tashme. Dhuratë për fëmijët. Dhe djemtë tanë fatalisht deshëm të ishin dhe etërit tanë. Sa gabim dhe ç’dhimbje pa fund që na dëgjuan…

Dhe s’na mbeti gjë tjeter veçse t’i japim dinjitetin e merituar dhe vdekjes ashtu si jetës.

Durim Taçi, me këtë  libër ia ke arritur, shkëlqyer mynxyrshëm a mynxyrshëm shkëlqyer a… duhen extra words. Di që nuk është libër-britmë, as requiem dritë-mugët. Është një vetvete e dytë, jo vetëm jotja. Dhe s’kish si të ishte ndryshe…

Asaj i drejtohesh, vetvetes si tjetrit, njëlloj si botës, s’ke ç’i bën emfazës, është si pandemia, aqkollajrënëse, nuk është e veprës tënde, realiteti vërtet është habitës, dhe i një antilogjike tokësore, ndërkaq i druhesh emocioneve të tua, që t’i tregosh dua të them, por jo poezisë së fshehtë, dhe tregon ato, jo më tepër, që të mundin të shkaktojnë emocion te leximtari, te tjetri, te vetja tjetër.

Në fund të fundit qëllimi yt më duket se është shumë më konkret, se edhe ëndrra është konkrete, edhe deliri, edhe krijimi, konkretja s’është dhe aq konkrete, ti do që Atisi yt, ashtu si birin e mitologjisë që Zeusi deshi ta ringjallë, qoftë dhe pjesërisht, ta risjellësh, të dashur dhe të bukur, sportist në fushën e jetës.

Prandaj dhe  ashensori i librit, kur i mbyll në funf fletët e veta, shohim se e ka nxjerrë atë dhe po vjen drejt nesh.

 

blank

blank

(Video) Krijimi i grupit TINGUJT E ZJARRTË, Elton Deda, Hektor Leka, Alban Emiri, Lulëzim Baçova, Altin Koka, Dokumentar –

Regjia: Ardian Murraj, Skenari: Ardian Murraj, Muzika: Mira Mecule, Producent: Shqipëria e Re, Viti: 1991, 27’

Dokumentari sjell momente nga krijimi i grupit “Tingulli i Zjarrtë”, drejtuar nga Elton Deda i cili mori famë me këngën pjesëmarrëse në Festivalin e 29 të Këngës në RTSH, “Jemi emri i vetë jetës”.

Pjestarët e grupit ishin Elton Deda, Hektor Leka, Alban Emiri, Lulëzim Baçova, Altin Koka.
Në fillim ishte edhe Edlira Çako në flaut për muzikën simfojazz dhe Uliks Krajka në tastierë i cili ishte edhe në koncertin e parë që bëmë në TKOB.
Në këtë film dokumentar trajtohet jeta studentore e të rinjve të Liceut Artistik “Jordan Misja” gjatë vitit 1990, dhe vihet re dëshira e madhe dhe përpjekjet e të rinjve shqiptarë, për të përqafuar trended muzikore botërore të viteve 80’-90’.

blank

KADARE-ONUFRI 25 VJET BASHKËPUNIM – Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe Nga Bujar Hudhri

Gjysmë shekulli më parë

Më kujtohet kur isha një nxënës në tetëvjeçare, mbi pesëdhjetë vite të shkuara, kur një të diel në mëngjes, i shoqëruar nga vëllai im i madh, u regjistrova në bibliotekën e qytetit. Atëherë banonim në Peqin. Libri i parë që kam marrë, e mbaj mend si tani, ishte Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Siç duket, titulli pati ngacmuar fantazinë time dhe e mbarova librin me një frymë. Të nesërmen, ditë e hënë, që në mëngjes shkova ta dorëzoja në bibliotekë, por e gjeta mbyllur. S’dihet sa kisha pritur te dera, kur pashë tabelën e orarit: E hënë, pushim!

Ngjarja tjetër duhet të ketë lidhje me një konkurs kombëtar të vitit 1969, ndërsa ndiqja shpalljen e fituesve në gazetën Drita. Më sheh im vëlla, i cili ishte atëherë student në Institutin e Arteve, dhe më pyet pse isha mërzitur. “Kadareja nuk e mori çmimin e parë”, – i thashë, thua e kisha humbur unë çmimin. – “Ja, e mori Dritëroi çmimin e parë, kurse Kadareja u afrua gjithë arrogancë të tërhiqte çmimin e tij te juria”. S’di pse kjo fjalë më ngushëlloi. (Arroganca më ka mbrojtur nga sulmet e mediokërve, do të dëgjoja shumë vjet më vonë nga Kadareja.)

Ishte një rast kur mund ta takoja për herë të parë. E mbaj mend datën: 28 nëntor 1980. Kadareja me zonjën e tij po ktheheshin nga vizita në Prishtinë, ku ishte botuar kompleti i parë i veprave të tij. Në kufi kishte dalë për t’i pritur im vëlla, Feridi, atëherë redaktor në gazetën Drita. Ishin kthyer në shtëpinë tonë, por unë isha ushtar, ndaj nuk munda t’i takoja. Edhe sot e mbaj mend që zonja Kadare kishte sjellë një tufë karafila të kuq nga të Kosovës.

Do ta takoja shumë vjet më vonë Kadarenë, pasi kisha themeluar dy gazeta të pavarura, Fjala e lirë (16 shtator 1991-14 shtator 1992) dhe Ku vemi (tetor 1992-janar 1993), dhe shtëpinë botuese Onufri. Po ashtu, kisha instaluar një shtypshkronjë me ndihmën e një kredie të programit “Phare” të Komunitetit Europian. Mund të jetë e para shtypshkronjë në vend që përdori kompjuterin në procesin e shtypit dhe kjo na dha mundësi të konkurrojmë të gjitha shtypshkronjat shtetërore të cilat edhe disa vjet më pas do të përdornin germat prej plumbi.

Pas nja dy vjetësh Onufri kishte edhe një godinë ndër më të bukurat e qytetit. Ishte projektuar nga arkitekti i shquar shqiptar, Qemal Butka, i cili më vonë ka projektuar grataçela në Nju-Jork. Mbaj mend se, kur po bënim pagesën e këstit të parë, ishin mbledhur pasardhësit dhe njëri prej tyre më tha që, të kishte qenë gjallë babai, nuk do ta kishte shitur kurrë këtë godinë. Pasi pushuan diskutimet, më i madhi prej tyre u drejtua: të ishte gjallë babai, do t’ia kishte falur këtij djali për atë që po bën për kulturën! Nuk i harroj kurrë këto fjalë të cilat, mbase, do ta profilonin edhe më qartë rrugën që do të ndiqja në jetë. Po për këtë do të flasim më vonë.

Onufrin e kam zgjedhur për botuesin tim të tanishëm dhe të ardhshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe në vende të tjera të Europës Lindore, por ka edhe njëfarë idealizmi, domethënë në kuptimin shpirtëror të gjërave.

(PJESË NGA INTERVISTA E I. KADARESË DHËNË SË PËRDITSHMES “RILINDJA”, 22.05.1996)

Takimi i parë me Kadarenë

Isha bërë një botues i njohur tashmë. Mendoj se arsyeja kryesore ishte drejtimi që kisha marrë për botimet e autorëve shqiptarë, duke filluar me librin e parë Abeli të Haxhiademit, ndërkohë që pothuaj të gjithë kolegët e mi kryesorë botonin vetëm letërsi të huaj. Mbase po shtroja rrugën qetësisht drejt Kadaresë, i cili tani për herë të parë botohej nga një botues privat. Ishte shtëpia botuese Çabej, e Brikena Çabejt, vajza e profesorit të famshëm, ish-redaktore e Naim Frashërit. Dhe librat që ajo kishte nisur të botonte ishin modeli europian që kurrë nuk ishte parë në libraritë tona. Edhe sot janë model! Ndaj lidhja me Kadarenë më dukej edhe më e largët, aq më tepër që të dy jetonin në Paris, mund të kontaktonin shumë kollaj. Ndërkohë Kadareja po vinte më shpesh në Shqipëri dhe normalisht që botuesi duhej të ishte në Shqipëri për botimin dhe shpërndarjen e librave të tij.

Ka qenë qershori i vitit 1995 kur mund të takoheshim, por nuk e mbaj se ç’ngatërresë ndodhi dhe u la për në vjeshtë. Përsëri një ngatërresë me orarin. Kadareja na priste në orën 14.00 në shtëpinë e tij dhe mbase kam menduar që e kisha dëgjuar gabim, sepse ishte vakt dreke. (Më vonë do të mësoja se pikërisht kjo ishte ora më e rëndësishme për të pritur vizitorët në shtëpinë e tij.) Edhe këtë herë gjithë sherrin e përballoi im vëlla, Feridi, që kishte mundur t’i mbushte mendjen të takoheshim në orën 18.00.

 

blank
Në shtëpinë e Kadaresë në Paris, me Jusuf Vrionin, mars 2000

Por nuk qe e thënë. Përsëri u vonuam, sepse ngatërruam katin dhe u përballëm me derën e apartamentit të Dritëroit. Doli duke qeshur Sadija dhe tha se nuk është hera e parë që na ngatërrojnë me Ismailin. Zbritëm dhe hymë në dhomën e ndenjjes, një dhomë shumë e madhe, pak e ndriçuar nga dielli i pasdites. Disa minuta zgjati debati me tim vëlla, jo pse nuk janë korrekt njerëzit në këtë vend, a është i rëndësishëm ky takim për ju, pse neglizhoni etj.

Më erdhi radha mua të flisja. Pasi më pyeti se ç’botoja, i thashë se kisha vepruar si në një kampionat boksi derisa të arrija te sfidanti i duhur. “Mirë, mirë, por lëri këto tani”, – dhe për herë të parë pashë se një buzëqeshje u përhap në gjithë fytyrën, kur ai ndezi një nga abazhurët. Në këtë moment im vëlla i tha: “Jepi një libër Bujarit për botim.” Ai u ngrit energjikisht nga kolltuku i thellë ngjyrë bezhë, shkoi në studio dhe u kthye që andej me një libër në dorë, në frëngjisht. E vuri në tavolinë në krahun tim dhe tha me seriozitet: “Ja, ta provojmë me këtë libër.” Ndërkohë Feridi nxori një stilolaps dhe ia zgjati duke thënë: “Shkruaji diçka Bujarit, ndryshe e gjitha kjo do t’i duket si një ëndërr.” Ai zuri vend në kolltuk dhe qetësisht, pa e zgjatur, shkroi autografin e parë dhe të fundit për mua: “Zotit Bujar Hudhri, duke i uruar suksese në punën e tij fisnike dhe si një fillim i bashkëpunimit tonë. Ismail Kadare. 14 nëntor 1995.” Nuk kam asnjë foto nga ai takim!

Vizita tek Onufri në Elbasan

Kaluan gjashtë muaj dhe Kadareja u kthye përsëri në Tiranë. Ndërkohë, unë kisha botuar librin e parë Dialog me Alain Bosquet. Edhe pse kisha vetë shtypshkronjë, për të pasur një libër cilësor e shtypa në Itali. Cilësia e lartë, çmimi i shitjes shumë i arsyeshëm. Kështu e kam nisur dhe kam vazhduar deri më sot me të gjithë librat e Kadaresë. Shpesh kolegët më kanë tërhequr vëmendjen për këtë paradoks, por kurrë nuk kam ndryshuar dhe këtë e kam bërë për lexuesin shqiptar dhe vetë Kadarenë.

Ardhja e Kadaresë nuk ra edhe aq në sy, sepse Shqipëria ishte përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të majit 1996. Morëm një kameraman dhe një fotograf amator për të fiksuar diçka nga kjo vizitë e papërsëritshme. Sapo u ulëm në zyrë, m’u drejtua seriozisht: “Shumë e bukur kjo godinë, por shite urgjent dhe eja në Tiranë!” Nuk po u besoja veshëve, ndërsa vazhdoi: “Po, po, mos e zgjat.” Por nuk ishte sikur të ndërroje hotel, ndaj na u deshën tri vite të mira derisa u shpërngulëm në Tiranë. E shpejtoi këtë viti i mbrapshtë ’97. Sipas mendimit tim, ky vit ndau njëherë e përgjithmonë kryeqytetin nga çdo qytet tjetër në Shqipëri. E ndieja këtë duke ardhur çdo ditë nga Elbasani në Tiranë, dhe kthim. Për tetë vjet radhazi. Por tani kisha edhe një pengesë shumë më të madhe, sepse autori im i rëndësishëm banonte në Paris, unë në Elbasan dhe duhej të komunikonim gjithmonë e më shpesh. Kur kujtoj sot ato vështirësi, humbjen e valëve të celularit pas kthesave të panumërta dhe zërin e nervozuar përtej: “Po ku je? Ç’u bëre, nga u zhduke?” Sa herë u paraqitën këto situata, të cilat e bënin të pashmangshme shpërnguljen drejt Tiranës.

Erdhi një episod që i vuri vulën gjithçkaje. Duhet të ketë qenë nëntori i vitit 1998. Kadareja kishte ardhur vetëm në Tiranë, sepse Televizioni Francez do të bënte një film për jetën e tij në kooperativën “Agimi”, në Ndërnënës, Fier. Meqenëse ishte ftohtë, ai u akomodua në Hotel Tirana. E kishim lënë të takoheshim në orën 15.00. Me sytë nga dera e hotelit se mos po vinte nga çasti në çast, mendova të pyes te recepsioni mos ndoshta kishte ardhur. Jo, nuk është brenda, m’u përgjigjën. Prita deri në orën 18.00, pyeta edhe një herë. Nuk ishte. Dhe u nisa për në Elbasan. Mbaj mend, kur mbërrita në majë të Qafë Krrabës dhe kishin nisur fjollat e para të dëborës, më merr im vëlla në celular. Ishte me Kadarenë. “Pse nuk ndenje?” – më tha im vëlla. – “A kishe lënë takim?” Mezi kam mbërritur atë natë në Elbasan dhe mora vendimin e vështirë, por jetik. Po ç’kishte ndodhur me Kadarenë? Kur u takuam në mëngjes, më tha që kishte qenë brenda dhe i kishte porositur te recepsioni të mos e shqetësonin deri në orën 18.00.

Pas tre muajsh, në mars 1999, u shpërngulëm në Tiranë dhe ky ka qenë viti më i vështirë në jetën e familjes dhe biznesit tim: fëmijët e vegjël, shtypshkronja pothuaj një vit e painstaluar në Tiranë. Por me sakrifica i tejkaluam të gjitha dhe ai vit u kthye në suksese, sidomos në Panairin e Prishtinës, në dhjetor 1999, ku Kadareja vinte pas gati njëzet vjetësh. Megjithatë, me vitet që po kalonin vija re se ardhja në Tiranë nuk ishte ndonjë ndryshim kushedi, sepse largësia bënte të vetën.

blank
Një autograf për bashkëshorten time, Suzanën, 1996

Dua të përmend një rast që nuk e kam bërë të ditur asnjëherë. Kadareja kishte ikur në Paris. Pasi kisha nënshkruar dhe parapaguar disa kontrata, duhej të nxirrnim romanin e tij të ri Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut. Më vuri kushtin që çmimi të ishte 500 lekë. Ishte sikur ta falje! E shtypëm me atë çmim në kopertinë dhe një të enjte dolëm bashkë Gimin, ish-shokun tim të bankës në gjimnaz, i cili atë kohë, pasi ishte kthyer nga Greqia, bënte shpërndarësin e librave të Onufrit. U ktheva në zyrë dhe i rashë numrit të telefonit të Kadaresë, por nuk u përgjigj. I lashë një mesazh telefonik në sekretari: “Zoti Kadare, megjithëse binte shi, bashkë me Gimin i shpërndamë librat në gjithë Tiranën. Nesër nëpër rrethe.” Më merr në telefon të nesërmen zonja Kadare: “Bujar, veç ta shikoje Ismailin, ulur në kolltuk, e dëgjonte disa herë mesazhin tënd i lumtur.” I harrova edhe debatet për çmimin, megjithëse po regjistronim një tjetër humbje të radhës. S’kaluan veç 24 orë, kur në një darkë me disa të huaj bie celulari. Ishte Kadareja. Nuk e hapa se ishim në bisedë e sipër. Celulari nuk pushonte. “Më merr në telefon”, – më tha dhe e mbylli. Nuk e mora, thashë ta lë për më vonë, sepse nuk më pëlqeu zëri i tij. Nuk po kuptoja asgjë. Kur telefonoi përsëri. U ngrita dhe e pyeta se ç’kishte ndodhur. “More, pse nuk ka libra në librari? Një shoqes së Helenës i kishin premtuar të hënën një kopje!” M’u duk sikur kjo telefonatë më ndau kokën më dysh. “Çfarë, – i ngrita zërin, – ma jep këtu Helenën, kush është ajo?” Nuk dija ç’flisja nga nervozizmi dhe e ndjeva që ai u praps dhe më tha: “Jo, nuk ta jap Helenën në telefon me këto nerva.”

Ishte viti 2002. Ato ditë niste panairi i librit dhe koincidonte me ardhjen e tij, por nuk doja t’ia dija më për të. Mora një vendim të prerë: të ndaheshim njëherë e mirë! Boll më! Nuk komunikuam fare deri ditën kur u pamë rastësisht në Rinas. Unë me time shoqe, Zanën, kishim dalë për të përcjellë një grup norvegjezësh, kur shoh që Kadareja dhe zonja e tij kishin hipur në një xhip. Ishte hera e parë që i shihja si gjithë të tjerët, sikur s’kisha asnjë lidhje me ta. I përshëndetëm me dorë dhe u nisëm pas makinës së tij. Ndërkohë u ktheva në zyrë dhe nisa të shkruaja letrën e ndarjes. Ime shoqe me lotët që nuk i pushonin dhe unë i vendosur si asnjëherë. E futa në një zarf A4 që të mos e thyeja dhe drejt e te shtëpia e tij e re te Sky Tower. Pas 5 minutash, bie citofoni. Ishte regjisori Gëzim Kame që kishte vënë në skenë Stinë e mërzitshme në Olymp. U ngritëm menjëherë, s’kishim ç’të bisedonim, ardhja e regjisorit sikur e shtoi dramaticitetin. “Ke një letër këtu”, – i thashë. E parandjeu. “Ç’është kjo letër?” – më tha. “Lexojeni, flasim”. Dolëm, hymë në ashensor dhe drejt e në rrugë, ku kishte nisur një rrebesh shiu. Nuk kaluan pesë minuta, kur celulari: “O Bujar, kthehu, ç’janë këto? Eja flasim, ke luajtur mendsh më duket.” Shpesh linja ndërpritej, shiu nuk po pushonte, gjëmime herë pas here. Vetëm ime shoqe e heshtur gëlltiste lotët mbështetur te xhami i makinës. Nuk kthehem më, i thashë. Vazhduan edhe disa biseda që ndërpriteshin mbase nga koha e keqe. Lagje të tëra pa drita, rrugët po ashtu. Nuk më hiqet nga mendja edhe sot e kësaj dite, por s’ishte ky problemi i vetëm.

Ishte planifikuar një pjesëmarrje e Kadaresë në Tetovë, por unë vazhdova me këmbënguljen time dhe nuk shkova. Dhe nuk do të shkoja, por mikesha jonë e përbashkët, Mira Meksi, me një durim e këmbëngulje të pashoqe ma mbushi mendjen. Kur mbërrita në sheshin para Pallatit të Kulturës në Tetovë, në mes të grumbullit të njerëzve shoh Kadarenë që gjithë gëzim po më thërriste. Nuk ishim përqafuar kurrë ndonjëherë dhe me siguri ka shkaktuar habi tek të tjerët, thua se po takoheshim pas disa vjetësh. Të nesërmen ndenjëm në Strugë, dolëm buzë liqenit deri në mesnatë dhe në mëngjes u nisëm për në Tiranë. Rrugës, bashkë me menaxherin tim Fatosin, i dhashë një drekë me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Onufrit, që ishte atë ditë. Ndërsa Kadareja me rastin e festës së Onufrit më dhuroi përgjithmonë librin tim të preferuar Autobiografia e popullit në vargje. Kështu nisi një periudhë e qetë, deri në stuhinë e radhës.

Ishte kompleti i plotë i veprës që na e komplikoi bashkëpunimin për vite të tëra. Pikërisht kurorëzimi i një bashkëpunimi që duhej të ishte krejt i natyrshëm, solli shpesh situata jonormale. Siç duket, i ndikuar nga të tjerë, shpesh hezitonte. Do të kujtoja vetëm dy javët e fundit kur do të fillonte botimi i dy vëllimeve të para. Acarime pa ndonjë shkak të dukshëm. Nervozizëm. Ditët kalonin. Ai donte të shihte letrën e kapakut të fortë, si do të ishte produkti final. Ishte një enigmë për të gjithë. Por nuk kisha qetësinë e nevojshme. Nuk e dija se ndërkohë një botues tjetër, me miratimin e njerëzve të afërm të autorit, priste që të dështonte ky bashkëpunim. Afati ishte dhënë: nëse nuk dilte vepra në panair, çdo gjë ndërpritej. Kadareja ishte i ftuar për tri ditë në Gjermani. E përcolla deri në Rinas. Nuk e di pse u tregua i dhembshur, gjë që nuk i shkonte aspak në marrëdhënien me mua, dhe më porositi që vepra të dilte sa më mirë. Që të nesërmen u nisa për në Shkup, sepse në Tiranë nuk mund të gjendej një material i tillë. U ktheva, po ashtu edhe Kadareja, i cili donte të shihte si do të dilte libri. Por si, qysh t’ia tregonim? Duhej ende punë. Dhe ja, filloi java finale. Ika në Shkup të dielën së bashku me Bledin, shoferin, që të merrnim paperkotin. Ishte ora tetë e mëngjesit, në qendër të Shkupit. Ku je, u dëgjua zëri i Kadaresë. As si je, as mirëmëngjes. Po ç’bën atje? Po ç’punë keni ju se ç’bëj unë etj. U kthyem të martën në mesnatë, përmes borës, drejt e në shtypshkronjë, ku të gjithë punonjësit po merreshin me veprën e plotë. Në orën 17.30 u bënë gati dy vëllimet e para pas shumë peripecish. Binte shi, trafiku ishte i rënduar si asnjëherë, ndaj nisëm një shpërndarës drejt e te shtëpia e Kadaresë. Aty ishte vetëm e motra, Kakuja. Gjithë zemërim i kishte thënë se Kadarenë e kishte marrë me makinë botuesi në pritje. Ndërkohë, në stendë, disa persona po fërkonin duart, të sigurt që Onufri do të dështonte. Kur në orën 18.00 librat, si në një magji, ishin në stendë. Ndërsa unë nuk munda të isha i pranishëm në momentin më të rëndësishëm për një botues. Dy net i pagjumë, i parruar, i stërlodhur, ndenja në shtypshkronjë. Kur rreth orës 20.00 më mori Kadareja. Pse nuk erdhe? më tha. Nuk munda, pastaj, kishim tri ditë pa u parë dhe do të takoheshim përpara kamerave sikur po bënim teatër. “Dëgjo këtu, – më tha shumë serioz, – bravo! S’ka libra më të bukur. Veç të jesh i lig e të mos i pëlqesh. Të lumtë!” I lodhur siç isha, e ndjeva që më rrodhi një lot dhe befas sikur u çlirova nga një barrë e madhe e një makth që s’më linte të merrja frymë.

Të nesërmen na ftoi për drekë së bashku me Zanën. Kur u afruam tek tavolina e vogël, pashë që kishte vënë dy librat dhe i shihte me një fytyrë të mrekulluar. Helena i mori pa kujdes që të shtronte pjatat, kur Kadareja i foli prerë: “Lëri aty!” Pastaj pyeti të motrën, Kakunë: “Hë, si të duken?” “Ku di unë, s’marr vesh unë”, – u përgjigj ajo mbyturazi. Pastaj m’u kthye mua: “Dëgjo, Bujar. Unë jam rritur mes librave të bukur, gjithë jetën. Po s’ka libra më të bukur se këta!”

* * *

blank
Në ditën e 25-vjetorit të bashkëpunimit: 4 maj 2021 në Bar Juvenilja, Tiranë

Jemi të dy në Bar Juvenilja. E martë, 4 maj 2021. Që të sigurohem marr nga tavolina faturën, ku lexoj edhe datën dhe orën e saktë – 04.05.2021; 12.45. I them se fiks në këtë orë, 25 vjet më parë, kemi nënshkruar kontratën e bashkëpunimit. Shoh që buzëqesh, është krejt i qetë dhe pret që të vazhdoj.

“Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe!” – i them.

“Po, sigurisht, çfarë prisje tjetër? Nga Olimpi vijnë vetëm rrufe!” – ma kthen aty për aty.

Nuk folëm për një kohë dhe s’di pse m’u kujtua vetja, ai fëmija dhjetëvjeçar me librin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, përpara derës së mbyllur të bibliotekës. Befas, ajo derë m’u bë sikur të isha para Olimpit dhe atje në majë shihja siluetën e Kadaresë. E di shumë mirë se kurrë nuk do të mbërrij të ngjitem atje, sado të jetoj. Sepse atje është arti i madh, janë zotat dhe ne jemi shumë të vegjël para tyre. Doja t’i shprehja mirënjohjen për të gjithë këtë rrugëtim, por, i bindur se nuk do t’i shkonte ky happy end një shkrimtari si ai, nuk ia thashë.

Faleminderit Kadare. Përjetë. Scripta manent.

blank

Violinistic Greeetings, festival i violinës – Edicioni i 9-të

Situata e vështirë që preku skenat botërore e atë shqiptare solli ndryshimin e formateve të realizimit të festivaleve e koncerteve .

Në datën 8 maj 2021ora 19 në faqen Maratona Violinistike në facebook si dhe në you tube , vjen “ Violinistic greetings “, festival i muzikës violinistike , me interpretimin e violinistëve shqiptarë e të huaj.

Artistë nga shtete të ndryshme si Itali, Rumani, Serbi, Francë, Angli, Amerikë, me vepra të filmuara në këto kohë të vështira , posaçërisht për këtë event sjellin, intervista, tinguj botërorë e shqiptarë së bashku në një video për 1 orë e 30 minuta.

Si kartolina secili artist shpalos enkas për këtë kohë pjesë virtuoze , të cilat i japin këtij realizimi ngjashmërinë me një film ku tingujt e violinës e pianos bashkohen e ndër të tjera flasin shqip .

Keith Goodman , pianist , dirigjent e kompozitor italo-amerikan sjell të arranzhuara dy këngë të vjetra shqiptare , duke i dhënë përshendetjen vendit ku zhvillohet aktiviteti.

Instrumentistët shqiptarë vinë me vepra shqiptare , krijime shumë pak të njohura si “Balladë” apo Koncerti për violinë në la minor , kompozuar dhe interpretuar nga Ina Kosturi dhe pianistet Rudina Ciko e Ardita Bufaj. Muzika shqiptare vjen me dy pjesë të Robert Radojës për piano, interpretuar nga Ardita Bufaj .

Tingujt e kohës së dytë të koncertit për violinë të Ina Kosturi , vinë nga Franca në interpretimin e një violinisti brilant , fitues i katër çmimeve ndërkombëtare , një emër i njohur i violinës si Kristi Gjezi.

Bashkë me tingujt e pianistes Ardita Bufaj në piano, mjeshtri Klodian Qafoku , bashkon interpretimet e dy instrumentistët në distancë.

Ballada e Pjetër Gacit vjen gjithashtu në festival.

Nga Filadelfia Azer Damirov krahason në intervistë muzikën e vendit të tij dhe atë shqiptare.

I nominuar për grammy recording , interpretues në skenat më të njohura , përshëndet festivalin krahas violinës klasike me një pjesë nga Azerbajxhani.

Vepra të njohura e virtuoze , nga Gershwin, Tchaikovski interpretohen mjeshtërisht nga violinistja serbe Sanja Jovic Djordevic.

Violinisti Rumun Costantin Mirea shpalos talentin e tij në violinë klasike dhe jazz .

Gjithashtu dhe violinistja nga Londra Aleksandra Galfe interpreton njëkohësisht në violinë e piano , krahas veprave klasike duke i dhënë larminë gjithë videos.

Një brez i ri muzikantësh shqiptarë përfaqësohet me trio, nga Austria vjen një tjetër përshëndetje me tingujt e pianos .

Në 1 orë e 30 minuta interpretojnë 12 instrumentistë , me tinguj nga Vivaldi tek Piazzola.

Interpretimet janë realizuar enkas për festivalin, bashkë me broshurën me curriculumet e gjithë instrumentistëve , si dhe portrete në pikturë për violinistët e huaj si suvenir nga Tirana e festivali .

“Violinistig greetings” është i vetmi festival që i dedikohët tërësisht violinës , që përkrah e shpalos krijime të reja për violinë, e synon përhapjen e muzikës shqiptare . Ky edicion i 9 përkrahet nga Ministria e Kulturës dhe realizohet nga shoqata Bota e Artit .

blankblank

 

 

 

 

 

blank

ROMANI QE RIKUJTON NJË PJESË TË HISTORISË,OSE KUJTESA QË KRIJON HISTORINE E VUAJTJEVE – Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

 

Romani ”Rrugë e bardhë,” përherë troket në kujtesën historike.

blank

Drita KurtiKamberi: “ Rrugë e Bardhë,” 2021 roman, botoi “Lenagrafic” Prishtinë.

Autorja e romanit “Rrugë e bardhë” Drita Kurti-Kamberi, paraqitet për herë të parë publikut me prozën e saj të gjatë, duke shtjelluar ngjarje interesante të përvojës së hidhur personale e kolektive të luftës së fundit në Kosovë.

Subjekti i këtij romani përfshin një gamë të  tërë ngjarjesh  që nga fillim vitet 8o-ta,atëherë edhe kur filloi kalvari i vuajtjeve masive të popullit tonë, nga okupatori shekullor e hegjemonist serbosllav.Njëherit, ishin ato vitet më të arta të historisë sonë ndër shekuj, ku mospajtimi dhe rezistenca ndaj okupatorit sllav ishin veprimet e fundit dhe më të vendosurat në historinë tonë, për të dalë nga kthetrat e një barbari të paskrupullt, siç ishte Serbia dhe regjimi shovinist millosheviçian.

Autorja e romanit “Rrugë e bardhë,” ka ditur të nxjerrë nga shpirti i saj gjithë katrahurat e asaj kohe, gjitha ato veprime të paskrupullta të pushtetarëve, saqë ngjarjet e tilla t’i sjellë  me pamjen e “djeshme,” me gjitha ato peripeci të rënda. Përshkrimet e veprimeve me një  ndjeshmëri të veçantë të bëjnë të mendosh se mos edhe autorja e romanit, ishte pjesë e të gjitha atyre ndodhive historike të asaj kohe. Ndonëse, siç  vërehet edhe në faqet e librit, ka pasur familjarë të kyçur në ato ngjarje për lirinë e Kosovës, nga fillimi e deri në mbarim ,bile duke e pësuar edhe me jetë…

Romani “Rrugë e bardhë,” botuar e përuruar para disa ditësh, bëri  jehonë te lexuesit e mirëfilltë, falë kreativitetit e zotësisë së autores, e cila përmes personazheve në vepër, ka shtjelluar bukur subjektin tematik, duke i falur realitetin objektiv të kohës dhe përjetimeve  të tmerrshme , që rënduan gjatë këtë popull.

Autorja, Drita Kurti-Kamberi, në faqet e kësaj vepre romanore, lexuesit ia prezanton në radhë të parë, rezistencën e vendosur me gjithë sakrificat e mundshme, me qëllimin e vetëm, për t’u liruar njëherë e përgjithmonë nga një barbari okupuese, e cila dominoi mbi vendin tonë shumë kohë si një re e zezë, duke penguar gjithmonë diellin e lirisë në këto hapësira të Kosovës liridashëse. Për këtë qëllim,shumë kohë e shumë herë, ky popull u desh të ballafaqohet me  shumë sakrifica, si burgosjet e gjata e të rënda, maltretimet, vrasjet, padrejtësi të tjera, si shkollimin në gjuhë amnore e administrime  të dhunshme.

Për të arritur qëllimin e shumëpritur e historik, populli kishte vetëm këtë rrugëtim të mundimshme ,të cilin autorja, Drita Kurti-Kamberi, në romanin e saj, përshkruan me epitet  qëndresën në të gjitha etapat  historike, që nga okupimi në vitet e fundit të luftës së Dytë Botërore.

Arsimimi i rinisë dhe popullit, në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, kishte arritur në nivel të konsiderueshëm, me një vetëdije krejt ndryshe sa më parë, ashtu që organizimet e rinisë dhe popullit morën frymëzim pikërisht nga intelektualët e  niveleve të larta, duke u organizuar në forma të ndryshme, për rezistencë ndaj padrejtësive të klikës millosheviçiane. Një nga shkaqet e organizimeve rezistente të kohës ishte realiteti i vrasjeve të djemve shqiptarë nga regjimi, të cilët shërbenin në ushtrinë jugosllave.

Nga ky shembull, tipik, autorja e romanit “Rrugë e bardhë,” sjell faktin tragjik të vrasjes së Vatanit ,personazh i veprës, i cili realisht, ishte një i afërm i autores, pra një përjetim tragjik familjar. Nga ky këndvështrim, kishin ngjarë edhe shumë e shumë vrasjetë tjera, ku detyrimisht, populli refuzoi shërbimin  në çerdhen e asaj ushtrie vrastare.Vrasjen e ushtarit Vatani në momentin e kryerjes së aktit makabër, e kishte përgjuar shoku i tij intim, Mentori, i cili e mbajti si sekret  përderisa e mbaroi edhe vet shërbimin ushtarak.

I kishte përgjuar të gjitha të zezat e asaj dite, të cilat pastaj, shërbimet sekrete ushtarake e shpallen si “vetëvrasje” dhe nuk lejuan që të hapet asnjë diskutim lidhur me rastin. Këso rastesh në shtjellimin e romanit theksojnë mprehtësinë dhe inteligjencën e shqiptarëve se raste të tilla nuk kalonin, siç mendonte regjimi, por ato  ishte  veprimi qëllimshëm kriminal që kryente pushteti i gjithanshëm  i Serbisë. Pos këtij aspekti, autorja Drita Kurti-Kamberi, përmes personazheve në vepër, ngjit në piedestal edhe karakterin si moral kombëtar, besën e trashëguar nëpër breza dhe shumë vlera të tjera ,si homogjenimi i popullit në luftë të përbashkët.

blank

Këtë e bën herë përmes personazheve të ditur publikë, si Anton Çeta, Bardhyl Çaushi, Bajram Kurti etj,herë duke i emëruar  sipas dëshirës e roleve në ngjarje.Të gjitha këto elemente të thurura mjeshtërisht në romanin “Rrugë e bardhë” përbëjnë tharmin e veprës për faktin se përshkrimi është bërë me tërë qenien shpirtërore, sepse të sjell para syve rastet si në shirit filmi.

E për më shumë, përshkrimet e tilla trokasin si porosi e  thellë në ndërgjegjen njerëzore, duke aluduar se ato kohëra të vështira nuk duhet harruar kurrë, as gjeneratat pas nesh.

Një karakteristikë esenciale që këtë vepër e bënë të dëshirueshme për lexuesit,është përshkrimi i rasteve të rezistencës së paparë ndaj armikut,dinjiteti i çelikosur i masës rinore, dhimbja në raste të rënda si vrasjet deri në tragjedi,unifikimi i masës dhe solidariteti në kriza të veçuara.

Bile, do thosha se pa këto elemente romani do vuante nga një anemi për lexuesit. Gjitha këto raste thelbësore autorja,Drita Kurti-Kamberi,i nxjerr nga thellësi e shpirtit duke i përjetuar, ose duke u shpirtëzuar me tërë rrëmujën e ngjarjes së madhe kombëtare deri në fitore.

Romani “Rrugë e bardhë” nga autorja Drita Kurti-Kamberi, përmban një stil të vakët të ndjesive njerëzore ,duke pasë si rrjedhojë porosinë didaktike të veprës, e cila padyshim, do lërë mbresa  tek  lexuesit e rinisë shkollore. Në shumë faqe të kësaj vepre hasim përshkrime të ngjeshura poetike ,të cilat prekin ndjesitë e lexuesit.

Natyrshëm, duke ditur edhe profesionin e autores si pedagoge e njohur, në faqet e librit ndeshemi edhe me shprehje adekuate pedagogjike e psikologjike, të cilat temën e shtjelluar e bëjnë më atraktive, duke përvetësuar terma të reja në përshkrim.

Krejt në fund, shprehi bindjen se romani “Rrugë e bardhë” i autores Drita Kurti- Kamberi, na vjen si një dhuratë e kohës sonë, ku shërbesa e memories historike na kthen  në retrospektivën e ngjarjeve historike të një populli, popullit shqiptar,  i cili vuajti me shekuj për lirinë e vendit dhe trojeve të veta etnike. Si i tillë ,ky libër ka vlerën e pamohueshme si pjesë  e rafteve në bibliotekat tona.

Gjakovë,3 maj,2021

blank

PSE IKE FATMIR BAJRAKTARI, TI FRENK SINATRA I PEJËS – Nga SEJDI BERISHA

Mall, ose në vend të përkujtimit për këngëtarin e shquar pejanë, Fatmir Bajraktarin

 

 

 

Nganjëherë mendoj por edhe hidhërohem, se jeta m’i ngjanë deteve të trazuara, dhe kur është kështu, ajo shndërrohet në dhembje të pashuar, që njeriun e bënë të vuaj edhe kur është i lumtur, të qaj edhe kur këndon, dhe pastaj, para vetes të dalin shumë gjëra që rëndojnë e rëndojnë aq shumë, sa që edhe nuk di t’i shprehesh të gjitha ato kujtime që ikin shpejt si lumë i rrëmbyeshëm. E pastaj, prapa lë vetëm dhembje dhe, shikimin e pritjes dhe të kthimit e rëndon me të gjitha ato ecje nëpër jetë, që me të vërtetë janë jehonë që as në gjumë nuk të lënë të qetë; diçka kërkon ta prekesh, ta përqafosh, por kurrë nuk të plotësohet një dëshirë e tillë.

__________________

O miku im, pse më detyrove që në këtë formë kaq të rëndë e të tmerrshme nga malli, të bisedoj me ty për shumëçka…!

 

Për këtë arsye edhe është vështirë të shkruash për mikun, për shokun, për njeriun, me të cilin kemi rrugëtuar bashkë për një ideal, për ta lumturuar kombin e atdheun duke e quar përpara kulturën edhe vlerat e saj. E, në këtë rrugë madhështore por të rëndë e të dhembshme e “kalëruam” jetën, ose, ajo nga ngarkoi mendjen dhe shpirtin, që në asnjë moment të mos jemi të qetë. Pra, Fatmir Bajraktari, as sot dhe as kurrë nuk e pranoj se ke ikur nga kjo botë, sepse, tash, në këtë kohë nuk e meritoje! Dëshiroja që edhe pak të japim diçka për kulturën e për muzikën, që Ti aq shumë e kishe për shpirt, mbase edhe pjesë të jetës dhe frymëmarrjes. Bile, më ka “ngelur” hatri, sepse disi ike tinëzisht për të na lënë përgjithmonë të etur për atë fjalën tënde të ëmbël, për atë zërin karakteristik dhe atë shkrumbin që e kishe për t’i dhënë nam muzikës, jo vetëm në Pejë.

Fatmir, sot më ke detyruar që edhe në këtë formë kaq të rëndë e të tmerrshme nga malli, të bisedoj me ty për shumëçka, që vërtetë na ngelën të parealizuara, na ngelen si flutura që shkojnë nga lulja në lule për ta madhështuar natyrën, por që, sot vetëm letra mund t’i durojë si kujtim, e ndoshta edhe si qortim për shoqërinë.

 Dhe, do t’i hy radhazi disa nga kujtimet që më përcëllojnë, dhe se kur i fus në rrethin e vargut tim poetik, djersitëm, ndërsa shpirtin e maltretoj duke i thënë, se Fatmiri, kurrë nuk është e vërtetë se ka ikur! Që në rini, e “ngatërrove” shpirtin me këngën për ta bërë të lumtur njeriun, për t’i forcuar themelet vlerave muzikore dhe kulturore, të cilat i kemi ruajtur dhe i kemi quar përpara si thesarin më të çmuar të njeriut dhe të shpirtit e mendjes së tij. Dhe, në këtë drejtim, Fatmir, do t’i përmend vetëm disa gjëra më karakteristike, të cilat i kishim ëndërr për t’i realizuar dhe për t’ia dhuruar qytetit tonë të bukur, Pejës.

Zëri yt, që në rini nuk të la rehat derisa e ndërtove madhështinë e të kënduarit të veçantë, me të cilin ua pushtove zemrat dhe shpirtin qytetarëve, i madhështove muret e shtëpive dhe lagjet e qendrën e qytetin me tingujt aq madhështor dhe engjëllor e të rrallë prej këngëtarit. Kjo ishte diçka e madhe, që duhej ta çmonte qyteti e ta mbështeste shoqëria, që zëri e kënga jote të depërtonte edhe jashtë Pejës, edhe jashtë Kosovës, edhe jashtë trojeve shqiptare, sepse, këtë e meritoje, por shoqëria jonë është ashtu siç është…! Por, Fatmir, nuk e kam besuar se do vjen koha që të drejtohem në këtë mënyrë; se kënga jote i jepte kuptim dhe shpirt koncerteve të shumta muzikore, siç ishin “Netët e Dukagjinit”, “Zambaku i Prizrenit” dhe shumë të tjerë. Koncertet e shumta, por edhe skena pa ty ishte e mangët, sepse, zemra dhe shpirti yt ishte i përkushtuar për t’i dhënë kultin dhe piedestalin profesional muzikës dhe këngës, për çfarë, puna jote u dekorua me shumë mirënjohje dhe shpërblime të tjera.

Por, Fatmir, e di se këto nuk të bënin shumë përshtypje, ngase, ishim thjeshtë shumë të etur për vlerat e kulturës, bile, edhe atëherë kur ishte shumë vështirë edhe brenda vetvetes të mendosh e të veprosh për diçka të mirë…!

blank

Fatmir BAJRAKTARI, këngëtar, që ai dhe kënga e tij kurrë nuk harrohen

 

Më kujtohet e që në të njëjtën kohë më dhemb, kur u angazhuam me mish e shpirt për themelimin e Kori të Vajzave, për çfarë kishte ngulur këmbë edhe mikja dhe punëtorja e devotshme e muzikës, Syzana Jakupi. Dhe, ia dolëm, duke ushtruar pothuaj nëpër vende të ndryshme në mungesë të lokalit. Sa të rritej shpirti e zemra na behej mal, kur ky kor me punën e vetë ecte mbarë, e aq më tepër kur e dinim se ishte kori i parë i vajzave në Kosovë, atje diku në kohërat e rënda e plot ankth të viteve 1990. Fatmir, në atë kohë ishim të pezmatuar e të mllefosur por edhe të mërzitur, sepse, nga regjimi e kishim të ndaluar të organizonim koncerte në lokale publike. Mirëpo, koncertet e Korit të Vajzave në ambientet e Kishës Katolike në Pejë, ishin edhe historik, edhe madhështorë, por edhe momente historike që për gjeneratat e ardhme provokojnë për t’i vlerësuar ato suksese në ato rrethana.

 

Ike, kur edhe stina e vjeshtës ngadalë filloi t’i sjellë motivet e mallit dhe të dhembjes!

 

Pse or Fatmir, me mungesën tënde më detyrove të rrëfehem kaq habitshëm, kaq me shpirt të lënduar për rrugëtimin tënd, i cili rrugëtim, sa herë që jemi takuar, përherë më ke pas “lodhur” me bisedat për këngën e kulturën. Por, të kuptoja, sepse, e dija se ti e ke shpirtin, zemrën dhe mendjen këngë e urti. Realizove shumë këngë, të cilat ta dhanë epitetin “Frenk Sinatra” i Pejës, dhe zëri yt kërkohej dhe pëlqehej në çdo mjedis. Andaj, nuk pate të drejtë Fatmir që kështu të ikësh dhe nga le më zemër plotë dhembje e hidhërim…!

A të kujtohet, kur në ato rrethanat e shtypjes dhe të robërimit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit kaluar, me shumë sakrifica e themeluam Lidhjen e Veprimtarëve të Kulturës Pejane. Edhe, themeluam! Dhe, Ty të caktuam me zemër e shpirt në krye të këtij asociacioni. Filluam mbarë dhe mirë, arritëm edhe shumë suksese në atë kohë të “zezë”! Por, ky sukses, për habi, shumëkënd e pengoi dhe nga smira tentuan të na rrënojnë, por nuk munden, sepse, ishim të pastër dhe me zemër e shpirt për të mirën e kombit dhe të atdheut. Por, për këtë, tash nuk do flas…! Sepse ne ecnim tutje mirë e pa u frikësuar nga askush.

Fatmir, nuk pushove, u kyçe edhe në Oktetin e Burrave, edhe në Korin e qytetit, të cilin atëherë edhe tash, edhe pse i ri me moshë, e udhëheq njeriu i madh i vlerave muzikore, Memli Kelmendi. Edhe aty ishe oksigjen për punën e mirë dhe profesionale. Prandaj, pse ike ore burrë dhe na le me duar të hapura nuk di se kah, ndoshta kah qielli, për të parë Ty atje si engjëll, që edhe bota krenohet me ty.

Ti, Fatmir Bajraktari, ike nga kjo botë me 03 shtator 2020, ishte ditë e shtune, në muajin kur çdo gjë ringjallet, por edhe kur stina e vjeshtës ngadalë i sjellë motivet e mallit dhe të dhembjes, kurse fillimi rënies së gjetheve shton mërzinë se diçka po ikën e që nuk kthehet kurrë më. Por, trupi yt u përcoll për të pushuar në tokën e Kosovës, me këngë, ashtu siç e meritoje ti, edhe pse ligatina e Coronavirusit na plasi zemrat edhe më shumë që nuk mund të të përcillnim edhe më mirë, e me atë dufin e shpirtit dhe të zemrës…!

Ja, Fatmir Bajraktari, Ti, Frank Sinatra i Pejës,  unë kësaj radhe kaq munda, kaq u shkrumbova por edhe u krenova me ty. Pusho i qetë në tokën e Pejës, në tokën e Kosovës, ashtu i qetë dhe i buzëqeshur siç ke qenë gjithmonë…!

         

blank

Shtëpia botuese PROKULT, Prishtinë, botoi “Përroi qante në mesnatë”, roman i shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli

ILLO FOTO
            Mendime  mbi   romanin  e  Kristaq Turtullit
                         “ Përroi qante ne  mesnate”
    Kisha njohje për romanin: PËRROI QANTE NË MESNATË, të romancierit të mirënjohur Kristaq Turtulli mbasi kisha lexuar në gazetën “Dielli “ mendimet e Profesori të nderuar Sami Repishti, i cili shprehej me konsiderate te larte.
  Kam lexuar dhe bërë vlerësime dhe për veprat e tjera të shkrimtarit tonë. Kjo më obligon  edhe me shume, ndaj veprës së re dhe vete romancierit. Aktualisht, K. Turtulli,  ka bere  emër, si romancier i mirënjohur. Shumë kritikë e krijues kanë  shprehur mendime shumë pozitive, për veprat e tij. Mbi të gjitha, lexuesit  e shumte, vërtetojnë se  Kristaq Turtulli udhëton me shumë sukses , në  autostradën e krijuesve-romancierë më të  shquar aktualisht.
  Romani i  fundit: ‘PËRROI QANTE NË MESNATË’ më la  mbresa të pashlyeshme,  e lexova me një  frymë, për një kohe rekord dhe jo një here. Pse ? Sepse kjo vepër, më shumë se roman , është një drame ne kuptimin e tragjedisë. Është një skenar filmi,  i gatshëm. Është një kryevepër, qe ja vlen ta rilexosh, ne cilëndo grup lexuesish. Është me interes  të studiohet, qe nga të rinjtë, fshataret, qytetaret, te sëmurët, qe dergjen nga convidi dhe pleqtë qe bëjnë llogari ditët e fundit te jetës dhe janë duke hartuar testamentet. Romani i ka hapur rruge  vetes, për te gjitha moshat dhe kohërat. Është kryevepër, ne llojin e vet .
       Ne fund te romanit, autori ka shënuar kohen, qe është marre me  veprën. Plot 15 vjet . E meriton ti përkushtohesh për kaq  kohe, ndoshta dhe me shume, kësaj vepre me hapësira dhe vlera shumëdimensionale. Një nder dimensionet e këtij  romani , është vendi ku  zhvillohen  ngjarjet, është pikërisht zona malore e Shqipërisë dhe e Kosovës, qe pa  asnjë problem, mund te shtrihet edhe në gjithë gadishullin  ilirik, ku flitet shqip. Dimensioni i  dyte është  ushtrimi i  kanunit, si  institucion ligji shoqëror, kur mungon shteti.  Faktikisht, nuk është vepra  e parë, që shkruhet, për kanunin e maleve, por Z. Turtulli e ka shtjelluar kanunin, në të gjithë  gjerësinë e tij , për te mos thënë, qe problemet e  kanunit, e përshkojnë tej e mbanë  këtë  vepër, sa letrare, aq edhe me rëndësi shkencore. Anën shkencore te kanunit dhe llojet e kanunit qe kanë sunduar ne malësitë tona, e kanë trajtuar shume shkencëtarë te vendit tonë, madje për këtë lloj qeverisje, jashtë shtetit ligjor, kane paraqitur interes dhe dy shkencëtarë japoneze, qe kane ardhur  ne vend dhe i kane studiuar efektet  e tij. Kanuni, ka qene kushtetute e përcjellë , brez pas brezi, nëpërmjet memories popullore .
        Personalisht, nuk kam lexuar ndonjë vepër, qe te jete përshkruar  tej e mbanë nga kanuni, siç është vepra e mjeshtrit të madh Turtulli.  Personazhet i lëviz  kanuni, sipas  paradigmave te tij. Nuk  gjen personazhe episodikë. Njeri të mungoi, qofte dhe përkohësisht aksioni letrar bie. Vepra është ndërtuar sipas parimeve te romaneve klasike. Nuk mbetet kënd i  kanunit, pa kaluar në sitë, por me ulërime, për normat morale qe i imponon shoqërisë njerëzore.
      Romani, përshkruan  kohen, kur jeta  shtronte detyrën e rëndësishme, se kanuni është  bere i pa durueshëm, për shoqërinë. Kemi te bëjmë, me një institucion, si kanuni, qe e krijuan njerëzit me te ditur te brezave te kaluar. Aktualisht  ky kanun e ka zënë shoqërinë prej gryke, por cili është ai burrë  dhe ajo shtrese, qe e thotë, këtë te vërtetë, qe shoqëria e ndjen, me shume se kurrë,  por nuk e shpreh. Një shprehje, sado anësore, kundër kanunit, kërkonte jete  njeriu, madje  grupi njerëz.
Burrat e fshatit, bien si lisa, nga dita ne dite, fshati zvogëlohet ne  numër . Burrat me te mire dhe me te mençur, mbeten neper prita, kullat vajtojnë te  vrarët, si qyqet ne lisa. Kështu na i përshkruan  autori situatën ne malësi, kur zhvillohen ngjarjet tragjike te romanit Nga koha ne kohe kanunI është thirrur nga historia, tani po behet një xhakete e hekurt, qe i rri ngushte shoqërisë. Kësaj shoqërie, qe shkollohet dhe emancipohet nga dita ne dite .
         Fshati, qe përjeton  zhvillim kulturor dhe shoqëror progresiv, zgjidhjen  e kërkon me heshtje stoike, brenda vetes. Kanuni, nuk është krijuar neper zyra komode dhe nga dijetare, qe janë teoricienë te filozofive  para ardhëse dhe kohore. Shoqëria kishte nevoje, për kanunin. Ai  e pat kaluar me kohe periudhën e provës. E pat justifikuar me kohe veten. Pëshpëritej kundër tij nen zë, por ata burra ose gra, qe ta ç’ bënin, mendohej  se nuk kishin lindur ende, ne ato ane.
       Shoqëria mësuar me  ligjet e rrepta te kanunit, nuk  ngre as gishtin  kundër tij . Ajo është  shoqëri e nënshtruar  dhe e çimentuar nga gjaku i burrave te saj me te mire, qe po e rrallojnë, për dite fshatin, ne heshtje ndaj  kanunit  dhe ndaj vetvetes. Sipas  kësaj   logjike shoqërinë  e mban ne këmbë dhe funksionon, nga gjaku i derdhur, sipas ligjit   te egër te gjakmarrjes dhe jo vetëm këtij ligji mizor, por dhe ligji  po kaq i hekurt i  nënvlerësimit te forcës se  gruas. Gruaja konsiderohej si një shtojce shoqërore, pa vlera civile. Mbi te shekujt kane hedhur mantelin e injorancës dhe te heshtjes, mbeti robinë  e punëve te renda, ne  kulle,  are, ne stanin e bagëtive. Konsiderohej njeri pa ndjenja dhe pa te drejta shoqërorë.
      Trajtimi i kësaj teme, jo thjesht letrare, kërkon përgatitje te gjithanshme historiko- shkencore. Libri ja ka arritur qellimit, duke konsumuar te tere problematiken negative te  kanunit te maleve. Na ka prure afër te gjitha  zhvillimet e jetës ne malësitë shqiptaro- kosovare. Ligjet e hekurta kanunore i kane konsumuar personazhet e spikatura te romanit, qe mund te emërtohet  edhe drame e fuqishme.
Romani  është një enciklopedi, e vërtetë e jetës ne malësi . Na i ka injektuar ne ndërgjegje te terë atë, qe autori e ka ngritur ne art. Pjesa përmbajtjesore e romanit, ja ka arritur plotësisht qëllimit. Nuk mund ta lesh pa lexuar as një paragraf, sepse lexuesi behet shtojce aktive e kësaj vepre të rrallë. Nuk mund te ketë lexues indiferent, ndaj problemeve jetësore, qe shtron romani dhe qe janë njëkohësisht edhe probleme shkencore.
 Kanuni, sado i ashpër ne disa aspekte, është produkti ynë. Na është dashur dhe e kane krijuar brezat paraardhës. Autori, na ka futur ne anët me kriminale te kanunit, siç kane bere, për popujt e tyre shkrimtaret klasike, Shopenhauer,  Volter, madje dhe vete Shekspiri. Shoqëritë primitive, kudo janë administruar nga ligje tragjike, me specifika, te diktuara nga mjedisi. Mjafton te kujtojmë  “Makbethin “ Shekspirjan. Duhet te kemi bindjen, se te gjithë popujt kane kaluar periudhat para ligjore, ne forma nga me te ndryshmet dhe nga me te tmerrshmet. Shkrimtaret, i kane përçuar ne veprat e tyre, me synimin thellësisht human, qe çmohet realisht ligji dhe demokracia.
 Kanuni te merrte jetën, për te shpaguar atë, qe mendonte pushka e ngrehur ne pusi. Kanuni nuk merrte jete grash dhe fëmijësh. Ishte me human midis tragjedive makabre te   Evropës  mesjetare. Për te zbritur tek personazhet, ta leme me kaq individualitetin e  kanunit te maleve tona .
      Personazhet e autorit, Turtulli janë  personalitet te skalitura ne mermer. Lexuesi i do dhe i urren personazhet e romanit, ne atë mase, qe i përshkruan  autori. Marku, mbetet një personazh, qe e duam, si njeri, si mik, si i ri, qe rend drejt një jete te emancipuar, qe nuk i nene shtrohet, por drejt te cilës  gjen momente rebelimi. Marku, mbetet ne kujtesën tone si një i deleguar i  jetës, qe po ndryshon rrënjësisht ne malësinë tone, na do dhe e duam, sa veten. Marku është revolta ndaj kanunit mesjetar, ndaj  gjakmarrjes shtazarake, ndaj fejesave te turpshme ne djep. Marku është ndryshimi, është e ardhmja e malësisë, kësaj kocke te forte te kombit.
Marku është pjelle e kohës se ndryshimit dhe e emancipimit. Marku është shteti ligjor, qe proteston, kundër gjakmarrjes shtazarake, ndaj  fejesave ne djep. Marku është personifikim i te ardhmes, ku bukuroshja malësore, do t’i japë tonin jetës ne malësi. Është i vendosur, qe ndryshimin shoqëror, nuk mund ta  beje, pa gjysmën femërore te shoqërisë. Ndryshimet  shoqërore, ndriçohen nga inkadishenca e dashurisë te rinjve, qe refuzojnë fejesat ne djep.
  Marku, edhe i vdekur është një shenjt i jetës reale. Malësoret te Marku shohin progresin, te ardhmen, emancipimin shoqëror, qe mohon gjakmarrjen, këtë  ligj shtazarak te kanunit.
Marku është malësor. E do jetën, te zhvilluar nëpërmjet dashurisë, me një malësore, si Mirka, përpara te cilës përkulen dhe perënditë. Dashuria  e Marku me malësoren Mrike, e shkund kanunin. E bën atë me te egër dhe te tejkaluar ne kohe. Marku dhe Mrika  studiuan ne shkollën qytetëse. Shkolla, nuk ka  asgjë te ngjashme me kanunin. Ne shkolle Marku, e puthi Mriken. Po te ishte për kanunin ky zhvillim njerëzor do te përfundonte ne mbulimin me gurë te dy te dashuruarve, qe  do te  zhvillonin jetën, me dashuri, me fëmijë, me familje te konsoliduar.
     Sipas asaj, qe na mëson autori, jeta fillon nga dashuria, jo nga  gjakmarrja. Dashuria është e bukur, sa është edhe shprese. Është jete e lire, është e ardhme e ndritur, pa kanun. Kanuni, nga ana tjetër, është shekullor, autoritar, me rrënjë te thella ne popull. Ai komandon jeten, martesën me shkuesi  dhe vdekjen, qe përgjon nga shtjekëza e armës, qe rri varur, ne ç’do kullë.
     Marku dhe Mrika, nuk janë te vetmit  elemente, qe duan jetën ndryshe, nga   ekzistuesja. Kur shkruam se nuk kishte burrë te ngrihej kundër kanunit, gratë u bene pararoja  e ndryshimeve sociale. Drandja, mëma e Markut, ne kulmin  e  dëshpërimit dhe zisë, gjeti  forca, për te pranuar Mriken ne  kullën e vet. E pranoi si nuse shtatzënë, qe kishte refuzuar fejesën ne djep, me një  personazh krejt negativ. Ndodh një ndryshim mental i pa pare, ne histori. Ndodh një përmbysje, jo thjesht morale, por me shume shoqërore.
        Autori  është kujdesur te na japi te tera  aspektet e shoqërisë njerëzore, jetën ne një repart ushtarak. Demaskimin e oficerit te afte dhe përkrahjen e tjetrit te pa afte. Tregon se si ushtari Kalosh, intrigant dhe vrasës , i shpëtoi dënimit, duke u mbështetur ne gjyqtare te rrethit familjar dhe te korruptuar. Autori na bën me dije se rrënjët e kanunit, kane hyre thelle ne te tera  plasdarmet shoqërore.
        Emancipimi shoqëror e gjen rrugën me vështirësi dhe me sakrifica  jetësore
       Gjuha është ne pajtim me te tera  ngjyrimet të një  gjuhe, qe na afron, me te tera detajet e jetesës kanurore. Përdor një nëndialekt te gjuhës gege, shume te lëmuar, për çdo lexues dhe ne harmoni te plote me ngjarjet dramatike kanunore. Nuk është as gjuha e kanunit te ashpër as  gjuha e drejtshqiptimit te përpunuar ne kabinetet akademike. Është gjuha  e malësive tona, e kuptueshme nga te gjitha trevat shqipfolëse.
  Po qe se autori nuk do përdorte gjuhen specifike te kullave malësore, romani do t’i përkiste  vetëm tragjedisë dhe kujës se përjetshme, por gjuha e  romanit, na afron me Markun  dhe Mriken, këta kryengritës, qe ju mohua jeta ne shërbim te fitores se madhe, për te triumfuar mbi kanunin. Beteja, për te mposhtur kanunin, u ndërmor nga te rinj te arsimuar, ne shkollën qytetëse. Dashuria e pastër dhe e zjarrte, midis dy te rinjve malësorë, u be ure kalimi, për te kapërcyer obskurantizmin e egër, pengonte jetën e dëlirë njerëzore  përparimin e këtyre trevave, qe i ka krijuar natyra, te jetojnë njerëzit te lire dhe te lumtur.
     Markun autori, na i përshkruan te vdekur tragjikisht, ndërsa  Mriken, e përshkruan brenda kullës të dashurit te saj, ku do te sjelli pasardhësin. Malësia jone, nuk i përket kanunit, por emancipimit kulturës kohore, ku te rinjtë dashurohen sjellin pasardhës te këtij mjedisi malësor, qe lakmohet nga turistet, shkrimtaret, piktoret, shkencëtaret.
     A duhet ta studiojmë dhe ta përshkruajmë te kaluarën e hidhur kanunore? Pa tjetër, sepse njerëzit , që nuk njohin te kaluarën, sado e hidhur te jete, rrezikojnë ta përsëritin. Brezat duan te njohin rrënjët, nga kane ardhur. Te mbajnë te gjalle kujtimin e paraardhësve, qe sakrifikuan jetën, për te kapërcyer me guxim atë segment, qe ndante jetën nga  vdekja. Malësori  ka vlerësuar  dhe vlerëson jetën, qe jepet, për lirinë  e  atdheut.
      Romani  i shkrimtarit të talentuar Kristaq  Turtullit: PËRROI QANTE NË MESNATË është një vepër qe na bën krenar, për jetën e malësoreve tone te mençur dhe trima, qe e krijuan   kanunin, kur ju duhej dhe jetën kohore si te barabarte midis te barabartëve . Malësitë tona kane qene vende nga ka zbritur liria. Historia  e  vendit është mbrojtur ne male.
      Kristaq  Turtulli, me romanin e tij, i ka dhënë kulturës shqiptare një vepër, një frymëmarrje te re rralle kund e kemi ndeshur, kaq hollësisht me vërtetësi dhe art të fuqishëm ne krijimtarinë  letrare, për kanunin, jetën e malësisë.
Illo Foto – Studiues , NY , 12 dhjetor  2020 .
blank

“Duartrokitësit” e Bashkim Hoxhës një roman mbi shenjtërinë e lirisë – Nga Laureta Petoshati

Me rastin e ditës botërore të librit
Nuk ka shumë kohë që ka dalë për publikun romani “Duartrokitësit” e shkrimtarit, gazetarit dhe skenaristit Bashkim Hoxha, i cili është autor i romaneve të suksesshme si “Heronjtë e viagrës”, “Një ditë si Skënderbeu”, “Gruaja e shiut” dhe “Kronikat e mjegullës”. Romani, brenda të cilit ngjarjet zhvillohen në një hark prej pothuajse gjashtë muaj ka në thelb lirinë e individit në shoqërinë e sotme. Në të, brenda rrëfimeve, dialogjeve, monologjeve dhe përsiatjeve të brendëshme të personazheve autori lë të kuptohet se kriza politike shqiptare e ditëve të sotme ka shumë shkaqe komplekse, por pikesëpari vjen si pasojë e mos-shkëputjes tërësore nga mendësia totalitare, ku udhëheqësi, apo partia në pushtet, janë në qendër të gjithçkaje, sikur të jenë në qendër të universit. Ata që mbajnë në këmbë diktaturën dhe zvogëlimin e lirisë janë duartrokitësit, që i japin oksigjen udhëheqësve të sotëm, duke i duartrokitur me intensitete të ndryshme sipas drejtuesit të duartrokitësve. Duartrokitësit lindin nga nevoja, pra nga varfëria ekonomike, e cila bëhet shkak i një rrënimi shpirtëror, për të mos thënë dhe krimi, sepse gënjeshtra, e cila e bën të bardhën të zezë dhe anasjelltas, me duartrokitje i zgjat jetën arbitraritetit dhe mungesës së demokracisë. Por duartrokitësit lindin dhe nga indokrinimi që u errëson sytë dhe nuk shohin qartësisht botën me ngjyart e vërteta të saj. Të dy këta lloj duartrokitësish janë dhe dy personazhet kryesore të këtij romani: Klajdi dhe Jona.
Romani është tablo e shoqërisë së sotme dhe e mendësisë së saj. Fakte të vërteta të bëra bashkë me ato të imagjinuara nga autori Bashkim Hoxha, të shkruara me një zhdërvjelltësi dhe pikësynim për të dhënë një mesazh të qartë mbi lirinë si domosdoshmëri për zhvillimet demokratike, janë mjaft të dobishme për denoncimin që i bën autori fenomenit të përbotshëm të duartrokitësve. Edhe pse romani është mjaft shprehës dhe modern, sepse trajton një temë universale, prapëseprapë, me një përmbajtje mjaft të matur dhe me ngjarje e vende autentike shqiptare si Amfiteatri i Durësit, Kukësi, Tirana, ai tregon hartën ku zhvillohen ngjarjet në mënyrë të drejpërdrejtë. Ky roman, ku forma është në përputhje me përmbajtjen, të krijon në mendje një dramë: atë të shoqërive të sotme populiste. Por duartrokitësit nuk kanë lindur sot. Fenomeni i duartrokitësve është i dokumentuar që nga koha e Neronit në Romën e lashtë. Të sotmen me të shkuarën e lashtë i risjell në mendje dhe i bashkon roli i skllavit poet në pranga te poema simfonike e titulluar “Prangat e një skllavi” të luajtur nga Klajdi. Aty prangat ishin një imitim i stërmadhuar i atyre në muzeumin arkeologjik të Durrësit, ku skllavin e kanë gjetur të varrosur bashkë me to. Stadiumi, shkallaret, britmat, prangat dhe duartrokitjet janë mjete që krijojnë disa reminishenca mbi jetën e familjes së personazhit kryesor, Klajdit, por dhe rreth ngjarjeve apo filmave me gladiatorë që atij i kanë treguar, apo ka parë. Por njëkohësisht, edhe pse autori Bashkim Hoxha nuk e përmend askund, këto pranga të skllavit poet, krijojnë te lexuesi shqiptar reminishencën me prangat e gjetura në duart e shkrimtares disidente shqiptare Musine Kokalari kur i transferuan eshtrat pranë njerëzve të saj.
Në ato shkallare amfiteatri ishin duartrokitur skllevërit që luftonin me bisha dhe nuk ktheheshin më gjallë si te shprehja latine: “Avē Imperātor, moritūrī tē salūtant!”(Përshëndetje Perandor, ata që janë duke vdekur po të nderojnë me dorë). Madje Klajdi, sipas autorit Bashkim Hoxha ishte jo vetëm emri real i skllavit poet, por njëkohësisht dhe i personazhit Klajdi nga Durrësi, i cili kishte mbaruar Universitetin e Arteve në Tiranë për aktor dhe ishte ende i papunë. Puna që gjen hëpërhë ishte duartrokitës, sa të gjente një punë apo rol më të mirë që të mos ushqehej nga prindërit pensionistë dhe të mos ia jepte e ëma rrobaqepëse lekët për paketën e cigareve. Drama e tij shpirtërore dhe mërzitja shkojnë paralel: ai është i biri i një ish të burgosuri politik, që ka provuar burg për agjitacion e propagandë sipas nenit 55 se kishte bërë sarkazmë mbi regjimin ndërsa shkonte që të blinte qumësht herët në mëngjes për të birin e tij duke i thënë një të panjohuri, që e kishte denocuar, këto fjalë: “E ke dëgjuar atë shprehjen: më erdhi qumështi i nënës në majë të hundës? Tani duhet thënë ndryshe. Duhet thënë qumështi i babait. Ngrihemi që në tre të mëngjesit për ta siguruar.” Futja në burg me anë të një gjyqi ku pjesëmarrësit duartrokisnin për të atin ishte një dramë e madhe. Duket e qëllimshme nga ana e autorit Hoxha, vendosja e emrave latinë si në kohën e Perandorisë Romake: Klajdi e Jul, por dhe e babait që urrente skllavërinë e duartrokitjeve. Në latinisht “birit” i thuhet “liber – liberi” që do të thotë “i lirë”, sepse një njeri është me të vërtetë i lirë kur është bir i një babai dhe “qumështi i babait” vërtetë është vënë për sarkazën ndaj regjimit të dikurshëm, por dhe me qëllimin se babai të ushqen me ndjenjën e lirisë. Në këtë roman flitet se si duartrokitësit në rreshtat e studiove të mëdha televizive, ku gazetarët dhe politikanët në vend që të jenë në marrëdhënie të kundërta janë në të njëjtën linjë veprimi, brohorasin dhe miratojnë me duartrokitje deklaratat dhe fjalimet publike, që thonë në mënyrë të përllogaritur apo si tu shkrepet, por që mund të jenë të dëmshme për publikun. Se çfarë janë duartrokitësit për një studio televizive, apo për një politikan, e shpjegon vetë autori Bashkim Hoxha në gojën e trajnuesit të duartrokitësve: “Ne jemi ata që mbajmë në këmbë VIP-at në atë sakrificën tonë të heshtjes tretur në turmë. Ja pse ju krahasova më parë me shkrepësen. Ne ndezim zjarrin dhe vetë digjemi. Jemi çfarë ata duan të dëgjojnë. Jemi e vërteta dhe orientimi i publikut. Vlejmë shumë.”
Por nuk janë vetëm këta lloj duartrokitësish. Janë dhe ata që mbështesin me rrjetet sociale komunikimin politik të kryeministrit dhe që sulmojnë ashpër me emra të rremë kundërshtarët politikë apo polemizuesit. Një nga këta është Jona, e cila ka disa llogari në rrjetet sociale me 12 emra të ndryshëm, qofshin të gjinisë femërore apo mashkullore. Ndryshe nga Klajdi, i cili ka vrarje ndërgjegjeje për punën që bën në kundërshtim me parimet që është rritur, Jona, përkundrazi, e bën me pasion këtë punë të partisë, për të cilën është ushqyer me një dashuri të pastër dhe pothuajse sublime. Ata njihen në një udhëtim, të ulur pranë njëri-tjetrit, për të shkuar drejt Kukësit, ku kryeministri do të bënte një përurim dhe do ti duheshin duartrokitësit. Aty do të lindë shkëndija e tyre e dashurisë, vetëvetiu, pa kuptuar. Udhëtimi i tyre drejt Kukësit është si udhëtimi i brendshëm i një njeriu në ndërgjegjen e tij, nëse më vonë ata mund të bëhen shokë jete, pra gjysma e njëri-tjetrit. E plota e tyre është çdo familje shqiptare, apo shoqëria jonë e ndarë, por e bashkuar në diversitet, që kërcënohet herë pas here nga ajo që nuk është reale, por e stisur. Sipas romanit të Bashkim Hoxhës kemi dy Shqipëri: një të ekranit (të imagjinuar në 3D) dhe një reale.
Gjendjet shpirtërore të këtyre dy personazheve kryesorë, por dhe të shumë duartrokitësve, flasin për një dimension të brendshëm të tyre që kushtëzon mundësitë dhe marrëdhëniet me vetëveten dhe të tjerët, por edhe tregojnë me intensitet të ndryshueshëm një përqasje psikologjike në përshkrimet që bën autori. Këtu mund të përmendim; marrëdhënia e Klajdit me të atin, e Julit me prindërit dhe Amandën, e Jonës me gjyshin, Klajdin, partinë, e djalit të ri që mban një T-shirt me ngjyrën mavi të Rilindjes me Klajdin dhe duartrokitësit e tjerë, etj. Ankthi i Jonës nga zhgënjimi që pëson nga kupola e partisë dhe kryesisht nga kryeministri, që donin ta përdornin si femër shtrati për të huajt, që shkruanin relacione në organizatat ndërkombëtare, apo frikërat e Klajdit se nuk do të gjendte punë kurrë e mund të largohej nga atdheu, përzier nga gjendja e pafuqisë ndaj kupolës së sofistikuar shtetërore, aq sa Jona tenton të kryejë vetëvrasje, janë përshkruar me mjeshtëri nga autori Hoxha sikur këta të jenë personazhe kafkiane. Mbas shembjes së bindjeve, apo idealeve që ishin menduar të palëkundura nga Jona, kemi një ndërgjegje kritike përballë idhujve apo miteve të rremë, të ushqyera nga indokrinimi apo televizionet, si duartrokitës të tyre ku siç thotë autori : “Turma e entuziastëve herë-herë ngjan me një varrezë kolektive, ku arsyetimi i individëve ka vdekur”, apo kur vë në gojën e babait të Kljadit fjalët: “Një punë si ajo nuk të nderon. Ti duartroket varfërinë tënde. Është absurde ta mendosh një gjë të tillë.”
Libri është shkruar me një kulturë të madhe. Për të treguar kulturën e një brezi që punoi me vëtëmohim dhe nuk fitoi as një pension dinjitoz, autori fut te duartrokitësit një mësuese letërsie të dalë në pension, Violetën, e cila me dialogjet e saj i jep një shkallë të lartë komunikimi rrëfimit në këtë roman. Ajo është bërë duartrokitëse nga nevoja ekonomike, sepse pensioni nuk i del as për ilaçet, por dhe për të thyer vetminë. Libri është një rrëfim ku nuk mungon as ironia dhe sarkazma që shkojnë në rritje si te libri “Infinite Jest” (Shaka e Pambarimtë) e David Foster. Si fillimi dhe fundi i romanit kanë synim paradigmatik , sepse skenat me gladiatorë kanë për qëllim të tregojnë luftën e njeriut për lirinë dhe për jetën nën dritën e së vërtetës gjatë gjithë historisë njerëzore. Ky libër flet për shenjtërinë e lirisë dhe madhështinë e familjes, që me dashurinë e saj njerëzore rrit njerëz të denjë për shoqërinë.
blank

POLITIZIMI PARTIAK NUK I LE KRIJUESI TË EVOLUOJNË – Nga Thanas L. Gjika

 

(Kujtime dhe meditime për Prof. Kristo Frashërin)

U gëzova shumë kur mësova se z. Bamir Topi, President i Republikës, e shpalli Profesor Kristo Frashërin Nder i Kombit me rastin e 88-vjetorit të lindjes së tij. Ky vlerësim për mua ishte korrigjim i një gabimi dhe shënjë emancipimi e pushetarëve shqiptarë. Ky historian ka pësuar herë pas here goditje si prej Enver Hoxhës në kohën e monizmit dhe prej Sali Berishës gjatë tranzicionit. E vlerësoja sidomos për interpretimet e drejta që u kishte dhënë shumë problemeve të historisë së popullit tonë gjatë Mesjetës, Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë. Para se të lexoja librin e studjuesit Uran Butka “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” unë e vlerësoja këtë historian si studiuesin më të shquar midis historianëve tanë të gjallë. Për ta bërë të kuptueshme këtë konsideratë për të, po sjell kujtimet e mia botuar në vitin 2011:

Në fillim të viteve ’80-të Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë dhe Instituti i Historisë, dy institute të Akademisë së Shkencave, ishin në një godinë të një shkolle 8-vjecare në Rr. Naim Frashëri, Tiranë. Godina ishte krejt e papërshtatshme, por njerzit punonin me përkushtim. Për fat të keq këto dy institute vijojnë të jenë aty.

Dhoma e tij e punës ishte karshi dhomës ku punonim ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Unë e kisha për zemër historinë e Shqipërisë, ndërkohë dhe fusha e studimit tim ishte gazetaria dhe letësia e Rilindjes, gjë që më lidhte me historinë tonë, kështu që shpesh herë shoqërohesha me historianë. Shoqërimet e pirjet e kafes me studjues historianë si Kristo Frashëri, etj i konsideroja si takime pune, sepse ata me përgjigjet që u jepnin pyetjeve të mia, më ndihmonin për sqarimin e problemeve që më delnin në punë e sipër. Shpesh herë i shkoja Kristos dhe në dhomën e vogël, ku punonte i vetëm dhe mund të bisedonim pa i prishur qetësinë ndokujt tjetër.

Ai më jepte herë pas here për të lexuar artikuj shkencorë që kishte botuar më parë e që unë nuk i kisha lexuar. Diskutonim rreth problemesh historike dhe gjithnjë përfitoja. Kur lexova veprën e tij “Abdyl Frashëri 1839-1892” N.B. 8 Nëntori 1984, u entusiazmova sepse kjo vepër i mungonte historiografisë shqiptare. Në fund të bisedës e pyeta:

Për nga kontributi shkencor ti meriton të jesh profesor, mirëpo prej shumë vitesh ti ke mbetur vetëm “Bashëpunëtor i Vjetës Shkencor” (Docent), pse nuk ta dhanë gradën “Profesor” më 1972, kur ua dhanë kolegëve të tu si Stefanaq Pollos, Androkli Kostallari, Luan Omari e të tjerëve?

Nuk thua shyqyr që më kthyen nga qarkullimi, ma ktheu Kristoja me të qeshur dhe vijoi: po të mos ngulte këmbë Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave, unë do të isha ende mësues në Përmet. Më 24 Maj të vitit 1969, kur erdhi Enver Hoxha në Përmet për të festuar 25-vjetorin e Kongresit të Përmetit, organizatorët e ceremonisë e pyetën: -Shoku Enver ku ta vendosim Kristo Frashërin?

Organizatorët kishin respekt për mua si një përmetar, si ish-partizan e pjesëmarrës i Kongresit dhe si historian që i kisha ndihmuar për muzeumet e rrethit. Ata mendonin të më vinin në presidium ose në rreshtin e parë të sallës, kur Enveri, në vend që t’u përgjigjej, pyeti: – ‘Pse mo gjallë qënka Kristoja’?

Kjo pyetje e kishte dhe përgjigjen brenda, prandaj më caktuan të rrija nga mesi i sallës.

Më 1968 Kriston e kishin qarkulluar në Përmet sepse e kishte interpretuar kryengritjen e Haxhi Qamilit të viteve 1913-14 si një lëvizje rebele, ashtu si e kishin quajtur patriotët e asaj kohe. Enver Hoxha deshi ta shpallte atë si një lëvizje të ndërgjegjshme fshatare, madje mbas disa vjetësh ai shkroi një artikull vlerësues për të, për të dhënë orientimin e duhur e për të sfiduar pikërisht historianin Kristo Frashëri…

Një herë tjetër duke folur për mungesën e kulturës së anëtarëve të byrosë politike, Kristoja, më tha: Enveri nuk i pëlqen njrëzit që mendojnë me kokën e tyre, ai ka qejf njerëzit që i servilosen dhe që përsërisin mendimet e tij…

Mua nuk më ka pasur qejf kurrë. Unë kam qenë një nga komunistët e hershëm, por në muajt e parë të vitit ’42 udhëheqja e PKSh më ndëshkoi duke më bërë kandidat partie dhe më dërgoi në Peshkopi për të bërë pjesë në njësitet partizane të terrenit. As kur mbaroi lufta, as më vonë nuk u thirra ndonjëherë për të m’u dhënë triska e anëtarit të partisë…

Një të premte në muaj, si të gjithë edhe ne punonjësit shkencorë, bënim format e edukimit politik, ku diskutonim materiale të ndryshme të PPSh-së. Ishte vjeshta e vitit 1984. Një të shtunë, mbasi kishim diskutuar të premte për luftën e klasave, shkova tek Kristoja dhe u hap biseda për këtë temë. Ai duke dashur të më sqaronte për thelbin e luftës së klasave tha: Lufta e klasave nuk është tjetër veçse shprehje e zilisë dhe lakmisë njerëzore. Ç’ të drejtë ka një klasë politike t’ia marrë pasurinë njerëzve që e kanë vënë me mund e djersë. Ky shpronësim nuk e ndihmon progresin.

Mua sikur më ra pika, sepse, ndonse e dija që Kristoja kishte rezerva ndaj diktaturës së proletariatit, por që të shprehej kaq hapur kundër boshtit ideologjik të saj, nuk e prisja. Pata frikë mos më provokoi… Ai duke e parë se unë u nemita, më qetësoi: Këto mendime nuk ia them tjetër kujt…

Të hënë unë mora me vete aparatin tim fotografik dhe i bëra një foto po aty në dhomën e tij ulur para tavolinës së punës, ku i kishte thënë ato fjalë tronditëse dhe ia dhurova një kopje pas disa ditësh.

Në vitin 2001, kur Akademia e Shkencave i festoi Kristos 80-vjetorin, folën për të shumë studiues. Materialet e këtij takimi u botuan në një libër, në kopertinë të të cilit u vendosur pikërisht ajo fotografi. Po të kisha qenë aty do të kisha dhënë edhe unë disa kujtime, që po tregoj këtu, me vonesë.

Në fund të viteteve 80-të, Kriston e kishin nxjerrë në pension pa i dhënë asnjë gradë a titull tjetër përveç grades Kandidat i Shkencave dhe titullit Docent, që i kishte marrë shumë vite para qarkullimit. Ndonse pensionist, ai vinte e punonte disa ditë në javë po tek ajo dhoma e tij. Kur u takuam në një nga javët e para të janarit 1991, i thashë: Të erdhi koha Kristo, tani ti më shumë se kushdo tjetër, duhet të aktivizohesh në këtë lëvizje. Më të pjekur se ty për t’u marrë me politikë nuk ka, ke qënë i nënvlerësuar e i ndëshkuar prej partisë.

Kristoja duke nënqeshur m’u përgjigj: Në vitet 1936-37-të unë e pyeta tim atë: Pse, ti, që je intelektual e patriot më i mirë se shumë prej deputetëve, nuk kandidon për deputet? Im atë më tregoi se një profesor i tij në Stamboll gjatë orës së fundit të leksioneve të së Drejtës u kishte thënë: Ju tani keni një formim ligjor të mirë dhe mund të merreni dhe me politikë, por që të jeni të suksesshëm në politikë duhet pa tjetër të jeni të pavarur ekonomikish të paktën të keni një pasuri me të cilën mund të jetoni nja 20 vjet pa ndihmën e rrogës a të tjetërkujt. Një politikan i varfër korruptohet shpejt. Po të jeni të vatfër mos iu fusni karrierës politike, se do t’ju tërheqin për hunde të tjerët.

Ky leksion, shtoi Kristoja, që i vleu tim eti, mendoj se vlen edhe për mua. Ne po dalim nga regjimi diktatorial shumë të varfër, kushdo që do të merret me politikë, ka për tu turpëruar shumë shpejt. Natyrisht që disa njerëz duhet të dalin për të udhëhequr proceset, por ata, mendoj se do të jenë nga ata që nuk e kanë dëgjuar një leksion të tillë.

Gjatë vitit 1991, udhëheqja e PPSh-së, duke pasur frikë nga disa intelektualë si Kristoja, Sali Berisha, etj, organizoi dhënien e titullit Profesor, për t’i marrë me të mirë, për të krijuar përshtypjen se ata ishin kuadrot e saj dhe se ajo i kishte në konsideratë, etj.

Në mars të vitit 1992, kur fitoi zgjedhjet partia demokratike, u takova përsëri me Kriston dhe i thashë: Mirë që nuk deshe të aktivizoheshe drejtpërdrejt si politikan dhe nuk u fute në Partinë Demokratike e nuk more pjesë në fushatën e zgjedhjeve, po tani të paktën duhet të ndihmosh me njohuritë e tua. Mendoj se presidenti i ri, duke qenë mjek, duhet të ketë pranë një konsulent të aftë si ty për t’i përgatitur e redaktuar fjalimet. A pranon t’ia shtie në vesh Saliut këtë gjë?.

Për të ndihmuar në këtë mënyrë jam dakord, m’u përgjigj Profesori.

Shkova te selia e Partisë Demokratike dhe takova ing. Petraq Kolevicën, deputet i Partisë Demokratike, bisedova me të dhe i thashë se Prof. Kristo Frashëri është i gatshëm të punojë si ndihmës i z. Sali Berishës për t’i përgatitur, ose redaktuar fjalimet…. Petraqi e pëlqeu mendimin dhe shkoi e pyeti z. Berisha, por ky i qe përgjigjur: Kristoja është një nga personat e dënuar nga partia dhe po na akuzojnë se kemi aktivizuar shumë prej ish-të dënuarve. Në ata detyrë, unë kam menduar të marrr Prof. Bujar Hoxhën.

Më 1997, kur erdhën socialistët në fuqi e emëruan prof. Kristo Frashërin Zv.Kryetar të Akademisë së Shkencave, ndonëse ai ishte personi më i përshtatshëm për t’u emëruar kryetar. Vënia e mjekut Ylli Popa për kryetar të ASH tregonte qartë se ky ishte besniku i pushtetarëve socialistë dhe jo Kristoja. Studiuesi Kristo Frashëri dukej se kishte mbetur i pavarur, ndonëse disa demokratë e kishin sulmuar.

Kur Kristoja botoi monografinë monumentale Gjergj Kastrioti Skënderbeu Jeta dhe Vepra (2002), qeveria socialiste nuk ia dha titullin NDERI I KOMBIT, dhe as u interesua ta botonte këtë vepër në anglisht, sepse ajo nuk ia falte Prof. Kristos faktin se ai nuk ishte një historian servil i saj…

Për herë të fundit e takova në 4 nëntor 2007, kur i shkova me Dr. Iliaz Gogën në shtëpi, një apartament modest me një dhomë e një kuzhinë, pronë e të birit që kishte emigruar në Gjermani me familjen. Aty jetonte i vetmuar, sepse si djali dhe dy vajzat, ashtu si shumicën e ne të ikurve, i kishte dëbuar atdheu me fukarallëkun e skajshëm ku na kishte katandisur diktatura e gjatë. Për fat të keq në vitin 1995 i kishte vdekur edhe gruaja. Ai e mposhtëte vetminë duke vijuar të punonte në kuzhinë ku kishte ngritur studion me tavolinën e punës dhe raftet me libra e dorëshkrime. Dhëmbët e gojës i ishin rralluar tepër, tek karrigeja mbante një bastun, nga sytë nuk shikonte mirë, por në bisedë ishte energjik si më parë.

Më thanë se ke dhënë një intervistë në television për figurën e Enverit, e pyeta sa për të filluar bisedën.

– Po, më tha, e vlerësova për periudhën e Luftës Antifashiste, sepse pavarësisht nga gabimet, ka merita si komandant i forcave partizane në ato vite kur Shqipëria luftoi përkrah aleatëve. E shava për vitet e mbasluftës, kur u bë çdo vit e më beterr…

Para se të largohesha, i shkrova dedikimin në librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re, KUMI 2007, të cilin Iliazi ia kishte shpënë dy javë më parë. Më uroi me gjithë zemër:

Të lumtë ajo dorë, problemin e ke shpënë shumë përpara, por do të më falësh, sytë po më lenë dhe nuk mund ta lexoj dot, vura të tjerë për të më lexuar disa pjesë, ku polemizoje me mua.

Mirë, mirë, i thashë, ne kemi biseduar kaq herë në telefon, edhe letrën që më shkrove me sugjerime e vërejtje, e kam pasur parasysh, por dhe të kam kritikuar, se ti, si ke thënë shpesh, nuk do lajka.

Ku nuk ka kritikë nuk ka shkencë, shtoi ai me të qeshur. Pastaj na tregoi vëllimin e parë të veprës së tij më të re Historia e Tiranës. E përgëzuam, ishte mjaft e vëllimshme. Kur e pyetëm se ku ishte me botimin e vëllimit të dytë, na shprehu keqardhjen se nuk kishte gjetur ende sponsorë.

Profesor Kristoja punoi dhe botoi tërë jetën vepra shkencore dinjitoze, por me to nuk kishte bërë para, madje as sa për të botuar vëllimin e dytë të historisë së kryeqytetit tonë, pa lere pastaj për të paguar një përkthyes e për ta botuar anglisht monogrfinë për jetën e Skënderbeut, heroit tonë të lavdishëm…

Para se të ndaheshim, desha të bënim një foto të re, sepse ajo që kisha bërë katër muaj më parë nuk më pëlqente, por Kristoja tha si me përtim:

-E ç’ vlerë ka një foto tjetër, kur tani jam edhe më plak, lere fare.

U ndamë duke uruar të shihemi prapë…”

(Publikuar në Alb-Shkenca më 27 tetor 2009 dhe te libri im “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit”, DDS Durrës 2011, f. 303-308).

* * *

Gjatë vizitës sime në Tiranë, nëntor 2018, shkova urova studjuesin Uran Butka, i cili ishte emëruar Drejtor i Institutit të Studimeve Lumo Skendo. Mbas bisedës Prof. Urani më tha të merrja dhuratë disa nga librat e tij. Më intriguan dy prej tyre: “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” MALUKA 2012, 220 f. dhe “Vetëm një natë … – Tregime e novela” BOTA SHQIPTARE 2016, 288 f.

Më kënaqën disa tregime, kurse libri polemik më tërhoqi shumë dhe pasi e lexova me vëmendje duke mbajtur shënime, krijova një vlerësim më të saktë për Prof. Kristo Frashërin si historian, i cili në biseda me mua kishte shprehur mendime të guximshme kundër diktaturës dhe diktatorit Hoxha, kurse në shkrime të ndryshme (disa prej të cilave nuk i kisha lexuar se ishin botuar pas largimit tim 1996), kishte vijuar të shprehte ide dhe interpretime të politizuar ndaj mjaft ngjarjeve historike, si ndaj dokumentit të shpalljes së pavarësisë, ndaj Mbretit Zogu I, mbivlerësime ndaj forcave partizane dhe nënvlerësime të forcave nacionaliste e balliste në Luftën Antifashiste, nënvlerësime për figurën e Mid’hat Frashërit, Abaz Ermenjit, etj.

Nga ana tjetër studjuesi Spartak Ngjela ka vënë në dukje se procesverbalet e mbledhjes së themelimit të PKSh-së ishin marrë prej Karabinierisë italiane dhe ruhen në arkivat italiane në dosjen e Zef Malës. Avokati S. Ngjela ka shkruar e ka thënë dhe në TV se udhëheqës i PKSh-së, që nga dita e themelimit të saj, – 8 nëntor 1941 e deri më 16-22 mars 1943, – kur u mbajt Konferenca e parë e partisë, udhëheqës i PKSh-së ishte Miladin Popoviçi. Kurse Enver Hoxha u zgjodh udhëheqës i PKSh-së pikërisht në këtë konferencë. Historiani Kristo Frashëri, ish-anëtar i PKSh-së që në fillim të vitit 1942 e dinte mirë këtë fakt, por nuk e përmendi kurrë dhe nuk tha se PKSh-ja u krijua dhe u manipulua prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, të drejtuar prej J. B. Titos.

Këto dobësi e lëkundje të Prof. Kristo Frashërit, më kujtuan dobësitë dhe lëkundjet e shumë intelektualëve partiakë. Kështu Prof. Pëllumb Xhufit, kuadër që ka moshë të re, por, ashtu si Prof. Kr. Frashëri, ndonëse është studjues shumë i mirë për problemet historike të shekujve të kaluar, për vlerësimet dhe interpretimet e ngjarjeve të shekullit të XX nuk shkëputen dot nga vlerësimet e politizuar të bëra prej studjuesve partiakë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Edhe pse ata mund të kenë rezerva dhe mund të kenë shprehur midis shokësh, si Krisua ndaj meje) kritika ndaj aspekteve të ndryshme të diktaturës komuniste shqiptare dhe diktatorit Hoxha, përsëri në shkrimet e tyre publike nuk tregohen objektivë dhe vijojnë të shprehin për shumë ngjarje dhe personalitete historike të njëjat mendime sii patën shprehur gjatë kohës së diktaturës. Nënvlerësojnë përpjekjet europianizuese të Mbretit Zogu I, nënvlerësojnë karakterin atdhetar të nacionalistëve dhe të krerëve të Ballit Kombëtar deri në fund të gushtit 1943. Nuk duan t’ia njohin përgjegjësinë Enver Hoxhës, që duke e shpallur organizatë tradhëtare Ballin Kombëta, pa bërë ende tradhëti, i shtyu shumë forca të Ballit që të gabonin e të lidheshin me pushtuesit gjermanë për të shpëtuar nga pushkët e partizanëve.

Krijuesit shqiptarë dhe studjuesit e shkencave shoqërore në veprat e tyre kanë shprehur e do të shqprehin vlerësimin e tyre ideo-emocional ndaj dukurive që trajtojnë dhe interpretojnë në veprat e tyre. Kjo është e drejta e tyre për të bërë poitikë. Dhe nuk ka art e shkenca shoqërore jashtë politikës. Kur ata e interpretojnë një dukuri, ngjarje ose personalitet historik sipas ligjeve objektive, bëjnë politikë përparimtare, krijojnë vepra jetëgjata. Kurse, kur interpretimi i tyre është i ndikuar prej interesave të një partie politike, ata krijojnë vepra të politizuara partiake, të cilat nuk janë jetëgjata.

Krijuesit dhe studjuesit që krijuan gjatë viteve të diktaturës komuniste e pas saj, do të vlerësohen për veprat e tyre të shëndosha, por nuk ka pse të mos kritikohen për veprat e tyre të politizuara, me të cilat shtrembëruan të vërtetat historike. Kur njeriu hesht ndaj një padrejtësie, kjo do të thotë se ai e miraton atë. Mirëpo një ditë secili do t’i japë llogari shoqërisë, qoftë dhe pas vdekjes. Zhvillimi dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare do ta sjellë atë ndërgjegjësim kur çdo shqiptar do ta vlerësojë padrejtësinë, që i është bërë ose i bëhet dikujt, si padrejtësi ndaj gjithë shoqërisë.

blank

Romani i ri i Grigor Banushit – Nga Meri Lalaj

Rrallë, ndoshta aspak, kur hyjmë nëpër librari mund të shohim se po i bëhet reklamë një autori shqiptar apo librave të tij. Libraritë janë të përmbytura me libra të autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe. Deri diku është e kuptueshme uria që kemi pasur për të lexuar shkrimtarët e huaj të ndaluar për gjysmë shekulli në vendin tonë. Veçse tani, gjërat kanë ndryshuar sepse lundrojmë në një oqean librash të huaj. Po autorët shqiptarë ku janë? Librat e tyre ndonjëherë janë të strukur nëpër zgëqe si diçka e dorës së dytë. Për shkrimtarët nga Kosova apo Maqedonia e Veriut ka një lloj heshtjeje nuk përmenden, kështu lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë njihet fare pak ose aspak me librat e Mehmet Krajës, Luan Starovës apo Kim Mehmetit e të tjerë.

Kohët e fundit kam lexuar një autor kenian dhe një norvegjez, të cilët nuk më lanë fort mbresa. Këtë e them sepse më pas lexova romanin “Zërat e natës” të autorit dhe mikut tim, Grigor Banushi, ky roman është i shtati në radhë shkruar nga autori (i kam lexuar edhe romanet e tjerë). Në të gjithë këta libra, autori përshkruan me vërtetësi Shqipërinë e viteve të diktaturës dhe të viteve të mëpastajme.

Kam lexuar thuajse të gjithë librat e autorëve, të cilët kanë përshkruar jetën nëpër burgjet komuniste apo internimet kështu mund të përmend At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Maks Velon e shumë të tjerë, por habia ime është sepse Grigor Banushi nuk ka qenë as në burg, as në internim dhe përshkruan me hollësi ato vise. Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit.

Në qendër të romanit përshkruhet jeta e një familjes shqiptare: burri shqiptar dhe gruaja e huaj, (një nga ato 1200 fatzeza, të cilat për hir të dashurisë erdhën të jetonin në Shqipëri). Këtë temë autori e kap fort dhe e shtjellon më së miri duke përshkruar personazhet dhe vendet ku marrin shkas ngjarjet. Në mendje të mbetet Jana, mikja e ngushtë e autorit, (romani është mbështetur edhe mbi ngjarje dhe personazhe të vërtetë), së cilës i bien mbi kokë të gjitha fatkeqësitë e familjes, po ashtu po veçoj figurën e urryer të spiunit të Sigurimit Gaz Kërri e përshkruar në të gjithë ndohtësinë e saj. Aftësia zhbiruese e shkrimtarit në vërtetimet kriminalistike apo njohuritë teknologjike të kohës në të cilën po jetojmë janë për t’u admiruar. Romani është i ngjeshur me ngjarje rrëqethëse që mbajnë ngrehur kureshtjen e lexuesit. Romanin e përshkon që nga kryeja deri në fund një gjuhë e pasur, e rrjedhshme dhe e gjallë. Ky është një roman shkruar me shpirt për të mos harruar kurrë të kaluarën nën regjimin komunist. Për mendimin tim ky libër ia meriton të bëhet film. Shumë urime dhe suksese Grigor Banushi!

blank

NJË VEPËR E VEÇANTË ME VLERA TE MEDHA SHKENCORE – Nga FRAN GJOKA

“Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, 2021

Në krijimtarinë letrare e hulumtuese Austria dallohet që në lashtësi me shkencëtarë që dhanë vepra shkencore me vlerë në lëmin e gjuhësisë, shkencës, etnografisë, arkeologjisë shqiptare. Hulumtimet e tyre janë baza e fjalës shkencore mbi gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar si kombi më i lashtë jo vetëm në kontinentin tonë.  Që herët, raportet mes dy kombeve dhe dy gjuhëve ishin të lidhura në rrethana historike të caktuara kohëve. Fan Stilian Noli, rreth kësaj, mes tjerash, thotë: “I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve… . Ajo ka ditur si të sillet me shqiptarët e si t’ua fitojnë zemrat. Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut”. Nisur nga këto raporte, që herët, shumë të rinj shqiptarë, të studiojnë në shkollat dhe universitet austriake, veçanërisht në Vjenë, por edhe në Graz, Klagenfurt, Linz, Insbruk. Në albanologji ishin hedhur hapa të rëndësishëm nga albanologu austriak me origjinë hebre, Norbet Jokl, i cili me të drejtë konsiderohet themeluesi i studimeve albanologjike. Nxënës i Nokl-it ishte Eqrem Çabej, i njohur për albanologjinë në përmasa ndërkombëtare. Gjenerata e studiuesve austriakë e shqiptarë kishte bazamentin e saj duke u shtuar numri i tyre nga të gjitha trevat shqiptare që studiuan në Austri.  Shumica e tyre janë figura të njohura historike të kombit, por pak është ditur për veprat e tyre në mungesë të hulumtimeve. Njëra nga veprat, e cila na ofron me shumicën e studiuesve nga gjuhësia, arti dhe kultura, pa dyshim është vepra më e re e autorit tani të njohur, Hazir Mehmeti, me titull “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, 2021. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Artini” dhe  ka 280 faqe, i ndarë në pesë kapituj, me redaktor shkrimtarin e mirënjohur Bedri Tahiri dhe ballinën e botimit të dytë të punuar nga Zeni Ballazhi.  Numri i madh i studiuesve austriakë dhe studiuesve shqiptarë asnjëherë nuk ishin paraqitur së bashku në formë enciklopedie në tekst e foto dhe kjo është e veçanta dhe vlera e dëshmuar e librit.
 ”Vjena ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence, që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. Deri më tani pak i është kushtuar rëndësi këtyre, andaj ne dimë pak për ta dhe veprat e tyre.  Në përgjithësi na mungon tradita e shkrimeve. Kjo bëri që të dihet pak mbi aktivitetet rreth mësimit dhe atyre  kulturore në rrethet e gjëra të vendorëve dhe vetë shqiptarëve. Akoma kemi pak shkrime rreth mësimit të gjuhës shqipe, aktiviteteve kulturore dhe historisë shqiptare në Austri. Forma më e mirë që nesër të dihet diçka nga e sotmja është shkrimi. Edhe këtë libër e kuptoj si të tillë, një gjurmë e sotme për nesër, për gjeneratat që do vijnë”,- shprehet vetë autori.  Libri fillon me kapitullin e parë nga periudha e hershme e raporteve mes dy kombeve bazuar në figurat e njohura shkencore, kryesisht autor gjermanfolës.

 

blank

Po shkëpusim pjesë nga redaktori i librit, BedriTahiri: “Në fakt, ky libër, të cilin autori ia përkushton vajzës së tij, tashmë të ndjerë, shkencëtares së papërsëritshme, Vlorë Mehmetit-Tërshani, vjen si vazhdimësi e monografisë “Mësimi shqip në Austri”, në të cilën autori pati përfshirë punën sistematike njëzetepesëvjeçare (1987-2012). Libri ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”, shikuar hollë- hollë, paraqet një lloj enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme e me fotografi, që pasqyrojnë bindshëm jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara që folën shqip në Austri, siç reflekton edhe vetë titulli.

“Kapitulli i dytë shpërfaq qartë e natyrshëm kontributin e pazëvendësueshëm të gjermanofolësve për gjuhësinë shqiptare, duke nisur që me Arnold Fon Harffin, autorin e  dokumentit të dytë të gjuhës shqipe, për të vazhduar me Johannes Thunman, Jakob Philipp, Fallmerayer, Johannes Georgvon Hahn, Gustav Meyer, Leo Freundlichm Franz Baron Nopcsa, Jan Urban Jarnik, Norbert Jokl, Maximilian Lambertz, Franc Xaver Ritter Miklosich, Theodor Ippen Herman M. Ölberg Wilfried Fiedler e Dr. Kurt Goschtentshnigg etj.

Ndërkaq në kapitullin e tretë mund të mësojmë për personalitete të njohura austriake me origjinë shqiptare, siç ishin: Gjergj Basta, Karl Gega  e Aleksandër Moisiun, me të cilët krenohet edhe e gjithë bota e civilizuar.

Thelbin e librit në shqyrtim, padyshim, e përben kapitulli i katërt, ku pasqyrohet jeta dhe veprimtaria e mbi njëqind personaliteteve të mëdhenj shqiptarë në Austri, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Prishtina, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Karl Gurakuqi, Kristë Maloku, Skënder Luarasi, Pandeli Sotiri, Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba e shumë e shumë të tjerë, deri tek studiuesit e shkencëtarët e ditëve tona, ku u dallua edhe vajza e autorit e nxënësja ime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, tashmë e ndjerë.

I rëndësishëm dhe mjaft interesant na del edhe kapitulli i fundit “Shoqëritë shqiptare në Austri”, ku, në mënyrë përmbledhëse e të argumentuar, pasqyrohet jeta kulturore e veprimtaritë e begata të shoqërive,  revistave, gazetave, gramatikave, klubeve, organizatave e shoqatave prodhimtare shqiptare në Austri. Në kuadër të këtij kapitulli është futur edhe një shtojcë plotësuese me emrin “Dromca nga shtypi i kohës, kushtuar figurave të prezantuara në libër”, të cilat janë shkëputur nga botimet e mëhershme nëpër revista e gazeta të ndryshme nga vetë autori i librit. Dhe, e gjithë kjo punë, do të dilte e zbehtë fare, po mos të shfrytëzoheshin edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për zemër. Nëse gjithmonë është thënë: -Një foto flet sa një mijë fjalë, atëherë del se libri “STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë ”, paskësh vlerë të madhe dhe po del se paskësha pasur të drejtë kur, që në fillim, e quajte një Enciklopedi e llojit të vet!

Rreth librit, Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, shkruan: “Përmes kësaj dritareje arritën të shohin albanologët e mëdhenj austriakë të vërtetën mbas mjegullave të historisë. Ishin Gustav Majer, Johan Georgfon Han, Miklosiç, Lybke, Jireçek, Shuflai, Karl Paç dhe Baroni Nopça fillimisht duke hulumtuar shqipen, të cilët themeluan, argumentuan dhe mbrojtën etnogjenezën  ilire të shqiptarëve. Nga ana tjetër, janë me dhjetëra filologët e gjuhëtarë shqiptarë, që janë formuar në Klagenfurt, Grac e Vjenë, duke filluar nga Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi  e deri tek  Lasgush Poradeci e i madhi Eqrem Çabej – të gjithë shembuj frymëzimi për mijëra studentë shqiptarë, që sot shkollohen në Austrinë mike, si edhe për fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në këtë vend, mbështetja e të cilit është sprovuar gjatë historisë sonë të trazuar. Mirënjohje dhe falënderim të veçantë për autorin e këtij libri, zotin Hazir Mehmeti, i cili si mësues dhe drejtues prej disa vitesh i shoqatës së mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri, ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e disa brezave të fëmijëve të diasporës shqiptare në Austri, kontribut që vijon të pasurohet me shkrimin dhe botimin e këtij libri.”

 

blank

Ne foto: Një grup studentësh nga disa qytete shqiptare. Nga e majta: Mendu Vrioni (Berat), Ahmet Duhanxhiu (Elbasan), Vasil (Elbasan). Ulur nga e majta: Sulejman Herri (Elbasan), Petër Ndria (Elbasan), Xhevat Daiu (Shkodër).

 

 

Pjesë nga libri:  “Qeveria e Ismail Qemalit që në hapat e parë i kushtoi rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim. Luigj Gurakuqi kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve shqiptarë, që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet kontingjenti i parë i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë. Kontribut në dërgimin e studentëve në Austri dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja. Këta studentë, pas shkollimit, u kthyen në atdhe, u dalluan si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez. Me vendimin Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017, nga komanda austriake, themelon Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi. Bibilioteka e Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës Kombëtare e  themeluar në vitin 1920, drejtor i së cilës emërohet  Karl Gurakuqi. Qeveria Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptarë pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr. Nush Bushati, Çatin Saraçi, NduePaluca, Kolë N.Rrota dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi. Me këto bursa studiuan në Austri këto personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës, të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye, kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip. Disa nga figurat më meritore të kohës në gjuhësi dhe tekste shkollore: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi, por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924, në Austri studionin 69 studentë shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë. Më 23 mars të vitit 1917 austriakët, duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emërohet Gasper Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë. Austria pati një rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare, i mohuar shekujve nga pushtimi turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Austro-Hungaria mbështeti interesat kombëtare të shqiptarëve para së gjithash në fushën politike.”

Libri “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” është një thesar në bibliotekat e shumta në pasurimin e marrëdhënieve mes dy kombeve tona në të ardhmen. Është bazë e mirë në rrugëhapje për thellimin e hulumtimeve në të ardhmen në fushën e gjuhësisë, artit dhe kulturës. Në historinë tonë me shekuj Austria u dallua si përkrahëse e kombit shqiptar krahas fushës politike edhe në fushën e arsimit e kulturës. Nisur nga kjo mbështetje, Austria u bë vendi  ku lanë gjurmë shumë figura të njohura kombëtare. Nga rrethanat në trevat shqiptare, gjer më tani, pak i është kushtuar rëndësi këtyre figurave madhore, për çka, ne akoma nuk e njohim sa duhet veprën e tyre. Andaj, këtë libër e ndiej si detyrim kushtuar atyre në shenjë respekti. Shpresoj se sjell tek lexuesit sadopak kujtimin e një kohe, e cila ishte pikënisje në aktivitete të vazhdueshme të progresit kombëtar, forcimit të miqësisë mes dy popujve dhe së fundi  kultivimin e  gjuhës shqipe tek mërgimtarët. Studiuesit nga hapësira gjermanofolëse vunë bazat e shkencës së albanologjisë dhe shkencave të tjera rreth shqiptarëve. Shumë nga figurat madhore kombëtare studiuan dhe vepruan në Vjenë, Graz, Insbruk, Linz, Klagenfurt, Krems e qytete tjera të Austrisë. Këta u bënë pjesë e kujtesës së lavdishme kombëtare në paharresë gjeneratave. Ky është edhe qëllimi kryesor i shkrimit, brumi i së cilës u takon veprimtarëve, njerëzve tanë që vepruan në ruajtjen dhe shkrimin e gjuhës shqipe dje dhe atyre që sot punojnë pa u lodhur në këtë drejtim.

blank

Ndodh që i kërkojmë vlerat jashtë dhe larg nesh, kurse ato i kemi fare pranë – Nga VIRON KONA

(Një panoramë dhe disa përjetime rreth librit  “Ju nderoj”, të shkruar nga prof.dr.Hektor Veshi)

 

Kam në tavolinën e punës librin “Ju  nderoj” shkruar  nga prof.dr. Hektor Veshi, të botuar nga Ombra Gvg-2021-Tiranë. Një filxhan kafeje në kopertinë, sikur më fton të fillojë ta lexojë dhe të nis bashkëbisedimin me shkrimtarin dhe profesorin e nderuar, t`i shfaq atij mendimet dhe vlerësimet për librin, për përmbajtjen dhe stilin e të shkruarit, për idetë dhe mesazhet që përcjellë te lexuesi, për figuracionin artistik që ai përdor…Më vjen mirë që libri më afron dhe më familjarizon shpejt me tematikën dhe përmbajtjen e  ku shfaqen dukshëm sinqeriteti dhe kultura e të shkruarit…

Siç shprehet atutori në fjalën hyrëse: “Libri është një përmbledhje shkrimesh të hartuara dhe të botuara në organe të ndryshme të shtypit tonë qëndror për një periudhë të gjatë vitesh”. Kreu i parë: “Portretizime shkencëtarë dhe shkrimtarë”, ku, në hyrje, shfaqet artikulli tërheqës e informues i titulluar “Hektor Veshi, që ka veshur dhe mban pastër mantelin e  dijes”, i shkruar nga prof.dr.Ago Nezha, Mjeshtër i Madh, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, Mes të tjerash, prof. Nezha shkruan: “Hektori është një natyrë e qetë, modeste, plotë ide, fjalëpak, që flet më shumë me punë e vepra se me fjalë”. Në vazhdim vjen artikulli që  prof. Hektori i kushton  shkrimtarit, përkthyesit  dhe studiuesit Ilinden Spasse, i cili, “e solli Sterjo Spassen në madhështinë e shumanshme, të kompletuar në dorë të lexuesve”. Vijon artikulli që prezanton me respekt dhe konsideratë të lartë profesorin, shkrimtarin dhe psikologun  e paharruar prof.dr. akademik Bedri Dedjen, një artikull ky që të mbetet në mendje si për portretizimin e rrallë që i bëhet prof. Bedriut dhe për dashurinë që shfaq Hektor Veshi ndaj bijëve të Shqipërisë, dijetarë të mendimit dhe të artit, të fjalës  së bukur shqipe dhe të mendimit pedagogjik e shkencor, një ndërthurrje kjo që brezi ynë e gjen të mishëruar dukshëm te vepra e  Bedri Dedjes.

blank

    Prof.dr.Hektor Veshi

 

Artikull i radhës është ai kushtuar profesorit të pedagogjisë Shefik Osmani, me të cilin prof. Hektori ka pasur njohje dhe respekt të veçantë, si për vlerat e shumanshme që përfaqësonte  prof. Shefiku, ashtu dhe për këshillat e tij të mençura: “Puno ti, i kishte thënë prof.Shefiku, – se punën nuk mund të ta hedh dot poshtë askush”. Bashkërisht me portretin e didakti të shquar, prof. dr. Shefik Osmanit, Hektori Veshi ka skalitur po aq bukur e me nderim edhe portretin e bashkëshortes së prof. Shefikut, Urti Osmanit, edhe ajo profesore dhe Mësuese e Populli. Urtia e  lidhur përjetësisht me profesor Shefikun,  ashtu  sikurse Pandora Dedja me Bedri Dedjen. Pandora dhe Urtia, dy gra të mëdha shqiptare, që duke njohur thellë vlerat kombëtare të bashkëshortëve, pas vdekjes së tyre, iu përkushtuan punës për nxjerrjen në dritë të veprave që ata s`kishin arritur t`i botonin sa ishin gjallë. Me nderim ka shkruar e pasqyruar prof. Hektor Veshi edhe rolin dhe veprimtarinë e znj. Yllka Beçi, kryetare e palodhur e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, ish drejtuese e disa shkollave të kryeqytetit. Lexuesin e  tërheq ndërkohë emri dhe vepra e profesorit të shquar të pedagogjisë shqiptare Mark Vuji, i cili i ka dhënë aq shumë mendimit pedagogjik shqiptar, por ishte edhe dashamirës e zemërbardhë si Ai. Me respekt e dashuri shkruan prof. Hektori për prof.dr. Pajtim Bejtjen, këtë njeri mendjeartë, dijetar dhe reformator të arsimit profesional shqiptar, me të cilin prof. Hektor Veshi, ka mbajtur dhe mban edhe sot një miqësi të rrallë kolegësh, shokësh dhe miqsh të vërtetë.

Një artikull i veçantë është ai kushtuar “Yllit të Diturisë” Hasan Tahsinit, emri i të cilit vezulloi dhe shkëlqeu atëherë në Perandorinë Osmane, shkëlqen  edhe sot e përherë do të shkëlqejë në atdheun e tij, në Shqipëri. Lexuesi ndihet krenar kur lexon se Hasan Tahsini ka qenë prorektori i parë i universitetit të Stambollit, duke treguar kështu kulturën e  tij të rrallë si dijetar dhe si shkencëtar i arsimuar në perëndim (Francë). Prof. dr. Hektor Veshi ndalet në mënyrë të veçantë në tre vepra që  i kushtohen Hasan Tahsinit, teksa na entuziazmon kur na kujton thënien e Sami Frashërit: “Hoxha Tahsini, ishte nga ata njerëz të mëdhenj, që rrallë nxjerrin shekujt dhe epokat”.

Libri “Ju nderoj” vijon me recensën në kujtim e nderim të prof.dr.Murat Gecaj, autor i librit “Filologë që nuk harrohen”, por dhe autorë i dhjetëra librave dhe i qindra  artikujve informues, social-kulturorë, artistikë e shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq vjen një artikull i gazetarit Ibrahim Hajdarmataj, i cili përshkruan ngrohtësisht vlerat e veprimtarive të Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë me Kryetare znj. Yllka Beçi dhe Sekretar të Përgjithshëm prof. Murat Gecaj. Një nderim i veçantë i bëhet në këtë libër shkrimtarit Fiqiri Shahinllari dhe librit të tij me tregime “Brenga shpirti”. Me po atë emocion portretizohet poeti Sotir Lashova, i cili jetoi për një kohë në SHBA dhe ndërroi jetë atje, por që, siç shkruan prof. Hektori, “Lashova ishte fizikisht larg, por mendjen e zemrën i kishte natë e ditë në Shqipëri”. Të bënë të ndalesh pak më gjatë tek artikulli pikant “Tomorr” – poeti Xhevahir Spahiu”, artikull në të cilin prof.Hektori përshkruan mbresat e tij  për librin “Sfida e poetit”, shkruar nga gazetari dhe studiuesi i paharruar dr. Nuri Dragoj.

Kreu i dytë i librit “Ju nderoj” përmbledh “Komente dhe recensa për autorë dhe libra”. Çelet me artikullin e gazetarit të njohur Fran Gjoka, i titulluar  “Aktualiteti përmes ngjarjesh jetësore”, ku gazetari shkruan përjetimet e  tij rreth vëllimit me tregime “Legjenda e dashurisë së përjetshme” të Hektor Veshit. Ndërkaq, ka origjinalitet recensa për librin “Në gjurmët e një didakti” të prof.dr.Njazi Kazazit, i cili ia kushton këtë libër Didaktit Gjurmëlënës prof.dr. Shefik Osmanit”. Vijnë me radhë artikujt njëri më interesant se tjetri, sidomos, lexuesi ndalet te përjetimet rreth romanit   “Princesha” mbi “fatin” e hidhur të grave që mund të ndryshohet apo recensa tjetër reth librit “100 personalitet më të shquar të njerëzimit”, një libër ky i përkthyer nga prof. Ilinden Spasse, e ku lexuesi merr një kulturë të gjerë për njerëzit e mëdhenj që kanë pasur ndikime në shoqërinë njerëzore; kurse është tërësisht jetësor artikulli  ditari “Dëshmi me dritë” i së resë Evgjeni Poloska,  ku përkujtohet me anë të këtij artikulli, 60-vjetori i aksionit të rinisë për ndërtimin e  rrugës Kukës-Peshkopi, 65 km. Ndërsa, shprehen mendime dhe arritje studimore,  pedagogjike dhe letrare të prof. Hektor Veshit, kur analizohet vepra e tij “Përballë gjakmarrjes” nga V. Kona e ku shkruhet se libri “Përballë gjakmarrjes” është një kambanë e fuqishme alarmi për shoqërinë, për shtetin dhe politikën, për institucionet arsimore e social-kulturore që e kanë forcën dhe mundësinë t`i thonë më në fund ndal këtij atavizmi shekullor, këtij fenomeni ogurzi që errëson, shëmton dhe gjymton rëndë shoqërinë shqiptare”. Një analizë realiste dhe plotë vlera i bënë librit “Përballë gjakmarrjes” edhe prof.dr.Pajtim Bejtja, i cili ndër të tjera nënvizon se ky libër “mbart një shqetësim e një dhembshuri të thellë dhe një thirrje publike prindërore e qytetare të autorit drejtuar shqiptarëve kundër gjakmarrjes…Lëreni me kaq gjakmarrjen, lëreni, lëreni!”.

Një kapitull tjetër tërheqës, është ai i titulluar  “Krijuesit ushtarak” e ku prof. Hektori merr në analizë dy libra të dr. Arqile Veshit, njëri me titull: “Gjenocidi nazifashist dhe kolaboracionist kundër popullit shqiptar” 7 prill 1939 – 9 maj 1945 dhe tjetri me titull “Qëndresë heroike e të burgosurve, të internuarëve e të ekzekutuarëve  politik shqiptarë ndaj pushtuesve nazifashistë e kolaboracionistëve” 7 prill 1939 – 29 nëntor 1944. “Arqilea, – nënvizon autori, – nuk ishte historian  kur mori përsipër të përgatiste njërin pas tjetrit të dy librat. Po puna me përkushtim e me dashuri ndaj popullit, të kaluarës plot sakrifica e vetmohim dhe rruga e ndjekur drejt synimeve të larta për liri, e frymëzuan për t`ia dalë në krye…Si vëlla, -vijon prof.Hektori, – ndihem krenar për krijimtarinë e vyer shkencore politike e publicistike e më gjerë, që na la dr.Arqilea.” Këtë artikull e shoqëron edhe lajmërimi i hidhur i prof.dr. Hektorit për ndarjet nga jeta të vëllait të tij të paharruar dr.Arqile Veshi, i cili la pas një emër dhe një familje të nderuar e të respektuar. Siç nënvizohet me të drejtë, “Dr. Arqile Veshi ishte një kuadër i devotshëm dhe qytetar shembullorë, që tërë jetën nuk iu nda punës në shërbim të interesave të popullit e atdheut.” Po aq mbresëlënës është dhe  artikulli në formë letre, që ka autorë Hektor dhe Vasilika Veshi, drejtuar z. Zyber Gjoligu për romanin e  tij “Zhgënjimi”, sikurse, interesant është edhe artikulli “Shënime hyrëse për tre libra të shkruara nga z. Kadri Shametaj: “Krahina e Lopësitë në rrjedhën e historisë”, “75 vjet në këmbë-përvjetor mbresëlënës” dhe Libri i hapur: “Dëshmorët e Shqipërisë”. Ndërkaq, prof.Hektor Veshi shkruan artikullin “Pesë nga seria e librave të shkruara nga z. Qirjako Dhima”, ku me ndjenjë respekti e mirënjohjeje shprehet për kuadrin e  lart të aviacionit shqiptar Qirjako Dhima, i cili me librat e tij i përcjellë kohëve mesazhe plot vlera të veprimtarisë së aviacionit dhe aviatorëve shqiptarë. Tregohet njohës i thellë i letërsisë prof. Hektor Veshi në artikullin “Kronikë familjare – ngjarje, kujtime, mbresa”, mendime për librin e  z. Gjon Bruçi. Origjinaliteti i këtij artikulli mendoj se qëndron në faktin se prof.Hektor Veshi u kujton lexuesve se janë të mirëpritur gjithnjë shkrimet e shkruara shkurt, por plotë mendime të vlefshme.

Kreu III i librit titullohet “Autorë dhe frymëzime nga “dashuria e çdo moshe”, i cili nis me recensën që prof.Hektor Veshi i bënë librit “Çorraj, traditat dhe njerëzit e tij”, të shkruar nga z. Jorgo Mëlica, personalitet i kulturës shqiptare. Ndërkaq, kapitulli vijon me artikullin “Mihal Kopali, mësuesi i parë 1931: “parathënie poetike” për projekt – historikun e fshatit,1971, e ku pasqyrohen edhe krijime poetike të këtij mësuesi kushtuar fshatit, historisë së tij dhe bijëve që luftuan për liri. Të mbetet në mendje artikulli “Poetët që u kënduan dëshmorëve me fjalë shpirti, janë përjetësuar si ata” e ku, me ndjenjë respekti e krenarie, prof. Hektori përmend: poetin popullor Kristo Qirjaqi, nënë Husnon, që ishte vrarë djali në luftë, poetin e njohur Viktor Qurku. Po ashtu, ai përmend me emocion edhe një bejte të kënduar nga babai i tij Mite Veshi, në një nga festat e çlirimit të atdheut. Me nderim shkruan prof.Hektori edhe për  bashkëfshatarin e tij Jorgo Koka “I kantiereve” e mpreh lapsin si poet”, e ku mes të tjerash citon edhe vargje të këtij poeti ndërtues për heronjtë dhe veçanërisht për heroinën legjendare Maro Konda. Është tërheqës artikulli  “Fjala përshëndetëse z. Koço Nika, autor i romanit “Zhgënjimi i agjentit”, 3 vëllime, e në vazhdim edhe një skicë letrare e shkruar bukur. Doemos që, s`mund të rrinte pa shkruar prof. Hektori edhe për shkrimtarin e nderuar e të paharruar, mikun e tij Skënder Hasko, por dhe për miq të tjerë, të mërguar në vende të ndryshme të botës.

I sinqertë deri në fund, prof. Hektori vlerëson poeten mjeke Adriana Dhrami, e cila i këndon me ndjenjë fshatit të saj Çorraj. Vijojnë artikuj të cilët kanë në qendër të tyre artistë popullorë, shkrimtarë, kuadro ushtarakë, mërgimtarë, sikurse tërheqin vëmendjen recensa e prof. dr. Ilinden Spasse për librin e prof. Hektorit “Blerim e brengë’, po ashtu shkrimi plotë jetë i Fiqiri Shahinllarit; letra përshëndetëse e padërguar për autorin z. Petro Prifti, teksa vijon libri poetik “Rruga e jetës” i z. Thoma Koka. Krijojnë emocion përgëzimet që i bëhen prof. dr. Hektor Veshit për krijimtarinë artistike nga dr. Fejzi Koçi, ish/zëvendësministër i arsimit, letra e urimit për librin “Legjenda e dashurisë së përjetshme” e dërguar nga Kozeta Mero, apo dhe nga Minello Prifti, Kastriot (Aliaj) Rexhepaj, Hasan Disha… Libri mbyllet me një tjetër recensë të prof.dr.Ilinden Spasse, kësaj radhe për librin “Legjenda e dashurisë së përjetshme”. Recensa është e shkruar në formë letre ku shfaqet standardi i lartë letrar i prof. Ilindenit dhe sinqeriteti i tij në vlerësimin e  tregimeve që përmban libri.

 

Thuajse në mbi 300 faqet e tij, libri “Ju nderoj” përcjellë te lexuesi mesazhin e madh se njerëzit që i përkushtohen atdheut dhe i shërbejnë atij, janë gjithnjë të nderuar dhe të respektuar, ata mbeten në kujtesën e popullit si kontributorë që ia shtojnë vlerat, bukurinë dhe madhështinë atdheut. Asgjë nuk shkon kot nga puna dhe mundi i tyre.

Lexuesi merr një informacion të vlefshëm për shumë nga personalitetet e kulturës, të shkencës,  të pedagogjisë dhe të gazetarisë. Nisin ato me dijetarin e madh shqiptar Hasan Tahsini dhe vijojnë me profesorët e nderuar Bedri Dedja dhe Pandora Dedja, Shefik Osmani dhe Urti Osmani, Mark Vuji, Mihal Kopali, Vasfi Semimi, Murat Gecaj, Yllka Beçi, Nuri Dragoj, Arqile Veshi. Sikurse dhe për profesorët e njohur të pedagogjisë, të gazetarisë dhe të fushës së studimeve: Pajtim Bejtja, Ago Nezha, Njazi Kazazi, Fejzi Koçi. Për shkrimtarët e njohur: Sterjo Spasse dhe Ilinden Spasse, Xhevahir Spahiu, Viktor Qurku, Skënder Hasko, Fiqiri Shahinllari. Por dhe për shkrimtarët dhe poetë  si: Sotir Lashova (Nuni), Mane Alikaj, Evgjeni Poloska, Petro Prifti, Thoma Koka, Zyber Gjoligu, Kadri Shametaj, Qirjako Dhima, Gjon Bruçi. Për disa nga krijuesit e fshatit Çorraj: Kristo Qirjaqi, Nënë Husno, Mite Veshi, Jorgo Koka, Koço Nika, Adriana Dhrami. Për gazetarët Fran Gjoka, Ibrahim Hajdarmataj. Për lexuesit e vëmendshëm dhe të respektuar Kozeta Mero, Minello Prifti, Kastriot (Aliaj) Rexhepaj, Hasan Disha etj…

Libri “Ju nderoj” mund të themi se ngjason me një mozaik të bukur dhe tërheqës, ku gërshetohen stile të shkrimtarisë, gazetarisë dhe të lexuesve të thjeshtë. Brenda tij gjen në harmoni të plotë konsiderata, vlerësime e fragmente letrare, vargje poetike, stil gazetarie, metoda të vlefshme studimore. Teksa mes tyre, lëvizin lirshëm portrete njerëzish të respektuar, episode, rrëfime, shprehje të respektit reciprok  mes krijuesve, studiuesve  dhe lexuesve.

Në libër, lexuesi do të gjejë edhe mendimin e lartë pedagogjik, edhe shkrimtarinë e zgjedhur, edhe rrëfimin e thjeshtë, teksa gjatë leximit krijohet përshtypja se je ulur në një tavolinë pranë e pranë me prof.dr.Hektor Veshin (duke ruajtur distancën e  pandemisë) dhe, duke ndjerë së bashku me shijen dhe aromën e kafes, edhe kënaqësinë e bashkëbisedës plotë vlera jetësore, shkencore, artistike, kulturore dhe atdhetare. Aty takon dhe bisedon  natyrshëm: edhe me akademikun dhe profesorin e madh të pedagogjisë, edhe me mësuesit e thjeshtë; edhe me shkrimtarë të rangut kombëtar, edhe me krijues popullorë e lexues, të cilët i lidhë mes tyre dashuria për dijen dhe librin, i lidhin vlerat dhe dashuria e madhe për atdheun dhe kombin.

Libri është i shkruar me një gjuhë të pastër, ku shfaqet talenti i autorit si shkrimtar, prozator dhe studiues i kualifikuar. Libri ka një pasuri të madhe figurash artistike, fraza të rrjedhshme dhe tërheqëse, dialogje, vargje pikante, fjalë të urta dhe shprehje të zgjedhura frazeologjike popullore, që motivojnë ide dhe qëndrime apo pasqyrojnë vlerat e mëdha folklorike të popullit tonë.

Te libri “Ju nderoj” autori nuk ka mahninë të zgjedhë dhe të veçojë tipa dhe karaktere, ai i shfaq ata ashtu siç i ka njohur në jetë, realisht, pa lajka dhe pa zbukurime. Mund të themi se prof. Hektor Veshi, në fillim e në fund të këtij libri, shfaqet origjinal, ai është vetvetja. Te personaliteti i tij, te puna e madhe krijuese  e studimore, sintetizohet bukur shprehja “që, shpesh herë i kërkojmë vlerat jashtë dhe larg nesh, kurse ato i kemi fare pranë.”

Si përfundim do të thosha se vlerat e këtij libri i kalojnë të zakonshmet, edhe për faktin se janë shkruar nga një mendimtar i urtë, përfaqësues dinjitoz i dijes, i shkrimtarisë dhe i kulturës shqiptare, me një emër zotnie: Hektor Veshi.

 


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend