VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Përgjimi/ “Kryetari i FRD me gjithë njerëzit e tij votuan për Sheferedin Shehun”- Imer Lala: Do ia q… robt e shpisë.

By | June 19, 2019

Komentet

DW: Pse po vonohet shpallja e rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë?

Në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 530 qendra votimi iu nënshtruan procesit të rinumërimit të votave për shkak të manipulimeve të llojeve të ndryshme. Rezultate përfundimtare ende nuk ka.

Zgjedhjet në Kosovë u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtarë si të rregullta, demokratike dhe pa telashe të mëdha në ditën e votimeve, por megjtihatë ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare. Kjo për arsye se në mbi 530 qendra votimi po kryhet rinumërimi i votave për shkak të parregullsive të shumta. Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) thonë, se deri tani janë numëruar më shumë se gjysma e votave nga këto 530 qendra.

“Procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të përfundoj brenda 3-4 ditëve, pastaj iu hapet rruga numërimit të votave me kusht, që praktikisht do t’i marrë edhe 2 ditë. Pra i kemi rezultatet e vendvotimeve të rregullta, të cilat janë në bazën e të dhënave, do t’i procedojmë rezultatet e vendvotimeve të rinumëruara, që po ashtu do t’ia bashkojmë rezultateve finale. Po kemi gjithashtu edhe rezultatet e votave me postë dhe mbeten vetëm edhe rezultatet e votave me kusht në mënyrë që të kompletohen të gjitha, dhe KQZ të publikojë rezultatet përfundimtare”, thotë Burim Ahmetaj Koordinatori i QNR-së.

Procesi i rinumërimit të votave në të paktën 530 vendvotime, nga rreth 2800 sa ishin në mbarë Kosovën, po bëhet për shkak të manipulimeve të shumta nga komisionarët e partive politike dhe që po vlerësohet se po e dëmtojnë të gjithë procesin zgjedhor.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tashmë ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë hetuese që të qëndrojnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për të hetuar parregullsitë e raportuara. Sipas saj, gjatë numërimit të votave në disa qendra votimi janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme. “Sa u takon komisionerëve, unë edhe tani mund t’u bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë që mund të qëndrojnë lirisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe aty për aty të shohin dhe t’i marrin provat, sepse në ato vendvotime ku ka rinumërim janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme”, thotë Valdete Daka.

Nga ana tjetër, mbi 40 mijë fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme dhe tani pë tani sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, akoma nuk ka një konstatim rreth natyrës së pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.

“Edhe sa i përket këtij procesi zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani në këtë periudhë kur po bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve është duke gjetur fletëvotime të pavlefshme dhe duke parë natyrën e tyre. Sigurisht pasi të kemi më shumë kohë do të ketë një raport lidhur me detajet, statistikat që i përkasin pavlefshmërisë së fletëvotimeve”, thotë Valmir Elezi.

Organizata të shoqërisë civile që janë të angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve, thonë se mosinformimi i duhur i qytetarëve ka bërë që të ketë shumë fletëvotime të pavlefshme.

“Në bazë të të analizimit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përgjatë këtyre cikleve të kaluara zgjedhore 5 deri në 6 pikë në përqindje është kryesisht numri i votave të pavlefshme si rezultat i informimit të gabuar apo fushatave të partive, sesa rasteve kur është shënuar më shumë se një subjekt politik që mund të përkthehet në prishje të qëllimshme të fletëvotimit nga ana e votuesve, andaj KQZ duhet të trajtoj pjesën më të madhe të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme që vijnë si rezultat i informimit”, thuhet në një raport të KDI, rrjeti i organizatave që monitorojnë procesin e zgjedhjeve.

Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skënderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67%, Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.

Analistët politik nga ana e tyre thonë, se një prej pikave më të dobëta të sistemit zgjedhor mbetet rinumërimi i pashmangshëm i kutive të votimit dhe e gjithë kjo është pasojë e përpjekjeve të komisionerëve për të manipuluar me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike. Blerim Burjani analist politik dhe ish-anëtar i KQZ-së i tha DW-së se reforma zgjedhore në Kosovë është e domosdoshme. “Duhet të ndodhë një reformë zgjedhore adekuate që eviton mangësitë si në vijim: Ndaljen e manipulimit me votat të kandidatëve të partive që vet partitë politike përmes komisionerëve të tyre i bëjnë. Komisionerët partiak nuk duhet të numërojnë vota, por këtë duhet ta bëjnë punonjësit civil. Dhe KQZ, Këshillat e Vendvotimeve (KVV) dhe Këshillat Komunale Zgjedhore (KKZ) duhet të depolitizohen plotësisht”, thotë Blerim Burjani, sipas të cilit vetëm ndëshkimi i partive politike me gjobë, mund ta ndalë procesin e manipulimit me numërimin e votave.

“Manipulime të votave bëhen, sepse sistemi është i tillë ku partitë politike përmes komisionerëve të tyre numërojnë votat e tyre. Po qe se rriten ndëshkimet ndaj partive politike, atëherë partitë mund ta ndalin këtë fenomen dhe të mos bëjnë gjëra të kundërligjshme dhe duhet të ketë gjoba të rrepta ndaj partive politike e jo vetëm ndaj komisionerëve të partive. Partitë politike keqpërdorin komisionerët e tyre, sepse e dinë që përgjegjësia penale është individuale dhe jo partiake. Pra, duhen mbyllur lista për të ndalur vjedhjen e votave të kandidatëve brenda së njëjtës parti politike”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas KQZ-së nuk mund të publikohet pa përfunduar rinumërimi i vendvotimeve të kontestuara, numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave më aftësi të kufizuara dhe që ky proces mund të kërkojë kohë edhe të paktën një javë. Në bazë të rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja. Këto dy parti tashmë janë në fazën e negociatave për formimin e një koalicioni qeverisës në Kosovë.

Qeveria në largim parasheh punë shtesë për “Bechtel-Enka-n”

Nadie Ahmeti

Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar dy autostradat kryesore në Kosovë, përkatësisht atë që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostradën tjetër që shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, pritet të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Vazhdimi i kontratës me këtë konsorcium është parashikuar nga Qeveria në largim e Kosovës, ndonëse vendimi final mbetet te qeveria e re që pritet të formohet si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Nëse qeveria e re vendos që të zbatojë vendimin e qeverisë së tashmë në largim, për zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, atëherë “Bechtel-Enka” do të vazhdojë të punojë edhe më tutje në Kosovë.

Në bazë të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka kërkuar nga Ministria e Financave, që të përfshihet në buxhetin e vitit 2020, një vlerë prej mbi 32 milionë euro, për siç thuhet, realizimin e dy lidhjeve dhe një mbikalimi në këtë autostradë.

Ministri në largim i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në bazë të vendimit të qeverisë, Ministria në projektimet buxhetore duhet të planifikojë edhe realizimin e këtij projekti, i cili duhet të përfshihet në buxhetin e vitit 2020.

Por, Lekaj sqaron se negociatat me kompaninë në fjalë nuk kanë përfunduar dhe nuk dihet çmimi përfundimtar.

“Nuk mundemi tani të kemi saktësi në projektim sepse projekti mund të kushtojë më tepër apo më pak. Por, sidoqoftë, ato mjete shfrytëzohen për të njëjtin destinim. Nëse nuk shpenzohen kthehen në suficit, apo në projekte të tjera, që sipas Ligjit për financa publike, ministritë në fjalë mund ta ndryshojnë projektimin deri në vlerën 5-15 për qind. Por, i gjithë ky proces do të kalohet në qeverinë e ardhshme”, tha Lekaj.

Në Ministrinë e Financave në Qeverinë e Kosovës, konfirmojnë se kanë pranuar një kërkesë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me një vlerë prej mbi 32 milionë euro.

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, tha se Ministria e Infrastrukturës me kërkesë buxhetore për vitin 2020, ka paraqitur kërkesën në shumën prej 32,200.000 euro, ne emër të realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaji dhe Vitia në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ dhe mbikalimin në Paldenicë, Komuna e Hani të Elezit”.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 28.05.2019, thuhet se “aprovohet kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës ‘Arbën Xhaferi’ nga data 01.06.2019 deri me 01.12.2020”.

Në këtë vendim është aprovuar propozimi për ndërtimin e kyçjeve në Ferizaj, Viti dhe mbikalimin në Paldenicë, Komuna e Hani të Elezit.

Ministri në largim, Pal Lekaj, thotë se arsyeja e vazhdimit të këtij projekti, vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve të atyre vendbanimeve.

“Nuk janë projektuar kyçjet e përpara dhe pas kërkesave dhe insistimeve të shumta të qytetarëve dhe një fizibiliteti që është bërë, ka ardhur kërkesa në qeveri që të miratohet një vendim i tillë. Dhe qeveria në bazë të ligjit ka marrë një vendim që ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës të negociojë me kompaninë ‘Bechtel-Enka’, theksoi Lekaj.

Ky vendim është marrë vetëm një dita para inaugurimit të autostradës “Arbën Xhaferi” e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Nga Hani i Elezit, projekti rrugor parashihet të vazhdojë në drejtim të Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike kanë kritikuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, ka shkruar se “natyrisht se këto 32 milionë euro janë vetëm sa të kalojë kohën ‘Bechtel-Enka’, derisa të kryhen procedurat për Autostradën e Dukagjinit në mënyrë që t’i ndahen edhe 590 milionë euro tjera”.

Autostrada “Arbën Xhaferi” ka gjatësi prej 60 kilometrash dhe njihet për urën më të gjatë në Ballkan.

Sipas autoriteteve në Prishtinë, autostrada “Arbën Xhaferi” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 600 milionë euro.

Përveç kësaj shume financiare, kompanisë “Bechtel-Enka” vitin e kaluar Qeveria e Kosovës i kishte ndarë edhe 53 milionë euro shtesë, me arsyetimin se qeverisë gjatë kohës sa udhëhiqej nga ish-kryeministri Isa Mustafa kishte dështuar t’i paguante me rregull faturat këtij konsorciumi.

Për ndarjen e këtyre mjeteve tashmë kanë filluar hetimet nga Kryeprokuroria dhe Policia e Kosovës.

Konsorcium amerikano-turk, “Bechtel Enka” ka ndërtuar edhe autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, me një çmim prej rreth një miliard euro.

Gjatë mandatit të saj, ‘Qeveria e Haradinaj’, kishte projektuar edhe një autostradë tjetër, atë që lidh qytetet Istog- Pejë – Deçan- Gjakovë dhe Prizren, e njohur si Autostrada e Dukagjinit. Kjo autostradë, llogaritet një ndër më të gjatat në territorin e Kosovës, me 91 kilometra gjatësi.

Sidoqoftë, jetësimi i këtij projekti tani mbetet në duart e Qeverisë së re të Kosovës.

“Der Spiegel”: Rama mban pushtetin përmes krimit të organizuar

“Të turpëruar nga Brukseli”, e titullon “Der Spiegel” artikullin dedikuar refuzimit të BE për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Premtimi i thyer i Brukselit mund të nisë pasoja serioze në dy vendet ballkanike dhe shumë liderë të BE kanë folur për një gabim historik”, shkruan Keno Verseck i “Der Spiegel”.

Veçanërisht i hidhur refuzimi ka qenë për Maqedoninë e Veriut sipas medias gjermane që përmend kompromisin e dhimbshëm për emrin dhe të ardhmen e pasigurt të vendit, nëse nacionalistët rikthehen në pushtet.

Por sa i përket Shqipërisë, vijon “Der Spiegel”, refuzimi është më i kuptueshëm. Media drejton gishtin nga ai që e quan stili autoritar i kryeministrit Edi Rama.

“Reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit në vend ka ngecur, dhe kryeministri socialist Edi Rama, në detyrë që nga viti 2013, dyshohet se ka mbajtur partinë e tij në pushtet përmes krimit të organizuar, veçanërisht mafies së drogës.

Vetë Rama, i njohur në Perëndim për paraqitjet e tij me atlete dhe i admiruar si një artist, kultivon një stil gjithnjë e më autoritar në politikën e brendshme”

Sipas “Der Spiegel”, veçimi i Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, do të kishte qenë një mundësi që BE të ruante besueshmërinë e saj në rajon. Ndërkaq, “Financial Times” e quan një gabim historik votën kundër vendeve të Ballkanit .

“Arsyet e presidentit Macron për reformën e unionit dhe të procesit të anëtarësimit, nuk duhet të përbënin kundërshti për nisjen e bisedimeve, të cilat deri në përmbushje kërkojnë të paktën 10 vjet, kohë e mjaftueshme për t’i rishikuar e rregulluar sipas sugjerimeve të presidentit francez”, thotë prestigjiozja britanike./Marrë nga A2
https://www.spiegel.de/politik/ausland/eu-beitritt-von-albanien-und-nordmazedonien-fatales-signal-a-1292520.html

Une dyshoj shume tek sinqeriteti i klases politike shqiptare ! Nga Eva Idrizllari

Une dyshoj shume tek sinqeriteti i klases politike shqiptare per sa i takon permbushjeve te reformave qe do t’i hapnin rrugen reale anetaresimit te Shqiperise ne BE.

Mendoj se nje nga faktoret qe e mban te pashqetesuar ne drejtimin e shtetit, kryeministrin aktual me te korruptuar ne historine e Shqiperise (i cili ka rrenuar ekonomine e vendit, ka thelluar borxhin publik financiar dhe ka shpopulluar vendin), eshte edhe mungesa e seriozitetit te partive opozitare per t’i dhene mundesi qytetareve per ta rrezuar kete qeveri.

Per t’u anetaresuar ne BE, nje nga standartet qe duhet te permbushe Shqiperia eshte edhe #Reforma #Zgjedhore.
Partite duhet te vendosin te ardhmen e popullit me ndryshimin e sistemit zgjedhor, me lista te hapura te votimit, qe do t’i jepnin mundesi qytetareve te perzgjidhnin deputetet cilesore dhe te ndeshkonin te pamjaftueshmit.

Deri tani #Opozita e bashkuar ka bere:

1. Ka braktisur Parlamentin. (Nje veprim kunderproduktiv)
2. Ka demaskuar me fakte aferat korruptive dhe lidhjet e qeverise me mafian. (Nje veprim produktiv)
3. Ka organizuar protesta masive per zgjimin e qytetareve. (Pa asnje efekt kundrejt qeverise)
4. Ka braktisur reformen zgjedhore. (Nje veprim kunderproduktiv)

Braktisja e parlamentit nuk ia shkaterroi dot legjitimitetin kryeministrit Rama. Perkundrazi, thelloi krizen politike, duke i dhene mundesine kryeministrit despot te kapte te gjitha pushtetet. Zgjedhjet e fundit lokale, ne mungese te saj, i dhane pushtet absolut mazhorances.

Vendi eshte pa Gjykate te Larte dhe Kushtetuese, dhe pergjegjesia eshte e te dyja paleve mazhorance-opozite. Te dyja palet votuan Reformen e Drejtesise. Si shkak i kesaj gjykatat kane mbetur pa gjyqtaret e nevojshem per te funksionuar si insitucione te interpretimit ligjor, pasi jane rrezuar nga Vettingu. Perpara se te niste procesi i Vettingu-t, ka patur perplasje mes paleve politike per anetaret e Gjykates se Larte, duke detyruar disa nga gjyqtaret te jepnin doreheqjen per mbarimin e viteve te mandatit ne detyre, ndonese ligji parashikonte se mund te qendronin ne detyre deri ne momentin e zevendesimit.

Shqiperia po kalon krizen me te thelle institucionale ne rrugetimin e saj politik dhe historik prej rreth tre dekadash, ku eshte cenuar ne menyre te rrezikshme Demokracia. Populli i zhgenjyer nga korrupsioni, padrejtesia, mungesa e alternativave dhe mashtrimet e politikes, po braktis vendin.

Deri tani, kete qeveri antikombetare nuk e ka rrezuar asnje mjet i opozites. Qeveria vazhdon veprimtarine e saj “pa e prishur terezine” per popullin fatkeq.

Si do ndryshoje kjo situate?

As protestat nuk sollen asnje rezultat.

Nese Opozita eshte e interesuar vertet per integrimin e Shqiperise ne Europe dhe hapjen e negociatave te anetaresimit, atehere duhet te ulet domosdoshmerisht ne nje tryeze me mazhorancen dhe te arrije marreveshjen per ndryshimin e sistemit zgjedhor, me lista te hapura. Shembullin evident na e dha Kosova.

Mjaft me akte kundraproduktive qe nuk i japin asnje zgjidhje te vlefshme situates alarmante politike-ekonomike-sociale, por vetem i sigurojne jetegjatesine e pushtetit nje kryeministri mafioz.

Populli duhet te shkoje ne zgjedhje dhe te votoje i lire per te vendosur fatet e tij. Por duhet t’i jepni te drejten e votes se lire, duke i siguruar nje sistem zgjedhor te ndershem dhe demokratik.

#Reflektoni seriozisht. Ne te kundert deshmoni se jeni te pasinqerte ndaj popullit dhe te ardhmes Europiane te vendit.

Zbulimi tronditës: “Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, dëshiron ta dëshmoj”, kështu reagoi Baton Haxhiu kur i tha Millosheviçi

Opinionisti Gani Mehmetaj, përmes një shkrimi ka zbuluar detaje të pathëna nga Gjyqi i Hagës, ku gazetari Baton Haxhiu ishte dëshmitar në këtë proces për krimet e “Kasapit të Ballkanit”- Sllobodan Millosheviç.

Mehmetaj shpjegon se, “Kasapi i Ballkanit e frikësoi keqas Batonin, e frikësoi edhe Bakallin, duke ua bërë me dije publikisht se ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit Serb, prandaj s’kishin ç’të dëshmonin pos qyqarisë së tyre”.

Ja shkrimi i plotë i Opinionistit Gani Mehmetaj:

Kush e caktoi Baton Haxhiun dëshmitar në Gjyqin e Hagës, kur gjykohej Milosheviqi, askush nga shqiptarët nuk di ta sqaroj as pas 17 vjetësh. Nuk e thonë as në Tiranë ku Haxhiun e bënë “kosovarin” kryesor kur duan të na fyejnë në inteligjencë e në arsim, nuk e thonë as në Beograd ku ai shkon shpesh.

Gjyqi i Hagës me dëshmitë shkretane të Baton Haxhiut

Kasapi i Ballkanit e frikësoi keqas Batonin, e frikësoi edhe Bakallin, duke ua bërë me dije publikisht se ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit Serb, prandaj s’kishin ç’të dëshmonin pos qyqarisë së tyre. Ende nuk më shqitet thënia e Milosheviqit, drejtuar Baton Haxhiut: Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, apo jo? Dëshiron të ta dëshmoj?” Ndërsa dëshmitari Haxhiu që duhej të dëshmonte krimet e serbit, ul kokën, sikur ta kastronin. Ish kreu i Beogradit e paralizon dëshmitarin shqiptar si gjarpri bretkosën.

Është dëshmi e vlefshme kjo lloj dëshmie e gazetarit B. H.? Mund t’i besojë ndokush?
Gjyqi i Hagës zhvillohej me seancat maratonike. Kur nisi të gjykohej krimineli Milosheviq, sepse ata para tij qenë vetëm peshq të vegjël, transmetimet televizive zgjuan kureshtje të përgjithshme. Gjykohej njeriu, mbi supet e të cilit rëndonin krimet në Kosovë, sepse ai para gjyqtarëve jepte përgjegjësi për masakrat e përdhunimet. Nga ky numër jo i paktë i dëshmitarëve të shtresave e të strukturave të ndryshme, asnjëherë nuk e kam kuptuar pse i ftuan M. Bakallin e B. Haxhiun. Ku qe arsyeja? Ata që e përgatitën akuzën donin ta minimizonin krimin monstruoz të kriminelit, apo synohej që t’i gjenin objektet për fyerje, sepse i akuzuari nuk pushonte, i fyente e i përçmonte, ua kujtonte kohë pas kohe kush ishin, duke ua tërhequr vërejtjen, mos më nxisni se unë di edhe më shumë për ju. Nga dëshminë e këtyre dy figurave margjinale, prokurori e gjyqtarët nuk nxorën asgjë për të qenë, pos ia dhanë mundësinë kriminelit nga Beogradi të tregohej superior ndaj tyre.

Kur i dëgjoja dëshmitë e tyre të flashkëta, të pasigurta, shpesh qyqare, sikur të mos qenë prokurorët e gjyqtarët e dëshmuar, do të

krijoja bindjen se dikush e përgatiti këtë ballafaqimin sa për të parë lojën e maces me miun. Dy dëshmitarë, gati kyç, sikurse u paralajmëruan nga mediat tona, po edhe nga mediat e huaja, dolën shterpë, pa asnjë fakt të kapshëm, ndërsa pati mijëra fakte e dokumente. Kur dolën në ekran ish-zyrtari i lartë i Komitetit Krahinor dhe ish gazetari i “Kohës Ditore” dukeshin të shqetësuar, të frikësuar, herë–herë sikur u bllokohej truri.

Besoj se nuk i druheshin ballafaqimit me kriminelin më të madh në Ballkan dhe në Evropë, në pesëdhjetë vjetët e fundit, as pse atyre u mungonte oratoria a shkathtësia, por në situata i akuzuari për krime lufte, i paralizonte duke u bërë shantazhe. Pyetja e tij cinike: Doni t’ua dëshmoj se keni qenë njerëz të shërbimit tim të fshehtë, në vend se t’i këndellte arroganca e tij, e t’ia kthenin ashtu si e kërkonte, dy dëshmitarët tanë u shushatën si pulat. Më vinte inat. Në të njëjtën mënyrë e përjetuan edhe të tjerët, kur e komentuan të nesërmen.

Doli se ish-kryeredaktori i “Kohës Ditore”, i shkarkuar nga bosi i vet, disa ditë para se të shkonte në Hagë, bënte konspiracion me një oficer zbulimi të Serbisë!

Me të përfunduar gjykimin, një mik imi, i cili i ka për qejf teoritë e konspiracionit, më tha në mënyrë profetike: Do ta shikosh kur ta bëjnë yll gazetarin B. Haxhiu në Tiranë! E shikova me mosbesim. Ai ishte i bindur se lobi serb ka shumë ndikim në qarqet politike e të mediave shqiptare. Nuk shkoi shumë kohë kur vërtet doli profecia e mikut tim. B. Haxhiu, apo “Nuk kaka”, sikurse e quanim ndryshe, u bë yll në mediat elektronike të Tiranës, e caktuan nëpër organizata e juri, madje e emëruan në jurinë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizion Shqiptar, që ishte kulmi i cinizmit. Sikur bënin garë kush do ta rrëmbente më parë: e djathta apo e majta shqiptare. E mbanin në prehër, e mëkonin dhe e përgjëronin. Një gjysmanalfabeti ia dhanë kompetencat që të përfaqësonte “kosovarët” kudo dhe kurdo, në Tiranë, në Prishtinë e në Beograd. Vula e shërbëtorit të zbulimit serb, u bë e fuqishme, ia hapi të gjitha dyert. Është “kosovari” më i privilegjuar në Tiranë e në Beograd.

Milosheviqi në vend se ta turpëronte para shqiptarëve, e bëri yll në median shqiptare të Tiranës, e faktor në Partinë Demokratike të Kosovës. Në Kosovë iu ngjit “krahut të luftës”, ndërsa “krahu i luftës” gjithë kohën kinse çirrej kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë.

Mbase bashkëvendësin e tyre drenicak e kursyen dhe e shpërblyen. Me patriotizmin lokal s’bëhet shaka!
Mikut tim, ithtar i teorive të konspiracionit, i doli profecia qind për qind. Mbeta gojëhapur, i mbeta borxh një drekë, ashtu ishte basti. Më erdhi inat, që doli parashikimi profetik i mikut tim, ithtar i teorive të konspiracionit për lobin e fuqishëm serb në Tiranë.
Po në Prishtinë? Cili ishte statusi i tij? I afërt me kreun e PDK-së, i lidhur ngushtë me disa qarqe të LDK-së, ndërmjetës i bizneseve serbo-shqiptare.

Yll fare, do të thoshin kalamajtë e Tiranës.

Ndahet nga jeta ish-gazetarja e njohur e Radio Tiranës

Ndahet nga jeta Natasha Këlliçi, (Dulaku), ish-redaktore letrare në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe ish-gazetare e njohur e Radio Tiranës së Jashtme. Si redaktore letrare e romanit, gjatë viteve 1972-1974, ajo u shqua për redaktimin e veprave të disa prej shkrimtareve tanë më të shquar, ndër të cilët; Skënder Drini, Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Kico Blushi, etj,.

Më 1992 Natasha nisi të punonte gazetare në Radion e Jashtme. Ndonëse në një profil krejt te ri, ajo u shqua për reportazhet dhe intervistat radiofonike me personalitete më te njohura të kohës, për probleme social-politike që lindën pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Dhe shumë shpejt u rendit krahas gazetarëve më të mirë të mikrofonit te viteve 1950-2000, Pirro Nace, Timo Luto, Alfons Gurashi, Agron Cobani, Amali Dhamo, Zamira Koleci, etj,.

 

Veçanërisht popullor u bë emisioni “Mesazhe malli’, në Radion e Jashtme, që ishte një komunikim i shqiptarëve me të afërmit e tyre të emigruar në vende të ndryshme të botës, dhe radioreportazhe për dukuritë e reja pas rrëzimit të komunizmit.

Më 1999 ajo se bashku me të shoqin, shkrimtarin dhe pubicistin, Skifter Këlliçi dhe familjen, u vendos në Boston, dhe nuk u shkëput nga veprimtaria shoqërore, duke u bërë edhe presidente nderi e Shoqatës së Grave Shqiptare. Krahas përfaqësuesve të shquar të inteligjencës së Diasporës, ajo ishte pjesëmarrëse aktive në debatet për problemet që po kalon sot shoqëria shqiptare.

 

Botuesit e Voal.ch duke e pasur Miken e tyre Natashën dhe shkrimtarin e mirënjohur Skifter Këlliçi i shprehin me dhimbje të thellë ngushëllimet më të ndjera Familjes!

 

Video – Lekë Tasi: Këshillat e Petro Zhejit për kujtimet e internimit

Fatmira Nikolli – Edhe unë e shqiptoj ‘po’-në e përditshme të nevojës, por mbaj brenda meje të gjallë ‘jo’-në e paepur të rezistencës”. Lekë Tasi, piktor, ish-violonçelist i Teatrit Kombëtar të Operës, i lindur në Greqi, i kthyer 12 vjeç prej andej, pasi ka bërë xhiron e fundit me biçikletë nëpër Tiranën gri të viteve 1970, është hequr me forcë nga kryeqyteti, jeton në një barakë, bën punën e bujkut kur një ditë në Grabjan dëgjon këto fjali në një radio. Ua përkthen miqve sepse frazat qenë në fakt një mënyrë për të balancuar dëshirën për të jetuar me dëshirën për të folur; dhe kjo, ndodh në një kohë, kur balanca për një të internuar me baba të burgosur e xhaxha të vdekur në burg është jetike. “Letërsia si vend kujtese” sjell historinë e mbijetesës së një artisti nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve. Leka përjeton një mënyrë krejt të re presioni e përndjekjeje. Niste që nga apelet dy herë në ditë e deri te heqja e ditëve të punës, nën etiketën e armikut. Libri i tij me kujtime, “Grabjani rrëzë kodrave”, është një formë ditari që nis me datën 18 tetor 1975. Plot 44 vjet më vonë, tashmë 90-vjeçar, ai është në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar i ftuar në takimin “Letërsia si vend kujtese”, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë. Ndërsa 44 vjet më parë, Lekë Tasi niste ditarin e internimit, takimi për librin e tij në 18 tetorin e 2019-ës, shënon një rehabilitim për të dhe njohje të së shkuarës për të rinjtë, që nuk e kanë jetuar diktaturën dhe nuk e dinë se si ishte të jetohej në diktaturë, madje pak dinë se ka pasur një diktaturë. Tasi dokumenton në libër jetën e përditshme të qindra familjeve të internuara. Për këtë dokumentim, që e përcjell pa inate, akuza e mllefe, rrëfimi i tij merr përmasat e rrëfimit të një kronikani që përshkruan ç’sheh, e ndonjëherë, sheh edhe brenda vetes. “Kjo veti e të shkruarit ka një histori. Kur erdha në Tiranë nga internimi, takova shokun tim të vjetër Petro Zhejin. Ai më imponoi ta shkruaja historinë e internimit. Dhe siç e kishte tonin Petroja, më bindi, ose iu nënshtrova. I çova dikur një draft fillestar dhe ai ma ktheu mbrapsht, duke thënë që ‘jo, jo kështu’. Duhet më thjeshtë, duhet thjeshtë ta rrëfesh, ta përshkruash. Sepse vija ndjenja, vija reagime. Nuk duhej. Atëherë mu kujtua letërsia e vërtetë, që është e ftohtë nga pikëpamja e pjesëmarrjes së autorit. I jep mundësi lexuesit të marrë pjesë vetë dhe transformohet zemërimi nga autori te lexuesi”, tha Lekë Tasi.


Kritiku letrar Agim Baçi, duke vërejtur stilin e përdorur nga Tasi u ndal edhe te figura e motrës së tij, Tefta Tasi, e cila ka vuajtur burgun e grave. Për Baçin, portretizimi i Tefta Tasit në vepër është mjaft i rëndësishëm, sepse ajo pasqyrohet si simbol qëndrese. “Leka në libër duket sikur nuk e ka mendjen te ajo që ndodh, por vetëm tregon. Në mënyrë të natyrshme. Zakonisht kemi histori burrash në burg, por Leka ka sjellë Teftën”, tha ai. Në përgjigje, Lekë Tasi tha se e motra “kishte karakter të veçantë. Ishte gjakftohtë dhe shumë e prerë. Ishte e izoluar që në moshën 18-vjeçare kur e arrestuan duke i imponuar që të bëhej informatore. Ajo e refuzoi. Kishte disa javë që po i bënin presion. E izoluan tërë jetën”, kujtoi artisti. Sa i takon përvetësimit të punës së intelektualëve si Lekë Tasi që ishin të përndjekur politikisht, ai kujtoi rastin e përkthimit të një vepra të David Smiley, që ia dhanë për ta përkthyer dhe më pas, libri nuk doli me emrin e Tasit si përkthyes.

Kur Agim Baçi e pyeti nëse i ka pasur përballë persketurorët, apo ata që në Grabjan e kanë shtrënguar atë dhe familjen e tij, Tasi rrëfeu një takim. “Me ata që na kanë persekutuar nuk kam pasur kontakte. Disa nga ata të Grabjanit, meqë fshati nuk i donte, u detyruan të shkonin në Elbasan. Kur shkova në Grabjan, elektricisti që na jepte ca bezdira, më thirri që lart, sikur t’i përgjigjej një kërkese të fjetur brenda tij duke më thënë: epo ishte koha ashtu. E bëri ciklin vetë ai, i dhashë dorën dhe nuk i mbaj mëri fare, sepse vërtetë ishte ashtu koha. Unë nuk jam që të gjykoj, unë shoh tërësinë e Grabjanit. Oficerët e Lushnjës që janë sjellë keq, nuk i shoh gjurmët e tyre. Disa janë bërë avokatë e disa kanë ikur në emigracion”. Drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole, e vuri theksin te të rinjtë në fjalën e saj dhe pamundësia e tyre se si të njohin të shkuarën. “E menduam ‘Letërsia si vend kujtese’ sepse deri në 2015-ën, nuk kishim as muze kujtese. E vetmja dritare, më shumë se sa muzeu, ishin librat biografikë, ishte letërsia e atyre njerëzve që i kishin mbijetuar territ komunist. Kjo e gjitha falë punës së Institutit të Studimit të Krimeve që kishte sjellë një sërë botimesh shumë të dhimbshme të asaj kohe. Duke qenë se nuk kemi vende kujtese, atëherë le ta marrim letërsinë si vend kujtese dhe përmes tyre le të njohim si ka qenë e shkuara”, – tha ajo. Kujtoi më tej takimet e bëra ndër vite, duke prezantuar Lekë Tasin me një libër të veçantë për jetën e tij në internim, për përditshmërinë e tij dhe familjes dhe familjeve si e tija në Grabjan. “Është i veçantë sepse ka pak libra që i bëjnë një skanim të fortë diktaturës, pa treguar me gisht asgjë. Kjo modesti në mënyrën si e kanë përballuar vuajtjen e tyre dhe se me këmbëngulje janë përpjekur të qëndrojnë njerëz me gjithë dhunën që ushtrohej. Këto aktivitete që kemi bërë nuk do i kishim arritur pa mbështetjen e aktorit ndërkombëtar si Fondacioni ‘Konrad Adenauer’, që e ka zgjedhur këtë temë për ta mbështetur fort, duke ndihmuar jo thjesht kujtesën e procesin tonë të të menduarit, por duke e vënë theksin te viktimat e komunizmit dhe tek ata që i shpëtuan atij”, tha Godole.

Më tej, drejtuesi i KAS, Tobias Ruttershoff, tha se “është shumë e rëndësishme për ne trajtimi i këtyre çështjeve. Siç e dini edhe në Gjermani kemi pasur një regjim komunist në Lindje dhe na u desh të merreshim me kujtesën kur ajo periudhë mbaroi. Shqipëria ka vuajtur më shumë se Gjermania Lindore dhe jemi marrë me këto tema këto 5 vitet e fundit dhe me viktimat e komunizmit këtu. Është e rëndësishme të dëgjojmë zërat e njërëzve që kanë mbijetuar dhe nuk kemi shumë kohë për të dëgjuar zërat e tyre”.

5 fëmijë nga Pogradeci, në Siri, gjyshja 70-vjeçare apel me lot në sy: Mi ktheni në shtëpi (video)

Asije Shuli, nëna 70 vjeçare prej më shumë se dy vitesh vajton humbjen e djalit të saj, Krenarit në luftën krah grupit militant të shtetit islamik. E 6 vite që pret kthimin e nipërve dhe mbesave nga Siria në vendlindje, fshatin Gurras të Pogradecit.

Mbrëmjen e 24 tetorit të 2013, Krenari u largua drejt Sirisë me gruan e tij, Adelinën dhe 3 vajzat, Elonën, Ermën dhe Jusrën e vogël.

Në kamp një tjetër fëmije u erdhi në jetë, Ibrahimi. E më e madhja e vajzave, Elona vetëm 14 vjeç u bë me djalë Suhejdin, që sot është 3 vjeç.

Por tani 5 të miturit kanë mbetur vetëm në terrorin e luftës, pasi e a u vra së fundmi.

Gjyshja 70 vjeçare gati në përgjërim është munduar të tërheq vëmendjen e shtetit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“I lutem kryeministrit me zemër të na kthejë fëmijët. Nuk e dija që do të shkonte në Siri. E gënjyen,”-thotë ajo.

Në kronikën është shfaqur edhe një telefonatë e shkurtër të mbesës së madhe me gjyshen e saj, të cilës i kërkon para për shkak të kushteve të vështira.

“Ishalla takohemi sa më shpejt. Po munde, sa të kesh mundësi më ço ndonjë kokërr lek, se vallaj s’kam çfarë të bëj. Fëmijët duan të hanë. A në rregull? Sa të kesh mundësi më ço aman se fëmijët duan të hanë.”

/Top Channel

“Kurir”: Njësia Speciale serbe e Jovica Stanishiçit përgjegjëse për masakrën në Reçak

“Tradhtia e madhe!”. Kështu e nis shkrimin e saj gazeta beogradase “Kurir”, në të cilin një ish zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurimit Serb (SDB) dhe ish-zëvendësdrejtor i BIA-s, jep versionin për masakrën e Reçakut. Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë në strukturat serbe të sigurisë e pranon se ishin forcat serbe ato që e kryen këtë krim mbi shqiptarët në janar të viti 1999. Gazeta serbe shkruan se “Njësia e Operacioneve Speciale (JSO), e formuar nga ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq, është keqpërdorur në Reçak, gjë që u shfrytëzua si shkas për bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë”, përcjell Telegraf.

 

Këtë version i ka thënë “Kuririt” Dragan Markoviç- Markoni, pjesëtar shumëvjeçar i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb (SDB) dhe ish-Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Informative e të Sigurisë (BIA). Markoviç pohoi se Njësia e Operacioneve Speciale Serbe (JSO) duhej ta mbronte popullsinë serbe në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë të prekura nga lufta civile, por shefi i atëhershëm i SDB abuzoi me patriotizmin e anëtarëve të asaj njësie.

Sipas tij, ai e bëri këtë “duke u dhënë atyre urdhër që të mos respektojnë ligjin e luftës, por të përdorin dhunë të tepruar”. “Edhe pas largimit të Stanishqit, JSO u keqpërdor. Kjo njësi u dërgua në Kosovë, në Reçak, kurse fuqitë e mëdha përdoren këtë rast, për të bombarduar ish-Jugosllavinë dhe dëbimin e serbëve nga Kosova. Pasojat e këtyre aktiviteteve ndjehen edhe sot. Abuzimi i fundit i njësisë ndodhi kur u vra Kryeministri Zoran Gjingjiç. Ai u qëllua nga një oficer i Njësisë së Operacioneve Speciale, e formuar nga Stanishiqi me urdhër të shërbimeve të huaja. Në luftës në Kosovë, komandanti i JSO ishte Milorad Ulemek – Legija, i cili u dënua me 40 vjet burg për rolin e tij në një seri likuidimesh të kryera nga anëtarët e kësaj njësie – atentatet e kryeministrit Zoran Gjingjiq, Ivan Stamboliç dhe krimi në magjistralen e Ibrit’, thotë Markoviç.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

Aty u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Ambasadori William Wolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës, pasi dy muaj më vonë filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe. Beogradi zyrtar, por edhe mediat serbe, vazhdimisht e kanë mohuar këtë masakër, duke e quajtur madje edhe si një mashtrim.

Rreth 80 martesa në vit të personave nën moshën 16-vjeçare

Ariana Kasapolli – Selani

Nexhmija është 24- vjeçare. Ajo jeton në Fushë Kosovë. Qysh në moshën 15-vjeçare ishte martuar dhe tani është nënë e tre fëmijëve. Nexhmija dhe as bashkëshorti i saj nuk punojnë.

Që të tre fëmijët, dy vajza dhe një djalë, bashkë me nënën dhe babanë, kërkojnë lëmoshë në rrugë. Gjatë ditës, ata thonë se grumbullojnë deri në 15 euro nga lëmosha.

“Kur kam qenë 15-vjeçare jam martuar. Tani jam 24-vjeçare dhe i kam tre fëmijë. Tash jetoj në Fushë Kosovë. Herët në mëngjes vij në Prishtinë dhe kërkojmë lëmoshë, unë bashkëshorti dhe tre fëmijët e mi”.

“Prindërit më kanë martuar në moshën 15-vjeçare. Nuk i kemi pasur kushtet financiare të mira asnjëherë. E kam pasur dhe vazhdoj ta kem jetën të vështirë. Po mundohem për fëmijët e mi, por nuk kam se çka t’ju ofroj. Kaq mundem. Dal, kërkoj lëmoshë me ta dhe me paratë që marrim, ushqehemi”, tregon Nexhmija.

Fëmija i Nexhmijes duke kërkuar lëmoshë në kryeqytet

Raportet e organizatës ndërkombëtare për fëmijë , “Save the Children”, tregojnë se nëse shikohet nga aspekti global, çdo 7 sekonda martohet një vajzë nën moshën 15-vjeçare.

Studimi nxjerr në pah se ka edhe vajza 10-vjeçare që detyrohen të martohen me burra shumë më të vjetër në vendet si Afganistani, Jemeni, India dhe Somalia.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Gjinekologjike, vetëm gjatë vitit 2018, janë regjistruar 65 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Të dhënat e QKUK-së bëjnë të ditur se gjatë vitit 2018, kanë lindur 9.985 foshnje, prej të cilave 65 nga nënat e moshës jo madhore.

Ndërkaq, gjatë këtij viti, në periudhën janar – shtator, kanë lindur 7.176 foshnje, ku prej tyre 26 foshnje nga nënat e moshës jo madhore.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se brenda vitit, në Kosovë ndodhin rreth 80 martesa të parakohshme, që nënkupton martesat e personave nën moshën 16- vjeçare.

“Martesat e hershme në Kosovë janë të ndaluara me ligj, por ka një nen në Ligjin për martesën që me pëlqim të prindit ose kujdestarit ia jep të drejtën, lejohet një martesë në mbikëqyrje të shtetit. Por kjo është keqpërdorur shumë në Kosovë dhe janë rreth 80 martesa që ndodhin brenda vitit nën moshën 16 -vjeçare, ku Kosova hyn në vendet ku nuk respektohet ligji. Martesat e hershme ndodhin më shumë në komunitetet rom, ashkali e egjiptian, por nuk përjashtohen edhe komunitetet tjera”, thotë Demolli.

Ajo shton se pasojat e martesave të hershme janë të mëdha, derisa nënvizon se shumica e këtyre martesave bëhen me pëlqimin e familjarëve të fëmijëve që martohen.

“Pasojat janë të mëdha duke sjellë rrezikshmëri të lartë në shëndet, lindje të fëmijëve në moshë të re, braktisje të shkollimit dhe punësimi pothuajse nuk ndodh asnjëherë te këto gra”, thekson Demolli.

Marrë parasysh trendin e martesave të hershme të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, organizata “The Ideas Partnership” ka bërë një hulumtim në një vendbanim në Fushë Kosovë ku jetojnë këto komunitete. Si rezultat i hulumtimit, del se nga rreth 500 persona të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të Fushë Kosovës, 53.57% e tyre martohen nën moshën 18-vjeçare.

Ndërsa, 99% e tyre ndërpresin shkollimin pasi të martohen. Sipas hulumtimit nga kjo organizatë, janë vajzat, ato të cilat martohen nën moshën 18- vjeçare, pra 65% e të anketuarve.

Shumica prej tyre martohen me dëshirë, por ka edhe prej tyre që detyrohen të martohen nga prindërit.

Ndërkaq, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, një vajzë nën 15 vjet, është pesë herë më shumë në rrezik të vdesë gjatë shtatzënisë apo lindjes, se sa një grua në të 20-at. Kur një nënë është nën 18 vjet, shansi që foshnja e saj të vdesë gjatë vitit të parë është 60 për qind më e lartë sesa nëse foshnja lind nga një nënë mbi 19 vjeçe.

Butrinti me PPP, një akt i pastër anti-kulturor dhe anti-shkencor – Nga MOIKOM ZEQO

Para disa ditësh në Ministrinë e Kulturës, titullari Michael Granoff, shef i Bordit Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim paraqiti “Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit”.

Pra bëhet fjalë se si një fondacion jo shtetëror merr përsipër një gjë të pazakontë për ta menaxhuar privatisht qytetin kompleks dhe mjedisin e tij ,siç është qyteti arkeologjik i Butrintit.

Në media të ndryshme shqiptare është folur për këtë rast i cili ngjan si ekskluziv, pra i pazakontë. Ministria e Kulturës padyshim që e miraton një program menaxhimi që është në fakt jashtë strukturave shtetërore.

Një mënyrë e tillë e menaxhimit të një kryevepre të pashembullt të trashëgimisë kulturore shqiptare, siç është Butrinti antik dhe mesjetar, nga një fondacion fare i panjohur, jo shqiptar, jo publik dhe shtetëror ngjan si një “plotësim” i habitshëm por dhe krejt i pandërgjegjshëm i të ashtuquajturave PPP-ve, duke e kaluar versionin që subjektet private shqiptare menaxhojnë subjekte shtetërore shqiptare.

Dihet kriticizmi i shumëllojtë dhe skepticizmi për të ashtuquajturat PPP.

Unë këtë dukuri e kam kritikuar që para pesë vitesh në disa shkrime.

Por aktualisht nuk kish ndodhur që subjekte të strukturuara si jo subjekte shqiptare të merrnin në dorëzim për menaxhim pikërisht një nga qytetet më të famshëm të Europës në guidat arkeologjike botërore, Butrintin e Shqipërisë.

Puna shumë vjeçare gjatë jetës sime si arkeolog, njohja e trashëgimisë së monumenteve poliforme dhe shumëkohore të shekujve më bën që të kem gjithmonë një dozë skepticizmi për të gjitha nismat që ndërmerren qoftë shtetërisht nga Ministria e Kulturës, qoftë dhe në formën e një bashkëpunimi hibrid midis shtetit dhe fondacioneve të cilat nuk janë subjekte shqiptare.

Me të drejtë arkeologu i shquar, kolegu im Neritan Ceka ka kritikuar ashpër planin e menaxhimit të Butrintit dhe të parkut të tij që siç dihet është i mbrojtur dhe nga UNESCO.

Jam plotësisht dakord me shtjellimin e tij profesional dhe shqetësimin qytetar.

Por le të kthehemi tek çështja kryesore e një akti të tillë që bëhet i njohur për të lëvizur dhe funksionuar në mënyrë legale.

Çfarë përfaqëson fondacioni i cili nuk di pse quhet në mënyrë shokuese por dhe klienteliste si Amerikano-Shqiptar.

Mund të kishim si alternativë një subjekt të mirëfilltë të quajtur Shqiptaro-Amerikan, siç e nënvizon me të drejtë Neritan Ceka.

Përveç faktit që Michael Grenoff është amerikan nuk kemi asnjë të dhënë tjetër se çfarë organizimi dhe çfarë cilësish shkencore por qoftë dhe menaxhuese paraqesin të ashtuquajturit bashkëpunëtorë të stafit në fjalë.

Le të ndalemi tek ideja e menaxhimit.

Ç’do të thotë të menaxhosh një qytet kaq të pazakontë arkeologjik si Butrinti dhe mjedisin e tij nga një fondacion që as e ka fare idenë apo i mungon plotësisht përvoja e drejtpërdrejtë, me monumentet e Butrintit, që nuk ka absolutisht asnjë njohje dhe lidhje me arkeologët shqiptarë, studiuesit e shquara të monumenteve të Shqipërisë, të cilët për shumë vjet krijuan Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë në një nivel të lartë, me botime, revista shkencore, me konferenca ndërkombëtare të arritjeve arkeologjike saqë një arkeolog i madh me të drejtë i quajti arkeologët shqiptarë të denjë, sepse “hyjnë nga Porta e madhe e Arkeologjisë në bashkësinë e studimeve cilësore botërore”.

Arkeologët shqiptarë që kanë punuar në Butrint kanë punuar për vite të tëra jo vetëm me gërmimet por dhe me botimet e tyre.

Kujtoj tani me respektin më të madh arkeologun e ndjerë Dhimosten Budina por dhe kolegë të tjerë si Kosta Lako, apo ekspeditat të shpeshta në Butrint drejtuar nga arkeologë të njohur si Selim Islami, Neritan Ceka etj..

Shikoni studimet e tyre adekuate. Krejtësisht profesionistë për historinë antike dhe mesjetare të Butrintit.

Si ka mundësi që arkeologët shqiptarë që e njohin Butrintin thellësisht nga përvoja të pashlyeshme as të mos konsultohen, as të mos përfillen qoftë dhe nga një Fondacion me emrin e zhurmshëm Amerikano-Shqiptar, pra të hartohen projekte apo drafte menaxhuese nga njerëz që padyshim janë diletantë në arkeologji.

Ka dhjetëra e mijëra fondacione të tilla të ngjashme që gëlojnë në anonimatin e pafund të Europës, të Amerikës apo dhe të planetit.

Kush e bën zgjedhjen dhe ç’të drejtë ka për ta bërë këtë zgjedhje për ta menaxhuar Butrintin nga një strukturë që nuk paraqet për transparencë asnjë kurikulum, asnjë punim shkencor, asnjë studim, asnjë libër, asnjë titull akademik të ashtuquajturve elementë përbërës të strukturave qoftë dhe private.

Si ka mundësi që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës të mos bëjë asnjë konsultë me specialistët që ende janë gjallë, por në mënyrë okulte tinëzare dhe të fshehtë bien dakord për një fondacion që ka të paktën një provë, mjaft kuptimplotë që para ca kohësh bënë sikur restauruan “Pazarin e Gjirokastrës” me fondet e tyre duke treguar një mungesë totale profesionalizmi sidomos në shkuljen e kalldrëmeve “Kundër këtij veprimi unë kam reaguar disa herë në shtyp” pa asnjë shkëlqim lavdie, duhej që ky Fondacion që la nam në Gjirokastër të kritikohej dhe t’i kërkohej llogari.

Më shqetëson shumë fakti që në rrafshin shtetëror të përfaqësimit mbahet një qëndrim i “negativizmit të plotë dhe absurd” ndaj gjithë traditës dhe meritave të arkeologeve shqiptare por dhe të personaliteteve të shquara të kulturës.

Asnjëherë nuk kam patur në këto 30 vjet një qëndrim anti-kulturë, një urrejtje patologjike ndaj shkencëtarëve, arkeologeve, specialistëve të monumenteve, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë një margjinalizim dhe një banalizim në çdo ind të jetës ndaj kulturës kombëtare shqiptare. Në të gjithë administratën e Ministrisë së Kulturës, apo të vendeve organizuese që lidhen me Monumentet e Kulturës, nuk ka asnjë specialist, asnjë doktor shkencash, asnjë profesor apo akademik, por ka vetëm zyrtarë dhe militantë të dëgjueshëm, të klonuar dhe që nuk e kanë idenë e ideve shkencore dhe kulturore.

Është me të vërtetë një situatë e mjerueshme.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse ndodhi kështu. Asnjëherë nuk më ka shqetësuar kaq shumë kjo gjë saqë më kujtohen vetëm skenat e teatrit absurd apo tregimet onirike të Franc Kafkës.

Në vitin 1991 si Ministër i Kulturës i Shqipërisë mora pjesë në takimin e parë të ministrave të Kulturës së Ballkanit që u mbajt në Ankara.

Pikërisht në këtë kohë, me kërkesën time, autoritetet turke më ndihmuan të shkoj për të parë Trojën.

Në mendjen time kishte një shtrëngatë të imagjinatës për Trojën e Homerit, apo për Trojën e Shlimanit, (i cili e zbuloi).

Por kur e kam parë se me çfarë përfaqësohesh Troja e famshme nga pikëpamja arkeologjike pra vetëm me disa mure dhe monumente të dëmtuara kam ndjerë një zhgënjim.

Në një nga shkrimet e mia kam shkruar se “duhet shkuar në Trojë për të kuptuar se ç’qytet madhështor arkeologjik, në të gjitha kuptimet i papërsëritshëm është qyteti i Butrintit”.

Butrinti mund të futet në një nga dhjetë qytetet arkeologjik të Europës por dhe më gjerë.

Qyteti i Butrintit me parkun e tij me një mjedis të paparë natyror (mos harroni asnjeherë liqenin) deri më sot është menaxhuar nga shqiptarët, mirë apo keq por që ka qenë krejtësisht e përballueshme nga ana e shqiptarëve që ta menaxhonin këtë qytet të Shqipërisë.

Si vallë mund të arrihet në Pikën Zero dhe befas të zhduket gjithë vetëdija dhe aftësia menaxhuese e shqiptarëve për qytetin e Butrintit i cili vetëm nga shitja e biletave siguron mbi 1 milion dollarë në vit.

Shumë e çuditshme tingëllonte fjala e kreut të Bordit të Fondacionit Michael Granoff që tha para mediave në 15 tetor 2019: “Kuptuam që nuk duheshin hedhur më shumë para, por duhej një ide tërësisht e re, dhe kjo na çoi tek një ligj i ri, që do të bënte të mundur një plan të tillë menaxhimi”.

Granoff  “u mburr”, për afërsinë që kishte me subjektet qeveritare kur deklaroi: “Nuk di të ketë shumë organizata të tjera që kanë aftësinë që të kenë një partneritet kaq të mirë me Ministrinë dhe me Qeverinë për të krijuar një ligj të ri që afron arkitekturën dhe mundësinë e organizimit dhe menaxhimit të Butrintit.”.

Nga njëra anë Qeveria proklamon perspektivën imagjinare  të një turizmi kulturor dhe nga ana tjetër pikërisht “një nga thelbet e thelbeve” të arkeologjisë në Shqipëri dhe në Europë qytetin e Butrintit ja jep de jure dhe de facto një Fondacioni të huaj për të mos thënë i panjohur dhe në rastin më mirëkuptues mund të themi nuk e dimë se çfarë përfaqëson.

Në vend që kjo Qeveri të krijojë struktura punësimi qoftë dhe në aspektin e turizmit kulturor me subjekte dhe vende profesionale me shqiptarë, me dijetarë, me specialistë, pikërisht edhe një ide të tillë punësimi e anulon dhe nuk e vë asnjëherë në zbatim.

Nuk e di sinqerisht se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me “menaxhimin të një fondacioni pa specialistë” në një kohë që vetëm fitimet nga biletat janë një motiv biznesi i mirëfilltë.

Qeveria dhe të tëra organizimet që lidhen me rrjetin shtetëror të kulturës duke bërë një zgjedhje të tillë shpallin publikisht “një vdekje të bardhë të arkeologjisë shqiptare, të monumentologëve dhe të dijetarëve”.

Është një akt i pastër anti-kulturor dhe anti-shkencor, pra edhe një sindromë e rëndë e një plogështie të pafalshme të vetëdijes qytetare.

Pence: SHBA-Turqi bien dakort për armëpushim në Siri

Turqia ra dakord për pesë ditë armëpushim në verilindje të Sirisë për të lejuar tërheqjen e forcave kurde. Lajmi u bë i ditur të enjten nga Nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me Presidentin turk Tayip Erdogan.

Pak përpara konferencës për shtyp Presidenti Trump shkruante në një postim në twitter : “Lajme të shkëlqyera nga Turqia. Faleminderit Erdogan. Miliona jetë do të shpëtohen!”

Zoti Pence udhëtoi drej Ankarasë shoqëruar nga sekretari i Shtetit Pompeo në një përpjekje për të bindur Presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.

Sulmi ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri. 200 mijë civilë po largohen nga vendi, ndërsa ka krijuar gjithashtu shqetësim të madh mbi sigurinë e mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik të braktisur në burgjet kurde. Situata në Siri ka nxitur kritika ndaj presidentin Donald Trump. Zoti Trump është akuzuar për braktisje të luftëtarëve kurdë, partnerët kryesorë të Uashingtonit në betejën për të çmontuar kalifatin e vetëdeklaruar të Shtetit Islamik në Siri, me vendimin për të tërhequr trupat nga kufiri ndërsa Ankaraja nisi ofensivën e saj më 9 tetor.

Zoti Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit të tij të cilin e cilëson “të shkëlqyer nga pikëpamja strategjike”. Përpara takimit në Ankara, zoti Trump shprehej i bindur se zoti Pence dhe Presidenti Erdogan do të kishin një takim të suksesshëm, por paralajmëronte se nëse kjo nuk ndodhte, Turqia do të goditej me sanksione e tarifa që do të ishin siç shprehej ai shkatërruese për ekonominë e vendit. zëri i amerikës