Këtë e kam tamam nga përvoja ime. Kur punoja në Veri, gjithë kohën e lirë e kalonim me dëfrime dhe aventura budallenjsh. Edhe kohën që na mbetej për gjumë, pas atyre paudhësive , pjesërisht e harxhonim me filozofime. Sillnim në mend hollësira, jo këtë, jo atë, mijra vogëlsira, që do të na kënaqnin edhe sot akoma. Binte fjala për martesën dhe secili thoshte me zemër të hapur: oh, është e çuditshme si bie njeriu brenda aq lehtë! Ke vendosur të mos martohesh kurrë, por vjen vera, ikën me pushime dhe kthehesh në punë i martuar. Ikën në shtator për në punë e kthehesh në verë i martuar.
Martesa është një llotari. Nuk duhet kurrë t’i zgjedhësh numrat. Ata numra që të takojnë rastësisht janë më të mirët, – thoshte Llaqi, kryeveterinari i një kooperative.
Po, por mos harroni se për Llaqin do të zgjedhë Perëndia e Pijanecëve, – thoshte Rexhep Boriçi, inxhinieri i pyjeve.
Para se të martohem, do të mendohem tre vjet . Bile, para se të vendos, do të mbyllem tre muaj brenda e do të bëj konspekte, – thoshte stavri.
Mirëpo, me një ngjarje tronditëse, gati të pabesueshme, filozofia e përçartur e Llaqit ngjau si profeci për vetë atë.
Atë ditë, kur ndodhi ngjarja, më e papritura për ne, mezi prisnim të mbaronte puna, për të marrë rrogat e dy muajve të verës. Pasi i morëm, me gjithë ato para në xhepa, nuk kishte si të ndodhte të mos ia bënim qejfin vetes. E, si ishm atëherë, ku rafsha, mos u vrafsha!
Pikërisht Llaqi na kishte ftuar për pasdite te menca e minierës, ku ushqeheshim shpesh me çmime të lira. Ishim të sigurt se na priste ndonjë surprizë, me që Jovani, një kuzhinjer i zoti dhe tregëtar i shkathët, sa të jepte ujë në bisht të lugës, siç thotë gjyshi im, e njihte traditën e jugorëve që prej vitesh, kur kishte filluar në masë emërimi i universitarëve nga Jugu në zonat e Veriut.
Me mësuesit, inxhinjerin e minierave dhe atë të pyjeve, veterinerin dhe agronomin e kooperativës, shumica nga Jugu, u bëmë 14 persona rreth tavolinave të vendosura në formë T-je. Kuzhinjeri dhe ndihmësi i tij kishin përgatitur lloj-lloj mezesh të skuqura e sallata të freskëta. Në mes tyre qëndronte heroikisht qëngji i pjekur në hell, të cilin e kishte siguruar Llaqi. Voza e madhe prej druri me birrë të freskët rrinte në një fron të madh dërrase, i nxirë nga lagështira. Një djalë i shkathët, që punonte teknik pyjesh, me emrin Mirko, i cili njihej edhe si aktivist i rinisë, rrinte pranë fuçisë dhe mbushte në seri krikot me birrë.
Në orën dhjetë ishim akoma duke ngrënë e duke pirë, por mishi i pjekur ishte asgjësuar.. Ndonëse ishte mbrëmje e freskët, i kërkuam Mirkos të hapte dritaren, se u mbytëm në djersë nga birra dhe mbingopja. Nga dritarja e mencës dëgjohej muzika dhe kënga e hareshme e një dasme. Mirkos iu ngrit mëndja për në dasmë, ku ishte i ftuar.
– Prit, Mi-rko, – i tha Llaqi si gagaç. – Unëëë… jam nga Drro-puu-lli, por kam shuumëëë qejf të shigoj një das-më go-llo-bor-da-sssse… Mirkoja e mori si shaka, por u bind se veterineri e kishte seriozisht. I buzëqeshi dhe iu përgjigj.
– Me kënaqësi, do të prezantoj si mikun tim.
– Po shiko, ti, Mirrr-ko, unë nuk nda-hem dot nga ky profff-esorii iii matema-ti-kës. Pa këtë unë nuk shkoj as te dash-norrrja ime.
Qeshën të gjithë, veç meje që u skuqa dhe Mirkos, që u skuq më shumë se unë.
– Profesorin e matematikës e kam edhe unë mik dhe do të vini të dy bashkë, – ia ktheu Mirkoja.
Sa u afruam te shtëpia e dasmës, dëgjohej kënga dhe tingujt e muzikës, që, të trazuara me zërat e papërmbajtur të dasmorëve, dukej sikur binin nga qielli copa-copa. U futëm në oborrin e madh të shtëpisë. Unë prisja të dëgjonim surla e tupane, por orkestra kishte dy klarineta, dy violina, një fizarmonikë, një dajre e një daulle. Burra e gra hidhnin valle në rreth, duke kënduar këngë për dhëndërrin e nusen. Dasmorët, ca të dehur nga vera e ca të ekzaltuar nga këngët e vallet, na shikuan të habitur, sikur të ishim alienë. Por Mirkoja u thoshte diçka dasmorëve dhe, me sa doli, disa edhe na njihnin. Ata na u afruan e na përshëndetën, të tjerët iu kthyen qejfit të tyre.
Edhe atje vozat prej druri nuk na u ndanë. Dy të mëdha zbraznin nëpër kana qelqi e mastrapara lëngun e kuq të verës, nga një tjetër derdhej një lloj rumi, që numd të ishte lëng rrushi apo qershie, nektar i ëmbël, të cilin e pinin gratë e vajzat, por nuk përtonin edhe burrat e etur, për të mbushur një kupë nga curili i artë i mushtit të kulluar.
Nën xixëllimin e yjeve, kjo festë e madhe plot zhurmë të kënaqte ta shikoje, të fuste zilinë të pije edhe ti nga barku i këtyre vozave e të haje nga ato meze të përgatitura enkas për kënaqësinë e stomakut të dasmorëve. Ishte një dasëm e vërtetë, sa të ngacmonte nepsin edhe për t’u martuar.
Ndërkohë një burrë zotni, që me sa duket ishte dollibash i trapezit, kërkoi leje për të ngritur një shëndet për ne, musafyrët e pa ftuar. Llaqi ndjeu shumë kënaqësi nga nderimi që po na bënte kryedasmori. Nga kjo ai u ngrit instinktivisht në këmbë, për ta pritur nderin me respect dhe lëshoi gjuhën t’i nxirrte ato produktet e mëndjes së mpirë nga alkoli.
-Të dashur, dasmorë, – filloi ai, – unë jam tridhjetë e tri vjeç dhe, në se kam menduar të varem, aq kam menduar për martesë. Vajzat për shtëpi më duken si pa shije dhe më pëlqen më shumë qejfi. Por, me sa shikoj sonte, edhe dasmat janë të bukura, të begata e të dobishme. Vendosa të martohem dhe për këtë i jam mirënjohës Mirkos, që më ftoi dhe dasmorëve që më shpalosën poezinë e dasmës.
Zhurma që shkaktonin dasmorët e dehur, gjysmë të dehur apo esëll, u fashit fare për një çast dhe fshatarë e fshatare, të vjetër e të rinj, zgjatën qafat në drejtim të LLaqit dhe mprehën veshët për të dëgjuar ato fjalë të shkoqura e tërë mësimdhënëse. Unë e kapa nga fundi i këmishës për ta ulur, se vazhdonte të rrinte në këmbë, por ai u sul si ari në mes të arenës së dasmës, kapi për dore një fshatare të fortë, dërdënge dhe e bëri të kërcente aq shumë sa iu zu fryma. Pastaj piu një gllënkë verë dhe kapi një vajzë tjetër dërdënge. Që të freskohej, piu më pas një tas plot me musht dhe nisi prapë të hidhej si ndonjë ari arrxhiu nën ritmet e daulles. Djelmoshat, të kënaqur, e shikonin dhe përpiqeshin të bënin si ai. Vajzat të gjitha donin të hidhnin valle me të, duke kërcyer rëndë, me elegancën e një lope.
Më në fund, lër një valle e kap një tjetër, pas një kupë vere pi një kupë musht, nga ora dy pas mesnate, u bë thumb, sa s’qëndronte dot në këmbë. E kuptova se ishte në gjëndje të rëndë dhe mendoja se si do t’ja bëja me të. I thamë kryetarit të kooperativës, edhe ai dasmor, për një mëkinë, por ai, me të drejtë, na tha se shoferi nuk mund të ngiste makinë, se ishte bërë xurrxull.
Më në fund, me një konsulencë të kryetarit të këshillit, nuk kishte rrugë tjetër, veçse ta çonim në shtëpinë e një farë Lazari, i cili kishte shtëpi të madhe dykatëshe me katër-pesë dhoma, ndërtuar me gurë të bardhë e të zi, ku, në vend të brezave të betonit, dukeshin ca breza druri, teknikë e hershme kjo e përdorur nga gollobordasit në ndërtimin e shtëpive fshatare. Sa u futëm në hajatin e shtëpisë, mua m’u morën mend, u kapa nga parmakët e shkallëve të brendëshme, që të çonte në katin e dytë dhe bashkë me Llaqin u ngjitëm pothuajse këmba – doras. Edhe të zotët e shtëpisë nuk ishin esëll, Lazari po aq i dehur sa unë, ndërsa gratë çakërrqejf. E futëm në dhomën e miqve, i hoqa xhaketën e këpucët dhe e shtriva në krevat. Për dy minuta e zuri gjumi. Unë shkova në shtëpinë e Mirkos.
Nga mesnata Llaqit i kishte dalë pak pija dhe ishte përpjekur të merrte vesh se ku ndodhej. Më kishte thirrur mua dhe, meqënëse nuk iu përgjigja, hapi derën dhe doli në korridor. Në shtëpi nuk kishte asnjë dritë ndezur, por hënëza në të mbyllur bënte pak dritë, aq sa një njeri esëll mund të orientohej për të gjetur derënn. Llaqi, pasi u hallakat ca, duke u mbajtur mureve, u gjend para një dere, uli dorezën dhe dera u hap. Pasi bëri ca hapa nëpër terr, ndeshi në një gjë të butë dhe u lëshua mbi të, ku e kishte zënë gjumi top.
Nuk dinte ç’orë ishte, kur dëgjoi një zë gruaje:
– Si, akoma flë ti moj përtace? A e di se ka vajtur ora nëntë?
Një zë gruaje, përkundruall tij, iu përgjigj:
– Vërtetë? U lodha shumë dje.
Llaqi vriste mëndjen i hutuar se ç’ishte ajo bisedë. Ku gjëndej? Ndërkaq dëgjoi përsëri atë zë:
– Po i hap perdet.
Ndërkohë Llaqi, bashkë me dritën që vërshoi brenda, dëgjoi hapa që i afroheshin. E kishte humbur fare. Ndërkohë një dorë iu mbështet në kokë dhe i zbuloi fytyrën. Ai zëri e pyeti me të ashpër:
– Kush je ti?
Llaqi, i llahtarisur, mbuloi kokën me jorgan, pa i kthyer përgjigje. Kur befas ndjeu një shkop fshese në kokë, u ngrit me vrull, ndërkohë panatallonat iu varën poshtë, se rrypi ishte i zbërthyer. Gruaja në këmbë thirri:
– Ndihmë! Ndihmë!
Ndërsa Llaqi i hutuar kërkonte këpucët, ishin ngjitur duke rendur gjithë njerëzit e familjes dhe disa dasmorë të largët, që ishin gdhirë atje. Gruaja që thirri, hapi perdet. Llaqin e kishte mbërthyer nga krahët Lazari, kur kishte kuptuar se ai kishte fjetur në dhomën e të bijës, Destana, e cila, e dehur edhe ajo nga dasma, nuk e kishte kyçur derën e dhomës së gjumit.
Sa e lëshoi Lazari, Llaqi ia mbathi me vrap në dhomën e tij dhe i vuri çelsin derës nga brenda. Shumë i frikësuar dhe i tronditur, u ul në cep të krevatit, shtriu këmbët në një karrige, se këpucët i kishte lënë në dhomën e vajzës. Atje filloi të dëgjonte lëvizje të madhe, hapeshin e mbylleshin dyrt, hipnin e zbrisnin shkallët. Pas gjysmë ore trokitën në dhomën e tij, të cilën e kishte mbyllur me çelës. Ai thirri me zë të dridhur:
– Kush është?
– Hape derën! – i thirri një zë, që iu duk si i njohur.
Tek hapi derën, mbeti i befasuar kur pa Mirkon. Djaloshi që na çoi në dasëm dhe na prezantoi si miqtë e tij, kishte hyrë brenda i shfytyruar dhe i foli ashpër:
– U solle si një maskara në shtëpinë e Lazarit, a dëgjon.
Llaqi rrinte i hutuar si një tutkun. Pastaj Mirko e zbuti tonin:
– More, shoku Llaqi, pse bën si hajvan, rri e të zënë në orën nëntë të ditës! Po, e di, ishe i dehur, ama, sa e more vesh se ishe futur në dhomën e gabur, do të kishe ikur nga sytë këmbët.
– Po jo, Mirko, s’ka ndodhur asgjë nga ato që mendon ti… Tregoi xha Lazarit se gabova derën, se isha i dehur, – iu përgjigj Llaqi.
– Po, tamam kështu duhet t’i thuash ti, – tha Mirkoja.
Llaqit i hipi në kokë dhe i tregoi fill e për pe çfarë kishte ndodhur. Mirkoja e dëgjonte syshqyer, duke mos ditur çfarë të besonte dhe doli të fliste me Lazarin, por nuk u kthye më te Llaqi. Ai erdhi direkt tek unë. Nga çehrja e tij e ndjeva se diçka kishte ndodhur. Mëndja më shkoi te pasoja shëndetësore të llaqit nga pija e tepërt.
– Mirëmëngjes, Mirko, – e përshëndeta.
– Vij nga Lazari, – filloi ai, pa më thënë as mirmëngjes. – Llaqi e ka katranosur fare.
– Çfarë i ka ndodhur? Më trego, – iu përgjigja i shqetsuar.
Më tregoi fill e për pë ato që tregova deri këtu.
– Ç’do bëhet më tej? – e pyeta i lemerisur.
– Me sa mora vesh, – filloi Mirkoja, – ishin mbledhur shumë fshatarë dhe po bënin një farë gjykimi pa praninë e të akuzuarit. Më tepër ishin nëna e këshilltarë, që dukej se e kishin shqyrtuar hollësisht çështjen. Kryetari i këshillit dëshiron të bisedojë me ju.
U vesha, bëra sikur u ndreqa disi dhe e lamë shtëpinë ë Mirkos prapa, pa u përshëndetur as me prindët e tij.
Kryetari i këshillit u ul si ndonjë gjyqtar në një karrige dhe filloi të më fliste, sikur të isha Llaqi:
– Sido që të ketë ngjarë, që të shpëtojë veterineri nga kjo mesele, unë, gjej vetëm një rrugë: të martohet me Destanën.
S’gjeja arsyetim tjetër dhe ia përcolla propozimin Llaqit. Llaqi kërceu i llahtarisur:
– Jo, kjo s’do të ndodhi kurrë.
– Mirë, po ti, ç’mendon të bësh?
– Do të iki në Drropull, sa të më sjellin këpucët – m’u përgjigj, sa i vendosur aq edhe i frikur.
Ndërkohë hyri dhe Mirkoja në derë.
– Lëri shakatë, të lutem, – iu drejtua Llaqit. – Vëllai i saj, Petrovi, ka vendosur të të hedhë trutë në erë, posa të të shohë. Dhe ai është kokëkrisur, nuk të kërcënon kot. Dhe po s’arriti të të vrasë Petrovi, do të gjykohesh në këshillin e fshatit, do të hetohesh, do të shkosh në prokurori e gjykatë… Pleqtë e pleqëruan kështu problemin: Në se ke përfytuar nga n dehja e saj, asnjëri s’ka për ta kërkuar më atë vajzë. Po edhe në se është ashtu siç thua ti, se hyre në dhomën e saj i dehur, është keq për ty nga ana morale, pasi një universitar s’bën budallallëqe të tilla, do të demaskohesh nga organizatat e masave. Sidoqoftë vajza e shkretë është e humbur nga fjalët që do t’i dalin, se kurrë nuk do t’i besojë njeri ato që thua ti. Viktima e vërtetë, e vetmja viktimë në këtë mes, është ajo, Destana.
Mirko i tha këto dhe u ngrit e iku. Llaqi i thërriste:
– Thoni ç’të doni. Unë nuk martohem.
Mbetëm ndonjë orë të vetëm në dhomë, pastaj më kërkoi të shkonim te kryetari i kooperativës. Pasi e rraha nga çdo anë problemin, i thashë:
– Kërkoje, Llaqi, kërkoje, për grua, nuk m’u duk vajzë e keqe. Në fund të fundit, më vonë mundet të gjëndet ndonjë mënyrë të shpëtosh prej saj. Ndryshe pasojat për ty do të jenë shumë të rënda…
Ky mendim e lehtësoi. Vendosi ta bënte kërkesën për fejesë. Unë ia përcolla kryetarit të këshillit, ai do t’ia përcillte Lazarit….
Babai i Destanës mbeti dakord me propozimin tonë.
Të nesërmen Llaqi u nis për në qytet. Erdhi në shkollë tek unë. Dua të blej ca dhurata, më tha…
Të pasnesërmen u gjend në zyrën e gjëndjes civile për celebrime. U betua se do ta bënte shoqe jete… gjer në vdekjen e tij apo të saj. Unë nuk i besova.
Pasi u bë celebrimi, ku unë isha dëshmitar dhe u ndamë me familjen e Destanës, Llaqi më tha:
– Nuk e kisha parë nga afër dhe e vështroja me një farë habie, me zemër të thyer. Po nuk qe e shëmtuar aspak. Unë thashë me vete: “Ja një grua që s’do t’i qeshë buza kurrë”
Në fund të tetorit, pasi nuk shpikëm dot ndonjë mënyrë për t’iu shmangur pa pasoja, u bë martesa e Llaqit me Destanën.
Pas martesës Llaqi kishte ndryshuar plotësisht. Më tregonte me një dhembshuri të thellë për bashkëshorten e imponuar:
– Asnjë herë s’m’i kishte hedhur sytë gjatë ceremonisë së martesës. Kur hyra në dhomën e gjumit, e gjeta ulur në cep të krevatit, siç ishte gjatë ditës, e zbetë në fytyrë dhe me sy të skuqur, dukej se kishte qarë. Kur iu afrova, me qëllim që t’i shfaqja vendimin tim, se tani isha zyrtarisht e realisht burri i saj, u ngrit dhe m’u afrua serioze. Më vështroi drejt në sy dhe më tha:
– Jam gati të bëj ç’të më thoni ju. Po të doni edhe veten e vras…
Ishte e bukur e bija e Lazarit sa s’gjeje më, në këtë rol heroik. E përqafova, ishte e drejta ime. E pashë shpejt se nuk kisha rënë keq…
Sinqerisht m’u bë qejfi shumë për Llaqin dhe veten, pasi u çlirova nga një brengë…Po Llaqi është vërtetë i lumtur me Destanën.
– Ja, – më tha në një takim pas dhjetë vjetësh në qytetin ku punuam vitët e rinis:
– U bënë dhjetë vjet që jam i martuar. Tani u binda se martesa është një llotari. Nuk duhet kurrë t’i zgjedhësh numrat. Ata numra që të takojnë rastësisht janë më të mirët. Gjer tani s’jam fare i penduar, gruaja ime është e bukur, nikoqire, e sosur fare.
– Po, por mos harro se për ty zgjodhi Perëndia e Pijanecëve, – i përsërita me shaka fjalët e Rexhep Boriçit.
Komentet