VOAL

VOAL

Për të gjithë ne që nuk u lodhëm kurrë duke u zhgënjyer Poezi nga Elida Buçpapaj

August 27, 2020
4 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 4 years ago Reply

    Po, deri kur, e Nderueme?!

    • author avatar
      voal.ch 4 years ago Reply

      Mik i nderuar Z.Fritz,
      Keni shumë të drejtë!
      Të falat tona!
      Elida

  • author avatar
    Ndue Lazri 4 years ago Reply

    Koha qe pjell monstra. Monstra qe vjellin gjarperinj. Nje poezi brilante per keto kohe kur na merr malli per njeriun e vertete dhe per mikun e vertete. Complimenti penes suaj, e nderuar Elida.

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 3 years ago Reply

      Mik i nderuar Ndue Lazri,
      Ju falenderoj shume.
      Nderimet e te falat tona
      Elida Buçpapaj

Komentet

Meri File: “Livia in Wonderland” Metafora e Livias ne Boten e Çudirave kerkon te terheq vemendjen ndaj asaj qe eshte irracionale

 

Metafora e Livias ne Boten e “Livia in Wonderland” Metafora e Livias ne Boten e Çudirave kerkon te terheq vemendjen ndaj asaj qe eshte irracionaleudirave kerkon te terheq vemendjen ndaj asaj qe eshte irracionale, e paparashikueshme, dhe kondradiktore ndaj jetes se perditshme.

Simbolika e se ciles ai vend udhehiqet nga nje vajze si Livia ku pothuaj te gjithe bien dakort mbi ndryshimet e papritura dhe kthehen ne metafizike!

Ajo reflekton ne menyre komike nje analogji per ate qe eshte vertet e mundur kur kufizimet e ngurta te shoqerise jane lene menjane dhe forca e imagiinates dhe krijmtarise mund te lejohet te bredh ne liri..

Kete analize ben kuratorja Meri File ku thekson se:

Livia Koci lundron në botën e çuditshme dhe të paparashikueshme të Botës së Çudirave, ajo mëson të përqafojë cilësitë dhe pikat e saj unike.

Një nga temat më domethënëse ne Livia in Wonderland është rëndësia e përqafimit ndaj të vërtetës ku kujtimet nuk janë çelësi i së kaluarës, por i së ardhmes.

Fuqia e imagjinatës, kuriozitetit dhe krijimtarisë, jo vetëm në fëmijëri, por kur njeriu kalon nga adoleshenca në moshën madhore, kthen keto kujtime pas duke i vendosur si personazhe perralle.

Dashuria per natyren ku shpesh flen shpirti aventurier artistik..

Ekspozita prej 15 veprave ne tekniken mix do te çelet per here te pare ne Shqip Ville- Maison Culturelle Belgo – Albanaise, ne Bruksel me organizimin nga Ledja Canaj ne daten 5 Prill.

Letra e fundit e Virginia Woolf

 

E martë.

Shumë i shtrenjtë,
jam e sigurt se do të çmendem sërish. Ndjej se nuk mund të kalojmë një tjetër nga ato periudha të tmerrshme. Dhe kësaj here nuk do të mund të shërohem. Filloj të dëgjoj zëra, nuk arrij të përqendrohem. Kështu që unë bëj atë që më duket gjëja më e mirë. Ti më ke dhënë lumturinë më të madhe të mundshme. Ti ke qenë në çdo kuptim për mua gjithçka që një njeri mund të jetë. Nuk mendoj se dy njerëz mund të ishin më të lumtur derisa erdhi kjo e keqe e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më. E di që po të shkatërroj jetën, se pa mua iti nuk mund të punosh. Dhe do ta bësh, e di. Shiko, nuk arrij as që të shprehem mirë. Nuk arrij as të lexoj. Ajo që dua të të them është se të kam borxh gjithë lumturinë që kam pasur në jetën time. Pate durim të pafund me mua, ishe tepër i mirë. Unë dua të të them se – të gjithë e dinë këtë. Nëse dikush mund të më shpëtonte, ishe ti. Gjithçka më ka braktisur, përveç sigurisë së mirësisë sate. Nuk mund të vazhdoj të të shkatërroj më jetën.

Nuk mendoj se mund të ketë pasur dy njerëz më të lumtur se ne.

V.

Ky është shënimi i trishtuar, por intensiv i lamtumirës për bashkëshortin e saj Leonard që Virginia Woolf shkroi në mëngjesin e 28 marsit 1941 pak para se të largohej nga shtëpia për t’u hedhur në lumin Ouse me xhepat e saj plot me gurë./Përktheu Skënder Buçpapaj

VALËT – Poezi nga VIRGINIA WOOLF – Përktheu Skënder Buçpapaj

 

Unë nuk shoh asgjë
Mund të fundosem e të përfundoj
Në valë.

Deti do t’iu bjerë daulleve
në veshët e mi.

Petalet e bardha
do të ndragen
me ujin e detit.

Ato do të notojnë
për paksa
e më pas do fundosen.

Duke u rrotulluar mbi valë
do të më mbajnë
mua mbi supe.

Gjithçka resh
në një dush të jashtëzakonshëm
duke më zhbërë.

E shijoni si unë pranverën? – Poezi nga Përparim Hysi

 

E shijoni si unë, pranverën,
Lulëzimin e bimëve në fusha?
Nuk e kini si unë “lincencën”
Nuk e kini:ju mungon “vula”.

Ju mungon ajo “vula e thatë”
Që e kam veç unë,”noteri”,
SE unë kam lindur e jetuar në fshat
E di këtë gjë,i tërë FIERI!

Unë e ndjej afshin e tokës
Unë shoh mjegullën e vesën kur bie mbi bar
Pyetni mes miqësh e shokësh
Do t’ju thonë për mua:është fshatar!

E gjeta frashërin plot gjethe
Dhe frrap hipa mbi të si dikur
Me biçakun që kam me vete
Nxora nga frashëri ca lëkurë.

Lëkurën zura dhe e “ormisa”
Me të seç bëra një culë
Si fëmijërisë culën ujdisa
Se tani nuk jam më”burrër”.

Culës zë dhe i bie
Një avazi të vjetër baritor.
“Dhëntë për kullotë i shpie” *
Në këtë mëngjes pranveror.

Më ikën gjithë hallet e dertet
Shpirti m’u mbush me blegërima
Pranverë,për ty më zënë”ethet”
Në fshat pranverës ia bëj prima.

Ndaj them se nuk e shijoni si unë pranverën,
SE pranvera në fshat ka domenin.
Ndaj unë e kam hak”lincencën”
Se në fshat unë gjej EDENIN.

* është një melodi që luhet me fyell.
Tiranë, 26 mars 2024

In memoriam: Universi është hologramë, gravitacioni informacion dhe energjia e errët forcë entropike Akad. Artan Boriçi, CERN, Zvicër

 

Sot, në trevjetorin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në nderim të kujtimit dhe të veprës shkencore që la, botojmë këtë artikull të tij – nga më të fundmit – duke falënderuar familjen për dhënien e tij për botim

– Teza “Verlinde”* është një nga risitë shkencore dhe zhvillim shumë i rëndësishëm në fizikën teorike bashkëkohëse dhe të ardhmerisë së saj. Pas përpjekjeve të shumta që shkencëtarët bënë gjatë shekullit XX për të bashkuar gravitetin me mekanikën kuantike, në vitin e fundit të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI vjen teza e teoricienit Erik Verlinde sipas të cilës graviteti nuk është forcë themelore, por rrjedhojë e kontabilizimit të informacionit në ekrane holografike.

Ky përfundim, i parashtruar në një artikull me formula të thjeshta që të kujtojnë artikujt e Ajnshtajnit të vitit 1905 mbi teorinë e relativitetit, si për nga thjeshtësia, ashtu edhe për idetë përmbysëse, është objekt bërë diskutimi i qarqeve shkencore në Europë, përtej oqeanit dhe më gjerë**. Dr. Erik Verlinde e paraqiti tezën e tij edhe së fundi në konferencën e kordave “Geneziss” e organizuar në Shkollën Federale Politeknike të Lozanës (Zvicër), më 26 nëntor 2010. Konferenca u la hapësirë të pakufizuar pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve, të cilët debatuan gjatë me dr. Verlinden.

I. Parimi holografik nuk është i ri (t Hooft 1993) dhe as entropia e vrimave të zeza (Hoking 1971). Por ajo që Verlinde vëren është se duke përdorur parimin holografik (shih shtojcën A: Vrimat e zeza dhe parimi holografik) mund të derivohet forca gravitacionale. Verlinde pohon se risia e teorisë së tij është origjina entropike e gravitetit. Në këtë mënyrë ai shpjegon origjinën e parimit të njëvlefshmërisë së gravitetit me inercinë: dukuri të njëjta që rrjedhin prej së njëjtës forcë entropike, duke këmbëngulur “Për mua graviteti nuk ekziston si forcë themelore”***. Për më tepër, edhe forcat e tjera nuk janë themelore, por të derivueshme prej kryqëzimit të gjendjeve kuantike të makrobotës.

Në rast se kjo teori është e verifikueshme, atëherë, së pari, duhen vrojtuar efektet entropike të daljes prej barazpeshës termike në pjesë të ndryshme të Universit dhe së dyti, teoria duhet të ketë fuqi parashikuese. Në fakt, autorë të tjerë, përpara disa kohësh, parimin holografik e kanë përdorur për të shpjeguar origjinën e energjisë së errët. Me llogaritje elementare mund të nxirret se konstanta kozomlogjike ka vlerën e parashikuar prej vlerësimeve të mbështetura në sfondin kozmik të mikrovalëve. Në këtë mënyrë zgjidhet dilema e energjisë së errët: Universi zgjerohet në mënyrë osmotike duke shtyrë horizontin e vet, përtej të cilit hapësira nuk është formuar ende. Energjia e errët rezulton të jetë një “super vrimë e zezë” e cila “tërheq” dhe zgjeron Universin për një arsye të thejshtë: zmadhimin e entropisë së vet.

Edhe sikur teoria e Verlindes të jetë e vërtetë, ajo mbetet, ashtu si edhe është, një teori makroskopike. Me gjithë dekurajimin e madh që u bëhet teorive mikroskopike të gravitetit, do jetë shumë e vështirë të ndalohen përpjekjet për t’u thelluar në teorinë e kordave që gravitetin e përmban si forcë themelore të unifikuar me forcat e tjera (shih shtojcën B: Teoria e kordave dhe unifikimi i forcave).

Një ndër eksperimentet më të mëdha të të gjitha kohrave, Goditësi i Madh i Hadroneve (Large Hadron Collider), pritet të ngacmojë shkallë energjitike të panjohura më parë. Një gjë është shumë e qartë: nëse LHC arrin të prodhojë vrima të zeza, atëhere do jetë shumë e vështirë të hedhësh poshtë teorinë e kordave. Në të kundërt, graviteti do vazhdojë të mbetet jashtë teorive mikroskopike dhe origjina e masës së leptoneve (elektronet, myonet, tauonet) do të mbetet një mister i përjetshëm.

II. Shtojca A : Teoria e kordave dhe unifikimi i forcave

Ngritja e parimit holografik në piedestalin e parimeve themelore nuk do të ishte e mundur pa rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur teoria e kordave. Kjo teori bashkon të gjitha forcat, ato gravitacionale, elektromagnetike, bërthamore dhe ato të rrezatimeve radioaktive. Por e le enigmatike origjinën e kordave si shkallë lirie. Ajo e sheh gravitonin si një korde të mbyllur, që leviz edhe përtej hapësirës së dukshme me tri permasa; ndërsa grimcat e tjera elementare janë produktet e lëkundjes se kordave të hapura.

Një nga rezultatet më spektakolare të teorisë së kordave janë ekranet holografike mbi të cilat mbështeten kordat e hapura. Sidoqoftë, kjo teori, e quajtuar edhe teoria e shekullit XXI, që ka qenë në gjendje të shpjegojë më së miri edhe vrimat e zeza, mund të bëhet e panevojshme në prani të forcës entropike.

Deri me sot vetëm teoria kuantike e fushës ka mundur të bashkojë të gjitha forcat perveç gravitetit. Ajo është një godinë tepër e ndërlikuar brenda së cilës bashkëjetojnë teoria speciale e relativitetit dhe teoria kuantike. Ajnshtajni ka refuzuar gjithnjë teorinë kuantike dhe besonte në gjeometrizimin e fizikës. Si për ironi të fatit, teoria e gravitetit e Ajnshajnit ka qenë e pamundur të kuantizohet për shkak të jolinearitetit thelbësor të saj.

III. Shtojca B: Vrimat e zeza dhe parimi holografik

Fakti se vrima e zezë përpin rrezatimet dhe trupat që i afrohen asaj çon në uljen e entropisë së Universit dhe si rrjedhim bie në kundërshtim me parimin e dytë të termodinamikës. Bekenshtajn arriti të shpjegojë më 1973 këtë paradoks duke përfunduar se informacioni për gjendjen vëllimore të vrimës së zezë ruhet në sipërfaqen e saj .

Në këtë rast sipërfaqja e vrimës së zezë shërben si hologramë për të ruajtur informacionin.

Kur një trup gjendet shumë pranë vrimës së zezë në distanca një gjatësi vale të Komptonit, λ=ħ/mc, (ku ħ=h/2π është konstanta e reduktuar e Plankut, m masa që i shtohet vrimës së zezë dhe c shpejtësia e dritës), atëhere ai mund të quhet pjesë e vrimës së zezë. Ky supozim zgjidh paradoksin ngaqë në këtë rast kemi rritje të entropisë së vrimës së zezë sipas formulës:

ΔS = k Δx/λ,

ku k është konstanta e Bolcmanit. Prej termodinamikës dihet se forca entropike, si p.sh. ajo e osmozës etj., jepet me anë të barzimit:

F = TΔS/Δx

Mirëpo sipas Njutonit forca e rëndesës është F=GmM/R2, ku G konstanta gravitacionale e Njutonit, M masa e vrimës së zezë, R rrezja e vrimës së zezë. Duke shfrytëzuar barazimet e mësipërme (detyrë për të gjithë lexuesit që kanë mbaruar shkollën 9-veçare!) del se GM/R2 = kT c/ħ:

Nga termodinamika dimë se energjia e vrimës së zezë për shkallë lirie është:

E/N = kT/2,

ku N është numri i shkallëve të lirisë ose njësive të informacionit që nevojiten për të përshkruar vrimën e zezë;

Nga relativiteti dihet se E=Mc2. Duke zëvendësuar marrim përfundimisht:

4πR2/N = Gh/c3.

Meqë ana e djathtë përbëhet prej madhësish konstante, del se numri i njësive të informacionit për të përshkruar vrimën e zezë është në përpjestim të drejtë me sipërfaqen e vrimës së zezë. Kjo do të thotë se informacioni për gjendjen vëllimore të vrimës së zezë ruhet në sipërfaqen e saj. Në këtë rast sipërfaqja e vrimës së zezë shërben si hologramë për të ruajtur informacionin. Ky është përfundimi i njohur i Bekenshtajnit.
_____________________________
* Dr. Erik Petër Verlinde është një nga shkencëtarët, teoricien që i është përkushtuar teorisë së kordave. Ka lindur më 21 janar 1962 në Woudenberg. Prej shumë vitesh punon në Institutin e Fizikës Teorike të Universitetit Amsterdam të Hollandës.
** Verlinde për here të parë e parashtroi tezën tij më 8 dhjetor 2009 në një konferencë shkencore, organizuar nga Instituti holandez Spinoza; më 6 janar 2010 detë e kësaj teze i pasqyroi në media nën titullin “Në origjina të gavitetit dhe ligjet e Njutonit”dhe më pas në një intervistë, dhënë gazetës “De Volskrant”. Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, kur i ishte përkushtuar takimeve të organizuara me fizikanë e teoricienë të kësaj fushe, gazeta “New York Times” e 12 korrikut 2010 në rubriken “Lajme shkencore” tërhiqte vëmendjen e qarqeve shkencore me një shkrim me idenë: Dr. Enrik Verlinde thotë: “Për mua graviteti nuk ekziston”, çka u parapriu 261 komenteve.
*** Gazeta “New York Times”, 12 korrik 2010.
Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Nji fisnik si Nexhmi Bushati (1 Maj 1930- 24 Mars 2024) krenari e qytetit u nda nga jeta- Nga Denata Rroji

Nji fisnik si Nexhmi Bushati (1 Maj 1930- 24 Mars 2024) krenari e qytetit u nda nga jeta.
I jemi mirënjohës me brezni për gjithë kontributin e tij intelektual përmes botimeve “Shkodra në mote”. Ndërsa vyrtytet e rralla si njeri do ia shprehni ju përmes ngushëllimeve tê thella dhe të ndjera.
Biografi e shkurtër
Nexhmi Bushati, ndër të rrallat histori artistësh, shkenctarësh, në rastin tonë studiuesish, që trashegon “rrjedhën” e të parëve në të punuarit me ndershmëri dhe vërtetësi si dhe në të synuarin shterrues e të thuktë të nji hulumtimi.
Ashtu si baba i tij Hamdi Bushati, studiues, historian, përkthyes dhe i nderuar me titullin “Mësues i popullit”, ashtu dhe Nexhmiu ishte nji bibliograf, studiues, përkthyes dhe i nderuar po si i jati, Hamdiu, me titullin “Mësues i Popullit”.
“Shkodra në Mote” asht referenca e parë ku historianët mund të hulumtojnë për qytetin e Shkodrës për periudhën gjatë shekullit XVII-XVII e më gjanë.
Përveç si vazhdues i veprimatarisë së të jatit, punoi gjatë dhe me përkushtim për sjelljen në kohë të “Ditarit” të nji prej penave ma të talentueme të modernitetit shqiptar, shkrimtarin Qemal Draçini.
Ndërsa në planin njerëzor, Bushati ishte i njohun prej të shumtëve që kanë pasë fatin të jenë nxanës tij, ose gjatë takimeve për të marrë libra nga biblioteka personale e admirueshme duke marrë me vete dije, qytetari, kulturë, mbresa e kujtime të pashlyeshme.
Denata Rroji

Më 23 mars 2024 u nda nga jeta Abdullah Sidran, poet dhe skenarist i shquar boshnjak

Abdullah Sidran (2 tetor 1944 – 23 mars 2024), i referuar shpesh me pseudonimin e tij hipokorist Avdo, ishte një poet dhe skenarist boshnjak. Ai konsiderohet të jetë një nga shkrimtarët më me ndikim si në Bosnje dhe Hercegovinë ashtu edhe në ish-Jugosllavi.

Sidran është më i njohur për shkrimin e librit me poezi të vitit 1993 Sarajevski tabut, si dhe skenarët për filmat e Emir Kusturicës A ju kujtohet Dolly Bell? (1981) dhe Çmimin e Akademisë nominuar Kur babai ishte larg për biznes (1985). Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjë-Hercegovinës.

Jeta e hershme dhe familja

Abdullah Sidran, i dyti nga katër fëmijët, lindi në Sarajevë gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 2 tetor 1944, megjithëse disa burime e japin në mënyrë të pasaktë datën e lindjes së tij si 29 shtator 1944. [citimi i nevojshëm] Ai lindi nga prindër myslimanë boshnjakë; babai Mehmed Sidran (1915–1965) ka lindur në Kiseljak dhe ka punuar si bravandreqës në një punishte hekurudhore, ndërsa nëna e tij Behija (e mbilindja Jukiq) ishte shtëpiake. Sidran kishte tre vëllezër e motra Ekrem (lindur 1942; i ndjerë), Nedim (lindur më 4 shkurt 1947) dhe Edina (lindur 1953). Ai u emërua pas xhaxhait të tij nga babai, një tipograf dhe kompozitor, i cili vdiq në vitin 1943 në kampin e përqendrimit në Jasenovac. Rrënjët e familjes Sidran dalin në fshatin Biograd afër Nevesinjes, Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjyshi nga babai i Abdullahut, Hasan Sidran, u zhvendos në Sarajevë nga Beogradi në vitin 1903.

Jeta personale

Pasi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Sarajevë, Sidran jetoi në Gorazhde përpara se të shpërngulej në një fshat të vogël afër Tešanj.

Në vitin 2019, Sidran, së bashku me rreth tridhjetë intelektualë botërorë u takua me presidentin francez Emmanuel Macron. Një takim i intelektualëve botërorë me Macron-in u iniciua nga filozofi, shkrimtari dhe gazetari i shquar francez Bernard-Henri Lévy.

Sidran vdiq në Sarajevë më 23 mars 2024, në moshën 79 vjeçare pas një periudhe të keqe shëndetësore. Menjëherë pas vdekjes së tij reaguan shumë politikanë dhe figura publike të shquara boshnjake dhe shprehën ngushëllimet e tyre.

Punimet

Veprat kryesore të Sidran përfshijnë Šahbaza, Kocka dhe mishi, Varri i Sarajevës (Sarajevski tabut), Pse po fundoset Venecia (Zašto tone Venecija), disa libra me poezi dhe skenarë për filma nga ish-Jugosllavia, si p.sh. si ju kujtohet Dolly Bell? (1981) dhe Kur babai ishte larg për biznes (1985), me regji nga Emir Kusturica,dhe Kuduz (1989), me regji nga Ademir Kenović. Kur babai ishte larg në biznes u nderua me Palmën e Artë në Kanë dhe u nominua për një çmim Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj në 58-të çmime të Akademisë.

Veprat e zgjedhura

Šahbaza (Sarajevë, 1970)
Potukač (Zagreb, 1971)
Kost i Meso (Sarajevë, 1976)
Dječija bolest: Otac na službenom putu: pjesë teatrale (Sarajevë, 1983),
Otac na službenom putu: skenar (Beograd, 1985)
Bolest od duše (Nikšić, 1988)
Sarajevska zbirka, izabrane pjesme (Sarajevë, 1991)
Sarajevski tabut (Sarajevë, 1993)
Planeta Sarajevo (Stokholm, 1995)
Zdravo Bosno, stižem iz Sarajeva: Udhëtim (Tuzla, 1996)
Zašto tone Venecija (Sarajevë, 1996)
Sarajevska zbirka i drogës pjesme (Sarajevë, 1997)
Sarajevska zbirka (Sarajevë, 1999)
U Zvorniku ja sam ostavio svoje srce: pjesë teatrale (Tuzla, 2002)
Kuduz, skenari (Zenica, 2003)
Sjećaš li se Doli Bel (Sarajevë, 2003)
Tvrđava Meše Selimovica: dramatizimi dhe skenari (Sarajevë, 2004)
Izabrana djela 1-5 (Tuzla, 2004)
Morija (Sarajevë, 2006),
Pjesme poslije rata (Sarajevë, 2006),
Izabrane pjesme (Beograd, 2007),
Dobročinitelj (me Mersad Berber, Sarajevë, 2008)
Suze majki Srebrenice (Sarajevë, 2009),
Otkup sirove kože (Beograd, 2011),
Oranje mora: tekste gazetareske (Sarajevë-Zagreb, 2016),
A Nurija veli: tekste gazetareske (Sarajevë, 2021)

Çmimet
Çmimet dhe mirënjohjet letrare

Çmimi Vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bosnjë-Hercegovinës (1979)
Çmimi vjetor i kompanisë botuese Svjetlost (1979)
Çmimi Jovan Jovanović Zmaj – Matica srpska (Novi Sad, 1980)
Çmimi i Gjashtë Prillit të Sarajevës (1986)
Çmimi për Lirinë e Fjalës dhe të Shprehjes i Fondacionit për Lirinë e Fjalës dhe Shprehjes, (SHBA, 1993)
Çmimi i Lirisë i Qendrës PEN të Francës (1994)
Premio letterario della Fondazione Laboratorio Mediterraneo 1996.
Çmimi Skender Kulenoviq, 2002
Çmimi Vjetor i BZK Preporod, 2002
Bosanski stećak – Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës për vepër jetësore (2004)
Premio letterario dedicato a Umberto Saba (Trieste 2005)
Pllakë e madhe e Kantonit të Sarajevës (2006)
Çmimi Muradif Ćato (2016)
Çmimi Ali Podrimja (2021)

Çmimet dhe mirënjohjet e filmit

Golden Arena, Festivali i Filmit Jugosllav në Pula për skenarin e filmit A ju kujtohet Dolly Bell?
Golden Arena, Festivali i Filmit Jugosllav në Pula për skenarin e Kur babai ishte larg për biznes
Golden Arena, Festivali i Filmit Jugosllav në Pula për skenarin e Kuduzit
Çmimi Vjekoslav Afriq, për kontribut në kinematografinë jugosllave
Felix, çmim i Akademisë Evropiane të Filmit, për filmin Kuduz
Kaciga celjskog viteza, për filmin Rrethi i përsosur
Luani i Artë i Festivalit të Filmit në Venecia për filmin A ju kujtohet Dolly Bell?
Palma e Artë, Festivali i Filmit në Kanë, për filmin Kur babai ishte larg për biznes
Nominimin për Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, për filmin Kur babai ishte larg për biznes

Dokumentar mbi fotografin e Holokaustit, Roman Vishniac

VOA

Dokumentari i ri “Vishniac” tregon historinë e fotografit hebre të shekullit të 20-të, Roman Vishniac, i cili lindi në Rusi, shpëtoi nga Holokausti dhe punoi si fotograf në Amerikë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Nelson, fotografitë e tij të mirënjohura më vonë ndihmuan në informimin e regjisorëve të filmit “Lista Schindler”, i cili rrëfen një histori të shpëtimit të hebrenjve nga Holokausti.

“Më kujtohet se si shumë nga fotot e tij u përpunuan në dhomën e errët. Më kujtohet edhe sa pranë më mbante babai im. Unë e pyesja për njerëzit në foto dhe ai më thoshte: “Këta janë njerëzit tanë”.

Historia e fotografit hebre Roman Vishniac rrëfehet nga vajza e tij Mara Kohn Vishniac. Disa nga mijëra fotografitë që ai realizoi, shfaqen për herë të parë në këtë dokumentar të quajtur thjesht “Vishniac”.

Roman Vishniac lindi në një familje hebreje në Rusinë cariste në vitin 1897. Nga viti 1935 deri në 1938 ai udhëtoi nëpër Evropën Lindore dhe Qendrore duke fotografuar komunitetet hebreje, pa e ditur që së shpejti ato do të zhdukeshin.

Fotografitë e zotit Vishniac u bënë dokumentacioni i fundit i jetës së përditshme në komunitetet hebraike përpara Holokaustit.

Regjisorja Laura Bialis foli me vajzën e fotografit Vishniac, Mara dhe regjistroi historitë e saj përpara se ajo të vdiste në vitin 2018.

“Ai shkoi në të gjitha vendet ku po ndodhin gjëra të ndryshme. Ai ishte në Moskë gjatë revolucionit, më pas iku nga Moska dhe shkoi në Berlin në vitet 1920. Ai ishte në Republikën e Vajmarit gjatë kohës kur nazistët morën pushtetin në Gjermani. Pak më vonë ndodhi “Kristallnacht”, dhe ai ishte në Berlin gjatë kësaj ngjarje. Pastaj ai shkoi në Francë, ku fotografoi njerëzit në ‘Kindertransport’”, thotë ajo.

Dokumentari shpjegon se si fotografi Vishniac përjetoi fillimin e Holokaustit në Evropë dhe arriti të shmangte dërgimin në një kamp përqëndrimi.

Në dhjetor të vitit 1940, ai dhe familja e tij udhëtuan nga Lisbona për në Shtetet e Bashkuara, ku ai dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e fotografisë.

Kinematografi polak Janusz Kaminski shumë skena të filmit “Lista Schindler” të regjisorit Steven Spielberg, i filmoi duke u bazuar në fotografitë e zotit Vishniac, sepse ato pasqyronin jetën e përditshme hebreje që ishte e vështirë ta gjeje diku tjetër.

Producentja e dokumentarit dhe motra e regjisorit Steven Spielberg, Nancy Spielberg, thotë se mesazhi është i qartë: nëse njerëzimi nuk mëson nga historia e tij, ne mund të përballemi me një përsëritje të saj.

“Mendoj se fotografitë e zotit Vishniac janë një mesazh për të gjithë. Ne jemi një shoqëri, që duhet të shohim një ngjarje, jo të lexojmë mbi atë. Ne kemi nevojë për prova, të gjithë duan prova! Pra, kjo është provë e përhapjes së pakontrolluar të veprimeve çnjerëzore. Ndoshta kjo do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, ndoshta do të ndihmojë në krijimin e njëfarë tolerance, ndoshta do të rikthejë civilizimin në botën e qytetëruar”, thotë ajo.

Dokumentarët si ky mund të ndryshojnë mendje dhe të ndihmojnë njerëzit në kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme historike, të cilat me kalimin e viteve po bëhen gjithnjë e më të largëta. “Vishniac” do të shfaqet në kinema të caktuara në mbarë Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë këtij viti.

Romantiku atipik Zef Serembe dhe enigmat e poezisë së tij- Nga Prof. dr. KLARA KODRA

Para 180 vjetëve, në fshatin arbëresh Strigari (San Kozmo Albaneze), me një natyrë pitoreske, plot kontraste ngjyrash, që të sjell ndërmend Shqipërinë, më 6 mars 1844, nga Mikelanxhelo Serembe dhe Maria Tereza Toçi, do të lindte një fëmijë që u pagëzua me emrin Zef. Më vonë bashkëvendasit do t’i ngjisnin llagapin Ruvec.

Ky fëmijë do të bëhej poet dhe madje një poet i shquar. Ky poet do t’i përkiste drejtimit letrar të romantizmit, në formën që drejtimi në fjalë mori tek arbëreshët, drejtim që do të ishte një degë e romantizmit shqiptar të Rilindjes.

Zef Serembe do të thellonte atë frymë moderne që kishte sjellë për herë të parë Jeronim de Rada në letërsinë arbëreshe. Ai do të shprehte prirjen lirike të kësaj letërsie. Ai do të ndizte në poezinë e vet dy vatra qendrore tematike, temën e lirisë (të atdheut të stërgjyshërve, Shqipërisë, të vendlindjes, Italisë, të popujve të tjerë si Greqia, të individit dhe temën e dashurisë (erotike, po edhe gjithënjerëzore).

Me kultin e Atdheut dhe të lirisë ishte i afërt me poetët e tjerë arbëreshë dhe shqiptarë të Shqipërisë të letërsisë së Rilindjes dhe gjithashtu me heroin lirik tribun dhe flamurtar, zëdhënës i bashkësisë. Po pranë atij kulti do të pohonte kultin e gruas dhe të ndjenjës, i spostuar në plan të dytë në letërsinë shqiptare të Rilindjes, ashtu si problemet ekzistenciale të jetës dhe të vdekjes, të së mirës dhe së keqes, të domosdoshmërisë dhe lirisë, të së drejtës për lumturi, të marrëdhënieve midis Perëndisë dhe njeriut.

Pranë heroit tribun, luftëtar, afirmohej individi me botë ideoemocionale më të gjerë se mjedisi, që hynte në luftë me atë mjedis, një konflikt ky tipik për romantizma të tjerë më të zhvilluar europianë si romantizmi francez, anglez, gjerman, romantizma që ndryshonin thellë nga romantizmi arbëresh dhe shqiptar, madje edhe nga romantizmi italian me elemente klasicizmi.

Për herë të parë Serembeja sillte në romantizmin arbëresh (dhe shqiptar) “brengën e shekullit”, “etjen për pafundësi”, madje edhe titanizmin, të gjitha këto karakteristike për romantizmin e Evropës Qendrore.

Zef Serembeja, pra, ishte një poet atipik për romantizmin arbëresh dhe shqiptar, po tipik i romantizmit evropian.

Në të vërtetë, poezia e tij, në thelb lirike, e ndryshme nga lirizmi i ndërthurur me epizëm dhe dramatizëm i bashkëkohësve të tij De Rada, Dara, Santori e arriti nivelin estetik të letërsisë evropiane bashkëkohëse, siç e pranuan autorë të ndryshëm të kohës arbëreshë, shqiptarë, italianë dhe bashkatdhetarja e shquar e poetit, e lindur në Rumani, Dora d’Istria, siç do ta pranonin shumë më vonë (në shekullin e njëzetë dhe të njëzetenjëtë) poetë dhe kritikë të atdheut të origjinës dhe studiuesja ruse, Serkova.

Pra, origjinaliteti dhe niveli i lartë estetik i krijimtarisë së Serembes u pranuan që në gjallje të tij, përmes velit të përkthimit italisht të botuar më 1883 dhe përmes ndonjë vjershe të rrallë të botuar arbërisht.

Megjithatë, forma e lartë e poezisë së tij fsheh ende thesare të panjohura. Këtu del edhe një problem nevralgjik. Deri në ç’pikë botuesi i vjershave të tij në arbërisht, nipi Kozmo Serembe i qëndroi besnik origjinalitetit të ungjit?

Ndonëse vetë botuesi pretendon se nuk e preku materialin poetik të mbledhur (përveç heqjes aty-këtu të ndonjë barbarizmi) gjuha e botimit të vjershave më 1926 është tepër e afërt me gjuhën e Shqipërisë, duke përfshirë fjalë që poeti zor që t’i dinte. Prandaj hipoteza për një manipulim dhe deformim të vjershave origjinale, e hedhur për herë të parë nga studiuesi Dhimitër Shuteriqi më 1961 dhe e mbështetur më vonë nga studiuesi arbëresh Belmonte, sipas të gjitha gjasave, qëndron, ndonëse më vonë atë do përpiqet ta hedhë poshtë studiuesi Domeniko Kasiano (po i vetmi argument i tij është shumëllojshmëria e burimeve ku u mbështet botuesi, gjë që do ta vështirësonte mjaft manipulimin, po s’do ta bënte të pamundur).

Zbulimi i mjaft dorëshkrimeve autentike të Poetit (gjithsej nëntë) do t’i ndihmonte mjaft studiuesit në këtë pikë.

Gjithashtu, niveli i lartë i mjaft vjershave, si dy elegjitë (të quajtura kryevepra të tij nga studiuesit) dhe sonetet do të dëshmonte në favor të një prekjeje të sipërfaqëshme, meqenëse një poet minor, siç ishte botuesi Kozmo, domosdoshmërisht do t’i dëmtonte këto vjersha duke i ndryshuar.

Rreth Poetit dhe krijimtarisë së tij janë krijuar gjithashtu legjenda, si legjenda e poetit improvizues, indiferent ndaj fatit të krijimtarisë së tij, legjendë që u pranua edhe nga studiuesi Eqrem Çabej në studimin e tij për romantizmin shqiptar. Po fakte të mëvonshme kanë dëshmuar se Poeti, ndonëse ishte vërtet edhe improvizues qe edhe artist i limës që punonte me fjalën, duke krijuar variante të ndryshme të poezive të tij dhe gjithashtu kujdesej që vepra e tij poetike t’i shkonte publikut, jo vetëm të bashkëvendasve, po edhe të përtej kufijve, siç dëshmojnë botimet e tij në Amerikë (“Sonete të shumëllojshme”, “Ushtari shqiptar”, “Zotit”).

Një legjendë tjetër qe ajo e poetit indiferent ndaj problemeve sociale të kohës, legjendë e pasaktë, siç dëshmojnë vjershat e tij italisht me problematikë sociale, të përfshira te “Sonete të shumëllojshme”. Po problematika sociale, duke mos iu përgjigjur vokacionit të thellë të Poetit, u ka dhënë jetë artistike vetëm disa vargjeve të shpërndara të krijimeve italisht të Serembes, si vargjet rrënqethëse që mbyllën poezinë “Një taksidari”.

“Po Italia do të bëhet shtet i madh/

Ç’e ha meraku atë për kë ka uri?”,

vargje vërtet të forta, po që stonojnë me retorikën e pjesës tjetër të poezisë, ideja e së cilës ishte e fuqishme, po nuk arriti realizimin estetik.

Mbi krijimtarinë e Serembes, vizionin e tij të jetës, pati edhe gjykime kontradiktore: disa studiues si Zef Skiroi i Ri e quajtën poetin si të nënshtruar, ndonjë tjetër që i përkiste atdheut të origjinës shkon deri aty sa i atribuon “aspirata revolucionare”, ndonjë studiues si Ali Xhiku e ekzagjeron ndjenjën fetare të Poetit, duke e quajtur mistik dhe fatalist, ndonjë tjetër si Razi Brahimi mendon se ai arriti në ateizëm.

Mendojmë se këto janë gjykime të skajshme, poeti qe rebel edhe në plan social, po nuk arriti, madje as te socializmi utopik i bashkëkohësit Vinçenc Stratigo; arrin të rebelohet kundër klerit, Vatikanit, madje edhe vetë Zotit, po nuk e vë asnjëherë në dyshim ekzistencën e këtij të fundit dhe për këtë dëshmon edhe vjersha e tij më kryengritëse “Zotit”, ku ai i drejtohet në mënyrë protestuese, Perëndisë si një Job i ri, po e pranon si një fuqi të njëmendtë dhe personale dhe nuk e sheh si forcë të verbër, siç do të bënte përkundrazi me “natyrën njerkë” ateisti Leopardi, të cilin Serembeja e njihte dhe e nderonte, siç dëshmon vjersha kushtuar atij.

Edhe pesimizmi i Serembes s’do ta arrinte kurrë thellësinë e pesimizmit të Leopardit. Zefi s’e humbet kurrë besimin në vlerat etike njerëzore dhe dashurinë për jetën: ai beson në progresin njerëzor dhe në solidaritetin midis njerëzve, gjithashtu besimi në çlirimin e atdheut të të parëve qe për të, gjatë gjithë jetës, një yll ndriçues edhe në vitet e fundit, kur mendjen e tij e pushton gjithnjë e më tepër terri i marrëzisë.

S’duhet lënë pa përmendur si një dukuri e skajshme në studimet serembiane, mendimi i shfaqur nga studiuesi Anton Berisha që çuditërisht vë në dyshim literalitetin e poezisë së Serembes dhe e quan atë një poet më të ulët nga niveli ndaj bashkëkohësve të shquar De Rada, Dara, Santori dhe madje edhe ndaj folklorit arbëresh.

Me gjithë respektin që ushqejmë për këtë studiues, s’mund ta pranojmë kurrsesi këtë tezë të tij që në fakt nuk mbështetet në argumenta bindëse. Studiuesi nuk merret, për ta provuar atë, në analizën estetike të vjershave që janë quajtur si të mirat e Poetit (dy elegjitë dhe disa nga sonetet), po përmend disa vjersha të rinisë së parë të tij. Madje, ai lë mënjanë disa vjersha mjaft të bukura patriotike si “Rrutullupë”, “Për vdekjen e Pjetër Irianit”.

Sikur kjo tezë, që e përmbys krejt gjykimin për Poetin, t’i përgjigjej realitetit, do të mbetej një enigmë entusiazmi i mjaft autorëve (kritikë dhe poetë) italianë bashkëkohës. Në qoftë se entusiazmi i studiuesve arbëreshë dhe shqiptarë për Seremben do të mund të shpjegohej disi me ndjenjën e ekzaltuar nacionaliste, si do të shpjegohej entusiazmi i italianëve dhe, shumë më vonë, vlerësimi i lartë i ruses Serkova?

Mendoj se kjo tezë mund të ketë lindur nga prirja për origjinalitet me çdo kusht.

Poezia e Serembes fsheh edhe enigma të tjera. Për mendimin tonë, është e çuditshme ndërthurja e elitarizmit me ndikimin nga folklori në këtë poezi. Një ndërthurje të tillë e paraqiste edhe poezia e De Radës, po këngët epiko-legjendare që e frymëzuan atë kishin një nivel estetik më të lartë se këngët popullore lirike të lindura në mjedisin arbëresh që frymëzuan Seremben dhe që ishin më të thjeshta e të qarta.

Mandej De Rada e kishte huazuar metrikën popullore arbëreshe, ndërsa Serembeja lëvroi forma të rafinuara si sonetin, oden, elegjinë.

I çuditshëm ka qenë edhe anashkalimi i ndikimit të Serembes prej folklorit nga studiuesit të cilët ose e mohuan krejt si Çabej ose s’e përfillën si Shuteriqi apo Gradilone.

Për t’u vënë re është edhe naiviteti i poezisë së Serembes që shfaqet në një çiltërsi gati fëmijërore në kundërshtim me letrarizmin e romantizmave kryesore europiane. Serembeja i paraprin asaj “poetike të fëmijës” që do të zhvillonte më vonë poeti dekadent italian Paskoli.

Kjo poetikë bie në kundërshtim me ato hove dhe vrulle që e çojnë poetin te titanizmi i poezisë “Zotit”.

Po e tillë është poezia e Serembes, tepër tërheqëse dhe e pasur me kontradikta, si një shpellë e mbushur me enigma ende, pas aq vitesh studimi nga autorë nga më të ndryshmit.

(Marrë nga ExLibris)

Sarandë- ‘Botimet Fishta’, promovoi librin “HEBREU I FUNDIT” të shkrimtarit Shkëlqim Hajno

Shtëpia butuese ‘Botimet FISHTA’, promovoi së fundi në Sarandë librin “HEBREU I FUNDIT” të shkrimtarit Shkëlqim Hajno.

Me kërë rast, në mjediset e kompleksit Hotel “DEMI” u organizua një sesion ku pjesëmarrësit, krijues, kritikë e studjues, intelektuale të fushave te ndryshme dhe dashamirës të letërsisë, ndoqën disa referime mbi krijimtarië e prozatorit Shkëlqim Hajno.

Për librin “HEBREU I FUNDIT” ligjëratën kryesore e mbajti Thoma Sterjopullo, prozator dhe pëkthyesi i Kadaresë në gjuhën greke. Referuesi u ndal ne ristitë dhe prurjen e këtij libri në tregimtarinë dhe novelistikën shqiptare, duke veçuar disa tregime si dhe novelën “Pushime në Bohotinë”.

Krijuesi Hekuran Halili në trajtesën e tij “Një libër sa një jetë dhe një jetë sa një libër” bëri një vështrin mbi mbi vlerat e 27 tregimeve dhe tri novelave që përmban vëllimi.

Studjuesja Natasha Lushaj (Spahiu) , redaktore e librit “HEBREU I FUNDIT” foli mbi veçoritë stilistike dhe dramat e personazheve, duke bërë një vështrim krahasues edhe me librin e parë të këtij autori: “Vjedhësi i viteve”, botuar ne vitin 1980, nga shtëpia botuese “N.Frashëri”.

Për aspekte te ndryshme të krijimtarisë së shkrimtarit Hajno dhe specifikat e librit “HEBREU I FUNDIT” folën edhe studjuesi dhe drejtuesi i entit botues “Botimet FISHTA”, Frano Kulli, gazetari dhe shkrimtari Thanas Dino, etj,.

Në eventin kulturor: promovim i librit HEBREU I FUNDIT”, pjesëmarrsit ndoqën me emocione të veçata interpretimin e regjisorit dhe aktorit të njohur Vangjel Agora, i cili solli me fjalen artistike atmosferën e tregimeve “Lotët e babait” dhe “Arhondi i Rexhinës”.

Veprimtaria e mësipërme u pëmbyll me një perfomancë buze detit të trompistit Rait Qendro, ardhur enkas për këtë aktivitet nga Athina si dhe nje duet solistik në violina përgatitur nga violonisti Zamir Brinja. /sarandaNews.al//

MOJ PRANVERË! Poezi nga Përparim Hysi

 

Moj pranverë,moj bukuroshe!
O ti stina përmbi stinë!
Mos je si “raki sarhoshe”,
Që më deh me bukurinë?

Ja: e piva gjelbërimin
Dhe u bëra krejt tjetër
Tani shiheni Përparimin
SE mos thoni:-Je i vjetër?

Unë tani jam kthyer “djalosh”
Dhe të marrë gjak në vetull !!!
Në më thotë dikush “thinjosh”,
Do ta zë ,ta lë “të vdekur”.

Unë tani jam bërë dragua
Jam tamam si “xhind i pirë”
Mos më dil përpara mua
Se tani unë kam vënë”brirë” !!!

SE pranvera më rih gjakun
Më përzë pleqërinë
Ndaj mos ma shani vargun,
Ca më shumë poezinë.

Tiranë,23 mars 2024

(VIDEO) Intervista- Botuesi Bujar Hudhri: Libraritë po mbyllen, shteti s’ka vëmendje, nuk shoh asnjë dritë

Një prej ngjarjeve më të rëndësishme letrare në Shqipëri është padyshim botimi i librit të fundit të nobelistit Gabriel Garsia Markez.

“Shihemi në gusht” është romani i fundit i autorit kolumbian, që tashmë ka njohur dritën e botimit në 30 gjuhë të botës e është prezantuar si premierë botërore më datë 6 Mars 2024 në ditën e lindjes së shkrimtarit gjenialë.

“Shihemi në gusht” që është shoqëruar me polemika, debate dhe  një zhurmnajë të gjerë mediatike, ngase porosia e fundme e Markezit ka qenë shkatërrimi i tij, është sjell në të njëjtën kohë me botën edhe në gjuhën shqipe, përmes përkthimit të Mira Meksit.

I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri Tv, botuesi i nobelistit në shqip, Bujar Hudhri, rrëfeu rrugën se si erdhi kjo vepër kaq e veçantë e krijimtarisë së Markezit në gjuhën shqipe, kalvarin e gjatë të blerjes së të drejtave të autorit, mezipritjen e lexuesit në botën mbarë për ta pasur në duar dhe raportin e lexuesit që po bjerret dita – ditës nga ikjet masive të shqiptarëve përtej kufijve.

Hudhri i tregoi gazetares Egla Xhemalaj, pse nobelisti qe i ndaluar të botohej në gjuhën shqipe.

Pjesë nga intervista

Bujar Hudhri: Shqipëria ka qenë te vendet e hequra nga agjencia, që administron të drejtat e botimit të Markezit. Pra, u arrit pikërisht kjo për hir të lexuesit shqiptar. Unë si botues tani që po bëj një farë bilanci për Markezin, që u shndërrua në një lajm botëror ky libër secila gjuhë, secili vend, shumë studiues, gazetarë komentojnë tani marrëdhëniet me Markezin, veprat e tij në përgjithësi këtë vepër në veçanti, kurse unë si botues doja t’i thoja shikuesit tuaj, pse vepra e Markezit ishte e palejuar të botohej në shqip.

Kjo është histori që fillon qysh në kohën e komunizmit, kur u botua libri i parë i Markezit i përkthyer në shqip nga Aurel Plasari, pastaj libri i dytë “Dashuria në kohërat e kolerës” i përkthyer nga Mira Meksi dhe gjatë viteve 1999-2000 pothuaj u përkthye krejt vepra e Markezit, u botua pa leje. Pa të drejtat e autorit, pa të drejtat e agjencisë.

Unë kam dashur që ta vija në vijë këtë punë. Më tepër jam marrë me autorët e letërsisë shqipe, ju e dini që kam autorët më të mirë të letërsisë shqipe. I kisha dhënë shumë hapësirë letërsisë së huaj sepse unë synoja majat e saj. Këto maja ishin të vështira të pushtoheshin, në pikëpamje të marrëdhënies tënde me agjencitë. Shqipëria tanimë ishte në demokraci dhe respektimi i pronës intelektuale, duhet ta pranojmë që ne nuk është se ia kishim idenë. Kjo ishte si një inerci e shoqërisë komuniste. Ky nuk ishte vetëm problem i Shqipërisë.

Dua t’u kujtoj ju që në vitin 1990 Markezi në vizitën e tij të parë dhe të fundit në Kinë, kur ishte në Pekin dhe në Shangai vërejti që libri i tij “100 vjet vetmi” ishte botuar dhe shitej në masë pa të drejtat e tij. Kinezët shumë të entuziazmuar asokohe, ngase vepra e tij ndikoj shumë në letërsinë kineze. Markezi u thotë: Po kujt i keni marrë leje?

Ato as që e mendonin që duhej marrë leje. Markezi e thotë këtë edhe në shtypin botëror. Është përmendur para disa ditësh, ku thuhej se Markezi u betua: Edhe 150 vjet mbas vdekjes sime nuk do ta autorizoj agjencinë, që ti japi të drejtën e botimit Kinës. Pra, të mendosh një popullsi 1 miliardë e gjysmë dhe vijmë tani te Shqipëria dy milionë a tre milionë banorë.

Agjencia nuk donte t’ia dinte, aq më tepër kur mori vesh që ishte botuar pa leje në Shqipëri. U desh një luftë e madhe. Unë kam komunikuar me agjencinë, nuk merrnim përgjigje, madje kam dërguar dhe njeri në Barcelonë. Kemi pasur kontaktet e sërish jo. Unë pata një rast fatlum do ta thoja e shfrytëzova në këtë rast, kur në vitin 2014, viti në të cilin ndërroi jetë Markezi (vdiq më 17 prill 2024), në shtator të atij viti unë mora vesh që agjencia e Markezit, me pronaren Carmen Balcells po bënte një bashkim kompanish me agjentin Enri Uaili të Ismail Kadaresë në Neë Jork. Ajo është agjencia më e madhe që ka bota dhe ka yjet e letërsisë botërore. Asokohe unë i thashë Kadaresë: A mund t’i shkruani ju agjentit tuaj që pse agjencia e Markezit nuk i jep të drejtat e botimit Shqipërisë? Çfarë arsye kanë?

Ja bëmë letrat, ia dërguam, megjithatë asnjë përgjigje deri në Marsin e vitit pasardhës, që i bie 2015. Mbaj mend që ka qenë 6 Marsi ditëlindja e Markezit, kur e telefonova vet agjencinë e Kadaresë seksionin e Londrës, ku ne kishim komunikim të përjavshëm për librat e Kadaresë dhe i thashë meqënëse sot është ditëlindja e Markezit, a ka ndonjë gjë të re? Nuk vonoi më shumë se pesë minuta, kur nga Barcelona më vjen një email, në të cilin thuhej, na jepni ju letrën të cilën ia keni dërguar Uailit. Më pyetën se çfarë problemi kishim ne, u thashë se problemin e kishin ata.

Unë kam paguar një farë dëmi që botuesit shqiptarë kanë bërë. E kam bërë këtë edhe për dinjitet përballë agjencisë, për të krijuar besueshmërinë e tyre, që kjo ishte një punë serioze, që unë isha një botues që kisha jo vetëm Kadarenë, po kisha synimin që të sillja në shqip letërsinë më të mirë e ta filloja me Markezin”, u shpreh Bujar Hudhri në “Odeon”.

 


Send this to a friend