VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PËR PROTESTA MASIVE ME MOTON: ATDHEU NË RREZIK TË COPËTOHET – Nga Prof. dr. BINAK MAXHARRAJ

By | August 12, 2018

Komentet

NË KOSOVË MUNGON SHTETI I SË DREJTËS – Është i domosdoshëm shkarkimi i Shpend Maxhunit – Nga Prof. dr. BINAK MAXHARRAJ

Në Kosovën e lirë të pas luftës është shumë veshtirë të ndodhin gjëra të mira, gjera relaksuese për qytetarin dhe për mirëqenjën e tij. Në këtë Kosovë të pas luftes qytetari është nguju në egon e vetë,sepse nuk ka kurrfarë përseptive,veç mundohet me ikë nga vendi i vetë. Po pse ikë njeriu nga vendi i vet?. Dikur njerëzit iknin nga zullumi dhe përsekutimi i një regjimi te cilin veq e hoqem qafe,por tashti njesoj po ikë edhe kur jemi në liri. Ikën njerezit nga vendi i vetë sepse shteti nuk interesohet për ta sa duhët,nuk kanë mireqenjë ekonomike, nuk kanë punë,sillën rrugëve edhe me diploma ne xhep. Detyrohën të ikin. Detyrohën të ikin sepse kët Kosovën e lirë e ka kapë një kastë qeveritaresh,kamandatësh te dalë nga lufta,te cilët kujdesen veç për pushtet e jo për shtet.Elita  dhe kasta politike qed 20 vite veq vjedhë, poasurohet për vehte duke u mos kujdes fare për qytetarin e vetë,sepse shteti është i kapur i zenë fryme.

Nuk ndodhin gjera te mira ne këtë Kosovë sepse kjo kastë politike ne vend se te orijentohet dhe te jete ne sherbim te qytetarit ajo merret me punë te kota,krijojnë skandale dhe afera te llojllojshme vetem e vetm për te ç’orijentuar vemendjen e qytetarit nga aferat dhe skanadalet e ndryshme qe ne këto vitet e fundit nuk ishin te pakëta,ndër më te medhat qe ishin tentimi mafioz për shfuqizimin e Specialës,afera për rrembimin dhe kidnapimin e qytetarëve Turq,te cilet ne pikë te dites u kidnapuan,u kapën si qen, bile edhe para familjarëve dhe dhunshem u deportuan në Turqi,pa respektuar kurrfarë procedure ligjeore e deri te afera me e madhe i Veteraneve te rrejshem te luftës me te cilët u njollos edhe Lufta e UÇK-se.

Por vjenë skandali i radhës i para do diteve nga policia u kapë ne flagrancë djali i Shpend Maxhunit me supstancë narkotike dhe armë pa leje ne veturën e tij.Kjo edhe do te ishte edhe jo fortë alarmuese sikur këto të ishin gjetë ndonjë qytetarit të zakonshem i cili fluturim do te përfundonte në arrest.Por ky rast është pak sa i veqantë se me substanca narkotike u gjetë askush tjetër pos djalit te Shpend Maxhunit,shefit te Agjencisë entelegjente AKI të Kosovës,i cili edhe pse u kap në flagrancë nuk u arrestu,u la i lirë derisa te “sçarohën apo te montohën gjërat” nga ana e policisë dhe prokuroris.Djali i Shend Maxhunit Shpetimi u kapë ne flagrancë me 13 tetor,rasti nuk u lajmeru menjëhrë,u deshten plotë gjatë ditë,pra me 18 nentor dhe policia dhe prokuroria te veprojnë kur edhe u ba njlfarë kallximi pënal ne prokuro sa”për sy e faqe”,sepse ky rast do te deshtojë.Gjatë këtye gjashtë diteve te heshtjes se plocis dhe prokuroris rasti u”trajtu mbrenda tyre”deri sa doli për ledinë duke tentuar qe ti heqin çdo njollë te keqe djalit te Shpend Maxhunit Shpetimit.Sepse edhe policia dhe prokuroria filluan malverzimet e tyre te zakonshme se arma,fishekët dhe substancat narkotike nuk qenkan te Shpetimit.Këtu nisin edhe lojrat e policis dhe prokuroris.Po ky farë deklarimi i policisë dhe prokuroris është sa për te mjegullua rastin,sikur keto sende të mos ishin gjet ne veturën e djalit te Shpend Maxhunit.E rendesishme është se këto sende te pajeushme janë gjetë de facto ne veturen e tij dhe kjo e jusifikon problemin,sepse ato u gjetn ne veturën që ai e ngiste,pse ishin ato ne vetur,kush i futi ato ne veturë,për ku ishin dedikue ato sende ne veturë,pse pronari i veturës nuk e kishte paralajmeru për sendet ne vetur,etj t cilat do duhet ti sçaron gjykata.

Shpend Maxhunit është një njeri i te gjitha qeverive te pas luftës në Kosovë.Ai qe 20 vjet gjendet ne majat e segmentit të sigurisë ne Kosovë.Ishte Drejtor i policis së Kosovës,kur ndodhi vjedhja me e madhe ne polici,ishte aty kur ndodhe afera tjeter e madhe e rrembimit dhe kidnapimit te qytetarve turq.Dhe kurgja nuk i ndodhi.Në çdo vend tjeter ate duhet ta priste me se paku shkarkimi nga pozita qe e kisgte.Por nuk ndodhi kështu,sepse pasi qe ky ishte njeriu i besueshem i pushtetarve të cilër e kanë kapë shtetin,ai bile edhe u lartëse ne pozit hiç më pak se Shef i intelegjencës së AKI te Kosovës,ne te cilën më parë këtu edhe patë ndodhë një vrasje.Shtrohet pyetja si është e mundshme qe bash djalit te shefit te policis ti ndodhë nje skandal i tillë?

Si do te përfundoj ky rast shenjat e para po tregojnë qartë së ky rast do te deshtojë.Do te deshtojë sepse ne në Kosovë nuk kemi një drejtesi te mirëfilët,drejtesia komplet me prokurorin dhe gjyqesin janë te kapur nga shteti,nga politika te cilet edhe e bejnë drejtësinë.Në sistemin e drejtësisë janë shumë pak prokuror dhe gjyqtar me integritet.Nuk janë te rastë kur në gjuqesin e Kosovës janë mbyll raste te krimeve ku janë përfshier edhe zyrtar te lart,janë përshkruar lendet etj.

 Më këtë sustem te drejësis së kapur Kosova nuk mund te shkoj  tutje.Sistemi i drejtesisë duhet të çkapët krejtësishtë nga duart e kastes politike,por qe te ndodhë kjo ështe e nevojshme qe kjo kastë politike të mos qendroj ne pushtet,duhet te largohet.Në Kosovë për tu përmiresuar sado pak sistemi i drejtësis se korruptuar duhet te ndodhë Wettingu i cili nese deshirohet te kemi një drejtesi te mirëfillët duhet te ndodhë Wettingu jo vetem ne drejtlsi por edhe në polici,me qëllim qe te largohen elementet qe e damtojnë një polici dhe një gjyqesi te mirëfillët.Pa,Wetting ne Kosovë kurr,dhe asnjëherë nuk do te kemi një drejtesi të mirëfillët.Wetting duhet te ndodhë patjetër,me mbikqyrjën edhe te nderkombëtarëve.

Edhe ky rasti i fundit do te këtë te njetin fatë do te deshtoj totalisht,do te bahet një gjykim sa për sy e faqe,shkel e shko.Por ky rast duhet ti alarmonte edhe pushtetarët te reagojnë rreptë,të kërkojnë doreheqjen e parevokueshme te Shefit te AKI-së Shpend Maxhunit sepse kjo ndodhi ne familjën e tij.Në çdo shtet tjeter demokratik për kesa rastesh nuk do te pritej as akshami e do te ndodhnin doreheqejet.Por kjo nuk ndoshë në Kosovën ku sundojnë si ne mesjet njerezit e korruptuar,njerezit qe e kanë kapë shtetin për fyti qe ngadal po ia zënë frymen.

Çfarë (çka) do thotë të jesh “politikan ose gazetar i mirë” dhe shqiptar i poshtër…?! – Nga AGRON SHABANI

Shtetit dhe popullit të Kosovës, përveç lirisë, pavarësisë, identitetit, subjektivitetit, ekskluzivitetit, dinjitetit, sovranitetit dhe integritetit të munguar individual dhe kolektivë, përkatësisht, shtetror, nacional, politik, teritorial, gjeografik dhe kështu me radhë: Si duket, mëse tepërmi, respektivisht, në formë aditive dhe imediate, iu duhen ose nevojiten liria (çlirimi), pavarësia, shkurorëzimi ose shpronësimi i tyre esencial ose substancial, gjegjësisht, objektivë dhe subjektivë, nga tutelja, diktati, kurora, varësia ose monopoli i gjithëmbarëshem nga disa që janë “politikan, editor (botues), publicist, analist ose gazetarë të mirë”, por janë shqiptarë të poshtër, të shpifur, sajuar dhe shumë të pabesë! Mbase, pseudointelektual, quazipatriot ose antishqiptarë të mëdhenj.
Ndonëse, pa i harruar në ketë “histori” reaksionare, paradoksale dhe tepër anakronnike edhe demagogët dhe hipokritët e ndryshëm institucional dhe funksional në Kosovë së bashku me profiterët e ndryshëm të luftës dhe pasluftës si dhe tregtarët ordiner ose ambulant të shpirtërave, flamujve, popullit (kombit), shtetit, pronës (pasurisë), kapitalit, vlerave, resursëve dhe moralit të gjithëmbarëshem shtetror dhe nacional-prej nga e kanë burimin ose origjinën krimi i organizuar, korrupsioni, strafikacioni, kontrabanda dhe prostitucioni i gjithëmbarëshem institucional dhe funksional së bashku me të gjitha anomalitë dhe patologjitë tjera në Kosovën e pasluftës.
Se këndejmi, duke u shpronësuar ose shkurorëzuar nga frika, tutelja, imponimet ose diktatët e brendshme dhe të jashtme: Shteti dhe populli kosovarë, njëherë e përgjithëmonë, gjegjësisht, më tepër dhe më bukur se kurrë, do lirohen (çlirohen) dhe shkurorëzohen nga skamja (varfëria), robëria, frika dhe pasiguria e gjithëmbarëshme objektive dhe subjektive për të nesërmen ose ardhmërinë e tyre të diktuar, imponuar, determinuar dhe stigmatizuar nga faktor të ndryshëm politik, medial ose propagandistiktë.
Në ketë kontekst të suspektshëm dhe dubiozë, do çlirohëshin (lirohëshin), shkurorëzohëshin dhe pavarësohëshin edhe juridikativi (gjyqësori) nga legjislativi (parlamenti), legjislativi nga ekzekutivi (qeveria), juridikativi, ekzekutivi dhe legjislativi nga “institucioni i presidentit” si nga relativizimi, instrumentalizimi, fosilizimi, monopoli dhe paternailizmi vendorë dhe ndërkombtarë. Do bëhej çlirimi dhe shkurorëzimi i preferuar shkencorë ose dialektikë i subjektit nga objekti ose objektit nga subjekti. Respektivisht, i gjërave, aspektëve ose çështjeve subjektive nga gjërat, aspektët ose çështjet objektive dhe anasjelltas. Sigurisht. Do liroheshin (cliroheshin) madje edhe Veton Surroi, Xhevdet Mazrekaj, Margarita Kadriu ose Berat Buzhala si per shembull nga “cuclla” ose “cibuku” i Behgjet Pacollit, Ramush Haradinajt, Hashim Thacit, Vucicit ose Erdoganit. Do liroheshin (cliroheshin) nje trohe grate ose “damat” e mesiperme te gazetarise kosovare” nga “burrat e forte” te shtetit dhe pushtetit kosovar.
Në të kundërten, të të ashtuquajturit liderët ose politikanët e ndryshëm ditorë ose periodikë ne Kosovë e kanë një përceptim dhe konceptim publik dhe politiik tepër të verbër, të vrazhë, rixhid, borgjez, reaksionar, paradoksal dhe anakronik , kur i shohin dhe kundrojnë njeriun, popullin (kombin), politikën, diplomacinë dhe vlerat tjera, si një fakt ose realitet natyrorë ose ordinar. Gjegjësisht, si nje rruge ose metastaze evolutive dhe empirike drejt rrugës se njohur deri tek e vërteta e cila ne rastin konkret i takon absolutes e jo relatives. Kjo për faktin se edukata, kultura dhe emancipimi së bashku me artin e njohur politik ose diplomatik si dhe vlerat e njohura hyjnore ose universale të jetës së njeriut, i binden dhe nënshtrohen të njëjtit ligj: ligjit të shndërrimit, nënshtrimit, konvertimit, mohimit, pronës, kapitalit etj. Mbase, ligjit të konfirmimit me vetvetën si dhe me gjithëçka tjetër nga brenda dhe jashtë saj. Në këtë rast, çdo gjë ose gjithëçka, sikur i zhvatët dhe nënshtrohet diktatit, tutelës ose monopolit të njohur social, ekonomik, politik, ushtarak (luftarak), industrial dhe propagandistik të ‘politokracisë dhe mediokracise së lartë” kosovare. Duke i bërë të pamundura ose inekzistente skemat ose formulat dialektive dhe evolutivo-empirike të dialogut, korrespondencës ose komunikimit real dhe të barabartë në mes “proletariatit dhe borgjezisë mediale dhe politike”!

Në ketë prizëm, ngritja, hartimi ose formulimi i një teorie evolutive dhe dialektike të edukatës dhe kulturës së lartë shtetrore, nacionale ose politike të pandarë ose të pashkëputur prej jetës shpirtërore ose materiale, si dhe nevojave ose kërkesave të njohura njerëzore ose qytetare, të duket i pamundur, absurd ose abstrakt.

Në këtë rast, realitet material ose “dialektikë”, mund t´i quajmë vetëm botën e vlerës së shkëmbimit të mallërave dhe kapitalit, ndërkaq, edukatë dhe kulturë politike, çdo gjë që refuzon të pranojë dominimin e tyre aparent, transparent, permanent etj.

Ndryshe nga kjo, motivi, vullneti dhe guximi për të jetuar i lirë, i pavarur, sovran, integral dhe autonom në një botë të sunduar ose dominuar nga “dishepujt” ose “apostujtë” e ndryshëm të ‘mbretërisë së të keqës’, sipas Arthur Schopenahauerit, janë faktorët, indikatorët ose prediakatorët kryesorë që e mbushin, plotësojnë dhe dominojnë jetën e njerëzve të ditur, të guximshëm dhe liberatorë. Përderisa, frika, dyshimi dhe pesimizmi i përgjithshëm total ose absolut, si pezhorative ose një “alternativë solomonike” -ndaj nënshtrimit dhe robërisë së stisur ose kamufluar si liri, patjetër çojnë në konkluzionin ose përfundimin e njohur sipas të të cilit: “të lirët, të diturit, të mençurit, të urtët, të pavarurit ose njerëzit sovran, patriot dhe ekselent, e kanë idealin e jetës dhe përparimit të gjithëmbarëshem individual dhe kolektivë, ndërsa, të paditurit, të robëruarit, horrat dhe maskarënjtë e ndryshëm, e kanë “motivin” dhe”idealin” e vdekjes, nënshtrimit (skllavërimit) dhe shkatërrmit. (Realiteti kosovar)
U mor vesh se me kalimin e vitëve ose me “ndërrimin e epokave”, njerëzit ose politikanët e ndryshëm ditorë ose periodikë, i tradhtojnë idhujt, miqtë, aleatët, liderët, partitë politike, idealet, ideologjitë politike ose ushtarake, konceptët e tyre, idealet ose vizionet e ndryshme shtetrore, nacionale, politike, diplomatike dhe të tjera, më një “epokë tjetër” më të re ose më aktuale, ashtu siç e tradhton një burrë gruan e tij për një grua tjetër më të bukur dhe më të re ose anasjelltas. Sidomos në Kosovë, ku liderët e ndryshëm institucional ose funksional, shpeshherë janë të detyruar t´i ndryshojnë përditë fjalët, bindjet, mendimet, premtimet, konceptët, ideologjitë, idealet ose vizionet e tyre si shtetrore, nacionale, politike, ushtarake (luftarake), historike, patriotike dhe të tjera si ushtaret corapet ose laviret breket.
Çdo filozof, politikan ose diplomat, sipas H. Bergsonit, mendon ose reagon ndaj një filozofi, politikani ose diplomati tjetër në kuptimin e asaj se liri, drejtëësi dhe barazi absolute nuk ka, por vetëm liri, drejtësi dhe barazi relative ose selektive. Kjo për faktin se i forti (i fuqishmi) i pushtetshmi, i pasuri dhe i stisuri ose sajuari, në shtetët ose “shoqëritë e larta” postkomuniste, neoliberaliste ose anarkoliberaliste si Kosova, gjithëmonë kanë të drejtë. Edhe “politikanet, botesit (editoret), gazetaret ose publicistet e mire”, edhe shqiptarët e poshtër, nebuloz, skizofren, mizantrop, filister, paranoid, demagog dhe hipokrit. Në dukje te parë, kjo është pra filozofia e mbjelljes së optimizmit të antropomorforizuar në iluzionr, ku qielli me yje, është lebroz. Dhe, kjo sidomos atëherë kur natyra ‘tretët’ ose shkrihet në mendjen dhe shpirtin e njeriut, objekti në subjekt dhe kështu me radhë…Kuf natyra identifikohet me ‘procesin praktik dhe teorik të dëshirave, orekseve dhe kërkesave të përbashkëta, të kënaqësive dhe dhdmbjeve’ të ndryshme objektive dhe subjektive etj.etj.
Në këtë ‘ritual’ ose ‘celebrimë të përbashkët’ të mendjes (koshiencës), shpirtit dhe nytyrës, është logjika ose koshienca e lartë njerëzore ajo që na flet ose udhërrefen vazhdimisht mbi “vullneti për të jetuar” (wille zum leben). Kështu që “fenomenët” e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore, interferojnë dhe integrohen në vullnetin për të jetuar, që është thelbi i i jetës dhe botës sonë.
Për Immanuel Kantin, vullneti për të jetuar, që në krye të herës është i njohur dhe identifikuar në vetëdijen (koshiencën) dhe ndërgjegjen tonë. Gjithashtu besohej (besohet edhe sot) se ligji i shkakësisë që i rregullon fenomenet e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore dhe parimi i arsyes që i shpjegon dhe pranon ato, ishin (janë) ligje të përhershme dhe absolute. Respektivisht, “veritates aeternae” (të vërtetat e përjetshme).
Për më tepër ndërkaq, vullneti për të jetuar na vë në gjumë dhe kur jemi zgjuar, dhe na vë në levizje edhe kur jemi të fjetur ose në gjumë.
Ndryshe nga kjo, ndarja dhe thellimi i dy sferave të njohura filozofike, sferës racionale, të kufizuar nga parimi i arsyes, dhe asaj iracionale, të pakufizuar nga vullnetit për të jetuar, shënon mbizotërimin e qartë të së dytës mbi të parën. Sidomos atëherë kur vullneti bëhet fiksion abstrakt dhe pavetëdije.

SHKOLLA SHQIPTARE DHE MËSIMET MBI FETË – Nga EUGJEN MERLIKA

Harresa e çdo feje çon në harresën e detyrave të njeriut

J.J.ROUSSEAU

Ka disa ditë, që kur Kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht mendimin se në shkollat mund të futet, si lëndë e re mësimore, një histori e besimevet fetare, që shkrimet në organet e shtypit gëlojnë si asnjë herë tjetër për të njëjtin problem. Mendimet e shumta të shprehura ndahen në dy pjesë, të cilat nuk dij si qëndrojnë në raport me njëra tjetrën. E para është ajo e skeptikëvet, që venë në dyshim, në format më të ndryshme, projektin qeveritar, ndërsa e dyta është ajo e atyre që e shohin të dobishëm atë.

Duke e parë me sy të paanshëm këtë synim, më duket se trajtimin e tij duhet t’a shkëpusim nga debati politik, i cili në Shqipëri është më shumë një vazhdimësi pa krye e përplasjes së interesavet të kastavet drejtuese, se sa një përpjekje për të sendërtuar objektiva që i shërbejnë përparimit të Vendit. Nuk dij sa është e vërtetë që nisma e futjes së kësaj lënde të re në shkollat tona vjen nga Evropa, por personalisht e quaj një nga risitë e rëndësishme të këtyre 25 viteve të pas komunizmit. Kjo jo vetëm për faktin lirindjellës në vetvete, por edhe si një shenjë të shkëputjes nga mendësia komuniste në superstrukturën arsimore e kulturore të Shqipërisë, që ka mbajtur peng për gati tre të katërtat e shekullit, brënda skemash të parafabrikuara nga politika, mendimin shqiptar dhe formimin intelektual të disa brezave shqiptarësh.

Kundërshtarët e këtij mendimi, firma të njohura të jetës intelektuale shqiptare të dyzet viteve të fundit, e përqëndrojnë kundërshtinë e tyre në dy argumenta kryesore. I pari është vënia në dyshim e dobisë së një veprimi të tillë, madje ka edhe ndonjë që parashikon edhe “konflikte”(!) shoqërore si pasojë e tij, a thua se 70 vjetët e mungesës së kësaj lënde në shkolla kanë qënë një model i paarritshëm harmonie e bashkëpunimi ndërmjet shtetit dhe qytetarëvet. Argumenti i dytë paraqet një “vështirësi”, simbas meje, të zmadhuar në fuqi të tretë, për të hartuar tekstet e mësimdhënies e për të gjetur mësuesit. Në këtë drejtim hasim “dizertacione” e shpalosje erudicioni, mbi çastet e ndryshme historike të lidhura me vendime të hierarkivet fetare, kryesisht në kah negativ.

Më duket se trajtimi i problemit ndërlikohet enkas, për të mos nxjerrë në dukje, siç do të ishte më mirë, kundërshtinë që e ka bazën në formimin intelektual të shkollave ateiste në Shqipërinë e regjimit e, në rastin më të mirë, referencat shkojnë tek laiçizmi i shtetit, antiklerikalizmi i një pjese të iluminizmit freng, madje deri tek mbyllja e shkollave private nga Ministri mason i Mbretërisë, z. Mirash Ivanaj. Kjo lloj kundërshtie i ka rrënjët në gjysëm shekullin komunist të shoqërisë shqiptare e në luftën e gjithanëshme, që Shteti i asaj kohe zhvilloi kundër besimevet fetare, duke ngritur në piedistal një totem të Rilindjes Kombëtare, siç ishte vargu i famshëm i Pashko Vasës “Feja e shqiptarit âsht shqiptaria”. Ai ishte një varg monumental për mesazhin që përcillte rreth 120 vite më parë, kur kombi nuk ekzistonte si entitet shtetëror e kur besimet fetare mund të luanin një rol negativ, sidomos në Jugun e Shqipërisë ku ndikimi i kishës greke ishte shumë i fortë. Instrumentalizimi i tij nga regjimi komunist dhe inteligjenca e tij nuk ishte në funksion të interesit kombëtar, siç trumbetohej, por të luftës kundë feve si institucione që, për gjysëm shekulli, u quajtën “opium për popullin”.

Shëmbja e sistemit, me zhvillimet e saj të prirura ndaj fitimit të kohës së humbur, hapja ndaj botës, pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare, deri para 25 vitesh të shpallura zyrtarisht si “armike” të Shqipërisë e të shqiptarëvet, mërgimi në përmasa të jashtzakonëshme, liria e shprehjes dhe shkrirja e të vërtetave historike, së bashku me interesin që zgjojnë ato në një opinion publik më pak të politizuar, kanë krijuar kushtet për një rishikim themelor të gjithë disiplinave humaniste të shkollave tona. Politizimi i theksuar i tyre gjatë regjimit e ngurimi i papërligjshëm për t’u hequr ndryshkun gjatë viteve të kalesës, kanë shkaktuar një tjetër dëm të madh në formimin e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare gjatë këtyre viteve.

Cilado Qeveri, që merr përsipër seriozisht të ndreqë këto shtrembërime të jetës sonë kulturore, jep një ndihmesë të çmuar në përparimin e Vendit, një dukuri që ende nuk është në nivelin e kërkuar e që, për të arritur atë objektiv, ka nevojë të domosdoshme për njerëz të formuar me dijen e vërtetë dhe parime morale të shëndosha. Mendimi për të futur një lëndë mbi besimet fetare në shkollat tona, besoj se shkon në këtë drejtim. Do të jetë një vlerë e shtuar për formimin kulturor, një dritare për të parë e gjykuar përvoja mijëvjeçare të njerëzimit, në tërësinë e tyre, në dritëhijet e tyre, në rolet e tyre të vërteta në jetët shpirtërore të qindra miliardë njerëzvet që kanë kaluar mbi këtë planet. Ajo dritare ka qenë e mbyllur me mure të papërshkueshme nga asnjë lloj rreze drite, pasojë e një ideologjie skajore, kundër njerëzore, që i mohonte shtetasve të drejtën për t’u futur në objektet e kultit, mbasi besimin vetiak tek Zoti, me gjithë fuqinë mizore të ushtruar, nuk mundi t’a shrrënjosë plotësisht.

Mësimi i besimeve fetare si lëndë shkollore, krahas historisë së përgjithëshme, filozofisë, historisë së arteve, do të zgjerojë horizontin e të rinjve shqiptarë. “Feja është motra e madhe e filozofisë” thonte dy shekuj më parë poeti i njohur anglez Savage Landor. Nëpërmjet asaj lënde nxënësit do të njihen me parimet themelore të besimevet të ndryshme fetare, por edhe me historinë e tyre. Kështu do të jenë në gjëndje të bëjnë zgjedhjet e tyre vetiake, pa detyrimin e Shtetit dhe të propagandës së tij. Ky mësim nuk cënon aspak karakterin laik të Shtetit, madje e forcon  atë më tepër sepse formon qytetarë të pregatitur e të vetëdijshëm që do të dijnë “T’i japin Qezarit atë që është e Qezarit dhe Zotit atë që është e Zotit”.

Përtej së drejtës natyrore e të lindur të çdo individi në shoqëritë demokratike e të qytetëruara, për të mos patur mure kufizuese në formimin e tij intelektual e shpirtëror, një e drejtë e dhunuar dhe e nëpërkëmbur tmerrësisht nga regjimet komuniste, mendoj se nxënia e ideve themelore të besimevet fetare ndikon fuqishëm edhe në brumosjen morale e paisjen e njerëzve me vlera të çmuara si dashuria mes njerëzve, harmonia ndërmjet besimevet, respekti për të ndryshmin, ndihma e solidariteti njerëzor me të varfërit, të dobëtit, të pamundurit, të gjymtuarit, të moshuarit në vështirësi etj. Ishin këto vlera që lartësoi e përhapi në gjithë globin bija më e madhërishme që nxori kombi shqiptar, Nënë Tereza, të cilën regjimi kriminal ateist shqiptar e mohoi paturpësisht për gati një gjysmë shekulli, edhe se ishte krenaria m’e madhe e tij në botën bashkëkohore.

Çështjet teknike të teksteve e mësuesve nuk më duken se janë pengesa të pakapërcyeshme. Nuk më duket se është e nevojshme të përfshihen klerikët e besimeve të ndryshme në proçesin e hartimit të teksteve, që duhet t’i lihen në dorë një grupi të vogël studjuesish të ndershëm, të aftë, me horizont të gjërë e pa paragjykimet negative të shkollës ateiste të regjimit. Ata për punën e tyre mund të mbështeten në tekste të huaja objektive të historisë së besimeve dhe nocioneve themelore të tyre. Nëse ata tekste  janë të plota mund të përkthehen integralisht e nëse do të kenë nevojë për përditësime, të lidhura me historinë tonë n’atë fushë, mund të bëhen plotësimet e nevojshme, të bazuara në studime të njohura të ekspertëve të së shkuarës apo të ditëve tona. Nuk është një punë shumë e thjeshtë, por as e pamundur. Po të jetë vullneti, përkushtimi, kompetenca dhe vetëdija se po i shërbehet të sotmes e t’ardhmes së kombit tonë, duke plotësuar një zbrazëtirë që, prej më shumë se 70 vitesh, linte të mangët shkollën dhe kulturën shqiptare, çdo pengesë e çfarëdo forme bëhet e papërfillëshme.

Uroj që projekti të shkojë përpara drejt sendërtimit të tij pa mëdyshje, të jetë cilësor e gjithëpërfshirës, të mbajë parasysh ndryshimet e opinioneve, të shkuarën, por të shohë me vendosmëri drejt s’ardhmes, sepse synimi i tij duhet të jetë një hap tjetër drejt shoqërisë së lirive dhe qytetërimit.

Prill 2016

Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”

“ESKOBARI I BALLKANIT” DHE HESHTJA E SHTETIT – Nga EUGJEN MERLIKA

 

Dy gjëra janë të dëmshme për atë që don të ngjisë shkallët e fatit : të heshtë kur është koha të flasë, e të flasë kur është koha të heshtë

FRIEDRICH  BODENSTEDT (1819 – 1892)

 

 

M’u kujtua kjo shprehje e shkrimtarit e poetit gjerman të shekullit XIX, i dashuruar me poezinë persiane, kur pashë kronikën televizive të tubimit me rastin e analizës vjetore të punës së Avokatit të Popullit. Ndoqa me shumë interes fjsalën e z. Donald Lu e, më pas, edhe ndërhyrjen e z. Ilir Meta. I pari foli pa doreza, në lidhje me një ish funksionar shteti në Sarandë, mbi të cilin ka një mandat arresti ndërkombëtar, duke u shprehur, mes të tjerave : “Politikanë të  majtë e të djathtë i u kanë kushtuar vëmëndje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar , kriminelëve të mëdhenj dhe trafikantëve të drogës…. Kush mund të besojë se ky është një Vend serioz në luftën kundër drogës ?”. Nuk ishte një gazetar çfarëdo që bënte një pohim kaq të rëndësishëm n’adresë të politikës shqiptare, ishte përfaqësuesi i Shtetit më të fuqishëm të botës, një Shteti që konsiderohet për Shqipërinë  aleati i parë strategjik.

Vetëm një gabim ka, simbas mendimit tim, ambasadori Lu, që politikanët shqiptarë i ndan në “të majtë” e të “djathtë”, siç vetëquhen ata vetë, që prej një të katërt shekulli, në hullinë e mashtrimit të madh që përcolli epokën e shëmbjes së komunizmit, si sistem shoqëror  n’Evropë e kryesisht në Shqipëri. Në politikën shqiptare nuk ka të djathtë, sepse të djathtët e vërtetë alla Churchill, Adenauer, De Gasperi etj. u asgjësuan n’embrion nga marrëveshtjet e Teheranit e të Jaltës në vitet e para dyzet dhe u sterilizuan përsëri në vitet nëntëdhjetë si pasojë e një tjetër marrëveshjeje në Maltë 1987, gjithmonë mes dy mbishteteve SHBA dhe BRSS. E gjithë kalesa pas komuniste në Shqipëri ka qënë një vënie në jetë e strategjisë së asgjësimit të çfarëdo mundësie, sado të vogël, për të patur një forcë me të vërtetë të djathtë në jetën politike.

Aq është e vërtetë kjo sa që në marsin e vitit 1991, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, si ish i përndjekur politik, kam marrë pjesë në një tubim që, në shpalljen e vënë jashtë, i kushtohej themelimit të së Djathtës shqiptare. Organizatorët e saj ishin Ardian Klosi dhe Edi Rama, sot kryetar i PS. Kjo ndodhte kur e djathta e Mërgatës shqiptare, Blloku Indipendent shprehej per mbështetjen e tij të plotë Partisë Demokratike. Ata që krijuan PD, nën shkopin e dirigjentit, në përputhje me Manifestin e Katovices gorbaçoviane, i dijnë mirë hollësitë e atij proçesi shoqëror e politik jo moral por pragmatist, e ndoshta, para se të kalojnë në gjygjin hyjnor, do të kenë mirësinë t’u a lenë të shkruar bashkatdhetarëve të tyre atë të vërtetë. Dola pak nga tema e bisedës, sepse shprehja e ambasadorit, më shumë se për një kundërshtim, kishte nevojë për një saktësim. Në Shqipëri e majta është e pranishme në të gjitha nuancat e saj, që nga e kuqja e gjakut deri tek e kaltërta apo bluja, duke patur si modele simotrat e tyre evropiane e botërore, E djathta. si mendim politik, mund të përfaqësohet nga ndonjë individ apo studjues i rrallë. Edhe ky fakt është një nga veçantitë e realitetit tonë, në ndryshim nga të tjerët.

Shprehjet e ambasadorit janë aq të rënda sa i ngjajnë një tajfuni, nga ato që asgjësojnë gjithshka që gjejnë përpara. Edhe përmasa më e pakët e dinjitetit vetiak, po të ishte e pranishme tek përfaqësuesit e klasës drejtuese shqiptare, në politikë, drejtësi, administratë etj., do t’i kishte shtyrë këta zotërinj e zonja të përpiqeshin, qoftë edhe për sy e faqe, të përgënjeshtronin fjalët e ambasadorit. Në gjithë aradhën e tyre vetëm Ministri i Drejtësisë u mundua të shfajësohej, duke renditur rregullat e rregulloret për postin e tij, por jo duke kundërshtuar padinë e ambasadorit. Të tjerët heshtën, duke pranuar me atë heshtje vërtetësinë e atij pohimi.

Mbas ambasadorit foli Kryetari i Kuvendit, i njohur për përpjekjet për t’u paraqitur si njeri i dialogut, i “urtësisë politike”, i “klimës së ngrohtë” me kundërshtarët. Në fjalën e tij nuk gjeta asnjë shenjë në lidhje me varretë e ambasadorit. Z. Meta lakoi fjalën “magjike” “Vetting”, që prej muajsh ka pushtuar politikën shqiptare dhe jo vetëm atë. Është koncepti i asaj fjale që prish gjumin e znj. Vllahutin, të z. Lu, madje dhe t’atyre sipër tyre si znj. Mogherini apo znj. Nuland, që përsëritet në çdo dalje të Kryeministrit Rama e që shmanget me pak bezdi nga drejtuesit e PD, nga Berisha tek Basha. Prej të parëve quhet si “guri filozofal”, i aftë të zgjidhë të gjitha problemet e panumurta të kalesës shqiptare, prej të dytëve si një farë “Kali i Trojës”, që do t’i verë flakën ngrehinës pas komuniste shqiptare. Ku qëndron e vërteta ?

Simbas mendimit tim modest, as në njërën as në tjetrën tezë. Vettingu që, në përfytyresën e përgjithëshme, është kriteri i zgjedhjes dhe shoshitjes së gjyqtarëve e prokurorëve, vlerësohet jo vetëm në vështrimin e PS, por edhe të ndërkombëtarëve, si rruga e vetme për të moralizuar, jo vetëm sferën juridike e gjyqësore t’administratës shqiptare, por është edhe rruga më e shkurtër për të vënë në hullinë evropiane të gjithë realitetin tonë. Sigurisht Vettingu është i rëndësishëm për ndryshimet e nevojshme në Shqipëri,  nëse ai nuk do të kufizohej vetëm në krijimin e një organigrame të re “revolucionare” të organeve të Drejtësisë, por do të vazhdonte pa humbur kohë në fazën tjetër, n’atë të moralizimit të politikës, që më duket se është një nga problemet themelore të shoqërisë e të Shtetit tonë. N’atë rast mund të flitet për një çast kthese historike në shoqërinë shqiptare. Por…. një mundësi e tillë, më duket se i ngjan më shumë një mirazhi, ndaj të cilit, sa më shumë kujtojmë se i afrohemi, aq më shumë na largohet.

Është vështirë të besohet se një Shtet, i cili deri para dy muajsh mbante n’organikën e tij “Eskobarin e Ballkanit”, edhe se gazetat e huaja kishin shkruar për veprimtarinë e tij poliedrike të paligjëshme, edhe se shërbimet e huaja kundër drogë kishin lajmëruar me kohë për rrezikshmërinë e tij, duke kërkuar arrestimin, të ketë në vetvete në qelizat dhe indet e skuadrës së tij qeverisëse dëshirën, aftësinë apo vullnetin për të shëruar gjëndjen komatoze në të cilën gjindet Shqipëria. Po e quaj komatoze gjëndjen e saj, sepse një popull që voton e zgjedh kriminelë të përmasave të ndryshme në drejtimin e punëve të tij, një Shtet që me vullnetin e tij kthehet në një “Kolumbi t’Evropës”, ku jetesa e qytetarëve si dikur në piramidat financiare, bazohet mbi kultivimin e transportin e kanabisit, pra në rrugët e paligjëshme, është vështirësisht e besueshme të ndryshojë, sa hap e mbyll sytë, si pasojë e aktivizimit të disa dhjetra gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët nuk dihet si do të zbresin nga “qielli”.

E keqja e Shqipërisë mbetet pikërisht ajo klasë drejtuese që, edhe e vënë para padive të bashkëpunimit me krimin e organizuar, as skuqet as zverdhet, por paturpësinë mundohet t’a shkarkojë brënda species, duke vazhduar të mashtrojë e të dëmtojë pafundësisht interesat e shqiptarëve. Kundërshtija, në dukje,  mes përparësisë së dekriminalizimit apo Vettingut, në të cilën prej muajsh Shumica qeverisëse dhe Opozita përpiqen të fajësojnë njëra tjetrën, më duket një flluskë sapuni, mbasi të dyja dukuritë plotësojnë njëra tjetrën, duke moralizuar jetën e Shtetit, nëpërmjet rivendosjes së ligjëshmërisë në trupin e tij.

Ҫështja Balili ka nxjerrë lakuriq para shqiptarëve e para botës pikërisht problemin e zbatimit të ligjëshmërisë. Si një dukuri e veçantë, apo si maja e dukurive të paligjëshme që kryhen në Vendin tonë, ajo nuk mund të ketë një përgjegjësi të përgjithëshme, duke përjashtuar këtu mendësinë e pasurimit të shpejtë e me mjete të paligjëshme, edhe kjo gjithmonë e lidhur me shëmbullin e keq të politikës në këta vite. Përgjegjësia, e thënë hapur e pa mëdyshje, bie mbi Qeverinë e hallkat e saj të rendit publik, por edhe mbi organet prokurorisë e të hetimit.

Në majin e këtij viti autoritetet greke zunë një sasi prej më shumë se 700 kg. kanabis, duke arrestuar 15 vetë e duke lëshuar një udhër arrestimi për Klement Balilin. Ky ishte i dyti mbas atij të Gjykatës për Krimet e Rënda të Tiranës, ndërsa ai prehej i qetë në detyrën e tij të Drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë, posti më i përshtatëshëm për të trafikuar drogën në Jugun e Shqipërisë, në Greqi e prej andej n’Evropë, kryesisht n’Itali. Ja çfarë shkruante më 16 maj 2016 gazeta kryesore italiane, “Corriere della Sera” e Milanos, ndërmjet të tjerash :

… Trafikantët parapëlqejnë Milanon si vend mbrritje përfundimtare, sepse n’atë rast çmimet ngrihen me 700 – 800 euro kg. Në krye të asaj ngarkese dhe të dhjetra të tjerave, është një i padyshueshëm, i mbiquajtur “Eskobar i Ballkanit” dhe i kërkuar në gjysmën e Evropës. Klement Balili është një manaxher i Shtetit, një njeri i besimit të Qeverisë shqiptare që përsëri ka rënë në telashe të mëdha me narkotikët. Ditët e shkuara Dea, agjensia kundër drogë amerikane, ka bërë kritika të thella mbi shkallën e komprometimit mes “aparatit” dhe trafikantëve. Nga ana tjetër nuk është zgjidhur ende çështja e bujshme e Dritan Zaganit, polici që në kërkimet e tij kishte arritur shumë afër ministrit të Brendshëm shqiptar…… Simbas akuzës Ballili…. përdorte rolin institucional për të lëvizur drogën dhe të njihte në kohë reale veprimet e gjykatësve e të policëvet. Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk shkon është e njohur : kriminelë pranë arrestimit nga hetues të huaj marrin një fryrje në vesh dhe zhduken…”

Kur arrin informacioni në këtë përmasë në një gazetë, sado e rëndësishme të jetë, organet e  Hetuesisë e të Drejtësisë e kanë përfunduar hetimin e tyre, pra çështja është e njohur në interpolin evropian. Pas një shkrimi të tillë Qeveria, Prokuroria e Përgjithëshme, organet e zbulimit, që kanë si detyrë të parë mbrojtjen e interesave dhe të imazhit të Vendit të tyre në botë, duhej së paku të mbanin nën një mbikqyrje të rreptë 24 orë në 24, zyrtarin e tyre në Sarandë dhe, në çastin që do të shihnin një përpjekje largimi nga ana e tij, t’a ndalonin. Nuk u bë asgjë nga këto, u kërkuan “provat” dhe pak ditë para se ato të arrinin, nëpërmjet një dosjeje prej 10.000 faqesh(!!!) të Prokurorisë greke e të Deas amerikane, Klement Balili u zhduk, u bë i “pakapshëm” për dyqind policët në “ndjekje” të tij….

Ky nuk është vetëm një turp i madh për Shqipërinë dhe drejtuesit aktualë të Shtetit të saj, por është edhe një dukuri që detyron të tjera veprime. Në historinë e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit demokratik dhe Lindjes komuniste, ka patur raste të dorëheqjes së Qeverive perëndimore, edhe për faktin e vetëm se në rrethin e bashkëpuntorvet të Kryeministrit zbuloheshin spiunë të shërbimeve të fshehta të shteteve kundërshtare. Një trajtim kaq “bamirës” i problemit të Balilit, që diskrediton botërisht Shtetin shqiptar, nuk mund të mos ketë pasoja të drejtpërdrejta. Ose Kryeministri e Kryetari i Shtetit janë të vendosur të nxjerrin përgjegjësitë e vartësve të tyre në këtë çështje tepër të shëmtuar, ose dhe ata së bashku me të tjerët duhet të japin dorëheqjet. Kështu Shqipëria, së bashku me miratimin e Vettingut për sistemimin e Drejtësisë, duhet të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, në të cilat populli të shprehet qartë nëse pajtohet me Shtetin mafioz, që ve në bazën e ekonomisë së tij kultivimin dhe eksportimin e drogës n’Evropë, apo kërkon një alternativë qeverisjeje të denjë për një shtet antar të Bashkimit evropian.

Në të kundërt, nuk ka Vetting që të hapë dyert e Bashkimit evropian për Shqipërinë. Para kësaj gjëndjeje është detyrë e cilitdo shqiptari, kudo në botë të mos heshtë, për t’i treguar botës, miqve dhe kundërshtarëve se Shqipëria nuk do të jetë modeli i shtetit  mafioz, por kërkon të jetë “nji Zonjë e randë”, siç e projektuan Etërit e Kombit më 1912, e siç e dëshiruan studentët e dhjetorit 1990.

 

Dhjetor 2016

Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”

Dr. Elez BIBERAJ: Pa lirinë e Shtypit, konsolidimi i demokracisë është një ëndërr e zbrazët

Dr. Elez BIBERAJ

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

 Zëri i Amerikës

Është kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në këtë takim të rëndësishëm. “Zëri i Amerikës” ndan synime të përbashkëta me IREX-un, këtë organizatë të rëndësishme: Mbështetjen e lirisë se fjalës; Nxitjen e llogaridhënies nga zyrtarët dhe institucionet qeveritare; Dhe fuqizimin e mediave të lira në vendet e Ballkanit, të Evropës Lindore dhe në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Ne të “Zërit të Amerikës” jemi jashtëzakonisht krenarë për marrëdhëniet e thella e të gjata me shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit dhe te rajonit të Euroazisë në përgjithësi. Në muajin maj, ne kemi shënuar 75-vjetorin e transmetimit të pare të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Që nga fillimi i transmetimeve dhe gjatë gjithë këtyre dekadave, “Zëri i Amerikës” ka shërbyer si burim i besueshëm lajmesh dhe informacionesh dhe besoj qe ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje te aspiratave të shqiptarëve për një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike.

 

 

Ky takim po zhvillohet në një kohë mjaft kritike, kur media në rajon ballafaqohet me sfida të mëdha. Krahasuar me disa vite më parë, shumë vende janë aktualisht më pak demokratike, Media e tyre është më pak e lirë dhe e pavarur. Sot, ne jemi dëshmitarë të një sulmi të gjithanshëm kundër të vërtetës, përpjekjeve për manipulimin e opinionit publik, të përhapjes se lajmeve dhe informacioneve të rreme dhe të mos-respektimit të parimeve kryesore të gazetarisë. Media në këtë rajon gjithmonë është përballur me probleme, por vështirësitë e tanishme duken më sfiduese. Vonesa e konsolidimit të demokracisë është shoqëruar me shtimin e trysnisë politike dhe vendosjen e kufizimeve të ndryshme ndaj medias. Pothuaj pa përjashtim, qeveritë përpiqen të ndikojnë rrjedhjen e lajmeve, duke kontrolluar mediat kryesore. Pronarët e stacioneve kryesore televizive janë të prirur të hynë në aleancë me ata që janë në pushtet. Gazetarë të pavarur përballen me kërcënime dhe ndonjëherë edhe me sulme fizike, që pastaj i detyrojnë ata të ushtrojnë vet-censurë. Rusia dhe vende të tjera me qeveri autoritare kanë ndërmarrë përpjekje të gjithanshme për të minuar parimet dhe vlerat demokratike perëndimore dhe për të penguar integrimin e plotë të vendeve ish-komuniste në institucionet Euro-Atlantike.

 

Përhapja shumë shqetësuese e të dhënave të rrejshme dhe manipulimi i te vërtetës. Mediat sociale janë kthyer në fushëbeteja politike. Këto prirje negative mund të çojnë në rënien e besueshmërisë së medias dhe në deformimin e rolit te saj tradicional si pushteti i katërt. Ato kërkojnë një përgjigje të gjithanshme dhe të bashkërenduar – jo vetëm nga gazetarët dhe nga shoqatat e tyre, por nga sektorët më të rëndësishëm të shoqërisë: shoqëria civile, institucionet të rëndësishme, intelektualët, dhe parlamentarët. Është gjithashtu e domosdoshme që të bëhen më shumë investime në ngritjen e profesionalizmit dhe respektimin e standardeve më të larte gazetareske. Në këtë periudhë disinformatash të gjithanshme, fushatash propagandiste dhe njoftimesh të rrejshme, “Zëri i Amerikës” është i përkushtuar: të shërbejë si model i medias së lirë; të ushtrojë gazetari të përgjegjshme e t’u përmbahet standardeve më të larta të gazetarisë; dhe të mbrojë lirinë e fjalës kudo. Zëri i Amerikës ka ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos në trojet shqiptare. Sipas anketave të fundit, Zëri i Amerikës ka një nivel shikueshmërie prej 60.5% në Shqipëri, dhe 64% në Kosovë. Në shkallë botërore, ne kemi një audience javore prej 240 milion njerëzish dhe 86% prej tyre shprehin besim në lajmet dhe informacionet që ne transmetojmë. Zëri i Amerikës i përmbahet parimit të shenjët se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënie për veprimtarinë e tij. Lajmet dhe informacionet e bazuar në fakte përbëjnë përgjigjen më të mire ndaj propagandës dhe disinformimit. Siç ka thënë gazetari i njohur amerikan Edward R. Murrow: “E vërteta është propaganda më e mirë, gënjeshtra është më e keqja. Nuk mund ta bindësh dikë, nëse ai nuk ka besim tek ti; e që të ketë besim tek ti, ti duhet të jesh i besueshëm; e që të jesh i besueshëm, ti duhet të thuash vetëm të vërtetën.” Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një rendi demokratik. Pa të, konsolidimi i demokracisë është një ëndërr e zbrazët.

 

 

 

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI: Mbi të gjitha, bota arabe ka nevojë për lirinë e fjalës – Nga Frank Shkreli

 

Siç është informuar tanimë mbarë opinioni botëror, gazetari i njohur saudit Jamal Khashoggi mendohet të jetë vrarë, pasi është zhdukur nga qarkullimi më 2 Tetor, mbrenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas disa lajmeve që citojnë zyrtarët turq, Jamal Khasshoggi është vrarë brenda Konsullatës saudite, në një vrasje që ata e cilësojnë si “me paramendim”, e kryer nga një grup prej 15 burrash nga Arabia Saudite.  Ndërsa autoritetet saudite kanë thënë se Khashoggi është larguar nga konsullata, i pa dëmtuar fizikisht, pak kohë pasi kishte arritur në ndërtesën e përfaqësisë diplomatike saudite në Stamboll.

 

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, pas takimit me udhëheqësit sauditë dhe turq këtë javë, për të biseduar mbi këtë çështje, informoi të ënjten Presidentin Donald Trump duke i kërkuar atij t’i japë Arabisë Saudite edhe disa ditë të tjera, për të përfunduar hetimin rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, para se të njoftohet ndonjë reagim zyrtar ose marrje masash nga ana e Washington-it kundër Riadit, si përfundim i vrasjes së gazetarit Khashoggi.  Në këtë ndërkohë, po shtohen trysnitë ndërkombëtare ndaj Washingtonit që të reagojë me masa të ashpra ndaj atyre që kanë ndërmarrë këtë anti-njerëzor.  Para se të zhdukej nga qarkullimi, gazetari Jamal Khashoggi — duke folur për masat shtypëse ndaj medies në Egjipt dhe në Arabinë Saudite — kishte paralajmëruar se fatkeqsisht, “Masa të tilla të shtypëse kundër medies në ato vende nuk tërheqin më kritika nga komuniteti ndërkombëtar dhe se autoritetet në ato vende nuk pësojnë asnjë pasojë për shtypjen e lirisë së medies në vendet e tyre”.

 

Jamal Khashoggi ishte njëri prej gazetarëve dhe komentuesve politikë më të njohur sauditë dhe të botës arabe në përgjithësi, me një karierë gazetareske prej pothuaj 30-vitesh.  Megjithëse për një kohë të gjatë ishte i afërt me familjen mbretërore saudite, Jamal Khashoggi me shkrimet e tija, më vonë siguroi një reputacion si reformist dhe mbrojtës i lirisë së fjalës, duke kritikuar, ndër të tjera edhe, politikën rajonale dhe të mbrendshme të Arabisë Saudite.  Gjatë karierës së tij, ai ka shkruar për një numër gazetash arabe dhe për gazeta ndërkombëtare, përfshirë gazetën amerikane Washington Post.  Washington Post, botoi të ënjten atë që thotë se është shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilin ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe.  Redaktorja e gazetës së kryeqytetit amerikan, Karen Attiah, duke paraqitur për lexuesit komentin e fundit të shkruar nga gazetari Khashoggi për Washington Post, shprehet se artikulli vërtetë pasqyron angazhimin dhe pasionin e tij personal për liri në botën arabe — një liri, për të cilën siç duket, ai dha jetën e tij.

Jamal Khashoggi e fillon komentin duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe, ndërsa citon raportin e organizatës amerikane të drejtave të njeriut, “Freedom House” për vitin 2018, sipas të cilit, vetëm një vend i mbarë botës arabe klasifikohej si i “lirë”, e ai vend është Tunizia.  Jordania, Maroku dhe Kuvajti karakterizohen, sipas tij, si vende “pjesërisht të lira”, ndërsa pjesa tjetër e vendeve të botës arabe cilësohen, si “jo të lira”.  “Si përfundim”, shkruan ai, “Arabët që jetojnë në këto vende “jo të lira”, nuk janë të informuar ose janë të keq-informuar”, për ngjarjet ndërkombëtare, përfshirë  vendet e tyre dhe botën arabe.   Si rrjedhim, ka shkruar Khashoggi në artikullin e fundit, “Ata nuk e kanë të mundur të merren me çeshtjet rajonale dhe të ditës së përditshme që u interesojnë atyre, aq më pak t’i diskutojnë ato publikisht.  Një pjesë e madhe e publikut arab bie viktimë e shpjegimeve zyrtare të këtyre shteteve — shpjegime që dominojnë psikozën publike — megjithëse shumë prej tyre nuk i besojnë versionet zyrtare.   Fatkeqësisht, kjo situatë nuk ka të ngjarë që të ndryshojë”, potencon Jamal Khashoggi, në shkrimin e tij të fundit në gazetën amerikane Washington Post.  Madje edhe Libani, që dikur konsiderohej si shëmbull përsa i përket lirisë së shtypit në botën arabe, tani ka rënë viktimë e polarizimit dhe influencës së Hezbollahut pro-iranian, ka shkruar Khashoggi në artikullin e botuar në gazetën amerikane Washington Post.

 

                                      

Jamal Khashoggi

 

Prandaj, thekson ai, “Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurojnë për pushtet”, shkruan ai.  “Gjatë Luftës së Ftohtë, Radio Evropa e Lirë, e cila gjatë viteve u bë një institucion mediatik kritik, luajti një rol të rëndësishëm, (për vendet ish-komuniste) duke mbajtur gjallë shpresën për liri.  Arabët kanë nevojë për diçka të njëjtë”, ka sugjeruar Khashoggi në artikullin e fundit të botuar në gazetën amerikane.

 

Bota arabe kishte shpresë të madhe për liri gjatë të ashtuquejaturës pranverë arabe   të vitit 2011, ndërkohë që, sipas tij, gazetarët, akademikët dhe popullësia arabe në përgjithësi, shpresonin për një të ardhme më të ndritur dhe për një shoqëri arabe të lirë në vendet e tyre, respektive.  “Ata prisnin të emancipoheshin nga hegjemonia e qeverive të tyre dhe nga ndërhyrjet e pandërprera dhe nga censura e ashpër mbi shpërndarjen e lirë të informacionit.  Këto pritshmëri e shpresa u shuan shpejt, ndërkohë që këto vende ose iu këthyen statu-kuosë së mëparshme ose u përballen me kushte dhe më të ashpëra se përpara”, theksohet në artikullin e fundit të Khashoggit, në gazetën Washington Post.  “Ishte një kohë”, shkruan ai, “kur gazetarët mendonin se Interneti do t’a çlironte njëherë e mirë përhapjen e lirë të informacionit nga censura zyrtare dhe nga kontrolli mbi medien.  Por këto qeveri, ekzistenca e të cilave varet nga kontrolli i fjalës së lirë dhe informacionit e kanë bllokuar në mënyrë agresive Internetin.   Gjithashtu, ato kanë arrestuar gazetarët vendas dhe u kanë bërë trysni kompanive të ndryshme që të mos reklamojnë produket e tyre në gazetat specifike, duke i dëmtuar ato edhe ekonomikisht”.

 

Në shkrimin e tij për gazetën Washington Post, gazetari saudit Jamal Khashoggi, shprehet se megjithë gjëndjen kritike të lirisë së medies në pjesën më të madhe të botës arabe, aty-këtu, ekziston ndonjë vend ku ende mishërohet fryma e “Pranverës Arabe”.  Ai ka përmendur Katarin si një vend i cili vazhdon të mbështet mbulimin e lajmeve ndërkombëtare, në krahasim me përpjekjet e fqinjve të tij, për të kontrolluar përhapjen e lirë të informacionit, në mbështetje të “rendit të vjetër arab”.  “Bota arabe”, sipas Jamal Khashoggit, ka nevojë për një media trans-nacionale ashtuqë qytetarët të kenë mundësi të informohen rreth ngjarjeve botërore.  Për më tepër”, ka shkruar ai, “Kemi nevojë për një platformë për t’u përdorur nga zërat e ndryshëm arabë”.  Duke iu referuar botës arabe, ai përfundon duke thënë se, “Ne vuajmë nga varfëria, keq-menaxhimi dhe arsimi i dobët.  Nepërmjet një forumi të pavarur ndërkombëtar, larg influencës së qeverive nacionaliste (arabe) që përhapin urrejtje nepërmjet propagandës — qytetarët e thjeshtë të botës arabe do të kishin mundësi të merreshin me zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen shoqëritë, në të cilat ata jetojnë”, ka përfunduar ai artikullin e fundit të jetës së tij për gazetën Washington Post.

 

Dikush mund të pyes se ç’na duhet ne shqiptarëve të dimë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe e kudo tjetër.  Për më tepër pse të informohemi për vrasjen e një gazetari arab të cilin as nuk e njohim dhe shkrimet e të cilit nuk i kemi lexuar.  Në mendimin tim, ka rëndësi që lexuesit shqiptarë të informohen për ngjarje të tilla, sepse mënyra — dhe ky nuk është i vetmi rast — siç duket aq brutale e vrasjes së një gazetari, vetëm e vetëm se në shkrimet e tija mbështet fjalën e lirë për veten dhe për bashkatdhetarët e tij — duhet të jetë një shqetësim serioz për të gjithë ne kudo, në Shqipëri, në Kosovë në Evropë, por edhe në Amerikë. Përpjekje të tilla për kufizimin e fjalës së lirë me ligj, duhet të konsiderohet si një kërcënim edhe për liritë e tjera bazë të njeriut.  Vrasja brutale e gazetarit saudit, Jamal Khashogg-it duhet të jetë një paralajmërim ogurzi — për ata udhëheqës kudoqofshin, të cilët flirtojnë me ide për “paketa ligjore anti-shpifje”, si një mjet për të kufizuar lirinë e medies — se ku mund të çojnë masa të tilla kundër lirisë së të shprehurit dhe rreziqet që mund t’i kanosen një shoqërie që pranon propozime të tilla me duar kryq, të imponuara nga lartë.  Vaj medet për atë shoqëri!

 

Fatkeqësisht, një zë i fuqishëm arab në mbrojtje të lirisë së fjalës, siç ishte ai i Jamal Khashoggi-t, nuk është më.  Zëri i tij mund të jetë heshtur përgjithmonë nga armiqtë e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë, por fjalët e tija në mbrojtje të fjalës së lirë në vendet arabe në veçanti dhe në botë në përgjithsi, nuk do të shuhen kurrë!

 

Frank Shkreli

Bisedimet Dardani-Serbi duhet t’i udhëheqë Uashingtoni – Nga GANI MEHMETAJ

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO duhej t’u prinin nga fillimi bisedimeve të Dardanisë me Serbinë, nëse kishte nevojë për bisedime të këtilla. ShBA-të e BE-ja nuk është dashur të lejojnë cirkun e vajtje-ardhjeve maratonike në mes të Prishtinës e Beogradit në Bruksel, sepse Serbia ka dëshmuar edhe në të kaluarën, dëshmon edhe tash se nuk dëshiron të zgjidhë asnjë problem në Gadishullin Ilirik. Ndërkaq, shtetarët e Dardanisë nuk janë treguar as të shkathët në bisedime, as që i përfill kush në propozime. Por edhe sikur ta kishim diplomacinë elitare, bisedimet me Serbinë do të dilnin shterpe.
Serbia është shkaktari i krizës, ndërsa shkaktari i krizës nuk mund të jetë çelësi i zgjidhjes. Është një gabim nismëtar diplomatik, që po na hakmerret, sepse çdo funksion elementar i shtetit tonë është paralizuar nga kushtëzimet serbe. Serbia e humbi luftën me 1999, prandaj bashkësia ndërkombëtare s’duhej t’ia pranonte diktatet. Kushtëzimet nuk duhej t’ia pranonte as shteti ynë, edhe atëherë kur s’mund t’i kundërvihej ushtarakisht, mjaftonte të tregonte vullnet kundërshtimi këmbëngulës.
Prishtina duhej të hiqte dorë nga bisedimet shterpe në Bruksel, kur shihej se delegacionet tona kot shkonin atje, pa asgjë ktheheshin, sepse serbët i përsërisnin gjërat e njëjta si papagalli pa afruar asgjë.
Serbët e nxitën luftën në disa shtete të gadishullit, bënë gjenocid në Dardani, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, prandaj bashkësia ndërkombëtare gaboi kur i dha mundësi të kushtëzonte bisedimet me shantazhe. Kroatët u dhanë fund që në fillim shantazheve serbe me sëpatën e dardharit e me diplomacinë e të mençurit. Ne nuk e patëm forcën ushtarake të kroatëve, nuk e patëm as mençurinë e diplomatëve. Ndërsa nuk ua kërkuam ndihmën, as nuk i përfillem shpëtimtarët tonë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë etj.
Prandaj që të mos vazhdoj edhe më tutje cirku maratonik Beograd- Prishtinë, është mirë që bisedimet t’i udhëheq Uashingtoni, sepse pos që e kanë forcën ushtarake të zbatimit të marrëveshjes, ata e kanë edhe aftësinë që ta bindin Serbinë, ashtu si duhet t’i bindin. Serbët e kuptojnë gjuhën e amerikanëve më mirë se kushdo.
Nëpër kuluare thuhet kinse “korrigjimet” i kërkon SHBA-ja, zyrtarët më të lartë amerikanë i mohojnë publikisht shpifjet e tilla. Pse të mos ua mbyllim gojën fjalëve të kuluareve?
Është gabim tjetër i pafalshëm që iu dha mandati kryeministrit shqiptar Edi Ramës të zhvillojë bisedime me kryeministrin serb në Nish për fatin e Dardanisë. Ky shtetar i shantazhuar me dosje e i lëndueshëm politikisht e bëri rrëmujë shtetin e vet. Si mund të negociojë për neve atëherë?
Shteti ynë i ri gjendet para një kthesë dramatike, të ngjashme me vitin 1998-99. Atëbotë, ia kërkuam Amerikës e NATO-s ndërhyrjen urgjente, sepse nuk mund ta dëbonim agresorin serb, nuk mundem ta shpëtonim kombin nga gjenocidi e rreziku i shfarosjes. SHBA e NATO na çliruan e na shpëtuan. Do të na ndihmojnë e do të na nxjerrin nga situata kritike edhe tash, po i morën ata frenat e bisedimeve. Përgjegjësinë do ta kenë shumë më të madh se sa tash si vrojtues pasivë.
Jam i sigurt që nuk do t’ua kërkojmë ndihmën, por ata duhet të ndërhyjnë pa na pyetur sa s’është bërë vonë.

FOTO: Ashtu si e dëbuan Serbinë nga Dardania, SHBA mund ta dëbojnë edhe politikisht Beogradin pa ia dhënë territor tonin: – Avionët amerikanë duke bombardua Serbinë.

Për bashkëkombësit e mi përtej Drinit – Jugosllavia e Titos ishte Serbia e zgjeruar – Nga GANI MEHMETAJ

Të mbërthen tmerri kur i lexon bashkëkombësit përtej Drinit sa pak dinë për Josip Broz Titon e për ish-Jugosllavinë, dhe sa më kompetencë e përgjërim flasin për një shtet fantazmë që u shpartallua me viktima të shumta. Nuk e dinë as nuk duan ta dinë se Jugosllavia u ndërtua mbi krime të mynxyrshme e gjenocid. Ideatori francez i Jugosllavisë së parë më 1932 bëri vetëvrasje, kur e pa me sytë e vet sajesën që e kishte menduar ndryshe, ndërsa i doli monstër që hante kombe.

Pas Luftë së Dytë Botërore, serbët që e sajuan Jugosllavinë e dytë, bënë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj italianëve në bregdetin dalmat, kryesisht në Istri, bënë gjenocid ndaj gjermanëve e hungarezëve vendës në Fushën e Panonisë, vranë mijëra kroatë e sllovenë që nuk e pranuan diktaturën serbe me emër të Titos. Serbët u bënë të  vetmit komunistë mu si rusët. Shqiptarët e Enverit kopjonin serbët si majmuni që kopjon zotërinë e vet.

Ndërkaq, serbët që e kolonizuan Slloveninë e Kroacinë ishin primitivë, të dhunshëm, arrogantë e cinikë. Primitivë, të dhunshëm, arrogantë e cinikë ishin kolonistët serbë edhe në Dardani. Kështu, askush nuk e besonte parajsën e Jugosllavisë së vëllazërim-bashkimit, pos nipat e Enver Hoxhës.

Prandaj pakënaqësia e kombeve sllave-kroate e sllovene dhe e shqiptarëve të Dardanisë e fundosi Jugosllavinë. Serbët parazitë e përtacë e kishin në dorë Armatën jugosllave, administratën federative, shërbimin sekret federativ, diplomacinë etj, ndërsa fondet për armatim e mbajtje të ushtrisë i vilnin nga Sllovenia, Kroacia e Dardania. Vetëm Beogradi e shfrytëzonte dyzet për qind të buxhetit të Jugosllavisë. Tito i dinte këto gjëra, por e pëlqente pushtetin. Titos ia krihnin bishtin edhe Perëndimi, shtete arabe e Bashkimi Sovjetik. Perëndimi ia krihte bishtin edhe Shahut iranian, duke i druajtur terrorit të ajatollahëve e ndikimit rus.

 Por prapë kam frikë se nuk i binda nipat e Enverit se Tito nuk ishte ai që e duan ata, por ishte ndryshe. Sikur të këndellej biles kreu i shtetit shqiptar dhe të mos na fuste në humnerën e frikshme të bisedimit me serbë. Ndërkaq, ndikimi i kreut të shtetit shqiptar mbi shtetin e brishtë të dardanëve është fatal.

Mos i thirrni fantazmat se zgjohen lugetër! – Nga GANI MEHMETAJ

Kam frikë nga shqiptarët e të dy anëve të Drinit që nuk po shkëputën nga fantazma e Enverit dhe nga puthja djallëzore e Titos. Kanë nisë ta vajtojnë në Dardani Titon, e vajtojnë grarishte në Shqipëri Enverin. Titon e vajtojnë fatkeqit e parealizuar edhe në Shqipëri, mu si dardanët e mjerë që e gjakojnë Enverin “e tyre”. Sikur të kishim shtete të mirëfillta do ta ndalonin me ligj Titon e Enverin, mu sikurse e kanë ndaluar në Gjermani Hitlerin.
Bashkëkombës të mi se, mos u mbeten akrepat e orës në vitet e gjashtëdhjeta? Mund të nxjerrim fakte sa të doni se cili vrau më shumë shqiptarë: Tito a Enveri. Tito ishte më i djallëzuar, nuk ua prishte ndërkombëtarëve. Enveri mu si Don Kishoti i shpalli luftë botës së qytetëruar, e bunkerizoi shtetin. Enveri vrau vetëm shqiptarë, Tito vrau më shumë shqiptarë, por vrau edhe kroatë, edhe pse vet ishte kroat. Kur kroatët e kanë shlyer nga historia e tyre, pse duhet ta kujtojmë ne?
Të dytë ishin diktatorë: Tito, diktator me pedigre ndërkombëtare, Enveri me pedigre “kombëtare”.
Mos i thirrni fantazmat se zgjohen lugetër!

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU SI UDHËRRËFYES I SHQIPTARËVE DHE SHËMBULL I SHKËLQYER I DIASPORËS – Nga Frank Shkreli

Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar 2018, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, në Prishtinë po mbahet një konferencë me pjesëmarrje nga studiues shqiptarë dhe të huaj.

Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup. Disa medie të Kosovës kanë njoftuar se ndonëse Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Z. Ramush Haradinaj, kishin premtuar se do të merrnin pjesë në këtë konferencë kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe, asnjëri prej tyre siç duket nuk ishte i pranishëm në këtë tubim, megjithse ishin pjesë e programit të konferencës, të njoftuar më heret.

Përfaqsuesi më i lartë i shtetit dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës që mori pjesë në këtë konferencë akademike, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skenderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra prej figurave më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skenderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Ministri Bytyqi theksoi se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikënisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare. “Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillim vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, tha në fund të fjalës së tij, Ministri Bytyqi.

Një prej të folësve në këtë tubim akademik në Prishitnë ishte edhe Përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Don Lush Gjergji i cili iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: “Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe i afroi Arbët, ashtu edhe sot na afron dhe na bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë”. Në fjalën e tij, Don Lush Gjergji bëri pyetjen se çfarë na mëson sot figura, jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, për kohën dhe hapësirat tona ndërsa theksoi strategjinë largpamëse dhe vendimtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke nënvijuar se, “Takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën. Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.”

Don Lush Gjergji tha se nga Heroi Kombëtar i tyre, shqiptarët në këtë vit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe, mund të mësojnë shumë edhe sot, sidomos për bashkim, për bashkpunim dhe për bashkjetesë me njëri tjetrin. Për një bashkim, theksoi ai, “Si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në të vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale” dhe në bashkpunim nënvijoi ai, “Si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë”. Nga Prijsi i Madh, sipas Don Lush Gjergjit, duhet të mësojmë edhe bashkjetesën, “Si shprehje atdhedashurie dhe flijimi, kërkimi të vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës”, ka thënë ai.

Këtë temë siç duket trajton edhe libri më i ri i autorit Z. Jakup Krasniqi, “Skënderbeu dhe Porositë për Shekullin XXI”, që u përurua të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Duke folur për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, të cilin ai e cilësoi si ndër figurat historike më të larta jo vetëm evropiane por edhe botërore, historiani Jakup Krasniqi ka veçuar faktin duke thekësuar se ne e kemi njohur Heroin Kombëtar Skënderbeun si komandant dhe ushtar i fuqishëm, por duhet ta shohim edhe në këndin e mendimtarit të fortë, të një qeveritari që di çka don dhe jo vetëm për kohën e tij, duke i shërbyer edhe kohëve të tjera. Gjatë promovimit të librit, Z. Krasniqi ka porositur qeveritaret shqiptarë t’a shfrytëzojnë pasurinë e begatë që vjen nga Skënderbeu në të tashmen dhe për të ardhmen tonë, njoftojnë disa burime mediatike të Kosovës.

Ministri Shyqiri Bytyqi e cilësoi Skenderbeun si udhërrëfyesin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit për çlirimin e vendit, ndërsa Don Lush Gjergji u tha pjesëmarrësve në konferencë se Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, “Nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415”, Gjergj Kstrioti-Skenderbeu, sipas Don Lush Gjergjit, “Është shembëll i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “Jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore”. Skënderbeu shtoi ai — “Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona komb-formuese dhe shtet-formuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet — mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona — nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë”, përfundoi Don Lush Gjergji, fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, mbajtur në Prishtinë më 16 Tetor, 2018.

Frank Shkreli

Një harresë e qëllimshme – Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Para pak ditësh dhe pikërisht më 12 tetor, u përkujtua 60-vjetori i hapjes së Shkollës së Mesme Pedagogjike në Vlorë (1958-2018). Tani ajo shkollë nuk funksionon më. Në vend të saj është ngritur dhe vazhdon veprimtarinë e vet Instituti i Infermierisë.
Me këtë rast, u zhvillua një aktivitet përkujtimor, në të cilin morën pjesë ish-nxënës të asaj shkolle, të cilët qenë ulur për herë të parë në bankat e saj. Ata kishin ardhur nga shumë qytete të vendit, si Berati, Fieri, Gjirokastra, Lushnja, Shkodra, Tirana. Të pranishëm ishin edhe të ardhur nga emigracioni, gjer edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dikur nxënës njomëzak, të moshës së pararinisë, tani ishin pushtuar nga thinjat e viteve që kanë lënë pas. Si dikur në klasat e asaj shkolle, të pranishmit thoshnin emrin dhe vitin kur kishin mbaruar maturën. Sigurisht që emocionet ishin të fuqishme. Domosdo. Gjithsecili e ndiente në qenien e vet peshën e gjashtëdhjetë viteve që i rëndonte mbi supe. Sado shumë vite të kalojnë, vitet e shkollës çdonjërit i mbeten të skalitura në honet e kujtesës, jehona e tyre ushton deri në çastet e largimit për në botën e përtejme. Prandaj të gjithë të pranishmit vitet e shkollës i kujtonin me një emocion të jashtëzakonshëm. Sepse ajo shkollë pedagogjike dhe profesorët e saj, nxënësve ua patën skalitur një herë e mirë në mendje atë shprehjen e bukur me vlera aforistike:
“Jeta është shkollë”.
Prandaj jo më kot, shkrimtari dhe gazetari i njohur polak Gabriel Laub (1928-1998), i përmendur për morinë e aforizmave që u ka lënë brezave pasardhës, thotë:
“Ne gjithë jetën mësojmë, pa llogaritur një dhjetëvjeçar që e kalojmë në shkollë”.
Nismën për zhvillimin e atij aktiviteti përkujtimor, e pati marrë një komision prej tre vetash, me në krye ish-nxënësin e maturës së vitit 1963, zotëria Sulçe Çela, i cili profesionin e mësuesit e pati ushtruar për vite me radhë, duke mbuluar edhe detyrën e drejtorit të Shkollës 8-vjeçare të Kotës, tani në moshë pensioni. Mes të pranishmëve ishin prof.dr. Spiro Çaushi, pedagog i Universitetit “Ismail Qemali”, në të cilin ka kryer funksionin e rektorit dhe të zëvendësrektorit. I pranishëm ndodhej edhe Skënder Kamberi, ish-pedagog i kësaj shkolle, Artist i Popullit.
Takimin e çeli një ish-nxënës i maturës së parë, i cili uroi mirëseardhjen në atë takim përkujtimor. Në shenjë nderimi, ai lexoi një listë shumemërore të shokëve e shoqeve që nuk jetojnë më, për të cilët u mbajt një minutë heshtje.
Fjalën kryesore e mbajti organizatori Sulçe Çela, i cili foli për historikun e shkollës, për stafin pedagogjik shumë të përkushtuar, me në krye drejtorin e jashtëzakonshëm, Mësuesin e Popullit Harilla Kuçuli, Kristaq Suli, Marika Bezhani, Epaminonda Papakroni, Vangjel Pici, Kastriot Misja, Bubulina Arapi, Xhevdet Kofina, Koço Baltatori etj. Më pas Sulçe Çela foli për brezat e mësuesve që ka nxjerrë kjo shkollë, duke përmendur veçanërisht emrat e disa personaliteteve që kanë dalë nga bankat e saj, si aktori i njohur prof.dr Birçe Hasko, Mjeshtër i Madh, aktori Anastas Kristofori, prof.dr. Agron Duro, akademik Xhevahir Spahiu, Mjeshtri i Madh i Sportit Gani Mezini, prof.dr. Rahmi Memushaj, gjuhëtar i njohur.
Por në fjalën e vet, zotëria Sulçe Çela, kishte harruar qëllimisht të përmendte emrin e një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare, emrin e maturantes së vitit 1962, zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe e Penës, shkrimtare, poete dhe publiciste e talentuar, autore e 45 librave të botuar në disa gjini letrare, mes tyre 20 romane. Zonja Vilhelme ka rënë në sy me kohë për publicistikën e saj nacionaliste dhe aktivitetin e saj të shquar në këtë fushë të dijes e ka konkretizuar me botimin e disa librave. Mes tyre duhet përmendur libri që i ka kushtuar përsonalitetit të madh të kulturës botërore, prof.dr. Isuf Luzaj, që mban titullin “Rrugëtimi filozofik i prof.dr. Isuf Luzajt”, dhe libri tjetër me titull “Tradhtia e Madhe ndaj Kombit”, dy vepra këto të nivelit akademik.
Krijimtarisë së zonjës Vilhelme i janë bërë vlerësime me mirënjohje dhe me 22 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat veçohen Mirënjohje (Vlorë, Kaninë, Prizren, Greqi, Rumani), Çmimi i parë (Shqipëri, Mali i Zi, Suedi), Çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Itali), Çmimi “Premio Internazionale di Poezia (Firence, Itali, 2011, ku ishte e vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota, të përfshirë në antologjinë italiane në tre vite – 2010-2012), tre Çmime karriere. Ajo është përzgjedhur dy herë personazh i vitit dhe ka marrë medalje argjendi, është vlerësuar me “Penën e Kristaltë” në Suedi, ka marrë “Medalje Ari”me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Penës”.
Po atëherë si është e mundur që zotëria Sulçe Çela, në ceremoninë festive në përkujtim të 60-vjetorit të Shkollës Pedagogjike “Jani Minga”, në listën e personaliteteve që kanë dalë nga bankat e asaj shkolle, nuk e përmendi emrin e zonjës Vilhelme?
Pëgjigjja është e thjeshtë:
Zonja Vilhelme vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë. Babain e saj të nderuar, me prejardhje nga një familje fisnike kaninjote, regjimi diktatorial i kriminelit Enver Hoxha e burgosi padrejtësisht në vitin 1951. Zonjën Vilhelme e patën përjashtuar nga universiteti në vitin 1966, kur i kishin mbetur pa dhënë tre provimet e fundit të diplomës. Universitetin, degën e historisë, zonja Vilhelme e mbaroi në vitin 1975, duke vazhduar punën si punëtore. Por edhe pas marrjes së diplomës nuk e lejuan të punonte në arsim si mësimdhënëse. Sepse shefi i seksionit të arsimit i pati deklaruar në zyrë:
“Ti nuk mund të punosh në arsim, sepse nuk je në gjendje të zhvillosh luftën e klasave”.
Sigurisht që zonja Vilhelme nuk ishte në gjendje të zhvillonte luftën e klasave, me të cilën Enver Hoxha i shkaktoi popullit shqiptar gjëmën e përçarjes së madhe, në përputhje me orientimet e Beogradit, i cili, sipas historianit dr. Kastriot Dervishi, i pati vënë atij tre objektiva kryesore: shndërrimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë në agjenturë të Beogradit, futjen e vendit në luftë civile dhe shfarosjen e përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar. Zonja Vilhelme nxënësve të vet nuk mund t’u fuste në gjak urrejtjen e shqiptarit për shqiptarin, sipas idesë kriminale të Enver Hoxhës. Formimi i saj intelektual, në vazhdën e traditave atdhedashëse nacionaliste, e nxiste që ajo t’i edukonte nxënësit me frymën e dashurisë së shqiptarit për shqiptarin, me frymën e respektit për njëri-tjetrin, me qëllim forcimin e unitetit mbarëshqiptar.
Dhe zonja Vilhelme vazhdoi të punonte si punëtore deri në vitin 1990. Vetëm pas ndërrimit të sistemit, zonjës Vilhelme iu dha mundësia të punonte në arsim. Por profesionin e mësueses në Shkollën “Ismail Qemali”, zonja Vilhelme e vazhdoi deri në vitin 1997. Pikërisht këtë vit e larguan nga arsimi. Me sa duket, valët e luftës së klasave nuk qenkeshin fashitur pas ndërrimit të sistemit. Përvoja e deritanishme në jetën e vendit tonë ka vërtetuar në praktikë se te ne nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, u bë vetëm ndërrimi i tij me një sistem neokomunist. Ky sistem i ri, neokomunist, nuk i persekuton haptas përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve politikë: nuk i burgos, nuk organizon demaskime publike, nuk i internon, por përdor kundër tyre një tjetër model lufte klasash: të përndjekurit politikë i braktis, i anashkalon, nuk u kthen pronat (sipas porosisë së kriminelit Ramiz Alia), përdor kundër tyre armën e heshtjes, armën e urisë dhe të shpërfilljes tërësore.
Majtizmi shqiptar, në heshtje të kujdesshme, nuk i respekton përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve politkë, i përjashton nga politika, sepse ata kanë pasë qenë edukuar me traditat e nacionalizmit shqiptar, kurse nacionalizmi, për majtizmin shqiptar, është një ideologji “antikombëtare”, në përputhje të plotë me politikën e grekosllavizmit.
Kjo është arsyeja që për zonjën Vilhelme, megjithëse ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe aktiviste e shquar e lëvizjes demokratike, asnjëherë nuk u kujtua kush nga radhët e funksionarëve të lartë të kësaj partie që ta përfshinin në listën e kandidatëve për deputetë. Do të ishte në nderin e parlamentit shqiptar që të kishte në radhët e deputetëve një zonjë të nderuar, me prejardhje nga një familje me brumosje nacionaliste. Nuk u kujtua kush, sepse shumica dërrmuese e krerëve të asaj partie mbartte me vete mendësitë e edukatës komuniste: elementi nacionalist nuk duhet të ketë vend në parlamentin shqiptar. Dhe, për fatkeqësinë tonë kombëtare, gjatë këtyre 28 vjetëve që kanë kaluar pas ndërrimit të sistemit, në parlamentin shqiptar, si në asnjë vend tjetër të botës, nuk ka një krah nacionalist. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Sepse majtizmi shqiptar, antinacionalist, ka pushtuar çdo pore të jetës shqiptare. Themelet prej “betoni” të majtizmit shqiptar, të kësaj ideologjie antikombëtare, u hodhën në aleancën e Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për integrim para zgjedhjeve politike të vitit 2009. Kurse në takimin e fshehtë prej pesë orësh të Lulzim Bashës me Edi Ramën më 18 maj 2017, ato themele “u betonuan” edhe më shumë. Sepse Lulzim Basha, me “çimenton” e markës më të fundit që i solli Edi Ramës në atë takim të fshehtë, i çelikosi përfundimisht ato themele.
[Për dijeninë e lexuesve të nderuar, majtizmin shqiptar e vlerësoj si një ideologji antikombëtare, për arsye të lëshimeve skandaloze të njëpasnjëshme që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë politikës greke në dëm të interesave tona kombëtare, për braktisjen e Çështjes Kombëtare të Çamërisë dhe për qëndrimin shpërfillës ndaj Kosovës, krerët politikë të së cilës e kanë shndërruar në një “koloni të pavarur” të shovinizmit serbokaragjoz.]
Pikërisht këto janë arsyet se pse zotëria Sulçe Çela, në ceremoninë festive nuk e përmendi emrin e zonjës Vilhelme, si një figurë e shquar e kulturës shqiptare. Si një përfaqësues i majtizmit shqiptar, zotëria Sulçe Çela, duke mos përmendur në fjalën e tij emrin e zonjës Vilhelme në ceremoninë festive të 60-vjetorit të Shkollës së Mesme Pedagogjike “Jani Minga”, dëshmoi më së miri se ai nuk ka lëvizur as edhe një fije nga piketat që ka vendosur neokomunizmi shqiptar në qëndrimin ndaj përfaqësuesve të shtresës së të përndjekurve politikë, figurat e shquara të së cilës i ka mbuluar me një heshtje të plotë. Por gaboi. Se dielli me shoshë kurrë nuk mbulohet.

Tiranë, 16 tetor 2018

TANI ËSHTË KOHA PËR VEPRIM KUNDËR KORRUPSIONIT! – Nga Frank Shkreli

Konferenca Ndërkombëtare kundër Anti-Korrupsion
Javën që vjen, më 22 deri më 24 Tetor në Kopenhagen të Danimarkës do të mbahet Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit me temën, “Tani është koha për të vepruar”. Kjo konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo dy vjet — e që cilësohet si forumi më i madh ndërkombëtar në luftën kundër korrupcionit — organizohet sivjet nga qeveria e Danimarkës e përfaqësuar nga Ministria e Jashtëme e atij vendi dhe nga organizata ndërkombëtare anti-korrupcion, Transparency International, me ndihmën e degës së saj në Danimarkë.

Sipas të dhënave nga organizata Transparency International, ky forum është mbajtur dy vjet më parë në kryeqytetin e Panamasë ku kanë marrë pjesë më shumë se 1600 përfaqësues nga mbarë bota. Edhe këtë vit, pritet që kjo konferencë ndërkombëtare kundër korrupcionit të mbledhë në Danimarkë, udhëheqës shtetesh, përfaqësues të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe më gjërë, për t’u marrë me sfidat gjithnjë e më të sofistikuara që paraqet korrupcioni kudo në botë. Konferenca Ndërkombëtare anti-korrupsion mbahet çdo dy vjet, në një rajon të ndryshëm të botës, me qindra pjesëmarrës nga më shumë se 135-vende. Punimet e konferencës tre-ditore javën që vjen në Kopenhagen, do të hapen me një fjalim nga Kryeministri i Danimarkës, Z. Lark Lokke Rasmussen. Parashikohet që të mbahen mbi 50-seanca dhe takime plenare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë, ekspertë të njohur, inovues, aktivistë, akademikë dhe përfaqsues qeverishë dhe të shoqërisë civile nga mbarë bota, të cilët do të diskutojnë mbi mënyrat për të luftuar korrupsionin, i cili po dobëson demokracitë në shumë vende të botës, thuhet në njoftimin e Transparency International.

Siç dihet, organizata Transparency International është një ent ndërkombëtar jo qeveritar me qëndër në Berlin të Gjermanisë, themeluar në vitin 1993 me objektivin për të luftuar korrupcionin anë e mbanë botës, me masa anti-korrupsion të shoqërisë cibile si dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që rrjedhin si pasojë e praktikave të korrupsionit.

Korrupcioni në botë, sipas Transparency International, po merr forma gjithnjë e më të ndërlikuara dhe si rrjedhim po dobëson gjithnjë e më shumë proceset e qeverisjes demokratike anë e mbanë botës. Sipas saj, përdorimi i dhunës është në rritje kundër aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të cilët ngrejnë zërin e tyre kundër padrejtësive dhe korrupsionit.

Ndërsa po bëhen përgatitjet përfundimtare për forumin ndërkombëtar të këtij viti kundër korrupsionit, javën që vjen në Danimarkë, Transparency International, nga ana e saj u bën thirrje – siç shprehet ajo — të gjithëve, nga veriu në jug, për të punuar edhe më me bindje dhe me vullnet më të fortë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të bararabart ekonomik dhe shoqëror si dhe drejt një sigurie dhe paqeje të përgjithëshme – si objektiva për një qeverisje më të mirë, që ka për qëllim edhe luftën kundër korrupsionit.

Kjo është koha për të vepruar, thekson Transparaency International, që është edhe tema e konferencës e javës që vjen, në Danimarkë. Sipas këtij enti ndërkombëtar anti-korrupsion, ka ardhur koha tanimë për të këthyer në vepra premtimet dhe angazhimet e konferencave dhe forumeve të mëparshme ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar transparencën nga të gjithë.

Transparency International vepron në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, si pjesë e një veprimi mbarë global anti-korrupsioni, duke sfiduar këtë plagë të rëndë ekonomiko-shoqërore dhe të gjithë ata që e praktikojnë atë kudo në botë.

Në këtë frymë, kjo organizatë u bën thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave kudo në botë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje anti-korrupsion dhe që, njëkohësisht, të bëhet një forcë frymëzimi në luftën kundër korrupsionit. Koha për të vepruar kundër korrupsionit është tani! Si pjesë e festimeve me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Transparency International — në Ditën e Ndërkombëtare të Anti-Korrupsionit më 9 Dhjetor, 2018 — njoftohet se në bashkpunim me Ministrinë e Gjermanisë Federale të Bashkpunim dhe Zhvillim Ekonomik, do të nderohen disa të rinjë e të reja nga mbarë bota, të cilët sfidojnë korrupsionin me mjetet më frymëzuese dhe inovative që është e mundur.

Natyrisht, se përpjekjet serioze të rinisë kudo qoftë kundër korrupsionit dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë në vendet ku jetojnë, do të kontribojnë dukshëm në luftën kundër këtij fenomeni global, por siç sugjeron edhe tema e Konferencës Ndërkombëtare Anti-Korrupsion e javës që vjen në Kopenhagen të Danimarkës – nuk ka kohë për të humbur, pasi koha për veprim kundër korrupsionit, jo vetëm nga të rinjët e të rejat, por nga të gjithë, është tani!