VOAL vazhdon të botojë tregimet me personazhe reale nga vuajtjet në burgjet komuniste të autorit GËZIM PESHKËPIA përfshirë në librin “O njeri…” Sot po botojmë tregimin “Patër Aleksi”:
^
Patër Aleksi
Ecim me autoburgun prej disa orësh. Me sa nuhasim, po udhëtojmë drejt jugut. Jam i lidhur me Patër Aleks Baqlin, at françeskan, i cili vinte në kampin e riedukimit për të plotësuar dekadën e tretë të burgosjes. Kishim biseduar gjatë gjithë rrugës për at Viktor Volajn, mikun tim prej të cilit ruaja kujtimet më të bukura. E pyeta me merakun nëse e kishin arrestuar gjatë “fushatës” së fundit apo jo, po ai më tha se deri ditën e fundit të lirisë së tij, nuk kishte dëgjuar gjë. At Viktori bënte një jetë krejt të izoluar. Priftërinjtë katolikë, veçanërisht ata françeskanë, më kishin tërhequr gjithmonë me patriotizmin e tyre, me përkushtimin ndaj misionit që kishin, me dijet e tyre të thella dhe ndoshta të veshur me një lloj veli misterioz në organizimin e tyre. Kjo e fundit, si rezultat i gjithë asaj propagande të fuqishme që ishte bërë kundër klerit në përgjithësi, por në veçanti ndaj atij katolik, i cili kishte meritën si kultivues i patriotizmit dhe bartës i nacionalizmit shqiptar. Kisha dëgjuar për gjyqin e organizuar në Shkodër kundër patër Ndue Meshkallës duke zgjedhur si dëgjues studentët e institutit pedagogjik. Ky gjyq ishte kthyer në boomerang ndaj organizatorëve të tij. Megjithëse me agjentë të sigurimit dhe injorantë të atij kallëpi që ulërinin “Crucifige”, gjyqi dështoi dhe pati jehonë në mbarë Shqipërinë. Pater Meshkalla, me një fizik sa një grusht, kishte bërë zë si një titan i mendimit e i kurajës. Me erudicionin e tij të spikatur, të cilin nuk e kishin llogaritur persekutorët, ai i kishte vënë në pozitë të papëlqyer së bashku, aktorë e regjisorë.
Patër Aleksin e kishin arrestuar në vendin e punës duke shtyrë karrocën e dorës ngarkuar me tulla. Punonte në ndërmarrjen komunale punë të rënda, megjithëse me fizik të dobët e invalid. Arrestimin ia kishin bërë të bujshëm, ashtu si e kërkonte sëra e një “agjenti” të Vatikanit.
Ishim në mesin e kamionit autoburg. Dora ime e djathtë ishte e lidhur me të majtën e tij. Për të ndezur shkrepësen, unë mbaja kutinë e ai fërkonte kunjin në të, ritual ky që përsëritej shpesh, ngaqë cigaren unë e mbaja si diçka për t’u eglendisur.
-Mos kërko të falur, sepse kam qenë vetë zanatçi i këtij vesi,- më thoshte duke qeshur. Kishte një të folur të ëmbël e të ngadaltë, një i kuq i purpuronte fytyrën dhe shpesh dora e tij e lirë i shoqëronte me lëvizje fjalët. Më dhimbsej pa masë. Më ngjante sikur e kisha parë diku, por më kot rrekesha ta sillja ndërmend.
Përherë kam patur një dukuri amnezie në kujtimin e emrave dhe fytyrave. Së fundi, m’u ndriçua në mendje. Ai më ngjante si shëmbëlltyra e dikujt nga piktura e famshme “Deposizione” e Van der Weyden ku tregohej Krishti që hiqej nga kryqëzimi. I gjori patër! Ishte mishërim i vuajtjes. Të ngjallte një ndjenjë të atillë që gjithkush provon kur ndodhet para një viktime të pambrojtur. Por ai s’e ndiente vehten aspak të tillë . Ai e ndjente pranë “Atë” në çdo çast. Aty ishte burimi i qëndresës së tij e i shokëve të vet. Sa të fortë ndieheshin këta njerëz!
Ishte autori i dramës “Oso Kuka”, e shfaqur me sukses në kohën e pushtimit italian. Aludimi ishte mjaft i prekshëm. Autoritetet e ndaluan.
Patër Aleksi, së fundi, më rrëfeu një shqetësim. Komisari i burgut të Tiranës, kur i kishin dorëzuar sendet personale, i kishte dhënë në dorë rozaret që i kishin gjetur në momentin e arrestimit. Ishin rozare qelibari në sadef të bardhë. Në krye kishin një kryq afro tetë centimentra me statuetën e Krishtit të kryqëzuar. Çdo kokërr ishte e veshur në gjysmën e saj me një punim filigrami. Ishin vërtet të bukura. Këto rozare ishte i porositur t’ia dorëzonte komisarit të burgut. Inskenime të tilla që kishin qëllim poshtërimin e fesë dhe predikuesve të saj, ishin të njohura sidomos në vitin 1967 gjatë “Revolucionit kulturor”. Poshtë, në mes të këmbëve të mia ndodhej një vrimë nga e cila hidhja jashtë bishtat e cigareve dhe derdhnim ndonjë qese plastmasi me të vjellat e atyre që i zinte makina. I thashë t’i hidhnim aty duke e marrë fajin unë përsipër, sikur më kishin rënë padashur nga dora drejt e në vrimë. Patër Aleksi m’u përgjigj: – Ruejna zot! Jo, mor patër nuk due me qitë bela!
I thashë se veç ndonjë jave izolimi, s’do më bënin gjë tjetër, sepse nuk isha katolik, kështu që nuk do të merrej si kundërvënie e organizuar.
- Rri, or patër,- më tha,- se ti i njeh ata shejtanët jashtë, kurse këta të brendshmit i njoh vetë ma mirë.
Ndërkohë, mbas një sfilitjeje të gjatë mbërritëm. Dera së fundi u hap dhe thithëm ajër të pastër. Mbas një udhëtimi afro shtatë orësh në një ambient ku nuk dalloje se çfarë lloj qelbësire kutërbonte, zbritëm ashtu si ishim, të lidhur dy e nga dy prej autoburgut në një oborr, para një dere të madhe me zgarë hekurash. Kisha afro shtatë muaj që s’kisha parë natyrën. Ishte maj. Sytë e uritur rrëshkitën nga gjelbërimi i pyllit tek kecat, tek lulet, tek gurët, te hardhucat dhe kuptova se jeta s’kish ndalur në vend, ashtu siç kishte ndodhur me ne në mes muresh të betonta, izoluar prej kaq kohësh. Vëzhgoja. Të gjithë soditnin ato që njerëzve të zakonshëm s’u tërheqin vëmendjen. Në distancë prej dhjetë metrash, gjashtë ushtarë me automatikë në duar na shikonin të vrenjtur, por jo pa kureshtje. Ne qëndruam në këmbë derisa shoqëruesi i dorëzoi oficerit të rojës dokumetacionin përkatës. Ai na verifikoi sipas kartelave shoqëruese. Patër Aleksi kishte pasur të drejtë, sepse shoqëruesi ynë nga Tirana diçka foli duke parë në drejtim të tij, ndërsa oficeri i rojës, financier, një vllah nga Selenica, u drejtua nga ne dhe i kërkoi priftit rozaret. I mori në dorë dhe i kundroi gjatë. Pastaj i lëshoi ngadalë në kutinë ku ishin kartelat dhe i vendosi mbi një bankë afër barakës së takimeve.
Ndërkaq, te dera afrohej një skuadër të burgosurish që ktheheshin nga puna. Tek porta qëndronte nënoficeri që e quanin Ali. Ai me një shufër të gdhendur me brisk, rrihte çizmet e sapo porta u hap, filloi të numëronte të burgosurit duke lëvizur thuprën për çdo çift, a thua se dirigjonte vazhdimisht me kohën 2/4. Nga zyrat e komandës u afrua komisari i burgut, një shtatmadh me fytyrë të vrenjtur. Ai qëndroi para nesh hijerëndë e duke na parë haptas me urrejtje.
– Cili është prifti katolik prej jush? – pyeti me ton.
– Unë zoti oficer, – u përgjigj patër Aleksi.
-Hëm! U bënë dhjetë vjet që populli rrafshoi kisha, teqe e xhamira, kurse ti vazhdon t’i biesh legenit për t’u prishur mendjen njerëzve me atë propagandën tënde të poshtër. Por sapo të kërkoni terren për atë veprimtarinë tuaj konseguente armiqësore, ta dini se këtu e kini vendin. Ju jeni të vendosur, por ne më shumë se ju dhe këtë besoj se deri më sot e ke marrë vesh. Çfarë i ke këto?
– …
-Fol, për çfarë i ke këto tespije?
-Për t’u lutur.
-Lutu sa të duash, këtu s’të bën dot derman as Zoti e as dreqi. Ali, merr një çekan dhe jepja këtij në dorë.
Të burgosurit e kthyer nga puna qëndronin në një oborr me ne pa hyrë ende në kamp. Shfaqja e organizuar i kishte rezervuar atyre rolin e publikut. Qëllimi diskreditues i shfaqjes si duket bënte pjesë mbas punës së lodhshme në procesin e riedukimit. Aliu u kthye dhe pruri nga kovaçhana aty pranë një çekiç të cilin ia dha patër Aleksit në dorë. Komisari nxori rozaret nga sirtari dhe i vendosi mbi një sofa guri.
-Bjeri!
– …
-Bjeri, të them, dëgjon? Thyeje!
-…
Asgjë s’pipëtinte. Shikoja profilin e patër Aleksit. Veshët i ishin skuqur. Gjaku i kishte hipur në fytyrë. Ai njeri që dukej i frikësuar në atë çast, u tendos dhe shikonte komisarin drejt e në fytyrë pa i lëvizur qepallat e syve. Ai dukej i prerë në qëndrimin e tij. Komisari me trup dy herë sa të priftit, papritur m’u duk si një liliput para tij, ndërsa patër Aleksi mori një dimension të stërmadh. Isha në botën e Swiftit… Sa përjetësisht realë janë David-i e Goliath-i!
Auditori u step i tensionuar. Komisari po vendoste se si do të reagonte…
Situatën e zhbllokoi nënoficer Aliu. Ai ia rrëmbeu nga dora çekiçin patër Aleksit dhe qëlloi mbi statuetën e Krishtit. Rruazat u shpërndanë duke fluturuar në të gjitha drejtimet, ndërsa statueta e Krishtit u thye në copëra. Aliu mori nishan dhe qëlloi me çekan përsëri duke i ulëritur priftit: – Hë more, ku është Krishti yt? Pse s’më vret dhe ai po të jetë vërtet Zot, si thua ti?
Komisari u gajas bashkë me disa fytyra servile, më pas ktheu kurrizin e u drejtua për nga zyra. Trimi Ali, duke u ngërdheshur, flaku çekiçin drejt kovaçhanës. Shikoja profilin e patër Aleksit. Shikoja buzët e tij që mërmërisnin… Kërkonte mëshirë për ata… që dinin se ç’bënin.
Disa ditë më pas më tha: – Ati ynë nuk ka nevojë për ulërima. Ai na e ndjen nevojën që kemi pë kemi për të edhe përmes rrënqethjes së shpirtit…
Kuzhina personale, Agimi, Beqiri e Nasi
Kur udhëtonim me autoburg, patër Aleksi më foli për at Zef Pllumin si një prift franceskan me karakter të fortë. Më tregoi se ç’kishte hequr nëpër burgje që i ri e deri më sot. Ai ishte më i ri se patër Aleks Baqli. Siç ishte zakoni, at Zefi më ftoi dhe mua për kafe meqë isha mysafir i ri e isha shoqëruar me mikun e kolegun e tij, për të cilin mbas mbërritjes në kamp, veç respektit për të, tashmë ndieja adhurim. Shkuam tek kuzhina personale, njëri prej vendeve më të këndshëm të kampit. Ky ishte prezantimi i parë me të. Kuzhina ishte një hapësirë 6 x 8m, e ndarë në mes prej një muri të trashë, të lartë një metër e që në të dyja anët kishte njëzet furnela ku përdorej pluhur briketi i përzier me hi e baltë, i bërë sa një top tenisi apo diçka më i madh, aq sa mund të formohej në mes të dy duarve. Para çatisë ishte një hapësirë nja dy pëllëmbë dhe e zënë me tel gjembaç të thurur nga ana e rrethimit. Që nga muri i kuzhinës e deri tek “kloni” ku ishin karakollet e rojave, ishin afro njëzet metra. Pak përpara se të vinim ne, një i burgosur kishte tentuar të mbërrinte telat e klonit, por roja i kish gjuajtur me breshëri para këmbëve dhe e kishte detyruar të shtrihej pa lëvizur. Nuk ishte marrë vesh nëse ishte tentativë arratisjeje apo vetëvrasje.
Biznesin kulinar e kanë bërë monopol disa vetë, shpjegoi me ironi at Zefi, ndërsa po i afroheshim kuzhinës. Ai iu afrua një meso burri me mustaqe të holla mbi buzë që i frynte zjarrit me një kompensatë të vogël të cilën e mbante nga një bisht gome e që i lehtësonte lëvizjet e shpejta pa lodhur kyçin e dorës.
Agimi e Beqiri
-Agim, të lutem a do më lejojsh të baj tri kafe se na kanë ardh do miq të rinj?
-Posi, patjetër patër Zef, baj pak gajret sa të marri mirë zjarri e mos të qisi tym se i jep erë kafes, – shtoi Agimi i cili nga dialekti shquhej se ishte shkodran. – Ou gërdalla!
-Ik zgërbythje, -u përgjigj një zë basi. Një shtatmadh me lëvizje të ngathta e pak i kërrusur ndali e puliste sytë në hyrje të kuzhinës.
-Jo për zotin, tash i zejë besë atij filmit që na shfaqën ku tregohesh se si u ba njeriu prej majmunit. Kur nxorri ato qaniet prehistorike… dinosaur a ça di vetë si quhen, kam kthye kryet e pashë Beqir Sadikun mbas meje e perimend m’u ba sikur ka dalë prej perdes së kinemasë.- Kaq foli Agimi pastaj i frynte zjarrit, skërmiste dhëmbët e duke qeshur ndër vete, thonte:- He, he, qe ….- Ndërsa Beqiri që nuk orientohej dot për ta rrokur, i rrokulliste një lumë të sharash, shumica zhargon burgu ku kishte kaluar afro tridhjetë vjet të jetës së tij, ndërsa kolegu i tij i kuzhinës aty tek njëzet… Por kjo “grindje” vazhdonte pak, sepse Agimi i dilte nga mbrapa, i lidhte duart në gjoks e i thoshte duke qeshur: – Jo mor Zot, se ty Gimi të ka arushë… -Kurse Beqiri ia priste me përkëdheli: -Ah qen o qen…!
Beqiri kish qenë me çetat e Ballit Kombëtar. Mbas luftës ishte arratisur dy herë në Jugosllavi dhe kishte shumë aventura me UDB-në së cilës i kishte ikur njëherë nga duart, kur po e shpinin me dy të tjerë për t’ia dorëzuar sigurimit në kufi. Të gjorit po i ikte drita e syve. -Vetëm kur ka diell, shoh diçka,- thoshte…
Një herë u rrëzua e u dërrmua tek çezmat nga një lartësi dy metra.
Agimi dukej më i shkathëti e më i suksesshmi ndër kuzhinierët. Pastaj vinin me radhë: Nasi, Hilmiu, Bajrami, Beqiri e të tjerë. Këta ishin të përhershëm, ndërsa shumë të tjerë përkohshëm; vinin e iknin, sepse kjo mjeshtëri kishte vështirësitë e veta. Tymi i katranit të merrte frymën, prandaj që të gjithëve u nxinin vrimat e hundës e qoshet e gojës. Secili kishte domenin e tij me kusi, tiganë e enë të madhësive të ndryshme. Po ashtu kishin edhe klientelën e tyre që formohej me bazë krahinore në të shumtën e rasteve. Si rregull i dorëzoje harxhet kuzhinierit e më pas, kur gjella ishte gati, i jepje një racion prej saj, të cilin ai e hante ose e konvertonte në cigare apo kafe. Pluhuri i briketit shitej nga komanda ose i jepej shpërblim të burgosurve si stimul për punë të mirë. Gjatë kohës së gatimit, kuzhinierët merreshin me punë të tjera, Agimi bënte shapka, Bajram Hoxha thurte me grep, Nasi qepte blloqe e i lidhte bukur si ato që shiteshin në treg, Beqiri lante ndërresa kundrejt cigareve e kështu me radhë. Kjo ishte një monotoni e përhershme, por që skëterrës brenda telave me gjemba i jepte nuancën e një jete vërtetë të dhimbshme e të shpëlarë, por prapë jetë…
Më vonë, kur u lirova nga burgu, mora vesh dy lajme të tmerrshme: Agimi ishte rrëzuar nga një pemë e kishte vdekur, kurse Beqirin të cilin farefisi nuk e kishte pranuar, flinte në kasollen e një bahçeje mollësh ku një natë e kishte therrur një grabitës kriminel, ngaqë ishte përhapur fjala se gjoja kishte shumë lekë.
Nasi…
Nasi kishte qenë shofer, por edhe harapçi i klasit të parë. Vëllain e kishin dëshmor, bile një rrugë në Elbasan mbante emrin e tij. Kishte qenë martuar dhe kishte një vajzë, por tani nuk kishte më lidhje me to. Gruaja e tij ishte dashuruar me të që kur ishte adoleshente, por me kohë, familja e saj e kishte shkëputur fare duke mos dërguar as mbesën tek gjyshja e vet. E ëma e Nasit, e pafuqishme, i vinte rrallë. Jetonte vetëm me pensionin e të birit të vrarë, e me këtë ndihmonte më të rrallë të birin, tjetër armik. Nasit i kishte rënë një herë në dorë gjatë punimeve në Uzinën e Përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, një enciklopedi e vogël italisht e viteve shtatëdhjetë. Ai kishte një kaligrafi të bukur. Enciklopedinë e kishte kopjuar me durim me një shkrim të imët. Kishte kujtesë të rrallë. Të gjithë përmbajtjen e kishte mësuar përmendësh si hafizët Kuranin. Ai kishte për borxh të thonte se sa popullsi kishte Kongo; sa kuaj kishte Argjentina; sa vetura e sa kamionë kishte Kanadaja dhe si quheshin dy tempujt që shpëtoi UNESCO kur u ngrit diga e Asuanit prej 130 miliard m/kub. Pra ishte kthyer në enciklopedi të gjallë. Në çdo kontroll që na bënte policia, Nasit nuk iu gjend ajo asnjëherë. Në revoltën e Spaçit ishte lidhur dorë më dorë me një zinxhir me ata që u ridënuan e u pushkatuan. Ai shpëtoi se e kishte ndihmuar një funksionar i sigurimit, shoku i vëllait-dëshmor të cilin e kishte edhe kushëri. Kur na vunë televizorin në kamp, ishte hapur fjala se Hoxha po vdiste. Nuk mbaj mend se me ç’rast e nxorën në tribunë. Nasi thirri: -Paska dalë lugat!
Menjëherë e futën në birucë. Mbas një muaji doli Nasi, meit i bardhë, i nxinin vetëm mustaqet nën hundë. Biruca në dimër ishte e vështirë. Ai ishte vizitor i rregullt i saj. Miqësi të veçantë kishte me Benzin, një maçok i zi që flinte me Nasin dhe që ishte më i pastër nga i zoti. Benzi nuk i afrohej kurrkujt, veç atij. Njëherë i pruri nga pylli një lepur të vogël të cilin Nasi e qëroi, e gatoi dhe e hëngri së bashku me “zagarin” e vet Benz. Nas-kumbari. Ai pagëzonte gjithë këlyshët e maceve me emra lojtarësh brazilianë ngaqë ishte tifoz i tyre. Njëri që ishte mjaft i shkathët, u quajt Kempes.
Edhe për Nasin e gjorë dëgjova më vonë se e kishin gjetur të vdekur në një kabinë makine…
Andrea
Bashkë me rojen, nga depoja ku lashë trastën me sendet ushqimore që prura me vehte, shkuam dhe morëm batanijet, një palë rroba bojë kafe, ndërresat dhe këllëfë jastëku e dysheku, për të cilët punëtorët e ekonomisë ndihmëse kishin shkarkuar në një qoshe të oborrit kashtë gruri, posaçërisht për t’i mbushur ne. Si ndihmës, roja më dha një burrë rreth të shtatëdhjetave i cili fliste një shqipe të masakruar. Ai ishte minoritar grek nga fshati Peshkëpi i Gjirokastrës. E quanin Andrea Valera. Më habiti shkathtësia e tij në formimin e dyshekut paralelopiped. Ai i qepi me shpejtësi brinjët, pra i dha formën duke e matur saktësisht me një shkop ku ishin shënuar gjerësia, lartësia e gjatësia 80 x 20 x 200 cm. Si mbaruam punë, ai zuri nga veshi jastëkun, ndërsa me dorën tjetër qoshen e dyshekut, kurse unë e zura nga ana tjetër dhe u nisëm. Andrea ecte mbi një palë shapka-sandale, model i panjohur në jetën e lirë. Tabani i tyre ishte gomë e nxjerë nga kopertonat e rrotave të makinës, ndërsa rripat, prej materialeve nga më të ndryshmet që qepeshin artistikisht me grep nga të burgosurit. I famshëm për to ishte Llazi Buba, një minoritar grek, trupimët, dënuar për tentativë arratisjeje. Ai ishte një saldator i shkëlqyer, i cili së bashku me Vasil Trenin, kishte kryer saldimet me më përgjegjësi të enëve nën presion në rafinerinë e Ballshit. Si duket të dy mjeshtëritë e Llazit kishin bazë të njëjtën dhunti, atë të qëndistarit, e cila funksiononte njëlloj në të dy rastet.
Duke ecur mbas Andreas, vija re se mbante një kasketë lecke borë të bardhë, poshtë së cilës i dalloheshin anash kokës dy veshë të mëdhenj. Duket që ishte një njeri shumë i pastër dhe i rregullt. Do flinim pranë. Më erdhi zor që ai më shtroi dyshekun, ma mbështolli me çarçafë dhe shtoi me të qeshur gjysma-gjysma shqip:
-Ke patur fat se të dielën që kaloi të gjithë të burgosurit zvogëluan dhjetë centimetra gjerësinë e dyshekëve, kurse ti nuk po e qep së dyti.
Ishte viti i “goditjeve të përqendruara” kundër armiqve kulturorë, ushtarakë, ekonomikë, njerëzve të veshur me pushtet, intelektualë e analfabetë. Çdo javë autoburgu sillte afro njëzet vetë. Kishte filluar ndërtimi i dy kapanonëve të rinj. Të burgosurit nga shifra katërqind, kishin kaluar mijëshin. Të gjithë prisnin me padurim postën që të merrnin vesh për rrethin familjar, kontigjentin më të mundshëm për mbipopullimin e burgut.
E ftova Andrean për kafe. Mezi e pranoi, sepse ishte me shumë sedër dhe i dukej se kafenë po ia qerasja si shpërblim të ndihmës. Gjatë bisedës vura re se ishte njeri me humor që i spikaste më shumë ngaqë e formonte frazën gjysmë greqisht e gjysmë shqip. Filloi të më thërriste “gjitoni”. E bënte këtë ngaqë ndoshta e kishte të zorshëm emrin tim shqip. Mirëpo gjitonë ishim jo vetëm me dyshekë, sepse, sipas Andreas, një familje myslimane (e vetmja shqiptare në fshat), kishte banuar pranë shtëpisë së tij. E fundit nga ajo shtëpi kish rrojtur një plakë e më pas shtëpia e braktisur ishte kthyer në rrënojë.
– Askush nuk ka ndërtuar mbi atë shtëpi. Jam i sigurt se nga Peshkëpia e ke origjinën edhe ti.
Iu përgjigja se origjina ime ishte nga qyteti i Gjirokastrës, por ai vazhdonte me të tijën…
- Tora kalla, ishim gjitoni, jemi gjitoni.
- Për çfarë të kanë dënuar Andrea?
Ai fryu gjoksin sikur e kishte plot medalje, shtrembëroi fytyrën në mënyrë komike e tha ashtu i ngrehur: -Për spiunazh!
Të them të drejtën instiktivisht më shkuan të rënqethura dhe ndjeva si ndrojtje që isha në shoqërinë e një spiuni, por kjo nuk zgjati më shumë se disa sekonda, e pastaj qesha bashkë me të.
-Ah, more gjitoni! Arrestimi im erdhi si rrufeja në qiell të kaltër. Më kishin një njeri të besuar se e kisha kufirin dyqind metra larg. Një javë para arrestimit tim kisha në shtëpi për drekë këtë këtu (tregonte me dorë Dashnor Mamaqin). Ende s’e di historinë tamam pse m’u vunë e më futën në felaqi. Gjatë hetuesisë, një ditë më nxorën nga burgu në kala, më veshën me xhaketën e një majori grek, më vunë një kapele në kokë e më nxorën në fotografi te oborri i burgut, herë duke qeshur e herë serioz. Në gjyq më thirrën gruan dëshmitare që të vërtetonte ikjen time në Athinë, siç kisha pranuar vetë. Ajo i drejtohej përkthyesit duke i thënë: “Ky ka luajtur nga mendja. Ky ka luajtur nga mendja. Ky ka qenë vetëm dy herë gjatë gjithë jetës së tij në Gjirokastër, po sa për Athinën s’e ka parë as në ëndërr.” Kam qenë, kam qenë, po ti nuk e di”, i thonja unë. “Po unë të kam patur çdo natë në krevat o ditëzi”, ngulmonte ajo.” Ç’të bësh, kërcen prifti nga belaja! Dy herë më dënuan me të “vdiqur”, por të them të drejtën, gjitoni, nuk do më vinte keq po të ishte e vërtetë ajo që pashë në gjyq. Prokurori nxori një foto të madhe ku unë isha oficer grek para një vile në breg të detit si në përralla! Desh zoti e dola i saktë e shëndoshë se shokut tim Sotiraq Kitës, i ranë nga skorbuti mishrat e dhëmbëve me gjithë dhëmbë në kala të Gjirokastrës. Na mbanin të mbyllur për inskenime agjenturore, po desh Zoti shpëtuam nga gjithë ato tortura e tmerre… Gjallë! I gjalli e ka dermanin. S’di kush del më i fituar, gjitoni: ai që mbyll sytë njëherë e mirë apo ai që vuan e vuan pa fund…
E mbylli bisedën Andrea duke rrahur gjunjët me pëllëmbët e mëdha se çanga lajmëronte dëgjimin e detyruar, terapinë e riedukimit: lexoheshin veprat e Hoxhës pa iman…
VIJON
Can i buy viagra online in australia hopeviagrin.com sildenafil tablets 100mg
Order viagra online india https://miraclevigra.com/ best generic
viagra in india
Australia viagra over the counter lightvigra.com viagra for women pills
Generic 100mg sildenafil https://mygoviagar.com/ best generic viagra
prices