Ka mjaftuar vetëm klima e pozitive e bashkëpunimit Serbi -Shqipëri që artikujt serb të qumështit, miellit, etj., të “pushtojnë” tregjet shqiptare. Pas importit të miellit me çmim të lirë dy vite më parë, këtë vit kanë vërshuar në tregjet shqiptare 4,6 tonë qumësht bruto nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare. Prodhuesit bëjnë thirrje se qeveria shqiptare paralelisht me bisedimet për lehtësimin e tregtisë duhet të mendojë të bëjë ekonominë e saj më konkurruese.
Blerina Hoxha
Në sfond të bisedimeve për “Minshengin” ballkanik vendi ynë ka nisur të vuajë pasojat në fushën e tregtisë, dhe pse kushtet e lehtësimit tregtar ende nuk kanë ndodhur. Pas vërshimit të miellit serb me çmim të lirë që çoi gati në faliment fabrikat e miellit në Shqipëri më 2017-ën, një kërcënim tjetër ka nisur këtë vit. Tonelata me qumësht të pasterizuar po importohen nga Serbia dhe shtete të tjera fqinjë për llogari të fabrikave të mëdha të përpunimit të qumështit në vend. Arsyeja se pse fabrikat shqiptare po importojnë qumështin e papërpunuar nga Rajoni lidhet me çmimin e lirë, sidomos në Serbi, pasi atje subvencionohet i gjithë procesi i prodhimit blegtoral.
Gjatë nëntëmujorit 2019, importet e qumështit të papërpunuar arritën në 13 mijë tonë sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo sasi është sa 9 për qind e prodhimit të qumështit, që u grumbullua vitin e kaluar nga fermat shqiptare. Mbi 40 për qind e kësaj sasie u importua nga Serbia.
Më herët, administratorët e fabrikave të përpunimit të qumështit kishin pohuar se, importi i qumështit bruto nga Ballkani është më me leverdi se blerja nga fermerët në tregun vendas. Fabrikat gjithnjë e më shumë po preferojnë të importojnë lëndën e parë, por kjo tendencë do të thotë faliment për blegtorët shqiptarë dhe rënie drastike e fitimeve të tyre.
Ndërsa bizneset prodhuese në vend janë alarmuar nga konkurrenca, që po vjen nga Rajoni, pak ditë më parë në Tiranë u mbajt takimi i tretë i radhës ndërmjet Kryeministrave të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për krijimin e një zonë “Minishengen” në themel të së cilës do të jetë lehtësimi i tregtisë, duke hequr barrierat doganore për mallrat e shërbime.
Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçic në konferencën përmbyllëse pas takimit të Tiranës tha se, kishin diskutuar se si të zhvillojmë tregtinë, të lehtësojmë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe gjithashtu edhe fluksin e kapitalit të shërbimeve. Gjithashtu Kryeministri Rama tha se vendet janë angazhuar ndër të tjera të lehtësojnë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Takimet e tre kryeministrave nuk po zhvillohen nën koordinimin e axhendës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është edhe institucioni koordinues i nismës së Berlinit për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por zonja Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e këtij institucioni, pohoi se mbështet çdo propozim nga vendet e Ballkanit Perëndimor që është konform axhendës rajonale për integrim në BE.
Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomë së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë tha se nuk ishte i qartë për qëllimin e takimeve në kuadër të Mini Shengenit. Ai tha se çdo nismë që vjen jashtë kornizës së iniciativës së Berlinit është demagogji dhe nuk i shërben integrimit të vërtetë të Rajonit. Por, para se të negociohet për lehtësim të tregtisë dhe tarifave, qeveria shqiptare duhet të jetë e qartë për të mbrojtur prodhimet e saj sidomos në sektorin e agropërpunimit.
Jaka tha se aktualisht Serbia e subvencionin tërësisht ciklin e prodhimit në bujqësi dhe agropërpunim, teksa kujtoi se qeveria ka akorduar vetëm 4 milionë euro subvencione në bujqësi këtë vit. Të njëjtin shqetësim ka edhe Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës Shqiptare të Prodhuesve, i cili thotë se Serbia i nxit bizneset e veta në strukturën e kostove dhe kjo është një arsye se pse qumështi serb, p.sh është më i liri në rajon. Ai shton se aktualisht qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Shkodra thotë se ekonomia shqiptare dhe bizneset janë shumë të pastrukturara nga brenda, ndërsa ata janë shumë më përpara dhe kjo na bën ne humbës, në rast të një hapjeje të mëtejshme të tregtisë.
Zonja Bregu thotë se lehtësimi i tregtisë është një tjetër çështje e rëndësishme e Zonës Ekonomike Rajonale. 43% e eksportuesve e konsiderojnë administrimin doganor dhe procedurat e tregtisë si një barrierë të moderuar ose të madhe. Shpeshherë kamionët presin midis 7 dhe 48 orë në kufij si pasojë e procedurave doganore. Kostoja administrative për eksportet në 6 vendet e Ballkanit perëndimor varion nga 65 dollarë amerikanë në Shqipëri deri në 232 dollarë amerikanë në Kosovë
Pas miellit vërshon qumështi më çmim të lirë nga Serbia
Nga janari në shtator u importuan nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare 4,6 tonë qumësht i pasterizuar, duke zënë 38 për qind të totalit të importeve të qumështit me një vlerë mbi 2 milionë euro. Importues ishin fabrikat më të mëdha në vend, që e përdorën këtë produkt si lëndë të parë.
Produktet e Qumështit përbëjnë edhe kategorinë më sasinë më të lartë të importit në grupin e produkteve bulmetore, me një vlerë totale prej 6.1 milionë eurosh. Peshën kryesore e zë importi i nga Serbia me 38%, nga Italia me 30%, nga Bosnja 11% dhe Maqedonia e Veriut 9.7%.
Çmimet e Qumështit nga vendet e Rajonit Janë shumë më të ulëta krahasimisht me koston e përpunimit të qumështit në vend, duke bërë që industria e përpunimit të qumështit të kërkojë lëndën e parë nga Rajoni, duke ushtruar një konkurrence të fortë për fermerët vendas.
Në vitin 2018 prodhimi i qumështit arriti në 138 mijë tonë, ndërsa këtë vit importet e qumështit ishin 13 mijë tonë deri në shtator ose mbi 8 për qind e totalit.
Sipas të dhënave nga doganat, të përpunuara nga Monitor, qumështi nga Serbia kishte vlerën më të lirë në raport me 15 vende të tjera, nga ku importohet ky produkt. Një kilogram qumësht u faturua me 47 lekë për kilogram, e ndjekur nga Kosova me 57,6 lekë për kilogram, Bosnja me 61 lekë për kilogram, Maqedonia me 62 lekë për kilogram.
Çmimin më të lartë e kishte qumështi i importuar nga Belgjika me 291 lekë për kilogram, Britania me 203 lekë për kilogram, Bullgaria me 178 lekë për kilogram. Importet më çmim ë lartë ishin në sasi të vogla.
Burimet nga tregu pohuan se importet e qumështit nga Serbia kanë pësuar rritje të ndjeshme këtë vit.
Shqipëria inferiore në sasi dhe cilësi të eksporteve
Eksportet në Ballkanin Perëndimor po zhvendosen nga produktet kryesisht themelore në ato të teknologjisë së mesme. Ndërsa eksportet e rajonit u rriten nga 8.0 miliardë dollarë në vitin 2000
në mbi 50 miliardë dollarë në 2017-en, përbërja e shportave të eksportit ndryshoi gjithashtu. Sipas të dhënave nga CEFTA (marrëveshja e tregtisë së lirë e Europës Qendrore, tre kategoritë kryesore të produkteve të eksportuara nga rajoni në 2006 ishin hekuri, produkte çeliku, alumini dhe tekstili. Një dekadë më vonë, janë pajisjet elektrike, makineri dhe automjete, të cilat kryesisht janë produkte të drejtuara nga investime të Huaja Direkte që kërkojnë një shkallë më të madhe teknologjike dhe dijesh.
Mirëpo analizat e zhvillimit të tregtisë nga CEFTA tregojnë se ndryshimet në përbërjen e shportës së eksportit nuk kishin një ecuri të njëjtë për të gjithë Rajonin. Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë shporta relativisht më pak komplekse eksporti, me produkte kryesisht gjysme të përpunuara dhe lëndë të para nga burimet natyrore si naftë bruto, minerale dhe ushqime të papërpunuara. Në krahun tjetër Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë shporta më të përparuara eksporti që përfshijnë një gamë të gjerë makinerish dhe pajisjesh, të cilat kanë bazat për përparim të mëtejshëm industrial në të ardhmen.
Rezultatet e ndryshme për eksportet e vendeve e Ballkanit janë rrjedhojë e politikave të ndryshme që vendet kanë ndjekur. Teksa Serbia dhe Maqedonia u përqendruan në hartimin e politikave agresive për tërheqjen e investitorëve në industrinë e automobilave me subvencione direkte, tre vende të tjera si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin pjesë e këtyre përpjekjeve.
Me të njëjtën agresivitet, Serbia subvencionon bujqësinë. Ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit, që kanë fonde buxhetore limit për subvencionin e bujqësisë, qeveria Serbe e subvencionin të gjithë kërkesën e fermerëve. Për pasojë prodhimet bujqësore janë më të lirat në Rajon. Edhe pa u lehtësuar barrierat dhe tarifat tregtare, disa produkte Serbe si Mielli dhe Qumështi kanë vënë në vështirësi qindra biznese që operojnë në sektorët e përpunimit të këtyre artikujve.
Shqipëria deficitare në tregti me Serbinë 120 mln euro në vitTeksa tre shtete të Ballkanit, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia po shkojnë drejt krijimit të një Mini-Shengeni ballkanik, vendi ynë në fakt ka lidhje më të forta tregtare me Kosovën, e vetmja me të cilën ka një bilanc tregtar pozitiv, çka nënkupton se eksportojmë më shumë sesa importojmë. Në të kundërt, me Serbinë, Shqipëria ka një deficiti të thelluar tregtar, për shkak se jemi shumë më pak konkurrues në pothuajse të gjitha produktet.Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor, në Kosovë shkojnë 50% e eksporteve të Shqipërisë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është shteti i vetëm me të cilin ne kemi një suficit të lartë tregtar prej rreth 150 milionë eurosh për 10 mujorin 2019. Produktet më të eksportuara drejt Kosovës, sipas INSTAT janë nafta e mineralet dhe çeliku.Në të kundërt, me Serbinë kemi një deficitit të fortë tregtar. Nga Serbia importojmë 49% të produkteve që marrim nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për 10 mujorin, deficiti me Serbinë ishte rreth 100 milionë euro. Në bazë të kësaj tendence, për gjithë vitin 2019, drejt Serbisë vlerësohet se do të shkojnë neto rreth 120 milionë euro.Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2018, nga Serbia, produkti më i importuar ishin lëndët djegëse, me rreth 30% të totalit, e ndjekur nga drithërat, me rreth 19%. Hyrja e grurit e miellit të lirë nga Serbia vitet e fundit, jo vetëm që pothuajse çoi drejt falimentimit prodhuesit vendas të miellit, por ngriti shumë pikëpyetje edhe për cilësinë e drithërave që hynin. Serbia është një ekonomi më konkurruese (renditet e para në rajon në indeksin e Konkurrueshmërisë globale), ndërsa dhe shteti është i prirur për të ndihmuar industrinë vendase, përmes subvencioneve indirekte. Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës Shqiptare të prodhuesve thotë se, qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Tre produktet më të eksportuara në Serbi në 2018-n, sipas INSTAT janë lëndët djegëse, zarzavatet dhe veshjet e këmbëve.Serbia ka të zhvilluar dhe eksportet e shërbimeve dhe sidomos të teknologjisë së informacionit.Ndërsa me Maqedoninë, për 10 mujorin, importet ishin pothuajse të barabarta me eksportet, ndërsa vitet e mëparshme, Shqipëria ka rezultuar me deficit tregtar.“Mini Shengeni Ballkanik”, është një nismë e prezantuar së fundmi nga tre shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kjo marrëveshje, sipas palëve do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, uroi presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me, siç tha, “besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur”.
Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të amerikan.
“Në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden. Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave. Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-në janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale”, tha Osmani.
Biden ka vizituar Kosovën për herë të fundit në vitin 2016, derisa ka qenë duke shërbyer si nënpresident i Shteteve të Bashkuara.
Ai vazhdimisht ka shprehur mbështetje për pavarësinë e Kosovës, duke thënë se shtetësia e saj është e pakthyeshme.
Në vitin 1999, Biden, atëbotë senator, i ka mbështetur edhe sulmet e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, për ndaljen e dhunës në Kosovë. rel
Biden u betua duke përdorur një Bibël që ka qenë në familjen e tij që nga viti 1893
Joe Biden duke u betuar.
Biden: Kjo është dita e demokracisë
“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë e historisë dhe shpresës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi bëri betimin në platformën e Kongresit amerikan.
“Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave. Sot, ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë”.
“Ne mësuam përsëri se demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë dhe, në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, tha Biden, duke u zotuar se do të jetë president i të gjithë amerikanëve.
Biden u inaugurua dy javë pasi mbështetës të presidentit të deritashëm, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Pesë njerëz kanë mbetur të vdekur në trazira.
Demokrati Joe Biden bëri betimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot”, tha Biden, teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.
Amerikanët mirëpresin sot një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Joe Biden bën betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Demokrati Joe Biden inaugurohet sot si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bën betimin si nënpresidente.
Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.
Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.
Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.
Presidenti bën betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.
Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.
Presidenti në largim, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë në ceremoni.
Pjesëmarrja e publikut në inaugurim është po ashtu rreptësisht e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Donald dhe Melania Trump duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë
Presidenti në largim është i pari në 152 vjet që nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Trump nuk e ka pranuar kurrë publikisht humbjen në zgjedhje.
Obama uron Bidenin
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, uroi presidentin e zgjedhur, Joe Biden, i cili pas pak orësh do të bëjë betimin.
“Urime mikut tim, presidentit Joe Biden! Kjo është koha juaj”, shkroi Obama në Twitter.
Biden ka qenë zëvendës i Obamës, kur ky i fundit ka qenë president, nga viti 2009 deri më 2017.
Trump i lë letër Bidenit
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti në largim, Donald Trump, i ka lënë një letër pasardhësit të tij, Joe Biden.
Zëvendësi i sekretarit për media, Judd Deere, refuzoi të zbulojë se çfarë i ka shkruar Trump Bidenit, duke u thirrur në privatësinë e komunikimit midis dy presidentëve, shkruan AP.
Trump ka refuzuar të pranojë publikusht humbjen kundrejt Bidenit në zgjedhje dhe në fjalimet e tij lamtumirëse, ai nuk e ka përmendur me emër presidentin e zgjedhur.
Lënia e letrës është një traditë që e ndjekin presidentët amerikanë.
Trump, megjithatë, i ka thyer disa tradita të tjera.
Ai nuk merr pjesë në inaugurimin e Bidenit, duke u bërë presidenti i parë në 152 vjet që bën një gjë të tillë.
Trump po ashtu nuk e ka ftuar Bidenin për takim në Shtëpinë e Bardhë, pasi Biden është shpallur fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Pas një prej proceseve zgjedhore më të diskutuara në historinë amerikane, demokrati Joe Biden do të betohet në mesditën e 20 janarit si president i Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që i tërë Uashingtoni mbetet i rrethuar me sigurim të madh.
Kur të vendosë dorën në Bibël, 78-vjeçari Biden do të bëhet personi më i vjetër që do të betohet si president amerikan dhe do të niset drejt Shtëpisë së Bardhë pak më vonë, për të zëvendësuar Donald Trumpin, dhe për t’u kthyer në presidentin e 46-të të kombit amerikan.
Për herë të parë në 152 vjet, presidenti në shkuarje nuk pritet të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, ndonëse ish-presidentët George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama pritet të jenë aty kur gjyqtari kryesor i Gjykatës Supreme, John Roberts të drejtojë Bidenin në procesin e betimit.
Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter është 96 vjeç dhe ka thënë se nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në ceremoni.
Nënpresidenti i Trumpit, Mike Pence, ka thënë se do të jetë aty, ashtu sikurse shumë ligjvënës republikanë.
Historia do të bëhet edhe kur 56-vjeçarja, Kamala Harris do të betohet si nënpresidente, duke u bërë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që mban këtë pozitë.
Sikurse e do tradita, Biden ka kaluar natën para inaugurimit në Shtëpinë Blair, shtëpinë e mysafirëve të presidentit, e cila gjendet afër Shtëpisë së Bardhë, në qendër të Uashingtonit.
Shtëpia e Bardhë.
Para ceremonisë së inaugurimit, Biden dhe Harris kanë nderuar 400,000 personat që kanë vdekur me koronavirus.
“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë”, ka thënë Biden në një ceremoni para qendrës përkujtimore Lincoln.
Katërqind drita që përfaqësojnë viktimat, kanë ndriçuar mbrapa tij dhe qendrës përkujtimore.
“Në mes të perëndimit të diellit dhe muzgut, le të ndriçojmë dritat në errësirë dhe të kujtojmë ata që i kemi humbur”, ka thënë Biden.
Tensionet kanë qenë të larta në Uashington, pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit nga mbështetës të Trumpit.
Si pasojë e sulmit kanë mbetur të vdekur pesë persona.
Mbështetësit e Trumpit janë zemëruar pasi presidenti ka pretenduar disa herë – ndonëse pa ofruar të dhëna – se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi ka qenë i manipuluar.
Pretendimet e tij janë kundërshtuar dhjetëra herë në disa gjykata amerikane, duke përfshirë gjyqtarët e nominuar nga vetë Trump.
Në situatë normale, qindra mijëra mbështetës dhe vëzhgues tjerë do të mblidheshin afër ndërtesës së Kongresit për të dëgjuar presidentin duke kryer betimin.
Megjithatë, pas sulmit në Kongres, autoritetet kanë angazhuar rreth 25,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe kanë vendosur kufizime për të parandaluar kalimtarët e rastit që t’i afrohen zonës.
Edhe para se dhuna e turmës të raportohej në Kongres, ceremonia e inaugurimit ishte planifikuar të zhvillohej pa shumë zhurmë, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe dëshirës për të shmangur turmat që mund të përhapnin virusin.
Pas ceremonisë së betimit, Biden do të marrë pjesë në një ceremoni me pjesëtarë të ushtrisë në pjesën lindore të Kongresit.
Biden, Harris, bashkëshortët e tyre, më pas, Obama, Bush, Clinton dhe gratë e tyre do të marrin pjesë në një ceremoni në Varrezat Kombëtare në Arlington.
Biden më pas do të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë.
Trump në anën tjetër pritet të largohet nga Uashigtoni për në shtëpinë e tij në Florida më 20 janar.
Në një video-mesazh lamtumirës nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka thënë se do të “lutet” për suksesin e administratës së re, ndonëse nuk ka përmendur emrin e Bidenit gjatë adresimit të tij 20-minutësh.
Të mërkurën, amerikanët mirëpresin një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Muajt e fundit janë shoqëruar me raste tensionesh dhe dhune, sepse shumë amerikanë e kanë të pamundur të pranojnë fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti na njeh me 78-vjeçarin që do të drejtojë Shtetet e Bashkuara për katër vitet e ardhshme.
U deshën katër ditë, me rezultate të pasigurta të zgjedhjeve, që Joe Bideni të mund të shpallte fitoren
“Njerëzit e këtij vendi kanë folur. Ata na dhanë një fitore të qartë dhe bindëse,” tha ai.
Megjithatë presidenti Donald Trump do të vazhdonte të vinte në dyshim rezultatin, duke bashkuar mbështetësit e tij, në atë që çoi përfundimisht në trazirën në ndërtesën e Kongresit.
Kapitoli i ngjan tani një fortese. Skena e inaugurimit është larg çdo spektatori.
Një prani masive e policisë përfshin 25,000 anëtarë të Gardës Kombëtare.
Në ndryshim nga presidenti Trump, një biznesmen para se të merrte detyrën, presidenti i zgjedhur Biden është një politikan me përvojë.
“Një gjë nuk duhet t’ju çudisë. Unë di si ta bëj qeverinë funksionale.”
Biden ka shërbyer në politikë prej gati 50 vjetësh. Për dy mandate ai shërbeu si nënpresident i Presidentit Barack Obama.
Para kësaj, votuesit e Delauerit e zgjodhën atë gjashtë herë në senatin amerikan.
Një muaj pas zgjedhjes së tij për herë të parë, gruaja dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident me makinë që la dy djemtë e tij të vegjël të plagosur rëndë.
Senatori Biden udhëtonte me trenin Amtrak për 90 minuta çdo natë nga Uashingtoni për në Delauer për të qenë pranë djemve. Stacioni i trenit Amtrak në Uillmington mban emrin e tij.
Biden ka bërë dy operacione në tru për shkak të aneurizmit. Në vitin 2015, kur ishte nënpresident, djali i tij i madh Bo vdiq nga kanceri në tru.
Biden dhe gruaja e tij, Jill, profesore kolegji, jetojnë në Uillmington të Delauerit, një qytet me 70,000 banorë, që tani është shtëpia e presidentit të zgjedhur.
Autokolona makinash dhe snajperë janë tani kudo në rrugët e qytetit. Buck Simpers është një banor i vjetër në Uillmington.
“Nuk po shkaktojnë fare vonesa. Njerëzit thjesht duhet të jenë pak të durueshëm. Ata duhet ta kenë për nder, duke e ditur se përse këto forca sigurie janë këtu”.
Banorët këtu e quajnë presidentin e zgjedhur djalin e tyre, i cili pëlqen bozën dhe hamburgerat. Miku i tij i vjetër Bob Byrd është mësuar ta shohë Bidenin pas timonit të makinës së tij sportive të vitit 1967.
“Ka një Corvette klasike, dhe e shoh ta ngasë atë herë pas here. Po, atij i pëlqen të ngasë makinat”, thotë Bob.
Tani në moshën 78 vjeç, presidenti më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë, po përgatitet për sfidën e tij më të vështirë politike – udhëheqjen e një vendi të ndarë drejt së ardhmes.
Spastrimi etnik i Çamërisë po vazhdon në Luginën e Preshevës. Ky ka qenë mesazhi i një ekspozite çelur në Tiranë, me synim ndërgjegjësimin e faktorit vendas e të huaj për shpopullimin e Medvegjës nga serbët.
Është çelur në Tiranë ekspozita “Spastrimi etnik i shqitarwve: Çamëria e Lugina e Preshevës”. Në kuadër të javës çame, fotografitë e dy kohëve treguan dy mënyra të ndryshme të shpopullimit të tokave ku kanë jetuar e jetojnë shqiptarë, nën kufijtë shtetërorë të fqinjëve.
“Dramë e jashtëzakonshme, fqinjët na i moren të tëra”, tha kreu i shoqatës Çamëria, Hektor Sejko i cili shtoi se “Drama e Çamërisë përsëritet në Medvegjë”.
Ekspozita u çel nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dhe shoqata patriotike Çamëria, si perpjekje për të ndërgjegjësuar se ajo që ndodhi në Çamëri shekullin e shkuar po përsëritet në Luginën e Preshevës në ditët tona.
“Lugina e Preshevës po shpopullohet nga spastrimi etnik.
Serbia po i detyron shqiptarët të ikin nga shtëpitë e tyre” tha Alket Veliu, kryetar i fondacionit “Hasan Tahsini”.
Së fundmi ka pasur disa nisma dhe deklarata publike për shpopullimin e Medvegjës përmes një procesi që njihet si pasivizimi i adresave. News24 ka qenë në Medvegjë për dokumentimin dhe ngritjen e shqetësimit mbi këtë fenomen dhe ka biseduar me Muharrem Salihun, anëtar I këshillit komunal që po angazhohet për çështjen.
Me përjashtim të rasteve të rralla, inaugurimi i një presidenti të ri simbolizon traditën amerikane të një transferimi paqësor të pushtetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Redisch shpjegon se si dhe pse inaugurimi të mërkurën i Joe Biden-it do të jetë i pashoq në histori.
Gjatë historisë së Shteteve të Bashkuara, inaugurimi i një presidenti të ri paraqet një cilësi të rrallë të demokracisë së Amerikës, transferimin paqësor të pushtetit, shpesh nga një parti politike në tjetrën …edhe pas një fushatë të hidhur elektorale.
Më 20 janar, Joe Biden do të bëjë betimin si president në shkallët e Kapitolit, gërvishtur nga sulmi i dy javëve më parë nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.
“Nuk kam frikë të bëj betimin jashtë“, thotë zoti Biden.
Incidenti tkurri më tej përmasën e festimeve me këtë rast, rrudhur gjithsesi për shkak të pandemisë.
“Mendoj se gjithçka që përmban një inaugurim për shumicën e amerikanëve do të jetë në gjendje të realizohet e do të jetë e pranishme në ditën e Inaugurimit“, thotë Lara Brown drejtoreshë e shkollës pasuniversitare të Menaxhimit Politik në Universitetin George Washington.
Numri i të ftuarve do të jetë i kufizuar dhe ata do të qëndrojnë të shpërndarë gjatë ceremonisë së betimit. Pas fjalimit të tij me rastin e inaugurimit, zoti Biden do të kryesoje një vargan ushtarak për të forcuar konceptimin e një transferimi paqësor të pushtetit.
Më pas ai dhe ish-presidentët Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton do të shkojnë në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të vendosur kurora me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur.
“Mendoj se nuk do të ketë një paradë gjigante inauguruese në bulevardin Pensilvania“, thotë zoti Biden.
Në vend të saj, një transmetim televiziv i “paradës në të gjithë Amerikën” do të sigurojë atë që komiteti i inaugurimit thotë se është një “shfaqje ndryshe e dinamike për komunitetet në të gjithë vendin”.
Ballot tradicionale të inaugurimit që zhvillohen në mbrëmje do të zëvendësohen nga një program 90 minutësh drejtuar nga aktori Tom Hanks me pjesëmarrjen e një grupi muzikantësh duke filluar nga Bruce Springsteen tek Demi Lovato.
Për ata që nuk e kanë marrë ende mesazhin për të qëndruar në shtëpi, ai po përforcohet me trupa të armatosura.
“Kjo është gjithashtu një shenjë shqetësuese që ne duhet të dërgojmë 25,000 trupa të Gardës Kombëtare për të mbrojtur kryeqytetin në një vend demokratik përpara një inaugurimi dalë nga zgjedhje legjitime. Kjo nuk është gjë e mirë”, thotë Lisa Barton-Short e Universitetit George Washington.
Lisa Barton-Short kryeson departamentin e gjeografisë në Universitetin George Washington dhe është autore e një libri mbi parkun kombëtar…i cili do të qëndrojë i mbyllur gjatë inaugurimin, rrethuar nga gardhe hekuri të vendosura njëra pas tjetrës, për të penguar përsëritjen e sulmit të 6 janarit në Kapitol.
“Më pëlqen të jem në anën e pasme të Kapitolit, duke parë përtej hapësirës së madhe të parkut. Eshtë një nga ato pamje që thotë se ky është një peizazh ku mund të shohësh se kush jemi ne si amerikanë. Inaugurimi do të jetë më i varfër. Do të varfërohet për shkak të mungesës së njerëzve. Dhe kjo është vërtet e trishtueshme”, thotë ajo.
Me inagurimin e zotit Biden mesditën e së mërkurës, ai do të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka në plan të përcjellë një vizion “pozitiv e optimist” për vendin në fjalimin e inaugurimit të mërkurën dhe do të përpiqet “të kthejë një faqe të re, përkundrejt përçarjeve dhe urrejtjes së katër viteve të fundit,” gjatë presidencës Trump, tha të dielën një ndihmëse e zotit Biden.
Kate Bedingfield, drejtoreshë për komunikimet për administratën e ardhshme Biden, tha në intervistë me rrjetin ABC se presidenti i ardhshëm do të prezantojë “një rrugë përpara që na fton të gjithëve të bashkohemi”.
Ajo shtoi “Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin. Ata duan një qeveri që përsëri është e përqëndruar tek ato që duhen dhe për të ndihmuar njerëzit për jetën e përditshme”.
“81 milionë amerikanë votuan për Presidentin e zgjedhur Biden pjesërisht sepse po parashtronte një vizion që na çon në një pikë ku të punojmë së bashku,” tha zonja Bedingfield.
Presidenti i zgjedhur Biden do të bëjë betimin në shkallët perëndimore të Kapitolit më 20 janar në një ceremoni që mishëron një traditë të gjatë të demokracisë amerikane. Këtë radhë ceremonia zhvillohet në një klimë tensionesh pas sulmit të dhunshëm nga protestuesit pro-Presidentit Trump në Kapitol më 6 janar.
Zona përreth Kapitolit ku Joe Bideni do të bëjë betimin është kthyer në një zonë të militarizuar, e rrethuar me gardhe e barriera mbrojtëse, e bllokuar për këmbësorë e makina dhe e mbrojtur nga mijëra forca të armatosura të Gardës Kombëtare.
Masakra që ndodhi në fshatin Reçak të Kosovës 22 vjet më parë është ende shkaku i anktheve që shpesh i përjeton Ramë Shabani, një nga të mbijetuarit e kësaj masakre.
Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civil shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.
Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur. Pasi vizitojë fshatin dhe u ngjitë lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ndërsa po afrohej tek lugu i ngushtë, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi, “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit”.
Masakra e Reçakut, sipas Shabanit, ishte kyçe për të ndryshuar qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj luftës në Kosovë dhe çoi në bombardimet e NATO-s në Serbi.
Humbi vëllaun dhe 11 të afërm
Ramë Shabani ishte 33-vjeçar kur më 15 janar 1999 forcat serbe të sigurisë kryen masakrën e Reçakut, një fshat në komunën e Shtimes.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Shabani para memorialit të fshatit thotë se në masakër ai humbi vëllain e tij 22-vjeçar Bajrush Shabani dhe 11 të afërm.
Ai thotë se 41 persona u vranë në masakër. Tre njerëz të tjerë u vranë individualisht në fshat në ato ditë, ndërsa kufoma e një gruaje nuk është gjetur deri më sot. Sipas tij, viktimat e masakrës ishin burra, gra dhe fëmijë të moshës mbi 15 vjeç, ndërsa një viktimë u gjet pa kokë dhe një tjetër pa zemër.
Para luftës, fshati kishte rreth 230 shtëpi, por në kohën e masakrës ishte tejet i boshatisur. Disa banorë të zonës po luftonin, disa shkuan në vendet përreth dhe vazhdimisht kishte 100 deri në 150 njerëz në fshat. Sipas rrëfimit të Ramës, gruaja e tij ishte me të birin në Ferizaj, kështu që ajo nuk ishte në fshat në kohën e masakrës.
Rama thotë se më 15 janar 1999, granatimet filluan rreth orës 7 të mëngjesit.
“Ne jemi tubuar në shtëpinë e Sadik Osmanit, ishim më shumë se 30 burra, gra dhe fëmijë. Jemi tubuar se ishte edhe mali afër, edhe ishte shtëpia me bodrum, jemi frikuar mos të granatohemi. Kur e kanë pushtuar fshatin, ata kanë hyrë dhe na kanë nxjerrë neve nga shtëpia e Sadik Osmanit, na kanë nxjerrë jashtë në oborr, na kanë rrahur, na kanë marrë gjithçka nga xhepat, letërnjoftimet. Unë në atë masakër jam zënë me nënën, gruan e axhës dhe vajzën shtatë vjeçare. Si fëmijë, ajo qau pas meje kur më mori policia dhe filloi të më rrahë”, thotë Shabani.
Ai rikujton se në të njëjtën kohë, gratë i kanë mbyllur në atë bodrum ndërsa meshkujt i kanë urdhëruar të vinin duart pas dhe të drejtoheshin drejt vendit ku më pas u bë masakra në një kodër afër fshatit.
Shabani thotë se u është thënë të lëvizin drejt “ushtrisë sonë”, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por në kodër i kanë pritur serbët.
“Pastaj, siç e ka pa e gjithë bota, kanë dalë (forcat serbe) dhe i kanë masakruar. Unë u fsheha dhjetë metra më larg, nuk kam qenë më larg se nuk kishe ku të shkoje. Ishte dimër si sot, mali (pylli) ishte shumë më i vogël atëherë, tash është rritur”, thotë Shabani.
Ai deklaron se kishte forca serbe në kodrat përreth, ndërsa në kodrën në anën tjetër të fshatit kishte vëzhgues të Komisionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, të cilët vëzhgonin gjithçka, por nuk mund të hynin në fshat.
Sipas tij, kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, hyri në fshat një ditë pas masakrës dhe pa kufomën e të moshuarit Banush Kamberi pa kokë, Ragip Bajramit pa zemër dhe kufomat e tjera, pas çka deklaroi se ishte një masakër dhe krim kundër njerëzimit.
Vrasjet ndodhën në disa lokacione
Vëllai më i vogël i Ramë Shabanit ishte 22 vjeç, ai nuk kishte fëmijë, ishte i ri dhe siç thotë Shabani, nuk ishte përzier me ushtrinë dhe ishte i pafajshëm si të tjerët.
Ramë Shabani tregon se vrasjet ndodhën në disa lokacione në fshat dhe se në mbrëmjen e 16 janarit, banorët e të gjithë fshatrave përreth ndihmuan në transferimin e kufomave në xhaminë e fshatit, duke menduar se do të varroseshin për dy apo tre ditë më pas.
Por vendasit, së bashku me anëtarët e UÇK-së, luftuan për trupat e të vrarëve për tre ditë. Megjithatë, policia serbe mori trupat dhe i çoi në Prishtinë për autopsi. Ata i mbajtën për gati një muaj dhe më 11 shkurt i kthyen dhe vendasit i varrosën.
“Pastaj tre ditë u luftua dhe u vra komandanti i brigadës Ahmet Kaçiku, edhe ata (forcat serbe) kanë pësuar humbje. Nuk kemi pasur zgjidhje, (forcat serbe) i kanë marrë (kufomat). Pastaj edhe një muaj, deri më 11 shkurt ne nuk kemi mundur t’i varrosim. Janë mbajtur nëpër qese, nëpër spitale. Dy-tre herë ka qenë kjo masakër, jo një herë. Dy-tre herë ka qenë për familjarët dhe për të gjithë që ndjenin dhembje, ka qenë dy-tre herë masakër”, thotë Ramë Shabani.
Përveç një polici serb, askush tjetër nuk është mbajtur përgjegjës
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) dënoi masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak dhe rreth dy muaj më vonë NATO filloi bombardimet ndaj Serbisë.
“Masakra ka pasur në Kosovë, ka qenë e Obrinjes dhe masakra tjera para masakrës së Reçakut, por ajo që e ka tronditur botën është e Reçakut. Vula e Kosovës është Reçaku. Ndoshta fillimi, dokumentet janë te Adem Jashari, por vula për Kosovën, vetëm nëse nuk duam ta pranojmë realitetin, që e ka sjellë marrëveshjen e Rambujesë dhe Këshillin e Sigurimit është masakra e Reçakut”, tha Shabani.
Ai thekson se përveç një polici serb, askush tjetër nuk është mbajtur përgjegjës për këtë krim dhe dëshmitarët, thotë ai, ngadalë po vdesin.
Menjëherë pas luftës, në vitin 2001 gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviç me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak.
Masakra e Raçakut ishte midis akuzave për krime lufte para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Ramë Shabani shpesh ka ankthe për gjithçka që ka mbijetuar. Megjithatë, ai thekson se dikush duhej të viktimizohej për këtë vend.
“Them kurrë insha-Allah nuk përsëritet”, porosit Shabani.
Ahmet Krasniqi ishte një Kolonel i UÇK-së gjatë Luftës në Kosovë. Lindi më 15 janar 1948 në Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë, dhe u vra në mënyrë tinëzare më 21 shtator 1998 në Tiranë, Shqipëri. Pas vdekjes iu dha urdhëri Hero i Kosovës.
Kolonel Ahmet Krasniqi është lindur dhe rritur në gjirin e familjes së patriotit të mirënjohur Aziz Zhilivoda. Shkollën Fillore katër vitet e para i kreu në fshatin e lindjes, pastaj e vazhdoi shkollimin deri ne klasën e tetë ne Hade ku banoj tek dajtë, lagjia Avdijaj (Grajqevcët) ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Prishtinë (1964-1969), ku banoj tek mbesa Elife Grajqevci, pasi që mundësitë e udhëtimit nga vendlindja në atë kohë ishin të pamundura, gjatë kësaj kohe dallohet për veprimtarinë e tij patriotike, si bashkëpunëtor i afërt i patriotit të devotshëm, Metush Krasniqi dhe pjesëmarrës aktiv në demonstratat studentore të ‘68-tës në Prishtinë.
Pas kryerjes së shkollës së mesme Ahmet Krasniqi arrin të regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore në Beograd, ku dallohet si njëri nga kadetët më të aftë dhe arrinë të diplomojë me sukses të lartë, në afatin rekord (1969-1973). Oficeri i ri shqiptar nuk kënaqet me kaq dhe, i vazhdon studimet në Akademinë Komanduese të Shtabit Komandues, që e kryen me sukses të plotë (1981-1983). Pas kësaj e fillon karrierën ushtarake në Zagreb, e pastaj caktohet komandant në Garnizonin e Gospiqit, ku e zë lufta kroato-jugosllave. Si njohës i mirë i historisë, i realitetit të kohës, i përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të federatës jugosllave, eksperti ushtarak, Kolonel Ahmet Krasniqi, i kishte plotësisht të qarta qëllimet e luftës së nxitur nga hegjemonizmi serbosllav, prandaj, në rastin e parë që i krijohet mundësia e ikjes, dezerton nga radhët e APJ-së dhe vihet në anën e luftës kroate, së cilës i bën shërbime të larta e shumë të dobishme, çfarë nuk kishin mundur t’ia bënin as institucionet ushtarake kroate. Mirëpo, puna dhe mundi i tij i jashtëzakonshëm, jo vetëm që nuk i vlerësohen, por përçmohen dhe përbuzen deri në denigrim të plotë nga ana kroate, që pasi kryen punën e vet, ia kthen shpinën dhe e le në pamëshirën e armiqve serbë, të cilët e hetojnë aktivitetin pro-kroat të Kolonelit Krasniqi, prandaj e burgosin, me akuzën për “Rrënimin e fuqisë mbrojtëse të Forcave të Armatosura të RSFJ-së” !
Pas hetimeve të para në burgun e Rijekës, Koloneli Krasniqi ekstradohet në Beograd. Bie në gojën e ujkut, dhe kur gjithçka duket se po i afrohej përfundimit, në rrëmujën e luftës serbe kundër Kroacisë, Kolonelin e nxjerrin nga burgu dhe dërgojnë në frontin e luftës, ku i punon fati : arrin të ik dhe përkohësisht strehohet në Kosovë, pastaj kalon në Maqedoni, në Shqipëri dhe nga Shqipëria prapë kthehet në Kroaci.
Pushteti i Tuxhmanit dhe individë të lartë ushtarak, edhe pse e dinin kontributin e Ahmet Krasniqit në luftën kroate, kthimin e tij nuk e mirëpresin, sepse e kishin vështirë të t’ia pranonin meritat madhështore një oficeri shqiptar, prandaj e lënë nën hije, si një qytetar të rëndontë, i cili duhet të luftojë për kafshatën e bukës, të cilën e fiton si punëtor fizik.
Në këtë kohë, Kolonel Ahmet Krasniqi kontakton me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila duke e njohur mirë personalitetin e tij të lartë patriotik dhe profesional, e emëron Ministër të Mbrojtjes dhe Komandant të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës. I vetëdijshëm për situatën në Kosovë dhe i lumtur që iu dha rasti për t’i shërbyer atdheut të tij të robëruar, Ahmeti i rreket punës me përkushtim të zjarrtë, për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Mirëpo, këtë objektiv nuk arrin ta realizojë deri në fund, sepse duke parë angazhimin e tij serioz dhe dëshirën e vërtetë, për të ta bërë Kosovën me ushtri sa më të mirë, një dorë e zezë, (padyshim dorë tradhtie) e qëllon fshehtazi dhe e vret, në natën e vonë të 21 shtatorit 1998, në Tiranë.
Ishte ky një atentat i kurdisur tradhtie, që e indinjoi opinionin e gjerë liridashës shqiptar, i cili, tek Kolonel Ahmet Krasniqi kishte mbështetur shpresën e luftës çlirimtare dhe çlirimin e definitiv të Kosovës. Pjesëmarrja tepër masive e njerëzve në ceremonialin e përcjelljes mortore, që iu organizua në kryeqytetin e Shqipërisë, ishin dëshmi e dashurisë dhe adhurimit të figurës madhore të Ahmet Krasniqit, ushtarakut dhe luftëtarit të devotshëm atdhetar, oficerit me përgatitjet me te larta shkollore dhe ekspertit të dëshmuar për aftësi të jashtëzakonshme në artin luftarak, që spontanisht dhe pa asnjë dilemë ia ofruan zgjedhjen Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, në të cilat detyra u vra me atentat, për t’u përjetësuar në dhembjen krenare duke zënë vendin e nderit në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar.
Kolonel Ahmet Krasniqi është autor i shumë punimeve studimore e publicistike, që janë botuar nëpër gazeta e revista profesionale. Gjithashtu, ka lënë të pabotuara edhe disa dorëshkrime dhe një ditar, që janë interesante dhe me interes. Nga shënimet e tij shihet se ka qenë një lexues i pasionuar i krijimtarisë letrare, ka shkruar vjersha dhe ka qenë adhurues shumë i madh i pikturës. Nga shokët dhe miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, mësohet se ka qenë një njeri i tepër i vacant, me virtyte të larta njerëzore, human, trim i vendosur, guximtar e besnik, optimist dhe modest, një patriot i pastër, besimtar i madh në forcën e popullit të tij. Ahmet Krasniqi la pas dy fëmijët e tij Florentin dhe Teuten.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e nismës Guxo, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e parlamentit dhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, nënshkruan të enjten një marrëveshje për të kandiduar së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Sipas marrëveshjes, që u nënshkrua në mjediset e parlamentit të Kosovës, Albin Kurti do të kandidojë për postin e kryeministrit ndërsa Vjosa Osmani për postin e presidentes së vendit.
“Pra, po do të kandidojmë me zotin Kurti për kryeministër dhe për rilegjitimim të presidentes, pra do të jem unë personi që do ta kërkoj këtë rilegjitimim sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit dhe ky unitet më së miri sigurohet nëse kthehemi te ky popull dhe kërkojmë mendimin dhe qëndrimin e tyre edhe rreth presidentit. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për procedurat në Kuvendin e Kosovës, mirëpo një president që ka legjitimitet popullor, presidentja në këtë rast, më së miri e përfaqëson këtë tipar kushtetues”, tha zonja Osmani.
“Presidentja në detyrë zonja Osmani dhe unë ish kryeministri me subjektet tona politike do të jemi në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike të cilën posa e nënshkruam para jush, marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim për të gjithë qytetarët pa dallime, diskriminime e favorizime. Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe do të angazhohemi bashkë”, tha zoti Kurti.
Ai tha se Kosova ka nevojë për kryeministër dhe presidente të re dhe zgjedhjet e 14 shkurtit sipas tij janë referendum për të ardhmen e vendit.
“Në njërën anë është i rëndësishëm rikthimi i qeverisë të mirë me mua kryeministër dhe në anën tjetër kemi presidenten në detyrë e cila duhet të rilegjitimohet dhe 14 shkurti është referendum gjithpopullor për këtë gjë. Qytetarët na njohin mirë dhe e dinë çfarë përfaqësojmë dhe për këtë ne do të angazhohemi bashkë pa pushim dhe kursim”, tha zoti Kurti.
Zonja Osmani, tha se marrëveshja përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bashkim rreth një kauze për një të ardhme më të mirë.
“Kjo që është arritur sot shkon përtej emrave individual apo bindjeve ideologjike sepse kjo marrëveshje në fondament ka qëllime të përbashkëta, atë të luftimit të kapjes së shtetit, padrejtësisë e pabarazisë dhe angazhimit për rimëkëmbje, mirëqenie dhe dinjitet. Sot e për katër vitet në vijim, por edhe përtej këtyre katër viteve, ne jemi të vendosur për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, për të ndërtuar një vend që prioritizon arsimin dhe shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisin dhe mirëqenien e secilit e secilës për ju, duke siguruar një rimëkëmbje ekonomike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe inovative. Jemi të vendosur për të respektuar dhe mbrojtur kushtetutën e Republikës tonë si dhe për të garantuar sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës”, tha zonja Osmani.
Zonja Osmani tha se Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk dorëzohet përballë luftës së pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Jemi një muaj larg zgjedhjeve dhe kjo që arritëm sot reflekton pikërisht vullnetin e qytetarëve, tek sa mbetet përfundimisht në dorën e tyre që të vuloset fati i vendit tonë në mënyrë plebishitare me 14 shkurt”, tha zonja Osmani.
Zoti Kurti dhe zonja Osmani në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019, ishin kandidatë për postin e kryeministrit. Zonja Osmani ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës që doli e dyta në ato zgjedhje dhe të dyja partitë politike formuan koalicionin qeverisës, i cili u rrëzua pas 50 ditësh përmes një mocioni të Lidhjes Demokratike. Kjo çoi edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve dhe ndarjen e rrugëve ndërmjet zonjës Osmani dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi të mërkurën ndaj pretendimeve nga përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas Osmanit është për të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe Rusisë.
“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani duke bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, e jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia.
Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar të mërkurën vizitën e saj në Bruksel, ku është takuar dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit të Belgjikës. Osmani mbrëmë ka pasur takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak e më herët edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasolli, si dhe Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Verhelyi.
Të martën, më 12 janar, Lajçak theksoi në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, se pozicioni i këtyre pesë vendeve mund të ndryshojë nëse arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, nënvizoi Lajçak, duke iu referuar kontakteve që ka me këto vende, por gjithashtu duke iu referuar vendit të tij, Sllovakisë, e cila gjithashtu nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.
“Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju deklaroja: Më jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, ka thënë Lajçak.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se në takim, Lajçaku ka insistuar që Kosova mund të vazhdojë dialogun vetëm pasi të ketë një qeveri legjitime, e cila do të dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen me 14 shkurt.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje- Hercegovinës, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.
Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.
Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.
BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
Komentet