VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pas 140 vitesh, një MEMORANDUM INSTITUCIONAL për shkolonizimin e SHQIPËRISË ETNIKE – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

By | June 23, 2019

Komentet

Çmitizimi artistik i diktatorit (në penën e shkrimtares Mira Meksi) – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Në Panairin e librit të nëntorit që kaloi, Shtëpia botuese “Onufri” nxori në qarkullim romanin e ri të shkrimtares së mirënjohur Mira Meksi, me titull “Diktatori në kryq”. Kjo është një vepër origjinale në llojin e vet në mbarë letërsinë shqipe pas zëvendësimit të sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit.

Diktatori i një vendi është sundimtari i vetëm i tij, i cili gëzon një pushtet të pakufizuar dhe qëndron mbi ligjin. Ai është i vetmi njeri me imunitet. Të gjithë qytetarët e vendit, duke filluar që nga ata që diktatori ka rreth vetes dhe deri te më i thjeshti, ai i konsideron si materiale inerte, mes të cilave mund të zhdukë kë t’i dojë dhe kur t’ia dojë qejfi. Diktatori e ka të pamundur të sundojë pa ushtruar terror mbi njerëzit. Prandaj Çurçilli (Sir Winston Churchill 1874-1965) thotë:

“Diktatorët ecin kaluar majë tigrave, duke pasur frikë të zbresin prej tyre”.

Pikërisht një diktator të tillë ka pasur në krye vendi ynë gjatë një periudhe më shumë se gjysmëshekullore. Por me vendosjen e sistemit pluralist, klasa politike shqiptare nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t’i hyrë analizës së veprimtarisë kriminale të atij diktatori, duke thirrur në ndihmë historianë dhe specialistë nga fusha të ndryshme të dijes, si mjekë, psikologë, ekonomistë etj. Ajo nuk e ndërmori dhe nuk mund ta ndërmerrte një hap të tillë, sepse në dhjetor të vitit 1990 vërtet u vendos pluralizmi, por nuk u përmbys rendi veteranokomunist, ky thjesht u zëvendësua me një rend neokomunist. Kjo është arsyeja që klasa politike nuk e ka dënuar zyrtarisht dhe publikisht diktatorin, me qëllim çmitizimin e tij. Përkundrazi, ajo ka lejuar që ai edhe sot e kësaj dite të mbajë titullin e “Heroit të popullit”. Klasa politike shqiptare, të paktën, për të qetësuar shpirtrat e shtresës së të përndjekurve politikë, duhej të ishte frymëzuesja dhe nxitësja e specialistëve përkatës për çmitizimin e diktatorit. Për këtë qëllim ajo mund të merrte shembull nga Gjermania.

Në janar të vitit 2016, vepra e Hilerit me titull “Lufta ime” doli nga shtypi jo në gjendjen origjinale, por e shoqëruar me pothuajse 3700 komente ekspertësh, të përgatitur nga një grup shkencëtarësh të Institutit të historisë moderne  të qytetit të Mynihut. Madje në punën e këtij kolektivi, nën drejtimin e Kristian Hartnanit, qenë përfshirë jo vetëm historianë, por edhe ekonomistë, japonologë, specialistë të fushës së judaizmit dhe matje gjenetistë dhe biologë.

Hartuesit e veprës në dy vëllime, me titull “Hitler. Lufta ime. Botim kritik”, i kishin vënë vetes si detyrë të çmitizonin figurën e diktatorit dhe të zbulonin natyrën kriminale të regjimit fashist. Në libër bëhet fjalë për kontekstin historik, për njerëzit që përmend Hitleri, për ngjarjet e asaj peiudhe nga këndvështrimi i ditëve të sotme. Aty jepen shpjegime dhe bëhen përgënjeshtrime të teorive të tij të përbindshme që kanë në qendër  urrejtjen kundër njeriut, si edhe hidhen poshtë kryekëput parullat propagandistike.

Udhëheqësi i grupit të hartuesve të librit, dr. Kristian Hartman, dhe drejtori i Institutit të historisë moderne të qytetit të Mynihut Andreas Virshing, patën theksuar se libri ishte një vepër antihitleriane.

Megjithatë, punën që duhej ta bënte klasa politike shqiptare me historianë dhe me specialistë të organizuar për çmitizimin e figurës kriminale të diktatorit shqiptar, e ka përballuar një historian i vetëm, dr. Vasfi Baruti, në dy veprat e veta, të titulluara “Enver Hoxha në optikë të re” (Tiranë 2013) dhe “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)” (Tiranë 2018).

Në të dyja këto vepra, dr. Vasfi Baruti, me fakte tronditëse, ka arritur ta çmitizojë në një mënyrë të pamëshirshme figurën e diktatorit, duke e zhveshur lakuriq në sytë e opinionit publik, pra, duke i çvlerësuar përfundimisht mitet e rreme që kishin krijuar për të propaganda komuniste, historianët e indoktrinuar dhe krejt ngrehina e Akademisë së Shkencave.

Kësisoj, në dy veprat e lartpërmendura të dr. Vasfi Barutit, bëhet çmitizimi historik i diktatorit, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe të shumë dokumenteve të tjera.

 

Kur njihet me përmbajtjen e romanit të lartpërmendur, lexuesi i vëmendshëm krijon bindjen e plotë se Mira Meksi i është pëmbajtur gjithmonë idesë se shkrimtari ka për detyrë ta tregojë të keqen vetëm me gisht, ta pasqyrojë me nota të ndezura, ta bëjë sa më shumë bindëse për lexuesin dhe t’ia përcjellë  në një mënyrë sa më shteruese.

Për krijimin e kësaj vepre, Mira Meksi, si një intelektuale e shquar me brumosje atdhetare, duhet përgëzuar për guximin e saj shembullor për çmitizimin artistik që i ka bërë diktatorit në një mënyrë shembullore. Ajo ka hyrë mjeshtërisht në botën e mistershme të diktatorit dhe ka zbuluar natyrën e tij kriminale. Kur e njeh lexuesin me serinë e krimeve të diktatorit, ajo, tërthorazi, e bën atë të përsiatë dhe të pyesë veten se  cilat janë arsyet që disa njerëz, duke u ngritur në majat e pushtetit, vijnë e shndërrohen në diktator.

Nxënësi i dikurshëm i Liceut të Korçës, me rezultate në mësime poshtë mesatares, ishte bërë objekt talljesh nga ana e shokëve të vet. Profesori Vedat Kokona kujton:

“… Shokët i kishin vënë nofkën “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit” (Vedat Kokona. “endur në tisin e Kohës”. Botimet “Kokona”, 2016, f. 59).

Por, çuditërisht, ky “gazheli” i Liceut të Korçës, një ditë të bukur përfundoi student në Universitetin e Monpeliesë (Montpellier) në Francë, ku nuk dha asnjë provim për be. Në Konferencën e Labinotit (mars 1943), Mustafa Kaçaçi deklaroi publikisht:

“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”. Tiranë 2018, f. 346).

Por pikërisht ky hiç njeri, në atë konferencë, me mbështetjen e fuqishme të serbosllavizmit, përfundon në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe pas 28 nëntorit 1944 mori në dorë frenat e pushtetit absolut, të cilin e ushtroi në mënyrën më kriminale gjatë më shumë se një gjysmë shekulli, sidomos ndaj  intelektualëve të shquar. Dhe Mira Meksi i përcjell lexuesit shpërthimet inatçore të diktatorit kundër tyre:

“… i thoshte shpesh vetes, – duheshin vrarë, duheshin zhdukur, sidomos intelektualët, ata të shkolluarit në Perëndimin e molepsur nga e liga”.

Kompleksi i inferioritetit është burimi i smirës  ndaj njerëzve të aftë, e cila, me kalimin e kohës, vjen e shndërrohet në urrejtje, deri në tërbim, në qenien e diktatorit. Në një burim, të botuar në shtyp, për diktatorin thuhet se “… një ish-liceist i Liceut Francez të Korçës,.. u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në Motnpellier. Në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti, në fondin e arkivave të Fakultetit të Shkencave, ruhet gjithashtu edhe dosja universitare e diktatorit Hoxha në regjistrin me numrin: 15 ETP 20439. Në dosjen e tij nuk figuron asnjë notë dhe asnjë diplomë. A mos ishte vallë ky dështim shkaku i armiqësisë së thellë të tij me bashkëliceistët e Liceut të Korçës? Fati i atyre, që në vitet e liceut u kryqëzuan me diktatorin Hoxha, do të ishte tragjik. Ky pikëtakim dhe përplasja e tyre ideologjike, do t’u kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë mjaft prej liceistëve të Korçës. Sepse shumë prej tyre që e kishin njohur nga afër Hoxhën, miq dhe shokë, por edhe ata që e njohën në mënyrë të rastësishme, u bënë pjesë e një vargu të gjatë eliminimesh dhe ekzekutimesh. Të konsideruar si kundërshtarë politikë, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën, menjëherë pas vendosjes të diktaturës në Shqipëri” (Ermira Xhoamqi. “Liceu Francez, fati i paracaktuar i të rinjve, që donin dijen perëndimore”. Gazeta “Panorama”. 08 shkurt 2018).

Pas analizës artistikisht të gjetur që shkrimtarja i bën figurës së diktatorit përmes bëmave të tij kriminale, ajo e çon lexuesin mjeshtërisht drejt një përfundimi logjik: njeriu, të cilin e mundon kompleksi i inferioritetit për shkak të paaftësive të tij, e ka të pamundur t’u dalë përballë njerëzve të talentuar me tjetër mënyrë, përveçse me forcën e pushtetit absolut, të cilin mundohet ta hedhë në dorë me çdo mënyrë.

Dhe diktatori e kishte të gatshëm modelin e pushtetit absolut. Mira Meksi i kujton lexuesit se ai ishte “biri ideologjik i Stalinit dhe gjithë bota e dinte. Biri që e mbrojti edhe kur gjithë bota e rrëzoi… Biri, që në emër të Atit kish krijuar dhe kish ushqyer kultin e individit të pavdekshëm…”.

Duke e shtruar problemin e kultit të individit të diktatorit në veprën e vet artistike, Mira Meksi i çel një dritare lexuesit, prej nga ai mund të vëzhgojë ecurinë e ngritjes drejt majave të pushtetit absolut pikërisht të individëve me aftësi të kufizuara, të cilët e kanë të pamundur vetafirmimin publik pa një pushtet të tillë. Prandaj, sapo arrijnë majat e pushtetit dhe e kthejnë këtë në absolut, individë të tillë bëjnë ç’është e mundur për konsolidimin e tij.

Diktatori, domosdo, Stalinin do ta kishte si yll karvani në ushtrimin e diktaturës së tij. Sepse edhe Stalini, po ashtu, vuante nga kompleksi i inferioritetit. Arsimimi i tij ishte nën nivelin e mesatares:  kishte bërë gjith-gjithë pesë klasë shkollë. Por ai e vërtetoi në praktikë se, nëpërmjet terrorit, popullin mund ta çosh deri në atë shkallë, që ai ta himnizojë diktatorin, paçka se ky e shkel me këmbë.

Nuk mund të mos vuante nga kompleksi i inferioritetit edhe Hitleri, i cili arriti të merrte pushtetin në Gjermani në vitin 1933. Studiuesi gjerman Anton Noimair (Anton  Neumayr 1887-1954), në një punim me titull “Portreti i diktatorit”, punim që ia pati kushtuar figurës së Napoleonit, të Hitlerit dhe të Stalinit, ka theksuar se Hitleri e pati përjetuar me një tronditje të rëndë shpirtërore dështimin që pësoi gjatë një përpjekjeje që bëri për të hyrë në Akademinë e Arteve Figurative të Vjenës në vitin 1907. Ai dështim solli si pasojë urrejtjen e tij të hapur ndaj njerëzve të talentuar, të integruar më së miri në radhët e shoqërisë, urrejtjen ndaj gjithçkaje që kishte lidhje me universitetet dhe me akademitë. Në përmbysjen e ëndrrave të jetës së tij për t’u bërë piktor ose arkitekt, ai bënte fajtor jo vetveten, por mendjemadhësinë dhe paaftësinë e profesorëve akademikë. Hitleri e ndiente veten të braktisur nga shoqëria, çka e nxiti të gjente strehë në një gjendje anonimati: në fillim në një vendstrehim për njerëzit pa banesë dhe më pas në një konvikt për meshkuj.

Ishte pikërisht kompleksi i inferioritetit ai që e bëri Hitlerin, pas hedhjes në dorë pushtetit, të synonte të arrinte lavdinë e Frederikut II (Friedrich II. der Große 1712-1786), përfaqësuesit të shquar të absolutizmit iluminist dhe themeluesit të organizimit shtetëror prusiano-gjerman, dhe t’ia kalonte edhe lavdisë së Napoleonit nëpërmjet një terrori të egër.

Në këtë roman, Mira Meksi ka zbuluar pa mëshirë natyrën kriminale të diktatorit.

“Askush nuk e dinte, përpos të vdekurve, se ai i kishte filmuar të gjitha ekzekutimet e rëndësishme minutë për minutë, çast pas çasti, gjer kur gropa e përbashkët mbulohej nga dheu i zi… Kish parë dhe stërparë vështrimin e syve kur toga e pushkatimit merrte komandën për zjarr…”.

Diktatori nuk mund të vepronte ndryshe. Ai  ndiqte me besnikëri gjurmët e Hitlerit dhe të Stalinit në qëndrimin kriminal ndaj viktimave të veta.

Hitleri pati dhënë urdhër të filmoheshin skenat e torturave dhe të ekzekutimeve të gjeneralëve që patën marrë pjesë në komplotin kundër tij, pati urdhëruar që ai dokumentar të shfaqej disa herë në praninë e tij, në mënyrë që të kënaqej me pamjet e kufomave të varura në çengela, me pantallona të zhveshura. Fotografinë e asaj skene madje e mbante në tryezën e tij të punës.

Stalini krenohej që kishte qenë i pari, i cili, pas revolucionit bolshevik të vitit 1917, kishte dhënë urdhër të torturoheshin të burgosurit politikë. Ai e kishte për krenari që, gjatë periudhës së sundimit të tij, metodat e torturave që përdorte Komisariati i Punëve të Brendshme, ua kishin kaluar atyre që qenë përdorur deri asokohe. Herë-herë Stalini ndiente një kënaqësi të veçantë kur zgjidhte personalisht metodën e torturës së njërës ose tjetrës viktimë. Ai ndiente kënaqësi të madhe kur jepte urdhra për tortura shpirtërore, gjatë të cilave viktimat i mbante pezull në një gjendje dëshpërimi dhe frike mes shprehjeve të simpatisë së çiltër dhe shpalljes paskëtaj të dënimit me vdekje.

Mira Meksi ka hyrë në botën e përsiatjeve të diktatorit, i cili kërkon që kulti i tij të hyjnizohet në mendjet e njerëzve. Dhe këtu ajo zbulon me art se njëra nga veçoritë e ushtrimit të pushtetit të diktatorit shfaqet në aftësinë e tij për ta ushqyer mbarë shoqërinë me qenien e vetvetes. Prandaj ai mundohet të futet në indin e saj nëpërmjet pushtimit të çdo qoshke të vendit të tij. Kësisoj ai kërkon që në sytë e njerëzve të zërë vendin e Hyjnisë, me qëllim që t’i bindë se prej tij varet mirëqenia e tyre. Kështu që ata duhet të vendosin shenjën e barazisë mes diktatorit dhe shtetit, në kuptimin që nëse nuk ekziston diktatori, nuk ka më shtet. Sigurisht, kur diktatori synon të shndërrohet në Hyjni, në këtë mes ka diçka argëtuese, por duke krijuar kultin e individit, ai arrin disa pikësynime. Ai kërkon t’u futë frikën njerëzve, pra, t’i detyrojë kundërshtarët politikë të mendojnë mirë para se të ndërmarrin ndonjë hap kundër tij, duke ua bërë të qartë se ai është i pamposhtshëm. Veç kësaj, në psikologjinë e njerëzve diktatori kërkon të krijojë bindjen se ai gëzon statusin e Hyjnisë, çka i siguron një pushtet politik absolut. Dhe, të vësh në diskutim pushtetin e diktatorit, është njëlloj sikur ke vënë në diskutim ligjet e natyrës. Por pushteti absolut sjell pasoja të rënda. Historiani dhe politikani i njohur anglez, lordi Xhon Akton (John Acton 1834-1902), thotë: “Pushteti të degjeneron, pushteti absolut të degjeneron në mënyrë absolute”.

Nën presionin e furishëm të pushtetit absolut të diktatorit, edhe masat e gjera të popullit zënë e shushaten dhe, me kalimin e kohës, fillojnë të besojnë se ai ka tiparet e Hyjnisë.

Regjisori rus i filmave dokumentarë Vitali Manski (1963), thotë:

“Putini po jeton në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”. Dhe, për pasojë, – vazhdon regjisori, – “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në radhën e shenjtorëve” (Citohet sipas: “Ç’ka në kokë një diktator?”. Faqja e internetit “Novaja gazjeta”. 29 qershor 2016).

Sigurisht që edhe Putini, si diktator i kohëve moderne, jeton në një realitet “hyjnor”, sepse edhe ai ka vuajtur dhe vuan nga kompleksi i inferioritetit. Shoku i klasës së Putinit në shkollën e sigurimit, Juri Shvec (1952), thotë:

“Në KGB Putinin e quanin “Bisht Cigareje”, më pas i vunë nofkën “Tenjë e Zbehtë”, kurse tani e quajnë “Botoks”  (botox ilaç për heqjen e rrudhave të fytyrës, prodhim i kompanisë amerikane “Allergan” E.Y.)Unë kam komunikuar me njerëz që e njihnin mirë Putinin shumë kohë para se ai të zgjidhej president. Të gjithë theksonin se, përveç aftësive të rëndomta intelektuale, ai binte në sy edhe për komplekse të jashtëzakonshme inferioriteti. Putinin e torturonte për vdekje trupi i tij i shkurtër, komleksi i inferioritetit i lexohej në gjithë figurën dhe fytyrën e tij” (Citohet sipas: Natalia Dvali. “Shoku i klasës së Putinit, ish-zbulues i KGB-së: Ju seriozisht e keni kur mendoni që Putini, i cili merret me heqjen e rrudhave të fytyrës, do të shpërthyeka ndonjë luftë bërthamore? Atij, nga frika, do të fillojë t’i rrjedhë botoksi”. Faqja e internetit “GORDON”. 28 prill 2015).

Shtrohet pyetja: mos vallë edhe populli ynë, në kushtet e neodiktaturës, është duke ecur në gjurmët e popullit rus?

Për të arritur deri te barazimi i vetvetes me Hyjninë, diktatorit i duhet ta largojë popullin nga feja. Prandaj Mira Meksi i përcjell lexuesit një monolog domethënës të diktatorit:

“… ajo që doja të arrija në direktivat e mia ishte veç brumosja e njeriut të ri me materializmin e Marksit. Feja është opium për popujt, ky mësim i madh duhet të drejtonte jetën e bashkëkombasve të mi, t’i edukonte ata”.

Dhe diktatori i turret fesë me tërbim. Mira Meksi thekson se vrerin kryesor ai e vjell kundër katolicizmit, kundërshtarit kryesor të diktaturës komuniste. Dhe “kishte të drejtë” ta urrente katolicizmin, si vatrën e nacionalizmit shqiptar, sepse përfaqësuesi i shquar i tij, Atë Gjergj Fishta, kishte qëndruar burrërisht në vijën e parë të luftës për demaskimin e shovinizmit serbosllav, të cilit diktatori i pati shërbyer me një zell të jashtëzakonshëm që prej 08 nëntorit të vitit 1941. Urrejtja e diktatorit ndaj katolicizmit të kujton të njëjtën urrejtje që pati ushqyer ndaj tij edhe Hitleri.

Në punimin e lartpërmendur, Anton Noimairi është ndalur edhe në qëndrimin e Fyrerit ndaj katolicizmit. Ai ka shkruar se pas përfundimit të një marrëveshjeje me Romën në vitin 1933, Hitleri pati planifikuar që t’i jepte një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje, sepse, sipas mendimit të tij, i duhej dhënë fund bashkekzistencës me katolicizmin, të cilin e vlerësonte si një dukuri të turpshme për kulturën.

Mira Meksi zbulon djallëzinë e diktatorit në organizimin e fushatës kundër fesë, të cilën ai e quante hidër që rrezikonte komunizmin. Prandaj, për ta bindur opinionin publik se nuk ishte ai që u ngrit kundër saj, ai vuri në lëvizje njërën nga levat e diktaturës, të yshtur prej tij me marifet: rininë.

“Ndeza veç një pishtar në trup të fesë, të cilin fëmijët e shkollës, rinia e Durrësit e para… dhe më tej tërë rinia e vendit dhe gjithë shqiptarët, ma rrëmbyen nga dora, i vunë në fillim zjarrin kishës së Shna Vlashit dhe më tej tërë vendit, përcëlluan dhe dogjën edhe vetë emrin e fesë”.

Marifete të tilla janë në natyrën e diktatorëve. Ata i përdorin këto lloje marifetesh për të maskuar krimet e veta, duke i thënë opinionit publik se ata thjesht po zbatojnë vullnetin e masave. Me fjalët e mësipërme të diktatorit, Mira Meksi më bën të sjell ndër mend përmbajtjen e një vepre të Leopold Sondit (Léopold Szondi 1893-1986), psikolog, psikiatër dhe psikanalist hungarez dhe zviceran. Në monografinë e tij me titull “Kain, Gestalten des Bösen” (Kaini, figura e së keqes), Sondi thekson se mbretërit dhe perandorët, politikanët dhe fyrerët që vuajnë nga mania e madhështisë, kanë arritur që, në çfarëdo epoke, të tërheqin, të mobilizojnë masat shumëmilionshe të njerëzve për qëllimet e tyre të turpshme dhe t’i detyrojnë të kryejnë krime të përbindshme, me të vetmin qëllim që të krijohet bindja në opinionin e gjerë se një pjesë e të  ashtuquajturit popull përbëhet prej kainësh të fshehtë, të cilët mezi presin atë moment, kur atyre, nën maskën e patriotëve”, do t’u lejohet t’i shpërthejnë lirshëm pasionet e tyre prej kriminelësh të pamëshirshëm. Kësisoj, Sondi arrin në përfundimin se masa e njerëzve  është një maskë ideale, prapa së cilës mund të fshihen kainët e rinj, sepse ajo i çliron diktatorët nga përgjegjësia personale.

Me zhdukjen e fesë, diktatori i dha vetes tiparet  e Hyjnisë. Prandaj Mira Meksi shkruan:

“U grisën dhe u dogjën librat fetarë dhe shkrimet e shenjta. U zëvendësuan më pastaj me veprat e Tij”.

Pra, shqiptarëve, deri asokohe, siç shkruan ajo në vazhdim, “askush nuk kish guxuar t’u merrte Zotin”.

Sigurisht, botimi i veprave të diktatorit ishte njëra nga mënyrat e rrënjosjes së kultit të individit në ndërgjegjen e njerëzve.

Pohimi i mësipërm i Mira Meksit të sjell në kujtesë një libër të gazetarit dhe të shkrimtarit norvegjez Mikal Hem, të titulluar “Të jesh diktator: udhëzim praktik”, përmbajtja e të cilit përshkohet nga ideja se kulti i individit krijohet saktësisht përmes portreteve dhe statujave në mbarë vendin, marrjes së titujve, krijimit të ideologjisë shtetërore me emërtim tingëllues, emërtimit të objekteve të ndryshme me emrin e diktatorit, vënies në shërbim të diktatorit të mjeteve të informimit masiv, sajimit të ligjeve të pazakonta, shkrimit të librave.

Mikal Hemi e vë theksin tek ideja se veprat e diktatorit duhet të jenë të llojit të veçantë, se ato duhet të përmbajnë profetizime dhe moralizime, të cilat do të shërbejnë si bazë për rrënjosjen e kultit të individit në vetëdijen e njerëzve. Koha e vërtetoi se cila ishte “vlera” e veprave të diktatorit.

Më lart u theksua se për çmitizimin e librit të Hitlerit, mes specialistëve të ndryshëm, qenë përfshirë edhe ekonomistë. Sikur klasa politike shqiptare të kishte marrë një vendim për çmitizimin e diktatorit, patjetër që do të ishte më se e domosdoshme që në grupin e specialistëve përkatës të përfshiheshin edhe ekonomistë. Sepse botimi i veprave të diktatorit në gjuhën shqipe dhe të jo pak prej tyre edhe në disa gjuhë të huaja, asokohe i ka kushtuar shumë shtrenjtë arkës së shtetit. Atëherë kanë qarkulluar mendime se kostoja e botimit të tyre i ka kushtuar shtetit miliona dollarë. Brezi i ri e ka të vështirë ta besojë, por brezi i dytë dhe brezi i tretë e kanë parë me sytë e tyre se si ekspozoheshin në mbarë vendin “veprat”   e diktatorit, duke arritur deri te vëllimi 71, i cili reklamohej si  “relike e çmuar” majë ndërtesave më të larta të qendrave të qyteteve në fundin e viteve ’80. Pra, diktatori, përveç krimeve të  rënda që kreu kundër popullit shqiptar, duhej të çmitizohej edhe për grabitjen e vlerave monetare të vendit për botimin e “veprave” të tij që përfunduan në koshin e mbeturinave.

Shkrimtarja Mira Meksi, me elegancën e imagjinatës së vet, e zhvendos lexuesin në botën e përsiatjeve të diktatorit në vetminë e tij në kohën e pragvdekjes. Sigurisht që diktatori e ka të vështirë të ndahet nga pushteti absolut dhe, po të kishte mundësi, do të ngrinte krye edhe kundër Hyjnisë që ka shpikur vdekjen. Prandaj ai ëndërron për ringjalljen.

“U kthye me mendje sërish te vdekja e tij e afërt, sidomos te ringjallja. Vdekja i la në gojë amzën e hidhur të rrugëtimit vetmitar e të pambrojtur të trupit… Por edhe frikën e takimit, në atë rrugëtim të mbramë, me viktimat e tij”.  

Pra, në fanitjen para syve të viktimave të diktatorit, Mira Meksi shikon arsyen e vetmisë së tij vrastare.

Psikiatri dhe psikologu amerikan me prejardhje çeke Stanislav Grof  (1931), autor i librit me titull “Beyond the Brain” (Përtej caqeve të trurit), thotë:

“Diktatori përjeton jo forcën, por kompleksin torturues të inferioriteti, etjen e tmerrshme për t’u rrëfyer, vetminë e padurueshme dhe një mosbesim që e gërryen përbrenda. Gjatë terapisë së thelluar empirike, “kompleksi i diktatorit” zgjidhet me përmbylljen e  procesit të vdekje-ringjalljes”.

Një dukuri interesante kjo: edhe një shkrimtare e talentuar, edhe një psikiatër dhe psikolog i shquar vijnë në të njëjtin përfundim: diktatori, i marrosur pas pushtetit absolut, kërkuaka të mos ndahet prej këtij të fundit, duke u rikthyer përmes ringjalljes. Vetvetiu të vjen ndër mend një aforizëm i bukur i Fitzxheraldit (Francis Scott Key Fitzgerald1896-1940), shkrimtar amerikan, përfaqësuesi më i shquar i të ashtuquajturit “brez i humbur”:

“Kurrfarë mrekullie e prekshme, reale, nuk mund të krahasohet me faktin se ç’mund të grumbullojë njeriu në humnerat e fantazisë së vet”.

Por jeta vërtetuaka se fantazia e Mira Meksit dhe e Stanislav Grofit për dëshirën e diktatorit që ëndërruaka ringjalljen, u mbështetka mbi një truall konkret. Le të flasim me gjuhën e fakteve:

Në një libër mjaft interesant, të botuar për herë të parë në Turqi në vitin 1991, me titull Kendini arayan adam” (Njeriu që kërkon vetveten), me autor as.doc.dr. Halit Ertogrul, jepen të dhëna befasuese në lidhje me çastet e fundit të jetës së Josif Broz Titos. Në këtë libër, në faqen 105-106, autori jep rrëfimet e Sali Gokkaya, i cili kishte kaluar 50 vjet të jetës së tij në shërbim të ideologjisë komuniste. Ai kishte kryesuar delegacionin e komunistëve turq, me rastin e vizitës që i kishte bërë kryetarit dhe liderit komunist të Jugosllavisë, Titos. Ja rrëfimi i tij:

“Në vitin 1980 gjendeshim në Beograd me ftesën e presidentit të Jugosllavisë Mareshalit Tito. Përreth shtratit të liderit komunist, i cili kishte kaluar 70 vjet nga jeta e tij 88-vjeçare në shërbim të komunizmit dhe Jugosllavisë, shkonin e vinin shërbëtorë që plotësonin dëshirat e fundit të tij. Lideri i moshuar komunist nuk ishte më i zoti të fliste, ashtu siç kishte aftësi për të folur më parë kur u drejtohej miliona njerëzve, ngase tashmë funksioni i duarve dhe i këmbëve të tij ishte dobësuar shumë. Sytë e tij, sa herë që fliste, i mbusheshin me lot, buzët i dridheshin, ndërsa fytyra e tij tashmë kishte marrë një pamje krejtësisht tjetër, kishte një pamje që prezantonte dhembshuri. Me të kuptuar gjendjen e tij, unë desha t’i them diçka për ta ngushëlluar. Duke iu drejtuar me këto fjalë, i thashë:

“Zotëri, ju nuk duhet të trembeni nga vdekja, sepse ndoshta me trup do të largoheni nga kjo jetë, por shpirtërisht dhe me veprat tuaja do të jeni gjithmonë prezent në zemrat e njerëzve. Por me të dëgjuar fjalën vdekje, ai u prek thellë dhe pamë se si filloi të dridhet, sikur ta kishte zënë tërmeti. Fjalët e tij që i tha në ato momente, ende buçasin në veshët e mi”, – thotë Gokkaya, dhe vazhdon të transmetojë fjalët e Titos:

“Po. Unë po vdes. Por, edhe po t’jua shpjegoj juve që jeni të shëndetshëm, nuk do të mund të më kuptoni në këtë moshë. Ndarja nga  shokët, miqtë, nga posti dhe nga pozita, të bën të çmendesh. Juve, shokë, do t’jua tregoj diçka me zemër të hapur. Në qoftë se pasi të vdes, trupi im do të bëhet dhé, dhe në qoftë se nuk do të ketë ringjallje, shpërblim dhe ndëshkim, atëherë cila kishte me qenë vlera e përpjekjeve të jetës sime? Ju lutem, më thoni! Në qoftë se unë do të ndëshkohem deri në pafundësi, atëherë çfarë vlere ka të jetoj në zemrat e të tjerëve dhe të duartrokitem. Pas vdekjes sime, a thua do të arrijë zhurma e duartrokitjeve që bëhen për mua, për të ndaluar gjarpërinjtë dhe krimbat, që të mos e hanë kufomën time?..”. (Citohet sipas: Shevki Sh. Voca. “Pendimi i Josip Broz Titos”. Faqja e internetit “Radio Islame”. 15 nëntor 2008).

Duke pasur parasysh dëshirën e Titos për ringjallje, rezulton se në pohimin e Mira Meksit kemi të bëjmë me një trill artistik, kurse në pohimin e Stanislav Grofit kemi të bëjmë me një trill shkencor. Prandaj ka të drejtë skenaristi, shkrimtari dhe gazetari anglez Frederik Rafaeli (Frederic Raphael 1931) kur thotë:

“E vërteta është më mbresëlënëse se trilli, por trilli ama është më afër realitetit”.

Me botimin e këtij romani, Mira Meksi mund të radhitet denjësisht pranë atyre shkrimtarëve, të cilët në veprat e tyre kanë skalitur me mjeshtëri pasojat e sundimit diktatorial. Këtu po përmend disa prej tyre.

Shkrimtari gjerman Bertold Breht (Bertolt Brecht1898-1956) romanin-pamflet me titull “Punët e zotit Jul Çezar”, e pati shkruar në vitet 1937-1938, kur hitlerizmi ndodhej në ngritje e sipër dhe as që parashikohej shembja e ardhshme e diktaturës. Por në vitin 1939, në novelën me titull “Çezari dhe legjioneri i tij”, po me të njëjtën analogji historike me Jul Çezarin, ai parashikoi përmbysjen e diktatorit.

Në vitet 1944-1947, shkrimtari francez Alber Kamy (Albert Camus 1913-1960) shkroi pjesën “Kaligula”, në të cilën i përcjell lexuesit fjalët e diktatorit romak:

            “Në mbarë perandorinë romake, i lirë jam vetëm unë”.

Duke shfrytëzuar mundësinë për të qenë i pandëshkueshëm, të cilën e pati shpallur si parullë politike të pushtetit të pakufizuar të diktatorit, mekanizmat e fshehta të politikës shtetërore Kaligula i shpallte haptas. Prandaj ai deklaronte:

“Të sundosh, do të thotë të vjedhësh… Për sa më përket mua, unë do të vjedh haptas”.

Në skalitjen e figurës së Kaligulës, Alber Kamy vjen dhe e shton motivin e tmerrshëm të vetmisë së diktatorit që u mbyll me fundin e tij tragjik.

Shkrimtari amerikan Torton Uailder (Thornton Niven Wilder 1897-1975), është autor i romanit The Ides Of March” (Idat marsiane kështu quhej te romakët e lashtë dita në mes të marsit që i kushtohej Jupiterit. Në kuptimin figurativ, kjo shprehje do të thotë “dita e ngjarjeve fatale”, sepse më 15 mars të vitit 44 p.e.r qe vrarë Jul Çezari), të botuar në vitin 1948, në të cilin hero kryesor është diktatori Jul Çezari. Si një shkrimtar i vëmendshëm, që ka trajtuar proceset më të thella të aktualitetit, Uailderi hedh dritë mbi shkaqet politikosociale të shembjes së dikturave. Romani ishte rezultat i përsiatjeve të shkrimtarit për fatet e Evropës të kohës së Luftës së Dytë Botërore

Në roman ai u ofron lexuesve një letër të Çezarit për Kleopatrën:

“Domosdoshmëria për të tërhequr njerëzit pas vetes, e thellon vetminë e natyrshme të njeriut. Çdo urdhër që nxjerrim vjen dhe e shton vetminë tonë, çdo shenjë respekti që manifestohet ndaj nesh, na largon edhe më shumë nga njerëzit e tjerë”.

Dhe Kleopatra i përgjigjet:

“… ju me të vërtetë keni krijuar rreth vetes murin e vetmisë, një mur të tepruar madje edhe për sundimtarin e botës”.

Duke u njohur me jetë diktatorësh të zhytur në krime kundër popujve të tyre, lexuesit, vetvetiu, mund t’i lindë një pyetje e thjeshtë:

Po vallë a do të jetë e mundur ndonjëherë që ndokush nga diktatorët, i cili, në gjalljen e vet, t’i thërrasë mendjes për krimet e kryera dhe të marrë guximin për të dalë me një pendesë publike para popullit të tij?

Filozofi i shquar gjerman, Kanti (Immanuel Kant1724-1804), kësaj pyetjeje i ka dhënë një përgjigje shteruese:

“Sundimtari suprem duhet të jetë i drejtë me vetveten dhe me këtë rast të vazhdojë të mbetet njeri. Kjo është një detyrë nga më të vështirat, aq më tepër që kjo detyrë është e pazgjidhshme: njeriu është latuar prej një druri kaq të shtrembër, saqë asnjë marangoz nuk është në gjendje ta drejtojë. Natyra na ka ngarkuar përsipër vetëm detyrën për t’iu afruar këtij ideali”.

Kompozicioni i romanit të shkrimtares Mira Meksi e orienton lexuesin drejt idesë kryesore të veprës – idesë së marrëzisë së ekzistencës së tiranisë në shoqërinë njerëzore.

Romani mbyllet me fjalinë në vijim:

Po e kryqëzonin edhe të vdekur dhe nuk kishte një mundësi të dytë në tokë”.

Pra, fundi i biografisë së diktatorëve zakonisht është tepër i mjerueshëm. Dhe sado të vërtitet njëri ose tjetri sundimtar për ta paraqitur veten si Hyjni para popullit të vet, njerëzit, herët ose vonë, do të arrijnë deri tek e vërteta dhe do ta nxjerrin lakuriq në sytë e botës.

Santa Barbara, Kaliforni

30 dhjetor 2019

Psikologjia dhe filozofia politike e Kryeministrit Haradinaj – Nga AGRON SHABANI

 

1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, pos disiplinave të tjera shkencore ose metodologjike, si duket e njeh mirë edhe psikologjinè dhe filozofinë politike. Ndërkohë që Kryeministri Haradinaj është edhe kontemplativë, edhe konvencional, edhe profesional, por edhe tepër institucional, konstitucional dhe kompetitivë në jetën e njohur institucionale, funksionale ose politike.
Kjo donë të thotë se z. Haradinaj, ka një personalitet të qëndrueshëm dhe tepër stabilë në domenin ose kontekstin e njohur të psikologjisë politike. Ai është i pajisur ose ‘armatosur’ madje edhe me intelegjencën e brendshme shpirtërore dhe emocionale. Pse (përse) kjo? Sepse, z. Haradinaj i njeh dhe zbaton me përkushtim, përpikëshmëri dhe devocion të plotë ‘zgjedhjen e vet’ dhe ‘zgjedhjen e tjetrit’, gjegjësisht, ‘zgjedhjen e tij dhe ‘zgjedhjen e të tjerëve’ në funksion të zgjidhjes optimale ose maksimale për të gjitha palët sipas asaj se : në çdo moment, ne kemi dy zgjidhje politike për të zgjedhur dhe për t´u zgjedhur: ‘zgjedhjen time’ dhe ‘zgjedhjen tënde’ ose ‘zgjedhjen tonë’ dhe ‘zgjedhjen tuaj’.
Se këndejmi, në kontestin e asaj “të bëjmë një hap përpara drejt rritjes, zgjërimit dhe pèrsosjes, apo të bëjmë një hap prapa drejt tkurrjes dhe sigurisë”: Kryeminstri Haradinaj deri me sot, është treguar shumë i shkathtë dhe profesional. Sidomos në kontrollin dhe menaxhimin e situatave të ndryshme të tensionuara, dramatike ose eskalative në Kosovë, me reflektime ose interferime të ndryshme esksterne ose eksplikative edhe në marëdhëniet ose raportet e gjithëmbarshme të popullit (kombit) dhe vendit tonë me miqtë ose aleatët e njohur botëror ose ndërkombtarë. Me shtetin dhe pushtetin shqiptar sidomos.
Në këtë kontekst të përgjithshëm të psikologjisë politikë dhe analitike, sipas Alfred Adlerit dhe homologëve të tij, të vetmit njerëz të përsosur, ekskluziv ose karismatik, janë ata që nuk i njohim mirë dhe nuk i kemi studiuar dhe kuptuar kurrë si duhet dhe sa duhet . Duke menduar dhe reflektuar nè figurën ose personalitetin kompleks dhe tepër ekskluzivë ose karismatik të Ramush Haradinajt që u bëri ballë edhe sprovave më tè rënda si lufta dhe rënia ose humbja e vëllezërve, miqve, shokëve ose bashkëluftëtarëve të tij në fushën e nderit, tribunalit dhe burgut të gjatë në Den Hagë, si dhe kuthave, intrigave dhe dredhive të tjera serbo-bizantine në sfond.
Ndryshe nga kjo, në politikë të lartë dhe diplomaci, nuk mund të bëhet fjalë mbi ndjesinë e të të qenit i gjallë, dinamik, enërgjik, i njohur, i pranueshëm, i sukseshëm, i rëndësishëm dhe karasmatik pa sensin dhe kuptimin e njohur të materies, substancës, esencës, identitetit, individualitetit, ekskluzivitetit, dinjitetit, dignitetit dhe integritetit të njohur intelektual, profesional, moral, politik, ushtarak (luftarak) ose patriotik të personit ose indfvidit.
Ndonëse, më rëndësi primare ose ambivalente është edhe ajo që individi dhe kolektiviteti të mos qëndrojne gjithëmonë të lumtur, të kënaqur ose ekzaltuar mbi “siperfaqen e mahisur” të gjërave ose suksesëve të ndryshme ditore ose periodike. Duke i valorizuar ose glorifikuar arritjet, suksesët ose disfatat dhe mossukseset e ndryshme ditore ose peridike.
Psikologjia si disiplinë shkencore, e cila për objekt dhe subjekt studimi dhe analize i ka njeriun dhe shpirtin ose kultin e tij, është mjaftë e re. Ajo, siç thotë psikologu i njohur gjerman Ebinghaus, psikologjia e ka të kaluarën shumë të gjatë, por historinë e shkurtër.
Psikologjia politike si shkencë, apo si disiplinë e posaçme shkencore ose metodologjike, nga pikëpamjet e veçanta, i pasqyron dhe ndriçon aktivitetet dhe sjelljet e njerëzve, duke na bërë të mundur t’i njohim dhe kuptojmë më lehtë e më mirë sjelljet, veprimet dhe reagimet e njerëzve, me të cilët takohemi çdo ditë: në qeveri, parlament, radio, televizion, gazeta, në teatro, kinema, salone, rrugë, në shkollë, në punë, në shtëpi etj. Psikologjia politike i studion dhe analizon realitetin dhe aktivitetin psiçik së bashku me jetën dhe botën psiçike ose psikologjike të personit ose individit.
Ndryshe nga kjo, me veçoritë pozitive ose pozitiviste të liderit të lartë shtetror, nacional, qeveritar ose institucional, i nënkuptojmë cilësitë e qëndrueshme të individit, siç janë: shprehitë, aftësitë, temperamenti, vendosmèria, konsekuenca, pariteti, nevojat, kërkesat, interesat dhe cilësitë e tjera të personalitetit, të cilat shprehen ose manifestohen në reagimet dhe sjelljet e tij ndaj njerëzve ose qytetarëve të vendit ose popullit (kombit)të tij përkatës ose respektivë etj.
Detyra praktike e psikologjisë politike qëndron në të zbatuarit e rezultateve të hulumtiimëve teorike, me qëllim të kryerjes ose përmbushjes sa më me të suksesshme ose praktike të veprimtarive ose aktivitetëve të njohura shtetrore, nacionale, politike, diplomatike, shkencore, kulturore, industeriale, ekonomike etj. Kështu p.sh., rezultatet e studimëve ose hulumtimëve të lartëpërmendura të psikologjisë politike, sociale ose analitike, zbatohen dhe reflektohen në organizimin sa më të suksesshëm të punës në industri, ekonomi, arsim, shkencë, kulturë, qeveri, parlament, politikë të jashtme ose diplomaci dhe kështu me radhë… Duke i evituar, sanuar dhe larguar pengesat ose vështirësitë e ndryshme objektive dhe subjektive të personave ose individëve të ndryshëm me probleme ose aftësi të kufizuara shpirtërore, emocionale, mentale, psikologjike dhe të tjera të cilët e pengojnë ose vështirësojnë kryerjen e punëve apo obligimëve të ndryshme shtetrore, nacionale, qeveritare, parlamentare, politike, diplomatike, admnistrative, juridike etj. Atëhere, ç’ rëndësi ka psikologjia? Psikologjia na bënë të mundur t’i njohim njerëzit, jetën, botën, natyrën dhe vetvetën tonë në përgjithësi…Duke na treguar rrugën se si të veprojmë ose reagojmë në situata të ndryshme negative ose pozitive, që t’i evitojmë të metat ose dobësitë e ndryshme objektive dhe subjektive, dhe t’i zbatojmë të mirat dhe cilësitë e njohura pozitive. Na tregon rrugën e formimit të vetive psiçike ose psikologjike të ‘kultit të personalitetit’ etj. U mor vesh se fjala “psikologji” rrjedh nga greqishtja e vjetër, që do të thotë “psiko” (psyche) – shpirtë dhe “logos” – shkencë. Kjo fjalë gjithashtu lidhet me mitin e vjetër mbi Psikën dhe Erosin të cilin e bëri të njohur historiografia romake. Sipas atij miti, kishte jetuar një vajzë shumë e bukur, e quajtur Psiha, e në të cilën ishte dashuruar Erosi. Mirëpo, e ëma ( nëna) e Erosit, zonja e dashurisë, Venera (Afërdia) dhe motrat e Psihës, e xhelozonin aq shumë këtë dashuri dhe me çdo kusht mundoheshin të prishnin ose shkatërronin, duke proklamuar se një djalë nga familja e Zotërave të lartë, nuk mund të martohej më një vajzë nga shtresat e ulëta njerëzore ose qytetare. Mirëpo, edhe pas këtyre peripecive dhe pengesave të shumëta nga ana Venerës (Afërditës) dhe bijave të saj: Kryezoti (Zeusi) kishte vendosur që edhe Psika të pranohej në Olimp, në mesin e Zotëve (Zotërave) të tjerë të Olimpit. Duke e bërë të mundur martesën e Psikës me Erosin. Dashuria, bukuria dhe mençuria, atëbotë pra, triumfuan mbi të gjithat. Ndonëse, ç’është e vërteta, është shumë vështirë të definohet fjala psikologji, respektivisht të jepet një definicion i qartë dhe përfundimtarë që do i përmbushte të gjitha vështrimet e njohura deri më sot.

2. U mor vesh se motivi, vullneti dhe guximi për të jetuar i lirë në një botë të sunduar ose dominuar nga “dishepujt” ose “apostujtë”e ndryshëm diabolik të “mbretërisë së të keqës”, sipas Arthur Schoppenahauerit, janë faktorët kryesorë që e mbushin, plotësojnë dhe dominojnë jetën e njeriut të ditur, të guximshëm dhe liberatorë.
Se këndejmi, frika, dyshimi dhe pesimizmi i përgjithshëm ose total, të lavdëruar nga Tolstoi dhe të admiruar nga Niçeja si një “alternativë solomonike” ndaj Hegelit dhe të tjerëve, patjetër çojnë në konkluzionin ose përfundimin e njohur ekstrem ose radikal sipas të të cilit: “të lirët, të diturit, të mençurit, të urtët, të pavarurit ose njerëzit sovran, integral dhe ekselent, e kanë idealin e jetës dhe përparimit të gjithëmbarëshem individual dhe kolektivë, ndërsa, të paditurit, të marrët, të robëruarit, të shiturit, korruptuarit, horrat dhe maskarënjtë e ndryshëm, e kanë “motivin” dhe”idealin” e vdekjes, nënshtrimit (skllavërimit) dhe shkatërrmit. (Filozofia politike e Kryeministri Haradinaj)
Në politikë të lartë ose diplomaci, me kalimin e vitëve ose me “ndërrimin e epokave”, njerëzit i tradhtojnë idhujt, miqtë, aleatët, liderët, partitë politike, idealet, konceptët e ndryshme ose vizionet e tyre, më një “epokë tjetër” më të re ose aktuale, ashtu siç e tradhton një burrë gruan e tij për një grua tjetër më të bukur dhe më të re dhe anasjelltas. Kjo është ajo që mëse tepërmi i intereson filozofisë së përgjithshme. Antropofilozofisë dhe epistemologjisë politike-sidomos.
Ndryshe nga kjo, çdo filozof, lider politik ose politikan, sipas Bergsonit, mendon ose reagon ndaj një filozofi, lideri ose politikani tjetër në kuptimin e asaj se liri, drejtësi dhe barazi absolute nuk ka, por vetëm liri, drejtësi dhe barazi relative ose selektive. Gjithashtu edhe kryeministri Rama ndaj kryeministrit Haradinaj ose anasjelltas. Kjo për faktin se i forti (i fuqishmi) i pushtetshmi, i pasuri dhe i dituri, në shtetët ose “shoqëritë e larta” industriale dhe kapitaliste të Perëndimit, gjithëmonë kanë të drejtë . Atëherë, ndaj kujt reagonte asokohe Shopenhaueri? Patjetër sikur shtrohet pyetja. Schopenhauri, reagonte ose protestonte kryesisht ndaj Hegelit dhe përpjekjes së tij madhështore ose metaestetike për të rihyjnëzuar dhe reinkarnuar botën dhe natyrën tonë me ndihmën e shqisës së gjashtë, intelegjencës së brendshme shpirtërore dhe emocionale si dhe sensit etik ose filozofik të historisë. Duke i “përdhosur dhe demonizuar” kështu edhe botën, edhe natyrën, ashtu siç kishte bërë dikur me herët në Antikë, Aristoteli.
Filozofia e Hegelit është një filozofi e frymës, idesë, idealit, vizionit, racionalitetit, subjektit, aktivitetit, lirisë, e vlerave të njohura hyjnore dhe universale të jetës së njeriut në tokë. Ajo është pra një filozofi e pozitivitetit, e mbjelljes së optimizmit të antropomorforizuar në ide ku qielli me yje, është lebroz.
Për të shmangur dualizmin e njohur në mes shpirtit dhe natyrës, të subjektit dhe objektit, shkrihet natyra në shpirtë, objekti në subjekt dhe kështu me radhë. ” Natyra identifikohet me ‘procesin praktik dhe teorik të dëshirave, orekseve dhe ngashërrimeve të përbashkëta, të kënaqësive dhe dhimbjeve’ të ndryshme objektive dhe subjektive etj.
Në këtë ‘ritual’ ose ‘celebrimë të përbashkët’ të shpirtit dhe nytyrës, është logjika ose koshienca e lartënjerëzore ajo që na flet ose udhërrefen vazhdimisht mbi “fenomenologjitë” e ndryshme të shpirtit dhe natyrës.
Përveç asaj, ne si qenie ose krijesa njerëzore, jemi të prirur të jetojmë dhe penetrojmë si të thuash në mes tre (3) botërave të ndryshme: botës shpirtërore ose materiale, botës trupore ose fizike si dhe botës mendore (koshiente) ose logjike. Njeriu pra është ‘sintezë’ e tre (3) botërave të ndryshme që vazhdimisht e mbushin ose plotësojnë njera tjetrën. Së fundmi, është fati i dhimbjes, pleqërisë, sëmundjes dhe vdekjes që varet nga të triat ose nga të gjithat bashk.
Në këtë rast, fenomenologjisë së shpirtit i kundërvihet fenomenologjia e natyrës.
Filozofia idealiste ose filozofia hegeliane, lëvizë ose penetron nga ilegjimiteti i deduksionit (të çështjes ose materies në vetvete) duke filluar nga dukuria e ligjit të shkakësisë dhe induksionit, që është një ligj i parimit të arsyes subjektive në objektivitet dhe racionalitet e kështu me radhë.
Shopenhaueri ndërkaq, bën të kundërtën. Kthehet tek Kanti, për t’u hedhur më pas tek maksima ose formula e tij e shquar e “Vullneti për të jetuar” (Wille zum Leben). Kështu që fenomeni interferon dhe integrohet në vullnetin për të jetuar, që është thelbi i botës. Për Kantin, vullneti për të jetuar, që në krye të herë është i njohur dhe identifikuar në vetëdijen (koshiencën) dhe ndërgjegjen tonë.
Gjithashtu besohej (besohet edhe sot) se ligji i shkakësisë që i rregullon fenomenet e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore dhe parimi i arsyes që i shpjegon ato, ishin (janë) ligje të përhershme dhe absolute. Respektivisht, “veritates aeternae” (të vërtetat e përjetshme).
Për më tepër ndërkaq, Schopenhaueri e pranon edhe tutelen e filozofisë fetare, duke u shprehur më pas se “parimi i ndërgjegjës dhe arsyes nuk është primar ose prijetar i çdo gjëje, dhe se bota nuk është vetëm si pasojë e tyre dhe në përputhje me to.” Jo, por, ai me anë të një analizë të shkëlqyer dhe tepër sublime, në menyrë lucide dhe akribike na tregon dhe sqaron se vullneti për të jetuar mishërohet tek të gjitha qeniet dhe lëvizë ose penetron tek të gjitha gjërat në një luftë të përjetshme ose maratonike për përmbushjen e ëndrrave të pandërprera, të rilindura vazhdimisht, për arritjen e përhershme të caqëve ose qëllimëve të reja etj. Është një “stuhi infernale dhe interaktive që nuk pushon asnjëherë”, ku qeniet njerëzore janë në kaos ose anarki, në kërkim të vazhdueshëm të plotësimit të vetvetës dhe nevojave të jetës, të shkëputur nga materia, të lëkundur nga nevoja tek mërzia dhe nga mërzia tek nevojat e reja, pa arritur dot ndonjëherë një qëllim të limituar ose përfundimtar.

Vullneti na vë në gjumë dhe kur jemi zgjuar, dhe na vë në levizje edhe kur jemi të fjetur ose në gjumë. Ndryshe nga kjo, ndarja dhe thellimi i dy sferave filozofike, sferës racionale, të kufizuar nga parimi i arsyes, dhe asaj iracionale, të pakufizuar nga vullnetit për të jetuar, shënon mbizotërimin e qartë të së dytës mbi të parën. Vullneti bëhet Pavetëdije.
Ndonëse, deskriptimi i botës dhe natyrës, sipas Shopenhauerit, është qëllimi kryesor i filozofisë.
Por, Schopenhaueri gjithashtu e kundërshtonte ‘panteizmin’ e Spinozës ose “pandiabolizmin” e tij.
Ndaj, pavarësisht nga të qënit të tij si “ateist i parë i sinqertë dhe i palëkundur” gjegjësisht si “profet i madh” i Anti-Zotit ose Anti-Krishtit: Fridrih Niçe është pikërishtë ai që më shumë se të gjithë e ndjen prekjen, tmerrin, rrebelimin dhe skandalizimin e hyjnores ose profetikës. Si autor dhe protagonist i madh jo vetëm i njeriut, por i të gjithë dramës së njohur njerëzore dhe natyrore, Fridrih Niçeja është “mbinjeriu” ose ai që e dominon njeriun e xhindosur dhe diabolik.

“DITA E KUJTESËS” DHE KRENARIA SHQIPTARE – Nga EUGJEN MERLIKA

HarrojmË! Të rinjtë kanë dhuntinë e harresës, ashtu si të moshuarit kanw atë të të kujtuarit”

  1. Pailleron (1834 – 1899), komediograf francez

Ka ngjarje në historinë e njerëzimit që shënojnë epokat ose i venë vulën e tyre periudhave të ndryshme. Lufta e dytë botërore, me sasinë e viktimave (50 milionë), është një nga ngjarjet më tronditëse e më të tmerrshme të gjithë qënies mijravjeçare të shoqërisë njerëzore. Në kuadrin e saj, holokausti, zhdukja fizike e gjashtë milionë viktimave të pafajshme, vetëm e vetëm në sajë të prejardhjes racore apo përkatësisë një besimi fetar, apo një etnie të caktuar është një nga njollat më të zeza që, ajo kohë, la në nënëvetëdijen e njerëzimit në përgjithësi, por kryesisht në ndërgjegjen e atij brezi njerëzish që e shkaktuan, bënë të mundur, apo lejuan një tragjedi njerëzore të përmasave të tilla.

Prej disa vitesh 27 janari është dita e kujtesës, e rikthimit ideal në thelbin e asaj tragjedie të stërmadhe, në matjen e përfytyruar me të e pasojat e saj, në një bilanc të heshtur të çdo populli me përmasën e përgjegjësisë së tij në mëdyshjen brejtëse të asaj që bëri, që mund të bënte, që nuk e bëri…. Ky bilanc vjen natyrshëm në çdo 27 janar, kur historia na paraqet llogarinë, duke na përballuar jo vetëm me të shkuarën, por edhe me të sotmen ku, në forma e përmasa të ndryshme, vazhdojmë të ballafaqohemi me dukuri t’urryera.

Për shqiptarët 27 janari, krahas dhimbjes njerëzore për miliona jetë të flijuar në altarin makabër të racizmit më të egër, është dhe një ditë krenarie. N’atë bilanc të heshtur t’atyre ngjarjeve, përgjegjësive e pasojave, n’atë gjyq të përfytyruar të ndërgjegjeve të popujve, të kombeve, të klasave politike, të fuqive ushtarake të një kontinenti të tërë, në një nga epokat më të errëta të Evropës së qytetëruar, ne, shqiptarët dalim ballëlartë e me ndërgjegjen e pastër : nga toka shqiptare që për pesë vite qe e pushtuar nga trupat e huaja, nga ushtritë italiane e gjermane, asnjë hebre nuk shkoi në kampet e çfarosjes. Në tokën shqiptare gjetën strehë e mbrojtje 2265 vetë, banorë të këtij trualli, apo t’ardhur n’ata vite të vështira nga Vende të tjera fqinje, apo më të largëta.

Në vitin 1937, në Shqipëri banonin gjithsej 191 hebrenj. (“Hebrenjtë në Shqipëri” Katalog dokumentash të A. Q. Sh. të Republikës së Shqipërisë” nga Nevila Nika dhe Liliana Vorpsi)

“Në vitet 1941 – 1942 vërehen shpërnguljet më të mëdha të hebrenjve nga vendet e rajonit ballkanik (Jugosllavi, Bullgari) dhe vendosja e tyre në kampe përqëndrimi në qytete dytësore të Shqipërisë, duke pasur kujdesjen shtetërore për ushqim, strehim, veshje dhe nevoja të tjera.

            Deri në fund të Luftës II botërore numri i hebrenjve në Shqipëri u dhjetëfishua. Asnjë hebre s’u bë viktimë e luftës.”

             Janë disa nga përfundimet e kreut të dytë të vëllimit “Hebrenjtë në Shqipëri Prania dhe shpëtimi”, i shkruar nga Prof. Shaban Sinani dhe i botuar më 2009.

Shifrat e pranisë së hebrenjvet e shpëtimit të tyre në trojet shqiptare ndryshojnë nga një autor tek tjetri, ato nuk janë të përcaktuara plotësisht, mbasi studimet mbi to kanë filluar në dhjetëvjetëshin e fundit dhe ende nuk janë të përfunduara, falë vështirësive që hasen në shqyrtimin e mijra dokumentave të arkivave, por edhe të mos paraqitjes në dokumenta të shumë veprimeve t’asaj kohe. Por të gjithë studjuesit janë të një mëndjeje se shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri nuk është një legjendë, por një fakt i pakundërshtueshëm e, si i tillë, mbetet një nga të paktat dukuri të tilla në të gjithë Evropën e asaj periudhe.

Në shqyrtimin e një dukurie të tillë bëhet i detyrueshëm krahasimi me përvojat e popujve të tjerë në të njëjtën periudhë e në të njëjtat kushte historike. Nga vëllimi “Hebrenjtë në Shqipëri nën fashizmin Një histori për t’u rindërtuar”, italisht, me autorë Laura Brezzo e Michele Sarfatti, shkëpusim këtë paragraf që i referohet disa të dhënave të studjuesve M. Grmek dhe B. Kovacic në “Messager européen” N.5 1991 : “Vetëm nga dora e regjimit ustasha të Paveliçit u masakruan gjatë luftës së dytë botërore 300.000 serbë, 26.000 hebrenj, 16.000 romë.”

Nga i njëjti vëllim në kapitullin “Shoah në Serbi e Maqedoni” (1941 – 1943) të studjuesit Milovan Pisarri jepen këto shifra : “Në këto krahina më 1941 jetonin rreth 21.000 hebrenj, prej të cilëve 13.000 në Serbi e 7762 në Maqedoni. Në Serbi kishte veç tyre dhe 5000 – 6000 hebrenj të shpërngulur nga Evropa Lindore, në pritje për të vazhduar rrugën për në Palestinë. Në fund të luftës mbijetuan më pak se 3.000 vetë.

            Më 22 mars 1943 u nis treni i parë që mbartëte 2409 hebrenj maqedonë. Vend mbërritja, më 28 mars, mbas një udhëtimi nëpërmjet Serbisë dhe Evropës Qëndrore, ishte Treblinka. Më 25 e 29 mars u nisën dy trena të tjerë me, përkatësisht 2399 dhe 2550 vetë. Asnjë prej këtyre nuk u kthye i gjallë. Në të njëjtën ditë u përzunë nga Thraka, me rrugë lumore nëpër Danub deri në Vjenë, 4221 hebrenj vendas.”

Dhe ja përfundimi : “Sa vetë arritën të ikin në Shqipëri nga Serbia e nga Maqedonia, fatkeqësisht, nuk është e mundur të përcaktohen me saktësi, së paku tani për tani. Këta refugjatë janë një pjesë e pak hebrenjve, që arritën t’i mbijetojnë Shoahut në Serbi e Maqedoni : pak më shumë se 10% në krahinën e parë, rreth 5% në të dytën.” 

Simbas këtyre shifrave, të dhëna nga studjues të huaj, del qartë se Shqipëria bëri një përjashtim në Ballkan, në praktikën e përndjekjes së hebrenjve, që ishte një strategji globale e hitlerianëve, të cilët e kishin pushtuar Ballkanin. Qeveritë shqiptare, jo vetëm nuk dorëzuan hebrenjtë vendas, por u bënë edhe shpëtimtarë të shumë të tjerëve, që arritën të hyjnë në kufijtë e Shtetit të tyre. Kjo dukuri ka një vlerë morale shumë të madhe, është një nga meritat më të shkëlqyera të kombit në të gjithë historinë e tij, një motiv krenarie të ligjëshme në ndihmesën e dhënë qytetërimit botëror. Ky i fundit nuk është vetëm arritje veprash madhore në fushat e ndryshme të dijes, artit, shkencës etj., është dhe pohim e mbrojtje vlerash universale, siç është jeta njerëzore, madje ky duhet të jetë edhe synimi më i lartë i tij.

Nëse të tjerët na e venë këtë kurorë dafinash të mirënjohjes e vlerësimit mbi kokë, ne vetë jemi refraktarë kundrejt vlerave tona. Për një gjysëm shekulli të regjimit komunist nuk u zu në gojë asnjëherë dukuria e shpëtimit të hebrenjve në tokën shqiptare. Ajo ishte varrosur, së bashku me shumë të vërteta të tjera të periudhës së luftës, siç ishte bashkimi i trojeve shqiptare më 1941 – 1944. Mbas tjetërsimit të sistemit, studjues të ndryshëm, ndër të parët z. Mërgim Korça, dëshmitar në vetë të parë i një episodi të rëndësishëm t’asaj dukurie, filluan të shkruajnë për të vërtetën historike. Politika, natyrisht, e mori argumentin për t’a nxjerrë në pah që prej disa vitesh kur, më 1 nëndor 2005, Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara vendosi përkujtimin e Shoas për datën 27 janar, në përputhje me datën e rrëzimit të portave të kampit të Aushvicit, si pasojë e hyrjes së ushtrisë sovjetike në rrugën e saj për në Berlin.

Politika dhe mediat, në pjesën dërmuese të tyre, mbasi zbuluan “thesarin” e krenarisë kombëtare, filluan të japin dhe ftillimet e tyre, duke e paraqitur atë dukuri, shpëtimin e hebrenjve, si një meritë të vetme të familjeve shqiptare që strehuan ata në shtëpitë e tyre, madje dikush evokoi dhe një miqësi të lashtë mijëvjeçare mes dy popujve. Ky ftillim paraqiste vetëm një pjesë të së vërtetës, por anashkalonte rolin e autoriteteve qeveritare italiane e të komandës gjermane në Shqipëri, nga njëra anë, dhe qeverive shqiptare t’asaj periudhe, nga ana tjetër. Thjeshtimi i interpretimit të një dukurie, tepër komplekse në zhvillimet e saj, ishte një mënyrë e tërthortë dinakërie, për të mbuluar të vërtetën historike. Duke zhvendosur nga teatri i ngjarjeve klasën politike shqiptare t’asaj periudhe e rolin e saj në shpëtimin e hebrenjve, jo vetëm që opinionit publik shqiptar e të huaj i servirej një përrallë me mbret, aspak bindëse, por bihej ndesh me vetë faktet historike e dokumentat pasqyruese të tyre. Ishte një përpjekje, në vazhdën e njohur të historiografisë mashtruese komuniste, jo për të zbuluar një të vërtetë historike, në tërë përbërësit e saj, por për t’a tjetërsuar atë me metoda manikeiste qesharake deri në marrëzi. Në këtë grackë ranë dhe autoritetet shtetërore e të politikës që në këta vite, duke u ballafaquar me problemin në mjedise ndërkombëtare, bënë një figurë jo të mirë kur dikush u tha se hebrenjtë, në rradhë të parë, i ishin mirënjohës qeverive “kolaboracioniste” shqiptare, që luajtën rolin vendimtar në shpëtimin e tyre.

Në këtë treg idesh, faktesh e interpretimesh meriton një vëmëndje të veçantë studimi i Prof. Shaban Sinanit “Hebrenjtë në Shqipëri  prania dhe shpëtimi”, një përpjekje objektive e shkencore për t’a paraqitur dukurinë në termat e saj të vërteta. “Një nga arsyet që kjo pjesë e historisë shqiptare s’njihet mirë është dhe frika se, duke njohur këtë realitet, mund t’i njihet tërthorazi ndonjë meritë edhe mbretërisë apo fashizmit. Në të vërtetë, kjo vetëm do t’a nderonte historinë e vendit dhe asgjë më shumë.” shprehet autori. Përgëzime atij për këtë diagnozë të saktë të studimeve tona historike, nga praktika e të cilave, nëpërmjet kësaj vepre, duket se don të shkëputet. Uroj që të jetë një hap i madh përpara, për të shërbyer tempullin e shkencës dhe së vërtetës, duke braktisur demagogjinë politike që ka prodhuar vetëm shtrembërime të tyre.

Në faqen 127 të librit gjejmë dëshminë e rëndësishme, të shkëputur nga libri me kujtime të Mëkëmbësit të Mbretit, Francesco Jacomoni, me titull “Politika e Italisë në Shqipëri”, në dobi të Kryeministrit Kruja e Qeverisë së tij, në lidhje me kërkesën gjermane për dorëzimin e hebrenjve në Kosovën shqiptare dhe masat e marra për të mos e zbatuar atë. Më poshtë autori bën pyetjen :

Por ç’ndodhi me qeveritë bashkëpunuese, kuislinge, që ishin në dijeni të hyrjes së hebrenjve në Shqipëri, që nuk e penguan ardhjen e tyre, përkundrazi, lejuan dhe fshehjen e identitetit, dhe së fundmi nuk u a dhanë listat që kërkuan autoritetet naziste, për t’i çuar hebrenjtë e Shqipërisë në të njëjtin fund katastrofik ?” për t’u përgjigjur po vetë, i bazuar në gjashtëqind dokumentat që ruan A.Q.Sh. shqiptar, në të cilin profesori ka qenë drejtor : “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është i lidhur me faktin thelbësor që asnjëra prej qeverive bashkëpunuese, megjithëse të ngritura në pushtet me fuqinë e armëve të fashistëve apo nazistëve, nuk hartoi e nuk përshtati asnjë ligj antihebraik, në një kohë kur në ligjet antihebraike në vendet e tjera të kontrolluara nga këto ushtri dhuna antihebraike u detajua deri në një të tetën…”

Aq është e vërtetë kjo tezë sa që, në librin e sipërpërmendur të Brecos e Sarfatit, sillet një fragment shumë i rëndësishëm i kujtimeve të Jakomonit : “Një tjetër çështje qe objekt kundërshtie me Romën : ajo e shtrirjes së ligjeve raciale në Shqipëri. Udhëzime për t’u shpallur u dhanë vazhdimisht, por me shfaqjen gjithmonë të  problemeve të reja nuk u arrit të bëhej gjë.” Duhet theksuar në këtë rast fakti se Roma zyrtare e kishte hartuar dhe miratuar dekretin kundër-hebraik që më 14 maj 1939. Ai dekret përbëhej nga 21 nene, në të katërtin e të cilëve thuhej : “ Hebrenjtë e huaj që, në datën e shpalljes së këtij dekreti gjenden në Mbretëri, duhet të lëshojnë menjëherë territorin e saj, brënda një muaji  (pastaj 6 muaj) nga data e botimit të vetë dekretit.”

Ky dekret nuk u bë as i njohur në opinionin publik shqiptar sepse asnjë qeveri  nuk pranoi t’a shpallte, mbasi binte ndesh me traditat e mikpritjes së hershme shqiptare e përbënte një shkelje të ligjeve e zakoneve të mbrendëshme të popullit tonë. I mbetet lexuesit të krijojë nga këta fakte opinionin e tij mbi ngjarjet dhe personazhet e asaj epoke, të paraqitura me ngjyrat më të errëta për gati tre të katërtat e shekullit. Në këtë kuadër është për t’u përmendur marrëveshja ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komandës gjermane më 17 tetor 1943, mbas kapitullimit të Italisë, të cilën studjuesi Sinani e sjell në faqen 142 të librit të tij : “ Burimet arkivore shqiptare dëshmojnë se marrëveshja midis qeverisë së Shqipërisë dhe komandës politike e ushtarake të ushtrisë gjermane u arrit mbështetur në formulën : “Të trajtohen armatat gjermane si ushtri kalimtare, me kusht që nga autoritetet e Reich-ut të mos ndërhyhet në qeverisjen e brëndshme të shtetit shqiptar”.…. Duke iu referuar formulës së paktit dhe reagimit të institucioneve të Reich-ut, mund të përfundohet pa gabuar se, në vështrimin e autoriteteve naziste, në Tiranë çështja hebreje quhej “çështje e brëndshme”.

E veçanta e kësaj marrëveshjeje, e pakonceptueshme për kushtet e kohës, do t’a bënte studjuesin amerikan H.Sarner të shprehej : “Fraza për “ mosndërhyrje në punët e brendshme” mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi regjencës që të dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë” Madje është mjaft interesante konsiderata e Sarnerit për Ministrin Xhafer Deva e veprimet e tij në mbrojtje të hebrenjve : “…Sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t’i bindte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve.”

Në libër gjejnë pasqyrim edhe përpjekjet e klerit katolik për shpëtimin e hebrenjve, nëpërmjet kthimit të tyre në besimin e krishterë. Në këtë drejtim përmenden emrat e Dom Shtjefën Kurtit dhe të At Pjetër Meshkallës. Po i mbyll këto konsiderata për objektivitetin e Prof. Shaban Sinanit duke sjellë një pohim që tregon jo vetëm profesionalizëm por edhe ndershmëri intelektuale :

Shumëve u duket si i tepruar ngulmimi për rolin pozitiv të autoriteteve qeverisëse shqiptare gjatë luftës për shpëtimin e hebrenjve. Këta mendojnë se asnjë fjalë e mirë nuk mund të thuhet për kolaboracionistët, meqë ata e penalizuan veten me qeverisjen nën armët e ushtrive naziste. Por njerëzit e thjeshtë kishin në dorë t’u jepnin hebrenjve bukë, punë dhe strehë. Njerëzit e thjeshtë nuk i kishin listat e tyre. Këto lista i kishin autoritetet qeverisëse dhe nuk i dhanë. Ato arin e Shqipërisë e dorëzuan, por këto lista jo. Ka pasur funksionarë të qeverive bashkëpunuese që jo vetëm nuk kanë dorëzuar lista hebrenjsh, jo vetëm kanë raportuar se në juridiksionin e tyre nuk ka hebrenj, por madje kanë kërkuar prej komandës naziste të lirojë ata hebrenj që ajo i kishte kapur gjatë mërgimit nga thellësitë e Ballkanit drejt Shqipërisë (Kruja, Hurshiti, Mulleti, Korça, Çoba, Preza).”

            Ja dhe përfundimi i autorit me të cilin pajtohem plotësisht : “Hebrenjtë në Shqipëri nuk i shpëtoi as nacionalizmi, as komunizmi, as ndonjë faktor tjetër politik, por etnotipi shqiptar, në thelbin e të cilit është mbrojtja e tjetrit në rrezik. Ky është një tipar që shqiptarët e kanë përsëritur shpesh në sjelljen me “tjetrin”.

Së fundi, duke zgjeruar pak konceptin e profesorit, më duket me vend që në kujtesën historike të popullit tonë të kenë vendin e merituar ata që “etnotipin shqiptar” e shpalosën në çdo kohë, edhe në atë të luftës së dytë botërore, duke i lënë bashkatdhetarëve të tyre krenarinë e përkatësisë një kombi që, në rastin e shpëtimit të hebrenjve, ka mishëruar vlerat madhore e të përjetëshme të vetë njerëzimit. Sigurisht nuk pajtohen me këtë koncept dorëzimi në Turqi i disa arsimtarëve turq që kishin kërkuar strehim në Kosovë e në Shqipëri. Shpresojmë të jenë përjashtime të diktuara nga një gjëndje e veçantë e jo ndryshim rruge nga tradita shqiptare e mikpritjes, për të cilën jemi krenarë, ballhapët, të respektuar e vlerësuar në botë.

Silvana BEGAJ:Mirupafshim Shqipëri!

Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.
Mirupafshim Shqipëri! Unë po iki!

Po lë familjen, po lë shokët e shoqet, po lë diellin, po lë kafen time të preferuar, po lë kujtimet dhe me to po lë dhe gjysmën time! Po e lë se do vi prapë ose se ndoshta do ta marr se s’dua të vi më!

Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Unë nuk mund ta bëj shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend!

Mirupafshim Shqipëri! Unë do të mendoj e do më marrë malli! Vras mendjen a do të marrë dhe ty për mua? E nëse do të merrte, pse më le të iki!

Mirupafshim Shqipëri! Vërja flakës veten se unë nuk dua të digjem! Le të digjen ata që duan ty në zjarr.

Mirupafshim Shqipëri e  Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.

Mirupafshim Shqipëri se dhe po të rri nuk kam me kë. Vendi po boshatiset çdo ditë dhe ata që janë aty janë thjesht fizikisht se me mendje janë larg nga ti!

Mirupafshim Shqipëri! Po të lë me vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! Po të lë me dy detet më të bukura të rruzullit, me malet më të thepisura, po të lë me ajrin më të ëmbël dhe me diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, po të lë dhe me hënën që të qan hallet çdo natë.

Shqipëri, ti ndoshta nuk e di, por në asnjë vend nuk ngroh dielli si aty dhe nuk ndriçon hëna si aty!

Mirupafshim Shqipëri! Do iki dhe do gjej një vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend që mos të ketë aq vrasje çdo ditë. Kam nevojë të di që jam e sigurt se jam shumë e re të vdes nga rastësia.

Mirupafshim Shqipëri!

Mirupafshim o Shqipëri e pasur për 0.001 përqind të popullsisë dhe mjerim për pjesën tjetër.

Hap sytë Shqipëri!

Lufta nuk sjell fitore!

Tradhëtarët sjellin fitore të pisët!

Eh, do të më mungosh e marrtë dreqi!

Do të më mungosh aq shumë sa do pres vetëm një shenjë nga ti dhe unë do të vi përsëri.

Silvana BEGAJ-Pedagoge ne Suedi

MESAZHI I NJI MERGIMTARI TE SHQETESUEM…Shkruan: Sami Repishti, PhD.*

Ridgefield, CT.- Nga leximet në shtypin amerikan kuptohet se vrasja e komandantit kriminel iranian Gjeneral Kasem Soleimani, ka qenë nji akt i paramenduem, i përgatitun dhe i ekzekutuem nga forcat speciale të SHBA-së me urdhën direkt të Presidentit  Donald Trump.

Natën e datës 2 janar 2020, nji aeroplan special ishte caktue me u ngritë nga aeroporti i Damaskut (Siri) me destinacion kryeqytetin e Irakut, Bagdad. Disa orë kaluen në pritje dhe “udhëtari” i shquem që pritej nuk erdhi. U sugjerue që udhëtimi të anulohet, por në sa avioni po mbyllte dyert, nji karvan maqinash arriti në pistën e aerodromit. Gjenerali Kasem Soleimani, komandant i forcave të sigurimit iraniane, doli nga maqina dhe hypi në avion bashkë me dy persona të gardës personale. Fluturimi 6Q501 u ngrit me tri orë vonesë në drejtim të Bagdadit. Avioni zbriti në Bagdad International Airport në orën 00:35. I pari që zbriti ishte Gjenerali Soleimani dhe suita e tij, Në pritje gjindej Gjenerali irakian Abu Mahdi Al Muhandis, krytar i milicisë shi-ite irakiane dhe mik i Iranit. Dy maqina u nisën në errësinën e natës, të ndjekun nga “dronet” ajrore amerikane. Në orën 00:42 të mesnatës, nji seri misilesh ranë mbi dy maqinat, i banë pluhën, dhe mbrenda tyne edhe trupat e karbonizuem nga zjarri të 10 (dhjetë) udhëtarëve. Në mes tyne Gjenerali Soleimani dhe kolegu i tij Gjenerali Al Muhandis.

Ky akt i papritun mbante në vete mundësinë e nji konflikti të gjanë amerikano-iranian. Presidenti Trump që kishte deklarue në fushatë elektorale se “do të nxjerrim Ameriken nga ‘luftat pa fund’ theu premtimin e dhanun.

Administrata amerikane u gjet në befasi. Hapi i parë nga Qeveria amerikane, ishte njoftimi me ndërmjetsinë e Ambasadës svicerane në Teheran për Qeverinë iraniane të mos shkallëzojë konfliktin me nji “hakmarrje” të madhe që do të detyronte Presidentin me ndërmarrë sulme të reja. Irani u kufizue me bombardimin e dy aeroporteve në Irak ku gjindeshin trupa amerikane. Për fat të mirë pa viktima. Njikohësisht, Irani njoftoi se nuk planifikonte sulme tjera.

Në Amerikë, u krijue nji gjendje konfuzioni. Pse Presidenti Trump urdhënoi eliminimin fizik të Gjeneralit Soleimani? Përgjigja e parë ka qenë se ai planifikonte sulme të reja kundër objektivave amerikane në atë zonë, dhe përbante kështu “nji rrezik iminent”, mundësisht kundër ambasadave amerikane në Lindjen e Mesme. Analisti amerikan Anthony Coleman, i ISIS,Washington, vrente se “kemi marrë qendrime pa konsultime me Aleatët, dhe pa paraqitë nji plan të qartë paqeje”.

Sot, demokratët dhe republikanët janë të ndamë në gjykimin e aktit të Presidentit. Demonstrata në shumë qytete të Amerikës kërkojnë “jo luftë me Iranin”. Demokratët janë te mendimit se sulmi do të sjellë pasoja serioze për stabilitetin e gjendjes në atë zonë. Shefi demokrat në Senat, Charles Schumer, shprehej:” Nevoja për konsultim  paraprak dhe transparencë me Kongresin ashtë vendosë me Kushtetutë. për nji arsye…me evitue mungesën e transparencës me Kongresin që mund të përfundojë me vendime të nxitueme dhe të keqmendueme”. Shefi demokrat i Dhomës së Përfaqsuesve, Zonja Nancy Pelosi deklaroi: “Presidenti urdhënoi nji sulm ajror pa autorizimin e Kongresit” nji akt anti-kushtetues. Zyrtarë amerikanë, tue perfshi edhe Ministrinë e Mbrojtjes e shefat e ushtrisë, deklaruen se ata nuk ishin në dijeni të nji sulmi të këtillë “imminent” . Konfuzioni u rrit, Presidenti nuk dha asnji hollësi, dhe i gjithë ky episod i frikëshëm duket se u shkaktue nga nji impuls agresiv dhe i pakontrollueshëm i Presidentit Trump.

Kur “duertrokitjet” pushuen, filloi heshtja, fatmirësisht nji heshtje pjellore! Populli amerikan kërkoi spjegime që nuk i gjente në deklaratat zyrtare. Mbetej tashti vetëm argumenti se Presidenti i deshpruem nga zbulimet e akteve të tia joligjore, mori nji inisiativë që kercënonte me sjellë nji konflikt në Lindjen e Mesme Ashtë nji akt radikal, i pa justifikueshëm dhe me rrjedhime të pa-parashikueshme! Nji zyrtar i CIA-s përcaktoi vrasjen“…nji akt i ndërmarrun pa mendue rrjedhimet”.

Rrjedhimet e nji akti agresiv të vrasjes së nji ushtaraku të naltë të nji shteti që NUK ashtë në gjendje lufte me SHBA-në vazhdojnë.

E para, Kushtetuta amerikane kërkon që çdo akt luftarak i SHBA-së mund të merret vetëm mbasi Presidenti merr pelqimin e Kongresit. Në rast të kundërt, Kongresi ka autorizimin zyrtar”…me këputë financimin e Ministrisë së Mbrojtjes”. Në këte rast nuk u konsultue Kongresi.

E dyta, Në botën e jashtëme aksioni anti-iranian nuk u aprovue nga asnji nga “shtetet kryesore” europiane. Presidenti mbetet i izoluem në skenën ndërkombëtare. Britanikët nuk e përkrahen aksionin. Gazeta franceze Le Monde shkroi për nji “përçarje” në aleancën veri-atlantike dhe nji divorc në politikën e Lindjes së Mesme”. Sot, komentohet se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja nukleare me Iranin e vitit 2015 ka qenë ni gabim i madh dhe se ka krijue atmosferën që lejoi këte “aksion agresiv”, me frikën se mund të fillohet nji cikël i ri sanksionesh dhe kundërveprimesh që rrezikojnë paqën. Irani u përgjegj me rifllimin e prodhimit të materive nukleare me qellim luftarak.

Ministri i jashtëm gjerman, Heik Maas, deklaroi se “vrasja” nuk e ban ma të lehtë stabilizimin e rajonit. NATO bani thirrje për përmbajtje dhe uljen e tensionit. Rusia dhe Kina dënuen vrasjen e Soleimanit. Analistët mendojnë se Teherani mund të kerkojë mbështetje ma të madhe nga ‘aleatët’ e tij. Pak ditë para sulmit, Kina, Rusia dhe Irani zhvilluen manovra të përbashkëta detare në Gjiun Persik, dhe Gjiun e Omanit. Në Irak frika e konfliktit në mes sunitëve dhe shi-itëve mund të përsëritet. Francezët ofruen me veprue si ndërmjetës. Presidenti E.Macron u tregue ma aktiv, tue marrë kontakt me të dy palët, pa aprovue ose  denue aktin agresiv, dhe sugjeroi diplomacinë. Ashtu edhe japonezët, nji ofertë që zemroi Presidentin Trump. Europianët, në përgjithësi, vendosën të përpiqen me bindë Iranin të mos shkallëzojë konfliktin. Nji diplomat gjerman dhe kolegët e tij europianë derguen mesazhe për Iranin, me telefonata dhe me nota të veçanta tue sigurue Iranin të qetësohet sepse “bota” nuk ashtë kundër tyne

Vendi europian me randësi në këto ditë të vështira ka qenë Svicera, mentaliteti dhe serioziteti i diplomacisë svicerane, si ndërmjetës në mes të SHBA-së dhe Iranit që nga viti 1979, i revolucionit iranian.

Në Amerikë, problemi u përqendrue në spjegimin e arsyes së aktit agresiv Spjegimet zyrtare nuk kanë qenë në gjendje me dhanë nji përgjigje të kënaqshme dhe nuk kanë gjetë bindje në publik. Analisti Marc Mazzetti i The New York Times e cilëson sjelljen e Presidentit “ ma shumë pushtet, ma pak kufizime, dhe qendrime të paqendrueshme” Ai spjegon: “Që nga qendrimet e tia me Iranin, Sirinë, Jemenin dhe Afganistanin. Z. Trump ka tregue pak evidencë angazhimi këto tri vitet e fundit, dhe vendimet e tia për luftë ose paqë janë marrë pa diskutime të kujdesëshme dhe  konsiderata për rrjedhimet e aktit”. Prof. Jack Goldsmith (Harvard, Law) u shpreh:” Vendi i jonë ka dhanë me ndërgjegje nji personi të vetëm të drejtën enorme dhe pa kufi me udhëheqë, si dhe diskresionin me e përdorue atë në mënyra që përfundojnë lehtësisht në lufta masive. Ky ashtë shteti i jonë. Nji personë e vetme drejton  gjithëçka”.

E treta, arbitrariteti i sulmit amerikan ashtë sot subjekt diskutimi  edhe në botën akademike amerikane. Në shoqëninë e hapun të demokracisë sonë aktet qeveritare i nënshtrohen shqyrtimit nga ekspertë. Megjithëse nuk derdhen lotë për vrasjen e nji krimineli si Gjeneral Soleimani–me përjashtim të xhihadistëve fanatikë – vrasja e tij nuk justfikohet.

Ajo vrasje ka qenë nji akt politik i gabuem dhe moralisht i dënueshëm!

Prof. Benjamin B. Ferenz ,(Harvard, Law) shkruen:” Administrata  këto ditët e fundi, njoftoi se me urdhën të Presidentit (Trump) SHBA ka “nxjerrë jashtë” (ka vra!) nji udhëheqës ushtarak të nji vendi me të cilin nuk kemi qenë në gjendje lufte…. Unë e shoh nji akt të këtill imoral si nji shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare e kombëtare.

Populli ka të drejtë me njohë të vërtetën. Karta e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, The Hague, janë anashkalue plotësisht. Në botën tonë të “cyberspace”, rinia kudo në botë janë para nji rreziku vdeksor, në qoftë se nuk ndryshojnë zemrat dhe mendjet e atyne personave që duket qartë se preferojnë luftën pa respekt për paqë”(The NYTimes)

Në komentin e tij, analisti Thomas L. Friedman, e cilëson sulmin amerikan si “…pjesë e kodit të pandershmënisë së Trumpit”. Ai ven në pyetje asyetimin zyrtar të sulmit : “Ashtë ba pa nji strategji të qartë, pa nji kuadër moraliteti….”

Të shqetësuem nga mungesa e parashikimeve (unpredictability) të akteve të Presidentit Trump, udhëheqja e Partisë Demokratike Amerikane në Kongres po shpejton me kufizue ligjërisht autoritetin e Presidentit për veprime luftarake kundër Iranit. Historikisht nji keq përdorim i këtij autoriteti janë shembujt e luftës në Kore (1950-53) dhe në Vietman (1961-1973) kur vendimet për aksione ushtarake u morën nga Presidenti për arsye të “rrezikut iminent”. Sot, PD amerikane kerkon zbatimin ma me rigorozitet të War Powers Resolution, dhe me pengue nji luftë me Iranin.

Nga pikëpamja ligjore, Executive Order 12333, i firmuem në vitet 1970-ta nga Presidenti Gerald Ford, nuk lejon zytarët e qeverisë me u angazhue në konspiracione për vrasje, por nuk përcakton mirë fjalën “vrasje”, me qenë se vrasja e elementëve anmiqsor për vetë-mbrojtje nuk quhet “vrasje”. Në vitet 1970-ta u zbulue se CIA eliminoi disa udhëheqës me tendenca komuniste. Ma vonë u krijue problemi me “terroristët islamikë”; aksioni kundër tyne u konsiderue  “vetëmbrojtje”.

Gjenerali Soleimani ishte zyrtar i naltë i nji qeverie kombëtare, dhe jo udhëheqës i nji grupi terrorist jo-shtetnor, si Osama Ben Laden ose Al Bagdadi… Eliminimi i tij shenon rastin e parë kur SHBA konsideron nji entitet shtetnor si “grup terrorist”. Sot, The War Crime Act konsideron si “felony” (krim) shkeljen e ligjit, dhe denimi ashtë i randë: “ …burgim i përjetëshëm ose ekzekutim në rast se ka viktima”.

Vrasja e Gjeneral Soleimanit gjatë këtyne ditëve u gjykue nga shumë autoritete ushtarake si nji akt i papërgjegjshëm dhe shkallëzim drejt konfliktit të hapët. Temperamenti i pa qendrueshëm i Presidentit Trump  ka lanë gjurmë në aleatët e shgënjyem – tue përfshi edhe aleatët  europian të NATO-s….Edhe vendet arabe në Gjiun Persian shqetësohen për pa-sigurinë që krijohet në “pavendosmëninë” e Presidentit me i përkrahë ata në rast të nji sulmi direkt nga Irani. Për analistët iranianë, vrasja e Gjeneralit Iranian dobëson pozitën e elementit të moderuem iranian dhe ka mundësi të kthej të moderuemët në agresivë.

Në Shqipëri dhe në Kosovë vrasja e Gjeneralit Soleimani u mbështet nga grupet politike. Kjo përkrahje u konsiderue si nji përkrahje pa rezerva e “aleatit strategjik”. Vetëm dy ditë mbas ngjarjes, deklaratat e pushtetarëve shqiptarë u banë publike edhe nga Zëri i Amerikës.

Reagimi i parë erdhi nga “udhëheqsi suprem” Ajatolla Al Khomeini i Iranit, i cili foli për “…nji vend shumë të vogël, por të djallzuar europian, ku amerikanët bashkëpunojnë me trathtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”, tue iu referue Shqipërisë. Partia Demokratike e Shqipërisë shprehu mbështetjen “…angazhimit të SHBA-së në luftë kundër terrorit. Vendimi i Presidentit Trump për goditjen e njerit nga arkitektëve dhe drejtuesve të aktiviteteve terroriste është një akt i fortë i leadershipit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike e të paqës….dhe PD-ja, në çdo kohë, qendron në krah të SHBA-së. (VoA.,4.I.2020).

Me 8 janar, Presidenti I.Meta shkroi se “raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij”. Presidenti i Kosovës H.Thaçi, dhe KM në detyrë R.Haradinaj  “… denuen sulmet iraniane me raketa kundër forcave amerikane. Kosova qendron në mbështetje të Shteteve të Bashkuara dhe familjes atlantike në këte kohë trazirash”. (VoA 9.I.2020). Në Prishtinë arrestohet drejtoresha e Institutit për Kerkime “Naim Frashëri, Zonja Ikbale Berisha-Huduti, sepse “…në rrjetët sociale kishte shprehur pikëllimin për vrasjen e  Gjeneralit  Kasem Soleimani…” nji absurditet i rrobës zyrtare…!

“Lufta e fundit nuk ka mbarue ende, dhe në flasim për fillimin e nji lufte të re; kjo ashtë marrëzi…SHBA ashtë aleati i jonë; Irani ashtë fqiu i jonë” deklaroi President i Irakut. (The New Yorker, 5.I.2020)

Të shtundën, 4 janar 2020, Parlamenti irakian votoi mos me lejue përdorimin e territorit irakian-tokë, ajr, det- për çfardo arsyeje qoftë nga trupat e hueja.

********

Shqetësimi i im rrjedh nga qendrimi i padrejtë i pushtetarëve shqiptarë –në të dy anët e kufinit- ndaj aktit të Presidentit Trump të kryem në shkelje të plotë të dispozitave ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo tregon nji rrymë degradimi moral nga pushtetarët e njimbasnjishëm për afër nji shekulli të viteve të pavarësisë shqiptare.     Unë shqetësohem nga frika se akte të tilla të rastit me kohë do të bahen kultura politike e vendit tonë! Ky ashtë mesazhi i nji mërgimtari politik shqiptar për vëllaznit dhe motrat shqiptare në atdheun e përbashkët në të dy anët e kufinit!

Në vend që të tregohet shqetësimi i justifikuem për nji akt illegal që mund të sjellë në prishjen e paqës dhe konfliktin, si dhe me kërkue nji zbritje të tensionit nga të dy palët, pushtetarët shqiptarë duertrokisin “vrasjen” dhe lavdërojnë dorën e fortë të presidentit me angazhimin se shqiptarët do të ndjekin me besnikëri politikën amerikane…(sic!)

Historikisht, që nga viti 1925, Shqipëria e vorfën ekonomikisht u gjunjëzue para presionit politik fashist italian. Në vitin 1935, kur Lidhja e Kombeve dënoi unanimisht Italinë për agresionin kundër Etiopisë, Shqipëria u rreshtue përkrah agresorit. Okupatorët italianë e gjermanë treguen fëtyrën e tyne të vertetë me gjithë “premtimet” e “betimet” e dhanuna, si æmiqtë e mëdhej të Shqipërisë” (sic!). Që nga viti 1944, deri në vitin 1991, për 47 vjet me rradhë shqiptarët u lodhën me lëvdatat për Mareshalin Tito, për Gjenialin Stalin, për mikun e madh Mao, pa të cilët nuk do të ekzistonte Shqipëria sot (sic!). Si rrjedhim, Shqipëria përfundoj me medaljen “vendi ma i vorfën i Europës” nji përcaktim që vazhdon edhe sot…!

   Sot, kam frikë se shqiptarët do të zbresin aq poshtë sa të zvarrisin “nderin” e kombit tonë në moçalin e servilizmit politik. ….dhe vuej!

Hymja e Shqipërisë në Botën e Lirë, 1992, ka qenë premtimi ma i madh historik i Shqipërisë. Në Botën e Lirë nuk mbretnojnë frika dhe pjella e saj, servilizmi politik dhe ekonomik! Premtohet liri, unitet dhe paqë!

Shqiptarët e duen Amerikën, jo për fjalë e premtime, por për fakte të jetueme edhe nga të gjithë ne: integritetin territorial të Shqipërisë (1919) dhe Pavarësinë e Kosovës (2008) – hapi i parë dhe vendimtar për bashkimin kombëtar shqiptar. Lista ashtë e gjatë….!

Shqiptarët e duen Amerikën jo për pasunitë prrallore, por për parimet politike që e drejtojnë, dhe për vlerat morale që ajo përfaqson.

Shqiptarët e duen Amerikën dhe betohen me e mbrojtë, si nji republikë “…me liri dhe drejtësi për të gjithë” pa dallim, pa përjashtim, nji qendrim i njohun si “the American exceptionalism”!

Kjo ashtë rruga e besës, e nderit, e burrënisë tradicionale shqiptare!

—————————————————————————————–

* Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Gjeopolitika e hijes së mëngjesit – Nga SHABAN MURATI

Ka një rregull të artë në gjeopolitikë, që përcakton se dimensioni i fuqisë së një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare varet nga forca e tij për të zgjidhur problemet rajonale apo globale dhe jo nga forca për të shkaktuar probleme. Diplomacia greke e mësoi të vërtetën e këtij rregulli kur në janar të vitit 2020 pësoi dy dështime të bujshme diplomatike. Dështimi i parë ndodhi në 7 janar me vizitën e kryeministrit Kiriakos Micotaqis në Uashington dhe bisedimet e tij me presidentin amerikan Trump. Kryeministri grek shkoi në Shtëpinë e Bardhë me objektivin e shpallur t’i kërkonte SHBA dhe presidentit amerikan të merrnin anën e Greqisë në grindjen e re të saj me Turqinë për çështjen e kufijve detarë dhe të zonave ekskluzive ekonomike në detin Mesdhe.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se kryeministri grek i kërkoi presidentit amerikan që SHBA të ndërmerrte veprime të ashpra direkte kundër Turqisë dhe të ndërhynte me forcë për të ndaluar eksplorimin, që Turqia po bën në zonën detare rreth Republikës së Qipros Veriore. Por kryeministri grek gaboi adresë dhe nuk realizoi dot objektivat maksimaliste greke, përveç fjalëve të mira që tha presidenti amerikan për përparimet e ekonomisë greke.

Duket qartë se kryeministri Micotaqis dhe diplomacia greke nuk kuptuan dhe nuk llogaritën përmasat reale të problemeve, as përmasën globale të bashkëbiseduesit dhe as strategjinë e politikës amerikane në Mesdheun Lindor dhe në rajonet, që lagen prej tij. Udhëheqësit grekë harruan se sistemi ndërkombëtar i shteteve funksionon i ndarë si ligat futbollistike, që ndahen në liga të para, të dyta, të treta, të katërta, etj. Uashingtoni u përpoq t’ia qartësonte kategorinë përkatëse greke dhe vetëpërmbajtjen e nevojshme greke, kur refuzoi të pranonte kërkesën e Athinës për organizimin e një konference të përbashkët shtypi të presidentit amerikan me kryeministrin grek pas takimit mes tyre.

Ambicia e madhe dhe disproporcionale gjeopolitike e Greqisë në detin Mesdhe bëri që kryeministri grek në planin strategjik dhe gjeopolitik të kthehej duarzbrazur nga Uashingtoni. Një nga partitë politike më të rëndësishme greke “Syriza” në një komunikatë të posaçme në 8 janar i përkufizonte vizitën dhe bisedimet e kryeministrit grek në Uashington si “një fiasko e paprecedent”. Gazeta greke “Ekathimerini”, duke analizuar në datën 8 janar bisedimet e kryeministrit grek me presidentin amerikan, në artikullin me titull “Greqia është e mirë, por Turqia është më e mirë”, shkruante se “aksionet e Turqisë dhe të Erdoganit janë ngritur në kulm në tregun e bursës të presidentit Trump.

Në dritën e ngjarjeve të fundit ankesat e Athinës kundër provokimeve të Ankarasë dhe marrëdhëniet e saj me Libinë, kanë kaluar në plan të dytë”. Portali i mirënjohur “politico.eu” nën titullin: “Donald Trump shpërfill përçapjet diplomatike greke” shkruante në 10 janar se Greqia donte të hidhte peshën amerikane në debatin e saj me Turqinë për gazin natyral në Mesdhe, por presidenti amerikan nuk mori anë.

Dështimi diplomatik i kryeministrit dhe i diplomacisë greke për të angazhuar SHBA dhe presidentin amerikan në veprime kundër Turqisë për hatër të Greqisë erdhi nga një llogari e gabuar gjeopolitike. Nuk u llogarit as pesha reale e Greqisë në rajonin mesdhetar dhe as makropolitika dhe strategjia afatgjatë e diplomacisë amerikane në rajonet, që lagen nga Mesdheu dhe ku po ziejnë luftërat më të rrezikshme lokale. SHBA nuk mund të impresionoheshin nga gjeopolitika greke e hijes së mëngjesit dhe as nga emocionet individuale të një shteti, që është thjesht një aktor i zakonshëm i rajonit të Mesdheut dhe jo një lojtar i rëndësishëm i pellgut mesdhetar siç është Turqia, Izraeli apo Egjipti. Për Amerikën, Greqia është shtet, që shkakton probleme dhe jo shtet, që zgjidh probleme.

Edhe një krahasim elementar i peshës dhe rolit të Turqisë në Mesdhe, në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut, në Azinë Qendrore, në Kaukaz, në Ballkan, në detin e Zi, në marrëdhëniet me Rusinë apo me Iranin,etj., e nxjerr menjëherë përmasën minore të rolit dhe e peshës gjeopolitike të Greqisë për SHBA, për NATO-n dhe për Perëndimin.

Dështimi i dytë gjeopolitik i qeverisë dhe i diplomacisë greke është refuzimi i kërkesës së saj zyrtare për të marrë pjesë në samitin e organizuar nga Gjermania në Berlin në datën 19 janar për rregullimin e krizës libiane. Në samitin e datës 19 janar, të kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, morën pjesë 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB, liderët e shteteve nga Italia, Turqia, Egjipti, Algjeria, sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe drejtuesit e organizatës së Unitetit Afrikan, të Ligës Arabe, etj. Samiti, si veprimtaria më e rëndësishme diplomatike ndërkombëtare e ndërmarrë nga liderët botërorë për krizën libiane, kishte thirrur shtetet faktorë, që ndikojnë në zgjidhjen e krizës libiane.

Greqia gjatë kohës që përgatitej konferenca e Berlinit krijoi shumë shqetësime me aleancën e saj me njërën nga palët e konfliktit libian dhe konkretisht me gjeneralin puçist Haftari dhe kundër qeverisë së ligjshme të Tripolit të njohur ndërkombëtarisht nga OKB. Athina mendoi ta shfrytëzojë ndërhyrjen e saj të njëanshme në krizën libiane si kartë gjeopolitike me të cilën do t’i imponohej faktorit ndërkombëtar për t’i siguruar Athinës rol dhe vend në samitin e zgjidhjes së krizës libiane dhe natyrisht në plotësimin e oreksit për marrjen e një pjese të tortës vajgurore libiane. Mirëpo kërkesa disproporcionale e Greqisë u refuzua prerë, sepse samiti nuk mund të pranonte një shtet, që nuk ka as peshën, as vendin dhe as sjelljen e duhur për të ndihmuar zgjidhjen e krizës dhe që për më tepër po vepron në linjën e acarimit të krizës libiane.

Athina bëri disa gabime diplomatike dhe strategjike në prag të samitit të Berlinit, i cili kishte katër-pesë muaj që po përgatitej nga diplomacia gjermane së bashku me fuqitë e tjera të mëdha. Athina u rreshtua në mënyrë sfiduese me gjeneralin rebel Haftari dhe kundër qeverisë së ligjshme të Tripolit. Ministri i jashtëm grek në 22 dhjetor 2019 ndërmori një vizitë zyrtare provokuese te forcat rebele libiane në Bengazi. Qeveria greke si mjet presioni ndaj Gjermanisë thirri gjeneralin Haftari për bisedime në Athinë me kryeministrin grek dhe me ministrin e jashtëm grek në datën 17 janar, dy ditë para samitit të Berlinit. Ndërkaq kryeministri grek bëri deklaratën kërcënuese se Greqia do t’i verë veton çdo lloj plani paqeje të BE për krizën libiane. Pika që mbushi kupën e durimit perëndimor ishte deklarata e kryeministrit Micotaqis se Greqia ishte gati të dërgonte ushtrinë e saj në përkrahje të gjeneralit Haftari.

Çdo ndjekës apo njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i raporteve të forcës midis shteteve e kupton se Greqia nuk ka kapacitetet që t’i bëjë presion Gjermanisë apo samitit të liderëve botërorë, që u mblodhën në Berlin për krizën libiane. Siç deklaroi në konferencën e shtypit në 17 janar zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, “pjesëmarrja e Greqisë në konferencën e Berlinit asnjëherë nuk është konsideruar”.

Dështimet e reja diplomatike të Greqisë janë një tregues i pafuqisë së qeverisë dhe të diplomacisë së saj, që nuk po duan të pajtohen me realitetet gjeopolitike e strategjike të rajonit ku ndodhet shteti i tyre dhe as të kuptojnë vendin modest grek përballë hierarkisë së veprimit diplomatik ndërkombëtar të fuqive të mëdha perëndimore. Qeveria dhe diplomacia greke nisen nga një konstrukt i gabuar diplomatiko-filozofik se duke krijuar probleme e tensione në detin Mesdhe dhe duke acaruar marrëdhëniet me Turqinë do të fitojnë hapësira të reja veprimi e ndikimi. Në këtë linjë të gabuar Athina u përzie edhe në konfliktin e Libisë, me iluzionin se duke u rreshtuar me gjeneralin Haftari do të fitojë stolin në tryezën e madhe diplomatike ndërkombëtare. Por diplomacia ndërkombëtare dhe në radhë të parë ajo perëndimore, që po përpiqen për zgjidhjen e krizës libiane, ka nevojë për shtete, faktorë dhe elemente qetësues të krizës, parametër që Athina nuk e plotëson, dhe ndaj Gjermania nuk e ftoi Greqinë në samitin e Berlinit, në njëkohë kur ishte ftuar Republikae Kongos.

Një nga defektet bazë të diplomacisë greke, të djathtë dhe të majtë, është se nuk po ndërgjegjësohet dot për kapacitetet e saj të kufizuara reale në planin rajonal dhe po ndjek skema ambiciesh gjeopolitike, që tejkalojnë mundësitë dhe forcat e saj. Një nga analistët më të njohur grekë, Alexis Papakelas, e këshillonte qeverinë greke në datën 20 janar në një editorial në “Ekathimerini” që në politikën e jashtme “të mos e ngrejë stekën përtej asaj që është e arsyeshme dhe e mundshme”.

Gjithkush e kupton se Greqia nuk mund të ketë dhe as të lozë rol në pellgun e Mesdheut, në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme. Greqia për vetë limitet e fuqisë së saj si shtet i vogël nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e Turqisë si një faktor rajonal në gjithë rajonet që lidhen me orbitën e Mesdheut dhe këtë e dinë mirë SHBA, NATO, Gjermania, Rusia, etj. Greqisë nuk ia rrit dot rolin gjeografik dhe gjeopolitik as aleanca artificiale vajgurore me Izraelin dhe me Egjiptin mbi një bazë antiturke, sepse bazamente të tilla janë të përkohshme. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare rajonale tregon se marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë më strategjike se marrëdhëniet e Izraelit me Greqinë, sepse nuk është e rastit që Turqia i ka vendosur marrëdhëniet me Izraelin në vitin 1949, kurse Greqia i ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në vitin 1991 në një kohë me Shqipërinë postkomuniste.

Diplomacia greke nuk po shkëputet dot nga sëmundja e megalomanisë faktoriale, e cila arriti kulmin në kohën e ministrit të jashtëm të vetëkënaqur N. Kocias, i cili kishte maninë e krijimit të grupeve, grupimeve dhe nismave artificiale, më shumë propagandistike se sa diplomatike, që ai mendonte se do të impononin rolin qendror të Greqisë në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Ishte dhe është një ëndërr gjeopolitike e pamundur.

Nga raportet e forcës dhe nga realitetet e reja gjeopolitike të krijuara, duhet pranuar se Greqia nuk është më në gjendje të luajë rol qendror gjeopolitik as në Ballkan, e jo më në Mesdhe apo në Lindjen e Mesme. Greqia e humbi shansin në Ballkan në vitin 1998, kur asnjë shtet ballkanik nuk kishte hyrë në BE dhe ajo ishte i vetmi shtet anëtar nga rajoni dhe hartoi programin e madh ekonomik prej 500 milion dollarësh të ndihmës për vendet e Ballkanit. Por udhëheqësit, politikanët dhe dinastitë familjare oligarkike greke e kishin hallin jo te programi ballkanik, por si të shëndoshnin llogaritë bankare në Zvicër, gjë që çoi në fiaskon e rolit ballkanik dhe në fundosjen e ekonomisë dhe të financave të shtetit grek në vitin 2009. Vetëm Shqipëria ka mbetur si ishull i influencës greke në Ballkan.

Dinamika e lëvizjeve dhe e vendimeve në sistemin ndërkombëtar të shteteve përcaktohet nga fuqia globale, kontinentale dhe rajonale. Greqia nuk hyn në asnjërën prej tyre dhe do të duhej të kthente këmbët e diplomacisë së vet në kornizën e fuqisë së saj modeste. Kjo është valenca, që përcakton edhe rolin e saj si shtet anëtari BE dhe i NATO-s. Gjeopolitika e hijes së mëngjesit është kontraproduktive për shtetet e vogla.

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht ?! Nga Elida Buçpapaj

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

 

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

 

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

 

 

Në prehrin e shqetësimeve të një intelektuali të shquar – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

      

I dashur Profesor Fatmiri,

Esenë tuaj me titull “Lideri opozitar me dimensione te reja?” e lexova me shumë kërshëri. E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj, i cili buron nga honet e shpirtit të një intelektuali të shquar. Juve ju bren përbrenda perspektiva e zhillimit të vendit tonë, i cili tani ndodhet në një udhëkryq, paçka se kanë kaluar gati tridhjetë vjet që nga koha e vendosjes së sistemit pluralist. Si një intelektual me një botëkuptim të rrënjosur përparimtar, në konsolidimin e të cilit pa diskutim që ka ushtruar ndikimin e vet edhe kultura britanike e ndërtimit të demokracisë, ju, si një përfaqësues i shquar i Diasporës shqiptare në Perëndim, nuk e ndieni veten të qetë për shkak të gjendjes ku është katandisur vendi ynë. Ju, si edhe mjaft intelektualë me ndërgjegje të admirueshme kombëtare, po vëreni se horizontet e botës shqiptare i kanë pllakosur re të dendura erratake, të cilat s’po e lënë diellin jetëdhënës të çajë drejt hapësirave të saj. Prandaj ju shtroni pyetjet e mëposhtme:

“Çfarë ftese duhet të fillojmë të mendojmë për vendin tonë përmes horizonteve të reja? Dhe pse këto reflektime mund të kombinojnë dyshimin dhe shpresën?… Cilët janë faktorët dhe kontekstet e shumta që ndikojnë në zhvillimin tonë?”.

Gjithçka që trajtoni ju në esenë tuaj me merakun e një intelektuali shembullor për perspektivën e atdheut tonë, të bën të shtrosh pyetjen:

“Si shpjegohet që vendi ynë, me një pozicion gjeografik kaq të mirë, me pasuri të bollshme mbitokësore dhe nëntokësore, të jetë vendi më i varfër i kontinentit?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është brenda vetes sonë. Kjo gjendje e ka burimin në përçarjen tonë ndërshqiptare, e cila ka traditë të lashtë pellazgoiliriane. Paraardhësit tanë të lashtë kishin një shtrirje që nga Adriatiku deri në Detin e Zi, që nga Egjeu deri në Danub, një shtrirje kjo e përmasave të një perandorie. Por ata, për shkak të përçarjes që i karakterizonte, nuk qenë të aftë të ngrinin një perandori. Por, çuditërisht, nga radhët e tyre kanë dalë perandorë në shërbim të të huajve. Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I (527-565) e kanë pasur prejardhjen nga Iliria. Po ne nuk duhet të mburremi, përkundrazi, duhet të na vijëe zor nga bota që këta perandorë kanë qeverisur një perandori të huaj dhe s’kanë qenë të zotë të ngrinin perandorinë e vet.

Tjetër burim i varfërisë sonë është mercenarizmi. Ilirët, siç e dini edhe ju, në bazë të Ediktit të Milanos të perandorit Konstandin të vitit 313, pranuan të parët krishterimin perëndimor. Por shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, pas dyndjes së perandorisë otomane drejt Gadishullit Ilirik, në shumicën e tyre, braktisën krishterimin dhe përqafuan Islamin. Pse e bënmë një gjë të tillë? Sepse donin të mos paguanin taksa dhe të zinin poste në strukturat shtetërore të perandorisë. Ju e dini fare mirë se kanë qenë 36 kryeministra shqiptarë në atë perandori, por asnjëri prej tyre s’e ktheu kokën prapa dhe të kujtohej për Shqipërinë, ku gjuha shqipe qe ndaluar për më shumë se katër shekuj. Ju i keni lexuar të dy vëllimet me kujtime të Eqrem bej Vlorës dhe e mbani mend shumë mirë se çfarë shkruan ai. E kishte bredhur cep më cep perandorinë dhe kudo në krye të institucioneve kishte gjetur shqiptarë, madje edhe punonjësit e shërbimit të rojës në ato institucione ishin shqiptarë. Në portalet e internetit keni lexuar për jetën e gazetares së shquar shqiptaroamerikane të CNN-it, Nexhmije Zaimi (1914-2001),  e cila ishte nga Libohova. Gjatë udhëtimeve nëpër botë, kjo gazetare e shquar takohej me kryetarë shtetesh të ndryshme. Në një takim me mbretin Husein të Jordanisë, mbeti e befasuar: truproja e mbretit Husein prej 60 vetash përbëhej krejtësisht nga mercenarë  shqiptarë.

Nënkuptohet që mercenarizmi shoqërohet me servilizmin para të huajve. Dhe kryeservilët e të huajve janë politikanët shqiptarë. Ata mendojnë se me servilizmin ndaj të huajve, do të fitojnë përkrahjen e tyre për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Për shkak të etjes për pushtet, nuk janë në gjendje ta kuptojnë se me servilizmin e tyre ata fitojnë përbuzjen e heshtur të të huajve. Por dukuritë e mercenarizmit dhe të servilizmit të politikanëve shqiptarë ndaj të huajve, domosdo që do të sjellin si pasojë mungesën e respekti ndaj popullit. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në vend që të lëshonte kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë dhe për krijimin e forcavë të armatosura, u ngrit e shkoi në Londër që t’i lypte Eduard Greit të mos na copëtoheshin trojet etnike. Prandaj Eduard Grei tallej me të dhë bënte humor me Isa Boletinin lidhur me fshatin e lindjes së këtij të fundit. Ky qëndrim i Ismail Qemalit reflektonte mungesën e besimit të tij në forcat krijuese dhe energjitë e pashtershme të popullit shqiptar. Enver Hoxha, duke mos pasur besim te populli shqiptar, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, bënte thirrje për bashkim me Jugosllavinë se kishte frikë se mos vendin tonë do ta gëlltiste imperializmi.

Shqiptarët, në të njëjtën kohë, i ka marrë në qafë individualizmi, i shoqëruar me smirën e tmerrshme për njerëzit e talentuar.

Si një intelektual mendjehollë, i shqetësuar për fatet e vendit, ju shkruani:

“Rrallëherë mendojmë për të ardhmen në një afat më të gjatë prej disa vitesh. Kam ndjenjën se elita e sotme politike e ka humbur këtë perspektivë strategjike”.

Keni shumë të drejtë. Prandaj kërkohet një ndryshim rrënjësor, kërkohet një përmbysje e kësaj mendësie sa bajraktariste, aq edhe gjëmëndjellëse në qeverisjen e vendit. Po a është i mundur një ndryshim rrënjësor, a është e mundur një përmbysje e tillë, që të hapë një perspektivë shpresëdhënëse për mbarë popullin tonë dhe sidomos për brezin e ri? Vallë a do të jetë e mundur që kryetari i opozitës Lulzim Basha të shndërrohet në një Yll Karvani për mbarë popullin shqiptar? Një i tillë Yll Karvani, me një mori “yjesh” shoqërues rreth tij, sot është më se i domosdoshëm në “qiellin” shqiptar. A do të jetë në gjendje Lulëzim Basha të japë shembullin personal të një kryeministri që bën një jetë normale në një apartament të zakonshëm, si kancelarja gjermane Angela Merkel. Disa vjet më parë, revista amerikane “Forbes” e vlerësonte kancelaren gjermane si zonjën më me ndikim në rruzullin tokësor. Revista i njihte lexuesit edhe me disa fakte interesante: Angela Merkel jeton në katin e katërt të një pallati shumëkatësh, me adresën: 10117 Berlin, Am Kupfergraben, 6. Në revistë theksohej se gjatë 12 vjetëve kancelarja Merkel nuk kishte pasur absolutisht rritje page.

A do të heqë dorë Lulëzim Basha nga listat e mbyllura për zgjedhjen e deputëtëve, lista që i nxorën bojën keq Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017? Për shkak të atyre listave të mbyllura, pas largimit përfundimtar të opozitës nga Kuvendi, në ndenjëset e tij u ulën njerëz të botës së askushit, midis të cilëve ka nga ata që i thonë këmbës dorë.

A do të jetë në gjendje Lulëzim Basha ta rritë autoritetin e popullit në sytë e klasës politike, duke iu drejtuar atij shpeshherë për marrje vendimesh të rëndësishme nëpërmjet zhvillit të referendumeve, jo vetëm të nivelit kombëtar, por edhe të nivelit vendor, siç veprohet në një vend të vogël, si Zvicra?

A do të mendojë dhe të punojë Lulqzim Basha për çrrënjosjen e psikologjisë komuniste nga truri i politikanëve shqiptarë, të cilët, kur hipin në majat e pushtetit, mendojnë se kanë kapur qiellin me dorë, duke dashur të mbeten përjetësisht në krye të politikës?

Vallë a do të jetë në gjendje Lulzim Basha ta ngrejë veten deri në atë shkallë emancipimi politik, saqë nesër, si Kryeministër i vendit, t’i bëjë thirrje popullit që, për paudhësitë e politikanëve të ndryshëm, ai të çohet peshë më këmbë dhe të kërkojë largimin e politikanëve përkatës nga skena politike?

Gjatë qeverisjes së vendit, Edi Rama ka lejuar që popullit të thjeshtë t’i rripen shtatë lëkurë me taksa të larta, më të lartat në vendet e rajonit, pa ngritur pagat dhe pensionet. A do të jetë në gjendje Lulzim Basha t’i ulë taksat dhe të ngrejë pagat dhe pensionet, për t’iu afruar shkallë-shkallë vendeve fqinje?

Lulzim Basha ka pasë deklaruar shpeshherë se paratë e grabitura do t’u merren oligarkëve dhe do t’i jepen popullit. Lind pyetja: a duhet marrë seriozisht një deklaratë e tillë?

A ka garanci Lulzim Basha se nesër, kur mund të jetë Kryeministër i vendit, nuk do të bjerë nën ndikimin e oligargëve, të cilët mund t’i diktojnë vullnetin e tyre?

A mendon Lulzim Basha për heqjen e taksës në Rrugën e Kombit, Simbolin e Ribashkimit, e cila krijoi mërinë e parë me Kosovën? Mos vallë qenka e pamundur që mirëmbajtja e Rrugës së Kombit të përballohet nga shteti, duke vjelë nga pak para nga bizneset e pasura?

A mendon Lulëzim Basha se ka ardhur koha që klasa politike shqiptare duhet të heqë dorë nga servilizmi ndaj të huajve? A mendon ai se ambasadorët e huaj duhet ta ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda mureve të ambasadave dhe s’kanë punë të futin hundët në çështjet e politikës shqiptare dhe, përgjithësisht, të popullit shqiptar? Praktika e deritanishme ka treguar se ambasadorët e huaj janë kthyer në guvernatorë të neveritshëm të Brukselit në Shqipëri dhe me qëndrimet e tyre kanë fyer rëndë popullin shqiptar. Shëmbulli më flagrant ishte qëndrimi i amasadorit të OSBE-së Boshar (Borchardt), i cili i ofendoi rëndë banorët e Astirit, duke ju nxjerrë gishtin e mesit. Ai ambasador e prezantoi veten në një mënyrë të pahijshme, por kryeministri Rama nuk reagoi absolutisht. Madje ai duhej të kishte qenë i  pari për t’i treguar vendin atij ambasadori me sjellje të turpshme, duke e dëbuar një sahat e më parë nga Tirana. Pas fyerjes publike që ai ambasdador u bëri banorëve të Astirit, Brukseli u ngrit në mbrojtje të tij, çka dëshmon për qëndrimin e tij përbuzës ndaj vendit tonë, pikërisht për shkak të servilizmit të politikanëve të Tiranës. Shikoni edhe qëndrimin e ambasadorit të Bashkimit Evropian Soreka. Ai sillet sikur është anëtar i asamblesë së partisë socialiste.

Por ka qëlluar që qëndrime kundër protestuesve në vendin tonë kanë mbajtur edhe europarlamentarë.

Kur shpërtheu protesta e banorëve kuksianë kundër taksës së Rrugës së Kombit, europarlamentari socialist, Knut Fleckenstein, u pozicionua publikisht kundër tyre, duke marrë anën e qeverisë Rama dhe duke deklaruar se po të bllokonte rrugën në vendin e tij, atë do ta vrisnin. Deklarata e tij ishte një mashtrim i pastër se në vendin e tij ka pasur raste që janë bllokuar jo vetëm rrugë, por edhe linja hekurudhore dhe nuk qe vrarë njeri.

Nuk e di se sa do të jetë në gjendje Lulëzim Basha t’i “disiplinojë” ambasadorët e huaj dhe të sillet me dinjitet kombëtar para europarlamentarëve të ndryshëm, të cilët sillen në Shqipëri si zot shtëpie. Kjo sjellje e ambasadorëve dhe e politikanëve të huaj në vendin tonë, në përkrahje të hapur të Partisë Socialiste, a nuk të bën të dyshosh se atyre u ngrohet mirë xhepi gjatë qëndrimit në Tiranë?

Megjithatë, une mendoj se Lulzim Basha, edhe sikur të jetë në gjendje t’u përgjigjet pozitivisht pyetjeve të shtruara më lart, ai do ta ketë shumë të vështirë t’i realizojë në praktikë ato objektiva. Kjo për arsye se ai ka përballë një kundërshtarë politik me brumosje të pastër komuniste, Partinë Socialiste, e cila është Partia e Punës në kushtet e pluralizmit. Partia e Punës s’ishte gjë tjetër, veçse një tufë militantësh prej disa dhjetra mijë vetash që nuk pipëtinin para Njëshit të partisë, sepse ai i trajtonte si argatët e vet kokulur. Shikoni sot të ashtuquajturën Parti Socialiste se ku është katandisur: ashtu si mëma e saj Partia e Punës: rri gatitu para Ramës, që, si i vetmi njeri me imunitet në atë parti, të kujton diktatorin Enver Hoxha, i cili, në hështje, udhëhiqej nga parimi stalinist: shtype këtë popull dhe jepi të hajë sa të mos vdesë nga uria, se kështu do ta kesh shërbëtor të bindur dhe pushtetin e ke të siguruar përjetësisht. Prandaj Enver Hoxha, si njeri frikacak që ishte dhe me komplekse inferioriteti, bashkë me bandën e tij të Byrosë Politike, qe mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës Kombëtare, dhe as që donte t’ia dinte se si jetonte populli i gjorë përtej caqeve të atij Blloku. Ashtu si edhe Enver Hoxha, edhe kryeministri Rama as që do t’ia dijë absolutisht se si jeton populli shqiptar, të cilin, në shumicën e tij, e ka pllakosur varfëria ekonomike. Për më tepër, ai i ka të shumtë përkrahësit e vet majtistë, të cilët, mes dy alternativave: dëshironi Ramën me varfërinë në vatrat tuaja, apo mirëqenien pa Ramën kryeministër, parapëlqejnë varfërinë me Ramën në krye të qeverisë. Kujtoni për një çast atë gruan nga Vlora (si qendër e majtizmit), e cila pati deklaruar dikur në njërin prej kanaleve televizive: edhe bukë të mos kem, unë për Partinë Socialiste do të votoj. Njëlloj si në kohën e diktatorit: edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim. Sigurisht, bar do të hante populli përtej caqeve të Bllokut, ndërkohë që diktatori me bandën brenda tij jetonte për shtatë palë qejfe.

Pikërisht për shkak të kësaj varfërie,  gati një gjysmë milioni njerëz kanë braktisur vendin, për çka kryeministrit Rama nuk i bëhet vonë fare.  A kemi të drejtë të dyshojmë se Enver Hoxha, me politikën e tij antikombëtare që çoi  drejt katastrofës ekonomike të viteve ’80, ishte caktuar në krye të Shqipërisë nga iluminatët? Po pse të mos na lindë i njëjti dyshim se edhe Ramën e kemi peshqesh nga iluminatët po me të njëjtin objektiv: varfërimin e pandalshëm, shpopullimin dhe shpërbërjen përfundimtare të vendit tonë?

Ju, profesor i nderuar, keni shumë të drejtë kur thoni se “…elita e sotme politike e ka humbur këtë perspektivë strategjike”. Por e keqja është se nuk ka shenja që në horizontin e botës shqiptare të fillojë të vezullojë ndonjë rreze drite. Inteligjencia, që duhet të jetë shpresa e vendit, sidomos inteligjencia universitare, është e paqenë

Unë do të kisha shumë dëshirë që Lulzim Basha të bëhej “Ylli i Karvanit” të shpresave të popullit shqiptar. Por e kam të vështirë ta besoj. Biseda e fshehtë disaorëshe me kryeministrin Rama, natën duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017, ka lënë një hije të theksuar dyshimi në formatin politik të Lulzim Bashës. Me atë takim të fshehtë, duke braktisur njerëzit besnikë që nuk iu ndanë për tre muaj rresht në Çadrën e bulevardit kryesor, ai kreu një akt të rëndë pabesie ndaj tyre, çka u reflektua dukshëm në zgjedhjet e 25 qershorit të atij viti, në të cilat Partia Demokratike pësoi një disfatë katastrofike.

Do të kisha shumë dëshirë që Lulzim Basha dhe formacioni i tij politik, me ardhjen në pushtet, të fillonin menjëherë kryerjen e vetingut për politikanët, kërkesën për të cilin Rama ia hodhi poshtë në dhjetor të vitit 2018. Por e kam të vështirë ta besoj se ai mund ta ndërmarrë një hap të tillë. Sepse kush na siguron se edhe Lulzim Bashës iluminatët nuk do t’i ngarkojnë detyrën për pajtim me Ramën dhe vetingut të politikanëve t’i vihet kapaku një herë e mirë?

Me respekt dhe mirënjohje.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

20 janar 2019

100 VJETORI I KONGRESIT TË LUSHNJËS, LETRA PRESIDENTIT AMERIKAN DHE DRAMA… – Nga Xhevair Lleshi dhe Visar Zhiti

 

100 vjet më parë, në 21 janar 1920, shqiptarët, krerë të tyre, patriotë dhe të urtë nga të gjitha trevat e vendit, u mblodhën në Lushnjën e vogël, në kuvendin e tyre të madh me qëllim që t’i dilnin zot Shqipërisë, që kërcënohej nga rreziku i mosqeverisjes, i copëtimit dhe i zhbërjes.
Ai kongres është quajtur dhe “pavarësia e dytë e Shqipërisë” dhe përsëriti “Lidhjen e Prizrenit”, “Kuvendin e Lezhës” me Skënderbeun në krye, e shpëtoi vendin e bëri me qeveri e me kryeqytetin që kemi sot..
Për këtë ngjarje madhore të historisë tonë ka dhe një dramë, e vetmja që është shkruar, me autor mësuesin, aktorin dhe dramturgun Hekuran Zhiti, 50 vjet më parë, por që nuk është vënë ndonjëherë në skenat e teatrove tona.
Shtëpia botuese “Uegen” e zbuloi dhe e nxori në këtë 100 vjetor.
Po sjellim pjesë nga pasthënia e dramës, shkruar nga Xhevair Leshi:

Hekuran Zhiti

APOSTUJT E KONGRESIT TË LUSHNJËS
Pa Kongresin e Lushnjës do të humbte si në shkretëtirë Pavarësia e Shqipërisë, e arritur nëntë vjet para Ngjarjes së Madhe. Pa Kongresin e Lushnjës Pavarësia do të kish mbetur nën rrebeshet e tmerrshme të kohërave që, siç kishin kaluar nëpër Luftën e Parë Botërore, priteshin të binin sërish mbi trupin e Atdheut… Por Kongresi erdhi. E sollën ata, atdhetarët e fisëm e të mëdhenj të Shqipërisë, që, të tillë kanë mbetur për jetë.
Kanë 100 vjet që ata i kemi në bronz dhe ky jubile na i sjell sërisht afër, duke pasur ndjesinë sikur ka ndodhur dje….
Lexoja shënimin e Visar Zhitit bash për këtë ditë të shënuar e për dramën e saj dhe m’u duk se ishim në të njëjtin përdytyrim. «Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vendit, kush e ndjente dhe mundte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunës, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Evropë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëherë, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja…» Çfarë sakrifice dhe vetëdijësimi!…
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Pa telegraf, por me thirrjen e thjeshtë të zemrës, se vetëm ashtu do të shkruhej ndryshe historia, pa menduar ndonjë tender se ku mund të mblidheshin dhe s’i mund të ndaheshin milonat, sepse ishte rreziku i ndarjes së atdheut.
…u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë! Me telin e zemrës, mik pas miku, frymë gojë më gojë. I thoni Ferid Bej Vokopolës. I thoni Aqif Bej Elbasanit. I thoni At Bumçit. Mos harroni, mik, të m’i çoni fjalë Ahmet Bej Zogollit…
Sa me ndjenjë u përcoll ky lajm 100 vjet më parë, veç me fluturim shpirtëror, me frymë të shenjtë. Dhe erdhën, u bashkuan.
Dhjetë ditët që tronditën botën, dhjetë ditët e mahnitshme që ngritën nga balta dhe uria Shqipërinë dhe ua falën atë njerëzve të së ardhmes. Dhjetë ditët e Kongresit të Lushnjës! Në to do të ribëhej shteti shqiptar, do të caktohej kryeqyteti, Tirana (me të sotmen e papërfytyrueshme atëherë!), «do të emërohej kryeministri dhe qeveria e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.»
…Pushka e gjatë e Sulës Zdravës, me të cilën kishte marrë pjesë në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë, çante qiellin dhe errësirën, ngrohte shpirtra dhe jepte forcë… fare i vetëm do të bënte epokë…

* * *
Kongresi Kombëtar i Lushnjës u mblodh më 21 janar 1920 dhe i zhvilloi punimet nga 28 deri më 31 janar 1920. Në të morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit.
Në fillim Kongresi shqyrtoi planet e Konferencës së Paqes të Parisit për copëtimin e Shqipërisë dhe i hodhi ato poshtë në mënyrë të vendosur. Ai u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër protektoratit të cilësdo fuqie të huaj dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Në protestën që Kongresi i dërgoi kryetarit të Konferencës së Paqes thuhej se shqiptarët ishin gati të bënin «të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë».
Vendim tjetër i rëndësishëm ishte ai për krijimin e organeve të larta të shtetit shqiptar. Kongresi zgjodhi një Këshill të Naltë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit nga ana e një Asambleje Kushtetuese…
Këshilli i Naltë do të ushtronte pushtetin ekzekutiv. Ai caktonte kryeministrin, i cili pasi formonte qeverinë, merrte miratimin e Këshillit Kombëtar. Ndërsa Këshilli Kombëtar ushtronte pushtetin legjislativ dhe kontrollin mbi qeverinë. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar ishte e pavarur nga Këshilli i Naltë…
Përpara kësaj qeverie dilnin detyra të rëndësishme. Brenda vendit ajo duhej të merrte në dorë administratën shtetërore dhe të kërkonte largimin e pushtuesve të ndryshëm nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë ajo duhej të për t’i siguruar shtetit të pavarur shqiptar tërësinë tokësore dhe rinjohjen e tij në arenën ndërkombëtare.
Më 11 shkurt 1920 qeveria e Sulejman Delvinës, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë, ku u pritën me entuziazëm nga populli. Qysh nga ajo kohë, Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë.

KJO LETËR E MADHËRISHME:

«Shkëlqesisë së Tij Wilson,
Kryetar t’Amerikes i Shteteve të Bashuem,
Vashington
Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne.
I nalti Kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të Sh. S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.»
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës… O Zot, ç’ndodh! Kishte mbaruar Kongresi. Kishin ikur Burrat e Kombit, kishte ikur edhe Sula: nuk kishte ç’ruante më! Dhe ky burrë i padukshëm, kryetar i Katundarisë së Lushnjës, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit!… «Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen…. gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë ‘e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale’, etj., etj.» Këtë përshtypje të hollë do ta shkruante Visar Zhiti.
«…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë.
Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, padrejtësinë ndaj popullit shqiptar.
Përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën New York Times të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’» shkruhej atëherë…

DRAMA E KONGRESIT:
«Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë në popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estradës së Lushnjës.
Sot një rrugë në qytetin e Lushnjës mban emrin “Hekuran Zhiti” dhe ai është shpallur dhe “Qyetar Nderi”.
Ndoshta kjo dramë ishte dhe testamenti i tij. Që do ta përfundonte i biri, Visar Zhiti, që na e solli të plotë dhe ja ç’shkruan në pasthënie:
…si e pa përfunduar, e mbetur në dorëshkrim që nga mesi i shekullit të kaluar, – kisha thënë, – por me gjakimin, që, nëse do t’ia kërkonin ndonjëherë të vihej në skenë, autori do ta rimerrte dhe do ta përshtaste me kohën, domethënë me rrethanat, jo veç ato të skenës, të vegimit regjisorial dhe lojës së aktorëve etj, ngaqë Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore në histori, e patundshshme, që kërkon përtëritje në riparje, në shëmbëlltyrën e lartë që dha, të përbashkimit dhe të mënçurisë, të veprimeve të guximshme në shpëtimin e vendit.
Nuk e di a kishte menduar autori rënien e perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj.Ai besonte e jetonte dhe me Shqipërinë e vjetër, atë të përjetshmen. Kështu e pa dhe Kongresin e Lushnjës, një dramë me tre akte, nga e zakonshmja tek ato që ikin me përditshmërinë, nga antropologjia në rreziqet ekzistenciale e deri tek derdhja si në bronz e një altoreliefi të ngjarjes së madhe.
Në ndjekje të asaj porosie të heshtur, tani me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, botuesi UEGEN ndjeu detyrën e ribotimit të dramës, ashtu të plotësuar dhe të përfunduar, me atë dëshirë siç e nxori në dritë për herë të parë në vitin 2011, në 100 vjetorin e lindjes së autorit dhe në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, por tani dhe me pasionin e historianit dhe të shkrimtarit, kështu që z. Xhevair Leshi vendosi t’i shtonte botimit të ri pak histori për Kongresin dhe autorin, për t’u kuptuar, më saktë për t’u ndjerë më mirë drama e Kongresit dhe e autorit, që edhe pse ngjajnë të largëta midis tyre dhe nesh, kanë lidhje dhe kanë prodhuar njëra-tjetrën ndërsjelltas.
Gjithmonë ka një prag jete dhe vdekjeje. Pragu i vdekjes është dhe në jetë, ndërkohë që dhe pragu i jetës është edhe në vdekje. Ka dhe ringjallje…
Kongresi që u mbajt në Lushnjë, sërisht i duhet vendit, jo vetëm si kujtesë kolektive, aq më tepër tani që ka dy shtete shqiptare në Ballkan dhe zjen ankthi i bashkimit, me rreziqet e zhbërjes ndryshe, me modernitetin globalizues. Se duhet t’i bashkohemi së tërës (BE) me identitetin tonë, që kohërat e deshën të jetë sakrificë e heroizëm, por dhe një mrekulli.

In Memoriam: Ibrahim Rugova (P)IS Mustafa – Populli rugovist Po – LDK Jo! Nga Elida Buçpapaj

 

U mbushën 14 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, Liderit të Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht kryetarit të LDK-së.

LDK – akronimi i Lidhja Demokratike e Kosovës – që të kujton si formulim Lidhjen e Prizrenit ishte një Lëvizje Kombëtare për çlirim nga pushtuesi dhe integrim në NATO dhe BE, që u përqafua pothuaj nga e gjithë elita dhe populli i Kosovës brenda dhe në diasporë. Pati një impakt të jashtëzakonshëm sepse u udhëhoq nga Ibrahim Rugova një mendimtar europianist, figurë me integritet brilant, e emancipuar e krahasueshme me Vaclav Havel.

Ishte vetë elita në Kosovë që e zgjodhi në krye të LDK-së Ibrahim Rugovën, sepse Rugova përfaqësonte figurën e pakontestuar, pa skeletë në dollapë, personalitetin unifikues, me vizion Euro-Atlantik dhe paqëtues.

Gjithë Kosova u kthye në popull Rugovian dhe votoi për LDK-në e Ibrahim Rugovës!

Asnjë emër nga elita shqiptare në Kosovë nuk do të kishte ndikimin e Rugovës për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të fituar besimin në metropolet e politikës Ndërkombëtare, veçanërisht SHBA.

Ibrahim Rugova sendërtoi dhe u dha frymë idealeve shekullore, me shallin e tij e tij proverbial, qendrimin gandist dhe shqiptimet lakonike, për t’i çuar mesazhet e tij direkt në veshin e popullit të Dardanisë dhe tek partnerët jetikë të Kosovës që janë SHBA dhe BE.

Rugova ka patur rreth vetes njerëz të vlerave, shumica të vrarë, por edhe djaj të maskuar me kostume rugoviste që i rrininin pranë si profiterë të imazhit prej karizmës së Ibrahim Rugovës.

Vdekja e Rugovës ishte traumë për Kosovën, të ardhmen dhe fatin e saj, sepse frenat e shtetit kaluan në duar të gabuara.

Vota e popullit Rugovist u shpërdor nga djajtë me maskën e Rugovës që tashmë kishin uzurpuar frenat e lidërshipit të LDK-së.

E megjithatë, vdekja e Liderit të Pavarësisë i dha fund teatrit brenda lidershipit të LDK-së, duke zbuluar në dritën e diellit cilat ishin fytyrat e djajve me maskën e Ibrahim Rugovës, që fuqizuan dhe i dhanë pushtet Klanit Pronto.

Vdekja e Rugovës ishte traumë për elektoratin Rugovian që u mashtrua disa herë nga kasta drejtuese e LDK-së, transformuar në një shtojcë të partisë që drejtonte Hashim Thaçi, i njohur ndryshe si Gjarpëri.

Vdekja e Rugovës i çorri maskën përfundimisht kastës së LDK-së që u bë palë në një qeverisje antidemokratike dhe të korruptuar, udhëhequr nga gjarpëri me horrat e tij.

E pafalshme për LDK-në, e fundosur përfundimisht që prej vdekjes të Rugovës, sepse ka shërbyer për të fuqizuar Hashim Thaçin dhe Klanin Pronto.

Në fillim ishte Fatmir Sejdiu që e futi LDK-në aleancë me PDK-në dhe prej 2010 (P)Is Mustafa e ka kthyer LDK-në në një dordolec mjeran të Gjarpërit.

Pse them (P)Is Mustafa:

Sepse ky personazh e mori LDK-në për ta nxjerrë nga stanjacioni ku e futi Fatmir Sejdiu, por në fakt, për një dekadë rresht është rrënimtari i fundëm këtij formacioni politik, duke i dhënë Kosovës vetëm të mbrapshtën.

Elektorati Rugovian reagoi dhe e ka goditur LDK-në përmes votës të lirë. LDk ka humbur gjysmën e elektoratit, por edhe ky elektorat që ka votuar është mashtruar nga makinacionet e (P)Is Mustafës!

Në zgjedhet e 2014 (P)Is Mustafa i premtoi elektoratit se partia e tij do ta kalojë në opozitë gjarpërin!

Elektorati Rugovian e besoi, sepse (P)Is Mustafa shpërdori figura të pastra si Teuta Rugova etj. që i përfshiu në listat e deputetëve, por që pastaj i shtypi me grushtin e hekurt të bashkëpunëtorëve, të diskretituar tashmë, si faqja e zezë e LDK-së.

(P)Is Mustafa dhe LDK, tanimë kanë njollën e zezë të historisë, sepse me vota të blera e duke shitur poste ambasadoresh arriti minimumin e duhur që bënë president të Kosovës Hashim Thaçin, pra e zgjatën pushtetin e Prontomafies.

Sapo Hashim Thaçi zgjidhet president i Kosovës, Prontomafia e hodhi (P)Is Mustafën dhe LDK si limon të shtrydhur.

Në kushte të tilla, (P)Is Mustafa dhe grupi i tij, një kope djajsh, do të duhej të jepnin dorëheqjen dhe LDK të drejtohej nga një lidërship i ri, që fatmirësisht është brenda këtij formacioni, por që po defaktorizohet sepse po i bindet verbërisht të zezës së Kosovës që është (P)Is Mustafa & Co, ndryshe Bishti i Prontomafies.

Në zgjedhjet e 2019 për të mashtruar rishtas Elektoratin Rugovian, (P)Is Mustafa bëri makinacionin e rradhës, kësaj here shpërdori figurën e pastër të Vjosa Osmanit për të mbuluar fytyrën e zezë të tij, duke e shpallur si kanditate për kryeministre nga LDK, por ndërkohë Vjosën dhe LDK-në i mban të lidhur me zinxhirë.

Normalisht kryetari i partisë është edhe kandidat për kryeministër, por tek LDK-ja ka vdekur demokracia prej 21 janarit 2006, ditën që vdiq Rugova dhe frenat e LDK-së i mori kasta e titistëve që hyri menjëherë në sintoni me gjarpërin dhe Prontomafien, duke akaparuar pushtet politik dhe ekonomik dhe duke i dhënë dërrmën demokracisë së brishtë.

Se kush është (P)Is Mustafa kemi prej 6 Nëntorit që e shohim rishtas për çdo ditë, tre muaj rresht, se sa destruktiv është, se ka kundër Kosovës është, duke e bërë të pamundur aleancën qeverisëse të LDK-së me LVV-në!

Mjerisht kjo figurë është totalisht e ndryshkur dhe pa asnjë impakt në Elektoratin Rugovian, sepse (P)Is Mustafën e urren e gjithë Kosova, por mjerisht vazhdon që të ushtrojë diktat tek figurat brenda LDK-së që e kanë faqen e bardhë, që duke iu bindur një faqeziu po cënojnë integritetin dhe po humbin besimin e tyre tek Elektorati Rugovian.

E kam fjalën për të parën Vjosa Osmanin! Që i bëj thirrje t’i shpërthejë zinxhirët e (P)Is Mustafës!

Albin Kurti është treguar durimmadh, durimi i tij duhej të kishte marrë fund pas muajit të parë të dështimit të bisedimeve me (P)Is Mustafën, sepse ishte e qartë se (P)Is Mustafa dhe kasta e tij në këto bisedime janë drejtuar nga vizioni si Bisht i Prontomafies, ndërsa kandidaten për kryeministre e përdorin sa për të larë gojën!

Kjo është situata sot në Kosovë, kur mbushen 14 vjet nga dita që Ibrahim Rugova kaloi në Amshim.

Të rënët e Kosovës për çlirim, Liri dhe demokraci janë Ëngjëjt Mbrojtës të Dardanisë!

Vonesat kanë qenë dramatike për Kosovën dhe të ardhmen e saj, por kanë shërbyer edhe si mësim, që Elektorati i Kosovës, sidomos ai Rugovian të ndërgjegjësohet përfundimisht kur të japë votën e vet.

Nëse Kosova do të shkojë nesër në zgjedhje, LDK-në nuk ka Zot që e shpëton më!  Dhe meriton që, për të gjitha të zezat të cilat ia ka shkaktuar Kosovës prej vdekjes së Rugovës, të paguajë me votën e lirë!

Ndërsa idealet e Rugovës nuk vdesin kurrë,  ato ideale i përfaqësojnë sot ata politikanë që synojnë ta kthejnë Kosovën në shinat e një shteti demokratik, me shtet të së drejtës dhe demokraci të konsoliduar!

Në Kosovë ka plot emra që ngjallin shpresë, por duhet të kenë konceptin e kohës, nuk duhet të ecin me hapat e breshkës, sepse populli i Kosovës po humb durimin!

 

KUSHËRIRI IM I SHQUAR, TENORI TOLI ADHAM PANO – Nga Thanas L. Gjika

 

Midis njerëzve të shquar të fisit tim nga ana e nënës kam pasur kushëririn Toli Adham Pano, tenori i “Korit Lira” i quajtur dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.

Ky qytetar i talentuar edhe pse nuk është vlerësuar me tituj nderi prej qeverive pluraliste të pasvitit 1991, për mua është një personalitet i artit që meriton nderime e vlerësime jo vetëm prej fisit të vet, por edhe prej mbarë popullit të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Me qëllim që të mos harrohet si harrohen qytetarët e zakonshëm, po shkruaj disa të dhëna për jetën e veprat e tij edhe pse nuk jam specialist i muzikës.

* * *

Toli Adham Pano u lind në fshatin Panarit të Korçës më 6 shkurt 1913. Kur ushtria greke (andartët) dogjën fshatrat e Shqipërisë së Jugut më 1914 dhe më 1916, shumica e banorëve të Panaritit, Treskës, Trebickës, Katundit, Stratobërdës dhe Vithkuqit, ashtu si ato të Përmetit e Sarandës, u shpërngulën dhe u detyruan të shkonin ku kishin farë e fis, ose të njohur. Familja e Adham Panos, babait të Tolit u vendos në qytetin e Korçës. Këtu u rrit ky djalosh, i cili më 1929, kur mbushi moshën 16-vjeçare filloi të njihej si këngëtar duke u bërë pjesëtar i “Korit Lira”, që më vonë u quajt dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.

Për nevoja familjare Apostoli (Toli) i ndërpreu studimet në “Liceu Klasik Francez” dhe filloi punë si ndihmësrrobaqepës. Dy vjet më vonë shkoi ushtar dhe pasi kreu shërbimin ushtarak në Elbasan u kthye në qytetin e lindjes ku jetoi me zanatin e rrobaqepsit duke u bërë një nga rrobaqepësit më të mirë të qytetit. Pa vonesë ai u aktivizua dhe si korist i “Korit Lira”. Pjesëmarrja në këtë kor ishte vullnetare. Si këngëtarët dhe orkestrantët bashkë me dirigjentin jepnin shfaqje falas për popullin si në qytet dhe në fshatra të ndryshëm të mbarë zonës juglindore të Shqipërisë.

Gaqo Jorganxhiu, me zë basi e baritoni dhe Tole Adham Panua, me zë tenori ishin këngëtarët kryesorë të këtij kori për më shumë se 60 vjet (1934-1994). Tolja u shqua jo vetëm si korist, por edhe si solist në shumë këngë si “Dua më shumë Shqipërinë”, “S’ kam ç’ e dua pasurinë”, “O moj korçare”, “Kënga e mullirit”, “Dashuria është djallush”, “Muaji i majit”, etj. Një tipar tjetër dallues i Tolit ka qenë dhe ndershmëria dhe qytetaria e lartë. Askush nuk mban mend që ky rrobaqepës të jetë grindur me ndonjë myshteri a qytetar, ose të ketë gënjyer a mashtruar. Zotnillëku ishte tipar i tij me të cilin mburret sot gjithë fisi dhe qyteti i Korçrës.

Regjisori Mevlan Shanaj në vitin 1981 realizoi një film dokumentar televiziv kushtuar “Korit Lira të Korcës”, ku spikat dhe figura e solistit dhe koristit Tole Adham Pano. Kjo ishte e vetmja punë kinematografike ku u përjetësuan deri diku vlerat e këngëtarëve të atij kori. Tenori Toli Adham Pano dhe basi Gaqo Jorganxhiu e arritën kulmin e cilësisë zanore si këngëtarë në vitet 1945-1980, por incizimet e asaj kohe nuk ishin të cilësisë së lartë. Cilësia e këtyre pllakave sot le për të dëshiruar, prandaj ato duhen rigjeneruar me teknikën e sotme.

Këngët e atij kori ishin këngë lirike ku nuk i këndohej partisë dhe udhëheqësit të saj. Për pasojë jeta dhe krijimtaria e këtij kori, e solistëve kryesorë dhe orkestrantëve të talentuar të tij në vitet 1945-1991 nuk morën ndonjë vlerësim si e meritonin. Nuk u shkrua për jetën dhe krijimtarinë e tyre asnjë studim monografik, madje as ndonjë temë për mbrojtje diplome prej studentëve të Institutit të Lartë të Arteve.

Toli Adham Pano u nda nga jeta më 6 korrik 1998, në moshën 85-vjeçare, duke lënë dy vajza e një djalë të martuar e me fëmijë.

“Kori Lira” në ditët e sotme po e vijon traditën. Aty janë zëvendësuar dirigjentët, solistët, koristët dhe orkestrantët e vjetër me dirigjentë, solistë, koristë dhe orkestrantë të rinj, por elementët më të talentuar të së kaluarës së këtij kori duhen vlerësuar me tituj nderi, sepse kështu traditat kulturore e artistike kombëtare pasurohen dhe shpien përpara.

Gaqo Jorganxhi dhe Tole Adham Pano meritojnë të shpallen “Nderi i Kombit”, sepse ata me talentin e tyre të shquar i shërbyen artit shqiptar vullnetarisht për mbi 60 vjet, pa ndonjë investim nga shteti, dukuri e rallë në historinë e artit tonë mbarëkombëtar.

Portret i tenorit Toli Adham Pano

 

PSE U EKZEKUTUA DEPUTETI SMAJL HAJDARAJ? – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Deputeti Smajl Hajdaraj me Presidentin Rugova
     Një figurë e kompletuar e punës intelektuale dhe e luftës çlirimtare, si ajo e Smajl Hajdaraj, ishte e pritshme të ngritej në karrierën drejtuese, politike. Banda e “komandantëve”, kishte filluar listimin emëror, për likuidim të kuadrove të LDK-së dhe të forcës të saj ushtarake, FARK-ut. Kjo bandë e dalë nga LPK-ja, me flirtim të hershëm me shërbimet informative kriminale, UDB-ën jugosllave  dhe Sigurimin famëkeq të Shqipërisë, të cilët me të drejtë dhe saktësisht, Dr. Ibrahim Rugova do t`i cilësonte, ashtu siç ishin, “dorë e zgjatur e Serbisë”, kishte planifikuar marrjen e pushtetit, pas çlirimit, me dhunë e terror, ashtu siç bëri ideologu i tyre, filosllavi dhe stalinisti i egër Enver Hoxha, me bandën e komunistëve të tij.
     Krerët stalinistë të LPK-së, të akomoduar hoteleve e vilave të Bllokut të zi të Tiranës, hetonin dhe planifikonin shigjetimin e kuadrit perspektiv të kampit kundërshtar politik. Disa eliminime fizike i bënë gjatë luftës, duke pasur logjistikën dhe ndihmën direkte të social-komunistëve të Tiranës zyrtare. Pas luftës e filluan me Komandant “Drinin”, alias Ekrem Rexhën, për të cilin u fol se do të kandidonte për kryetar të komunës të Prizrenit, i pakonkurrueshëm nga dikush tjetër, për të vazhduar me kuadrot tjerë komunalë të LDK-së: Shaban Manaj, Imet Rraci, Ukë Bytgyçi…
 
        Arsyet pse u ekzekutua Smajl Hajdaraj
Komandanti Smajl Hajdaraj, në promovimin e Brigadës 136 në Rugovë
 
     1) I kësaj perspektive parashikohej të ishte edhe Smajl Hajdaraj në komunën e Pejës. Dhe, për gjallje të tij, Peja nuk kishte shanse të binte nën sundimin e egër, rrugaçëror e vrastar të bandës kriminale të Dukagjinit. Këtë e dinin edhe “komandantët” kriminelë. Andaj, njëri syrësh, ish-anëtarë i LPK-së, tani, eksponent i rrjeshtit të parë të PDK-së, duke qenë në shoqërim të bandës së tij, ndalon veturën e Smajlit, i drejton revolën ke koka dhe e kërcënon: “Ose hiç dorë nga LDK-ja, ose të pret plumbi kokës!”
     Smajl Hajdaraj ishte djali i dytë i Arif Rekës, i cili kishte luftuar kundër bandave komunisto-çetnike dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte përballur me akuza e gjyqe, për t`u dënuar dhe dërguar në vuajtje në ishullin-burg kroat, Golji Otok, së bashku me bashkëluftëtarët e tij: Cufë Sokol Nikçi, Ali Hysi Dreshaj, Sylë Mehmeti, Sali Rama, Haxhi Keri (i Ker Sadrisë), Bajram Ramën, Azem Jakupin, Brahim Jakupi, Bajram Haxhinë dhe rugovas të tjerë. Andaj, Smajli kishte trashëguar trimërinë e babait, plus guximin intelektual dhe shefit të bandës ia dha përgjigjen  e prerë, dinjitoze: “Pushka top ty me shokë. Të heq dorë nga LDK-ja e Rugova, është njësoj sikur të heq dorë nga Kosova”. Dhe, “komandanti” i kthyer pas luftës nga mërgimi, në Kosovë, kërcënoi sërishmi: “Vazhdo se do ta pësosh”, dhe u “u largua me bisht ndër shalë!”
     2) Smajl Hajdaraj ishte inxhinier elektrik i diplomuar. Ai kishte ndihmuar materialisht Familjen Rugova, në vitet ´90-a. Ishte shumë i afërt me Dr. Rugovën, ndonëse ishin edhe fis. Presidenti kishte shumë besim tek Smajli. Çmonte tek ai gadishmërinë, përkushtimin, sinqeritetin, fisnikërinë, burrërinë prej malësori, mençurinë dhe trimërinë.
     3) “Presidenti Rugova është në rrezik jete. Na duhet një makinë e blinduar “Mercedes”, i shkruante vëllait të tij Fazliut, atëherë, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalz-it, Gjermani, më vonë, kryetar i saj shumëvjeçarë dhe, tani, anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së, në Gjermani. Aksioni filloi heshtazi, në një grup të kufizuar veprimtarësh të LDK-së. Dhe, makina u sigurua. Atentati me tritol ndodhi. Makina, me të cilën udhëtonte Presidenti Rugova, për një takim me sekretarin Havier Solana, u dëmtua rëndë. Por, Presidenti Rugova i mbijetoi atentatit, në saje të makinës blindazhë.
     I dënuari për rastin e këtij atentati, në Burgun e Dubravës, do të deklaronte se “po të ishte makinë e zakonshme, pra, jo e blinduar, do të hidhej në erë, me gjithë Presidentin Rugova!” Pra, Rugova i mbijetoi atentatit. Por, tërbimi i “komandantëve”, pse Rugova frymonte ende në këtë botë, edhe pas atentatit, ishte i madh. Shfrimi hakmarrës i “komandantëve” vrastarë, do të binte mbi atë që ideoi dhe realizoi veturën  blindazhë, tashmë, deputetin e Parlamentit të Republikës të Kosovës, Smajl Hajdaraj.
 
          Kush e ekzekutoi deputetin Smajl Hajdaraj?
     Janë shumë qindra vrasje politike, dhe jo vetëm 100 apo 200, siç duan t`i minimizojnë vrastarët me tellallët e tyre, të listuara, të urdhëruara për likuidim fizik, për t`i hapur rrugën pushtetit të përgjakur, hajnisë zyrtare, haraçit të egër, të cilin e vilnin bandat, për shefat e tyre “komandantë” pa ushtarë, por, me banda të gatshme, për shantazh e kërcënim, kidnapim, turturë, deri në vrasje.
    Dhe, duke qenë vrastarët në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, me aleate e mbështetëse Serbinë, si dhe përgjumjen e neglizhencën e qëllimshme të ndërkombëtarëve, me gjithë faktet e bollshme të krimeve serike  të “komandantëve”, në mesin e tyre edhe të deputetit Smajl Hajdaraj, nuk janë hetuar, nuk janë zbuluar dhe as ndëshkuar listuesit emërorë, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e kuadrove të FARK-ut, të veprimtarëve të LDK-së dhe të tjerë konkurrentë politikë.
     Janë të paktën 4 (katër) pista, nga ku duhet të fillojë hetim-zbulimi i ekzekutimit zyrtar të ish-komandantit, deputetit Smajl Hajdaraj:
     1) Porosia e parë, deri me kërcënim me revole, për Smajl Hajdaraj, për ta braktisur LDK-në, nga eprori i PDK-së;
     2) Vetëdenoncimi i një komandanti të UÇK-së, katër muaj para ekzekutimit, tek Smajl Hajdaraj, të cilit Shtabi ia kishte dhënë edhe revolën, se “jam i ngarkuar, për me të vra, por unë nuk e bëj këtë”;
     3) Ekziston edhe një letër, e lënë nga Smajl Hajdaraj, ku fletë për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin që e pengonte organizimin ushtarak në Rugovë;
     4) Krisma e armës, në korridorin e banesës, në katin perdhes, alarmoi familjen. Vajza e Smajlit, duke parë babain të shtrirë për tokë dhe të përgjakur, shpërthënë në qarje të zëshme. Polici i uniformuar, që po e shoqëronte ekzekutorin, për ta lehtësuar aksionin vrastar, krejt gjakftohetë, i thotë vajzës, të rënë në dëshpërim të skajshëm: “Pse po bërtet? Nuk asht ba nami pse asht vra baba!” Dhe, polici, në detyrë, është identifikuar.
     Shantazhimet dhe kërcënimet  e “komandantëve”, për kundërshtarët politikë, kanë qenë të shumëta. Por, për mënyrën, peshën e kërcënimit dhe të lëndëzimit me ekzekutim, shquhen tri rastet: paralajmërimi serioz për vrasjen e ministri të luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, kryetarin e LDK-së të Istogut, Shaban Manaj, deputetin Smajl Hajdaraj.
     Anatema dhe shpifja më flagrante ka qenë dhe vazhdon edhe sot, se “Kolonel Tahir Zemaj dezertoi dhe ua dorëzoi armët pushtuesëve!?” Realisht, fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolonel Zemaj, nuk ka dozërtuar kurrë, as nuk ka dorëzuar armët pushtuesit. Përkundrazi, në koordinim me Komandantin e UÇK-së për Rugovën, Smajl Hajdaraj, shpëtuan mijëra qytetarë nga Dukagjini, duke i spostuar nga zonat e luftës, gjë që, në këtë përmasë dhe kaq profesionalisht e mençurisht,  nuk ka arritur ta bëjë askush në Kosovë.
     Bazuar në veprimtarinë politike dhe ushtarake, të Smajl Hajdaraj, është logjike edhe kërkesa e shumicës dërmuese të shqiptarëve, që komandanti dhe deputeti i ekzekutuar Hajdaraj, nga argatët e Serbisë, të nderohet e përjetësohet me shtatore në qytetin e Pejës.
Shpresojmë dhe besojmë, se Kuvendi Komunal i Pejës, me kryetarin e suksesshëm, Gazmend Muhaxheri, do ta këtë në konsideratë, kërkesën, vullnetin e Rugovës, Pejës, Dukagjinit, Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur, me bindjen se Smajl Hajdaraj e meriton këtë  vlerësim dhe Peja do të begatohej me një stoli domëthënëse kombëtare.
     Lavdi jetës dhe veprës të intelektualit, veprimtarit kombëtar, komandantit dhe deputetit Smajl Hajdaraj!