VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

PARATHÂNE – Randsija e Folklores komtare – Nga GJERGJ FISHTA

By | October 13, 2019

Komentet

“Marigoja shqiptare në Norvegji” – Nga Fran Gjoka – Lezhë

 

Intervistë me shkrimtarin Viron Kona për librin e tij të kohëve të fundit  “Marigoja shqiptare në Norvegji”.

  1. Viron!

-Ju jeni autor i më se 45 librave me tregime, novela, romane e poezi për fëmijë e për të rritur. Kohët e fundit keni dalë përpara lexuesit edhe me tre monografi kushtuar tre mërgimtarëve të njohur në Suedi dhe në Norvegji. Është ndryshim kursi ky për ju?

-Nuk është ndryshim kursi, por shkrimtari shkruan vazhdimisht dhe e sprovon veten edhe në përshtatje me rrethanat që krijohen. Në vitin 2015 shkrova monografinë “Ju dua më shumë se veten!”, kushtuar leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla Zendeli – Daja, i cili është nga Gostivari, por jeton për më shumë se 50 vjet në Suedi. Në vitin 2017 botova mongrafinë “Kur vjen Sokoli”, kushtuar poetit, përkthyesit dhe atdhetarit Sokol Demaku nga Drenica e Kosovës, që jeton prej afro 20 vjet në Suedi. Kurse “Marigoja shqiptare në Norvegji” është monografia  e tretë dhe i kushtohet stilistes, poetes dhe atdhetares Emine S. Hoti, e cila banon prej 30 vjetësh në Norvegji.

-Ka qenë nisma dhe dëshira juaj për këto monografi?

-Po, ka qenë nisma dhe dëshira ime, nisur nga fakti se të tre këta atdhetarë të shquar, me veprimtaritë e tyre krijuese dhe mëmëdhetare e meritojnë vlerësimin dhe respektin e shoqërisë. Të tre janë emra të njohur edhe në vendlindje, edhe në rrethet suedeze apo norvegjeze, por edhe nga publiku shqiptar sepse të tre janë njerëz të veprave. Janë personalitete që bartin vlera të dukshme sociale dhe kombëtare, të cilat duhen pasqyruar. Nuk do të ishte e drejtë të qëndronim indiferentë ndaj veprave të tyre. Nisur nga këto motive i shkrova këto monografi.

-Le te qëndrojmë paksa te libri juaj monografik“Marigoja shqiptare në Norvegji!”. Një titull befasues për lexuesin, mund ta na thuash diçka më shumë për jetën dhe personalitetine  kësaj zonje?

-Siç ju thashë dhe më lartë kjo monografi i kushtohet shkrimtares, stilistes dhe atdhetares shqiptare – norvegjeze Emine S. Hoti, tashmë e njohur edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”.

-Emine S.Hoti është nga Drenica e Kosovës. Në vitin 1989 për shkak të represionit serb mbi shqiptarët, ajo mërgoi në Norvergji. Iu desh një kohë që atje të integrohej, pasi i duhej të ushqente dhe të rriste katër fëmijët e saj, dy djem dhe dy vajza, që në atë kohë ishin të vegjël.

Duke qenë se kishte mbaruar shkollën e  mesme pedagogjike në Prishtinë, ajo u integrua shpejt në Norvegji, dhe fitoi profesionin asistente edukatore kopshti dhe më pas edukatore kopshti e shkolle.

-Dhe si vijoi jeta e saj?

-Fillimisht duhet të themi se kur shteti norvegjez krijoi një vizon më të plotë për çështjen shqiptare, dhe veçanërisht për Kosovën, i mori në mbrojtje dhe i mbështeti plotësisht shqiptarët, qofshin ata të Kosovës, të Shqipërisë apo të trojeve të tjera. Gjithsesi, një grua me fëmijë, siç ishte Eminja, nuk e kishte të lehtë jetën, por me këmbëngulje dhe sakrifica arriti të fitonte besimin e norvegjezëve. Ndërsa gjatë ditës punonte asistente edukatore kopshti, por dhe punë të tjera për të mbajtur ekonominë e familjes, ajo kishte edhe disa pasione që e shoqëronin gjatë gjithë kohës dhe që priste rastin t`i vinte në jetë.

-Cilat ishin këto pasione?

-Në fëmijëri dhe në rini, kur jetonte në Drenicë, së bashku me prindërit dhe pastaj kur u martua dhe lindi katër fëmijët e saj, Eminja kishte pasion poezinë, donte të bëhej poete, donte që, në raste festash e ditësh të shënuara, të recitonte vjershat e saj në gjuhën shqipe përpara shkollës dhe banorëve të fshatit. Ndërkaq në veprimtaritë e ndryshme që zhvillonin në shkollë, në fshat, por edhe kur ishin festat kombëtare shqiptare, ajo dëshironte që banorët e fshatit e sidomos të rinjtë, të kërcenin, të këndonin dhe të festonin festat kombëtare shqiptare të veshur me kostume kombëtare. Vetë nuk e kishte këtë mundësi, e vetmja grua që u ofronte vajzave ndonjë veshje ishte një grua nga Drenica, por, aq sa ofronte ajo, një dhe dy kostume nuk mjaftonin, ndërkohë që, serbi, e pengonte propagandimin e  veshjeve kombëtare shqiptare.

Kështu që, teksa ndodhej në kushet e lirisë, në një vend si Norvegjia, që krijon hapësira dhe mundësi të arta për të shpalosur dijet, pasionet dhe përkushtimin, Eminja vendosi që t`i bënte realitet ëndrrat e saj. Bleu një makinë qepëse, penj e rroba dhe, gjatë natës, ndërsa vinte fëmijët në gjumë, ajo qepte veshje kombëtare, kryesisht të zonës së saj, por edhe më gjerë. Fillimisht këto i qepi për fëmijët e saj dhe për grupin  artistik të shoqatës së shqiptarëve në Norvegji. Më pas, e përhapi këtë dëshirë të saj edhe te shqiptarët e  Suedisë, ata të Maqedonisë së Veriut, në Kosovë, te nxënësit e shkollës Dritan, ku ajo kishte mësuar, por edhe në Itali e kudo ku i jepej mundësia. Këtë veprimtari humane me vlerë edhe kombëtare, ajo e vijon edhe sot.

-Domethënë ajo nuk i shet, por i dhuron veshjet kombëtare që përgatit?

-Eminja i dhuronte dhe i dhuron veshjet kombëtare. Deri më sot ky numër ka shkuar në 250 veshje kombëtare, të dizenjuara, të prera dhe të qepura nga vet Eminja dhe të dhuruara prej saj. Këtu mendoj se qëndron edhe e veçanta e saj. Në kushtet kur edhe vetë kishte nevojë për të holla, që i duheshin për familjen, ajo bënte këtë gjest human. Kush do lexoj librin, besoj do arrijë në përfundimin se një njeri i zakonshëm, mund të bëj gjëra të jashtëzakonshme, kjo është Eminja që po prezantojmë sot përpara jush. Këto akte përkushtimi dhe dhurimi, kanë bërë që, shumë shoqata atdhetare shqiptare nëpër botë të paraqiten në aktivitetet e tyre me veshjet e përgatitura nga Eminja. Ata shëtisin në ditë të shënuara, festojnë, kërcejnë e këndojnë me këto veshje rrëzëlluese, të bukura, ku gjithnjë kanë spikatur ngjyrat e kuqe dhe e zezë e veshjeve tona, qëndizmat, shqiponja dhe plisi, si të ishin në Prishtinë apo në Tiranë.

-Ka ndonjë episod që ilustron këto që po na thoni?

-Një 17 maji, Ditë e festës kombëtare të  Norvegjisë, një gazetar norvegjez kur pa fëmijët e Emines të veshur me kostume të panjohura për të dhe që festonin duke tundur flamujt norvegjezë dhe shqiptarë, i pyeti ata duke treguar flamurin shqiptar me shqiponjë:

-Çfarë flamuri është ky?

-Është flamuri i Nënë Terezës,-iu përgjgij djali i madh i Emines me krenari.

-I Nënë Terezës!?

-Po, Nënë Tereza është shqiptare, siç jemi edhe ne. Ky është flamuri ynë, kurse kostumi që kam veshur është kostum popullor shqiptar. Ma ka qepur nëna.

 

Përgjigja e djaloshti bëri përshtypje dhe zgjoi interesimin e mediave norvegjeze të cilët i ftuan fëmijët në emisione të veçanta…

Ansambli “Shqiponjat” në Norvegji me veshje të qepura dhe

të dhuruara nga Eminja (e para djathtas).

 

Ndonjë moment tjetër?

 

-Ka shumë, por unë po ju tregoj dhe përshtypjen që bëri dhurimi i xhubletës kombëtare, këngëtares së shquar të operas së Milanos  Anila Hoxha, e cila kur Eminja i dhuroi një xhubletë gjatë një vizite në Itali, ajo i shkroi: “Jam shumë e lumtur që u takuam bashkë, më dhurove xhubletën aq të bukur të punuar me duart e tua të arta dhe unë e vesha për festën e pavarësisë ku u preferua shumë nga të gjithë…Dua të falënderoj që erdhe në koncert në Milano ku unë këndova soliste në teatrin “Xhuzepe Verdi”, u takuam edhe mbas koncertit dhe aty më dhurove xhubletën kuq e zi. Jam e lumtur që je një poete me shumë vlera, ke shkruar disa libra, e ndihem edhe unë krenare me ty që përfaqëson kaq mirë vlerat e gruas shqiptare.”

Ja se si e përshkruan një moment takimi me Eminen, artistja shqiptare në Itali, modelja dhe aktorja e njohur Lumnie Hoti (Çota Luna): …Dielli më ndriti e më ngrohu shpirtin kur nga larg njoha motrën time Eminen, ndonëse nuk e kisha parë 56 vjet, vetëm në fotografi. E vogël si floriri e me flokët gërsheta si Shote Galica. Me një frymë, e me diellin që ma ndriçoi rrugën, eca drejt saj dhe e përqafova e lotova… Ditë e bekuar takimi me motrën time Emine. Ishte një takim surprizë për mua… Shumë valixhe i pashë në duar?? Në ato duar të vogla, të arta, ajo shqipen kishte qëndisur. E dija që është stiliste e veshjeve të arta të kombit tonë. Një udhëtim me valixhe të mëdha, ku brenda, për mua kishte thesare: kostume me erë shqiptarie. Valixhet bënin melodinë e rrotave por brenda ishte Thesari i Shqiptarisë, ku shumë fëmijë do të vishnin kostumet tradicionale… E kjo më gëzoi shumë që kisha një motër duarflori e të palodhur. Që nga Norvegjia solli peshqeshet e fëmijëve shqiptarë kudo që janë nëpër shoqata.

Zyrtarja  e lartë e bashkisë së Borasit Ida Legnemark, ish kryetare Bashkie, kur mori vesh se në qytetin Boras të Suedisë, zhvillohej një festival poezie, shfaqi dëshirën që të vinte në atë festival e veshur me kostum tradicional shqiptar të prerë dhe të qepur nga Eminja. Erdhi dhe, gjatë gjith aktivitetit e mbajti veshur kostumin, i cili për hirë të së vërtetës i shkonte shumë. Shumë pjesëmarrës në atë aktivitet, nxituan të bënin fotografi me Idën. Sigurisht që Eminja ia fali asaj atë kostum, gjithnjë e udhëhequr nga fjala e urtë: “Një këmishë që e vesh për vete, dhuroja kujtdo qoftë pa hezitim, por, atë që nuk të pëlqen ty, mos  ja dhuro askujt”.

Kështu dhe të tjerëve suedezë, norvegjezë, italianë të gjithë ata ndihen krenarë me veshjet shqiptare tradicionale të përgatitura nga Eminja, madje ata edhe kanë dalë në fotografi apo janë filmuar nga televizione, siç është dhe rasti i albanologur të njohur suedez “Miku i madh i Shqiptarve” Ullmar Qvick(Kvik). Ai e  mbajti veshur xhubletën shqiptare gjatë gjithë aktivitetit, madje, dhe kur e morën në intervistë, ai shfaqi dëshirën të dilte me atë xhubletë shqiptare të prerë dhe të qepur nga Eminja.

Nëpër vite Eminja e perfeksionoi këtë talent të saj, dhe bashkë me ngjyrat e bukura të aurorave polare nga Norvegjia, ajo ka shpërndarë dhe shpërndanë të gjitha ngjyrat e larmishme dhe bukuritë e kostumeve tradicionale shqiptare të krahinës së Drenisës, së pari, dhe, pastaj të krahinave të tjera shqiptare.

-Çfarë lloje veshjesh bien më shumë në sy tek ato që përgatit Eminja?

-Mes veshjeve të përgatitura nga Eminja ka vezulluar xhubleta shqiptare, ajo xhubletë të cilën udhëtari hungarez Daniel Kordinez, e cilëson kështu: “As palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptarëve! Se kjo veshje ka pasur të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.”

Eminja thotë me krenari se me veshjet kombëtare shqiptare kanë dalë në fotografi Bajroni i madh dhe Edith Durham, se këto veshje i kanë bërë të njohura në botë Eduart Liri dhe piktorë të tjerë me famë botërore.

Cili është pasioni tjetër i Emines që ka zënë vend në librin tuaj? 

 

-Atje, nëpër natë, duke punuar me makinën qepëse, Eminja  mbante edhe laps e letër dhe hidhte edhe mendimet e saj poetike që i vlonin, por dhe episode, ngjarje, ide dhe motive, që do të shndërroheshin në libra në prozë dhe poezi, mes të cilave po përmend romanin “Jetë ferri”, librin në prozë “Shqetësime mërgimtarësh”, vëllimet poetike:  “Lulet e vendit tim”, “Pyesni zemrën”, “Fenisk”, “Sinfonitë e jetës”,  “Hija  e heshtjes”, etj. Për këto libra janë shkruar komente të shumta, nga shumë autorë, në Shqipëri, Kosovë dhe në mërgatë, sidomos në Norvegji dhe në Suedi. Ato janë edhe përuruar në Bibliotekën Kombëtare Prishtinë, por edhe këtu në Tiranë. Më datën 15 Nëntor 2019 u përurua në Tiranë edhe libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”.

 

-Çfarë të  veçanta të tjera  ka libri juaj?

-Në libër, në sfond të personalitetit të Emines, si protagonistja e librit, lexuesi do të gjejë të shpalosura veprimtari atdhetare, artistike e letrare, mbresa dhe emocione nga Lufta e Kosovës, kontributi i Emines në atë luftë për liri e pavarësi, marrëdhëniet e saj me shoqe luftëtare të UÇK-së, ashtu dhe veprimtari kulturore e  humane; mendime dhe ide të përparuara, fakte, artikuj, si dhe fragmente nga Norvegjia dhe jeta në Norvegji. Do të gjeni artikuj letrarë e studimorë për veprat në prozë dhe ato poetike të Emines. Me këtë rast, falenderoj për pjesëmarrjen në libër me artikujt apo pronocimet e tyre: gazetarët dhe shkrimtarët: Imri Trena (Norvegji); Hamit Gurguri, Sokol Demaku, Hysen Ibrahimi, Xhavit Çitaku (Suedi); Lumnie Hoti (Çota Luna) dhe Anila Hoxha (Itali);  Izet Abdyli, Frok Kristaj, Ajete Zogaj, Edita Curri, (Kosovë), redaktorin e librit Kadri Tarelli, gazetarët:  Nuri Dragoj, Bashkim Saliasi, Sejdo Harka, Bajram Mejdiaj, Luljeta Llupi, Liljana Kona (Tiranë); Fran Gjoka (Lezhë); Agim Qoku (Elbasan), Halim Laçi (Krujë), por dhe shumë miq e të tjerë, që u bënë me dëshirën e  tyre pjesë e këtij libri me konsiderata dhe vlerësime të merituara kushtuar shkrimtares, stilistes dhe atdhetares Emine Hoti, sot edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”.

 

-Z. Viron ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese të tjera në krijimtarinë tuaj të vyer!

Stinë zambakësh – Cikël poetik nga VIKTOR GJIKOLAJ

TE SUKA E GJOLLËVE

 

U laga në lashtën e mëngjesit

Më kish marrë malli të dal te Suka e Gjollëve

Të shoh si zbardhon Shkalla e Mullit

Me qerpikë të lagur pabesisht prej lotëve.

 

Të ndiej si tringëllojnë këmborë e zile

Shtegut që të çon nga Gurra Gjibardhë

Të shoh si bredhin kecat kodrave jeshile,

Ç’mall për fëmijërinë më paska marrë!

 

Atëbotë më pëlqen të bëhem bari

Ta ndjell gjënë e gjallë si im ungj

E të shkulet tufa me shpejti

Nga kullota e ambël buzë Gurit Burgj.

 

E ashtu tek vërrasin e zbresin me potere

Në mes të më fusin, të më sillen rrotull

Veç s’do të më rrëzojë më dhia brikacelle

Si dyzet vjet më parë, kur isha i vogël.

 

E nënë-shkreta prej stanit në Arë të Rubës

Drejt meje rendi turraqit

Në pjesën e prapme më ra me bisht të furkës:

Shejtan! Ruaju nga dhitë!

 

E ndjera nënë prehet në një varr

Nën pisha të blerta. Shpirti iu bëftë dritë!

Tek këto gjollë kam marrë dikur një varrë

Por… Zylo, s’më thirrën ndonjë ditë!

 

U laga me lashtën e mëngjesit

Në këtë prill të vonë, i thinjur pak

Rasa s’e solli të bëhesha bari,

As koha të më thërrasë: plak.

 

 

 

KLITHMA E HESHTJES SË BARDHË

 

Dita

Shurdhe, zeshkane, mburracake

Pa skaj

Diellin e mban fshehur

Pas akullit të saj.

Bërryli

I drunjtë në brinjët e mia

Shtyn e shfryn.

Përbindësh

Muzgu i trishtë më rri mbi krye.

Përreth meje:

Pellgje sa për të më zhytur.

Lëkurë iriqi më shtrojnë për të fjetur

Fjalë.

Sa për të më sharë…

Ditë e shurdhër:

Hapi veshët

Të dëgjosh

Klithmën e heshtjes sime

Të bardhë.

 

PROTOZOT

 

Bash në prill.

Qyqet: ku-ku… ku-ku…

Kori i papagajve: ho-ho-ho!

 

Protozot, ç’pamë,

Ç’kemi dëgjuar!

Dhe sa trimëri na duhet

Për të duruar!?

 

Protozot!

 

NUK ISHTE VJESHTË

 

Kish nisur një çerdhe

Në gjoksin tim

Dallëndyshja që iku e më la

Cork të vetëm.

I kallur në heshtjen plot trishtim

S’di për të satën herë

Më shkelën pranverën.

 

N’këtë stinë zambakësh

Erë shkretëtire nga erdhe kështu,

Nga erdhe?!

Zambakun e lè pa fletë

Dhe gjoksin tim pa çerdhe.

 

Nuk ishte vjeshtë…

 

1986

 

PESHA

 

E pyetën kampionin :

Në cilën garë,

Në cilin vit

Peshën më të rëndë

Keni ngritur?

 

I shtangur

Shtangisti tha duke qarë:

Më 1 9 9 9-tën,

Kur ngrita nga dheu

Një foshnje të vrarë…

 

Ishte

Gjakovar.

 

Gjakovë, 6 maj 2000

 

ME THOSHTE IM ATË

Më thoshte im atë,

Asohere burrë i vjetër,

Kur të dalësh nga shkolla

Mos mbaj nga pazari,

 

Eja udhës tjetër.

 

Përse, o atë, përse?

Djal i urtë jam e s’di të bëj sherre,

Po rritem pa vese.

 

Udhës tjetër, bir!

I pashëm je ,e zell ke për dije,

Pazari ka njerëz çdofarësh.

Asgjë të mos bësh,

Të ngjesin ndonjë bisht.

 

Por, unë mbajta ndonjëherë

Udhës së pazarit

Gabimisht.

 

TË JETOSH SA PËR TË VDEKUR

 

Dyfish

Jam dërrmish

për t’u ngjitur në majë të një suke.

Jam ngjitur e i vikas botës që e dua

Ndryshe.

Medet!

Veç dy-tre suka

Kapton zëri im i mekur.

Patjetër më duhet të dal mbi një kodër

Ose të jetoj, sa për të vdekur…

Bisedë me përkthyesin e “Lahutës së Malcis” në frëngjisht z. Abidin Krasniqi – Nga Keze Kozeta Zylo

 

Lahuta e Malcis e At Gjergj Fishtës më mahniti… Megjithëse nëna ime është frënge, babai im u mësoi gjuhë shqipe fëmijëve të tij. Kështu që, si adoleshent, unë flisja më mirë shqip se frëngjisht!

  1. Abidin Krasniqi dhe pse i lindur dhe rritur në Paris e flet shqipen rrjedhshëm dhe është një histori suksesi. Përkthimi në frëngjisht i veprës Kombëtare “Lahuta e Malcís” shkruar nga Poeti i Kombit Padre Gjergj Fishta ka qenë domosdoshmëri per t’i njohur kryeveprat e letërsisë sonë dhe në botë.

Ju jeni lindur dhe rritur ne Paris si e keni mesuar kaq bukur gjuhën shqipe ? 

Unë mbaj gjuhën shqipe prej babait tim. Jam djali i Sefo Bejta Krasniqit, ai ishte aktor dhe regjisor në Kosovë. Pas disa vjet studime në Zagreb, babai luajti dhe vuri në skenë disa shfaqje teatrore, por pati probleme me autoritetet jugosllave. Ai u detyrua të largohej nga Kosova në 1979. Në Perëndim ai nuk e kishte njohjen e pritshme, kështu që ai punoi si reklamues, piktor dhe të tjera. Megjithëse nëna ime është frënge, babai im u mësoi gjuhë shqipe fëmijëve të tij. Kështu që, si adoleshent, unë flisja më mirë shqip se frëngjisht !

Cila është jeta dhe familja juaj në Paris?

Jeta jonë nuk ishte e lehtë, si materiale ashtu edhe njerëzore. Një pjesë të fëmijërisë e kalova në jug të Francës, më pas familja ime shkoi në Paris, sepse me ardhjen e kompjuterave dhe teknologjive të reja, babai im nuk mund të gjente më punë në reklama. Në Paris, babai im pikturonte, nëna ime i shiste veprat e tij, shpesh me vështirësi. Që nga ajo kohë, unë ndoqa studime të palidhura me gjuhën ose me letërsinë shqipe. Kam udhëtuar shumë, pastaj kam studiuar sociologjinë në Universitetin Paris VIII deri në nivelin Master. Kam punuar në administatën e të njëjtit universitet deri në vitin 2016. Edhe sot e kësaj dite kam pak kontakte me diasporën shqiptare në Francë.

E vizitoni shpesh Kosovën?

Im atë nuk kishte, de fakto, të drejtën të kthehej në Kosovë sepse ai ishte refugjat, dhe nuk e di pse ishte njohur si ‘apatrid’, d-m-th pa shtetësi. Pas luftës së viteve 1998-1999, ne mund të ishim kthyer, të paktën për të vizituar Kosovën. Por në atë kohë, ishte babai im që nuk donte të kthehej më… Pastaj prindërit e mi u ndanë. Kam udhëtuar shumë nëpër botë, por më është dashur të largohem nga Shqiptarët. Psikologjikisht, si shumë fëmijë të emigrantëve, unë vuaja nga mungesa e pikave të orientimit. Vetë identiteti im ishte i pasigurt, isha francez dhe shqiptar, por edhe as francez, as shqiptar. Shkova për herë të par në Kosovë në të njëjtën kohë kur fillova përkthimin e Lahutës së Malcís, në fillim të vitit 2017. Atë kohë i kisha kaluar 30 vjet, ndihesha më e sigurt. E dija kush isha tani.

Kur dëgjuat për herë të parë për Poetin e Kombit At Gjergj Fishtën?

Babai im kishte shumë libra. Ai ishte i interesuar për shqiptarët, por edhe për historinë, fetë, mitologjinë, zakonet dhe traditat e shumë popujve të tjerë. Në mes të gjithë këtyre librave, unë e kisha vërejtur herët Lahutën. Kur e lexova për herë të parë, isha 14 vjeç. Megjithëse nuk e kuptojsha atëherë, siç e kuptoj sot, epika e Gjergj Fishtës më mahniti. Bota heroike e maleve shqiptare më bëri të ëndërroja. Por kam qenë i vetëdijshëm që kjo botë nuk ekziston më, kështu që kam kërkuar prej vitesh popuj që jetojnë në mënyre tradicionale (në Afganistan, Iran, Azinë Qendrore, Himalaje, Indi, Bolivi ose Peru…). Kam udhëtuar në kërkim të shoqërive që kishin ruajtur zakonet dhe traditat e tyre, besimet dhe këngët e tyre.

Çfarë ju frymëzoi më shumë dhe cilat janë mbresat tuaja kur lexuat per jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës?

Për mua Lahuta është po aq një kryevepër letrare sa një dokument historik mbi ngjarjet që çuan në krijimin e shtetit të Shqipërisë dhe në njohjen ndërkombëtare të tij. Ishte thelbësore për mua që lexuesit frëngjisht të njohin këtë kryevepër dhe këtë dokument. Prandaj është një përkthim që mund të përshkruhet si patriotik. Por ka edhe më shumë: Kam studiuar sociologjinë dhe antropologjinë dhe për mua ishte e rëndësishme që në Francë, ne ta njohim këto aspekte pak të njohura të kulturës sonë : legjendat, traditat, krijesat mitologjike, vlerat. Mjeshtëria absolute e gjuhës shqipe nga Gjergj Fishta, bukuria e tetërrokshit të tij, ngjashmëria e Lahutës me eposin e kreshnikëve që unë njoh mirë janë arsye që më kanë bindur së ky përkthim është i domosdoshëm. Më në fund, motivimi kryesor për këtë punë ka qenë universaliteti i Fishtës. Edhe pse ai ka qënë klerik katolik, poezia e tij u drejtohet muslimanëve dhe ortodoksëve, të gjith atyre që kan të përbashkët gjuhën shqipe. Në një botë që kërcënohet gjithnjë e më shumë nga përçarjet fetare, mesazhi i Fishtës duhet të dëgjohet, në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Francë.

Cilat ishin vështiresitë gjatë procesit te përkthimit, çfare shembujsh keni ndjekur?

E fillova këtë përkthim duke i thënë vetes se nëse do të arrij të përktheja një këngë do të ishte tashmë shumë. Pas disa javësh, kisha përkthyer disa!  Unë më pas e thellova punën, bleva disa fjalorë shqip (Kolgjini, Bashkimi, Gazulli, Elezi, FGJSSH…). Përveç kësaj, përkthimi i Robert Elsie-t më ndihmoi shumë. Natyrisht, nuk e kopjova, por më lejoi të bëj krahasime, për të parë se çfarë mund të kuptonte një shkencëtar si Elsie për këtë dhe atë fjalë, për këtë dhe atë varg.

Gjatë përkthimit a keni bërë bisedë imagjinare me At Gjergj Fishtën?

Siç thashë, nuk jam shkrimtar apo kritik letrar. Unë nuk kam aq shumë imagjinatë. Sidoqoftë, nuk kam ndalur të imagjinoj personazhin e Fishtës. Në çfarë kushtesh ai shkroi? Si e konceptoi ai besimin e tij katolik? Si e pa ai të ardhmen politike të popullit shqiptar? Si mendoi ai për pajtimin e traditës dhe modernitetit? Etj.

Me cilën shtëpi botuese në Francë keni marrëveshje?

Pata probleme për të gjetur një botues. Jo për shkak të cilësisë së punës së Fishtës, apo edhe për shkak të cilësisë së përkthimit tim. Jo. Por për shkak të gjendjes së tregut të librit në Francë. Çdo vit botohën mijëra tituj. Autorët e njohur shesin shumë, por shumica shesin më pak se 500 kopje. Shtëpitë botuese e kanë në mend këte gjendje përpara se të gjykojnë cilësitë letrare të një vepre. Unë botova përkthimin e Lahutës te L’Harmattan, një shtëpi që ekonomikisht më ofron kushte mjaft të dobëta, por njihet në Francë dhe ka një rrjet të mirë të librarive partnere.

Cilat janë disa nga opinionët intelektuale ne France për përkthimin tuaj te veprës së Gjergj Fishtës ?

Historianët dhe sociologët që njoh personalisht dhe që kanë lexuar librin më kanë uruar për punën që kanë bërë. Si specialistë, ata sidomos vunë re dhe vlerësuan shpjegimet e mia për tekstin e Lahutës (më shumë se 700 fusnota, një hyrje të gjatë, një indeks…). Për momentin, kam më pak reagime për cilësitë letrare të Lahuta. Libri po shitet mjaft mirë.

A mendoni se At Gjergj Fishta një dite do të studjohët në shkollat franceze ?

Unë mendoj se nuk e kuptoni sa pak lexohet dhe studiohet letërsia e huaj në Francë në ditët e sotit. Dhe për pak lexuesit e interesuar, oferta është shumë e gjerë. Çdo vit, qindra autorë anglisht, dhjetëra rusë, japonez, gjermanë, spanjollë, brazilianë ose italianë përkthehen në Francë. Edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar prej s’largu më i famshëm këtu, është relativisht i panjohur. Qëllimi im me këtë përkthim të Gjergj Fishta është të prek pak francezët kuriozë që janë të interesuar për zhanrin e poezisë epike, apo ata që duan të njohin më mirë popujt e Ballkanit dhe kulturën e tyre. Nëse arrij ta interesoj këtë pjesë të publikut, nëse arrij të siguroj që në media të flasim pak për shqiptarët, atëherë qëllimi im është arritur !

Cilat janë projektët tuaja ?

Unë mbaj në zemrën time një projekt që është shumë i dashur për mua : editimi (zgjedhja, krahasimi dhe pajisja me shpjegime), përkthimi frengjisht dhe botimi i një antologjie të këngëve epike shqiptare (kryesisht ciklin e Mujit dhe Halilit, por jo vetëm atë). Ky është një projekt kolosal që nuk jam i sigurt se do ta kapërcej. Ambicia ime është të botoj një antologji me dy ose tre vëllime. Dua t’i ofroj lexuesit (në fakt, akademikut, studiuesit dhe publikut të informuar) një sintezë të eposit tonë popullor.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit

12 Nëntor, 2019

New York

Më 16 nëntor 1849 shkrimtari Fjodor Dostojevski u dënua me vdekje

VOAL – Anëtarët e Rrethit Petrashevsky u denoncuan te Liprandi, një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dostoevsky u akuzua për leximin e veprave të Belinskit, duke përfshirë veprën e ndaluar Letra për Gogolin dhe kopje në qarkullim të veprave të tjera të këtij autori. Antonelli, agjenti i qeverisë që e kishte raportuar këtë grup, shkroi në deklaratën e tij se të paktën një nga këto pjesë kritikonte politikën dhe fenë ruse. Dostojevski iu përgjigj këtyre akuzave duke deklaruar se ai kishte lexuar esetë “vetëm si monument letrar, as më shumë e as më pak”; ku flitet për “personalitet dhe egoizëm njerëzor” sesa për politikë. Megjithatë, ai dhe shokët e tij “komplotistë” u arrestuan më 23 Prill 1849 me kërkesën e Kontit A. Orlov dhe Carit Niolla I, të cilët i frikësoheshin një evolucioni si ai i Dekabristëve i vitit 1825. dhe si ai i vitit 1848 në Evropë. Anëtarët u mbajtën në Kalanë e Pjetrit dhe Palit, e cila strehonte të dënuarit më të rrezikshëm.

Rasti u ndoq për disa muaj rresht nga Cari, Princi Vasili Dolgorukov, Gjeneral Yakov Rostovtsev dhe Gjeneral Leonty Dubelt, kreu i policisë sekrete. Më 16 nëntor u  muar vendimi për dënim me vdekje. Ata u dërguan në Sheshin Semyonovit në Shën Petersburg më 23 Dhjetor 1849, ku u ndanë në grupe me nga tre veta. Dostoevsky ishte i treti në radhën e dytë; pranë tij qëndruan Pleshcheyev dhe Durov. Ekzekutimi u anullua kur arriti një letër nga Cari që ua falte jetën.

Dostojevski shërbeu katër vjet internim me punë raskapitëse në një kamp të burgut katorga në Omsk, Siberia, kjo u pasua nga një periudhë shërbimi të detyrueshëm ushtarak. Pas një udhëtimi me katërmbëdhjetë ditë me saj, të burgosurit arritën në Tobolsk, një stacion rrugor për të burgosurit. Pavarësisht rrethanave, Dostojevski ngushëlloi të burgosurit e tjerë, siç është Petrashevisti Ivan Yastrzhembsky, i cili u befasua nga dashamirësia e Dostojevskit dhe përfundimisht braktisi vendimin e tij për të bërë vetëvrasje. Në Tobolsk, anëtarët morën ushqim dhe rroba nga gratë Dekabristet, si dhe disa kopje të Testamentit të Ri me një kartëmonedhë dhjetë rubla brenda secilës kopje. Njëmbëdhjetë ditë më vonë, Dostoevsky arriti në Omsk së bashku me vetëm një anëtar tjetër të Rrethit Petrashevsky, poetin Sergei Durov. Dostoevsky përshkroi kazermat e tij:

    Në verë, ngujimi i patolerueshëm; në dimër, i ftohtë i pashërueshëm. Të gjitha dyshemetë ishin kalbur. Papastërtia në dysheme një gisht e trashë; dikush mund të rrëshqasë dhe të bjerë … Ne ishim të ngjeshur si harenga në një fuçi … Nuk kishte vend për t’u rrotulluar. Nga muzgu deri në agim ishte e pamundur të mos silleshim si derra … Pëlhura, morra dhe brumbuj të zi…

I klasifikuar si “një nga të dënuarit më të rrezikshëm”, Dostojevski kishte prangosur nga duart dhe këmbët deri në lirimin e tij. Atij i lejohej vetëm të lexonte Testamentin e Ri. Veç të tjerash, ai kishte hemorroide, humbi peshë “i djegur nga ethe, duke u dridhur dhe duke u ndjerë tepër të nxehtë ose shumë i ftohtë çdo natë”. Era e banjës private në dhomën e vogël e cila nuk mund të mjaftonte për më shumë se 200 njerëz. Dostojevski u dërgua herë pas here në spitalin ushtarak, ku lexonte gazeta dhe romane të Dickens./Elida Buçpapaj

Tri poezi nga ALEN BOSKE – Përktheu FASLLI HALITI

     ALEN BOSKE

   (Alain Bosquet)

     1919 – 1998

Anatole Bisk, i quajtur Alain Bosquet, lindi në Odesë (Ukrainë) më 28 mars 1919 dhe vdiq në Paris, më 8 mars 1998, është një shkrimtar francez me origjinë russe.

NJË FËMIJË MË THA

 

Një fëmijë më tha:

“Guri është bretkosë.”

Një tjetër fëmijë më tha:

“Qielli është mëndafsh i brishtë”.

Një fëmijë i tretë më tha:

“Oqeani, kur ka frikë, qan”.

Unë s’i them asgjë, unë buzëqesh.

Ëndrra e fëmijës, është një ligj.

Dhe pastaj unë e di se guri,

Me të vërtetë është një bretkosë,

por në vend që ai të shkojë për të fjetur

më shikon mua.

 

PEMA

 

Ti je më e shkathët se zebra.

Ti kërcen më mirë se ekuatori.

Nën lëvozhgën tënde të vertebrave

bën një koncert zogu përqeshës.

Unë do të lajmëroj gjithë poetët:

s’duhet të prekni frutat;

ky është vendi ku flinin kometat,

dhe vendi ku rindërtohet oqeani.

Ti je e lehtë si një tropik.

Ti je e mençur si një peshk.

Në çdo fletë një replikë

është rezervë për këngën time.

Sapo dikush të drejton fjalën,

rreth teje ngrihet një mur.

Ti  godet degët, ti fluturon larg:

je ti ai që do të ndëshkosh kaltërsinë.

 

MUAJT E VITIT

 

Janari për t’i thënë vitit «tungjatjeta»

Shkurti për t’i thenë dëborës «duhet të shkrish»

Marsi për t’i thënë zogut shtegtar «mirardhsh»

Prilli për t’i thënë lules « çil »

Maji për t’i thënë «punëtorëve, miqtë tanë»

Qershori për t’i thënë detit «çona shumë larg»

Korriku për t’i thënë diellit «ky është sezoni yt»

Gushti për të thënë : «njeriu është i lumtur të jetë njeri»

Shtatori për t’i thënë grurit për të thënë «kthehu – në ar»

Tetori për të thënë «shokë, liria»

Nëntori për të thënë pemëve «zhvishuni»

Dhjetori për t’i thënë vitit «lamtumirë, paç fat»

Dhe dymbëdhjetë muaj plus një

Djali im

Për të të thënë se unë të dua.

 

Përktheu: Faslli Haliti

Tri poezi nga ADONIS – Përktheu FASLLI HALITI

ADONIS OSE ADUNIS

(Alī Ahmad Sa’īd Isbir)

 

 

Adonis ose Adunis pseudonimi i Alī Ahmad Sa’īd Isbir transliteruar në alî Ahmadi Sa’îdi Asbar ose Ali Ahmad Sa’id; ( Kasabīn, 1 janar 1930 ) është një poet dhe eseist libanez me origjinë siriane. Kandidat për çmimin Nobel 2012 – S

 

YJET

 

Eci dhe prapa meje ecin yjet

drejt së nesërmes së yjeve

enigma, vdekja, ajo që lulëzon dhe mundimi

ezauron, hapat bëjnë gjak me gjakun tim

janë shteg i panisur ende

nuk ka asnjë fushë për të parë –

rrugë drejt vetes sime

ajo që do të vijë tek unë

eci dhe prapa meje ecin yjet.

 

ËNDRRA

 

Ëndërroj brenda dorës sime një urë thëngjill

mbi krahë ajri arriti zogun

në pikën aventureske

nuhas flakën – Kartagjenën e kohrave

po dalloj gruan në flakë

thuhet se u bë anije kënga e saj;

shoh aty një grua – viktimë e fatit.

Ëndërroj se i gjithë gjoksi është një thëngjill

temjani i saj  më miklon dhe më shoqëron drejt Ba’albekut

Ba’albeku  u ther,

thuhet se atje një zog humbi kokën e tij

u tha, në emër të mëngjesit të tij në emër të një fati të ri, ndez zjarrin

e meshës së tij dielli dhe horizonti.

 

Himnizoj këtë djersë të shquar

 

Festoj, festoj këtë djersë

që rrjedh nga trupat tanë tani këtu në shtrat duke rivalizuar

pluhurin e muzgut

atë që u thërmua nga trupi i diellit (ky muzg

është një tjetër agim) është

një festë ose një zot

që konsumon organet e tua

në venat e të dashurve më të shkëlqyer

dhe krenar ?

Një zë në venat e të dashuruarëve

perëndim i zjarrtë që pulson në një tjetër

ngrihet nga dëshpërimi i tyre dhe nga dhimbjet  dhe u pëshpërit gjymtyrëve tona:

ndryshku  i jetës dhe i botës  zhduket me këtë djersë.

 

Unë lutem që të shuhesh në eshtrat e tua

jam lutur që të mos shohës ditën e të mos zgjohesh –

natën tënde nuk e kemi njohur në errësirën tënde nuk lundrojmë

jam lutur o Phoenix

që të pushojë magjia

që në zjarr e në hi u bëftë takimi ynë

jam lutur  të çojnë në çmenduri

 

Tri poezi nga ADAM ZAGAJEVSKI – Përktheu FASLLI HALITI

 

   ( Adam Zagajewski)

 

 

 

Adam Zagajewski (Leopoli,21 giugno 1945) është një poet, shrimtar  dhe  eseist polak.

 

DREJT QYTETIT

 

“Përkulur  nga një peshë

që jo gjithmonë shihet

nëpër baltë ose në rërën e shkretëtirës,

ecin përkulur të uriturit,

 

njerëz me pak fjalë  me kaftanë të rëndë,

të përshtatshëm për të gjitha stinët,

gra të moshuara me fytyra të zhubravitura

që mbajnë diçka, një fëmijë, një llambë

-një kujtim – apo kafshatën e fundit të bukës.

 

Mund të jetë Bosnja sot,

Polonia në shtatorin ’39, Franca

tetë muaj më vonë, Thuringia në ’45,

Somalia, Afganistani apo Egjipti.

Ka gjithmonë një karro, ose të së paku një karrocë,

mbushur me thesare (thesi me pupla, kupa argjendi

dhe aroma e shtëpisë që zhduket shpejt)

një auto pa benzinë e ​​braktisur

në kanal,

një kalë (që do të tradhtohet), bora, shumë borë,

tepër borë, shumë diell, shumë shi,

dhe ajo e përkulura karakteristike,

si drejt një planeti tjetër, më të mirë,

me gjeneralë më pak ambiciozë,

më pak topa, më pak borë, më pak erë,

më pak Histori (fatkeqësisht një planet i tillë

nuk ekziston, ekziston vetëm përkulja).

 

 

Duke zvarritur këmbët,

Ecin  ngadalë, shumë ngadalë,

drejt vendit kurrkund,

drejt qytetit askund,

kurrë mbi lumë. ”

 

LARG

 

“Qetësohen zërat e zogjve.

Hëna pozon për të dalë në foto,

shndrisin  faqet e rrugëve të lagshta

Era sjell ermimin e fushave të gjelbra.

Larg, në lartësi, një aeroplan i vogël

luan si një delfin. ”

 

NGA DRITARJA IME SHOH POLONINË

 

Nga vjen?”, më pyeti.

“Nga Polonia,” pohova unë.

“Oh, lum ti, lum ti,” thirri ai në kthetrat e gjenuine të entuziazmit  mesdhetar. “Zija! Rrobat e zeza.

Bizhuteri të përzishme. Vargje mallëngjyese

mbi vdekjen e një ushtari.

Kam dëgjuar të flitet, kam dëgjuar të flitet për të.

Mjegull, kallamishte dhe kalorësia. Kryqe në fusha.

Njëmijë trima. Bori, sinjale, heshtje. Bukur.

Ti je njeri me fat … “

RRUGËT E PËRLOTURA – Poezi nga TAHIR BEZHANI

 

( Din Mehmetit, në nëntëvjetorin e ndarjes nga jeta)

 

Fluska mendimesh të përmallta

Të shikonin rrugëve, këndeve të qytetit

Bebzave preftonin të lagura kujtimet

E, ti Baclok,

Bisedoje me shpirtin mbetur vargjeve

Buzët të lëviznin e zë nuk dëgjohej

Yll i mbushur lot me zemër të plasur

Më humbje turbullirës së shikimit

Etjeve të rreshkura në vargun tënd

Pastaj të pava në “Skorpion”, ulur

Në këndin ku uleshe përherë

Kafenë e pije mendueshëm

Shpirti m’u dalldis gëzimeve të djegura

Ofrohem pranë teje përkulur

Plot zjarr malli si dikur

Hija jote iki gjithësisë,

Ushtimë dëgjova…

 

 

Kafeja mbeti e përgjysmuar

Mbeta i zhgënjyer me dhimbjen flakë

Zemra çarmatosi sytë e mallit.

 

Në “Letrën e Binak Bregut Evropës”

Mbështillet kujtesa nëpër shekuj

Sytë lotojnë në vargjet e tua

Zjarrishtë e kohëve përvluese…

Gjakovë,

11.11.2019

Librat poetikë “Ujshëm” nga Elida Buçpapaj dhe “Imgur” nga Skënder Buçpapaj prej sot në Panairin e Librit Tiranë

VOAL – Prej sot në Panairin e Librit në Tiranë do t’i gjeni edhe librat tanë të rinj poetikë “Ujshëm” nga Elida Buçpapaj dhe “Imgur” nga Skënder Buçpapaj.

I ftojmë miqtë tanë, lexuesit dhe të gjithë të interesuarit se librat tanë do t’i gjejnë në stendën e Shtëpisë Botuese “Onufri”.

Panairi i Librit Tirana 2019, i 22-ti me radhë u hap sot, e mërkurë, më 13 nëntor 2019 dhe mbyllet të dielën, më 17 nëntor 2019.

 

në qytetin pa ëngjëj – poezi nga elida buçpapaj

fëmijëria ime
kolibēr
i friksuar

vajza
me flokë Ofelie
e dënuar
se ka vjedhur
arin e rrezeve
të diellit
në kolkozin
xhungël
ku askujt
nuk i jepet
dora të ngrihet
dhe askushi
nuk do askushin

sapo kapërcente
pragun e përqafimit
të nënës
vajzën
me flokë Ofelie
e priste
mjegullnaja e frikës
që e përcillte
si hije
në qytetin
pa ëngjëj

shoqet e vajzës
kishin sy
shumë të bukur
prej qielli
akullnajash
që i ngrinin
sa i shihnin
krahët e kolibrit

në botë
nuk ka fëmijë fajtorë
të vdesin urije
në kampin e Tepelenës
as vajza që dridhen
në burgun
e frikës
që ua këpusin perin
e balonave
sapo nisin
fluturimin
e nuk i lejojnë
të thurin me flokët
gersheta
ëndërrash

në qytetin tim
pa ëngjëj

gjethet
e vjeshtës
ktheheshin
në varka të verdha
shpëtimi

ndërsa bari
avokati im
më ka marrë
në mbrojtje
me skeptrin
e blertë
si dirigjent i
shiut dhe universit

shiu më ka marrë
në mbrojtje
shiu me këmbka
të zbathura
ishte avokati im
kur isha vetëm
më ka dhënë dorën
e tij të padukëshme

në qytetin tim
pa ëngjëj

Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

Marie Poradeci, e bija e poetit Lasgush Poradeci, ka postuar në profilin e saj një letër që i ati i ka nisur vajzës tjetër. Ajo e poston në përvjetorin e vdekjes së poetit me këtë shënim: “Babai im i dashur. Ti e nise fluturimin për në parajse me 12 nëntor 1987, mbasi e kishe kryer destinin tënd, e nise nga shtëpia jote dhe në krahët e vajzave të tua. Ashtu siç kish urdhëruar i madhi Zot që të ka në krahët e tij”



LETRA
Merr. Kostandina Lasgush Poradeci
Lagja e Mburimave, rruga Çeta e Mokrës nr 56

Pogradec.
Tiranë e Mërkurë 17 tetor 1979,
Kostandinë bijë e dashur edhe trimëreshë e babajt, dola të Hënën më 15 Tetor prej spitalit, Pavjoni XIV ku më suall pas operacionit të kataraktit të syrit t’im të djathtë prej Doktor Ylli Shtyllës. Nata e parë pas operacionit ishte e tmerëshme për mua 24 orë pa gjumë sepse me dhembje të mëdha të syrit, ndjenja pështirosje për të vjellë nga 4 injekcionet rreth syrit dhe medikamentet në sy, e të tjerat, e të tjerat. Si nuk vdiqa natën e parë përveç netëve të tjera, 10 net me rradhë të tjera, që më s’thosha në vehten time do vdes, jo nga frika e vdekjes, meqë gjithë gjëja e gjallë ka frikë prej vdekjes, po nga torturat në trup. Nuk thesha më nga torturat do vdes, po edhe në natën e parë kur nga torturimi thesha me vete do vdes, nuk më vinte frikë të vdes, siç ka gjithë njerëzimi frikë, s’e ndjenja frikën si gjithë njerëzimi atë natë – sepse, bijë e babait, atë natë të kisha ty pranë, vdisja në duart e tua. Kur vdes njeriu edhe kafsha kur vdes, do që të ketë një qënie pranë, ose një njeri të dashur pranë, ose një njeri pranë, edhe kur s’ka as të dashur njeri pranë, as një njeri sidokodo pranë, prek me dorë, me dorën që vdes, atë qënien, atë sendin që ka pranë, atë gurin, atë bluashkën edhe atë fijen bar që ka pranë, kaq keq isha, Kostandinë e babajt, atë natë kur si e dërguar nga engjëlli ti më ardhe bijkë e babait papritur pa kujtuar prej aq larg, prej Poradeci, më ardhe pa të thënë njeri, me inisiativën tënde të guximshme, aq vendimtare aq guximtare. Dhe si më rrinje ti ashtu pranë e lodhur e kapitur ditë e natë, unë të falem nderit tashi babkë dhe t’i puth ëmbël, ëmbël fort syçkat e bukura edhe të mënçme. Kaq po të shkruaj, dua të vi në Poradec çdo ditë, po s’ka kush më gjen maqinë se unë vetë jam pa fuqira prej spitalit.
Të kisha lekë, mirja një takximetër angazhé, isha për tre orë aty, po ku të gjesh lekët. Të përqafon dhe të puth me shumë mall babaj tënd.
Lasgush

KRAHËGJATAT E FUSHËS – Cikël poetik nga FASLLI HALITI

KRAHËGJATAT E FUSHËS 

 

 

Krahëgjatat e fëmijërisë sime fushore

Krahëgjata të fushës sime stepore

Ju kam gjuajtur

Me llastiqe

Ju

kam vrarë

Ju kam vjedhur

Vezët natën nëpër folera

Të thurura kaçubeve me fije bari

Ju kam ndjekur

Me vrap, rrufe,

Fushave

Arave

Grunjave

Vija natën t’ju kapja në fole.

 

Doja t’ju shkurtoja krahët e gjatë

T’ju bëja krahëshkurtëra

Si  shkurtëza

Por

As në tokë

As nëpër qiell

As nëpër folera natën s’ju kapa

 

Dhe s’kish sesi gjersa ju ishit krahëgjata.

 

Dhjetor,  2013

 

 

PLAS MOJ ZEMËR

 

Nëse rrëzohem një ditë,

Nga toka,

Mbi tokë,

Dhe jo nga lartësitë,

Sepse s’jam i lartësive

Dhe, s’do jem në përjetësi.

Gjemani kutinë e kuqe të zemrës,

Siç gjendet kutia e zezë e avionit të rrëzuar

Dhe hapeni,

Shikoni gjithçka timen

Të regjistruar brenda saj.

Shikoni të bardhat dhe të zezat e mia,

Veset dhe virtytet,

Të mirat

Dhe të këqijat

Verifikoni në të.

Do gjeni

Vallë

Të regjistruar aty

Më shumë urrejtje

Apo më shumë dashuri?,

 

Do gjeni të regjistruar

Më shumë

Burrëri ,

Besë,

Apo besnikëri,

 

Më shumë sinqeritet, apo dyfytyrësi…?!

 

2012

KUR M’U PRE FJALA

Kur m’u pre Fjala,
M’u përgjak
Gjuha.
Gjuha u vesh me të zeza.
Veshi fustanin e zi të heshtjes.
M’u përlotën organet e mendimit,

Në pellgje të zinj gjaku nis koha e pluskimit…

 

29 tetor 2014

 

 

 

 

NUK MË SHEH ME SYRIN E MIKUT 

 

 

«Nuk më sheh me syrin e mikut», o mik,

Gjersa më vë re

Të metat»

Çdo sekondë,

Çdo minutë, çdo ditë.

 

Me syrin e mikut

Të kam parë e të shoh edhe sot,

Sepse

Që të dy ne

Kemi mëkate, të meta plot…

 

Të mirat, virtytet, vlerat e tua,

Si laureshat unë

I lë të lira

Të fluturojnë qiejve,

Qiejve si lauresha ato unë i nis,

Kurse të metat e tua i mbyll si «brilante»

Në kasafortën time me kyç të florinjtë të miqësisë.

Korrik, 2014

 

TE NE

 

Te ne,

Të ikën,

Të fluturon mendja.

Të pushon zemra…

 

Dhe jo vetëm të pushon zemra,

Jo vetëm të ikën,

Të fluturon,

Mendja,

Por të ikën

Të fluturon koka

Nderi

Jeta …

Mbi të gjitha

Te ne të ikën, të fluturon e drejta !

 

9 tetor 2014

 

 

 

SHPËRBLIMI

 

 

 

Mbolla

Qershinë.

Pas dy, tre, katër,

Pesë, gjashtë ditësh,

Ti i kërkon korra të kuqe qershisë.

Nga mospjekja, skuqja qershia ul kokën,

Qoftë prej meje qoftë prej vetë pemëtarisë

 

Kalon janari shkurti marsi, prilli i blerimit të blertë,

Në maj qershia më dërgon një ftesë të kuqe sferike

Një ftesë me ëmbëlsi të kuqërremtë

 

Pasi çel gjethi i ri

Plas, dhe bulon sythi,

Pasi prilli vjen plot blerim,

Pasi qershia shkumëzon në lulnajë,

Pasi bletë paravjelëse, vjelin mjaltë në fluturim,

Nis edhe unë vjeljen e sferave të kuqe përplot kolor ,

Shijoj si bletët ëmbëlsinë e kuqe sferike të qershisë.

 

Shpërblehem prej bonsensit,jo prej Zotit,Perëndisë.

 

 

Shkurt 2014

 

 

 

 

  AH SIKUR

                                    

 

O

O o

O o o

O o o o

O o o o o

O o o o o o

O o o o o o o o

O o o o o o o o o

O o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o

O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o 1…

Një Keops piramidë zerosh

Pambarim.

Ah!

Sikur

Të ish njëshi para zerove, në fillim

Ah sikur para zerove

Njëshi të ish!

 

Por njëshi në bisht të zerove është mjerisht…!

 

Shkurt 2014