VOAL

Please Wait ...
0%

Papa mban fjalim kundër armatimit bërthamor

By | November 10, 2017

Komentet

Megaskandal apo supermashtrim për qumështin me aflatoksinë, Panariti bën thirrje për hetim

Ose nje megaskandal, ose nje supermashtrim!! Mbetet per tu pare.?! .. Para disa ditesh ne nje studim te AFI, gjysma e mostrave te qumeshtit vendas te analizuara dolen me aflatoksine.

Aflatoksina eshte substance kancerogjene e fuqise shume te larte, e pa zberthyeshme dhe rezistente ndaj perpunimit termik. Prania e saj ne qumesht dhe nenprodukte eshte rrezik shume i madh per shendetin e konsumatorit.

MB dhe AKU duhet te bejne urgjent publike fermat apo subjektet prodhuese te ushqimeve te ndotura , te bllokojne prodhimin dhe te terheqin urgjent nga tregu produktet e perlyera. Sa me pare dhe menjehere!!! Nderkohe AFI te beje publike rezultatet e analizave, metodat e analizes dhe laboratoret e references qe i kane kryer ato.

Nese kjo nuk ndodh atehere prokuroria te nis hetimin e menjëhershëm dhe te percaktoje përgjegjësite ose eventualisht mashtrimin sic ka ndodhur me pare ne dem te prodhuesve vendas, per te favorizuar importet.

BE miraton marrëveshje të re për forcat e armatosura

Presidenti francez, Emmanuel Macron duke përshëndetur forcat ushtarake të vendeve të Bashkimit Evropian

Liderët e Bashkimit Evropian kanë krijuar një marrëveshje për mbrojtje dhe integrim, ashtu që 25 anëtarët bashkërisht të financojnë, zhvillojnë dhe pozicionojnë trupat e armatosur të këtyre vendeve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka përshkruar këtë hap si “të keq për armiqtë tanë”.

Pakti për Bashkëpunim të Përhershëm Strukturor (PESCO), do të përfshijë ushtrinë e të gjitha vendeve anëtare përveç Britanisë, e cila është duke u larguar nga BE-ja.

Në këtë marrëveshje nuk janë përfshirë as Danimarka dhe Malta.

Integrimi i aftësive ushtarake ka qenë qëllim i shumë vendeve anëtare të BE-së për një kohë të gjatë, ndonëse Britania ka vënë rezistencë duke shfaqur frikën se kjo mund ta dobësojë NATO-n.

Britania e Madhe nuk do të jetë e përfshirë direkt në këtë projekt, mirëpo do të ketë mundësi t’i bashkohet këtyre vendeve në misione specifike.

PECSO është projektuar me qëllim të bashkimit të forcave të vendeve anëtare dhe financimit më efikas në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e armëve të reja, kanë thënë zyrtarët.

Në disa propozime në kuadër të PESCO përfshihet edhe mundësia që Belgjika të zhvillojë dronë për identifikimin e minave në det.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e Perëndimit e mbështet “iniciativën për të rritur mbrojtjen evropiane, sepse unë besoj se kjo do të jetë e mirë për Bashkimin Evropian, Evropën dhe NATO-n”.

Shqipëri – 10 gra të vrara këtë vit nga dhuna në familje, apeli i fortë për Qeverinë

Parlamenti përmes një rezolute i kërkon qeverisë masa urgjente për reduktimin e dhunës në familje. Ndërkohë ambasadorja e BE-së Vlahutin thekson, se gratë një kapacitet i jashtëzakonshëm që në Shqipëri nuk përdoret.

Ky vit në Shqipëri po mbyllet me 10 gra të vrara si pasojë e dhunës në familje. Edhe pse kjo shifër është rreth 7 përqind më e ulët se vitin e kaluar ajo mbetet shqetësuese në raport me popullsinë e vendit prej 2.9 milion banorësh, ku gjysma e saj janë gra. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, ҫdo ditë në Shqipëri arrestohen dy meshkuj për shkak se kanë ushtruar dhunë fizike në familje dhe një në ҫdo tri gra përjeton dhunë në familje gjatë jetës së saj bashkëshortore. Në 90 përqind të vrasjeve nga krimi në familje autorët janë meshkujt. Përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha pasi pjesa më e madhe e rasteve mbetet pa u denoncuar, ngaqë viktimat e shohin dhunën si një ҫështje private dhe jo ҫështje të drejtash ku hyn shteti, shoqëria, komuniteti. Jo të gjitha viktimat ose viktimat potenciale të dhunës në familje  në Shqipëri e kanë informacionin / vetëdijen se e drejta e jetës është një e drejtë bazë e njeriut, e sanksinuar në Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian.  Në procesin jo të lehtë të afrimit të Shqipërisë me BE-në, respektimi i kësaj të drejte përbën një tregues për vëmendjen e institucioneve  dhe shoqërisë ndaj fenomenit dhe vlerave mbi të cilat është ngritur BE.

Ambasadorja e Delegacionit të BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, në një takim me aktivistë të shoqërisë civile për të drejtat e gruas në Shqipëri duke iu referuar situatës aktuale theksoi se “gratë përbëjnë një nga vlerat, asetet më të mira që ka Shqipëria. Ato janë një kapacitet jashtëzakonisht i madh për Shqipërinë, i cili nuk po përdoret. Përgjegjësia bie mbi shtetin. Shteti duhet të sigurojë zgjidhje sistematike për probleme sistematike.”

Rezoluta e Parlamentit: Ndryshime ligjore, rritje e faktshmërisë së mekanizmave ligjorë

Një rezolutë e Parlamentit, ku ndër 140 anëtarë të tij, 40 janë gra deputete, i kërkon shtetit të marrë përgjegjësitë e tij për të ndryshuar situatën. Kërkesat kanë një rreze të gjerë. Ato fillojnë që nga propozimet që shteti duhet të bëjë për ndryshime ligjore deri tek ngritja e infrastrukturës së munguar institucionale dhe fuqizimin e asaj egzistuese, si bazë për zbatimin efikas të kuadrit egzistues ligjor për rastet e dhunës në familje. Rezoluta i kërkon qeverisë të rishikojë masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje dhe të ndryshojë situatën, ku viktima edhe pas marrjes nga gjykatat të urdhërit të mbrojtjes lihet të bashkëjetojë në të njëjtën banesë me dhunuesin pasi mungojnë strehëzat, qëndrat sociale apo fondet që pushteti lokal t’u ofrojë apartamente me qira viktimave të dhunës dhe shmangur bashkëjetesën me dhunuesin pas denoncimit të tij. Qëndrimi në të njëjtën banesë i viktimës me dhunuesin ka rezultuar jo rrallë herë në vrasjen e gruas. Vëmendje të posaҫme rezoluta i kushton rolit të qeverisë për fuqizimin ekonomik të grave nëpërmjet skemave të mbështetjes me grante nga shteti të viktimave të dhunës për riintegrimin e tyre në shoqëri.

Milva Ekonomi: Edukimi qytetar dhe ndryshimi kulturor bazë për një shoqëri pa dhunë

Deputetja Milva Ekonomi, aktiviste e mirënjohur e shoqërisë civile për të drejtat e gruas, thotë për DW se në përmirësimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të situatës luan rol edukimi qytetar dhe ndryshimi i mendësisë patriarkale ku burri e sheh gruan si pronën e vet, mendësi që gjeneron marrdhënie të dhunshme ndaj saj. “Sistemi arsimor duhet t’i kushtojë rëndësi të dorës së parë edukimit qytetar dhe paqësor të djemve dhe vajzave; që modeli i sjelljes së tyre gjinore t’i kundërvihet modelit patriarkal që ata mund të kenë në familjet apo komunitetet e tyre. Që nga arsimi parashkollor deri në arsimin e lartë duhet nxitur ndryshimi kulturor, edukimi qytetar me parimet e barazisë gjinore, respektin reciprok dhe kundërshtimin e stereotipeve për rolin e djemve dhe vajzave në shoqëri.”

Rezoluta i kërkon qeverisë që brenda muajit janar 2018 qeveria të paraqesë propozime konkrete për ndryshime ligjore, ashpërsim të parashikimeve ligjore për amnisti apo kushte lehtësuese të rasteve të dënimit për krimin në familje dhe angazhimin e strukturave të shtetit për të ndryshuar mendësinë dhe kulturën e shoqërisë ndaj stereotipeve të dëmshme gjinore për rolin dhe vendin e gruas në familje, komunitet, shoqëri.

DW

Liceu kombëtar i Korçës përkujtohet në 100-vjetorin e tij

Ata që u diplomuan në liceun francez të Korçës, e më tej se kaq, do të krijonin një oaz të intelektualizmit shqiptar dhe të vetë kulturës franceze në Shqipërinë e viteve ’30”. I këtij mendimi është drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, i cili referoi një kumtesë në përkujtim të 100-vjetorit të themelimit të liceut francez. Sipas tij, arsimi e gjuha ishin një nga shtyllat themeltare të ndërgjegjes kombëtare e në këtë drejtim, padyshim që Liceu Kombëtar i Korçës, që përndryshe njihej dhe si “liceu francez” dha një kontribut të çmuar. Në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar u organizua veprimtaria “Një pasdite në muze” me temë: “Liceu Kombëtar i Korçës dhe roli i tij në shoqërinë e kohës – 100-vjetori i hapjes së Liceut Kombëtar të Korçës”. Kjo veprimtari u shoqërua edhe nga kumtesa të tjera, ajo e prof. as. dr. Ermal Baze, pedagog në fakultetin e Histori-Filologjisë dhe e Spiro Nikës, specialist pranë Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar. Prof. as. dr. Ermal Baze në kumtesën e tij u përqendrua më shumë në situatën politike të viteve të Luftës së Parë Botërore, kohë kur Shqipëria ishte me probleme të mëdha, por kohë gjithashtu kur u gjet mundësia që të niste dhe funksiononte edhe një shkollë e mesme e përgjithshme. U quajt “liceu francez”, pikërisht sepse treva e Korçës e më gjerë ndodheshin nën ndikimin e ushtrisë franceze të dislokuar gjatë atyre viteve edhe në territorin e jugut të Shqipërisë. Ekspozeja e përgjithshme e situatës politike dhe kulturore në vitet e Luftës së Parë Botërore deri në vitin 1939 kur Liceu Kombëtar i Korçës përfundoi së ekzistuari, u bë nëpërmjet tri kumtesave, ajo e dr. Dorian Koçit, prof. as. dr. Ermal Bazes dhe specialistit Spiro Nika. Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këto takime periodike, me qëllim sensibilizimin e shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.

AI: Ende nuk ka drejtësi për viktimat e përdhunimeve në Kosovë

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, thotë se afro dy dekada pasi mijëra gra dhe vajza në Kosovë u përdhunuan në mënyrë sistematike gjatë konfliktit të armatosur 1998-99, të mbijetuarat janë gati të marrin njohjen dhe kompensimin e shumëpritur për përdhunimin dhe torturën që kanë përjetuar. Megjithatë, vetëm një grusht autorësh janë dënuar për këto krime, dhe të mbijetuarat ende po luftojnë për drejtësi.

Në një raport të kësaj organizate që publikohet të mërkurën me titullin “Plagët që djegin shpirtrat tanë: Kompensimi për të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës, por ende pa drejtësi”, shpalosen pasojat shkatërruese fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale të pësuar nga të mbijetuarat, të cilat deri më tani janë margjinalizuar nga shoqëria dhe nuk kanë marrë mbështetje nga qeveria.

“Të mbijetuarat e dhunës së tmerrshme seksuale janë zhgënjyer prej vitesh nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e njëpasnjëshme. Autorët kanë ikur nga ndjekja penale ndërsa të mbijetuarat janë margjinalizuar, harruar dhe u është mohuar qasja në drejtësi. Kjo po fillon të ndryshojë, por ka ende një rrugë të gjatë përpara”, citohet të ketë thënë zëvendës drejtoresha e Amnesty International për Evropën, Gauri van Gulik.

Përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ishin të përhapura gjatë luftës në Kosovë, pasi policia serbe, paraushtarakët dhe ushtria jugosllave zhvilluan një fushatë përndjekjeje dhe dhune kundër shqiptarëve të Kosovës. Gratë dhe vajzat shqiptare iu nënshtruan përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës seksuale që përbëjnë torturë. Pas armëpushimit, thekson Amnesty Inernational, gra dhe vajza nga komunitetet serbe dhe rome u përdhunuan, në sulme hakmarrëse nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Katër nga udhëheqësit ushtarakë dhe politikë serbë të ish-Jugosllavisë u dënuan për dhunë seksuale si një krim kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare për krime Lufte në ish Jugosllavi. Vetëm një autor nga Kosova, është dënuar në një gjykatë serbe dhe asnjë në Kosovë, ku pas luftës Kombet e Bashkuara dhe nga dhjetori 2008 edhe policia dhe prokurorët e Bashkimit Evropian, ishin përgjegjës për hetimin e këtyre krimeve. Sidoqoftë, hetuesit ndërkombëtarë shpesh kanë dështuar të ndjekin të dyshuarit ose të mbledhin dëshmi me zell.

Amnesty Internatioanl thotë se kjo lë një sfidë masive për prokurorët e krimeve të luftës në Kosovë, që tani po marrin përsipër përgjegjësitë nga organet ndërkombëtare. Në mungesë të fondeve, burimeve dhe mbështetjes politike, ata do të luftojnë me një ngarkesë të rasteve prej rreth 1 mijë krimeve të pazgjidhura të luftës, duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale.

Organizata thekson se shumë të mbijetuara i njihnin ata që kryen krimet me emër. Një e mbijetuar u ka ofruar hetuesve të Kombeve të Bashkuara edhe një letërnjoftim i cili i kishte rënë nga xhepi i një ushtari, ndërkohë që po e përdhunonte, por ky rast kurrë nuk ka arritur në gjykata.

“Nuk kemi shpresë në drejtësi”, tha një grua për Amnesty International. “Unë isha 30 vjeç kur ndodhi, dhe tani jam gati 50 vjeç. Ndoshta do të jem e vdekur në kohën kur ta zgjidhin rastin”.

Pa asnjë mundësi reale për drejtësi për shumicën, dëmshpërblimet janë gjithnjë e më të rëndësishme. Siç i tha një grua Amnesty International: “përdhunimi është një plagë që do të djegë shpirtin tuaj ditë pas dite. Do t’ju bëjë të turpëroheni para familjes suaj, në komunitetin tuaj. Ju do ta mbani atë me vete gjithë jetën”.

Një tjetër e mbijetuar i tha Amnesty International se “për 18 vjet ne kemi jetuar me plagë të fshehura që nuk mund të shërohen, por një pension do të na ndihmojë të mbijetojmë. Do të na ndihmojë me mjekimin dhe rritjen e fëmijëve dhe së paku do të na ndihmojë të kalojmë jetën me pak respekt “.

Pas ndryshimeve ligjore në vitin 2014, një proces tashmë është vënë në funksion për të mbijetuarat që të aplikojnë për mbështetje. Prej janarit 2018 ato do të kenë të drejtën të marrin një pagë mujore prej 230 eurosh si kompensim për pasojat fizike, psikologjike, ekonomike dhe shoqërore të dhunës seksuale gjatë konfliktit në jetën e tyre.

“Kompensimi që do t’u ofrohet së shpejti të mbijetuarave të dhunës seksuale është financiarisht dhe simbolikisht i rëndësishëm, por për shumë, do të jetë shumë pak dhe tepër vonë”, tha Gauri van Gulik.

“Ata që janë përgjegjës për krimet kundër tyre duhet të sillen para drejtësisë dhe autoritetet duhet të ofrojnë kujdes adekuat shëndetësor dhe psiko-social që të mbijetuarave u duhet aq shumë për të kapërcyer traumën dhe për të rindërtuar jetën e tyre”, tha ajo.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, raportuesja e Amnesty International, Sian Jones, tërhoqi vëmendjen tek “çlirimi i viktimave nga stigma nën të cilën jetojnë ato”, duke u bërë thirrje autoriteteve që të punojnë për të siguruar një mjedis ku viktimat nuk do të druhen të kërkojnë të drejtat e tyre.

Ziadin Sela: Ngjarjen e Kumanovës e organizuan VMRO-DPMNE dhe BDI

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Sela në një intervistë për Zërin e Amerikës flet për çështjet aktuale me të cilat përballet Maqedonia, qeveria dhe partitë politike në vend. Ai i bëri komentet në studiot e Zërit të Amerikës.

Zoti Sela e përshëndeti deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev për një hetim ndërkombëtar të ngjarjes së Kumanovës. Ai tha se edhe partia e tij ka kërkuar një hetim ndërkombëtar, por se para kësaj duhet të tregohet gatishmëria kur avokatët mbrojtës kërkojnë që figura të ndryshme politike të dalin si dëshmitarë. Sipas zotit Sela, incidenti u gjykua me shumë tendencë:

“Dihet se kush mund të jenë organizatorët: janë ish-regjimi i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së; tash mbeten të gjenden aktorët brenda atij regjimi”, tha ai.

“Është e vështirë – tha zoti Sela, – që në këtë fazë të kemi një gjyqësor të depolitizuar dhe kjo varet shumë edhe nga aktorët politikë. Ngelet shqetësuese që reformat në drejtësi dhe vendosja para drejtësisë të njerëzve të inkriminuar e të korruptuar të shikohet në bazë të linjës etnike. Për shqiptarët e Maqedonisë është shqetësuese që ka përgjegjësi vetëm për politikanë maqedonas ndërsa politikanë dhe funksionarë aktualë nga blloku politik shqiptar po mbrohen nga qeveria aktuale”.

I pyetur mbi çështjen e projekt-ligjit për gjuhën shqipe, kryetari i Aleancës për Shqiptarët u shpreh pozitivisht për procesin që lidhet me përdorimin e saj. Ai tha se ligji, në mënyrë maksimale shfrytëzon të drejtën kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe.

Zoti Sela tha se gjuha shqipe do të jetë në të gjitha institucionet qoftë të pushtetit qendror apo atij lokal dhe se e drejta e përdorimit të saj do të realizohet në mënyrë të kënaqshme.

Por, për zotin Sela mbetet shqetësues përcaktimi i gjuhës shqipe në kushtetutë që sipas tij, është qesharak dhe ofendues, si në referencën: “gjuha të cilën e flasin më shumë se njëzet përqind e popullatës dhe e ndryshme nga gjuha maqedonase”. Ai tha se shpreson që në një fazë tjetër kjo të rregullohet me kushtetutë.

Në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët tha se referenca “Sllavomaqedonia” nuk mund të jetë e pranueshme për shqiptarët. Ai tha se qeveria e re e Maqedonisë i ka nisur mbarë marrëdhëniet me fiqnjët, duke theksuar vizitën e parë të një kryeministri maqedonas në Kosovë:

“Raportet e mira fqinjësore do të japin kontribut të jashtëzakonshm që të zgjidhen kontestet që i ka Maqedonia, qoftë sa i përket emrit, identitetit apo problemeve gjuhësore që i ka me Bullgarinë dhe shtetet përreth”.

I pyetur mbi kohezionin e partive shqiptare pas zgjedhjeve, sidomos mbi raportet e Aleancës për Shqiptarët me BDI-në, zoti Sela tha se ato janë të rrënuara pas zgjedhjeve lokale, ndërsa shpreson se tryeza e partive politike parlamentare shqiptare do të funksionojë, sepse është një mekanizëm, sipas tij shumë i rëndësishëm për arritjen e barazisë së shqiptarëve në Maqedoni.

Ai thotë se deklarata e përbashkët e partive shqiptare ka ngelur në plan të dytë, gjë që ai e shikon me shqetësim, ndërsa thekson nevojën e angazhimit dhe realizimit të zotimeve që dalin nga deklarata.

Në lidhje me postin e ministrit të Shëndetësisë që e ka ushtruar një anëtar i ASH-së e që për disa javë ka mbetur i zbrazët, zoti Sela thotë se partia ngul këmbë që ta ruajë këtë post. Kjo, – tha ai, – “është çështje dinjiteti dhe serioziteti”. Ai fajësoi BDI-në për zvarritjen e kësaj çështjeje, ndërsa mungesën e reagimit të duhur të kryeministrit Zaev e cilësoi si një “përpjekje për ta mbajtur shoqërinë shqiptare në monizëm”.

“BDI-ja ka për qëllim të zhvendosë debatin real që duhet të zhvillohet dhe LSDM-së i intereson një përçarje ndërmjet subjekteve politike shqiptare që të vazhdojë me projektet e saj”, tha z. Sela.

Ai tha se nëse do të ketë një riformatim të të gjithë qeverisë, atëherë kjo do të ishte e pranueshme edhe për ASH-në, por në të kundërtën nuk do të pranonte vetëm ndryshimin e pozicionit të ministrit të saj.

Top Channel paralajmëron publikimi e dokumenteve që mund të “trondisin” politikën shqiptare

Top Channel ishte i pari që publikoi dosjen e Katanias, 416 faqe të saj, ku përmendet emri i ish-ministrit Tahiri.

Gjatë kësaj kohe, ka ndjekur më kujdes zhvillimet e kësaj çështje, duke sjellë në vëmendje daljen e fundit jashtë shtetit të ish-ministrit Tahiri dhe rrëzimin e pretendimeve se udhëtimi kishte të bënte me arsye familjare.

Gjatë kësaj ne kohe, si gazetarë, kemi zhvilluar hetimet tona, në një pistë që hedh më shumë dritë, të paktën për publikun e gjerë, për çështjen në fjalë. Hulumtimet tona si gazetarë na kanë çuar sërish në Itali, në Katania, andej nga ka ardhur edhe dosja e plotë e çështjes Tahiri-Habilaj.

Kujtojmë që dosja Habilaj-Tahiri, përmban 416 faqe. Kurse dosja e plotë që ka ardhur me letër-porosi nga Italia është 1800 faqe.

Pra, ajo që është bërë publike nga kjo dosje, është vetëm maja e ajsbergut e një historie që mund të trondisë ekuilibrat e politikës shqiptare.

Top Channel do të publikojë nesër vazhdimin e hulumtimit të vet për këtë çështje, i udhëhequr vetëm nga një shqetësim: ai i së vërtetës dhe interesit publik.

Zaev në Prishtinë: Hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot homologun e tij të Maqedonisë, Zoran Zaev.

 

 

Pas takimit Haradinaj-Zaev, të dy kryeministrat mbajtën një konferencë për shtyp. Zaev dhe Haradinaj kanë folur edhe për rastin e Kumanovës, ku thanë se janë pajtuar për një hetim ndërkombëtar që do të zbardhte të vërtetën.

Haradinaj pas takimit tha se kjo vizitë e kryeministrit maqedonas është shumë e rëndësishme pasi Kosova dhe Maqedonia janë shtete fqinjë dhe i bashkon e ardhmja.

Kryeministri i Kosovës tha se janë pajtuar të marrin përsipër shumë obligime dhe shprehu besimin se do të arrijnë t’i finalizojnë edhe në takimin e përbashkëta të dy qeverive. Këto sipas tij, do të jenë në interes të qytetarëve të dy vendeve.

“Duhet të dihet e vërteta. Kjo është në interes të dy shteteve. Është çështje e ndjeshme, aty pati vrasje. Do të ketë hetim ndërkombëtar në mënyrë që të arrihet e vërteta”, tha Zaev.

Mesazhi i prerë dhe paralajmërim nga Donald Lu për kryeprokurorin, politikanët që kanë frikë, integrimin në BE

Ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu ka folur me tone të forta sot për sistemin e korruptuar të drejtësisë, për sistemin e ri që do të prodhojë reforma dhe u ka bërë apel të prerë Qeverisë dhe Opozitës të gjejnë zgjidhje për një prokuror të përgjithshëm që do të zëvendësojë Llallën, që i ka mbatuar mandati.

Ambasadori Lu ka thënë prerë se vendi ynë nuk mund të ketë “një prokuror të përgjitshëm që nuk ndjek askënd penalisht” dhe paralajmëroi se “vendi nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjeve penale”.

Pjesë nga fjala e LU

Reforma po hyn në një cast vendimtar, komisionet e Vetingut dhe vëzhguesit kanë punuar shumë, së shpejti do të përfundojnë cështjet e para të vetingut, kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera SPAK dhe BKH.

Shqiptarët presin me padurim për reformën në drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa kanë thënë se fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur, ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të manipulojnë drejtësinë është e vdekur.

Sistemi i shkuar mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri mes korrupsionit dhe ndikimit politik, sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht, ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse ka shkallën më të ulët të ndjekjeve penale.

I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë për një zëvendësues të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm që i përfundoi mandati më 7 dhjetor. Të dyja palët ti japin fund epokës kur prokurori mbron politikanët e korruptuar. Politikanët ti lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe të zbatojnë këtë reformë në drejtësi.

Autostrada Tiranë-Elbasan, projekti që nuk përfundon kurrë

Autostrada Tiranë-Elbasan është kthyer në një projekt që nuk po përfundon kurrë.

Përveç kësaj, kjo rrugë vetëm po thith fonde shtesë, duke e bërë të paqartë se sa do të jetë kosto finale e rrugës.

Qeveria shqiptare pati nënshkruar dy kredi me dy banka islamike ne vitin 2011 për të ndërtuar një autostradë me katër korsi nga Tirana në Elbasan me gjatësi të përgjithshme mbi 31 kilometrash dhe me një shumë të tenderuar prej 33 miliardë lekësh, raporton Top Channel.

Punimet nisen po atë vit, pikërisht për ndërtimin e pjesës më të vështirë, tunelit të Krrabës. Firma fituese, kompania greke AKTOR surprizoi të gjithë teksa ofroi 83 milionë dollarë për ndërtimin e këtij tuneli nga 150 milionë dollarë që ishte fondi limit i programuar nga Ministria e Transporteve.

Në 2013 u bë hapja u tunelit, ndërsa i gjithë projekti duhet të përfundonte në 2015.

Por që nga ajo ditë punimet në këtë aks janë bërë me hope, punimet ecën ngadalë ose u pezulluan për shkak se qeveria ra në krizë dhe nuk arriti të shlyejë detyrimet ndaj kompanive sipërmarrëse. Deri në fund të vitit 2015 që financuar 28 miliardë lekë, ndërsa gjatë vitit 2016 qeveria akordoi një shumë minimale prej 1.1 miliardë lekësh për këtë rrugë.

Përfundimi i saj kërkon edhe 9 miliardë lekë punime.

Shembjet në Ibë ndodhen në fund të 2014 dhe vetëm në mars të vitit që jemi u miratua një kredi shtesë prej rreth 4 miliardë lekë nga banka islamike për zhvillimin për të mbuluar kostot e këtyre shembjeve.

Por nuk mbaron këtu, autoriteti rrugor shqiptar po auditon mënyrën se është projektuar, financuar dhe tenderuar ky projekt dhe me shumë gjasa do të duhen para të tjera shtesë për përfundimin e punimeve.

Ndërkohë para të tjera duhen për pastrimin dhe ribërjen e armaturave pas rënies së masivit shkëmbor para hyrjes në tunel nga Elbasani në Tiranë.

Kjo pjesë rrugë është marrë në dorëzim nga qeveria shqiptare dhe garancia prej një vit ka përfunduar pikërisht në nëntor.

Autoriteti rrugor shqiptar po studion shkaqet dhe nuk dihet nëse do të kemi kallëzim penal apo jo.

Ajo që është e sigurt është se autostrada Tiranw-Elbasan do të marrw para tjera dhe kohe shtesë për të përfunduar plotësisht.

Ministri italian i drejtësisë vizitë ‘blic’ në Tiranë – Urgjenca për dosjen Habilaj?

Ndërsa në Tiranë duket se i kanë marrë me qetësi hetimet për çështjen “Habilaj” nuk ndodh e njëtja gjë te autoritetet italiane të cilat janë angazhuar maksimalisht për të çmontuar deri në rrënjë këtë grup të fuqishëm kriminal të trafikut të drogës. E konfirmon këtë pikësëpari hetimi i gjatë dhe serioz i prokurorisë së Katanias dhe më pas angazhimi deri në ministrinë e Brendshme të Italisë për të sjellë në Tiranë të dhëna për çështjen.

Në 3 nëntor mbërriti në Tiranë vetë ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minitti. Ai pati një takim të gjatë dhe kokë më kokë me homologun shqiptar Fatmir Xhafaj. Më pas u ndal shkurt te Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe e mbylli vizitën me një fjalë kortezie në takimin e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve ku u fol për misionet e monitorimit ajror në luftën anti-kanabis. Asnjë takim tjetër në axhendën e tij. As kryeministri dhe as drejtori i përgjithshëm i policisë siç duhet të ndodhte normalisht në një vizitë të këtij niveli.

Burime të besueshme të lapsi.al thanë se zyrtari i lartë i qeverisë kishte ardhur në Tiranë me një axhendë të qartë. Në krye të saj ishte dosja voluminoze për grupin e “Habilajve” për shkak të lidhjeve të tyre të fuqishme me policinë e shtetit dhe politikën. Të njëjtat burime thanë se ministri Minitti la në tavolinën e Xhafajt një dosje voluminoze me emra policësh të dala nga përgjimet e prokurorëve të Katanias.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj autoritetet shqiptare janë treguar të ngadalta në hetimet e tyre. Në dosjen e italianëve besohet se ishin listuar të paktën 40 emra policësh të përfshirë në trafik drogë, por asgjë nuk ndodhi. Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori urdhër-ndalim për 3 zyrtarë të lartë të policisë së Vlorës ata patën mundësi të arratisen dhe sot e kësaj ditë të mbeten të lirë. Zëra në policinë e shtetit thonë se arratisja e ish-zyrtarëve të policisë Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode nuk është pritur mirë nga partnerët.

Në dritën e kësaj çështjeje doli edhe një listë e përpiluar nga Shërbimi Informativ Shtetëror që vendoste në “rreth të kuq” emrat e 127 efektivëve të policisë në të gjithë vendin të dyshuar për lidhje me trafikun e kanabisit.

Sërish asgjë nuk ndodhi.

Kjo ngadalësi duket se ka alarmuar autoritetet italiane. Burime të besueshme thanë për lapsi.al se ditën e martë vjen në Tiranë një tjetër anëtar i qeverisë italiane. Ministri i Drejtësisë së Italisë, Andrea Orlando fluturon drejt Shqipërisë me një axhendë “blic”. Në listën e tij të takimeve deri tani mësohet se është vetëm ai me homologen shqiptare Eltida Gjonaj. Të njëjtat burime saktësuan se ministri italian do të kërkojë informacione për zhvillimin e hetimeve për dosjen e lënë në Tiranë nga kolegu i tij, ministri i Brendshëm Marco Minitti. Çfarë po ndodh me çështjen Habilaj dhe zyrtarët e policisë të përfshirë në trafikun e drogës? Deri tani ministri italian i Drejtësisë nuk ka në axhendën e tij asnjë takim me kryeministrin, apo kreun e policisë së shtetit.

Po pse kjo ngutje e italianëve?

Është e qartë se shetësimi për drogën që mbërrin nga brigjet shqiptare ka alarmuar autoritetet italiane deri në nivelet e saj të larta. Kjo vërtetohet nga angazhimi i fortë i qeverisë italiane me ministra të saj.
Në 11 korrik të këtij viti ministri i Brendshëm italian Marco Minitti informoi parlamentin dhe senatin se organizata mafioze “Cosa Nostra” po zhvillon aktivitet dhe në Shqipëri. Informacioni i dërguar në Parlament nga Ministri i Brendshëm Minitti është brenda Raportit 6 mujor të Hetimeve Anti-mafia.

Në faqen 65 të raportit në paragrafin për Shqipërinë përmendet: “Ende trafiku i drogës është sektori që ka lejuar, në këtë semestër, të kuptojë sinjalet e aktivitetit të COSA NOSTRA edhe në Shqipëri”. Ndërsa në faqen 207 të raportit mbi Hetimet Antimafia, ministri Minitti vë në dukje, se kanabisi prodhohet në pjesën jugore të Shqipërisë dhe transportohet në Itali me gomone dhe avionë, por janë parë edhe anije që në afërsi të brigjeve italiane shkëmbejnë drogë me motorë me ujë. Përvoja e grupeve shqiptare në trafikimin e lëndëve narkotike ka bërë që të kalojë në Italia, jo vetëm kanabis, por edhe kokaina e heroina, armët dhe njerëzit, shkruan lapsi.al.

Ndërsa Italia ka vënë alarmin, në Shqipëri mbetet gjithçka te fjalët e bukura dhe angazhimet në ekranet e televizioneve. Kjo duket se u shkon përshtat atyre që në prapaskenë shijojnë lirinë dhe vazhdojnë të dërgojnë gomone drejt Italisë.

Vijon të jetë i bllokuar njëri sens i autostradës Elbasan-Tiranë

TIRANE- Vijon të jetë i bllokuar njëri sens i autostradës Elbasan-Tiranë, aty ku dje u shkëput një masiv shkëmbor nga skarpati anësor, duke bllokuar të gjithë rrugën, ç’ka solli devijimin e lëvizjes së mjeteve nga Elbasani në drejtim të Tiranës.

Gazetari Fatmir Popja raporton për “BalkanWeb” se situata paraqitet e rënduar dhe të paktën edhe 48 orët e ardhshme segmenti i rrugës Elbasan-Tuneli i Krrabës do jetë i paqarkullueshëm.

Sot në vendngjarje kanë mbërritur specialistë nga Tirana, si dhe Sektori i Emergjencave Civile të prefektures Elbasan, por edhe vetë drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro.

Gazetari Fatmir Popja raporton për “BalkanWeb”, se specialistët dhe gjeologët e ardhur nga Tirana, po kryejnë matjet e nevojshme për të kuptuar pse ka ndodhur ky fenomen.

Është kërkuar të ribëhet studimi gjeologjik i zonës ku kanë ndodhur shkarjet e tokës në Mamël. Ndërkaq êshtë paralajmëruar fillimi i një hetimi për projektuesit dhe studimin gjeologjik të kryet më herët për këtë rrugë.

Aktualisht janë dislokuar mjete të shumta të tonazhit të rëndë të cilat janë në gatishmëri për fillimin e punës për evadimin e masivëve të shkëmbinjve por pritet të konkludojnë specialistët paraprakisht pasi të bëjnë vlerësimin e situatës së krijuar nga fenomeni i rrëshqitjes në shpatin e kodrës mbi rrugën e bllokuar.

Sakaq, bëhet me dije se lëvizja e mjeteve nga Elbasani në Tiranë bëhet ende nga rruga e vjetër në “Qafë Krrabë”.