VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Papa Françeskut t’i jipet Çmimi Nobël për paqe! – Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI

By | October 2, 2015
blank

Komentet

blank

Gjëja më idiote që di është se njerëzit diskutojnë nëse Kryeministri joligjor i Shqipërisë ka tru – Nga Aurel Dasareti*

 

Serbia u rikthye në një “pëshpëritje ruse në Ballkan”, me seli në Shqipëri. Kush shqetësohet që Serbia nuk ka det? “Burrështetasi” shqipfolës më i lig i të gjitha kohërave, kuislingu Edvin Kristaq Rama që nuk mund të marrë një goditje në tru. Pse? Sepse ai do të merrte goditje në boshllëk.

***

Kuisling: i shërben pushtuesit, bashkëpunon me armikun e popullit të vet kundër popullit të vet, tradhtarë. Patetik. I dobët Pa kurriz. I paturpshëm. I  mjerueshëm. Sillet si kloun i droguar. Jo parimor. Mendjemadh. Tradhtar e antikombëtar i neveritshëm. E vetmja gjë që është e sigurt është se gjithçka është e pasigurt në trurin e tij. Fatkeqësisht, e gjithë përvoja e dështimeve, nuk e ka bërë atë më të mençur, por ai është padyshim i hutuar në një nivel më të lartë. Të gjitha neurozat dhe histeritë e tij vijnë nga gënjeshtra.

Është e panevojshme të besosh në një burim të mbinatyrshëm të ligësisë. Edhe vetë Rama është i aftë të kryejë çdo mizori kundër vendit dhe kombit të vet. Ligësia tij mund të vrasë shumë qenie njerëzore, por kurrë nuk mund të mposhtë një popull të tërë. E gjitha varet nga vullneti dhe vetëdija e shqiptarëve të cilët fatkeqësisht akoma nuk zgjohen. Është shumë i rrezikshëm për vendin dhe kombin, synon të shkatërroj Kosovën dhe të mbushë Shqipërinë sidomos me serbë dhe rusë. Shqiptari mësohet me çdo erë të keqe që kundërmon qelbësirë.

***

Disa vjet më parë, unë zyrtarisht fola me një Serb të sinqertë për situatën në Ballkan, veçanërisht për marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Ai nuk e dinte që unë isha me origjinë shqiptare, më tha:

“Shqiptarët janë si derrat në rrugën e tyre për kasap. Ata mendojnë se kjo do të jetë një udhëtim i këndshëm, dhe vullnetarisht hyjnë në portën e therjes”.

***

Mallkimet mund të shfaqen në një familje ose komb si një model fatkeq veprimi i trashëguar për breza të tërë. I mallkuari që trashëgoi tradhtinë ndaj vendit nga babai i tij, duhet të arrestohet menjëherë dhe të dënohet me burgim të përjetshëm.

“Toleranca bëhet krim kur shfrytëzohet përkundrejt ligësisë”, – Thomas Mann.

Nuk mund të ekzistojë një jetë fisnike dhe e lartësuar pa njohur djajtë dhe demonët si dhe pa luftuar paprerë kundër tyre.

Me lumturinë dhe lirinë është si me kafshët e egra në pyll: I forcohet vetëbesimi dhe i afrohet kampingut tuaj kur më nuk je duke e përndjekur atë.

Për sa kohë që jeni i shëndetshëm dhe i rritur, duhet të jeni motori i jetës tuaj.

***

Në Shqipëri, Kosovë dhe FYROM gjithçka është bërë më e shtrenjtë, vetëm shpirtrat e shitur janë akoma të lirë.

Ne duhet ta ndajmë dritën nga errësira dhe të krijojmë rregull dhe kuptim atje ku ka ekzistuar dhe akoma ekziston kaos. Por kështu nuk përjetohet aspak kur mjegulla vendoset.

Mendja e njeriut është e mrekullueshme. Deri më tani shumë shqiptarë mund ta njohin përvojën e një ekzistence të pajetë. Ata mbajnë një të brendshme të mjegullt ku duhet të ketë rregull dhe kuptim. Për ata që janë me fat dhe nuk e ndjejnë në këtë mënyrë, mund të jetë e dobishme të përpiqen të kuptojnë vështrimet e prangave të shpirtit.

Atje ku drita nuk ndahet nga errësira, ku nuk vendosen kufij, mbretëron kaosi. Ku gjithçka shkon në një parregullsi.

Nga ana tjetër, unë shpesh pyes veten nëse shqiptarët indiferentë ndaj tradhtarëve meritojnë shtet. Sepse, shteti nuk është një formë abstrakte, është një qenie e përhershme që, si çdo qenie tjetër, kërkon mbrojtje, siguri dhe qëndrueshmëri. Dhe çfarë kanë bërë deri tani shqiptarët e shtetit amë, FYROM-it, deri përpara 3 muajsh edhe të Kosovës – për qenien e shtetit të tyre? Asgjë. E kalojnë jetën e tyre duke u arsyetuar për të kaluarën, ankohen për të tashmen dhe dridhen për të ardhmen.

Kur dëshira tejkalon frikën, fëmija fillon të ecë.

**

Ramës i ka hyrë vetja në qejf. Provokon shqiptarët kudo, brenda dhe jashtë kufirit të imponuar, përfshirë diasporën. Kjo do të zgjasë derisa të bjerë në ndonjë hundëlesh. Të shpresojmë se është vetëm çështje kohe para se të pendohet (nëse ai do të pendohet fare), por mund të jetë tepër vonë. Në një farë mënyre, më kujton veten time, por fëmijërinë.

Që prej fëmijërisë së hershme, i inspiruar nga gjyshi (oficer dhe pjesëmarrës në shumë luftëra) dëshiroja të bëhem ushtarak dhe mjeshtër i madh në aftësitë luftarake. Fillova të ushtrohem suksesshëm prej moshës 6 vjeçare. Me kalimin e kohës filloi të më hy vetja në qejf sepse i fitoja duelet me ata bashkëmoshatarë që më “provokonin” në palestër, por edhe në rrugë. Por në moshën 11 vjeçare, rrugës për në shtëpi, u ngatërrova me 2 persona hundëlesh pak më të vjetër se unë që më “provokuan” njëkohësisht. Nuk kalova ashtu siç mendoja.

Të nesërmen, kur shkova në ushtrime, trajneri më paralajmëroi: “Dëgjo “mjeshtër”,  nuk ka dyshim se në planin afatgjatë është e dëmshme të rrëzohesh pa ndjenja”.

***

Agresioni ndaj vendit dhe dinjitetit tonë kombëtar nuk ka fund. Të kthjellojmë mendjet, le të ringjallen zemrat tona, ajo kreshnikja e trashëguar nga të parët tanë pellazg-ilir, që të jemi këmbëngulës dhe të paepshëm në mbrojtjen e Atdheut të gjyshërve tonë nga tirania, vdekja dhe rrënimi.

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

blank

Arkiv: Shpirti i bardhë i Anthony Athanas NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Ishte një lajm i papritur dhe shumë i trishtuar mbyllja e restorantit të famshëm Anthony’s Pier 4 të cilit i kishte dhënë këtë emër, djersë e famë një shqiptaro-amerikan me zemër patrioti. Ai që i mungon aq shumë diasporës shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas (28.07.1911 – 20.05.2005). Shkrimi i Frank Shkrelit është shumë i plotë, në portretizimin e Anthony Athanas, për zemrën e tij të madhe, patriotizmin dhe atdhedashurinë për Shqipërinë, Kosovën, që në Amerikë të mbahej gjallë fryma e Konicës dhe Nolit.

Unë dua t’i shkruaj këto rradhë sepse fati dhe rasti na e dha mundësinë për ta njohur Anthony Athanas. Jemi takuar me të disa herë. Anthony Athanas ishte nga ata njerëz që Zoti i lë të mbeten përherë të rinj. Kur e takoje, nuk mund të thoshe kurrë se kishte përpara një të moshuar që i kishte kaluar të tetëdhjetë vitet e jetës. Elegant, gjithë vitalitet, dinamizëm të merrte me vete me energjitë e tij pozitive. Nga fytyra nuk i hiqej kurrë buzëqeshja e një xhentëllmeni të vërtetë dhe e një shqiptari të madh nga ata që i sjell Zoti rrallë dhe që ne na duhen aq shumë.

Ajo që krijoi dhe që përfaqësoi Anthony Athanas është në një antitezë të plotë me kapitalizmin e ri shqiptar, barbar dhe të pangopur, që ka si qëllim në vetvete pasurimin individual me të gjitha mjetet, duke e zhvatur dhe rrjepur vendin tonë të dashur. Anthony Athanas ishte kategori tjetër, kategori e asaj që shpreh thelbin e shqiptarit, pa të cilin nuk do t’iu kishim rezistuar harrikanëve të historisë e do të ishim asimiluar me kohë, pa lënë as gjurmë as shenjë.

Njëherë udhëtuam bashkë nga Tirana në Romë. Zoti deshi të na takonte. Ishim në të njëjtin avion me Anthony Athanasin dhe At Artur Liolinin, të dy miq për kokë me njëri-tjetrin, të dy mezi i kishin pritur ato ditë të mira për mëmëdheun e tyre dhe vinin në Shqipëri për të shijuar erën e re të lirisë dhe demokracisë. Më përpara ishim takuar në raste zyrtare dhe gjatë atij fluturimi biseda ishte larg formalitetit. Ata ishin kuriozë të mësonin më shumë për ne, ne për të mësuar sa më tepër për ata, që ishin dy emra të ndritur të shqiptarëve të Amerikës. Ne kishim me vete fotografinë e Prizrenit, asaj kohe dy-tre vjeçar. Endriti do të lindte disa vjet më vonë në Bernë. Ata e shihni foton e Prizrenit dhe kënaqeshin. Duhet të kishin parasysh e të merrnin me mend gjeneratat e reja që do të popullonin Shqipërinë, rininë shqiptare që do të duhej të gëzonte frutet e demokracisë. At Liolini mbante me vete fotot e fëmijëve të tij dhe na i tregoi. Të dy u entusiazmuan për emrin e djalit tonë, kur kihej parasysh Muri i Berlinit që na ndante ne shqiptarëve si komb. Të dy ishin gjithë shpresa tek e ardhmja e Shqipërisë dhe ndiheshin të lumturuar sepse gjenin arsye të plota për t’u gëzuar, sepse besonim se kishte ardhur koha e rimëkëmbjes, e ringjalljes, e të mirave, pas një diktature të egër dhe monstruoze.

U takuam rishtas me Anthony Athanas me rastin e sjelljes së eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Ishte bashkë me çiftin e nderuar Bytyçi, Hatixhen dhe Sabitin, që janë nga ato familje që përbëjnë ajkën e kombit dhe diasporës shqiptaro-amerikane. Ndejtëm bashkë edhe në koktejlin e organizuar me këtë rast në Pallatin e Kongreseve. Na pyeste si shkonin punët në Shqipëri. Nuk lodhej së pyeturi. E kam parasysh si sot, me sytë e tij të qeshur. Ishte i kënaqur që u takuam. Ne po ashtu. U ulëm të tre në bordurat e mermerta të hollit të madh të Pallatit të Kongreseve. Ishte rasti për të folur për Konicën e madh. Ne i thamë me çiltërsinë më të madhe se ai, Anthony Athanas ishte një xhentëllmen që mund të qëndronte pa iu trembur syri në krah të Faik Konicës, për kontributin e tij madhor si patriot. Ai qeshte, si gjithnjë me elegancën e tij si një xhentëllmen i vërtetë, dhe askush nuk mund ta besonte se kishte përpara një zotëri të moshuar, sepse puna e palodhur dhe shpirti i tij i bardhë kishte bërë që të mbetej përherë një djalosh.

Dhe kështu e kam parasysh, një njeri shpirtbardhë. Dhe u bëmë miq. Ka disa alkimi që të bëjnë miq me takimin e parë, me shkëmbimin e parë të fjalëve, sepse përshkoheshim nga e njëjta empathi. „Do t’ju ftoj në Pier 4 na tha, do t’ju ftoj e pres si miqtë e mij. Do ta bëj ftesën sa të kthehem në shtëpi.“ Dhe Anthony Athanas ishte nga ata burra që e mbante fjalën. Sa mbërriti në SHBA, na e dërgoi menjëherë ftesën dhe biletat. Zot i madh, ku t’i gjejmë ata shqiptarë të tillë si ai sot! Zot i madh kthejua shqiptarëve thelbin e tyre që do t’i bëjë të kenë të njëjtin brumë si Anthony Athanas apo Nënë Tereza.

Natyrisht që Anthony Athanasit nuk do t‘ia kishte marrë mendje kurrë që shqiptarët t‘ua bënin ashtu shqiptarëve, t’ia bënin vetvetes së tyre dhe Shqipërisë t’i kthehej si mallkim 1997. Kur do të niste një kalvar i ri dhe gjysmës së kombit do t’i duhej të mblidhte laçkë e plaçkë e me fëmijët në krahë të merrte rrugën aq dramatike të emigracionit. Ne u vendosëm në Zvicër dhe nuk u pamë më bashkë me Anthoni Athanasin. Kur morëm vesh për vdekjen, e qamë me lot, ashtu si qajmë për ata që na dhemb shpirti. Qamë për shpirtin e bardhë të Anthony Athanas.

Dhe lajmi për mbylljen e Anthony Pier 4 na mbushi plot trishtim. Pier 4 ishte një pikë referimi si për Amerikanët, ashtu edhe shqiptaro-amerikanët. Ishte një Shqipëri e vogël në zemrën e madhe të Amerikës. Ishte vetë zemra e bukur e Anthony Athanas. Edhe kur ai iku nga kjo botë. Pier 4 e tij mbeti. Pier 4 mund të kthehej në Muze, mund të vazhdonte të priste e të përcillte miq, por assesi të mbyllej./Botuar për herë të parë më 10.07.2013, përfshirë në librin Elida Buçpapaj, “Traumat e Tranzicionit”, Onufri, 2013.

blank

Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia – Nga SHABAN MURATI

Samiti i tre krerëve të qeverive të “mini Shengenit” në Shkup në 29 korrik pranoi zyrtarisht dështimin e bujshëm, përderisa pa u mbushur dy vjet nga firmat që vunë në Serbi, u detyruan t’i fshijnë dhe t’i ndërrojnë emrin nismës serbe.

Tre krerët e qeverive të “mini Shengenit” po tallen me veten e vet dhe për të shpëtuar rytben e pagëzuan me emër presuntuoz, duke e quajtur tani “Ballkan i hapur”. Mirpo ky pretendim i hijes së mengjesit i bën më komikë, sepse askush nuk i autorizoi krerët e tre mikroshteteve të vetëmarrin pronësinë për çelsat e hapjes së Ballkanit, i cili ka 12 shtete, ku shumica janë më të mëdha dhe më të fuqishme se sa të tre minishengistët bashkë.

Kuptohet pozita për t’u mëshiruar e tre minishengistëve serbë, që premtojnë “Ballkan të hapur” për pesë shtete të rajonit anëtare të BE dhe të NATO-s: Greqia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania, si dhe për Turqinë shtet kandidat në BE dhe anëtare e NATO-s.

Këtë “Ballkan të hapur” të gjymtë serb po tentojnë ta shesin si e ardhme e rajonit. Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia. Serbia po ndez zjarrin e luftës etnike dhe fetare në Bosnje, sepse nuk pranon krimin serb të gjenocidit dhe po bllokon shtetin e Bosnje-Hercegovinës nëpërmjet instrumentit të saj gjenocidial, “serpska republikës”.

Serbia po tenton të ndezë konfliktin në Kosovë që ta aneksojë dhe ta rikthejë si koloni të saj. Serbia po lufton të gllabërojë Malin e Zi dhe ta fusë në “botën serbe”, siç paralajmëroi këto ditë presidenti i Malit të Zi. Serbia shpalli këto ditë se planifikon që të bashkojë të gjithë serbët e Ballkanit megjithë territoret e shteteve të tjera ku jetojnë, në një shtet të vetëm të quajtur “Serbia e Madhe”.

Serbia ka sot në vitin 2021 presidentin, zëvendëskryeministren dhe kryetarin e parlamentit, të cilët kanë qenë anëtarë qeverie të kriminelit të luftës Millosheviç. Serbia po glorifikon zyrtarisht kriminelët ndërkombëtarë të luftës të dënuar nga Haga, Millosheviç, Mlladiç dhe Karaxhiç dhe po mohon zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës dhe masakrat e spastrimin etnik në Bosnje dhe në Kosovë.

Mirëpo një mendjeje halucinante nga Tirana në shkretëtirën e kokës së vet narciziste me sa duket i vjen mirazhi i Serbisë si oaz. Të gjithë Ballkanin e sheh kokëposhtë me sy nga e shkuara dhe vetëm Serbinë e sheh si të ardhme të Ballkanit. Fantazma e 1946 po vjen përsëri në Shqipëri! Një “Ballkan serb”.

blank

KËRKESAT PËR LULZIM BASHËN – Nga SAMI REPISHTI (25 korrik 2013)

 

I nderuemi z. Kryetar,

Urimet e mia me rastin e zgjedhjes suej kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. (PDSH). Ky sukses dhe privilegj shoqënohet gjithashtu me përgjegjsinë e randë të funksionit partiak që merrni përsipër, si dhe me mbarëvajtjen e shtetit shqiptar, ku PDSH përban nji element aktiv dhe thelbësor.

Ashtë shpresa e përgjithshme se mbas humbjes së pranueme të PD-së në votimet e 23 qershorit 2013, ju dhe kolegët tuej do të bani analizën e nevojshme për kuptimin e plotë e realist të kësaj humbje, për eliminimin e të metave që e sollën, si dhe për përcaktime të reja, të domosdoshme për mbijetesën e PD-së sot, dhe eventualisht për nji fitore në të ardhmen. Shpresoj se PD-së nuk i mungojnë vlerat njerëzore, kapitali moral, mjetet e nevojshme, e sidomos dëshira për riorientime drejt përforcimit të regjimit demokratik – mbrenda dhe jashtë partisë. Thirrjet histerike për mosnjohjen e votave janë infantile e duhen kundërshtue.

Uroj që analizat e prituna që do të ndërmerrni nuk do të kufizohen vetëm në aspektet zyrtare dhe formale të politikës suej ndaj “Shtetit” shqiptar. Kjo qasje nuk ashtë esencialja; ajo ashtë rrjedhim i nji analize të thellë që rezulton nga studimi, të dhanat e nxjerruna, interpretimi dhe orientimet që imponohen, problemit esencial, shoqënisë shqiptare, sot e smurë, e përçame, e hutueme, dhe në pritje të nji udhëheqje me vizion të qartë historik e kombëtar, në shërbim të popullsisë shqiptare pa dallim – sidomos të shumicës së papërfillun – dhe të demokracisë në vendin tonë. Vendi i jonë ka nevojë urgjente për nji frymë empatie, ku vuejtja e shqiptarit në Kelmend ndihet plotësisht edhe në fshatet e Konispolit, në Tropojë dhe në Labëri! Vendi i jonë nuk ka nevojë për konfrontime!

Baza e PD-së, ashtu si e kuptoj unë, ka qenë dhe mbetet parulla historike e studentëve heroikë të Dhjetorit 1990: “Liri, Demokraci! Edhe ne si e gjithë Europa!” Nji parullë kaq përparimtare, me gjithë thjeshtësinë e saj, paraqet thelbin e kërkesave të nji popullsie të shtypun për dekada të gjata nën thundrën e të huejit e të satrapit vendas. “I lirë” don të thotë “i lirë nga frika, i lirë nga uria”, shprehje rooseveltiane gjatë viteve të vështira ’30 të shekullit të kaluem. Nga përvoja e së kaluemes, liria nga frika nënkupton frikën nga “autoriteti” që shqiptarët e njohin shumë mirë; ndërsa liri nga uria vetëkupton zhdukjen e papunësisë që sjellë vorfninë e përgjithshme, vetëkupton punë, bukë e paqe në shoqëni. Jo luftë klasesh!

Ashtë përshtypja e përgjithshme se dëshirat e studentëve idealistë të Dhjetorit 1990 kanë qenë iluzione lirike, kërkesa për nji botë sa ma perfekte, dhe sidomos ma të drejtë. Fatkeqsisht, këto “iluzione lirike” rinore u avulluen para skemave meskine të përpunueme nga grupet “pragmatiste”, të përkrahun nga të gjithë ata që për arsye thjesht egoiste nuk dëshirojshin “ndryshimin”. Disfata e pësueme nga “idealistët” ndjek edhe sot PD-në, aq sa zhgënjimi ka komprometue shpresën e rindërtimit moral e social në Shqipëri. Kthimi në bazë ashtë imperativ i kohës!

Sot PDSH ka përfundue në nji grumullim forcash që nuk fitoi akoma statusin e nji “partie” demokratike, oksidentale, me nji shtet ligjor dhe me nji administratë profesionale shtetnore, e jo partiake. Humbja në zgjedhjet e fundit të 23 qershorit tregoi se për votuesit, “Shteti” ishte zëvendsue nga “Partia” në fuqi dhe se ligji ishte zëvendsue me kapriçet e qeveritarëve pa kualifikime, besnikë të kupolës partiake në pushtet. Tashti ashtë e qartë që nji gjendje e këtill duhet të “ndryshojë” dhe nji politikë e këtill duhet zëvendsue me sensin e përgjegjsisë ligjore dhe morale të çdo funksionari, pavarësisht nga pozita që ai, ose jo, mban në pushtet. Vetëm diktatori vendos veten mbi ligjin! Kjo kohë ka perëndue njiherë e përgjithmonë!

Nji viktimë e këtij procesi të padëshirueshëm ka qenë minimizimi i organeve të pavaruna, i pushtetit gjyqësor, dhe sidomos roli i “Presidentit të Republikës”, i cili tradicionalisht dhe qëllimisht konsiderohet si “ndërgjegjja e kombit”. Në ditët e vështira, Presidenti ruen orientimin e “Shtetit”, rolin e tij në botë dhe frymëzon besim në REPUBLIKË për të gjithë popullin. Mungesa e nji roli të këtill e ka lanë strukturën shtetnore “të çveshun” nga pesha e domosdoshme për mbrojtjen e ekuilibrit politik. Natyrisht, nji pozicionim i këtill ashtë i mundun vetëm kur Presidenti gëzon respektin e të gjithë spektrit politik, dhe e meriton atë. Presidenti duhet te jetë “burrë shteti” i vërtetë, dhe jo nji marionetë politike. Ai duhet të jetë prifti Joachim Glaucke i Gjermanisë, filozofi Adam Mishnik i Polonisë, shkrimtari Vaclav Havel i Çekisë… qendra morale të shoqënisë. Kjo ashtë arsyeja kryesore që “tranzicioni” në Europën Qendrore kaloi fazën post-komuniste pa kriza të mëdha, nji ndryshim që Shqipëria e “tjetërsueme” nuk e njohu asnjiherë! Ajo që njohu Shqipëria ka qenë dhe mbetet ushtrimi i pushtetit politik nga grupe interesash që “blejnë” në treg tri degët e pushtetit: Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqsor. Kështu përfunduem me nji President pa shtyllë kurrizore dhe nji Kryeministër imperial!

Tranzicioni në Shqipëri ka prodhue oligarki, me ekonomi të kontrollueme nga nji grusht plutokratësh, të cilët kanë burim pasunimi vjedhjen e pasunisë publike, në bashkëpunim me lidhjet politike. Simbioza në mes tyne ishte gjithnji e ma e damshme dhe e pakapërcyeshme gjatë administratës që pësoi humbjen. Si rrjedhim, dallimet në mes të grupeve që përballen për pushtet nuk janë ideologjike. Arsyetimi i vetëm që nxit udhëheqsit për pushtet ashtë vetëm pasunimi vetjak: “Unë dhe Partia; Shqipëria pastaj!”.

Kështu, nuk i ashtë kushtue vëmendja e duhun dënimit pa kompromis të shnjerëzimit që imponoi diktatura e kuqe dhe fajtorëve të këtij shnjerëzimi. Nuk ashtë marrë asnji vendim për njohjen e të drejtave të pronës së ligjëshme private, pa të cilën nuk ka qytetarë të lirë, nuk ka demokraci. Nuk janë përfillë dhe ndihmue ish-të persekutuemët – “bërthama morale e shoqënisë demokratike shqiptare” – Nuk ashtë tregue kujdes për kultivimin e vlerave tona kombëtare tradicionale dhe konceptit të “shqiptarizmit modern” te shumica e paarsimueme politikisht dhe e paekspozueme, ideve perëndimore të “shoqënisë civile” dhe të demokracisë, si vlera te nalta dhe permanente. Kjo spjegon, në përqindje të madhe, përse vetëm gjysma e popullsisë ka votue. Për sa kohë që votimi me heshtje tregon mungesën e besimit në sistemin politik dhe në udhëheqjen, kjo heshtje nuk ashtë “indiferencë”!

Mbas humbjes u fol për infiltrime anmiqsore në PD të Shqipërisë që kanë uzurpue, në këto vitet e fundit, qeverinë e administratën. Flitet për “tranzicionin” që ka dështue. Flitet për mungesë besimi në pavarësinë e institucioneve qeveritare, për korrupsionin endemik në të gjitha nivelet. Flitet për nji “Berisha fatigue” e të tjera. Lihet mbas dore gjithmonë ajo ma e randësishmja: populli kërkon rend publik, punë, bukë, shkolla, shërbime shëndetsore e qetësi në kufijtë; populli kërkon respektin që meriton si qytetar i Republikës, “sovran” i së cilës ashtë ai, dhe nuk e gjen. Politika shqiptare duhet të luftojë kundër urisë, vorfënisë, dëshprimit demoralizues dhe kaosit, jo kundër njeni-tjetrit. Kjo gjendje duhet të marrë fund. “Mund të mashtrohet nji popull për pak kohë; mund të mashtrohet nji person për gjithë jetën; por nuk mund të mashtrohet nji popull përgjithmonë”! (A. Lincoln)

Populli nuk kërkon kacafytjet në Kuvend, as gjuhën rrugaçe që i karakterizon ata, por kultivimin e nji fryme empatike, aftësinë me pa botën me sytë e atyne që vuejnë, kudo që ata jetojnë, në fushë ose në mal, fshat ose qytet. Duhet të mundim kultin e dyshimit pa arsye dhe mentalitetin e kacafytjes, si dhe prirjen me dominue plotësisht, nji mentalitet i trashëguem nga e kaluemja komuniste. Duhet ndigjue zani i ankesës! Ashtë zani i Zotit!

Z. Kryetar!

Ky ashtë “nji moment i privilegjuem” për ju. Historia ju ka vue para nji sfide sa të vështirë, aq edhe fisnike. Kërkohet që ju, si udhëheqës i PDSH-së, të jepni kontributin tuej në shërbimin e “shoqënisë” shqiptare që vuen, në ngritjen e saj në nivel ku të jetë e lirë, e denjë, e aftë për përmirësimin e konditave të jetës së çdo qytetari pa përjashtim, në krijimin e nji atmosfere politike ku shqiptari ashtë vëlla dhe jo anmik i shqiptarit edhe kur ai ashtë kundërshtar, dhe në hapjen e nji dialogu të sinqertë me të gjithë, pa përjashtim, me qëllim që të gjinden rrugë të reja të zhvillimit politik, ekonomik e social të vendit tonë. Shqiptarët e kërkojnë; bota e jashtëme e kërkon. Nuk mund të mbetemi ma gjatë as të shurdhër, as indiferentë!

Duhet të veprojmë! Nuk mund të qëndrojmë gjithëherë në bisht të procesit spontan të historisë. Duhet të bajmë historinë tonë, me duert tona! “Çdo brezi i lejohet nji përpjekje për abstraksion. Kjo përpjekje mund të jetë vetëm nji interpretim dhe vetëm nji rast për eksperimentim, sepse ky ashtë subjekti i vetëm i saj. Kjo ashtë sfida e historisë dhe tragjedia e saj. Kjo ashtë forma që “fati” merr mbi botën tonë. Dhe zgjidhja e këtij “fati”, qoftë edhe thjesht ndërgjegjsimi për të, ashtë ndoshta aspekti ma i vështirë i artit të burrit të shtetit”. (Henry Kissinger)

Z. Kryetar!

Kapeni këtë moment! Punoni për nji Shqipëri që ndërton të nesërmet plot kangë, e çlirueme nga hijet e zeza të së kaluemes! Bani histori; mos e pësoni atë! E sidomos mos e kundërshtoni marshin e historisë drejt lirisë, sepse ajo hakmerret!
Sinqerisht i jueji

*Ph.D.
Ridgefield, CT.USA
City University of New York (ret.)
Ish-i burgosun politik (1946-1956)

blank

AKADEMIKU SHQIPTARO-BRITANIK GËZIM ALPION NDEROHET ME “MEDALJEN NËNË TEREZA” – Nga Frank Shkreli

Ditën e martë, më 27 korrik, 2021, studiuesit shqiptaro-britanik Gëzim Alpion, sociolog në Universitetin e Birminghamit në Angli dhe biograf i njohur ndërkombtarisht i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i është akorduar “Medalja Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar akademik në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit si dhe promovimin e Shën Nenë Terezës, duke e lartësuar modelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë btën. I vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nenë Terezës dhe si një ndër njohsit më inteligjent dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare”.

 

Në njoftimin me ketët rast thuhet se, Sipas dekretit No. 13163 të datës 14 Korrik 2021, dekorimi është pra, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e çmuar akademik të Profesorit Alpion, në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit, si dhe promovimin e Shën Nënë Terezës duke e lartësuar nivelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë botën.  Z. Alpion, thuhet më tej në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, “Është vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nënë Terezës dhe si një ndër njohësit më inteligjentë dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare.”

 

Siç dihet, ‘Medalja Nënë Tereza’ është një nga çmimet më të larta që akordohet nga Presidenti i Shqipërisë.  Sa për të pasur një ide dhe për informacion të lexuesit,  disa nga personalitetet e huaja dhe shqiptare që janë nderuar me këtë çmim të Republikës së Shqipërisë, ndër vite, përfshijnë Kryeministrin e Italisë Massimo D’Alema, Presidentin e Kroacisë Stjepan Mesić, Presidentin e Lituanisë Valdas Adamkus, Presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli, Mary Jean Eisenhower, Kryetare e Programit ‘People to People International’ (PTPI), i krijuar në vitin 1956 nga gjyshi i saj Presidenti Dwight D. Eisenhower, dhe ish-Senatori amerikan, Sam Brownback, Ambasadori i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare.

 

Në njoftimin për media për dekorimin e Profesorit Gëzim Alpion me “Medaljen Nenë Tereza”, thuhet se kjo është hera e dytë që Profesori shqiptaro-britanik Gëzim Alpion nderohet në Shqipëri.  Në vitin 2019, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i akordoi Z. Alpion çmimin, “Ambasador i Kombit”.

blank

 

Libri më i ri i Profesorit Alpion titullohet “Mother Teresa — The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar një vit më parë nga shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”.  Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf  — Ky libër është i pari i këtij lloji, në anglisht, që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj fetare prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar gjatë dy mijë vjetëve të kaluara.  Dr. Alpion sugjeron, në librin e tij, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrohet roli vendimtar i fesë, gjatë shekujve, në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe roli fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.

 

Dekorimi i Akademikut shqiptaro-britanik, Profesorit Gëzim Alpion nga Presidenti i Repiublikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta është një nder për të dhe për punën e tij prej akademiku – i cili duke e paraqitur Nenë Terezën në konteksin e rrenjëve të saja etno-shpirtërore i paraqet, njëkohësisht, botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato për të cilat fatkeqsisht na njeh bota si shqiptarë, për arsye të historisë tonë të shekullit të kaluar por edhe më mbrapa.

 

Prof. Gëzim Alpion — duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre — ai po ben një shërbim të madh për t’i kujtuar botës anglisht-folëse, traditat dhe zakonet tona shekullore të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu — sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët — bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar, ashtu siç pasqyrohen edhe nga jeta dhe veprimtaria e Shën Nenë Terezës. Urime Prof. Dr. Gëzim Alpion. Një dekoratë e merituar!

 

Kush është Prof Dr. Gëzim Alpion: Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Neëman, para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Birminghamit.  Specializimet e Profesorit Gëzim Alpion janë në disa fusha akademike, përfshirë sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

blank

blank

blank

blank

blank

blank

Zgjidhja është në Nju-Jork, jo në Bruksel! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomastik

      

  *** O, ju “Nipër e stërnipër të Kainit, tebdilë si barinj…” (Fan. S. Noli), vetëm në OKB, Serbisë mund t’i “jipet diçka” çfarë e meriton sipas Kartës së OKB-së dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare për shkak të kolonializmit gjneocidal të saj në Kosovë (1912-1999).

 

*** Pra, jo assesi Brukseli, por vetëm Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mund t’ia “mbyllë gojën”  Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, jo Brukseli i dështuar (2011-2021).

 

Nga praktika e derisotme e OKB-së (1945-2021) del se një nga detyrat më parësore dhe më të rëndësishme të saj,  ishte dhe, edhe sot është mbështetja e gjithnashme vendeve dhe popujve të kolonizuar, që me mjete dhe me rrugë paqësore t’u njihet pavarësia e tyre në bazë të së drejtës së vetëvendosjes.

Pikërisht, kjo e drejtë legale e ndërhyrjes së OKB-së, do të duhej të zbatohej edhe  me rastin e ndëshkimit dhe  të sanksionimit penal të  kolonializmit dhe të neokolonializmit shekullor  të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës, mbase  kolonializmi dhe  gjenocidet e saj të derisotme (1878-2021)  janë të lidhura direkt me rrezikimin  e paqes dhe të sigurisë rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

 Siguria dhe paqja  evropiane e ndërkombëtare, direkt dhe indirekt rrezikohen nga kolonializmi gjenocidal i Serbisë në Ballaakan !

Prandaj, sa më parë të jetë e mundur Amerika me BE-në, problemin kolonial të Serbisë ta rivendosin në Asamblenë e Përgjithshme  të OKB-së në Nju-Jork, mbase Serbia në procesin e Brukselit nuk do ta njohë Republikën e Kosovës.

Kjo është e vetmja mënyrë  e ligjshme , demokatike e paqësore, që OKB-ja ta shqyrtonte dhe zgjidhte problemin kolonial shekullor të Kosovës (1912-2021). Vetëm kjo formë racionale e penalizimit të kolonializmit serb, do të mund t’i kontribuonte xhvillimit dhe afirmimit të parimit të koekzistencës paqësore sin ë kuptimin rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Serbia kolonialiste nuk mund të jetë përjashtim i së drejtës ndërkombëtare e as i OKB-së !

 

Prandaj, edhe serbomëdhenjtë “paqësorë” dhe “demokratë” të Beogradit së bashku me presidentin e tyre Aleksandër Vuçiq ( me gjithë interesin përfitues kolonial më se 100-vjeçar në Kosovë), duhet ta kenë të qartë se, ligjërisht, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran (17 shkurt 2008).

Ndërkaq, historikisht, Kosova është e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Këtë çështje shqiptarët e Kosovës nuk duhet diskutuar me Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999), pavarësisht se çfarë po llomotisin disa zagarë të zgjebosur filoserbë, se gjoja për arritjen e ndonjë kompromisi me Serbinë në Bruksel, “Kosova duhet t’i japë diçka Serbisë”!

Mirëpo,  “it’s cannot be done”, sepse Serbisë nuk do t’i japim më asnjë pëllëmbë tokë e as pasuri shqiptare.  –E zagarët filoserbë  mund t’i japin vetëm “gjahun” e tyre  Serbisë, nëse kanë grabitur ndonjë “gjah” si shpërblim   për “lehjet” e tyre në favorin e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale. Ajo është vetëm çështje e tyre personale, grupore, aventuriere dhe agjenturore etj. -Ata janë të ndërsyer dhe të paguar për të krijuar mjegulla të dendura për t’i mashtruar, gënjyer,indoktrinuar dhe përçarë shqiptarët, kinse për t’i “pajtuar” me Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale, me qëllim për të futur “ferrën në këmbë të shëndoshë” shqiptare. Këso pazare vdekjeprurëse filoserbe nuk kanë për t’u bërë më kurrë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane shqiptare!

 Kosova dikur ishte koloni, por sot është e pavarur !

 

Për këtë arsye, pala shqiptare nuk do të duhej të hynte në Dialogun e dështuar dhjetëvejçar të Brukselit (2011-2021), sepse  është nonsense  të bisedohet me kolonialistët serbë, të cilët, edhe pas humbjes së luftës së fundit në Kosovë nga UÇK-ja dhe nga NATO-ja ( 10 qershor 1999), po ngulmojnë që me mjete paqësore të rihapin dhe, të debatojnë  statusin e pavarur politik të Kosovës!

Duke qenë se çështja e Kosovës nuk është çështje minoritare e kolonëve serbë të Veriut të saj, por, thjesht është çështje me bagazh kolonial 100-vjeçar nën Serbinë kolinialiste gjenocidale (1912-1999).

Prandaj, këtë konflikt kolonial njëshekullor mes Serbisë dhe Kosovës, nuk ka asnjë gjasë, që ta zgjidhë Dialogu i Brukeslit, pavarësisht nga shërbimet, nga  ndihma dhe  nga vullneti i mirë i BE-së (2011-2021).

Fundja, ata që kanë njohuri elementare nga historia dhe nga praktika e marrëdhënieve politike ndërkombëtare, të paktën që  nga shekulli XX, do të duhej ta dinin se, asnjë fuqi(shtet) kolonialiste në botë nuk ka hequr dorë  në mënyrë paqësore nga kolonitë e tyre as në Evropë, as në Afrikë, as në Azi e as në Amerikën Latine. Së këndejmi, as Serbia kolonialiste nuk ka braktisur koloninë e saj 100-vjeçare-Kosovën (1912-1999)  me paqe e as në marrëveshje të vullnetshme me shqiptarët e kolonizuar të Kosovës, por me forcë dhe me armë  të UÇK-së, të NATO-s dhe të Amerikës (24 mars – 10 qershor 1999).

Prandaj, logjikisht dhe realisht, Serbia ka humbur koloninë e saj të dikurshme-Kosovën, ashtu sikurse shumë kolonizatorë evropianë, që kanë humbur kolonitë e tyre të dikurshme në Afrikë dhe në Azi , gjatë viteve ’50, ’60 dhe ’70.  Si rrjedhojë, Serbia nuk ka asnjë të drejtë historike e as lgijore, që të kërkojë dialog dhe kompromis politik me Prishtinën zyrtare, sepse me luftë e ka hambur koloninë e saj shqiptare-Kosovën. Në këtë kontekst, nuk mund të ketë kurrfarë dialogu të ligjshëm me Serbinë në Bruskel e as në Berlin e as në Moskë, sepse Kosova pas 100 vitesh robërie koloniale nën Serbinë gjenocidale kolonialiste, tani, në saje të luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së, është e pavarur dhe sovrane sipas së drejtës ndërkombëtare, si dhe sipas normave dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, këtë argument të qëndrueshëm e  provon edhe Opinioni këshillëdhënës i kualifikuar jurdiko-ndërkombëtar i GJND-së së OKB-së në Hagë, më 22 korrik 2010, se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është bërë plotësisht në përputhje me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

      Dialogu i Brukselit s’ka kapacitet juridiko-ndërkombëtar, që ta detyrojë Serbinë të braktisë kolonializmin e saj në Kosovë, në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë (1912-2021)!

 

Për këtë arsye vetë BE-ja dhe Amerika duhet kërkuar që Dialogu i Brukselit të vendoset në OKB, sepse vetëm në Asamblenë e Përgjithshme të saj, mund të diskutohet për  historikun dhe për statusin politik dhe juridik ndërkombëtar të Kosovës (1912-2021).

Ndryshe, derisa Beogradi zyrtar pohon dhe lobon nëpër vende të ndryshme të botës, duke prishur miliona parash kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës së pavarur, dhe, duke gëjyer e shantazhuar faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare, se “Kosovo je Srbija”, atëherë pse po zhvillohet Dialogu i Brukselit?!

Derisa presidenti Alekandër Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq, kryekuvendari Ivica Daçiq si dhe ministrat e tjerë Republikës së Serbisë, në mënyrë kërcënuese deklarojnë zyrtarisht, se kurrë nuk do ta njohin Republikën e pavarur  të Kosovës, atëherë pse, dhe, për çfarë të bisedohet me ta në Bruksel?

Duke qenë se  brenda një dekade të plotë (17 shkurt 2008) Serbia kolonialiste me presidentin e saj Aleksandër Vuçiq në krye, ka refuzuar dhe, edhe sot, është duke hedhur poshtë kërkesën e palës shqiptare të Prishtinës, që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, atëherë, pse, çfarë kuptimi dhe efekti politik ka vazhdimi i Dialogut të Brukselit nën monitorimin e ndërmjetësuesve Miroslav Lajçak dhe Josep Borell, emisarë të Bashkimit Evropian (BE)?!

Sa më sipër, si mund të shpresohet se me kërcënimet,  me diktatin dhe me ultimatumet e presidnetit serb Aleksandër Vuçiq, Aleksandar Vulin, Ivica Daçiq, Ana Bërnabiq, si dhe të klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe me patriarkun e saj Perforije në krye etj., se gjoja “Kosovo je Srbija”-“Kosova është Serbi”, do të mbyllet me marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë?

blank

LUIGJ ÇEKAJ – POETI I PËRNDJEKUR I SHKRELIT TË MALËSISË SË MADHE – Nga FRANK SHKRELI

“Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua” — Ismail Kadare

Luigj Çekaj ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 70-vjeçare. Ai vinte nga Çek-Dedajt e Shkrelit të Malësisë së Madhe — fshati Bzhetë — nga e ka origjinën edhe familja ime. “Në Shkrel te shtëpia e prindërve të mij”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje, ku “Te muri në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen.  Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.”

 

Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkvendas që ishte, familja ime e strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për te derisa ai vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi ashtu me dhimbje, me njollën absurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht.  Merrni me mendë, prej 2 vjeç, poeti i ardhëshëm do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në arrestimin e tij.  Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për pikëpamjet e tija anti-komuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në parathënjen e librit me poezi,të autorit Luigj Çekaj, “Vjeshta në Aeroporte”, se ndërkaq, Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga sepse kishte refuzuar të padiste të shoqin tek policia.

 

“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.

Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës

Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,

shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)

 

Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka.  Poeti i ardhëshëm me trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në kampet e Tepelenës, si përfundim i vendimeve të autoriteteve komuniste.  Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Dalip Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar, “Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”.

 

Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës — të cilët na thonë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose “komunizmi ka berë më shumë të mira se të këqia” – është se çfarë kërcënimi paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i ardhëshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja post-komunizëm, në një vend anëtar të NATO-s, i cili pretendon gjithashtu edhe antarësimin në Bashkimin Evropian?  Pse, ende 30-vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijt 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje? Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?

 

Për hir të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si bir i një të arrartisuri nga “parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij – mbijetoi edhe “Stinën e dhimbjes”:

 

“Në prill të ’75-sës — Përjashtim nga Universiteti

Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna

Dhe në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”

 

Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë por mundësia për të botuar iu dha vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri.  Kështuqë, menjëherë pas ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribonte si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar, “Besa” në Shkodër.  Pas kësaj, ai vendosë të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant politik, për tu bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën.  Luigj Çekaj vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë viteve 1994-1998, ai angazhohet me revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga Shkodra” në vitin 2004 — “Libri që renkon nga dhimbja” — ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tija nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e demokratike.  “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet,

Bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë!

Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt

Sigurimi i dreqit në Velipojë  — (Ditën e Hyrjes sime në Washington, 2 Prill, 1993)

 

Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës, “Jeta Katolike Shqiptare”, unë banojsha në Washington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim — si një ish anëtar i redaksisë së kësaj reviste që isha në fillim të 1970-ave — për ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, në përgjithësi.  Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar për më mire, falë angazhimit të Luigjit dhe ketë e kisha pasqyruar në përgjigjen time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re, “Jeta Katolike Shqiptare”, nën drejtimin tëndë është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e këndshme dhe e lezetëshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës – një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju dëshiroj suksese të mëtejshme.”

 

Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ave, një meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ serioz që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës por edhe të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe.  Më vonë, poeti dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët.

 

Veprat e Luigj Çekajt kishin renë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi, “Vjeshta në Aeroporte”. Në një letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Z. Kadare ka vlerësuar me këto fjalë poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë, dërguar poetit Luigj Çekaj, me datën 28 nëntor, 1998.

 

Në veprat e tija Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për nenën e vet të shumë vuajtur, për Shkodrën e tij të dashur, “Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar” dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:

 

“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,

Nuk kam dashur më shumë se ty.

Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,

Ti me duart e tua më ke bërë njeri,

Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)

 

Por në veprat e tija shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti strehimin, por edhe liri e pak paqë të merituar, më në fund.  “Mes Shqiptarëve të Nju Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshir ne që na konsideronte si kushërinjtë e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe që ishim vendosur në Amerikë dekada më parë e të cilëve poeti e shkrimtari u kushton atyre një artikull të gjatë, “Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”.  Në librin, “Unë vij nga Shkodra”, ai përmendë pothuaj të gjithë ne emër për emër, ndërsa ka kujtuar takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat që i kishim lenë atij në takimin e parë me të.  “Me kushëririn Fran Shkrelin u pash me hënë të mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij, “Unë vij nga Shkodra”.  “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtetë shumë mirë. Pothuajse gjithmonë ramë në një hulli të këthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.

 

Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim – duke mos dashur të trazoja plagët e vjetëra të vuajtjeve të tija e të familjes — nuk e pyeta asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënes së tij dhe familjes në Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nepër të cilën kishin kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në Amerikë.  Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vet nuk deshi të fliste për vuajtjet e tija dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste.  Por, duke u ndarë me Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk u durova pa i thenë: “Ju sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri, deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr mendja se bëre mirë që nuk fole, i thashë, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një vendi nuk janë nëna fëmijsh jetimë që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të qara…”.

 

Vërtetë,  i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nepër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial i Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjëndjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.  Profesori i ndjerë, Agron Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj — botuar vite më parë — pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore.  Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike – politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj”, “Statujat e diktatorëve.”

 

Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke berë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare.  Me jetën plot vuatje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkpunoi ngusht pas arritjes së tij në Amerikë — por edhe nga shkrimtarë të mëdhej të Kombit si Ismail Kadare — Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar — nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë.  Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara para se, fatkeqësisht, sëmundja t’ia shkurtonte jetën, parakohësisht, në fillim të këtij viti.

blank

blank

blank

VILA E TURPIT! – Nga ALBA KEPI

Pasivë, pa shpirt e emocion lexojmë këtë vendim fat, ku të huajt janë veç lajmësit e një autorësie të vjetër.
E tha “i huaji”, sipas “të huajve”, specialisti “i huaj”, kompania “e huaj”, diplomatët “e huaj”, media “e huaj”, po shërbehen si alibia perfekte e një të vërtete absolute për çdo hall shqiptar.
“I huaji” i Kamysë, është alegoria e përkryer e një mentaliteti pa ndjenja e emocion, ku çdo pergjigje o vendim, nuk ka asnjë rëndësi e shkon drejt fatit pa asnjë interes, në heshtje, pa kundërshtuar o pa u penduar.
E në këtë ditë korriku 2021, mes variantesh virusi, flakësh të nxehti, aksidentesh tragjike e rrëmuje sociale no vax e no Pass, po nga “i huaji” vjen vendimi, i shërbyer përmes një medie “të huaj, që publikon një projekt “të huaj”, realizuar nga një arkitekte “e huaj”, për Shqipërinë.
E po në gjuhë të huaj e boton i vetëm, një portal shqiptar.
Rrethi mediatik u kopsit perfekt për veshjen serioze të një lajmi “bombë”.
Një media e huaj interviston një profesioniste të huaj e publikohet në një media shqiptare që shkruan shumë në gjuhë të huaj përmes “misionarëve” të saj shqiptarë.
Kjo lojë fjalësh lodhëse, është vetëm prologu i një tjetër skandali turpi me të cilin po përpiqen ta veshin Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Qytetin më antikomunist në Shqipëri, me patriotë, mendimtarë, luftëtarë, pronarë e tregtarë autoktonë që iu dedikuan zhvillimit e lirisë së territorit të tyre, po e shpërfytyrojnë me njollat e turpit të një historie që nuk i përket.
Pas Muzeut të gjetheve, Bunkereve e tuneleve të diktaturës, Piramidës e rrugëve me emra pa histori, një tjetër muze komunist po i shtohet Tiranës.
Eshtë Vila e ish dikatorit.
Në pronësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare Shqiptare, “të huajt” na informojnë se së shpejti do të jetë një muze i vizitueshëm, mbi historikun e jetesës së diktatorit.
E me ftohtësinë e asaj çka përcjell shprehja tironse “si në gjo të huj”, arkitektja britanike përmes një media po britanike, shprehet entuziaste për projektin e saj në pabesueshmërinë e autopromovimit.
“Njerëz me mjekër do t’i bihen trombës”, thotë ajo, kur muzika më e bukur e kopshteve tona është klarineta e orkestrës e saksi i çunave të liqenit.
Por ky projekt vjetërsisht i ri, na kujton kohën e qeverisë Nano, kur Vila e Turpit u propozua për të qënë Muze- hotel me një çmim nate 10 euro, në monedhën e sapo hyrë në qarkullim. Qe “largpamësia e ish kryeministrit të asaj kohe o motive të tjera”, që kërkesa e ish ministrit të Kulturës, E. Rama të hidhej poshtë.
E njëjta kërkesë “e re”, e vjeter, u ripërsërit në qeverinë Majko, e mbeti po pa përgjigje.
E sot shumë më i plakur Projekti Muze, Hotel Vila Muze e Turpit na vjen nga Britania.
Pasiv, menefreghist, pa shpirt e emocion lexojmë këtë vendim fat, ku të huajt janë vec lajmësit e një autorësie të vjetër.
Si “n’gjonë e huj” do thoshin tironsit e si “n’gjonë e huj” po projektohet ruajtja e historisë komuniste, me të njëjta metoda e manipulime si të idhullit të saj E.H.
Në qytetin në të cilin po zhduken rrënjët e historiografisë së lindjes e formimit të tij, ku po shkatërrohet cdo dëshmi e gjurmë e identitetit autoktonë, ku po shembet çdo objekt i arkitekturës urbane, në qytetin e lënë qëllimsht pa muze e pa institucion të kulturës tradiconale, në qytetin ku banorët autoktonë nuk bënë kurrë kompromis me diktaturën, komunizmi nuk është zhdukur.
Më i egër se baballarët e tij, shfryhet kundër qytetit e banorëve frikësisht më Diabolik se dje.
Te kapin ç’të mundin, e pa investuar asgjë, hartojnë dosjen projektuale për të përfituar fondet e huaja për ta ristrukturuar.
Vila e Turpit është shembulli perfekt i qytetit e i banorëve të saj, viktima të vjedhjes, dhimbjes, vrasjes, dënimit, burgut, torturës së njerëzve të pafajshëm, burgimit e persekutimit të pronarëve të ligjshëm e profesionistëve të aftë, ekzekutimit të patriotëve, për kapricot e pabesitë antishqiptare të kapos së kapove të komunizmit shqiptar.
E për ironi të fjalëve që luajnë me atë çka shkruaj, kjo vilë ka në historikun e saj, pronarët e huaj.
Prej qershorit të 1942, kjo vilë është në pronësi të shtetases italiane nga qyteti i Genovas Velleda Lucia Costa e cila ja bleu truallin sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti. Ky sipërmarrës prej vitit 1940 ia kishte marrë me qera për 99 vite, pronarit Hamit Myftiu. Me një akt shitje më 2 qershor 1942 shtetasja italiane u bë pronare e truallit dhe e shtëpisë.
Enver Hoxha e zaptoj paligjshmërisht këtë Vilë për gati gjysmë shekulli duke marrë bashkë me të dhe vilën në krah, të pronarit Qemal Biçakçiu.
Ish pronarët e vilave patën të njëjtin fat si pronarët e të gjithave vilave të Tiranës.
Hamit Myftiu u dënua me vdekje më 198. ndërsa Qemal Biçakçiu bëri 14vite burg e u persekutua deri sa ndërroj jetë.
Më 1973, familja diktatoriale ndërtoi shtesën e re me arkitekturë socialiste, e njohur sot si bar-lokal i frekuentuar nga të rinjtë.
Thuhet se si në këtë lokal ashtu dhe në vilën e turpit, hyn e del si i shtëpisë, sot si dikur, i preferuar i Vejushës së Zezë.
Si në “gjonë e huj” jep e merr me turistët e klientët që vijnë për ta vizituar.
Por në Tiranë nuk ka shtëpi pa zot, e në pronën e të tjerëve si dje dhe sot je veç i HUAJ.
blank

Qeveria e PS e periudhës 2013-2021 ka emëruar disa ministra të PD në poste të rëndësishme – Nga SHABAN MURATI

Qeveria e Partisë Socialiste e periudhës 2013-2021 ka emëruar disa ministra të Partisë Demokratike në poste të rëndësishme. Madje kjo qeveri e Partisë Socialiste i jep ndonjë ministri të Partisë Demokratike, që nuk ka asnjë meritë në asnjë fushë publike, edhe pension të posaçëm.(?!)

Qeveria e Partisë Demokratike e periudhës 2005-2013 ka emëruar disa ministra të Partisë Socialiste në poste të rëndësishme. A është ky fenomen politik shqiptar një tregues i pikënisjes së përbashkët të dy partive kryesore politike, PS dhe PD, apo i pikëmbërritjes së përbashkët të tyre?

blank

Andërruesit e uzurpimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike – Nga ROMEO GURAKUQI

Larg vëmendjes së opinionit publik, në të nxehtin e madh të korrikut, në kohë pushimesh, ndodh çdo vjetë, që zotnuesit e parcelave institucionale të shtetit tonë të paarrirë, republikës që nuk funksionon njësueshmërisht me kapacitetin e një sistemi ligjor në të cilin administratorët kanë juridiksione dhe përgjegjësi të përcaktueme, të nxitun nga ambicjet përsonale dhe të privuem nga respekti ndaj shteti ligjor, mundohen me u shtri pa u ndie, ndër hapësira të reja, në mënyrë që shtatori t’i gjejë para fakteve të kryeme, zotnimeve të çertifikueme dhe askush ma, përfshi Opozitën, të mos arrije me i kthye “të drejtat” e marruna tinzisht, në pozicionin pararëndës normal.
E tillë me ngjan edhe lëvizja e javës që shkoi në korridoret e Akademisë së Shkencave:
Me, 21 korrik 2021, u zhvilluan zgjedhjet për strukturat drejtuese të Akademisë së Studimeve Albanologjike, institucion ky që operon brenda Ligjit të Arsimit te Larte dhe Kërkimit Shkencore në RSH. Procesi zgjedhor dhe rinovimi i institucioneve u zhvillua konform rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe nën monitorimin e MAS. Institucionet, gjegjësisht Rektorati, Senati, Dekanatet dhe drejtuesit departamentalë, u rinovuan, ndërkohë që në ditët në vijim pritet zyrtarizimi nga Ministria e Arsimit (Institucion ma i naltë ekzekutiv i vartësisë) dhe institucioni i Presidentit të Republikes (si garant i indipendencës, paprekshmërisë së lirisë akademike dhe institucionale).
Ndërkohë që procesi po përfundonte në institucionin e vendosur me seli qendrore ne Sheshin “Nanë Tereza”, në një institucion tjetër, krejtësisht të veçantë dhe pa asnjë lidhje ndërvarësie me ASA, të vendosur me seli ngjitur me ndërtesën e Parlamentit të Shqipërisë, d.m.th. në Akademinë e Shkencave, protokolloheshin tre dokumente të adresuara, në emër të kryetarit në detyrë të atij institucioni, Asamblesë së ASH, via e-mail: 1. Nje Qarkore drejtuar anëtarëve të Asamblesë së ASH; 2. nje Projektvendim për kalimin e Instituteve kerkimore te Albanologjisë pranë ASH; 3. Një RELACION për kalimin dhe organizimin e ish instituteve të Albanologjisë, pranë Akademisë së Shkencave.
Madje, zotërinjtë e institucionit të lartë promovues të shkencës (vini re, ASH nuk është me ligjin shqiptar institucion kërkimor), pa u bazuar në asnjë ligj që lejon ambicjet përthithëse të një institucioni të pavarur ndaj një institucioni tjetër të pavarur, kanë përcaktuar edhe proceduren që do të ndiqet (afërmendsh që mund t’ia imponojë kush KM tonë rrugën se si Ai do të duhet të veprojë në këto kohë të trazuara), që u ofrohet ndër të tjera edhe asambleistëve me formim konstitucionalistë, duke i implikuar edhe ata në këtë sipërmarrje jashtë kornizave të legjislacionit:
a. Projektvendimi i përpiluar në zyren e kryetarit në detyrë të ASH (kujtoj se procedura e rikonfirmimit të tij në drejtim, për shkak se ligji mbi ASH ka dale mbas vendimit të pare të Asamblesë, nuk është përmbyllur nga një mbledhje e re e Asamblesë së ASH, sikurse e kërkon ligja), përcillet me e-mail për aprovim online nga ana e anëtarëve të ASH, me sa lihet të kuptohet, pa të drejtë debati në aulen e Asamblesë.
b. Më pas, projektvendimi i kalon për aprovim Këshillit të Ministrave të RSH.
Hartuesit as nuk duan t’ia dijnë fare se procedurialisht bëhet fjalë për një institucion (ASA) krejt tjetër të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor pa ndërvarësi, të sanksionuar si i tillë nga ligji, vendimi i një ekzekutivi shqiptar dhe një dekret presidencial; një institucion që operon në indipendencë të plotë, me institucionet e veta vendimarrëse dhe ekzekutive, brenda kuadrit të një ligji krejtësisht të veçantë (Ligji i Arsimit të Lartë dhe kërkimit Shkencor) nga ligji me të cilin operon ASH (Ligji Mbi Akademinë e Shkencave).
Po të lexohen me kujdes dokumentet e dala nga zyra qendrore e ASH, dallon me lehtësi këto orientime themelore frymëzuese:
Së pari, një shkrim me argumentim të nivelit të dobët gazetaresk, jashtë standardeve të një arsyetimi të përpunuar akademik e institucional, i ngjashëm në formë dhe përmbajtje, me shkrimet e dikurshme të rubrikës arsimore dhe shkencore në gazetën “Zëri i Popullit”, në vitet 1980’.
Së dyti, në vitin 2021, në kohën kur shoqëria shqiptare me ndihmen e partnerëve ndërkombëtare po punon intensivisht, që askush të mos vendoset mbi ligjin dhe askush të mos veprojë në institucionet shtetërore mbi udhëzimin e pasjoneve vetjake, ose mbi kushtetuten, shohim të ripërtërira në thelbin e synimeve, me një trimëri të pabesueshme, ambicjet uzurpuese të personazheve të botës së vjetër, të rrëzuar dhe shfuqizuar 30 vite më parë, që mendonin në atë kohë, se mund të zgjidhnin me një lidhje të shkurtër, edhe pse të paparashikuar nga kuadri ligjor, çdo projekt përforcues të domeneve që kanë zënë në mënyrat e tyre ende të panjohura qartazi për opinionin publik të një vendi që mendon të integrohet në Europën demokratike.
Së treti, edhe pse ASH është një institucion honorifik promovues i shkencës në tëresi, fokusi i goditjes akaparuese nuk është drejtuar ndaj të gjitha institucioneve shkencore, që u shpërndanë ndër IAL në vitin 2007, por vetëm tek institutet e studimeve shqiptare. Dhe si për koincidencë (që unë kam arsye ta besoj se nuk ështe e tillë mbasi edhe shkruesit nuk e fshehin aspak në Relacion), kjo kërkesë ndodh pikërisht në ditët dhe muajin kur ASH, në kundërshtim me rregullat e shtetit të së drejtës, që përcaktojnë ku merret fondi për kërkimin shkencor dhe nga kush aplikohet për ta marrë, ka arritë të vendoset në zotërim të një fondi të paimagjinueshëm për një vend të varfër dhe me borxhe të mëdha publike, për rishkrimin e një historie që e kanë rishkruar, pikërisht institucionet që ajo kërkon t’i uzurpojë, sot, ditën kur të gjithë duhet të jenë korrekt me ligjin. A është kjo një perpjekje e dëshpëruar për të shpëtuar nga problemet që lindin nga devijimi i pabazuem i buxhetit të shtetit për kërkimin shkencor me rastin e të ashtuquajturit projekt të rishkrimit të historisë?!
Së katërti, teksti është shkruar me një sens injorues të punës akademike pararëndëse, shtrembërues të të vertetave dhe fakteve në lidhje më ndërlikimet e legjislacionit, deri edhe falsifikues të historisë së gjatë të ekzistencës së institucioneve që janë marrë me studimet shqiptare në këtë vend, në mbi 100 vite jetë shtetërore dhe të personaliteteve të mëdhenj, që ato nuk duan as t’ua përmendin emrin (As nuk permendet fare ekzistenca e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte). Në relacion dallohet qartë fryma puniste, mishëruar në tezën se shkenca fillon me vendimarrjet e PPSH mbi studimin dhe arsimin në Shqipëri, dhe gjërat duhet të kthehen ashtu siç ishin konceptuar në kohën e udhëheqësit të diktaturës, duke fshirë Koliqin, Pader Gjergjin, Pader Antonin dhe koleget e tyre te ndritun, Mid’hat Frashëri, Aleksander Xhuvani, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Ethem Haxhiademi, Sotir Kolea, Vangjel Koça, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Pader Benardin Palaj, Ndue Paluca, Vinçens Prennushi, Ilo Mitko Qafzezi, Namik Resuli, Ekrem Vlora, etj. etj.
Së katërti, bie në sy guximi i shkruesve të relacionit, të cilët nuk mund t’i fshihen më publikut mbas emrit të kryetarit të tyre: shkojnë deri në sipërmarrjen e tagreve audituese, vlerësuese dhe monitoruese ndaj ASA, kolegëve që punojnë atje, duke kryer në Relacion, përkufizime fyese, përkundër etikës mes profesoratit dhe rregullave të recensimit akademik, të punës kërkimore dhe veprimtarisë botuese të ASA. Dhe kjo kritikë abstrakte ndodh nga një pakicë burokratësh, që punojnë në atë administratë vegjetuese përballë Qendrës “Toptani”, të cilët nuk kanë, as kodet formative mbi bazën e të cilave të ndërmerret një vlerësim i tillë, as instrumentët e nevojshme profesionale dhe as tagrin për ta realizuar përkufizimin që ata kanë shkruar në Relacion.
Së pesti, autorët e tekstit injorojnë faktin se nuk është ASA përgjegjëse për prishjen e kuadrit ligjor dhe krijimin e vakumeve në 5-6 vitet e fundit, por është legjislatori dhe politikëbëresi i mangët, rrumujaxhi; janë ata që nuk njohin mirë Shqipërinë dhe institucionet e saj; ata që bijnë pre e interesave private në arsimin e lartë, të atyre individëve që donin të vendoseshin gjithnjë e më shumë në zotërim të fondeve publike, që ishin përcaktuar në fillesën reformuese të shkonin themelisht tek studenti dhe profesori i IAL-ve publike, dhe jo tek zotat e vilave të periferisë së Tiranës, që kanë ba lamsh sistemin universitar shqiptar dhe po i degdisin studentët më të mirë jashtë vendit amë.
Në vitin 2007, kam qenë pjesë e grupit të punës të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, që pas një përpjekjeje të madhe bindesë mbi nevojën e ekzistencës edhe ma tutje dhe të transformimit bashkëkohorë të tyre, ia arritëm të shpëtonin nga shkrirja ndër universitete, Institutet që merreshin me studime shqiptare, asokohe pjesë e Akademisë së Shkencave vendosur nën target reformimi nga ekzekutivi dhe legjislativi.
Për rrjedhojë, QSA/ASA u rithemelua si një Qendër Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike në varësi institucionale nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Themelimi i QSA/ASA pati si synim t’i rikonceptonte institucionet e kërkimit shkencor në fushë të shkencave shoqërore dhe humane, në përputhje edhe me rimarrjen e traditës së dekadave të shtetformimit, me nevojat e sotme të shoqërisë shqiptare, me mënyrën e funksionimit të shkencës dhe informacionit shkencor brenda një shoqërie demokratike të europianizuar, të tregut dhe të hapur, në kushtet e globalizimit të shkencës, të teknologjisë dhe të informacionit, të proceseve integruese në Europë, si edhe në funksion të zbulimit, ruajtjes, promovimit dhe reflektimit shkencor mbi pasurinë kombëtare të popullit shqiptar.
Ky ndryshim u shoqërua në mënyrë të menjëhershme asokohe, pas vitit 2008, edhe me reformimin e kuadrit epistemologjik, strategjik, institucional dhe funksional të kërkimit shkencor në fushat albanologjike në ASA, mishëruar në një numër dokumentash bazë standardizues dhe në procedura që ndiqen me korrektësi nga ana e departamenteve përbërëse të Instituteteve.
Lidhur me strukturën institucionale të instituteve përbërëse, ata u bënë pjesë e një Akademie të tërë, organikisht e lidhur mirë mes vetes, që vepron në mënyrë ndërdisiplinore dhe të bashkërenduar. Vetë Akademia ka pasur status special brenda sistemit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në RSH dhe sipas vendimarrjes së drejtuesit aktual të qeverisë shqiptare, komunikuar me rektoret para 5 javësh në një mbledhje të bërë të njohur për median, do të vijojë sërish të jetë e tillë, duke plotësuar aspektet legale të harruara nga legjislatori në vitin 2015.
Që në vitin 2007, ligjvënësit ranë në një mendje me ekipin projektues,që të ruhej edhe më tutje autonomia dhe emërtimi i Instituteve të Historisë, Arkeologjisë, Gjuhësisë dhe Letërsisë, Antropologjisë Kulturore, sepse kjo lidhej me disa faktorë shumë të rëndësishëm funksionalë: me ruajtjen e traditës, mbajtjen e ekuivalencës me organizmat homologë në botën shqiptare dhe përtej saj, me ruajtjen e specializimeve të brendshme në formë grupesh kërkimi dhe mësimdhënieje, etj.
Në ASA, vlerësimi dhe gjykimi i rezultateve të punës shkencore kryhet vetëm brenda kritereve shkencore të njohura universalisht dhe realizohet në mënyrê zyrtare ekskluzivisht nga komuniteti shkencor dhe nga instancat e aftësuara për këtë mision. Askund në legjislacion nuk është shënuar që ca njerëz të atashuar pranë zyrave qendrore të ASH kanë tagret kontrolluese, përthithëse dhe monitoruese ndaj ASA. Institutet përbërese të ASA në mënyrë të pavarur nga shkollat e larta të vendit themeluan shkollat universitare në nivel masteri dhe doktorature, të profilizueme në fushat e kërkimit, njëlloj si çdo institucion i lartë në RSH, por që zhvillimet tërësore në Shqipëri pas ndalimit të tejzgjatur për të gjithë IAL të vendit të shkollave doktorale, e kanë penguar vijimin e funksionimit me të regjistruar të rinj.
Kjo është tabloja e vërtetë e jetëve të pavaruna të dy institucioneve të vendosuna në rrafshe të ndryshme brenda sistemeve ligjore në Shqipëri. Ndërkohë, mbi situatën në tanësi ndikojnë edhe faktorë të tjerë, që lidhen me pozicionin e anuem dhe të pafshehun politik, për shkak të funksioneve të hershme në strukturat e shtetit të dikurshëm, ligjerimit të ngrirë në kohë, të komandës së sotme administrative të ASH; një statusi të privilegjuar financiar, që jep qenia e njëkohëshme e punonjësit shkencor dhe universitar, edhe anëtar i ASH, për rrjedhojë edhe të një situate mosvepruese dhe të konfliktit të interesit, që lind vetvetiu në ushtrimin e funksioneve drejtuese në ASA, që do të duhet të zgjidhet me ndryshime në statutin e ASA, për të mos krijuar ma pozicione dyfishe të pavendosuna qartazi, fate institucionale të drejtueme në udhëkryqe të panevojshme, rrjedha karrierash të profesoratit të cënueme nga pasiguria.
U ula të shkruaj këto radhë ndër të tjera, për t’i shpjeguar lexuesve, atyre që komandojnë punët në këtë vend, se Akademia e Studimeve Albanologjike është ndër institucionet e pakta serioze në vend, të paprekuna nga sëmundjet e rënda me të cilat përballet shoqnia shqiptare, administrata e saj. Është për të mirën e këtij vendi, që institucionet ku prej shumë dekadash studiohet gjuha, historia, kultura shqiptare, ku janë të arshivuara dokumentet materiale, fondet arkivore të brezave, puna e njërëzve ma të ditun të këtij vendi, të ruhet dhe të mbrohet. Ndërkohë puna e matejshme e profesoratit aktual duhet të ndihmohet në mënyrë strategjike, për shkak të randësisë kombëtare, duke ia larguar nga rrezja e punës së tyre të përditshme, ambicjet e shfrenueme të njerëzve që nuk kuptojnë se koha e kontrolleve dhe sundimeve ka përfunduar.
Shkodër, me 25.07.2021
blank

DI MAIO DHE ATA LAJME MBI KINËN – Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA – Përktheu Eugjen Merlika  

 

 

Nuk e di nëse ministri i punëve të jashtëme Luigi di Maio – mbështetës i madh i arritjes n’Itali të Rrugës së Mëndafshit, e vënë në lëvizje nga qeveria kineze për të ndihmuar ndikimin e saj në botë, dhe në përgjithësi i përshkuar nga simpatia më e gjallë për qeverinë e Pekinit – është vënë në dijeni nga bashkëpuntorët e tij për një deklaratë të fundit të përpiluar nga një duzinë ekspertësh të të drejtave të Kombeve të Bashkuara. Në mëdyshje po kërkoj t’a bëj un.

Pra, ekspertët e OKB kanë lëshuar kushtrimin për lajmet që i u kanë mbrritur atyre rreth një praktike mizore që po sendërtohet gjithënjë e më shumë nga autoritetet kineze: heqja e dhunëshme e organeve në dëm të të burgosuurve pjestarë të pakicave të përndjekura nga regjimi komunist. Në këtë rast përveç Ujgurëve myslimanë, budistët tibetanë  dhe katolikët e pa-angazhuar, veçanërisht praktikanët e Falun Gong.

Një numër i caktuar pjesëmarrësish të këtyre grupeve i nënështrohen përdhuni një sërë kontrollesh (analiza gjaku, ekografira e radiografira të organeve të ndryshme të brëndëshme etj.), përfundimet e të cilëve, nëse janë pozitive vihen në një bankë të madhe të dhënash për të vendosur t’u a japin ata organe (veçanërisht zemrën, veshkat, mëlçinë e zezë dhë kornet e syve) atyre që përveç se kanë nevojë janë, mund të hamendësohet lehtë, në hirin e Pushtetit.

Pekini natyrisht përgënjeshtron.  Pranon që e ka përdorur një praktikë të tillë: por vetëm për të dënuarit me vdekje, vetëm deri në vitiin 2015, e krejtësisht “mbi baza vullnetare”. Por nuk shpjegon se çfarë zanafille ka atëherë numëri tepër i lartë i trapianteve që, edhe mbas asaj date, vazhdojnë të kryhen në Kinë, pa asnjë proçedurë të njohur ndërkombëtarisht prejardhjeje të organeve.

Por kush e di nëse di Maio, po t’i a kërkonte ambasadorit kinez në Romë, ndoshta do t’ishte kaq fatlum sa që t’arrinte t’a dinte.

 

“Corriere della Sera”, 17 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika

blank

EVROPA NË UDHËKRYQIN E TË DREJTAVE – Nga GOFFREDO BUCCINI – Përktheu Eugjen Merlika  

 

Mënyrës si është themeluar Karta e Ventotenes i kundërvihet ajo e

 Vendeve ish komuniste.

           

            Më së fundi bancomati ka ngecur. Mbas vitesh dykuptimësie, porosish të kota, proçedurash të vona thyerjesh, Bashkimi evropian duket i lodhur nga të shfrytëzuarit si vetëm një shpërndarës i thjeshtë pasurish nga antarë armiq të parimeve të tij frymëzues (“një bankomat”, pikërisht, simbas përcaktimit therës të polakut Kaczynski). Përplasja e këtyre orëve ndërmjet Brukselit të Ursula von der Leyen dhe Hungarisë së Viktor Orbanit është më e gjërë dhe më e thellë se sa casus belli i saj: një ligj i miratuar në qershor nga Budapesti.

Teksti i propozuar në fillim “mbrojtja e fëmijëve kundër pedofilëve”, nëpërmjet katër amendamenteve, hedh në të njëjtin kazan të poshtërsisë të gjithë ata që nuk hyjnë në moralin e Shtetit hungarez, homoseksualë e transeksualë në krye. Një normativë që presidenteja e Komisionit e ka përcaktuar “e turpëshme” e që cënon të drejtat themelore të mbrojtura nga traktatet tona, simbas shtatëmbëdhjetë Shteteve antarë: praktikisht e gjithë Evropa e Perëndimit.

Sepse kjo është, në thelbin e saj, çështja e vërtetë për të cilën sot Orbani përfaqëson një lloj simboli të gjallë, udhëkryqin ndërmjet dy mënyrave të të qënit në Bashkim: një Evrope që edhe se ndërmjet pavijueshmërish dramatike e luftërash vëllavrasëse, ka nxjerrë nga dhimbjet e gabimet e saj arsyet për të zgjeruar më shumë të drejtat e qytetarëve të saj në frymën e kartës së Ventotenes; dhe një tjetër Evrope që, e dalë nga gjysmë shekulli diktature komuniste, shfaq një vonesë patologjike në kuptimin e atyre të drejtave dhe zgjedh të njëjtësohet në ossimoron [1]e “demokracisë illiberale” (për shembull, simbas Ekonomistit, më pak se 50 % e hungarezëve, polakëve e rumunëve mendon se homoseksualët duhet të kenë të njëjtat të drejta si eteroseksualët).

Krizat e përsëritura të Bashkimit (më e madhja ajo e borxhit sovran në kapërcyell të vitit 2010) kanë shtyrë gjatë llogaridhënien. Hovi kulturor i futur nga pandemia, me paratë shpëtimtare të Recovery Plan, të rrjedhura për të parën herë  nga borxhi i përbashkët (dhe i bashkësisë) ka zbllokuar menjëherë rrugën pa krye dhe ka shtyrë  ndarjen e hesapeve. Sepse këtë herë Brukseli  nuk ka nga ana e tij vetëm kërcënime të kota, ose proçedura që për t’i dalë në krye kërkojnë vite durimi dhe unanimitete të pamundura. Ka armën e fundit mundësinë shkatrrimtare  të mos dhënies së fondeve të Pnrr: një ndëshkim i menjëhershëm që do t’i kushtonte Orbanit shtatë miliard e gjysmë.

Udhëheqësi hungarez është njeriu i paradokseve, pra përpiqet të kthejë luftën e tij kundër lirisë së hungarezëve në një betejë në dobi të lirive të tyre kundër një Bashkimi evropian “kolonialist”, të paraqitur si një Bashkim Sovjetik i ri. Nga ana tjetër, megjithëse është bërë kanakar i së djathtës radikale italiane, i detyrohet (në mënyrë paradoksale) një ati fisnik të së majtës sonë për hyrjen e Vendit në shtëpinë evropiane. Qe Romano Prodi, në cilësinë e kryetarit të Komisionit, që luftonte për t’arritur në vitin 2004, zgjerimin e BE ndaj “jetimëve” të BRSS, me një nxitim t’urdhëruar sigurisht nga synime të lëvdueshme por paralajmëruese të përfundimeve të diskutueshme. “Në vend që të shkruheshin rregullat e reja institucionale të Bashkimit para se t’i hapnim dyert të ardhurve të rinj, i ftuam t’i shkruanim së bashku me ne dhe disa Vënde që nuk kishin tradita evropeiste dhe ishin më shumë të interesuar  për të ruajtur xhelozisht sovranitetin e tyre kombëtar”, ka vërejtur vite më parë në këtë gazetë Sergio Romano.

Ideja ishte që mirëqënia ndërmjet dy pjesëve  do të nivelohej me shpejtësi. Zhgënjimi si pasojë e dështimit të saj ka qenë benzina m’e mirë e Orbanit, që nga 2010 ka ndryshuar në kah autoritar Kushtetutën dhe është bërë pika e riferimit të grupit të Vishegradit, armik i çdo rindarjeje të të mërguarve ndërmjet Vëndeve të Bashkimit: objektivisht një kundërshtar i frikshëm i Italisë në një nga kartelat tona më të hajthëta; por, për një tjetër paradoks, i mbrojtur skajshmërisht nga disa sovranistë që sodisin parësinë e italianëve. Arsyeja e kësaj mbrojtjeje të vullnetëshme është se, nëse Orbani do t’a kalonte pa dëm vërtetonte që Bashkimi është një Mosbashkim, një banesë e lirë të konfederuarish që nuk bashkëndajnë as edhe një antenë parabolike në ujdi për t’ardhmen e që Evropa do të kthehej ajo e atdheve të vogla, e dashur për atë që nuk ka kuptuar se bota e globalizuar nuk ka sustën e mbështjelljes së shiritit të trupëzuar në vete.

Natyrisht, ndalesa e fondeve të Recovery-t do të gjente justifikime më strukturore se omofobia ligjore e Orbanit. Komisari italian Paolo Gentiloni ka përmendur korrupsionin, hyrjen në informacionet, pavarësinë e drejtësisë, kontrollin e tenderave publikë: të gjitha nerva të zbuluara të një demokrature që ka nënështruar prej kohe gjykatës e gazetarë e që është nën shqyrtim për përqindjen e lartë klientelare të artikullimeve të saj institucionale. Dy praktikat vrapojnë paralelisht edhe se do t’ishte hipokrite të mohohej që e para mund të ndikonte rëndë vlerësimin e së dytës. Udhëkryqi qëndron pikërisht këtu tani. Për të parën herë, ndoshta të bashkuar nga ankthi i një viti e gjysmë pandemie, evropianët japin përshtypjen se kanë kuptuar se përse bëhet fjalë: të infektojnë me të vërtetë, me kulturën liberale të të drejtave, edhe atë gjysmë të Bashkimit të mbetur mbrapa apo të përgatiten për një Eurodalje deri tani të pamenduar, një Bashkim që të dalë nga krijesa e palumtur e projektuar në 2004, e të gjindet pak më i vogël mbi rruzull, por shumë më i fuqishëm e më i lidhur. Përpara se të dorëzohet duhet të ketë ndjekur deri në fund shpresën më të madhe: që vëllezërit tanë të Lindjes të lirohen nga tiranitë e mbuluara, ndjekëse të tiranisë së madhe sovietike, duke zbuluar se bancomati nga i cili kanë marrë deri tani në mënyrë të pavetëdijshme, të ketë një fjalë kyç për ta tepër gjatë të penguar. Dhjetë shkronja: demokracia.

 

“Corriere della Sera”, 9 korrik 2021   Përktheu Eugjen Merlika

 

[1] Ossimoro është një figurë retorike që qëndron në vënien pranë, në të njëjtën fjali, të dy fjalëve që shprehin koncepte krejtësisht të kundërta. (shënim i përkthyesit)


Send this to a friend