VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Palmer: Kosova të heqë tarifat, Serbia të ndalë fushatën për deligjitimim

By | October 24, 2019

Komentet

Procesi hetimor, nëntë zyrtarë të lartë dëshmojnë sot në Kongres

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojë sot dëshmitë hetimore të disa zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare, të cilët ishin dëshmitarë të telefonatës së korrikut mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Jennifer Williams, ndihmëse e Nënpresidentit Mike Pence, dhe Kolonel Lietnant Alexander Vindman, eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pritet të bisedojnë me Ligjvënësin gjatë sesionit të mëngjesit.

Kolonel Lietnant Alexander Vindman

Të dy zyrtarët kanë shprehur shqetësimin për telefonatën që gjendet në epiqendër të hetimeve për përpjekjet e mundshme të Presidentit Trump për t’i bërë presion zyrtarëve ukrainas që të hetonin rivalët e tij politikë.

Pasdite, komisioni do të dëgjojë dëshminë e Kurt Volker, ish-i dërguar i posaçëm në Ukrainë, si dhe Tim Morrison, ish-drejtor për Europën dhe Çështjet e Rusisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i dorëhequr muajin e kaluar.

Kurt Volker, ish-i dërguari i posaçëm në Ukrainë

Presidenti Trump u shpreh të hënën se do të “merrte realisht në konsideratë” të dëshmonte me shkrim në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump fillon herët kontrollin fizik vjetor

Presidenti Donald Trump bëri një vizitë të papritur në një spital ushtarak pasditen e së shtunës për atë që Shtëpia e Bardhë thotë se është një fillim i hershëm i kontrollit të tij të përvitshëm shëndetësor.

“Duke parashikuar një 2020 shumë të ngarkuar, presidenti po përfiton nga një fundjavë e lirë këtu në Uashington, D.C., për të filluar pjesët e rutinës së tij të ekzaminimit vjetor fizik në qendrën Walter Reed,” thanë një deklaratë sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham .

Presidenti kaloi rreth dy orë e 15 minuta në kompleksin mjekësor në Bethesda, Merilend. Një fotograf e pa Presidentin të dilte nga qendra mjekësore me një jakë të hapur dhe pa kravatë.

Sekretarja Grisham, menjëherë pas largimit të Trumpit, tha se presidenti iu nënshtrua një “ekzaminimi të shpejtë dhe analiza” dhe ai “mbetet i shëndetshëm dhe energjik pa ankesa, siç dëshmohet edhe nga prezantimet e tij të fuqishme në mitingjet para mijëra amerikanëve disa herë në javë”.

Sekretarja e shtypit nuk dha hollësi të tjera se çfarë lloji analizash iu nënshtrua Presidenti Trump.

Në një mesazh të mesnatës në Twitter (herët në mëngjes të së dielës), Presidenti Trump tha se ai kishte filluar “fazën e parë të kontrollit të përvitshëm fizik. Gjithçka shumë mirë (shkëlqyeshëm). Do ta përfundojë atë vitin e ardhshëm ”

Sekretarja Grisham tha gjithashtu se Presidenti, ndërsa ishte në qendrën mjekësore, përshëndeti gjithashtu stafin mjekësor “për t’i falenderuar të gjithë për kujdesin e jashtëzakonshëm që ata ofrojnë për luftëtarët tanë të plagosur dhe u uroj atyre një Ditë të mbarë Falenderimesh”.

Para se të largohej nga qendra Walter Reed, Presidenti Trump u takua gjithashtu me familjen e një ushtari të forcave speciale të plagosur në Afganistan.

Trump, 73 vjeç, u vlerësua në gjendje të mirë nga mjeku i tij zyrtar, Komandanti i Marinës, Sean Conley, pas një ekzaminimi në fillim të shkurtit në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda, Merilend.

Presidenti, i cili pëlqen gatimet fastfood dhe mishin e kuq, nuk pi alkool apo duhan. Ai nuk dihet të ketë patur ndonjë problem shëndetësor që kur u bë president në janar 2017, por ka një histori të kolesterolit të lartë dhe merr një dozë të ulët ditore të aspirinës për shëndetin kardiak. zëri i amerikës

Presidenti Trump fal dy ushtarakë amerikanë të akuzuar për krime lufte

Kundër këshillave të zyrtarëve të mbrojtjes Presidenti Trump fali të premten dy ushtarakë amerikanë të akuzuar për krime lufte në Afganistan, përfshirë një që ishte dënuar dhe një që ishte në pritje të gjykimit. Presidenti Trump i riktheu gjithashtu gradën një anëtari të ekipit SEAL i cili ishte ndëshkuar pasi pozoi me një viktimë në Irak.

Presidenti fali lejtnantin Clint Lorance dhe majorin Mathew Golsteyn. Lorance i urdhëroi ushtarët e tij të hapnin zjarr ndaj tre burrave të paarmatosur dhe u shpall fajtor për vrasje të shkallës së dytë dhe pengim të drejtësisë; Majori Golsteyn ishte në pritje të gjyqit për vrasjen e dyshuar të një afgani të dyshuar për një sulm me auto-bombë në 2010. Gjyqi i Golsteynit ishte caktuar të fillonte vitin e ardhshëm.

Trump gjithashtu i riktheu gradën e Shefit të Operatorit Special të Luftës, Edward Gallagerit, i cili ishte ndëshkuar pasi kishte pozuar me një kufomë luftarake të armikut, por ishte liruar nga akuzat për vrasje me paramendim dhe përpjekje për vrasje.

Sipas një raporti të CNN-it, zyrtarët e mbrojtjes e kishin paralajmëruar presidentin Trump se faljet mund të dëmtonin integritetin e sistemit gjyqësor ushtarak.

Shtëpia e Bardhë e mbrojti veprimin e Presidentit.

“Për më shumë se dyqind vjet, presidentët kanë përdorur autoritetin e tyre për t’u ofruar një shans të dytë individëve që e meritojnë, përfshi njerëzit me uniformë që i kanë shërbyer vendit tonë,” tha sekretarja i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham në një deklaratë të premten vonë. “Këto veprime janë në përputhje me këtë histori të gjatë.”

Roger Stone fajtor në gjykatën federale në Uashington

Marrë nga Associated Press

Roger Stone, një mik dhe aleat i hershëm i Presidentit Donald Trump, u shpall sot fajtor nga gjykata federale në Uashington.

Vendimi për zotin Stone u dha në çështjen gjyqësore gjatë së cilës i ishin paraqitur shtatë akuza. Ai akuzohej se i gënjeu ligjvënësit amerikanë për çështjen e WikiLeaks, se përpunoi dëshmitarët dhe se pengoi një proces hetimor të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë gjyqit të tij doli në pah se si bashkëpunëtorët e fushatës elektorale Trump dëshironin të merrnin informacion për email-et e vjedhura që dëmtonin kandidaten Hillary Clinton, të publikuara nga faqja në internet WikiLeaks.

Prokurorët thanë se zoti Stone gënjeu përpara Kongresit për shkëmbimet e tij me WikiLeaks me drejtuesin e një emisioni radioeje në Nju Jork, Randy Credico, si dhe me shkrimtarin konservator dhe teoricienin konspirativ, Jerome Corsi.

Ai u akuzua gjithashtu se u përpoq ta frikësonte zotin Credico dhe se madje e kishte kërcënuar se do t’i merrte qenin.

Zoti Stone i pati mohuar akuzat dhe e pati denoncuar çështjen si të motivuar politikisht. zëri i amerikës

Yovanovich: DASH nuk më mbrojti nga sulmet e presidentit

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovich i tha Kongresit se sulmet që e kanë origjinën te interesat korruptive kanë krijuar një krizë në Departamentin e Shtetit.

Yovanovich u tha ligjvënësve se ajo ishte viktimë e ”fushatës së dezinformimit” ku u përdorën “kanale të pasme jozyrtare” që çuan në largimin e saj nga Ukraina. Ajo tha se “vazhdon të jetë e habitur” për faktin që pati amerikanë, të cilët bënë partneritet me “disa ukrainas të cilët preferuan të luanin sipas rregullave të vjetra korruptive” në përpjekjet për largimin e saj.

Yovanovich dha gjithashtu alarmin se zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit nuk e mbrojtën nga sulmet e aleatëve të presidentit, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani.

“U ndjeva shumë keq kur dëgjova se Presidenti kishte humbur besimin tek unë,” tha ajo. Ajo foli para ligjvënësve për një “krizë në Departamentin e Shtetit”.

Dhoma e Përfaqësuesve dëgjoi të premten një dëshmitare të vetme në seancën e dytë publike për hetimin e Presidentit Donald Trump.

Ajo është Marie Yovanovitch, ish ambasadorja amerikane në Ukrainë, e cila u vu në shënjestër të aleatëve të presidentit në një fushatë “njollosjeje” që tani është në qendër të hetimit.

Ndërkohë që zonja Yovanovitch po dëshmonte, Presidenti Trump e sulmoi atë në Twitter, duke thënë se kudo që ajo ka shërbyer, punët kanë shkuar keq. Ish-Ambasadorja u përgjigj se fjalët e presidentit tingëllonin kërcënuese.

Diplomatja e karrierës, u ka shërbyer si presidentëve republikanë, ashtu edhe atyre demokratë.

Ajo dhe zyrtarë të tjerë që po dëshmojnë publikisht në seancat historike të Dhomës së Përfaqësuesve, po japin versionet e tyre të ngjarjeve, ku demokratët po mbështeten për të ngritur argumentin se sjellja e presidentit është e pafalshme.

Adam Schiff, kryetari demokrat i Komisionit të Inteligjencës, vlerësoi zonjën Yovanovitch, duke thënë se ajo u tregua “tepër e ashpër ndaj korrupsionit për disa, dhe qëndrimi i saj parimor i krijoi asaj armiq.”

U bë e qartë se “Presidenti Trump donte që ajo të linte postin,” tha ai.

Numri dy i komisionit, republikani Devin Nunes i Kalifornisë, u ankua se seancat dëgjimore ishin një “shfaqje televizive që zgjaste tërë ditën”.

Ai u ankua se demokratët po mbështeten në dëshmi të formës së thashethemeve, nga dëshmitarë që kanë informacion për veprimet e zotit Trump vetëm nga burime të dorës së dytë. Ai bëri gjithashtu presion që komisioni të dëgjojë dëshmi edhe nga një informator anonim, i cili paralajmëroi për herë të parë zyrtarët në lidhje me thirrjen telefonike të Presidentit Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në muajin korrik, që është në qendër të hetimeve.

“Këto dëshmi nuk duhet të bëheshin fare,” tha ai.

Me hapjen e seancave dëgjimore të premten, Shtëpia e Bardhë publikoi një transkriptim të përafërt të një telefonate të mëparshme që zoti Trump kishte patur me Presidentin e Ukrainës dhe që ishte kryesisht urim me rastin e zgjedhjes së Zelenskiy-t.

Zonja Yovanovitch dhe diplomatë të tjerë kanë thënë se Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Trump, ishte njeriu që drejtonte atë që ata e quajnë ‘kanal të parregullt’ jashtë rrjedhës diplomatike të marrëdhënieve SHBA-Ukrainë.

DEMOKRATËT DHE REPUBLIKANËT FORCOJNË MESAZHET

Sot, në ditën e dytë të seancave historike për të shqyrtuar shkarkimin e presidentit të 45-të të SHBA, demokratët dhe republikanët po forcojnë mesazhet e tyre për votuesit ndërsa përpiqen të bëjnë për vete opinionin publik.

Amerikanët janë të pozicionuar thellë në dy kampe në lidhje me hetimin për shkarkimin e Presidentit.

Kjo ka rezultuar në një betejë politike në rritje që do të verë në provë vendin në një nga epokat më polarizuese të kohëve moderne.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të enjten preferoi të përdorte një fjalë më popullore, “rryshfet” për të përshkruar veprimet e zotit Trump, në vend të frazës latine “quid pro quo” (më jep të jap) që demokratët kanë përdorur rëndom deri tani.

“Quid pro quo: rryshfeti”, tha zonja Pelosi për thirrjen telefonike të Presidentit Trump më 25 korrik, në të cilën ai i kërkoi Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy një favor.

Presidenti Trump thotë se telefonata ishte e përsosur.

Nga ana e saj zonja Pelosi tha: “Ishte përsosmërisht e gabuar. Ishte rryshfet”.

Të enjten, Presidenti Trump vazhdoi të sulmonte hetimet si “një mashtrim”. Ndërkaq, udhëheqësi i republikanëve të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy hodhi poshtë dëshmitë e paraqitura në seanca si thashetheme dhe informacion të dorës së dytë.

Në thelbin e tij, hetimi për shkarkimin e presidentit ka të bëjë me telefonatën e Presidentit Trump në muajin korrik me Zelenskiy-n që fillimisht tërhoqi vëmendje kur një kallëzues anonim paraqiti një ankesë.

Në bisedën telefonike të korrikut, zoti Trump kërkoi një “favor”, sipas një versioni të dhënë nga vetë Shtëpia e Bardhë. Ai shprehu dëshirën që Ukraina të hetonte demokratët dhe rivalin e tij Joe Biden, kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2020-s. Më vonë u zbulua se administrata po ia vononte ndihmën ushtarake Ukrainës. zëri i amerikës

Ambasadori Grenell në mbështetje të nismës për “shengenin ballkanik”

Ambasadori Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten se e mirëpret nismën për “shëngenin ballkanik”, duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, përfshirë edhe Kosovën.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin, thuhet se “ne mirëpresim nismën për “mini-Shengenin” e Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në deklaratë.

Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Balkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Të dielën që lamë pas, në Ohër u mbajt takimi i radhës që pasoi atë të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad dhe aty ishin ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Por Kosova refuzoi pjesëmarrjen duke e cilësuar nismën si një përpjekje për rikrijim të një Jugosllavie. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk dëshiron ta zëvendësojë ardhmërinë euroatlantike me çfarëdo nisme rajonale.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, tha të mërkurën se është bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Shqipëria, sipas tij, është dashur të presë formimin e qeverisë së re të Kosovës para çdo nisme rajonale.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, kritikoi Kosovën për vetizolim ndërsa theksoi se nisma ka për qëllim vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. zëri i amerikës

Trump, trysni presidentit Erdogan për sistemin rus të raketave

Presidenti Donald Trump tha në një konferencë shtypi në Uashington me Presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan se blerja e sistemit të mbrojtjes ajrore ruse nga Turqia krijon ”sfida serioze”, por shtoi se shpreson që ato të zgjidhen.

Turqia, anëtare e NATO-s, e zemëroi SHBA-në kur bleu sistemin rus S-400. Uashingtoni thotë se sistemi në fjalë paraqet një kërcënim për aeroplanët e NATO-s dhe të SHBA. Administrata Trump u përgjigj duke e larguar Turqinë nga programi për prodhimin e avionit luftarak F-35.

Presidenti Trump tha të mërkurën se ai kishte biseduar për këtë çështje me presidentin e Erdogan dhe i ka kërkuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarëve të tjerë që të përpiqen për ta zgjidhur problemin.

Ndërkaq, në një takim që patën me Presidentin Trump dhe zotin Erdogan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, pesë senatorë republikanë i bënë presion presidentit të Turqisë për të ditur arsyen se pse Turqia bleu sistemin rus, megjithëse është anëtare e NATO-s.

Senatorët gjithashtu shprehen shqetësim për forcat kurde të mbështetura nga SHBA që janë vënë në shënjestër nga Turqia.

Presidenti Trump tha në konferencën e shtypit se dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje tregtare të dyanshme me Turqinë për të rritur tregtinë mes dy vendeve.

Nga ana e tij, zoti Erdogan tha se brenda gjashtë muajsh deri në dy vjet, Turqia mund të riatdhesojë rreth 1 milion refugjatë që ndodhen në Turqi, duke i sistemuar ata në një zonë të sigurt në veri të Sirisë.

Presidenti Erdogan nisi një ofensivë ushtarake në Siri më 9 tetor me qëllim pastrimin e zonës nga luftëtarët kurdë të mbështetur nga SHBA, të cilët ai i sheh si kërcënim.

Qeveria e Turqisë thotë gjithashtu se shpreson të risistemojë rreth 2 milion nga 3.6 milion refugjatët e luftës siriane.

Zoti Erdogan tha se shpreson të bindë donatorë ndërkombëtarë për të ndihmuar. Ai shtoi se 1 milion refugjatë mund të riatdhesohen në qytete si Raka dhe Deir el-Zour, qyteti më i madh në Sirinë lindore.

Presidenti i Turqisë tha në konferencën e shtypit se vendi i tij është “i lënduar thellë” nga një rezolutë e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan që njeh vrasjet masive të armenëve një shekull më parë nga turqit osmanë si gjenocid.

Rezoluta ishte qartazi një qortim ndaj Turqisë, pas ndërhyrjes ushtarake të saj në Sirinë veriore.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se rezoluta mund të hedhë një “hije të thellë mbi marrëdhëniet dypalëshe”.

Historianët vlerësojnë se deri në 1.5 milion armenë u vranë në kohën e Luftës së Parë Botërore, dhe shumë studiues e shohin atë si gjenocidin e parë të shekullit të 20-të. Turqia e kundërshton këtë përshkrim të asaj që ndodhi.

Presidenti Erdogan tha se vendimmarrësit për një ngjarje 104 vjet më parë duhet të jenë historianët, jo politikanët.

Dhjetra kurdë dhe përkrahës të tyre valvisnin flamuj kurdë dhe amerikanë jashtë Shtëpisë së Bardhë për të protestuar ndaj takimit të Presidentit Trump me udhëheqësin e Turqisë, Erdogan. Ata hidhnin parulla që kërkonin tërheqjen nga Siria veriore të forcave që mbështeten nga Turqia.

Presidenti Erdogan i sheh forcat kurde në Siri si zgjatim të grupit separatist kurd që lufton brenda Turqisë që nga vitet ’80.

Trump përshëndet marrëdhëniet e SHBA-së me Erdoganin

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, teksa të dy liderët kanë nisur takimin për të tejkaluar dallimet në mes të të dyja vendeve, duke nisur nga politika rreth Sirisë, e deri të blerja e sistemeve raketore ruse nga ana e Turqisë.

Mirëpritja e ngrohtë e Trumpit për presidentin turk, vjen në kohën e rritjes së zemërimit në Kongresin amerikan për ofensivën e nisur nga Ankaraja më 9 tetor në Siri, me qëllim të largimit të milicisë kurde nga kufiri Turqi-Siri.

Milicia kurde ka qenë partneri kryesor i Uashingtonit në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik.

“Ne kemi qenë miq për një kohë të gjatë, pothuajse nga dita e parë. Ne kuptojmë shtetet e njërit-tjetrit. Ne e kuptojmë se prej nga kemi ardhur”, i ka thënë Trump Erdoganit, teksa janë ulur në Zyrën Ovale.

“Ata janë shumë të respektuar në shtet dhe rajon”, ka thënë Trump për Erdoganin dhe gruan e tij, Emine.

Ai po ashtu ka thënë se do të diskutojë blerjen e sistemeve ruse për mbrojtje S-400 nga ana e Ankarasë.

Përveç kësaj, Trump ka thënë se të dyja palët do të bisedojnë rreth një marrëveshjeje tregtare në vlerë të 100 miliardë dollarëve. rel

Rrugëtimi i gjatë i grave në ushtrinë amerikane

Vetëm 25 vjet më parë, gratë në SHBA nuk lejoheshin të ishin pilote avionësh luftarakë apo të përdornin tanke. Por megjithë pengesat fizike dhe kulturore, gratë gjithmonë kanë dashur të shërbejnë në ushtri. Iuliia Iarmolenko e Zërit të Amerikës bisedoi me një nga veteranet të Luftës së Dytë Botërore që gjeti një mënyrë për ta realizuar ëndrrrën e saj në një kohë kur dukej e pamundur.

Libby Haynes është 92 vjeç. Avionët kanë qenë pasioni i saj për mbi 75 vjet. Kur mamaja i dhe 10 dollarë si dhuratë për ditëlindje në moshën 17 vjeçare, Haynes dinte ç’të bënte.

“Prenotova një mësim fluturimi. Shpenzova 6 dollarë për të marrë me qera një avion të lehtë për një orë, 3 dollarë për një instruktor dhe një dollar për bllokun e regjistrimit të orëve”.

Në vitin 1945, Libby kishte përfunduar një kurs trajnimi për Programin e Patrullës Civile Ajrore për Kadetët dhe u bë infermiere. Por pas Luftës së Dytë Botërore, ajo vendosi t’i rikthehej fluturimit.

“E vetmja mënyrë që mund ta përshkruaj është që kisha një pasion të jashtëzakonshëm dhe që isha e destinuar të hyja në Forcën Ajrore. Nuk di nëse mund ta quaj një forcë të padukshme por ishte vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë në jetë!”

Ushtria amerikane nuk pranonte gra në shërbimin aktiv ushtarak deri në vitin 1972, por më parë Haynes monitoronte motin për avionët. Ajo ishte edhe pilote me Patrullën Ajrore Civile dhe bleu një avion të vogël që e përdorte për të shkuar në shtëpi për fundjavë.

“Akoma kisha një patentë provizore kur e bleva avionin PG-23 Surplus për 500 dollarë, që ishte sa rroga e dy muajve!”

Puna nuk i solli vetëm kënaqësi profesionale, sepse përmes saj Haynes takoi edhe të shoqin, një pilot. Por kur mbeti shtatzënë, një nga kolegët e raportoi tek zyrtarët e lartë dhe ajo u lirua nga ushtria. Marilla Cushman e Memorialit për Gratë Amerikane në Shërbimin Ushtarak, thotë se nuk ishte një vendim personal.

“Në atë kohë nëse kishte fëmijë, nëse mbesje shtatzënë, ishe apo nuk ishe e martuar duhej të largoheshe”, thotë ajo.

Cushman hyri në ushtri në vitet 70, por nuk ishte në gjendje të bënte atë që donte.

“U zhgënjeva që nuk bëja dot më shumë, që nuk mund të bëja disa nga ato që lejoheshin të bënin burrat”, thotë ajo.

Në mes të viteve 1970, rregullat ndryshuan dhe gratë u lejuan si pilote për avionë joluftarakë. Pas luftës së Gjirit në 1990-1991, edhe ai kufizim ishte eliminuar.Cushman beson se ushtria amerikane e kuptoi që kishte nevojë për gratë.

“Veçanërisht në luftën kundër terrorizmit, filluam të rekrutojmë më shumë gra, në njësitë e këmbësorisë dhe forcat e posaçme, sepse ndërsa forcat shkonin në Afganistan dhe Irak, për shkak të çështjeve kulturore u bë e qartë se nuk mund t’ia dilnim pa pjesëmarrjen e tyre”.

Sot gratë në ushtrinë amerikane, përbëjnë 14 për qind të personelit. Por u deshën vite luftime për të arritur në këtë pikë.

“Brezat e ardhshëm duhet ta dine se edhe gratë në uniformë, garantuan lirinë e tyre. Se vendosmëria jonë ishte po aq e madhe sa edhe e burrave…”

Si Libby Haynes, edhe Marilla Cushman thonë se janë të lumtura të shohin pozicionin që gëzojnë gratë në ushtri sot. Megjithëse Haynes thotë se kufizimet asnjëherë nuk arritën ta frenojnë.

Trump në paradën e Ditës së Veteranëve në Nju Jork

Të hënën, Donald Trump u bë presidenti i parë në detyrë që ndoqi paradën e Ditës së Veteranëve të Nju Jorkut dhe vuri një kurorë në Memorialin e Dritës së Përjetshme. Ai bëri nderime për ish-luftëtarët që merrnin pjesë, disa prej të cilëve ishin të Luftës së Dytë Botërore.

“Ne zotohemi që gjithmonë të nderojmë veteranët tanë,” tha Presidenti Trump në hapje të paradës së përvitshme që këtë vit shënoi 100 vjetorin e saj. “Ju jeni heronjtë më të mëdhenj të gjallë të Amerikës dhe ne do t’ju admirojmë tani, gjithmonë dhe përgjithmonë.”

Ai gjithashtu përmendi një nga fitoret kryesore të administratës së tij, mbi të cilën ka hedhur hije hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve nga shumica demokrate.

Duke iu referuar sulmit muajin e kaluar nga forcat speciale amerikane kundër udhëheqësit të grupit Shteti Islamik, Presidenti Trump tha: “Al-Bagadi ka vdekur. I dyti pas tij në komandë ka vdekur dhe tani kemi vënë në shënjestër numrin tre. Sundimi i tij i terrorit ka marrë fund dhe armiqtë tanë po ua mbathin shumë, shumë të frikësuar”.

Grupi terrorist, më 31 tetor, konfirmoi vdekjen e udhëheqësit të tij, Abu Bakr al-Bagdadi dhe emëroi zëvendësin e tij, të quajtur Abu Ibrahim al-Hashimi al-Kurejshi.

Komentet e presidentit u pritën me duartrokitje nga turma në Parkun Madison Square. Por disa njerëz aty pranë nuk e pritën ngrohtë presidentin, i cili kishte ardhur në qytetin e tij të lindjes.

“Ndërsa Trump filloi të flasë, një gumëzhimë e lehtë u dëgjua nga ana perëndimore e parkut në Avenunë e Pestë. Ndërsa zëri i tij buçiste nga altoparlantët, nga turma nisën të dëgjohen britmat ‘Lock him up’ (Futeni në burg),” njoftoi gazetarja Eli Stokols e gazetës Los Angeles Times, në një raportim për korrespondentët e tjerë të Shtëpisë së Bardhë.

Në SHBA, Dita e Veteranëve, e njohur fillimisht si Dita e Armëpushimit, është ditë pushimi dhe kremtohet çdo vit më 11 nëntor, për të nderuar veteranët e ushtrisë. Ajo përkon me ditë të ngjashme që përkujtohen në vende të tjera dhe që shënojnë mbarimin e Luftës së Parë Botërore.

Me këtë rast, në varrezat kombëtare të Arlingtonit pranë kryeqytetit Uashington zhvillohen çdo vit ceremoni me fjalime dhe vendosje kurorash. Këtë vit, Presidenti Trump zgjodhi ta përkujtojë Ditën e Veteranëve jashtë Uashingtonit.

Procesi hetimor ndaj Presidentit Trump do të transmetohet në televizion

Michael Brown

Ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve po e bëjnë publik procesin për hetimet kundër Presidentit Donald Trump, ndërsa të mërkurën fillojnë seancat dëgjimore që do të transmetohen drejtpërdrejt në televizion.

Seancat dëgjimore publike po vënë në shënjestër zotin Trump, duke e akuzuar për abuzim të pushtetit për përfitime politike personale.

Deri tani, procesi hetimor është kryer pas dyerve të mbyllura, me të dhëna të publikuara në formën e transkriptimeve dhe raporteve mediatike.

Profesori i shkencave politike dhe të komunikimit Leonard Steinhorn me Universitetin Amerikan, thotë se seancat dëgjimore do të tërheqin vëmendjen e shumë amerikanëve.

“Njerëzit do të ndjekin seancat në televizor sepse duan të dinë se çfarë po flitet dhe çfarë po ndodh në vend. Mendoj se do të tërheqë vëmendjen në masë të madhe të popullit amerikan.”

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrtojnë nëse zoti Trump shkeli betimin duke i kërkuar Ukrainës që të hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter, ndërsa u bllokua ndihma ushtarake për Ukrainën, një vend aleat evropian.

Për javë të tëra Presidenti Trump ka mohuar se telefonata e tij në korrik me presidentin e Ukrainës mund të cilësohej si kushtëzim për dhënien e ndihmës ushtarake në shkëmbim të hetimeve për zotin Biden dhe djalin e tij.

Ndër dëshmitarët e parë këtë javë do të jenë tre diplomatë të Departamentit të Shtetit që kanë dhënë dëshmi që vërtetojnë veprimet e qeverisë. Republikanët duan të dëgjojnë nga të tjerët, përfshi zotin Hunter Biden dhe individin anonim që nxiti hetimet. Nga ana tjetër, demokratët nuk ka gjasa që të bien dakord. zëri i amerikës

Jimmy Carter shtrohet në spital

Jimmy Carter, 2015.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, u shtrua në një spital në Atlanta për një procedurë në tru.

Qendra Carter tha se ish-presidentit duhet t’i ulet presioni, i shkaktuar nga gjakderdhja.

Carter, 95 vjeç, është udhëheqësi më i vjetër i gjallë i Shteteve të Bashkuara.

Ai ka qenë presidenti i 39-të dhe ka shërbyer nga viti 1977 deri më 1981.

Carter është mundur në garën për rizgjedhje nga Ronald Reagan.

Që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ai ka mbetur aktiv, duke bërë punë humanitare me Qendrën e tij Carter.

Në vitin 2002, ai ka marrë Çmimin Nobel për Paqe për vepra humanitare.