VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pakti Rama-Basha: E reja e çan rrugën nëpërmjet së vjetrës! – Nga Artan Fuga

By | May 18, 2017
1 Comments
  • author avatar
    Sami Repishti USA 11 months ago Reply

    I nderuemi Profesor Fuga:
    Pergezime per kete shkrim te hapet dhe instruktiv. Ka vullnet te mjaftueshem vendi i jone i perbashket me perdorue “fshesen” qe nevojitet? Une them :Po! megjithate frika nuk me hiqet.

Komentet

Edison Ypi pleshtin e shtypi! Nga Elida Buçpapaj

U zhgënjeva nga harrikani në filxhanin e kafesë i Edison Ypit titulluar “Ornela Vorpsi”.

Ypi që është dalluar për dalldinë e tij berishiane, kishte ndryshuar 180 gradë qendrim. Ypi aktual, Ypi update në antitezë dhe opozitë me Ypin dje, Ypin e djeshëm. Ypi update i ngre piedestal babait skulptor nga nomenklatura komuniste dhe të birit, piktor e pedagog që 30 vjet më pas u bë kryeministër që, ndërsa pi çaj dhe ha hasude me Erdoganin, e udhëheq Shqipërinë drejt Europës. Lum si ne për liderin tonë, ndihet ovacioni implicit i Edison Ypit. Rroftë sa malet udhëheqësi ynë i dashur, ish shenjestra e dashurive platonike të kohës së kolerës.

Troç, shkrimi i Ypit nuk ishte në mbrojtje të Ornela Vorpsit, por një panagjirik Edi Ramës. Nga berishist i betuar me shata e lopata në edramist të tërbuar me kosa e drapërinj kundër portaleve, rrjeteve sociale ecetera ecetera.

Opinioni shqiptar do të rrinte i shtangur prej Ornela Vorpsit, një personazh i njohur në Europë dhe i panjohur në Shqipëri, sikur ajo të mos linte gjë pa thënë, por veç të frenohej për atë që kishte vendosur ta thosh patjetër, edhe sikur të heshtëte përballë auditoriumit shqiptar si ka heshtur prej kur është larguar. Të paktën të mos bënte mishmash magjepsjet reale, Ornelën, Parisin me magjepsjen fake Edi Rama, që prej 5 vitesh e drejton vendin si kryeministër ndërsa largimi i shqiptarëve është rritur po aq ethshëm dhe etshëm si në kohën kur iku Ornela.

Këtu konsistonte thelbi i revoltës i opinionit. Jo me Ornela Vorpsin, por me Edi Ramën. Tani mileti është revoltuar me Edison Ypin që i bën furça Edi Ramës. Ypi i kthyer në gramafon i prishur e ka kthyer totalisht pllakën e gramafonit. Si është e mundur?

Edi Rama pedagog në Akademinë e Arteve, ku i jati përveçse deputet dhe anetar i presidiumit të Kuvendit Popullor, ishte edhe dekan i Arteve Figurative, dmth ishte edhe prindi edhe shefi i Edi Ramës, një shfaqje tipike tribale e nepotizmit në një habitat mizor dhe persekutues si diktatura.

Nuk kam lexuar sulme kunder Ornela Vorpsit përveç kam hasur një përsiatje pakënaqësie ndaj një vajze të persekutuar që bie ne dashuri me të bijtë ose trashëgimtarët e persekutorëve. Sindromi i Stokholmit e përcaktonte Ilir Demaliaj në një intervistë që ishte shumë korrekte dhe vinte pika mbi “i”.

Me Ornelën, Iliri dhe unë ndajmë një klishe të përbashkët. Si puna jonë janë dhjetra mijë. Jemi bij etërish të dënuar si armiq nga partia e punës. Tim atë nuk e burgosën, por nuk i lanë torturë pa ia provuar. Të njëjtat tortura i vuanin edhe familjarët, gratë dhe fëmijët. Unë isha vajzë e vetme dhe kam përjetuar tmerrin e regjimit. Edhe nënës sime të ndjerë i thanë, sikur nënës të Ilirit dhe Ornelës që ta ndante tim atë, por ajo nuk pranoi, përkundrazi u lidhën edhe më fort. Im atë gjesh u çmend, tentoi të bënte vetvrasje, sepse tmerrohej për fatin që më priste mua fëmijën. Shumë familje të tjera u shkatërruan, të tjera u ndanë me qëllim që të shpëtonin të ardhmen e fëmijëve, por prapë se prapë bijtë e armiqve mbeteshin të tillë dhe e ardhmja e tyre ishte vetëm tokë e djegur. Edison Ypi e ka provuar vetë diktaturën në vetën e parë. E kanë burgosur dhe torturuar kur ishte djalë i ri, prandaj njerëzit pyesin edhe ky me sindromë Stokholmi?!

Unë sapo mbarova gjimnazin, jo vetëm që më mohuan të drejtën e studimeve, por më çuan të punoj në Kombinatin Josif Pashko, në fabrikën e pllakave, ku punësonin të deklasuar, njerëz të dalë nga burgjet ose familjarë të burgosurish e të internuarish politik. Ishte ferri vetë. Prej fabrikës së pllakave, vajzë 20 vjeçare, kalova si punëtore mirëmbajtje në varrezat e Sharrës.

Me vdekjen e diktatorit, më jepet e drejta e studimit vetëm me korrespondence, megjithëse kisha çuar liber me poezi në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri që, natyrisht, nuk u botua kurrë dhe, po ashtu, Dritero Agolli kishte lëshuar një vërtetim për mua si e re e talentuar. Pasi mbarova per 2 vjet e gjysëm fakultetin, dhashë gjuhën angleze dhe tema ime e diplomës për figuracionin në Ciklin e Kreshnikëve u botua në dy numra në Revisten e Akademise te Shkencave Kultura Popullore, por regjimi nuk më pranoi kurrë të më punësonte në ndonjë një institucion të superstrukturës.  Megjithëse këto kanë ndodhur shekullin dhe milenarin e shkuar, jetojnë plot dëshmitarë që i vërtetojnë këto që them unë.

Nëna e Ornelës u nda nga i jati dhe kjo i krijoi shans vajzës të ndiqte rrugën e artit në Institutin e Lartë të Arteve, ku të drejtat e studimit në fakt ishin shumë të pakta dhe ishte gati mision i pamundur të studioje aty. Por megjithatë asaj nuk iu nda vula si e bija e të burgosurit politik. Po ashtu edhe përjetimi i moshës 7 vjeçare që nuk i shqitet, kur ajo bashkë me të jëmën e vizituan të jatin në burg dhe ajo me sytë dhe zemrën e zogut prej fëmije u tremb prej një burri që nuk e njohu, aq i shpërfytyruar nga torturat ish i jati. Dhe ky imazh nuk i ndahet. Prandaj ndofta ka qëndruar larg dhe ka shkruar në gjuhë tjetër si e huaj për vendin ku lindi por që i shkaktoi kaq vuajtje.

Merret me mend frika e një gruaje të re, e vetme me një fëmijë, kur regjimi i burgos bashkëshortin dhe shoqëria është e gatëshme ta izolojë e ta gjuajë me gurë.

E kam provuar atë lloj frike. Edhe familja ime e ka provuar thellë. E kam parë tim atë se si u plak brenda disa ditësh, e kujtoj kur dilnim të dy në rrugët e Tiranës dhe ata që e njihnin refuzonin që t’i jepnin të njohur dhe i qëndronin larg sikur të ishim të dy, ai im atë dhe unë fëmija e tij, me leprozë. E kam provuar izolimin edhe gurët që hidhte barbarisht shoqëria shqiptare për të dënuar edhe fëmijët e armiqve të partisë. I ka provuar rëndshëm edhe Edison Ypi. Edi Rama jo. Edi Rama, një dandy i qylit prej partisë së diktaturës të proletariatit që i dha privilegje të jatit dhe atij.

Tmerrin e regjimit diktatorial, siç e përmenda më sipër, e ka provuar në lëkurën e vet Edison Ypi, që bëri gjithë botën hara kiri gjoja për Ornela Vorpsin, por në fakt u bë lëpirësi i Edi Ramës, ish pedagogut piktor, të birit te dekanit të arteve dhe anetarit të presidiumit te Kuvendit Popullor të regjimit totalitar dhe sidomos kryeministrit aktual që pi çaj e ha dyrym e qebap me Erdoganin, duke e udhëhequr vendin e shqiponjave drejt Europes.

Është ëndërr a zhgjëndërr kjo. Faik Konica hyri në shërbim të Zogut, ndërsa Edison Ypi u ngrys me Sali Berishën dhe u gdhi me Edi Ramën, duke ndryshuar veç shtratin, ndryshe krejt nga Ornela Vorpsi që ka shumë të drejtë kur thotë se s’ka asnjë lloj atraksioni për politikën dhe ka interes veç për kulturën dhe edukimin.

Prandaj them se ky Edison Ypi një plesht na e shtypi.

Mos i kënaqni armiqtë, se me sharje nuk mund ta puthni Altarin e Evropës Perëndimore e as Amerikën – Nga Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

 

*** – Se armiqtë serbë së bashku me aleatët e tyre tradicionalë mezi po presin (pas dere janë duke vrojtuar buzë kufirit se çfarë po ndodh brenda në Kosovë), t’ua mbyllin ndërtesën e Kuvendit sikurse Slloba  dikur më 1989.-E, ju, fatkeqësisht (gjithmonë nën nivel të papërgjegjësisë dhe të luftës për pushtet) të gjitha punët i “paskeni kryer”, tash, nuk u paska mbetur asgjë  tjetër vetëm se ta ofendoni PUBLIKISHT njëri-tjetrin në shtëpinë e SOVRANIT ( i cili me votën e tij ua besoi, që t’i dilni  zot POPULLIT, ATDHEUT, ligjit, kushtetutës, drejtësisë, demokracisë parlamentare dhe interesit nacional dhe shtetëror të REPUBLIKËS SË PAVARUR TË KOSOVËS, jo ta  BALTOSNI IMAZHIN E SAJ, duke sharë njëri-tjetrin në sy dhe për turpin e krejt botës.

 

*** Nëse Kuvendi është institucion shtetëror dhe i popullit, askush nuk e ka atë drejtë diskrecioni, që t’i ofendojë deputetët “me nënë, me babë e me robë…” , sepse mund të japë llogari sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Këtë përgjegjësi, të të gjithë teveqelët që shajnë dhe kërcënojnë në sallën e Kuvendit, duhet ta dinë dhe, ta mbajnë parasysh mbase mund të kenë pasoja ligjore dhe politike. –Populli, kurrë më nuk do t’i votojë ata deputetë, që kacafyten dhe që shajnë me “nënë e babë…” në Kuvendin e Kosovës.

 

Mirëpo, në qoftë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në ndonjë arenë gladiatorësh apo në ndonjë lloj “kockarnice”    bixhozxhinjve, të pijanecëve, të fajdenixhinjve ose  në ndonjë stallë derrash të pazbutur , atëherë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit i lejohet t’i ofendojë dhe t’i kërcënojë deputetet, sepse nuk mban kurrfarë përgjegjësie morale, as ligjore e as kushtetuese për faktin se  “torishtat” e tilla nuk përbëhen nga kodi  i detyrimit moral dhe i normës morale, as ligjore e as kushtetuese.

 

Normat dhe zakonet  e traditës shqiptare nuk njohin e as nuk e durojnë sharjen ngadoqë të vijë ajo!

 

Prandaj, duhet pasur kujdes deputetët dhe kryekuvendari i tyre (në zgjedhjen e fjalorit), që të mos shërbehen me sharje gjatë debatit të tyre në Kuvend, sepse sjellet dhe veprimet e tilla primitive nuk kanë lidhje me traditën dhe me kulturën shqiptare dhe me asnjë kulturë dhe edukate të popujve të civilizuar në botë.

Përdorimi i fjalorit vulgar denigrues, që si duket  në Kuvendin e Kosovës është shndërruar në dukuri të zakonshme, më së shumëti po godit dhe, po krijon përshtypje negative (urrejtje, aversion dhe mosbesim) në shoqërinë shqiptare mbase ato seanca të Kuvendit të Kosovës, veç gazetarëve, reporterëve  dhe herë-herë edhe   miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët ndjekin drejtpredrejt  zhvillimin e tyre, ato përmes ekranit televiziv i shikojnë edhe familjarët e deputetëve (fëmijë, djemë, vajza, gra, prindër, vëllezër e motra) në mbarë Kosovën, si dhe në tërë diasporën shqiptare.

-Çfarë kryetari dhe deputetësh janë ata (humanë, patriotë dhe demokratë evropianë  të emancipuar kinse e quajnë veten?!) , që shajnë njëri-tjetrin “me robë” e me fjalë të tjera të ndyra dhe diskredituese?! –Çfarë thonë fëmija dhe familjet e tyre, kur të dëgjojnë dhe të shohin skena të tilla skandaloze?

-Çfarë thonë partenrët-miqtë tanë ndërkombëtarë (AMERIKANË dhe ERVOPIANË PERËNDIMORË), kur dëgjojnë  ofendime dhe skena të tilla rrugaçësh, injorantësh dhe teveqelësh primitivë, që nuk njohin dhe nuk respektojnë norma etike e as kurrfarë detyrimi ligjor dhe kushtetues?

 

Teveqelët me sharje dhe me sjellje primitive antishqiptare dhe anticivilizuese po çojnë ujë në “butinë e mullirit” të Serbisë çetniko-fashiste  dhe kolonialiste të  Slobodan Milosheviqit, të Sheshelit dhe të Aleksandar Vuçiqit!

 

– Me sharje të tilla të vokabularit vagabondistik nuk fitohet  kurrfarë besimi në popull e as te partnerët amerikanë dhe evropiano-perëndimorë, por vetëm se  goditet për “vdekje” imazhi politik i Kosovës në botë, si dhe vihet në pikëpyetje  karakteri etik, virtytet, zakonet dhe tradita e shenjtë njerëzore, bujaria, besa, mirësjellja, respekti dhe kultura e kombit shqiptar, ku të gjitha këto vlera sublime kanë ndikuar pozitivisht, që kombi shqiptar të mos asimilohej dhe të mos zhdukej në Ballkan, përkundër shkeljes dhe sundimit të egër të perandorive dhe të mbretërive të ndryshme, që kanë përjetuar me mijëra vjet.

 

-Po, çfarë thonë armiqtë shekullorë serbë në Beograd, kur të dëgjojnë sharje dhe të shohin skena të tilla primitive të përplasjes mes kryekuvendarit dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës?

 

-Asgjë të re nuk do të thonë (veçse i lutën KISHËS POLITIKE SERBE dhe i fërkojnë duart, që sa më parë të kthehen  dhe t’ia vënë kyçin Kuvendit të Kosovës, sikurse dikur fallanga policore të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, 1989 ), porse përsërisin tezat e tyre të vjetra shekullore të shfarosjes së identitetit kombëtar dhe shtetëror se, “shqiptarëve nuk duhet t’u jepet-njihet  kurrfarë shteti i pavarur, sepse nuk dinëe të qeverisin, janë të egër, që dinë të vetëm të  vrasin njëri-tjetrin…”

 

Pra, sharjet dhe kërcënimet e atyre teveqelëve mes veti në Kuvendin e Kosovës me Kadri Veselin (kryekuvendar) jusitifikojnë  tezat raciste dhe shoviniste hisoriografike dhe politike antishqiptare të akademikut, Jovan Gjorgjeviq, i cili (edhe si shkencëtar, edhe si politikan, edhe si diplomat, edhe si ish-kryeministër i Serbisë (1913), botërisht ka pohuar dhe shkruar me dhjetra e dhjetrea vepra, se gjoja “shqiptarët nuk janë kurrfarë kombi, por janë përzierje fisesh, pa gjuhë të unisuar, pa histori,  pa kulturë, pa atdhe… Prandaj, krijimi dhe njohja e një shteti  të pavarur shqiptar, është jo vetëm një gjë e pamundur, por edhe e rrezikshme për Ballkanin dhe për gjithë Evropën.” (V. Gjorgjeviq, Les Albanais et les Grands  Puissances, 1913:255).

 

Mësoni nga Oda e Xhemail Obrisë, se si duhet respektuar dhe nderuar njëri-tjetrin!

 

Këtë e dëshmon edhe historia qindravjeçare e Odave-Kuvendeve të burrave të ndershëm, patriotë dhe atdhetarë anembanë SHQIPËRISË ETNIKE, të cilët nuk  e kanë sharë, nuk e kanë tradhtuar, nuk e kanë shpifur, nuk e kanë prerë në besë, nuk e kanë çnderuar, nuk e kanë mashtruar, nuk  e kanë shfrytëzuar, nuk e kanë gëjyer,  nuk e kanë plaçkitur, nuk e kanë shitur dhe nuk e kanë vrarë njërii-tjetrin për para, për kolltuk, për karrierë për  xhadie, për pushtet, por kanë qenë të bashkuar dhe të lidhur si ashti me mishin edhe në gëzime, edhe në luftëra e beteja, edhe në hidhërime, edhe në ngushëllime  vdekjeje, edhe në  fitore kundër çdo të keqeje dhe kundër çdo armiku.

Sa më sipër, këto virtyte  dhe vlera të larta njerëzore, kombëtare dhe atdhetare, ishin faktori kryesor, që ndikoi pozitivisht në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në shekuj.

 

-Ndaj, mos u shani si “rabaxhinjtë” e papunë në kohë skamjeje dhe robërie të huaj (t’u vijë turp nga deputet serbë), por, përqafoni njëri-tjetrin si shqiptarët (sepse jeni motra dhe vëllezër, nuk keni ku të shkoni përtej Kosovës) që  gjithmonë e kanë dashur dhe ndihmuar njëri-tjetrin! -Ndiqni, rrugën e ndrtishtme  dhe amanetin e të parëve tanë, që nga SKËNDERBEU e deri tek ADEM JASHARI. –Ky është shpëtimi, bashkimi   dhe qytetërimi ynë evro-perëndimor. Ndryshe, nëse vazhdoni edhe më tutje atë praktikë primitive të ofendimeve dhe të shanatzheve, do t’i gëzoni vetëm armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe të SHQIPËRISË ETNIKE, askë tjetër.

Abdyl Frashëri një gjigand i kombit që la gjurmë të pashlyeshme – Nga Jahja LLUKA

“Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta, ishte i matun dhe nuk i’a hidhte dot as mbreti as krajli, ishte i përmendur në penë dhe dije”– Faik Konica

Janë të rrallë burrat si Abdyl Frashëri që i kushtoi një jetë të tanë kombit, me dije, punë, maturi, largpamësi, luftë dhe sakrificë. Toka jonë lindi gjigand që lanë gjurmë dhe i lakmoi bota e që kulturat dhe popujt tjerë me domos duan t’i përvetësojnë. Sot mund të themi që idetë e Abdylit për Shqipërinë morën jetë, sot jemi dëshmitar të ngritjes së kombit tonë dhe rikthimit në origjinë, ku për gjysmë milenimumi u la anash, e u përndoq u luftua deri në zhdukje.Sot mund të jemi krenar me gjithë vështirësitë, sepse kombi ynë është duke u bë faktor në Ballkan, sepse vetëm kështu do të arrihet një paqe afatgjate, e nënshkruar mbi gjakun,vuajtjet, mjerimin, torturën e këtij kombi sa të bekuar aq dhe fatkeq përtej kohërash.

Abdyli u lind me 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Deri në moshën 18 vjeç jetoi në fshatin e tij të lindjes për tu zhvendosur më pas në Janinë shkaku i punës. Me fillimin e Krizës Lindore me 1877 erdhi në pah karakteri i Avdylit.Po në atë vit formohet Komiteti Shqiptar i Janinës ku Avdyli zgjidhet kryetar, për t’u bërë hartues i projektit për mëvetësinë e Shqipërisë,përmes kryengrites së armatosur anti-osmane. Qëllimi i tij ishte të merrte përkrahje nga Rivalët e Perandorisë Ruse, konkretisht shtetet evropiane të cilat dukej se kishin frikë nga mbizotrimi i Rusisë në Ballakan.Por kjo përkrahje nuk erdhi ndaj shqiptarëve. Që nga korriku deri në dhjetor 1877, zhvilloi bisedimet me Athinën zyrtare për krijimin e një aleance politike shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane, por rezulati doli i pafavorshëm pasi Athina nuk pranoi idenë e Shqipërisë së Pavarur në kufijtë e saj etnikë. Në fundvit të 1877 Abdyli ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë Osman, në atë kohë ai zgjedhet kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll e që njihet si Komiteti i Stambollit. Abdyl Frashëri konkludonte se nga prirjet ekspansioniste të Rusisë dhe interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur gjallë Perandorinë Osmane, poashtu kafshimet e fqinjëve ballkanik për ta bëre copë- copë, krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.

Vilajeti i Kosovës dhe ai i Janinës ishin vendet ku Abdyli zhvilloi aktivitetet e tij politike dhe patriotike. Ishte i palëkundur në kauzën e tij për autonominë e Shqipërisë. Ishte i pranishëm në të gjitha kuvendet të cilat ishin nën organizimin e Këshillit të Përgjithshëm nga Lidhja e Prizrenit ku më pas zgjedhet kryetar i komisionit për punë të jashtme. Më 1 nëntor 1878 mori pjesë në Kuvendin e Parë të Dibrës ku në mënyrë zyrtare iu kërkua Portës së Lartë ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë në një shtet autonom të vetëm. Në janar të 1879 organizoi Kuvendin e Prevezës ku kërkohej ruajtja e e Çamërisë dhe mos aneksimi i saj nga Greqia fashiste. Po në pranverë të atij viti udhëhoqi delegacionin shqiptar të Lidhjes në turneun e Evropës ku kishin një kërkesë të vetme ndaj Fuiqive të Mëdha ruajtjen e territoreve shqiptare dhe kërkesën e tyre për liri dhe autonimi. Qeveria e përkohëshme që u miratua nga Kuvendi i Dytë i Frashërit ishte projekt i mirëmenduar nga Abdyli. Poashtu priu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës e cili shihte si arsye të vetme kryengritjen e armatosur për mbrojtjen nga pushtuesit. Në Kuvendin e dytë të Dibrës ai promovoi programin e Gjirokastrës gjë që nuk kaloi nga shumica, pas këtij zhgënjimi Abdyli kthehet në Kosovë ku së bashku me trimat dardan vunë në funksion vendimet gjirokastrite.

Më 1881 bëhet pjesë e qeverisë së përkohëshme në Prizren me qellimin e vetëm pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e saj nga armiqët e kobshëm. Me tu shtypur Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri arrestohet nga gjyqi special Osman, ku dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet në burg të përjetshëm. Qëndroi 3 vjet në burg dhe 20 muaj në internim dhe lirohet për arsye shëndetsore. Aktivitetin e tij patriotik e zhvilloi deri më 23 tetor 1892 në Stamboll ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978 për tu rivarrosur në tokën nanë të cilën e deshi më shumë se çdo gjë. Ky burrë i urtë dhe trim hapi rrugën e vështirë për brezat që do vijnë dhe kështu lartësoi përjetë emrin dhe veprën e tij të madhe në shërbim të kombit. Dhe si i tillë mbetet që ta nderojmë dhe admirojmë personalitetin e tij, sepse nderimi për të është nderim për atdheun.

BARBARA BUSH, “GJYSHJA E AMERIKËS”, NDËRROI JETË – Nga Frank Shkreli

 

Barbara Bush, e quajtur si në përkëdhelje, “Gjyshja e Amerikës”, ose “gjyshja e të gjithëve” — bashkshortja e Presidentit të 41-të dhe nëna e Presidentit të 43-të të Shteteteve të Bashkuara, ndërroi jetë më 17 prill në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e saj në Huston të shtetit Texas, e rrethuar nga familja. Ajo la pas, “plot shtëpinë”: Bashkshortin e saj prej 73-vjetësh, ish-presidentin Xhorxh H.W. Bush, pesë fëmijtë me bashkshortët e tyre, 17 nipa e mesa dhe shtatë stërpnipa dhe stërmesa.  Në një njoftim për publikun me rastin e vdekjes , ish-Presidenti Xhorxh W Bush tha se, “Nëna ime e dashur ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Laura, Barbara, Xhena dhe unë jemi të pikëlluar, por zemërat tona janë të qetësuara sepse e dimë se shpirti i saj është i qetë… Unë jam me fat që Barbara Bush ishte nëna ime. Ajo do na mungojë  shumë mua dhe familjes….”.

Barbara Bush ishte bashkshorte, nënë, gjyshe, stërgjyshe e devotshme dhe mbështetëse e përkushtuar në luftën kundër analfabetizmit. Ajo ishte direkte në komunikim me median dhe me të tjerët, një karakateristikë e të folurit troç që e dallonte ish-Zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara. “Njerëzit më duan”, kishte thënë ajo me një rast, “sepse e dinë që unë jam e drejtë, se i dua fëmijtë dhe se e adhuroj dhe respektoj bashkshortin tim”.   Barbara Bush, njihej gjithashtu edhe për shërbimin ndaj të tjerëve, për vullnetarizmin e saj për të ndihmuar personat dhe familjet në nevojë, gjë që e ka bërë atë ndër figurat më të dashura në historinë e këtij vendi dhe në zemërat e të gjithë atyre që e njihnin dhe me njerëzit me të cilët takohej edhe rastësisht.

 

Me zgjedhjen e bashkshortit të saj president të Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 1989, Barbara Bush ishte e vetdijshme se ajo vet nuk ishte zgjedhur në asnjë detyrë zyrtare por kishte urdhëruar stafin e saj se, “Çdo ditë duhet të bëjmë diçka për të ndihmuar të tjerët.”  Kështuqë, përveç ceremonive zyrtare si zonja e parë e vendit, në të cilat ajo duhej të merrte pjesë, Barbara Bush u angazhua në shumë veprimtari organizatash bamirëse, pikërisht, për të ndihmuar ata të cilët kishin nevojën e ndihmës nga shoqëria.

 

Ajo kishte marrë përsipër një numër kauzash për të ndihmuar të pa strehët dhe të moshuarit, për të ushqyer të uriturit, ndërmori përpjekje  për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe ishte në krye të fushatës për të ndihmuar fëmijt. Por mbi të gjitha, Barbara Bush do të njihet për fushatën e saj kundër analfabetizmit – për mundësinë e shkrim-leximit për të gjithë, për fëmij dhe për familje.  Nën udhëheqjen e të ndjerës, Fondacioni i saj me këtë mision që ajo ka themeluar për këtë qëllim, gjatë viteve, ka mbledhur më shumë se 110-milion dollarë, në mbështetje të programeve kombëtare për të luftuar analfabetizmin, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ajo e shihte këtë program dhe arsimin në përgjithësi si një doemosdoshmëri, që sipas saj ndihmonte sado pak familjet dhe fëmijtë e tyre në nevojë, ashtuqë të kishin një mundësi më të madhe për të qenë të suksesëshëm në jetë.

 

E orientuar gjithmonë nga familja dhe kujdesi i saj për të, Barbara Bush është cituar të ketë thënë se, “Ajo që ndodhë në shtëpinë tuaj është po aq e rëndësishme sa edhe çfarë ndodhë në Shtëpinë Bardhë.”  Thënë ndryshe, çfarë ndodhë në Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë shembull për të gjitha familjet amerikane. Për periudhën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si familja e parë e Amerikës, familja Bush ishte me të vërtetë shembull për të gjitha familjet amerikane dhe kredia për këtë, pa dyshim, i shkon të ndjerës Barbara Bush, e cila vente rregull dhe zbatonte disiplinën.

 

 

 

Familja e ngushtë e Presidentit dhe Barbara Bush

 

Ndërkaq, udhëheqsit dhe ish-udhëheqsit më të lartë të Amerikës kanë dërguar mesazhe ngushëllimi me rastin e vdekjes së Barbara Bush duke e cilësuar atë si një grua e cila ishte e përkushtuar ndaj familjes dhe atdheut të saj, por edhe ndaj shërbimit për të mirën publike.  Presidenti Trump dhe bashkshortja e tij e cilësuan atë si një “mbështetëse e fortë e familjes amerikane, e cila do të mbahet mendë për dedikimin e saj të fortë ndaj atdheut dhe familjes, të cilave ajo u shërbeu me devocion”.

 

Ish-presidenti Obama dhe bashkshortja e tij, u shprehën se do të, “jenë përgjithmonë mirënjohës ndaj Barbara Bush për bujarinë dhe për zemërgjërsinë që ajo tregoi ndaj nesh gjatë viteve tona në Shtëpinë e Bardhë, por për më tepër, i jemi mirënjohës asaj për mënyrën se si ajo jetoi dhe veproi gjatë gjithë jetës së saj – si një testament se shërbimi publik është i rëndësishëm dhe vepër fisnike për të gjithë, si shembull i dinjitetit dhe modestisë, cilësi këto që pasqyrojnë karakteristikat më të mira të shpirtit amerikan.”  Ndërsa ish-presidenti Xhimi Karter dhe bashkshortja e tij e kujtuan Barbara Bush si “gruan e një familjeje të dedikuar ndaj shërbimit publik, e cila mbështeti vullnetarizmin si një mundësi që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në përparimin e vendit.”

 

Familja Bush është e lidhur drejtë për drejtë edhe me fatin e Kombit Shqiptar në fund shekullin e 20 dhe fillim shekullin e 21. Historia ka shënuar tanimë se  Presidenti Xhorxh Bush i vjetër më 25 dhjetor, 1992 i dërgoi presidentit kriminel serb Millosheviç paralajmërimin që historia e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjes” e në të cilin thuhej se “Në rast konflikti në Kosovë, i shkaktuar nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”.  Ishte ky një paralajmërim nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër dhe i cili u përsërit më vonë edhe nga administrate Klinton duke u bërë kështu baza e politikës amerikane ndaj Kosovës, politikë që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në sulmet e ajrore që përfunduan në çlirimin e Kosovës.  Dhe më 10-6-2007 gjatë një vizite në Tiranë, një Bush tjetër, pikërisht djali i Bushit të vjetër, Presidenti Xhorxh W., bëri deklaratën me të cilën defakto shpalli pavarësinë e Kosovës nga kryeqyteti shqiptar, duke thënë se “Mjaft është Mjaft – Kosova është e pavarur”.

Me Nënë Terezen në Shtëpinë e Bardhë

 

 

E ndjera Barbara Bush kishte deklaruar me një rast se, “Unë dhe Xhorxh Bush jemi dy njerëzit më të lumtur dhe më me fat në botë”.  Edhe ne shqiptarët mund të themi se ishim me fat të madh që në këtë periudhë të historisë së Kombit shqiptar ishin dy presidentë të familjes Bush (babë e djalë), të cilët për hir të detyrës së tyre në krye të Shteteve të Bashkuara, historia dhe fati ynë i ftoi që të luanin rolin kryesor në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar.  Ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Bush për humbjen e bashkshortes, nënës dhe gjyshës tuaj dhe falënderimet tona për rolin që kini luajtur në historinë e Kombit shqiptar!

Atë që mohon të parët e vet katolikë për një pjatë pilaf e një kofshë pule, turpi e mbuloftë! – Nga Gani Mehmetaj

Të gjithë shqiptarët në Dardani, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanovc, e dinë prejardhjen e tyre katolike, sipas trungut familjar nga Hasan Hyseni i sotëm deri të Zef Marku i djeshëm. Të gjithë shqiptarët e islamizuar e thonë më mburrje se u dalin rrënjët katolike më se largu në gjashtë-shtatë breza. Të gjithë e dinë se na islamizuan me dhunë. T’i shlyesh nga kujtesa a t’i mohosh 1700 vjet katolicizëm të vullnetshëm me 200-300 vjet islamizëm të dhunshëm është krim, është turp, është mohim i vetës, që mund ta bëjnë vetëm argatët e djallit e faqezinjtë.
Vetëm joshqiptarët që nuk janë rrënjës, nuk ishin as katolik, sepse erdhën me karvanët turke të hipur me deve nga fundi i Azisë.
Një grup i aziatikësh shqipfolës, të ardhur me Perandorinë otomane, kohëve të fundit janë bërë gjithnjë e më agresiv, të pafytyrë e iritues. Të trimëruar nga agresioni turko -arabë në Dardani, të cytur nga pushtetarët që ia kanë hapur dyert mafisë islamike, të cytur nga disa forca evropiane pro serbe e pro ruse që duan ta shuajnë ndjenjën kombëtare të shqiptarëve për bashkim e integrim, të paguar nga shoqatat e fondeve të dyshimta terroriste e paratë e Beogradit, ata përpiqem ta shlyejnë kujtesën kombëtare 1700 vjeçare që ta shuajnë shqiptarizmin.
Kryeministri Ramush Haradinaj e deklaroi atë që na e kanë thënë me qindra herë prindërit: të parët tanë ishin Gjoka, Zefi e Marku. Babai im ma ka përsëritur shumë herë: “mbiemri ynë ishte Kola (Nikolla), mos e harro kurrë!”
Atë që mohon të parët e vet katolikë për një pjatë pilaf e një kofshë pule, turpi e mbuloftë.

Bravo Zonja Xhaçka ! E nevojshme dhe e domosdoshme prania ushtarake amerikane në Shqipëri! Nga Elida Buçpapaj

Ishte një qëndrim shumë serioz dhe i përgjegjshëm ai i Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka në takimin e saj me shefin e Pentagonit James Mattis, kur vuri në dukje se “Shqipëria është e gatëshme për t’i venë SHBA në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s, që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “SHBA-të janë një aleat i denjë, një faktor stabiliteti në rajon dhe një garant i sigurisë së përbashkët e kolektive”, nënvizoi Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka edhe në intervistën e saj tek Zëri i Amerikës.

Zonja Xhaçka vuri në dukje rrezikun rus, ekstremizmin fetar. Do të shtoja këtu edhe rrezikun mafioz nga degradimi i sistemit demokratik në Shqipëri dhe rajon.

Që Rusia ka interes për Shqipërinë, le të kujtojmë bazën ruse në Pashaliman, këtë e tregon edhe vizita zyrtare në Shqipëri e Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë, Kirill që do të zhvillojë  mes dative 28-30 Prill. Është Nr.2 i Rusisë pas Putinit për nga rëndësia.

Propozimi i zonjës Xhaçka duhet të merret menjëhere në konsideratë nga Presidenti Trump, Pentagoni dhe administrata e SHBA.

Prania Amerikane në Shqipëri me baza ajrore, detare dhe tokësore do të jetë garanci e sigurisë afatgjatë për gjithë rajonin dhe faktor i konsolidimit të demokracisë, ekonomisë të tregut dhe integrimit në BE.

Pas ndërhyrjes të NATO-s në 1999 në opinionet e asaj kohe kam shkruar se, meqë Ballkani është konsideruar “fuçi baruti”, të vendosej në Kosovë një bazë e përherëshme ushtarake SHBA-NATO. Kisha parasysh Gjermaninë Federale të pasluftës, e cila pa praninë Amerikane, është e sigurt se do të ishte gllabëruar prej BRSS dhe do të kishte të njëjtin fat sikur DDR.

Prania Amerikane në Gjermaninë Federale gjatë Luftës të Ftohtë ishte faktori vendimtar i sigurisë. Nën praninë ushtarake Amerikane, Gjermania Federale u rimëkëmb nga lufta, ndërtoi shtetin demokratik, u unifikua. Sot është një fuqi botërore dhe njëri nga shtetet bërthamë të Europës të Bashkuar e vlerave Perëndimore.

Me këtë rast le të kujtojmë Presidentin e SHBA John F.Knnedy dhe Presidentin Ronald Reagan duke folur përpara Potës së Brandenburgut. Kennedy në 26 qershorin e vitit 1963 kur thirri “Ich bin ein Berliner!” – “Unë jam Berlinez” – dhe Presidenti Regan në 12 qershorin e vitit 1987, kur i bëri apel Presidentit Gorbaçov: “Tear down this wall”! Rrëzoje atë mur!

SHBA vijojnë të jenë të pranishëm në Gjermani me pothuaj 20 baza ushtarake, më e madhja është Ramstein Air Base me 9200 forca. Prania e SHBA në Europë si gjatë Luftës të Ftohtë edhe sot është e domosdoshme për sigurinë e kontinentit. NATO dhe SHBA nuk përbënin rrezik as për BRSS e kohës të Perdes të Hekurt dhe as sot. SHBA dhe NATO ishin dhe mbeten garanci e paqes dhe sigurisë për gjithë Europën.

Rreziku i terrorizmit kërkon rritjen e rolit të SHBA dhe NATO-s. Edhe globalizmi e kërkon edhe më të lartë rritjen e sigurisë.

SHBA kanë disa baza në Europë, të përqëndruara në Gjermani aktualisht me rreth 34 mijë trupa, në Itali me rreth 12 mijë trupa, në Mbretërinë e Bashkuara me mbi 8 mijë trupa, në Spanjë gati 4 mijë trupa, në Kosovë në Kampin Bonstil SHBA kanë 384 trupa, ndërsa në Turqi rreth 2 mijë trupa.

SHBA kanë rreth 45 mijë trupa në Japoni, 23 mijë në Korenë e Jugut. Një përqëndrim forcash, mbi 36 mijë SHBA kanë edhe në Pacifik, në ishujt Hawai, ku ndodhet edhe Pearl Harbor, porti ushtarak i cili u sulmua në 7 dhjetorin e 1941 nga Japonia, sulm që shkatërroi pothuaj gjithë flotën Amerikane, duke shkaktuar 2500 viktima çka shënoi hyrjen e SHBA në Luftën e Dytë Botërore.

Prej atij momenti, SHBA hoqën dorë nga izolacionizmi dhe morën rolin e Mbrojtësit dhe Garantuesit të Lirisë dhe Paqes. Dhe nga ky rol nuk mund të heqin dorë.

Propozimi i Ministres Xhaçka bërë Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes James Mattis është në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Presidenti Trump dhe administrata Amerikane duhet ta marrin në konsideratë dhe të veprojnë sa më shpejt.

Kjo sepse Ballkani i pa integruar në BE vijon të mbetet një Fuçi Baruti i rrezikuar nga mafia, krimi i organizuar, mungesa e shtetit të së drejtës dhe korrupsioni. Shqipëria ka një pozicion strategjik kyç dhe prania Amerikane, me baza tokësore, ajrore dhe detare në bashkërendim me NATO-n, do të ndikonte vetëm në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit, duke ndikuar në sigurinë, zhvillimin ekonomik, turizmin. Aktualisht rajoni, edhe mbi çerek shekulli pas rrëzimit të Peredes të Hekurt dergjet i pllakosur nga varfëria prej korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor. Ministrja Xhaxhçka u pyet nga Zëri i Amerikës në lidhje me zërat kritikë, që kanë folur për fikjen e qëllimshme të radarëve, duke i lënë fushë të lirë veprimi fluturimit të avionëve me drogë. Mafia ka buxhete të fuqishme, mafia blen avionë, infrastrukturë, logjistikë dhe zyrtarët më të lartë të shtetit. Kjo e rrit edhe më shumë nevojën për praninë Amerikane në Shqipëri.

Një faktor tjetër pozitiv është se shqiptarët janë populli më amerikandashës dhe europeodashës, kjo bën që prania amerikane dhe e NATO-s është e mirëpritur!

Vetëm me prani Amerikane në Shqipëri, do të fillojë integrimi i gjithë rajonit në Europë. Tranzicioni ka treguar se klasat politike të vendeve përkatëse i kanë shërbyer vetëm pasurimit të tyre, ndërsa popullin dhe vendin e kanë lënë në varfëri dhe moszhvillim!

Ornela Vorpsi Nga Edison Ypi

Ornela Vorpsi ishte e bukur si Sirenë homerike. Ornela Vorpsi ishte një ulurimë shëtitëse. Ornela Vorpsi ishte një Yll “Super Nova” që sapo kishte dalë nga një “Black Hole” që ishte Shqipëria e aso kohe. Ornela Vorpsi ishte aq e bukur dhe kryelartë, sa pa shqiptuar asnjë fjalë, vetëm me prezencë, i bënte pluhur e hi çmenduritë e kohës, luftën e klasave, moralin proletar, rrethimin kapitalisto revizionist, komitetet, mbledhjet, plenumet, dhe të gjitha marrëzitë e tjera.

Ornela Vorpsin të gjithë e dashuronin.

Ornela Vorpsi dilte edhe me Mamin. Një kombinim i tillë i hireve femërore me kryelartësinë, seriozitetin, guximin, nuk ishte parë kurrë. Ishin nga fort të rrallat femra që fatkeqësia nuk i kishte ligur dhe shëmtuar, por trimëruar dhe zbukuruar. Tek kalonin dukej sikur i klithnin turmës; Ejani në vete, Femra nuk është për t’u veshur me kominoshe doku për të punuar me turne nëpër fabrika të qelbëta. Femrën e ka bërë Perëndia për t’u komplimentuar dhe dashuruar. Turma hapte rrugën. Mbante frymën. Vinte në vete. Për pak çaste bëheshin njerëz. Harronin që ishin veshur me lecka dhe që ishin të uritur.

Sipas një ligji të pashkruar që zbatohet me përpikmëri, ziliqarët, delirantët, budallenjtë, shëmtaraqët, fatkeqët nga sëmundje të rënda, të sëmurët nga diagnoza të fshehta, marrin masa, bëjnë çmos, lodhen shumë, të mos duken sa të zinj e të këqij janë përbrenda.

Por ka disa raste kur rrethanat kombinohen në atë mënyrë që turiqenve dhe surratbajgave ziliqarë, u erren sytë, u torollepset mendja, ikin nga fiqiri, fshehin analizat, ndryshojnë diagnozat, harrojnë çdo kujdesje dhe flakin çdo vëmendje për të mos u dukur sa të këqij e shpirtkatranë janë, hapin barkun. Derdhja e vrerit, shpallja e budallallëkut, shenjat e sëmundjeve, provat e çrregullimeve, arsyet e fatkeqësive, shfaqja e surratit, u bëhen të papërmbajtshme. Gjithçka u shpërthen me tërë madhështinë e “llaftarisë tmerrisht të bukur”, si thotë Lasgushi i madh.

Sa mirë që ndodh kështu. Përndryshe nuk do ta mësonim dot kurrë sa i thellë, i errët dhe i pisët është humnera e ligësisë njerëzore.

Sapo Ornela Vorpsi u shfaq, majmunat e Fejsbukut, minjtë e skutave, urithat e portaleve, katunarët e gazetave dhe televizioneve, u bënë bashkë për t’ju hedhur në fyt. Nuk janë shumë si numur. Janë të rëndësishëm për të ilustruar dukurinë monstruoze.

Për çfarë po i bie legenit çeta e shejtanbudallenjve ndaj Ornela Vorpsit të bën të vësh duart në kokë.

Sipas tyre, meqenëse Ornela Vorpsi tha para nja 30 e ca vitesh se kur ishte studente ka provuar një debulesë sentimentale ndaj pedagogut Edi Rama, kjo ndodhi e atëhershme më se e natyrshme e të gjitha kohërave, ka shkaktuar një hata të tanishme të llahtarshme me përmasa të jashtëzakonshme për marrëzira që i kishim kujtuar të vdekura, por paskëshin qenë të gjalla; Lufta e klasave nuk po zhvillohet si duhet. Vigjilencën proletare e ka marrë lumi, Komunistat e armiq janë bërë si këmbët e dhisë. Morali komunist për ibret. Kultura borgjezo po bën kërdinë brenda radhëve të shtrënguara të klasës punëtore, inteligjencës kooperativiste, sidomos ndër artistët që janë aleatët më besnikë të partisë orientimet e së cilës janë lënë mënjanë dhe nuk po u jepet asnjë rëndësi, e të tjera e të tjera, me lujt mendsh.

Sipas hajvanëve të sotëm që pretendojnë të jenë mbajtës të palodhur të kandilit të të gjitha femrave të të gjitha epokave dhe vendeve, në kohën kur ndalohej veshja, ndalohej krehja, ndalohej larja, ndalohej arratisja, ndalohej muzika, paska qenë e ndaluar edhe dashuria. Një studente që e kishte babanë në burg paska qenë e ndaluar të ushqente simpati sentimentale për një pedagog. Gomerët e sotëm e dinin që atëherë, bashkë me ta edhe Ornela Vorpsi duhej gjithashtu ta dinte, se pedagogu që Ornela Vorpsi simpatizonte, pas nja 30 vjetësh do bëhej Kryetar i Partisë Socialiste, do bënte çmos për ta afruar Shqipërinë me Europën dhe jo me Turqinë e Arabinë, çka ishte dhe është gabim tepër i rëndë moralopolitik për studenten dhe rrezik i madh për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Sipas lopçarëve në fjalë, Ornela Vorpsi, mund ta përdhoste shpirtin e saj me çfarëdolloj çuni; çun shefi, çun drejtori, çun oficeri, por kurrsesi me çunin piktor të një babai skulptor.

O pika që s’u bie. Ornela Vorpsi mund të kishte dashuruar edhe ndonjë nga ju lehëtarët e sotëm. Por nuk e dinte në cilin katund vuanit, në cilën kooperativë dergjeshit, cilat ara prashisnit, me cilën dhì bënit qejf.

Faleminderit Ornela Vorpsi për rastin e mrekullueshëm që na dhe për të njohur neandertalët.

MIRAZHI I PERËNDIMIT – Nga EUGJEN MERLIKA

(Pёrsiatje historike nё 10 – vjetorin e hyrjes nё NATO)

 

Njëqind vite në historinë mijravjeçare të  një populli përbëjnë një periudhë relativisht të shkurtër. Përceptimi i elementit kohë historike është i ndërvarur nga intensiteti i ngjarjeve që mbushin hapësirën e saj dhe nga pesha e tyre në përcaktimin e fateve të tij. Po t’i hedhim një sy panoramës së historisë shqiptare që fillon të jetë e dokumentuar nga shekujt VII e VI para Krishtit, me themelimin e Qytet-Shteteve bregdetare e marredhëniet e tyre me popullsitë autoktone ilire e arrin në ditët tona, kur synojmё hapjen e bisedimeve pёr hyrjen në Bashkimin evropian, mendoj se duhet të veçojmë, për nga pesha e fuqia përfaqësuese e ngjarjeve, dy qindvjetorë, atë të XV-in dhe atë të XX-in.

I pari hyri në legjendë si “Shekulli i madh”, u lidh me emrin e Gjergj Kastriotit dhe ishte përpjekja e parë e krijimit të një entiteti shqiptar të bashkuar  nën kërcënimin e një pushtimi të huaj, që nuk ishte Roma apo Bizanti por një fuqi që vinte nga lindja, Perandoria turke. I dyti shënon historinë bashkëkohore të Shqipërisë, në kuadrin e lindjes së shtetit të parë shqiptar të pavarur e të bashkuar, në një kontinent të fshikulluar nga dy luftëra botërore e nga dalja me forcë në skenën e tij e sistemeve diktatoriale. Qe ky qindvjetor që shënoi parabolën e lindjes, të arritjes kulmore e të rënies së zhurmëshme, duke kaluar mbi dhjetra miljona viktima të nazifashizmit e të komunizmit. I pari u mund në fushat e betejave të luftës, i dyti humbi një “luftë të ftohtë” me demokracitë e Perëndimit, si pasojë e dështimit të sistemit të bazuar mbi dhunën që  zotëronte të gjitha fushat e veprimtarisë së shtetit e të shoqërisë.

Në këta shekuj ngjarjesh  të fuqishme, që ngriheshin mbi vullnetet e shqiptarëve, bie në sy një element i përbashkët. Është prirja e arbërve për të kërkuar ndihmë e bashkëpunime nga deti, nga Perëndimi i kontinentit e duke pritur rreziqet nga toka, nga Lindja e tij. Skënderbeu, në epopenë e tij madhështore, bazën e lidhjeve të tij me të huajt e mbështeti tek fqinjtë e përtej Adriatikut, tek Kisha e Romës, tek Mbretëria e Napolit, tek Republika e Venedikut. Interesat ishin të ndërsjellta dhe miqësia erdhi duke u forcuar. Në mbarim të jetës së tij e të qëndresës shqiptare Vendi ynë, i pushtuar nga Osmanët, përfaqësoi pjesën evropiane më perëndimore të një Perandorie që shtrihej në tre kontinente. Shqipëria shkëputi lidhjet politike me Perëndimin dhe u bë pjesë aktive e jetës së Perandorisë Otomane për afër gjysëm mijëvjeçari.

Fundi i shekullit të XIX dhe agimi i të XX-it i gjeti shqiptarët në përpjekjet e tyre për të dalë të pavarur nga kuadri i Perandorisë  që kishte bjerrur forcën e dikurshme e pregatitej të pësonte shpërbërjen e pashmangëshme, përfundimin e natyrshëm të të gjitha përvojave të tilla në historinë e Botës. Mbasi kishin dhënë një ndihmesë të konsiderueshme në Administratën Osmane gjatë gjithë kohës së pushtimit (37 kryeministra e një numur i pafund kuadrosh të tjera të të gjitha shkallëve), duke arritur nivele të larta edhe vetëadministrimi (Pashallëqet e Shkodrës dhe të Janinës), gjithmonë në kuadrin e Perandorisë, shqiptarët, nëpërmjet klasës së tyre politike, i kthyen sytë nga Perëndimi për të gjetur mbështetjen për krijimin e Shtetit të tyre të parë të pavarur.

Vështrimi nga Perëndimi, nga kultura e zhvillimi ekonomik i tij, nga modeli i shtetit dhe organizimit shoqëror, qe një konstante që përshkoi Rilindjen shqiptare dhe periudhën e parë të Shtetit të pavarur. Duke u kthyer saktësisht 110 vite mbrapa, më 1908, në Manastir, kryeqendër vilajeti, mëndjet më të holla të inteligjencës kulturore shqiptare morën vendimin e parë të madh në përputhje me atë konstante. Atje u vendos përfundimisht alfabeti i gjuhës së shkruar shqipe, themeli mbi të cilin do të ngrihej godina e arsimit dhe kulturës së Vendit. Zgjedhja e shkronjave latine qe dëshmi e fitores së idhtarëve të kulturës evropiane mbi ata të kulturave të tjera. Prirja për t’u njëjtësuar me të, për të marrë shkronjat prej saj, qe paralajmëruese e dëshirës së brëndëshme të shqiptarëve për t’u kthyer idealisht në Evropën perëndimore  mbas pesë shekujsh qëndrimi në botën lindore.

Hapat e para të prijësve të Shtetit shqiptar në kanceleritë e kryeqyteteve evropiane, pranimi prej tyre i statusit të mbretërisë  me një princ gjerman në krye, prirja për të krijuar inteligjencën e ardhme të Vendit në shkollat përkatëse  të atyre Vendeve, dëshmonin se në vetëdijen kombëtare e ardhmja projektohej e lidhur me përvojat evropiano-perëndimore. Ngjarje të tilla si rrebelimi i Haxhi Qamilit apo prirja e Nolit për të lidhur marrёdhënie të posaçme me Shtetin e Sovjetëve tregojnë se përjashtimet forcojnë rregullën. Përparësia e marrёdhënieve me shtetet perëndimore, kryesisht me Italinë, në funksion jo vetëm të zhvillimit ekonomik e kulturor të Shqipërisë, por edhe të krijimit të një sistemi shtetëror e administrativ bashkëkohor, qe edhe vija politike e Mbretit Zog, i cili pati meritën, më shumë se të tjerët, në formimin dhe funksionimin e institucioneve të Shtetit shqiptar.

Fatkeqësisht këtij zelli properëndimor të shqiptarëve Perëndimi politik e diplomatik i u përgjigj me vendime historike dëmtuese për ta e përkrahëse të fqinjëve të tyre. Kështu Shteti shqiptar, një vit mbas lindjes së tij, u përgjysmua duke ndarë nga trungu i tij Kosovën, Dibrën e madhe, Çamërinë e vise të tjera me vendime të Konferencës së Ambasadorëve në Londër apo traktatit të Paqes në Versajë. Këtij qëndrimi dashakeq, që arriti kulmin me 7 prillin 1939 dhe moskokëçarjen e fuqive perëndimore  ndaj pushtimit të Shqipërisë, shqiptarët i qëndruan me të gjitha mjetet e mundëshme, por gjithmonë me kthjelltësinë mendore që i bënte të mos përzienin konjukturat politike të pafavorëshme me një vijë të qartë afërsie me një sistem mendësish, kulturash, vlerash që mbeteshin gjithmonë synim i tyre e që ishin pronë e popujve t’Evropës. Kështu mëndjet më të ndritura të tyre e projektuan t’ardhmen e Shqipërisë të rrjeshtuar në realitetin evropian, pavarësisht nga përfundimet e luftës.

Por, fatkeqësisht, pati edhe nga ata shqiptarë që t’ardhmen e Vendit të tyre i a besuan një ideologjie, sa tërheqëse në pamje aq e dëmshme në përmbajtje, për më tepër e përçuar nga përfaqësues të armiqve shekullorë. Qe një zgjedhje fatale që përkoi me një sistem terrori e mungese lirie, me një rrënim shpirtëror e intelektual, me varfëri, mungesë zhvillimi e plagë të pashëruara kombëtare. Komunizmi, fitues i mbas luftës II botërore, i rezervoi Shqipërisë  një përsëritje të fatalitetit historik të pesëqind viteve më parë, kur rënia e Shkodrës, kështjellës së fundit të qëndresës antiosmane, përcaktoi shkëputjen  e saj nga Evropa e periudhës së Rilindjes e hyrjen e saj në mesjetën otomane. Në nëndor 1944, përsëri me rënien e Shkodrës këtë herë në duart e partizanëve të Enver Hoxhës dhe Dushan Mugoshës, Shqipëria provoi të njëjtën përvojë, duke lidhur fatin e saj me një tjetër bashkësi që u quajt “Perandoria e së keqes” e duke zënë pozicionin më jugëperëndimor të saj. Gati pesë shekujve të pushtimit turk do t’i përgjigjej pothuajse gjysëm qindvjeti regjimi komunist. Dëmet për Shqipërinë qenë të pallogaritëshme e pasojat ndihen ende sot e kësaj dite.

Shëmbja e komunizmit si sistem në shkallë evropiane i solli edhe Shqipërisë mundësinë që të  kryente ndryshimet e saj, me braktisjen e shtetit të “demokracisë popullore” e të shoqërisë “socialiste”, të kolektivizuar skajshmërisht nga një dhunë e pashëmbullt, e me përqafimin e rendit demokratik. Modeli ishte demokracia perëndimore, sirenat e së cilës nuk kishin pushuar kurrë, në forma të ndryshme, të ndillnin tek shqiptarët dëshirën për ndryshime. Të vetmit të shurdhër ndaj atyre sirenave ishin drejtuesit e lartë të Partisë komuniste e të Shtetit, njerëz të sklerotizuar në bindjet e tyre enveriste e në kultin e dhunës, të paaftë të kuptonin e të pranonin ndryshimet, jo vetëm në botën përreth, por madje as në bijtë e tyre, qënie të papërgjegjëshme pa fijen e ndërgjegjes qytetare. Këta “zotërinj” mund të kishin liberalizuar sistemin dhe evropianizuar Vendin, duke bërë më të këndëshme jetën e qytetarëve të tyre, por parapëlqyen të njëjtësoheshin me komunizmin mesjetar kinez të revolucionit kulturor të Mao Ce Dunit, duke i vënë mure erërave liberalizuese, sado të dobëta, që vinin nga Vendet simotra evropiane. Në mediokritetin e tyre kriminal besuan se i bënë një shërbim të madh marksizëm leninizmit “ngadhnjimtar”, duke flijuar në altarin e tij të gjitha aspiratat e bashkëqytetarëve të tyre për liri e përparim, duke mbajtur nën terror e gjak bijtë më të mirë të tyre.

Ndërrimi i sistemit në Shqipëri, në sajë të dogmatizmit të theksuar që linte pas, dashje pa dashje u kushtëzua prej tij e nuk pati një zhvillim linear e të shpejtë, si në Vendet ku liberalizmi komunist kishte arritur frutet e tij. Shqipëria u luhat mes gjysmё ligjesh, gjysmё projektesh e gjysma reformash që paragjykuan rëndë  zhvillimin e saj të shpejtë, por klasa drejtuese, për llogari, për bindje apo për nevojë të domosdoshme, pati meritën të mos nguronte të kërkonte futjen e Vendit në organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare, të gjitha shprehje të sistemit demokratik Perëndimor. Kështu më 1992 qeveria Meksi kërkoi hyrjen në NATO dhe nisi kërkesat për bisedime me BE.

Institucionet evropiane dhe ndërkombëtare janë të pranishme në Shqipëri që nga fillimi i tranzicionit. Misioni i tyre ishte të shoqëronin klasën politike paskomuniste në një përvojë të re për të, në atë të shoqërisë demokratike e të ekonomisë së tregut. Se sa i vështirë qe ky mision mund t’a kuptojmë po të shohim rezultatet e punës së tyre, që janë mjaft të diskutueshme, jo aq për mungesat e tyre se sa për mangësitë tona. Mendësia komuniste, e rrënjosur thellë në botkuptimin e klasës politike që nuk arrin të evoluojë e të përtërihet në masën e kohën e duhur, ka qenë pengesa kryesore në ritmet e ulta të ndryshimeve thelbësore, të domosdoshme për t’u afruar me Evropën.

Sot të gjithë flasin për reforma, për ndryshime, për marrëveshje mes forcave politike për të plotësuar kushtet që kërkon Evropa për të na futur në gjirin e saj. Çuditërisht askush nuk kujton se ato reforma duhet të ishin bërë që në vitet e para e “nëna” e të gjitha atyre duhet të kishte qënë një kundër reformë, ajo e njohjes së plotë dhe e kthimit të pronave e pasurive të gjithë atyre qytetarëve  që diktatura komuniste u kishte grabitur. Që aty do të niste rruga jo e lehtë por frytdhënëse drejt standarteve evropiane. Duke e kryer keq e pjesërisht atë kundër reformë, që do të kishte qënë si “filli i Arianës” për të dalë nga labirinti i ndërlikuar i trashëgimisë komuniste, ne e komprometuam rëndë zinxhirin e ecjes përpara e të përshtatjes ndaj rregullave e ligjeve të Evropës së bashkuar. Nuk e di se sa e si kanë ndikuar përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në këtë pikë, por mendoj se një punë më ngulmuese nga ana e tyre mund të kishte sjellë përfundime krejt të tjera. Po ashtu sikurse një ndërhyrje më e fuqishme e FMN apo Bankës Botërore në kohë pranë Qeverisë shqiptare mund të kishte shmangur tragjedinë e 1997 ës, të lidhur me krizën e financiareve e pasojat e saj ogurzeza.

Është një rastësi e çuditëshme, po me emrin e kryeqytetit rumun lidhen dy ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, në largësi kohe nga njëra tjetra gati gjysëm shekulli. Në nëntor 1960 PKSH në Bukuresht, nëpërmjet sekretarit të saj Hysni Kapo, i komunikonte partive të tjera simotra se nuk kishte ndër mënd të përqafonte kursin e ri të Nikita Hrushovit, se nuk donte të bënte ndryshimet e diktuara nga dënimi i kultit të individit, se nuk donte të shkëputej nga stalinizmi, se tani e tutje pika e riferimit nuk do të ishte më Moska, por Pekini i Mao  Ce Dunit. Ishte një qëndrim i prerë, shqiptarçe, që ktheu mbrapa kursin e Vendit duke shuajtur ato shpresa e iluzione të vakta, të lindura mbas Kongresit të tretë. Atyre qarqeve politike apo të medias ndërkombëtare që ushqyen sado pak iluzionin se prishja me BS ishte prelud i hapjes nga Perëndimi, Enver Hoxha shpejt u dha të kuptojë se shprehja e Hrushovit “ U shitën për 30 aspra tek imperializmi” i duhej kthyer mbrapsht të zotit. Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia etj. dëshirës së tyre për kolltuk të përjetshëm i veshën petkun e “mbrojtjes së parimeve të marksizëm leninizmit”, një  mision kaq “madhështor” saqë do t’i kthente shqiptarët në barngrënës të thjeshtë….

Duhej të kalonin 48 vite që, përsëri nga Bukureshti, të vinte një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë, madje për një opinion të gjërë, duke filluar nga ai i Kryetarit të Shtetit si më i rëndësishmi në historinë e saj. Lajmi i shumëpritur ishte ftesa për të qënë pjestare e NATO-s, Aleancës së Atlantikut verior. Lajmi ishte madhor, nga ata që shënojnë kthesa të forta në historinë e popujve, ishte sendërtimi i ëndrrës qindvjeçare shqiptare për të qënë pjesë përbërëse e Botës perëndimore. Megjithatë mendoj se vendin e parë në renditjen e ngjarjeve me përparësi në historinë tonë vazhdon t’a mbajë Shpallja e Pavarësisë, ai 28 nëntor 1912, datëlindja e Shtetit shqiptar, pa të cilën nuk do të kishte kuptim vetë historia e tij. Hyrja në NATO, në Aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohur njerëzimi, ishte për Shqipërinë garanci e mbrojtjes së integritetit të saj ndaj çdo rreziku të mundshëm, dëshmoi besimin e Bashkësisë ndaj saj, por dhe interesin strategjik ndaj pozicionit gjeografik e politik të saj.

Marrja e ftesës për të hyrë në NATO, ka shënuar kalimin e një pragu të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e institucioneve euroatlantike. Por, kjo ftesë nuk duhet të shikohet si fundi i një proçesi. Ajo shënon fillimin e një faze të re në zhvillimin e Shqipërisë”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, holandezi Scheffer. Optimizmi, që na frymëzoi ky akt besimi i Aleancës, duhej tё ishte më shumë racional se emotiv, nxitës në punën e përditëshme e në projektet për të ardhmen e aspak narçizizëm politik frenues e i dëmshëm. Arritja e ftesës nuk duhej të na largonte vëmëndjen nga njëfarë vlerësimi autokritik që do të gjente shprehje në përgjigjen e ndonjë pyetjeje të rastit. Qeveria shqiptare e kishte kërkuar hyrjen në NATO më 1992. Përse u desh të kalonin plot 16 vite për të marrë një përgjigje pozitive? Këta vite peshojnë mbi mangësitë tona e paaftësinë për të realizuar parametrat e domosdoshëm të praktikës së pranimit, apo mbi strategjinë e përgjithëshme të Aleancës, që zgjerimin e konsideron një veprim politik të planifikuar, pavarësisht nga arritjet e një Vëndi apo të një tjetri? Në të dy rastet më duket se nuk kishte vend për entuziazëm të shfrenuar, për eufori, apo për një apoteozë të meritave tona, por për një vlerësim realist të punës së institucioneve tona në dritën e detyrave që na impononte gjendja e re e që nuk ishin as të pakta as të lehta.

Mendoj se detyrat kryesore që kemi sot përpara, qoftë për të arritur parametrat e pranueshme të integrimit në Evropë, qoftë për të shpejtuar proçesin e përparimit të Vendit, objektiva që përkojnë, janë të natyrave politike e të ligjëshmërisë nga njëra anë dhe ekonomike e shoqërore nga ana tjetër. Ne na duhet të modernizojmë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, politikën dhe Shtetin. Modernizim i politikës do të thotë dobishmëri, konkretësi, moralitet, korrektësi, vendimarrje në kohën e duhur, zbatim ligji dhe ndëshkim përkatës për shkeljen e tij, besueshmëri tek qytetari, respekt i ndërsjelltë për kundërshtarin, përtëritje e vazhdueshme, kulturë pune, aftësi për të bindur nëpërmjet argumentave, për t’u paraqitur denjësisht para të tjerëve, për të përfaqësuar me nivel Vendin dhe institucionet e tij, për të thjeshtuar kuadrin politik të rënduar tej mase nga një keqinterpretim i termit “demokraci”. Për të arritur këto objektiva duhet një punë e zellshme dhe e gjatë, ndihmesa e të gjithëve, vendime të shumicës që nuk paralizohen nga veto të interesave të veçanta e, po qe nevoja, edhe ndryshimet e duhura në ligjet, përfshirë edhe në Kushtetutë. Për të mos patur kompleksin e inferioritetit në tryezat ku do të ulemi me të tjerët duhet të ndërtojmë një Shtet të zhdërvjelltë, që t’i ngjasë një makine që funksionon përsosmërisht, gjë të cilën nuk mund t’a sendërtojmë nëse nuk vemë në pjedistal meritokracinë, si të vetmin kriter të vlefshëm në jetën institucionale.

Ky Shtet duhet të ketë si përparësi interesat themelore të qytetarëve të tij që janë, jo vetëm garantimi i lirisë dhe i të drejtave, por edhe një standart jetese i pranueshëm. Kjo nuk arrihet thjesht nëpërmjet ndihmave për shtresat në nevojë, por kërkon një politikë aktive e largpamëse ekonomike, në përshtatje me kushtet e Vendit, krizën globale dhe kërkesat e Bashkësive ku duam të bëjmë pjesë. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për mangësitë me të cilat përballet Vendi prej shumë vitesh, pa mundur t’i shmangë e t’i ndreqë e këto dukuri tregojnë paaftësi e dështim, jo vetëm të politikës, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Hyrja në NATO  nё 2008 ndikoi në shtimin e besueshmërisë në sistemin Shqipëri por nuk qe vendimtare nё zhvillimin e gjithanshёm tё Shqipёrisё, nuk qe “shkopi magjik” që do të zgjidhte, me një të rënë, problemet e shumta të shqiptarëve, siç besonte shumkush nё euforinё e asaj ngjarjeje.

Sot pёrballemi me tё tjera iluzione qё lidhen me fillimin e bisedimeve pёr hyrjen nё Evropёn e bashkuar. Ai veprim sigurisht do tё kishte pasojat e tij pozitive, por nuk duhet tё gёnjejmё veten se Evropa do tё na i zgjidhё tё gjitha problemet tona. Ata duhet t’i zgjidhim vetë, duke huajtur edhe përvojat e të tjerëve, duke hartuar njё strategji fituese, edhe me ndihmёn e mendimit ekonomik evropian, qё pёrputhet me mundёsitё potenciale tё Vendit tonё. Por ai projekt nuk mund tё ketё sukses, nёse nuk do tё shrrёnjosim mendёsinё mafioze tё drejtimit tё shtetit dhe bartёsit e saj tё pasuruar jashtёligjёrisht, e nёse nuk do tё zbatojmё kriterin e meritokracisё nё tё gjitha hallkat e jetёs sonё shtetёrore, shoqёrore, ekonomike. Përndryshe do të vemë në diskutim edhe vetë integrimin në Evropë, duke bërë të pamundur kthimin e mirazhit shekullor në një realitet të bukur për fëmijët tanë.

MBI VLERAT DHE TEMAT KRYESORE TË GAZETARIT FRANK GJETO SHKRELI – Nga Thanas L. Gjika

 

Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.

Krijimtaria publicistike e gazetarit Frank Shkreli e shpërndarë në shumë gazeta të diasporës, të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë me librin e tij të ri “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016, 476 f.), është një minierë e vërtetë me vlera politike, shkencore dhe kulturore. Ky autor ka si tipar kryesor shprehjen flakë për flakë të interpretimeve të tij për politikën shqiptare, për marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe për çështje rajonale të Ballkanit, të cilat drejtpërdrejt ose terthorazi kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Vigjilent tregohet ky autor dhe ndaj politikës së jashtme të Rusisë dhe të Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj politikës së brendshme të shteteve fqinjë që vijojnë t’i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.

 

          Shpresa do ta mundë dëshpërimin.

Frank Shkreli, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).

 

          Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera

         Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.

Autori, pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejtonte dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacion të pavërtetë. Gjiknuri i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t’i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi se kishte dorëzuar padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Për ta demaskuar më tej këtë Ministër dhe kolegë të tij që shkelin të drejtat e shtypit shqiptar, autori citon pjesë nga fjalimi që mbajti Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve. Si konkluzion autori konkludon se në Shqipëri sjellja e z. Gjiknuri paralajmëron edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, sepse aty demokracia është e brishtë…

 

Vlerësimi i Kishës Katolike dhe i barinjve të saj

Frank Shkreli është bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin politika e regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, prandaj ai e ndjen për detyrë shpirtërore të kujtojë herë pas here plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasojat e saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At’ Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë”, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, pra për 4/3 e popullit shqiptar, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund, autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi.

 

Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, një pengesë serioze për Shqipërinë

Një problem që e shqetëson shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës gjatë viteve të tranzicionit. Këtë dukuri ai e konsideron si një paralele me mbajtjen gjallë të nostalgjisë së Josif Stalinit në Rusi.

Me rastin e festimit të Ditës së Dëshmorëve më 5 maj 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve në Tiranë foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime u kryen në prani të personave që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart, sqaron autori, dëshmojnë se: “Ata… jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar… se janë të paaftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet,.. se ata i thonë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 – 460).

Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona… Krenaria e Amerikës është aftësia e saj për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).

Ashpër e sulmon Ministren e Kulturës, zonjën Mirela Kumbaro, kur ajo sugjeroi që statujat e Leninit e të Stalinit të mos mbaheshin më në ambjente prapa Galerisë së Arteve, por të vendoseshin në ambjente të dukshme të Ministrisë së Kulturës. Shkreli kritikon jo vetëm këtë ministre, por dhe gjithë forcat politike të pozitës dhe opozitës, intelektualët dhe mbarë popullin, që heshtin kur dëgjojnë të tilla mendime në një kohë që në ambjentet e Ministrisë së Kulturës duhet të vendosen statujat e At’ Gjergj Fishtës dhe atdhetarëve që  ndërtuan kulturën tonë e jo statujat e ideologëve të ideologjisë komuniste që kapitulloi me turp.

 

          Të hapen Dosjet!

Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe më pas, gjatë prillit 2015 në Berat, një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli që ndoqi populli gjerman me qëndrimin e tij pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Kurse pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990, populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike.

Kurse në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish-komunistët dhe ish-sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Partia Komuniste Shqiptare u quajt më 1948 Parti e Punës dhe pas shpalljes së pluralizmit më 1991 nuk u shpërbë, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish-komunistë dhe ish-sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).

 

          Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia

Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik.

Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike… e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f. 135).

Ka kohë që qeveria turke punon për gjallërimin e një fryme filoturke midis popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dukuri të cilën Shkreli e kritikon pa hezitim. Në prill të vitit 2015 bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, kurse agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon demonstratën, dënon dhe fakte të tjera si rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. Autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë si kritikë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).

 

Idetë demokratike nuk vdesin, ato ndriçojnë popullin drejt së ardhmes

Midis recensioneve të veprave shkencore rëndësi të veçantë ka dhe shkrimi kushtuar veprës së Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë, të cilat Shkreli i vlerëson duke bërë pyetjen retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Ky studiues dhe sociolog optimist sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideologjisë së tyre.

Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës dhe e ideve të tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se z. Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet përparimtare të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe ky “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër… të dijes e të përparimit” (f. 410).

 

Grindjet kanë penguar susksesin

Frank Shkreli e njeh mirë historinë dhe karakterin e popullit shqiptar. Ai vlerëson tiparet pozitive të tij si bujaria, mikpritja, trimëria, besa, etj, por nuk nguron të vërë në dukje dhe karakterin grindavec të shqiptarit, tipar ky që ka penguar në ecurinë tonë si shoqëri dhe si komb. Jo rastësisht ai në recensionet e librit “Vetëvrasja e një kombi” të Kol Bib Mirakajt dhe të librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, pranon idenë e artikuluar së pari prej këtyre dy autorëve se forcat antikomuniste shqiptare (indipendentë, ballistë, zogistë dhe proqeveritarë) gjatë viteve 1941 – 1944 dhe pastaj edhe diversantët e dërguar me ndihmën e Cia-s amerikane prej po këtyre forcave të arratisura jashtë shtetit) gjatë viteve 1948 – 1953, e humbën luftën kundër Partisë Komuniste, sepse ato nuk kishin një program të përbashkët, por grindeshin midis tyre.

 

Diaspora – pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore

Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesor Arshi Pipën shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Profesor Sami Repishtin një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberajn shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i disa librave mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar në vitet e tranzicionit; Idriz Lamajn gazetar në “Zëri i Amerikës” dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj.

Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po vijon të shkruajë dhe sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre javëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim të panevojshëm për shkak se zgjedhja e Putinit ishte jo demokratike.

 

PA LDK-në, QEVERITË JANË DËSHTAKE – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

 

     Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka bërë akuza dhe konstatime për LDK-në:

1) “Deputetët e LDK-së nuk japin nënshkrimet për Komisionin Hetimor të SHIK-ut;

2) Një pjesë e LDK-së, është pjesë aktive e SHIK-ut;

3) PDK-ja janë të pafytyrë, ndërsa këta të LDK-së i kanë dhjetë fytyra”.

     I. Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje, për krijimin e një Komisioni Hetimor, për hetimin e SHIK-ut, mendoj se nuk është studjuar në masën e duhur. Madje, dyshohet mos është sugjërim i vet SHIK-ut, nëpërmjet anëtarëve të tij të fshehtë, që i ka të bollshëm në të gjitha partitë politike. Një Komision i tillë, përveç fjalëve lumë, nuk mund të sjell ndonjë rezultat konkret. Pse? Sepse, në ulset e Parlamentit janë, të paktën, 27 kriminelë. Kjo shifër rritet, kur dihen lidhjet ideologjke e nepotike të shumë deputetëve tjerë.

     Është një projekt i Hashim presidentit, që, tashmë, është vënë në zbatim: Arrestimi i shokëve të tij, dënimi simbolik e, më pastaj, lirimin e tyre! Bazuar në një klauzolë ligjore: “Një çështje e gjykuar një herë, nuk mund të bëhet objekt hetimi përsëdyti”, i mbyllë krimet monstrume, të “komandantëve” kriminelë, që nga projektuesit, listëbërësit, urdhërdhënësit e deri tek ekzekutorët! Dhe, kjo ka trimëruar kriminelët e liruar dhe të tjerë, që janë në pritje të lirimit të parakohshëm. Sipas Kadri Veselit, themelues i SHIK-ut është Hashim Thaçi, dihet, në koordinim me Sigurimsat e Enver Hoxhës dhe, përmes tyre, edhe Serbinë me aleatë. Kjo për arsyen, tashmë, të dëshmuar, përçarjen ndërshqiptare, me synimin që shqiptarët e Kosovës të vritën në baza ideologjike, për të harruar luftën me pushtuesin, Serbinë.

     Realisht, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithëherë në mbrojtje të SHIK-ut, në mbrojtje të krimit:

a) Vetëvendosje kërkoi largimin e UNMIK-ut, pastaj, edhe të EULEX-it, pa të cilët Kosova dhe qytetarët e saj do të ishin të rrezikuar edhe më shumë, nga bandat e PDK-së dhe të AAK-së;

b) Vetëvendosje votoi kundër krijimit të Gjykatës Speciale, edhe pse e dinte se kriminelët nuk ka kush t´i dënojë brenda Kosovës;

c) Vetëvendosje votoi Rezolutën për mbrojtjen e vlerav të UÇK-së, që, në fakt, ishte për lirimin dhe mbrojtjen e “komandantëve” kriminelë, tashmë, disa syrësh, të dënuar me vendim të Gjykatës;

d) Vetëvendosje votoi ligjin për pagesën e mbrojtjes të akuzuarëve nga Gjykata Speciale, që do të jenë, kryesisht SHIK-as kriminelë, vrasës të shqiptarëvve të pafajshëm. Dhe, kjo është mbrojtje zyrtare e krimit, rehabilitim i kriminelëve, rivrasje e viktimave dhe cinizëm marroq;

e) Vetëvendosje, padyshim, ka qenë dhe mbetet edhe e vetme, në mbrojtje të Republikës: denoncimin e korrupcionit galopant; edhe më e vetmuar në kërkesën për sekuestrimin, shtetëzimin e pasurive pa mbuesë të pushtetarëve, hajna zyrtarë e batakçinj dhe të kujtdo tjetër. Por, Vetëvendosje “ka heshtur si peshku”, për krimet politike vrastare, gjatë dhe pas luftës, të bandave në koordinim: të Drenicës, Dukagjinit, Llapit, të strehuara në partitë-banda të PAN-it aktual. Për të qenë krejt i saktë, pas koalicionit të tri partive-banda, përkatësisht, PDK-e, AAK-a, NISMA, të tufëzuar në PAN-in kriminal, ka pasur zëra denoncues të krimeve politike, edhe nga disa kuadro të Vetëvendosjes. Zonja Millaku, e cila, edhe pse me shumë vonesë, akuzoi shefin e SHIK-ut Kadri Veseli dhe themeluesin e tij, Hashim Thaçin, për vrasjen e komandant “Drinit”, alias Ekrem Rexha. Ishte vënie e pikës mbi -i-.

   Hetimin për SHIK-un, përkatësisht, krimeve vrastare seriale politike, përgjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë, që kapin shifrën përtej 1.820 ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut, veprimtarëve të LDK-së dhe kuadrove të LPK-së së hershme, të cilët nuk u pajtuan me krimet e “komandantëve” të “Rognerit”, bëhet ndryshe: Mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve të Kosovës si dhe të nënshkrimeve nga populli i Kosovës. Dosja e nënshkrimeve, së bashku me Kërkesën, për hetimin e krimeve vrastare politike, të luftës dhe të pasluftës, duke e shtrirë në kohë, që nga vrasja e gazetarit dhe të zëdhënësit të UÇK-së, Ali Ukaj, në Tiranë, më 1997, e deri ke vrasja e Arben Sejdiut, në vitin 2016, t`u dërgohen Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare dhe Gjykatës Speciale, me seli në Hagë.

II. Përsa i përket konstatimit të deputetes të Vetëvendosjes, Drita Millaku, se “një pjesë e LDK-së, është pjesë aktive e SHIK-ut”, është pjesërisht i saktë. Dhe, për të qenë krejt OK-ej, duhej një formulim ndryshe: “Disa anëtarë potencialë, në strukturat vendimmarrëse të LDK-së, janë pjesë aktive e SHIK-ut”. Këtë të vërtetë, në shkallën sipërore, e kanë denoncuar shumë veprimtarë e disa gazetarë nga LDK-ja dhe, në veçanti, nga LDK-ja e Mërgatës. Pas amëshimit të kryezotit Rugovë, filloi “hajka”, përndjekja, anashkalimi i kuadrit të sprovuar rugovian, për ta monopolizuar më lehtë sundimin, përmes klanit brenda Kryesisë të LDK-së.

     Në Kuvendin e 7-të Zgjedhor të LDK-së, u ligjësua braktisja e zgjedhjeve demokratike. Vetë kontrabandimi i një kryetari, që, jo vetëm nuk ishte pjesë e këtij subjekti, por, edhe kundër tij, është shenjë e dukshme se SHIK-u ishte brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së. Emërimi i Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë të LDK-së, pa hyrë në votim të fshehtë, ishte kthim në praktikën moniste dhe kompromentim të strukturave të LDK-së. Kryetari i partisë aktivizoi klanin e gatshëm dhe nismoi anashkalimin, linçimin, përjashtimin e kuadrit besnik rugovian. Dhe, ky ishte një dobësim i LDK-së, pakënaqësi të anëtarësisë, që është reflektuar në largime dhe abstenime në votime, të një mase të konsiderueshme të anëtarësisë të LDK-së. Dhe, pamëdyshje, ky ishte projekt i SHIK-ut, i realizuar nëpërmjet asaj “pjese aktive të SHIK-ut brenda LDK-së”, që konstaton mençurisht edhe zonja Millaku.

     Oreksi i shtuar i kryetarit dhe i klanit të tij, brenda Kryesisë të LDK-së, për të qëndruar, pameritueshëm e dhunshëm, në udhëheje të LDK-së, edhe në mandatin tjetër, u manifestua, pacipshëm, në Kuvendin e 8-të “Zgjedhor” të LDK-së. U shkelën tri parimet bazë të rregullores të Këshillit të Partive Popullore të Evropës (PPE), si: moslejimi i debatit, mungesa e konkurrencës, përjashtimi i votimit demokratik, pra, mosvotimi i fshehtë!!! Rrjedhoja: E gjithë struktura vendimmarrëse e LDK-s, e dalë nga Kuvendi i 8-të “Zgjedhor”: Kryetari, Kryesia dhe Këshilli i Prgjithshëm rezulton sa e dhunshme, aq edhe e paligjshme. Të ligjshëm janë vetëm deputetët e zgjedhur të qershorit dhe kuadri drejtues i komunave, të fituara nga LDK-ja, në tetorin e vitit 2017.

     SHIK-istët brenda Kryesisë të LDK-së, me një vrazhdësi, sa të turpshme, aq edhe cinike, u sulën kundër rugovistëve dhe Degëve më aktive të LDK-së në Mërgatë, siç ishin ajo e Gjermanisë dhe e Zvicrës, për të sajuar kriza dhe rrënim të partisë zëmadhe të Ibrahim Rugovës. Pa forcën e SHIK-ut brenda, strukturave vendimmmarrëse të LDK-së, nuk mund të zgjidhej president i vendit Hashim Thaçi, themelues i Organizatës kriminale e terroriste SHIK, i akuzuari i parë, për vrasjet politike, për koordinim konspirativ me Tiranën zyrtare komuniste dhe mikën e vjetër, Serbinë me aleatë.

     III. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, denigron rëndë LDK-në: “PDK-ja janë të pafytyrë, ndërsa këta të LDK-së i kanë dhjetë fytyra”. Zonja Millaku i vënë në një linjë PDK-në me LDK-në. Bën edhe një gabim logjik, se mjafton jo dhjetë fytyra, por, edhe dy fytyra, për të mos pasur njeriu apo subjekti asnjë fytyrë. Barazimi i këtyre dy subjekteve është i marrëzishëm, sepse LDK-ja nuk e ka përgjakur popullin e Kosovës, siç ka bërë PDK-ja me partitë simotra të saj. Megjithatë, ky përgjithësim, i zonjës në fjalë, është i papranueshëm, aspak i saktë.

     Kur themi se PDK-ja dhe AAK-ja janë parti-banda, ne faktojmë cilësorin tonë. Sepse, të gjitha veprimet kriminale të lidërve partiakë të tyre, janë aprovuar nga Kryesia, Konventat e tyre partiake, deputetët, Degët, Nëndegët, ministrat, zyrtarët qeveritarë, pra, anëtarësia e tyre. Krejt e kundërta ka ndodhur e vazhdon të ndodhë brenda LDK-së.

     Në LDK-e, pas amëshimit të liderit Ibrahim Rugova, kuadrot, veprimtarët, deputetët dhe shumësia e anëtarësisë të saj, kanë denoncuar, madje në vijimësi, veprimet e drejtuesëve partiakë, në dëm të LDK-së dhe të vet Kosovës. Këtë e kanë bërë edhe Nëndegët e mëdha të LDK-së, si: Vrella e Istogut, Zhuri i Prizrenit, Isniqi i Deçanit, Dobërçani i Gjilanit, Llausha e Skënderajt, Nëndega e Rugovës, madje, edhe Degët si ajo e Prizrenit, e Gjakovës dhe të tjera. Mërgata prijetare në frymën rugoviane, ka manifestuar hapur pakënaqësinë e saj, me karrieristët dhe servilët e tyre klanorë. Dhe, kjo anëtarësi nuk ka pasur probleme me bazën, komunat e tyre, por, me LDK-në e Qendrës. Kundërshtinë e tyre e kanë paguar me lënien e tyre jashtë Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, Qeverisë, Parlamentit e tjerë. Dhe, të gjithë këta kundërshtarë kishin vetëm një fytyrë dhe atë e ruajtën me nder.

     Veprimtarja më e madhe në Evropë dhe Botë, para dhe gjatë luftës, Donikë Gërvalla, u luftua, marrëzisht, nga kryetari dhe klani i tij. Madje, u tërhoq zvarrë në hollin  e sallës, ku mbahej Konventa demagogjike. Ajo deklaroi se “nëse deputetët e LDK-së e votojnë demarkimin e kufirit, poshtë Qafës së Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit, unë nuk do të jem në LDK-e”. Dhe, e mbajti fjalën e dhënë, sepse ajo është e bija e Heroit markant, Jusuf Gërvalla dhe nuk shkelë mbi gjakun e gjyshit të vrarë, në mbrojtjen e Pazarit të Ri (sot:Novi Pazar).

     Ja, pra, LDK-ja ka vetëm një fytyrë. Është e fjalës dhe e besës; është e paqes dhe e luftës; është e pendës dhe e mendjes; është parti akademike, pa të cilën, çdo qeveri në pushtet, ka qenë dhe do të jenë dështake. Për të qenë më e suksesshme dhe më e shëndetshme, në largimin e PAN-it banditesk, LDK-ja duhet menjëherë të bëjë zgjedhjet brenda partiake. Dhe, këtë për disa arsye madhore:

      1) Të kthehet LDK-ja në origjinë, në frymën e themeluesit të saj, Dr. Ibrahim Rugova;

           (Kryesia aktuale, më sakt, klani brenda Kryesisë, ka devijuar, qëllimshëm, frymën rugoviane, për ta zgjatur sundimin klanor. Andaj, është utopi reformimi, korrigjimi nga ajo!)

      2) Të risjellë në LDK-e parimet bazë: debatin, konkurrencën zgjedhore dhe votimin e fshehtë;

           (Klanorët “harruan” demokracinë! Përqafuan, sërishmi, aklamacionin komunist, në zgjedhjen e organeve drejtuese të LDK-së!)

     3)  T´i spastrojë strukturat vendimmarrëse të partisë, nga elementët aktivë të SHIK-ut;

           (Veprimet përfide të SHIK-ut, në strukturat vendimmarrëse të partisë, e mbajnë LDK-në në opozitë!)

     4) Të ligjësojë organet drejtuese e vendimmarrëse të partisë; 

          (Zgjedhjet aklamative moniste, kanë prodhuar kryetar, Kryesi dhe Këshill të Përgjithshëm të dhunshëm, jo legjitim!)

     5) Statuti i LDK-së, i ndryshuar për qëllime klaniste, me kompetenca tipike komuniste për kryetarin, t`i kthehet origjinës rugoviste;

         (Sipas statutit aktual, kryetari me fuqi më shumë se mbreti, i përdorë strukturat “vendimmarrëse” si kondomë!)

     

     6) Zgjedhja e kryetarit të bëhet nga anëtarësia: një anëtar – një votë;

         (Propozimi i anëtarëve në konkurrencë, të bëhet nga një Këshill Zgjedhor, të rekomandur nga baza dhe jo nga garnitura aktuale drejtuese!)

     7) SHIK-istët, brenda strukturave vendimmarrëse të partisë, janë në ethe për ndarjen e LDK-së;

           (SHIK-u don vazhdimësinë e atyre që shkelën dy amanetet e Presidentit Rugova: “Mos lejoni ngritjen e Hashimit në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën” dhe “Demarkacioni nuk duhet të zbresë poshtë Qafës së Çakorrit, Kullës së Zhlebit …”!)

     8) Baza e përgjumur partiake, të zgjohet, të këndellët. Degët e LDK-së të Prishtinës; Nëndegët e fshatrave të mëdhenj dhe emërmirë, të cilët, ndër dekada e shekuj, janë shquar për Kuvende dhe vendime të matura, ta fillojnë debatin demokratik, të munguar përtej një dekade, për të përgaditur zgjedhjet brenda-partiake, me pjesëmarrjen edhe të elektoratit të hershëm rugovian, të përjashtuar dhe të linçuar, për t`ia kthyer pushtetin dhe dinjitetin LDK-së të Ibrahim Rugovës. 

     Është e shumtë pritja një mujore, e lëre më ajo vjetore, siç duan klanorët, për ta gatuar, sërishmi, një çorbë të thartuar, si ajo e aklamacioneve komuniste, të Kuvendeve 7-të dhe 8-të “Zgjedhorë”. SHIK-u vazhdon të veprojë dhe shantazhojë argatët e tij, të zëshmit, për zgjedhjen e Hashimit president dhe të mbulimit të marrëveshjes konspirative, votimin e demarkacionit, në vijën fatale aktuale, dje, dhe statusquonë, sot, me qëllimin final: goditjen e sërishme të LDK-së, ndarjen e saj.

“EDHE MURET KANË VESHË” – Nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë gazeta Telegraf në Tiranë botoi një artikull të Z. Hyqmet Zane,   titulluar, “Kur shqiptarët dënoheshin se dëgjonin “Zërin Amerikës”, ku ndër të tjera ai tregon një rast bisede me një shok të tijin, në kohën e komunizmit: “Në darkë tek rrija me shokun tim, më tha me gjysmë zëri, “Ti e ke dëgjuar ndonjëherë “Zërin e Amerikës?”.  Shtanga, se mu kujtuan fjalët e xhaxhait, që askujt të mos i tregoja, por ndaj këtij shoku kisha një besim të madh dhe i thash “Ndonjëherë”.  Dhe ai mu përgjigj, “Edhe unë e kam dëgjuar, por bëj kujdes se edhe muret kanë veshë dhe mendohu para se të flasësh se çfarë thua”.  E mirëkuptova!”, shkruan Hyqmet Zane.

 

Si një punonjës dhe zyrtar i Zërit të Amerikës për tre dekada, përfshirë kulmin e luftës së ftohët, shpresoj që Z. Zane të mos ketë pësuar ndonjë pasojë, si përfundim se ka dëgjuar Zërin e Amerikës, madje edhe fshehtas.  Dihet se shumë shqiptarë të tjerë e kanë pësuar keq, jo vetëm se mund të kenë pranuar publikisht se dëgjonin Zërin e Amerikës, ose mund të jenë paditur se kishin bërë një gjë të tillë, por edhe për çdo deklaratë tjetër që mund të konsiderohej nga regjimi si kritikë ndaj Partisë komuniste ose udhëheqsve të “pushtetit popullor”.  Ishte një mësim i hidhur për shqiptarët, por dihej se spiunët ishin kudo, madje edhe në familje edhe atje ku nuk i shihje, as ku nuk i prisje, prandaj duhej kujdes – siç tregon edhe Hyqmet Zane në shkrimin e tij të lartë përmendur botuar në gazetën Telegraf – se ç’bisedoje bile edhe me miq e shokë të besueshëm, sepse edhe “Muret kanë veshë” dhe si rrjedhim do e merrte vesh Sigurimi dhe  partia dhe do e pësoje rëndë — për një fjalë goje – shpesh pa hak, as hile.

 

Kanë kaluar pothuaj 30-vjet nga shëmbja e Murit të Berlinit.  Në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore, gjatë viteve janë kujtuar krimet e komunizmit dhe janë ndërtuar muze dhe monumente kushtuar viktimave të komunizmit, ndërkohë që janë marrë masa për ndriçimin e krimeve të komunizmit. Nepërmjet datave të veçanta kombëtare dhe ndërkombëtare, kujtohen viktimat e komunizmit anë e mbanë Evropës.  Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, e cila nuk ka reflektuar pothuaj aspak dhe asgjë mbi krimet e komunizmit dhe pasojat me të cilat përballet vendi gjithnjë.  Ndërsa ish-zyrtarë të lartë të regjimit komunist ende mund të gjënden në poste të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, nostalgjikët e regjimit komunist lejohen të marrin pjesë në aktivitete të sponsorizuara nga qeveria me fotografi të diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që autoritetet qeveritare ende nuk i kanë shqyrtuar siç duhet dosjet e ish-Sigurimit të shtetit– të pakën ato që kanë mbetur pa u zhdukur – dhe për pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri nuk janë  dënuar ende krimet e komunizmit, ashtu siç ka ndodhur në ish-vendet komuniste të Evropës. Ndërkohë, që të përndjekurit ose familjet e tyre 30-vjet pas komunizmit e ndjejnë veten si të huaj në shtëpinë e vet, pasi shumë prej tyre e konsiderojnë veten se janë lënë jashtë  proceseve politike dhe ekonomike që sjellë demokracia, duke zgjedhur të vetmen alternativë jetese – shpërnguljen nga vendi.

 

Jo vetëm të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri, por e mbarë bota është e zhgënjyer nga mos veprimi i autoriteteve shqiptare në lidhje me përballimin e vërtetë dhe serioz të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste dhe janë përpjekur të bëjnë sado pak për të ndriçuar të vërtetën mbi krimet e komunizmit. Gjermania dhe ambasada e saj në Tiranë kanë qenë shumë aktive në këtë fushë, duke u përpjekur që përvoja e saj e përballimit me të kaluarën naziste dhe komuniste të përdorej si shëmbull nga shqiptarët, për tu përballur me të kaluarën komuniste edhe në Shqipëri.  Kohët e fundit, madje edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara iu bashkangjit një projekti në Shqipëri për të zbardhur të vërtetën mbi të kaluarën komuniste, duke mbledhur dëshmi nga qindra të përsekutuarish të mbijetuar të atij regjimi që kanë vuajtur tmerin në burgjet dhe në kampet e internimit.

 

Media të ndryshme, përfshirë edhe Zërin e Amerikës, kanë njoftuar kohët e fundit se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit si pjesë e projektit të ri “Edhe muret kanë veshë”, ka filluar të mbledhë dëshmi gojore nga ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të regjimit komunist.

 

Projekti në fjalë drejtohet nga artistja kosovare, Alketa Xhafa Mripa, e cila solli përmes artit vuajtjet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  Këtë herë, ajo ka vendosur të hedhë dritë mbi historitë e të mbijetuarve të komunizmit në Shqipëri, ka njoftuar Zëri i Amerikës.  Në një intervistë me VOA-n shqip, ajo është shprehur se projekti që ajo kryeson, “Edhe Muret Kanë Vesh” synon të ngjallë debatin në shoqërinë shqiptare duke kujtuar heronjtë e heshtur të asaj periudhe, tregimet e të cilëve do të hidhen gjithashtu në një libër nga gazetarja Kristale Ivezaj Rama, pjesëtare e këtij projekti.  Sipas tyre, instalacioni — i cili është konceptuar të hedhë mbi mure thëniet e viktimave të komunizmit — do të shfaqet në shtatë qytete të Shqipërisë në datën 8 maj.  

Dy protagonistet e projektit  “Edhe Muret Kanë Veshë”Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Rama duke u intervistuar nga Rudina Dervishi e Zërit të Amerikës

 

E gjithë kjo veprimtari është tepër e vonuar — por më mirë vonë se kurrë — pasi shumë dosje janë zhdukur dhe shumë të përndjekur dhe vuajtës të atij regjimi kanë vdekur dhe me ta ka vdekur edhe një pjesë e historisë së vërtetë të burgjeve dhe kampeve të internimit në Shqipëri.  Fatkeqsisht, duket se ky ishte edhe qëllimi i qeverive post-komuniste në atë vend, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë minimumin në këtë drejtim, prandaj personat vendas dhe jashtë vendit, të dedikuar ndaj këtij projekti, meritojnë falënderimet tona dhe mbështetjen e shoqërisë shqiptare që t’ia dalin në këtë mision fisnik dhe patriotik.  “Ka ardhë koha”, ka shkruar ditët e fundit Profesori i nderuar dhe ish i burgosuri politik i regjimit enverist, nga viti 1946-56, Dr. Sami Repishti: “Edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”.  Le të bajmë përpjekje me rindërtue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”.   Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir.  Identifikimi i “të metave tona” ashtë hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta, dhe bashkëpunimi me të gjithë”.  Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

 

Kjo pra është porosia e vlefshme nga shumë i nderuari dhe i respektuari dhe për më tepër nga një vuajtës i burgjeve famëkeqe të regjimit të Enver Hoxhës, Profesor Sami Repishtit, për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe për klasën politike post-komuniste të Shqipërisë në veçanti.  Ka ardhë koha “E burrënimit me sensin e plotë të përgjegjësisë…”

 

Si përfundim pra, në këtë mision të shenjtë, nismëtarët e projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”, meritojnë mbështetjen e autoriteteve qeveritare dhe shtetërore të Shqipërisë – ashtuqë më në fund, të pakën, të zbulohet dhe të pasqyrohet sadopak një pjesë e asaj historie të tmershme, nepërmjet dëshmive të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit.   Nga ana e tyre, megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet çnjerëzore ndaj tyre, të përndjekurit nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje as kurrfarë ndëshkimesh për torturuesit e tyre.  Kërkojnë vetëm drejtësi dhe që e vërteta të thuhet e të ndriçohet për brezat e ardhëshëm me shpresën që e kaluara të mos përsëritet më.   Ky duhet të jetë prioritet dhe përgjegjësi morale dhe kombëtare për autoritetet qeveritare dhe shtetërore të vendit.  Ka ardhur koha që autoritetet shqiptare — sipas fjalëve të një të persekutuari në kampet e përqëndrimit të Shqipërisë — që më në fund, “Të mos joshen me sorrat, por të fluturojnë me shqiponjat”, duke i dhënë këtij projekti ndihmesën që meriton dhe mbështetjen e nevojshme që i duhet – tani dhe në të ardhmen — ashtuqë që të dalë me sukses në zbulimin sado pak të pjesëshëm të së vërtetës mbi të kaluarën komuniste.

 

 

Prilli është përcaktuar si Muaji i Ndërgjegjësimit dhe Parandalimit të Gjenocidit, shënon përvjetorë të rëndësishëm për aktet e shumta të gjenocidit në shekullin e 20-të. Përkujtohen ata që u vranë në gjenocid dhe në vrasje masive në mbarë botën. Enver Hoxha ishte përgjegjës për 100,000 vdekje – ekuivalente me më shumë se një të tridhjetën e popullsisë së Shqipërisë. U prehshin ne paqe, Shpirtërat e tyre.  (Nga Facebook e Projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”

 

(Nga Facebook e Projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”

 

Tragjedia e “mendjeve të mbylluna” – Nga SAMI REPISHTI, PH.D.*

 

Në kujtimet e tij, historiani i ndjerë Arben Puto tregon se gjatë demonstratave studenteske të 8 Dhjetorit 1990, në nji vizitë tek e motra, Nefo Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, -ish-kryetar i Komisionit për Internimet e familjarëve të personave të arratisun, kryesisht fëmijë, gra e pleq,- ajo e priti me britma histerike: “More Arben, ku të vemi tani? I kemi duart e lyera me gjak!” Vëllau, bani përpjekje me e qetësue, se nuk do të ngjante nji e keqe me ndryshimin e gjendjes.

 Dhe ashtu doli! Asnji pjesëtar, përsëris asnji, nga anëtarët e familjeve të ishudhëheqësve komunistë në Shqipëri, nuk u arrestue, burgos, torturue, internue, dënue e natyrisht as pushkatue. As edhe familja e diktatorit E.Hoxha. Shembull qytetnimi të njimendtë, dhe unë, i persekutuemi, jam kryenalt! Në Shqipëri, ky parim themelor i së drejtës civile (vetëm “personi” që kryen krimin ashtë përgjegjës për krimin), nuk respektohej. Në vendin tonë, komunistët kishin zgjedhë “të drejtën zakonore” që konsideronte “anmik” të gjithë familjen, dhe fisin e “fajtorit”.

Nji tjetër “udhëheqës”, mesjetari Haxhi Lleshi, edhe ai ish-kryetar i Komisionit për internimet, e përcaktonte: “Internohen të gjithë ata që kanë ngranë në nji sofër me fajtorin”. Kështu veprohej në Shqipëri në fund të shekullit njizet. E pabesueshme! “Shembulli i qytetnimit të njimendtë” jepej mbas nji periudhe 45-vjeçare të diktaturës së proletariatit në vendin tonë: ma shumë se 7.000 shqiptarë, burra e gra, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, dhjetëra mijëra të burgosun e të torturuem, dhe ma shumë se 50.000 të internuem, kryesisht fëmijë, gra e pleq, mjaft prej tyne për nji periudhë 45-vjeçare! Nji bilanc i pabesueshëm për nji vend të vogël si Shqipëria jonë.

Shprehja e frikës së zonjës Nefo vjen nga nji person, që ka qenë plotësisht në dijeni të krimeve të bame në Shqipëri nga regjimi komunist. Si bashkëshorte e kriminelit, ajo ka pa dhe ndigjue ma shumë se të tjerët. Ajo e dinte se nuk ka pasë lagje qyteti, as fshat të rretheve e malësive tona ku të mos kishte nji ose ma shumë të vramë, arrestuem, torturuem, burgosun, internuem ose të shpronësuem me dhunë, kur “partizanët” zbriten nga mali dhe u vendosën me terror në shtëpitë e “reaksionarëve”.

Shprehja e zonjës Nefo ishte shprehja e frikës së përsëritjes së ngjarjeve të viteve 1944 dhe 1945. Për hir të frymës njerëzore që ushqejshin ish-të persekutuemët, ajo katastrofë nuk u përsërit. Nji fitore e madhe morale për shqiptarët! Heshtja që i mbuloi këto krime, ka qenë nji fyemje kriminale, vrasje e dytë për viktimët, nji qëndrim i pandershëm i “udhëheqësve” të vendit, pabesueshmënisht jokoshientë të seriozitetit të katastrofës së pësueme, të plagëve të hapuna, të familjeve të sakatueme për jetë…. E për qindra mijëra jetësh njerëzore të damtueme pa shpresë shërimi.

Akoma sot, këto viktima të terrorit të kuq nuk besojnë atë që shohin e ndigjojnë rreth e rrotull tyne. Kur e paprituna kalon kufijtë e arsyes normale, bota hyn në fushën e absurdit, ku gjithçka ashtë e mundun…edhe heshtja që vret e që mbulon krimin komunist. Ky ashtë absurdi që përballojmë sot në Shqipëri! Në edicionin e ditës 11 prill, gazeta “Panorama” botoi opinionin e nji mendje të ndritun, atë të Dom Gjergj Metës, i Ipeshkvisë së Mirditës. Tue trajtue “absurditetin” e gjendjes së sotme në Shqipërinë sonë, ai shkruen: “Po! Ai sistem ishte kriminal, antishqiptar e antinjerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyne biologjikë e ideologjikë. Deri tani, një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri me një sens përgjegjësie për t’u admiruar, e ky është Bashkim Shehu”. (Shënim: djali i kryekriminelit Mehmet Shehu-SR).

Ai shton: “Me vetëdije apo pa vetëdije, shohim nji përpjekje për krijimin e një nënstarti të ri, në të cilin idetë komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ripropozohen edhe politikisht”. Nji gjykim i matun dhe korrekt i këtill më kujtoi esejen e filozofit francez, Bernard Henry-Levy: “Të mbetun në kohën e errësinës”. Ai shkruen: “Unë jam i bindun se me kolapsin e kështjellit komunist, pothuej kudo në botë, në disa raste kemi pasë edhe efektin anësor e të papritun me shlye gjurmët e krimeve të tij, bile disa shenja të dukshëm të dështimit tij, që kanë lejue disa persona me rifillue andrrimet për nji komunizëm të papërlyem, të pakomprometuem nga krimet, dhe të lumtun!”.

Në anormalitetin e gjendjes sonë, a ka mundësi të përjetojmë nji paturpësi të këtill? Fatkeqësisht po! Sidomos me polemikat e këtyne kohëve të fundit. Për shumë shqiptarë që mendojnë dhe për shumë shqiptarë që kanë vuejtë randë nga krimet komuniste kjo ashtë nji tragjedi. Por, njikohësisht, kjo ashtë nji tragjedi, sidomos edhe për elementë me përgatitje intelektuale, por “mendjembyllun” (“close-minded”) që, tue mohue të kaluemen terroriste, “riandrrojnë” nji komunizëm të pafaj dhe të lumtun. Dhe ky fenomen ashtë shqetësues, me tone tragjike personale dhe kombëtare që rrjedh nga “pika e dobët” në formimin e andrruesve, shkaktare e tragjedisë së tyne të paevitueshme. Tragjedia, shprehjet e saja, u shfaqën që në ditët e para të qytetnimit.

Teorikisht, Aristoteli na mëson se ajo provokon terrorin dhe mëshirën. Mëshira lind nga fatkeqësia e pameritueme e viktimës. Dinjiteti i viktimës rritet nga fisnikëria e kauzës që ai mbron me rrezikun e jetës, qoftë ai qytetar i thjeshtë, qoftë si masë popullore që ngren kokën. Fisnikëria e kauzës na shërben si mësim i historisë, si nji shembull moraliteti suprem, si nji shpalosje e psikologjisë sonë që na udhëheq, dhe si fortësi e karakterit me ndjekë pa u lëkund imperativët e kauzës.

Nji fisnikëri të këtill e kemi përjetue gjatë ditëve të pushtimit të huej, në vitet e Luftës së Dytë Botënore, në vitet kur rezistenca naltësonte shpirtin tonë të luftës për çlirim, në luftën kundër të huejit dhe kundër çnjerëzimit, që kërcënonte personalitetet tona. Kështu u krijue nji përkrahje e plotë e luftës çlirimtare nga zgjedha e të huejit me të gjitha zhvillimet tragjike që ajo luftë solli në vendin tonë, e që na pranuem me mendje të hapun e zemër të përgatitun për flijim. Kanë qenë ditët e lavdishme që premtuen të nesërmet plotë kangë, “bukë e paqë edhe liri!” e që realiteti komunist i mohoi mbas “çlirimit”, tue i zëvendsue me vajin, dnesën e ulurimën e viktimës së pafajshme dhe urrejtjen e përpunueme me shkencë.

Shumë shqiptarë të ndershëm ranë viktimë e kësaj kurthe monstruoze dhe e ndërtesës së re që i mbështjelli pa asnji mëshirë! Tragjedia ashtë edhe ma e randë për ata që janë të arsimuem, për ata që mendojnë si qenie të pavaruna, për ata “që dialogojnë me elementë që tejkalojnë forcat e tyne”. Në luftën e tyne të brendshme, ata përfundojnë ose me nënshtrimin tue pranue logjiken që jepet dhe aksionin që imponohet, për hir të nji jete me konforte, ose në nji konflikt të brendshme me njohë vetveten, e që përfundon “me nji dashuni për botën, e zbulimin e nji farë harmonie në mes vetes dhe botës për rreth”(Jacques Morel).

Ose me nji akt revoltues, që i jep aksionit tonin e nevojshëm tragjik që merr përpjekja me u afirmue në momentin me nji akt të veçantë, që shpeshherë ka karakter dëshprimi. Tragjedia e përgjithshme përvetësohet nga heronj individ që pranon konfliktin e mbrendshëm, që krijon situatën kur ai ndërgjegjësohet me dhimbje për fatin ose fatalitetin që e pret, e natyrën e saj. Ashtë fryma e rezistencës kundër së keqes që na imponohet e nuk pranohet.

Me marrjen e nji aksioni që e shkatërron, qytetari rezistues kryen aktin ma sublim të jetës: luftën kundër fatit dhe siguron, qoftë edhe për nji minut, lirinë e tij absolute. Qenie e lirë! Kjo ashtë madhështia e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën në rezistencën kundër të huejit që i vrau gjatë pushtimit të vendit tonë, dhe ma vonë, e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën kundër diktaturës së proletariatit që i dërmoi pa mëshirë!

* * *

Nji ndryshim i shpejtë nga nji botë e mbyllun në nji shoqëni të hapun nuk mund të kalonte pa rrjedhime negative, një nga të cilat ashtë fenomeni i “mendjeve të mbylluna” në kallëpin ideologjik ku ata u formuen dhe pranuen pa rezistencë. Kjo kategori ashtë, për vetë qëndrimin e tyne, i nji natyre “konservative”, pavarësisht se nominalisht ata kanë jetue nën “socializëm”, ide teorikisht përparimtare me rezultate zhgënjyese. Ky negativitet shihet në qëndrimet e tyne në kulturë, art, letërsi e tjera. Ata frikësohen nga spontaniteti ose ndryshimi i botës së tyne.

Personat “me mendje të mbylluna” mund të jenë si rezultat i nji sistemi politik të veçantë, që i prodhon ata ose përforcon tek ata ideologjinë e vet, siç ashtë rasti ynë “komunist”. Nga nji herë, kjo rrjedh edhe nga nji situatë traumatike në jetë; si rrjedhim, ata izolojnë veten nga emocionet, afeksionet e tjera. Për ma tepër, ata mendojnë ngushtësisht në “kategori” që nuk mund të hapen (e bardhë ose e zezë!) gjatë procesit të mendimit të tyne. (P.sh., të gjithë ata që ishin “ballistë” ose “zogistë” dje, ose “komunistë” sot, janë njerëz të këqij.

“Të gjithë ata që nuk binden, duhen ndëshkue”, e tjera) Psikologët mendojnë se “mendjet e mbylluna” nuk shërohen lehtë, sepse ata mendojnë që kanë të drejtë kur shfaqin nji mendim, nji qëndrim, nji ide, nji perceptim etj. Por, ata duhet të ekspozohen me ndihmën e personave që kanë qenë viktima të nji regjimi të veçantë politik; ata duhet të ndigjojnë rregullisht historitë e njerëzve që kanë vuejtë.(Ky sistem quhet “hypothesis of contact” -hipoteza e kontaktit”). Ky ashtë nji sugjerim për shërimin e tyne, tue i ndihmue ata të vijnë në kontakt me realitetin. Megjithatë, dyshohet nëse ata kanë mundësi të “shërohen plotësisht”.

Pak ditë ma parë, unë tregova në këtë fletore dy raste ekstreme torturash çnjerëzore. Qëllimi? Me ndihmue “mendjet e mbylluna” të rikonsiderojnë pozicionin e tyne. Sot do të shtoj dy raste tjera, të njohuna ma shumë: 1)Në muejin tetor 1946, oficerët e Sigurimit, kolonel Vaskë Koleci dhe majori Zoi Themeli, torturuen avokatin shkodran, të ndjerin Myzafer Pipa, me hekur të skuqun në zjarr, të vendosun në shtyllën kurrizore. Zyrtarisht, “ai u vra sepse tentoi arratisjen”. Në vitin 1949, i pyetun nga gjykatësi, kolonel Koleci tha se ka marrë udhëzime nga Koçi Xoxe.

I pyetun, “trockisti” Koçi Xoxe deklaroi se ka pasë “udhëzime nga komandanti”… 2)Mbas dënimit me vdekje të ish-admiralit Teme Sejko, (1961) u dhanë udhëzime të torturohet përsëri me qellim që të nxirrnin të reja nga ai. Tre oficerë, kryekrimineli Nevzat Haznedari, nji nga torturuesët ma të frikshëm në Shqipëri, tregon se e morën viktimën (ishin tre shokë), e shpunë në nji shtëpi afër Shijakut, porositën disa shkopinj të fortë dhe e vranë fare.

Për të qenë të sigurt se ka vdekë, shkruente ai në shtypin shqiptar të mbas 1991-it, ‘morëm nji kazëm dhe dërmuem kafkën e tij’. Përsëri, unë tregoj këto shembuj me ndihmue “mendjet e mbylluna” me ardhë në kontakt me realitetin.

* * *

Në fund të L2B, gjenerali D. Eisenhower, kryekomandant i forcave aleate në kontinentin europian, detyroi forcat ushtarake amerikane dhe autoritetet lokale gjermane, si dhe popullsinë e vendit, me vizitue kampet e përqendrimit dhe me deshmue egërsinë e pabesueshme naziste; për ushtarët amerikanë me pa dhe me u njoftue me natyrën e anmikut nazist, kundër të cilit ata luftojshin. Efekti ka qenë i fortë dhe i paharrueshëm. Përse jo edhe në Shqipëri?

Le të zbulohen zonat e shumta të krimeve komuniste: qendra torture, ekzekutime, varreza, kampe internimi, faltore të shkaterrueme e klerikë të vramë, e pronarë të pafajshëm e të shpronësuem padrejtësisht me dhunë, djegie librash e biblioteka të shkatërrueme…. e le të deklarohen ato “objekte shenjte” për popullsinë në përgjithësi, veçanërisht për nxanësit e shkollave. Le të bahen objekte pelegrinazhi e reflektimi, e sidomos reflektimi…për të gjithë!

Na do të zbulojshim shembujt ma fisnikë të historisë shqiptare dhe të karakterit sublim të shqiptarit, që guxoi të luftojë deri në sakrificë të huejin pushtues dhe shqiptarin shtypës të pamëshirshëm, shembullin ma të ulët e ma të urrejtun të shoqënisë shqiptare…! Le të organizojmë nji fushatë për mbledhjen, koleksionimin, klasifikimin dhe ma në fund paraqitjen publike të të gjitha krimeve komuniste, të çdo natyre qofshin ato, si dokumentacion të domosdoshëm me shkrue ndershmënisht historinë e trishtë të 45 vjetëve të terrorit komunist në vendin tonë. E mirë ose jo e mirë, ajo ashtë historia jonë dhe duhet ta pranojmë.

Ata që paguan me çmimin ma të naltë rezistencën e tyne, e kërkojnë! Dekomunizimin shoqënia shqiptare e kërkon; breznia e re në shkollat tona, e kërkon; dhe tekstet tona presin momentin kur ata të plotësojnë këtë mision. Nji veprimtari e këtill ashtë nji imperativ kategorik! Nji përpjekje e organizueme nga Qeveria dhe organizatat joqeveritare me identifikue vendet, me ndihmue, me këshillue dhe me dhanë burime financiare –shtëpi, punë, pensione etj.,-dhe sidomos me krijue mundësitë për arsim- kryesisht arsimin e naltë- për viktimat e familjet e tyne të harrueme, për të gjithë ata që dhanë çdo gja për vendin e popullin e tyne, ashtë nji imperativ kategorik.

Kështu, qëllimi i arsimit progresiv ka mundësi të ketë suksesin e pritun, vumjen e theksit në nxitjen e kuriozitetit tonë për ngritjen e zemërmirësisë sonë të brendshme dhe përjashtimin e mbrapshtisë së ideologjive totalitare. Në “Botën e Lirë”, tregu i ideve ashtë i gjanë dhe eventualisht zgjidhen ato që janë ma të “mira”, në shërbim të njerëzimit pa dallim, pa përjashtim, nji sistem që na sjellë në mendje “darvinizmin” dhe zgjedhjen e “ma të përshtatshmes”.

Por, në nji tregim idesh të këtilla, eksperienca na mëson se fashizmi, nazizmi, komunizmi, militarizmi japonez dhe “-izmat” e tjera me karakter totalitar, siç ishte ‘enverizmi’ në Shqipëri, forma ma e mbrapshtë e “humanizmit” marksist, nuk kanë vend. Ka ardhë koha edhe për me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjësisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave, shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përbrenda”.

Le të bajmë përpjekje me rindertue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir. Identifikimi i “të metave tona” ashtë hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta dhe bashkëpunimi me të gjithë”. Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

*Ish-i burgosun politik (1946-‘56)