VOAL

VOAL

Pafjetësia – Poezi nga WISLAWA SZYMBORSKA – Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ

April 26, 2016

Komentet

NË PANAIRIN E LIBRIT – SHTËPIA, NË SHTËPI – PANAIRI I LIBRIT. – SHBA, Connecticut, Stamford, Biblioteka “Ferguson” – Nga Visar Zhiti

 

 

Në SHBA në shtetin Connecticut, në qytetin Stamford, në Bibliotekën “Ferguson” u hap Panairit i Librit Shqip,
Ishte Edicioni i tretë I tij, mbas mbas 14 vitesh nga edicioni  i dytë, që u mbajt në New York në vitin 2010.
Median e shkruar dhe ato televizive njoftuan:
“Panairi i Librit Shqip në Amerikë numëroi pjesëmarrjen e mbi 30 autorëve:  Visar Zhiti, Adnan Mehmeti, Mëhill Velaj, Yllka Filipi, Bexhet Asani, Daisy Elbasani, Tushe Saliaj (Rrapaj), Lufti Brami, Premisa Muca Kerthi, Erlinda Pysqyli, Demir Rusi, Rukiana Kasemi, Lela Qejvani, Suzana Vangjeli, Majlinda Pajaj, Bora Balaj, Merita Prenga, Gjon Fran Ivezaj, Gjeto Turmalaj, Sami Mulaj, Kastriot Fetahu, Selman Dervishi, Luigj Çekaj (përfaqësuar nga e bija), Nexhmedin Syla, Azgan Berbati, Arjana Fetahu Gaba, Ramiz Mujaj, Pal Ndrecaj, Nosh Mernacaj, Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Arjeta Ferlushkaj, Simon Dervishi Mani, Hamid Alaj, Age Ivezaj Gjokaj…”.
Panairin do ta përshëndesnin drejtuesit e Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, Prsidenti Adi Memeti, Kryetari Mhill Velaj, etj, përfaqësues të Bashkisë së Stamford-it, amerikani z. Aaron Miller, i cila tha: “jemi krenarë që kemi në qytetin tonë një komunitet shqiptar kaq të suksesshëm” dhe u uroi të gjithë shkrimtarët.
Gjatë veprimtarisë u shpërndanë dhe çertifikata mirënjohje, gazetarit të palodhur të gazetës “Dielli”, në New York, Dalip Greca, poetit të njohur nga Kosova, Xhevdet Bajraj, në Meksiko, të cilët nuk janë më…
Me çertifikatë mirënjohjeje u nderuan edhe tre Anëtarët e Nderit të Shoqatës, z. Visar Zhiti, Sami Repishti, Carrie Hooper, gjithashtu edhe anëtarët: dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri,
Në panair u hap edhe një ekspozitë me piktura dhe punime dore të Ramiz Mujaj.
Në fund të veprimatrisë u mblodh këshilli i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë dhe bëri zgjedhjet e reja: Kryetare u zgjodh Dr. Yllka Filipi, Nën/kryetare: Arjeta Ferlushkaj dhe Sekretar: Bexhet Asani
Ky panair, u mor vendimi, që të bëhet një traditë, të happen në çdo tre vjet..
Nga SHSHSHA

 

TË DASHUR LIBRA!

Të dashur Libra! – Kështu do të doja ta filloja fjalën time në këtë Panair të Librit Shqip, 2024, këtu në Stamford, në shtetin Connecticut, në bibliotekën e madhe dhe të bukur, “Ferguson”.
Të dashur lexues dhe autorë, gjithë të pranishmit, na mblodhi ky panair i vogël, i organizuar në Amerikën e madhe, prandaj dhe kuptimi i tij, vlerat janë të mëdha.

GJUHA – ATDHEU I SHKRIMTARIT:

Për ne panairi filloi më përpara se të vinim këtu. Bashkë me time shoqe ishim ndanë librave në shtëpinë e një mikeshës tonë në New York, e Aidës, nga familja Balaj, e shquar për patriotizëm dhe dashuri ndaj kulturës. Pranë dritares nga ku dukej liqeni dhe porti i varkave, e gjithë faqja e murit ishte biblioteksa e saj. I hapa raftet dhe e pashë, krahas librave të shumtë anglisht, kishte shumë e shumë libra shqip, klasikët tanë, At Fishta, Dom Ndre Mjeda, “Shkodra e Rrethueme”, Kadare, Orwell, bashkëkohësit, gjeta dhe nga librat e mi, “Valixhja e shqyer”… kështu është vallixhja e atij që ikën, e shqyer… dhe m’u duk sikur panairi i librit kishte hyrë në shtëpi, ndërkaq po vazhdon këtu, te kjo sallë e madhe e Bibliotekës se qytetit, te të gjitha tryezat përreth përplot me libra, shoh familjarë me fëmijë dhe them se dhe shtëpa ka ardhur në Panair.
Dhe ky është dhe qëllimi…

Ne këtu jemi autorë shqiptarë, që nuk kemi mërguar nga gjuha amë dhe gjuha është atdheu i shkrimtarit.
Ne jemi dhe lexues të librit shqip dhe libri është emocion jete, shpirt i një populli dhe kujtesë, estetika e saj, etj.
Me librin jetën tonë e mbushim edhe më, i japim dhe atë që s’e jetuam dot apo nuk e jetuam vetë, libri kështu na bën me shumë jetë të tjera, kështu thoshte dhe semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco, ndër më të mëdhenjtë e shkullit XX.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë me këtë veprimtari, “Panairin e Librit Shqip”, po kryen një akt kulturor me më rëndësi se aq, po sjell librin shqip të an;etareve të saj nga një vend i vogël dhe i përvuajtur i Ballkanit në vendin e madh dhe më të fuqishëm, në SHBA, superfuqi edhe kulturore. Ato jetët tona, që rrjedhin nga jeta e një populli, – të lashtë, do të thosha tani sipas zakonit të fjalimeve, që…, por nuk po zgjatem, – po i mbartim dhe janë derdh në kombin modern amerikan, plot dije dhe liri, pra po bashkohen me jetët e botës së madhe.
Ky bashkëveprim, do të shtoja, është dhe mirëkuptim, miqësi, mbështetje, liri më shumë, zgjerim i atdheut me dije. Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë, thoshte Naimi ynë.

Shumë nga librat në këtë Panair a të gjithë mbase, janë shkruar në SHBA, ky është vendi i madh që ta jep këtë mundësi, sepse i çmon dhe i do dhe gjuhët e çdo diaspore këtu dhe shqipja jonë ndjehet e nderuar.
Besoj se librat këtu janë shtypur në Shqipëri dhe janë sjellë nga përtej oqeanit dhe unë shoh dhe një oqean tjetër dashurie, atë të të gjithë shqiptarëve.
Ne e duan gjuhën amë, ka që e mbiçmojnë, por unë s’mund të rri pa thënë se shqipja jonë është dhe martire, në shekujt e pushtimit ka qenë e ndaluar, poezitë tona të para janë shkruar me gjak. Pikërisht letërsia e ktheu gjakun në bojë shkrimi, sipas Thomas Eliot, që është dhe poet amerikan.
Po a mund ta rikthejmë të shkruarit dhe në gjak të jetës?

Po të flasim për panairin tonë. Jemi së bashku, një pjesë jona, aq sa mundej, autorë dhe lexues dhe libra, edhe të atyre që s’janë, që s’vinin dot, miq tanët dhe unë prapë s’mund të rri pa kujtuar që vijmë nga një vend dhe një kohë që dënonte autorë, libra dhe lexues, përndiqeshim dhe nga ata që kishim pranë dhe kjo, e projektuar në realizëm socialist, në entuziazëm absurd, shpesh ishte vepra e tyre më e arrirë. Edhe ata kanë mbërritur deri këtu…
I them këto se ndjej dhe shoh përreth dhe përballë praninë e autorëve të rinj, ata shkruajnë dhe në anglisht, forcë e aftësive të tyre dhe i tërheq po aq dhe i përkushtohen dhe gjuhës amë.
Dhe në gjuhë janë dhe dashuria dhe vuajtja, edhe humbjet, që vetëm gjuha, edhe ajo e brendshmja, i kthen në përvojë dhe në poezi, dua të them në letërsi.

THEMELTARËT
DHE VAZHDIME:

Të rinj ishin këtu dhe Imzot Fan Noli dhe Faik Konica- “biblioteka lëvizëse” sipas Apollinaire, që themeluan “Vatrën” e përbashkët të shqiptarëve dhe “Diellin”- gazetë të saj, ata me bashkëpunëtorë krijuan këtu një qeveri në mërgim, kur s’kishte një të tillë në Shqipërinë që ende nuk ishte pavarësuar dhe i dhanë letrave të çoroditura shqipe vepra të pavdekshme.
Motrat e famshme Qiriazi, mësuese të dritës, që do të kërkonte t’i shqyente me kthetra errësira…
Kur atje pas Luftës II Botërore po vendosej një diktaturë gjakatare, erdhën këtu për të vazhduar përpjekjet për atdhe shumë shqiptarë, edhe nga krerët kryesorë, si shkrimtarët Mit’hat Frashëri, – bir i Abdylit të “Lidhjes së Prizrenit” dhe nip i Naimit, Mustafa Kruja, – gjuhëtar dhe stilist i historisë, por edhe kryeministër, shkrimtari e filozofi Isuf Luzaj, – mik dhe me Jorge Luis Borges, Baba Rexhepi, – mistik shpirtëror i fuqishëm, për të cilin janë shkruar libra, historiani Ago Agaj, antropolog luftëtar, por dhe Abaz kupi, – luftëtari i parë i rezistencës me armë në Europë kundër fashizmit… dhe do të vazhdonin me komunizmin…
Kur në atdhe burgoseshin dhe pushkatoheshin poetë, do të arratiseshin për këtej pas burgut poeti e filozofi Arshi Pipa, duke marë me vete dhe sonetet infernale, humanisti e studiuesi sorbonas Sami Repishti, nga internimet dhe përndjekja do tË vinte dhe poeti i dufit çam, Bilal Xhaferri e deri te poeti Gjekë Marinaj, që kërcënohej me burg edhe për një metaforë; ky i fundit do të ishte dhe Kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, themelues.
Ata mbeten përherë të rinj me idetë e tyre për një Shqipëri të lirë, të hapur, euroatlantike, duke ikur ata kishin atdheun me vete, pra veç e zgjeruan…

Për ata, Konicën dhe Nolin, etj, po tregon shkëlqyer duke e sjellë përvojën e tyre si përvojë të kombit, historiani Ilir Ikonomi, që erdhi këtej pas rënies së perandorisë komuniste dhe punoi në “Zërin e Amerikës”, zëri që i flet gjithmonë pranë Shqipërisë duke i treguar dhe rrugët e lirisë dhe të demokracisë, ku ishte në drejtim dhe gazetari i shquar, familjemërguari Elez Biberaj.
Enciklopedinë e shqiptarëve të Amerikës na e ka dhënë në një vepër madhore z. Vehbi Bajrami, ndërkohë dhe botues i gazetës s;e mirenjohur “Illyria”.
Këtej erdhën dhe shkrimtarët si Naum Prifti, Betim Muço, që s’janë më midis nesh, poeti Roland Gjoza, gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, drejtor dhe i revistës kulturore elitare, me shumë rendësi për estetikën e mendimit sot, “Peizazhet e Fjalës”.

Këtej kam dhe bashkëvuajtës të mi, që kanë ardhur në Amerikë, te ëndrra, që me punë kanë arritur atë mirëqenien, që s’do të mundnin kurrë në vend tjetër, por mbi të gjitha këtu kanë prekur atë liri të vërtetë dhe demokracia është dhe realitet i tyre…
Një pjesë e bashkëvuajtësve të mi shkruajnë, është këtu libri me poezi, postume i Luigj Çekajt, me titullin kuptimplotë, që ka shtegtimin si të vetë panairit, “Një shkrelas në Manhatan”, po a kanë mbërritur poezia e Pëllumb Lamajt, e Ilir Spatës, etj, etj?
Unë kam shkruar për një liber tjetër me poezi, të Artan Kafexhiut, që është dhe këtu. Poezia dhe mërgimi kanë të përbashkët një lloj mallëngjimi, kanë ikjen si një kthim dhe kthimin si një tjetër ikje…
Po miqtë e mi, Dine Dine e Hasan Bajo, që shkruajnë prozën e gjatë? Memuaristikë kanë botuar dhe Kaso Hoxha, Muharrem Xhutollari, Memisha Gjonzeneli, persiatje nga aktualiteti nxjerrin shpesh Lekë Mirakaj, Ilirjan Blloshmit, etj.
Po hulumtimet dhe studimet e veçanta të Ing. Mërgim Korça, a jan:e këtu? Vëllai i tij, Genci, ka shkruar në anglisht memuaristikë tronditëse. Janë djemtë e Xhevat Korçës, studiues dhe minister i arsimit, që vdiq me të parën grevë urie në burgun e Burrelit. Luftoi dhe me vdekjen e tij vdekjen…
Dua të kujtoj Makensen Bungo që na ka dhënë romanin “Këneta e vdekjes”, vuajtjet e tmerrshme të të burgosurve dhe të vetes, një sfidë dhe ndaj “Kënetës” së realizmit socialist…

Nga kujtesa dramatike ka tërhequr vëmendjen sot me tregimet e tij Muç Xhepa, me ato realitetet e tij të përziera shqiptare dhe amerikane, po kështu dhe Sami Milloshi me prozën e shkurtër, ndërsa në Kanada vazhdon të përmbushë vepren e tij shkrimtari Faruk Myrtaj. Ndjek mendimin kritik të Minella Aleksit, Gëzim Bashës.
Takoj Kastriot Fetahun, njihemi që në Çikago, edhe të tjerë, janë emrat e tyre në gazette…
Në Amerikë ka shkruar dhe Lazër Radi, i dalë nga burgjet dhe internimet, vinte si visitor, po në Amerikë ka ardhur dhe shkrimtari Ernest Koliqi, i dënuar me vdekje në atdhe nga diktatura, ai themeloi Katedrën e Albalalogjisë në Romë, ndërsa romani i tij i vetëm, “Shija e bukë së mbrume” personazhet i ka shqiptaro-amerikanë dhe ngjarjet zhvillohen në Amerikë.
Është në Universitetin Ann Arbor në Miçigan pedagogu Lisandri Kola, poet dhe studiues i shkëlqyer, që ka arritur vetë të krijojë dhe të japë lëndën e Letërsisë shqipe në mërgim në katedrën ku punoi dhe poeti nobelist, kundërshar i sovjetëve, ruso-hebreu Josip Brodsky. Iku, e pëzunë pas burgut…

Të kthehemi te librat e Panairit. Z. Mhill Velaj, që sot ka ditën e fundit si kryetar, shkon tryezë më tryezë dhe shpjegon për autorët dhe librat për kamerat e televizionit.
E pse të mos tregoj dhe unë që një përmbledhje timen me poezi “Si shkohet në Kosovë”, ia kam dhënë këtu në SHBA, në Çikago në një takim me të, kryeminstrit të Kosovës, z. Albin Kurti
Po vite më parë, më thotë një shqiptar se këtë libër ia kam pas dhuruar me autograf dhe vëllait të tij në një takim letrar vite më parë në rrethinat e Çikagos, pikërisht atij, që la me testament pasurinë e tij për t’u ngritur katedra e albanalogjisë në Universitetin DePaul, Hidai Bregu. Unë nuk e mbaj mend, por rëndësi ka, që pikërisht mes atyre njerëzve, që bëjnë një jetë të pabujë, mbase dhe spartane, fshihen akte kulturore me rëndësi kombëtare, të ndjeshme dhe në SHBA.
Ka vërtet një testament të madh shpirtëror i gjeneratave të mëparshme këtu, që do atë dashuri e përgjegjësi të bukur, sakrifica e talent për të arritur lartësinë e tyre, që na mësojnë si shkohet tek e mira, që ta duam vazhdimisht dhe pa kushte atdheun.
Duaje atdheun dhe kur të vret, ua la porosi fëmijëve te tij shkrimtari Mitrush Kuteli. Mos pyet ç’bën atdheu për ty, pot ti ç’bën për atdheun, na mëson Presidenti Xhon Kenedi.
Si një atdhe të vogël shqiptarët këtu kishin “Vatrën” e tyre shekullore, duhet mbajtur. Na dhimbet çdo çarje e saj si çarje plage. Zjarri i Vatrës do të duhej dhe në kohët më moderne…

VËSHTRIMI I GRUAS NË PANAIR

Këtej erdhi dhe vajza e Stalin si kundërshtare e të atit, – thashë me vete, – afër ku unë jam. Më afër kam shtëpinë e fëminisë së Heminguejit, – po thoshim, – dhe sa i donte gratë ai… por, që të shijojnë në pleqëri të mirat e kapitalizmit, e kush s’ka ardhur, nga Shqipëria, e kam fjalën, edhe heronj, edhe të panjohur, edhe komandantë burgjesh, që mbanin brenda telave me gjemba të dënuar që donin të arratiseshin për në Amerikë, edhe artistë, letërnxirës të Realizmit Socialist, që tani të nxijnë letrat e realizmit demokratik, bashkë, paqja qoftë me ne, – lutet ime shoqe! Që të bëhemi si Amerika apo me gjakimin donkishotesk, të bëjmë amerikanët si veten? – pyes unë, jo pa ironi.
Letërsia s’duhet të ketë mure si ai i SHBA me Meksikën, le të vazhdojë të na futë pa doganë në faqet e veta…
Në këtë panair edhe unë kam sjellë romanin tim, “Këpuca e aktorit”, i shkruar në SHBA – metaforë e ecjes së vështirë në skenat e jetës, ka dashuri dhe grua, – më thonë.
Po ne kemi të ekspozuar dhe libra të tjerë, edhe “Dita e Shenjtes Nënë Tereza” i Edës time, botuar në Vatikan, edhe “Për atë që dua(m)” i Atjonit”, që Eda ia ka dhuruar dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si një nënë një nëne, si zonja zonjës…
Afrohem te grupi i zonjave në panair, ku është dhe ime shoqe, u pëlqejnë kostumet kombëtare, pozojnë me to si të “veshuna me diell, mbathun me hanë”, prin Eva Dori me “Bijtë e shqipes”, nënkuptohen dhe bijat patjetër, ja dhe shkrimtaret Yllka Filipi dhe Arjeta Ferlushkaj, Majlinda Pajaj, Suzana Vangjeli, Arjana Gabaj etj, po mikja jonë Ilirjana Sulkuqi, ku është, s’është kthyer nga Shqipëria?
Po këtu ka ardhur dhe një poete koreano-jogore, tashmë amerikane, Tonia (HounHye) Ko Hung, mike me poetët shqiptarë, ajo ka dhe një libër të përkthyer në shqip.
Unë pëlqej shumë shkrimet e Profesores Eda Dehremi, kanë forcë të bukur gruaje. Dhe statuset e psikologes Silvana Kola-Loka. Flas për ç’njoh këtej përreth.
Në Tiranë Ambasada Amerikane jepte një çmim për gratë e shquara me emrin e shkrimatres së persekutuar, disidentes së parë grua në perandorinë komuniste, “Musine Kokalari”. Studiuesja shqiptare në Angli, Nashi Brooker, sa shumë i është përkushtuar asaj, shkëmbejme letra me të…
Poezia e zonjave i ka dhënë qumësht Rozafe poezisë shqipe, them unë.
Po Nënë Tereza – është poete dhe Ajo me lutjet e saj. Dhe m’u ndërmend që kështu quhet dhe Qendra kulturore shqiptare në Miçigan. Shkruan për Shenjten tonë dhe Prefosorja në universitetet amerikane, Ines Murzaku. Kujtoj emra të tjerë shoqatash e institutesh e akademish e bibliotekash në SHBA dhe më duket sikur i sintetizon emri prekës i organizatës së Dr. Sonila Sejdaras, “Care for Albania”, ngjan me “Medicare”, aq e njohur në SHBA. Kujdesi për shëndetin, Kujdesi për Shqipërinë.
Edhe nëpërmjet librit. Është e rëndësishme sa të gjitha dhe më e bukura.
Prandaj është dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Drejtimi këtë radhë do t’u besohej zonjave
Janë tre volume këtu në panair që përmbledhin jetën dhe bëmat dhe veprat e anëtarëve-shkrimtarë të grupimit të tyre, që nga themelimi, i ka qëmtuar me pasion Presidenti i tyre, Adnan Mehmeti. Ja, dhe revista “Pena” e SHSHSHA…
Ky panair na përcjell gjallërueshëm, po aq dhe lavdishëm, të shkuarën që është dhe e tashme, që do të donim që kjo e tashme të ishte dhe pjesë e së ardhmes. Patjetër, kur është kujtesë dhe Kulturë dhe krijimtari patjetër.

ALBUM I VOGËL NGA PANAIRI

Më 15 prill 1928 lindi poeti i shquar shqiptar Murat Isaku

 

Murat Isaku (Gajre, 15 prill 1928 – Tetovë, 24 gusht 2005) ka qenë arsimtar, poet, romancier, tregimtar si dhe ka lënë një monografi për poetin Lasgush Poradeci.

Biografia

U lind në Gajre të Tetovës më 1928, shkollimin e ndoqi në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren, maturën e mbaroi në Normalen e Gjakovës, studimet e larta për gjuhën dhe letërsinë i mbaroi në Beograd më 1953. Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gimnazin e Tetovës dhe mëtej u emërua zv. drejtor i kësajë shkolle. Duhet theksuar se u caktua redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe nga edhe u pensionua.

Ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare në Tetovë në vitin 2005.
Tituj të veprave

Zani i malit (1960)
Buzëqeshjet e mesditës (1963)
Drithmat (1975)
Blana (1982)
Unaza e djerrinës (1971)
Gërsheti (1978)
Sheshtina (1982)
Dielli e din rrugën e vet (1965)
Flaka e vonar (1973)
Plagët (1975)
Etje (1982)
Damkat (1986)
Shtjella (1989) [2]
Gjaku i sharraxhive19??(në vazhdime në Flaka e vëllazërimit)
Ngushëllimi i Bukur
Fatprerët

TURMAT- Poezi nga SHKËLQIM ALIMADHI

Le të jenë turmat plot ngjyra  shpirtrat kan’ gri,

gjenezën kan’ prej zjarit,

thatësir në trup dhe trurin si eshk,

një shkëndiz e vogël dhe marin flak,

mania e tyre tortuaret ti mbushin plot gjak,

rrugicat janë baltosur asfaltet mbushur me një kalim,

shirita të kuq tregojnë nuk lejohet për të kaluar,

jam specie toksore krahë nuk kam për të fluturuar,

akademik që mbajnë era myk, me retorik të shfrenuar,

të aftë të prodhojnë turma me shpirtrat e tyre gri,

kënaqen flak kur ndizen e gjithçka bëhet hi,

duart fërkojnë pas qametit ka uri,

turmat do mblidhen veten do dekorojnë si luftar të liris,

pranga mbërthuer prej ideologjis.

Më 15 prill 1923 lindi Jakov Xoxa, një ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe

Jakov Xoxa (Fier, 15 prill 1923 – Budapest, 28 prill 1979) ka qenë partizan i Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, pas lufte qe gazetar dhe shkrimtar. Vepra e tij më e famshme është romani Lumi i vdekur botuar më 1964 në Tiranë, për të cilin mori çmimin e Republikës së Shkallës së Parë dhe vepra u brohorit nga kritika shqiptare si një kryevepër e narrativës socialiste.

Biografia

U lind në Fierit më 15 prill 1923. Vitet e para të shkollimit i ndoqi në qytetin e lindjes, pèr t’i vazhduar më pas në Vlorë, Kavajë, Korçë; qytete ku shkonte pèr të punuar i ati i tij, Thanasi. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në qytetin e Elbasanit, por e ndërpreu gjatè pushtimit italo-gjerman dhe e përfundoi në Tiranë, pas çlirimit.

Që i ri mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore, fillimisht si guerrilas në qytetin e lindjes dhe më pas në mal, si partizan.

Pas Çlirimit të vendit vazhdoi studimet e larta për filologji dhe njëkohësisht bëri hapat e para në poezi dhe në prozë. Më 1949 botoi veprën e parë në prozë Novela. Krijimtarinë letrare në këtë zhanër e vazhdoi dhe gjatë viteve ’50, kështu në vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull Novela. Ndërkohë botoi dhe dy drama Buçet Osumi dhe Zemra. Që nga viti 1957 punoi profesor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku për shumë vite ligjëroi lëndën Teoria e letërsisë. Për nevojat e studentëve, në formën e dispencës, hartoi vepra teorike të domosdoshme për kohèn si Hyrje nè letèrsi, Teoria e letèrsisè dhe Metrika. Ndèrkohë punoi edhe për një vepër të plotë teoriko-letrare, Bazat e teorisë së letërsisë, që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë). Kjo vepèr u botua po ashtu nè formè dispence mè 1972. Ndonëse në të autori ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë, që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës, kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare pati kritika të skajshme dhe autori, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete, u tërhoq në vetmi.

Gjithsesi, vepra në fjalë pati edhe përkrahës të shumtë, sidomos në rradhët e studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të letërsisë, dhe, po brenda atij viti, njè pjesë e konsiderueshme e saj u ribotua, e ripunuar dhe e zgjeruar, bashkë me dy autorë të tjerë (N.Lezha, P Kraja), në katër vëllime, me të njejtin titull: Bazat e teorisë së letërsisë

Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në Pojan, një fshat myzeqar afër Fierit, ku, krijoi romanet Lumi i vdekur (1965) dhe Juga e bardhë (1971), ndërsa romanin Lulja e kripës (1978) e shkroi gjatë viteve të qëndrimit në Ballsh, ku po ndiqte nga afër ndërtimin e Uzinës së Pasurimit të Naftës, e cila do të ishte në epiqendër të romanit të ardhshèm Ari i Zi. Tre romanet e përfunduara dhe të botuara bëjnë pjesë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë të letërsisë shqiptare.

Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si Lumi i vdekur, periudhën gjatë luftës, si romani Lulja e kripës, apo edhe periudhën e kolektivizimit të bujqësisë (vitet 60) si Juga e Bardhë. Në këto vepra gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar.

Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit 20. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist : fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Shëmbëllyèeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike.

Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare : nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv ; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.

Mirënjohje

Urdhri “Nderi i Kombit”

Bibliografi

“Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1949.
“Buçet Osumi”, dramë, 1956.
“Zemra”, dramë, 1958.
“Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1958.
“Lumi i vdekur”, roman, 1964.
“Juga e bardhë”, roman, 1971.
“Lulja e kripës”, roman, 1980/81.

(Wikipedia)

Hardhuci i ka sytë plot lot- Cikël me poezi nga FEDERICO GARCIA LORCA- Përktheu ANTON PAPLEKA

Nga të gjithë ata poetë të frymëzuar, Lorka qe më i frymëzuari, qe ai që dashuroi më shumë dhe që e deshën më shumë, qe ai që rrezatoi më shumë. Nga të gjithë, ndoshta ai qe poeti, tek i cili doli në pah në mënyrë më të gjallë, më efikase, ajo bindje ekzaltuese, se të krijosh poezi do të thotë të krijosh miqësi, miqësi me të afërmit dhe me të gjithë njerëzit, të krijosh marrëdhënie njerëzore, një lidhje të ngushtë me popullin. Pikërisht kësaj breznie të fundit që iu afrua aq shumë shpresës më të lartë, i takoi të vazhdonte misionin e brezit të mëparshëm, të lavdishëm: të rizbulonte shpirtin e Spanjës, t’i lidhte fijet e këputura me gjeninë e saj, me gjeninë e saj autentike, të harruar, të nxirrnin në dritë vlerat e saj.
Jean Cassou

FEDERICO GARCIA LORCA, 1898- 1936

KËNGË NEGRE NGA KUBA

Kur të vijë hëna e plotë, do të shkoj në Santiago de Kuba,
Do të shkoj në Santiago,
Me një kaloshinë prej uji të zi,
Do të shkoj në Santiago,
Do të këndojnë çatitë prej palme,
Do të shkoj në Santiago,
Kur palma do të jetë lejlek
Do të shkoj në Santiago,
Kur druri i bananes do të jetë meduzë,
Do të shkoj në Santiago.
Me kokën bionde të Fonseca-s,
Do të shkoj në Santiago.
Me trëndafilin e Romeos e të Zhulietës
Do të shkoj në Santiago.
O Kubë! O ritëm i farave të thata!
Do të shkoj në Santiago.
O brez i ngrohtë dhe pikëz druri!
Do të shkoj në Santiago.
Harpë trungjesh të gjalla. Kaiman. Lule duhani.
Do të shkoj në Santiago.
Gjithnjë kam thënë se do të shkoj në Santiago
Me një kaloshinë prej uji të zi.
Do të shkoj në Santiago.
Puhi dhe alkool në rrota,
Do të shkoj në Santiago.
Korali im në errësirë,
Do të shkoj në Santiago.
Deti i mbytur në rërë,
Do të shkoj në Santiago.
Vapë e bardhë, frutë e kalbur,
Do të shkoj në Santiago.
O freski gjedhësh në fushat me kallama!
O Kubë! O lakore psherëtime dhe balte!
Do të shkoj në Santiago.

POEMA E SOLEAS

Tokë e thatë
Tokë e qetë
Në netët
E pamatura.

(Era në ullishtë,
Era në male.)

Tokë
E moçme
Kandila të ndezur
E dhimbje.

Tokë
Me stera të thella.
Tokë
Ku vdekja është pa sy,
Ku fluturojnë shigjetat.

(Era nëpër rrugë.
Puhia në plepa.)

SOLEA

Mbështjellë me vello të zeza,
Ajo mendon se bota është e vogël
Dhe zemra është tejet e gjerë.

Mbështjellë me vello të zeza.

Ajo mendon se psherëtima e dhembshur
Dhe klithma
Zhduken në rrymën e erës.

Mbështjellë me vello të zeza.

Ballkonin e lanë hapur
Dhe në agim,
Nga ballkoni u hodh brenda tërë qielli.

Obobo! Aaaah!
Mbështjellë, po, me vello të zeza!

PESHORE

Nata gjithnjë e qetë.
Dita ikën dhe vjen.

Nata e vdekur dhe e largët.
Dita ka vetëm një flatër.

Nata mbi pasqyrat e sheshta
Dhe dita e rrahur nga era.

HARDHUCI I KA SYTË PLOT LOT…

Zonjushës Teresita Guillén
që luan në pianon e saj me gjashtë nota

Hardhuci i ka sytë plot lot,
Hardhuca i ka sytë plot lot.

Hardhuci dhe hardhuca
Me përparëse të bardha e të ngushta.

Ngaqë qenë të pakujdesshëm,
E humbën unazën e martesës.

Ajmé, e humbën unazën prej plumbi,
Unazën e tyre të bukur prej plumbi!

Asnjeri në qiellin e paanë
Ku një rruzull zogjsh ngrihet lart.

Dielli, kapiten dërdëng,
Mban një krahol prej sateni.

Shikoni sa të plakura janë!
Sa të plakura janë këto hardhje!

Dhe sa shumë qajnë, o Zot,
Dhe se si i kanë sytë plot lot!

PEIZAZH

Rita-s, Cocha-s, Pepe-s e Carmencica-s

Gabimisht
Mbrëmja u vesh me ciknë.

Pas xhamave të veshur me avull
Të gjithë fëmijët shohin
Një pemë të bukur verdhoshe
Se si shndërrohet në zogj.

Mbrëmja u shtri
Përgjatë lumit të vogël
Dhe mbi çatira fërgëllon
Një kuqëlim molle.

PORTOKALL E LIMON

Portokall e limon.

Sa e trishtuar është ajo
Që dashuria e mundon!

Limon e portokall.

Sa e trishtuar je ti,
Vashëz e bardhë!

Limon.

(Si shkëlqente
Dielli biond.)

Portokall.

(Mbi guralecat
E valës.)

SERENATË

(Homazh për Lope de Vega-n)

Në brigjet e lumit të vogël
Shiheni natën se si lahet shteç.
Dhe mbi gjinjtë e Lolitës
Vdesin nga dashuria buqetat.

Vdesin nga dashuria buqetat.

Nata lakuriq këndon me zë të ulët
Mbi urat e muajit mars.
Lolita në banjo stoliset
Me ujë të njelmët e nard.

Vdesin nga dashuria buqetat.

Nata prej anansoni dhe argjendi
Ndrit mbi çatitë e qytetit.
Argjend i ujërave shkëlqimtare.
Anason i kofshëve të tua të bardha.

Vdesin nga dashuria buqetat.

AGIM

Kambana të Kordovës
Në ag.
Kambana të agimit
Në Granadë.
Ju dëgjojnë tërë vajzat
Që vajtojnë solean e dhembshur,
Të përzishme.
Vajzat e reja
Të Andaluzisë së Poshtme
Dhe të Epërme.
Vajzat e Spanjës
Me këmbë fine,
Me funde frushullitëse,
Që kanë vënë drita
Në të gjitha kryqëzimet.
Oh, kambana të Kordovës
Në ag,
Dhe ju kambana të agimit
Në Granadë!

HARKËTARË

Harkëtarët e errët
I afrohen Seviljes.

Guadalkivir i hapur.

Kapela të gjera, të hirta
Pelerina të gjata që zvargen.

Ah, Guadalkivir!

Ata vijnë nga vendet e largëta
Të pikëllimit.

Guadalkivir i hapur.

Dhe ata shkojnë në një labirint.
Dashuri, kristal dhe gur.

Ah, Guadalkivir!

LOPA

Luis Lacasa-s.

Lopa e plagosur u shtri.
Drurë e rrëké i kacavareshin te brirët.
Turiri i saj përgjakte qiellin.

Turiri i saj me bletë
Nën mustaqen e ngadaltë të jargës.
Një ulërimë e bardhë e ngriti në këmbë mëngjesin.

Lopët e ngordhura e të gjalla,
Kuqëlim drite apo mjaltë stalle,
Me sy të mbyllur, pallnin.

Le ta dinë rrënjët
Dhe ky fëmijë që mpreh thikën,
Se më në fund mund ta hanë lopën.

Atje lart
Zbehen dritat dhe damarët e qafës.
Katër thundra dridhen në ajër.

Le ta dijë hëna
Dhe kjo natë me shkëmbinj të verdhë:
Iku lopa e përhimtë.

Iku duke muallitur
Nga shembja e qiejve të ngrirë
Ku pijanecët shtrohen në ksodhen e tyre.

GAZELA E DASHURISË SË DËSHPËRUAR

Nata nuk pranon të vijë,
Me qëllim që të mos vish ti,
Dhe unë të mos mund të iki.

Por unë do të shkoj,
Ndonëse tëmthin ma kafshon një diell akrepësh.

Por ti do të vish
Me gjuhën tënde të djegur nga shiu prej kripe.

Dita nuk pranon të vijë,
Me qëllim që të mos vish ti
Dhe unë të mos mund të iki.

Por unë do të shkoj,
Duke u dhënë zhabave karafilin tim të thyer.

Por unë do të vij
Nëpër gjirizet e turbullta të errësirës.

Nata as dita nuk duan të vijnë,
Me qëllim që unë të vdes për ty
Dhe për mua të vdesësh ti.

KASIDA E TRËNDAFILIT

Trëndafili
Nuk e kërkonte agsholin:
Pothuaj i përjetshëm në degën e tij,
Diçka tjetër kërkonte.

Trëndafili
Nuk kërkonte as dije as hije të errët:
Kufij trupi dhe ëndrre,
Ai kërkonte diçka tjetër.

Trëndafili
Nuk kërkonte trëndafilin.
I palëvizshëm në qiell,
Diçka tjetër kërkonte ai.

KËNGA E SHTATË ZONJUSHAVE
(Teoria e ylberit)

Këndojnë
Të shtatë zonjushat.

(Harku në qiell
Gama e perëndimit të diellit.)

Një shpirt në shtatë zëra
Të shtatë zonjushat.

(Në ajrin e bardhë,
Shtatë zogj viganë.)

Vdesin
Të shtatë zonjushat.

(Përse nuk qenë nëntë…
Apo njëzet?)

Askush nuk mund t’i shohë,
Sepse uji i merr me vete.

SHPELLA

Nga shpella dalin
Dënesa të gjata.

(Ngjyra vjollcë
Mbi të kuqen.)

Cigani kujton
Vende të largëta.

(Kulla të larta dhe njerëz
Të mistershëm.)

Sytë e tij shkojnë
Me zërin e tij të ndërprerë.

(E zeza mbi të kuqen.)

Dhe me bardhësi gëlqereje
Shpella dridhet midis të praruarës.

(E bardha
Mbi të kuqen.)

Përktheu: Anton PAPLEKA

 

(Marrë nga Nacional)

Ku ta gjej një burrë si DAN PATOKU?- Tregim nga Përparim Hysi

 

Ka qenë pranverë e vitit 1948. Qeveritarët e pushtetit lokal kishin dalë për gjah, se ishte ditë e dielë dhe e kishin pushim. E mbaj mend,kur mbrritën tek arat tona dhe i lëshuan zagarët. Zagarët kaluan aty afër meje(unë ruaj dhëntë e mia) dhe iu afruan një ferre të madhe që ndante arën tonë me atë të DAN PATOKUT. Qe bërë Reforma Agrare dhe ne,si familje,përfituam 15 ha tokë. Arat,secili pronar, i kufizonte ma gardh. 50-dynymë nga arat tona,kufizohehin me arat e DAN PATOKUT. DHe kjo ferra e madhe që në MYZEQE i thonë”blacë”,qe si një kufi ndarës me arat e DANIT.
Zagarët jo vetëm iu afruan”blacës”,por lehnin e kuisnin sikur një egërsirë e madhe ishte fshehur aty. U afruan dhe gjahtarët që prisnin të dilte ai”gogoli” që aty. Zagarët nuk ndaheshin me të kuisur dhe,ndërkaq, dy-tri zagarë,kapërcyen gardhin e gjatë dhe u hodhën nga ara e DANIT. Tani gjahtarët u siguruan që një egërsirë e madhe qe fshehur aty dhe me gisht në këmbëz,prisnin vetëm të shtinin. Lehjet vazhdonin dhe”gogol” hiç! Po ç’djall kanë që vetëm lehin dhe asgjë nuk po del nga “blaca”? Dhe gjahtarët,për ta vrarë me domosdo “gogolin” e fshehur,u ndanë në dy grupe. Tre prej tyre kapërcyen gardhin dhe tre-katër mbetën nga ana jonë. “Blaca” qe e rrethuar dhe “gogoli” s’kishte si shpëtonte? Kur nga”blaca” nuk po dilte asnjë”gogol”,atëherë me tytat e armëve u munduan ta zbulonin atë”gogol” që nuk përfillte as lehjet e vazhdueshme të zagarëve,por as afrimin e gjahtarëve. Tytat e armëve, e bënë punën e tyre. Mu në mes të”blacëc” qe fshehur,me të vërtetë një”gogol”!!! Por ky”gogoli” as që ndonte t’ia dinte as për zagarët dhe as për gjahtarët, Aty,mes “blacës” së madhe qenë fshehur pesë pushkë luftarake.
Ou,- shfaqë habinë gjahtarët. Armët ka kohë që i ka mbledhur qeveria dhe ky që i ka fshehur do bëj goxha burg.
-Po kush t’i ketë fshehur? Blaca ndanë arat e HAZIZIT( Hazizi ishte babai im),me arat e DANIT. Me siguri, njëri prej tyre i ka fshehur.
– Mos u lodhni shumë për ta gjetur,- foli Zyberi. Armët i ka fshehur HAZIZI ,se nuk ka as dy muaj që i pushkatuan të vëllan me GRUPIN e dytë të DEPUTETËVE! *
-Ashtu?-foli kryetari i pushtetit lokal,Zyber,shko lajmëro HAZIZIN që nesër,të hënën,në ora tetë të paraqitet tek zyrat tona.
Zyberi,i bërë si me krahë, që HAZIZIN do ta kllaposte.Sosi në shtëpinë tonë dhe e dha lajmin. Epo një gotë raki dhe një kafe e piu,por asgjë nuk i tha timeti se ç’ndodhi tek “blaca”, Zyberi qe aq cmirëzi sa të keqen që kish në shpirt,donte ta shumonte apo ta përhapte. Ashtu nga mbrëmja u nis për një vizitë tek DAN PATOKU. Si ZYBERI,por edhe DAN PATOKU qenë kosovarë. Fshati ynë,PETOVA e RE,në rrethin e FIERIT kishte 33-shtëpi dhe,që të gjithë të ardhur: kishte kosovarë,shqiptarë nga Trevat e MALIT TË ZI; boshnjakë, skrapalinj dhe çamë. Fshat heterogjen,por me një shkuarje dhe harmoni që nuk e gjen kund. Por le të vazhdojmë me “vizitën” e ZYBERIT.
DAN PATOKU e priti siç dinë të presin kosovarët, por ZYBER “akrepi” e lëshoi helmin e tij:
-DAN,- foli Zyberi,- HAZIZIN (është fjala për timatë) e kllaposa brenda.
-Si?Ça ka ba HAZIZI,or ?
Mu aty tek”blaca” që ndanë arat me arat e tua,ata të pushtetit i gjetën nja pesë copë pushkë që i kish fshehur dhe nesër në ora tetë sahati,po ia vnojnë verigat në duar.
-Por çfarë je tuj fol, mor ZYBER Keqja,-shfryu DAN PATOKU. Po ato pushkë i kam hedhur unë në”blacë” me mos me iu pa bojën.
-I ke fshehur ti dhe don të marrësh veten më qafë. I ke fshehur ti,e me shëndet HAZIZI,- foli tërë mllef Zyberi.
Jo,mor,nuk e lë unë të shkojë bedel HAZIZI për një faj që nuk e ka ba,
* * *
Të hënën në mëngjes,babai im,u paraqit në zyrat e pushtetit. Zyrtarët e kishin përpiluar proces-verbalin dhe,pasi ia lexuan timeti,i thanë që ta firmoste.
Unë nuk di asgjë për ato armë dhe nuk do firmos kurrë,- tha imatë
-Më keq do rëndosh veten,- ngulmonin ata.
Në këto momente,trokiti dera dhe,sakaq hyri DAN PATOKU.
– A e paskeni thirr HAZIZIN,a? Shloheni,more burrin e botës,se ato armë i kam hedh unë,kur u vra burri i NURIES.
NURIA më bëri rixha:-DAN,m’i hiq sysh,se prej tyre u vra burri. Ato kanë qenë atje kur po mbaronte lufta.
Dhe e lëshuan baban tim.
* * *
Epilog:
DAN PATOKU qe kosovar që në KOSOVË kish bërë jetën e komitit. Unë e kam PATOKI,- tregonte,- se në përrua i zija pritat kundër çertnikëve sërbë.Patok,i thomi përroit na në KOSOVË. SE çfarë burri ka qenë DAN PATOKU këtë e tregoi dëshmia për armët e fshehura Dhe,mbi të gjitha, se në kuadrin e 70-vjetorit të PAVARËSISË së SHQIPËRISË, u dekorua me medalje trimërie dhe iu bë pasaportizimi në qytetin e FIERIT duke i dhënë dhe një hyrje në një pallat në lagjen “15 tetori”. Aty ka ndërruar jetë së bashku me të shoqen,HATMANIN.

* xhaxhai im.HILMI HYSI,ka qenë jurist që kish mbaruar në MON PELIE. U pushkatua në shkurt 1948 me GRUPIN e dytë të Deputetëve. Familja jonë është nga Skrapari.
Tiranë,14 prill 2024

Më 14 prill 1980 u nda nga jeta shkrimtari i shquar italian për fëmijë Gianni Rodari

VOAL- Ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë të shekullit të 20-të, Gianni Rodari (Xhani Rodari) lindi më 23 tetor 1920 në Omegna buzë liqenit Orta, vendi ku prindërit e tij me origjinë nga Val Cuvia në zonën e Vareses ishin zhvendosur për punë.

Emri i tij i plotë është Giovanni Francesco Rodari.

Rinia dhe studimet

Rodari i vogël ndjek shkollën fillore deri në klasën e katërt në vendlindjen e tij. Në vetëm dhjetë vjeç, pas vdekjes së parakohshme të babait të tij, bukëpjekës në rrugën kryesore të qytetit, e gjithë familja u detyrua të shpërngulej sërish, këtë herë në Gavirate, vendlindja e nënës së tij; këtu Gianni ka mundësinë të përfundojë studimet për diplomën e shkollës fillore.

Gruaja e varfër që mbeti pa partnerin e saj, për fat të mirë mund të llogarisë në ndihmën e Gianni-t dhe dy vëllezërve të tij Cesare dhe Mario: këta janë padyshim më të gjallë se Gianni, i cili, nga ana tjetër, është një fëmijë i ndjeshëm dhe mjaft i vetmuar, jo i prirur të bëjë miq me moshatarët e tij.

E tillë është brendësia e Gianni Rodarit dhe shpirtërorja e tij intensive, aq ndryshe duket se krahasohet me djemtë që e rrethojnë, saqë më 5 gusht 1931 ai aplikoi për të hyrë në seminar për të ndjekur shkollën e mesme. Ai u dallua menjëherë për aftësitë e tij të shkëlqyera, duke u bërë shpejt në krye të klasës. Rezultatet u konfirmuan edhe më vonë deri në fillim të vitit të tretë kur në tetor 1933 u tërhoq nga shkolla e mesme.

Fryma pedagogjike

Vitin shkollor e përfundoi në Varese, por çuditërisht nuk vazhdoi studimet e mesme, por zgjodhi të transferohej në shkollat ​​master. Një shenjë paralajmëruese e shpirtit të jashtëzakonshëm pedagogjik dhe dashurisë së pamasë për fëmijët që ky intelektual i turpshëm kishte pasur që atëherë.

Për më tepër, që në vitin 1935, Rodari ishte aktiv në Aksionin Katolik dhe për një periudhë të caktuar mbajti postin e kryetarit të zonës.
Publikimet e para

Në vitin 1936 botoi tetë tregime në të përjavshmen katolike “L’azione giovani” dhe filloi një bashkëpunim me “Luce” me regji të Imzot Sonzini.

Në vitin 1937 filloi një periudhë e ndryshimeve të thella të brendshme. Ai largohet nga presidenca e rinisë Gaviratese të Veprimit Katolik: është një përçarje e destinuar të mos korrigjohet më kurrë.

Ndërkohë ai ndjek me këmbëngulje rrugën e tij dhe pas djalit të turpshëm që nuk shoqërohej me askënd, zbulon një burrë të fortë të aftë për iniciativa të mëdha. Ai fillimisht u bë mësues për një familje hebreje në Sesto Calende dhe më pas u regjistrua në Universitetin Katolik, megjithatë pa u diplomuar.

Më vonë ai u punësua si mësues i shkollës fillore në qytete të ndryshme të zonës Varese. Ironia e historisë: Gianni Rodari vlerësohet si “i pamjaftueshëm” si mësues sepse refuzon të marrë një pozicion në partinë fashiste.

Angazhimi politik

Duke u nisur nga ky episod, angazhimi i tij politik u bë gjithnjë e më i qartë. Pas 25 korrikut 1943 ai filloi një bashkëpunim me “rezistentët komunistë” dhe vitin e ardhshëm, në maj 1944, u regjistrua në Ekipin e Veprimit Patriotik të Saronnos. Pasi u bashkua me Partinë Komuniste Italiane, ai u bë zyrtar.

Në mars 1947 thirret në gazetën Milano “L’Unità” si korrespondent special. Në gazetë botoi vjershat e para për fëmijë.

Vitet 1950

Në vitin 1950, në Romë, Gianni Rodari drejtoi “Il Pioniere”, për të cilën dha një kontribut të rëndësishëm si shkrimtar dhe si organizator i një projekti arsimor.

I martuar me Maria Teresa Ferretti nga bashkimi i së cilës lindi vajza e tij Paola Rodari, ai kaloi në redaksinë e “Avanguardia”, të përjavshmes FGCI. Në vitin 1956 kthehet në “L’Unità” në Romë si kryereporter, ndërsa në vitin 1958 në “Paese sera” si korrespondent special, komentator dhe kolumnist; ai do të mbajë detyrën deri në vdekjen e tij.

Suksesi dhe fama e Gianni Rodarit në vitet 1960

Megjithatë, vitet e të shkruarit për fëmijë dhe të famës ishin ato që nga viti 1960 e në vazhdim.

Rodari fillon të botojë për një shtëpi botuese prestigjioze si Einaudi; fama e tij u përhap në të gjithë Italinë. Libri i parë i botuar nga shtëpia e re botuese ishte Filastrocche in cielo ed in terra, në vitin 1959.

Vetëm në vitet 1962-1963 ai arriti njëfarë qetësie ekonomike falë bashkëpunimit te “Rruga më e mirë” dhe enciklopedisë për fëmijë “Pesëmbëdhjetë”.

Vitet e fundit

Në vitin 1970 ai fitoi çmimin Andersen, një njohje prestigjioze për punën e tij si shkrimtar për fëmijë.

Gianni Rodari vdiq në Romë më 14 prill 1980 nga një kolaps kardiovaskular, pas një operacioni për të çliruar një venë të bllokuar në këmbën e tij të majtë.

Që nga viti 1992, veprat e Rodarit janë ilustruar për Einuadi Ragazzi nga karikaturisti i famshëm Altan./Elida Buçpapaj

GRIFSHAT MARTOHEN VEÇ NJËHERË- Tregim nga THANI NAQO

 

-Hej, ti, me atë kokë të madhe sa Shkëmbi i Cjapit,”- më ndërmendi zëri i Grifshës.
-Hë, ta ka qejfi të bëhesh nusja ime? – e pyeta.
-Grifshat martohen veç njëherë herë, – u përgjigj ajo me zë të çjerrë dhe krenari.
-Hapma derën se do të t’them ca fjalë që më kanë mbetur pa t’i thënë.
-Derën nuk e hap. Jam ndryshe nga vejushat e tjera. Nuk i besoj asnjë mashkulli. Jam betuar që në shtëpinë time nuk do të shkelë këmbë burri! – u përgjigj ajo me inat.
Megjithëse m’u mjegulluan sytë nga ky përbetim, arrita të them me zë të dredhur:
-Të kam dashur më shumë se çdo djalë i fshatit.
-Të shkuara të harruara. Të parin pëlqeja Paganinin, – tha Grifsha dhe ngjeshi gjoksin pas kangjellave të ballkonit. – I dyti ke qenë ti, por si martohesha me ty? Unë edhe tani jam e shkurtër sa gjysma jote.
-Edhe se je e shkurtë, sa gjysma ime, ende të kam në zemër, – i thashë, por ajo më bëri shenjë me dorë të mos e ngrija zërin, nga që druhej se dëgjonin komshinjtë. Shpalosi një batanije dhe filloi ta shkundë e nervozuar pas hekurave të ballkonit. U mëshonte krahëve fort, fustani i çohej mbi gjunjë, kurse vithet i mbrapte si mëze marroze. Atëherë dallova se Grifsha ishte shëndoshur. Nga ngritja e gjoksit përfytyrova gjinjtë e saj të rritur si mollë Ranet. Mirëpo, që Grifsha ish shëndoshur dukej edhe nga gjunjët e rrumbulluara, që deri para pesë viteve, ishin me majë. Pulpat e plota sërish i qenë mbuluar nga qime të verdha, si të,gjyshes, mbasi, edhe ajo, gjyshja, kur qe vajzë, thoshin se ishte leshtatore. Flokët e Grifshës, të verdha e kaçurrela, në bajzëri ishin të përzhitura nga dielli, por që kur u martua në qytet, i qenë bërë të ndritshme e të verdha si fije floriri. Fytyra i qe stërzgjatur, tiparet dukeshin me të spikatura, kurse vetullat ishin po ato, të dikurshmet, edhe ato të verdha, të bashkuara e të papërvjelura. Sytë e saj m’u dukën sikur ishin mbuluar me pushin e kullumbrive kur i zë bryma. Ndërsa ajo shkundte kuvertën, mua m’u fanitën gratë përgojuese të fshatit që thoshin se Grifsha i kishte ngjarë gjyshes Grifshë, do mbante kosor në brez dhe do ta rrihte burrin dy e tre herë në ditë. Pastaj dolën fjalë se Grifsha nën sytjena vinte shugje prej leshdeleje, brekëve u qepte copa lëkure prej shqere, që vithet e mprehta t’i dukeshin të rrumbullta. Mirëpo Grifsha e dinte se ç’llomotisnin për të dhe në mbrëmjet e vallëzimit, vinte e veshur me pantallona dhe nuk lejonte që kavalieri ta afronte trupin e saj pas të tijit. I ati i Grifshës lëshonte qenin natën, që ai t’i vinte rrotull oborrit. por beqarët kokëshkretë miqësoheshin me qenin, ama ia kishin frikën kosorit dhe kobures. Ata kot që vinin rrotull shtëpisë se dritaret e dhomës së gjumit të Grifshës mbuloheshin me perde të sajuara nga kuverta ushtarake, sepse i ati i Grifshës ish magazinier në repartin ushtarak.
Unë e pata kapërcyer gardhin vetëm njëherë. Mbaj mend se ishte natë fundqershori; e diel. Kumbonin tingujt e kitarës të Paganinit dhe nga oborri i Grifshës vinte aroma e sapunit venus. Muret e banjës ishin të thurura me purteka, të veshura me baltë muzgë. Unë ngjesha syrin në një të çarë dhe pashë Grifshën lakuriq duke përdredhur trupin hollak sipas ritmit të kitarës. Cicat i kishte të vogla, sa një gjysëm vezë pule, me thitha si lajthi të pjekura, ama, siç thoshin, ishte vërtet me vithe majuce, siç thoshin përgojimet. Silueta lakuriq e Grifshës ishte aq ndjellëse dhe harmonike me fytyrën dhelpërushe, sa edhe tani, që ka mbetur vejushë, më fanitet si një ëndërr e magjishme. Kjo ndodhi atij behari kur erdha në fshat me lejë nga ushtria e Grifsha akoma s’i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Mirëpo, gjurmët e këpucëve ushtarake më patën tradhëtuar. I ati i Grifshës më preu rrugën të nesërmen dhe më tha të ngrija këmbën. Unë nuk pranova të ngre këmbën dhe atëherë ai më tha me inat e sarkazëm:
“Edhe zbathur të kishe hyrë në oborrin tim, gjurmën e këmbës tënde do ta dalloja në njëqind milion gjurmë. E ke shputën sa pllazi i parmendës!”
Veç njëherë, në mbrëmjen e vallëzimit kisha marrë guxim që ta afroja sadopak trupin e Grifshës, por ajo më goditi me gju në mes të shalëve dhe mua më qenë errur sytë nga dhimbja.
-Ah, moj Grifshë, moj xanxare, – i thashë ndërsa ajo shkundte batanijen sipër kangjellave të ballkonit. Batanija fapfupte
ajrin, por fapfup bënin edhe tumba e flokëve dhe mjekra ime. Më së fundi Grifsha palosi batanijen dhe e ngjeshi pas gjoksit. Vështroi nga ballkonet e tjera të pallatit, u nder mbi kangjella dhe tha me zë të ulët:
-Nuk të kam marrë inat edhe se më puthe njëherë me zor. Ama, ajo, tetoja jote, shtriga Dabuckë, më bëri magji që unë të martohesha me ty. Në kamaren e portës ajo fshehu një tufë nga flokët e mia. Gavetën e kishte mbushur me hi që flokët mos i hante mola. Ti, ose Dabucka, m’i vodhët sytjenat që kisha varur në gardh për tu tharë; ato të kuqet, që unë mezi i pata blerë, pasi ishin njëqind e pesëdhjetë leka e duhej të punoja tre ditë që të blija një palë të tilla. Hajt, të shkuara, të harruara. Nuk mbahet inat tërë jetën për një palë sytjena dhe për një të puthur me zor, por ama, ta dish: magjia e Dabuckës më la me dhimbje koke. Në gjumë nuk më shfaqej Paganini, por ti. Ç’të them unë e shkreta? Mua akoma më vjen keq për ty. Unë të kam dashur si vëlla, por ti nuk më kuptove. Unë ta dua të mirën, prandaj dëgjoma këshillën: paratë e tufës së dhive, po të dish t’i futësh në Firmat Piramidale, me shtesat e tyre jeton si mbret. Ti më thua “hajde të shkojmë në Evropë,” por mua nuk më ka marrë koka erë të më treten kockat në dher të huaj. Ty të është bërë mendja “Vjenë” dhe Vjena të duket tepsi me lakror. Do të të qepet ndonjë gjermane a vjeneze dhe ato do të t’i hanë paratë dhe shpirtin. Për Paganinin janë hapur njëmijë fjalë. Edhe të mira edhe të këqia. Një arixhi e kishte takuar Paganinin në Spanjë dhe më tha: “ Paganini lyp para me kitarë dhe fle ku ta zërë nata.”
-Grifshë, po të pyes për të fundit herë: vjen me mua apo jo. Këtë ma shkoqit që ta fle mendjen njëherë e përgjithmonë. Përndryshe,
do t’i qepem ndonjë vjeneze, ose gjermane, bionde si ty, dhe ty do të të mbetet merak për tërë jetën.
Ajo më bëri shenjë të mos flisja; kishte hallin se dëgjonin komshinjtë. Pastaj, u nder mbi kangjella dhe përsëriti klithmën, atë klithmë të mprehtë e të çjerrë, që më ndjek nga pas nëpër rrugët e Vjenës:
-Mos i mprih dhëmbët pas meje!

DASHURIA DHE NJERIU ME FLATRA (Romani i shkrimtarit Visar Zhiti në Rumani) TRAGJEDIA E THEKSHME QË DËGJIMI NUK E PERCEPTON. Nga Prof. Dr. Adrian Lesenciuc

 

Në numrin e fundit të revistës dyjavore kombëtare të kulturës “Tribuna”, e cila botohet në kryeqendrën e Transilvanisë, në Rumani, Cluj Napoca, është botuar një ese e prof. dr. Adrian Lesenciuc për romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” e shkrimtarit tonë të mirënjohur Visar Zhiti, botuar në Shtëpinë Botuese A të ALAR-it. Adrian Lesenciuc është poet, prozator, kritik letrar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, filiali Brashovë dhe ka manifestuar një interes të posaçëm për letërsinë shqipe. Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Cătâlina Frâncu dhe është promovuar në Teatrin Kombëtar “Marin Sorescu” dhe i janë kushtuar disa emisione televizive nga Televizioni Kombëtar i Rumanisë TVR.

Një roman me densitet të jashtëzakonshëm poetik, Dashuria dhe njeriu me flatra, (titulli në origjinal: “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, shën. ynë) shkruar nga Visar Zhiti, i kërkon lexuesit pak kohë për t’u mësuar jo aq shumë me kthjelltësinë dhe qashtërsinë e imazheve të marra nga realiteti i papërpunuar dhe të dhëna sipas një rendi kujtese ose imagjinate, por dhe me troçitjen faktike.
Megjithëse një roman i bëmave të kujtuara, thellësisht të brendëzuara dhe të mbarsura nga një model kulturor i përjetimit të dramës, megjithëse një ravijëzim i brendshëm i fakteve në një orë drejtpeshimi midis njësive të mëdha kohore, historia nyjtohet në mënyrë epike dhe propozon një dyfishim të trajektores faktike, me lirikën dekoruese të interierëve të dramave të mëdha.
Në lëçitjen e këtij libri nevojitet një kohë shtesë leximi, në të cilën harmonitë e tragjedisë mund të prodhojnë dridhërimën e mëvonshme dhe kështu të riprodhojnë në mendjen e lëçitësit muzikën e dramës, jehonën e saj.


Shtresëzimi i rrëfimit, përmes vendosjes alternative në rrafshe të ndryshme narrative, më pas, duke projektuar nënshtresën thellësisht lirike si lëndë e tejdukshme dhe e rrjedhshme, e cila lejon përfshirjen e zgjatimeve të reja epike, e bën romanin Dashuria dhe njeriu me flatra një shembull të mjeshtërisë autoriale të poetikës romanore. Sigurisht një tragjedi, në një botë bashkëkohore, e cila, e tërhequr në margjina, duke asgjësuar mitet e mëdha dhe duke e rrëgjuar perceptimin e botës në dinamikën e vetëlëvizjes, pa pika referimi kulturore, epistemike apo fetare, e ka vrarë tragjedinë, e eliminon atë nga menjëhershmëria e shkrimit, romani Visar Zhiti nuk është anakronik. Përkundrazi, në përputhje me një prirje europiane për të ringjallur qendrën e eposit parak, pa lënë pas dore përzierjen e zhanreve specifike për shkrimin e këtyre kohërave – shkrimtari shqiptar është mjeshtër i kësaj zgjidhjeje të shkrimit nën shenjën e synimit të tij, jo i përafrimit me modën – në afërsi të një prirjeje për të ringjallur mitet parake dhe rigrupuar mjetet poetike në kuptimin e rikrijimit të një rrugëtimi të gjerë epik.


Visar Zhiti na ofron një roman aktual, si të nxjerrë nga thellësia e veprës së Eskilit, por sjell në ditët e sotme dhe frymëmarrjen bashkëkohore romanore, në mënyrën aktuale të ekspozimit të interierëve të indinjuar nga historia.
Nëse Eskili kishte propozuar përdorimin e tragjedisë si mjet për të promovuar një model (në frymën e kohës dhe vendit) të të kuptuarit të botës, që përfshinte dashurinë për atdheun ose kultin e virtytit, Zhiti nuk i shmanget linjës eskiliane, por sjell në plan të parë, në vend të tragjedisë së atrisianëve të Agamemnon-it, Hoeforët, Eumenidët dhe Orestias, apo vetë kalaja e Mikenës, tragjedia e disa personazheve të shkëputur nga realiteti i një shekulli shtypjeje dhe një rajon jo larg nga verilindja e Peloponezit.
Në rrëfimin e çiftit Felix Konti – Ema Marku shkruhet tragjedia e një Shqipërie të drobitur nga regjimi komunist. Visar Zhiti na bën të harrojmë se ka pasur dikur, në kohët parahomerike që letërsia bashkëkohore shqiptare (kryesisht Ismail Kadare) shfrytëzon, duke përditësuar hapësira të vjetra dhimbjeje, kalaja mikenase që bashkohet me Trojën dhe e ekspozon Shqipërinë në lakuriqësinë faktike si vendi i tragjedisë, si Atdheu i Absurdit, si Absurdland.


Në një aktakuzë të vonë, personazhi Felix parashtron arsyet e një akuze nga një rast i komunizmit shqiptar që nuk pati shanse në një gjyq në asnjë gjykatë të historisë – i dalë nga vitet e komunizmit venal, personazhi imagjinon se ai mund të shkojë në Tribunalin e Hagës për të hedhur në gjyq gjithë atdheun – duke theksuar atë që në projeksionin mizor të realitetit të atyre kohërave përkthehet në një tragjedi të panevojshme, të cilën perënditë nuk e kishin kërkuar, që fati nuk mund ta shpjegojë dhe që kori i lashtë nuk mund të qetësojë, por përpara të cilit një Europë e shurdhër nuk ka forcë të përkulet:

““…jemi i vetmi vend në botën moderne që ka dënuar jo vetëm njerëzit, por edhe emrat, edhe varret, madje edhe kuajt, pemët, deri dhe fotografitë, thoshte Feliksi, diktatori me gërshërë i priste, në fillim kokët, pastaj fotografitë e atyre kokëve, ose anasjelltas, gërshërët janë ende në Muzeun Kombëtar, me bojë të zezë nxinte nëpër fotografitë historike ata që nuk i donte më, jashtë nga albumet, nga kujtesa kolektive […]” (fq. 286-287).

Në lexim e sipër, faqet e romanit shndërrohen gradualisht në faqet e aktakuzës së Feliksit, të ekspozuar në një Europë të shurdhër ndaj dramave, në një Europë që tashmë ishte zhveshur nga mitet e mëdha, por veçanërisht nga rrëfimet e mëdha themeltare. Feliksi bëhet një personazh absurd në kërkimin e tij donkishotesk për të arritur dy qëllimet e lirimit dhe të gjykimit planetar. Rrugëtimi i tij europian nis në një Itali të lirë, në Bari, ku ai i kundërvihet dhunës ndaj të ikurve shqiptarë në gadishull Italian, duke nëpërmendur dhe dhunën e hasur tek La Ciociara, romanin e njohur të Alberto Moravias. Dramat e historisë shqiptare po shpalosen si ato mikene, më parë: “Lufta e Dytë Botërore s’ka mbaruar ende për ne, andej në bregun tjetër… ju them unë, dezertori i saj…” (f.30). Brenditë e jetës së tij, përpara se të udhëtonte rrugën nga Bari në Vjenë, të shënuara nga ndalesat dhe shpotitë, megjithëse Feliksi është arsyetari i Shqipërisë, janë shënuar nga pika referimi të qarta, mes tyre vdekja e babait, e dërrmuar nën peshë, e sëmundjes që lindi nga shqetësimi, apo pasqyra e familjes së kohëve të hershme, duke refuzuar të ekspozojë fytyrat e të pranishmëve komunistë:
“Natyrisht fytyrat nuk janë tonat, – kishte thënë një djalë xhaxhai i babit, i liruar nga burgu dhe që erdhi për vizitë fshehurazi një mbrëmje. – Si të të duket jotja fytyra, kur atë ta ka marrë… shteti? Dhe e vendos fytyrën tënde ku të dojë, në rresht, në parakalim, në aksione të detyruara, si tullat në mure fabrikash, ose si tabelë qitjeje në kufi ose e nxin. I heq pjesë, buzëqeshjen, i shkul flokë, krihu kështu, urdhëron, jo këta vathë, i nxjerr njërin sy, të dy, veshët, dhëmbët, tortura, ah! Sa të shkon trishtimi, por nuk lejohet… Ti ta duash pasqyrën, a je i bindur se po të rrëfen të vërtetën? Mundohu të kuptosh veten, të ndreqësh çfarë nuk të pëlqen, jo thjesht në fytyrën tënde, por më thellë, në shpirt”, – kishte thënë djali i xhaxhait i babit, që, megjithëse s’ishte i vjetër, pinte duhan me llullë. Pas atij tymi shtëllunga-shtëllunga, jo vetëm fjalët e tij, por edhe buzët, nofullat, sidomos vështrimi i rëndë, merrnin mister.” (f.72).
Në këtë kuadër të tragjedisë së përgjithësuar, të shtetit që shtyp individin, drita e romanit përqendrohet te historia e dashurisë. Fotografi Felix Konti, gjatë viteve të ushtarisë në Shkodër, mbërrin aksidentalisht në sallën e gjyqit dhe, duke qenë i pranishëm në gjyqin e gjimnazistes Ema Marku, me një bukuri, zgjuarsi dhe vendosmëri të paimagjinueshme, arrin ta kapë atë në një foto. Historisë së mungesës së dhimbshme të babait i shtohet, gjysmë shprese, edhe iluzioni i përmbushjes përmes dashurisë për Emën. Ema do t’i përgjigjet atij në përputhje me rrethanat.
Të dy pozicionohen kundër sistemit dhe shtypen. Feliksi është kundër sistemit nga mospërshtatja e thjeshtë në politikën diktatoriale që përkthehet me “shtypjen e mendimit”, por kundërshtari i vërtetë i regjimit është Ema. Ka një fisnikëri në qëndrimin e saj që përcillet nga familja – duke vizituar burgun ku ishte ajo, gjyshja e Emës do t’i thotë kryerojës: ” Dal, tha, vij me e pa, se me kët rast shof dhe Shqypninë. Atë të burgjeve dhe vuajtjeve, se Shqipëritë e tjera qenë shembur.” (fq.192-193) – dhe një vendosmëri për të çrrënjosur burgun e kthyer si një hapësirë ​​kastrimi (shih kortezhin e grave, f.200) dhe abuzimin seksual.
Duke arritur ta kthejë takimin e rastësishëm në një histori dashurie që digjet nga densiteti i tragjedisë greke, Visar Zhiti ekspozon paralelisht me rrugët e kërkimit europian të heroit të tij, kujtimin e kësaj historie të konsumuar nën dërrmimin e një shoqërie që nuk i kishte zhveshur rrobat e së keqes.
Heronjtë e lidhur me zinxhirë reduktohen në një trup të vetëm. Por dashuria e tyre kushtëzohet nga kontekstualizimi: “Do të më doje ti, po të mos ishte diktaturë? – më pyeti Ema një mëngjes herët me zërin mërmëritës, paksa të ngjirur” (f.216), kushtëzohet nga prania e së keqes: “e keqja na bën të kuptojmë më mirë se kush jemi” (f.219). Kontekstualizimi ndodh në një shkallë shumë më të madhe, duke e vendosur historinë në absolutin tragjik, të trashëguar nga Eskili. Vrasja brutale e Emës në post-komunizëm, drama e Feliksit, kërkimi i tij për ta bërë zërin e tij të dëgjohet në një hapësirë ​​të shurdhër ndaj tragjedisë e përforcojnë dramën. Absurditeti i reales turbullohet nga zëri i sistemit: “Ajo që është personale është kolektive dhe ajo kolektive është personale” (f.222), thotë një agjent i Sigurimit. Ka, do të thonë, një risi, të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë dhe e reja është trans-sistemike, trans-historike, trans-kulturore. Tragjedia e vërtetë është shurdhim dhe heshtje në dramën njerëzore.
Në atë hapësirë ​​të kalimit përtej, mes shekujsh dhe mijëvjeçarësh, të koloraturës së një kryeqyteti europian, Vjena, ku ndodh tragjedia e vërtetë, lind historia e Visar Zhitit, e cila bëhet në vetvete aktakuza që Feliksi nuk mund ta ekspozojë. Sepse, përfundimisht, personazhi fotograf nuk bën gjë tjetër veçse praktikon atë që në shqip quhet thjesht: “dritëshkronjë” (f.100).

Përkthimi dhe shënimet nga Dr. Luan Topçiu

O KRIMINELI IM I DASHTUN- Poezi nga SAMI MILLOSHI

O krimineli im i dashtun,
unë mërgimtari,
jam tue u përpjekë
me t’marrë me t’mirë,
megjithse ti
me ftyrën tande t’mazueme,
e tue kërcllue dhamët,
m’pret si turist
n’vendin tem…
.
O krimineli im i dashtun,
ti nuk ke kurgja tepër meje,
ma shumë se unë
n’at’ vend,
n’mos paç ma pak…
se veç farën e urrejtjes
ke mjellë,
e unë kam mjellë
veç farën e dashnisë…
.
O krimineli im i dashtun
unë i çova dollarët e paktë
prej Amerike,
me i mjellë katër fidanë pishe
n’malet e Lurës,
qi kanë mbí
e janë rritë,
me kujdesin e Jetmirës…
.
E ti i dashtuni krimineli im
asnji pemë s’e mollé,
se nuk e din çka don me thanë
folja ” me mjellë”,
ti e din Shqipen gjysmakshe,
veç foljen ” me fshehë” din,
me fshehë ftyrën tande,
me i fshehë krimet tueja,
me i fshehë paret
e vjedhuna,skaj Botës,
a n’gopin e sat ame,
edhe ke trimninë e t’marrit
me ta vjell goja
e me m’quejt mue turist
n’tokën teme,
mor biri i kurvës…
.
O krimineli im i dashtun
Unë i jam tutë lavdisë së rreme,
jet’ e mot,
I kam ikë si xhirafa e paqme
me kryet nalt,
q’i shqelmon me thundër
çakejt n’tundër,
çakej e hiena,
qi sillen me e shqye…
Atdheu asht edhe i jemi
e ti kqyrëm n’sy
çka po t’them
e vare vath n’vesh:
unë jam biri i asaj toke,
e ti veç nji padron
krejt kalimtar
i vdekshëm në xhungël…

PLEHRAVE TË OLIMPIT- Nga ATDHE GECI

 

Asgjë s´ ndrrueka koha pa i ndërruar

nga Olimpi asnjëri  nuk bie vetëvetiu

duhet të ngritën tallaze si  të detit, që

plehu i Olimpit  të  hiqet e  pastrohet

.

Në  atdheun  tim  drejtësia gjykohet

me gabime, me  dëshmi  të rrejshme

dhe  anime, e  vërteta  duhet  të  jetë

fanar, që  asnjë  stuhi të mos e shuaj

.

Ah, si  ta  shoh  kombin  tim kështu

të ndarë dhe të përçarë brenda vetes

një qeveri që i plagosë të vetët e vetë

s´di nga cila dritare duhet të shohim

.

I ashpër është populli kur krye ngre

ai i bie me gjithë  forcën  pushtuesit

a keni dëgjuar për Adem Jasharin e

UÇK-në, ai  është trimi i Dardanisë

.

Nga vështrim im për pellazgë-ilirinë

të gjithë armiqtë  i  kemi afër kufirit

duhet të ngritën tallaze si të detit, që

plehu i Olimpit të hiqet e të pastrohet.

.

Atdhe Geci – Dortmund

Cikël poetik – In memoriam Lindita Ahmeti (26.04.1973-9.04.2024) – Shqipëria është krijuar në fund të qershorit nga drita e xixëllonjave

UDHËTIMI I BABAIT NËPËR KËNGËN E VJESHTËS

hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia
babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë
s’e turbullon qetësinë
po e shkruan pyetjen në fletët e heshtjes ulur në rrënjën e bungut
janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babain të ngrihet në këmbë
ecën ai
ndërsa gjethet e thata zgjohen dhe bëjnë muzikë xhazi nën këmbët e lodhura të plakut
pastaj fryn pak eoli
tingujt e butë të erës së freskët kur i ledhatojnë gjethet
dhe dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm
janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë e cila pëshpërit
ju iku vera e blertë
ju iku vera e blertë
zogjtë të renditur si fjalët e demostenit para athinasve
kur filipi futej në polis me ushtarët e tij
kërkojnë shpresën e mirë duke lënë mbrapa ngjyrat e vjeshtës
pastaj tingujt e freskët të gjetheve të thata kërcëllojnë
bëhen vërejtje për krijesat e imta të pyllit
për merimangat që prodhojnë mëndafshin më të mirë
për mizat gjarpërinjtë minjtë buklat e shqarthat
për ndonjë hardhucë të blertë që s’ndalet së vrapuari nëpër bar pas ndonjë kandre
dhe për breshkat që e demonstrojnë hijerëndësinë kur ecin
dhe ta merr mendja edhe për sutat e buta që e zbukurojnë pamjen e pyllit kur i bie hëna
për të gjithë banorët e gjelbërimit që janë rehatuar në mbretërinë e gjumit
jepet alarmi e shtohen thirrmat e larëve
kujdes
ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë mbretëri magjepse si gjithmonë
bota e pyllit ka rendin e vet dhe e dëgjon vetëm përvojën
e veshur me njëqind ngjyra që hedh hëna ajo shkon shtigjeve të saj
pa e dalluar babanë nga kalimtari i pakujdesshëm i cili kënaqet kur shkel flutura
dhe babai ecën ecën nëpër këtë botë që e bën të prekshme vetminë
dhe me gjithë kujdesin që ka
ndonjë thnegël e pëson prej këmbës së tij
duke dështuar në luftën e egër të darvinit për një kënd të padukshëm ngrohtësie
kapërcejnë pastaj nëpër mendjen e babait foljet e ngarkuara me pikëllim
për një mijë këngë të lisnajës që treten
pastaj babai ulet sërish në rrënjë të bungut
përballë një ketri që kërcen nga imazhi në imazh
atëherë visorja e hap faqen e magjisë së saj
në dritë të këtij tregimi dalin kuqëloret si ombrellat e zanave
vendosur nëpër shtigjet kah kalon diana
dhe dalin si në shuplakë pikturat e pyllit
babai vazhdon udhën
vihen në lëvizje mijëra zëre nga frika kur ofshan ai nga pesha e udhëtimit
kjo në pyll merret si bori e faunit
babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh
duke sjellë mëngjesin e kuqërremtë
harabelat nëpër degëzat e kaçubave dhe të fijeve të barit të gjatë me fara të imta
e ndërpresin ëndrrën
ia nisin këngës korale
dhe bashkë me kandrat e hapin librin e muzikës
me tinguj të cilët nga shporta semasiologjike e asaj bote e shpërfaqin hijeshinë
e kërpudhave kuqëlore
të mijëra e mijëra kuqëloreve që e stolisin pyllin
dhe e gjithë kjo do të jetë një poezi e pashkruar e sapfos që është dashur të bëhet himn
për mrekullinë e kuqëloreve
midis të cilave kalon zbathur
në majë të gishtave
im atë i mirë
dhe të cilat i mbledh e i ruan nimfa në herbariumin prej papirusi
e që më vonë do të flasin
si një ditar i shkruar shqip.

 

SHQIPËRIA IME

Shqipëria është krijuar në fund të qershorit nga drita e xixëllonjave
kur dalin si fenerë të imtë magjikë dhe i mbulojnë male e fusha
sa bëhet gati të ulet në fron perëndesha florë në mbrëmjen hyjnore
e ta shpërndajë erën e mirë të trëndafilave e të luleve alba
të cilat ia bëjnë me dije erebit se nuk mund të ketë vend në këtë të vërtetë
sepse këtu vazhdimisht çelësin do ta ketë në dorë vetëm aurora
Shqipëria është krijuar nga ëndrra më e mirë e rrufetarit mu pranë detit
duke e lënë aty shqiponjën e bardhë të bëjë roje
në shtëpinë e gurtë të Kadmit e të Harmonisë që u caktuan të jenë të Parët Mitikë
që shpikën lule e shpërndanë shkronja për librin e parë nga Sharri nga Tomorri
nga Bjeshkët e Nemuna
Shqipëria ka dalë prej zërit yllësor të orfeut
dhe është bërë këngë e lumit malor
fluturim i amshueshëm i pëllumbit të bardhë
valle e zanave me lisat e gjatë e me korin e trumcakëve
të cilën përballë persefonës e ka lozur osman takja
në këtë vend vazhdimisht bredh i biri i afërditës
e pastaj e shpërndan nëpër botë kuptimin e dheut që është sinonim i emrit të tij
prandaj djemve kësulëbardhë kah bredhin përfund degës së parë të trungut të gjuhëve
u shkëlqejnë si dielli flokët e praruar e u kumbojnë fjalët
nga sytë e tyre reflektohet magjia e liqeneve të Lurës
ndërsa këngën e kanë vazhdim të këngës së linit
kjo është Shqipëria ime
Shqipëria është një trëndafilnajë e vendosur mbi shkrepa
ku banojnë shpresat më të bukura
ku nga rrënjët e rrapeve mijëvjeçare
dëgjohet edhe sot tregimi i gurrës së Dodonës
Shqipëria është orakulli ku vashat e kanë zbuluar fronin e birit të diellit
ajo është bari i mirë që sot shëron plagët e rënda
të hapura nga Era e Kuqe
është muri kundër furtunës polare me arushën e tërbuar
Shqipëria herë është bletë në lulet parajsore
herë është pikturë e adem kastratit
pastaj del si një varg rruazash të bëra prej mija kokrrash xhevahiri
Shqipëria është djega ime

ËNDËRR NË SHTEGUN E HAPUR

zogjtë zogjtë e dashur të afërditës
fluturojnë fluturojnë
fluturojnë hapësirave
bukurisë së lënduar
dhe përpiqen ta mbushin shpresën
me trëndafila erëmirë
siç do perëndesha e tyre madhështore
zbresin një nga një
dhe qetësohen në prehrin e nënës tokë
renditur në varg
ndalen në tegelin e ëndrrës sonë
me dyer të hekurta mbyllur
në të cilat rri varur një dry i madh
këndojnë zogjtë
dhe në notat e imta të tyre
ndjehet se diçka nuk shkon
nuk lexohen qartas shenjat
e porosisë
që duan ta çojnë
për të tre vetat e hedhura në harresë.

MARINARË TË ZINJ

sirena e luan një valle
të panjohur
me lodra llahtari
në verdhësinë e vjeshtës
ndërsa era e vrugtë i tall
me shaka të pakripë gjethet
e rëna
në hapësirën e pafundme
të këngës së dëbuar
ku luhaten tri pemë
me “bukuri të zezë për një poemë”

përreth shikojnë sehir
dhe presin marinarët e zinj
të mbështetur me bërryla
në gjerdhet e vjetra
hedhin bishta cigaresh
në panoramën shumëngjyrëshe
të vjeshtës
të rrethuar me miza
që zukasin
dhe sillen rreth tyre
presin të bjerë nata
ta hedhin farën e zezë
në arën e shpikësit të shkronjave

të ardhur si shoqërues
të odiseut
nga dera e persefonës
marinarët i kanë thyer pipthat
e luleve të kopshtit të fëmijëve
dhe i frikësojnë qengjat
që luajnë
në barin e vyshkur

sapfoja herë pas here shikon
nga një plasë
nga altari i bardhësisë
kur me arkilokun
flijojnë fjalë të buta

hëna si një nuse e kohëve
të tretura
bën dritë dhe derdh lot
kurse gjysma e marinarëve
një nga një mblidhen
rreth sirenës
dhe ngjiten në valle
gjysma tjetër duke hallakatur
nëpër gjethet e rëna
të dardhës së moçme
kërkon thesarin e humbur
dhe pasi e marrin
hedhin baltë e të shara
në derën e madhe

në fund skena është emarinarëve
krejtësisht reale
kurse sirena mbetet vetëm në ndërdije
së andejmi me bukurinë e saj të ftohtë
dhe me shkathtësinë që ka
përpiqet ta ndryshojë mendjen e arkilokut
që merr ta hedhë mburojën në porend
i thotë ajo o këngëtar
heshtja është flori
mirëpo arkilok të jesh e të heshtësh
nuk shkon kjo

sirena pastaj e përben sapfon
ta fikë prushin që e nxit krijimin e këngës
së amshueshme
duke i ofruar muzës kënaqësinë efemere

rri sirena ulur te pragu i tiasosit
dhe pret t’u mbushet mendja sapfos dhe arkilokut
sapfoja tregon me gisht
kah kokrra e mollës
që ka mbetur në majë
e kuqe
lartë lartë
e arkiloku me vendosmëri e hedh mburojën
në porend
aty përreth nuk pushon vallja e rëndë
e gjysmës

dy marinarë shtatmëdhenj
e lëshojnë një perde të hekurt
mbi hënën e përlotur
pastaj e detyrojnë arkilokun
ta mbajë një thes të stërmadh
me thesar të rëndë
deri te anija e tyre
kurse sapfos i mbetet tërkuza
ta tërheqë barrën
që marinarët e kanë plaçkitur në trojë
dhe t’i lusë përulshëm ata
ta heqin perden e hekurt
nga hëna e përlotur

asnjëri nga marinarët nuk jep pesë para
për këngë e krenari
nuk luajnë vendit as dorën madje s’e lëvizin
dhe vetëm hedhin kah këngëtarët
lulëkuqe
të cilat bien mbi ta
si fjalë të rënda
mbi vajzën e pambrojtur

pastaj shfaqet nikta
me koçinë e saj të zezë
dhe me dhurata nga persefona
përplot me strajca me kokrra shege
për dy këngëtarët

i hap krahët nikta
kështu tregon se i pranon mysafirët
të cilët i ndal erebi rrugës
dhe fillon dafrunga e marinarëve
të zinj
e zgjat shumë shumë

nikta dikur zbret ngadalë
matanë malit
heshtin lodrat
treten në thellësinë e errësirës
të rënat e tyre
po mbeten gjurmët e tyre

arkiloku e ngre kryet kah aurora
që shfaqet
e hedh së pari thesin në humnerë
pastaj edhe mburojën në porend
dhe ikën me këngën
sapfoja hyn në kopshtin e saj
dhe e ngre kullën me vargje
jashtë armët e marinarëve
shkëlqejnë në dritë të hënës.

ZBRAZËTIA

ecim ne nëpër zbrazëtirë me duart
lidhur prapa shpine
pa shtat
pa lënë gjurmë
ecim kah shtegu i mbyllur
të shoqëruar nga nj rojtar i stërmadh
me grushtin e ngritur lart
para nesh
në pafundësinë e ndriçuar paraqitet hija e huaj
tmerrësisht e madhe
me një përhimtësi të paparë
përbirohet nëpër turmë
dhe ulet midis nesh
dhe kërkon t’i lavdërojmë kohët e humbura
neve na pushton heshtja
neve na merr gjumi
neve na thyen frika
ne ecim
ndërkaq zbrazëtia
i ka prerë me rrënjë para nesh
të gjitha bimët
dhe pas vetes nuk ka lënë asnjë fije bari
e asnjë flutur
ecim ne kështu
duke i ngrehur këmbët zhargas
si të ishim meitë
rreth nesh vjen erë sulfuri
ecim ne
dhe para nesh
mu në shteg
një mur i lartë.

DIMËR I GJATË

dimër i gjatë
kohë e kohë ka kaluar që po pritet
të ngjallet dita e verës me lule thane
trungu i ahut të flasë
për shekujt e paluar në unazat e tij
dhe vargu lirik të shpërthejë me një rreze

pritje
dhe pritje
përsëri dimër
disa shtresa të trasha të akullit bëjnë presion
mbi heshtjen e moçme
dhe gjithçka mbetet në pushtetin e acarit
dhe mbyllësia
e larë me lot

pemët janë mbështetur për murin
e kështjellës që po rrënohet
t’i ikin të ftohtit polar
si unë që kam mbetur
midis vetmisë
mbështetur për muri
ku mundohem të lëviz
në këtë dimër të gjatë.

NË PETALE LULESH NJË GJUHË E LASHTË

limonët kanë çelur në Shqipëri
duken lulet e tyre si stoli nga kristali malor
në breg të lumit malor
është diçka që përshkruhet
vetëm me dhembje e dashuri
është si një vashë bukuroshe lakuriqe
me kurorë lulesh të bardha
duke ecur në dritë të hënës
mbi murin e kalasë së shkodrës
e që pasqyrohet në njëmijë ngjyra në liqen
është një lulnajë
ku në çdo petale të luleve është shkruar ndonjë varg shqip
me shkronja hyjnore
është një heshtje hyjnore ku dëgjohet vetëm thirrma:
o Shqipëri shiko
heliosi e ka ndalur qerren e zjarrtë në qiell
e nuk lëviz me orë
vështron anë e kënd dheut tënd të butë
me flamurin e ngjyer në gjak
që nxjerr mënjolla paqe
o vendi im
o vendi im
a ka kund djalë si djemtë e këtij relievi
ku s’guxon dot frika të ulet të pushojë
pyet e krenohet dritëmadhi:
o vend lulesh e yjesh
të falem për këtë pushim të këndshëm
pastaj vjen një zë e thotë
o Shqipëri e helios sinonime e moshatarë
gëlojnë lulet
me emrin e magjishëm
iris illyrica
ndër të cilat gurgullon gjuha shqipe
e shpërndahet nëpër fshatrat e bukurisë shumështresore
ç’u vonove helios kështu në zenit?
pyet dikush duke hapur dritaren
si atëherë kur atena u lind nga koka e zeusit
s’lëviz karroca e zjarrtë hyjnore
e s’ ngihet dritëmadhi me pamëninë
me barin që mugullon rreth shkëmbit të shkabës
ku është shndërruar në yll petro nini luarasi
njohësi i shpirtit të shkronjave
dhe i gjuhës së luleve
që çelin këtu
që çelin në radhimë
që çelin në rekë
e në katërkollë.

NË BOSHLLËKUN E TRUNGUT

me vite një zot e di sa
unë jam në boshllëkun e trungut
të drurit qindvjeçar
një dru i nxirë nga korbat që rrinë në degët e tij
e rreth të cilit sillen ujqit e uritur
një dru të cilin kanë harruar ta presin ushtritë e huaja
kah kanë bredhur nëpër dheun e shkelur

rri aty unë
i dëgjoj krimbat si e brejnë drurin
shikoj nga bira që e ka bërë me kamë ndonjë ushtar
i cili ka dalë prej rreshti nga lodhja
dhe ka vënë ndonjë shenjë sa për ta kaluar kohën
rri shtang aty
e pres ndonjë yll të bjerë
ndonjë zog të ndalet
ta shoh ndonjë bukël
a ndonjë kaproll duke kullotur
ndonjë lule ta ngrejë kokën e të shfaqet
në perspektivën e birës së drurit të rrethuar me injorim
ta shoh ndonjë pikë lashte në fijet e barit
e mbi to fluturat që vallëzojnë
dhe ta dëgjoj ndonjë trishtil
a ndonjë qukapikth
ta dëgjoj nimfën si i bie lirës
dhe si këndon pranë burimit

kur bie terri lutem
që të pushojnë britmat e satrapit nga fshati i djegur
nga altari i rrënuar
se kur arrijnë edhe këtu
rreth drurit
këto virrma nuk janë më fjalë
po flakë jeshile që e rrezikojnë drurin
dhe mua në boshllëkun e tij

ndonjëherë shfaqet një siluetë
në këndvështrimin tim
qëndron në cep të shkëmbit të murrmë
të cilin ma rrok shikimi
bien në sy dylbitë që i mban ajo
në drejtim të pyllit të shenjtë
pastaj nëpër ajrin plot vrugtësi
nëpër shi
duken njerëzit si kthehen dhiareve të malit
nga hadi i vendosur diku në verilindje
vijnë me shpresë se do ta ngrenë kullën e katragjyshit
të bardhë e krenare

unë e hetoj se plagët më shtohen
nga kandrat parazite
nga ngushtica brenda në trungun e drurit
nga dhembjet e këmbëve që m’i ka kafshuar gjarpri
atëherë më vjen të bërtas
më vjen të vrapoj
të shkoj fluturimthi shtegut të malit
që zana e stolis gjithmonë
në të dy anët
me lule
iris illyrica

do të kisha dashur ta jap kushtrimin nga vetmia
ta tregoj përrallën e kuqe përrallën e vrugtë
përrallën e mashtrimit me kalin

po kush do të më nxjerrë mua
nga ky boshllëk i namatisur
fjala nga vargu e thënë nga boshllëku i drurit s’ka peshë
po çmohet kur thuhet nga kolltuku i avokatit të errësirës
këtu ku jam unë edhe erosi të harron
jo më dikush tjetër
o zot
më duket se po shndërrohem
në një ndërgjegje që s’bren
në një flutur të mbetur në xhepin e errët të ngushticës së drurit
ku nuk të vëren kush përveç merimangave
që përgjojnë në cerimangat e tyre
pos thneglave që ma kanë vërshuar shtatin thuajse të shpenzuar
që jam bërë pjesë e drurit
të cilit vazhdimisht dikush i matet me sëpatë


Send this to a friend