VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pa emër! – Nga AGRON SHABANI

By | August 18, 2019

Komentet

ISTOGU –  KANTJER NDËRTIMI – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

   Në vitet `70-a absolventi Ibrahim Rugova, së bashku me Rexhep Ismajlin, të ftuar nga Istituti i Gjuhësisë-Historisë dhe gazeta “Studenti”, bënin vizitën e parë në Tiranë. Shqipëria, atë botë, ndërroi padronin, la Rusinë dhe u bë tellall i Kinës të Mao Ce Dunit.
     Siç ndodhë, rëndom, me pushtuesit, qofshin ekonomik apo ideologjik, Kina gjigande “hapi thesin” e investimeve, që mundësoi ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe në sektorë të tjerë ekonomikë. Ibrahimi, duke parë disa kantjerë ndërtimi, kujtoi shokun e tij të studimeve, njëherësh, bashkëvuajtësin tim të mërgimit, Musa Bërdynaj, i cili u përball me kalvarin stalinist në Shqipërinë nënë. Megjithatë, kur ndodhej afër objekteve ndërtimore në Prishtinë, kujton me nostalgji kohën e ndërtimeve në Shqipëri!
     Bëra këtë parantezë, për të ardhur ke Istogu ynë, që këto ditë është bërë kantjer ndërtimi, kahdo që i hedhë sytë. Janë katër rrugët bjeshkore, dy të ndërtuara, dy në ndërtim e sipër dhe, e pesta, për së afërmi, do të fillojë. Këto rrugë lidhin komunën e Istogut me Bjeshket e Thata, Lugun e Butë, Bjeshkët e Istogut dhe Malet e Moknës. Ndërtimi i rrugëve bjeshkore, zgjoi interesin e banorëve të Podguerit për blegtorinë e shtuar dhe turizmin. Qysh në nismë janë ndërtuar qindra stane, dëbane, qoftë për relaksimin ditor, qoftë për qëndrimin veror.
     Një risi që solli kryetari Haki Rugova, me stafin e tij, janë hapja e puseve ujore, për bagëtinë në Bjeshkët e Thata, të cilët kishin munguar në dekada e shekuj. Shumë të thjeshtë, pak të kushtueshëm, por, shumë të nevojshëm, kur dihet se, deri tani, uji për bagëtinë sigurohej nga dëbora, bora e rezervuar në smetije, (gropa të hapura për grumbullimin e borës gjatë dimrit, duke i mbuluar me sanë e çetina), për ta nxjerrë në verë dhe hedhur në lugje.
     Istogu, si qendër e Podguerit, ka një shtrirje gjeografike mahnitëse. Rrënzë maleve, shtëpive klasike, një dhe dy katëshe, po u shtohen edhe pallatët shumëkatshe, të cilat po popullohen, kryesisht, nga familjet e mërgimtarëve. Sipër malet dushkajë, që pasohen me ahishtën, klekun, pishnajën, bredhin e bjeshkëve, deri në kufinjtë e Malit të Zi dhe të Serbisë. Pra, Sanxhakun shqiptar, në asimilim e sipër, nën pushtetin e dhunshëm serbo-sllavë.
     Rrugët përshkuese të qytetit të Istogut, me hapësirat lakmuese anësore, lehtësojnë lëvizjet, frymëmarrjen e qytetit. Si duket, ka pasur drejtues komunalë të mençur dhe unë po përmend vetëm disa syrësh, si: Sadri Kabashi me Hasan Berishën; Riza Maxharraj me shokë; Fadil Ferati me Ferat Hajzeraj e Bedri Hasanaj; Haki Rugova me Agim Ademaj e Lulzim Blakaj. I vetëdijshëm për harresën e të tjerëve, meqë kam jetuar mërgimin e detyrueshëm, pëtej tri dekadave, kërkoj ndjesë, me premtimin se një herë tjetër, do të bëjmë një trajtesë më të kompletuar.
     Këto ditë nëntori u përuruan dy vepra domëthënëse në qytetin e Istogut: “Kompleksi Memorial Dr. Ibrahim Rugova”, me shtatorën e skulpturuar nga mjeshtri Gëzim Muriqi, i kompletuar me muzeun dhe mjedise tjera, poshtë memorialit. Dhe, Halla, Salla e Sporteve, me dukje dhe përmbajtje madhore, e cila ka një hapësirë të brendshme të bollshme, si dhe e rrethuar me parking dhe gjelbërim të mjaftueshëm, që kënaqë syrin dhe zemrën – njëherësh.
     Shumësia e automjeteve qarkulluese, në rrugën që përshkon qendrën e Istogut, ka bërë që, kryetari, inxhinieri i diplomuar, Haki Rugova, me stafin e tij, kanë menduar dhe vepruar, për zgjërimin e Unazës lehtësuese, nga prapa kompleksit “Trofta” dhe varrezave, për të dalë në rrugën rajonale për Gurrakoc. Kjo unazë e shkurtër, në perspektivë për t`u zgjatur, deri përtej qytetit, shmang qarkullimin e kamionave dhe automjeteve tjera të rënda përmes qendrës të qytetit. Për zgjërimin e saj, në mirëkuptim me qytetarët, u zhvendosën edhe disa varreza, për t`u vendosur gjetkë. Punimet po i realizon Firma emërmirë “Graniti”.
     Devijimi i rrugës prapa Tregut të Gjelbër, plus pazarit të përzier me mallëra gjithëfarësh, jep mundësi për zgjërimin dhe sistemimin e tregut ekzistues. Kur kemi parasysh se tregun e së enjtës në Istog, e frekuentojnë edhe tregtarët nga komuna e Skënderajt, Klinës, Pejës, zgjërimi i këtij tregu, në suazat e mundësisë hapësinore, do të vazhdojë pas përfundimit të unazës në fjalë.
     Kryetari Haki Rugova punon shumë, por, nuk zhurmon. Pra, pa publicitet. Kuvendi komunal organizon, me rregull, -Dëgjimin e hapur Popullor -, ku qytetarët bëjnë propozime, kërkesa, por, edhe vërejtje e ankesa në adresë të administratës komunale. Tubimi drejtohet nga kryetari i Kuvendit, me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës dhe drejtorët e kuadrot, që drejtojnë departamentët, që ndërlidhen drejtëpërdrejtë, me jetën e qytetarëve.
     Kam vëzhguar, drejtëpërdrejtë, bisedën e hapur të kryetarit Haki Rugova me qytetarët. Ai nuk premton pa mbulesë. Afatizon plotësimin e kërkesave, por, disa të tjera, i lidhë me ministritë përkatëse ose donacionet e mundshme. Here-herë futë “në lojë” edhe komunitetin e fshatrave, me participime të pjesëshme materiale, për ta realizuar ndonjë vepër me interes lokal.
     Në komunën e Istogut, pas asfaltimit të rrugëve rajonale, rrugëve të fshatrave, madje, në pjesën më të madhe edhe të lagjeve, vazhdon edhe shtrimi kockorë i trotuareve në rrugët rajonale, për ta lehtësuar dhe siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe, sidomos, të fëmijëve shkollarë. Në plan janë edhe trotuarët e fshatrave dhe ndiçimet e nevojshme.
        Parku i Qytetit – një vepër madhore e përjetshme
     Një kantjer punimesh, i filluar para një muaji, në mes të Istogut, është i shumëprituri – Parku i Qytetit -. Janë firma ndërtuese “Shkëmbi” dhe Firma e gjelbërimit “Vishi Garten”, të cilat shquhen për punë cilësore. Një ëndërr e hershme, po realizohet kësaj vjeshte. Përsonalisht, i dëshiruar për një mjedis relaksues, çlodhës, më 11 korrik 2016, i bëra një letër kryetarit Rugova, të ngulmojë që trualli, dikur, pronë e Ndërmarrjes Drusore “Radusha”, kaluar APK-së, t`ia kthejë komunës, me destinim për Parkun e Qytetit.
     Dhe, ashtu ndodhi. U interesova për projektin e Parkut, por, nuk më pëlqeu. Shfrytëzova një vizitë, me disa anëtarë të Kryesisë të LDK-së, Dega në Gjermani, me kryetarin Haki Rugova dhe disa anëtarë të Stafit komunalë, për të dhënë disa vërejtje. Megjithatë, hezitues për mirëkuptim!
     Fort i merakosur, që Parku i Qytetit të jetë funksional, për brezat e sotëm dhe ata të dekadave e shekujve, ashtu siç i kemi parë në datimet e ngitjeve të parqeve, që nga para e pas Mesjetës në Evropë, që kanë ruajtur virgjërinë natyrore, pa betonim. Më 25 maj 2019 bëra një letër të përbashkët, kryetarit Haki Rugova dhe drejtorit të RTV “Fontana”, Zeqir Mehmetaj, duke bërë disa sugjërime, se si duhet të jetë Parku në ardhje. Qëllimi i letrës së përbashkët, ishte organizimi i një debati me përfaqësues komunalë dhe nga populli. Për çudë, mungoi mirëkuptimi, edhe pse Zeqir Mehmetaj nuk i shpëton asgjë, jo vetëm brenda komunës të Istogut, por, edhe më gjërë në Kosovë!
     Në mes tjerash, kundërshtova ngritjen e një lokali gastronomik brenda Parkut. Dhe, pse? Jemi dëshmitarë okularë, në plazhet shqiptare vinin vajzat, nuset, femrat e Kosovës. Pas dy-tri ditësh, lëkura e tyre skuqej, deri në rjepje e përgjakje, përfshi edhe pjesën sipër gjokseve, që rrezikon – kancerin e gjirit-, nga rrezatimi i menjëhershëm, i pakontrolluar i diellit. Dhe, shqiptaret vendore shpotisnin: “Shihni maloket e Kosovës, që nuk i ka parë dielli!” Dhe, kënaqësia e plazhit mbaronte në ditën e tretë, kur femrat e Kosovës mbylleshin në bujtinë, ose ktheheshin në shtëpi, për t`i lyer me vaj e kos, plaget-mish, nga djegia e diellit.
     Mendoj se Parku në mes qytetit, duhet të jetë një rudinë, lëndinë, oazë, i rrethuar me drunj halorë, ku femrat do të rreziteshin, qysh në pranverën e vonshme, me rroba banjo, bashkë me familjarët tjerë, për t`u përgaditur për plazhin e verës, ose, thjeshtë, për efekt shëndeti dhe përballimin më të lehtë të acarit dimëror.
     Një lokal me burra të kollarisur, do të sodisnin trupin e femrave gjysmë-lakuriqe, që padyshim janë art i vërtetë. Dhe, ky kontrast do të pengonte, më saktë, dështonte, njërin nga funksionet, që ka një Park, siç është rrezitja e trupit të femrave.
     Në një park çlodhës të qytetarëve, lejohet vetëm topi, që përdorin parashkollarët dhe hiç më  shumë. Betonimi  i panevojshëm i Parkut, do të ishte shëmtia e tij. Hapësira e Parkut është e kufizuar, andaj, kadastrimi hapsinor fillestar, nuk guxon të cënohet. Pra, nuk guxon të mbetet asnjë centimetër, jashtë rrethimit kufitar kadastral. Edhe nëse kanë ndodhur tëkurrje hapësinore, më parë, duhet të rikthehen si pronë legjitime e Parkut, pavarësisht ndërhyrjes të egër e hajnore, madje, nga kushdo qoftë.
     Parkinxhet anësore, të kontrabanduara në hapësirën e Parkut, janë sa të paligjshme, aq edhe të panatyrshme. Andaj, pjesët e betonuara, duhet t`i kthehen hapësirës gjelbëruese të Parkut. Edhe ndërtesa 4-katëshe, e ngritur në brendësi të Parkut, më kohë, duhet rrënuar. Por, më parë, duhet të sigurohet lokacioni i ndërtimit të një pallati, qoftë edhe 8-katësh, meqë është strehimore humanitare.
     Sidoqoftë, tashmë, janë vënë bazat e një Parku, me elementet e nevojshme, të pranueshme, siç janë: drenazhimi, kullimi tokësor, me parametrat shkencor; këndi i lojërave për fëmijë; në pritje – ngritja e një Fontane uji; ulëset dhe rrugicat modeste, të ngushta, të asfaltuara, (jo me kockë), për lehtësi lëvizje të karrocave invalidore, të fëmijëve dhe  ecje të shpenguar të të moshuarëve.
     Konsideroj se kryetari i vyeshëm, Haki Rugova, edhe pse shumë profesional, sikur i ka besuar më shumë se sa duhet arkitektit të tenderuar. Megjithatë, përkushtimi për t`u shërbyer qytetarëve, ka bërë që të rrënohen ndërtesat tre e katër-katëshe, në të dy anësoret e – Lumit Lana – në Tiranë, me gjatësi afro 5 (pesë) kilometra. Janë shëmbur ndërtesat në Parkun “Rinia”, përballë Hotel “Dajtit”. Janë rrënuar dhe pastruar të gjitha ndërtesat në Parkun para Parlametit Shqiptar.
     Prandaj, përgjatë këtij mandati, kryetari Rugova, i ka të gjitha mundësitë, për të bërë korrigjimet e duhura, në Parkun në ndërtim e sipër. Dhe, kostoja do të jetë e pakët, për të mos thënë, simbolike. Kryesisht, heqja e betonimeve të tepërta dhe rrethojen ndryshe. Me gjithë varfërinë time, jam gadi të kontribuoj, deri në pëballimin e të gjitha shpenzimeve, për ta bërë Parkun e Qytetit tim, si model, se si duhet të jenë shumëfunksionalë parqet e përjetshme të qyteteve tona.
     Unë nuk jam kurrëfarë faktori, për t`iu imponua kryetarit tim të nderuar, Haki Rugova. Por, si qytetar fort i angazhuar, madje, qysh në rininë time të hershme, angazhim që më ka kushtuar me burgosje politike, vuajtje të gjatë dhe të mundimshme, ku më ka munguar gjithçka, madje, edhe buka, uji dhe ajri i mjaftueshëm, siç ishte burgu i torturës, Burgu i Burrelit. Andaj, nuk hesht, sepse çdo gjë të dobisë kolektive, e përjetoj edhe si dobi personale dhe e kundërta.
     Ndonëse nuk hasa në mirëkuptim, para fillimit të ndërtimit të Parkut të Qytetit, shpresoj dhe besoj se do të mirëkuptohemi, tani, për të korrigjuar gjithçka që bëhet pengesë, për qenien funksional të Parkut, aq më parë, kur ai është i vetmi dhe duhet të ekzistojë, aq sa do të ekzistojë edhe qyteti i Istogut, pra, përjetësisht.

Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Si ka mundësi?

 

“Mosmirënjohja njerëzore nuk njeh kufi”  

                                                        García Márquez 

      

E shtrova këtë pyetje si nëntitull për disa arsye që do t’i parashtroj në vijim.

Si ka mundësi që shumë personalitete të shquara nga radhët e dijetarëve perëndimorë kanë pasë qenë radhitur në krahun e së vërtetës historike dhe shkencore lidhur me lashtësinë e gjuhës shqipe dhe shteti shqiptar i Tiranës s’e ka vënë absolutisht ujët në zjarr për t’i kujtuar dhe nderuar ashtu siç e meritojnë?

Ata dijetarë janë të shumtë, por këtu dëshiroj të përmend emrat e vetëm katër  prej tyre: një i periudhës së lashtësisë, një i periudhës në kapërcyell të mesjetës dhe dy të kohëve mederne, të shek XX.

I pari i përket lashtësisë romake të periudhës paskristiane. Ky është Plini Plaku (23-79 e.r.). Në vëll. VI, të veprës së tij me titull “Naturalis Historia”, f. 95, e cila përbëhet prej 37 vëllimesh dhe është botuar në vitin 77, ai ka shkruar se romakët e patën marrë alfabetin nga pellazgët.

I dyti i përket periudhës së pasmesjetës evropiane. Është fjala për dijetarin e shquar gjerman Lejbnicin (Gottfried Wilhelm Leibniz – 1646 – 1716), i cili ka thënë se në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe.

E treta është përkthyesja dhe albanologia e shquar bavareze Marie Amelie Julie Anna, Baronesha von Godin (1882-1956), e cila jetën e vet ia pati kushtuar historisë dhe kulturës shqiptare, të pasqyruar në 20 veprat e botuara.

I katërti është Prof. Horald Whitehall (1905-1986), profesor i linguistikës anglo-gjermane në Universitetin Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej vitit 1951 deri në vitin 1986. Ky profesor  i njohur ka shkruar:

“Shqipja është dega më e vjetër e trungut të familjes së gjuhëve indoevropiane. Si e tillë, ajo nuk është degëzuar më tutje, por ka mbetur si gjuhë e parë dhe e vetmuar”.

Si ka mundësi që shteti shqiptar i Tiranës të heshtë për të vërtetën historike që thuhet në Enciklopedinë e Madhe Greke:

“Stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë” (Citohet sipas: “Enciklopedia e Madhe Greke”. vëll. 19, f. 873).

Shteti shqiptar i Tiranës, përmes Presidencës, duhet t’i shprehte mirënjohjen më të thellë Redaksisë së Enciklopedisë së Madhe Greke dhe ta vlerësonte me një Çmim të lartë, kurse Akademia e Shkencave duhet t’i shpallte anëtarë nderi anëtarët e asaj Redaksie. Por, fatkeqësisht, këtë të vërtetë të shenjtëruar, të botuar në Enciklopedinë e Madhe Greke, edhe shteti shqiptar i Tiranës, edhe Akademia e Shkencave e kanë anashkaluar, duke harruar qëllimisht që Redaksia e asaj Enciklopedie ka dalë kundër qëndrimeve shoviniste që janë mbajtur dhe vazhdojnë të mbahen në Greqi për prejardhjen e shqiptarëve. Shteti shqiptar i Tiranës nuk mund të mos e anashkalonte të vërtetën historike dhe shkencore të Enciklopedisë së Madhe Greke, sepse rrënjët e servilizmit të tij ndaj Greqisë zënë fill që në periudhën e diktaturës komuniste, kur kryediktatori Enver Hoxha, duke ulur keq, deri në vetëposhtërim, autoritetin e vendit tonë, pati kërkuar me ngulm vendosjen e marrëdhënive diplomatike me Athinën, pa këmbëngulur fillimisht për shfuqizimin prej saj të ligjit paradoksal të luftës, i cili vazhdon të jetë në fuqi edhe në ditët tona, si edhe duke lënë krejtësisht në harresë gjenocidin e egër të shtetit kriminal grek kundër Çamërisë. Shteti shqiptar i Tiranës pas vitit 1990, po ashtu, nuk mund të mos e anashkalonte atë të vërtetë, sepse servilizmin politik ndaj Greqisë, të trashëguar nga periudha e diktaturës komuniste, e përsosi edhe më tej, duke e ngritur deri në nivelin e filozofisë së nënshtrimit politik ndaj Athinës. Akademia e Shkencave nuk mund të mos e anashkalonte atë të vërtetë, sepse ajo nuk ka qenë kurrë kështjellë e mbrojtjes së të vërtetave historike dhe shkencore për prejardhjen e shqiptarëve, ajo ka qenë dhe vazhdon të mbetet një ngrehinë pa identitet,. e vënë kokë e këmbë në shërbim të servilizmit të kastës politike të Tiranës në marrëdhëniet me grekoserbizmin. Prandaj ajo akademi nuk e ka ngritur kurrë zërin kundër shtetit të Tiranës, i cili kaloi në Kuvend ligjin antikombëtar për ekzistencën e 9 minoriteteve në Shqipëri, ndërkohë që lejoi të hidhet në qarkullim një vepër antishkencore, ku deklarohet se 93% e fjalëve të gjuhës shqipe na qenkan të huazuara! Pra, politika antikombëtare e shtetit të Tiranës bashkëpunon ngushtë me antishkencën e Akademisë së Shkencave për vënien në jetë të strategjisë së kahershme të grekoserbizmit, sipas të cilit shqiptarët “nuk janë rrënjës” në trojet e tyre etnike, sepse “nuk ekziston” një komb shqiptar, por “ekziston një bashkësi nacionalitetesh”, “nuk ekziston gjuha shqipe”, por “ekziston një gjuhë me fjalë të grabitura nga gjuhët e tjera”. Ky qëndrim antikombëtar i kastës politike të Tiranës dhe i Akademisë së Shkencave, vjen në sinkroni të plotë me raportin e politikanit zviceran Dik Marti (Dick Marty 1945) kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raport ky, i cili ishte i mbushur me mashtrime, me shprehje raciste për shqiptarët, si shoqëri fisnore, se shqiptarët nuk janë komb.

 Domosdo, s’mund të ndodhë ndryshe. Politika antikombëtare e Kuvendit të Shqipërisë për 9 minoritetet dhe antishkenca e Akademisë së Shkencave kundër gjuhës shqipe, flasin me një zë për shkombëtarizimin e shqiptarëve, se në krye të Kuvendit dhe në krye të Akademisë janë dy mbeturina të diktaturës komuniste, të emëruara nga kryeministri, i cili vetë, po ashtu, është një mbeturinë e diktaturës komuniste.

Si ka mundësi që historiani grek Kostandinos Pangalis ka deklaruar që helenët e dikurshëm janë shqiptarët e sotëm dhe shteti shqiptar i Tiranës e ka kaluar në heshtje deklaratën e tij?

Si ka mundësi që historiani grek Dhimitri Bethanis ka deklaruar publikisht se ilirët janë popull i lashtë dhe shqipja është më e vjetër se latinishtja dhe shteti shqiptar i Tiranës e ka kaluar në heshtje deklaratën e tij?
Si ka mundësi që, ashtu si edhe historiania e talentuar shqiptare Elena Kocaqi, historiania greke Maria Efthimiou, profesore e historisë në Universitetin e Athinës, ka deklaruar publikisht se Greqia ishte shqiptare, edhe sot gjysma janë shqiptarë, dhe shteti shqiptar i Tiranës e ka kaluar në heshtje deklaratën e saj?
Si ka mundësi që legjenda e kinematografisë botërore Irene Papas (1926) ka deklaruar publikisht se nuk mund të largohet nga kjo botë e të mos thoshte të vërtetën se ishte shqiptare, se nëna e saj ishte nga Epiri dhe babai nga Shqipëria, se ai kishte qenë mësues letërsie dhe urrente priftërinjtë grekë, dhe Tirana zyrtare e ka kaluar në heshtje deklaratën e saj?  Këtë ikonë të artit kinematografik botëror e rriti, e edukoi dhe e pajisi me kulturë të gjerë Greqia. Megjithatë, ndaj deklaratës së kësaj artisteje të shquar, për të vërtetën historike që ajo mbron, a nuk duhej të kishte një reagim me nota të theksuara mirënjohjeje nga ana e shtetit shqiptar të Tiranës?
Si ka mundësi që Profesori Sinadinovski ka deklaruar publikisht se janë 100 mijë shqiptarë ortodoksë në Maqedoninë Veriore, të cilëve shteti shovinist maqedonas nuk i lejon të kenë kishën e tyre, se mumjet politike shqiptare në Shkup janë të vdekura dhe të pakallura, dhe shteti shqiptar i Tiranës e ka kaluar në heshtje deklaratën e tij?

Si ka mundësi që shteti shqiptar i Tiranës të manifestojë një mosmirënjohje aq skandaloze ndaj gazetarit të shquar grek Takis Michas (1948), i cili jeton në Athinë, ku punon për gazetën e përditshme Eleftherotypia dhe vazhdon të japë kontributin e vet përThe Wall Street Journal Europe. Ky gazetar me personalitet të lartë intelektual dhe profesional, ka pasë shkruar gjerësisht për ndërhyrjen greke në Bosnjë dhe veçanërisht në masakrën e Srebrenicës. Falë ndershmërisë shembullore në mbrojtjen e së vërtetës dhe objektivitetit të tij profesional në qëndrimin ndaj krimeve që shovinizmi i egër grek, në bashkëpunim të ngushtë me kishën shoviniste greke, pati kryer kundër vëllezërve tanë çamë, ai ka shkruar:

“Le të imagjinojmë se Kryeministri i Shqipërisë erdhi në Athinë për të lypur kredi. Pak para se të largohej nga vendi, fton gazetarët dhe shpall se ai do të ngrejë çështjen e kompensimit për pronat e çamëve në Thesproti/Çamëri dhe për krimet kundër popullatës civile dhe largimit të dhunshëm të tyre nga Greqia. Nuk do ta karakterizonim këtë akt si “skandaloz”? Nuk do të ishte konsideruar ky si një “provokim” ndaj Greqisë? Nuk do të mendonim se një veprim i tillë, në thelb, i hedh dinamit tërë status-kuosë së pasluftës ballkanike dhe hap kutinë e Pandorës për çdolloj kërkesash?” (Citohet sipas: Takis Michas. “Qeverisw  greke: si do të dëshironit t’u kërkohej nga shteti shqiptar dëmshpërblim për gjenocidin çam?”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 27 mars 2015).

Gazetari Takis Michas ka dashur të ngjallë vetëdijen kombëtare të kryeministrit shqiptar, për ta vënë shtetin kriminal grek para përgjegjësisë jurdike, për gjenocidin e rëndë që pati kryer në Çamëri. Por pati trokitur në derë të shurdhit, sepse Çështja Kombëtare Shqiptare e Çamërisë dhe krimet barbare të grekoserbizmit kundër kombit shqiptar, janë një problem i mbyllur për kryeministrin shqiptar për shkak të tradhtisë së kastës politike shqiptare.

Si ka mundësi të kalohet në heshtje nga shteti shqiptar i Tiranës kontributi i jashtëzakonshëm  i personalitetit amerikan David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor,  i cili ka botuar sa e sa materiale në mbrojtje të shteti të Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve?

Si ka mundësi që shteti shqiptar i Tiranës ta kalojë në heshtje figurën shumë të nderuar të Kryetarit të Lidhjes Qyetare Shqiptaro-Amerikane Zhozef DioGuardi (Joseph DioGuardi – 1940), i cili, që prej më shumë se 30 vjetësh, ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të Kosovës në veçanti dhe të mbarë kombit shqiptar në tërësi, aq më tepër kur më 20 shtator ai festoi 80-vjetorin e lindjes? Meriton falënderimin më të përzemërt shkrimtarja dhe publicistja e shquar e formatit nacionalist, zonja Vilhelme Vranari Haxhiraj, e cila emrin e nderuar të Zhozef Dioguardit e ka përfshirë në librin e saj me titull “Elitat e Mohuara… Krenari Kombëtare”, të botuar në vitin 2019, në të cilin ka pasqyruar gjerësisht veprimtarinë e çmuar të këtij personaliteti të shquar me prejardhje shqiptare. Ajo shkruan:

“Është fat i madh që kemi përkrahjen e Joseph DioGuardit, një personalitet me gjene shqiptare, i cili, me vullnet, e bëri Çështjen Kombëtare Shqiptare më të dëgjuarën në Amerikë e në botë dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro Amerikane një organizatë të pavarur, me vlera kombëtare në të mirën e shqiptarisë. Me të drejtë ne krenohemi për një potencial intelektual dhe një individualitet të tillë diplomatik e politik me përmasa botërore”.

Duhet falënderuar përzemërsisht gazetarja e shquar e formatit nacionalist, zonja Elida Buçpapaj, e cila, në një analizë me titull “Skënderbeu i sodit Joe DioGuardi mbushi tetëdhjetë, ndërsa Komuniteti shqiptar në SHBA, për turp, fjetë”, të botuar më 22 shtator 2020, në portalin “Voal”që ajo drejton bashkë me Skënderin, i ka bërë një Homazh të shkëlqyer personalitetit emblematik Joe Dioguardit. Ajo thekson:

“Nuk ka asnjë shqiptar që t’i jetë përkushtuar çështjes shqiptare, që të ketë luftuar për liritë e të drejtat e njeriut dhe lirinë e shqiptarëve, që të ketë denoncuar krimet serbe të kohës të Milosheviçit, segregacionin antishqiptar në Maqedoni, që të jetë angazhuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi; nuk ka burrë shteti shqiptar si Joe DioGuardi që t’i ketë ndjekur shqiptarët hap pas hapi, nga koha e pushtimit dhe respresionit, konflikteve deri tek sendërtimi i demokracisë dhe lirive me standard perëndimor!”

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos rrinte fjetë në qëndrimin indiferent ndaj 80-vjetorit të lindjes së Joe DioGuardit, sepse, si i përçarë që është tradicionalisht, ai ndjek shembullin e përçarjes së kastës politike në Tiranë dhe në Prishtinë, e cila, për turpin e saj, as që e vuri ujët në zjarr për ta vlerësuar lart figurën e tij të nderuar me rastin e këtij përvjetori të shënuar. Komuniteti shqiptar vazhdon përçarjen e vet tradicionale, të cilën e pati nxjerrë në pah bashkëkohësi i nderuar i Fan Nolit, Kosta Çekrezi, në librin me titull “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, të botuar në Vashington në vitin 1951.

Edhe më e çuditshme është mosmirënjohja e shtetit të Tiranës dhe e Akademisë së Shkencave ndaj dijetarëve të tillë, si Niko Stillo, shqiptar ordodos nga trojet shqiptare të Çamërisë, shqiptaro-francezi Mathieu Aref, Aristidh Kola, Agron Dalipaj, Luftulla dhe Liliana Peza etj., të cilët kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm në fushën e hulumtimit të lashtësisë së kombit shquptar dhe të gjuhës shqipe

Kjo heshtje e mumifikuar e kastës politike shqiptare dhe kryesisht e Presidencës shqiptare të Tiranës, është me të vërtetë sa e çuditshme, aq edhe e pahijshme dhe madje e turpshme. Një heshtje e tillë dëshmon më së miri se kasta politike shqiptare, në atë masë që është krejtësisht mosmirënjohëse ndaj personaliteteve akademike botërore, të cilat, që në shekujt e kaluar dhe deri në ditët tona, kanë mbrojtur dhe mbrojnë publikisht të vërtetën shkencore për lashtësinë e kombit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, po në atë masë është servile dhe mercenare e pështirë në shërbim të grekoserbizmit dhe të brukselizmit..

Servilizmi dhe mercenarizmi i kastës politike shqiptare para grekoserbizmit dhe brukselizmit , ia kanë ulur keq autoritetin mbarë kombit shqiptar.

Meri Sheli (Mary Shelley 1797-1851), shkrimtare angleze, në romanin e vet fantastiko-shkencor, me titull “Njeriu i fundit” (The last man), të botuar në vitin 1826, ka një aforizëm me domethënie shumë të thellë:

“Kushdo që punon për njerëzit, shpeshherë vëren sesi nga fara që ai mbjell, mbin dhe rritet mosmirënjohja, e plehëruar nga vesi dhe marrëzia”.

Shteti i Tiranës nuk mund t’i falënderonte dhe t’i nderonte publikisht personalitet e lartpërmendura, sepse ai, qoftë dje në diktaturë, qoftë sot në kushtet e demoshëmtisë dhjetoriste, nuk e njeh absolutisht institucionin e mirënjohjes. Sepse t’i shprehësh mirënjohjen dikujt për nderin që të ka bërë, do të thotë të nderosh veten tënde për vlerat e larta morale që të karakterizojnë. Por kasta politike shqiptare e Tiranës, e zhveshur nga këto vlera të larta morale, është dalluar për servilizmin e pështirë para grekoserbizmit dhe gjatë këtyre tridhjetë vjetëve edhe para brukselizmit, prandaj është e paaftë ta nderojë vetveten. Si servile e tillë, ajo, që në kohën e diktaturës komuniste, ka pasë vlerësuar lartë armiqtë e kombit shqiptar, si Josif Broz Titon. Kështu, në faqen e parë të librit të këndimit të shkollave tona në vitet 1946-1947, pas një fotoje të madhe me ngjyra të Titos, me propozim dhe miratim të kryediktatorit Enver Hoxha, shkruhej:

“Tito luftëtar, Tito Çlirimtar,

Tito Shpëtimtar i Popullit Tonë!”.

Po ashtu, kryediktatori Enver Hoxha, dikur pati dhënë porosi që, në qendër të Tiranës, të ngrihej shtatorja e Stalinit, i cili e ka pasë deklaruar hapur  qëndrimin e vet krejtësisht shpërfillës, deri në fyerje, ndaj Shqipërisë, shtatore që qëndroi në atë shesh deri në vitin 1968 dhe mandej u zhvendos në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë shtatores së Leninit. Për më tepër, një bulevardi kryesor të Tiranës, me porosi të kryediktatorit, iu vu emri i Stalinit. Kryediktatorit, si servil i regjur i grekoserbizmit, s’mund t’i bënte përshtypje fakti që, në një takim që pati në Moskë më 10 shkurt 1948 me një delegacion jugosllav, të kryesuar nga Eduard Kardeli, që kishte në përbërje edhe Milovan Gjilasin, Stalini pati deklaruar shkoqur fare:

“Ne nuk kemi kurrfarë interesash të veçanta në Shqipëri. Ne pajtohemi që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë”!

Një deklaratë tipike kjo për natyrën shoviniste rusocariste, e cila qe manifestuar tradicionalisht dhe vazhdon të manifestohet edhe në ditët tona në qëndrimin shovinist të politikës ruse ndaj etnive të tjera joruse.

Traditën e servilizmit të diktaturës komuniste enverhoxhiste ndaj grekoserbizmit për nderimin e armiqve të kombit shqiptar, kasta politike e Tiranës e pasuroi edhe më shumë me filozofinë e nënshtrimit ndaj Greqisë, duke lejuar që kisha ortodokse shqiptare, dikur e pavarur, e themeluar nga Noli i Madh, me mbështetjen e fuqishme të mbretit Zog, të shndërrohet në një filial të kishës shoviniste greke, të konkretizuar me ardhjen në krye të saj të priftit grek Janullatos. Që Shqipëria nuk ka më kishë të pavarur ortodokse, por ka një kishë të pushtuar krejtësisht nga Greqia, këtë e pranon vetë historiani grek Nikolas Stavros, i cili ka deklaruar publikisht:

“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.

Në këtë mënyrë, kasta politike neokomuiniste e Tiranës shkeli mbi gjakun e Papa Kristo Negovanit, të Naum Veqilharxhit, të Koto Hoxhit, të Anastas Kulluriotit, të Petro Nini Luarasit, të Atë Stath Melanit etj., të masakruar barbarisht  nga kisha shoviniste greke, shkeli mbi ëndrrat e kryepeshkopëve nacionalistë Kristofor Kisi dhe Visarion Xhuvani për të vazhduar traditën fanoliane të pavarësisë së kishës ortodokse, dhe sillet me nderime të mëdha ndaj Janullatosit, i cili ka ngritur në qendër të Tiranës katedralen gjigante, të stolisur krejtësisht me aq shumë simbolikë greke, saqë qytetarëve që kalojnë para hyrjes së saj, u duket sikur janë në Athinë. Për ta bërë fakt të kryer pushtimin e kishës fanoliane nga kisha shoviniste greke, kasta politike e Tiranës i dha Janullatosit shtetësinë shqiptare. Me sa duket, jo vetëm kasta politike e Tiranës, por edhe mbarë ortodoksët shqiptarë që i bëjnë temena Janullatosit, paskan krijuar bindjen e patundur se “qenka e pamundur” që, në radhët e qytetarëve të besimit ortodoks, në përputhje të plotë me Statutin kishës fanoliane, të gjendet një intelektual i talentuar, me gjuhë, me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi shqiptare, i pajisur me kulturë të gjerë, plotësisht i aftë për t’u vënë në krye të kishës ortodokse, për t’i rithyer asaj pavarësinë e shenjtëruar, të grabitur nga kisha shoviniste greke.

Tani kastës politike të Tiranës i duhet që filozofinë e nënshtrimit tërësor para Athinës ta konkretizojë edhe me një vepër monumentale: sipas shembullit të shtatores së Stalinit, para katedrales ortodokse janullatiste të ngrejë një shtatore gjigante në nderim të Janullatosit. Në ballin e kastës politike të Tiranës, ajo shtatore do të jetë damka përfundimtare e nënshtrimit dhe e servilizmit shembullor  ndaj grekëve. Ajo shtatore do të nxjerr në pah edhe shumë më mirë vetëposhtërimin e dyfishtë të kastës politike të Tiranës para grekëve. E quaj vetëposhtërim të dyfishtë, sepse kam parasysh një vlerësim fantastik që Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio 1313-1375) ka bërë për grekët. Në vëllimin e tretë të “Dekameronit” ai shkruan:

“… duke ditur vesin e grekëve, që sa më pak të gjejnë burra që t’ju thyejnë dhëmbët, aq më tepër shtyhen përpara me potere e kërcënime dhe, përkundrazi, kur hasin ndonjë burrë të vërtetë, jo vetëm përulen, por arrijnë sa të poshtërojnë veten, duke i dorëzuar edhe femrat e familjes”.

Pra, kur të poshtëron një i vetëposhtëruar, nënkuptohet që vetëposhtërimi është i dyfishtë.

Tirana zyrtare politike është e shkëputur nga Shqiperia Tjetër – Nga ROMEO GURAKUQI

36 deputete per Tiranen, 16 per Fierin, 14 per Elbasanin, nje me pak per Gjirokastren, Permetin, Tepelenen dhe po ashtu per Dibren, Matin, Bulqizen. Nderkohe, asnje kolegj perfaqesues me shume per Shkodren, Koplikun, Malesine, Dukagjinin, Puken, Fushe Arresin, Sapen, Nenshkodren, etj. E njejta situate per Korçen, Pogradecin dhe Kolonjen. Dy qarqet nga ku u ideua Shqiperia mbeten keshtu me nga 11 kolegje zgjedhore.

Konventat kushtetuese mbi bazen e te cilave u themelua Shqiperia jane injoruar plotesisht. Popullin po e detyrojne te braktise vendbanimet stergjyshore; vendet e komuniteteve historikisht te lira i kane kthyer ne hapesira te boshatisura per te cilat nuk jepet asnje investim. Padrejtesia perfaqesuese e qeverise vijon. Arkitektet e disbalancimit te Shqiperise dhe zhvillimit te pabarabarte te krahinave, tanime kane marre mandat te plote per vulosjen me numra te rinj kolegjesh elektorale ndarjen e padrejte administrative te vendit. Asnje ndryshim ne regjistrat e gjendjes civile, asnje emigrim i shtetasve shqiptare, qe ruajne shtetesine nuk mund te justifikoje prishjen e balances historike te vendit dhe te drejtat e komuniteteve te lira te perfaqesohen ne Parlamentin e Shqiperise.

Tirana zyrtare politike eshte e shkeputur me dashje, me arrogance, me mosperfillje dhe me papergjegjshmeri nga Shqiperia Tjeter. Nje shkelje flagrante e interesit publik perfaqesues dhe zhvillimor. Zero ndjeshmeri ndaj interesave dhe te drejtave te popullit qe qeverisin. Zero ekspertize para marrjes se vendimeve kaq te rendesishme. Asnje metodologji e plote dhe e miremenduar per te percaktuar vendimarrjen perfaqesuese.

Fatet tona te ardhshme sot gjenden ne duar diletantesh te pasuruar ne menyre ilegale, qe nuk pyesin per asgje. Mosperfillje ndaj te drejtave komunitare per perfaqesim te pershtatshem. Injorim me ligj i te drejtave te emigranteve per te votuar ne kolegjin elektoral te vendlindjes. Zero pergjegjesi per krimin e nxjerrjes se shqiptareve jashte vendit nga te korruptuarit dhe vrasesit e te ardhmes se vendit.

Asnje arsye historike, etnografike, asnje arsyetim i te drejtes publike nuk justifikon 36 kolegje elektorale per Tiranen, 16 kolegje elektorale per Fierin dhe 14 per Elbasanin, veç yryshit te “specialisteve socialiste” per fiksim paraprak te rezultateve zgjedhore ne tavoline dhe ambicjes se familjeve sunduese per perjetesim te kamufluar pushteti.

29 nëntori është një ditë idolatrie vetëm për komunizmin – Nga SADIK BEJKO

Europa dhe gjithë bota feston 9 Majin, si Ditën e fitores mbi fashizmin.
Të vetmit, nga gjithë shtet e tjera të koalicionit antifashist, ne shqiptarët kemi një ditë “tonën” të Çlirimit nga fashistët.
Kjo ditë, 29 nëntori, është ngulitur nga idolatria e atij partizanit fitimtar si bir i një “Bote të re”.
Në të vërtetë, kjo është një ditë idolatrie vetëm për komunizmin.
Sikur në ditën 29 Nëntorit, të kujtosh edhe ballistët, edhe legalistët, edhe socialdemokratët shqiptarë të Musine Kokalarit? Edhe këta ishin antifashistë.
Kjo do të quhej sakrilegj, fyerje e Luftës, e çlirimtarëve.
Nuk kam pasur ballistë në familje. Por kujtoj se ballistët ishin antifashistë, ishin republikanë, jomonarkistë, ishin dhe antikomunistë, për më tepër.
Komunistët e përvetësuan luftën. E bëri partia e tyre, thoshin. Por pati forca të tjera jokomuniste që e luftuan pushtuesin, e luftuan që në orët e para, kur komunistët fshiheshin, kur komunistët fillimisht ishin dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit.
Luftën e bëri Shqipëria.
Shqiptarët i deshën apo nuk i deshën partizanët, dhanë bijtë dhe bijat për luftën kundër okupatorit, dhanë bukë, strehë, veshje për luftëtarët.
Por, në fund, doli se luftën e bëri vetëm partia, e bëri vetëm partizani, jo Shqipëria.
Shqipëria iu nënshtrua fashizmit aq keq, sa për 4-5 vjet kemi qenë realisht (zyrtarisht) shtet fashist. Kishim organizim shtetëror fashist me gjerarkë këmishëzinj në krye, kishim parti fashiste, balila (pionierë) fashistë, rini fashiste, grua fashiste… Edhe flamurin e kishim të damkosur me sopatat e Liktorit, me simbolet fashiste.
Duhet të ishe anëtar i partisë fashiste që të merrje punë në shtet.
(Ne sot nuk e themi që kemi qenë shtet fashist).
Veç kur del me dokumente që gjithë intelegjenca e lartë shqiptare jo vetëm u punësua në organizmat shtetërore fashiste, por dhe u vesh me uniformë të zezë fashiste, nderonte dhe ‘ala fashista’ me dorën lart. Veç që të shohësh dokumentarët, fotografitë në shtypin, në arkivat e kohës dhe bindesh për këtë.
Edhe N. Xhunglinit iu desh të aplikonte për punë pasi u anëtarësua në struktura partiake fashiste. Nga halli, kështu thonë. Nga halli për një rrogë të gjithë hëngrën bukë në torbën e pushtuesit.
Fashizmin shqiptari nuk e deshi. Po kush e pyeti?
Më 1945 me hokus-pokus nga shtet fashist u bëmë shtet komunist.
Si në asnjë rast tjetër në botë. Morëm një kthesë 360 gradë.
Shqiptari nuk e deshi komunizmin. Të dyja, fashizëm e komunizëm, nuk i deshëm, por na i imponuan kohërat. Popujt e vegjël janë zare në lojën e historisë. Të mëdhenjtë e botës ua diktojne fatet.
Që nuk e deshi Shqipëria komunizmin e dëshmon një fakt. Asnjë nga elita intelektuale e viteve ’30 (shkrimtarë, profesorë, nëpunës karriere, ish-luftëtarë) nuk shkoi me komunistët e malit. Elita shqiptare nëpërmjet Branko Merxhanit “Pse nuk jam marksist” e kishte thënë që ishte antikomuniste.
Më 1939 disa përfituan nga të mirat e Shqipërisë fashiste. Me këmishën e zezë Nexhmija u bë mësuese. Enveri bënte kontrabandën e duhanit te “Flora” me ndihmën e Biçakçinjve të Elbasanit. Qemal Stafa shkoi të studionte në Firence. Bukën e fashizmit hëngrën Kahreman Ylli, Bedri Spahiu, Abas Shehu, Mustafa Matohiti… e shumë nga ata që më pas u bënë dëshmorë dhe krerë komunistë.
Ndryshe ndodhte me nacionalistët shqiptarë, me ata që më pas do të identifikohen si Ballistë. Ata u gjakosën që më 7 prill. Pas 7 prillit Mehdi Frashëri, Ermenji, Butka, Lef Nosi etj u internuan në Ventotene, në Ustika, në ishuj të Italisë. Çetat e Ballit dhe partizanët e luftuan bashkë fashizmin më 1942- 43.
Si u përmbysën fatet në fund të vitit 1943? Pse u bënë armiq më pas? Pse partizanët masakruan nacionalistët në Dunicë të Mokrës (35 ballistë), në Myzeqe (67 ballistë)?
Pse ballistët, këta antifashistë të orëve të para, u shtynë të bashkëpunojnë me nazistët?
Këto janë pyetje për historinë.
Lufta mbaroi pa fitimtarë. Më 1939 vendosi pushka e zezë e të huajit. Më 1944 vendosi pushka e kuqe e partisë. Më shumë se pushka e rrjepur e partizanit, vendosi Jalta, për fatin tonë vendosën Çërçilli, Stalini… Popullin shqiptar nuk e pyeti njeri. As referendum, as zgjedhje të lira. Ky nuk ishte çlirim. Edhe për Greqinë vendosi Jalta, Çërçilli… Për komunistët grekë nuk mund të ketë ditë Çlirimi. Ata u internuan në Rusi, te baba Stalini, ose në ishujt shkëmborë ku vdisnin nga etja.
Të vij te fillimi. Pse dua t’i kujtoj Ballistët? Ata i kanë nxirë aq keq, sa… zor se rehabilitohen. Këto ditë një mik më pyeti: Ka pasur ballistë antifashistë? Po. Ata ishin patriotë. Ata kishin ineresa në këtë vend, ishin familje me emër, kishin pasuri, kishin një karrierë, kishin firmosur Pavarësinë, kishin luftuar më 1912, më 1920… Ata dinin të luftonin. Mithat Frashëri dhe Lef Nosi kishin qenë më 1908 në Kongresin e Manastirit, më 1912 të dy firmosën Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Me të mirat dhe të metat e saj, kjo klasë përbënte atë që ishte elita e qëndrueshme e Shqipërisë.
Ata legalistët, ballistët, socialdemokratët që ishin antifashistë (dhe antikomunistë njëherësh). Kanë qenë shumë, shumë të tillë. Njëri prej tyre ishte vlonjati Hysni Lepenica, dëshmor i atdheut, që ra si antifashist në Gjirokastër më 1943.
Nga gjithë kombet e Evropës vetëm ne shqiptarët e kemi shpikur një ditë të Çlirimit, të tjerë kombe nuk e kanë si festë kombëtare.
Vazhdojmë me idolatrinë komuniste. Për fat të keq.

NJË  JETË  NË  DIKTATURË: DEMASKIMET PUBLIKE NË GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT – Nga EUGJEN MERLIKA

 

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

 

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

 

NDRE  MJEDA

 

DEMASKIMET PUBLIKE NË GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT

 

Një problem i përgjithshëm në tërë këto vite të gjata internimi mbeti për ne çështja e strehimit. Nuk mbaj mend gjatë gjithë jetës sime të kem patur një shtëpi sado modeste, por të mjaftueshme. Në Grabian na kishin dhënë një dhomë e një aneks në katin e dytë, pa kuzhinë, pa banjo, pa një vënd ku mund të derdhej një pikë ujë. Gatuanim përjashta në shi e diell, ndërsa banjon e bënim në fund të shkallëve, në një korridor me lartësi pesë metra. Merren me mënd problemet e nevojshme personale të njeriut të sëmurë, të plakut, të fëmijëve, gruas me një WC që ishte në rrugë njëzetë – tridhjetë metra larg  derës së apartamentit.

Janë të paimagjinueshme për një qytetar të botës së kompjuterave kushte të tilla primitive inkomoditeti, ndofta shumëkush nuk do t’i besojë. Fatmirësisht e vërteta është e gjallë dhe kushdo mund t’i vërtetojë me sytë e tij po të marrë mundimin të vizitojë Grabianin. Këto shtëpi dykatëshe të projektuara në Bullgari për familje bujqësore, ishin llogaritur për një familje, lart e poshtë. Por Partia e Pushteti “popullor” mendonin se hapësira e madhe në banesë mund të kultivonte individualizmin borgjez, me gjithë pasojat e tij të dëmshme në formimin e njeriut të ri. Prandaj duheshin mbajtur njerëzit sa më të shtrënguar me njëri-tjetrin, që “uniteti” rreth partisë të ishte më i madh…. Kështu që në një hyrje futeshin dy familje, me të gjitha pasojat që një pjesë e mirë, jo vetëm e të internuarve, por edhe e shumë qytetarëve të lirë i ka shijuar vetë. Në sektorin e Gradishtit, xhaxhai im për vite me radhë e kishte kthyer dritaren e vetme të dhomës së vetme në derë. Një palë shkallë nga jashtë e nga brënda shërbenin për të hyrë e për të dalë. Aty një herë natën, gjyshja e shkretë u rrëzua e theu dorën. Në këtë mënyrë plotësoheshin kërkesat e strehimit në një vend ku vilat e udhëheqësve janë proverbiale, ku harxhohen dyzetë milion dollarë për një muze e ku miliarda lekë groposen në tokë në trajtën e kupolave…

Në kushtet e mia familjare në ato vite, problemin e fjetjes e zgjidha duke ndërtuar dy shtretër prej dërrase me dy kate, ku flinin dy vajzat e vogla dhe nëna me babanë. Pra e ktheva shtëpinë në kazermë ushtarake, duke vënë në jetë parullën e famshme “I gjithë populli ushtar”. Kërkesës së përsëritur disa herë, për të ndërtuar përpara shtëpisë një kuzhinë me kallama e baltë, kryetarja e këshillit popullor, “shoqja” Nurie, një personifikim i koncentruar i së keqes njerëzore, i përgjigjej negativisht me pretekstin se prishej pamja e pallatit, ndërsa vetë “zonja” e ndërronte hyrjen sa herë që bëhej ndonjë pallat i ri. U gjend më në fund kryetarja e këshillit të bashkuar, që na njihte që në Pluk, se e kisha patur brigadiere, që dha urdhrin e shumëpritur prej vitesh, për të ndërtuar një kasolle që do të shërbente si kuzhinë e si vend gatimi dhe dhomë fjetjeje për prindërit. Kështu u zgjidh dhe problemi i strehimit në Grabjan.

Jeta në interrnim në vitet 80 ishte një torturë e vërtetë. Për çdo nevojë, që të dilte jashtë sektorit, duhej të merrje leje në Degën e Punëve të Brëndshme, madje duhej të shoqëroheshe nga polici, qoftë dhe kur do të shkoje tek mjeku. Tek xhaxhai im që banonte në sektorin e Gradishtit, një

orë e gjysëm larg nuk kam mundur të shkoj për vizitë as një herë në gjashtë vjet. Tek familja e gruas kam shkuar dy herë për vizitë, një herë kur vjehrri ishte sëmurë dhe të dytën kur vdiq. Simbas rregullores që na lexohej herë pas here, vetëm për vdekje të njerëzve të afërm ose për vizitë mjekësore tek specialisti mund të jepeshin leje. Kjo ishte “vazhdimësia” ramiziane, trampolina nga do të hidheshim drejt Evropës.

Akoma më e rëndë se rregulloret ishte atmosfera terrorizuese, që rëndonte mbi ne për vite të tëra. Ne ishim tabela e qitjes në çfarëdo mbledhje, një gogol që mbahej më këmbë për të trembur zogjtë që të mos hanin farën. Në sytë e popullit të thjeshtë ne servireshim si njerëzit më të këqinj, armiqtë, ata që mundoheshin ta përmbysnin pushtetin popullor, ata që s’e duan Partinë dhe Enver Hoxhën, ata që mund të helmojnë depot e ujit, mund t’i vënë zjarrin stallave apo lëmit, ata që mund të sabotojnë prodhimin duke prerë bimët gjatë prashitjes së tyre, që mund të thajnë bimë nga përmbytja me ujë, që mund… e ky mund zgjatej në pafundësi duke vërtetuar “gojtarinë” e kuadrove të Partisë që i predikonin këto gjëra. Kështu tek shumica që s’mendonin me kokën e tyre, por i besonin verbërisht për një arsye apo për një tjetër propagandës partiake, krijohej urrejta që shfaqej pastaj në shumë drejtime. Ajo shprehej me izolimin e plotë, askush nuk guxonte të hynte e të dilte në shtëpi për çfarëdo rasti, fatkeqësie apo gëzimi, madje ka akoma komunistë që nuk na thonë as mirëmëngjes, megjithëse kemi mbi dhjetë vjet që banojmë në të njëjtën lagje. Madje dhe në fushë, kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk duhet të ishim pranë njëri-tjetrit. Çdo fjalë e jona keq interpretohej dhe i raportohej operativit të Sigurimit ose sekretarit të Partisë, që nxitonin t’a përcillnin “lart”. Mbikqyrja ishte e pandërprerë, në format më të ndryshme e në çdo çast; nuk mungonin dhe provokimet e shumëllojshme nga brigadierë apo njerëz të ngarkuar me këto detyra.

Për të qenë objektivë duhet të them se jo të gjithë kuadrot e komunistët i përqafonin dhe i zbatonin me zell këto metoda e porosi. Ndershmërisë dhe korrektësisë së tyre duhet t’u japim meritën që i takon me kënaqësinë që sjell mendimi se jo të gjithë denigruan moralisht e u bënë leva të diktaturës.

Lufta e klasave dhe terrori policor merrnin tonet e tyre më të larta në të ashtuquajturat “demaskime politike”, që herë pas here, në vartësi të gjëndjes politike të Vendit organizoheshin nga komiteti i partisë së rrethit në bashkëpunim, ose më mirë të themi me orientim të Degës së Punëve të Brendshme. Në këto mbledhje demaskimi, ishin të detyruar të shkonin të gjithë. Proçedura e tyre ishte stereotipe. Në fillim e hapte mbledhjen sekretari i Partisë i sektorit dhe ia jepte fjalën të deleguarit të komitetit të Partisë së rrethit, që fillonte paraqitjen  e tij. Këto ishin çaste cfilitëse për të gjithë ne, sepse e dinim se nga një çast në tjetrin mund të na thirrej emri për të dalë përpara sallës. Ishte përshtypja sikur një shpatë e padukshme vërtitej nga duar të panjohura mbi kryet e gjithë “të deklasuarve” për të goditur njërin apo tjetrin. Kush e kishte radhën? Të gjithë me zemër të ngrirë ishim si ata lojtarët në ruletë që presin se në ç’numër do ta ndalojë fuga lëvizjen e saj.

Kjo manovër djallëzore ishte taktika e drejtuesve të mbledhjes. Mbasi fliste disa fraza mbi punën e stinës dhe “sukseset madhështore të popullit nën udhëheqjen e Partisë” i deleguari afrohej tek momenti i ankthshëm kur zbulonte se x ose y, ishin në radhët tona armiq dhe njerëz që mundoheshin “të villnin vrer apo t’i kundërviheshin atmosferës revolucionare që mbizotëronte…”.

Më vjen ndot, tani që shkruaj këto radhë, duke kujtuar ato mbledhje famëkeqe, një nga shpikjet më të ndyra e më barbare të organeve të dhunës, shkeljet më flagrante të personalitetit njerëzor e të drejtave të njeriut. Sapo i thirrej emri, njeriu i gjorë duhet të dilte para sallës plot e të qëndronte në këmbë për orë të tëra. Atëherë fillonte akt -akuza e bazuar krejtësisht mbi gënjeshtra të spiunëve ose hamendje të oficerëve të Degës. Këto servireshin me petkun partiak, mbrohej vërtetësia e tyre me frazën bajate “A gënjen Partia?”, një tjetër provokim i hapur i makinës së pushtetit karshi individit të pambrojtur. Mbasi mbaronte akt-akuza, që fillonte me biografinë stërgjyshërore e të farefisit e vinte deri në ditët e fundit me fjalët apo veprimet e të pandehurit, fillonte breshëria e diskutimeve nga populli që përfaqësohej këtu nga disa persona të ulët, pa karakter e servilë.

Është interesante se në të gjitha këto demaskime, në të cilat kam marrë pjesë pa më rënë në kokë personalisht, kam parë gjithmonë të flasin pothuajse të njejtët persona, sigurisht të trajtuar e të indoktrinuar nga padronët e tyre. Motivet e veprimeve të tyre duhen kërkuar në shumë shkaqe, përfitime materiale apo mbulim veprimtarie keqbërëse, karrierizëm pa skrupull e fanatizëm partiak, padije e sadizëm. Në fjalorin e tyre shpaloseshin të gjitha: besnikëria ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës; salla buçiste nga duartrokitjet, me to detyrohej të bashkohej dhe i pandehuri në këmbë. Vazhdonin shpifjet, talljet, mallkimet, propozimet për transferimet në zonat e thella malore, për dhënie gjyqit, për rrahje, pështyrje e deri në dënime kapitale. Por këtu ndërhynte i deleguari ose sekretari, të cilët si përfaqësues të “zemërgjerësisë” së Partisë sqaronin se vullneti i masës së popullit ishte mbi gjithçka, por se Partia nuk dashkërka të dënojë njerëz, por të “edukojë”.

I bukur edukim, ç’frazë mizore e luajtur pa turp mbi shqiptarët e thjeshtë! Ka pasur raste që është kaluar në tepri të paimagjinueshme e të pabesueshme për një qytetar të Evropës së sotme.  Familja Tase mbas një demaskimi të tillë, vetëm sepse një pjesëtar i saj nuk përlasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njerëz, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një betejë mes një turme të egërsuar e një familjeje të urtë, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që qe e pranishme në ato skena pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

Ishin këto disa nga aspektet e dhimbshme të viteve të internimit deri më 1990, kur demokratizimi e hoqi këtë praktikë, sa të shëmtuar e të panevojshme, aq edhe të padrejtë e të paligjshme në aspektin juridik.

Arbitraritet dhe dhunë, kjo qe fytyra e vërtetë që tregoi ndaj nesh Shteti socialist shqiptar për dhjetëvjeçarë të tërë… Kjo qe e shkuara që e mbajtëm mbi supet tona që sa lindëm e deri tani që flokët na u zbardhën e jeta filloi të tatëpjetën drejt fundit të pashmangshëm.

A ishte i drejtë ky qëndrim, a mban përgjegjësi kush për jetën tonë të shkatërruar, për gjymtimin tonë fizik e shpirtëror, pasojë e kësaj jete, a arrin dot ta kuptojë në tërë përmasat e saj tragjedinë tonë Evropa e qytetëruar?

Ç’mund të bëhet për ne që humbëm aq shumë në këtë luftë të pabarabartë me një makinë të përbindshme që shkeli mizorisht ëndrrat dhe iluzionet tona mbi jetën, këtë dhuratë të madhe të Krijuesit? A do të ketë ngushëllim dhe ripërtëritje  për ne që u transformuam në kufoma të gjalla, pa i pasur borxh askujt, asnjë fije floku? A do të ketë vënd për ne në një shoqëri që thuhet se po rindërtohet e në një botë që synon drejt së mirës, drejt zhdukjes së diktaturave?

Dhjetëra pyetje godasin pa mëshirë trurin e lodhur që kërkon qetësi në këtë çast bilanci e përkundet në mirazhin e së ardhmes ku hedh shtat pema e bukur e shpresës se fëmijët e mi nuk do të pësojnë në jetë ato që pësova unë.

                                                                                                        Grabian, Qershor 1991                                                                                       

 

Fund

 AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ – Me rastin e 35-Vjetorit të Meshës së Parë në Nju Jork – Nga Frank Shkreli

Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan

Ishte Nëntori i vitit 1985, kur Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, me qendër në Nju Jork, lajmëronte me një njoftim të posaçëm, komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe për shugurimin e priftit të ri katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, nga Kardinali i Nju Jorkut, John O’Connor, në Katedralën e madhe të Shën Patrikut në Manhatan me 16 Nëntor, 1985. Në këtë ceremoni morën jesë qindra shqiptaro-amerikanë.

 

Komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim, ftohej gjithashtu të merrte pjesë me 24 Nëntor, 1985 edhe në ceremoninë fetare kur meshtari i ri dhe i pari prift katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, do të kremtonte Meshën e parë në Kishën e lartëpërmendur.  Njoftohej gjithashtu mbarë komuniteti, se përveç ceremonisë fetare për të shënuar atë ditë të rëndësishme në jetën e Don Pjetrit,  të Kishës katolike shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi – me këtë rast, do shtrohej edhe një darkë madhështore në Imperial Manor — njërin prej lokaleve më të njohura të shtetit fqinj, Nju Xhersi, një darkë që u kryesua nga aktivisti i njohur për shumë dekada i komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Tonin Mirakaj –një darkë që ende kujtohet si ndër më të dalluarat e komunitetit, me një pjesëmarrje prej më shumë se 1000-bashkatdhetarëve, përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve në Amerikë.

 

Ndër këta pjesëmarrës kisha nderin të isha edhe unë i pranishëm në këtë ceremoni historike – i ardhur enkas nga Washingtoni – për të festuar së bashku me shumë shqiptarë të ardhur nga shumë vende të Amerikës, por edhe nga Evropa dhe Kanadaja. Ishte një ditë që do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e shumë shqiptaro-amerikanëve dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot po e kujtojmë si një ngjarje, ndër më të dalluarat e komuntetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, për nga pjesëmarrja dhe për nga rëndësia historike e vet ngjarjes – e që u përshëndet edhe nga i pari i shtetit të Nju Jork-ut, ish-governatori Mario Cuomo, i cili kishte bërë një deklaratë të veçantë me këtë rast.

 

Në një shkrim të ditëve të fundit për gazetën Illyria në Nju Jork, kryetari i asaj darke,  35 vjetë më parë, Z. Tonin Mirakaj kujton se në darkën e cilësuar si “Darkë Gazmore” në “Imperial Manor”, në Paramus, Nju Xhersi, me një pjesemarrje të më shumë se 1000-personave, që në mes tyre dalloheshin, Mons. J.Dougherty, udhëheqës Episcopal i Bronxit, Mons. Simon Filipaj, i ardhur enkas nga Ulqini, priftërinjt shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshi, Don Prenk Ndrevashaj, At Andrea Nargaj, Don Lazer Sheldia, Don Rrok Mirdita e të tjerë klerikë amerikanë vendas. I ftuar nga Z. Mirakaj për të marrë pjesë në darkën madhështore të shqiptarëve, ishte edhe Guvernatori i atëhershëm i Shtetit të New York-ut, i ndjeri Mario Cuomo, por në pamundësi të merrte pjesë, Krye-ekzekutivi i shtetit Nju Jork, pat lëshuar me atë rast, një Deklaratë të posaçme duke thekësuar dhe duke përshëndetur Dom Pjetër Popaj si të parin shqiptar, i shuguruar prift katolik në New York, për të cilin u shpreh se, Don Pjetër Popaj “ka sjellur krenari dhe gëzim në radhët e komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.”  Këte deklaratë e lexoi ndihmësi i Governatorit Cuomo për Marrëdhënie Etnike, z. John Nikas.

 

  1. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë” dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të pranishmit në shqip dhe anglisht.

 

“Vlen të shënohet se kjo darkë madhështore kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht vëllazërore dhe shoqërore”, do të shkruante Gjekë Gjonlekaj, në një kronikë për gazetën Dielli, duke i akorduar meritat për suksesin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për komunitetin edhe sot e 35-vjetë më parë — komisionit përgatitës të kryesuar nga Don Rrok Mirdita më vonë i emëruar nga Vatikani si Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, tani i ndjerë  —  dhe Z. Tonin Mirakaj i cili jeton në Nju Jork, gjithnjë aktiv në komunitet — ndonëse, aktualisht, në pension.

 

Shugurimi i Don Pjetër Popaj, 35-vjet më parë, ishte një ngjarje me rëndësi për të dhe për familjen e tij, por ishte gjithashtu një rast krenarie për ta dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, atëherë dhe sot, sidomos kur reflektojmë sot,  mbi veprimtarinë e këtij prifti të dalluar shqiptar, jo vetëm në fushën fetare, por edhe si udhëheqës në fushën kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nën drejtimin e Don Pjetrit, famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ai vet dhe qendra, “Nëne Tereza” pranë kësaj kishe, i ka gjithmonë dyertë e hapura për të gjithë komunitetin pa dallim feje a krahine.  Gjatë 35 viteve të kaluara, si udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork, Don Pjetri ka inkurajuar dialogun vëllazëror dhe bashkpunim me të gjitha grupet e komunitetit, për të mirën edhe zhvillimit të vlerave të përbashkëta morale e kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine, përfshir edhe bashkpunimin dhe respektin për njëri tjetrin midis përfaqësuesve të feve të tjera.

 

Dom Pjetri, është një pasardhës i denjë,  si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York — i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tiranë-Durrës, të ndjerit Rrok Mirdita — famulli kjo që siç dihet tani –kishte mbrenda  praninë e të Madhit Zot — i cili gjatë një periudhe kur dukej se katolicizmi shqiptar po zhdukej nga regjimi komunist në Shqipëri – në të vërtetë, po mbillte një farë të re rritjeje e lulëzimi, që është sot Kisha Katolike në Shqipërinë post-komuniste, me të gjitha veprimtaritë e saja, në të mirë të besimtarëve dhe të Kombit shqiptar.

 

Këtu në Amerikë, me veprimtarinë e tij të palodhëshme, Don Pjetër Popaj ka bërë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhën e grupeve të kombeve te tjera këtu në Amerikë, duke berë të mundur dhe duke orgnaizuar dhe inkurajuar pjesemarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York — duke shpalosur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare e folklorike, para popullit amerikan dhe para botës.

 

Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, ne New York dhe me jehonën e fjalës se tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjithëherë Kishën Katolike Shqiptare, por në të njejtën kohë ai ka promovuar edhe virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar.  Don Pjetri, për nga arritjet e tija në shumë fushë, me krenari, rreshtohet në listën e gjatë te klerikëve katolikë shqiptarë të cilët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, kanë qenë shtylla të rendësishme të ajkës se patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe.  Dom Pjetri këte vazhdon ta bejë cdo ditë, — ndër të tjera aktivitete— edhe me botimin e vazhdueshëm të revistës Jeta Katolike, si dhe me organizim simpoziumesh, konferencash, e akademishë, në përkujtim të personaliteteve me të dalluar të historisë kombëtare.

 

E falenderojmë të Madhin Zot dhe “Zojën e Shkodres”, Zojën e Këshillit të Mirë, që veprimtaria fetare e kombetare e Don Pjetrit dhe atyre që bashkpunojnë me të, të vazhdojë të jetë ashtu si nëtë kaluarën, tani dhe gjithmonë, në dobi të përparimit shpirtëror, kombëtar e kulturor të komunitetit shqiptar këtu në Amerikë due  më gjërë. Urojmë në këtë përvjetor që ai të vazhdojë të jetë një trashëgimi e pavdekëshme e historisë sonë këtu në Amerikë dhe një kujtim i martirëve të shumtë të klerit katolik shqiptar, të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën e veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, në rrethana shpesh shumë të vështira, ndërkohë që ata i dedikuan dijen, pendën dhe jetën e tyre, ngritjes së Kombit shqiptar.

 

Në rastin e 35-vjetorit të shugurimit tuaj si meshtar, e kemi gojën plot me falënderime (në këtë ditë të Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara) duke të uruar: Ad Multos Annos i nderuar Don Pjetër, në shërbim të Kishës dhe të Kombit.

 

Frank Shkreli

 

*Fotot e bashkangjitura janë furnizuar nga Z. Tonin Mirakaj

Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj, Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.

Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.

Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet shqiptare.

 

 

Pikëpyetje të identitetit kombëtar – Nga SHABAN MURATI

Megjithëse janë në shekullin e dytë të pavarësisë, shqiptarët ende nuk kanë kuptuar se kombi dhe identiteti kombëtar janë produkt i marrëveshjes, i përfaqësimit, i bashkimit dhe i konsiderimit të interesave të të gjitha krahinave të vendit, dhe jo produkt i kodit primitiv rural sipas të cilit një krahinë që grumbullon më shumë banditë fiton të drejtën që të sundojë të tjerat dhe të detyrojë gjithë kombin të këndojë folklorin e asaj krahine.
Ndjekja e kësaj vije raciste brenda popullit shqiptar, vijë që çuditërisht ushqehet sot e kësaj dite nga zyrtarë shumë të lartë dhe nga media të favorizuara financiarisht nga shteti fqinj që u dogji fshatin më 1914, do të çojë te fataliteti që krahina të caktuara arriviste të shihen nga shumica e popullit shqiptar si pushtues ose më keq se pushtuesit e huaj.
Dhe kombi s’do të bëhet kurrë. Sepse një krahinë e vetme nuk bëhet dot as komb e as identitet kombëtar.

Raporti i Dick Marty-it – Parlamenti i Shqipërisë, Edi Rama, Pacolli & Company Nga Elida Buçpapaj

Sapo Ignazio Cassis, Këshilltari Federal dhe Nr.1 i Politikës të Jashtme të Konfederatës Helvetike la aeroportin Nënë Tereza të Tiranës pas një vizite zyrtare të suksesëshme për kremtimin “live” të 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Shqipërisë, pasi sot për shkak të pandemisë një pjesë e mirë e takimeve bilateriale apo konferencave ndërkombëtare bëhen me video, Parlamenti i Shqipërisë miratoi kërkesën e mazhorancës dmth të Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor, që do të hetojë raportin e senatorit zviceran Dick Marty.

Shprehur troç, dora vetë kryeministri i Shqipërisë, përmes shërbëtorit të tij të bindur Taulant Balla, vuri në lëvizje një nga instumentat e omnipushtetit të tij, sikur është Parlamenti i Shqipërisë, që drejtohet nga “mentori”dhe “bodyguardi” i tij Gramoz Ruçi, ish Ministri i Brendshëm i kohës së diktaturës.

Prej kur opozita është larguar nga Kuvendi i Shqipërisë, de facto e de jure Shqipëria është nën qeverisjen e një njeriu të vetëm.

Raporti i Dick Marty-t u rikthye temë e ditës pas arrestimit nga Gjykata Speciale e ish-zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës nën akuzën për krime kundër njerëzimit.

Kryeministri i Shqipërisë, me profesion mësues vizatimi, që kur u përfol se Hashim Thaçin me shokë i priste Gjykata Speciale, ka instrumentalizuar një fushatë kundër këtij institucioni me pretendimin se “kjo gjykatë është ngritur kundër luftës të drejtë të popullit të Kosovës dhe UÇK-së”. Paralelisht edhe nëpër televizionet shqipfolëse propagandohet e njëjta gjë sikur Gjykata Speciale është kundër UÇK-së.

Kryeministri Edi Rama po pērdor edhe Parlamentin e Shqipërisë për “të hetuar raportin hetues të Dick Marty-it”.

Fillimisht në 2011 kur doli në dritë, raporti i Dick Marty-t krijoi hutim. Edhe autorja e këtij shkrimi iu kundërvu Senatorit zviceran për faktin se asaj kohe në raport për shkak të kufizimit të hetimit përmendeshin vetëm viktimat serbe dhe askund vrasja nga makineria kriminale Milosheviçit e civilëve shqiptarë.

Por Shqipëria dhe Kosova do të duhej ta merrnin seriozisht Raportin e Dick Marty-t, për faktin se asnjëherë institucionet e drejtësisë nën ndikimin e politikës së inkriminuar nuk kanë hetuar mbi vrasjet e shqiptarëve të ndodhura prej 1998 në territorin e Republikës të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Nëse “Shtëpia e Verdhë” në një fshat të humbur ngjante si fantazi për triller, po vrasjet ?

Kush e vrau ish Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqin në mes të Tiranës në shtatorin e 1998? Kush e vrau Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn? Po vrasjet në kufi kush i ekzekutoi? Po vrasjet e ish Komandantëve në Kosovë, po të kundërshtarëve politikë të krahut të luftës, po të gazetarëve?

Duke kërkuar hetim mbi Raportin e Dick Marty-t, Edi Rama instrumentalizon Parlamentin e Shqipërisë për të krijuar mjergull, ndërkohë kur i gjithë sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i paralizuar.

Raporti i Dick Marty-t daton janarin e vitit 2011. Po të funksiononte, drejtësia në Shqipëri e Kosovë me ndihmën dhe asistencën e institucioneve të drejtësisë kishin patur boll kohë për ta zbardhur të vërtetë. Gjë që nuk e kanë bërë. Veç janë marrë me anatemimin e Dick Marty-t.

Tani një dekadë pas i rikthehen prapë senatorit nga Tiçino.

Në krah të Edi Ramës është vënë edhe Behxhet Pacolli, i cili disa ditë më parë se Parlamenti i Shqipërisë të miratonte Komisionin e Posaçëm hetimor i ishte drejtuar nëpërmjet një letre kryeministrit të Shqipërisë ku i kërkonte që ky “të drejtojë një përpjekje të gjerë kombëtare për të kundërshtuar në mënyrë diplomatike raportin Dick Marty”. Edhe Behxhet Pacolli i bie të njëjtës buri. Ai shkruan në rrjetin social se, sipas tij, “Raporti Dick Marty ishte rezultat i një dezinformimi dhe fushate politike të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-në.”

Kush nuk e njeh biznezmenin multimilionar të përfshirë me një parti shumë të vogël tashmë në politikën e Kosovës merr plot info nga shtypi zviceran ku mëson se Behxhet Pacolli ka patur marrëdhënie shumë të mira si me Serbinë, ashtu edhe me Rusinë dhe ish republikat sovjetike. Shtypi zviceran kujton se Pacolli gjatë konfliktit Kosovë – Serbi, ka negociuar deri tek kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Milosheviçi. Po ashtu shtypi zviceran përmend akuzën e ngritur për pastrim parash më 1999 kundër Pacollit nga ish kryeprokurorja e Zvicrës Carla del Ponte. Në akuzë thuhej se Pacolli u kishte dhuruar karta krediti milionëshe vajzave të presidentit të atëhershëm të Rusisë Boris Yeltsin në këmbim të kontratave miliarda dollarëshe. Por në 2001 Prokuroria Federale e Konfederatës e arkivoi çështje “Rusiagate”, kështu quhej, për shkak se hetuesit zviceranë u bllokuan nga pala ruse. Shtypi zviceran shkruan se dosja Rusiagate u mbyll, por Pacolli nuk e heq dot prej qafës imazhin e keq.

Sa për senatorin Dick Marty, ai njihet si paladini i drejtësisë. Kush jeton në Zvicër e ka parë këto kohë kudo fotografinë e një vajze të vogël peruane nën tekstin “Ujë i ndotur” “Fëmijë e helmuar”, i përdorur si poster sensibilizues për inisiativën “biznes i përgjegjshëm” që votohet sot më 29 nëntor. Pikërisht, senatori Dicky Marty është bashkëkryetar i komitetit nismëtar të kësaj inisiative ku propozohet të shtohet një nen në Kushtetutën e Konfederatës i cili i detyron shumëkombëshet zvicerane dhe të huaja me seli në Zvicër dhe ato të kontrolluara prej tyre jashtë Zvicrës, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe standartet mjedisore. Është një inisiativë që merr në mbrojtje popullësitë e varfëra të vendeve në Amerikën e Jugut, Afrikë etj, cilat nuk kanë mundësi financiare të kërkojnë mbrojtje përballë shumëkombësheve tejet të fuqishme.

Dick Marty i laureuar si jurist u emërua në vitin 1975 në moshën 30 vjeçare prokuror i Kantonit të Tiçinos, ku u dallua në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës. Prej 1995 u zgjodh senator në Këshillin e Shteteve të Konfederatës si dhe në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Më 2005 është caktuar nga Këshilli i Europës të hetojë mbi dyshime rreth burgjeve sekrete të CIA-s në Europë, ndërsa më 2011, po në Këshillin e Europës, paraqiti raportin për trafikim organesh të të burgosurve serbë të vrarë nga njerëz të UÇK-së. Prej 1996 deri më 2007 ka qënë president i Turizmit Zvicër, i Fondacionit Zvicra e Skautizmi etj. Pra emri i Dick Martyt është një emër shumë emblematik në Zvicër.

Komuniteti shqiptar në Zvicër e ka patur gjithmonë këtu senatorin Dick Marty për të ndërtuar një komunikim korrekt, profesional dhe miqësor. Por mjerisht ky komunitet prej vdekjes të Rugovës dhe sidomos pas hypjes në pushtet të Hashim Thaçit me shokë, të gjithë ish emigrantë politikë të strehuar në Zvicër, është përçarë dhe përdorur si eskortë si nga kryepolitikanët e Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë.

Në intervistën që i kam marrë senatorit Dick Marty në Këshillin e Europës në janarin e 2011, pikërisht kur ky raport sapo doli, ai ishte shumë i qartë në pozicionin e tij në mbrojtje të drejtësisë dhe të etikës. Sot duket se janë të rrallë personalitetet si ai. Megjithëse pyetjet e mia ishin një lloj Hard Talk, ( po të ishte intervista sot do të isha më pak emotive dhe më shumë racionale) Dick Marty tha se “shqiptarët nuk janë të mirinformuar rreth raportit, ata që më shkruajnë, kur unë i sqaroj, më kërkojnë ndjesë”.

Në këtë intervistë senatori Dick Marty sqaroi se “Kryeprokurorja e Hagës Carla del Ponte ka deklaruar se Shqipëria nuk ishte dakord për të vazhduar hetimet, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës nuk kishte kompetenca për territoret që nuk i përkisnin atyre të ish-Jugosllavisë, dhe se faktet lidheshin me periudhën pas konfliktit. Zonja Del Ponte ishte shokuar për faktin se askush nuk ishte i interesuar rreth këtyre të dhënave, që kishin të bënin me trafikimin e organeve.”

Në fund të intervistës Dick Marty tha: “Unë besoj se Shqipëria, qeveria shqiptare, shoqëria shqiptare do të kishte interes që të bënte të pamundurën për të zbuluar të vërtetën, për faktin se nëse në territorin shqiptar kanë ndodhur krime, kjo nuk do të thotë se ky është një krim i popullit shqiptar, është një krim i shoqërisë shqiptare. Në Zvicër ndodhin çdo ditë krime, por nga kjo nuk do të thotë aspak që shoqëria zvicerane është kriminale. Besoj se duhet të dilet nga kjo gjendje mendore, sipas të cilës kjo është një fyerje kundër vendit, kundër Shqipërisë.”

Mjerisht paranoja që vuri në dukje Dick Marty në atë intervistë pothuaj një dekadë më parë vijon, në përmasa më drastike, sepse njē dekadë më vonë trushplarja e udhëhequr nga kryekasta politike shqiptare në Kosovë e Shqipëri vazhdon bashkë me mediat që ata kanë nën urdhëra e nën kontroll.

Ndërkohë askush nuk i ka ndalur shqiptarët e Kosovës, por nuk e kanë bërë, të sensibilizojnë botën mbarë për krimet kundër njerëzimit të ekzekutuara nga makineria kriminale serbe. Askush, veç politikanët e korruptuar, e ka penguar shtetin e Kosovës, të ndërtojë një Yad Vashem kosovar. Amnezinë kombëtare e ka ushqyer Hashim Thaçi me tipa si Baton Haxhiu duke ua mbajtur iso Edi Rama, duke kërkuar deri amnesti të krimeve serbe.

Prej 1998 tek Raporti i Dick Marty-it në janarin e 2011 e deri sot 2020, drejtësia nuk ka funksionuar as në Shqipëri dhe as në Kosovë dhe krimet kanë mbetur të pazbardhura. Kjo bëri që Perëndimi t’i kërkojë Parlamentit të Kosovës të votojë Gjykatën Speciale me seli në Hagë, që para pak kohësh ka çuar përpara drejtësisë eksponentët më të lartë të shtetit të Kosovës.

Asnjëri prej nesh nuk mund të bëjë gjykatësin, por asnjëri prej nesh nuk mund t’ia ndalojë, pengojë apo shtrëmbërojë rrugën drejtësisë, sikur ka vepruar para disa ditësh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke inicuar hetime parlamentare ndaj Raportit të Senatorit Dick Marty!

Senatori Dick Marty ka një sentencë proverbiale që thotë: “Kërkohet kohë që drejtësia të vihet në vend, por unë jam optimist”.

U deshën mbi 20 vjet që drejtësia në Kosovë e Shqipëri të ishte robinjë e politikës, por po të pyesësh sot të afërmit e viktimave, ata janë optimistë dhe besojnë tek Gjykata Speciale.

I bëj thirrje Edi Ramës dhe gjithë atyre që dalin nëpër televizionet e Tiranës e Prishtinës kundër Gjykatës Speciale, të heqin dorë më në fund nga avokatura e djallit, të mos pengojnë drejtësinë e të mos i manipulojnë turmat sepse me veprimet e tyre, sikur ky i fundit për hetim ndaj hetimit të Raportit Dick Marty, kanë vetëm një funksion: janë autodiskretituese. Për Edi Ramën & Company…

AMERIKA MIKE E PËRHERSHME E KOMBIT SHQIPTAR  -Fitorja e Joe Biden, shpresë për Nëntorin e Tretë Shqiptar – Nga AGIM ALIÇKAJ*

Ky ishte edhe nëntori i shpresës për një fillim të ri, ngritje dhe forcim të Republikës së Kosovës, pas dështimeve të njëpasnjëshme, të turpëshme dhe të panevojshme 12 vjeçare, që nga shpallja e pavarësisë së mangët. Shpresat na i ngjalli fitorja në zgjedhjet amerikane e mikut dhe përkrahësit të pakompromis të pavarësisë së Kosovës dhe të drejtave njerëzore dhe nacionale shqiptare kudo, presidentit në ardhje Joseph Biden.

Me fajin e politikanëve tanë, sidomos me nënshtrimin total dhe përkrahjen e pashembullt nga ish-presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Serbia shoveniste ia arriti të infiltrohet në administratën e presidentit në shkuarje Trump. Ata, në bashkëpunim me ndërmjetsuesin për bisedime Kosovë-Serbi, ambasadorin jodiplomatik, pro-serb Grenell, e përgaditën marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, pra e sjellën shtetin e Kosovës buzë shkatërrimit. Me largimin e Grenell, përpjekjet dhe investimet 21 vjeçare serbe në Trojet tona dhe Amerikë dështuan me turp. Përgatitjet serbe për festim madhështor në Beograd të fitores së tyre në zgjedhjet amerikane shkuan kot. Serbia kriminale nuk e meriton të ketë vend në Amerikë. Duhet larguar sa më parë. Amerika është e jona.

Dëshiroj ta përsëris thënien time nga shkrimi i dates 22 Maj të këtij viti: Kundërshtimi i politikës së gabuar të ambasadorit Grenell është veprim pro-amerikan dhe detyrë kombëtare. Politikanet të cilët ju nënshtruan kërkesave të tij  nuk e kryen detyrën kombëtare. Ata duhet të marrin mësim nga fenomeni Grenell. Është gabim i pafalshëm, që për interesa personale, të shiten interesat kombëtare te zyrtarë ndërkombëtarë arrogant dhe të padrejtë, të influencuar nga armiku, qofshin ata edhe të Amerikës, vendit mik dhe të dashur që na ndihmoi ta krijojmë shtetin tonë të ri. Të gjithë zyrtarët amerikanë, pa dallim janë të përkohshëm. Ata kan interesat e veta. Në rastin konkret, Grenell kishte vetëm interesin e tij të karrierës dhe kampanjës zgjedhore. Marrëveshja për të ashtuquajturin “normalizim ekonomik” e cila në momentin e fundit e zëvëndësoi marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, ishte në interes të Serbisë si shpërblim për kontributin dhjetra milionësh dhe votat e premtuara serbe të cilat shkuan huq. Njohja e pavarësisë nga Izraeli kishte rëndësi të veçantë por edhe ajo u bë më shumë për interesa të kampanjës së presidentit Trump dhe të Izraelit. Kjo marrëveshje anti-shqiptare është e dështuar. Fatmirësisht, i dështuar doli edhe ambasadori Grenell. Të dështuar janë edhe të gjithë ata politikanë shqiptarë që morën pjesë në te.

Shqiptaro-amerikanët që e përkrahën kampanjën e presidentit Trump nuk kanë pse të dëshpërohen. Mjafton që në Serbi nuk ka festë. Ai i kishte të mirat dhe të këqijat e veta. I humbi zgjedhjet me fajin e vet, ndër tjera edhe për shkak të egos së sëmuar, arrogancës së pakontrolluar dhe ofendimeve të ulëta dhe të panevojshme ndaj tjerëve, siç ishte rasti me senatorin John McCain, heroin amerikan dhe përkrahësin e madh të popullit shqiptar. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë politike, nëpërmjet Kongresit amerikan. Kjo është formula e suksesit tone në Amerikë. Nuk ka dilemë fare se presidenti i zgjedhur Biden është shumë i mirë për çështjen tonë kombëtare. Është i informuar, i ashpër dhe i vendosur në qëndrimet e veta. Veçse neve na duhet të ndryshojmë, duhet të punojmë për shtetet tona, për kombin tone dhe jo për interesa personale dhe klanore. Biden nuk ka kohë t’i kryej punët tona. Kemi shans historik për fitore përfundimtare. Sa për Amerikën, nuk ka nevojë të brengosemi. Mendoj se Biden do të qeverisë nga qendra dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit majtist. Nëse jo, populli amerikan pas katër vitesh e rregullon këtë punë sipas nevojës dhe interesave të veta. Kushtetuta dhe demokracia amerikane funksionojnë në mënyrë perfekte dhe të përherëshme.

Bisedimet e gjerë tanishme me Serbinë, për shumë arësye, janë shembull i keq i inferioritetit, qyqarllëkut dhe paaftësisë së klasës politike në qeverisje të Republikës së Kosovës. Kjo duhet ndryshuar menjëherë. Serbia në krye me shovenistin Vuçiç janë të sëmuar nga urrejtja e verbër për shqiptarët. Ata i urrejnë dhe nuk i njohin për qenje njerëzore as edhe shërbëtorët e tyre në Prishtinë dhe Tiranë. Pranimi i fajit për gjenocid ndaj shqiptarëve me kërkim falje, kthimi i të humburve, kompensimi i dëmeve të luftës dhe gjykimi i të gjithë kriminelëve të luftës, paraqesin minimumin për vazhdim të bisedimeve. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Duhet kërkuar  nga ndërmjetësuesit evropian dhe amerikan të ndikojnë mbi Serbinë për shërim dhe rehabilitim psikiatrik kolektiv. Nuk ka si bëhet marrëveshje me kriminel dhe njerëz të sëmuar. Nuk ka kompromise shtesë. Të gjitha kompromiset shumë të dhimbshme edhe ashtu të tepruara dhe të dëmshme kanë përfunduar me marrëveshjen e presidentit Ahtisaari.

Nëse Evropa dhe Amerika dëshirojnë dhe mendojnë se mund ta tërhjekin Serbinë nga sfera dominuese e Rusisë, Kinës dhe shteteve si Irani, duhet t’i ofrojnë shpërblime dhe stimulime të veta. Nuk është e drejtë, as e arsyeshme as e kuptueshme dhe as e ndershme t’i ofrojnë tokat shqiptare, për të katërten here gjatë historisë 150 vjeçare. Nuk ka ndryshim të kufijve dhe as asociacione njënacionale. Kjo është kundër vlerave demokratike dhe interesave evropiane dhe amerikane. Në asnjë mënyrë dhe për kurrëfarë arësye nuk bën të bisedohet për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë pa inkuadrim të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës lindore të cilat duhen të barazohen 100%. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e mirëseardhur por nuk është e domosdoshme. Kosova, Shqipëria dhe të gjitha trojet shqiptare në gadishullin Ilirik duhet të orientohen drejt bashkimit kombëtarë në kuadër të Evropës së bashkuar. Kjo mund të bëhet pa kërkuar ndryshim të kufijve.

Duhen ndryshime urgjente të klasës politike, posaçërisht të asaj qeverisëse. Duhen zgjedhje të lira sa më parë që është e mundur. Pas të gjitha ngjarjeve të dhimbshme dhe veprimeve jodemokratike të vitit të fundit, vetëm vota e popullit ka të drejtë dhe mund të krijojë legjtitmitet për qeverisje. Partitë politike të cilat ishin në pushtet dhe dolën të dështuara duhet të lirohen nga politikanët e korruptuar, të shantazhuar dhe të shitur. Partitë me kuadrot e pakomromituar e të shkolluar, profesional dhe të aftë të cilat ishin në opozitë duhet të tregojnë maturi, pjekuri dhe vendosmëri në  luftë për pushtet. Luftimi energjik i armikut serb, i korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe paraqitja e programeve të qarta të zhvillimit ekonomik, social dhe vlerave kulturore kombëtare duhet të jenë bazë e fushatës zgjedhore. Të gjithë bashkë duhen të ruhen shumë nga ekstremizmat e të gjitha llojeve, sidomos  nga ai fetar dhe majtist. Toleranca fetare është njëra ndër vlerat më të rëndësishme kombëtare. Komunizmi ishte njëra nga fatkeqësitë më të mëdha gjatë gjithë historisë.

Kombi i bashkuar shqiptar, është i fortë dhe i pathyeshëm.

Gëzuar festa e flamurit kombi i ndritur shqiptar!

 

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës.

 

 

Nuk ka fëmijë të vështirë, vetëm fëmijë që kanë vështirësi – Nga Aurel Dasareti*

 

Njeriu është produkt i atyre që kanë ushtruar ndikim mbi të. Për shembull: Prindërit e mi, pothuajse në të njëjtën mënyrë, kanë pasur (dhe akoma kanë) një ndikim të thellë tek unë dhe idetë e mia.

***

Vendosni kufijtë që fëmija i kupton. Është e nevojshme dhe e drejtë të jesh në gjendje të vendosësh kufij për fëmijën tënd. Por mënyra se si vendosni kufij ka shumë për të thënë nëse fëmija juaj i kupton dhe i pranon ato që ju thoni.

Në vendet e civilizuara është e ndaluar të rrahësh fëmijët (as të huajin as tëndin). Gjithashtu nuk lejohet të kërcënoni, bërtisni ose thoni gjëra të këqija fëmijëve në mënyrë që ata të tremben ose të mërziten.

Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të ndihen të sigurt dhe mirë në shtëpi.

Të godasësh, të kërcënosh, të flasësh keq ose të frikësosh do të thotë ta vësh dikë në rrezik.

***

Në bashkëjetesën e tyre të përditshme me fëmijët e tyre, shumica e prindërve mendojnë më shumë për dashurinë, kujdesin dhe përgjegjësinë sesa për fuqinë. Por prindërit kanë pushtet mbi jetën dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre. Sidomos në vitet e para pushteti është i plotë, por edhe kur fëmijët rriten, prindërit kanë një fuqi shumë të madhe.

Prindërit kanë fuqinë ligjore, financiare, fizike dhe psikologjike – edhe kur ndihen të pafuqishëm. Në fakt, në shumë familje shqiptare me fëmijë, shpërdorimi i pushtetit është më i madhi kur të rriturit ose ndihen të pafuqishëm ose kur, për arsye të ndryshme, nuk duan të qëndrojnë pranë pushtetit që kanë. Në kulturat e tjera jo aq të civilizuara, shpërdorimi i pushtetit, siç është dhuna fizike, është një virtyt dhe ushtrimi i plotë i pushtetit (forcës) konsiderohet përgjegjësia e vetme.

Vendet shqiptare (përfshirë diasporën) duhet të heqin dhunën fizike si një pjesë e njohur e rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Ka akoma prindër që rrahin fëmijët e tyre, por shumica janë bërë gradualisht të vetëdijshëm se dhuna është e dëmshme – si për personin që rrihet, ashtu edhe për personin që godet. Ne jemi bërë aq të civilizuar sa që distancohemi nga dhuna si mjet pushteti (edukimi). Në të njëjtën mënyrë, tani kemi filluar të kuptojmë se mund të mos ketë asnjë ndryshim të vërtetë midis dhunës fizike dhe të ashtuquajturës “dhunë psikologjike” – domethënë ironi therëse, talljes, poshtërimit, kritikës, përbuzjes dhe shpifjes. Të dy format e dhunës janë shkatërruese nga ana njerëzore.

Dhuna dhe kërcënimet e dhunës e bënë shumë më të lehtë për t’i bërë fëmijët të dëgjojnë dhe t’i nënshtrohen fuqisë së të rriturve në atë që disa ende e quajnë “ditët e mira të vjetra”. Të rriturit vendosin kufijtë, dhe nëse fëmijët nuk i ndiqnin ato, atëherë ato ngushtoheshin. “Nëse ata nuk dëshirojnë të dëgjojnë, atëherë ata duhet të ndjejnë”, – i thanë prindërit e asaj kohe njëri-tjetrit, duke e qetësuar veten se ishte detyra e tyre e shenjtë t’u mësonin fëmijëve “ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës”.

Dhuna si mjet edukimi nuk krijon respekt, krijon ankth. Ajo nuk i mëson fëmijët të njohin ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës, ajo i mëson ata se dhuna është e drejtë – nëse keni fuqinë. Ajo nuk i mëson fëmijët të respektojnë kufijtë e prindërve të tyre, por i mëson të kenë frikë nga pasojat.

Heqja parimore e dhunës ka lënë një boshllëk në bashkëveprimin midis të rriturve dhe fëmijëve. Çdo ditë, të gjithë prindërit po eksperimentojnë me mënyra të ndryshme për të mbushur këtë boshllëk. Disa provojnë parimet demokratike dhe nganjëherë ngecin në diskutime të pafundme.

Të tjerët përpiqen të lejojnë që dëshira dhe mosdashja e fëmijëve të jetë busulla e familjes dhe në fund të fundit nuk gjejnë asnjë mënyrë. Disa u japin fëmijëve përgjegjësi kur me sa duket nuk është aq e rëndësishme dhe përfundojnë të bllokuar në një luftë përçarëse për pushtet. Të tjerët janë aq të shqetësuar për t’u dhënë fëmijëve hapësirë ​​dhe vëmendje, saqë nuk ka vend (kohë) për veten e tyre dhe nevojat e tyre.

Të gjitha këto eksperimente janë të nevojshme që ne të mësojmë të përdorim fuqinë tonë të të rriturve në mënyrë më konstruktive se sa ishin në gjendje gjeneratat e mëparshme të të rriturve. As të rriturit dhe as fëmijët nuk dëmtohen nga eksperimentimi me parime të ndryshme, madje as kur eksperimentet dështojnë. Vetëm kur ngrijmë në një nivel jo të kënaqshëm – dhe dështojmë për të ndryshuar kursin, si të rriturit ashtu edhe fëmijët bëhen të pakënaqur.

***

Për qindra vjet ne (njerëzimi) jemi mësuar me faktin se të qenit baba ose nënë na dha një autoritet zyrtar që e bënte më të lehtë ushtrimin e pushtetit. Ky nuk është më rasti, ose më saktë, ky është rasti vetëm në vitet e para të jetës së fëmijëve. Prindërit modernë duhet të zhvillojnë një autoritet shumë më personal nëse udhëheqja e tyre do të ketë sukses dhe shmanget abuzimi me pushtetin. Ndërsa rolet gjinore fshihen, e njëjta gjë vlen edhe nëse marrëdhënia do të ketë sukses.

As prindërit, as mësuesit, as mësuesit parashkollorë nuk marrin të njëjtin respekt nga mjedisi që i rrethon në sajë të asaj çfarë janë, por në sajë të asaj kush janë. Të dy, fëmijët dhe të rriturit, kanë humbur respektin për ata që janë në pushtet, dhe ne po shkojmë ngadalë por me siguri drejt një kohe kur shkalla e besueshmërisë personale përcakton se sa respekt kemi, dhe sa fuqi mund të kemi në marrëdhëniet private dhe arsimore me fëmijët dhe të rinjtë.

***

Shërbimi i “Mbrojtjes së fëmijëve” ka për qëllim të mbrojë fëmijët në situata të cenueshme dhe duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Kushti është që ekziston rreziku që fëmija të dëmtohet ndjeshëm (sidomos nga prindërit) duke qëndruar në shtëpi, d.m.th që duhet të ketë një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin ose zhvillimin e fëmijës. A ka arsye të shqetësohemi për “Mbrojtësit e fëmijëve”? Po, sepse kanë të drejtë t`ua marrin prindërve kujdesin e fëmijëve në institucione adekuate, dhe pas një kohe, pothuajse në shumicën e rasteve, fëmijët adoptohen te “prindër artificial”, nuk lejohen më të kontaktojnë me prindërit biologjik të cilët as që i dinë adresat e tyre. Tani varet nga mosha e fëmijës, sa më i ri të jetë aq më shumë është shansi që t`i harrojë prindërit me të cilët nuk do takohet më – asnjëherë. Varet prej shtetit në shtet.

Me qindra prindër të diasporës shqiptare i kanë humbur fëmijët në këtë formë. Në disa raste edhe për shkak të budallallëkut dhe naivitetit të tyre.

***

Pasi unë (1976) dhe prindërit e mi kemi lindur dhe jetojmë larg trojeve arbërore, dhe këtë javë kam ditëlindjen, vendosa të shkruaj për këtë temë, sepse dëshiroj që të gjithë fëmijët shqiptarë (por jo vetëm) të kalojnë një jetë shumë të këndshme afër prindërve dhe familjes së vetë, ashtu siç ka qenë fëmijëria ime, vëllait dhe motrës. Temë, veçanërisht e rëndësishme për bashkëkombësit e mi në diasporë. Si një kujtesë, të mos harrojnë ku jetojnë dhe veprojnë…

***

Shumica prej nesh mund të kujtojë një kohë kur një ditëlindje, veçanërisht nëse ishte e jona, ndriçoi botën sikur të kishte dalë një diell tjetër.

“Ti nuk je më i mirë se unë, por ti je shoku im më i mirë. Gëzuar ditëlindjen!”- kështu ma uroi ditëlindjen vëllai im shakaxhi.

Ndërsa motra ishte më “serioze”, më shkroi:

“Njeriu është i ri vetëm një herë, por mund të jetë i papjekur gjithë jetën. Gëzuar ditëlindjen!”

***

Ka dy dhurata të qëndrueshme që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë. Njëra është rrënjët dhe tjetra janë krahët.

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

NJË  JETË  NË  DIKTATURË: LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80 – Nga EUGJEN MERLIKA

 

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

 

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

 

NDRE  MJEDA

 

 

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

 

Lirimin nga burgu para kohe Komisioni i internimeve e ktheu në shkurt 1984 në internim, pa asnjë farë motivacioni. Një komunikim i thjeshtë i një punonjësi të Degës, në praninë pompoze të kryetares së këshillit dhe të sekretarit të Partisë që vërtetonin aktin “human”, më fuste në një burg të dytë, por pa tela me gjemba. Ishte një modë e re n’atë kohë, një fushatë internimesh me karakter ordiner për të goditur shfaqjet e huaja me rrezikshmëri shoqërore si vjedhja, imoraliteti etj.. Në këtë fushë u përfshiva dhe unë së bashku me shumë të tjerë të liruar nga amnistia. A do të plotësonim numrin e planifikuar nga ministria e punëve të brendshme apo partia dhe shteti e shihnin me keqardhje aktin e tyre “zemërgjerë” të lirimit tonë nga burgu?

Interrnimi në ato vite kishte karakterin e një paraburgimi. Rregulla shumë të rrepta kushtëzonin jetën e përditshme e sillnin vështiresi të mëdha për lëvizjen e nevojat familjare. Të gjithë në shtëpi ishim të internuar e pasojat ndiheshin shumë, sidomos në çështjet e shëndetit. Këtu dua të tregoj  disa episode të dhimbshme. I pari ka lidhje me vajzën time të dytë, Elenën. Në moshën pesë vjeçe asaj iu shfaq një dhimbje e fortë barku që e mundonte pothuajse vazhdimisht. Mjeku i zonës dyshoi për parazitë për muaj të tërë; ajo piu gjithfarë barnash të farmacisë e të mjeksisë popullore, por pa rezultat. Vuajtjet e fëmijës së shkretë, që kalonte herë-herë dhe netë të tëra pa gjumë në krahët tanë, na shqetësonin pa masë. Duke parë gjendjen e fëmijës dhe rezultatin jo të kënaqshëm të mjekimeve, mjeku vendosi t’a shtrojë atë në spitalin e Lushnjës. Deshëm ta çonim të nesërmen në qytet, e kërkuam lejen përkatëse nga personi që na bënte apelin e që ishte sekretar i këshillit. Por ky person, sigurisht në marrëveshje me Degën e Punëve të Brendshme e manipuloi mjekun deri në atë shkallë, sa që ky i fundit të nesërmen doli me mendimin se fëmija nuk ka nevojë për t’u shtruar në spital. Kjo ndodhte sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja deri në qytet për të çuar fëmijën. Le ta gjykojë vetë lexuesi gjendjen shpirtërore të një prindi në të tilla kushte. Si pasojë e pamundësisë për ta çuar vajzën tek specialistët, asaj iu bë kronike një sëmundje veshkash, të cilën e zbuloi mbas një viti doktor Polikron Çela. Atij mjeku i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe humanizmin e tij të spikatur në kryerjen e detyrës. Para disa kohësh lexova në gazetë se dikush e kishte qëlluar këtë mjek të shquar duke i thyer krahun. Nuk di se kush ka qenë, por jam i bindur se do të jetë shok ideali i atyre që nuk deshën të shërohej fëmija ime, më erdhi shumë keq, diçka më theri në shpirt…

Nëna ime vuan nga një koleksion sëmundjesh; vetë kushtet e jetës së saj e kanë stimuluar shfaqjen e tyre. Në kohën që ishte e internuar në Grabjan është detyruar të shtrohet dy herë në spital, në gradë të fundit, nga veshkat dhe nga zemra. Radhën e parë mjeku nefrolog Fatmir Dabulla e kishte në patronazh. Kisha patur të bëj me të për çështjen e vajzës, ai më kishte rekomanduar vizitën e saj tek Dr.Polikroni në Tiranë dhe herë mbas here e kontrollonte vetë. Nëna ishte me një krizë të rëndë pielonefriti, gati të kalonte në azotemi. Mjeku e vizitoi me kujdes, dërgonte infermieren të bënte analizën e duhur, e pastaj me seriozitet profesional më shpjegoi gjendjen e rëndë të nënës. Nuk kishim ndonjë konfidencë të madhe, ai më mbante mend një çerek shekulli më parë në shkollë, megjithëse kishte qenë disa vjet prapa meje. I shpjegova gjendjen time aktuale, se si nuk kisha mundësi t’i gjendesha nënës pranë, veçse kur të më jepte leje Dega e Punëve të Brendshme për të shkuar në qytet. Nuk reagoi me fjalë, u bë shumë serioz dhe më siguroi se do të përdorte të gjitha mjekimet e duhura e për rreth dy javë do ta stabilizonte gjendjen e saj shëndetësore… Kështu u ndava me të me besim në fjalët e tij. Por mbas rreth dhjetë ditësh më lajmëruan të shkoj të marr nënën. Si ka mundësi të jetë shëruar kaq shpejt? Më jepet leja e shkoj së bashku me një miken tonë që nuk ishte më e interrnuar. Takoj Fatmirin dhe e pyes si qëndron çështja. Ai i vrenjtur në fytyrë shtypet në vetvete e s’është në gjendje të më japë përgjigje. Po unë atë e lexoj vetë në fytyrën e tij, në atë fytyrë që para pak ditësh kishte qenë e mbushur plot besim se do t’ia dilte në krye një pune të tillë të vështirë, shërimit të një njeriu. Tani lexoja në të zhgënjimin, keqardhjen për pacienten, për mua e sigurisht dhe keqardhje për veten e tij… Ai si mjek duhej t’i shikonte ndryshe pacientët e tij, duhej t’u shërbente sipas pozitës shoqërore e politike, sipas përkatësisë “kllasore”, duhej të shkelte mbi nenin e parë të librit të madh të botës së mjekësisë, mbi parimin e Hipokratit “Të jesh mjek, së pari duhet të jesh njeri”. Më dha recetën për gentamicinën, një antibiotik i fuqishëm, të cilin ai kishte filluar t’ia injektonte nënës, por që mbas dy ditësh një tjetër mjek jo i specialitetit kishte dhënë urdhër t’i ndërpritej.

Ç’ishte ky “mjek” apo më mirë të themi kasap që e kishte dhënë urdhrin t’i ndërpritej mjekimi pa dalë nga spitali? Nuk dua t’i përmend emrin, emra të tillë e ndyjnë shkrimin, ata nuk duhet të ekzistojnë as në kujtesën e njerëzve. Ai ishte anëtar i PPSH, ishte shef pavioni, një farë polici i institucionit mjekësor, i shkolluar në sajë të farefisnisë me një zonjë të madhe të regjimit, dhe ishte i ngarkuar në spital të zhvillonte “luftën e klasave” jashtë çdo parimi njerëzor që i njeh dhe të dënuarit me vdekje të drejtën e mjekimit apo shërbimit para ekzekutimit. Çfarë përshtypje do t’i kishte bërë Marksit një fakt i tillë? Kjo shoqëri e projektuar prej tij, për të “ndrequr” padrejtësitë e botës së kapitalit, sa bukur do të përkonte me dukuri të tilla që ilustronin “humanizmin” socialist të saj në prag të vitit 2000!!!

Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabian. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por m’u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi ishte i detyruar t’u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep bënte ligjin. “Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit”. Këto fjalë të Ismail Kadaresë u vërtetuan pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.

Merret me mend gjëndja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në komitetin e partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek duke i dhënë kurajo pacientes për ta mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t’i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në komitetin e partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse poshtërsinë dhe antihumanizmin i vumë në institucion e në piedistal…

Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t’i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë si njerëz, si

gjithë të tjerët, na jep këshillat mjeksore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.

Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e këshillit popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavion, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja mori përgjegjësinë për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km udhë, mbasi firmosa fletë-lejen në degë, për t’ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh një të sëmurë me parainfarkt. Këtu, në këtë proçedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavionet e spitaleve, për t’u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.

 

Grabian, qershor 1990

Vijon

Shkatërruesit e shtetit – Nga XHAFER SHATRI

Më 6 tetor 2019, në zgjedhje të lira, populli i Kosovës penalizoi kapësit e shtetit dhe i hapi shtegun e ardhjes në pushtet të një elite te re politike të cilës i prinin dhe e personifikonin Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Mirëpo kryekapësit e shtetit, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, ia arritën që, me spica të sprovuara, ta ndalin rrotën e historisë, ta mbyllin atë shteg, duke zvarritur deri në neveri formimin e qeverisë, të cilën pas disa javësh edhe e rrëxuan. Ishte një grushtshtet par excellence, përmes të cilit u dëshmua se sa e pashpresë është gjendja në Kosovë dhe sa të fuqishëm janë rrënuesit e saj.

Nuk ishte ky një operacion aq i lehtë, sepse për t’u formuar qeveria Hoti, mungonte numri i mjaftueshëm i deputetëve.

Por Hashim Thaçi nuk dorëzohej aq lehtë. Një mesnate bashkë me Ramush Haradinajn ia mësyen në konak deputetit të Nismës, Haxhi Shalës. Pasi i rrotulluan disa gota me çaj rusi, e morën premtimin, votën e Haxhi Shalës, i cili dy ditë më parë kishte thënë publikisht, se kurrë nuk do ta votonte qeverinë Hoti…

Këtu i kemi dy paradokse:

I pari, se Hashim Thaçi kishte prishur rahatinë personale për t’ia formuar LDK-së, Isa Mustafës, qeverinë;

I dyti, se Ramush Haradinaj përmes këtij akti pështyu publikisht mbi sakrificat e famailjes së vet dhe mbi çdo gjë të mirë që kishte bërë për Kosovën deri atë ditë. Duke lëshuar veten aq poshtë sa që nga një komandant e famshëm lufte të bëhet saora argat i një këlbaçi si Isa Mustafa.

Pazarit të vizitës në mesnatë i doli tymi 6 muaj më vonë, kur mediet publikuan lajmin se Hashim Thaçi, dis ditë para se ta arrestonin, në kundërshtim me çdo procedurë, kishte nënshkruar dekretin përmes të cilit e emëronte djalin e Haxhi Shalës konsull të Kosovës në çeki!

Kjo është vetëm maja e Aisbergut, sepse shumica dërrmuese e administratës, jo vetëm qendrore, janë emëruar në këtë mënyrë. Sidomos Ministria e Punëve të Jashtme është bërë strofull ku janë rehatuar familjarët, miqtë, dashamirët dhe dashnoret e dashnorët e atyre që e kanë kapur Kosovën tonë për fyti.

Për ta shpjeguar pak më konkretisht se çka do të thotë kjo, po e publikoj në vijim letrën që Fan Noli, njëri prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar, ia pati dërguar Enver Hoxhës për të shprehur dëshprimin e tij për emërimin dhe pastaj sjelljen skandaloze të përfaqësuesit të Shqipërisë në Amerikë.

Lexojeni me vëmendje këtë letër plot trishtim dhe do të bindeni se historia përseritet dhe se, veç kësaj, do ta mësoni edhe shkakun e vërtetë pse Serbia ia arrijti aq lehtë t’i bindë rreth 15 shtete për ta çnjohur Kosovën.

 

Letra e Fan Nolit për Enver Hoxhën

Zoti Kryeministër,

Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në Diellin, 18 shtator, të mbyllur këtu Brenda, më hapi luftën me disa akuzata dhe insituata të shëmtuara. Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embarasoj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, duke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na  derguat këtë kërcu të pagdhendur.

Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht; Në çdo dialekt që i flinsja ay nuk me merrte vesh nga shaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re.

Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezeva, dhe pa pritur as ndonjë çperblim, as ndonjë memuriet. Po ay më shikonte shtrembër me mosbesim instiktif të barabarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay as i përfillte fare. Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare.

Më polli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mëndjet të atyre që u kishte besim, çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti.

Konferencat van mjaft mirë sa kohë ishte këtu  z. Behar Shtylla po kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket qe Kolloneli nuk i shijonte aspak. Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i Përgjithshëm z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën e profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO- së, i cili është Ndihmës Sekretar për Punët Shoqerore dhe Ekomomike. Po Kolloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja ndonjë grackë. Mezi Pranoi dhe e bëri kabull ta shikonte Profesorin.

Ky mirëpriti delegatët dhe ua regulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak  minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trygve Liesë inglisht, meqenë që ky nuk dinte as frëngjisht as shqip. Nga ky muhabet me dy tërxhumane, Kolloneli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e nje triumfi imagjinar.

Unë isha në prakun e derës së tij, gati qe t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthonjës në pjesën me delegatin Amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me anë dy dragomanësh (përkthyesish) edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjale e bukura të Trygve Liesë e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që  fjalët e ëmbla dipllomatike nuk duhen marrë si senet, po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë.

Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa netë. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, po edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e trakteve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetërsuar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti i paqes me Italinë prej Këshillës së Ministrave të Jashtëm në Paris. Kolloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.

Në funt të gushtit Kolloneli shkoi në Washington dhe kur u kthye në New York, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar  vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, po ishte prishur fare.

Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri. Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në Diellin, më datë 25 shtator, të mbyllur këtu brënda. Nga kjo do të merrni vesh qe Vatra ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave, dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigje  nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë di fare mirë Kolloneli po nuk e përmendi në Lamtumirën. 

Veç kësaj, ky propozim i Vatrës është akoma i hapur, dhe negociatat nuk jane prerë. Përse ahere Kolloneli i deklaroi luftë Vatrës edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtojnë të dy anët jo ta përkrahë njërën anë dhe t’i deklarojnë luftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.

 

Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëkët e Kollonelit nuk do ta ndyshoj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni  bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën  shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën inglisht, meqenë që këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushëm si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni.

Dy fjalë për marëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U  lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në  parim pa  kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm  një çështje formule pa rëndësi praktike.  Pasi të lithni marëdhënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetetiu me pak durim, dhe vetem ahere do të hapet udha për te nisur një fushatë serioze. Një fjalë për të mbaruar.

Kolloneli kur më hapi luftën, nofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po mileti kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftësë nuk jini në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë këto që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do llogjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr funt në praktikë.

Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.

Me të fala vëllazërore,

Juaji me besë

Peshkop F.S.Noli

Boston, 30 shtator 1946.


Send this to a friend