VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Oxfam: Miliarderët e botës kanë pasuri më shumë se 4.6 miliardë njerëz

By | January 20, 2020

Komentet

Taxh Mahall hapet për vizita turistike pas gjysmë viti

Pas gjashtë muajsh sërish është hapur monumenti historik arkitektonik Taxh Mahall, i cili ishte mbyllur në kuadër të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtëpia mediale BBC lajmëron se kompleksi Taxh Mahal është hapur, por vizitat do të organizohen për një numër të caktuar të turistëve dhe me respektim të detyrueshëm të masave epidemiologjike.

Taxh Mahal është një nga destinacionet më të njohura turistike në Indi i cili deri para pandemisë në ditë vizitohej mesatarisht nga rreth 70.000 turistë.

Gjatë ditëve të ardhshme do të lejohet vizita për mbi 5.000 turistë.

Një nga shtatë mrekullitë botërore dhe monument i UNESCO-s Taxh Mahal u mbyll në mars në kudër të masave kundër pandemisë COVID-19.

Kjo është periudha më e gjatë në të cilën Taxh Mahal ishte i mbyllur që nga vitet 70-të të shekullit të kaluar kur dy herë u mbyll për shkak të luftës indiano-pakistaneze dhe përmbytjeve.

Mbi 31 milionë numri i rasteve me COVID-19 në mbarë botën

Numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 31 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 31.002.707 raste me COVID-19.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 6.967.420 raste deri më tani.

Pas SHBA-së, 10 vendet e para me më shumë raste janë India (5.400.619), Brazili (4.528.347), Rusia (1.103.399), Peru (768.865), Kolumbia (758.398), Meksika (694.121), Afrika e Jugut (659.656), Spanja (659.334), Argjentina (622.934) dhe Kili (444.674).

Në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 301.348.

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, COVID-19 u përhap në mbarë botën. Deri tani jetën e kanë humbur 961.612 persona. Ndërkohë, 22.610.909 milionë njerëz janë shëruar nga virusi ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 7.430.186 raste aktive.

Human Rights Watch: Kompanitë e medias sociale po fshijnë provat për krime lufte

Henry Ridgewell

Kompanitë e mediave sociale po heqin video dhe imazhe që sipas një raporti të ri nga organizata Human Rights Watch mund të jenë jetike në ndjekjen penale të krimeve të rënda. Facebook, YouTube dhe Twitter përmes formulave algoritmike të Inteligjencës Artificiale po heqin video që konsiderohen të papërshtatshme ose të paligjshme. Organizata Human Rights Watch thotë se prova që mund të jenë jetike, janë duke humbur ose shkatërruar.

Ky është sistemi rus nga u lëshua raketa, që prokurorët thonë se u shkaktoi rrëzimin e avionit të kompanisë “Malaysian Airlines” MH17 në vitin 2014.

Videot u grumbulluan nga faqet e mediave sociale nga organizata Bellingcat – provat e së cilës u përdorën nga një ekip shumëkombësh që drejtoi hetimet. Rusia mohon përgjegjësinë.

Ajo që dimë nga Bellingcat është se në fazat e mëvonshme të hetimit, ata u kthyen për të parë burimet, disa nga postimet e mediave sociale që ata do të kishin përdorur për të mbështetur hetimet e tyre, në mënyrë që t’ua paraqisnin ato autoriteteve gjyqësore në Holandë. Por vunë se ato ishin hequr“, thotë Belkis Wille me organizatën Human Rights Watch.

Provat nga mediat sociale luajnë një rol qendror në shumë hetime, si këto video të zbuluara nga Amnesty International që pretendojnë se tregojnë abuzime të kryera nga ushtria nigeriane gjatë ofensivës së saj kundër grupit terrorist Boko Haram. Në raportin e saj të ri – të titulluar ‘Video të Padisponueshme’ – Human Rights Watch paralajmëron se provat jetësore po fshihen.

Ajo që kemi filluar të vërejmë vitet e fundit, veçanërisht që nga viti 2017, është se ne mund të shohim një video ku le të themi ushtarë ekzekutojnë dikë, ose një video propagandistike të ISIS-it, dhe nëse pesëmbëdhjetë minuta ose një orë më vonë do të ktheheshim për të parë përsëri videon, ajo është zhdukur papritur“, thotë Belkis Wille.

Kompanitë e mediave sociale i thanë organizatës Human Rights Watch se atyre u kërkohet me ligj të heqin materiale që mund të jenë ofenduese ose që nxisin terror, dhunë ose urrejtje. Ashtu si moderatorët njerëzorë, shumë përdorin gjithashtu algoritme të inteligjencës artificiale për të fshirë materialet.

Në ditët e sotme këto algoritme janë aq të efektshme saqë po heqin përmbajtjen brenda një minute të postimit. Kështu që, asnjë përdorues nuk arrin ta shoh përmbajtjen para se ajo të hiqet”, thotë Belkis Wille.

Kjo përfshin agjencitë e zbatimit të ligjit që ndjekin dënimet penale. Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhrin e saj të parë të arrestimit në 2017 bazuar kryesisht në provat e mbledhura nga mediat sociale, për komandantin libian Mahmoud Al-Werfalli, i akuzuar për vrasjen e disa robërve të luftës.

Grupet e shoqërisë civile si Arkivi i Sirisë po përdorin videot në mediat sociale për të dokumentuar krime të mundshme të luftës – përfshirë përdorimin e armëve kimike.

Ajo që po kërkojmë është krijimi i një lloj mekanizmi global, një lloj arkivi apo biblioteke“, thotë Belkis Wille.

Human Rights Watch thotë se është në dialog me kompanitë e mediave sociale për krijimin e një arkivi të tillë. Twitter tha se nuk është në gjendje t’u sigurojë organizatave të shoqërisë civile qasje në përmbajtjen e përdoruesve pa një urdhër të duhur ligjor. Facebook-u dhe YouTube nuk iu përgjigjën kërkesave të Zërit të Amerikës për komente deri në momentin e këtij publikimi.

Ish Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës Lamine Diack dënohet me 4 vjet – drejtoi federatën me një sistem të ngjashëm me mafien

Ish Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës Lamine Diack drejtoi Federatën me një sistem të ngjashëm me mafien!

—–

voal.ch – Gjykata Penale e Parisit ka shpallur Lamine Diack, ish-presidentin e Federatës Botërore të Atletikës, fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të dopingut.

87-vjeçari senegalez u dënua të mërkurën me katër vjet burg, dy për t’u shlyer dhe dy u pezulluan me kusht. Ish-numri një në atletikën botërore mund të apelojë kundër dënimit.

Diack pranoi gjatë gjykimit se ai kishte parandaluar pezullimet anti-doping veçanërisht kundër atletëve rusë përpara Lojërave Olimpike të Londrës 2012 për arsye të “shëndetit financiar” të Federatës Botërore.

Sidoqoftë, Diack mohon zhvatjen e parave nga atletët.

Diack ishte president i IAAF midis 1999 dhe 2015 dhe, sipas aktakuzës, drejtoi federatën me një sistem të ngjashëm me mafien, duke mbledhur – së bashku me bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë djalin e tij të arratisur Papa Massata – një total prej të paktën 3.45 milion euro ryshfet për mosbërjen publike të shkeljeve të dopingut.

Bahreini njeh Izraelin

Marrë nga Associated Press

Bahreini u bë të premten një tjetër vend arab që pranon të normalizojë lidhjet me Izraelin si pjesë e një shtytjeje më të gjerë diplomatike nga ana e Presidentit Donald Trump dhe administratës së tij për ta integruar plotësisht shtetin hebre në Lindjen e Mesme.

Presidenti Trump e njoftoi marrëveshjen pas një telefonate trepalëshe që kishte patur me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Mbretin e Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa. Të tre udhëheqësit publikuan gjithashtu një deklaratë të shkurtër të përbashkët me gjashtë paragrafë, ku e konfirmonin marrëveshjen.

“Një tjetër përparim HISTORIK sot!” shkroi Presidenti Trump në Twitter.

Njoftimi, i bërë në 19 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, vjen më pak se një javë para se Presidenti Trump të organizojë një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar vendosjen e marrëdhënieve të plota midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Në ceremoni do të marrë pjesë edhe Ministri i jashtëm i Bahreinit.

“Nuk ka përgjigje më të fuqishme ndaj urrejtjes që polli 11 shtatorin se sa kjo marrëveshje,” u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshja përfaqëson një fitore tjetër diplomatike për Presidentin Trump më pak se dy muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe një mundësi për të siguruar mbështetje mes të krishterëve evangjelistë pro-izraelitë në SHBA.

Vetëm javën e kaluar, Presidenti Trump njoftoi marrëveshjet në parim që Kosova të njihte Izraelin dhe që Serbia të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Sekretari Pompeo takohet me mbretin e Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa

Sekretari Pompeo takohet me mbretin e Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa

“Ky është një përparim historik për paqe të mëtejshme në Lindjen e Mesme,” thanë në deklaratën e tyre Presidenti Trump, Kryeministri Netanyahu dhe Mbreti Hamad. “Hapja e dialogut dhe e lidhjeve të drejtpërdrejta midis këtyre dy shoqërive dinamike dhe ekonomive të përparuara do të vazhdojë transformimin pozitiv të Lindjes së Mesme dhe do të rrisë stabilitetin, sigurinë dhe begatinë në rajon,” thuhet aty.

Ashtu si marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e së premtes Bahrein-Izrael do të normalizojë marrëdhëniet diplomatike, tregtare, të sigurisë dhe marrëdhëniet e tjera midis dy vendeve. Bahreini, së bashku me Arabinë Saudite, tashmë kanë hequr ndalimin e fluturimeve izraelite nëpër hapësirën e tyre ajrore. Drita e gjelbër e dhënë nga Arabia Saudite është parë si kyç për arritjen e marrëveshjeve.

Dhëndrri dhe këshilltari i lartë i Presidentit Trump, Jared Kushner vuri në dukje se marrëveshja është e dyta që Izraeli arrin me një vend arab brenda 30 ditësh, pas paqes që ka bërë me vetëm dy shtete arabe – Egjiptin dhe Jordaninë – në 72 vjet të pavarësisë së tij.

“Ishte shumë e shpejtë,” tha zoti Kushner për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Rajoni është duke iu përgjigjur në mënyrë të favorshme marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe shpresojmë se është një shenjë se do të ketë edhe të tjera.”

Zoti Netanyahu e mirëpriti marrëveshjen dhe falënderoi Presidentin Trump. “Na u deshën 26 vjet midis marrëveshjes së dytë të paqes me një vend arab dhe të tretës, por vetëm 29 ditë midis të tretës dhe të katërtës dhe do të ketë të tjera,” tha ai, duke iu referuar traktatit të paqes të vitit 1994 me Jordaninë dhe marrëveshjeve të fundit”.

Marrëveshja Bahrein – Izrael ka të ngjarë të shihet si një hap tjetër prapa për palestinezët, të cilët u përpoqën pa sukses që Lidhja Arabe të dënonte çdo normalizim me Izraelin nëse ata nuk siguronin një shtet të pavarur. Kjo ishte një nga kartat e pakta që mbanin ende palestinezët në negociata, ndërsa bisedimet e paqes mbeten të bllokuara.

Deklarata e përbashkët përmend shkarazi palestinezët, duke thënë se palët do të vazhdojnë përpjekjet “për të arritur një zgjidhje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të konfliktit Izraelo-Palestinez për t’i mundësuar popullit palestinez të realizojë potencialin e tij të plotë”.

Marrëveshja e bën Bahreinin vendin e katërt arab, pas Egjiptit, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara, që ka lidhje të plota diplomatike me Izraelin. Vendet e tjera arabe që besohet të jenë në pragun e njohjes së plotë të Izraelit përfshijnë Omanin dhe Sudanin. Ndërsa u dha në heshtje bekimin marrëveshjeve, Arabia Saudite, fuqia rajonale energjitike, nuk pritet të lëvizë aq shpejt.

Ashtu si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini nuk ka bërë kurrë luftë kundër Izraelit dhe nuk ndan kufij me të. Por Bahreini, si pjesa më e madhe e botës arabe, i kishte refuzuar prej kohësh lidhjet diplomatike me Izraelin në mungesë të një marrëveshje paqeje për krijimin e një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967.

Marrëveshja mund të përmirësojë pozitën e zotit Netanyahu, ndaj të cilit u ngritën akuza i për korrupsion vitin e kaluar. Marrëveshjet me vendet arabe të Gjirit “janë rezultat i drejtpërdrejtë i politikës që unë kam udhëhequr prej dy dekadash, … paqe për paqe, paqe përmes forcës”, ka thënë zoti Netanyahu.

Marrëveshja Izraeli-Emiratet e Bashkuara kërkonte që Izraeli të hiqte dorë nga plani i tij i debatueshëm për të aneksuar tokë të pushtuar të Bregut Perëndimor, gjë që kërkohej prej kohe nga palestinezët. Mes vendeve filluan shumë shpejt thirrjet telefonike ndërsa ato vazhdojnë bisedimet për marrëveshje të tjera, duke përfshirë fluturimet direkte.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një popullsi të vogël dhe federata nuk ka traditë për t’i rezistuar autokracisë së vendit, kurse Bahreini përfaqëson një vend shumë të ndryshëm.

I ndodhur pranë brigjeve të Arabisë Saudite, ishulli i Bahreinit është ndër vendet më të vogla të botës, me vetëm 760 kilometra katrorë. Vendndodhja e Bahreinit në Gjirin Persik prej kohësh e ka bërë atë një pikë tregtare dhe një post detar mbrojtës. Ishulli është bazë e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane dhe seli e një baze detare britanike e ndërtuar kohët e fundit.

Bahreini është shumë i vetëdijshëm për kërcënimet që paraqet Irani, një ankth që vjen për shkak të shumicës shiite të popullsisë së tij, pavarësisht se qeveriset që nga viti 1783 nga familja suni Al Khalifa.

Që nga Revolucioni Islamik i Iranit në vitin 1979, sundimtarët e Bahreinit kanë fajësuar Iranin për armatosjen e militantëve në ishull. Irani i mohon akuzat, megjithëse ekspertët e armëve thonë se eksplozivët e gjetur atje kanë ngjashmëri me të tjera që lidhen me Iranin. zëri i amerikës

Deklarata e mbesës së Osama Bin Ladenit për 11 shtatorin

Në përvjetorin e 19-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, mbesa e organizatorit të sulmeve Osama Bin Laden, bëri publike një deklaratë të saj mbi ngjarjen.

“Për nëntëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk ka kaluar asnjë ditë që nga ajo ngjarje e tmerrshme e tragjike që unë nuk kam menduar për ty Amerikë, e kam vajtuar privatisht me ty, për të gjitha jetët e pafajshme të humbura”, shkruante Noor Bin Ladin në llogarinë e saj në Twitter. (Ajo përdor mbiemrin e të atit, Yeslam Bin Ladin, gjysmë-vëlla i Osama Bin Ladenit).

“Kjo është pjesërisht për shkak të kësaj kthese të pashpjegueshme të fatit që më lidh me këto sulme mizore, por më e rëndësishmja për shkak të dashurisë sime për vendin tuaj”.

Ajo shtonte se “vlerat dhe ndjenjat e saj” janë “diametralisht të kundërta me mbiemrin që ajo mban”.

Krahas nderimit për jetët e humbura, Noor Bin Ladin me shtetësi zvicerane vlerësonte gjithashtu rolin e punonjësve të vijës së parë të frontit, ata që humbën jetën më vonë nga ndërlikimet me shëndetin si pasojë e sulmit si dhe për të mbijetuarit që humbën të dashurit e tyre.

Noor Bin Ladin është vajza e Carmen Dufour, një shkrimtare zvicerane dhe Yeslam bin Ladin, gjysmë-vëlla i Osama Bind Ladenit, në moshë më të madhe. Prindërit e saj u divorcuan në vitin 1988. Ajo dhe dy motrat e saj u rritën në Zvicër. Noor Bin Ladin ishte 14 vjeç në 11 shtator të vitit 2001.

“Ndihesha e shkatërruar”, tha ajo për gazetën New York Post.

“Shkoja në Shtetet e Bashkuara me mamanë time disa herë në vit prej moshës 3 vjeçare e në vazhdim. I konsideroja Shtetet e Bashkuara shtëpinë time të dytë”.

Noor Bin Ladin, e cila ka ruajtur një profil të ulët publik, fitoi famë më 6 shtator kur publikoi një letër në mbështetje të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.zëri i amerikës

FOTOT – Bota kujton 11 shtatorin 2001, 19 vjet nga tragjedia që tronditi SHBA-të

NJU JORK 

Kanë kaluar 19 vjet që nga sulmet e datës 11 shtator 2001, kohë kur SHBA u godit nga sulme të Al Kaedës.

Sulmet e koordinuara terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë, Pentagonit vranë gati 3 000 Amerikanë nga të gjitha sferat e jetës – dhe ndryshuan përgjithmonë rrjedhën e historisë Amerikane dhe horizontin e Nju Jorkut.

Qyteti i Nju Jork dhe SHBA- tani po merren me tmerrin e një lloji tjetër nga pandemia  COVID-19 . Pandemia ka bërë që këtë vit të mos ketë kujtime zyrtare për 11 shtatorin.

Para 11 shtatorit, Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë ishin bërë simboli i fuqisë ekonomike të SHBA-ve – duke qëndruar mbi Manhatan si qendër e tregtisë dhe biznesit që punësoi dhjetëra mijëra nga e gjithë zona e tre shteteve amerikane.

Në 102 minuta të mëngjesit, terroristët shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë në një nga episodet më shqetësuese në histori. Agresorët përplasën avionët e pasagjerëve të rrëmbyer në secilën kullë, duke shkaktuar zjarre masive në zyra në secilën ndërtesë.

Dëshmitarët shikonin të tmerruar kur viktimat e bllokuara në apartamente në kulla nisën që të hidheshin nga lart drejt tokës, drejt vdekjes së tyre.

Mijëra persona që reaguan menjëherë – oficerë policie, zjarrfikës, ndihmësmjekë – u mblodhën në Qendrën Botërore të Tregtisë për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur.

Qindra zjarrfikës shkuan në vendngjarje, në një nga ngjarjet më të rënda për SHBA-të, por edhe për mbarë njerëzimin. bw

Mbi 28 milionë raste me COVID-19 në mbarë botën

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 28 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri më tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 28.025.252 raste me COVID-19.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 6.549.475 raste deri tani.

Pas SHBA-së, 10 vendet e para me më shumë raste janë India (4.465.863), Brazili (4.199.332), Rusia (1.041.007), Peru (702.776), Kolumbia (686.856), Meksika (647.507), Afrika e Jugut (642.431), Spanja (543.379), Argjentina (512.293) dhe Kili (427.027).

Në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 284.943.

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, COVID-19 u përhap në mbarë botën. Deri më tani jetën e kanë humbur 908.000 persona. Ndërkohë, 20.103.536 milionë njerëz janë shëruar nga virusi ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 7.013.716 raste aktive.

Të paktën “37 milionë persona të zhvendosur” si pasojë e luftërave amerikane kundër terrorizmit

Raporti i ri i Universitetit Brown për Koston e luftërave amerikane, ka vlerësuar se rreth 37 milionë persona janë zhvendosur si pasojë luftërave të zhvilluara nga Shtetet e Bashkuara nga 11 shtatori i vitit 2001.

Këto shifra është thënë se tejkalojnë numrin e personave të zhvendosur nga konfliktet prej vitit 1900, kanë thënë autorët, duke bërë përjashtim për Luftën e Dytë Botërore.

Këto të dhëna janë publikuar të martën, disa javë para se Shtetet e Bashkuara të hyjnë në vitin e 20-të të luftimit të terrorizmit, i cili ka nisur me pushtimin e Afganistanit më 7 tetor të vitit 2001.

Të gjeturat janë publikuar po ashtu në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe shtetet perëndimore janë duke kundërshtuar pranimin e refugjatëve.

Sipas të përditshmes amerikane, The New York Times, në këto shifra përfshihen kryesisht civilë të zhvendosur në dhe nga Afganistani, Iraku, Pakistani, Jemeni, Somalia, Filipinet, Libia dhe Siria.

Shifrat reale të të zhvendosurve është thënë se mund të jenë nga 48 deri në 59 milionë.

Kjo gazetë amerikane po ashtu ka thënë se në vlerësim nuk përfshihen miliona persona që janë zhvendosur në shtetet me operacione më të vogla amerikane kundër-terrorizimit si: Burkina Faso, Kameruni, Republika e Afrikës Qendrore, Çadi, Republika Demokratike e Kongos, Mali dhe Nigeri. rel

Ribashkimi i çifteve të ndarë prej COVID-it

Vazhdimi i kufizimeve të udhëtimit dhe mbyllja e kufijve kanë ndarë shumë çifte të pamartuar. Por lëvizja “Dashuria nuk është turizëm” po shpreson t’i rikthejë çiftet përsëri bashkë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Karina Bafradzhian njofton.

Që nga mesi i marsit, mijëra çifte të pamartuara ndërkombëtare janë bërë pjesë e lëvizjes “Dashuria nuk është turizëm”.

Ata kanë nënshkruar peticione me shpresën që t’i bindin qeveritë t’i lejojnë të takohen përsëri me të dashurit e tyre.

“Lëvizja filloi në Danimarkë. Ata filluan të organizohen qysh para majit. Familjet dhe partnerët në Danimarkë u mblodhën së bashku dhe krijuan një hashtag, duke i kërkuar qeverisë së tyre të miratonte një ligj për të dashurit. Ata ishin në gjendje ta zbatonin atë ligj, apo ta shpallnin atë më 19 qershor 2020. Në Shtetet e Bashkuara, për fat të keq, nuk kemi marrë shumë përgjigje – asgjë si në Evropë”, thotë Krishni Metivier, përfaqësuese e lëvizjes në Shtetet e Bashkuara.

Ligje të ngjashme u zbatuan në vendet e tjera evropiane – përfshirë Norvegjinë, Hollandën, Republikën Çeke dhe Austri.

Në pjesë të tjera të botës situata është më e ndërlikuar.

Amerikanja Elizabeth Thorn dhe kolumbiani Mario kanë qënë në lidhje për disa vjet. Por për shkak të pandemisë ata nuk e kanë parë njëri-tjetrin për më shumë se gjashtë muaj. Kufizimet e rrepta të udhëtimit në Kolumbi nuk lejojnë që ata të takohen as në një vend të tretë. Për të shmangur këto probleme në të ardhmen, ata kanë vendosur të martohen.

“…Për shkak se nuk jemi të martuar, në këtë moment po mundohemi të martohemi pasi është e vetmja gjë që mund të bëjmë ndërsa jemi të ndarë. Është shekulli i 21-të, njerëzit që nuk janë të martuar s’kanë pse të detyrohen të krijojnë familje – është një koncept shumë i vjetëruar!”, thotë Elizabeth.

Bllokimet dhe kufizimet e udhëtimit kanë krijuar shumë sfida për çiftet e pamartuara.

Në disa raste, edhe çiftet e pamartuara me fëmijë nuk mund të jenë bashkë.

Por anëtarët e lëvizjes “Dashuria nuk është turizëm” thonë se do të ndjekin rregullat nëse lejohen të jenë së bashku.

“Ne duam të ndjekim rregullat, ne jemi mëse të gatshëm të paguajmë vetë për testet e koronavirusit, jemi të gatshëm për karantinë, jemi të gatshëm të vëmë maska, edhe pse në Shtetet e Bashkuara kemi parë disa reagime kundër maskave, ne nuk e kemi problem. Ne jemi të gatshëm të respektojmë distancën fizike! Thjesht kemi nevojë për një zgjidhje!”, thotë Krishni Metivier.

Falë COVID-it dhe distancës fizike edhe çifte që jetojnë në të njëjtin qytet janë bërë partnerë në distancë. Por psikologët thonë se është e mundur që marrëdhënia të ruhet.

“Mund ta përballoni ndarjen gjatë këtyre kohërave duke qëndruar të fortë, duke qënë të vërtetë dhe duke thënë – edhe pse nuk e shoh partnerin fizikisht, nuk mund ta përqafoj, ta prek, ta përkëdhel – mund të jem e lidhur me të emocionalisht!”, thotë psikologia Carla Marie Manly.

Pikërisht këtë janë përpjekur të bëjnë gjatë muave të fundit amerikania Susan Parker dhe i fejuari i saj Egbert nga Hollanda. Ata flasin me njëri-tjetrin çdo ditë dhe ëndërrojnë për martesën e tyre të ardhshme. Çifti u takua dimrin e kaluar dhe po planifikonin të martoheshin – derisa ndodhi COVID-19.

“Thjesht nuk dija çfarë të bëja! Dhe jo shumë kohë më parë, një fqinji im pa një artikull në gazetën Nju Jork Tajms që fliste për grupin, “Dashuria nuk është Turizëm, dhe mendova me vete – kjo e përshkruan në mënyrë të përsosur situatën!”

Suzana dhe Egberti janë mes fatlumëve – më 27 korrik, Holanda lejoi udhëtimin për shtetasit e huaj që janë në marrëdhënie me qytetarë holandezë. Kështu që çifti mund të vazhdojë planet e dasmës, më në fund pranë njëri-tjetrit./ZA

 

Zakharova krahason takimin e Vuçiçit me Trumpin me skenën nga “Pasionet e ulëta”

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në profilin e saj në Facebook ka publikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerkës, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka krahasuar me skenën nga filmi “Pasionet e ulëta”, me aktoren kryesore Sheron Stone, në të cilën ajo ulet këmbë mbi këmbë.

“Në qoftë se jeni thirrë në Shtëpinë e Bardhë, ndërkaq karriga është e vendosur sikur po ju marrin në pyetje, uleni sikurse në fotografinë numër dy, kushdo që jeni. Më besoni”, ka shkruar Zakharova.


Gjuriq i përgjigjet Zakharovas: Nuk do të lejoj ta sulmoni Serbinë

Duke reaguar ndaj këtij publikimi, dejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, e ka porositur Zakharovan se “nuk do t’ia lejojë që ta sulmojë Serbinë”.

Në reagimin e tij, ndaj publikimit të Zakharovas në Facebook, Gjuriq e ka porositur zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, se duhet “të turpërohet”.

Ai ka theksuar që Vuçiq nuk e ka folur asnjë fjalë të keqe kundër Rusisë, “madje as në atë vend (në Shtëpinë e Bardhë).

“Ndërkaq, paramendojeni që ky president ka pritur për t’u pranuar te presidenti rus madje edhe nga 1 orë e gjysëm dhe asnjëherë nuk ka kërkuar karrige të veçantë. Unë nuk ju lejoj që ta sulmoni Serbinë krenare. Turp ju qoftë”, ka shkruar Gjuriq në Tëitter.

Vulin: Pas Vuçiqit mbesin veprat, pas Zakharovas mbetet dashakeqësia

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë që zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë “ i ka ofenduar të gjithë ata që e mbrojnë edhe Rusinë në Serbi”.

Duke reaguar në publikimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, Vulin ka shtuar që “ Vuçiqi, popullin e tij dhe miqtë e popullit të tij, asnjëherë nuk i ka braktisur, as nuk i ka ofenduar dhe as poshtëruar”.

“Zakharova na ka ofenduar të gjithë neve që e mbrojmë edhe Rusinë edhe Serbinë në vende më të vështira se sa në publikimet e saj në Facebook. Armiqtë e Serbisë dhe Rusisë janë të gëzuar sot me dashakeqësinë e vogël të Zakharovas. Pas Vuçiqit mbeten veprat, pas Zakharovës dashakeqësia për të cilën do t’i vijë turp”, ka thënë Vulin përmes një deklarate.

Ai ka shtuar që “Vuçiq është burrështetasi i vetëm në Evropë, i cili ka refuzuar që t’i vendosë sanksione Rusisë, si është komandanti suprem i ushtrisë, me të cilën forcat e Federatës Ruse kanë bahkëpunimin më të madh dhe më të frytshëm”.

Vulini theksoi që “ madhështia e njeriut nuk matet me madhësinë e karrigës në të cilën ulet e as me madhësinë e fuqisë në emër të së cilës flet, po me madhështinë e guximit që në secilën karrige ta mbrojë popullin dhe miqtë e popullit të vet”.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Në ceremoninë e nënshkrimit ka qenë i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Pas shumë vitesh, dekadash të historisë tragjike dhe të dhunshme, si dhe të viteve të bisedimeve të dështuara, administrata ime propozon një mënyrë të re për tejkalimin e ndryshimeve, duke u fakusuar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike”, ka thënë Trump, duke e cilësuar marrëveshjen si një përparim i madh, i cili “botën e ka bërë më të sigurtë”.

Trump gjithashtu ka theksuar që është krenar me liderët e Serbisë dhe Kosovës, (presidentin Aleksandar) Vuçiqin dhe (kryeminisrin Avdullah) Hotin, të cilët kanë vënë nënshkrimet e tyre në marrëveshje.

Të hënën, më 7 shtator, presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Hoti, do të takohen sërish në Bruksel për të mbajtur një raund të ri të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në nivelin më të lartë politik. rel

 

Netanyahu: Kosova, shteti i parë mysliman që hap ambasadë në Jerusalem

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur pas marrëveshjes për njohje reciproke mes shtetit të tij dhe Kosovës.

Netanyahu ka thënë se pas marrëveshjes, Kosova do të jetë “shteti i parë me shumicë myslimane që hapë ambasadë në Jerusalem”.

“Siç kam thënë në ditët e fundit, rrethi i paqes dhe i njohjes së Izraelit po zgjerohet, dhe shtete të tjera pritet t’i bashkohen atij”, është shprehur ai.

Njohja reciproke Kosovë-Izrael vjen pas ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Send this to a friend