Gazetari sportiv Besnik Dizdari i ka kushtuar nje speciale 80 vjetorit te Lojerave Olimpike. Pas pjeses se pare ku ai shkruante per faktin qe flaka olimpike kaloi ne 1936 prane kufirit me Shqiperine, sot del ne skene edhe nje fakt shume interesant.
Ne vitin 1936 kur u organizuan Lojerat Olimpike te Berlinit, ministr i Arsimit i Qeverise se Ahmet Zogut, dr. Nush Bushati zhvilloi nje takim 40 minuta me Hitlerin.
“ERRATA CORRIGE” SENSACIONALE MBAS MESNATE
Jam munduar gjithmonë të zbatoj një mënyrë gazetarie të vjetër, që thotë se mbasi e ke përfunduar një shkrim, nëse koha ta lejon, lene “të pushojë” paksa. Dhe shko e pij një kafe ose bëj diçka tjetër dhe vetëm mbas kësaj ndërprerje ktheju te shkrimi, lexoje dhe do të çuditesh se disa gjëra që ke shkruar qoftë dhe para një ore, papritmas nuk do të pëlqejnë. Madje, mund të ndodhë që të habitesh se si ajo që të kishte pëlqyer aq fort para një ore, tash nuk të pëlqen më! Ky lloj redaktimi personal mua më ka dalë i një arritjeje të madhe.
Kështu, pjesën e dytë të këtij Dossier-i unë e lashë me pushue shumë orë. Kryeredaktori Robert Rakipllari heshti, edhe pse kishte ndër duar vetëm pjesën e parë të shkrimit që u botua dje… Dhe të shtunën në mbrëmje, ndërsa po admiroja interpretimin historik të kampiones olimpike Majlinda Këlmendi të Republikës së Kosovës, në të ndërmjeme m’u tek të shfletoja koleksionin e shkëlqyeshëm historiko-olimpik të dy gazetave më të mëdha sportive të botës, “L’Equipe” të Francës” dhe të “La Gazzetta dello Sport” të Italisë.
Janë dy botime disavëllimshme, të cilat kur i kam blerë më kanë pasë kushtuar tejet. E, këto janë sakrificat e padhimbshme të asaj kategorie gazetarësh që e ndjenë fort profesionin e tyre. Duke i shfletuar vetvetiu më mbetëm sytë te foto e Hitlerit në Olimpiadën e Berlinit. Dhe ec e gjeje se si më tha mendja që në këtë mesnatë të kërkoj foto të tjera nga Olimpiada e Berlinit në internet.
Doemos që ishin të mbarim… Dhe mu në këtë çast, ndërsa shihja për të disatën herë te “RTK” e Kosovës Majlindën në podiumin olimpik me lot në sy, teksa i gëzohej medaljes parë olimpike të një shteti shqiptar në krejt historinë e përbotshme, që në këtë rast nuk është Republika e Shqipërisë, por Republika e Kosovës, papritmas zbuloj sensacionin. Atë që po e quaj një ndër sensacionet më të mëdha që një “errata corrige” (“ndreqje gabimi” ) mund të bëjë.
Gjithçka ishte e shkruar shumë shkurt: “Nuk është e vërtetë që Hitleri e ka injoruar Owens-in apo që ka braktisë tribunën kur ai merrte medaljet në Berlin 1936”, siç shkrova edhe unë në pjesën e parë të këtij Dossier-i! Nuk po u besoja syve për këtë përgënjeshtrim të bujshëm që shfaqej mbas 80 vjetëve. Fakti vinte prej autobiografisë së Owensit “The Jese Owens Story”. Paska shkruar fjalë për fjalë vetë Owens-i: “Mbasi zbrita nga podi i fitimtarit, kalova pranë tribunës së nderit për t’u futur në gardërobën e nëntribunës. Kancelari gjerman po më fiksonte, u ngrit dhe më përshëndeti me dorë. Unë veprova po ashtu, duke ia kthyer përshëndetjen.
Mendoj se gazetarët kanë mbajtur një qëndrim të një shije të keqe, duke shpikur një armiqësi që nuk ka ekzistuar kurrë”. Një përmbysje e historisë! E kjo nuk bëhet për të shpëtuar figurën e Hitlerit, që s’ka histori që e shpëton. Kjo “errata corrige” që bën vetë Owens-i bëhet vetëm për hir të së vërtetës. E bota e informacionit, “e udhëhequr” në plot 80 vjet pa ia nda prej historianëve “kryefortë”, vazhdon të thotë të kundërtën edhe sot.
Ndërkaq, befasia tjetër vjen prej numrit të së dielës të së përditshmes së madhe “Marca” të Spanjës. Ajo kishte gjetë një mënyrë krejt origjinale për të bërë këtë “errata corrige”. Kishte botuar një foto të montuar, ku tregon se si Owens-i dhe Hitleri gëzonin së bashku njëri-tjetrin te pedena e kërcimit së gjati. Po e botojmë bashkëngjitur Dossier-it tonë që vjen ndryshon kë- sisoj, deri “disa çaste” para botimit. E nuk mund të harrojmë ndërkaq, se ka për fat ka edhe një të vërtetë tjetër.
Asokohe, në 1936, Presidenti amerikan, Franklin Roosevelt, i zënë tejet me fushatën e zgjedhjeve presidenciale, e anuloi pritjen për Owens-in që ishte parashikuar të bëhej në Shtëpinë e Bardhë. Owens-i ishte anëtar i Partisë Republikane dhe bënte fushatë për kundërshtarin e Roosevelt-it, kandidatin Alf Landon. Ndreqja historike e figurës së katër herë Kampionit Olimpik të Berlinit do të bëhej vetëm mbas 19 vjetëve, në 1955 nga Presidenti amerikan, Dwight Eisenhower, i cili e emëroOwens-in “Ambasador të Sporteve”! Edhe kështu u rishkruaka historia…
“AUDIENCA ME KANCELARIN HITLER” DHE MINISTRI DR.NUSH BUSHATI …
Siç po veprojmë edhe ne në këtë Dossier-in tonë, teksa vazhdojmë aventurën “shqiptare” të Berlinit 1936… Dhe po nëntitulloj ashtu siç ka përcaktuar shtypi shqiptar i kohës: “Audienca me kancelarin Hitler”! Ndodhi pra, që tre shqiptarët, të cilët për herë të parë përfaqësonin Shqipërinë në një Olimpiadë, të jenë në “Olympia Stadion”: dr.Nush Bushati, prof.Gaqo Gogo dhe kryeredaktori i “Sportit Shqiptar”, Anton Mazreku. Për fatin e tyre ata janë në tribunë pa përshëndetur asnjë sportist të tyrin.
Ajo që në editorialin e tij të famshëm të vitit 1936 Anton Mazreku do ta titullonte: “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”. Po Shqipëria gjithsesi ishte aty… Madje, përmes një ngjarjeje krejt të jashtëzakonshme, që simbas kërkimeve tona i përket datës 9 ose 10 gusht 1936, në ditë kulminante të zhvillimit të Olimpiadës. Adolf Hitler, Kancelari i Gjermanisë, ka pritur në selinë e tij në Berlin, dr.Nush Bushatin, ministër i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare të Shqipërisë “Vllaznia Shqiptare”.
Megjithatë, ende nuk kam arritur të di nëse Hitleri i ka pritur të gjithë kryetarët e delegacioneve olimpike të 49 shteteve pjesëmarrëse. Por është e pamundur që Hitleri me autoritetin e tij, me marrëdhëniet dyzuese, komplekse, të brishta e të fuqishme politike që mbarështronte në këtë periudhë me botën, të ketë pritur në audiencë kryetarët e delegacioneve.
Dihet ndërkaq se në Olimpiadën e Berlinit kanë qenë të pranishëm autoritete shumë më të larta se dr.Nush Bushati i Shqipërisë, të tillë si Mbreti i Bullgarisë, Princi Trashëgimtar i Italisë, Princi Trashëgimtar i Suedisë, të cilët Hitleri mund t’i ketë pritur. Por nuk përjashtohet fakti që dr.Bushati të ketë qenë i vetmi ministër i Arsimit i një shteti europian i pranishëm në Olimpiadë, sepse vetëm Shqipëria kishte organizimin e saj unikal, ku ministri i Arsimit ishte dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare, pra edhe drejtuesi i mirëfilltë i lëvizjes sportive në vend.
E, për dr.Nush Bushatin, më shumë se njohuritë sportive, rëndonin pozitat politike, sidomos të një Musa Juke, që i kishte drejtuar sportet në Shqipëri duke qenë ministër i Brendshëm apo dhe të Faik Shatkut, ndërkohë që me dr.Mirash Ivanajn dhe dr.Nush Bushatin, tashmâ gjithçka përshtatej më në logjikë me një kulturë tjetër, si të thuash arsimore e sportive bashkë.
Dr.Nush Bushati kishte lindur në Shkodër në 1896 dhe ishte bir i Gaspër Bushatit, i njohur edhe përmes një veprimtarie tregtare, ndërsa nga nëna i përkiste familjes tjetër të mirënjohur Naraçi. Shkon për studime në Vjenë për Drejtësi, por ka një pasion të madh, teatrin. Për këtë ndjek mësimet e regjisorit të famshëm, Max Goldman Reinhardt (1873-1943), njeriu që formoi Aleksandër Moisiun. Dr.Nush Bushati arrin të luajë deri në Berlin në “National Theatre at Neustrelitz” si dhe në “Insbbruck Theatre”, pa u shkëputur nga kurset e profesor Reinhardtit në Vjenë, po dhe nga veprimtaritë e tij të shumanshme politiko-shtetërore.
Mëson aktrimin, por dhe specializohet si një regjisor, çka e ushtron pak në 1929-30. Më parë, në 1922 në Vjenë, dr. Nush Bushati mbaron Drejtësinë, martohet me zonjushën Hansi Zdeborsky dhe papritmas më 1930 rikthehet në Shqipëri! Dr.Ing. Kurt Bushati, sot 80-vjeçar, një personalitet i shquar i industrisë së naftës në Austri, është i biri i tij. Deri në këtë 1936, dr.Nush Bushati duhet të ketë jetuar ndoshta gati 15 vjet në Austri, sepse këtu ai mbaron edhe shkollën e mesme.
Djalë i ri, po kaq befasisht dhe shpejt, ai ka një jetë të rëndësishme në politikën kombëtare që peshon tejet, madje qysh në 1922-23, kur 26-27 vjeç emërohet përfaqësues i Shqipërisë në Arkivin Austriak të Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Synimi ishte që të hulumtohej në arkivin e famshëm perandorak austro-hungarez për dokumente që i përkisnin historisë së Shqipërisë. Dhe mandej një jetë tejet interesante midis specializimit studimor, por me sa duket, edhe të përkushtimit të teatrit. Dhe ja fakti mjaft i rëndësishëm që për çudi, i përket vitit 1923.
Ai zgjidhet deputet i Shkodrës, me siguri duke qenë në Vjenë, në ato që njihen si zgjedhjet e Kuvendit Kushtetues. Është deputet i Qytetit të Veriut së bashku me figura të mëdha: Ambroz Marlaskaj, Hafiz Repishti, Halit Rroji, Ibrahim Gjyrezi, Hil Mosi, Iljaz Muka, Luigj Koliqi, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Nush Bushati, Pjetër Bumçi, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati. Dhe dr.Bushati është as më pak dhe as më shumë, por pikërisht sekretar i këtij Kuvendi.
Dhe përsëri në Vjenë, në 1924 si kryekonsull i Shqipërisë dhe inspektor i studentëve shqiptarë në Austri. Periudha e qeverisë së Fan Nolit! Në 1925, ai është midis deputetëve, të cilëve iu rrëzohet titulli, duke qenë se është një nga të cilët gjatë dramës së 1924-s kishte pranuar detyrë me rrogë, në këtë rast kryekonsull në Vjenë! Dhe njëkohësisht po aq pranë teatrit! Imagjinoni për asokohe: një deputet edhe aktor! Ne nuk zotërojmë të dhëna që na vërtetojnë një lidhje të dr.Bushatit me sportin.
Po është e pamundur që një njeri i teatrit, pra i kulturës në tanësi, të ketë qëndruar indiferent ndaj sportit, kur dihej ndërkaq se çfarë zhvillimi ka pasur sporti, sidomos futbolli në këtë periudhë në Austri. Duke iu rikthyer mbërritjes së befasishme të dr.Bushatit në Shqipëri në 1930, zbulojmë se ai menjëherë është sekretar i Përgjithshëm i Entit Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, prej ku më 6 qershor 1930 me dekretligj do të themelohej edhe Federata Sportive Shqiptare “Vllaznia Shqiptare”. Kësisoj duhet të pranojmë se dr.Nush Bushati është ndër të parët drejtues kombëtarë të organizatës sportive në Shqipëri.
Këtu është dhe lidhja e tij e parë institucionale me sportin kombëtar. Ta do mendja se pikërisht për shkak të njohurive dhe kulturës së tij. Për këtë nuk ka një sensacion. Sensacioni qëndron te gjesti i Ahmet Zogut, tashmâ Mbret i shqiptarëve, i cili e fton funksionarin e lartë të qeverisë së Fan Nolit, të marrë ndër duar kulturën e sportin kombëtar dhe mandej deri arsimin kombëtar! Në 1932, dr.Bushati është deputet i Dibrës së bashku me Abdurrahman Salih, Abdurrahman Dibra, Fiqri Rusi, Hafiz Xhemali dhe Jashar Erebara, gjithnjë aktiv në jetën e vendit, derisa mbërrin të emërohet ministër i Arsimit i Mbretërisë, më 21 tetor 1935, post që e mban deri më 7 nëntor 1936 kur zëvendësohet nga Abdurrahman Dibra, njeriu i cili në 1938 do të përuronte ndërtimin e Stadiumit tonë Kombëtar, që Mbreti e kishte parashikuar të ndërtohej aty ku deri para pak ka qenë stacioni hekurudhor i Tiranës, e tash është monumenti i Mbretit Zog.
Çka do të thotë se aty ku nuk arriti të ndërtojë stadiumin, Shqipëria e sotme ngriti monumentin e Mbretit. Kjo sigurisht kurrë nuk mund t’i kishte shkuar ndër mend Mbretit Zog!… “Ministri i ynë i Arsimit, z.dr. Nush Bushati, ishte në Gjermani edhe për të studiuar sistemin e organizimit t’Arësimit Gjerman. Ministri i ynë ndejti në Berlin edhe për të pamë zhvillimin e lojnave olimpike, dhe si mik nderi pati pritje të përzemërta dhe mundi të njihet personalisht me Mbretin e Bullgarisë, me Princat e Italisë e të Suedisë, si dhe me shumë diplomatë të huaj që gjënden prezentë në këto gara”.
Kështu njofton shtypi shqiptar, ndërkohë, që pritja që i bëhet ministrit Bushati prej autoriteteve gjermane qe më se e përzemërt. Dhe se autoritetet gjermane, “edhe këto herë nuk munguan të shfaqin admirimin e tyne për përpjekjet gjiganteske që po ban populli i vogël shqiptar i udhëhequn nga Zogu I, për të hyrë në radhë me popuj të tjerë në udhën e përparimit e të zhvillimit”.
Ministrit Bushati i vihet në dispozicion një veturë e posaçme gjatë gjithë kohës që ai ndjek garat e Olimpiadës, por ndërkohë ai viziton shumë shkolla e mjedise kulturore e sportive gjermane, me synimin për të marrë përvojë organizative. Ky është edhe një qëllim më vete i gjithë kësaj pranie të Shqipërisë në Lojnat e 11-ta Olimpike të Berlinit. Nuk jipen hollësira, përveç faktit se audienca krye më krye midis Adolf Hitlerit dhe dr.Nush Bushatit nuk ka qenë një takim më këmbë, por që ka zgjatur plot 40 minuta! Me gjuhën e diplomacisë shtypi thekson se midis tyre “pati një bisedim miqësor që zgjati 40 minuta”! Për çka është biseduar?
Sa ka qenë raporti politikë-kulturë- sport midis njeriut më të fuqishëm të asokohe dhe ministrit shqiptar të arsimit?… Evenimenti nuk ndalon me kaq. Rëndësia merr udhë të pandalshme, kur mëson se ministrin e Arsimit Bushati e presin radhazi ministri Jashtëm i Gjermanisë, von Neurath, madje mbi një orë në “bashkëbisedime të ndryshme”. Dhe mbas tij pritjet radhazi personalisht nga Göbbelsi dhe Geringu! Dhe dihet se cilët ishin këta…
PROF. IRFAN TËRSHANA – PERSONAZHI TJETËR I BERLINIT ‘36
Është ndarë nga jeta më 2006-n. Pati fatin të mos e shihte të rrënuar monumentin tonë të madh të kulturës, Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, të cilit më 1946-n ai i kishte dhënë “rifiniturën”. Ka qenë edhe ai në Berlinin 1936. Është fjala për të paharrueshmin prof. Irfan Tërshana, siç e kanë njohur të gjithë. E në Berlin ka dhe një prani studentësh, po dhe pedagogësh shqiptarë, doemos nën kryesinë e dr. Bushatit, i cili vjen për përvojë arsimi dhe olimpike së bashku.
Profesori i shquar i edukimit fizik, Irfan Tërshana (1905-2006), po dhe projektuesi i famshëm i objekteve sportive në Shqipëri, është shqiptari i parë i nderuar nga CIO (Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) me Urdhrin Olimpik. E të duket sikur ky nderim ka një lidhje me praninë e Shqipërisë dhe të tij në Olimpiadën e Berlinit 1936. Profesor Tërshana ka ndejë shumë ditë në Berlin. Madje, ai ka qenë para fillimit të Olimpiadës me synimin për të marrë përvojë nga ndërtimi i objekteve të atjeshme. Ky ishte njeriu të cilin qysh më 1934, Mbretëria e kishte dërguar për një muaj në Berlin për të ndjekur hap mbas hapi ndërtimet mrekulluese paraprake të stadiumeve, pishinave e palestrave të Olimpiadës së Berlinit, që do të zhvillohej mbas dy vjetëve, më 1936-n.
Dhe prapë, mû në këtë vit, 1936, ai është i pranishëm teksa i bashkohet treshes së mësipërme. Gjen inxhinierin drejtues gjerman, i cili mbas do kohe i dhuron librin e ndërtimeve të tij olimpike të Berlinit, të cilin Irfan Tërshana e ka mbajtur fshehur për gati pesëdhjetë vjet – me këtë mbishkrim: “Ia dhuroi z. prof. Irfan Tërshanës për punimet e ndërtimeve olimpike nga 15 korriku deri 15 gusht 1934, në këtë kohë të ndërtimeve të kompleksit të stadiumeve sportive për lojërat olimpike gusht – shtator 1936. * Berlin, nëntor 1937″.
Njeriut të parë që ia ka treguar këtë ka qenë autori i këtij shkrimi, më 2005. Dhe historia e Irfan Tërshanës është e pamatë, e pangjashme në krejt historinë e sportit tonë kombëtar. I përket brezit të harruar të shokëve të tij të një historie të pafund. Para tij, në Romë për të studiuar edukatën fizike kishin shkuar dhjetë shqiptarët e parë, të cilët kujtesa e 100-vjeçarit tonë do t’i shpaloste radhazi: Selman Stërmasi, Hajdar Jakupi, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Azis Rexhepi, Spiro Shuteriqi, Aqif Domini, Niko Açka, Teni Frashëri, Malo Kodra – figura të mëdha të edukimit fizik në Shqipëri, shumica të panderuar deri më sot.
Më 1929-n, Irfan Tërshana, është viti i dytë i shqiptarëve që shkojnë në ISEF-n e famshëm të Romës (Instituti i Lartë i Edukimit Fizik), pjesë e një gjashtësheje emblematike për kulturën fizike e sportet në Shqipëri: Irfan Tërshana, Adem Karapici, Mendu Agolli, Myfit Halimi, Xhevdet Skilja, Bexhet Jolldashi – të gjithë themelues të kulturës sonë fizike, njeri më i madh se tjetri. Ka problem për t’iu dhënë bursa, por Rauf Fico, ministri i Jashtëm, i del krah. Kur diplomohet e fillon në Lezhë, më 3 dhjetor 1932, si instruktor i edukatës fizike, ku nuk harron sot e kësaj dite mbështetjen e drejtorit të shkollës, Emin Kopliku, i cili ishte kunat i një themeluesi tjetër të madh të edukimit fizik, prof. Avni Zajmit.
Është Emin Kopliku – protagonisti i shquar i Ballit Kombëtar me Mithat Frashërin e Faik Qukun – figurë atdhetare që vdes në mërgim, duke lënë në persekutim familjen në Shqipëri… Prej këtu, prof. Tërshanën e presin radhazi Berati, Shkodra, Kukësi, Tirana. Është pedagogu i shquar i edukatës fizike i Gjimnazit të Shkodrës, më vonë i atij të Tiranës, instruktori i fizkulturës i BRASH-it, inspektor i edukatës fizike, mandej projektuesi i objekteve sportive në Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve të Shqipërisë, duke ushtruar ndërmjet edhe nja tre vjet punëtorin e krahut në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës! Më parë, më 1932-33, e kishin thirrur papritmas në Romë për të ndihmuar për ndërtimin e Kampit të Rinisë “Dux”.
Mandej kishte qenë i pranishëm në Kampionatin Italian të Skermës në kinema “Barberini” dhe i takon të jetë pranë Musolinit, tejet popullor siç shfaqej në këso takimesh Duçja. Ndërkaq, Hitlerin do ta shohë krejt nga afër në Berlin, në tribunën e ceremonisë së Lojërave Olimpike. Por në jetën e tij, ndër më mbresëlënësit mbetet takimi me Mbretin Ahmet Zogu, më 1930, kur qe student. Ka qenë takimi i Mbretit me studentët që ishin jashtë vendit. Ajo që nuk i shlyhet është takimi një për një i Mbretit me secilin, duke i pyetur radhazi se nga ishin dhe ku studionin. “Të mirat që merrni atje i sillni këtu, të këqijat i leni, se kemi mjaft të këqija këtu”, u thotë Mbreti Zog, dhe këto fjalë Irfan Tërshanës i patën mbetur të pashlyeshme.
Së bashku me këtë: “Jo katolikë e myslimanë, jo toskë e gegë, por ilirë, pellazgë, shqiptarë”. Enver Hoxhën e ka takuar në vitet ’70, gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, kur diktatorit të pamëshirshëm i qe mbushë mendja me i dhënë stadiumin qytetit të tij të lindjes. I ishte tiposur, që stadiumi të ndërtohej diku në mes të qytetit. Dhe i kujtohet Irfan Tërshana, të cilin e thërrasin me urgjencë në Gjirokastër. Prof. Tërshana nuk i njeh emocionet në këto lloj takimesh. Kishte “takuar” Hitlerin, kishte folur me Duçen, kishte ndejë me Ahmet Zogun. Dhe ishte tre vjet më i moshuar se Enver Hoxha. Kur përshkohej në çështje profesioni, ai harronte se kë kishte përpara. “:Jo, shoku Enver. Stadiumi i Gjirokastrës duhet ndërtuar atje poshtë….”.
Enver Hoxha nuk kundërshtoi… Irfan Tërshana kishte vënë dorë kësisoj edhe në stadiumin e Gjirokastrës, i fundit i tij. Detyrohem të përsëris: 18 stadiume, 4 hiprodrome, 3 pishina, 375 objekte të ndryshme sportive. Tiranë, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Elbasan, Durrës, Krujë, Kavajë… Të gjitha këto veprimtari edhe të tija të Mbasluftës. E kishte filluar për çudi në Shkodër, me ndërtimin nga themelet të Stadiumit të Parë mbas vitit 1944 në Shqipëri, atij të Shkodrës, ashtu si më 1936-n me kompleksin e Gjimnazit të Shkodrës deri me pistë atletike!
Atë që sot, më 2016-n, nuk e ka një për be, as kryeqyteti Tiranë. Më 1946-n qe njëri prej atyre që i dhanë pra rifiniturën Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” të saporrënuar këto ditë, duke vendosur për t’i hequr vlerën olimpike të tij, që është pista e atletikës së lehtë. Kësi “bosash” arrogantë ka sot Shqipëria jonë. Më 1993-shin, CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) i ka dhënë Irfan Tërshanës trofeun e tij, “Sporti dhe Ambienti”.
Dhe Shqipëria e tij, që e ka shpallë 90 vjeç “Mësues të Popullit” më 1995-n, “Nderi i Sportit Shqiptar” më 1999-n, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës” më 2000-shin e deri tek Urdhri Olimpik nga KOKSH në 100-vjetorin e lindjes, më 2005-n. Rrallë njeh historia e njerëzimit që një njeri të nderohet kësisoj në dekadën e dhjetë të jetës së tij! Irfan Tërshana ka qenë tre vjet më i madh se Anton Mazreku. Kishin një miqësi të fortë dhe Olimpiada e Berlinit i lidhi edhe më fort. Po aq me ministrin dr. Nush Bushatin dhe prof. Gaqo Gogën, me të cilin, befasisht pra, kishin formuar katërshen tonë “berlineze” të Olimpiadës 1936…
Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë në qytetin e Milanos, Itali, ish futbollisti i talentuar i Elbasanit, Dinamos, dhe i kombëtares Shpresa të Shqipërisë, Bashkim Tirana.
Kolegët dhe sportdashësit, e mbajnë mënd si një mesfushor sulmues puntor, teknik, që sakrifikonte shumë për ekipin ku luante. Ishte një talent i zbuluar, nga grupi i fëmijve dhe i të rrinjve që përgatiste në atë kohë, Mjeshtëri i Sportit Shefqet Lamçia, dhe që e ofruan në ekipin ”Labinoti” përfaqësues të qytetit të asaj kohe, në mezin e viteve gjashtëdhjetë.
Bashkim Tirana mbahet mënd në evenimentin e inagurimit të stadiumit të ri në qendër të Elbasanit, me një gol spektakolar të realizuar ndaj ekipit Flamurtari të Vlorës. Më pas kaloi tek skuadra kryeqytetase ”Dinamo”, ku luajti në mesfushë përkrah emrave të mëdhenj të futbollit të asaj kohe, si Iliaz Çeço, Faruk Sejdini, Ilir Përnaska e plot të tjerë, që lanë gjurmë dhe mbetën emblema në jetën sportive të atyre viteve.
Bashkim Tirana është grumbulluar edhe disa herë më ekipin ”Shpresa” të kombëtares sonë. Ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare jashtë vendit, me ekipet ku luante, si në Kinë, Rumani, Bullgari, Maqedoni… në vitet shtatëdhjetë.
Me Elbasanin ka luajtur me një brez tê talentuar futbollistësh si N.Hysi, E.Ibërshimi, A.Sejdini, K.Dalipi, vëllezërit Gjika, F. Jorgaqi, S. Mitrollari, Gj.Babani, Gogunja dhe N.Duçka…
Prej shumë vitesh jetonte larg atdheut, por pasioni për futbollin deri në moshë të thyer, e bëri që të drejtonte ekipe fëmijësh, kryesisht italianë dhe emigrantë, për gati dy dekada. Ndjehej i vlerësuar dhe i nderuar në komunën ku jetonte, si edhe ngashtypi sportiv i regjionit të atij vendi.
Mbeti gjithmonë një prind shëmbullor dhe një njeri fjalëpak e i dashur për të gjithë, jo vetëm për elbasanasit.
Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit akuzohet për një krim të sulmit seksual dhe të përfrikësimit
VOAL- Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, mund të kalojë dy vjet e gjysmë në burg për puthjen jo konsensuale me kampionen e botës, Jennifer Hermoso dhe frikësimin e mëpasshëm. Kjo është të paktën kërkesa për dënim nga prokuroria e gjykatës kombëtare të Audiencia Nacional.
Sipas prokurores publike Marta Durantes, puthja e dhënë nga Rubiales ndaj Hermoso-s gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Kupës Botërore të Futbollit për Femra më 23 gusht dhe presioni i mëpasshëm që futbollistja të deklaronte se ishte konsensuale, përbën një krim të sulmit seksual dhe të përfrikësimit.
Prokuroria kërkon gjithashtu për përfrikësim dënimin me një vit e gjysmë burg për drejtorin sportiv të kombëtares së meshkujve, Albert Luque, për ish-trajnerin e përzgjedhjes së femrave, Jorge Vilda dhe për ish-menaxherin e marketingut të Federatës së Futbollit, Ruben Rivera.
“Situata e përfrikësimit nga të akuzuarit kundër Hermoso ndodhi kur i akuzuari Luis Manuel Rubiales Bejart u pezullua përkohësisht nga FIFA më 26 gusht 2023… Faktet e përshkruara bënë që Jennifer Hermoso Fuentes të përjetonte një situatë ankthi dhe stresi intensiv që zgjati për disa muaj”, thuhet në prokurori.rsi-eb
Mario Mitaj është një nga lojtarët më të mirë të Shqipërisë. Mbrojtësi kuqezi, me paraqitjet e tij, i ka dhuruar siguri kombëtares në prapavijë, në ndeshjet më të rëndësishme. Në një intervistë të dhënë në Rusi, Mitaj nuk heziton të flasë me përulësi për atdhe-dashurinë dhe natyrisht për kalimin nga AEK te Lokomotiva e Moskës.
“Kam pasur një situatë të vështirë në Greqi. Problemi me futbollin grek është se ata nuk u besojnë fare lojtarëve të rinj. Ata presin menjëherë një paraqitje të jashtëzakonshme nga një djalosh i ri në ndeshjen e tij debutuese. Praktikisht nuk ka asnjë shans për gabim, nëse dilni dhe nuk tregoni asgjë, ata fillojnë t’ju ‘marinojnë’ në një kavanoz. Për shkak të kësaj, shumë djem të rinj u mërzitën dhe i dhanë fund karrierës së tyre në futboll.
Jam përballur edhe me këtë tmerr. Në sezonin tim të parë për AEK-un në moshën 17-vjeçare kam luajtur rreth 30 ndeshje, por në sezonin tjetër kam luajtur vetëm dy. Oferta nga Lokomotiva ishte një frymë e freskët për mua, një shans për t’u larguar përgjithmonë nga një vend ku ata nuk besojnë në mua. Për më tepër, në atë kohë Premier Liga Ruse ishte liga e 6-të në Evropë. Preferoj të punoj në gjëra që mund të më bëjnë më të shpejtë, më fleksibël dhe më teknik. Unë nuk jam një bodybuilder për të patur parësore masën muskulore. Në artet marciale, muskujt nuk luajnë gjithmonë një rol kryesorë, ato mund të fitohen me dinakërinë dhe teknikën. Një futbollist i dobët mund të jetë mirë për shkak të inteligjencës së tij. Disavantazhet në Rusi? Gjëja e parë është bllokimi i trafikut. Unë jam mësuar tashmë! Së dyti, çmimet e larta për pothuajse gjithçka (përveç benzinës). Jeta në Moskë është shumë më e shtrenjtë se në Greqi. Dhe së treti, kamerat që kontrollojnë shpejtësinë. Kjo është absolutisht e tmerrshme, si arrijnë t’i kapin të gjithë kështu? Vitin e kaluar kam pasur 5-6 gjoba.
Unë kam lindur në Athinë, por jam shqiptar. Fakti që kam lindur në Athinë nuk më bën grek. Kam shumë miq atje, flas greqisht dhe e dua atë vend për mundësitë që ka dhënë për mua dhe familjen time. Por unë dashuroj më shumë Shqipërinë time, jam një patriot i atdheut tim. Kur shoh flamurin shqiptar dhe flas me shqiptarë, mbushem me një ndjenjë krenarie”, – tha ai.bw
Gjeorgjia ka shkruar historinë, teksa është kualifikuar për në Europian për herë të parë. Gjeorgjianët eliminuan Greqinë, falë penalltive. 120 minutat e luajtura në “Boris Paichadze Dinamo Arena (Tbilisi)” përfunduan pa gola, ndërsa gjithçka u vendos pas penalltive.
Pjesa e parë ishte shumë e kujdesshme, me të dy skuadrat që kishin frikë nga pësimi i golit. Në 45 minutat e para, grekët nuk goditën asnjëherë në portën e mbrojtur nga Giorgi Mamardashvili, ndërsa 1 gjuajtje në kuadrat numëroi ekipi i Sagnol.
As pjesa e dytë nuk prodhoi gol, me ekipet që iu drejtuan shtesës. As 30 minutat shtesë nuk sollën ndryshim rezultati, teksa fati i kualifikimit u vendos pas ekzekutimit të penalltive. (VIDEO)
Kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur 1:0 Armeninë në një ndeshje miqësore të premten në kryeqytetin armen, Jerevan, në atë që ishte debutim për trajnerin e ri të verdhekaltërve, Franco Foda.
Milot Rashica e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për ta nisur epokën e trajnerit gjerman në kampin e “Dardanëve” në stadiumin republikan “Vazgen Sargsyan” në Jerevan.
Kosovarët ishin më të mirë se vendësit në përgjithësi dhe krijuan më shumë raste shënimi, por nuk ishin në gjendje t’i konkretizonin ato.
Në fillim të shkurtit, Foda nënshkroi kontratë dyvjeçare e gjysmë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila do ta mbajë atë në krye të ekipit kombëtar kosovar deri më 31 qershor 2026.
Përballja me Armeninë ishte e para nga dy miqësore që Kosova i luan këtë muaj. Ajo do të përballet me Hungarinë të martën në Budapest.
Emërimi i Fodës e ka ngjallur entuziazëm sadopak në komunitetin e futbollit kosovar, i cili është ende në pritje të kualifikimit të Kosovës në një turne të madh për herë të parë prej se u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.
Foda është ish-futbollist, ndërsa si trajner i ka udhëhequr disa klube austriake, gjermane dhe zvicerane. Ai ishte për një kohë edhe në krye të Kombëtares së Austrisë.
Ai e mori në dorë ekipin kombëtar të Kosovës në kohë për t’u përgatitur për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve, që nis në shtator, si dhe për kualifikimet për Kupën e Botës 2026, që nisin në mars 2025.
Kosova vjen nga një fushatë zhgënjyese kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 vitin e kaluar nën drejtimin e ish-trajneri Alain Giresse, pasi u radhit e parafundit në Grupin I kualifikues, me 11 pikë nga 10 ndeshje.
Kjo u cilësua si ndër dështimet më të mëdha të Kombëtares prej ekzistencës së saj.
Kosova nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një turne të madh futbolli, si Kupa e Botës apo Evropiani, dhe fushata e fundit kualifikuese për EURO 2024 shihej si shansi më i mirë deri tani në katër fushata kualifikuese për këto dy gara.REL
Futbollisti do të mund të lirohet nga burgu në pritje të apelit, por do të duhet të paguajë një milion euro dhe të dorëzojë pasaportat.
VOAL- Dani Alves, një ish-futbollist brazilian i dënuar në shkallë të parë në Spanjë me katër vjet e gjysmë për përdhunim të një gruaje, do të mund të largohet nga burgu ku u vendos në paraburgim në janar 2023, me një kusht prej një milioni. euro.
Kjo u konstatua nga Gjykata Provinciale e Barcelonës, të cilës Alves i kishte bërë një kërkesë në pritje të apelit.
Gjithashtu, gjykata vendosi ndaj tij, në rast të pagesës së garancisë, heqjen e dy pasaportave që dispononte (spanjolle dhe braziliane), detyrimin javor për të firmosur dhe largimin e të paktën 1000 metrave nga viktima, në pritje të zhvillimeve të gjyqin ndaj tij.rsi-eb
Një prej yjeve më të shndritshëm të futbollit korçar dhe kombëtar, mjeshtri Teodor Vaso nga sot do të shkëlqejë lart në qiell, krah yjeve të pashuar korçarë si Pilo Qirinxhi, Teli Samsuri, Tato Bimbli, Veteran Topçiu e shumë të tjerë, që nuk janë më midis nesh, por kujtimi i të cilëve do të mbetet i paharruar.
Largimi në jetën e përtejme i legjendës së “Skënderbeut”, “Partizanit” dhe Ekipit Kuqezi është përjetësim i arritjeve të tij të jashtëzakonshme dhe trashëgimisë të vyer sportive që la pas.
Në qytetin, ku lindi, rriti dhe perfeksionoi talentin e spikatur sportiv, Teodor Vason e njihnin të gjithë, sapo t’a shihnin apo t’ia dëgjonin emrin!
Ai ishte dhe do të mbetet Krenaria e Korçës!
Kampion në futboll dhe kampion i qytetarisë korçare, ai do të kujtohet me respekt për gjithçka bëri për të lartësuar emrin e qytetit dhe flamurin kombëtar në arenat më prestigjioze sportive botërore.
Falë cilësive njerëzore, aftësive dhe dhuntive të rralla sportive, shpirtit të lartë të garës dhe sakrificës, por edhe karakterit, forcës morale dhe vlerave qytetare, si mësues dhe trajner i përkushtuar i brezave të futbollistëve të rinj, Teodor Vaso ishte Yll jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
Si futbollist profesionist i stilit modern, që revolucionarizoi në vitet ’60-’70 rolin e mbrojtësit të krahut duke e transformuar atë edhe në sulmues taktik, ai mund të luante dhe të shkëlqente në çdo skuadër elitare europiane të kohës.
Personalitet i padiskutuar në fushën e blertë, me teknikë racionale, mbrojtës i kompletuar, i sigurt, luftarak dhe i pakalueshëm, me një konstrukt dhe rezistencë fizike për t’u admiruar, i disiplinuar në veprimet taktike dhe i befasishëm në daljet aktive në sulm, i saktë dhe i ndershëm në ndërhyrje dhe preciz në shënim golash, ai ishte një shembull i madh frymëzimi për brezat e sportistëve të rinj.
Arti i lojës magjike të Teodor Vasos me topin ishte një burim konstant emocionesh të forta për tifozët, duke i mbushur me gëzim dhe optimizëm në një periudhë të errët dhe të vështirë për Shqipërinë e aso kohe.
Pjesë e pandarë një plejade të artë lojtarësh të viteve ’60-’70, ai shkroi së bashku me ta një nga faqet më të ndritura të historisë së futbollit kombëtar, për të cilën i meritoi duartrokitjet dhe nderimin më të madh.
Ndaj dhe ikja e tij pa kthim la pas shumë pikëllim dhe dhembje, pasi të shumtë janë tifozët personalë dhe dashamirësit e tij.
Sidomos pas barazimit historik 0-0 në vitin 1967, të Shqipërisë me Nënkampionen e Botës R.F.Gjermane, tek Teodor Vaso u përshtatën më së miri vargjet frymëzuese: “Lumja ti moj Korçë lule, që le pas shoqet e tua, si trimi në ballë u sule, ta paçim përjetë hua!”.
Sepse i dëmtuar rëndë për rreth 70 minuta, ai qëndroi i pathyer përballë kundërshtarëve gjermanë, si hero i vërtetë, duke u shndërruar në atë kohë në një legjendë të gjallë për shembullin e sakrificës, pasi nuk braktisi ekipin por vazhdoi lojën, duke u skalitur me këtë model frymëzues në memorien sportive kombëtare dhe jo vetëm.
Protagonist në atë ndeshje historike, i paharruari Ramazan Rragami e kujtonte kolegun Vaso duke theksuar se: “Megjithëse Todoja kishte pësuar një traumë të fuqishme, ai qëndroi në lojë, pranë shokëve të ekipit duke u bërë një shembull i sakrificës deri në mbarimin e ndeshjes”.
I madhi Mexhit Haxhiu ka shkruar se “Në ndeshjen e Kupave të Europës, Shqipëri – R.F.GJ 0-0, Teodor Vaso u kthye në personazh historik, protagonist i asaj ‘Ngjarje të Madhe’, jo vetëm për kontributin në lojë, por edhe për sakrificën tij, i dëmtuar rëndë, ai nuk doli nga fusha”.
Ndërsa komentatori i papërsëritshëm, Ahmet Shqarri kujton: “Ngjarja e atij viti të largët 1967 në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë kundër Gjermanisë së famshme të trajnerit Helmut Shën do të mbetet e paharrueshme për të gjithë të pranishmit, por edhe një lloj embleme për Teodor Vason, kur thuajse gjatë gjithë lojës u detyrua të luante i fashuar në pjesën më të madhe të trupit, duke përballuar në një gjendje të pabesueshme shëndetësore atë lojë të suksesshme, që sot e kësaj dite vazhdon të mbetet si një nga mrekullitë e futbollit shqiptar”.
Barazimi historik me R.F.Gjermane në 1967 dhe skualifikimi i saj e futën Shqipërinë e izoluar për herë të parë në hartën e futbollit europian për të vijuar me ndeshjet e “17 Nëntorit” me Ajaksin e shumë surpriza të tjera të pabesueshme më parë.
Për herë të parë brezi i papërsëritshëm i Teodor Vasos, Koço Dinellës dhe shokëve të tyre lanë pas inferioritetin që vinte nga izolimi e prapambetja e regjimit absurd dhe me talentin e jashtëzakonshëm dhe vetëbesimin e tyre i treguan botës se Shqipëria kishte vendin e saj në Europë në futboll.
Vetëm 15 vite më vonë në Trir të Gjermanisë do të përsëritej një barazim historik midis Kombetarëve Shpresa të Shqipërisë dhe Gjermanisë, që jo vetëm do të skualifikonte gjermanët, por do të kualifikonte Shpresën e Shqipërisë me në krye Demollarin në 8 ekipet më të mira të Europës.
Ishte koha kur Shpresa që drejtohej nga trajneri i paharruar Ramazan Rragami do të sillte një Shqipëri jo vetëm sfiduese por edhe fituese.
Ishte pikërisht ky trajner i madh i cili kishte qenë protagonist i Kombëtares të barazimit historik me R.F.Gjermane në 17 dhjetor 1967 si titullar në fushën e blertë.
Ishte kjo Shpresë që solli një Kombëtare tjetër e cila mundte Belgjikën, barazonte me Poloninë dhe synonte të kualifikohej në botëror.
Gjatë karrierës së pasur futbollistike, legjenda Teodor Vaso shënoi 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ishte përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me Kombëtaren Shqiptare, 15 ndeshje me “Partizanin” dhe 3 me skuadrën korçare.
“Për talentin e rrallë dhe cilësitë e jashtëzakonshme si futbollist; për kontributin e spikatur në historinë e ekipit ‘Skënderbeu’ dhe në veçanti si titullar i Ekipit Kombëtar”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e dekoroi me titullin e lartë shtetëror “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Për kontributin dhe trashëgiminë e tij të vyer për futbollin shqiptar, ai i ka merituar më shumë vëmendje institucionale, sidomos nga Qeveria që nuk ia dha kurrë, por edhe nga Bashkia e Korçës që duhet ta shpallë “Qytetar Nderi”, një rruge t’i vendosë emrin e tij ose t’i ndërtojë një bust pranë stadiumit “Skënderbeu”!
Do t’i mbetemi borxh përherë Teodor Vasos, kësaj figure të madhe historike të qytetit të Korçës, që i dha dritë futbollit shqiptar kur vendi ishte në errësirë.
Ndaj rrënjët e sukseseve të sotme të futbollit tonë duhen kërkuar te vlerat e atij brezi të papërsëritshëm të Teodor Vasos me shokë, që e kanë vendin në Panteonin e Nderit e Vlerave Kombëtare dhe që meritojnë vëmendjen dhe nderimin dinjitoz shtetëror.
Ndahet nga jeta legjenda shqiptare e futbollit korçar Teodor Vaso. Vaso është ndarë nga jeta në moshën 83-vjecare.
Heroi i përfaqësueses shqiptare do të mbahet mend për shumë episode të veçanta në jetën e tij por më i veçanti ka qenë në ndeshjen e vitit 1967 ku luajti për 30 minuta me këmbë të vrarë dhe të ënjtur kundër Republikës Federale Gjermane.
Njëri nga 5 sportistët më të mirë të vitit 1968 në përbërje të ekipit Kombëtar të futbollit shqiptar për rezultatin e jashtëzakonshëm në barazimin 0-0 me kampionen e botës, RF Gjermane.
Më 17.12.1967 është cilësuar ndër 11-të më të mirët të futbollit shqiptar, në 55- vjetorin e futbollit tonë, të botuar në gazetë. Gjithashtu është cilësuar futbollist i shekullit i Korçës në vitin 1998 e gjithashtu është dekoruar me medaljen e artë për merita të shquara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Ka bërë 46 ndeshje ndërkombëtare, nga këto 20 me ekipin përfaqësues (Kombëtaren), si lojtari me më shumë ndeshje të futbollistëve korçarë, sipas statistikave zyrtare të botuara.bw
Si kurrë më parë, futbolli shqiptar po prodhon shumë sulmues, mjafton të shohësh listën e Sylvinho-s dhe “bomberat” e tjerë që janë në qarkullim. Dy prej tyre janë edhe vëllezërit Shpendi, Stiven dhe Cristian, ky i fundit nuk di të ndalet teksa në Serie C ka realizuar jo pak por 20 gola. Pavarësisht se militon në kategorinë e tretë italiane, me ekipin e Cesena-s, Cristian i ka të gjithë të dhënat për të bërë hapa të mëdhenj në karrierë, për këtë është i bindur ish sulmuesi i famshëm kuqezi, golashënuesi më i mirë i të gjithë kohërave me ekipin kombëtar, Erjon Bogdani.
Në një intervistë për mediat italiane, Bogdani foli me fjalë të mëdha për Cristian: “Po zhvillon një kampionat fantastik, numrat flasin qartë, por nga këtu e deri në përfundim të sezonit jam i sigurt se do të rriten. Ai është një futbollist shumë i mirë, për më tepër që është shumë i ri dhe ka hapësira për t’u përmirësuar. E ardhmja në Serie A? Ai ka talent dhe mund të arrijë larg, por nëse do të isha si ai, duke parë dhe vështirësinë që po has vëllai i tij, Stiven, tek Empoli, do t’i këshilloja që të luante një vit në Serie B”, u shpreh Bogdani, duke bërë në fund dhe në krahasim me vëllain e tij, Stiven, kush është më lart?
“Nëse do më pyesnin më herët do të thosha Stiven, por tani them Cristian. Të dy binjakët janë sulmues me vlera, sulmues të fortë, por Cristuan në sytë e mi është një sulmues më modern”, u shpreh Bogdani, duke pjesë e Cesena-s.
Serbi u mposht në tri sete nga humbësi fatlum italian Luca Nardi
VOAL- E bujshme në Indian Wells: Novak Gjokovic (ATP 1) u eliminua në raundin e tretë nga një humbës me fat! 5 herë fitues i Masters 1000 të parë të sezonit, 36-vjeçari serb u përkul në mënyrë të jashtëzakonshme ndaj italianit Luca Nardi (123) në fund të një beteje që zgjati mbi 2 orë e 20 minuta me rezultatin 6-4 3. -6 6- 3.
20-vjeçari nga Pesaro, fituesi i Lugano Challenger më 2022, ofroi një paraqitje vërtet solide, duke shfrytëzuar në maksimum lojën tepër mbrojtëse të Noles dhe pasiguritë aktuale, i cili u detyrua të pranonte humbjen. Nardi bëhet kundërshtari më i dobët në renditje që ka mposhtur Gjokoviçin në një Slam ose një 1000 dhe vetëm humbësi i tretë me fat në histori që rrëzon një numër një të botës në një turne të këtij niveli. rsi-eb
Nej Alvesh, vëllai i Dani Alvesh ka reaguar në rrjetet sociale pasi në natën e mbrëmshme u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale një informacion se ish-futbollisti brazilian kishte vrarë veten në burg. Lajmi i pakonfirmuar u përhap nga një gazetar brazilian, i cili më pas kërkoi falje duke insistuar se kishte pasur një gabim emri
Por vëllai i ish-futbollistit, e ka cilësuar si mizore atë që po ndodhte me Dani Alvesh, i cili muajin e kaluar u dënua me katër vite e gjysmë burg për përdhunimin e një të reje në një diskotekë në Barcelonë.
“Sa shumë mizori mund të kenë qeniet njerëzore? Ai u dënua për fjalët e një gruaje e cila hyri në banjën e meshkujve që të bënin diçka që vetëm ai dhe ajo e dinë se çfarë. Ai u dënua. A nuk mjafton kjo?”, tha ai fillimisht në një video të shpërndarë në Instagram.
“Nuk mjafton. Tani gjëja e çmendur është se e duan të vdekur. Si mund të jeni kaq mizorë? Babai im është mbi 70 vjeç. Nëna ime është mbi 60. A nuk kanë ata familje? Këto faqe që vazhdojnë e përhapin këto gjëra. Zoti pastë mëshirë për ju”, ishin fjalët e tij për vëllain, të cilit me një postim tjetër i uronte shëndet e jetëgjatësi.
Komentet