VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

O’Connell: Disa shtete kanë tërhequr njohjet për Kosovën

By | November 8, 2018

Komentet

Lëvizja Vetëvendosje fajëson pushtetin për mosanëtarësim të Kosovës në INTERPOL

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë në një konferencë për media se liderët që udhëheqin Kosovën janë fajtorët më të mëdhenj për mosanëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

“Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë, e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu ka theksuar se hapi i parë që dëshmon se palët janë të interesuara për një marrëveshje finale është pushimi i “luftës” në terren.

“Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë? Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe”, është shprehur ai.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila përfaqëson këtë parti, Albulena Haxhiu ka folur për konfuzionin që kanë shkaktuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli me siç është shprehur dobësinë e treguar karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, është shprehur ajo.

Sipas këtij subjekti politik, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin Thaçit në “aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë”.

Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që po mbahet në Dubai.

Lufta ekonomike Kosovë – Serbi (tabela)

Luljeta Krasniqi – Veseli

Vendosja e taksës mbrojtëse prej 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia, si dhe ndalimi i shitjes dhe importit të produkteve që nuk i referohen Kosovës si shtet, pritet të mos jenë masat e fundit që Kosova do t’iu vë produkteve të Serbisë.

Një grup i deputetëve kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për një debat parlamentar lidhur me nevojën urgjente për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti.

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova si shtet duhet të përgjigjet ndaj çfarëdo agresioni nga një shteti tjetër, në këtë rast nga Serbia.

Deputeti Korab Sejdiu, iniciues i kësaj nisme, thotë se “Serbia kohëve të fundit ka ndërmarrë një fushatë shumë të egër ndaj Kosovës” dhe kjo e ka nxitur atë që të kërkojë masa reciprociteti.

“Të fillojmë të veprojmë si shtet dhe këtë ide e kanë përkrahur edhe deputetë të tjerë. Synimi ynë është që ne të mos jemi financues të kësaj fushate të ashpër të Serbisë përmes 400 milionë euro në vit që ne ia dhurojmë ekonomisë serbe dhe e cila pastaj i përçohet Qeverisë serbe për të investuar në destabilizim të Kosovës, përfshirë edhe në betejën në mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL”, thekson Sejdiu.

Kosova vazhdon të importojë nga Serbia produkte në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit, ndërkohë produktet e Kosovës në shtetin e Serbisë në vazhdimësi hasin në barriera të shumta, ku edhe vlera e eksportit të produkteve të Kosovës në Serbi është jo më shumë se 48 milionë euro në vit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se në rast të një vendimi të Kuvendit të Kosovës për embargo ndaj produkteve të Serbisë, do ta procedonin atë.

Shala shton se Kosova do të mund të zëvendësonte të gjitha produktet të cilat importohen nga Serbia.

“Kosova ka produkte edhe vendore, por edhe bizneset kosovare në mënyrë shumë të lehtë mund që produktet nga Serbia t’i zëvendësojnë me produkte fillimisht vendore, që janë edhe nga kualiteti më të mirë sesa produktet nga Serbia, por edhe nga çmimet. Po ashtu, edhe produktet të cilat Kosova nuk i ka bizneset kosovare, shumë lehtë mund t’i marrin nga vendet tjera”, thotë Shala.

Vendimi i ministrit Shala për vendosjen e taksës 10 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kishte nxituar shqetësime në Bruksel se po shkelet Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA.

Por, një vendim i tillë, është përkrahur në Kosova nga të gjithë përfaqësuesit e bizneseve dhe ekspertë të fushës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se vendosja e një embargoje për produktet e Serbisë do të kishte efekte jashtëzakonisht të vogla në ekonominë e Kosovës, pasi sipas tij, ekonomia e Kosovës pjesën kryesore të lëndës së parë e ka nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa Serbia me gjithë mekanizmat e saj politikë, institucionalë dhe ekonomikë e lufton shtetin e Kosovës edhe shteti i Kosovës duhet të përdorë mekanizmat që i ka në dispozicion për t’iu kundërvënë këtij sulmi të egër që po bën Serbia, e i cili fatkeqësisht po bëhet edhe me heshtjen e Bashkimit Evropian”, thekson Gashi.

Ndërkohë Deputeti Korab Sejdiu shton se në vazhdimësi nga Kosova është kërkuar që të jetë pala më mirëkuptuese karshi Serbisë, por, kjo që është duke ndodhur tani, shton Sejdiu, është që miqësia e Kosovës është duke u trajtuar si dobësi.

“Jemi në një situatë që nuk kemi zgjidhje që të ndërrojmë qasjen tonë ndaj Qeverisë së Serbisë dhe një fillim i mbarë do të ishte që ne mos të furnizojmë me mbi 400 milionë euro në vit ekonominë serbe. Unë besoj fuqishëm që në momentin që do të impononim një embargo të tillë, do të rritej presioni në Qeverinë e Serbisë që të ndalojë sulme dhe agresion të hapur që po bën ndaj Kosovës, jo vetëm në sferën ndërkombëtare, por edhe brenda shtetit tonë, në veçanti në katër komunat veriore”, thekson Sejdiu.

*Video: Hashtag – A do t’i bojkotoni produktet e Serbisë dhe Bosnjës?

Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me Serbinë, janë përcjellë në vazhdimësi me probleme të shumta.

Serbia vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, pati ndaluar produktet e Kosovës në tregjet e saj, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

Festime në Mitrovicën e Veriut pas mospranimit të Kosovës në INTERPOL

Pamja nga Mitrovica e Veriut duke festuar mospranimin e Kosovës në Interpol.

Qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut kanë festuar mospranimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

Disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut janë parë të kenë festuar, teksa kanë parakaluar me makinat e tyre, ku kanë vendosur flamujt kombëtarë serbë.

Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL, pasi nuk arriti që t’i sigurojë dy të tretat e votave, sa ishin të nevojshme për pranimin në këtë organizatë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që u mbajt të martën në Dubai, në raundin e parë të votimeve, Kosova arriti të marrë 76 vota për, 56 votuan kundër, ndërkaq, 22 abstenuan. Ndërkaq, në raundin e dytë të votimeve, Kosova siguroi 68 vota për, 51 kundër dhe 16 shtete abstenuan.

Zyrtarët në Prishtinë, lidhur me mospranimin e Kosovës në këtë mekanizëm fajësuan “fushatën e egër” të zhvilluar nga Beogradi zyrtar kundër pranimit të Kosovës.

Që nga viti 2010, Kosova ka tentuar që të anëtarësohet në INTERPOL, por atë vit, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Ndërkaq më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Vitin e kaluar, më 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Pacolli: Kosova, të martën, bëhet anëtare e INTERPOL-it

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh optimist se Kosova nga nesër do të jetë anëtare e organizatës policore ndërkombëtare – INTERPOL.

“Vota pro është votë e merituar për Kosovën si shtet që është duke u konsoliduar çdo ditë; të qenët në organizatën e INTERPOL-it është jashtëzakonisht me rëndësi për Kosovën dhe konsideroj se është ndoshta ngjarja më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë”, tha Pacolli.

Ai i bëri këto komente në Dubai, ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjihtshme e INTERPOL-it.

Aty pritet që nesër të votohet edhe për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Ne kemi informata se Kosova është në një pozicion shumë të mirë. Shpresoj që të mos ketë surpriza negative. Nesër, Kosova, që nga ora 11:00, sipas kohës lokale, do te jetë anëtare e INTERPOL-it. Shumë shtete e kanë premtuar votën, por votimi është i fshehtë”, tha Pacolli.

Për anëtarësim në INTERPOL, Kosovës i duhen dy të tretat e votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme.

Kërkesën e parë për anëtarësim, Kosova e kishte paraqitur në vitin 2010, kurse të dytën më 2015 dhe në të dyja rastet nuk arriti të hyjë në agjendë për votim.

Më 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për shkak që nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme “për”.

Ndalohet shitja e prodhimeve në vendet që nuk i referohen Kosovës si shtet

Ilustrim

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala, përmes një urdhërese, kërkoi nga operatorët ekonomikë që menjëherë t’i largojnë nga tregu prodhimet që nuk i referohen Kosovës si shtet.

Shala kërkoi edhe nga Dogana e Kosovës që të mos lejojë hyrjen në Kosovë të prodhimeve të tilla.

“Pas raportimeve të qytetarëve dhe po ashtu pas inspektimeve dhe vërtetimit të gjendjes nga ana e Inspektoratit të Tregut, që kanë hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin ‘Kosovë/o dhe Metohi’, ‘Kosovë/o UNMIK’ apo ‘Kosovo/a Rezoluta 1244’, ministri Shala ka lëshuar urdhëresë që ndalon shitjen e këtyre produkteve nëpër pikat shitëse dhe hyrjen e tyre në Kosovë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Ministra e Tregtisë dhe Industrisë.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 10% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Mbi 60 dosje për krime lufte dorëzon Gjakova në Prokurorinë Speciale të Kosovës

Prishtinë

Grupi i shoqërisë civile për mbledhjen e dokumenteve të krimeve të luftës në Kosovë dorëzoi të hënën 61 dosje në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Udhëheqësja e këtij grupi, Shkëndije Hoda, tha se ky është kontingjenti i shtatë i dosjeve që janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

“Janë 61 dosje me 100 dëshmi. Ne po vazhdojmë ende të marrim dëshmi nga qytetarët e Komunës së Gjakovës. Po e shohim se e kemi edhe përkrahjen e Prokurorisë dhe policisë për krime lufte”, tha Hoda për gazetarët pas dorëzimit të dosjeve në Prokurori.

Sipas saj, në Komunën e Gjakovës policia tashmë ka nisur t’i marrë në pyetje dëshmitarët.

Për 10 vite mbi 45 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia

PRISHTINE – Mbi 45 mijë shtetas kanë hedhur dorë nga shtetësia kosovare që nga shpallja e pavarësisë e deri sot. Ky fakt është bërë i ditur nga shifër Ministria e Punëve të Brendshme kosovare.

Udhëheqësi i Divizionit për Shtetësi në MPB, Liridon Neziri tha se nga viti 2009, rreth 5 mijë persona për çdo vit kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Sipas Nezirit, për arsye se disa vende të Bashkimit Evropian ku jetojnë qytetarët e Kosovës nuk lejojnë dy shtetësinë.

“Mbi 45 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, flasim në total, nga viti 2009 deri në këto momente kur po flasim. Kjo nuk ndërlidhet asgjë me trendët e fundit të personave që dëshirojnë të jetojnë në një shtet të Bashkimit Evropian, por lidhet kryesisht me emigracionin që ne kemi pasur ndër vite dhe me personat që tashmë kanë krijuar një bazë në shtetet e BE-së. Janë integruar atje dhe dëshirojnë të jetojnë atje. Kjo nuk ndërlidhet as me procesin e liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë, por thjesht me procesin e shtetit që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh se Kosova ka emigracion jashtëzakonisht të madh në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, Austri apo edhe në vendet skandinave. Sa i përket humbjes së shtetësisë së Kosovës prijnë kërkesat nga Gjermania. Ky numër mundem me thënë se është relativisht i madh për arsye se këto shtete nuk lejojnë dy shtetësi, atëherë qytetarët tanë që tashmë janë integruar në këto vende të Bashkimit Evropian, zgjedhin që ta mbajnë shtetësinë e këtyre vendeve”, deklaron Neziri.

Kolonel Macaraeg pranon detyrën e komandantit të KFOR-it amerikan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së komandantit të KFOR-it amerikan, Kolonel Nick Ducich te kolonel Roy J. Macaraeg, në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland.

Komandanti i kampit “Bondsteel”, kolonel Nick Ducich, tha se ka qenë i nderuar që ka shërbyer në mision në Kosovë.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj ka ritheksuar mirënjohjen ndaj Shtetet e Bashkuara për ndihmën e pakursyer në ofrimin e sigurisë në Kosovë dhe ngritjen e kapaciteteve, thuhet në njoftimin për media.

“Kolonelit Macaraeg, mirëseardhje në vendin tonë, në shtëpinë e tij të dytë! Të bekuar që kishim përkrah ushtrinë amerikane në çdo kohë”, tha Haradinaj.

Aksident afër Prishtinës – tre të vdekur, lëndohet ambasadorja turke

Policia e Kosovës tha se tre veta humbën jetën në një aksident në fshatin Mramor të Prishtinës.

Sipas policisë, tri makina janë përfshirë në aksidentin që ndodhi në rrugën që lidhë Prishtinën me Gjilanin, një komunë në lindje të Kosovës. Një nga makinat ishte me targa diplomatike, në të cilin udhëtonte ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Policia tha se dy veta humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa i treti vdiq nga plagët më pas në spital.

Ambasadorja e Turqisë, është trajtuar në spitalin e Prishtinës bashkë me dy të lënduar të tjerë.

Tash për tash policia po kryen hetime dhe ende nuk janë dhënë hollësi për rrethanat e aksidentit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një postim në rrjetet sociale u shpreh “i trishtuar me lajmin për humbjen e tri jetëve nga aksidenti i trafikut në Magjistralen Prishtinë – Gjilan. Ngjarjet si kjo janë momente dhimbjeje për të gjithë ne. Shpreh keqardhjen për lëndimin e Ambasadores së Turqisë, Kivilcim Kiliç. Ambasadores dhe të lënduarve tjerë u dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, shkroi ai.

Kryetari i parlamentit Kadri Veseli shprehu keqardhjen me “lajmin për vdekjen e tre personave në një aksident në rrugën Prishtinë – Gjilan. Ngushëllime familjarëve dhe miqve të atyre qe humbën jetën, ndërkaq të lënduarve, në mesin e tyre edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilçim Kiliç, të cilët edhe i vizitova në Qendrën Emergjente, shërim sa më të shpejtë”, shkroi ai.

Taksa për importet pritet t’i ngrejë çmimet në Kosovë

Kestrin Kumnova

Vendosja e taksës prej 10 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nga ana e Qeverisë së Kosovës, pritet të prekë edhe xhepin e konsumatorëve kosovarë, pasi paralajmërohet shtrenjtim i çmimeve për produktet, të cilat importohen nga këto vende, gjithashtu edhe prodhimeve që sigurojnë lëndën e parë përmes Bosnjës apo Serbisë.

Ngritja e çmimeve, paralajmërohet të jetë krejt minimale. Kurse, nga artikujt që përmenden se mund të shtrenjtohen, janë edhe mielli, buka e vaji. Një lëvizje minimale e çmimeve, paralajmërohet edhe për sektorët e prodhimit dhe ndërtimtarisë.

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve ngrit shqetësimin se ky veprim i Qeverisë së Kosovës do të ndikojë te konsumatori kosovar në ngritjen e çmimeve. Kryetari i kësaj shoqate, Selatin Kaçaniku, thotë se konsumatorët kosovarë do t’i ndiejnë pasojat e kësaj takse edhe për faktin që bizneset kosovare shfrytëzojnë për përfitim çdo vendim të Qeverisë që ndërlidhet me lëvizjen e taksave.

“Akoma tregu disponon me rezerva të produkteve dhe ushqimeve, mirëpo ne presim një lëvizje të tillë. Gjithmonë ne kemi pasur reflektime të tilla, pasi që çdo vendim i njëanshëm dhe çdo vendim që nuk është mbështetur në ligje dhe Kushtetutë, e ka pasur fatin e dështimit dhe anulimit, siç po i vjen era edhe këtij vendimi ”, thotë Kaçaniku.

Pas vendosjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, sipas Selatin Kaçanikut, konsumatori kosovar është tërësisht i pambrojtur karshi veprimeve të importuesve të këtyre mallrave.

Efektet e taksës ndaj importeve nga Serbia e Bosnja mund të shtrihen edhe te barnat, të cilat në numër jo të vogël importohen nga këto vende.

Shkumbin Jusufi, farmacist, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë po vërehen sinjalet e para të lëvizjes së çmimeve në tregun e barnave.

“E kemi vërejtur një aktivitet nga importuesit që i kanë dhënë disa sinjale, duke thënë, merrni, ngarkohuni me mallra se do të ketë mundësi të ngritjes së çmimit të produkteve farmaceutike për 10 për qind”, tregon Jusufi.

Kosova nuk përmbush në tërësi nevojat e veta për grurë. Sipas një sondazhi që ka përgatitur Fakulteti i Bujqësisë, thuhet se Kosova sivjet i plotëson nevojat e popullatës me prodhimin e grurit, me vetëm rreth 50 për qind.

Ymer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se reshjet e sivjetme atmosferike kanë ndikuar në rendimentet e kulturave bujqësore. Për mbulimin e nevojave, një pjesë e grurit dhe miellit importohet nga Serbia.

Muhamet Farizi nga Shoqata e mullisëve të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se taksa e vendosur, mund të ndikojë në një ngritje krejt të vogël të çmimeve për produktet nga gruri.

“Kosova ka importuar më së shumti miell dhe grurë nga Serbia, për shkak të shpenzimeve të transportit që ndikojnë në kosto. Megjithatë, edhe nëse ka ndonjë shtrenjtim, ai pritet të jetë shumë i vogël”, thotë Farizi.

Një tjetër sektor që parashihet se mund të preket nga taksa e vendosur, është ndërtimtaria.

Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thotë se mund të pritet një ngritje e çmimit në fushën e ndërtimtarisë, ndonëse Selimaj parasheh që kjo ngritje të jetë fare e vogël:

“Shumë pak ngritje mund të ketë ose fare, sepse Maqedonia është i njëjti treg dhe mund t’i shfrytëzojmë këto kapacitete prodhuese sa të duash dhe kjo mund të mos reflektohet në ndërtim”.

Sidoqoftë, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se aplikimi i kësaj takse ka edhe efektet tjera, siç është rritja e të hyrave doganore.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur rënie të importit prej 50 për qind nga dy vendet – Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se si organizatë e prodhuesve kanë pasur parasysh se kjo taksë mund të ketë pasoja edhe për sektorin e prodhimit. Por, që siç thotë ai, prodhuesit janë njoftuar dhe se janë duke punuar në atë drejtim që të gjejnë alternativa të tjera për importin e lëndës së parë.

Qeveria e Kosovës, më 6 nëntor, mori vendim për vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind ndaj të gjitha importeve me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja. Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Ndryshe, importuesi më i madh në Kosovë, i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka arritur vlerën e 81.5 milionë eurove.

Haradinaj: Po bisedimeve me Serbinë – por me paprekshmëri të asaj që kemi krijuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se taksa për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja, është përgjigje ndaj trysnisë nga Serbia dhe nuk synon të nxisë probleme në rajon.

Ai i bëri këto komente në një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, gjatë së cilës tha se Kosova po përballet me arrogancën e Serbisë që nga rrafshi diplomatik te njohjet e deri tek kërcënimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë.

“Kjo mund të jetë gjatë dhe mundet të rritet dhe mund të kalojë në masa më drastike, pra nuk është një veprim i njëhershëm apo provokim por është prej zorit. Nëse ishte zbatuar marrëveshja e energjisë atëherë pse të mos e shqyrtojmë edhe ne këtë dhjetë përqindëshin. Ne humbim rreth 30 milionë nga mos zbatimi i marrëveshjes së energjisë dhe kemi problem tjera deri te sigurisë për këtë”,tha ai.

Kundër vendosjes së taksës shtesë është shprehur edhe Bashkimi Evropian i cili ka kërkuar heqjen e saj duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA.

E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, tha se Kosova nuk përfiton nga rritja e taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social twitter, ajo shkroi se “Kosova nuk përfiton nga rritja e detyrimeve ndaj anëtarëve tjerë të CEFTA-s. Vetëm krijon pasiguri për bizneset dhe jo qëndrueshmëri ekonomike. Më mirë është që të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar një të ardhme më të frytshme përmes bisedimeve”, shkroi ajo.

Duke i bërë jehonë këtij qëndrimi, ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, shkroi të enjten se “qëndrimi amerikan është i qartë: taksat e importit paraqesin shkelje të marrëveshjes CEFTA dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin e rajonit. Nuk duhet tehequr vëmendjen nga bisedimet”, shkroi ai.

Vendosja e taksës nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe mbizotëroi takimin e fundit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, javën e kaluar në Bruksel. Presidenti serb tha se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh derisa kjo nuk hiqet.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një periudhë që është cilësuar përfundimtare të bisedimeve, për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, në ligjërimin e tyre politik kanë përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha të enjten se është koha të zgjidhen çështjet e hapura më Serbinë nëpërmjet bisedimeve, të cilat duhet të kenë një qëllim: njohjen e pavarësisë së Kosovës nga fqinji i saj verior.

“Jam për të negociuar këtë njohje me Serbinë sikurse negociojnë shtetet sovrane por me paprekshmëri të asaj që kemi krijuar. Nëse fillojmë të hapim veten në atë që kemi krijuar është rrezik, jo vetëm për ne po edhe për atë që kemi mbërritur por mund të jetë rrezik edhe më gjerë dhe mund të na nxjerrë një situatë të pavolitshme si vend. Nuk është çështje kush e ka thënë dhe kush nuk e ka thënë por është çështje e racionales. Nëse ne nuk arrijmë të ruajmë atë që kemi mbërritur atëherë është vështirë të krijojmë diçka të re”,tha ai.

Idetë që do të mund të përfshinin edhe ndryshimin e kufijve, nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të Ballkanit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Ja si Labi po e pengon ministrin e Brendshëm, dhe kërcënimet ndaj Pacollit – Nga FATON MEHMETI

 

Pas një kohë të gjatë i erdhi radha Ferizajt me pasë një ministër, dhe hiç më pak se posti i ministrit të Brendshëm. Kjo falë edhe këmbënguljës së Labinot Tahirit, i cili po arrin të kushtezojë Pacollin për afro 20.000 vota që i ka sjellur AKR në nivel vendi. Dëri këtu do ishte një histori e bukur e tregimit në vazhdim. Përveç së fundi ministri aktual Ekrem Mustafa po del të jetë me lëndë në gjykatë për shkak të një aksidenti, por kështu smund të thuhet edhe për imponimet që po i bëhen ministrit të Brendshëm. Kjo për shkak të imponimit të të dy këshilltarëve të tij: Agim Sinani kitarist, i cili është muzikant me profesion, dhe nuk i përket fare lëmisë së politikës, përndryshe  shok i Labit. Për më tepër  edhe rrjedh nga një familje kontrabandistësh, vëllau i tij është i akuzuar për shpërlarje parash fajdexhi, dhe mban burg për drogë. Si dhe tjetri kushëriri afërt i Labit, Jetmir Tahiri. Këta nuk marrin as vesh fare nga puna e këshilltarit në ministri, por Pacolli është i dëtyruar të veprojë pasi Labi në çdo çast e kërcenon se “ t’i kam sjellur 20.000 vota” . I ndikuar nga kërcënimet e Labit, Pacolli nuk guxon të veprojë ndryshe pos që të pranojë çdo gjë që i vjen nga Labi. Edhe vet ministri Mustafa, sipas informacioneve që kam brenda ne ministri, nuk është fare i kënaqur me ardhjen e këtyre dy këshilltarëve, pasi i janë imponuar. Labi po del të jetë ai që bën çfarë të doë me Ministrinë e Brendshme, duke e privatizur kontributin e tij dhe faktin se ministri është nga Ferizaj. Pikërisht kjo s’do të duhej fare të ishte pengesë për minstrin e Brendshëm, duke qenë se Ferizaj duhet të dëshmohet se ka kapacitet për të udhëhequr një minstri kaq të rëndësishme. Labi s’duhet të krekoset se është meritori për faktin se Ferizaj ka për herë të parë një ministër, pasi kjo është meritë e të gjithë qytetarëve të Ferizajt. Përndryshe Ferizaj është qyteti i dytë pas Prishtinës që derdh para në buxhetin e Kosovës, dhe kjo do të ishte e mjaftueshme që kjo komunë të kishte edhe më tepër ministri. Por kjo nuk i jep të drejtë askujt që të shantazhojë ministrin duke i dërguar njerëz  të pandërgjegjshëm, ndërsa duke i detyruar njerëzit e ndershëm të japin dorëheqje.