VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Nuk do të bredhim më – Poezi nga BAJRONI (1788-1824) LORD BYRON (GEORGE GORDON) – Përktheu KUJTIM MORINA

By | May 5, 2019

Komentet

Unë, Vehbi Skënderi dhe Nasho Jorgaqi Nga Tasim Aliaj

Vehbi Skenderi, miku im i hershem…
Kur isha ne vitin e dyte te fakultetit, e ftova per nje bisede me studentet. Doli me interes.
Aty u hap dhe nje debat per nje poezi lirike ,qe une e interpretova ndryshe nga ai.
Miqesia jone vazhdoi.
Atehere Vehbiu ishte sekretar kolegjumi ne revisten Ylli.
Ai propozoi qe une te punesohesha aty. K/redaktori nuk pranoi.
Vehbiu botonte dendur shkrime të mia.Po kishte gjetur belane nga nje antar kolegjumi ,
nga Nasho Jorgaqi qe e kundershtonte gjithmone.
Madje nje dite kish thene: Une e njoh kete djale, e kam komshi dhe e kam keshilluar qe t’i vihet ndonje zanati tjeter.
Një ditë Vehbiu paraqiti ne kolegjumi nje tregim timin, por pa i vene emrin e autorit.
Midis te tjerash, Nasho Jorgaqi tha: Tregimi eshte shume i bukur. Autori eshte nje premtim per letersine tone, por nuk kuptova, perse s’eshte vene emri i autorit.Cili eshte ky talent?
Vehbiu me ate ironine e tij te holle, ia ktheu:Eshte ai,te cilin ti e ke keshilluar te merret me ndonje zanat tjeter.

Atdheu, kryefjala e fjalëve Poezi nga Oshise Grillo

 

I mora A-në atit,
në të ishte dhe nëna,
i mora T-në tokës,
në të ishte dhe zemra,
i mora D-në detit,
në të ishte dhe qielli,
i mora H-në hënës,
në të ishte dhe dielli,
i mora E-në erës,
në të ishte dhe shiu,
i mora U-në ujit,
në të ish dhe njeriu…
I lidha të gjitha bashkë
dhe si ylber shkëlqeu
e para kryefjalë
e fjalëve :
ATDHEU!

LV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

LV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi

At Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, atdhetari, politikani, rilindësi, përkthyesi dhe Shkrimtari i Kombit Shqiptar

Më 28 nëntor 1881 lindi shkrimtari i shquar austriak Stefan Zweig

Stefan Zweig lindi më 28 nëntor të vitit 1881 në Vjenë, Austri dhe vdiq më 23 shkurt 1942 në Petrópolis afër Rio de Janeiro, Brazil. Ishte një ndër shkrimtarët më të shquar austriakë.

Biografia

Stefan Zweig (i njohur më shumë si Stefan Cvajg), është një nga shkrimtarët më të njohur në botë, i viteve 20-të dhe 30-të. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Mary Stewart (Maria Stjuart), si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuanete. Fillimisht veprat e tij u botuan në gjuhën angleze nën pseudonimin ‘Stephen Branch’ (Stefan Brenc – përkthim i emrit origjinal).

Ai ishte i biri i Moris Zweig, pasanik hebre i cili prodhonte tekstile si dhe i Ida Brettauer, e bija e një familjeje bankierësh italianë. Edhe pse rridhte nga familje hebraike, feja nuk luajti ndonjë rol në edukimin dhe formimin e Cvajg. ‘Feja ime ishte thjesht një rastësi si rjedhojë e prejardhjes sime’ – është shprehur ai gjatë një interviste. Cvajg studioi filozofi dhe histori letërsie si dhe ishte pjestar i lëvizjes avangarde “Viena e Re”. Edhe pse esetë e tij botoheshin në ‘Neue Freie Presse’, botuesi i së cilës ishte udhëheqësi zionist Teodor Herzl, ai nuk ishte i ndikuar nga nacionalizmi hebraik i Herzlit. Cvajg-u e braktisi Austrinë pas ardhjes në fuqi të Hitlerit. Gjatë kësaj periudhe ai u mbështet botërisht nga kompozitori Richard Shtraus, i cili refuzoi të hiqte emrin e Cvajgut nga parrullat për prezantimin e operas së tij ‘Gruaja e heshtur’ (Die schweigsame Frau_) në Dresden. Për këtë arsye Hitleri nuk e ndoqi hapjen e operistikës së muzikantit më të madh të kohës së tij si dhe pas tre shfaqjesh opera u ndalua.

Cvajg studjoi ne Austri, Francë dhe Gjermani. Në vitin 1904 ai mbaroi doktoratën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vienës. Përpara se të vendosej në Salzburg (1913) ai udhëtoi nëpër shumë vënde të botës. Në 1914 Cvajg u martua me Friderike Maria Burger von Winternitz (1882-1971), e cila i kish dërguar letra adhurimi që nga viti 1901. Friderike u bë shkrimtare gjithashtu dhe ata jetuan bashkë, me dy vajzat e saj nga martesa e parë, për më shumë se 20 vjet.

Cvajg studjoi ne Austri, Francë dhe Gjermani. Në vitin 1904 ai mbaroi doktoratën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vienës. Përpara se të vendosej në Salzburg (1913) ai udhëtoi nëpër shumë vende të botës. Në 1914 Cvajg u martua me Friderike Maria Burger von Winternitz (1882-1971), e cila i kish dërguar letra adhurimi që nga viti 1901. Friderike u bë shkrimtare gjithashtu dhe ata jetuan bashkë, me dy vajzat e saj nga martesa e parë, për më shumë se 20 vjet.

Vepra e parë e Cvajg ishte përmbledhja poetike ‘Litarë të argjendtë’ (Silberne Saiten) e cila u botua në vitin 1901 kur ai ishte vetëm 20 vjeç. Më pas u botua në Zvicër, drama e tij kundër luftës, titulluar ‘Jeremiah’, të cilën ai e shkroi në vitin 1917 kur ishte ushtar. Kjo dramë frymezohej nga Lufta e Parë Botërore dhe u luajt për herë të parë në Nju Jork në vitin 1939. Cvajg shkroi dhe drama të tjera si ‘Tersites’ në 1907, një tragjedi e shkruar në vargje të lira si dhe ‘Jetë në det’ (Das Hause Am Meer) në 1912, tek e cila pasqyrohej Lufta Civile në Amerikë. Cvajg jetoi për gati 20 vjet në Salzburg edhe pse si gjithmonë kohën më të madhe e kalonte nëpër udhetime. Gjatë Luftës së Parë ai punoi në arkivat e Ministrisë Austriake të Luftës, por u detyrua te largohej për në Zürich atëherë kur bindjet e tij paqësore ranë ndesh me bindjet e eprorëve të tij. Cvajg u bë i njohur fillimisht si poet dhe përkthyes (ai zotëronte 5 gjuhë të huaja, përveç hebraishtes, latinishtes dhe greqishtes së lashtë) dhe më pas si biograf, tregimtar dhe novelist. Ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Europe të Bashkuar, në vitin 1908.

Cvajg u përqendrua në mësimet e Sigmund Freud, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerëzit më të shquar të të gjitha kohërave (filozofë, burra shteti, mbretër e mbretëresha, shkrimtarë të shquar etj). Gjatë kohës në Salzburg, Cvajg filloi të besonte se persekutimi që Hitleri po u bënte hebrejve në atë kohë, lidhej direkt me vetë Cvajgun. Ai kurrë nuk u shërua nga ky fiksim, i cili rrjedhimisht u shndërrua në paranojë. Kur emigroi në Angli (jetoi në Bat dhe Londër), Cvajg kreu studime për librin e tij të ardhshëm ‘Mary, Mbretëresha e Skocisë’. Në atë kohë ai u takua përsëri dhe me Freud, me të cilin ish njohur në vitet 20. Në vitin 1938 ai botoi librin ‘Padurimi i zemrës’ (Ungeduld des herzens), një histori e zezë dashurie që tregon edhe njohjen e Cvajgut me teorinë psikanalitike të ndjenjës së fajit, një liber ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit. Ndërsa në vitin 1938 Cvajg fitoi nënshtetësinë Britanike dhe në vitin 1940, pas një turneu të suksesshëm mësimdhënjeje në pothuajse tërë Amerikën e Jugut, ai u vendos në Brazil.

Cvajgu u nda nga Friderike në 1938 dhe një vit më vonë u martua me Charlotte Altmann, e cila ishte sekretarja e tij që nga viti 1933. Charlotte ishte 27 vjeç më e re se Cvajg. Në vitin 1941 ata shkuan të dy në Brazil. Në librin ‘Brazili-vëndi i së ardhmes’ (1941), Cvajg përshkruan bukur historinë, ekonominë, kulturën e vëndit duke dhënë përshtypje tepër interesante të cilat përputheshin dhe me thënien e Ameriko Vespucit kur zbuloi Tokën e Re, e cila thosh se “… nëse Parajsa ekziston në Tokë, ajo nuk duhet të jetë shumë larg prej këtu…” Rënia e Singaporit në vitin 1942 përforcoi patundshmërisht bindjen e Cvajgut se nazizmi së shpejti do të pushtonte tërë rruzullin. I zhgenjyer, i izoluar dhe larg Europës, Cvajgu kreu vetvrasjen së bashku me gruan e tij, prane Rio de Janeiro-s më 23 Shkurt, 1942. Me urdhër të diktatorit brazilian Getulio Vargas, shpenzimet e varrimit të Cvajgu u paguan nga shteti. Një ditë para se të vriste veten, Cvajgu dërgoi në shtyp librin ‘Bota e së djeshmes’, i cili u botua pak muaj pas vdekjes së tij. Ky libër kishte tone autobiografike dhe në një farë mënyre dënon kulturën europiane, të cilën në ato momente ai e quante të humbur. Në libër ai shkruan : “Shpresoj tja kem arritur qëllimit për gjetjen e një formule të vetme për kohën kur u rrita, domethënë para Luftës së Parë Botërore, duke e quajtur atë kohë ‘Era e artë e sigurisë’.”

Botimet origjinale

  • Silberne Saiten. Gedichte, 1901
  • Die Philosophie des Hippolyte Taine. Dissertation, 1904
  • Die Liebe der Erika Ewald. Novellen. Buchschmuck v. Hugo Steiner-Prag, Fleischel & Co., Berlin 1904
  • Die frühen Kränze. Gedichte, Insel, Lajpcigu 1906
  • Tersites. Ein Trauerspiel in drei Aufzügen, Insel, Lajpcigu 1907
  • Emile Verhaeren, Insel, Lajpcigu 1910
  • Erstes Erlebnis. Vier Geschichten aus Kinderland, Insel, Lajpcigu 1911
  • Das Haus am Meer. Ein Schauspiel in zwei Teilen (drei Aufzügen), Insel, Lajpcigu 1912
  • Der verwandelte Komödiant. Ein Spiel aus dem deutschen Rokoko, Insel, Lajpcigu 1913
  • Jeremias. Eine dramatische Dichtung in neun Bildern, Insel, Lajpcigu 1917
  • Erinnerungen an Emile Verhaeren, Privatdruck 1917
  • Das Herz Europas. Ein Besuch im Genfer Roten Kreuz. Umschlagzeichnung von Frans Masereel, Rascher, Zürich 1918
  • Legende eines Lebens. Ein Kammerspiel in drei Aufzügen, Insel, Lajpcigu 1919
  • Fahrten. Landschaften und Städte, Tal, Lajpcigu und Vjena 1919
  • Drei Meister. Balzac – Dickens – Dostojewski (= Die Baumeister der Welt. Versuch einer Typologie des Geistes, Band 1), Insel, *Lajpcigu 1920
  • Marceline Desbordes-Valmore. Das Lebensbild einer Dichterin. Mit Übertragungen von Gisela Etzel-Kühn, Insel, Lajpcigu 1920
  • Romain Rolland. Der Mann und das Werk, Rütten & Loening, Frankfurt 1921
  • Brief einer Unbekannten, Lehmann & Schulze, Dresden 1922
  • Amok. Novellen einer Leidenschaft, Insel, Lajpcigu 1922
  • Frans Masereel (mit Arthur Holitscher), Axel Juncker, Berlin 1923
  • Die gesammelten Gedichte, Insel, Lajpcigu 1924
  • Angst. Novelle. Mit Nachwort von E. H. Rainalter, Reclam, Lajpcigu 1925
  • Die Augen des ewigen Bruders. Eine Legende, Insel, Lajpcigu 1925
  • Der Kampf mit dem Dämon. Hölderlin – Kleist – Nietzsche (= Die Baumeister der Welt, Band 2), Insel, Lajpcigu 1925
  • Ben Jonson’s „Volpone“. Eine lieblose Komödie in drei Akten. Frei bearbeitet von Stefan Zweig. Mit sechs Bildern nach Aubrey Beardsley, Kiepenheuer, Potsdam 1926
  • Der Flüchtling. Episode vom Genfer See, Bücherlotterie, Lajpcigu 1927
  • Abschied von Rilke. Eine Rede, Wunderlich, Tübingen 1927
  • Verwirrung der Gefühle. Drei Novellen, Insel, Lajpcigu 1927
  • Sternstunden der Menschheit. Fünf historische Miniaturen, Insel (IB 165), Lajpcigu o. J. (1927)
  • Drei Dichter ihres Lebens. Casanova – Stendhal – Tolstoi (= Die Baumeister der Welt, Band 3), Insel, Lajpcigu 1928
  • Rahel rechtet mit Gott. In: Insel-Almanach auf das Jahr 1929, S. 112–131, Insel, Lajpcigu 1928
  • Joseph Fouché. Bildnis eines politischen Menschen, Insel, Lajpcigu 1929
  • Das Lamm des Armen. Tragikomödie in drei Akten (neun Bildern), Insel, Lajpcigu 1929
  • Die Heilung durch den Geist. Mesmer – Mary Baker Eddy – Freud, Insel, Lajpcigu 1932
  • Marie Antoinette. Bildnis eines mittleren Charakters, Insel, Lajpcigu 1932
  • Arabella. Oper von Strauss, 1933
  • Triumph und Tragik des Erasmus von Rotterdam, Herbert Reichner, Vjena 1934
  • Die schweigsame Frau. Komische Oper in drei Aufzügen. Frei nach Ben Jonson und Stefan Zweig. Musik von Richard Strauss. *Fürstner, Berlin 1935
  • Maria Stuart, Reichner, Vjena 1935
  • Gesammelte Erzählungen, 2 Bände (Band 1: Die Kette, Band 2: Kaleidoskop), Reichner, Vjena 1936
  • Castellio gegen Calvin oder Ein Gewissen gegen die Gewalt, Reichner, Vjena 1936
  • Der begrabene Leuchter. Novelle, Reichner, Vjena 1937
  • Begegnungen mit Menschen, Büchern, Städten, Reichner, Vjena 1937
  • Magellan. Der Mann und seine Tat, Reichner, Vjena 1938
  • Ungeduld des Herzens. Roman, Bermann-Fischer/de Lange, Stokholmi/Amsterdami 1939
  • Brasilien. Ein Land der Zukunft, Bermann-Fischer, Stokholmi 1941
  • Schachnovelle, Buenos Aires 1942
  • Die Welt von Gestern. Erinnerungen eines Europäers, Bermann-Fischer, Stokholmi 1942
  • Zeit und Welt. Gesammelte Aufsätze und Vorträge 1904–1940, Bermann-Fischer, Stokholmi 1943
  • Legenden, Bermann-Fischer, Stokholmi 1945
  • Balzac. Roman seines Lebens, hg. v. Richard Friedenthal, Bermann-Fischer, Stokholmi 1946
  • Fragment einer Novelle. Hrsg. v. Erich Fitzenbauer.

Veprat në shqip

  • Ne lufte me djallin/ War With Devil (Monographs of Helderin, Claist and Nietsche), Stefan Cvajg, BAÇA
  • Shpirti qe sheron / The Soul That Heals (novels), Stefan Cvajg, BAÇA
  • Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit te Roterdamit/ The Triumph and the Tragedies of Erasmus from Rotterdam (monograph), Stefan Cvajg, Shtepia e librit
  • Peshtjellim ndjenjash/ Feelings Mixing (intimate notes about professor R. De. D), Stefan Cvajg, GLOBUS R.
  • Dashuria e Erika Evaldit / The Love of Erica Evald, Stefan Cvajg, FAN NOLI
  • Letra e nje te panjohure/ Letter From An Unknown (novel), Stefan Cvajg, KOKONA

Lidhjet e jashtme

  • Stefan Zweig
  • Shoqata internacionale Stefan Zweig

PAVARËSIA FLAMURËRON VLORËRISHR – Poezi nga Albert Habazaj, Vlorë

 

Çfarë bëri me trimat Ismail Qemali
e di dhe gjyshi, dhe babai, dhe djali:
që ndezi zjarrin e shtëpisë shqiptare,
kur dinakët donin ta shuanin fare.

Por Shkodra, dhe Lezha, dhe Kruja, Kanina,
Prizreni, dhe Shkupi, dhe Ohri, Janina,
Plaku i Bardhë dhe Luigji Mendjeqiell,
Baca Is’ e Rasih Dino na mbushën me diell.

Marigo Posio stafetën e Elena Gjikës,
e ngriti si kurorë të bukur të Dritës.
Dhe Qirinjve të Atdheut u falem unë,
larë me diell, qëlluar me furtunë.

Dhe Dibra, dhe Delvina, dhe Hasi, dhe Hoti,
Dhe labi, dhe malësori kanë frymë Kastrioti,
Dhe çami, dhe myzeqari, dhe ulqinaku qëkur
Janë firmë lirie e këngë për Flamur!

Se me centaurët Europa rrufjane,
Kasandra me Pandorën europiane,
e plakur, e egër, marrëzisht e bukur
na ka dashur, na ka flakur e na ka ndukur.

U tkurr, u mpak, u mplak e nuk u gremis Nëna,
u trondit në flakë e nuk iu thye zemra.
Dhe deti, dhe fusha dhe maja e malit
si balli i bardhë i Ismail Qemalit.

Se s’është Vlora si Meka e Muhametit,
është anije e bardhë në mes të rrebeshit;
s’është Vlora as Bethlehem i Krishtit,
është vatër e mendimit dhe rrufe e gishtit.

Vlora është Vlorë, me dritë mes ciklonit,
është djepi ku u përkund palca e kombit;
është bërthama diellore e Flamurit,
me shqiponjën që fluturon mbi gjakun e burrit.

Vlora është magje e bukës kombëtare,
Është tharmi i mbrujtur në zemrat shqiptare.
Është rrënjë e besim dhe vizion në shikim,
është eshtër e dinjitetit të kombit tim.

Urata e Plakut, si mirësi e ullirit,
u mbjelltë e shpërtheftë si lulet e prillit!
O ju zogj të Shqiponjës, po ju flas sinqerisht:
sot Pavarësia Flamurëron Vlorërisht!

Sheshi i Flamurit, Vlorë. 28,

Vjeshtë e tretë, 2020

ZEMËR E DËLIRË Shkruan: Eglantina Mandia

Ajo i donte njerëzit, lulet, pyllin, pranverën. E donte shumë vjeshtën e detin. Frymëzimin për romanin e saj “Vishnjat e Egra”, e kish marë nga një takim i saj me profesor Kondën, në një ditë vjeshte, në pyll. Dhe ajo e dinte fort mirë se bukuria e vjeshtës tiranase, e dimrit të Korçës, të detit e plazheve tona, ishin brenda shpirtit të çdo shqiptari, ndaj në këtë vend ka shumë poetë. “Këto janë visaret tona”, thoshte; në një kohë të egër dhe qesharake, vetëm kjo bukuri të vë përballë dilemës e udhëkryqit të jetës për të mos humbur fytyrën, nderin e respektin për vetveten”. Arsinoi Bino qe një nga ato gra intelektuale e kulturuar, e talentuar, që mbeti për jetë me shpirt të bukur, që ruajti pafajësinë e pastërtinë e shpirtit rinor, rrethuar si në të nëntëmbëdhjetë pranverat e saj, nëntëmbëdhjetë gonxhe të freskëta edhe pse Arsinoi erdhi në jetë, një ditë janari e u nda nga ne, në dimrin e gjatë e pa drita, të këtij dhjetori. Arsinoi, kjo fytyrë e dashur, na la lamtumirën, por jo si një njeri që vjen, ikën e tretet në hapësirë pa lënë gjurmë. Ajo e la porosinë e saj njerëzore nëpërmjet veprës së saj që është mbushur me dashuri për njeriun, për gruan shqiptare që kërkon veten që vuan për të vërtetën, që është që është e pastër dhe kërkon dritë në shpirtin e saj e të njerëzve të saj, që e kupton se gënjeshtrat e vogla, të shpien në gënjeshtrën e madhe. Që Fytyrë e Dashurisë 163 në tregimet e para, veçanërisht në romanin e shkurtër “Zemër e dëlirë”, Arsinoi e dha mesazhin e saj si shkrimtare, të drejtën për të mbetur deri në fund të jetës besnike e zemrës së dëlirë. Një mision tepër fisnik për një krijesë, por tepër i vështirë për t’u krijuar Brenda vulgaritetit dhe pabesive ku jetoi. Siç dihet nuk mund të klithje ti si shkrimtare për përsosmëri të shpirtit, as ta zgjoje njeriun nga avujt e dogmës. Arsinoi Bino ishte në të vërtetë shpërfillëse ndaj bejlurçianave provinciale. Si intelektuale, jetoi gjithnjë e shqetësuar për fatin e kombit e të njeriut shqiptar. Dhe ishte aq e gëzuar, aq e lumtur ato ditë dhjetori të paharruara të vitit 1990. Arsinoi Bino ishte e para dramaturge shqiptare që e donte aq shumë teatrin e dramën. Shumë vite të jetës së saj ja kushtoi kësaj gjinie (që shumë dramaturgë i shpuri nëpër burgje). Me një stërmundim të jashtëzakonshëm, arritën t’i botohen dramat: “Gjaku i ri”, “Lina e urta”, dhe “Motër e dashur”. Arsinoi Bino ishte e ndërgjegjshme, se të luftoje në veprën tënde me sinqeritet për të vërtetën, do të mbeteshe përherë i padëshiruar për nomenklaturën. S’do të kishe asnjë ftesë për jashtë shtetit. Arsinoi iku me një peng në zemër: disa vite pune këmbëngulëse ia kushtoi romanit të saj të fundit, “Vishnjat e Egra”. E gjithë vepra e Arsinoit, tregimet, novelat, romani e dramat, do të zënë vendin që u takon në letrat shqipe. Brezat që do të vijnë, do të gjejnë aty një shpirt të dëlirë dhe do të thonë me respekt për të: “Ajo mbeti njeri, njeri nga të gjitha”.

Lulet e rralla qëndrojnë majë maleve të larta!

Ky është titulli i një shkrimi kritik i poetit Llazar Siliqi, i botuar në datën 19 dhjetor 1961, në gazetën “Drita”, për librin e shkrimtares Arsinoi Bino “Zemër e dëlirë”. “Programi moral i autores kristalizohet qartë në fjalët e një heroine të librit, e cila thotë: “Ajo kërkonte lulet e rralla që qëndrojnë në majë të maleve të larta, të vështira për t’u ngjitur”, vijon Siliqi. Ky shkrim mbeti i vetmuar e ndoshta krejtësisht i harruar, megjithëse unë do të thosha se askush s’pati forcë t’ia vrasë Arsinoit pastërtinë e shpirtit rinor. Edhe në çastin e fundit të jetës së saj, ajo mundi të ballafaqohej me veprën e saj plot dinjitet pe përkushtim njerëzor dhe të shkonte e qetë në parajsë. Arsinoi Ligor (Poro) Bino lindi në Dardhë më 21 janar 1923. Kreu shkollën në qytetin e Korçës. Ajo ishte nga të parat vajza që mbaroi shkëlqyeshëm Liceun Francez dhe vijoi studimet e larta në Bolonjë. Pasioni i saj ishte letërsia. Ajo u kthye në atdhe së bashku me shumë studentë universitarë, që deshën ta vënë jetën në shërbim të atdheut, në luftë kundër okupatorit. Që në vitin 1945, botoi në Korçë tregimin “Flutura” që ishte një shkrim poetik i përkryer. Punoi gjithë jetën e saj si mësuese e letërsisë dhe e gjuhës frënge. Romanin “Zemër e dëlirë” do ta quaja një roman të shkurtër me një mesazh të qartë: çdo njeri në një shoqëri, ka të drejtë të përcaktojë të fatin e vet dhe të drejtën për të mbetur besnik i zemrës së dëlirë dhe në represionin e dyfishtë, të një shoqërie të shpërfytyruar nga dhuna. Vepra e Arsinoi Binos (tregimet, dramat, romanet), buçet nga dashuria për tokën e fatin e njeriut shqiptar. Si intelektuale e vërtetë me kulturë të gjerë dhe me parimet e saj Fytyrë e Dashurisë 165 për krijimin artistik, u ndesh ballë për ballë me pushtetarë që hynin e dilnin si xhola me pelerinat e purpurta të shpëtimit publik, në të gjitha sferat e kulturës shpirtërore, për të vendosur fatin e veprave, autorëve dhe artit në tërësi, me citate e slogane të mësuara përmendësh. Arsinoi është e para dramaturge shqiptare që u ngjit në skenën e Teatrit “Çajupi” të Korçës me dy dramat e saj “Gjaku i ri” dhe “Bijat e çobanit”, të vëna në skenë nga regjisori Pandi Stillu. Të gjithë ata që janë marrë me dramën në atë kohë tragjike, e dinë fare mirë fatin e kësaj gjinie fatkeqe që zakonisht gjykohej nga ish-gjeneralë sigurimi, sekretarë me shpurat e tyre fytyrëhumbura. Me një stërmundim të jashtëzakonshëm, duke paguar dhe haraçin e gjymtimit, doli në dritë dhe libri i dytë i Arsinoit me titull; “Motër e dashur”, me tri drama. Kjo ishte një luftë e lodhshme, që shumë krijues i shpuri në mbyllje në vetvete. Në një shoqëri që lumturohej për qetësinë e ujit të kënetave, në një shoqëri me rrënjë të kalbura, që flakte jashtë vetes çdo zemër të vuajtur, Arsinoi vuante me të vërtetë. Duke gjetur pretekse shëndetësore, disidencat e shpirtit, i tërhoqi gjithnjë e më larg fanfarave ndriçuese. Shpesh herë, ajo thoshte se një ditë prej ditësh, do të hapet sipari i kësaj tragjedie shqiptare e gjithë ai helm e ndyrësi krimi e prostitucioni politik do të shpërthejë e do të duhet një SIZIF për të pastruar hauret e shpirtpuseve tona, andaj shkruan për të bukurën në veprën e saj, për një ëndërr, drejt së cilës duhet të ecim, asaj rruge të gjatë që populli e ka përcaktuar me mençurinë e tij të jashtëzakonshme: “MË E NGUSHTA UDHË E JETËS, ËSHTË UDHË E SË VËRTETËS”. Arsinoi iku me një peng në zemër. Disa vite punë ja kushtoi romanit të saj të fundit të pabotuar 166 Eglantina Mandia “Vishnjat e Egra”. Frymëzimin për romanin e saj “Vishnjat e Egra”, e kish marrë nga një takim i saj me profesorin e njohur të historisë, Kondën, në një ditë vjeshte, në pyll. Romani rreh një temë filozofike. Atë e përshkon ideja që në çdo rrethanë, në çdo fatkeqësi, (siç është rasti i dy protagonistëve të këtij romani, Betit e Bashkimit, që humbasin vajzën e tyre të vetme në një aksident), jeta do të triumfojë mbi çdo lloj vdekjeje shoqërore e morale, mbi çdo humbje. E jetë për Arsinoin, është shpërthimi i mimozave, është një perëndim i bukur, dhe një det me furtunë dhe bardhësia e dëborës në qytetin e saj të shtrenjtë, Korçës. E jetë për të, është dashuria njerëzore, dashuria për tokën, për punën, për gjithçka shqiptare ku lindim, rritemi, jetojmë dhe vdesim. Romani “Vishnjat e Egra” u bë roman odise nëpër redaksitë e Ndërmarrjes së Botimeve, për të prishur padyshim, gjithçka të bukur e njerëzore që ai kishte. Ndoshta ishte fat, që ai nuk u botua. Dhe është përsëri fat, që bashkëshort i saj i mrekullueshëm Xhuvi Bino, miku dhe kritiku i saj, ruan dhe sot kopjen e parë të dorëshkrimit, që të mund t’ju japë lexuesve një libër ku rrjedh lëngu i jetës, i një shpirti të qelibartë që deshi shumë jetën dhe na e la amanetin e përtej vdekjes: “Njerëz Bëhuni të bukur! njerëz ruajuni nga vrasja e pafajësisë suaj! Bashkatdhetarë, mos e shëmtoni dhuratën më të çmuar të zotit, jetën tuaj!” Dhe ishte aq e gëzuar ato ditë të dhjetorit 1990 e mençura Arsino, i shkëlqenin sytë kur thoshte: “Më në fund, do të buçasë fjala e lirë. Më në fund s’do të na vënë në bankat e të akuzuarve për gabime ideologjike. Më në fund, romani im “Vishnjat e Egra” do të shkojë i pagjymtuar në dorën e lexuesit”. Ndoshta ne, të përvuajturit e listave të shkallëve të ulëta të qytetarisë në letërsinë shqipe nga hierarkët, do të kemi Fytyrë e Dashurisë 167 lexuesin tonë për të na gjykuar ashtu siç jemi.E do të vijë një ditë e shumëpritur, kur shqiptarët do të kenë dëshirë ta shohin veten në pasqyrë, pa i ulur sytë e me shpirt të qashtër, do të ulen të lexojnë me gëzim një libër të denjë”. NDOSHTA, NDOSHTA E DASHUR ARSINO, DO TË NGJITEMI DHE NE NË MAJAT E LARTA, PËR TË KËRKUAR LULET E RRALLA SI TI.

DITA  E  FLAMURIT – Mendime e kujtime nga LUIGJ GURAKUQI

 

 

Në nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet Turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet të vet. Por trupi i tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i Atdheut !

Trimat, shokët e tij, qi bashkë me tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe, e luftarët e tij mâ të përmendunit mirrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në të katër anët. Qytetet e tija mâ të fortat, foleë sokolash e sqifterësh, bijshin njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.

Në atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën, Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye kundër Turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të mbrâme të të drejtavet kombtare.

Po nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës. Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga Qeveria turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara, fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat për të na helmuem gjakun, për të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet kombtaret mâ të shtrenjtat.

Mjerimet e salvimet qi ka hekun komi shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të robniës së vet, janë të panjehuna.

Ndonse kom më vete e të ndamun prej Turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e kështu do të ngjante edhe mbas luftës balkanike, kur Europa, tue mohuem të drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me copa t’Atdheut t’ënë, fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit.

Mbase 450 vjetë kishin kaluem, 450 vjetë të gjata pësimesh e të vështirash, që kur se flamuri i kuq me shqipen e zezë dykrenshe, ai flamuri i lumnueshëm i Skandërbeut, ishte shdukun prej qiellit të kaltër të Shqipniës. Anmiqt shekullorë të komit shqiptar kishin shkelun me kâmbë dhunuese tokën arbnore të lame me gjakun e bijvet të vet, mbi trupat e të cilvet topitej pareshtun tehi i shpatavet e i thikavet të pushtuesvet barbarë. Të dehun nga fitimi i papritun kundër Turqiës, e të ndezun prej mëniës gjakpijse kundër fisit t’ënë, ushtarët beslidhun të Balkanit kishin urdhën qi të mos kurseshin asfare jetën vllazënvet t’anë, pse kështu qeveriët e tyne do të mundshin mâ vonë me mbretnuem e me sunduem mâ lehtas mbi pakicat shqiptare të shpëtueme prej atyne therjeve të pamëshira.

Përpara këtij rreziku të kobshëm qi varej mbi fatin e Atdheut, Shqiptarët, ndonse të turbulluem e të turitun prej rrjedhës së vrulltë t’atyne ngjarjeve të papandehuna e të trishtueshme, e mblodhën mendjen, i bashkuen zemrat e i dhan besën njeni tjetrit qi me u përpjekun e me marrë masat e duhuna për shpëtimin e vendit të të parvet.

Pa humbun kohë, burrat e krenët e tyne mâ të vjefshmit u mblodhën në Vlonë ku, nën kryesiën e të ndëjyemit Ismail Qemal Bej, prokllamuen mvetësiën  e Shqipniës e ngritën flamurin të kuq e të zi, qi shtërgjyshat u kishin lânë trashigim të palosun e të mbyllun në varret e veta.

Kujtimin e kësaj dite gazmore, të cilën të parët t’anë e kishin pritun me aqë dëshir e qi na, mâ të lumë se ata, patëm fatin e bardhë qi t’a shohim me sy, komi shqiptar po pregatitet t’a kremtojë me lulzim më 28 të këtij mueji.

Po të hedhim një sy mbi të ndodhunat e panumërta, të ndryshme e të vajtueshme qi kanë përsjellun jetën e Shqipniës së lirë e qi na vërtiten përpara me shpejtim si fytyrat mbi pëlhurën e nji kinematografi, nuk duem t’i besojmë vetes s’onë, na duket si të jemi n’andërr : e shtatë vjetët, qi na ndajnë prej ditës së proklamimit të mvetësiës s’onë, na bâhen mâ të gjata e na dalin mâ të hidhuna se 450 vjetët e robniës së vjetër.

Përpara mjerimit t’Atdheut të cunguem prej Konferencës së Londonit, e tue pamun vendin e të parvet e vllaznit e vet akoma të paliruem prej thonjvet t’anmiqvet, Shqiptarët e humbën shpresën, e buerën guximin. Të lânun prej Qeverivet të mëdha pa atë mbështetje e pa atë ndihmë për të cilat ka pasun nevojë çdo komb i vogël në kohët e para të të mkambunit të vet, Shqiptarët muerën prapë tatpjetën e nisën përsëri t’u vên veshin propagandavet të hueja e, sikurse pësimet e të ligat e vuejtuna të mos u kishin vjeftun fare mësim, ran për prapë në fajet e përparshme.

Edhe nji herë gjaku i Shqiptarvet nisi me shkuem rrëkeë, edhe nji herë flamuri i ynë u rrëzue e u shduk, edhe nji herë anmiqt e pushtuen tokën e Shqipniës e sunduen edhe mâ rreptësisht mbi popullin t’ënë të ndamun në çeta e në partië gjithfarësh. E as sot të zezat t’ona nuk kanë marrë fund, e fati i Atdheut t’ënë ndodhet akoma i padalluem.

E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë pra për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet t’ona, të harrojmë hidhnimet e anmiqsiët qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njeni tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshavet t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të mirën e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderin e flamurit t’ënë.

Në veprimin e në sjellën t’onë të mbajmë gjithnji ndër mend këshillet e vlerta urtësie, vllaznie e atdhetarie qi, në veprën e tij profetike, u jipte Shqiptarvet, ndëpër gojë të Marash Ucit, vjershëtori i ynë kombtar tue u thânë :

 

Armët e mbushme mos me i dhânë,

                                    Me shokë t’uej kurr mos me u zânë.

                                    Kurr ujt turbull mos me i rá,

                                    Mos me dalun n’và t’pa và.

                                    Vendin t’uej me e dashtë për ore,

                                    Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

                                    T’huejnë me fjalë mos t’a poshtnoni,

                                    Bukën para por t’i a shtroni

                                    Në Shqipní si âsht qênë zakoni ;

                                    Me i besue mos i besoni !

 

            Paris më 20 nânduer 1919                        LUIGJ  GURAKUQI

 

            KUVȆNDI Romë, 30 Nëntor 1919

FLAMURI I VENDIT TIM – Poezi nga NEXHAT PESHKËPIA

Këtë vjershë e shkruajti Nexhati

 

PER NXENESIT E SHKOLLES SHQIPE TE NEË YORK-ut

 

Është Flamuri i vendit t’im

Më i bukuri në botë,

Flamuri më lavdiplotë,

 

Flamuri që m’ep zemër

Dhe më bën të jem krenar,

Është Flamuri Shqipëtar.

 

Me një zhgabë dykrenore                                          

Është Flamuri Shkënderbeut,

Është Flamuri i Atdheut

 

O Flamur i Dukagjinit,

O Flamur i Myzeqesë,

O Flamur që më jep shpresë.

 

Krahasohe me të tjerët:

Ku gjen fushë më të zjarrtë,

Ku gjen Flamur më të lartë!

 

Gjithnjë jetën t’a kan’falur

Qytetarë e malësorë,

Si në Krujë, si në Vlorë.

 

 

Portret artisti në mungesë, Manush Peshkëpia – Nga Agron TUFA

Sa herë kam shfletuar periodikët dhe revistat letrare të viteve ’30-të, kam ndeshur herë pas here në krijimet letrare të Manush Peshkëpisë (1910 – 1951). Spektri i botimeve është padyshim shumë më i gjerë dhe jo të gjitha revistat kam pasë fatin t’i shqyrtoj. Madje krejt rastësisht interesimi im nisi me një poezi të botuar në një nga numrat e revistës “Përpjekja” të Branko Merxhanit. Poezia mban titullin “Shpirt’ i ri” me autor – Manush Peshkëpia.

Ishte një emër që në poezi e ndeshja për herë të parë dhe krejt natyrshëm, nën efektin mbresëlënës të poezisë, kisha dëshirë të dija më shumë për autorin e saj. Kompozimi i idesë në tre strofa klasike me rima abba në dy strofat e para dhe të alternuar në strofën përmbyllëse, ndjek trajektoren e brishtë të Shpirtit të përmalluar, që i etur mëton të dalë në dritë, duke pritur gjatë i topitur e i paralizuar në errësirë. Por bota jonë nuk është mirëseardhëse dhe në vend të “dritës së kulluar” që ëndërron të ndeshë, Shpirti përballet me një realitet të vrazhdë e lebetitës. Ideja e kësaj lirike pëfton vetvetiu në çdo kohë një kontekstualitet bashkëkohor, për qëllimin e lartë të Krijimit me një destinacion të qartë e të lartësuar, por pikëmbërritja e tij është zhgënjyese dhe nuk e shpërblen itinerarin e udhëtimit të tij nëpër errësirë. Mbetet që bota jonë reale është diçka më e përçudshme, më e dhunshme se errësira prej nga e merr zanafillën rrugëtimi i Shpirtit. Shpirtit, të brishtë dhe të pambrojtur, i mbetet të jetë një vizitor i trishtë i kësobote, duke vajtuar me lotë të hidhur zhgënjimin e madh; që gjithë pritja e tij paskësh qenë një rreng mashtrimtar dhe se gjallimi i tij do të mbetet përdhunshëm një peng, i një bote që e refuzon, që nuk e do. Le ta përcjellim poezinë e plotë:

Shpirt’ i ri posa gatuar,

Nëndë muaj n’errësirë

Nëndë muaj krejt i mpirë

E zë mall’ i përvëluar.

 

Shpirt’ i ri posa gatuar

N’errësirë s’duron dotë,

Do të vijë në këtë botë

Të shoh’ dritën e kulluar.

 

Shpirt’ i ri posa gatuar

Lindi, ra në botën t’onë,

Po – i shkreti shpirt’ i njomë

Zu të qaj’, oh, i penduar!

Nuk e di në është një nga krijimet e para të poetit njëzetë e ca vjeçar asokohe, Manush Peshkëpisë, por struktura e vargjeve, përsëritjet e vargjeve të parë, organizimi i lirshëm i strofës me skema ritmike vargjesh dhe sidomos trajtimi i idesë si një trajektore e zhgënjyer fati nga hiçi në hiç na bën me dije, se kemi të bëjmë me një dorë të ushtruar mirë një artin e poezisë dhe në shterrimin e një përvoje leximore, e cila, përpos idesë së thelbit të lirikës, nuk i ngarkon aspak komponentët e poezisë me erudicione shtjelluese. Poezia vetë ngjan me një kantatë të trishtë, me një vokal të brendshëm intonativ, si grafikë lirike muzikore, të atilla që ngjajnë me zhanrin e “muzikë dhome” të Shubertit.

Në këtë fill të brishtë këndon muzika e idesë së një “unë” pavetor, i cili mund të jetë njëherësh i yti dhe i gjithkujt. Të gjitha poezitë e Manush Peshkëpisë, të shkapërdara nëpër shtypin dhe periodikët letrarë të kohës, flasin për një zanafillë të vyer të lirikës intime e filozofike, aq të domosdoshme në peisazhin e atëhershëm të poeizsë shqipe, të sapodalë prej traditave epiko-didaktike me pathos atdhetar. Emancipimi i lirikës sonë duket qartë se e ka patur një kahje, një tendencë, një formacion ndjeshmërie, i cili përkapet si tek Manush Peshkëpia, ashtu edhe tek disa poetë të viteve tridhjetë, si Nexhat Haki, Vedat Kokona, Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci etj. Shumë prej këtyre emrave patën rrugëtime të ndryshme në letërsi, në varësi të koniukturave idologjike pas luftës së Dytë Botërore, disa ndërruan krejtësisht profil, duke u bërë shërbëtorë të regjimit komunist, e disa të tjerë, thjesht mbetën anonimat, pushuan së krijuari veprat e veta, ngase qe “stinë e keqe” për lirikën. Pikërisht në zërin e ndrydhur të këtyre të mbramëve duhet parë edhe fati i krijimtarisë së Manush Peshkëpisë.

Autorët e tjerë të viteve ’30 gjetën një mënyrë afirmimi; disa e përmblodhën krijimtarinë e tyre poetike në një libër edhe pas vitit 1945, si për shembull, Nexhat Hakiu, por Manush Peshkëpia mbeti i panjohur për lexuesin, duke ndarë fatin e shkrimtarëve të ndaluar të regjimit, edhe pse lirika e tij meditave me tone nostalgjike e pesimiste do të kishte qenë mjaft e dashur në epokën e denatyrimit të poezisë shqipe të realizmit socialist. Thjesht, për artin e tij në epokën servile nuk kishte më vend. Fatin e artit të tij e vulosi më së fundi, fati tragjik i jetës së shkrimtarit, për t’u shndërruar mandej në një nga emrat tabu gjatë diktaturës. Tani që kanë kaluar mbi 70 vjet është e vështirë (por jo e pamundur) të risillet, së paku, bërthama e freskët e lirikës së Peshkëpisë. Krijimtaria e tij, e shkapetur nëpër oragne e periodikë revistash e gazetash elitare para luftës së Dytë Botërore, lyp një hulumtim e kërkim sistematik për t’u mbledhur e strukturuar. Ne sot vetëmse mund ta përftojmë e përkapim këtë trashëgimi letrare nëpërmjet indikacioneve e treguesve të ndryshëm në shtypin e kohës, apo nëpërmjet përmendjeve me veneracion të thellë nëpër mbresat e rrëfimet e atyre shkrimtarëve që e kanë njohur si njeri me shije e formim kulturor solid dhe si një nga krijuesit më të spikatur të viteve tridhjetë.

Një ndër personalitetet qëndrore të kulturës shqipe, prof. Arshi Pipa, sjell këtë minportret të Manush Peshkëpisë në esenë e tij “Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë”: “…Manush Peshkëpia ka tjetër histori. Qe arrestue që në ditët e para dhe dënue në Gjyqin Special të Tiranës me pesë vjet burgim. Bani katër vjetë dhe doli. Nuk kishte veçse dy vjetë që ishte lirue, kur e arrestuen përsëri. Kjo qe me rasën e bombës së hjedhun në Legatën Ruse, në Shkurt 1951. Bomba, si u muer vesh ma vonë, pat qenë vu nga nji antar i Partisë Komuniste. Ma se tridhjetë vetë, t’ashtuquejtun “reakcionarë”, u pushkatuen m’atë rasë, për reprezalje. Njani ndër ‘ta qe edhe Manushi. Poezitë e Manushit janë të shpërndame ndër revista të ndryshme, dhe sidomos te “Përpjekja Shqiptare”, e drejtueme nga z. Branko Merxhani. Janë poezi të shkurta, të qarta, plot ndije të shkrime në nji nostalgji t’ambël. Prof. M. Lambertz në librin e vet “Albanesisisches Lesebuch”, ka përfshi disa shembuj nga poezia e Manushit. Poezitë janë të mira, por edhe ma i mirë ka qenë njeriu: i kthejtë, zemërartë, i butë, i nji butsije evangjelike, i pazoti t’i bante keq njeriut, as vetë anmikut “.

Ne kemi patur raste të zhbirimit hulumtues të autorëve fare minorë në letërsinë shqipe të viteve ’30, të çupëlinave e çunakëve me prirje e ëndrra marksiste e bolshevike, apo të ashtuquajturve poetë-partizanë, si Memo Meto, Gaqo Kollumbi (Yrka), Qemal e Veli Stafa, Kristaq e Margaritë Tutulani etj, shkrimet e pakta të të cilëve janë mbledhë e komentuar, derisa kanë zënë vend edhe nëpër antologjitë shkollore, por armata e ideologjizuar e shkarrashkruesve të regjimit, nuk arriti, së paku objektivisht, apo qoftë edhe nëpërmjet qëndrimit kritikues, t’i përmendte shkrimet patriotike e intelektuale të Manush Peshkëpisë. Lufta e klasave e kishte prerë vendimin për t’i rraposur përjetësisht në harresë gjurmët humane të një intelektuali me horizont e vizion si Manushi. Ata mendonin se e kanë asgjësuar përfundimisht edhe njeriun, edhe veprën, sikur ai të mos paskësh ekzistuar kurrë! Birin e një familjeje me tradita intelektuale atdhetare, pasardhësin e një dinastie aristokratikë me vetëdije dhe shqetësim kulturor e kombëtar, komunistët u munduan ta shuajnë me jetë e me vepër, e mandej, me një egërsi të ligë, të vepronin me të njëjtin stil çnjerëzor edhe mbi trashëgimtarin e Manushit, Gezim Peshkëpinë.

I biri, Gëzimi, gjithashtu u dënua më qëllimin e qartë, që nga kjo familje e madhe, të mos mbeteshin më filiza. Megjithatë linja e kësaj sage tragjike të familjes, nuk u ndërpre, përderisa i biri ia doli t’u mbijetojë burgjeve gjenocidiale enveriste për të mbërritur tek dëshmia. Libri tij memuaristik e aforistik “O njeri” i botuar para pak kohësh, bart karakterin tronditës fragmentar, pa aq sa na shfaqet fragmentare edhe jeta e të atit, gjithë ndërprerje. E pikërisht fragmenti na bën të lidhim sot fijet e përjetimit tronditës të individit në atë plojë rrënimtare të kohës, si fat dhe ekzistencë në zgrip të zhdukjes . Sërisht i rikthehemi mendimit, se krijimtaria e hapërdarë e Manush Peshkëpisë, paraqet ndoshta një model tragjik të fatit të intelektualit shqiptar, tek i cili është i mishëruar simbolikisht karakteri krejt ndërprerje të dhunshme kulturash, traditash, historish, kohësh, çka përbën një sens fatal vetshkatërrimi, të cilin e kemi trashëguar në embrion tonë si komb. Nga kjo pikëpamje vetë fati i individiumit përputhet në mënyrë të hidhur me përvojat tona të dhimbshme kolektive. Ne nisemi të mbërrijmë tek Manushi, por përpara kemi pirgje plehërash të historisë sonë, mbeturinat acide të ideologjisë, mosvëmendjen dhe mungesën e përgjegjësisë qytetare të trashëguar nga komunizmi.

Rruga për të rinjohur veten tonë autentike, identitetin tonë zanafillor, do të ishte rruga për të mbërritur në një portret të plotë e të pastruar të Manush Peshkëpisë, të pastruar nga harresa dhe zhyli i kohërave. Madje edhe sikur të kishim të bënim, jo me një trashëgimi letrare, publicistike e përkthimore të shpërndarë nëpër botimet e kohës, por edhe sikur të kishim të bënim, qoftë edhe me një dëshmi të vetme, qoftë edhe me një segment epistolar! Në gjithë rrëmetin dhe katastrofën që shkaktoi stalinizmi shqiptar, duhet të na interesojë njeriu në vetvete, njeriu si projekt antropologjik. Ne duhet të na interesojë se çfarë u bë me njeriun, me njeriun në përgjithësi, që në ditën e parë kur e morën dhe i hodhën prangat mes familjes, sepse nuk mund të ketë asnjë ngushëllim me sllogane, asnjë rehabilitim në trajtë letre apo një qesjeje me eshtra! Dhe rruga për të zbuluar portretin njerëzor dhe intelektual të Manush Peshkëpisë, është vetëm udhë në nisje, tentativë drejt përftimit të tij, nxjerrjes së tij nga harresa. Se nuk mund të shlyhen ashtu siç mendonin komunistët gjurmët e një jete të tërë njerëzore!

Shpesh nga harresa ku është flakur prej dekadash, Manush Peshkëpia na jep shenja, lajmërohet; gjurmët e tij i ndeshim në trajta mjaft intriguese. Një numër i “Revistës letrare”, me drejtor dhe përgjegjës Vedat Kokonën njofton se së shpejti do të dalë në qarkullim edhe libri i Manush Peshkëpisë – “Folklori i Epopesë së Vlorës, 1920”. Përpos këtij libri të paralajmëruar (fatin e të cilit nuk e dimë, së paku nuk dimë as për dorëshkrimin e mbetur në ndonjë arkiv të Sigurimit të shtetit), ndeshim në publicistikën eruditive të tij, sidomos në “Revistën letrare” me rubrikën “Të huajt për ne”, kryesisht analiza, meditime dhe recensione të vyera për librat e shkruar mbi realitetet shqiptare: analiza të librave të Justin Godart-it, Gabril Louis-Jaray, Fracesco Krisp-in etj. Rëndësinë e krijimtarisë poetike të Manush Peshkëpisë e ka vërejtur edhe studiuesi dhe një nga albanologët më të shquar gjermanë, Maximilian Lambertz, duke e përfshirë atë si autor në antologjinë e poezis shqipe të përkthyer dhe botuar në Leipzig më 1948 me titullin “Albanisches Lesebuch”.

Në këtë antologji në gjermanisht Manush Peshkëpia përfaqësohet, krahas poetëve më të rëndësishëm të viteve ’30, me dy poezi: “Der Mutter” (Nënës) dhe “Der Blonden” (Flokëverdhës). Jeta e poetit Manush Peshkëpia u ndërpre nga plumbat, në frymën e barbarisë komuniste, në moshë të re, kur kishte 40 vjeç. Zakonisht në këtë moshë artisti piqet dhe bën sintezën e përvojave të veta. Ne nuk e dimë se si do të zhvillohej poetika e tij; nuk dimë se çfarë zhanri do të lëvronte Manushi, qoftë dhe në heshtje, i pabotuar, sikundërse nuk dimë ende asgjë mbi fatin e dorëshkrimeve të tij. Me siguri raportet e tij me shkrimin do të ishin shtjelluar në vepra sirtaresh, si rezistencë, e papërzier në korin hymnizues të regjimit. Por ai kishte dashuruar kombin shqiptar, jo komunizmin. Një ndër hartuesit e platformës ideore të Ballit Kombëtar, Manush Peshkëpia e kishte bërë zgjedhjen e vet si kundërshtar i ideologjisë bolshevike. Ne vetëm mund të hamendësojmë mbi rritjen e tij intelektuale dhe llojin e letërsisë që mund të shkruante, po aq sa e dimë mirë, se një mundësi e tillë pak shanse kishte të ndodhte, për shkak se “hekatomba” komunsite nuk mund të kursente intelektualë të tillë si Manushi… përpos kësaj, më të vëllanë (shkrimtarin Nexhat Peshkëpia) të arratisur në Amerikë! Herët a vonë do të mbërrinte ajo natë e kobshme, ai “Shënbartoleme” i kuq, ashtu siç e përshkruan i biri, Gëzimi: “Në datën 27 shkurt (1951) trokitën në derë, hynë brenda dy persona të cilat na komunikuan: ‘Manush Peshkëpia është pushkatuar sot, si armik i popullit. Me 3 mars të keni bërë gati plaçkat sepse do të dëboheni nga Tirana. Në 3 mars erdhën me kamiona për të na marrë. Shumica ishim gra dhe fëmijë të trembur… “.

Në një nga numrat e revistës “Përpjekja Shqiptare”, gjendet një poezi tipike e Manush Peshkëpisë, që shpreh ndjesinë tragjike të jetës dhe fatit të shkurtër të njeriut në këtë botë. Përkohësia, efemerizmi i lëndës, itinerari i shkurtër jetësor i njeriut si bujtës i trishtë në visoret tona, ngulitja fatidike se jeta është veçse një ëndërr e shqetësuar – përbën ndoshta një metaforë, që përmbledh në një kornizë simbolike portretin e papërfunduar të njeriut ëndërrimtar, intelektualit të shqetësuar dhe krijuesit me fat tragjik. Megjithëse poezia i kushtohet, siç e thotë dhe titulli “Shokut të vogjëlisë” (Nikollaq Ruçit, ajo e përmbledh edhe fatin e vetë autorit në paradigmën filozofike të “jetës-ëndërr”, që kalon parasysh, duke lënë më fort mbresën e hidhur se sa gëzimet e saj: Jeta jote? Flakë n’erë! Ndezi, shoi me nxitim Dhe s’të fali mor i mjerë, Asnjë ditë pa vajtim! Psherëtite, ngashërove, Jo se gjë të pat munguar, Po sepse në bot’ s’shikove Veç të mjerë – e të munduar. E në kohën më të ndritur Sapo ish edhe agim, Shpit-e-zemërë-zhuritur More udhën që s’ka kthim… Ç’janë ndaj përjetësisë Parëvera njëstenjë? Shok, o shok i vogjëlisë, Vetëm nj’ëndër dhe asgjë!

Ky vit që po mbyllet, shënon 100 vjetorin e lindjes së intelektualit dhe shkrimtarit Manush Peshkëpia, të pushkatuar në moshën 40 vjeçare, pas asnjë gjyq, thjesht sepse ai nuk shfaqi asnjë zell për t’i kënduar komunizmit dhe “njeriut të ri”. Për të shkuarën dhe për të ardhmen e tij, ky njeri duhej të fshihej e të asgjësohej pa lënë asnjë gjurmë mbi këtë tokë dhe mbi këtë popull, që e deshi, me atë dashuri e dhimbsuri që ia mëkuan të parët e tij. Dhe parrulla leniniste “Kush nuk këndon me ne, është kundër nesh”, nuk mund ta kursente vetëdijen intelektuale e nacionaliste të një atdhedashësi. Tjetër vend nuk kishte për të! Ne nuk mund ta zhbëjmë dot “veprën e pandreqshme të vdekjes”, por ne mund ta ringjallim kujtimin e tij, duke e risjellë, duke ribashkuar të gjitha gjurmët e krijimtarisë dhe copëzat e jëtës së tij, në një portret të qëndrueshëm, më të plotë, me të cilin të kemi se ç’të kuvendojmë, sepse kemi ç’të mësojmë prej shembullit të jetës dhe përpjekjeve të tij – në mos shumë – të paktën do të mësojmë si ta duam vlerën e patradhëtueshme të atdheut, njeriut dhe ndjenjën e pandotur mbi të bukurën.

GJUHA JONË – Poezi nga NAIM FRASHËRI

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm’ udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N’atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur’edh’e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t’i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S’mbulohetë me remë.

FAN NOLI SI POET DHE SI POET-PERKTHYES – PJESA E  PARE: NOLI SI POET SHQIPTAR – Nga NEXHAT PESHKËPIA  

PJESA E  PARE

 

NOLI SI POET SHQIPTAR    

 

 

Në një artikull përkujtimor mbi  Fan Nolin, shkrimtari e poet Ernest Koliqi, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe n’Universitetin e Romës, thotë:

“Si poet, për m’u vû në radhën e Jeronim De Radës, të Naim Frashërit e të Gjergj Fishtës, Ai pajisej me të gjitha kushtet: me frymëzim të fuqishëm, me pregatitje kulturore, me shije letrare të sigurtë, me pasuní e thellësí ndjesísh dhe me nji prirje të vetvetíshme për shprehje të mprehta e të préme.”[1]

Më plotësisht këtë “prirje të vetvetishme për shprehje të mprehta e të préme”, e ka vënë në dukje dhe shprehur mjeshtërisht Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) në’Vështrimin panoramik’’ të tij, mbi Poetin Fan Noli, ribotuar në Albumin e “Vatrës’’:

“Ç’mund të themi, si përmbledhje, mbi verbin e Fan Nolit? Ja, këto fjalë: Fiziollogjia specifike e vjershës Noliane është jo tuli, po muskla dhe eshtra. Nuk është kontemplativ, pasiv, pritës, po buçitës, sulmonjës, dërmonjës. Vargu i tij nuk është visual, po auditiv. I drejtohet pra veshit, jo syrit. Dhe veshit i drejtohet jo me ondulacione lirike, me shushëllime t’ëmbëla, po me një arsenal bubullimesh e vrungullimesh si një grumbull baruthanash që marrin zjarrë e buçasin njëra më fort se tjatra… Një shtërgatë fjalësh shqiptare ose të shqiptarizuara… ku buçet… ashpërsija Teftane, Krutane dhe Vlonjate, këto kulme heroike të racës Shqiptare.’’2

I prura këto dy të thëna sepse më duket se pasqyrojnë më mirë dhe më saktë karakterin e vjershës noliane. Nuk është epike në sensin e plotë të fjalës vjersha e Nolit; ajo është sulmuese, e vrullëshme,e tmerëshme edhe atje ku duhet të duket, në mos të spikasë, fjala e mëshirëshme dhe e mallëngjyeshme e domosdoshme në gjininë elegjiake. Po kthehem përsëri te Koliqi, për t’ilustruar më mirë këtë pikë. Thotë:

“…Ai na dhuroi trí lirika: Hymnin e Flàmurit, Syrgjyn-vdekur e Shpellën e Dragobís, qi vërviten nalt në qiell të poezís e i rrijnë ngjat vjershave mâ fluturuese të tre poetënve të mëdhenj qi u përmendën sypër (De Rada, Naimi dhe Fishta) … Fytyrat e Luigj Gurakuqit dhe të Bajram Currit dijti t’i gdhêni me premí lapidare në vargje ku çdo fjalë kumbon e shpërthen e mbushun me nji plotní të stërbegatshme ndjesísh e me një peshë madhnore mendimesh…’’3

Në të dyja këto elegji, nuk di t’a shpjegoj pse, na lind në zemër e në shpirt një ndjenjë që është kryekëput në kundërshtim me shuarjen e pasvdekjes së pasioneve dhe ndjesive hakëmarrëse. Me fjalë të tjera: të dy elegjitë marrin frymën e invektivës, e mallkimit për një mizori dhe jo frymën e mallëngjimit ose të së qarës për një hata.

Sidoqoftë, poezinë e Nolit mund t’a analizojmë dhe t’a gjykojmë nga pikëpamja estetike-poetike dhe Nolin vetë nga pikëpamja e vëllimit, sasisë së prodhimit. Në çdo rast nuk mund të mohohet se, megjithëqë ky vëllim nuk është i madh, Noli është një poet antologjik, vjersha e tij është e zgjedhur, të pëlqen e të mahnit si nga cilësia dhe nga vlefta e lartë intriseke e argumentit fisnik të trajtuar (shpirtëror dhe intelektual), si nga mënyra e paraqitjes, e vjershërimit, vargënim i lartësuar në shkallë arti nga mjeshtëria e poetit në përdorimin e ritmit dhe të rimës. Me pak fjalë, vjersha e Nolit është shembëllore në shkallë të parë të çdo antologjie poetike shqipe.

Po citoj përsëri Koliqin, i cili, në “rromanx’’-in e tij Shija e bukës së mbrûme, i vë në gojë Jorgjit, një mjek shqiptar i mërguar këtu n’Amerikë, këto fjalë, kur shfletëzon Albumin e reciton disa vjersha:

“Kurgjâ tjetër mos me i pasë dhurue letrave shqipe Fanoli veç këtyne dy xhevahireve (dy elegjitë për Currin dhe Gurakuqin) të paçmueshme, ka tagër me pasun mirnjohjen e përjetëshme të Shqiptarve.’’4

 

 

 

NOLI SI POET PERKTHYES                  

 

“Korbi” i Edgar  Allan Poe  

          

          “Veprimtarija e tij (e Nolit) letrare si shqipëronjës mbetet një nga kontributat e tij më të vlefshme në letrat e Shqipes”, thotë Kuteli,5 dhe në vazhdim të kësaj thënie unë mendoj se dy shembëllat më të shkëlqyeshme të Nolit si poet përkthyes janë Rubaitë e Omar Khajamit dhe Korbi i Poe-s. Dua të përmend se në frengjisht veprat në prozë të Poe-s i ka përkthyer shumë bukur Baudelaire, por përkthimi i tij i Korbit duhet të quhet i dështuar. Të njëjtin dështim e gjejmë në përkthimin e symbolistit Mallarmé,6 që mësoi anglishten “vetëm për të lexuar (shijuar) më mirë Poe-n,” sikurse thotë ai vetë. Edhe poeti italian Giovanni Pascoli i u vu përkthimit të Korbit me titullin “Ténebre” (Errësirë), por s’i a dolli dot dhe, pas dy strofave të para, s’vazhdoi më. Këto dy strofa i ka botuar Pio Schinetti n’artikullin e tij “Pagine inedite di G. Pascoli”, në Secolo XX, maggio 1912.

A e tepëroj unë, nëqoftëse thom që s’ka shembëll aq magjepse në shqip si pëkthimi i Korbit? Kush di anglisht dhe shqip mund të vulosë këtë thënie t’ime, sepse magjia që të mbërthen duke kënduar vjershën shqipe të Fan Nolit t’onë është e njëjta me atë që të mbërthen duke kënduar vargjet e Poe-s n’anglisht, Noli është poet i pakapërcyeshëm si shqipëronjës.

Zonjushja amerikane Janet Byron, që ka mësuar gjuhësi shqipe n’Universitetin e Prishtinës, përsa i përket përkthimit të Korbit, më shkruan këtë shënim:

<< Poe shpjegon në veprën e tij Filozofia e kompozicionit, sesi e shkroi poemën Korbi. Ai përshkruan teknikën që përdori, gjithashtu edhe karakteristikat e tiparet që do të shfaqeshin në poemën. Këto janë:”

>>1. Gjatësia: Poe pohon se një poemë duhet të jetë e shkurtë ose e gjatë në një masë sa të lexohet brenda një kohe të caktuar. Prandaj vendosi ta shkruajë Korbin me 100 rreshta (vargje). Në të vërtetë poema përbëhet prej 108 rreshtash. Noli duke përdorur tetërrokshin, që është vargu nga më të përdorurit ndër vjershat popullore shqipe, ka dyfishuar numrin e vargjeve por ka mbajtur ritmin e poezisë origjinale:

 

 

 

 

 

Një mes-nate të besdisur

                                                   Tek  këndonja i zalisur…

                                                          ………………..

                                                   Era frynte që përjashta,

     Rrihte perdet e mëndafshta

 

>> 2.  Toni: Bukuria, domethënë bukuria qiellore, është gjithashtu një parim themelor në veprën e Poe-s. Sipas poetit, toni i shfaqjes, i shprehjes më të lartë të kësaj bukurie është toni i trishtimit. Përmbajtja e poemës e shpreh këtë trishtim, po gjithashtu ky trishtim dhe dëshpërimi i pashpresës, shprehen me anë të teknikës, të përdorimit të materialit gjuhësor. Një element kryesor gjuhësor i përdorur në Korbin për të shprehur idenë e trishtimit, e vetë pocaqisë, është përsëritja e një fjale me kumbim e me kuptim të trishtimit që rrjedh nga humbja e shpresës, nga pa shpresa: Nevermore, që tingëllon më bukur në shqip Kurrë më, përdorur nga Noli. >>

Zonjushja Byron shton se, gjithmonë e marrë nga pikëpamja e tingullit, “u”-ja në shqip e fjalës “kurrë” është më e zezë, më e përshtatëshme për trishtim nga sa është “o”-ja e fjalës “more”, n’anglisht dhe se “rr”-ja është më tingëlluese nga “r”-ja anglese që është pothuaj krejt e shuar. Gjithashtu, një tjetër shenjë të fortë për prerjen dhe humbjen e shpresës që ka dashur të shprehë Poe, e gjejmë në theksin tonik që bie mbi “ë”-në e fjalës “më”.

Unë besoj se dëshmia, pohimi, dua të thom, i Zonjushes Byron duhet të ketë një vleftë më të madhe nga çdo pohim tjetër të asaj natyre dhënë nga një Shqiptar me kulturë angleze. Sido dhe në çdo mënyrë që të merret, gjuha e vatrës që në foshnjëri, e rinisë, gjuha e nënës, mendoj, ka një veti që na bën t’a ndjejmë, më shumë sesa t’a kuptojmë, një fjalë. Dhe në këtë rast, nëqoftëse një Amerikan vihet në gjendje shpirtërore më emocionale me përsëritjen e një fjale të huaj siç është “kurrë më”-ja e Nolit, sesa me përsëritjen e një fjale amtare si “nevermore” të Poe-s, duhet thënë se i Yni ka patur një fat të madh në përdorimin e gjuhës s’onë.

 

 

 

“Rubaitë” e Omar  Khajamit

 

      Poeti A. Pipa, për Lasgushin, thotë se përkthimi i Eugjen Onjegin-it në ship bërë nga “mjellma e Poradecit”, është “perkthimi ndofta mâ i bukur në letërsinë shqipe MBAS Rubaive të Nolit.7 (Jam unë që shquaj fjalën “mbas” me shkronja të mëdha.)

Për qejfin t’im personal, për një kuriozitet intelektual, t’a thom, kam krahasuar 75 Rubai të përkthyera nga Fitzgerald-i n’anglisht me ato përkatëse të Nolit, duke patur përpara syve, si një gashtë, përkthimin në frengjisht të poetit persian Etessam-Zadeh.8 A është gjuha amtare që më shtyn të shijoj më thellë Nolin? Apo mos është vallë shpirti i njeriut t’ethnos-it, të gjakut të njëjtë me t’imin që më prek më thellë nga Anglezi dhe nga Irano-Frengu? Noli në “Introduktën” e tij të Rubairavet, akuzon Fitzgerald-in për liri të tepëruar që ka marrë në përkthimin e Khajamit:

“Vepra e Fitzgerald-it (“poet vetë nga më të mëdhenjtë”) ka vetëm një cen: Na tregon vetëm ca aspekte të Kopshtit Khajamian; ca pak nga mania e sistematizatës së ngushtë dhe ca më tepër për arsye artistike, Fitzgerald-i lë mënjanë fare e vë nënë hie ca aspekte të tjera, pa të cilat piktura është e çalë. […] Fitzgeraldi s’ka përkthyer fjalë pas fjale dhe Rubairat e tij largohen shpesh nga persishtet aqë sa munt të quhen si variata originale inglishte, të frymëzuara prej Omar Khajamit.”9

 

Aplikimit të “sistematizatës” dhe të “arësyes artistike” nuk i shpëton asnjë perëndimor kur përkthen një vepër poetike gjinikuar nga një mendje dhe  shpirt orientali. Një perëndimor, qoftë edhe poet, nuk mund të çlirohet kurrë nga racionalizmi; në ligjërimin e tij poetik, qoftë lirik ose epik, qoftë klasik ose modern, qoftë edhe romantik, Italiani, Frengu, Gjermani, Anglezi, bile edhe Spanjoli, ky gjysëm arab mund t’a hedhë në fund të ndjenjës racionalizmin, duke e përbuzur, por kurrë nuk mund t’a zhduki krejtësisht. A u shmanget Noli “sistematizatës” dhe “arsyes artistike”? Më duket se po.

Dy janë arsyet që provojnë këtë gjë. E para është fakti se kujdesi më i madh i Nolit është të përkthejë frymën, “sensin”, shpirtin, dua të thom të kalojë në vargun e përkthyer atë element emocional që ka vleftë, që gjendet në vargun origjinal. Mjafton të referohemi te përkthimi i Korbit dhe te të gjitha, përkthimet e tjera të tija, që vetë Noli, mendoj, për të mos u paditur traduttore: traditore, i quan “parafraza”. Do t’a shohim më konkretisht pak më poshtë kur të flasim për përkthimin e A Villequier të Hugoit. E dyta, Fan Noli është një perzierje, harmonioze po të doni, por gjithnjë përzierje, orientale-perëndimore, që, duke patur para syve tekstin origjinal të Omar Khajamit, persian, dhe atë të Fitzgerald-it, anglez, zhytet në shpirtin e Persianit oriental më plotësisht se Anglezi, se çdo tjetër perëndimor. Noli, mos të harrojmë, është një tru e një shpirt klasik-bizantin, është një ndjenjës dhe dijetar humanist-bizantin, dhe kur thom bizantin thom oriental që përmbledh edhe shpirtin persian të kohës helenizante të Avicenës, të Khajamit e më vonë të  Hafizit. Më duhet të thom këtu që këtë mejtim të fundit e shfaq me drojtje, me gjysëm zë, me timiditet.

Por konsideracione mbi themën e përkthimit të poezisë, mund të bëhen sa të duash. Sidoqoftë dhe në çdo mënyrë, për letërsinë t’onë të përkthimit, vlen, rëndësi kryesore, fakti se atë poezi të huaj e ka përkthyer një poet, Noli, dhe jo një linguist, ose gramatolog, ose profesor letërsie. S’është rasti këtu të bie shembëlla të shumta të dështimeve të ndryshme të përkthimeve poetike nga një gjuhë përendimore nga një gjuhë tjetër perëndimore. Dua të shquaj vetëm, se kemi përkthyesin që, megjithëse i di dy gjuhët nuk njeh shpirtin e popullit e të vendit që ka pjellur poetin që duhet përkthyer; kemi pastaj profesorin, qoftë edhe dijetar i shkallës universitare, që megjithëse specialist e dy gjuhëve, ndërgjegja e tij profesionale e ndikon nëmos e detyron, t’i mbetet besnik tekstit. Fjalët q’ai përdor janë të sakta por çdo gjë, dhe pikërisht për këtë shkak, më në fund, përkthimi i tij mund të paraqitet si një skelet dhe secili mund t’a marrë me mend se ç’bukuri mund të ketë skeleti i një gruaje sado e kolme të jetë, ose një panoramë magjepse që mund të dalë e përshkruar nga fjalë besnike por të thata të gjuhës përkthyese.

Kemi më së fundi, dhe më drejt, përkthimin e përsosur që nganjëherë mund t’arrijë në sublimitet dhe të merret, e të mbahet, si një krijim origjinal. Këtë punë mund t’a bëjë vetëm një poet. Poeti italian Foscolo, në recensionin e përkthimit n’italisht të dy Këngëve të para të Odisesë, bërë nga Ippolito Pindemonte, thotë: “Përkthimit besnik fjalë për fjalë nuk mund t’i shtrohet veç një gramatolog, […] për një përkthim me shpirt duhet një poet; një poet mbetet gjithmon më besnik sepse poet dhe gramatolog s’mund të pajtohen kurrë aq plotsisht sa një poet me një poet tjetër.”10

Me fjalë të tjera, letërsia shqipe e përkthimit ka patur fat të krijohet nga poet autentikë dhe të lartë. Ka poezi kombëtare, pa dyshim; ka poezi lokale, autoktone e lindur brenda një jete që mund të jetë krejt e izoluar dhe pa kontakte me popuj të tjerë, por poezia si poezi, si këngë, si art i lartë që të bën të dalësh nga jeta reale dhe t’a transformojë këtë, të fisnikojë me verbin hyjnor çdo ndjenjë e mendim, të të rrëmbejë e të çojë lart sa të të merren mendt, të qash e të shkrihesh, ose të të ekzaltojë në kulm, poezia e vërtetë thom, bashkë me fuqinë, bashkë me muzikën e saj, nuk është prerogativë e asaj race ose gjuhe njerëzore, por është prerogativë e Njeriut Poet që mund të lindë si në buzën e Seine-s dhe të Tevere-s, si dhe në stepat e Rurisë dhe në shkretinën e Mongolisë, n’akullnajat e Karibuve e në tokën ekuatorjale të Pygmeve, në Meksikë t’Aztekëve e në ishujt e aborigjenëve t’Oqeanisë. Noli i ynë, në këtë kuptim, është ai Njeriu Poet, “Homo Poeticus.”

 

 

NOLI SI POET ALEGORIOK                                           

 

Dihet se disa nga vjershat origjinale të Nolit, si bie fjala, Moisiu në Mal, Krishti me Kamçikun, Shën Pjetri në Mangall, Marshi i Barabbajt, Marshi i Kryeqësimit…e kanë gjenezën në ngjarjet politike të pas 1924-ës, kur Noli me shokë u shtrenguan nga kundërrevolucioni i atij viti, të mërgohen në dhe të huaj.

 

Thotë Prof. Pipa: “Arti për art mund t’ishte credo-ja e nji Konice. Formula e Nolit qe gjithmonë Arti për edukatë.”11 dhe Z. Elez Ndreu, në studimin e tij kritik të veprave t’Etëhem Haxhiademit, thotë se ky poet tragjik ka “ambicien” në veprat e tija si Pirrua, Skenderbeu, Aleksandri, Diomedi, t’i japë Shqiptarit vetëm tragjedinë me kuptimin klasik, pa u kujdesuar për qëllimin. Dhe për opozicion flet për veprat e Fishtës dhe të Nolit. Për Fishtën bie si shembëll melodramën Juda Makabé dhe për Nolin Moisiu në Mal dhe Shën Pjetri në Mangall, “të cilat edhe pse janë vjersha me tituj e me simbole biblike, përkah mbrendija janë satirike-politike dhe kanë të bajnë me ngjarjet politike të Qershorit dhe të Dhetorit të vjetit 1924.”12

Noli vetë, në Seminarin e dytë të “Vatrës, në Konferencën e tij, 9 Gusht 1961, ndër të tjera thotë: “Albumi is a collection of original poems and various paraphrases, with a critical analysis by Mitrush Kuteli … Most of the original poems contained in this volume are more or less autobiographical.” (Albumi përmban një kolekcion vjershash origjinale dhe parafraza të ndryshme, me një analizë kritike të Mitrush Kutelit… Më të shumtat e vjershave origjinale të mbledhura n’atë vëllim, janë shumë a pak autobiografike.) – Dielli, 6 Shtator 1961.

Për historinë e çdo vjershe qoftë, për sa u përket origjinës dhe përmbajtjes së kuptimit politik-shoqëror, është e domosdoshme dhe me rëndësi të sqarohet puna, domethënë të caktohet me saktësi nëse vjersha është alegorike dhe personazhet janë marrë të pasqyruar, të përfytyruar me cilësitë më të larta ose me vetitë më të dobëta dhe të ulta të një tjetër njeriu që duhet të nënkuptohet; por për vleftën e vjershës, për bukurinë e vargut, për mjeshtërinë e trajtimit poetik, për poezinë në vetvete kjo s’ka asnjë rëndësi, duke qenë se është vetëm poezia ajo që do të gjykojë formën dhe bukurinë, të dështuara apo të arritura plotësisht, dështimin ose plotësimin e shprehjes emocionale e cila, mund të dalë thom, përkatësisht, e ultë, e kithtë, ose e lartë, e shkëlqyer. Çdo konsideratë tjetër është e huaj për vleftën intrinseke të poezisë si art.13

Duhet të thom se nga kjo pikëpamje, për vargun e Nolit nuk është folur mjaft. Sa thotë Kuteli në këtë drejtim nuk na kënaq plotësisht. Dëshërojmë të lexojmë analiza letrare-estetike më të plota të vargut nolian.

 

[1] Ernest Koliqi: “Emzot Theofan S. Noli”, në Shêjzat, Romë, Mars-Prill 1965, fq. 79.

 

2 Albumi, botim i “Vatrës”, Boston, Mass. 1948, fq. 27-Ky Albumi është një ribotim i pjesëshëm i librit të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko) Mall e Brengë, Tiranë 1943 që është rishtypur në 1963 edhe në Kosovë, në Shtypshkronjën “Rilindja” të Prishtinës, por që, në vend të “Vështrimit Panoramik” të Kutelit, përmban si Parathënie një shkrim të Prof. Hilmi Agait, me një interpretim të vepravet të Nolit krejt arbitrarë, thom ekzkluzivisht dhe jo kryesisht, me frymë partijake marksiste. Botimi i Prishtinës ka titullin Sulm e Lot.

3 Shêjzat, (si nota Nr. 1)

4 HILUSH VILZA: Shija e bukës së mbrûme, Rromanx- Romë 1960, fq. 142.

5 Albumi, fq. 12.

6 Claude Couffon: “Traduire des poèmes…”, në Les Temps Modernes, Paris, Janvier-Févrie 1958, fq. 1495.

 

 

7 Arshi Pipa: “Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë”, në Shqiptari i Lirë, 28 Shkurt 1959.

 

8 The Quatrains of Abolfat’h Ghia’th-e-din Ebrahim KHAYYAM of Nishapur, published by Tahrir Iran Co.

– Tehran 1955.

 

9 Rubairat e Omar Khaajmit, Shqipëruar nga Rushit Bilbil Gramshi – Edicje e dytë e ndrequr dhe e plotësuar- Bruxelles 1927, fq. 17. (“Edicja” e parë është e 1924-s)

10 Opere edite e postume di Ugo Foscolo, F. Le Monier Edit. Firenze 1923, V. II, fq. 211.

11  Arshi Pipa: “Bariu i popullit” në Kritika, Tiranë 1944, Nr. 4, ribotuar në Shqiptari i Lirë, 31 Mars 1965.

 

12 Elez Ndreu: “Etëhem Haxhiademi dhe tragjeditë e tija”, në Shqiptari i Lirë, 31 Maj 1962.

 

13 Këtë mendim që shpreh këtu dhe që në një farë mënyre mund t’i përshtatet, si të thuash, credo-s “arti për art”, e mbështet në letrarët ekzegjetë perëndimorë si orientalistët A. Bausani, H . Corbin, F. Gabrieli, L. Massingnon, A. R. Nicholson, M. A. Palacios, etj., të cilët, në analizat e tyre të përmbajtjes si esoterike si ekzoterike të vjershave mistike të sufive muslimanë, sidomos persianë, vënë në dritë __ disa Frengj, bile, shquajnë më tepër __ bukurinë e vargut në vetvete me anën e të cilit paraqitet dhe shfaqet lartësia e idesë s’intelektit, dhe thellësia e ndjenjës së shpirtit, pavarësisht nga alegoria dha nga simbolet, të përmbledhura e të përdorura n’ato vjersha mistike.

 

 

Më 27 nëntor nëntor të vitit 8 para Krishtit u nda nga jeta Horaci, poet i shquar lirik latin

VOAL – Quintus Horatius Flaccus lindi në Venosa (në Bazilikatën e sotme), një koloni romake e vendosur në një pozicion strategjik midis Lukanisë dhe Pulias, më 8 dhjetor 65 para Krishtit, bir i një skllavi të liruar.

Ai u zhvendos në Romë duke ndjekur babanë e tij, i cili ishte zhvendosur në Romë për t’u bërë një koaktor (d.m.th. një koleksionist i ankandeve publike: një punë shumë fitimprurëse, edhe pse jo veçanërisht e dashur), ai u rrit në kushte të mira ekonomike, megjithë modestinë e origjinës: prandaj, ai ka mundësinë të ndjekë një kurs të rregullt studimi, duke përfituar nga mësimet e gramatikantit Orbilio.
Në Athinë

Rreth njëzet vjeç, Horaci ka mundësinë të shkojë në Athinë, ku – në Cratippus of Pergamum – ai studion filozofi dhe gjuhën greke, duke pasur mundësinë të vihet në kontakt me mësimin epikurean: megjithëse është shumë i tërhequr nga ai, ai përsëri zgjedh të mos i bashkangjitet asaj shkolle.


Kthimi në Romë

Duke u kthyer në Romë, pas vdekjes së Cezarit, ai u regjistrua, me shpërthimin e luftës civile, në ushtrinë e Brutusit, në të cilën ai pa një shembull të lirisë për të imituar, në kundërshtim me tiraninë që mbizotëronte klimën e kohës.

Në moshën njëzet e dy vjeç, si një tribun ushtarak, Horaci merr pjesë në betejën e Filipit, e cila u organizua në vitin 42 para Krishtit: një betejë e cila, megjithatë, fitohet nga Oktaviani dhe humbet nga mbështetësit e Brunos, ku i riu nga Venosa është rreshtuar.


Mërgimi i përkohshëm

I detyruar të largohet nga Italia, ai ka mundësinë të kthehet atje vitin e ardhshëm, në vitin 41 para Krishtit, për shkak të një amnistie: megjithatë, ai duhet të merret me një situatë ekonomike që nuk është veçanërisht rozë, për shkak të konfiskimit të fermës që i përket babait të tij.

Për të mbajtur veten, prandaj, ai vendos të bëhet scriba quaestorius, dmth sekretar i një kuestori; në të njëjtën periudhë, ai iu përkushtua shkrimit të vargjeve dhe brenda një kohe të shkurtër krijimet e tij filluan t’i bënin atij një famë mjaft të rëndësishme.


Shkrimet e para

Në fakt, në vitin 41 para Krishtit, Horaci fillon të shkruajë “Satires” (“Saturae”, në latinisht, ose “Sermones”, sipas përkufizimit të autorit). Në vitin 38 para Krishtit, Virgjili dhe Vario e paraqitën te Maecenas pasi e kishin takuar në Kampania në shkollat ​​epikureane të Sirone: Horaci, pra, u pranua pas disa muajsh në rrethin e Maecenas dhe që nga ai moment ai filloi t’i përkushtohej vetëm letërsisë.

Megjithatë, ende në këtë moment, ai e gjen veten përballë një konjuktiviti që e dobëson atë në një mënyrë të veçantë dhe që i dobëson dukshëm sytë. Midis 35 dhe 33 para Krishtit ai boton librin e parë të “Satires”, i përbërë nga dhjetë satira dhe kushtuar Maecenas: në to ai përpiqet të shtjellojë, sipas një forme diskursive, një ideal të masës që nuk e pengon atë të shijojë jetën dhe që në të njëjtën kohë e lejon atë të mos pësojë tensione të brendshme; është e ashtuquajtura mjeti i duhur, i cili korrespondon me një moral të lirisë dhe vetë-mjaftueshmërisë së brendshme që buron nga një polemikë kundër teprimeve që nganjëherë dallojnë shoqërinë që është bashkëkohore me të.

Në vitin 33 para Krishtit, Horaci mori si dhuratë nga Maecenas një pasuri të vogël në Sabina (në territorin që aktualisht është pjesë e Komunës së Licencës, në provincën e Romës): falë kësaj dhurate, poeti ka mundësinë të braktisë jetën e tij qytet dhe për të qëndruar në fshat, sipas modus vivendi të mbrojtur nga Epikuri.

Në vitin 30 para Krishtit ai boton shtatëmbëdhjetë kompozimet që përbëjnë “Epodi” (i njohur gjithashtu si “Epodon Libri”) dhe librin e dytë të “Satires”, të përbërë nga tetë satira.

Në 23 para Krishtit dalin në dritë tetëdhjetë e tetë kompozimet e “Odave” (ose “Carmina”, sipas përkufizimit të autorit). Ndër të tjera, thënia e famshme “Carpe Diem” (shfrytëzo momentin) është marrë nga Odes. Nga ai vit, Horaci iu përkushtua shkrimit të dy librave të “Letrave”: i pari, i cili përmban njëzet letra, u bë publik në vitin 20 para Krishtit dhe i kushtohej Maecenas, ndërsa i dyti, i cili përmban tre letra, u bë vetëm duke filluar nga viti 19 para Krishtit.


Mbështetje për Augustus

Në vitet në vijim, ai u angazhua në më shumë se një rast në veprime propagandistike në mbështetje të Perandorit Augustus: kjo demonstrohet, ndër të tjera, nga disa “Ode”, por mbi të gjitha “Carmen Saeculare”, e cila daton në 17 përpara. Krishti dhe që është kompozuar me rastin e Ludi Saeculares.


Punimet e fundit

Në vitin 13 para Krishtit u bë libri i katërt i “Odave”, i cili përfshin pesëmbëdhjetë kompozime të tjera, dhe libri i dytë i “Letrave” u botua, i cili përfshinte – ndër të tjera – letrën e famshme për Pisonet, e njohur gjithashtu si “Ars Poetika “: një përbërje e bërë në 476 heksametra, e cila, në periudhat e mëvonshme, do të përdoret si model për të gjitha llojet e përbërjes poetike.

Horaci vdiq në moshën pesëdhjetë e shtatë vjeç më 27 nëntor, 8 vite para Krishtit në Romë: trupi i tij u varros në kodrën Esquiline, pranë kufomës së mikut të tij Maecenas, i cili kishte vdekur vetëm disa javë më parë. Horaci ishte në gjendje të përballej me peripecitë politike dhe civile të kohës së tij si një adhurues i qetë epikurian i kënaqësive të jetës, duke diktuar ato që për shumë njerëz janë akoma kanunet e ars vivendi./Elida Buçpapaj


Send this to a friend