Ishte një qëndrim shumë serioz dhe i përgjegjshëm ai i Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka në takimin e saj me shefin e Pentagonit James Mattis, kur vuri në dukje se “Shqipëria është e gatëshme për t’i venë SHBA në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s, që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “SHBA-të janë një aleat i denjë, një faktor stabiliteti në rajon dhe një garant i sigurisë së përbashkët e kolektive”, nënvizoi Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka edhe në intervistën e saj tek Zëri i Amerikës.
Zonja Xhaçka vuri në dukje rrezikun rus, ekstremizmin fetar. Do të shtoja këtu edhe rrezikun mafioz nga degradimi i sistemit demokratik në Shqipëri dhe rajon.
Që Rusia ka interes për Shqipërinë, le të kujtojmë bazën ruse në Pashaliman, këtë e tregon edhe vizita zyrtare në Shqipëri e Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë, Kirill që do të zhvillojë mes dative 28-30 Prill. Është Nr.2 i Rusisë pas Putinit për nga rëndësia.
Propozimi i zonjës Xhaçka duhet të merret menjëhere në konsideratë nga Presidenti Trump, Pentagoni dhe administrata e SHBA.
Prania Amerikane në Shqipëri me baza ajrore, detare dhe tokësore do të jetë garanci e sigurisë afatgjatë për gjithë rajonin dhe faktor i konsolidimit të demokracisë, ekonomisë të tregut dhe integrimit në BE.
Pas ndërhyrjes të NATO-s në 1999 në opinionet e asaj kohe kam shkruar se, meqë Ballkani është konsideruar “fuçi baruti”, të vendosej në Kosovë një bazë e përherëshme ushtarake SHBA-NATO. Kisha parasysh Gjermaninë Federale të pasluftës, e cila pa praninë Amerikane, është e sigurt se do të ishte gllabëruar prej BRSS dhe do të kishte të njëjtin fat sikur DDR.
Prania Amerikane në Gjermaninë Federale gjatë Luftës të Ftohtë ishte faktori vendimtar i sigurisë. Nën praninë ushtarake Amerikane, Gjermania Federale u rimëkëmb nga lufta, ndërtoi shtetin demokratik, u unifikua. Sot është një fuqi botërore dhe njëri nga shtetet bërthamë të Europës të Bashkuar e vlerave Perëndimore.
Me këtë rast le të kujtojmë Presidentin e SHBA John F.Knnedy dhe Presidentin Ronald Reagan duke folur përpara Potës së Brandenburgut. Kennedy në 26 qershorin e vitit 1963 kur thirri “Ich bin ein Berliner!” – “Unë jam Berlinez” – dhe Presidenti Regan në 12 qershorin e vitit 1987, kur i bëri apel Presidentit Gorbaçov: “Tear down this wall”! Rrëzoje atë mur!
SHBA vijojnë të jenë të pranishëm në Gjermani me pothuaj 20 baza ushtarake, më e madhja është Ramstein Air Base me 9200 forca. Prania e SHBA në Europë si gjatë Luftës të Ftohtë edhe sot është e domosdoshme për sigurinë e kontinentit. NATO dhe SHBA nuk përbënin rrezik as për BRSS e kohës të Perdes të Hekurt dhe as sot. SHBA dhe NATO ishin dhe mbeten garanci e paqes dhe sigurisë për gjithë Europën.
Rreziku i terrorizmit kërkon rritjen e rolit të SHBA dhe NATO-s. Edhe globalizmi e kërkon edhe më të lartë rritjen e sigurisë.
SHBA kanë disa baza në Europë, të përqëndruara në Gjermani aktualisht me rreth 34 mijë trupa, në Itali me rreth 12 mijë trupa, në Mbretërinë e Bashkuara me mbi 8 mijë trupa, në Spanjë gati 4 mijë trupa, në Kosovë në Kampin Bonstil SHBA kanë 384 trupa, ndërsa në Turqi rreth 2 mijë trupa.
SHBA kanë rreth 45 mijë trupa në Japoni, 23 mijë në Korenë e Jugut. Një përqëndrim forcash, mbi 36 mijë SHBA kanë edhe në Pacifik, në ishujt Hawai, ku ndodhet edhe Pearl Harbor, porti ushtarak i cili u sulmua në 7 dhjetorin e 1941 nga Japonia, sulm që shkatërroi pothuaj gjithë flotën Amerikane, duke shkaktuar 2500 viktima çka shënoi hyrjen e SHBA në Luftën e Dytë Botërore.
Prej atij momenti, SHBA hoqën dorë nga izolacionizmi dhe morën rolin e Mbrojtësit dhe Garantuesit të Lirisë dhe Paqes. Dhe nga ky rol nuk mund të heqin dorë.
Propozimi i Ministres Xhaçka bërë Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes James Mattis është në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Presidenti Trump dhe administrata Amerikane duhet ta marrin në konsideratë dhe të veprojnë sa më shpejt.
Kjo sepse Ballkani i pa integruar në BE vijon të mbetet një Fuçi Baruti i rrezikuar nga mafia, krimi i organizuar, mungesa e shtetit të së drejtës dhe korrupsioni. Shqipëria ka një pozicion strategjik kyç dhe prania Amerikane, me baza tokësore, ajrore dhe detare në bashkërendim me NATO-n, do të ndikonte vetëm në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit, duke ndikuar në sigurinë, zhvillimin ekonomik, turizmin. Aktualisht rajoni, edhe mbi çerek shekulli pas rrëzimit të Peredes të Hekurt dergjet i pllakosur nga varfëria prej korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor. Ministrja Xhaxhçka u pyet nga Zëri i Amerikës në lidhje me zërat kritikë, që kanë folur për fikjen e qëllimshme të radarëve, duke i lënë fushë të lirë veprimi fluturimit të avionëve me drogë. Mafia ka buxhete të fuqishme, mafia blen avionë, infrastrukturë, logjistikë dhe zyrtarët më të lartë të shtetit. Kjo e rrit edhe më shumë nevojën për praninë Amerikane në Shqipëri.
Një faktor tjetër pozitiv është se shqiptarët janë populli më amerikandashës dhe europeodashës, kjo bën që prania amerikane dhe e NATO-s është e mirëpritur!
Vetëm me prani Amerikane në Shqipëri, do të fillojë integrimi i gjithë rajonit në Europë. Tranzicioni ka treguar se klasat politike të vendeve përkatëse i kanë shërbyer vetëm pasurimit të tyre, ndërsa popullin dhe vendin e kanë lënë në varfëri dhe moszhvillim!
Komentet