VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Nju Jork, konferencë për 110-vjetorin e Gazetës “Dielli”

By | April 7, 2019

Komentet

Visar Zhiti: Sulmet që na bëhen sot nga persekutorët e djeshëm, janë fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit

Fatmira Nikolli  – Xhelatët dhe viktimat e komunizmit janë vënë sërish përballë në demokraci, në një “luftë” ku po trajtohen si të barabartë e ku ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia e regjimit, askush prej atyre që mbajtën poste drejtuese nuk u penalizua për krimet kundër njerëzimit. Kur debati me/për të shkuarën ka mbetur vetëm temë tryezash për trajnime, pa arritur kurrë në llogaridhënie e mbajtje përgjegjësie, vendi ynë ka njohur vetëm një “gjyq kafesh” si shpagim për mëkatet zhurmëmëdha. Asnjë fjalë për jetët e humbura, jetët e shkërmoqura, asnjë fjalë e asnjë penalizim për ligjet “mesjetare” apo tejkalimin e tyre. Asnjë i dënuar për krimet që pat bërë në emër të popullit, asnjë i dënuar as për ata që e patën tejkaluar ligjin dhe patën persekutuar për interesa të vetat nën maskën e makabritetit të një regjimi autoritar. Dikush është “dëmshpërblyer” me para nga shteti për jetën e çuar dëm e tmerret e jetuara, por a blihet e shkuara me para? Përgjigja është doemos jo, sepse askush e asgjë nuk t’i kthen dot më mbrapsht vitet e humbura në skuta, lluca e burgje. Përtej kësaj, shembulli i krijuar në vendin tonë është precedent i rrezikshëm. Të mos dënosh kriminelët e një regjimi dhe të krijosh modelin e kulturën e mosndëshkimit (duke i mbytur klithmat me këste të dhëna para zgjedhjeve si lëmoshë), ka krijuar siç dihet Shqipërinë e rrudhur në banorë, kur shumëkush zgjedh të ikë nga një vend që nuk e njeh drejtësinë as në raport me të shkuarën, as në raport me të tashmen. Thënë kjo, ne ende rrekemi të “blejmë” të shkuarën përmes “dëmshpërblimeve”, qoftë kjo si shpagim për ish- të përndjekurit, qoftë kjo si mitmarrje për tashmen. Modeli që vendosëm e pranuam dikur, duke mos vënë para drejtësisë fajtorët është kthyer në sistem dhe sistemet janë të vështira të zhbëhen. Si rrjedhojë e sa më sipër, ne po përballemi me një situatë logjikisht krejt utopike. Xhelatët e kahershëm po shijojnë lirinë në “kapitalizmin” që patën dënuar e madje janë ende xhelatët tanë. Tashmë në një formë të re. Duke qenë se mbrojtja më e mirë është sulmi, në mungesën e institucioneve që do të duhej t’i kishin dënuar a t’i dënonin edhe tani, ata përdorin të drejtën e fjalës për të sulmuar e “dënuar” së dyti ata që i patën dënuar e sulmuar njëherë, duke i çuar jetët e tyre në tehun e thikës. Duke qenë se shpesh na e ka ënda të krahasohemi me Gjermaninë a të marrim shembull prej saj (jo vetëm) por kryesisht për çështjet e përballjes me të shkuarën, ish-xhelatët nazistë janë arrestuar dhe dërguar para drejtësisë edhe kur i kanë kaluar të 80-at, edhe me identitete të ndryshuara e, edhe nëse kishin shkuar literalisht në fund të botës. Rasti shqiptar është mjerisht i dhimbshëm dhe i turpshëm: ne nuk vumë askënd para drejtësisë, por i emëruam në sistemet e drejtësisë, që edhe njëherë të na interpretojnë ligjet sipas midesë së vet. Ata u ribënë ekspertët “sui generis”. Ndërsa të përndjekurit u “gëzoheshin” thërrimeve që ua hodhën, përndjekësit ndërtuan një sistem të ri sipas modelit të vjetër, kur në krye të piramidës qëndrojnë ironikisht, po ata. Çorba që kemi gatuar është prishur e mban erë, por ne kemi zgjedhur të mbyllim hundët. Jemi sërish të mësuar e bashkëjetojmë me banalitetin e së keqes, që tashmë ka ndërruar formë për t’u kthyer në normalitet e mënyrë e të qenurit. Nuk ka një përgjigje deri kur as pse kaq gjatë. Nuk ka një përgjigje për asgjë. Për aq kohë sa amullia vazhdon, për aq kohë sa sistemi është ky, na mbetet vetëm të shohim se deri ku do shkojnë dhe nëse do dinë të ndalin. Ne na është dhënë në duar lodra e lirisë, por dikush tjetër e ka telekomandën e saj. Ne mund të mendojmë se ajo nuk funksionon, por dikush tjetër e ka ndalur atë.



RASTI “VISAR ZHITI”

Së fundmi, Edmond Caja, ish-kryepolic në kampin e Qafë- Barit e me banim në Gjermani e ka akuzuar Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit. Ndërsa një debat i gjerë ka përfshirë atë, një deputet dhe disa prej shoqatave që kanë në fokus të punës së tyre zbardhjen e krimeve të së shkuarës, shteti shqiptar, luan rolin e vëzhguesit asnjanës. I pyetur nga “GSH” për sulmet që atij dhe Agron Tufës i janë bërë së fundmi nga disa personazhe publike që kanë qenë pjesë e strukturave në regjimin komunist e për të cilët ka edhe dokumente, shkrimtari Visar Zhiti, që ka vuajtur burgjet dhe persekutimin komunist, qe mjaft i qartë. “Sulmet që na bëhen sot nga ata që kanë mbajtur uniformat e diktaturës së dikurshme, që kanë punuar në organet e dhunës a të mbrojtjes së saj, pra nga ata që kishin punë persekutimin janë jo vetëm fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit, por edhe të rrezikshme, pra të dënueshme”, tha Zhiti për “GSH”. Në prononcimin e tij, ai theksoi se ,“janë dy herë të dënueshme, herën e parë duheshin dënuar si dhunues profesionistë dhe tani si shpifës ordinerë, ndotës të mjedisit mendor e shpirtëror”. Shkrimtari, që përmes letërsisë së burgut ka rrëfyer si ishte të jetoje mes kampeve e burgjeve komunistë në Shqipëri, tha se të paktën “na vjen mirë që atë që s’e ka bërë dhe s’po e bën dot politika moralisht dhe drejtësia ligjërisht, po e bën opinioni i shëndoshë, që për fat ende është, për aq sa ka mundur të gjejë hapësira mediatike, duke shpërthyer kundër kthimit të vegimeve horror e mashtrimit tradicional. Intelektualë, ish-të persekutuar, gazetarë, anonimë, shkrimtarë, grupime të tyre etj., edhe nga vende të tjera të botës, që nga Italia, Zvicra e në SHBA, gazeta ‘Dielli’, VOAL, PEN-i Internacional etj. janë të indinjuar, madje të fyer”.

Në fund të prononcimit të tij për “GSH”, Zhiti tha se “po goditet e vërteta, qëndresa ndaj totalitarizmit barbar, morali, po nëpërkëmbet vuajtja njerëzore, shumëçka që meriton nderim. Të keqes i duhet prerë rruga, ndryshe ajo bëhet më e keqe dhe e qëndrueshme, s’ikën siç dhe na ka ndodhur gjatë, shumë gjatë. Këtë duan të bëjnë ata, të dikurshmit e tanishëm, të tmerrshëm e fantazmagorikë”.

REAGIMI
Ka pasur së fundmi edhe një reagim nga PEN-i shqiptar, që gjykon se sulmet ndaj shkrimtarit Visar Zhiti janë veprime të qëllimshme, akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Entela Kasi, presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë (PEN Internacional, me seli në Londër) thotë se sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish-i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane sulmohet në Shqipëri. Sipas saj, sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar. “Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të ‘PEN International’ dhe jo vetëm. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!”, shkruan presidentja e PEN-it shqiptar. Për të, kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila pas rënies së Murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

“Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në ‘PEN International’, lidhur me këtë çështje. Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti? Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN, Qendrës së Shqipërisë”, nënvizon ajo. Në vijim, Kasi vëren se për aq kohë ata që shkruan aktekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane, në auditorë të promovuar, të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e për më tepër të jenë misionarë të lirisë. Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti. Sot shoqëria politike, institucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti. Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim, ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cenohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri”, thekson Entela Kasi në emër të PEN-it shqiptar.

Çfarë do të ndodhë në protestën e 11 majit – Përshkallzohet situata, do bllokohen akset

Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e ardhshme në 11 maj në orën 18:30 të pasdites. Në mbledhjen e organizuar, opozita ka diskutuar edhe për zhvillimin e saj si dhe rrjedhën që do të marri. Bëhet me dije se aksioni opozitar tanimë do të vijojë edhe me bllokimin e akseve rrugësh, sidomos ato kombëtare. Në takimin e mbajtur ditën e djeshme me kryetarët e bashkive të djathta, Basha ka diskutuar për të gjitha detajet, përfshi edhe për kohëzgjatjen e kësaj proteste.



Kujtojmë se deri tani, opozita ka mbajtur 9 protesta. Në protestën e fundit përpara Kryeministrisë e përpara Parlamentit, pati edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve. Mbetet për t’u parë nëse protesta e 10 e opozitës do të sjellë një përshkallzim të situatës, ashtu si flitet tashmë nëpër korridoret e PD.

Blerim Reka me bashkëshorten i drejtohet kutive të votimit, bën thirrje për zgjedhje demokratike

Sot në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet presidenciale, e në votime ka dalë edhe kandidati shqiptar për president Blerim Reka, raporton Gazeta Express nga vendi i ngjarjes.Reka ka bërë thirrje për zgjedhje demokratike.

Blerim Reka ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, vite më parë, ndërsa ka qenë edhe ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ai është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Prishtinës.

Papa Françesku i shtrirë në altar (fotot)

Papa Françesku, edhe pse në moshën 82 vjeçare, e sfidon veten për të kryer ritualin e lutjes ashtu siç e kërkon rasti. Këtë herë Ati i Shenjtë është shtirë në dysheme në shenjë përuljeje për të përkujtuar kryqëzimin e Krishtit.

 

I ndihmuar nga priftërinjtë e kishës, Papa Françesku u përul në altar për të përkujtuar kryqëzimin e Krishtit.

I shtrirë në qilim, me fytyrë nga toka dhe me duart poshtë kokës Ati i Shenjtë udhëhoqi lutjet e të Premtes së Madhe para qindra adhuruesve në Vatikan.

Mesha e të premtes është ndjekur nga mijëra pelegrinë dhe turistë të ardhur në Bazilikën e Shën Pjetrit nga e gjithë bota.

Mark Gjonaj bën thirrje: Shqiptarët në mbarë botën të bojkotojnë produktet serbe

Asamblisti i New Yorkut, Mark Gjonaj, u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve në mbarë botën të bojkotojnë produktet serbe. Ka thënë se lufta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ende nuk ka përfunduar pasi ende nuk janë dënuar kriminelët serbë që kanë vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, kanë dëbuar 1 milion banorë nga Kosova dhe kanë dhunuar mbi 20 mijë persona.

Në një bisedë për Express, Gjonaj ka thënë se shqiptarët duhet të vazhdojnë lobimin për Kosovën dhe Shqipërinë dhe të mos mendojnë se kanë përfunduar ndihmën për atdhe.

“Më së paku që mund të bëjmë është që gjithë shqiptarët të bojkotojnë produktet serbe. Duhet të rigrupohemi dhe të bëhemi bashkë kundër Serbisë. Ne po përkujtojmë 20 vjetorin e luftës, të masakrave që kanë kryer serbët në Kosovë”, ka thënë Gjonaj, për Express.

Mark Gjonaj është në një vizitë bashkë me anëtarët e Batalionit Atlantiku, ku disa shqiptarë ishin ardhur nga Amerika dhe ishin bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se produktet serbë duhet të bojkotohen edhe për shkak se ende më shumë se 1600 shqiptarë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe nuk u janë gjetur eshtrat.

“T’i bojkotojmë produktet e Serbisë, në emër të viktimave dhe të të zhdukurve. Serbët duhet të dalin para drejtësisë për krimet e bëra në luftë, kurse në botën tjetër do të dënohen nga Zoti”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. Më shumë se pesë muaj kanë kaluar kur një pjesë e madhe e produkteve të Serbisë dhe Bosnjës janë bllokuar të hyjnë në shtetin kosovar.

Mark Gjonaj u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve tjerë në rajon të bojkotojnë produktet serbe.

REAGIM I GAZETËS “DIELLI” NË SHBA PËR CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI

– GAZETA “DIELLI” DENONCON CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS, MBRON LIRINË E SHTYPIT DHE TË DREJTËN KUSHTETUESE TË INFORMIMIT DHE APELON PËR TË MOS LEJUAR HAPSIRA KU PERSEKUTORËT TË SULMOJNË TË PERSEKUTUARIT-

DIELLI është i ndërgjegjshëm për rolin e vet në fushën mediale si gazeta që ka nderin të identifikohet me Rilindjen Kombëtare, dhe që në udhën e vet 110 vjeçare, i ka paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë dhe momenteve kyçe të historisë. Qysh  nga fillimi i shekullit të 20 patriotët shqiptarë të Amerikës i kanë prirë lëvizjes së zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të bashkëatdhetarëve të tyre nëpërmjet veprimtarisë së Federatës VATRA të shprehura qartazi tek gazeta DIELLI. Gjatë Diktaturës komuniste ka qenë DIELLI që ka denocuar cënimin e lirive njerëzore, përfshirë dhe atë të informimit. Në ditët e sotme DIELLI konstaton se liria e medias në Shqipëri është e rrezikuar. Përballë akteve të rënda të censurimit të informimit nga elita politike e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, “DIELLI” denoncon shtetin shqiptar për hapat mbrapa në lirinë mediale. DIELLI mbron shprehjen e lirisë si “abetarja” e një vendi demokratik, që synon Demokracinë Europiane.

Raporti i Përvitshëm i “Gazetarëve pa Kufij” e rrëzoi Shqipërinë shtatë shkallë më poshtë se ç’ishte në raportin e vitit të mëparshëm. Organizata Boterore për Lirinë e Shtypit ka dhënë alarmin për gjendjen reale të medias shqiptare dhe presionet mediale nga institucionet qeveritare. Shantazhet, sulmet ndaj gazetarëve dhe shtimi i censurës qeveritare cënon vetë Demokracinë Shqiptare dhe zgjat tranzicionin që po i afrohet dekadës së tretë. Shkelja e së drejtës së shprehjes dhe presionet ndaj lirisë së mjeteve të informimit flasin për përpjekjet agresive të mbetjeve të sistemit totalitar, dhe mendësisë totalitare, të veshura me pushtet ekzekutiv për të kontrolluar demokracinë shqiptare.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama se në qeverisjen e tij nuk ka media të shantazhuara e liri të mohuara është shprehja tipike e pushtetarit autoritar për të cilin media mbetet thjesht një kazan.

Në të njëjtën kohë, DIELLI i bën apel Medias Shqiptare që të vetëdijësohet për rolin e “pushtetit të katërt”, dhe ta ruaj pavarësinë e vet nga politika për të mos u bërë instrument anti-demokratik.

DIELLI e sheh me shqetësim që sulmet e ish persekutorëve të diktaturës komuniste ndaj ish viktimat e pafajshme, gjejnë hapsirë në gazetat dhe portalet e Tiranës. Rasti i sulmeve ndaj shkrimtarit Visar Zhiti prej ish torturuesit të tij, Edmond Caja, përbën një precedent të rrezikshëm. Të tilla akte sulmi ndaj Visar Zhitit tregojnë mosveprimin e demokracisë shqiptare që jo vetëm nuk i ka dënuar ish persekutorët dhe fajtorët për krimet e komunizmit por edhe i lejon të ri-viktimizojnë disidentët e diktaturës.

Visar Zhiti mbetet një ikonë e letërsisë shqiptare të pasburgut dhe demokracisë si edhe model për qendresën në diktaturë, prandaj është detyrë morale e shoqërisë që ta përkrah dhe ta mbrojë atë si të tillë.

Demokracia shqiptare, e ngecur nëpër labirinthet e merimangave të stilit të diktaturës së Ramës, po tregohet e pafuqishme për të kundërvepruar mbi qeverinë që ka hapur frontin e luftës ndaj gazetarëve dhë ka çuar në rrënimin e lirive të shprehjes. Kapja e të gjithë pushteteve nga Kryeministri Edi Rama dhe fronti i hapur i luftës me median po e kthen Shqipërinë në errësirën mediale që minon Demokracinë dhe kultivon tiraninë.

Gazeta DIELLI do ta përcjellë shqetësimin e vet për censurën mediale të ushtruar nga qeveritarët ndaj mjeteve të informimit dhe gazetareve shqiptarë në instancat amerikane dhe ato botërore.

 

VOAL ju uron nga zemra: PËR SHUMË MOT GËZUAR E ME SHËNDET PASHKËT!

VOAL– Dita e Pashkëve, Dita e Ringjalljes së Krishtit.  Në një ditë të tillë, pothuaj dymijë vjet më parë, ka themelet e veta Krishterimi.

Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Kryqëzimi për mëkatet tona e Ringjallja për shpresat tona – për paqë e dashuri mbi Tokë, – janë për besimtarët rruga e vetme udhërrëfyese në jetën mbitokësore.

Pashkët janë festë kryesore e Krishterimit, sepse tek Ringjallja mbështetet e gjithë doktrina e tyre.

Jezusi u ringjall ditën e tretë mbas Kryqzimit. Shembulll i tij është thirrje për t’u ringjallur shpirtërisht sa e sa herë mbas “vdekjeve” tona shpirtërore. Të ringjallemi prej vdekjes shpirtnore që na sjell urrejtja, smira, shpifja, dëshprimi, pabesia, veçanarisht në këto kohë kur kemi pushtuar qiejt si zogjtë, por po harrojmë të ecim pranë njeri tjetrit mbi tokë si vëllezër, siç ka thënë Martin Luther King.

Në Shkrimet e Shenjta Pashkët janë simboli i flijimit të Jezusit për njeriun, që vinte prej natyrës sonë të korruptuar. Në lashtësi koncepti “i korruptuar” shprehte grryerjen e mbrendëshme, shpirtërore, nga vese, mëkate, tej atij koncepti që mbart fjala sot. Me këte flijim i hapej rruga njerëzimit të kalonte nga vesi në virtyt. Me ringjalljen shprehet fitorja mbi vdekjen vetë e mbi botën e përçudnuar.

Për ne shqiptarët Pashkët kanë një domethënie edhe më të veçantë: Ringjallja jonë shpirtnore vazhon; ajo nuk u përsos asnjëherë në kaq shekuj, pse ndëshkime të rënda na ranë mbi krye: prej pushtimeve barbare, tek ideologji poaq barbare. Prej tyre kemi dalë me shumë gjymtime, mbi të gjitha shpirtërore.

Pashkët na ftojnë me gjetë paqë në radhë të parë në vetvete. Pa ekuiliber shpirtëror e moral nga secili në vetvete, nuk mund të gjendet paqja as në familje, në shoqëri e në mbarë Atdheun tonë.

Me shëndet e prap më me zemër të mirë Pashkët, motra e vëllezër Shqiptarë, të cilitdo besimi qofshi, pse në ditë feste e gëzimi na bashkë kemi udhëtuar e bashkë do të udhëtojmë në shekuj. Për shumë mot!

Scott ligjëron me harta të Serbisë pa Kosovën, tensione në një shkollë fillore

Një vizitë e ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, në shkollën fillore ‘Zarko Zrenjanin’, ka nxitur reagime të shumta të prindërve dhe qytetarëve, pasi në ligjëratën që e kishte mbajtur Scott aty kishte prezantuar tri harta të Serbisë të cilat nuk e përfshijnë edhe Kosovën.

Siç shkruan mediumi serb ‘Srbija Danas’, nxënësit kur e kanë parë një gjë të tillë janë ngritur dhe kanë thirrur ‘Kosova është Serbi”, ndërkohë ambasadori Scott thuhet se ka ndërruar faqen e ligjëratës, dhe ka vazhduar ligjërimin sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Përveç nxënësve kjo ligjëratë ishte ndjekur edhe nga drejtori i shkollës dhe disa mësues.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur Nebojsha Mediç, njëri prej prindërve. Sipas tij një ngjarje e tillë është një turp, transmeton Gazeta Express.

“Unë u zemërova kur djali im më tha se gjatë ligjëratës, Ambasadori amerikan kishte paraqitur tre harta të Serbisë, dhe në asnjërën nuk ishte Kosova. Vetëm kur fëmijët filluar të bërtasin ‘Kosova është Serbi, ai hoqi atë slide të ligjëratës dhe vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodhte në mesin e Serbisë, në mes të shkollës, para drejtorit dhe se do të kalonte pa reagimin dhe protestën e tyre”, ka thënë Mediç i cili ka marrë pjesë në ligjëratë.

Gazeta serbe shkruan se qëndrimi i këtij prindi u mbështet nga qytetarë të tjerë por edhe disa mësuese të cilët protestuan për shkak të hartave të Serbisë pa Kosovë.

Ndërkohë nuk kanë komentuar rreth kësaj çështje nga shkolla fillore “Zharko Zrenjanin”.

Rrëfimi i fotografit gjerman për krimet serbe dhe shkatërrimin e Kosovës gjatë luftës

Prill 1998: Gratë dhe fëmijët që kanë arratiur nga Kosova në Kukës, Shqipëri

Gazeta prestigjioze “Frankufrter Allgemeine Zeitung”, i ka kushtuar një artikull 20 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, duke sjellë fotografitë e shkrepura nga dora e reporterëve të tyre të cilët kanë qëndruar në zonat e konfliktit gjatë viteve 90-ta.

Fotografi gjerman i FAZ, Wolfgang Eilmes, dhe korrespodenti i kësaj gazete, Matthias Rub, përmes fotografive dhe shkrimeve të tyre kanë paraqitur gjithë krimet makabre që kishte kryer policia dhe ushtria paramilitare serbe ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Përveç vrasjeve, regjimi i Sllobodan Millosheviqit, ishin kujdesur që të shkatërrojnë çdo gjë që iu kishte dalë përpara.

Në këtë artikull, rikujtohet fakti që dhimbja për humbjet e pësuara gjatë luftës në Kosovë është ende e gjallë, dhe se mospajtimet mes serbëve dhe shqiptarëve janë ende të thella.

“Dhimbja dhe vuajtja e humbjeve vazhdon të jetë prezentë edhe sot. Ndarja është e thellë në mes grupeve të ndryshme etnike në Kosovë, edhe nëse është e mundur që ajo të zbutet, përpara është ende një rrugë e gjatë”, shkruan FAZ, transmeton Gazeta Express.

Gazeta gjermane ka kujtuar faktin se shqiptarët ishin viktimat e para të një ‘spastrimi etnik’, nga ushtria serbe.

“Rindërtimi dhe ri pajtimi, janë punë për gjeneratat e ardhshme”, vazhdon shkrimi.

Por çfarë thotë fotografi gjerman, Wolfgang Eilmes, për përvojat e tij gjatë raportimit nga lufta e Kosovës.

Njëzet vjet më parë, NATO vendosi që të ndërhyjë në luftën e Kosovës. Ushtarët e Bundesëehrit luftuan së bashku me ushtarët britanikë dhe amerikanë në kuadër të KFOR-it, kundër ushtrisë serbe. Një vit para se të ndërhynte NATO, në prill të vitit 1999, unë raportova me kolegun tim, korrespodentin Matthias Rub, mbi konfliktin në Kosovë. Fotografitë e mia të para janë realizuar në fshatin e shkattërruar të Prekazit, pas vrasjes së Adem Jasharit së bashku me 60 anëtarët e familjes së tij, nga një njësi speciale e ushtrisë serbe.

Bashkë me ne ka qenë edhe Tyler Hicks, fotograf i The New York Times, unë dokumentova shkatërrimin e fshatit Prekaz. Ne me lejen e ushtrisë serbe, kalonim nëpër rrugët e shkatërruara. Njerëzit tashmë ishin varrosur, kafshët e vrara ishin kudo. Ne ishim vetëm, dhe rreziku që të goditeshim nga snajperët e  UÇK’së ishte shume  madhe, sepse ata mund të na llogarisnin për anëtarë të ushtrisë serbe.

Kam raportuar edhe për situatën e refugjatëve shqiptarë nga Kosova të cilët kishin ikur në Shqipëri, Maqedoni, Bosnje e Gjermani.

Fotot e Kosovës janë marrë me kamera nga kompanitë Leica dhe Nikon.  Por sot unë fotografoj me  një Canon EOS R.

Deklarata e fotografit gjerman Wolfgang Eilmes për FAZ

Shkatërrimi në Prekaz

20.04.1998, Fshati Hreq, në një shërbim përkujtimor për nëntë shqiptarë të Kosovës, babai në mes me djalin e tij

Pranverë 1998: Fshati Hreq i Kosovës

Prishtinë, qershor 1999

Në rrënojat e një shtëpie në Krushë të Madhe, banorët zbulojnë trupin e një familjari

Qershor 1999: Kjo xhami në afërsi të Prizrenit u godit rëndë gjatë luftës.
Atje, refugjatët kishin kërkuar mbrojtje nga granatimet, por më kot

Jashtë xhamisë së shkatërruar

Prill 1999: Të lodhur – gra dhe fëmijë që ikën nga Kosova në Kukës, Shqipëri. 

Prill 1999: Të lodhur nga ikja prej atdheut të vjetër – një baba dhe djali i tij duke qarë në Shqipëri, Morinë, jo shumë larg Prizrenit

Në arrati nga lufta: Një familje shqiptare nga Kosova kalon me sukses në Morinë me qerre dhe kalë, kufiri në Shqipëri

Një ushtar iu shpërndanë bukë refugjatëve nga Kosova në qendrën pritëse shqiptare në Kukës

Maqedoni, prill 1999: Shqiptarët e Kosovës po presin në Shkup për një fluturim të veçantë për Hamburg

Qershor 1999: Ushtarët e Bundeswehrit

Një patrullë e KFOR-it Bundeswehri në Prizren monitoruar ikjen e një familjeje në një traktor me rimorkio.
Në sfond Xhamia e Sinan Pashës.
Është xhamia më e madhe në Prizren.
Porta me tre harqe, e cili u shkatërrua në atë kohë, tani është rindërtuar.

Dy ushtarë të UÇK’së të armatosur me AK 47 kalojnë rrugën

Qershor 1999: Ushtarët britanikë po pushojnë në një stacion benzine në Prishtinë

Qershor 1999: Ushtarët e Bundeswehrit kontrollojnë qytetin e vjetër të Prizrenit

Qershor 1999: Luftëtarët e rinj dhe të vjetër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë

Qershor 1999: Pritjet e mëdha të ushtarëve të NATO-s nga qytetarët e Prizrenit

Reporterët pa Kufij: Shqipëria e 82-ta për lirinë e shtypit, rënie me 7 vende

“Reporterët pa Kufij” kanë publikuar Indeksin botëror të lirisë së medias, në të cilën  Shqipëria ka një rënie me 7 vende, duke u renditur në vendin e 82-të.

Në seksionin për Shqipërinë, ‘Reporterët pa kufij’ theksojnë së sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në 2018.

“Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit.

Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme.

Kryeministri ka propozuar një ligj që ka për qëllim të forcojë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe, siç thonë kritikët, të kufizojë aksesin tek lajmet dhe informimi.

Një raport i përbashkët i publikuar nga Reporterët pa Kufij dhe BIRN, në mars 2018, nxori në pah një numër kërcënimesh që i janë bërë medias në Shqipëri.

Raporti gjeti se standardet rregullatore të medias po manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe pronësia r mediave televizive është përqendruar në duart e pak biznemenëve të mëdhenj.

Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është gjerësisht e përhapur  dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale.” – thuhet në raport.

Organizata “Reporterët pa Kufij” në raportin më të ri e ka renditur Kosovën në vendin e 75 në botë sa i përket lirisë së shtypit.Sipas kësaj organizate, situata politike në Kosovë është bërë gjithnjë më e tensionuar dhe e paqëndrueshme, si pasojë përafrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la Qeverinë e Kosovës në izolim diplomatik.

Mungesa e transparencës së qeverisë për çështjet e raporteve me Evropën ka ngjallur reagime të fuqishme nga opinioni dhe gazetarët, thuhet në raport.

Më tej aty theksohet se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Qeveria në anën tjetër, thekson raporti, ka akuzuar gazetarët se janë “tradhëtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Sa i përket gazetarëve të komuniteteve tjera, raporti thekson se ndarjet etnike në Kosovë janë burim shumë shqetësues për gazetarët e komunitetit serb. Mediat ne gjuhën serbe, sipas raportit, janë shpesh objektiva të sulmeve verbale, ngacmimeve kibernetike dhe fushatave nga mediat pro-qeveritare.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

Norvegjia renditet e para në Indeksin 2019 për të tretin vit, ndërsa  Finlanda ka marrë vendin e dytë, të Holandës,  ku dy reporterë që mbulojnë krimin e organizuar u është dashur të jetojnë nën mbrojtje të përhershme policore. Një rritje në ngacmimet kibernetike bëri që Suedia,  të humbiste një vend. Renditja e Etiopisë dhe Gambia janë përmirësuar ndjeshëm nga Indeksi i vitit të kaluar.

Si rezultat i një klime gjithnjë e më armiqësore që shkon përtej komenteve të Donald Trump, Shtetet e Bashkuara (48) kanë rënë tre vende në Indeksin e këtij viti dhe klima e medias tani është klasifikuar si “problematike” .

Kërkesa nga Hollanda për pezullimin e vizave, debate të forta në Shqipëri

Në Shqipëri vendimi i marrë të martën nga parlamenti hollandez për të kërkuar nga Komisioni europian pezullimin e rregjimit të lëvizjes së lirë pa viza për qytetarët shqiptarë, ka shkaktuar debate të forta të brendshme. Presidenti Ilir Meta foli për “një këmbanë alarmi”, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha e cilësoi si “një akt të pastër mosbesimi ndaj qeverisë”. Ministria e Jashtme nga ana e saj theksoi se kërkesa e Hollandës “nuk përmbush asnjë prej kritereve të parashikuara nga legjislacioni i Bashkimit Europian që çojnë në zbatimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm”, ndërsa e vlerësoi vendimin si të ndikuar nga klima elektorale në Hollandë

Dhoma e përfaqësuesve në Hollandë miratoi të martën me shumicës votash, 92 nga 150, një propozim të paraqitur nga 5 forca politike, 3 prej të cilave pjesë e koalicionit në pushtet, sipas të cilit Qeveria e këtij vendi do të duhet t’i kërkojë Komisionit Europian të pezullojë mekanizmin e rregjimit pa viza. Kërkesa u motivua me rritjen e aktivitetit të organizatave kriminale shqiptare që veprojnë në këtë vend. Gjatë diskutimeve, ministri i Jashtëm hollandez Staf Blok por dhe ai i Brendshëm e i Drejtësisë Ferdinand Grapperhaus mësohet se e kanë kundërshtuar kërkesën. Zoti Grapperhaus ishte vetëm pak javë më parë në Tiranë dhe në konferencën e tij për shtyp me ministren shqiptare të Drejtësisë Etilda Gjonaj foli me tone pozitive për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian si dhe për bashkëpunimin edhe me autoritetet policore shqiptare.

Vendimi i Hollandës provokoi debate të forta në Tiranë. Në një intervistë në emizionin “Përballë” në RTSH, presidenti Ilir Meta tha se “akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Sepse në dijeninë time, më parë nuk ka ndodhur që të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër, të paktën të Ballkanit Perendimor apo të rajonit tonë dhe sigurisht që është një kambanë alarmi për të gjithë ne, për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe shumë më të forta, më konsistente në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është një shqetësim jo vetëm për Holandën, por edhe për disa vende të tjera të Bashkimit Europian”. Sipas zotit Meta “ky hap na kujton që janë disa arritje, të cilat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, të cilat mund të cënohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej, drejt akteve të tjera të cilat mund të kërcënonin liberalizmin e vizave, qoftë në hapësirën Shengen apo qoftë edhe në Holandë për qytetarët tanë, por kërkon edhe një reflektim edhe një angazhim të fortë”, theksoi ai, duke shtuar se “përderisa kjo ndodhi në Holandë, kjo nuk përjashtohet të ndodhi edhe në një vend tjetër”.

Me tone të forta foli gjatë një interviste në emisionin “Tempora” në televizionin “OraNews”, kryetari demokrat Lulzim Basha. Sipas tij “ky nuk është një akt racizmi ndaj popullit shqiptar. Ky është një akt i pastër mosbesimi ndaj qeverisë aktuale”, pasi siç u shpreh ai “këtu kemi një shtet që është tërësisht i kapur nga krimi”. Vendimin e parlamentit hollandez ai e quajti pikërisht pasojë të situatës së krijuar në Shqipëri. “Është hera e parë në botë, është e paprecedentë që një vend që ka votuar të na heqë vizat, tani voton të jua rikthejë vizat. Nuk ka ndodhur në botë diçka e tillë. Ky është tregues i qartë i shembjes totale dhe kapjes totale të shtetit”. Zoti Basha e konsideroi vendimin një parathënie shumë të keqe për mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. “Çfarë prisni ju, që një shtet, parlamenti i të cilit kërkon kthimin e vizave do të votojë për hapjen e negociatave?! Absolutisht jo. As Holanda, as Gjermania, as shtetet e tjera”, theksoi zoti Basha.

Ministria e Jashtme shpërndau në mbrëmje një deklaratë të gjatë ku shpjegonte se “një shtet anëtar i BE-së mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë”. Deklarata theksonte më tej se “duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare”, ajo është “besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë”, shprehet ministria duke nënvizuar se “migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore. Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata hollandezë”, vë në dukje ministria e Jashtme sipas së cilës vendimi është ndikuar dhe nga klima për zgjedhjet europiane të majit: “Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë në agjendën e partive në garë, s’kemi asnje dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane, faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale”.

Gazmend Kapllani: Shqiptarët ende nuk e njohin historinë e tyre: Shihni se si ka censuruar qoftëlargu!

Shkrimtari i njohur Gazmend Kapllani, që sot jep mësim në Boston, Massachusetts, sjell dy foto, njëra që përkon me realitetin dhe tjetra e censuruar nga diktatori Hoxha. Sikur mund ta shihni krimineli Enver Hoxha i kishte prerë të gjitha kokat dhe në foto ka lënë vetëm veten e tij. Ja si shkruan më poshtë Prof.Kapllani:

“Ne se shihni keto dy foto (origjinalen e Marubit dhe tjetren qe shperndante propoganda e Qofte Largut, pasi zhduku nga foto dhe nga jeta te gjithe njerezit rreth e rrotull), do kuptoni pse Shqiptaret ende nuk e njohin historine tyre: perderisa eshte perdhunuar, retushuar, falsifikuar ne menyren me barbare per nje gjysem shekulli.

Prandaj kane nevoje per nje debat serioz mbi historine bazuar mbi te gjitha ne fakte dhe burime arkivore (duke perfshire edhe hapjen e dosjeve famekeqe te Sigurimit).

ps: ”moda”e retushimit dhe falsifikimit te fotove dhe dokumenteve historike nisi me Stalinin. Te gjithe udheheqesit komuniste (nga Europa ne Azi dhe nga Afrika ne Ameriken Latine) kane retushuar foto dhe falsifikuar ne mase dokumente historike, duke imponuar me dhune versionin e tyre te historise. Megjithate, ne asnje vend, as ne Korene e Veriut qe eshte ende nje cmendine e vertete, nuk arriti perdhunimi dhe falsifikimi i dhunshem i historise ne ato nivele kriminale dhe groteske bashke qe arriti ne Shqiperine e udhehequr nga banda enveriane.

Ky eshte nje problem kolosal me te cilin perballet historiografia shqiptare dhe kujtesa kolektive.