VOAL

VOAL

NJOFTIM MORTOR Lena Buçaj 2 qeshor 1971 – 24 tetor 2016

October 26, 2016

Komentet

In memoriam Shirine Morina (27 Maj 1951- 14 Prill 2024)

U nda nga jeta një nga figurat e shquara të skenës artistike në Kosovë, znj.Shirine Morina. Aktorja e njohur, shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kulturës kosovare dhe la pas një trashëgimi të çmuar.

Aktorja e njohur Shirine Morina lindi më 27 maj të vitit 1951. Ajo e nisi karrierën e saj në teatër në moshën e re, duke filluar të luajë në shfaqje të ndryshme në skenat lokale. Në fillim të karrierës, ajo u përball me kundërshtimin e familjes për të ndjekur ëndrrën e saj për të qenë aktore, por guximi dhe vendosmëria i mundësuan asaj të ndiqte rrugën e saj në jetë.

Një nga veprat më të rëndësishme të Shirine Morina ishte në zhanrin e monodramës, ku aktori shfaqet vetëm në skenë. Në veprën “Mbretëresha Teutë”, shfaqja e saj e fortë dhe e ndjeshme i bëri të qartë talentin dhe aftësinë e saj aktoriale.

Jashtë teatrit, Morina u shqua edhe në ekranin televiziv, duke luajtur në serialet popullore si “Banda e Luta Fukaras”, “Cimerat”, “Kombinati e Pleqt”, dhe “Ça ka Shpija”, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut.

Edhe pse karriera e saj ishte e suksesshme, ajo nuk mbeti pa përballuar sfidat dhe paragjykimet në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale. Megjithatë, ajo vazhdoi të shkëlqejë dhe të kontribuojë në zhvillimin e artit teatral dhe televiziv në Kosovë.

Shirine Morina u nda nga jeta më 14 prill 2024, duke lënë pas një trashëgimi të madhe artistike dhe një ndikim të rëndësishëm në kulturën e vendit. Për tu mbajtur mend gjithmonë për kontributin e saj në botën e artit dhe për frymën dhe pasionin që sollte në secilën shfaqje para publikut.

Për figurën e shquar të skenës artistike, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes faqes zyrtare të presidencës, Osmani shprehu ngushëllimet e saj për familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor.

“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive”, ka thënë Osmani.

“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, deklaroi mes tjerash presidentja e Kosovës.

 

Në kujtim të aktores së shquar po sjellim për lexuesin një intervistë të saj në formën e profilit

 

Aty ku duhesh të jesh vetvetja, ku emocioni, origjinaliteti nuk duhet të fshihen, por janë vlerë dhe i dallojnë të jashtëzakonshmit nga të tjerët.

Kjo përçohet më së miri nga artisti tek audienca përmes teatrit. Kur flet me një aktor, nuk ka mundësi mos të të lejë mbresa lidhja dhe dashuria që e kanë për dërrasat, ndriçuesit edhe kostumet, që shumë shpejt bëhen pjesë e pandashme e jetës së tyre.

E tillë është edhe aktorja e njohur kosovare Shirine Morina. Edhe pse tashmë në moshë të shtyre, shpirti i saj artistik vazhdon të jetë evident.

“Edhe si e vogël e kam dashtë teatrin kam filluar në moshën 14 vjeçare, atëherë e kemi bo një shfaqje me Agim Zatriqin, me Fatmir Bajramin, Lecin, Cimen patëm luajt në sallën e pionerve . Ka qenë veç për fëmije, aty e përgatitem shfaqjen shumë shpejt për një muaj na veç startuam në skenë, pastaj e vazhduam ne disa vende kështu. Si teatër amator ka qenë, edhe mua gjithë më ka tërheq kjo skena. U hap mandej këtu për teatër. Njëherë ka qenë studio më pas është bërë si akademi. Edhe unë konkurrova 160 kemi qenë atëherë unë u pranova, dhjetë persona u pranuan, e më pas vazhdova me studiu”, u shpreh ajo.

Familja e saj nuk ishte e pajtimit për studim në degën e aktrimit. Mirëpo, ajo e ndjeku ëndrrën e saj deri në fund, duke e demonstruar që në fillim një ndër vetitë më të nevojshme për një aktore – guximin për të qenë ndryshe.

“Edhe pse familja ka qenë kundër, atëherë kanë qenë botëkuptime të ndryshme, jo aktore me u bo, jo ,jo e unë thashë more po edhe vazhdova me studiu”.

E të jesh në qendër të vëmendjes, e përherë në sytë e publikut nuk është aspak e lehtë. Presioni rritet, e me të shtohen edhe fjalët, paragjykimet, komentet here pozitive por shumë shpesh negative. Këto ishin të pranishme te Shirine Morina dhe karriera e saj në një shoqëri relativisht të mbyllur dhe patriarkale. Madje ajo nuk ndjehet aspak keq në qoftëse dikush nuk e parapëlqen. I duket më se normale.

E vepra ku e gjeti më së miri i takon zhanrit më sfidues për cilindo aktor, monodramës – ku aktori gjatë tërë kohëzgjatjes së shfaqjes gjendet i vetëm në skenë. Monodrama që ia mundësoi ta pasqyrojë më së miri vetveten e saj ishte “Mbretëresha Teutë”, e shkruar nga Rexhep Qosja.

“Baba im ishte i sëmurë, i thashë babi im jam duke punuar për këtë monodrama, hë a të pranoj, bëja disa prova lexuese te shtëpia, tha po shumë çika jeme ime unë edhe nëse vdes ti gjithqysh me lujt këtë monodramë qenka shumë e mire”.

E nëse teatri është komunikim i lirë dhe shumë i vlefshëm për pasurimin e një shoqërie, pse atëherë artistat japin shumë e marrin pak, pse ndodh kjo? Ku është shkaku?

“Ashtu është teatri. Japim shumë prej vetes, dëgjo gjithkush ik prej punës aktori nuk ik, aktori bile bile kërkon rolin mat madh, rolin kryesor. Se rolin kryesor ti mundesh me nxjerr rolin ki kohe me të japësh të gjithë prej vetes e ashtu pak kemi qenë të paguar gjithmonë”.

Jashtë teatrit Shirinën shumëkush e mban mend në emsionin “Pa pengesa”. Ose në serialin Banda e Luta Fukaras të realizuar në vitet e 70. E në teatër ajo njihet nga Hotel Kashta, Makbethi, Gjenerali i ushtrisë së Vdekur etj. Ajo luajti edhe në filmin Era dhe Lisi të Besim Sahatciut. Por ekranit televiziv nuk i mungoi as në serialet vendore si: Cimerat, Kombinati e Pleqt, si dhe së fundmi në Ça ka Shpija.

ALI OSEKU – E di si vizatoj unë? – më pyeti… Nga Visar Zhiti

Sot ai vizatoi vdekjen e tij. Iku…
Një nga piktorët më të fuqishëm
në artin shqiptar, – po shkruajnë gjithandej.
Kujtoj që e burgosën dikur… Por s’ka të dikurshme, edhe e dikurshmja është e tanishme…
Kur më çuan në burgun e Spaçit, ai s’ishte më aty, por flisnim mirë për të dhe unë e di se sa vlerë ka të flasin mirë dhe në burg…
Në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit” kam një si vinjetë për të, që më duket se shpjegon diçka…
PIKTOR DHE NË FERR:
– Po piktorin Ali Oseku e gjete ti? – më pyeti.
– Jo, – i thashë.
– E di si vizatoj unë?- më pyeti ai një ditë. Zëri i Astritit Xh. (që po më tregonte) u bë i lagësht, si i ujitur. I thashë: jo. Dhe piktori Ali Oseku më mori gazetën “Drita”, e mbaja për ca poezi, dhe, siç po të thosha, ja, më tha Ali Oseku, kështu vizatoj unë, dhe i mbushi anët e bardha të gazetës me gra me kostume popullore. Sa bukur! Një si sfilatë mallëngjyese, panair… Ra çanga për punë dhe Ali Oseku e la gazetën poshtë jastëkut në shtratin e tij. Mbas 3 minutash e thirri operativi. Ç’të duhet ty që vizaton femra në burg? – i tha. Je dënuar pak, ç’të duhet që rri me armiq të përbetuar? Lëri vizatimet dhe shiko të riedukohesh, more vesh? Ma tregoi vetë, po më thoshte Astriti, por ai ishte piktor i përbetuar…
U shqetësuam. Të kemi kujdes nga kushdo, pranë e jo pranë, thamë. Në burg përvoja të hyn në punë, por dhe nuk të hyn, thoshte shkrimtari mustaqelli. Digjesh. Por vepro me intuitën e çastit dhe… si të jetë shkruar.
. . .
E di si vizatoj unë? Më ka mbetur në mendje kjo pyetje, që provokon veten dhe sa herë e shihja në Tiranë, më kujtohej. Pyetje-shkak për të vizatuar dhe atje ku ishte tmerrësisht e pamundur, nuk lejohej me rregulloren e mizorëve, kur sundonte Realizmi Socialist
Piktori Ali Oseku u përgjigj po vetë: Me guxim dhe me ndershmëri, duke qenë vetvetja, me art.
Kështu ai vizatoi dhe jetën e tij…

 

Arti pamor në zi: Ndahet nga jeta piktori i mirënjohur Ali Oseku

TIRANË- Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, piktori i mirënjohur, Ali Oseku pas një beteje të gjatë me një sëmundje të pashërueshme.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë me dije nga galeria FAB, duke shprehur ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e tij. Oseku ishte një ndër një ndër artistët më emblematik të artit shqiptar në pesëdhjetë vitet e fundit.

Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ai menjëherë u kthye në një figurë tërheqëse në skenën e artit shqiptar të fillimviteve ’70, duke sjellë një frymë të re në skenografitë e shfaqjeve që ai do të projektonte, si dhe një nerv artistik të veçantë në krijimet që solli nëpërmjet pikturës së tij.

Ali Oseku lindi në Tiranë në vitin 1944, në një familje me origjinë nga Gjakova.

Liceun artistik e mbaroi në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB. Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979.

Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit.

Pas viteve ’90, u bë një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.

Maestro Gazmend Mullahi: Pjetër Gaci, melodisti më i madh shqiptar

 

Me rastin e 27 marsit ditë lindjes dhe ditë vdekjes së kompozitorit të famshëm Pjetër Gaci (27.03.1931-27.03.1995) kanë reaguar dy kompozitoret e shquar shqiptarë Gazmend Mullahi dhe , Maestro Çoba përmes një shkrimi, ndërsa Maestro Mullahi duke komentuar. Shkrimin e Maestro Çobës e kemi botuar, po sjellim këtu komentin e Maestro Mullahit.

———–

Pjetër Gaci është Melodisti me i madh shqiptar. Njeri po aq i madh me virtytet dhe sjelljet e nje misionari kulturor e fisnik i rrangut te larte njerezor,

Vdiq si nje i “shenjte” ne toke ne modestine dhe thjeshtesine e tij qe shenjteron koha !

Shkrim i ndjere Zef 1) Monumental dhe plot ndjeshmeri e “muzikalitet” si krijimtaria e Pjetrit te paharruar.

Fat qe e kam njohur pothuajse ne gjithe periudhen e tij. I lumturuar tek e shihja personalitet i padiskutueshem dhe i shquar mes kolegesh nepermjet krijimtarise brilante sa profesionale aq edhe masovike .

Nuk mori dhe nuk i dhane aq sa dha dhe meritonte … sepse nuk i shpetoi dot ambjentit “koroziv” dhe si shume artiste te tjere qe benin pjese ne vorbullen mbytese te xhelozise dhe indiferences pushtetare.

U largua shpejt nga jeta , ne kulmin e aftesive krijuese , shkak edhe si rezultat i ketij mjedisi ku si prehje e ngushellim vitet e fundit te jetes gjente prane filxhanit te kafese apo te nje gote me shume ne klubin qe kishte prane .

I paharruar ky Mjeshter monumental i artit muzikor gur themeltar i kultures shqiptare.

Pjetër Gaci, artisti i sinqertë që shkroi vetëm muzikë- Nga ZEF ÇOBA

In memoriam: Universi është hologramë, gravitacioni informacion dhe energjia e errët forcë entropike Akad. Artan Boriçi, CERN, Zvicër

 

Sot, në trevjetorin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në nderim të kujtimit dhe të veprës shkencore që la, botojmë këtë artikull të tij – nga më të fundmit – duke falënderuar familjen për dhënien e tij për botim

– Teza “Verlinde”* është një nga risitë shkencore dhe zhvillim shumë i rëndësishëm në fizikën teorike bashkëkohëse dhe të ardhmerisë së saj. Pas përpjekjeve të shumta që shkencëtarët bënë gjatë shekullit XX për të bashkuar gravitetin me mekanikën kuantike, në vitin e fundit të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI vjen teza e teoricienit Erik Verlinde sipas të cilës graviteti nuk është forcë themelore, por rrjedhojë e kontabilizimit të informacionit në ekrane holografike.

Ky përfundim, i parashtruar në një artikull me formula të thjeshta që të kujtojnë artikujt e Ajnshtajnit të vitit 1905 mbi teorinë e relativitetit, si për nga thjeshtësia, ashtu edhe për idetë përmbysëse, është objekt bërë diskutimi i qarqeve shkencore në Europë, përtej oqeanit dhe më gjerë**. Dr. Erik Verlinde e paraqiti tezën e tij edhe së fundi në konferencën e kordave “Geneziss” e organizuar në Shkollën Federale Politeknike të Lozanës (Zvicër), më 26 nëntor 2010. Konferenca u la hapësirë të pakufizuar pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve, të cilët debatuan gjatë me dr. Verlinden.

I. Parimi holografik nuk është i ri (t Hooft 1993) dhe as entropia e vrimave të zeza (Hoking 1971). Por ajo që Verlinde vëren është se duke përdorur parimin holografik (shih shtojcën A: Vrimat e zeza dhe parimi holografik) mund të derivohet forca gravitacionale. Verlinde pohon se risia e teorisë së tij është origjina entropike e gravitetit. Në këtë mënyrë ai shpjegon origjinën e parimit të njëvlefshmërisë së gravitetit me inercinë: dukuri të njëjta që rrjedhin prej së njëjtës forcë entropike, duke këmbëngulur “Për mua graviteti nuk ekziston si forcë themelore”***. Për më tepër, edhe forcat e tjera nuk janë themelore, por të derivueshme prej kryqëzimit të gjendjeve kuantike të makrobotës.

Në rast se kjo teori është e verifikueshme, atëherë, së pari, duhen vrojtuar efektet entropike të daljes prej barazpeshës termike në pjesë të ndryshme të Universit dhe së dyti, teoria duhet të ketë fuqi parashikuese. Në fakt, autorë të tjerë, përpara disa kohësh, parimin holografik e kanë përdorur për të shpjeguar origjinën e energjisë së errët. Me llogaritje elementare mund të nxirret se konstanta kozomlogjike ka vlerën e parashikuar prej vlerësimeve të mbështetura në sfondin kozmik të mikrovalëve. Në këtë mënyrë zgjidhet dilema e energjisë së errët: Universi zgjerohet në mënyrë osmotike duke shtyrë horizontin e vet, përtej të cilit hapësira nuk është formuar ende. Energjia e errët rezulton të jetë një “super vrimë e zezë” e cila “tërheq” dhe zgjeron Universin për një arsye të thejshtë: zmadhimin e entropisë së vet.

Edhe sikur teoria e Verlindes të jetë e vërtetë, ajo mbetet, ashtu si edhe është, një teori makroskopike. Me gjithë dekurajimin e madh që u bëhet teorive mikroskopike të gravitetit, do jetë shumë e vështirë të ndalohen përpjekjet për t’u thelluar në teorinë e kordave që gravitetin e përmban si forcë themelore të unifikuar me forcat e tjera (shih shtojcën B: Teoria e kordave dhe unifikimi i forcave).

Një ndër eksperimentet më të mëdha të të gjitha kohrave, Goditësi i Madh i Hadroneve (Large Hadron Collider), pritet të ngacmojë shkallë energjitike të panjohura më parë. Një gjë është shumë e qartë: nëse LHC arrin të prodhojë vrima të zeza, atëhere do jetë shumë e vështirë të hedhësh poshtë teorinë e kordave. Në të kundërt, graviteti do vazhdojë të mbetet jashtë teorive mikroskopike dhe origjina e masës së leptoneve (elektronet, myonet, tauonet) do të mbetet një mister i përjetshëm.

II. Shtojca A : Teoria e kordave dhe unifikimi i forcave

Ngritja e parimit holografik në piedestalin e parimeve themelore nuk do të ishte e mundur pa rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur teoria e kordave. Kjo teori bashkon të gjitha forcat, ato gravitacionale, elektromagnetike, bërthamore dhe ato të rrezatimeve radioaktive. Por e le enigmatike origjinën e kordave si shkallë lirie. Ajo e sheh gravitonin si një korde të mbyllur, që leviz edhe përtej hapësirës së dukshme me tri permasa; ndërsa grimcat e tjera elementare janë produktet e lëkundjes se kordave të hapura.

Një nga rezultatet më spektakolare të teorisë së kordave janë ekranet holografike mbi të cilat mbështeten kordat e hapura. Sidoqoftë, kjo teori, e quajtuar edhe teoria e shekullit XXI, që ka qenë në gjendje të shpjegojë më së miri edhe vrimat e zeza, mund të bëhet e panevojshme në prani të forcës entropike.

Deri me sot vetëm teoria kuantike e fushës ka mundur të bashkojë të gjitha forcat perveç gravitetit. Ajo është një godinë tepër e ndërlikuar brenda së cilës bashkëjetojnë teoria speciale e relativitetit dhe teoria kuantike. Ajnshtajni ka refuzuar gjithnjë teorinë kuantike dhe besonte në gjeometrizimin e fizikës. Si për ironi të fatit, teoria e gravitetit e Ajnshajnit ka qenë e pamundur të kuantizohet për shkak të jolinearitetit thelbësor të saj.

III. Shtojca B: Vrimat e zeza dhe parimi holografik

Fakti se vrima e zezë përpin rrezatimet dhe trupat që i afrohen asaj çon në uljen e entropisë së Universit dhe si rrjedhim bie në kundërshtim me parimin e dytë të termodinamikës. Bekenshtajn arriti të shpjegojë më 1973 këtë paradoks duke përfunduar se informacioni për gjendjen vëllimore të vrimës së zezë ruhet në sipërfaqen e saj .

Në këtë rast sipërfaqja e vrimës së zezë shërben si hologramë për të ruajtur informacionin.

Kur një trup gjendet shumë pranë vrimës së zezë në distanca një gjatësi vale të Komptonit, λ=ħ/mc, (ku ħ=h/2π është konstanta e reduktuar e Plankut, m masa që i shtohet vrimës së zezë dhe c shpejtësia e dritës), atëhere ai mund të quhet pjesë e vrimës së zezë. Ky supozim zgjidh paradoksin ngaqë në këtë rast kemi rritje të entropisë së vrimës së zezë sipas formulës:

ΔS = k Δx/λ,

ku k është konstanta e Bolcmanit. Prej termodinamikës dihet se forca entropike, si p.sh. ajo e osmozës etj., jepet me anë të barzimit:

F = TΔS/Δx

Mirëpo sipas Njutonit forca e rëndesës është F=GmM/R2, ku G konstanta gravitacionale e Njutonit, M masa e vrimës së zezë, R rrezja e vrimës së zezë. Duke shfrytëzuar barazimet e mësipërme (detyrë për të gjithë lexuesit që kanë mbaruar shkollën 9-veçare!) del se GM/R2 = kT c/ħ:

Nga termodinamika dimë se energjia e vrimës së zezë për shkallë lirie është:

E/N = kT/2,

ku N është numri i shkallëve të lirisë ose njësive të informacionit që nevojiten për të përshkruar vrimën e zezë;

Nga relativiteti dihet se E=Mc2. Duke zëvendësuar marrim përfundimisht:

4πR2/N = Gh/c3.

Meqë ana e djathtë përbëhet prej madhësish konstante, del se numri i njësive të informacionit për të përshkruar vrimën e zezë është në përpjestim të drejtë me sipërfaqen e vrimës së zezë. Kjo do të thotë se informacioni për gjendjen vëllimore të vrimës së zezë ruhet në sipërfaqen e saj. Në këtë rast sipërfaqja e vrimës së zezë shërben si hologramë për të ruajtur informacionin. Ky është përfundimi i njohur i Bekenshtajnit.
_____________________________
* Dr. Erik Petër Verlinde është një nga shkencëtarët, teoricien që i është përkushtuar teorisë së kordave. Ka lindur më 21 janar 1962 në Woudenberg. Prej shumë vitesh punon në Institutin e Fizikës Teorike të Universitetit Amsterdam të Hollandës.
** Verlinde për here të parë e parashtroi tezën tij më 8 dhjetor 2009 në një konferencë shkencore, organizuar nga Instituti holandez Spinoza; më 6 janar 2010 detë e kësaj teze i pasqyroi në media nën titullin “Në origjina të gavitetit dhe ligjet e Njutonit”dhe më pas në një intervistë, dhënë gazetës “De Volskrant”. Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, kur i ishte përkushtuar takimeve të organizuara me fizikanë e teoricienë të kësaj fushe, gazeta “New York Times” e 12 korrikut 2010 në rubriken “Lajme shkencore” tërhiqte vëmendjen e qarqeve shkencore me një shkrim me idenë: Dr. Enrik Verlinde thotë: “Për mua graviteti nuk ekziston”, çka u parapriu 261 komenteve.
*** Gazeta “New York Times”, 12 korrik 2010.
Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Nji fisnik si Nexhmi Bushati (1 Maj 1930- 24 Mars 2024) krenari e qytetit u nda nga jeta- Nga Denata Rroji

Nji fisnik si Nexhmi Bushati (1 Maj 1930- 24 Mars 2024) krenari e qytetit u nda nga jeta.
I jemi mirënjohës me brezni për gjithë kontributin e tij intelektual përmes botimeve “Shkodra në mote”. Ndërsa vyrtytet e rralla si njeri do ia shprehni ju përmes ngushëllimeve tê thella dhe të ndjera.
Biografi e shkurtër
Nexhmi Bushati, ndër të rrallat histori artistësh, shkenctarësh, në rastin tonë studiuesish, që trashegon “rrjedhën” e të parëve në të punuarit me ndershmëri dhe vërtetësi si dhe në të synuarin shterrues e të thuktë të nji hulumtimi.
Ashtu si baba i tij Hamdi Bushati, studiues, historian, përkthyes dhe i nderuar me titullin “Mësues i popullit”, ashtu dhe Nexhmiu ishte nji bibliograf, studiues, përkthyes dhe i nderuar po si i jati, Hamdiu, me titullin “Mësues i Popullit”.
“Shkodra në Mote” asht referenca e parë ku historianët mund të hulumtojnë për qytetin e Shkodrës për periudhën gjatë shekullit XVII-XVII e më gjanë.
Përveç si vazhdues i veprimatarisë së të jatit, punoi gjatë dhe me përkushtim për sjelljen në kohë të “Ditarit” të nji prej penave ma të talentueme të modernitetit shqiptar, shkrimtarin Qemal Draçini.
Ndërsa në planin njerëzor, Bushati ishte i njohun prej të shumtëve që kanë pasë fatin të jenë nxanës tij, ose gjatë takimeve për të marrë libra nga biblioteka personale e admirueshme duke marrë me vete dije, qytetari, kulturë, mbresa e kujtime të pashlyeshme.
Denata Rroji

Gazmend Mullahi: Te gjithe pa perjashtim do i mbeten borxhlij per jete Gjergj Suliotit, “Mjeshtër i Madh” e “Nderi i Kombit”

Kompozitori i mirënjohur Gazmend Mullahi me rastin e ndarjes nga jeta të këngëtarit lirik e tenorit Gjergj Sulioti shkruan në rrjetin social:

“Artist dhe njeri i mrekullueshem.

Gjithshka e arritur me zotesi, talent, perpjekje e vullnet ne terrenin e veshtire sic eshte arti me njerez artiste te vertete.

“Ka dhënë me shume se sa i jane dhënë” por e kane kompesuar fisnikerisht nga admirimi dhe mirnjohja e publikut .

Te gjithe pa perjashtim kush me shume e kush me pak i jane dhe do i mbeten borxhlij perjete !

Gjergj Sulioti – “Mjeshter i Madh” e “Nder i Kombit” !

I paharruar !”

Zhuliana Jorganxhi për Jorgo Papingjin: Ti je i ndrituri Jorgo Papingji për mua!

 

Poetesha Zhuliana Jorganxhi shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të autorit të mijra teksteve të këngëve të muzikës së lehtë shqiptare si më poshtë:

“Nuk desha te vinte kjo dite keshtu! Te shkruaja keto fjale , qe pikojne lot dhimbje per nje mik te shtrenjte, siç ishe ti i shtrenjti, I Ndrituri Jorgo Papingji per mua! Na njohu kenga ne vitin 1980! Kur ti erdhe ne Festivalin e kenges ne RTVSH me tekstin “Kur jemi bashke te dy” me muzike te mikut tone te perbashket, Te Ndriturit Aleksander Lalo dhe qe ne fillim te njohjes sone u ndje qe kjo do te kthehej shpejt ne nje miqesi te sinqerte dhe miqesi poetesh! Ti ishe shpirtmadh, ishe njeri i ditur, pasaionant, poet i lindur per kengen, se tekstin e kenges nuk mund ta beje çdo poet, se ka rregullat e veta, te cilat ti i dije dhe i ndjeje qe ne degjimin e pare te kenges! Biseda jone e fundit dhe urimi im per ty, ka qene per 80 vjetorin tend! Dikur shkrova per ty nje poezi, me te cilen dua te te percjell ne Driten e Zotit ne Parajse!

SHKËNDIJA ZEMRE

Poetit të këngës, mikut tim të shtrenjte e të kahershëm Jorgo Papingji
Mirëmëngjes Jorgo, mirëmëngjes!
Hapur portat t’i mban kënga…
Në çdo tingull fjalën ndez
me shkëndijat dalë nga zemra.

Mirëdita Jorgo, mirëdita!
Fjaln’ e mirë gjithmonë ma the.
Mbete ti dhe larg kur ika,
mik i vjetër, zemër e re!
2005

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti: Hapi krahët lart në qell dhe pushto panteonin e Artit

Të lidhur shumë bashkë, nipi i tenorit të shquar Gjergj Sulioti, Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të dajës së tij dhe artistit të madh në rrjetin social:

“Fillimisht dua të të kërkoj një falje të madhe që nuk u bëra dot këngëtar lirik por dhe për të gjitha gabimet që ndoshta bëra dhe të mërzita.
Dua ta dish që askush nuk mund të zërë vendin tënd në zemrën time.
Tashmë do më mungosh shumë. Do më mungosh në çdo moment të jetës sime, të trishtë apo të lumtur që ti duhet të ishe atje.
Nuk mund ta besoj që nuk do të shoh më…por do të ndjej dhe do të të dua përgjithmonë Xhockë, pasi ne të dy kishim një lidhje aq të veçantë dhe të rallë…
Dhe nëse do më jepeshe mundësia edhe njëherë për të zgjedhur dajë, ty do të zgjidhja serisht pa as një hezitim.
Hapi krahët lart në qell dhe pushto panteonin e Artit.

Arti në zi: Është ndarë nga jeta tenori i shquar Gjergj Sulioti

Është ndarë nga jeta artisti i shquar, tenori Gjergj Sulioti. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 74-vjeçare.

Gjergji Sulioti u lind në Korçë në 29 gusht 1950 në një familje me tradita në kulturën muzikore. Sujoti njihet si këngëtar i dhjetëra roleve në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ai ka qenë këngëtari i Korit Lirat dhe ansamblit “Skenderbeu” i serenatave korçare.

Gjergji Sulioti ka qenë një nga Tenorët kryesorë të TOB ku ka interpretuar rolet kryesore në opera si: Karmen, Maleve për liri, Pagliaç i, Tosca, Rigoletto, Il trovatore, Aida, Paja, Otello, Nëna e trimave, Celula e kuqe, Karnavalet, Lulja e kujtimet, Berberi i Seviljes, Goca e Kaçanikut, Vjosa, Toka Jonë, Skenderbeu, Traviata, Borana, Zgjimi , Liceistët, Nëna e trimave etj.

Ka bashkëpunuar në skenë si dhe i kanë shkruar këngë emrat më të mëdhenj në artin shqiptar si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Lefter Çipa, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Xhoni Athanas, Vaçe Zela, Agim Krajka, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Agim Prodani, Luan Zhegu, Zhuliana Jorganxhi, Spartak Tili etj.

Për ndarjen nga jeta të Gjergj Suliotit ka reaguar edhe Teatri i Operas dhe Baletit.

Të trishtë për ndarjen nga jeta e tenorit Gjergj Suljoti! I lindur në një familje intelektualësh dhe muzikantësh korçarë, Suljoti vazhdoi rrugën e muzikës, duke u diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve. Më 1978 u emërua solist në TKOB.

Krahas punës si solist në Opera dhe Ansambël, ai nuk u shkëput kurrë nga muzika e lehtë, duke marrë pjesë në shumë Festivale, si ato të fundvitit, por edhe Koncertet e Majit.

Por në karrierën e tij operistike ai ka luajtur personazhet më të rëndësishëm të historisë sonë, si roli i Trimorit nga opera “Goca e Kaçanikut e vitit 1979 dhe roli i Mujit nga opera ‘’Vjosa’’ e Tish Daisë, e vitit 1980, që i shkonin aq mire natyres se tij. Ne 1982, mori pjesë në operën ‘’Skenderbeu’’, në të cilën interpretoi rolin e Lekë Dukagjinit.

Për ne, dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij në TKOB, ai mbeti përherë “Loni” nga opereta “Karnavalet e Korçës” një rol që Gjergji i dha maksimumin, për ta krhyer në një personazh të dashur për publikun.

Lamtumirë Gjergj Suljoti, ngushëllime familjes dhe miqve!”-thuhet në reagimin e ndjerë të TOKB.

***

Gjergj Sulioti u lind në Korçë në 29 gusht 1950 në një familje me tradita në kulturën muzikore. Babai i tij, Piro Sulioti ishte këngëtar lirik dhe solist në operetën “Agimi”[1] të Kristo Konos, e cila është opereta e parë shqiptare dhe u vendos në skenë në 1954. Nëna e tij ishte aktore amatore pranë teatrit “A. Z. Çajupi”, ndërsa motra eshte këngëtare dhe profesore muzike.

Jeta

Mbasi mbaron shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë, meqë zotëronte të dhëna dhe talent për muzikën, si dhe ishte i aktivizuar në grupin e shkollës, në vitin 1966 merr pjesë në festivalin e këngës të Radio Korca. Pikërisht në këtë festival fiton cmimin e parë me një kengë të Sotiraq Vangjelit, duke i lënë babait të tij çmimin e dytë me nje këngë të Pavllo Shollës.

Në vitin 1973 vazhdon studimet e larta në degën e kantos në Akademine e Arteve (ish ILA) dhe në 1978 emerohet solist ne TOB. Kur ishte ende student debuton në festivalin e 14-te[2] të kengës në RTSH me këngën “Rini, flamur i zjarrtë” me muzikë të Ferdinand Dedes dhe tekst të Luan Qafzezi të dubluar nga Vaskë Qirinxhi, si dhe me kengën “Zëri i nënave” me muzikë të Kastriot Gjinit dhe tekst të Shaban Muratit, e dubluar nga Arta Babaramo. Ne festivalin e 15-të, Gjergji do të bëhej i njohur gjerësisht me këngën e Mark Kaftallit “Përherë me këngë” dhe tekst të Betim Muços, e kënduar ne duet me Bardha Hoxhën dhe e dubluar nga Vaçe Zela. Një vit më vonë, në festivalin e 16-të, do të interpretonte këngën kushtuar “Veteranëve”, me muzikë të Enver Shëngjergjit dhe tekst të Petro Çekrezit,e dubluar nga Muharrem Herri, si dhe këngën “Grusht bashkuar rreth Partisë” me muzikë të Pjeter Gacit dhe tekst të Llambro Ruçit , e kenduar ne duet me Agim Duron dhe e dubluar nga dueti i Kastriot Ago-Petrit Lulo. Në festivalin e 17-të interpreton këngën “Të fortë e kemi Shqiperine”, me muzikë sërisht të Pjeter Gacit dhe tekst të Sali Manit, e cila u fitoi cmimin e trete dhe u dublua nga Ramiz Kovaçi.

Njëkohësisht, debuton me sukses me operetën “Celula e kuqe” në Shkodër. Në vitin 1978, ne operetën ‘’Karnavalet’’ e shfaqur ne Teatrin e Operas debutoi me rolin e Lonit, në të cilën tregoi aftësi të mira skenike dhe vokale. Pas premierës së saj, realizoi edhe rolin e komandantit nga opera “Lulja e kujtimit’’. Në vitin 1979, në operën “Berberi i Seviljes” të Rosinit (1979) i besohet roli i kontit Almavira, të cilin u përpoq ta realizonte me seriozitet. Ndëkohë, roli i Trimorit nga opera “Goca e Kaçanikut e vitit 1979 dhe roli i Mujit nga opera ‘’Vjosa’’ e Tish Daisë e vitit 1980 i shkon mire natyres se tij. Gastoni në operën “Traviata” (1983) ishte edhe ky një rol i përshtatshëm për cilësitë vokale e skenike. Ne 1982, mori pjesë në operën ‘’Skenderbeu’’, në të cilën interpretoi rolin e Lekë Dukagjinit.

Në fundin e viteve 70, Gjergji shkëlqen edhe me disa këngë në koncertet e majit dhe në anketat e Radio Tiranës, që në shumicën e rasteve u vlerësuan me çmime. Disa nga keto këngë ishin: ‘’Këngët e trimërisë” me tekstë të Ζhuliana Jorganxhi dhe muzikë të Agim Prodanit e kenduar sëbashku me Petrika Rrembecin; “Bashkë dolëm partizane”, me muzikë të Aleksandër Peçit, tekst të Zhuliana Jorganxhit e kënduar në duet me Luan Zhegun; “Këngë për Asim Vokshin” me muzikë të Avni Mulës, tekst të Hysni Milloshit; “Në rininë e tij babai” me muzikë të Luan Zhegut, tekst të Zhuliana Jorganxhit, “Nënë e dashur” me muzikë dhe tekst të Vangjo Nova, e kënduar në duet me Petrika Rembecin; “Mesuesi i parë” me muzikë të Luan Zhegut, tekst të Tonin Milotit; “Pema e brezave’’ përsëri me tekst të Zhuliana Jorganxhiut që fitoi çmimin e parë, etj. etj.

Në Festivalin e 18-të, interpretoi këngën “Ideali na bashkon” me muzikë të Lejla Agollit dhe tekst të Basir Bushkashit, e kënduar në duet me Petrika Rembecin, ndërsa kënga u dublua nga dueti Kastriot Ago dhe Bahri Rusja. Në Festivalin e 19-të, i besohen dy këngë. Kënga “Për jetën tonë të re” e kompozitor Vladimir Kotanit, me tekst të Valdete Andonit e kënduar ne duet me Liljana Kondakçi dhe e dubluar nga dueti Elida Shehu dhe Telemak Papapano, si dhe kënga “Përpara ecim me partinë’’ me muzikë dhe tekst të Pjeter Gacit, e kënduar në duet me Petrika Rembecin, e dubluar nga Ylli Muco dhe Agim Duro. Në Festivalin e 22-të, interpretoi këngën “Rritesh nëpër vite” sërisht e Pjeter Gacit me tekst të Hysni Milloshit e dubluar nga Shpresa Ranxha. Kënga me të cilën u prezantua në këtë festival fitoi çmimin e tretë.

Gjatë viteve ’80, Gjergj Sulioti interpretoi role të operave të ndryshme, që u shfaqën në TOB. Në operën e vitit 1984, Gjergj Sulioti interpretoi Golan Lugapari nga opera “Borana” e Avni Mules. Në vitin 1986 mori pjesë në operën ‘’Zgjimi’’ duke interpretuar rolin e Skënderit. Ndërkohë, në operën “Nëna e trimave” përsëri e Avni Mulës realizoi rolin e Shnajderit. Ndërkohë, në aktin e tretë të operes “Toska” realizoi rolin e policit Spaleta. Në vitin 1988, në qytetin e lindjes realizoi rolin e Ilirit në operën “Liceistet”. Në vitin 1989, në shfaqje me skena operash të ndryshme, realizoi rolin e Otellos në aktin e katert te operes “Otelo” te Verdit. Po në këtë vit shfaqet edhe ne rolin e Kolës ne operen komike “Paja” të Nikolla Zoraqit.[6] Në vitin 1990, intepretoi rolin e Kanios nga opera “Palaçot” e Leonkovalos, si dhe rolin e don Hozes nga opera “Karmen” e Bizesë.

Me rënien e regjimit Gjergj Sulioti largohet prej skenave vendase drejt Greqisë. Ai rikthehet dhe në vitin 1993 realizoi rolin e Luizit nga opera “Trovatore”. Në vitin 1994 interpretoi rolin e Borsës në operën “Rigoleto” te Verdit (1994), ndërkohë në vitin 1995 iu besua roli i Karavadosit në operën “Toska” (1995) etj. etj.

Ai ka qënë aktiv në disa aktivitete të tjera muzikore si koncerte, recitale, anketa brenda dhe jashtë vendit. Është aktivizuar me Ansamblin Popullor duke zhvilluar disa koncerte në Finlandë, Danimarkë, Suedi, Greqi, Turqi, Itali etj. Gjatë vitit 1995 ka marrë pjesë me trupën e operas “Toska” në një Festival Ballkanik në Greqi dhe më pas në Itali me operën “Rigoleto” ku është dalluar me çmimin e parë. Në vitin 1999 kthehet atje ku e filloi në “Spektaklin e serenatës” në qytetin e Korçës me një këngë të kantautorit Avni Mula. Kënga “Serenata Korçare, mandolinë e kitarë” e kantautorit Avni Mula u interpretua nga të dy. Në vitin 2000 po në të njëjtin spektakël, Gjergji fitoi çmimin e dytë me këngën “Djemtë e serenatës” sërisht e kompozitorit Avni Mula. Në vitin 2001 realizoi koncerte me babanë dhe motrën e tij brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2002, Gjergj Sulioti largohet përkohësisht nga skena për në Francë, ndërsa ne vitin 2008 do të rikthehej për të zëvëndësuar solistin më të vjeter (babanë e tij) Piro Suliotin në grupin karakteristik të Korçës “Lyra”[7]. Aktivitetet e tij nuk mbarojnë me kaq, pasi Gjergji u angazhua në qendrën kulturore të fëmijëve dhe përgatiti talente të reja për skenat vendase dhe të huaja. Gjatë kësaj periudhe, ai incizoi këngë karakteristike korçare dhe serenata si këngët: “Korça qyteti që nuk vdes”; “O Korçë e dashur” e kompozitorit korçar Nonda Kajno; “Vashë ëngjëllore” e kompozitorit Muharrem Xhediku; “Jorgjica” e Piro Suliotit; “Këngë për nënë Terezën” e Sotiraq Vangjelit etj. Duhet permendur që në vitin 2015 bashke me motrën e tij Zhanin, realizuan 2 duete të reja “Dashuria është magji” e Avni Mulës, si dhe në vitin 2017 duetin “Në përjetësi” të Zhuliana Jorganxhiut

Thonë se #JORGO #PAPINGJI e dha frymën e fundit dhe trupin i’a lëshoi tokës Nga Ilir Çumani

Por, më besoni Miq, Poeti nuk ka vdekur! Ai nuk vdes, sepse poetët si Ai nuk dinë të vdesin kurrë… Ose më mirë, le të themi se nuk kanë kohë të vdesin…
Ngase Poetët e vërtetë si Papingji vijnë në këtë jetë si shërbestarë dhe misionarë të së mirës, të së bukurës…
Ata janë dishepujt e shpresave dhe dashurive të mëdha, por janë edhe mbartës stoik e të qënësishëm të shqetësimeve e dhimbjeve të mëdha njerëzore.
Ata nuk dinë të jetojnë kurrë për veten e tyre, ngase jetojnë vetëm për të tjerët, për JETËN, për NJERËZIT, jetojnë për të shkuarën, për të tashmen dhe për të ardhmen….
A nuk ka ndodhur kështu edhe me Mjeshtërin e Fjalës së këngëzuar Jorgo Papingji…!?
Nuk ka fëmijë dhe të rritur, grua e burrë, gjyshe dhe gjyshër flokëbardhë që të mos e njohin poetin, këtë magjistar të Fjalës së Këngës.
Ai hyri natyrshëm pa trokitur dhe pa zhurmë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke zënë vend në çdo sofër familjare.
Eeeh, sa bukur e jetove JETËN Poet!
Në Vargjet e tua kishte vetëm dashuri, shpresë, dritë dhe JETË…!
Ndaj edhe nuk ke vdekur, sepse nuk dite kurrë të vdesësh…!
Udhëtove pafundësisht në gjithë universin e kësaj bote që të rrethonte, gjithë gazmend, ndaj vazhdo dhe jeto Miku im Poet, ashtu siç vetëm Ti di të Jetosh!
Sot, në “Ditën e Poezisë”, një poet zgjodhi të shkruaj elegjinë e fundit hokatare të ikjes së tij fizike, si për të na kujtuar se asgjë në këtë botë nuk duhet marrë seriozisht, perfshirë edhe vdekjen….
Ndaj, të gjithëve ne, bashkëkohësit e poetit, që e jetuam prej dekadash mesazhin dhe kumtin e Fjalës së tij, na takon t’i themi “JO” largimit të Jorgo Papingjjt nga bota e të gjallëve….
Të më falësh Poet, por zemra nuk më bindet që të nxjerr nga goja fjalën: LAMTUMIRË!
Të paktën vetëm sonte, ne, të themi: “JO….!”
21 mars, 2024

ELEGJI PËR NËNËN- Nga Albert HABAZAJ

 

Bebesë, Shenjtores sonë, sedërtares së shtrenjtë:
Behire Lushaj Abazi, Tërbaç, 07.12.1940-Vlorë, 07.02.2022 – Tërbaç …

Dy vjet pa ty, Nënë
Lotin derdh në këngë.
Qaj pa lot përbrenda
Sa më dridhet zemra…

Unë në Tërbaç përsëri do të shkoj
Po kush do të më presë me krahë hapur,
“Erdhe, a të keqen!”, kush do të më thotë,
Iku trimëresha me stuhi brengash matur …

Pushon tani në krah të burrit e djalit,
O Nënë, as mali me borë s’ duron sa ti,
Si vallë i sfidove shqiponjat e malit,
O nënë, o mall, lot i patharë, dhembshuri …

13 vjet e prite këtë ditë
Atje ke gjetur qetësinë, o Bebè!
Ta ndjej aromën e ngrohtë me dritë,
Ta shoh imazhin ëmbëlor hënës mbi rè …

Përse e bëre këtë sakrificë sublime,
Le ushqimin, ilaçet me bindje i le,
O zhgabonjë e Tranajoit sa fluturime
Ëndrra dhe dëshira të tuat kemi ne.

Nuk të qaj vitet, po vuajtjet që s’thuhen,
S’ doje të na lëndoje e lotët ke ndrydhur,
Që sot e tutje, nga ti erërat druhen,
Dhemb unë tek gjej portën e shtëpisë mbyllur…

Ai që nënën ka humbur
Më kupton, loton si unë,
Nuk e bën, jo për t’u dukur,
Lot i dhimbjes mbush një lumë…

O Bebè, moj xhanè,
Ç’mal mbi supe që më le…

Tërbaç, e mërkurë, 09.02.2022 – Vlorë, e mërkurë, 07.02.2024

 


Send this to a friend