VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Njëshi partiak dhe njëshi ekzekutiv i modelon të tjerët sipas vetes – Nga Moikom Zeqo

By | February 18, 2020

Komentet

Shifrat tronditëse- Më 2018 vdiqën mbi 11 mijë shqiptarë nga aparati i frymëmarrjes, ja sëmundjet më vrastare

Sëmundjet tumorale dhe ato të aparatit të frymëmarrjes janë shkaktarët kryesorë të vrasjes së mijëra shqiptarëve.

Shifrat më tronditëse janë për vdekshmërinë nga aparati i qarkullimit, ku vetëm në vitin 2018 ka humbur jetën plot 11 599 shqiptarë.

Në të dhënat e publikuara nga Open Data Albania, përgjatë viteve 20012-2018, shihet se numri i vdekjeve nga problemet e frymëmarrjes është rritur, ndërsa sëmundja tjetër shumë vrastare është tumori.

Ndërkohë, e dhënë pozitive është ulja e numrit të të vdekurve nga traumat, aksidentet dhe helmimet, çka tregon një siguri më të lartë të jetën kundrejt rreziqeve që kanë si shkaktar kryesor sjelljen njerëzore.

Studimi i plotë:

Open Data Albania po zbardh të dhëna mbi numrin e vdekjeve sipas sëmundjes shkaktare në vitet 2012 deri 2019. Ky indikator tregon numrin e sëmundjeve nga të cilat preket më shumë popullsia dhe që shkaktojnë edhe diagnozën finale në momentin që shënohet një vdekje.

Grupet e sëmundjeve shkaktare janë disi si Infektive; Tumorale; Endoktrine dhe të të Ushqyerit; Sëmundje të Gjakut dhe Organeve të saj; Çrregullime Mendore; Sistemi Nervor; Aparati i Qarkullimit; Aparati i frymëmarrjes; Aparati i tretjes; Sistemi Urogenital;’ Ndërlikime Barrëlindje; sëmundje të Lëkurës dhe indit; Sëmundje të Kockave dhe Muskujve; Malformime të Lindura; Perinatale; Simptoma të Papërcaktuara; Trauma dhe Helmime dhe Aksidente.

Të dhënat janë të autoriteteve shtetërore shqiptare të cilat në Prill 2020 kanë të publikuara indikator deri më 2018. Në këtë vit kanë ndërruar jetë në total 21 804 (njëzet e një mijë e tetëqind e katër) persona. Grupi i sëmundjes me më shumë fatalitete është ai i Aparatit të Frymëmarrjes. Nga ky grup shënohen në 2018 një numër prej 11 599 persona ose 53.2 % e totalit. Në vendin e dytë qëndron grupi i sëmundjeve tumorale me 3695 fatalitete ose 16.95% e totalit.

Vendi i tretë përkon me sëmundje Simptoma të Papërcaktuara që janë plot 3689 raste. Ky tregues dëshmon paaftësi të sistemit shëndetësorë në vlerësimin e diagnozës dhe shkakut fatal. Sa më shumë raste të tilla të shënohen aq më fort kemi mungesë të kujdesit shëndetësorë, aftësisë për vlerësim dhe ndërhyrje sipas rastit. Ky grup fatalitetesh dëshmon mungesë të cilësisë së shërbimit dhe kulturës pro shëndetit në vend. Ky grup ka ardhur në rritje në vitet e fundit. Në vitin 2012 sëmundjet me simptoma të papërcaktuara shënonin vetëm 11 % të totalit të vdekjeve.

Vendi i tretë përkon me sëmundje Simptoma të Papërcaktuara që janë plot 3689 raste. Ky tregues dëshmon paaftësi të sistemit shëndetësorë në vlerësimin e diagnozës dhe shkakut fatal. Sa më shumë raste të tilla të shënohen aq më fort kemi mungesë të kujdesit shëndetësorë, aftësisë për vlerësim dhe ndërhyrje sipas rastit. Ky grup fatalitetesh përkon me mungesë të cilësisë së shërbimit dhe kulturës pro shëndetit në vend si dhe performancë jo të kënaqshme të sistemit shëndetësor dhe diagnostikimit.

Download
Download

Pozitiv është fakti se kanë ardhur në ulje vdekjet nga Traumat , Aksidente dhe Helmimet cka tregon një siguri më të lartë të jetën kundrejt rreziqeve që kanë si shkaktar kryesor sjelljen njerëzore. Rritje kanë pësuar sëmundjet perinatale (të spaolidnurit) me një indikator në rritje edhe si raste për 100 mijë banorë. Po njësoj në rritje në 2018 kundrejt viteve më parë qëndrojnë edhe malformimet në lidnje apo Ndërlikimet e Barrë lindjes. Ky indikator shfaq vështirësi të shëndetit riprodhues dhe kujdesit për nënën dhe fëmijën indikatorë për të cilët përgjithsisht vendi ynë ka shfaqur indikator negativ në vite.

Download (1)
Download (1)
Download (2)
Download (2)

Numri i Vdekjeve sipas sëmundshmërisë është tregues interesant dhe i rëndësishëm. Ndihmon për të kuptuar jo vetëm sëmundjet që paraqesin më tepër rrezikshmëri për popullsinë e një vendi, por njëkohësisht edhe problematika që lidhen me harimin dhe eficensën e politikave shëndetësore. Për të realizuar këtë hulumtim Open data Albania është bazua në të dhëna statistikore të INSTAT.

Moti për këtë javë – Cilat janë zonat shqiptare ku temperaturat do rriten deri në 27 Gradë

Sinoptikanët tregojnë se si do të jetë moti këtë javë dhe cilat zonat që do pësojnë temperaturat më të larta.

Këtë javë stina pranverore do të ndihet më shumë nga ditët që lamë. Kjo pasi temperaturat do të pësojnë një rritje të konsiderueshme pasdreke, ndërsa mëngjeset pritet të jenë të freskëta.

Sinoptikanët tregojnë se si do të jetë moti këtë javë dhe cilat zonat që do pësojnë temperaturat më të larta.

Kryefjala e javës që presim përpara do të jetë moti i kthjellët dhe orët me diell për të cilat të gjithë kemi nevojnë në këto ditë të vështira. Vendi do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata kjo falë depërtimit të një qëndre të presionit të lartë që do të vendoset në europën qëndrore.

E Hëna me vranësira

Përjashtim të lehtë bënë dita e Hënë e cila do të ketë vranësira kalimtare por do të jenë më tepër të përqëndruara në zonën e jugut pasi në atë të qëndrës dhe atë të veriut do të shpërbehen deri në orët e mesditës.

Më pas duke nisur nga dita e Martë deri dhe ditën e Premte (por edhe më tej) moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin.

Rritja e Temperaturave

Për tu theksuar se orët e mëngjesit do të jenë relativisht të freskëta ndërsa ato të mesditës do të pësojnë rritje graduale me vlera që parashikohen të arrijnë deri në 25-27 grade celcius ditën e Premte.

 Sipas parashikimit, referuar Shërbimit Meteorologjik Ushtarak LEzha, ELbasani dhe Berati do të jenë qytetet ku temperaturat do të rriten deri në 27 gradë.

Tirana do të pësojë rritje temperaturash deri në 26 gradë. Ndërsa vendet bregdetare si Saranda, VLora dhe Durrësi do të karakterizohen nga temperaturat 25 gradë, gjithashtu edhe Fieri do të përfshihet nga kjo rritje temperature. Qytetet veriore si Shkodra, Peshkopia, Bajram Curri do të karakterizohen nga temperature më të ulëta që do të variojnë nga 21-23 gradë celcius. /  AgroWeb.org

Parashikimi i Motit sipas Sherbimit Meteorologjik Ushtarak.

Akademia e Shkencave dhe Arteve: Partitë politike dhe institucionet në Kosovë të vetëpërmbahen deri në fund të pandemisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet të tejkalojnë përçarjet dhe situatën e krijuar politike në Kosovë gjatë kohës së pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Përmes një komunikate, ASHAK-u ka shfaqur, siç është thënë shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me situatën e krijuar pasi, “qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”.

ASHAK-u ka ftuar për tejkalimin e kësaj situate dhe kthimin “te vlerat e vërteta të mirëkuptimit dhe humanizmit.

“Në emër të këtyre vlerave, mbi të cilat kemi besuar gjithnjë se është ndërtuar shoqëria jonë, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës për vetëpërmbajtje, së paku deri në fund të kësaj pandemie, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Përveç tjerash, Akademia ka bërë thirrje, që për shkak të situatës së krijuar, secili të tregojë gatishmëri për solidaritet dhe përbashkim, “duke vendosur mbi interesin pushtetar interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta fituar betejën kundër pandemisë, duke refuzuar dhe duke anashkaluar të gjitha dallimet politike dhe etnike”.

Në komunikatë është thënë edhe se institucionet e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë obligim që përkujdesjen dhe solidaritetin ta ushtrojë në çdo cep të Kosovës, përfshirë minoritetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

Një vepër e re shkencore e Prof.dr. Eshref Ymerit: Fjalor frazeologjik anglisht-shqip – Nga Prof.dr. Hajri Shehu

 

 

 

                       (Parathënie e Fjalorit)

Fjalorët japin tablo të ndryshme të gjuhës dhe, kur janë dygjuhësh, japin tablo të gjuhëve që ballafaqohen. Për pasojë, nëse një fjalor leksemor dygjuhësh është ndërkombëtar, sepse ka dy gjuhë, dy struktura gjuhësh, dy semantika dhe dy barasvlerës, një fjalor frazeologjik dygjuhësh është dyfish ndërkombëtar, për shkak të shtresës social-kulturore specifike. I tillë është edhe “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, që jep një tablo të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe. Është një tablo mjaft e gjerë sepse, siç dihet, njësitë frazeologjike (dhe fjalët e urta) janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe burim të dhënash për jetën social-kulturore (dhe materiale) të një populli. Edhe nga një vështrim i pjesshëm i këtij Fjalori shihet shtresa social-kulturore specifike e botës anglosaksone po edhe e jetës shqiptare, që e sjell barasvlerësi në gjuhën shqipe.

Fjalorët frazeologjikë hyjnë te fjalorët specialë (kësisoj, janë diferencues). Dhe sa më gjerë të konceptohet detyra e fjalorit frazeologjik, aq më i rëndësishëm është roli i tij si mjet i kulturës së gjuhës. Por, po kaq i vështirë është hartimi i tij. Në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh, vështirësia më e parë është barasvlerësia. Sepse barasvlerësia nuk vjen me përkthim, por, siç do ta themi më tej, me gjetje.

Por te fjalorët frazeologjikë, në dallim nga fjalorët e përgjithshëm, ka edhe një vështirësi tjetër. Ajo lidhet, më së pari, me natyrën e njësisë frazeologjike. Autori i njeh mirë konceptin njësi frazeologjike dhe kufijtë e fondit frazeologjik të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe – veçoritë strukturore tipologjike dhe përmbajtjesore figurative të njësive frazeologjike dhe variantet e tyre, funksionet e tyre gramatikore dhe kushtet e tyre përdorimore, pra, rolin e tyre komunikues-funksional.

Në këtë Fjalor, përveç shprehjeve frazeologjike të mirëfillta, përfshihen edhe fjalë të urta, proverba e fjalë fluturake, çka është në përputhje me konceptin mjaft të gjerë për frazeologjinë në leksikografinë angleze. P.sh., në Fjalor gjejmë proverba, si: long absent, soon forgotten larg syve, larg zemrës; when it is not of your business, keep your nose of it kur s’ke pula, mos bëj “ish!”! (kur s’ke pula, pse hahesh me dhelprat?); fool’s haste is no speed kush nxitohet, pengohet (kush e mban hapin shtruar, më larg ka për të shkuar); strain at a gnat and swallow a camel lë miellin e merret me krundet (i lirë në miell dhe i shtrenjtë në krunde); who keeps company with the wolves, will learn to howl kush fle me qenin (qentë), ngrihet me pleshta (kush shkon pas brumbullit, te plehu do ta shpjerë, më thuaj me kë rri, të të them se cili je), etj.

Proverbat, janë mjete gjuhësore që afrohen me frazeologjinë, ngaqë kanë përdorim të qëndrueshëm (për të karakterizuar ngjarje e ndodhi jetësore), kanë kuptim të figurshëm dhe shprehësi emocionale. Nga proverbat mund të vijnë fjalë të urta. Si për fjalët e urta, edhe për proverbat, përdoruesi e ka më të lehtë t’i kërkojë e t’i gjejë në një fjalor frazeologjik sesa në një fjalor të përgjithshëm gjuhësor.

Duke përfshirë në Fjalor edhe fjalë fluturake (p.sh., there is but one step from the sublime to the ridiculous (“madhështoren një hap e ndan nga qesharakja”, madhështia me absurditetin janë pranë e pranë), me origjinë nga frëngjishtja, me autor Napoleon Bonapartin), mendojmë se është vepruar drejt, sepse, duke u frazeologjizuar, fjalët fluturake e humbasin lidhjen e drejtpërdrejtë me tekstin nga janë formuar. Tashmë, janë me karakter të figurshëm dhe, si citate, janë modele të njohura letrare.

Sa i përket cilësisë së Fjalorit, për këtë mund të gjykohet nga: 1. zgjedhja e fjalësit. 2. gramatika e fjalësit. 3. barasvlerësia; 4. përveçimi i dallimeve kulturore. 5. shembullsimi.

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof. dr. Eshref Ymerit i ka zgjidhur të gjitha shkencërisht drejt e leksikografikisht qartë.

  1. Fjalori është diferencues (Ai është fjalor frazeologjik dhe jo fjalor i përgjithshëm leksemor.) Dhe detyra e tij ka qenë përzgjedhja e njësi frazeologjike, gramatikisht dhe leksikografikisht drejt. Ato janë të gjuhës standarde (vetëkuptohet, bashkë me gramatikën e tyre) – edhe në anglishte, edhe në shqipe; kanë kuptim të mbartur e të figurshëm. Çfarë u tha më sipër, besojmë se e plotëson këtë vlerësim. Një krahasim i thjeshtë i disa njësive më poshtë në anglishte e në disa gjuhë të tjera, besojmë se e vërtetëson këtë: Ariadne’s clew (thread) / fil d’Ariadne (frëngjisht) / filli i Arianës; the heel of Achiles / talon d’Achile (frëngjisht) / thembra e Akilit; appetite comes with eating (nga frëngjishtja) oreksi vjen duke ngrënë; look for a needle in a haystak (stack of hay) kërkon gjilpërën në kashtë etj.
  2. Në një fjalor dygjuhësh, barasvlerësia është një ndër vështirësitë më të para. Mund të vendoset, thuajse gjithnjë barasvlerësí përkthimore midis fjalive – gjuhë burimore – gjuhë përkthimore. Jo gjithnjë është e mundshme barasvlerësia midis njësive leksikore. Arsyeja? Dallimet gjuhësore dhe kulturore (p.sh., fjalët e përbëra ekzocentrike). Te shprehjet ekzocentrike (pra, tek idiomat), te njësitë frazeologjike, te fjalët e urta e te proverbat, dallimet gjuhësore (strukturore e semantike) e kulturore (kulturore-gjeografike, kulturore-historike etj.) janë edhe shumë më të mëdha. Atëherë, barasvlerësit idiomatikë, frazeologjikë etj. duhet të vijnë jo për nga tipologjia strukturore e thënies (sigurisht, kjo ka vlerën e vet), por për nga koncepti (si mjet leksiko-semantik) që përcjellin. Krahaso, p.sh., dy konceptet: make hay while the sun shines dhe rrihe hekurin sa është i nxehtë. Atëherë, barasvlerësia në një fjalor frazeologjik dygjuhësh është onomasiologjike dhe jo semasiologjike, është gjetje barasvlerësish konceptorë dhe jo thjesht transferim simbolesh, kuptimesh e motivimesh. Por, përveçse përmbajtjesore, barasvlerësia idiomatike, frazeologjike, proverbore etj. duhet të jetë edhe funksionale. Nuk mund të vlerësohet shkëputurazi përmbajtja e njësisë nga funksionimi i saj në gjuhë. Kjo do të thotë atëherë që barasvlerësit përkthimor i duhen krijuar kushte identike përdorimi me ata në mjedisin e saj të mëparshëm. Ky është përkthim frazeologjik ndërgjuhësor. Ky është përkthim i vërtetë. Dhe ky është përkthimi në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të prof. dr. Eshref Ymerit. Aty ka gjetje barasvlerësish. Aty ka ndërkëmbim frazeologjik ndërgjuhësor. Kësisoj, ai është krejt i besueshëm. Shih, p.sh.: be between two fires është midis dy zjarreve; better late than never më mirë vonë se kurrë; fish in troubled waters peshkon në ujëra të turbullt; set the wolf to keep the sheep vë ujkun bari; thread breaks where it is the weakest peri këputet ku është më i hollë; with a stone kill two birds me një gur vret dy zogj. Shih barasvlerësit (fjalë të urta) e gjetur për fool wants his cloak in a rainy day: guna nuk qepet kur ka filluar lloha [langoi s’ushqehet ditën që del për gjah, s’shëndoshet (s’majmet) kau (pata) ditën që do të theret, ushqeji qetë para se t’i mbrehësh] etj.

Para barasvlerësit, autori jep në thonjëza motivimin strukturor ose kuptimor të njësisë së huaj. Është një lloj kalkimi në gjuhën shqipe. Kjo është shumë ndihmuese për përdoruesin e Fjalorit. Te njësia frazeologjike në origjinë janë dy kuptime: kuptimi aktual dhe kuptimi etimologjik (forma e brendshme, motivimi). Në aktin e ligjërimit, në plan të parë del kuptimi aktual. Kjo rrethanë bën, siç e përmendëm më parë, që të çsemantizohen gjymtyrët e saj përbërëse dhe shkallë-shkallë të harrohet forma e brendshme. Por në shumë njësi frazeologjike mund të njihet a të kuptohet forma e brendshme, sepse ajo mbështetet në togfjalëshin që e përbën atë. Forma e brendshme e njësisë frazeologjike (edhe e fjalës së urtë), domethënë, struktura e saj semantike është vetë përmbajtja konkrete. Dhe kjo përmbajtje i tregohet përdoruesit për t’i thënë: ja barasvlerësi, ja si motivohet ky barasvlerës. Nga pikëpamja psiko-linguistike, shpjegimi a kalkimi në thonjëza shton shumë  në njohjen dhe përvetësimin e të dy shënuesve ndërgjuhësorë.

Si në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” (2015) të prof. dr. Eshref  Ymerit, edhe këtu, në shtyllën e gjuhës shqipe kemi një fjalor të vërtetë sinonimik frazeologjik. Sinonimet – barasvlerëse të njësisë së huaj – në shqipe janë edhe përmbajtjesore, edhe funksionale. Për shembull, te gaunt (as gaunt) as bone: e ka qafën me një dell (është bërë bark e shpinë bashkë, është bërë për në plasë të derës, është bërë cipë e kockë,  është bërë kockë e lëkurë,  është me dy fije brinjë, i është bërë qafa fije peri, i ka hyrë shtati në shtat, i numërohen brinjët). Dhe te throw a mist before smb’s eyes: i hedh hi (pluhur, kashtë) syve, i hedh trutë e gomarit, e hedh kodër më kodër, ia shet sapunin për djathë, ia shet shkumën për ajkë, ia shet ujin e pusit për verë, e nis me shoshë për ujë, e vë në bisht të lugës) etj.; te fly on the wheel mbi dhjetë sinonime të tjera frazeologjike: e ka hundën të gjatë, e mban bishtin cakërr, i duket hunda dyfek, i kullot hunda lart, kapardiset si maçoku në thekër (si qeni në qerre, si gjeli majë plehut) etj.

Vargu sinonimik në gjuhën shqipe shkon deri mbi 40 njësi. Së pari, kjo tregon zhvillimin e vrullshëm të frazeologjisë shqipe; së dyti, tregon shkallën e zhvillimit të letërsisë artistike, publicistike etj.; së treti, tregon mundësitë për përdorimin stilistik të njësive frazeologjike; së katërti, tregon njohjen e thellë të sinonimisë frazeologjike të gjuhës shqipe nga autori. Në vargun sinonimik te kolona e shqipes, njësia e parë është barasvlerësi më i parë i njësisë së huaj. Sinonimet që e ndjekin atë, janë relative. Zgjedhja e tyre i takon përdoruesit të Fjalorit (le të themi, përkthyesit nga gjuha burimore) për kontekstin, që e kërkon ai.

  1. Frazeologjia, në masë, i përket ligjërimit bisedor. Prandaj të gjitha njësitë frazeologjike mund të etiketohen si bisedore. Por ato përdoren në stile të ndryshme. Ka frazeologji me ngjyrim mospëlqyes; ka frazeologji të ligjërimit të shkujdesur; ka edhe frazeologji me burim ose me përdorim libror. Frazeologjitë kufizohen edhe nga figurshmëria. Atëherë, duhet njëfarë kujdesi në punë të ngjyrimit shprehës-emocional, kohësor-historik etj. Autori i ka shenjuar stilistikisht aty ku është dashur. Janë përdorur dy lloje shënimesh: a) gjuhësore: bisedore, librore, e vjetruar etj.; b) sociale: përçmuese, përbuzëse etj.

Fjalori është filologjik. Çdo njësi frazeologjike është glosë më vete. Kur janë variante, bashkohen në një glosë. Përbërja leksikore e njësisë frazeologjike, e fjalës së urtë etj. jepet e plotë (sipas fjalorëve të anglishtes standarde).

Renditja ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve ndërmjet aksh frazeologjie me frazeologjitë e tjera në sistemin e gjuhës. Njësia (frazeologjike) mund të pasqyrohet aq herë, sa gjymtyrë ka (përveç fjalëve shërbyese). Vendosja sipas gjymtyrëve përbërëse na e sjell njëherësh të njëjtën frazeologji në grupe të ndryshme. Por kjo kërkon shumë hapësirë. Në një fjalor dygjuhësh, njohja e grupeve nuk vlen edhe aq shumë. Prandaj në këtë Fjalor renditja është bërë vetëm një herë: a) sipas boshtit semantik (shih, p.sh., te fjala battle); b) sipas gjymtyrës së parë (kur nuk është fakultative dhe kur nuk ka variant leksikor); c) sipas vokabulit, d.m.th. vetë njësisë frazeologjike.

Duke i përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, u përgjigjet më së miri kërkesave të përdoruesit, qoftë ky lexues i thjeshtë apo përkthyes. Kushdo që lexon, rilexon, përkthen e ripërkthen letërsi artistike, publicistike, fetare etj. nga anglishtja, do ta ketë tashmë në tryezën e tij të punës këtë fjalor si një ndihmëtar të veçantë.

Leksikografia lidhet ngushtë me zhvillimin e gjuhësisë dhe, para së gjithash, me zhvillimin e leksikologjisë, si shkenca për leksikun e gjuhës. Fjalorët frazeologjikë dygjuhësh të botuar deri tani, pasqyrojnë bindshëm arritjet në fushën e leksikografisë e veçmas, të frazeologjisë si disiplinë gjuhësore. Në këto arritje një vend të veçantë zënë tre fjalorët frazeologjikë të prof. dr. Eshref Ymeri, në një si bashkautor dhe në dy si autor i vetëm.

Në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të tij studiuesve të frazeologjisë u jepen zgjidhje të caktuara shkencore në ballafaqimin anglisht-shqip. Etnolinguistët kanë përpara fushat konceptore e grupet tematike të frazeologjisë (edhe të leksikut) së gjuhës angleze e të gjuhës shqipe. Leksikografët shqiptarë kanë përpara një fjalor sinonimik frazeologjik te kolona e shqipes. Etnografët kanë përpara doket e zakonet angleze, të materializuara gjuhësisht. (shih, p.sh., të ashtuquajturën privacy). Kushdo që dëshiron të njihet me histori frazeologjizmash, fjalësh të urta, fjalësh fluturake etj., mund ta lexojë me ëndje në këtë Fjalor. Fjalorët janë zakonisht libra referimi dhe nuk lexohen. Por ky Fjalor mund të lexohet mu për këto histori, shpjegime e motivime jashtëgjuhësore. Shih, p.sh., te: Teddi boy qejfli huqesh (rrebesh, trillesh). Shpjegimi e motivimi jashtëgjuhësor: Teddy është shkurtim i emrit Edward. Shprehja e ka prejardhjen nga emri i mbretit anglez Eduardi VII (Edward VII 1841-1910), i cili dallohej për mënyrën origjinale të të veshurit. Teddy boys kanë qenë imituesit e tij në radhët e rinisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar. Shih edhe te punic faith; Knights of the Round Table; There is but one step from the sublime to the ridiculous; Fortune’s wheel; put on the buskin(s); fools rush in where angels fear to tread; strain at a gnat and swallow a camel etj.

Anglishtja është gjuha e huaj nga e cila përkthehet më shumë në shqip dhe e cila mësohet më shumë në Shqipëri. Rrjedhimisht, fjalorët me anglishten janë më të përdorurit. Ky fjalor u vjen në ndihmë të gjithë përkthyesve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës angleze dhe të gjithë studentëve dhe nxënësve që duan ta thellojnë njohjen e saj. Në mësim, edhe për të krahasuar, për të njohur ose për të gjetur universale frazeologjike (tipi hekuri rrihet sa është i nxehtë / strike while the iron is hot) ose universale kuptimore, p.sh. përdorimin mbiemëror të emrave për të shënuar një njeri të dobësuar në trup te gaunt (as gaunt) as bone: është bërë fshikull [furde, furkë,  gisht, grep, gjethe, kërrabë,  kufomë, labot, lapër, laskar, lëkurë maceje, liktyrë, lipsanë, një dorë, një grusht, pe, petë, qiri, (si) bisht luge, shirit, shkarpë, (si) shkop, trëndelinë]. Si do të ishin korresponduesit e tyre në anglishte ose në një gjuhë tjetër?

Dhe në fund, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje edhe përmasat e këtij Fjalori. Me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze e mijëra barasvlerës shqip, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof.dr. Eshref Ymerit. Me këtë Fjalor frazeologjia shqipe dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze.

Tiranë, 12 korrik 2019

”Luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet”, Meta mesazh ngushëllimi për Skënder Kurtin

Presidenti Ilir Meta, i shpreh ngushëllimet familjes së Skënder Kurtit, trajnerit të boksit për ndarjen nga jeta sot prej komplikacioneve me koronavirusin.

Meta thotë se Kurti luftoi edhe në këto ditë të vështira luftoi si një kampion që nuk dorëzohet lehtë teksa mbetet një prej ikonave të sportit kryeqytetas.

 

STATUSI I PRESIDENTIT ILIR META

Me hidhërim të thellë mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të boksierit🥊dhe trajnerit të shquar të Ekipit Kombëtar🇦🇱, njërit prej ikonave të sportit kryeqytetas, Skënder Kurti!

I admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve për rezultatet e tij në ring dhe pasionin e jashtëzakonshëm për sportin e dorezave, Ner Kurti gëzonte respektin e të gjithëve, veçanërisht të tironasve të mrekullueshëm që aq shumë e donin dhe i donte!

Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë!
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kurti, të afërmve, bashkëpunëtorëve e miqve të shumtë, në veçanti qytetarëve të Tiranës e tifozave të ngjyrave bardhë e blu🔵 për këtë humbje të pazëvendësueshme!
LAMTUMIRË KAMPION!

Ndahet nga jeta aktori i madh i humorit Gëzim Kruja

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh, aktori i humorit Gezim Kruja.
Per mbi 60 vite kontribuoi duke u bërë një prej figurave më të dashura të artit shqiptar me pjesë të pafundme humoristike. Është nje nga emblemat e skenes se humorit. Gezim Kruja u nda nga jeta ne moshen 80 vjeçare pas disa problemeve shëndetësore.

Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës.
Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë po në qytetin e lindjes. Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmorë.

Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.

Një mister i mbështjellë me enigmë

Mike Eckel

Një dërgesë e ndihmave për luftimin e koronavirusit ka ngritur vetullat edhe në Shtetet e Bashkuara, edhe në Rusi.

Aeroplani i mallrave i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, i ngarkuar me maska, ventilatorë dhe pajisje të tjera mjekësore, ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Nju Jorkut “John F. Kennedy” më 1 prill.

Sipas Kremlinit, kjo ka qenë “ndihmë humanitare” për Shtetet e Bashkuara në luftën kundër COVID-19 – sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Por, një ditë më vonë, Departamenti amerikan i Shtetit e ka kundërshtuar Kremlinin, duke thënë se SHBA-ja e ka blerë dërgesën nga Rusia.

Departamenti i Shtetit nuk ka pranuar të bëjë publike se sa ka paguar.

Më pas ka folur Ministria e Jashtme ruse, duke thënë se Moska dhe Uashingtoni e kanë ndarë koston.

Por, tani ka edhe një problem tjetër: dy nga subjektet ruse të përfshira në dërgesë, janë sanksionuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara, për shkak të aneksimit të rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.

Për të shtuar konfuzionin edhe më shumë, një zyrtar anonim i administratës amerikane është cituar të ketë thënë se kostoja nuk është ndarë: Shtetet e Bashkuara e kanë paguar gjithë dërgesën.

Situata e krijuar ngre disa pyetje te vëzhguesit: A i kanë shkelur Shtetet e Bashkuara sanksionet e veta apo kanë bërë përjashtime për shkak të dërgesës? Nëse po, pse? Dhe, pse ka deklarata kundërthënëse për pagesën?

Shqetësime për propagandë

Disa ditë më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka folur për dërgesën me ndihma, duke thënë se ajo ka ardhur pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Trump ka folur për të sikur të ishte punën e kryer.

Më 2 prill, Trump është pyetur nga gazetarët për dërgesën dhe, konkretisht, nëse ai mendon se ajo mund të përdoret si mesazh propagandues nga Kremlini.

“Ai ka qenë shumë i mirë”, ka thënë Trump duke iu referuar bisedës së tij me Putinin.

“Ai ka thënë: E kemi. Edhe ata për vete kanë vështirësi me këtë virus, siç e dini. Ka qenë një gjest i mirë i presidentit Putin. Nuk kam mundur të them jo. Kam thënë: do ta marr”, është shprehur Trump teksa ka përshkruar bisedën e tij me Putinin.

“Nuk jam i shqetësuar për Rusinë dhe propagandën, madje aspak. Ka shumë gjëra mjekësore, me cilësi shumë të lartë, që i kam pranuar. Mund të shpëtojnë shumë jetë dhe do t’i marr çdo ditë”, ka thënë Trump.

Kritikët perëndimorë dhe rusë të Moskës thonë se Kremlini është duke e përdorur ndihmën si pjesë të një fushate propaganduese, në mes të pandemisë globale të koronavirusit.

Në Moskë, media shtetërore ruse ka transmetuar materiale për dërgesën, përsfhirë pamje nga aeroplani i mallrave Antonov, duke u mbushur me furnizime. Në kutitë e kartonit shkruante “Nga Rusia, me dashuri”.

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara ka thënë në një postim të llogarisë së ambasadës në Facebook se ai shpreson se Qeveria amerikane do ta ndihmojë Rusinë në të ardhmen, nëse ëshë e nevojshme – “pa ndonjë politizim”.

“Ne mund të sigurojmë pajisje emergjente, të nevojshme për të shpëtuar amerikanë. Misioni humanitar rus mund të jetë i suksesshëm edhe nëse një jetë e vetme shpëtohet”, ka thënë Anatoly Antonov.

“Ne jemi të sigurt se Shtetet e Bashkuara, nëse është e nevojshme, do të na ndihmojnë dhe ne do ta pranojmë me kënaqësi ndihmën. Pa asnjë politizim”, ka shtuar ai.

“Furnizimet e nevojshme”

Në fjalimin e dytë televiziv për krzën e koronavirusit në Rusi – të transmetuar më 2 prill, në ditën kur aeroplani rus ka arritur në Nju Jork – Putin nuk e ka përmendur dërgesën.

Por, dërgesa ka nxitur kritikat e disa kundërshtarëve më të zëshëm të Rusisë, përfshirë Aleksei Navalnyn dhe Aleancën e Mjekëve – një organizatë joqeveritare që ka kritikuar hapur përgjigjen e shtetit rus ndaj koronavirusit.

“Kjo është e mrekullueshme”, ka thënë grupi me sarkazëm.

Ndihmat ruse ndaj SHBA-se

Ndihmat ruse ndaj SHBA-se

“Ne mbledhim para në gjithë vendin për të blerë pajisje mbrojtëse për punonjësit mjekësorë dhe autoritetet tona i shesin ato në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një lloj talljeje”.

Një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit e ka pëshkruar dërgesën si “blerje të furnizimeve të nevojshme”, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se kostoja e dërgesës është ndarë.

“Gjysma e kostos së furnizimeve është paguar nga Fondi Rus i Investimeve Direkte [RDIF] dhe gjysma nga pala amerikane”, ka thënë ajo, duke shtuar se RDIF “luan rol të rëndësishëm” në bashkëpunimin biznesor SHBA-Rusi dhe “e mbështet biznesin amerikan në Rusi”.

Më 3 prill, një zyrtar anonim i administratës amerikane e ka kundërshtuar Zakharovan.

“Shtetet e Bashkuara blejnë furnizime dhe pajisje nga vendet tjera. Ne e vlerësojmë që Rusia i shet ato nën vlerën e tregut”, ka cituar Reuters zyrtarin amerikan.

Synime të këqija?

RDIF, i cili thotë se ka 10 miliardë dollarë pasuri nën administrim, është fond sovran dhe përdoret – ngjashëm sikur fondet sovrane të pasurisë në vendet e tjera – nga Qeveria ruse, për të investuar në projekte në gjithë botën.

Në vitin 2015, ky fond është futur në listën e sanksioneve, të përpiluar nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Për rrjedhojë, individët dhe kompanitë amerikane janë ndaluar që të marrin hua ose të investojnë në të.

Fondi është sanksionuar për shkak të lidhjeve të tij me një bankë tjetër ruse, Vnesheconombank, e cila është sanksionuar në kuadër të masave kundër aneksimit rus të Krimesë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i RDIF-it, Arseny Palagin, ka thënë se sanksionet ekzistuese nuk zbatohen në këtë rast.

“Sanksionet sektoriale, të vendosura kundër disa ndërmarrjeve ruse dhe degëve të tyre, prekin vetëm transaksione specifike, që kanë të bëjnë me financimin afatgjatë të këtyre kompanive nga subjektet amerikane dhe evropiane, në formë të kapitalit ose borxhit”, ka thënë Palagin në një përgjigje përmes emailit.

“Të gjitha transaksionet e tjera, përfshirë bashkinvestimet dhe transaksionet e tjera biznesore, janë të lejuara”, ka thënë ai.

Ventilatorët që janë përfshirë në dërgesën për SHBA-në raportohet se janë siguruar nga kompania e njohur si Radio-Electronic Technologies.

Një aeroplan me ndihma nga Rusia

Një aeroplan me ndihma nga Rusia

Kjo kompani është në prani të Rostec, një konglomerat i madh shtetëror që përfshin disa nga prodhuesit më të njohur të teknologjisë në Rusi.

Radio-Electronic Technologies është sanksioniar nga Thesari amerikan qysh në korrik të vitit 2014, në kuadër të masave që lidhen me Krimenë.

Departmenti amerikan i Thesarit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment dhe zyrtarët amerikanë nuk kanë folur publikisht për ndonjë debat brenda administratës, në lidhje me dërgesën ruse.

Në komentet për dërgesën, të bëra më 31 mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka sugjeruar se ka pasur zyrtarë ose agjenci amerikane që kanë shprehur kundërshtime ndaj dërgesës. Ai po ashtu i ka bërë jehonë një vlerësimi rus – pa ndonjë provë specifike – se disa zyrtarë amerikanë përpiqen të minojnë perspektivat e bashkëpunimit dypalësh.

“Duket se kanë qenë disa në palën amerikane, që, së paku, nuk kanë kontribuar në zgjidhjen e shpejtë të çështjeve teknike për zbatimin e marrëveshjes së dy presidentëve”, ka thënë Peskov.

Brian O’Toole, ish-analist në Thesarin amerikan, ka thënë se nuk ka domosdoshmërisht diçka të gabuar në përfshirjen e Fondit, sa u përket sanksioneve.

Përfshirja e prodhuesit të ventilatorëve, megjithatë, është më problematike, ka thënë ai.

“Edhe nëse [administrata e SHBA-së] përfundon duke i shkelur sanksionet e saj, duke blerë respiratorë, ose ventilatorë, ose pajisje të tjera, ajo nuk do t’i ndëshkojë agjencitë e saj”, ka thënë O’Toole për Radion Evropa e Lirë.

“Problemi më shumë është se ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë – që është një kritikë e vazhdueshme e kësaj administrate”, ka shtuar ai.

“Gishti i mesëm”

As Departamenti i Shtetit dhe as Ministria e Jashtme ruse nuk e kanë zbuluar vlerën e dërgesës; zyrtari i paidentifikuar i administratës amerikane i ka thënë agjencisë Reuters se mallrat janë shitur “nën vlerën e tregut”.

Bazuar në llojin dhe numrin e ventilatorëve të përfshirë në dërgesë dhe listën e çmimeve të paraqitura në faqen e internetit të prodhuesit, vetëm ventilatorët duket se kushtojnë rreth 76 milionë rubla, afërsisht 1 milion dollarë.

Është e sigurt se Qeveria ruse e ka ditur se ka përfshirë dy subjekte që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, ka thënë O’Toole.

“Është një rrëfim i pakuptimtë në shumë mënyra. Më shumë se gjithçka, duket se Putin po ngre sërish gishtin e mesëm ndaj nesh”, ka thënë O’Toole.

“Është normale për Putinin që të zgjedhë një kompani [të sanksionuar] për transaksione, për të na futur në lojë”, ka thënë ai.

Andrew Weiss, ish-këshilltar i Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA, gjatë presidencës së Barack Obamës, ka thënë se “të gjitha marrëveshjet midis Trumpit dhe Putinit gjatë tre vjetëve e gjysmë janë përshkuar nga ky element i shkuarjes së pashpjegueshme të Trumpit pas Putinit”.

“Putin luan shumë lehtë me këtë, përfiton dhe përpiqet të hedhë hije mbi politikën amerikane”, ka thënë Weiss.

Përgatiti: Valona Tela

Prof.Genci Sulçebe: “Kjo molekulë mund të parandalojë infektimin nga koronavirusi”

Profesori i Imunologjisë jep lajmin e mirë: Nëse prova klinike ka sukses…

 

Profesori i Imunologjisë Genc Sulçebe ka ndarë në rrjetet sociale një lajm të mirë që bën fjalë për një firmë austriake e cila ka zhvilluar një molekulë që mund të parandalojë infektimin e qelizave të rrugëve të frymëmarrjes nga koronavirusi.

Nëse provat klinike tek të sëmurët me Covid-19, që kanë nisur tashmë, do të japin sukses, kjo do të bëhej medikamenti më me efekt deri më tani që pengon virusin të depërtojë në organizmin e njeriut.

Postimi i Profesorit Sulcebe në rrjetet sociale:

7ce01687-7d78-4282-b986-48237143a08a

Nje lajm shume interesant i dites se sotme:
Nje firme austriake, Apeiron AG, ka zhvilluar tashme me biologji molekulare molekulen rekombinante ACE2 qe eshte receptori i virusit SARS-CoV-2 dhe ka filluar provat klinike te te semuret COVID-19.

Kjo molekule mund te parandaloje infektimin e qelizave te rrugeve te frymemarrjes nga virusi duke u lidhur me virusin dhe duke e penguar ate te futet ne qelize. Nqs ka sukses do te ishte medikamenti me me efekt
per te ndalur virusin.

Pjesë nga shkrimi të cilit i referohet profesori i Imunologjisë:

“APEIRON Biologics AG” njoftoi sot se ka marrë miratimin rregullator në Austri, Gjermani dhe Danimarkë për të filluar testimin klinik të Fazës II të APN01, për të trajtuar COVID-19. APN01 është forma rikombinuese e enzimës 2 konvertuese të angiotenzinës njerëzore (rhACE2), dhe ka potencialin për të bllokuar infeksionin e qelizave nga SARS-CoV-2 (COVID-19), dhe për të zvogëluar dëmtimin e mushkërive. Testi i Fazës II synon të trajtojë 200 pacientë të infektuar rëndë me COVID-19, dhe pacientët e parë pritet të dozohen së shpejti.

APN01 ka një mënyrë të veçantë veprimi të dyfishtë.

APN01 imiton enzimën njerëzore ACE2, e cila përdoret nga virusi për të hyrë në qeliza. Virusi lidhet me ACE2/APN01 të tretshëm, në vend të ACE2 në sipërfaqen e qelizës, që do të thotë se virusi nuk mund të infektojë më qelizat. Në të njëjtën kohë, APN01 zvogëlon reaksionet e dëmshme inflamatore në mushkëri dhe mbron nga dëmtimi akut i mushkërive (ALI/sindromi i shqetësimit të frymëmarrjes akute)-(ARDS).

“Bazuar në mekanizmin e tij unik të veprimit, APN01 ka potencialin që të jetë ilaçi i parë i aprovuar për trajtimin e COVID-19 që synon posaçërisht virusin e ri SARS-CoV-2”, tha Peter Llewellyn-Davies, kryeshefi ekzekutiv i “APEIRON Biologics AG”.

“Ne mezi presim të marrim pjesë në këtë studim shumë premtues dhe kritik. APN01 është një kandidat i përparuar i ilaçeve me një përsiatje shumë të fortë të dyfishtë që mund të sigurojë një kontribut të rëndësishëm terapeutik për të luftuar pandeminë COVID-19”, tha Prof. Henning Bundgaard, hulumtuesi kryesor i studimit dhe profesor në Fakultetin e Shëndetësisë dhe Shkencave Mjekësore në Universitetin e Kopenhagës./Panorama.al

“Jeni histerike”, “Zotëri, kujdes fjalët” – këshilltari i Thaçit përplaset keq me eurodeputeten gjermane

Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës është përplasur ashpër me raportuesen gjermane për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel.

Reagimin e ashpër të Behramit e ka nxitur një qëndrim i eurodeputetes gjermane e cila i bënte thirrje presidentit të vendit që të mos luaj me Kushtetutën e Kosovës në kohën e pandemisë COVID-19 dhe që të mendojë dy herë përpara se të marrë vendim për shkarkimin e qeverisë Kurti.

Behrami i ka thënë politikanes gjermane se askush nga Bashkimi Evropian s’ka reaguar kur Kuvendi i Kosovës mbulohej me tym e gaz lotësjellës, derisa i ka thënë eurodeputetes se është hedhur në histeri, pas votimit të mocionit të LDK’së që rrëzoi Albin Kurtin nga pushteti, raporton Gazeta Express.

Këshilltari i Thaçit tutje ka thënë se është e turpshme se si von Cramon Taubadel anon nga njëra palë.

Pa reaguar pas akuzave të këshilltarit të Thaçit nuk ka qëndruar eurodeputetja, e cila i ka bërë thirrje Behramit që të ketë kujdes për fjalët që përdor në një debat të zakonshëm.

“Liria e mendimit është “histeri”? Interpretim shumë interesant në një debat të zakonshëm. Sigurohuni që po i përdorni kujdesshëm fjalët tuaja zotëri”, ia ka kthyer eurodeputetja gjermane.

Behrami nuk është ndalur dhe ia ka kthyer përsëri eurodeputetes gjermane, duke e akuzuar madje për shpërndarje të lajemve të rreme dhe përhapjes së panikut. Sipas këshilltarit të Thaçit duhet pasur përgjegjësi edhe në shprehjen e opinionit.

Këshilltari i presidentit ka thënë se edhe 82 deputetët që kanë votuar për rrëzimin e Ablin Kurtit kanë të drejtën e tyre për t’u shprehur lirshëm, ndërkohë ka pyetur eurodeptueten gjermane nëse asaj i intereson vetëm Albin Kurti.

“ Të menduarit lirshëm ka një përgjegjësi. Ju keni shpërndarë lajme të rreme, histeri dhe panik duke abuzuar me rolin tuaj si deputete e Parlamentit Evropian, duke sulmuar deputetët e zgjedhur në mënyrë demokratike. A nuk është vendimi i tyre liri e shprehjes. A kujdeseni për perspektivën e tyre, apo iu intereson vetëm Albin Kurti”, ka shkruar Behrami.

Viola von Cramon Taubadel ndërkohë i ka kërkuar Behramit që t’i tregojë opinionit të gjërë se në cilin rast ka shpërndarë “lajme të rreme”.

Eurodeputetja gjermane vazhdimisht ka bërë thirrje që Lidhja Demokratike e Kosovës të mos e procedonte mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti, pasi sipas saj, rrëzimi i qeverisë në kohën e pandemisë do të ishte katastrofal jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin.

Reagimet e saj kundër rrëzimit të qeverisë që drejtohej nga Kurti kanë qenë të njëpasnjëshme.

Ndërkohë tashmë kur Kurti është rrëzuar nga mocioni i LDK’së, Taubadel kërkon që Kurti të vazhdojë të mbetet në detyrë gjatë kohës së pandemisë, duke i thënë Thaçit që ta mendojë dy herë nëse do ta shkarkojë qeverinë aktuale.

Në Kosovë megjithatë presidenti i vendit ka filluar konsultimet me partitë politike për të parë se si do të vazhdohet tutje pas rrëzimit të Kurtit. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha partitë tjera duan një qeveri në legjislaturën aktuale, pa shkuar në zgjedhje të reja. Derisa vetë Kurti thotë se zgjedhjet e reja janë të pa shmangshme./GazetaExpress/

Reciprocitet, sepse barazi – Nga ALBIN KURTI

Sot në ora 00:00 hyri në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e tarifës 100% ndaj importit të mallrave të Serbisë me zbatimin gradual të reciprocitetit, parim ky universal dhe i të drejtës ndërkombëtare, si dhe për largimin e tarifës 100% ndaj Bosnje-Hercegovinës.

Republika e Kosovës gëzon të drejtën që qytetarët e saj, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët, të trajtohen barabarësisht, pa paragjykime, pa pengesa, pra me dinjitetin e domosdoshëm, kur zhvillojnë aktivitetet jetësore e profesionale. Nuk ka pra, asnjë arsye legjitime e legale që të pranohet se shtetasit e Republikës së Kosovës dhe autoritetet tona mund të diskriminohen e pengohen kur ata eventualisht kanë nevojë të ndërveprojnë me autoritetet e Serbisë në kuptimin tregtar, civil apo të ndonjë sfere tjetër shtetërore.

Qytetarët e Republikës së Kosovës çdo herë kanë shprehur vullnetin që të trajtohen e trajtojnë barabarësisht nga e me qytetarët e shteteve në rajon. Reciprociteti, si parim e veprim, zgjeron mundësitë e respektimit të ndërsjellë shtetëror e të të drejtave. Nuk ka asnjë zhvillim të qenësishëm të rajonit tonë nëse lejohen përpjekjet që e pozicionojnë si të pabarabartë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Andaj vendimi ynë afirmon raportet e barabarta ndërshtetërore, respektimin e drejtave universale dhe krijon klimën e drejtësisë në mes shoqërive.

Po ashtu, Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994, që është dhe instrumenti themelues i Organizatës Botërore të Tregtisë, njeh parimet themelore të reciprocitetit, mosdiskriminimit e shtetit më të favorizuar. Këto parime vlejnë për të siguruar trajtim të barabartë të palëve në politikat tregtare duke eliminuar barrierat.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) e vitit 2007, ndër të tjera, ka për qëllim eliminimin e barrierave tregtare dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave në transit, lëvizjen ndërkufitare të mallrave e shërbimeve në territoret e vendeve e midis tyre.

Që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka aplikuar një sërë barrierash tregtare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë të tillat në tranzit, ato teknike dhe barrierat politike. Kështu Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës duke rezultuar me një deficit të lartë tregtar për vendin tonë.

Masat që Serbia i ka aplikuar në vazhdimësi në formën e barrierave jotarifore:
(a) Masa për dokumente dhe praktika që prekin çështjet tregtare, siç janë: (1) kërkesat për certifikata të origjinës dhe dokumentacionit veterinar e fitosanitar për mallrat e eksportuesve dhe importuesve të Kosovës, që e shfrytëzojnë Serbinë vetëm si vend tranzit; (2) vonesat në zbatimin e kërkesave për vlerësimin e cilësisë për eksportet e Kosovës; (3) mosrespektimi i marrëveshjes dypalëshe për etiketim të produkteve midis Kosovës dhe Serbisë, nën patronatin e BE-së; (4) mosnjohja e automjeteve të regjistruara në Kosovë, përfshirë automjetet komerciale, etj.
(b) Masa në pengimin e lëvizjes së lirë të personave dhe mosnjohjen e kualifikimeve profesionale, konkretisht mosnjohja e dokumenteve: (1) pasaportat; (2) letërnjoftimet; (3) patentë-shoferët; (4) diplomat; (5) certifikatat; etj.

Implementimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jetë gradual dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë.

Parimi i respektit të ndërsjellë duhet të mbizotërojë, në mënyrë që mos të ketë barriera midis dy shteteve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnetin për të zhvilluar e kultivuar marrëdhënie tregtare, me të gjitha shtetet në rajon, pa pengesa të padrejta, mbi bazën e parimeve të pranuara ndërkombëtarisht, në respekt të traktateve ndërkombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve.

Ndahet nga jeta në moshën 98 vjeçare Manolis Glezos, hero i rezistencës antifashiste greke, mik i popullit shqiptar

 

Glezos – (Mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës me Shqipërinë ) Është një gabim i rëndë dhe trashanik i të gjitha qeverive greke të pas luftës. Historia e ka sqaruar këtë. Nuk ka grek që të mos e dijë të vërtetën se pse u vendos ai ligj absurd. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë asnjë faj apo përgjegjësi. Por absurditeti më i madh është që ky ligj mbahet ende në fuqi, kur në fakt të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Nuk mund të ecet përpara duke mbajtur në gojë fjalën luftë. Grekët e mi përpara se të flasin për luftë me shqiptarët, le të flasin se në shumë etapa të historisë kemi luftuar së bashku krah për krah kundërtë njëjtit armik, që nga pavarësia e Greqisë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë historike që duhet të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe jo ligji i luftës…

 

Glezos – Kam patur vazhdimisht një dashuri të veçantë për popullin shqiptar sepse jo vetëm jemi vende fqinj, por edhe popuj me histori dhe rrënjë të përbashkëta. Jemi dy kombe që kemi bërë histori. Jemi mbajtur e mpleksur me njeri tjetrin me shekuj, grek e arvanitas të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në historinë shekullore të popullit grek. Heronjtë e historisë së lashtë por edhe të Rilindjes i kemi të përbashkët. Përulem me respekt të veçantë përballë historisë se popullit shqiptar, Luftës së tij Çlirimtare, figurave të shquara antifashiste që ai ka nxjerrë. Kemi vetëm një rrugë: të ruajmë vlerat unikale të antifashizmit, ta zhvillojmë atë, ta mbajmë të pastër nga deformimet e ideologëve neofashistë e neonazistë, të rigjallëruar në këto vite në Europë dhe ndaj të cilëve ju jeni vërtet i shqetësuar. Dhe me të drejtë. Unë e kuptoj thellësisht shqetësimin tuaj. Të gjitha betejat me ta i kemi fituar gjatë shekullit të kaluar dhe përsëri do t’i fitojmë edhe gjatë këtij shekulli sepse mbrojmë aspiratat e drejta të njerëzimit, mbrojmë humanizmin, solidaritetin, civilizimin, paqen dhe zhvillimin e gjithanshëm.

Manol Glezosi lindi në fshatin Apiranthos (Aperathu), të ishullit Naxos. Ai u shpërngul në Athinë në vitin 1935 së bashku me familjen e tij, ku mbaroi shkollën e mesme. Gjatë viteve të shkollës së mesme në Athinë punoi edhe si punonjës farmacie. U pranua në Shkollën e Lartë të Studimeve Ekonomike dhe Tregtare (i njohur sot si Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë) në vitin 1940. Më 1939,  duke qënë akoma një gjimnazist, Glezos mori pjesë në krijimin e një grupi të rinjsh antifashistë kundër pushtimit italian të Dodekanezëve dhe diktatura e Ioannis Metaxas.

Në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u bashkua me ushtrinë Greke në frontin shqiptar kundër Italisë, por u refuzua sepse ishte i mitur. Në vend të kësaj, ai punoi si vullnetar për Ministrinë Greke të Ekonomisë. Gjatë okupacionit të Greqisë, punoi për Kryqin e Kuq Helenik dhe komunën e Athinës, ndërsa u përfshi aktivisht në rezistencë. Svastika (kryqi i thyer) në Akropol.  Më 30 maj 1941 Glezos dhe shoku i tij tjeter antifashist Apostolos Santas u ngjitën në Akropol dhe ulën flamurin nazist. i cili kishte qenë atje që nga 27 Prilli 1941, Ky veprim i kryer prej Glezos dhe Santas frymëzoi jo vetëm Grekët, por të gjithë levizjen antifashiste greke dhe pati jehone ndërkombëtarë. Regjimi nazist i ketij akti iu përgjigj duke dënuar ata me vdekje në mungesë.Ai u arrestua nga forcat gjermane më 24 mars 1942 dhe iu nënshtrua burgimit dhe torturave. Si rezultat i trajtimit brutal në burgjet naziste ai u prek edhe nga tuberkulozi.

Veprimtaria pas luftës II Botërore

Fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk ishte fundi i fatkeqësive së Glezos. Më 3 Mars 1948, në periudhën e Luftës Civile në Greqi, atij iu bënë disa gjyqe për bindjet e tij politike si komunist dhe u dënua me vdekje shumë herë nga qeveritë e djathta. Edhe pse ende ishte i burgosur, Manolis Glezos u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek në vitin 1951, nën siglën e së majtës Demokratike të Bashkuar, i njohur edhe si EDA (Eliniki Dhimokratiki Aristera). Pas zgjedhjes së tij, i burgosur ai filloi grevë urie duke kërkuar lirimin e deputetëve të tjerë antifashistë.

Ai i dha fund grevës së urisë vetëm pa lirimit në 16 Korrik 1954.

Më 5 dhjetor 1958 u arrestua përsëri dhe vetëm pas 4 vjetësh ne 15 Dhjetor 1962 u lirua si rezultat i protestave të mëdha publike dhe zemërimit të opinionit grek dhe atij ndërkombëtar i cili i kishte akorduar atij dhe çmimin e paqes. Gjatë grushtit të shtetit më 21 prilli 1967, Glezos arrestohet së bashku me një pjesë tjetër të liderëve politikë të të majtes greke. Gjatë Regjimit të diktaturës ushtarake (Hunda) të udhëhequr nga George Papadopoulos, ai u burgos me burgim dhe internim jashtë Athinës deri kur dhe u lirua në 1971. Burgosjet e arrestimet dhe dënimet e Manolis Glezos, nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitin 1974 janë të panumërta arrijnë në 11 vjet e 4 muaj burg, dhe 4 vjet e 6 muaj internim. Bashkë me të nëpër burgje dhe internime kanë vuajtur edhe figura të tjerë të mëdha antifashiste të Greqisë si poeti Janis Ricos, e të tjerë bashkëkohës të Glezosit.

Pas rivendosjes të demokracisë në Greqi në 1974, Glezos ishte nga nismëtarët në ringritjen e partisë së tij EDA. Në zgjedhjet e tetorit 1981 dhe qershor 1985, ai u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek si deputet, me partinë e Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Në 1984 u zgjodh Anëtar i Parlamentit Evropian, përsëri me nën siglën e PASOK. Ai ishte edhe Presidenti i EDA nga 1985 deri në 1989. Ndërkohë, në vitin 1986, për shkaqe të pakënaqësisë të zhvillimeve të partisë ai u tërhoq nga Parlamenti, dhe u angazhua të zbatojë një eksperiment të demokracisë direkte me komunitetin e vendlindjes se tij Aperathu. Ky model i eksperimentuar  prej tij funksionoi për disa vjet, por pa sukses. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2000 ai kryesoi listën e partisë Synaspismos (Koalicioni) të së majtës radikale. Në 2002, ai formoi grupin politik Qytetarë aktivë (i cili është pjesë e Koalicionit të së Majtës Radikale, një aleancë me Synaspismos dhe parti të tjera të vogla të së majtës Greke) dhe kandidoi si prefekt për Atikën (gadishulli i Athinës).

Në Mars 2010, Glezos ishte duke marrë pjesë në një demonstratë proteste në Athinë, kur u godit në fytyrë nga një bombë gazi lotësjellës i hedhur nga policia. Ai u transportua i plagosur në spital. Në shkurt të vitit 2012, Glezosi udhëhoqi mjaft demonstrata proteste në Athinë dhe siç e tregojnë disa foto të asaj periudhe në përleshje edhe me policinë ai u godit dhe plagos. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2012, ai u zgjodh si deputet i partisë së Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA) dhe u zgjodh edhe deputet ne parlamentin europian duke marrë 430 000 vota, më shumë se çdo kandidat tjetër në Greqi ndonëse ishte në moshën 91 vjeçare. Qëndroi në parlamentin europian gati për dy vjet duke qenë deputeti më i vjetër në moshë dhe në korrik të 2015 ai u tërhoq nga jeta aktive politike.

Karriera jo-politike

Përveç angazhimit te tij politik, Glezos ka qenë i angazhuar si aktivist shoqëror në ruajtjen e ambientit, në ndërtimin e mjaft veprave ujore dhe shkencat gjeologjike duke marrë pjesë në ndërtimin e mjaft digave në sistemet ujore në Greqi.

Ai është shpallur doktor nderi i filozofisë në disa universitete të Greqisë si në Athinë, Patras, Selanik etj

Glezos ka qenë aktiv edhe në shtypin e shkruar grek duke shkruajtur artikuj në gazetat greke që nga viti 1942 dhe ishte redaktori i gazetave Rizospastis (Radikali) dhe i Avgi (Agimi) në vitet ’50. Atij iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Gazetarisë në 1958, Medalja e Artë Joliot-Curie të Këshillit Botëror të Paqes në 1959 dhe Çmimi i Lenin për Paqen në 1963. Ai ka botuar gjithashtu gjashtë libra në Greqisht të botuar kudo në Europë.

Bahtiri apel presidentit: Shpalli zgjedhjet, ndryshe mund të ketë vëllavrasje

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se në rast se formohet një qeveri e re pa shkuarje në zgjedhje do të ketë vëllavrasje.

Ai i ka bërë apel presidentit Hashim Thaçi që të ketë kujdes dhe t’i shpallë zgjedhjet.

“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe sot ia tregojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me leshu me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe ti shpallë zgjedhjet..”, ka thënë Bahtiri, shkruan Telegrafi.

I pari i Mitrovicës tutje ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme Lëvizja Vetëvendosje do të ketë në Kuvend 46 deputetë.

Ai ka folur edhe për çështjen e pandemisë së coronavirusit,ku ka theksuar se deri tani në Mitrovicë nuk ka asnjë të dyshuar me këtë virus.

Bahtiri ka falënderuar qytetarët që po respektojnë masat e ndërmarra./Express