Ditë më parë, një krijues i shquar, poet dhe studjues, gazetar dhe intelektual kurajoz shkroi një shkrim, ku e vlerësoi kontributin e Idriz Logut, babait tim, për arsimin dhe kulturën dhe u shpreh se ishte dhe mbetet një figurë e vlerësuar dhe me respekt të merituar, sidomos përsa i përket gjimnazit të qytetit, si drejtues i parë i tij.
Të gjimnazit si qelizë e zhvillimit të mëvonshëm arsimor dhe kulturor të Tropojës, jo si godinë, por si një dukuri progresive, duke kujtuar se nga kjo shkollë më pas ka ardhur një brez i artë i intelektualëve dhe profesionistëve të të gjitha fushave. Mbështetur edhe në vlerësimet e kolegëve dhe bashkëkohësve të Idriz Logut, por edhe të intelektualëve dhe bashkëqytetarëve të tij, që në biseda me autorin e shkrimit, me të birin dhe të tjerë, në tryeza dhe tribuna të ndryshme akademike, por edhe në biseda të thjeshta të ditës, janë shprehur se vertet meriton vlerësim kompleks në kohë.
Të jem i qartë, si djalë i tij kam dashur vazhdimisht të shmang përfshirjen emocionale dhe subjektive rreth këtij diskutimi, ju jam përjetë mirënjohës atyre që e vlerësojnë babain tim si mësues dhe drejtues i arsimit, i vlerësoj dhe i mirëkuptoj ata që kanë mendim ndryshe, sepse besoj se pikërisht për këtë, pranimin dhe respektimin e mendimit ndryshe e kërkuam demokracinë, ashtu siç përbuz ligësinë e llumit, të njerëzve mediokër, që moskuptimin e shkrimit dhe qëllimit të tij, përpiqen çdo çast ta përvijojnë në interes vetjak, duke lançuar teza dhe komplote të paqëna, në keqpërdorim të fjalës së lirë dhe hapësirave mediatike.
Malësia e Gjakovës, Tropoja ja ka dhënë përjetësisht vlerësimin dhe mirënjohjen kontributit intelektual të Idriz Logut, unë e kam ndjerë në çdo çast të jetës time, në dorën e ngrohtë dhe fjalën e mënçur të njerëzve të matur të këtij vendi, ndaj mundohem ta meritoj efektin e paçmueshëm të këtij vlerësimi, në punë, krijimtari, promovimin e arsimit dhe kulturës, këtu, kudo ku mund të shpreh aftësitë dhe mirënjohjen time.
Ky vlerësim më ka detyruar besnikërinë dhe dashurinë pafund ndaj vendit tim,Tropojës, në kohë të bukura, por edhe të vështira, duke shmangur logun e pistë të politikës provinciale, në emër të sinqeritetit dhe karakterit të pastër, ashtu siç më mësoi dhe besoj se ishte edhe im atë.
Nuk ka nevojë për buste dhe statuja Idriz Logu,por as idhujt e arsimit tropojas ndë vite, as për altare të pamerituara, as për të zëvëndësuar asnjë emër, ata e kanë të ngritur piedestalin e tyre në mundin shumëvjeçar të jetës, për të lartësuar arsimin dhe kulturën e Tropojës, në zhvillimet epokale që e sollën demokracinë. Të cilën e gëzojmë sot, bashkë me emrin e mirë të Tropojës, pikërisht prej brezit të mesuesve idealistë, që çimentuan të ardhmen e saj.
Ndaj mendoj se duhet tu përkulemi me thjeshtësi para kujtimit të tyre, vepra e tyre të ndriçojë si një far’ dritëdhënës i historisë krenare të arsimit tropojan. Do tju lutesha me përulje për mirëkuptimin tuaj, duke shmangur komentet e panevojshme rreth kësaj teme, koha dhe maturia qytetare e Tropojës gjithmonë ka ditur tu japë vendin e merituar bijve të vet të merituar…
Komentet