VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Një mirënjohje që mungoi në Samitin e Diasporës! – Nga XHELADIN ZENELI

By | November 28, 2016

Komentet

Si të bisedohet ose negociohet me serbët? – Nga AGRON SHABANI

 

1. Mëqe fjala ose termi (nocioni) kulturë dhe njohuri politike ose diplomatike, etimologjinë ose origjinën e vet e ka nga latinishtja “volere” që donë të thotë aftësi ose afinitet i rrallë ( i veçantë) intelektual dhe profesional për t’i njohur, studiuar, analizuar, kuptuar, postuluar dhe menaxhuar gjërat ose obligimet e njohura shkencore ,intelektuale, kulturore, profesionale, politike, diplomatike dhe të tjera: Sigurisht se, të duket e vështirë ose e pamundur të bisedosh, dialogosh ose negociosh me serbët ku përveç tyre (serbëve) në anën tjetër të tryezës ose tavolinës: në anën tënde si kolonë tè pestè, apo si bomba tè kurdisura me orè ose me sahat, i ke shpesh pasardhèsit ose trashegimtarèt e tyre shpirtèror, emocional, nostalgjik, ideologjik, politik, farefisnor, gjenealogjik, biologjik ose strkturalgjenetik qè flasin shqip dhe mendojnë serbisht. Aty janë edhe përfaqësusit ndërkombtar si palë e tretë e “pavarur” ose “neutrale” të cilët jo rrallë i përkthejnë dhe përligjin urdhërat ose dekretët e ndryshme të Moskës ose Kremlinit në favor të palës serbe.

2. Ramush Haradinajn si duket e sfiduan, eklipsuan, shantazhuan dhe dëbuan nga pushteti “burbonët, zhirondinët dhe jakobinët” e ndryshëm kosovarë brenda koalicionit ose kabinetit të tij qeveritar në bashkëpunim me qarqet ose forcat e ndryshme kuislinge, mërcenare, retrograde, përverse, reaksionare, centripetale dhe diabolike brenda dhe jashtë Kosovës, të ngritura, projektuara, centrifuguara, komanduara dhe dirigjuara nga Moska dhe Beogradi.
E gjithè kjo përmes shpifjesh, trillësh, spekulimësh, manipulimësh dhe skenarèsh të ndryshme “senzacionale” ose “bombastike” që kishin për qëllim kurthat, intrigat, dredhitë, linçimet, shantazhët, kriminalizimet ose komplotët e njohura serbo-bizantine ndaj figurës ose personalitetit të njohur ushtarak (luftarak), shtetor, nacional, politik, dhe patriotik të Ramush Haradinajt etj. Kjo sidomos përmes ngrijtjes së “çështjeve” ose “temave të nxehëta” në faqet e ndryshme të gazetave, medieve , portaleve ose politikës kosovare kundër z. Haradinaj dhe të cilat kishin për qëllim luftërat e njohura speciale, psikologjike, propagandistike dhe të tjera kundèr UÇK-s dhe ish udhëheqësve ose komandantëve të saj kryesor (në funksione të larta shtetrore, qeveritare ose politike) në një periudhë të fliudshme, hektive, turbulente dhe tepër sfiduese dhe eklektike të konsolidimit të gjithëmbarëshem, tranzicionit dhe procesëve të mundimshme të “liberalizimit të vizave” ose integrimëve të supozuara euroatllantike të Kosovës. UDB-s edhe sot e kèsaj dite i ka aktive ose operative mbeturinat, repartet ose falangat e saj nè Kosovè dhe vende tjera qè ishin dikur njèsi tè ish Jugosllavisè.

3. Lufta e lavdishme çlirimtare dhe patriotike e UÇK-s, lindi dhe u zhvillua nga e drejta e njohur hyjnore, universale, natyrore, shtetrore, naciinale, historike, gjeografike, politike dhe patriotike e shqiptarëve të Kosovës dhe gjithandej për të mbrojtur jetën, pragun e shtepisë, pronën (pasurinë), kombin (vetvetën) dhe atdheun e tyre nga sundimi, dhuna, terrori, gjenocidi, etnocidi, kulturocidi, urbanocidi, robëria dhe tirania serbe. Dhe, kjo në një kohë kur në Kosovën e sunduar nga serbi, së bashku me kokat e përulura dhe fare bosh që nuk i prente kurrë tehu i shpatës, zgjatej ose shtrihej qafa e tyre, poshtë krahut të së cilës atëbotë prehëshin tabelat e ligjëve së bashku me gjeometrinë ose gjeografinë e stisur të varrit ose natës së fundit mbi tokë.

4. Serbët dhe rusët, sëpari të bëjnjë të varur (pacient) ose klient të tyre dhe mëpastaj të quajnë “lider ose partner të aftë dhe shumë të përgatitur në menyrë shkencore, intelektuale, profesionale, politike ose diplomatike që i mban mend ngjarjet, numrat, shifrat ose datat si kompjuter ose digitron!” dhe brroçkulla të tjera.
Albin Kurti si intelektual dhe lider i lartë institucional dhe politik (shef i ekzekutivit kosovar) së bashku me bashkëpunëtorët dhe partnerët e ndryshëm të koalicionin dhe kabinetit të tij qeveritar, besojë se i kanë të njohura këto fakte ose lojëra të ndyera të Serbisë dhe Rusisë ¿?
Ramush Haradinaj, nuk u eklipsua ose debua nga pushteti pse ishte lideri ose politikani me i mençur ose më i zgjuar shqiptar në Kosovë, por sepse ishte kalorës dhe gardian i fortë (i pathyeshëm) i pavarësisës, sovranitetit, integritetit ose tërësisë teritoriale, politike dhe gjeografike tè Kosovës.
Ndaj, të gjithe ata që futën në lojërat ose ujërat e turbullta të shantazhit, komplotit, sabotazhit, ankandit ose lecitacionit teritorial ose gjeografik tè shtetit ose atdheut tonë, bëjnë pakte ose traktate të ndryshme me demonët, blasfemistët ose forcat e ndryshme retrograde, kontrarevolucionare, reaksionare, demoniake dhe diabolike.

5. Ndonëse, politologjia dhe filozofia e njohur shtetrore, nacionale dhe politike në kuptimin e terminologjisë së njohur çmuese ose vlerësuese, shohin me dyshim çdo levizje ose çdo gjë që largon nga ajo që mund të quhet studim ose analizë e mirëfillët shkencore dhe humaniste. Kjo është pra edhe një dëshmi tjetër se tabloja ose gama e gjërë e influencave, ndikimëve, reflektimëve, interferimëve dhe referimëve të ndryshme eksterne ose eksplikative në kritikën dhe filozofinë e njohur shtetrore, nacionale ose politike, kanë një dimension dhe karakter të gjërë konstelacional dhe multilateral. Duhet gjetur formën dhe menyrën e duhur, konkrete ose adekuate, për t’ua bashkëngjitur nevojave dhe kërkesave sociale ose ekzistencialiste, edhe vlerat, parimet, postulimet dhe aspiratat e njohura shtetrore, nacionale, politike, diplomatike, çlirimtare, patriotike etj. Dhe, jo vetëm retorikat ose oratoritë e zjarrta ose fare boshe pas ngjarjeve ose vendimëve të medha ose kardinale -historike per fatet e pergjithshme te kombit dhe atdheut tone.

6. Politologjia, filozofia, sociologjia dhe psikologjia e përgjthshme analitike dhe ajo politike, pos tjerash, na mësojnë ose bëjnë të ditur edhe mbi suficitët dhe deficitët e njohura intelektuale dhe profesionale si ato kognitive, gjuhësore ose linguistike, retorike, oratorike, strategjike, gjeopolitike, protokolare, diplomatike, akustike, semantike, semiotike, motorike, simbolike, komparative, analogjike, studimore, analitike, sociale, sociopolitike, sociopsikologjike, sociofilozofike etj. Ashtu siç i kemi edhe pëngesat ose vështirësitë e ndryshme si amnezioni dhe retardimi profesional ose politik, retardimi dhe munikacioni (munifikimi) mental ose psikologjik, semiotika ose semiologjia e mosbesimit ose skepticizmit individual dhe kolektiv në politikë të lartë ose diplomaci, fobia, paranoja, frika, depresioni, tensioni, sugjestioni, inkubacioni, demotivacioni, amnezioni, fataliteti, nebuloziteti, stupiditeti, debiliteti, poroziteti, fraxhiliteti, inkompaktibiliteti, invaliditeti fizik, mental (psikologjik), social, intelektual, profesional dhe kështu me radhë. Me fjalë tjera: të kota ose fare boshe janë deshirat, vullneti, orvatjet ose përpjekjet (mundimet) e ndryshme intelektuale, profesionale, kulturore, politike, diplomatike, prijapiste, komerciale, afariste, kozmetike, kirurgjike ose pseudokarieriste të grupit ose individit, nëse Zoti, shkenca dhe natyra janë kundër tyre.

7. Siç e kam (e kemi) cekur edhe me herët, ndarja (divorci) ose diferencimi i ‘anës politike ose diplomatike’ nga ‘sfera’ e interesave të njohura shtetrore, nacionale, politike, historike, gjeografike, kulturore, materiale, sociale, ekonomike, strategjike dhe të tjera, pos tjerash, ë kanë sjellur ndryshimin ose transofmimin e shoqërisë së gjithëmbarëshme njerëzore ose qytetare nga fazat e hershme të organizmit ordinar ose parapolitik në fazat e reja të organizmit shtetror, nacional, qytetar, kulturor dhe politik.
Ndërkohë që mendimi i njohur politik, do zhvillohët dhe afirmohët gradualisht dhe sistematikisht së bashku me ngritjen, zhvillimin, evolucionin, transformimin dhe përparimin e pojuve dhe shtetëve të ndryshme gjithandej globit nga sistemët ose organizimet e hershme teokratike, ordinare ose parapolitike në shtetin e organizuar qytetar ose politik, të lindur ose projektuar në “polisin” e Athinës në Greqinë Antike, në Romën Antike etj.
Aristoteli asokohe mendonte se shteti (polisi) nuk është vetëm njësi, por edhe shumësi (bashkësi) e posaçme dhe tepër specifike e pushtetit shoqërorë ose qytetar- kundër atij autokratik, despotik ose teokratik. Duke i ndarë kështu politikën dhe filozofinë politike në anën teorike dhe anën praktike. Respektivisht, në retorikë, oratori, skolastikë, etikë, ekonomi etj. Për dallim të “polisit” (shtetit) të Platonit, Tukididit etj.
Edhe vèndin e Shkollës (Akademisë) së njohur të Platonit e zuri “Stoa” një shkollë e njohur politike, sipas tër së cilës:”aktivitetèt e njohura njerèzore, qytetare ose politike, duhej ngritur dhe rregulluar sipas ligjëve të natyrshme (natyrale) të vullnetit hyjnor ose profetik. Retorika, oratoria, skolastike, etika ose traditat e njohura shkencore ose filozofike tè Platonit dhe Aristotelit, u bartën dhe interpretuan (transmetuan) fuqishëm dhe multicipërisht edhe në “Republikën” e Romës së Lashtë-Antike nga ana e Polibiut, Ciceronit, Tacitit etj.
Duke i kultivuar, zhvilluar, zbatuar, afirmuar dhe zgjëruar konceptët e mesipërme politike ose filozofike të Platonit dhe Arostotelit, gjegjësisht, të ‘kopshti të madh’ kulturor dhe filozofik grek: Romakët e lashtë e ngritën, zgjëruan, modernizuan dhe afirmuan Perandorinë Romake në Antikë nga “polisi”, “politia”(politeia) ose “polietika” në “civitas” (qyteti-shteti), “civis” (qytetari) , “civilis” ( i hapur ose qytetar) dhe “res publica” (republika ose fakti dhe realiteti i njohur natyror, shtetror, qytetar ose politik).
Në mesjetë problemi qëndrorë ose kryesorë i politikës së shtetit dhe shoqërisë së përgjithshme njerëzore ose qytetare, ishte bindja dhe mendimi disolutiv mbi prejardhjen ose origjinën e dyfishte të sojit ose specieve njerëzore ose politike: Nga organizmi ose bashkësia e tyre familjare ose politike si dhe nga vullneti ose dërshira e Zotit (Hyjit).
Ndërkohë që politika e gjithëmbarëshme shtetrore, nacionale, qeveritare ose qytetare, u shndërrua në regnum (sundim) të egër absolutist, autokrat, aristokrat ose despotiko-monarkist sipas urdhërave dhe vullnetit të njohur kishtar ose klerikalist.
Sipas Shën Augustinit dhe Shën Tomës (Akuinskit): Që nga fillët ose origjina e civilizimi tonë njerëzorë, kanë ekzistuar problemët ose mospajtimët e ndryshme në mes “civitas terrenit” ( shtetit tokësor, gjeografik ose politik) dhe “civitas Deit” (“shtetit të Zotit”). Ishin përvoja, arti, talenti, mjeshtëria ose zgjuarësia e njohur politike (Ars Prudentia) së bashku me përvojen, aftësinë ose zgjuarësine e njohur qeverisëse, pushtetmbajtëse ose politike (Prudentia Regnativa) dhe vigjilencèn ose zgjuarësinè e njohur popullore, qytetare ose nacionale (Prudentia Civilis ose Civilis Prudentia) ato që i bënin të kapshme, të prekshme, komparative dhe analogjike idetë dhe teoritë e ndryshme disolutive dhe spekulative mbi ngritjen ose ndërtimin e politikës mbi bazat e ndryshme religjoze (teologjike) dhe filozofike.
Në epokën e re moderne ose bashkohore, politika e përgjithshme u ngritë ose transformua nga “Ars Prudentia” ose “Prudentia Regnativa” në “Virtus Prudentia”, gjegjësisht, në aftësi dhe shkathtësi të mbajtjes së pushtetit me anë të mekanizmave ose instrumentëve të ndryshme represive, inkursive ose reperkusive të shtetit.
Ndonëse, sipas konceptëve ose definicionëve të njohura shkencore ose metodologjike, sekularizimi dhe singularizimi i mendimit politik, sikur e kanë sjellur ose shkaktuar edhe ndarjen (divorcin) e shtetit, pushtetit dhe politikës nga studimet, analizat, postulatët ose postulimët e njohura shkencore dhe humaniste.

8. Pas shpërbërjes ose shkatërrimit të përgjithëshëm dhe përfundimtar të ish Bashkimit Sovjetik (BRSS-s) dhe “Traktatit të Varshavës: Nepër “shtetët e reja” ose republikat e dikurshme ruso-sovjetike, si dhe në ato të ish bllokut (kampit) komunopansllavist siç ishte “Traktati i Varshavës”, përveç mentalitetit dhe traditës së njohur të komplotit, shantazhit, konspiracionit, dekonspiracionit, linçimit, sabotazhit, diverzionit, subverzionit etj….Ngelën edhe hijet, fosilët ose mbeturinat e ndryshme ruso-sovjetike si falanga ose “kolonë e pestë” konspirative dhe logjistike e Moskës ose Kremlinit zyrtar për qëllime dhe projekte të ndryshme diverzive, subverzive, speciale, psikologjike, propagandistike dhe të tjera të spiunazhit, shantazhit dge komplotit.
Plus e ashtuquajtura “pakica ose elementi i rrezikuar rusë” nepër shtetët ose republikat e dikurshme ruso-sovjetike si alibi ose pretekst “sublim” ose “relevant” për “luftëra mbrojtëse” ose invazione të reja militariste, hegjemoniste ose ekspanzioniste të Rusisë. Të njejtat metoda militariste ose hegjemonisto-ekspanzioniste i përdori edhe Serbia-kundër popujve (kombëve) dhe republikave tjera joserbe pas shpërbërjes ose shkatërrimit të përgjithshëm dhe përfundimtar të ish Jugosllavisë. Duke e vërë theksin në luftërat dhe masakrat e përgjakshme, shkatërrimtare dhe tepër morbide të regjimit dhe soldateskës serbe në Kosovë, Kroaci, Herceg Bosnje etj. No Comment!

9. Përveç në Kroaci, respektivisht tek shteti dhe kombi kroat e deri dikund edhe në Slloveni: Kosova dhe shqiptarët askund tjetër, tek popujt ose republikat e dikurshme të ish Jugosllavisë, nuk kanë miq ose aleat të vërtetë. As tek malaziasit, as tek maqedonasit, as të boshnjakët (tè cilèt nè instancè të fundit janë serb, apo sllavë të turqizuar ose muslimanizuar) etj. Pos rasteve ose përjashtimeve të rralla.

1O. Në Kosovën e sotme postmoderne ose neobashkohore, njeriu ose qytetari shqiptar (kosovar) është vetëm një numër ose pamje e thjeshtë, i cili duhet të përputhet dhe përshtatet me gjithëçka dhe me asgjë! Dhe, ku bota globale ose “liberalizimi i vizave” -janë shpresè, objektivë, pikësynimi ose përfaqësimi i tij real dhe optimal. Duke i abstrahuar ose relativizuar në këtë rast absolutën dhe maksimalen e aspiratave ose kërkesave të individit dhe kolektivitetit shqiptar ose kosovar. Shih ti!!!
Ndërkohë që vullneti për të jetuar mishërohet, penetron dhe interferon tek të gjitha qeniet ose krijesat e mundshme njerëzore ose homo-sapiente dhe lëvizë tek të gjitha gjërat në një luftë të përhershme ose permanente për përmbushjen e ëndërrave, caqeve ose qëllimëve të caktuara. Është pra një “luftë” ose “stuhi e madhe infernale, ciklike ose enciklike që nuk pushon kurrë”, ku qeniet njerëzore, qytetare, kulturore, politike ose diplomatike, janë në kaos ose anarki, në kërkim të vazhdueshëm të vetvetës, gjegjësisht, identitetit, integritetit dhe ekskluzivitetit të tyre si dhe të plotësimit të nevojave dhe kërkesave të njohura jetësore ose ekzistencialiste. Të shkëputur nga materia, origjina ose ‘pema’ e njohur familjare (gjenealogjike), nacionale, biogjentetike etj., të lëkundur ose tjetërsuar nga njerëzorja dhe racionalja, gjegjësisht, nga edukata, kultura, emancipimi, intelektualizmi, profesionalizmi, morali, disiplina, ndërgjegjia, arsyja, humanizmi, drejtësia dhe barazia e njohur ligjore, politike, sociale, ekonomike, shtetrore, nacionale, kulturore, historike, gjeografike, institucionale, profesionale, karieriste etj…Në ngarendje ose turravrape të fluidshme, turbulente dhe tepër hektive- pas plotësimit të ‘egove’, ‘superegove’ ose nevojave të ndryshme objektive dhe subjektive. Duke i veçuar këtu interesat e njohura politike, karieriste, materiale ose profiteriste të personave ose individëve të ndryshëm pushtetmbajtës ose politik në vendin tonë mbi kurrizin e thyer ose të lakuar të Kosovës dhe shqiptarëve! Kjo pa arritur kurrë një cak ose qëllim të caktuar ose përfundimtar.
Ndaj, edge vet bota, në të cilën njeriu (politik etj.) cilësohet si një “mikrokozmos”, bëhet vetëvetiu një “megapoligon luftërash” ose ‘makrosferë interesash’ e cila nuk është e përbërë nga asgjë tjetër përveç “vullnetit” ose sëmundjes së pashërueshme për përfaqësim, sundim dhe dominim të atyre që janë më të pasur dhe më fortë mbi ata që janë më të varfër dhe më të dobtë!

….!

11. U mor vesh se në fushën ( tabelen) ose lojen e njohur të shahut, pos tjerash, janë tepër me rëndësi mbrojtja dhe fitoret e vazhdueshme të mbretit (shtetit). Gjitheçka tjetër pra i takon mbretëreshës( UÇK-s), të cilën lojtaret e rryer dhe me përvojë nuk e japin ose nuk e falin si të thuash kurrë për një kali (tore) ose ushtar të thjeshtë në fushë. Kështu është edhe me mendimin ose opinionin e shfaqur publik, politik, diplomatik ose analitiko-strategjik i cili vazhdimisht i nënshtrohet ligjit të njohur të gravitetit ose barazpeshës së njohur morale (etike), intelektuale, profesionale, patriotike, metaestetike etj. Duke i ngjarë kështu një “lavjerrësi” ose këndmatësi profesional dhe metaestetik në atë menyrë që poli ose krahu i djathtë i tij, është gjithmonë i njejtë ose i barabartë me të majtin në raport me epiqendrën. Gjegjësishtë, me pikën qëndrore të barzpeshës ose gravitetit. Në fushën e njohur shtetrore, nacionale, institucionale, politike, diplomatike ose profesionale-sidomos.

12. Filozofia jetësore dhe sidomos ajo politike, në instancë të fundit, është vetëm një shkollë e shkathtësisë që i rregullon parimet, motivet dhe arsyen për të jetuar ose mbijetuar në një “botë globale” ose “treg të përbashkët” të vlerave, resursëve, pasurisë dhe kapitalit të gjithëmbarëshem botërorë ose ndërkombtarë.

13. Thuhet ose dyshohët se serbët (edhe rusët në bazë të intelegjencës serbiane) duke ua njohur strukturën, materien (bërthamën) ose orgjinën e tyre familjare (gjenealogjike), biogjenetike ose strukturalgjenetike se bashku me “vlerat, potencialet, kontributin” ose “kapacitetin”;e tyre intelektual, politik, ushtarak (luftarak), moral, patriotik, profesional ose diplomatik: Kanë investuar mjete të shumëta materiale, logjistike, konspirative, dekonspirative, agjituese ose propagandistike për ngritjen, promovimin, afirmimin dhe trafikimin (kontrabandimin) e disa fosilëve, vasalëve, mërcenarëve, bedelëve ose debilëve të tyre në hallkat dhe zinxhirët kryesor ose komandues të pushtetit, politikës dhe diplomacisë kosovare, para dhe pas luftës në Kosovë.
Në anën tjetër ndërkaq, latino-spanjolli Borell si shef i ri i politikës së jashtme ose diplomacisë europiane: Në Berlin, Paris, Bruksel si dhe në qëndra ose metropola tjera të UE-s ose BE-s, ka nisur një gjah ose fushatë të sofistikuar politike ose diplomatike me moton “çka (çfarë) duhet dhënë ose falur Serbisë nga teritori ose pasuria e Kosovës në këmbim të njohjes reciproke në mes Kosovësia dhe Serbisë si dy shtete ose subjekte ndërkombtare dhe kështu me radhë?!
Janë në pyetje lojëra të rrezikshme të intelegjencës, oligarkisë dhe masonerisë së fuqishme serbo-ruse kundër Kosovës dhe shqiptarëve, ndaj të cilëve shteti, pushteti, politika dhe diplomacia kosovare, janë të pafuqishëm, inferior dhe tepër inert ne domenin e përgjithshëm shkencor, intelektual, profesiinal, politik, diplomatik, finansiar, ekonomik, logjistik, konspirativ, dekonspirativ dhe kështu me radhë.
Ndërkohë që oligarkët ose multimiliarderët e Kremlinit (Rusisë) penetrojnë, flirtojnë dhe kanë ndikime ose influenca të shumëta dhe të shumëfishta në Bruksel, Uashington dhe gjithandej.

14. Për fund, ia vlen të cekët “burrëria” ose “fisnikëria konstruktive” (bizantine ose ruso-serbe) e Behgjet Pacollit- ndaj Albun Kurtit dhe koalicionit qeveritar Vetvendosje-LDK, i cili edhe pse u bë sërish deputet i Kuvendit të Kosovës me ndihmën e Nismës së Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, e votoi Albin Kurtin dhe koalicionin e ri qeveritar në mes Vetvendosjes dhe LDK-. Sepse, ashtu si dukët e kishin urdhëruar punëdhënësit e tij në Moskë dhe Beograd. Jo vetëm Pacollin.

15. Nuk bëhesh kurrè i madh, i njohur, i ditur ose i mençur në sytë e të tjerëve përmes formave ose metodave të njohura forumiane ose kabinetike në njerën anë si dhe përmes stisjeve, amputimeve, riciklimeve, digresioneve, valorizimëve, ekzagjerimëve ose glorifikimëve të ndryshme “senzacionale” ose “bombastike” të “kultit” të individit ose personalitetit pa vlerat, meritat, atributet ose aftësitë e preferuara morale, shkencore, intelektuale, profesionale, ushtarake (luftarake), politike, historike, patriotike dhe të tjera në anën tjetër. Kjo të ngjanë në hedonizëm, alkimizëm, narcizëm ose makiavelizëm të mbyllur iracional ose egocentrikë.

Konstelacionet Shqiptare, diktatori Edi Rama dhe Liria! Nga Elida Buçpapaj

Ermonela Jaho është duke performuar Traviatën në Bayerische Staatsoper, në Mynih, më 19, 22, 25 dhe 28 shkurt, me një sukses të jashtëzakonshëm. Për sopranon shqiptare tashmë shija e arritjeve dhe triumfit është diçka e zakonshme.

Në fillim të shkurtit Ermonela Jaho bashkë me pianistin Steven Maughan dha koncerte në Londër, në Wigmore Hall, një nga sallat koncertore më të mirat në botë, e specializuar për muzikë dhome dhe këngëtarë lirikë, ku iu bë një pritje fantastike e shoqëruar me një artikull me vlerësimet më të larta tek The Guardian.

Gjatë dhjetorit ishte në Royal Opera si Desdemonë tek opera Othello e Xhuzepe Verdit, e observuar dhe e lavdëruar maksimalisht nga shtypi britanik.

Në vitin 2012 kam treguar në një shkrim për Ermonela Jahon se si ajo hyri në Royal Opera House, një rastësi e artë për yjet, për shkak se Anna Netrebko u sëmur nga një influencë gripi. Kur kanë kaluar tetë vjet nga ai shkrim, Ermonela Jaho tani është e pjesë e kastit të yjeve që performojnë në këtë teatër, por e reja që iu përcjell tani është vetë Royal Opera House që i bën reklamë Ermonela Jahos, nëpër turin e koncerteve të saj nëpër teatrot më të famshme të botës.

Apokaliptike apo jo! Që Royal Opera House t’iu bëjë reklamë shqiptarëve! Me kusht që të jenë yje!

Sa për Shqipërinë londineze, mjerisht jeta artistike dhe mediat aty janë të mbushura me banalitete dhe nuk kanë hapësira që t’ju dedikojnë yjeve shqiptare. Merreni me mend diktatori Edi Rama nuk ka lënë gjë pa lëvizur, është i plotpushtetshëm, si Mbreti i Errësirës për ta rrëzuar Teatrin Kombëtar të Shqipërisë!

Mbreti i Errësirës Edi Rama i urren artitistët, artin dhe është gati që t’i djegë, si inkuizicioni apo Hitleri në kohën e tij, kur digjte veprat e Albert Einstein, Bertold Brecht, Ernest Hemingway, Erich Maria Remarque, Heinrich Heine, Herman Hesse, Isaak Babel, Marcel Proust, Sigmzund Freud etj etj

Hitleri i dogji në Gjermani, por autorët mbijetuan me veprat e tyre, sikur Lili Marleen, konstelacioni Ëngjëlli Blu, Marlen Ditrih.

Fatmirësisht qielli i Europës dhe botës është plot me konstelacione shqiptare!

Para disa ditësh solisti i Teatrit të Vjenës, Eno Peçi pati një sukses të jashtëzakonshëm duke hapur sezonin e njërit prej teatrove më të famshme botërore, si koreograf. Ai ishte një djalë fare i ri, refugjat kur vizitoi për herë të parë Vjenën. Ëndërra e tij e parë ishte të gjente strehë, të mbijetonte sepse në vendin e tij kishte luftë civile!

Po në muajin shkurt sopranoja Inva Mula, ishte e ftuar nderi nga Princi Alberti II në Monte Karlo, në një gala të krijuar që nga koha e Princeshën Grace Kelly…

Instumentistët shqiptarë si Tedi Papavrami, Florian Vlashi, Klajdi Sahatçi, Shkëlzen Doli e plot e plot të tjerë japin koncerte nëpër sallat më prestigjioze të Europës dhe botës.

Të mos flasim pastaj për fenomenet Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max, Ermal Meta e plot e plot të tjerë…

Janë konstelacione që lindin çdo ditë, që i habisin skenat botërore çdo ditë, si për shembull fenomeni i Erza Muqolli apo vajza e vogël me emrin Gala Aliaj,

që konkurojnë nëpër skenat europiane të Talent Show dhe që do të shkojnë pastaj tek suksesi.

Yjet shqiptare janë larguar nga Atdheu jo me dëshirë, por se qielli aty është i prangosur nga politika.

E bukura është se qielli i elitës kulturore europiane dhe botërore tashmë është i mbushur me yllësi shqiptare, që e ruajnë dhe e mbrojnë me krenari si një pasuri të shtrenjtë prejardhjen se nga vinë..

Është art shqiptar, janë talente shqiptare, yje shqiptare që ndriçojnë qiellin e kulturës botërore, një qiell pa barriera, pa paragjykime, ku liria shijohet e plotë.

Arti i mirëfilltë është revolucion në vetvete, sikur thotë Paul Gauguin, që të fton të çlirohesh nga prangat.

A e keni parasysh “Lirinë” e Eugène Delacroix ?

Kush e ka parë këtë tablo vetëm një herë nuk e harron asnjëherë, deri në fund të jetës!

Arti i vërtetë dhe liria janë një, janë simetrike, janë universale, kush provon artin e vërtetë, patjetër kërkon të shijojë lirinë!

Arti dhe Liria janë joie de vivre, la vita e bella ose thjeshtë thjeshtë, jetë e jetuar me dinjitet!

Jetën na e ka falur Zoti, as padronët, as mbretërit, as diktatorët, ata e prangosin dhe e vrasin jetën!

Ndërsa arti është inspiracion, frymëzim për t’u çliruar prej tyre!

Fakti që konstelacionet shqiptare ndriçojnë qiellin botëror, do të thotë se shpresa është e madhe, se shpresa është e afërt dhe se edhe qielli shqiptar do të ndriçohet shpejt nga konstelacionet e lirisë!

KRYELAJM DUHEJ TË ISHTE SOT PERFORMANCA E ERMONELA JAHOS NË ROYAL OPERA Nga Elida Buçpapaj

TË VËRTETAT E PAPËLQYERA TË BE NË ERËN E RE TRUMP- Nga FEDERICO FUBINI – E përktheu Eugjen Merlika

           Ndonjëherë disa lloj episodesh të vogla janë si një shqyerje  në rrjetën që zbulon se në çfarë gjëndjeje ndodhet sot Evropa dhe, brënda saj, Italia. Kush ndalet të vështrojë nëpërmjet asaj të çare do të shihte një fushë të gjërë dhe një skuadër – e jona – që ngulmon të luajë voliboll, ndërsa tashmë të tjerat, të pjesës tjetër të botës, po na përballojnë në një ndeshje madhështore regbije. Rrethanat janë të tilla që mediat ndërkombëtare i regjistrojnë në mënyrë të shpejtë, të palidhura ndërmjet tyre. Në Washington sapo u pushua nga puna një burrë që kishte qënë përcaktues në qëndresën financiare t’Evropës, edhe se shumë  njerëz nuk i a kanë dëgjuar kurrë emrin. Në të njëjtat ditë spanjoli Josef Borrel, nënkryetar i Komisionit, u shtrëngua të kërkojë ndjesë pse kishte thënë një të vërtetë të pahijshme mbi ndryshimin e klimës. Burri i pushuar në Washington  quhet David Lipton, ka një doktoratë ekonomie të Harvardit, ka punuar në administratat e Bil Clinton-it dhe Barak Obamës e, prej nëntë vitesh, ishte numuri dy i Fondit monetar ndërkombëtar. Në fakt për periudha të gjata ka mbarështuar gjithë organizatën.

Lipton-i është vetë mishërimi i uashingtonasit ndërkombëtarist, i bindur që roli i saj në botë e detyron Amerikën të mbështesë miq dhe aleatë mbi bazën e vlerave, rregullave dhe institucioneve të përbashkëta. Në përfytyresën e tij Amerika është “qyteti që ndriçon përmbi kodër” – në citimin ungjillor të përsëritur nga John Fitzerald Kennedy, Ronald Reagan e Obama – frymëzim për pjesën tjetër të botës. Javën që shkoi Liptoni u përzu nga drejtoresha e përgjithëshme e Fondit, bullgarja Kristalina Georgieva. Arsyeja e pashpjeguar kurrë është se Shtëpia e Bardhë e Donald Trump-it ka ushtruar shumë trysni: “Është e vështirë të besohet se çfarëdo lloj organizimi i dobishëm për FMN, do të kërkonte daljen e David Lipton-it – ka komentuar ish kryetari ekonomist i Fondit, Olivier Blanchard – . Ikja e tij është një goditje e rëndë për institucionin”.

  Nga ana tjetër ky ishte objektivi: ai funksionar ishte caktuar nga një Vend, presidenti i të cilit nuk ka më asnjë interes për “qytetin që ndriçon përmbi kodër”. E ndërpreton leverdinë e vet në mënyrë tjetër. Për Trump-in Amerika  nuk është më as një model dhe as një garant për Evropën, dhe Evropa është një bashkësi fuqish të vogla që kanë si synim të nxjerrin përfitime në mënyrë të pandershme nga Amerika. Kjo e fundit është viktima – jo drejtuesja – e rendit ndërkombëtar që ajo vetë kishte krijuar dhjetëvjeçarë më parë. Heqja nga puna e Lipton-it është vetëm një tullë më shumë që Trump-i thërmon në sistemin e shumanshëm. Natyrisht, jo i pari: ka katandisur në paralizë Organizatën botërore të tregtisë, ka shpërthyer luftëra ekonomike të dyanëshme, ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet e Parisit mbi klimën. Tani synon të tkurrë edhe rolin e FMN në rast të krizave të reja.

Edhe shemëria trumpiane kundrejt Kinës së Xi  Jinping-ut e përjashton në fakt Evropën, sepse nuk bazohet mbi vlerat apo ideologjitë – bota e lirë kundër mbifuqisë autoritare – por është një përballim i thjeshtë pushtetesh mes dy udhëheqësve njëlloj kombëtaristë. Nga ana tjetër ky rend gjërash nuk do të ndryshojë rrënjësisht edhe nëse Trump-i në nëndor nuk do të rizgjidhet: deri edhe kandidati demokrat më i lidhur me botën e djeshme, ish nënpresidenti Joe Biden, bën me dije se nuk do t’i rikthejë taksat e njëanshme kundër Pekinit në ata nivele të ulta të kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishin Obama dhe ai vetë.

Kjo nuk është më “bota e sheshtë” e librit të Thomas Friedman të 2005. Ndërpreja relative e tanishme e taksave nga ana e Shtëpisë së Bardhë po i jep pak frymëmarrje Evropës, asgjë më shumë: kjo mbetet një botë mbas liberale, plot pengesa të reja shkëmbimeve dhe logjikash të lashta fuqish. Nuk është më as koha e klintonianes “it’s the economy, stupid”, sepse për politikën nuk vlen më vetëm rritja, përkundrazi. Ndërmjet votuesve të Brexit shpallja e vetvetsisë  vjen më parë se leverdia materiale, e deri dhe Amerika ushtron kundër aleatëve fuqinë e vet tregtare – hyrjen tek dollari, ose tek tregu – si leva për t’i përthyer politikisht. Kush bën tregëti me Iranin është jashtë Wall Street-it. Kush blen rrjeta telekomunikacionesh nga kinezët rrezikon taksa kundër makinave.

Në pamje të parë kjo botë nuk është m’e mirë se ajo e djeshmja, por sot është ajo në të cilën banojmë e në të Evropa duket si një e mbijetuar. Arkitektura e saj ishte vizatuar në mënyrë të tillë për t’a bërë të kishte mirëqënien në një sistem të globalizuar të mbajtur nga organet e shumanëshme, ku normat e ekonomisë vlenin për të gjithë e mbeteshin të ndara nga lufta mes fuqive në sajë të miratimit të elitave ndërkombëtare. Mund të kemi mall për atë botë, ose jo, por ajo nuk është më. E megjithatë Evropa ishte ndërtuar për të jetuar brënda saj.   

            Nuk ka sintomë më mizore se sa e ashtuquajtura “gafë” e Borrellit. Pak ditë më parë përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtëme të Brukselit, duke kujtuar caqet e ungjillizimit mjedisor t’Evropës në botë, tha : “ Do të më pëlqente të dinja nëse të rinjtë, që manifestojnë nëpër rrugët e Berlinit, duke kërkuar masa kundër ndryshimit klimaterik, a  janë të vetëdijshëm për kostot. Nëse kuptojnë se duhet të pakësojnë nivelin e tyre të jetesës për të shpërblyer minatorët polakë  të qymyrit që mbeten pa punë.”Borrell ka lënë të kuptohet se Evropa ka për të përballuar zgjedhje të vështira, nëse don të marrë rolin drejtues në botën që kërkon sot. Ka thënë se politika dhe fuqia nuk arrihen kurrë falas. Hapu o qiell: Komisioni evropian  zyrtarisht u shkëput dhe spanjoli u detyrua të kërkojë ndjesë se kishte folur për atë që quhet “sindroma Greta”; kishte guxuar të thotë një të vërtetë të papëlqyer në një Evropë të mësuar të jetojë e mbrojtur. Por një sistem që nuk duron të vërtetën është një sistem politik i dobët. Evropa sot nuk mund t’i a lejojë vetes.

 

“Corriere della Sera”, 16 shkurt 2020   E përktheu Eugjen Merlika

ELEGJI PER BREZIN TIM (III)- Nga EUGJEN MERLIKA

 

 

 

“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”

  Ismail  Kadare

 

 

Që nga stina e ëndrrave të viteve të para nëntëdhjetë, të kulmuara me shprehjen e famshme të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Beker, të shqiptuar para mitingut më të madh të zhvilluar ndonjëherë në tokën shqiptare, në verën e vitit 1991, “Liria jep rezultate” dhe nihilizmit të pjesës dërmuese të shqiptarëve që, në përqindje shumë të larta janë gati të mërgojnë nga vëndlindja sot, kanë kaluar rreth tridhjetë vite. Kjo duhet të kishte qënë periudha më fatlume e gjithë historisë shqiptare. Tridhjetë vite në jetën e një populli janë një grimcë në raport me përjetësinë, por janë më se të mjaftueshme për të ndërtuar një shtet, në të cilin qytetarët të kenë dëshirë të jetojnë. Tridhjetë vite qenë të mjaftueshme për të ndërtuar shoqërinë e mirëqënies në Evropën perëndimore, mbas luftës më shkatrrimtare në historinë e njerëzimit. Po aq patën në dispozicion Vëndet e Evropës ish komuniste për t’i u afruar standarteve të perëndimit, mbas shëmbjes së komunizmit. Tridhjetë vite mjaftuan edhe për ne shqiptarët, që nga Shpallja e Pavarësisë deri në vitin 1944, për të ndërtuar një Shtet që i jepte shpresë qytetarëve të tij, të cilët mbaronin universitetet evropiane e ktheheshin me dëshirë në Mbretërinë shqiptare, për t’a çuar përpara atë në rrugën e zhvillimit. Madje nuk duhet të harrojmë se në këto vite shqiptare ishin përfshirë dy luftëra botërore. Për të shpjeguar arsyet e dështimit katastrofal të pas komunizmit në Shqipëri duhen vëllime e nuk mjaftojnë rrjeshtat e këtij shkrimi, por është e qartë si drita e diellit se në këto vite ka munguar drejtimi i duhur. Nuk ka asnjë alibi klasa politike shqiptare që të mund të ligjësojë mangësitë e saj të theksuara në udhëheqjen e këtij populli. Madje edhe pingpongu i lënies së përgjegjësive kundërshtarit bashkëpuntor politik është një lojë e dalë bojet dhe aspak e besueshme për qytetarët e këtij Vendi. Në nënëvetëdijen e këtyre të fundit, vetiu lind një pyetje pa përgjigje: çfarë mallkimi rëndon mbi Vendin tonë që, edhe në sistemin pa diktaturë, të mos arrijë të sigurojë një jetesë të pranueshme për gjithë banorët e tij?

Kaluan tridhjetë vjet, brezi im pothuaj se e ka mbyllur rrethin e tij jetësor veprues. Në jetën shqiptare është ngjitur një brez tjetër e problemet e pazgjidhura të Shqipërisë vazhdojnë të kalohen nga një brez tek tjetri, nga ne tek ata. Dikur ishte triskëtimi e racionimi i ushqimeve, sot ato i kemi me tepricë nëpër dyqane, por rrogat dhe pensionet e ulta vazhdojnë të nxjerrin në pah përsëri varfërinë. Shqipëria e sotme nuk është e njëtrajtëshme në varfërinë e saj. Në trupin e saj gjinden pasuri marramendëse, kulla shumëkatëshe që “therin qiellin”, do t’ishte shprehur Migjeni i ynë, që hahen me të ngjajshmet e tyre në botën e madhe, hotele me shumë yje që nuk paguajnë as taksa, maqina të kushtueshme, vila luksoze, qytetarë që pushojnë në vendet më të shtrenjta të botës. Shqipëria ka ndryshuar ngjyrat e saj: në vend të grisë së errët që mbante në gjysmë shekullin e regjimit, ajo është bërë e larmishme, ka fituar ngjyrat e ylberit.

Me shumë vështirësi janë marrë aty këtu pasuritë e trashëguara, por ato të rejat i kanë kthyer faqen Vendit. Pasuri të reja, të pashpjegueshme me sasinë e njohur të të ardhurave të pronarëve të tyre, por pasuri të vërteta, që kanë krijuar një barazpeshë të re, të cilën Vendi e kishte harruar prej shumë kohësh. Përsëritet në përmasa e shprehi bashkëkohore gjithshka që në historinë e gjatë të këtij populli ishte shfaqur në aristokracitë princore e perandorake të lashtësisë ilire, romake, bizantine e otomane, pasuritë e kastave drejtuese që majmeshin nëpërmjet të shumë burimeve, që për kohën e tyre quheshin të ligjëshme. Vinin nga luftërat, nga plaçka e tyre, nga skllevërit, nga taksat, nga dhuratat e të fuqishmëve. Tani kanë ndryshuar burimet: në shekullin 21 shfrytëzohen të tjera mundësi që rrjedhin nga pasuritë nëntokësore e mbitokësore, nga konçesionet e tyre, nga lidhja me botën. Huazohet përvoja botërore e pushteteve të errët, e organizatave të jashtëligjëshme, e tregëtimit të drogës, të armëvet, të femravet për dhjetëvjeçarë me rradhë në hundët e një shteti që nuk shqetësohet aspak, që shumë vonë bën sikur kundërvepron ndaj një dukurie që i ka rrënjët thellë, në një mendësi të rrënjosur që në kohët e para të tjetërsimit të sistemit: pasurim me çdo mjet, me çfarëdo mënyre. N’ata fillime ishin firmat piradimale që e ngulitën këtë mendësi për të fituar para pa punë, pa mundim, pa djersë. Fundi i tyre solli një rrënojë kombëtare, jo vetëm me tërmetin e madh në zemrën e shtetit, por edhe me humbjet financiare që u shkaktoi një pjese të madhe të popullsisë. N’atë rast Shteti u kthye në një grabitqar që nuk dihet se ku i çoi qindra milionë dollarë të qytetarëve, pa i lëvizur as qerpiku, edhe se i kishte premtuar se do t’u a kthente e në bazë t’atij premtimi PS fitoi edhe zgjedhjet e vitit 1997. Nëse do të jenë në lartësinë e detyrës organet e reja të Drejtësisë, të dala nga e ashtuquajtura reformë, do të duhej të fillonin hetimin pikërisht nga ajo vjedhje masive e milionë dollarësh të Vefas dhe kompanive të tjera piramidale në dëm të qytetarëve shqiptarë.

Por nuk ka asnjë gjasë që të vërtetohet një gjë e tillë, një vetëpadi e politikës në një periudhë të caktuar, që njihet në të gjithë përbërësit e saj, me emra e mbiemra, me ngjarje e dukuri. Reforma ka ushqyer pritshmëri, ndoshta edhe të tepruara në mjedisin shqiptar, madje ajo quhet edhe në sajë të kujdestarisë ndërkombëtare mbi të, si e vetmja shpresë për të sjellë Vendin në normalitet mbas goditjes së Vettingut mbi një pjesë të organeve të Drejtësisë. Pa mohuar rolin negativ të mjaft gjyqtarëve të korruptuar, është vështirë të besohet se Drejtësia e re do të ketë kurajën, guximin e fuqinë, për të kaluar në filtrin e saj me paanësinë e nevojshme klasën politike që ka qënë mbështetja kryesore e atyre gjyqtarëve në vite. Shëmbujt e atyre proçeseve të kryera në Kroaci apo në Rumani duhet të jenë si njësi matëse për prodhimtarinë e institucioneve tona të reja. Nga veprimet e saj të para do të duket shpejt mundësia apo mungesa e saj për të sendërtuar luftën kundër paligjshmërisë që duhet të ketë në synimin e strategjinë e saj çdo dukuri korruptive që shtrihet nga maja e Shtetit tek baza e gjërë e tij. Në të kundërt do të jemi të pranishëm në një tjetër dukuri zhgënjyese të realitetit tonë, në një tjetër shfaqje të demokraturës.

Shqipëria e sotme është sendërtesë e brezit tim, por edhe e bijve të tij. Ndoshta ne patëm më shumë peshë në prapambetjen e saj, në mungesën e lirive e të shpresave, ndoshta u bëmë pengesë me mendësinë tonë për ecjen më të shpejtë të bijve tanë, ndoshta e ndotëm me frymën tonë dlirësinë e natyrshme të tyre, ndoshta u ndrojtëm shumë për t’u dhënë atyre vendin dhe rolin e duhur në jetën shoqërore, shtetërore, politike, kulturore ekonomike të Atdheut. Por besoj se ata duhet të na jenë mirënjohës për gjithshka bëmë ne në këto vite të kalesës për t’u dhënë mundësi atyre të studionin jo vetëm në Shqipëri por edhe n’Evropë e në botë. E bëmë këtë jo vetëm për të gjetur një ngushullim të vonë për jetën tonë të cunguar nga mungesa e lirive, për të parë të sendërtuar në jetën e tyre atë që komunizmi na e ndaloi neve t’a arrinim, por edhe për t’u vënë atyre në mbarështim bazën e nevojshme të dijes e aftësive, për të përballuar kërkesat gjithënjë e më të mprehta t’epokës së tyre. E bëmë këtë me çmimin e flijimeve të heshtura, herë herë edhe përtej mundësive tona. Shpresojmë se do t’a vlerësojnë në masën e duhur këtë përkushtim tonin, pa e quajtur si një detyrim të thjeshtë brezor.

Në këtë prag fund jete, në të cilin kemi arritur, ndoshta ajo që do të mëtonim prej tyre, veç mirëkuptimit për mundin tonë të gjithë jetës, do të ishte sendërtimi i një Shqipërie të re, më të ndershme, më njerëzore, më fisnike, të një Vendi më afër traditës shekullore nga këndvështrimi moral, të cilën komunizmi e vrau pa mëshirë, n’emër të ideologjive të ardhura nga bota e Lindjes, duke vënë në zbatim makutërinë më të përkryer të pushtetit të dhunës. Duke kërkuar këtë sipërmarrje të madhe prej bijve tanë, që do të shënonte kthimin e dinjitetit të humbur që shfaqet çdo ditë në realitetin tonë të zymtë, në paaftësinë karakteristike për të bërë diçka të dobishme vetë, pa kërkuar gjithmonë gjykimin e përfaqësuesve të huaj, qofshin këta edhe miqtë tanë më të mirë, më duket e nevojshme të kujtoj punën e brezave para nesh. Dua t’a kujtoj veprimtarinë e tyre në dobi të Shqipërisë dhe dinjitetit të saj, jo thjesht me mallin romantik të së kaluarës e cila, si çdo epokë historike paraqet dritë hijet e saj, por me përpjekjen modeste për një vlerësim të paanshëm e nga i cili mund të merren mësime të vyera për të sotmen dhe t’ardhmen tonë.

Ai brez i gjyshërve tanë e krijoi Shqipërinë të pavarur, mes njëmijë vështirësish, mbas gati pesë shekujsh sundimi të huaj. Ai i përballoi ato vështirësi me ndihmën e pak miqve, sepse Evropa nuk ishte n’anën e tyre, por vështronte me më shumë dashamirësi ndaj fqinjëve tanë, të cilët tokën tonë, në synimin e tyre, e kishin kthyer në një plaçkë tregu ku secili duhej të merrte pjesën e vet. Atë Vend pa shkolla, pa institucione, pa rrugë, me një analfabetizëm kronik shekullor, me një popullsi, në shumicën dërmuese të saj, të mësuar me mendësinë otomane, të kthyer në shesh lufte botërore e të pushtuar nga fuqitë ndërlufuese në gjithë territorin e saj, dalngadalë në hapësirën e tre dhjetëvjeçarëve  e ktheu në një Shtet të qëndrueshëm, me ligje e kode perëndimore, me monedhën e vet të fortë, me rritjen dhe edukimin e një shtrese të re inteligjence të nivelit evropian.

Nuk qe një ndërmarrje e lehtë, kërkoi shumë mund e kaloi nëpërmjet një lufte t’ashpër politike e rrahje mendimesh, qe një betejë e gjatë me faktorët e jashtëm dhe mangësitë e trashëguara të brëndëshme.  U sendërtua sepse gjeti në protagonistët e jetës politike njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, me një shtat moral e një dinjitet për t’u patur zili. Pasurinë vetiake, në shumicën dërmuese, e trashëguan nga të parët e tyre, kurse ata që hynë të varfër në politikë mbetën po aq të varfër edhe kur dolën prej saj. Luigj Gurakuqi besoj se është shëmbulli më i ndritur n’atë drejtim.

Ajo klasë politike, me gjithë mangësitë e pakta të saj, na la si trashëgim dinjitetin e saj, që ishte edhe dinjiteti i popullit të saj, prej të cilit kishte përvehtësuar vetitë më të arrira të kombësisë e të cilin rrekej t’a lartësonte nëpërmjet vënies në jetë t’atyre virtuteve e edukimit me parimet universale të qytetërimit. U bë zëdhënëse e atij dinjiteti edhe në vitet e vështira të luftës së dytë botërore, kur rrethanat dhe projektet politike e ndanë në disa pjesë të cilat, edhe se në kundërshtim me njëra tjetrën mbeteshin të bashkuar në synimin për t’i shërbyer deri në fund interesave t’Atdheut. Qe shprehja më e lartë e atij dinjiteti qëndresa me armë, edhe se e shkurtër në kohë, e atyre atdhetarëve në portin e Durrësit më 7 prill 1939, të cilën ata e përjetësuan me flijimin e jetëve të tyre.

Ata shtetarë t’asaj periudhe u bënë shprehës t’atij dinjiteti kur nuk pranuan të zbatojnë në Vendin e tyre “ligjet raciale” të shpallura nga pushtuesit italianë, kur mënjanuan nga ministritë shqiptare këshilltarët italianë, kur hoqën gjuhën italiane nga shkollat fillore shqiptare, kur hoqën simbolet e huaja nga flamuri shqiptar, kur bashkuan trojet e ndara në vitin 1913 nga trungu i Shqipërisë etnike, kur organizuan zgjedhjet e përgjithëshme në “tokat e lirueme” e mblodhën Asamblenë e vetme mbarëshqiptare në historinë bashkëkohore të këtij Vendi, një ngjarje e përafërt me Lidhjen e Prizrenit.

Mbi të gjitha, ata u bënë flamurtarë të dinjitetit të kombit të tyre kur, në raste të përsëritura, i u përgjigjën tërthorazi kërkesave naziste për të dorëzuar hebrenjtë në kampet e çfarosjes, se ajo praktikë kriminale e jo njerëzore binte ndesh me një traditë të lashtë të popullit të tyre, atë të mikpritjes, të besës, të respektit për jabanxhiun, për fjalën e dhënë, për parimin e ndihmës kundrejt atyre që janë në nevojë, kundrejt të pambrojturve, të dobtëve…. Me qëndrimin fisnik e të guximshëm, në një nga kohët më të errta të historisë së botës moderne, ata prijës të institucioneve shqiptare t’asaj periudhe u treguan trashëgimtarë të denjë të virtuteve të popullit të tyre e këtyre të fundit i ngritën nje monument të pavdekshëm në kujtesën botërore, duke na lënë si trashëgim faqen më të ndritëshme të lavdisë së kombit tonë.

Ai qëndrim është vite dritë larg tabllosë mjerane të politikës shqiptare sot që, për çdo veprim të saj, pret me ankth gjykimin e ambasadorëve të huaj e për çdo ngërç duhet t’i drejtohet institucioneve të tyre. Një dukuri e këtillë, shprehje paaftësie të theksuar të një klase politike në një Vend demokratik, mbetet zhgënjyese për të gjithë ata që vazhdojnë të besojnë e njëjtësohen me vlerat e përjetëshme të shqiptarëve, e na shton nderimin për brezin e gjyshërve tanë që na lanë si trashëgim një Atdhe të bashkuar e dinjitoz.

Këto ishin disa nga arsyetimet, që më erdhën ndërmënd në atë bisedë të gjatë të përfyturuar me të njohurit e të panjohurit e asaj aradhe njerëzish, që është Brezi im. Ndofta kishte diçka të pazakontë në këtë bisedë, ndofta i vura përsipër atij të meta e gabime më shumë se ç’kishte, ndofta gjyqi i historisë nuk do të jetë kaq i ashpër, do t’i njohë dhe rrethanat lehtësuese. Do t’i njohë faktin se patëm fatin më të keq të gjithë brezave të këtij shekulli të Vendit tonë, për të jetuar nën thundrën e diktaturës më të paskrupullt, më mizore, më të pabesë që kishin njohur shqiptarët. Qemë Brezi i triskave dhe i racionimeve, nuk shijuam as fëmini, as rini, as burrëri. Fëminia na kaloi duke luajtur me topa lecke e duke dëshiruar një copë bukë më shumë sesa racjoni i përditshëm i triskës. Rinia u shkri në aksionet e pafund, në kampet e internimit e të punëve të detyruara, në kufizimet më absurde që mund të përfytyrohen. Burrëria na erdhi në një kohë që ndryshoi gjithçka, por që ne na gjeti të papregatitur për këto ndryshime.

Çfarë ruan e ardhmja për ne, nëse do të ketë një të tillë mbas një jete ankthi e mundimesh, është vështirë të parashikohet. Ne mbetëm gjithmonë në luftë, në një luftë të gjatë e të vështirë për mbijetesë. Qe një luftë pa armë, por jo më pak mizore. Viktimat e saj qenë ëndrrat tona të varrosura, dëshirat tona të parealizuara, liria jonë e gjymtuar, vitet e të vetmes jetë të flijuara për egoizmin e pafre të kolltukofagëve. Jeta jonë qe një tribut që i duhej paguar utopive kriminale të të ashtuquajturve teoricienë të komunizmit, padijes, mungesës së skrupujve e poshtërsisë të atyre që i vunë në zbatim në Shqipëri ato teori, arkitektëve të botës së ndarë në zona ndikimi, paaftësisë së prindërve tanë për të kuptuar e shmangur rrezikun e gangrenës komuniste, paaftësisë sonë për t’a kryer me sukses operacionin e zhdukjes së saj. Dashje pa dashje ne e paguam atë tribut, nuk mundëm t’i shmangeshim. Ai qe fati ynë i hidhur, i ashpër, i pamëshirshëm. I ngjan legjendës së Sizifit…

 

Fund

Letër e hapur përshëndetëse – MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z. GLAUK KONJUFCA – Nga Prof. dr. MEHDI HYSENI

Kjo është hera e parë në jetën time, që në këtë formë   po i drejtohem një institucioni  të  lartë shtetëror, ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në Prishtinë, z.Glauk Konufca.

Këto janë  3 arsye që më motivuan të shkruaj këtë letër të hapur: 1) Transparenca, që të mos mendoj dhe të moskeqkuptoj ndokush, se prapavija e kësaj letre ka për qëllim korruptimin dhe  manipulimin e ministrit të Jashtëm z. Glauk Konjufca dhe, 2)  Besimi i plotë se qeveria e re me kryeministrin z.Albin Kurti në krye, do ta vë në vend ligjin dhe drejtësinë, duke krijuar një shtet NORMAL  të së drejtës për të gjithë qytetarët e saj dhe 3) Më gëzon fakti që ministri i Jashtëm z.Glauk Konjufca, ashtu sikurse kryeministri i tij, z.Albin Kurti, tanimë janë  përcaktuar me mish e shpirt që të zgjedhin kuadro profesionale meritore, që janë të afta për të drejtuar shtetin, JO konsuj e ambasadorë sipas “çelësit” nepotist  familjar, mahallor partiak dhe provincialist sikurse deri tash (2008-2020).

Andaj, katërcipërisht e mbështes ministrin e Jashtëm Konjfuca për marrjen e vendimit të ligjshëm të sotëm për shkarkimin e  14 konsujve në vende të ndryshme të botës. Shih në: Ja emrat/ Fshesa e Glauk Konjufcës, ‘fluturojnë’ 14 konsuj , BOLL më me lidhje e me “ilake” , dekreto ambasadorë e konsuj me “grada më të larta shkencorë” : Qebapqinj, berberë, burekgjinjë, molerë, shumarë, shofera, tyrgjymenë, body guard …etj.  Ndër të tjera, ky ishte shkaku  kryesor, pse Kosova qe 12 vjet nuk kishte kurrfarë diplomacie  aktive produktive dhe profesioniste lobuese për njohjen e saj nga ana e OKB-së. Së fundi, këtë e dëshmoi edhe tërheqja e  njohjes së Kosovës nga 16 shtete të huaja të Kombeve të Bashkuara.

Kjo ka ndodhur, thjesht për faktin se  thaçistët oligarkistë dhe burokratë   i patën diferencuar dhe izoluar kuadrot e mirëfillta profesionale të diplomacisë dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare mbase ideologjikisht dhe politikmisht  nuk i binin në “rabush”, sepse nuk ishin kinship e as partiashë vasalë të  dëgjueshëm tij. KJo ishte fatkeqësia edhe e polittikës, edhe e diplomacisë, e dhe drejtësisë, sepse komandohej  vetëm nga “leva” Hashim Thaçi.

Duke qenë se me zgjedhjen e Qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet parlamentre të 6 tetorit 2019, tanimë ka perënduar  kulti i individit, diktati, ultimatumet dhe personalizimi i qeverisë dhe i Kuvendit të Kosovës,  jam i gatshëm, që të jem në dispozicion të kërkesave imediate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës(qoftë brenda apo jashtë shtetit kudo në botë).

Ndaj, i nderuar z. ministër i Jashtëm  Konjufca,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të vihem në shërbim të plotësimit të kërkesave të juaja  në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare për çka edhe jam i pajisur me përgatitjen përkatëse akademike univerzitare, që nga viti 1983 në Univerzitetin e Zagrebit.-Që atëherë, e, edhe sot merrem me çështje të politikës ndërkombëtare. Në këtë vështrim, flet edhe libri im i botuar më 2010 me titll: “UÇK-JA DHE E DREJTA NDËRKOMBËTARE”, botuar në Shipëri…,etj.

Ndoshta, për të paudhëzuarit dhe, për ata që nuk janë në dijeni për këtë çështje, kjo duket ca pretencioze, por, realiti është se unë qe 30 vjet pres një shans të tillë angazhimi për çka edhe kam investuar dhe arrritur  gradën akademike përkatëse për t’i shërbyer popullit tim dhe atdheut tim, JO për të  fituar “Çmimin Nobël” për fshirjen e sokaqeve të Europës dhe të Amerikës, sepse nuk e kam  një “kualifikim” të tillë për “lopatë” dhe për “fshesë”, sepse Babai im ndjesë pastë, më ka përgatitur për shkencë dhe për dituri, që t’i shërbej kombit dhe atdheut, ashtu sikurse i shërbeu ai me pushkë në  Betejën e Novi Pazarit (1944) dhe në Luftën e Drenicës  së Shaban  Polluzhës (1945). Këtë amanet të pavdekshëm, që të jem shërbëtor i kombit dhe syri e veshi i atdheut, ma ka lënë, edhe daja im ndjesë pastë, Avdyl (Ymer) Perçuku, i pushkatuar në Taukbahqe të Prishtinës, më 1947, për shkak të veprimtarisë së tij nacionaliste ilegale në rajonin e Shalës dhe të Bajgorës (1944-45).

 Z. Ministër Konjufca,

-Tani, ju jeni në potez, dëshriorni kuadra të mirëfillta profesionale  nga fusha e diplomacisë, e drejtësisë ndërkombëtare dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare, ja, jam gati të pranoj kërkesën tuaj, i lartnderuar Ministër.

 Prof.Dr.Mehdi Hyseni

(Drejtor i Departamentit për Diplomaci dhe Politikë Ndërkombëtare të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve në Nju-Jork)

kosova.atdhe@yahoo.com

NEXHMIJA PËRLOTI SALLËN E KONCERTEVE NË TIRANË – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Nexhmije Pagarusha, hyjnesha e skenës
 
     Viti 1970. Në kuadrin e shkëmbimeve kulturore, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Seksioni i Kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, kishte ftuar Nexhmije Pagarushën dhe Zef Tupecin, për vizitë në Shqipëri. Me këtë rast, mysafirët e nderuar u bënë pjesë e një shfaqje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë.
     Në hyrje të Pallatit të Kulturës, ishte vënë një pllakatë, ku njoftohej se Ansambli Shtetëror jep shfaqje, me pjesëmarrjen e kosovarëve Nexhmije Pagarusha dhe Zef Tupeci. Interesimi, kurreshtja ishte e shtuar, sepse në atë skenë kishin pëerformuar rusë, kinezë, aziatikër të tjerë, evropianë të kuq, por jo edhe shqiptarë nga Kosova!
     Natyrisht, më të interesuarit për këtë shfaqje ishin ikanakët e Kosovës, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kur themi të Kosovës, përfshihen të gjitha trojet shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Andaj, edhe sigurimi i biletave u vështirësuar. Megjithatë, disa nga ne, ikanakët e vonshëm, kryesisht, studentë, arritëm t`i siguronim biletat.
     Shfaqjet e Ansamblit shtetëror, gjithëherë shoqëroheshin me një solemnitet të veçantë, ku të pranishëm ishin edhe ndokush nga byroistët e partisë-shtet. Edhe asaj mbremje ashtu ndodhi. Përgaditja profesionbale, këndim e vallëzim, ishte harmonizuar mjeshtërisht. Krejt në fund të programit, moderatorja prezanton  praninë e dy artistëve kosovarë dhe i ftonë në skenë.
     Dalja në skenë e Nexhmije Pagarushës ishte hyjnore. Atëbotë, 37 vjeçare, gjithë sharm e bukuri, rrezatonte mirësi e fisnikëri të pafundme. Përformimi skenik, inteligjenca, ngrohtësia interpretuese, finesa e papërsëritshme, të harmonizuara me hijeshinë e pashoqe, maxhepsën publikun e shkolluar  dhe buzëhollë, me sqimë të Tiranës. Përshëndetja, sa përulëse, aq edhe krenare, falenderuese për duartrokitjet e stërzgjatura të artdashësve metropolian, të Nexhmijës, jo vetëm për nga ndjesia, por edhe nga shkëlqimi i skajshëm, ishte risi në këtë skenë artistike. Në fjalët që i dilnin nga mendja dhe zemra – njëherësh, përçoi mesazhin e mallit dhe të dashurisë së shqiptarëve të Kosovës, për Shqipërinë nënë. Publiku, i prekur në ndjesinë vëllazërore, shpërtheu në duartrokitje. Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë.
     Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, këndoi tri këngë, nën shoqërimin me def nga Zef Tupeci. Nga salla u përsëritën, si në kor, “Baresha, Baresha!” Por, përgjigjia ishte vetëm buzëqeshja e ëmbël, plot keqardhje, e Nexhmijes. Jashtë sallës u tha se mungonte orkestrimi shoqërues muzikor. Por, më shumë u përfol, në surdinë, se “ishte jashtë standardit ideologjik komunist”, për kohën, hapësirën, vendin, Shqipërinë tonë supër-staliniste!
     Dëshira e ikanakëve shqiptarë të Kosovës, të ardhur në Shqipërinë e vjetër dhe të re, për t`u takuar e përshëndetur me binomin artistik, Nexhmijen dhe Zefin, mbetën pengu  i tyre. Viti 70-të, ishte shumë herët, një komunikim mes shqiptarëve, në të dy anë e kufirit. Shoqërimi i rreptë nga salla në Hotel “Dajti”, me hyrje të ndaluar për të pa autorizuarit, pamundësonte komunikimin. Kjo vlente edhe për Profesor Eqrem Qabejn dhe shkrimtarin Jakov Xoxa, kur prisnin në Lulishtën “Rinia”, përballë “Dajtit”, për t`i takuar absolventët e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin, në vizitën e tyre të parë në Shqipëri, më 1971. Madje, edhe për këtë lloj takimi, kërkohej leje përkatëse.
     Ritakimi i Nexhmije Pagarushës me këngëtarën Fitnete Rexha, ishte emocional. Familja Pagarusha, në vitet `40-a, kishin qenë fqinj me banim në Tiranë. Dhe, ishin pritur e trajtuar me përzemërsi nga Familja Rexha. Babë Rexha, siç e thërrisnin tiranasit dhe më gjerë, ishte njeri i zëshëm. Ai u vra më 1946.
     Me rastin e tërmetit në Durrës e Thumanë, u fol shumë për mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës, madje, “me epërsi, krahasuar me shqiptarët e Shqipërisë londineze!?” Në tej 70 viteve jetë, më shumë të jetuara në Shqipëri, se sa në Kosovë, mendoj se është e kundërta. Mikpritja e Shqipërisë së vjetër, me gjithë varfërinë e skajshme, dikur, është proverbiale. Shqiptarët atje janë shumë më afër Kanunit, traditës shqiptare. Gajreti i shqiptarëve londinezë, tejkalon atë të shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kjo është provuar që nga pritjet e refugjatëve masivë të shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare, pas Lidhjes të Prizrenit si dhe përgjatë dekadave të mëvonshme, me shpërnguljet dhunëshme, nga trojet e tyre lindake.
         Ligësia irrituese e shpifësve
     Në ditën e varrimit, në ditën e zisë kombëtare, kur arkmorti, me trupin e pajetë të Nexhmije Pagarushës, bartej bulevardit të Prishtinës, gazetari Reshat Sahitaj, nga Brukseli, villte vrerë për simbolin e dashurisë së popullit, kur shqiptarët e kudondodhur, me lot e dhimbje, po i jipnin lamtumirën e fundit! Përçudshëm, si e pikasi, pikërisht, këtë ditë, për lansimin e një shpifje të madhe, kundër Nexhmijës!?
     Gazetar Reshati na kujton ndoca biçim “inelektualë” në vitet `60-a, të cilët në vend të mburrjes me zërin, këngën, artin e Nexhmije Pagarushës, e përcillnin me shpifje e denigrim, vese këto të provincialëve profanë. Në mes tjerash, llapaqenët llomotisnin se Nexhmija vizitat mjekësore i bën ke doktori gjinekolog serb. Për hir të vërtetës, mjekësia, qoftë edhe ajo e bërë nga doktorët serbë, ka qenë shumë korrekte. Shkrimtari Gorki shkruan: “Mos mohoni gjithëçka tek tjetri, sepse rrezikohesh të të mos të besojë askush për asgjë”.
     Ndoshta, si rrethanë lehtësuese për gazetarin Sahitaj, mund të shërbejë çekuilibrimi i tij, edhe në dy raste paraprake:
     1) Për ta arritur, pa meritueshëm, ndihmën sociale belge, bëri veprime spektakulare publike jo normale, njëjtë sikur ndoca “politikanë” të Kosovës dhe të Maqedonisë, në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, më vonë “komandantë të UÇK-së!!”
     2)  “Vehbiu donte ta helmonte Beogradin e Kralevën”, duke helmuar ujin e pijshëm, shkruante, dikur, Reshat gazetari. Por, helmimi masiv është hiç më pak se terrorizëm. Rrjedhimisht, ai e justifikon vrasjen e Vehbi Ibrahimit nga Serbia, sot dëshmor i Kosovës.
     Zot, na ruaj nga shpifësit e çekuilibruar!

20 SHKURTI DITA – KUR ZUNË FILL SHPRESAT – Nga EUGJEN MERLIKA

Kaluan njëwzetenëntë vite nga 20 shkurti 1991, një ditë e ftohtë por plot diell,  kur populli i Tiranës u derdh si një ortek në sheshin Skënderbej duke ju sulur  me furi simbolit më të dukshëm që epoka komuniste, në perëndimin e saj, ruante ende të paprekshëm, monumentit të Enver Hoxhës. Ishte pika kulmore e një proteste popullore që vlonte prej muajsh dhe e një mllefi të shtratifikuar gjatë një gjysëm shekulli. Duke parë “Perëndimin e Zotave” në gjithë Lindjen socialiste banorët e kryeqytetit shqiptar, nëpërmjet rrëzimit dhe tërheqjes zvarrë të monumentit, shpallën një mesazh historik të rëndësishëm. Ata treguan se me te vërtetë shqiptarët ishin të fundit në ish kampin socialist që mbajtën të ngrehur një sistem të falimentuar, por që mbeteshin evropjanë e nuk donin të rrezikonin  më të ardhmen e tyre me një përvojë që i mbante të lidhur me Kubën, Kinën, Korenë e Veriut apo Vietnamin.

Në sytë e pjesës më të madhe të shqiptarëve ajo ditë shënonte “kalimin e Rubikonit”, fillimin e një epoke tjetër, që nuk do të mbante më në stemat e saj drapërin e çekanin, simbolet e pushtetit të sovjetëve, shënonte agimin  e ditës së shpresave të mëdha për një Shqipëri të lirë, demokratike, të hapur, të përparuar e të begatë. Për të ushqyer iluzionet në këtë rilindje të Shqipërisë duhej rrëzuar monumenti i Enver Hoxhës dhe gjithshka simbolizonte ai në kuadrin e një epoke historike, së cilës ai kishte patur meritën t’i jepte emrin e tij, epokës gati gjysëm shekullore të komunizmit në këtë Vend. Për fatin e keq të Kombit shqiptar ajo epokë e çoi Vendin në një rrënim të gjithanshëm nga pikpamja ekonomike, shoqërore e politike krejt në kah të kundërt me atributet që duhet të kishte Shqipëria për t’u bërë si gjithë Europa, siç uronin parullat entuziaste të rinisë heroike studentore.

Në emër të ideologjisë leniniste staliniste, të bazuar mbi urrejtjen dhe famëkeqen “luftë të klasave” ajo epokë e shndërroi Vendin në një kamp të stërmadh terrori, të mbarështuar nga Sigurimi i shtetit. Në emër të një doktrine ekonomike absurde e të dështuar  ajo epokë e çoi Shqipërinë në një prapambetje proverbiale e në një varfëri të theksuar, gjë të cilën e konstatuan menjëherë qindra mijra shqiptarët, që në këto vite patën mundësi të shohin e të njohin standartet  e zhvillimit të vendeve që patën fatin e mirë të mos provonin në kurrizin e tyre efektin dhe pasojat e  “socializmit real”. Në emër të idealeve komuniste dhe projekteve  donkishoteske   të     ndërtimit   të “ botës së re” e  ” të njeriut të ri”  ajo epokë e ktheu Shqipërinë në një kullë  mesjetare frymëmarrëse, pa dyer e dritare, pa kontakte me botën e qytetëruar, pa liritë më parësore, pa të drejtën për të besuar e për të lutur as edhe Perëndinë. Në emër të moralit komunist u luftuan sistematikisht pa mëshire traditat shekullore të tabanit shpirtëror të shqiptarëve, duke dëmtuar rëndë strukturën morale të një shoqërie, që megjithëse e prapambetur për arsye të njohura historike, mbetej mjaft e qëndrueshme në vetvete e garantonte mbijetesën dinjitoze dhe në ballafaqimin e mundshëm me një botë të globalizuar në të cilën përparimi ekonomik nuk shkon gjithmonë në të njëjtin hap me ruajtjen e vlerave.

Rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist shpejtoi proçeset e ndryshimeve politike në Vend. Duke hartuar e zbatuar një strategji të stërholluar, që kishte si synim ndryshimin e paevitueshëm të sistemit në shumë përbërës të tij por dhe ruajtjen e pozitave zotëruese të shtresës së privilegjuar të tij në fushën ekonomike, kulturore e politike, klasa drejtuese e atëhershme ndofta dhe për një llogari të thjeshtë, lidhur me pasojat e mundëshme të një përsëritjeje të “ dhjetorit rumun”, i pilotoi  ngjarjet larg një gjakderdhjeje të mundëshme. Sigurisht ky fakt mbetet pozitiv për ecurinë e ngjarjeve, pavarësisht nga motivet përcaktuese, por ai barti në vetvete farën e një periudhe të tejzgjatur kalese, në të cilën shumë dukuri nuk morën drejtimin e duhur.

Vitet që pasuan atë ditë shkurti  të 1991, kur u duk se “qiejt u hapën” e flladi i lirise  filloi të frynte mbi tokën arbërore, a i justifikuan shpresat e atyre dhjetra mijrave në sheshin Skënderbej dhe qindra mijra të tjerëve në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë? Po të gjykohet objektivisht duhet pranuar se përgjigja e pyetjes i ngjan gotës gjysëm të mbushur me ujë, e cila për dikë është gjysëm plot e për të tjerë është gjysëm bosh. A është sot Shqipëria, në të cilën nuk ushqehet më kulti i Enver Hoxhës dhe i “mësimeve të tij”, një Vend i lirë, demokratik, i hapur ,i përparuar e i begatë?

Numuri i pafund i partive politike, shumëllojshmëria e organeve të shtypit e përhapësve radiotelevizivë, qindra mijra shqiptarë që sot kanë marrë rrugët e gjithë globit në dukje pohojnë praninë e një demokracie të hapur e të një Vendi të lirë. Moria e banesave, dyqaneve, bareve, restoranteve etj., që janë ngritur e vazhdojnë të ngrihen krijojnë përshtypjen e një Vendi që vrapon drejt një objektivi  begatie. Të gjitha këto janë rezultatet e nismave të vetë shqiptarëve e sigurisht vërtetojnë përparësitë e një sistemi larg skemave të ngrira të sprovës pesëdhjetvjeçare komuniste.

Krahas këtyre arritjeve vërehen dukuri që prishin përfytyresën e Vendit e që jane simptomat patologjike të një demokracie shtatanike e të sëmurë. A mund të quhet i lirë një Vend, në të cilin, ende mbas gati tridhjetë vjetësh, ka si problem thelbësor pamundësinë për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme?  A mund të quhet me të vërtetë demokratik një Vend ku qytetari përballohet me korrupsionin e pandëshkuar në të gjitha  nivelet e Shtetit, duke pësuar mbi shpinën e tij të gjitha pasojat ogurzeza t’asaj dukurie të shëmtuar?  A mund të quhet e hapur në kah pozitiv një shoqëri në të cilën qarkullojnë të gjitha llojet e trafiqeve të paligjëshme, që nga droga deri “eksporti” i vajzave për t’u“ punësuar” në trotuaret e Evropës? A mund të quhet i përparuar një Shtet në të cilin eksporti i prodhimit vendas ze një vend të papërfillshëm në krahasim me importin e mallrave të huaja e në të cilin potenciali i vërtetë ekonomik i Vendit mbarështohet keq e nuk sjell frutet e pritëshme? A mund të quhet i begatë një Vend në të cilin shifrat e papunësisë janë në nivele shumë të larta e në të cilin pensione e rroga urie përballohen me çmime tregu herë herë më të larta se ato të Vendeve Perëndimore?

Përgjigja e këtyre pyetjeve, nënkuptohet, nuk përkon me aspiratat dhe shpresat e atij populli që njëzetenëntë vite më parë rrëzoi monumentin e Enver Hoxhës. Iluzioni se rrëzimi i pushtetit komunist mjaftonte për të sjellë automatikisht Shtetin ligjor, demokratik e të begatë pati jetë të shkurtër. Megjithatë kjo nuk zbeh aspak madhështinë e asaj dite që hyri me forcë dhe autoritet në historinë e Kombit tonë si një ditë e shënuar, dëshmi e aspiratave demokratike të shqiptarëve, e hedhjes poshtë të një sistemi shoqëror të bazuar mbi dhunën, gënjeshtrën dhe urrejtjen, një sistemi që i shkaktoi Shqipërisë shumë dhimbje e plagë ende të pashëruara. Si e tillë ajo duhet të festohet nga të gjithë shqiptarët në të njëjtin nivel që festohet 28  nëntori sepse, megjithë rezultatet e deritanishme, mbetet një datë që simbolizoi shpresën në të ardhmen, shpresën e tyre që t’a shohin atdheun si Vendet e përparuara të kontinentit të cilit i përkasin.

 

                                                                                                                                       Shkurt 2000

Prap ose sërish e kam fjalën mbi njeriun, kompleksin e Edipit dhe ndjenjën e harresës ose vetmisë së madhe! – Nga AGRON SHABANI

 

Sociofilozofët dhe sociopsikologët e specializuar dhe kompetent e përdorin shpesh një maksimë ose metaforë të njohur sipas të së cilës: Të marrët, të paditurit, budallënjët ose injorantët, e kanë shumë më lehtë për t’u shitur ose imponuar si të ditur, të mençur ose njerëz të çmuar dhe të rëndësishëm, se sa njerëzit e ditur dhe të mençur për t’u bërë të marrë (budallë), të paditur, injorant, intrigant, horra dhe maskarënjë. Përse (pse) kjo? Sepse, njerëzit e mençur, të ditur, të urtë dhe me përvojë, e dijnë se nuk dijnë dhe ende (akoma) kanë nevojë të mësojnë dhe kuptojnë. Ndërkaq, të paditurit, të marrët (budallënjët), injorantët, horrat dhe maskarënjët, nuk e dijnë dhe s’e pranojnë kurrè se nuk dijnë. Janë kokëfortë, trutrashë, xheloz, hakmarrës, stupid, nebuloz, prepotent, injorant, intrigant, introvert, flegmatik, melankolik, dubioz,, iracional, emocional, diabolik, skizofrenik, oligofrenik, egocentrik, paranoid, komplotist, filister, mizantrop, demagog, dogmatik, hipokrit, hipnotik, kompleksiv, narcisoid dhe fanatik të përbetuar-deri në kulm. Nuk i njohin dhe s’i pranojnë vërejtjet, këshillat, sugjerimët ose rekomandimët e të tjerëve. Janë të dashuruar së tepërmi në ‘egon’ ose ‘libidon’ e tyre destruktive, dekonstruktive, iracionale dhe negative.
Se këndejmi, ndodhën ose ekzistojnë narcizmi dhe egocentrizmi libidorë, destruktivë, dekonstruktivë, instiktivë, inhibilitivè, paranormal, imagjinar, fiktivè, iracional ose negativë, si dhe ai normal, racional dhe pozitivë.

Në këtë prizëm, në kuader të studimëve, analizave, anamnezave dhe hulumtimëve të njohura shkencore dhe metodologjike të “Robinson Krusove”, ” Zoon-Politikokonëve”, “Homo-Politicusëve” ose “Homo-Ekonomicusëve” të ndryshëm në kohë dhe hapësirë; gjegjësisht, qarqëve, strukturave, “elitave” ose “par exelencave” të ndryshme shtetërore, qeveritare, politike, diplomatike, policore, ushtarake, fetare, kulturore, informative, sociale, societale, ekonomike dhe të tjera që kanë për qëllim studimet, analizat, anamnezat ose ekzaminimet e njohura mbi “kosmosin” ose botën e brëndshme shpirtërore, emocionale ose mentale- psikologjike të personit ose individit: Ndodhën te parapara dhe prognostifikuara edhe përceptimet, akceptimet, anticipimet dhe justifikimet e njohura teorike dhe praktike mbi interferimet, ndikimet dhe reflektimet e tyre në pothuajse të të gjitha zhvillimët, procesët, trendët, fenomenet , paradoksët ose turbulencat e ndryshme shoqërore, qytetare, kulturore dhe politike. Sidomos në marëdhëniët, raportët ose relacionet e njohura personi (individi)- prindërit- familja- grupi- mjedisi ose ambienti jetësor, shoqëror, kulturor, politik etj.

Ç´është e vërteta, psikologjia e njohur kognitive, përceptive, funksionale dhe aksionaliste mbi personin ose individin, në fokusin dhe agjendën e saj kryesore ose substanciale e ka pikërisht njeriun, gjegjësisht personin ose individin. Respektivisht, studimet, hulumtimët ose analizat e njohura shkencore dhe metodologjike me anë të të cilave një person ose individ i caktuar shoqeror, qytetar ose politik, mund t´i realizoj kërkesat e tij objektive dhe subjektive. Përkatësisht, qëllimet, idealet, vizionet ose pretëndimet e tij individuale dhe kolektive.

Max Weberi në kuader të veprave të tij të shquara si ” Etika Protestante” , “Shkenca si thirrje” , ” Politika si thirrje” etj. : Konstaton faktin e mesipërm sipas të të cilit pothuajse të gjitha zhvillimët, procesët, dukuritë, reaksionët ose fenomenët e ndryshme shoqërore ose qytetare ( qofshin ato negative ose pozitive)-në radhë të parë janë pasoja, rezultate, indikacione ose predikacione të pashmangshme (eskternre ose eksplikative) të natyrës dhe krakterit të lartëpërmendur të personit ose individit. Duke i përfshirë dhe nënkuptuar në vazhdim edhe aksionet dhe reaksionet (reagimet) e qëllimshme dhe racionale në raport me qëllimet ose idealet e njohura objektive dhe subjektive të personit ose individit, gjegjësisht,,aksionet individuale ose kolektive, aksionet ose reagimet e ndërgjegjshme, morale, humane, reflektive, afirmative dhe të tjera, aksionet ose veprimët e njohura shtetërore, kulturore, institucionale, konstitucionale, politike, aksionet ose reagimet tradicionale, empirike, evolutive, rekonstruktive, diakronike, pradigmatike dhe të tjera, aksionet logjike ose intelegjente, aksionet ose veprimet e njohura shkencore, akademike, pedagogjike dhe të tjera, aksionet ose reaksionet e ndryshme shpirtërore, emocionale, negative, iracionale, imagjinre, fiktive, indikative, simptomatike dhe shumë të tjera në këtë sfond.

Ndryshe nga kjo, në “kosmosin” ose botën e c´rrugulluar shpirtërore, emocionale, mentale ose psikologjike të personave ose individëve të ndryshëm me të meta ose aftësi të kufizuara shpirtërore, emocionale, mentale, psikologjike, intelektuale ose profesionale, gjithëmonë ose vazhdimisht sikur ndodhën “ai, ajo, ata, ato” apo një “dikush tjetër” si rival, si kundërshtar apo si armik latent dhe përmanent tè një “bote” imagjinare ose fiktive të stërmbushur dhe mbingarkuar me “forcë” ose “energji të madhe” iracionale dhe negative!

U mor vesh se urrejtja, xhelozia, mosdurimi, mosbesimi, paranoja, fobia, skizofrenia, padituria, egopatia, idiopatia, psikopatologjia objektive dhe subjektive, frika ose dyshimi latent ose permanent, vullneti për hakmarrje ose ndëshkim së bashku me nebulozën, mediokritetin, analfabetizmin dhe format tjera devijante dhe eskalative, paraqesin disa nga faktorët e shumtë determinant ose paradigmatik në kuader të kriminalogjisë dhe psikopatologjisë së përgjithshme sociale, institucionale, konstitucionale, funksionale, kulturore ose politike të personit ose individit. Ndërkohë që anomalitë ose psikopatologjitë e mesipërme individuale ose personale-janë fajtorët ose armiqtë kryesor të progresit, humanizmit, drejtësisë, barazisë, edukatës, kulturës, emancipimit, bashkëjetës, koekzistencës dhe harmonisë së përgjithshme njerëzore (qytetare) dhe politike në gjitha shtetët ose shoqëritë e ndryshme gjithandej globit.

Ndaj, mu për këtë, sipas antropologjisë dhe psikologjisë politike: Si të thuash të të gjitha anomalitë, patologjitë, mediokritetët, turbulencat, fenomenët, reaksionet, destruksionet ose dekonstruksionet e ndryshme shoqërore, qytetare ose politike në kontekstin e mesipërm reaksionar ose negativë të shtetit dhe shoqërisë, në radhë të parë janë produkte ose rezultate të ndryshme objektive dhe subjektive, gjegjësisht, interferente, eksterne ose eksplikative të natyrës dhe karakterit të përgjithshëm shpirtërorë, emocional, mental ose psikofizik të një personi ose individi të caktuar shoqërorë ose politik. Ashtu siç mund të jenë procesët, zhvillimët ose fenomenët e mesipërme në anën tjetër, edhe e kundërta e tyre. Gjegjësisht, si indikatorët ose predikatorët me të rëndësishëm ose kryesorë të stabilitetit dhe instabilitetit ( jostabilitetit) të përgjithëshëm individual dhe kolektivë.

Personat ose individët e afektuar, kopmleksivë, sugjestivë, paranojak ose malicioz, e kanë një dozë të konsiderueshme të urrejtjes, xhelozisë, cinizmit, injorancës, narkolepsisë dhe melankolisë në bebëzat e syve, në majë të gjuhës ose flegëra të buzëve. Flasin me dridhje të zërit ose me ton të lartë, vazhdimisht shikojnë në një pikë ose objekt të padukshëm, penetrojnë ose frekuentojnë në mes botës shpirtërore ose emocionale dhe botës imagjinare ose fiktive. Me tepër janë iracional, subjektivë dhe sugjestivë, se sa racional dhe objektivë. Kur shkruajnë diçka në faqe shtypi ose në gazetë: shkrimët ose artikujt e tyre me tepër ngjajnë në grumbull ose renditje asimetrike fjalësh si në fjalëkryqin nordikë ose skandinavikë, se sa në vlera, parime, kontura, vizione, ideale, përceptime dhe postulime të njohura intelektuale, profesionale, shkencore ose humaniste. Kanë marëdhënie abstrakte, absurde, instiktive, imagjinare ose fiktive me të panjohurën dhe të padukshmën. U pëlqen të flasin ose të shkruajnë për ngjarje, zhvillime ose tema të mëdha. Mundësisht edhe me nga dy-tre emra ose tituj të ndryshëm si “dr.mr.sc filan fisteku” ose “prof. doc. x-ypsiloni” etj. Ndërkohë që njerëzit e ditur, të mençur, të zgjuar dhe ekselent, janë të thjesht, modest, shoqërorë, social, konvencional, integral, tepër mirënjohës dhe të respektueshëm. E jo me koplekse të theksuara inferioriteti dhe malicioziteti të tipit ose profilit të njohur edipian ose psiko-erotik.

Sërish mbi kompekset e Edipit dhe ndjenjat e harresës ose vetmisë së madhe shpirtërore, emocionale, mentale ose psikologjike:

“Njeriu është gjithnjë ajo qenie që shqetësohet, përplas këmbët në tokë me nervozizëm, i shkulë flokët, vallëzon kur bien daullet, dridhet, ekzaltohet kur bie boria…dhe ka marrëdhënie me të padukshmen dhe të paekzistueshmen.” Edgar Morin, “Hyrje në një politikë të njeriut”

Ndjenja e vetmisë, injorancës dhe harresës individuale ose kolektive nga të tjerët, nuk është thjeshtë fenomen i të vetmuarit. Jo. Por, rasti i vetmisë, injorancës ose harresë së përbashkët globale ose kolektive, është një ndjenjë dhe përjetim i keq që shfaqet ose manifestohet në raste kryesisht të pavolitshme ose që përjetohen si të tilla ; si për shëmbull: në raste tragjike dhe në raste të ndryshme si në luftë, sport, politikë, diplomaci, aksione bamirëse ose karitative etj.
Vetmia e grupit (dy e më tepër persona), është thellësisht ndjenjë që lindë nga situata e ndërlikuar që ngrenë ngulmin e trishtimit dhe nxitë frikën e zhdukjes fizike të një personi ose grupimi të caktuar shoqërorë, qytetar ose politikë të cilët ndjehën të harruar, shpërfillur dhe tradhëtuar nga të tjerët : nga bashkëluftëtarët, nga eprorët, nga partia, nga elektorati i tyre, nga miqtë dhe aleatët politik ose ushtarak e kështu me radhë. Kjo vetmi shëndrohet edhe në kompleks të masave të gjëra qytetare ose popullore. Në sindromë ose kompleks të madh inferioriteti dhe malicioziteti-përballë të tjerëve. Një popull ose komb i tërë kaplohet nga ndjenja e harresès, vetmisë dhe pasigurisë individuale dhe kolektive (në raste specifike) të krijuara nga një politikë e keqe e pushtetit, nga lakmuesit për pushtet si dhe nga shtete të tjera, me bllokada, izolime, shantazhe, presione ose shtypje të llojeve të ndryshme.

Faktorët e mundshëm determinant ose paradigmatikë, në këtë kontekst paradoksal dhe tepër dubioz e anakronik, janë të shumtë. Kjo duke filluar nga sindromet ose komplekset e Edipit, për të vazhduar me sferat e ndryshme të kompleksëve të inferioritetit dhe maliciozitetit të përgjithshëm shpirtërorë, emocional, mental ose psikofizik, psikosocial, intelektual, profesional etj.

Ndaj, a mund dhe si mund të përkufizohet me psikologjinë politike shpjegimi i ngjarjeve individuale dhe kolektive në bazë të inkubacionëve ose motivacionëve të ndryshme shpirtërore, emocionale, mentale ose psikologjike? Sidomos i atyre mendore ose logjike? Mbase, studimi ose analiza e motivimeve të brendshme me refktime tè jashtme të të vepruarit ose reaguarit politik.
Kontributi i parë vendimtar i këtij lloji është vepra e Gustav Lë Bonit (1841-1931) “Psikologjia e turmave” e vitit 1895. Ky dijetar ose mendimtar i njohur franko-gjerman ishte tejet i goditur dhe emocionuar nga turmat revolucionare të vitit 1789, sidomos ndaj atyre të “Komunës” së Parisit të vitit 1871, si dhe të të viteve të mëpastajme ose pasuese. Ai vërente tek turma spontane një sugjestionizëm të konsiderueshëm reciprok të tipit hipnotik ose paranojak me shfaqje trishtuese ose paraboliko-diabolike të profilëve të ndryshme ataviste ose primitiviste në të cilat, të gjitha emocionet dhe ndjenjat fashiteshin. Fitej për frikën, për forma entuziazmi, për manifestime agresiviteti, apo mbi kurajon përballë zhfukjes ose rrezikut. Mbizotërimi i impulseve iracionale dhe negative, i lidhur dhe motivuar shpesh me aksione hipnotike dhe tepër radikale ose brutale nga ana e “apostujve të lirisë” dhe agjitatorëve të tyre që i kishin bërë turmat të pandërgjegjshme dhe iracionale përballë njerëzve të aftë ose tè pushtetshèm si dhe eksponentëve e komponentëve të veçantë të atyre procesëve revolucionare ose post-revolucionare etj.

Siegmund Freudi (1856-1939), themeluesi i psikoanalitikës, ndjeu nevojën të konfrontohej me Lë Bonin, kur shkroi librin e tij “Psikologjia e masave dhe analiza e Un-it” (1921). Një problem themelor me të cilin ai duhej të përballej ishte si më poshtë: Lë Bon kishte folur dhe shkruar mbi një psikologji të tipit kolektivë, që qëndronte në vend të asaj personale, të ndërgjegjshme dhe racionale. Natyrisht, Frojdi (Freudi) nuk kishte asnjë vështirësi që të pranonte rolin vendimtar të pandërgjegjëshmerisë objektive dhe subjektive në qëndrime të caktuara, por nuk mund të pranonte fajin kolektiv ose pjesën kolektive si element të veçantë dhe për pasojë vendosmërinë mbipersonale të veprimeve të individëve. Në fakt, në vizionin e tij, e pandërgjegjëshmja ose sistemi psiçik autonom, i lindur tek çdo njeri si dhe i karakterizuar nga një lloj energjie e drejtuar dhe burimuar prej “egos”, “libidos” ose vetkënaqësisë së pastër personale që interferon dhe reflekton drejtpërsëdrejti edhe në atë seksuale ose erotike (epshet), është natyrisht individualiste dhe tepër egoiste në esencën ose substancën e saj, thoshte Frojdi.

《 Si pèr çudi tè pashkruar ose tè pathènè asgjèkundi, pushtetèt ose qeveritè e ndryshme nè Kosovèn e paraluftès dhe pasluftès, me tepèr kane qenè afektive, instrumentale, subjektive, sugjestive, hakmarrèse ose revanshiste ndaj njèra tjetrès, se sa tè dobishme, konvdncionale, integrale dhe efektive pèr
opullin dhe shtetin kosovar.》

Ndaj, për pasojë, nëse ka diçka morale dhe normale në fushën ose terrenin e arsyes dhe ndërgjegjjes, sipas Frojdit (Freud) është pikërisht përvoja bazë e të pandërgjegjëshmes ose iracionale – përreth të së cilës gjithëçka nga “parimi edipian” duhet të rrotullohet ose rrokulliset në raport me figura prindërore. Sidomos në marëdhëniet ose raportet protofëminore kundrejt nënës, të cilën vogëlushi (Edipi) do kishte deshirë të donte ose dashuronte në mënyrë ekskluzive dhe ndjenja dashuri-urrejtje kundrejt babait, që e nënshtron nënën e tij (Jakosten) si kompeks malicioz dhe surrogativ. Një baba i ndjerë, njëherazi edhe i plotfuqishëm, shumë i dashur, por edhe armik, si babai i Edipit (Laji). Domethënë “kompleksi evolutivë” i Edipit i cili rreth moshës pesëvjeçare, duhet të tejkalohet. Kuptohet, nëse incesti ose inçestuoziteti i pandërgjegjshëm ndaj nënës dhe dashuri-urrejtja ndaj babës (babait) nuk kalojnë në ndonjë proces të pandërgjegjshëm, iracional ose neurotiko-hipnotik, ku personi ose individi, të lënduar ose plagosur dikund thellë edhe psiçikisht, edhe shpirtërisht ose emocionalisht, do ngelin të atillë deri në tejkalimin eventual të bllokadës foshnjore ose fëminore që ka bllokuar zhvillimin normal të psiçikës së tyre drejt heteroseksualitetit dhe përtej incestit fëminor.
Si të shpjegohen atëhere fenomenet e shpërthimit të pasionit të verbër të njeriut “në turmë” përshkruar nga Lë Bon? Frojdi merrej jo vetëm me turma spontane, por edhe me ato “artificiale” të cilat nga të tjerët u quajtën instanca ose kolektivitete të organizuara si kisha, ushtria, xhandarmaria (policia) etj. Kështu, Frojdi thotë se ajo që e mban së bashku një tërësi ose kolektivitet të tërë, nuk është sugjerimi i thjeshtë hipnotik (një fenomen sipërfaqësor dhe i derivuar), por, investimi epshor ndaj figurave të dashura ose jo të dashura nga të gjithë, që përbëjnë një surrogato të babait të madh për fëmijët e vegjël, që e adhurojnë, e ndjejnë të gjithëfuqishëm, ia kanë frikën shumë, por ndërkohë ndjehen edhe të mbrojtur nga ai ose nga ata. Prej dashurisë për shefin e idealizuar, ndjekësit dhe viktimat duan njëri-tjetrin.
Ndërkaq, Uilliam Rajhu (1897-1957) pos tjerash thekson se njeriu tradicional i çfarëdolloj shtrese ose kategorie qytetare ose politike qoftë ai, sidomos njeriu aristokrat, mikroborgjez ose edhe makroborgjez, është seksualisht një fëmijë i frenuar prej edukimit kristian (nga njëra anë) si dhe prej familjes monogamike (nga ana tjetër), që e shtyjnë ta konsiderojë erotizmin spontan si një të keqe, duke e ekzaltuar ose erotizuar ndrydhjen ose vetështypjen e instikteve dhe spontanitetit të tij. Ndërkohë që shtypja nuk e tejkalon kurrë kompleksin evolutiv të Edipit, siç duhet të bëjnë fëmijet brenda pesë ose gjashtë vitëve të moshës së tyre.
Kjo gjendje varësie e ekzagjeruar dhe glorifikuar me figura prindërore të absolutizuara dhe mitizuara nga brenda (si babai nga fëmija i vogël), për Rajhun është e lidhur edhe me maskilizmin dhe patricentrizmin e qytetërimit tonë nga parahistoria e deri më sot.
Një situatë e tillë do ishte e kundërta e atyre të fillimeve të njerëzimit, që për Rajhun karakterizohej nga bashkësia e të mirave materiale si dhe nga matriarkati, me përzierje të lidhura me patriarkatin dhe lirinë seksuale ose erotike. Rajhu gjithashtu thekson se gjatë shekujve të fundit, Zoti “baba”, gjithnjë e më shumë e ka humbur besim dhe ndikimin e tij. Edukata dhe kultura shkencore, materiale, revolucionare, evolutive ose feministe, ia kanë minuar prestigjin dhe besueshmërinë. Familja monogamike e mbyllur në mënyrë paralele asokohe kishte hyrë ose ishte futur në krizë si pasojë e goditjeve të dhëna ndaj “rendit” borgjez nga ana e lëvizjeve popullore e proletare, revolucionare, feministe, bieohorviniste dhe sindikaliste gjithandej globit.

Përderisa analiza e Rajhut është seksiste, po aq sa është edhe ajo e Frojdit, tek Alfred Adleri (187O-19÷7) gjejmë një parashtrim ose narrativë që vendos në qendër problemin e njohjes së individit nga ana e kolektivit, instancë njohjeje komunitare që mund të përmbledhë pjesë të vullnetit, apo të fuqisë të tipit neurotiko-hipnotik. Për Alfred Adlerin, përveç tjerash, njeriu është një qenie sociale dhe komunitare, i destinuar të jetojë në komunitet. Problemi i socializimit ose pëlqimi pa rezerva i frustrimeve në grupin ku jeton, është për individin problemi vendimtar i ekzistencës.
Por çdo inferioritet, qoftë ai edhe i gjymtyrëve ose organeve, apo, madje vetëm i supozuar ose imagjinar dhe fiktivè, e bën të vështirë integrimin e tij racional dhe pozitivë me të tjerët. Atëhere individi hasë një një psikozë ose neurozë, të lidhur me kompleksin e inferiotitetit ose maliciozitetit. Për kompensim të këtij kompleksi, branda personit ose individit të prekur nga sindromi i kompleksëve të inferioritetit, zhvillohet një vullnet i ekzagjeruar fuqie, duke besuar dhe duke kërkuar t´i bëjë të besojnë të tjerët, për të lehtësuar shqetësimin dhe sidomos për të tërhequr simpatitë e të tjerëve. Por kjo normalisht se e largon akoma më shumë nga të tjerët, duke e devijuar vullnetin e fuqisë së grupit. Adler e shpjegon një gjë të tillë sidomos tek “Rregullat dhe teoria e posikologjisë individuale” (1920). Fenomeni që ka të bëjë me shfaqjen e vullnetit të fuqisë politike, të lidhur gjithmonë me komplekse inferioriteti dhe maliciozitetit intelektual, profesional, psikosocial, psikofizik etj.

Se këndejmi, Erich From në veprën e tij me titull “Ikje nga Liria”, pos tjerash tjerash thekson faktin se speciet ose qeniet njerëzore janë të dedikuara, induktuara dhe deduktuara për të lindur dhe për të jetuar në komunitet, si kafshët në kope.
Së fundi, interesant dhe i ndryshëm është pozicioni i përpunuar nga Karl Gustav Jung (1875-1961), themelues i “psikologjisë analitike”, sidomos në dy vëllimet e veprave të tij, të titulluara “Qytetërim në tranzicion-periudha midis dy luftërave” dhe “Qytetërim në tranzicion pas katastrofave”: Ku pos tjeash thekson faktin se në psiçikën ose psikologjinë e njeriut, krahas një pandërgjegjshmërie të tipit individual, tek ‘fryti’ ose substrati i njohjes dhe kapërcimit të përvojave, sidomos fëminore – traumatike ose të papëlqyeshme, ekziston (ndoshta) në mënyrë absolute një pandërgjegjshmëri kolektive e llojit. Ne jemi të gjithë si të indentifikuar ose optikuar nga identiteti i species, nga e cila jemi një lulëzim i veçantë. Ndaj, secili prej nesh është i shikuar ose profilizuar nga joarsyeja dhe pandërgjegjshmëria e species, që Jungu e quan kolektive. Në një pandërgjegjshmëri të atillë kolektive, ekzistojnë shpërthimet që na karakterizojnë, si kafshë, por edhe si kafshë speciale (kulturore ose politike) nga njëra anë, si dhe nga instiktet e verbëra të seksit dhe fuqisë, tashmë të identifikuara, individualizuara dhe hetuara nga Frojd dhe nga Adler nga ana tjetër.
Pandërgjegjshmëria kolektive na flet përmes simbolesh fillestare apo arketipe (gjurmëve). Këto arketipe, që janë pothuajse rrënjët embrionale të pandërgjegjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë individuale dhe kolektive, shprehen në “ëndërra të mëdha”, të rralla, të pasura me mite dhe simbole të glorifikuara, valorizuara dhe ekzagjeruara, të përbëra nga histori të diktuara ose imponuara në ngjarjet, figurat
ose politikat e ndryshme ditore ose periodike që na impresionojnë thellësisht dhe që na kujtohen shumë gjatë ose vazhdimisht. Këto ëndrra të mëdha janë mitet tona të brendshme. Lidhur me këtë duhet kujtuar Gjorgj Sorelin (1847-1922), i cili pati theksuar se mitët qenë si ëndrra të mëdha individuale dhe kolektive me sy hapur. Me këto ëndrra të mëdha, joarsyia dhe pandërgjegjshmëria individuale dhe kolektive, penetrom, reagon, reflekton ose interferon edhe ndaj situatave në të cilat jetojmë si individë dhe kolektivitet. Dhe, sidomos si individë të zhytyr në mite, dogma, demagogji, hipokrizi dhe histori.

Serbia po rindez Bosnjën, BE merret me taksën e Kosovës – Nga SHABAN MURATI

Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër në Ballkan që diplomacia e BE të angazhohet seriozisht për rreziqet e luftrave, që po ndizen në Ballkan. Në datën 15 shkurt në Beograd lideri i të ashtuquajturës “serpska republika”, Milorad Dodik, duke pasur në krah të tij presidentin e Serbisë, A.Vuçiç, dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, njoftoi se do të organizojë referendumin e shkëputjes së entitetit serb nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës, akt që është një formë shpallje lufte. Një ditë më vonë ai shpalli se Bosnjë-Hercegovina nuk do të ekzistojë më në pranverën tjetër dhe madje u mburr se “as SHBA nuk do të na ndalojë dot”, (dhe nuk e përmendi Europën, të cilën duket nuk e ka në refene).

Në 17 shkurt në parlamentin e entitetit serb në Banja Luka, Dodik deklaroi solemnisht: “Goodbye Bosnja-Hercegovina!”. Kërcënimet e udhëheqësit separatist të serbëve të Bosnjës ishin konkretizuar në 12 shkurt me vendimin e organeve e entitetit serb për të ndërprerë dhe bojkotuar të gjitha institucionet e shtetit të përbashkët të Bosnjë-Hercegovinës në procesin e vendimmarrjes. Kjo do të thotë paralizë e funksionimit të shtetit, sepse dihet që në gjitha institucionet e shtetit të përbashkët vendimet duhet të merren me konsensusin e tre komuniteve shtetformuese.

Preteksti i separatistëve të “serpska republikës” për goditjen e re të tyre e re ndaj funksionimit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës në datën 7 shkurt për të rrëzuar si antikushtetues një ligj të parlamentit lokal të “serpska republikës” për tokën publike bujqësore, në të cilin shpallej se “serpska republika” është pronare e tokës publike në territorin e saj. Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës, mbështetur në Kushtetutën e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, e rrëzoi si të pavlefshëm ligjin lokal serb, duke shpallur vendimin që toka publike në territorin e Bosnjë-Hercegovinës është pronë e shtetit të Bosnjë- Hercegovinës dhe jo e entiteteve përbërëse të këtij shteti. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm, është një akt i drejtë ligjor, që përcakton pronësinë e pronës publike të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës në gjithë territorin e këtij shteti.

Autoritetet e “serpska republikës” u hodhën menjëherë në sulm kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse ligji i tyre lokal për të drejtën mbi pronën publike ishte hartuar në përputhje me vijën separatiste të entitetit serb. Në hartimin e ligjit lokal për pronësinë e entitetit mbi pronën publike autoritetet serbe u nisën nga dy qëllime të mbrapshta. Së pari, për të legalizuar pronësinë e entitetit serb në gjithë territorin e këtij entiteti dhe për të sanksionuar edhe ndarjen pronësore territoriale nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Qëllimi i dytë është që të legalizojnë shtetëzimin e paligjshëm dhe grabitjen e tokave të pronarëve boshnjakë dhe kroatë, të cilët janë dëbuar me dhunë nga pronat e tyre prej serbëve, prona që ndodhen aktualisht në territorin e “serpska republikës”.

Shqetësimin për karakterin antiligjor të ligjit lokal serb për pronën publike e ngriti i pari peshkopi katolik i Banja Lukës, Franjo Komarica, i cili i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për të ndalur zbatimin e ligjit për tokën në “serpska republika”. Peshkopi paralajmëroi se praktikisht po pushtohen tokat e atyre pronarëve, që janë kroatë dhe boshnjakë të dëbuar dhe pronarët po humbasin tokat e tyre brenda natës.

Bllokimi dhe paraliza e përgjithëshme e institucioneve shtetërore të shtetit të përbashkët të Bosnjë-Hercegovinës dhe kërcënimet për organizimin e referendumit të shkëputjes, janë një shkallë e re drejt ndezjes së konfliktit etnik dhe fetar në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi një avancim të rrezikshëm drejt një lufte lokale, sepse është e kuptueshme se çdo përpjekje serbe për të shkëputur pjesën e territorit dhe për t’ia bashkuar Serbisë nuk mund të kalojë pa luftë.

Në këtë situatë të re të rrezikshme u evidentua edhe njëherë lidhja e ngushtë e separatizmit të “serpska republikës” me shtetin e Serbisë. Serbia, e cila ishte agresori kryesor i luftës në Bosnjë në vitet 1991-1995, është protektori kryesor i gjithë veprimtarisë separatiste të “serpska republikës”. Jo rastësisht ekstremisti Milorad Dodik e shpalli nisjen e shkëputjes së “serpska republikës” në Beograd, duke pasur në krah presidentin e Serbisë, Vuçiç. Vetë presidenti Vuçiç deklaroi në krah të Dodikut se Serbia “mirkupton frikat e anëtarit serb të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Dodik, dhe të presidentes së “serpska republikës”, Zhelka Cvijanoviç, dhe kupton se çfarë impakti është për identitetin dhe pronën e “serpska republikës”. Pohim më të qartë për përkrahjen, që Beogradi po i jep kursit separatist të rrezikshëm të krerëve të “serpska republikës”, vështirë të gjendet.

Mbrojtja e re e hapur, që Serbia i dha rrezikut separatist të “serpska republikës” shkaktoi një dënim të forte dhe protesta në shtetin e Bosnjë- Hercegovinës. Në 16 shkurt kryetari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komsiç, gjatë vizitës në Vatikan, deklaroi se “Mesazhet e Dodikut nga Beogradi, ku shumë qartë dhe në mënyrë të paturpshme deklaroi se qëllimi i fundit i asaj politike është prishja e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të krijojë një Serbi të Madhe, për fat të keq nuk hasën ndonjë dënim nga presidenti i Serbisë, A.Vuçiç, por në një miratim të heshtur”.

Partia “Aksioni Demokratik” në Sarajevë në 16 shkurt publikoi një komunikatë, ku thekson se kërcënimet e Dodikut për secesion, të shprehura në Beograd në prani të presidentit të Serbisë dhe të patriarkut të kishës ortodokse serbe, edhe një herë u bënë me neglizhencën dhe pa distancimin e qartë nga Beogradi zyrtar. Në Sarajevë në 16 shkurt shoqata e njohur “Rrethi i Intelektualëve të Pavarur” publikoi një komunikatë, ku thekson se “qëllimet politike të aktorëve të prishjes së Bosnjë-Hercegovinës dhe të kolapsit të Malit të Zi, synojnë në arritjen e qëllimeve të papërfunduara të luftës. Qendra drejtuese e krizës aktuale në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Malin e Zi është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Serbia ka qëllimin e shkallëzimit të krizës dhe realizimin e interesave të politikës së Serbisë së Madhe, nga e cila kurrë nuk hoqën dorë”.

Kryetari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, partitë politike dhe shoqëria civile në Sarajevë paralajmërojnë rrezikun e madh, që po i kanoset shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe po venë gishtin te Serbia dhe presidenti i saj si nxitës të konfliktit të ri, por nga Brukseli nuk po dëgjohet asnjë zë diplomatik, që të dënojë këtë rrezik të luftës, që po rindez Serbia në Bosnjë-Hercegovinë. Diplomacia europiane po bën gjumin e madh, siç ka bërë gjithmonë, kur ka qenë fjala për të marrë direkt apo indirekt në mbrojtje Serbinë. Nuk tha asnjë fjalë Brukseli edhe kur në mënyrë sfiduese kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, dhe patriarku i kishës ortodokse serbe morën pjese në 9 janar 2020 në paradat e paligjëshme në Banja Luka për krijimin e “serpska republikës”, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës e ka hedhur poshtë si të paligjëshme atë datë dhe bashkësia ndërkombëtare i ka quajtur festimet serbe si provokim.

Në Sarajevë po ngrejnë alarmin e rrezikut të luftës, sepse ata e kanë provuar mbi kurrizin e tyre dhe e njohin Serbinë më mirë se Brukseli, siç njohin më mirë edhe intrigat serbe për hegjemoni në rajon. Në Sarajevë e njohin më mirë kursin e Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe, ku hapi i parë imediat po bëhet aneksimi i “serpska republikës” nëpërmjet prishjes së shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Është ironike, për të mos thënë komike, që diplomatët e Brukselit nga mëngjesi në darkë merren me taksën e Kosovës për mallrat e Serbisë dhe e kanë reduktuar gjithë harkun e vëmendjes diplomatike te kjo taksë, pavarësisht zjarreve që po ndez Serbia në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Zhurma e madhe për taksën duket si një alibi për të çfajësuar Serbinë për gjithçka që ka bërë kundër Kosovës. Hiperbolizimi diplomatik i çeshtjes së taksës ka kaluar çdo sens mase dhe diplomacia e BE bën sikur harron që Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e BE bisedime shtatë vjet me rradhë, kur nuk ishte taksa, dhe nuk arritën një normalizim përfundimtar të marrëdhënieve me njohjen reciproke.

Nuk arritën për faj të Serbisë dhe sepse diplomacia e BE nuk deshi dhe zvarriti bisedimet në një qark të mbyllur, duke i rrotulluar në vend numuro. Nuk ishte dhe as nuk është faji i taksës për mungesën e gatishmërisë së Serbisë, e cila i ka bisedimet si kamuflazh i ndezjes së tensioneve në vendet e rajonit. Nuk mund të mos i forcojë dyshimet fakti që diplomacia europiane, që flet nga mëngjesi në darkë për taksën e Kosovës, harron të bëjë të njejtën gjë për kushtin e njëkohshëm ndaj Serbisë për ndërprerjen e fushatës kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosoves, kusht që përcaktohet në letrën e përbashkët të pesë qeverive të shteteve më të mëdha perëndimore dërguar në gusht të vitit të kaluar qeverive të Serbisë dhe të Kosovës.

Në prapaskenën diplomatike europiane po luhet një lojë dinake, e cila kërkon t’i shkëpusë sa më shumë lëshime Kosovës në favor të Serbisë dhe për ta lënë në kalendat greke prioritetin numur një, që është njohja e Kosovës nga Serbia. Beogradi e din dobësinë e vjetër të një pjesë të mirë të diplomacisë europiane për Serbinë, ndaj po rrit tensionet kudo nëpër Ballkan, ndërsa BE merret me taksën e Kosovës.

Serbia turbulloi ujrat në Malin e Zi muajin e kaluar, ku me kishën serbe dhe me shërbimet sekrete serbe organizoi rebelim antiqeveritar, dhe Brukseli nuk e ndje për ndërhyrjen serbe në një shtet sovran, që ka hapur bisedimet e pranimit me BE. Serbia po rindez zjarrin e luftës etnike dhe fetare në Bosnjë dhe Brukseli sodit nga larg. E bukura e lojës serbe është se Beogradi nxit tensionet në shtete të ndryshme të rajonit dhe pastaj i ofrohet BE-së si lojtar për uljen e tensioneve. Pjesë e kësaj loje të rrezikshme të Serbisë me tensionet është synimi për të rritur në tregun diplomatik europian çmimin, që kërkon Serbia në dialogun e ardhëshëm me Kosovën.

Intrigat, që po nxit Serbia për trazira në Bosnjë-Hercegovinë për prishjen e shtetit të përbashkët dhe gllabërimin e një pjese të atij shteti në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe, janë një diskreditim publik për projektin e presidentit serb të bllokut të ri ballkaniko-perëndimor me emrin e rremë “minishengen”. Serbia që po prish Bosnjë-Hercegovinën, Serbia që po prish shtetin e Malit të Zi, Serbia që nuk njeh Kosovën, Serbia që ndërhyn në Maqedoninë e Veriut, i ka të gjitha në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe. Kjo Serbi e Madhe natyrisht nuk mund ta ketë emrin zyrtar “Jugosllavi”, por do të quhet “zona e përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore” ose për infantilët “minishengen”. Rezultati i “minishengenit” do të jetë Serbia e Madhe. Për ata në Tiranë, që u ka mbetur ora e mendjes në vitin 1946 të marrëveshjes së shkrirjes së Shqipërisë me Serbinë, është një kthim tek ëndrrra titiste.

Është ironi e historisë ballkanike, që shteti që ndërmori agresionet e përgjakëshme kundër Kroacisë, kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës, shteti që po rindez zjarret në Bosnjë dhe në Ballkan, gëzon indulgjenca dhe një pozitë preferenciale në diplomacinë e BE. Europa vazhdon me llogaritë e saj të gabuara në rajonin e Ballkanit, dhe harron se çfarë vendi zë Sarajeva në historinë e vjetër dhe të re të Europës.

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof.dr Eshref Ymerit si një shërbesë e vyer për gjuhën shqipe. Shkrimtari dhe Fjalori Nga Mira Meksi

 

Në nëntor të vitit 2019 u vu në qarkullim nga botimet “Bota shqiptare” fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof.dr Eshref Ymerit, i cili mban kaluar 25mijë shprehje frazeologjike. Kushdo që merret sadopak me gjuhësi, apo është thjesht një lexues i mirë, e kupton se bëhet fjalë për një vepër nga më madhoret në këtë lami, nga ato që kërkojnë për t’u hartuar domosdo një dituri të jashtëzakonshme të fushës, një përvojë të shumëgjatë dhe po aq të jashtëzakonshme sa dituria, një vullnet titanësh dhe një jetë pothuaj asketësh, – me pak fjalë kërkojnë një hero me gabaritin mitologjik që të bëjë një nga “punët e Herkulit”. Apo thjesht një të “marrosur gjenial”pas gjuhës shqipe, që e ka shpallur atë nënë e atë. Nuk është asfare e habitshme, autori i kësaj mega pune I ka të gjitha këto cilësi, është një shkencëtar i mirënjohur në fushën e filologjisë, por edhe në atë të përkthimit.

Shërbimi që i ka bërë gjuhës shqipe ky  Herkul modern, përpos asaj ndaj punëtorëve që operojnë me gjuhën, është nga më të çmuarit: ka qëmtuar, ka nxjerrë, ka vlerësuar, ka matur peshën dhe forcën që ruajnë në kohën e sotme njësitë frazeologjike, të cilat mbajnë të ngërthyer në thelbin e tyre tërë historinë kulturore të shqiptarëve, qytetërimin e tyre. U ka rënë fort këmbanave të hulumtive të tij, që jehona e tyre etimologjike të dëgjohet e qartë në kohën e sotme; në fund të fundit, i ka mbrojtur nga Harresa. Ka shkuar, gjithësesi, shumë më larg në punën e tij për t’i përshkruar, për të ndikuar dhe për të ndërhyrë në paraqitjen e tyre – ka dhënë raportin midis gjuhës shqipe dhe njërës prej gjuhëve më të rëndësishme të njerëzimit në ditët e sotme, asaj që e konsiderojnë si lingua franca, që ndikon te të gjitha gjuhët e botës, gjuhës angleze. Nëpërmjet njësive frazeologjike, fjalëve të urta apo proverbave. Nëpërmjet barabitjes së tyre, nëpërmjet gjetjes, shpesh të paimagjinueshme për nga saktësia, të barasvlerësve…

I mirënjohuri prof.dr Hajri Shehu, në parathënien që i ka bërë këtij Fjalori të jashtëzakonshëm me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze dhe mijëra barasvlerës shqip, ka shpjeguar shumëçka, duke e ndihur mrekullisht përdoruesin e fjalorit apo thjesht lexuesin e tij, të kuptojë çdo hallkë dhe syth të thurimës së tij të pazakontë. Ka shkruar:

“ Me këtë Fjalor, frazeologjia shqipe dhe leksikologjia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze”.

 

Shkrimtari dhe fjalori

 

Kur flitet për një fjalor gjuhësor, apo një fjalor të veçantë frazeologjik, sidomos të këtyre përmasave, përmendet dobia e madhe që ai i sjell përkthyesve, studiuesve të gjuhës, deri edhe studentëve dhe askush nuk përmend shkrimtarin. E vërteta është se uniteti shkrimtar-fjalor është simbiozë. Shkrimtari pi ujë në fjalor, ndërkohë që ky i fundit ushqehet me ujin e burimit të veprës së shkrimtarit.

Në botën e artit, përgjatë shekullit që lamë pas dhe shekullit të ri, përherë e më qartë po duket se detyra e shkrimtarit është të marrë pjesë në jetën e gjuhës. Ajo që e dallon nga pjesa tjetër e artit, që e bën të veçantë shkrimtarin, në një kohë kur ekziston përballë tij një konkurrencë e ashpër me televizionin dhe kinemanë përsa i përket ngjarjeve, personazheve, apo edhe pikëpamjeve mbi botën dhe shprehjes së ndjenjave, është pikërisht shkrimi, shkrimësia, puna e tij me gjuhën. Puna e tij vetiake me gjuhën dhe për gjuhën.

Nuk e kam fjalën këtu për ata shkrimtarë që e përdorin gjuhën thjesht si një mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer histori a ngjarje. Këta mund të jenë gazetarë të zotë, skenaristë të mirë, apo edhe krijues trillerash interesantë. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorën gjuhën ndryshe. Për shkrimtarët që për hir të poetikës apo simbolikës, por edhe për hir të rrëfimit, narrativës, e  zhbëjnë dhe e ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë  dhe e  ripërdorin për nevojat e tyre krijuese, të detyruar apo nën presionin e asaj që duan të thonë dhe të shprehin. E kam fjalën për ata shkrimtarë që kanë si mjeshtëri krijimin e veprave origjinale të bazuara tërësisht te fjalët, enët e kuptimit. I kanë quajtur “rojtarët e jetës” së gjuhës, sepse janë pikërisht ata që ndodhen më pranë burimit të saj. Janë shkrimtarët ata që i përdorin fjalët duke patur parasysh dhe duke e shprehur, prejardhjen e tyre. Gjuha është e gjallë, është përherë në lëvizje, në ndryshim. Gjuha është polemos, luftë, thotë Herakliti. Fjalori, në një farë mënyre, mban dhe përfaqëson gjuhën, një pjesë të madhe të gjuhës, leksikun e saj. Që këtu buron edhe lidhja e shkrimtarit me fjalorin. Fjalori përmbledh edhe raportin e gjuhës që përfaqëson me gjuhët e tjera, me huazimet, përshkruan vlefshmërinë apo prestigjin e një fjale në kohë si edhe vendin e saj në aktualitet. Shkrimtari luan rol të veçantë në krah të specialistëve të gjuhës, në lidhje me gjuhën dialektore përkundër gjuhës së normës ( sot ka në letrat shqipe shkrimtarë që po përdorin me sukses gjuhën dialektore), neologjizmave apo përzierjeve gjuhësore, të cilat e pasurojnë gjuhën.

Po le t’i kthehemi Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip të prof.dr. Eshref Ymerit. Që kur nisa ta shfletoja përpara tre muajve, e “qava me lotë” mungesën e tij kohës së gjatë kur shkruaja romanin e vështirë “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Romani në fjalë, përpos trillëzimit të mundimshëm që i bën ngjarjeve historike, por edhe personazheve që gjallojnë në to, aq të largëta në kohë, aq të padokumentuara e të humbura në mjegullinat e kohërave,  sa që shpesh marrin trajtën e gojëdhanave, është ndërtuar si një bllok i tërë i bazuar në fjalët e një gjuhe që mund të përfytyrohet si shëmbëlltyra e shqipes parake, e protoshqipes, e paprekur nga ndikimet e gjuhës së pushtonjësve përgjatë dymijë e dyqind vjetëve. Njëkohshëm, një gjuhë brenda kohës së sotme, brenda normave gjuhësore, Një ndërmarrje fort e vështirë. Ndërkohë që Fjalori i sipërpërmendur, ku gjendet forma e brendshme e njësive frazeologjike, kuptimi i tyre etimologjik, si shpirti i gjuhës, i papërzier me kuptimin aktual, kuptimi konkret që i shpëton rrjedhës së pamëshirshme të kohës, do të kish qenë një instrument magjik në punën time.

Në poçarinë time të sotme me baltë krijuese ende të paformë: në të majtë kam përherë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, si një mik të rrallë që “më shpëton jetën”sa herë mbytem nga dyshimet, që më tregon kuptimin e vërtetë, kur idengulitje shpesh absurde “më helmojnë” ekzistencën, që më ndihmon të vërtetoj një intuitë, ta konkretizoj dhe ta zhvilloj gjatë procesit të shkrimësisë; që pasuron me ngjyresa kuptimore teksin tim të fillimit, për ta rafinuar dhe lartësuar…Si një autoritet i sigurtë. Është heroi im.

U bënë tre muaj që pranë dorës së djathtë mbaj Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip të prof.dok. Eshref Ymerit. Iu avita atij së pari si lexuese, e rrëmbyer nga një pasion leximi i pavetëdijshëm, faqe pas faqeje. S’do ta kisha besuar kurrë se mund të lexoja kësisoj një fjalor.  Për kënaqësinë e leximit. Më mrekulluan, veç të tjerash, edhe historitë e prejardhjes së njësive frazeologjike apo proverbave. Një enciklopedi e tërë. Me siguri s’do të ndalesha gjer në faqen e fundit, sikur ky proces të mos më bënte të ndalesha me dhjetra e dhjetra herë në shtyllat e gjuhës shqipe përbri njësive frazeologjike në anglisht dhe të përsiatesha gjatë. Shtyllat e shqipes përbënin fjalorë të vërtetë sinonimikë. Kishte raste që shtyllat kishin mbi 40 njësi. Një pasuri e vërtetë gjuhësore ndodhej aty. E mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Një pasuri që më vinte në lidhje edhe me letërsinë e madhe të botës, me autorët e mëdhenj të gjuhës angleze, me vetveten dhe me intertekstualitetin. Admirova ditë pas dite gjuhën tonë! Përveçse shumë e lashtë, gjuha e Arbërit është tejet e pasur! E pasur sa gjuhët e mëdha të botës, të cilat lashtazi lëmonin vargjet e soneteve të tyre, kur shqipes i duhej të përleshej me dhëmbë e kthetra me zhbërësit e saj ndër shekuj, që të mbijetonte. Admirova zhvillimin e madh të frazeologjisë së shqipes, të letërsisë sonë, të kulturës sonë. Dhe njohjen e pafund të përpiluesit të Fjalorit, “gjuetarit të frazeologjisë”, njeriut të mijëra skedave gjuhësore që i ka gjurmuar, ndjekur dhe vjelë frazeologjitë, fjalët e urta, proverbat në mijëra e mijëra faqet e letërsisë së shkrimtarëve të gjuhës sonë.

Pasuria e madhe e frazeologjisë së gjuhës shqipe e ndryrë në këtë Fjalor rrezikonte të më merrte përnjëmend frymën. E ndjeva peshën e saj të madhe si trysni, kur iu avita si lexuese. Si shkrimtare gjeta aty një burim të madh frymëzimi, ushqimi, dinamizmi: lexoj sinonimet, zbuloj të panjohura, shijoj dhjetra e dhjetra shembuj, nuanca të holla, rizbuloj shpirtin e gjuhës, të historisë, dhe imazhe krijohen në përfytyrimin tim, ndjesi, aromëra…

Ide krijuese me rrënjë të thella në frazeologjinë e gjuhës sime marrin jetë. Dhe balta në poçarinë time të shkrimësisë zë e merr formë.

 

 

 

SHQIPËRIA TA BËJË 17 SHKURTIN FESTË ZYRTARE – Nga SHABAN MURATI

 Kam propozuar qysh në 26 mars 2012 që Shqipëria ta bëjë 17 shkurtin festë zyrtare, sepse pavarësia e Kosovës është ngjarja e dytë më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar pas 28 Nëntorit 1912.

Uroj që një qeverie në Tiranë t’i zgjohet ndërgjegja kombëtare!

(“Hije në diplomacinë shqiptare”, Tiranë, 2012, fq. 213)

ELEGJI PER BREZIN TIM (II) – Nga EUGJEN MERLIKA

“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”

  Ismail  Kadare

 

“ Në gjysmën e ecjes së jetës sonë, u gjenda në një pyll të errët…” kështu fillon një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Po të perifrazojmë këto vargje, por në kah të kundërt, më duket se sjell idenë e atij ndryshimi të madh, që erdhi në jetën tonë në vitin 1991, një vit më vonë se në të gjitha Vendet e tjera. Kjo vonesë dëshmonte prapambetjen tonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa të tjerët kishin vënë si synim rindërtimin e shoqërisë , nëpërmjet tejpamjes, ne derdhnim lotë për vdekjen e tiranit dhe harxhonim dyzet miljonë dollarë për të ngritur piramidën e tij mes Tiranës. Ndërsa të tjerët hapnin kufijtë e i lejonin qytetarët e tyre të kërkonin fatin në botën e lirë, ne shtangeshim para skenash vandalizmash homerike të tërheqjes zvarrë të kufomave të të rijve, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se kishin tentuar të kalonin kufirin. Ndërsa të tjerët, të vetëdijshëm për dështimin e pashmangshëm të sistemit komunist, mundoheshin me të gjitha mënyrat të përfitonin nga përvoja dhe ndihma e Vendeve të pjesës tjetër të Evropës, ne e kthenim mbrapsht ofertën e gjermanit Shtraus për kredi e kërkonim armë…”Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim” deklaronte atëhere Kryetari bizantin i Shtetit shqiptar, që “shquhej” për “modernizimin” e Vendit nëpërmjet tufëzave dhe arëzave.

Nga largësia e viteve duket më qartë absurditeti, në të cilin jetuam. Çdo epitet për të karakterizuar atë është i pamjaftueshëm. Në fund të shekullit të njëzetë, njerëz që të zinin rradhën në mesnatë e t’a ruanin atë deri në mëngjes, për të marrë një litër qumësht, besoj se nuk ka patur as në vendin më të varfër të Afrikës. Ne bashkëjetonim me varfërinë skajore të tregut e tonën, me nenin 55 e internimet dhjetravjeçare, me sulmet kundër antenave të televizorëve e kundër shpendëve të “tepërta” të fshatarëve, me demaskimet “revolucionare” para kolektivave e ankthin para çdo punonjësi të Sigurimit e na dukej se gjithshka ishte normale. Aqë shumë ishim mësuar me të keqen, kaqë shumë na kishte hyrë në palcë, saqë na ishte errësuar arsyeja e na ishin zbehur shqisat.

Kështu arritëm deri në vitin e ndryshimit të madh, për të cilin ne i mbetëm përsëri borxhli historisë dhe ndërgjegjes sonë. U desh vrulli dhe forca e të rinjve të Shkodrës, Kavajës, Tiranës, studentëve të Universitetit etj., pra të një brezi tjetër, të bijve tanë, që t’i jepnin grushtin e fundit një kufome që kutërbonte, por që mundohej të qëndronte duke ndërruar maskat. Por ajo rini, që u ngujua në grevat e urisë në qytetin Studenti e gjetiu, nuk kishte as përgatitjen, as përvojën për të marrë në dorë drejtimin e një Shteti të ri, në një gjëndje katastrofale e në një rrugë të pashkelur më parë. Periudhën kalimtare nga një sistem i dështuar në një tjetër, që kishte dhënë prova të mjaftueshme rezultatesh e qëndrueshmërie, në popuj të zhvilluar e të lirë, do t’a mbarështonim përsëri ne.

Ishte prova e së vërtetës, rasti i fundit që koha, si në një tabaka të argjentë, na servirte për të përmirësuar përfytyresën, për të ndrequr gabimet, për t’u shkëputur kryekëput nga një e shkuar pa lavdi. Ishte një barrë e rëndë, por dhe një piksynim tepër fisnik e i bukur: të rimëkëmbnim Atdheun tonë, t’a çlironim përfundimisht nga vargojtë e komunizmit e pasojat e tij, nga mungesa e lirive, nga varfëria, nga shkëputja prej botës, nga prapambetja proverbiale, nga dhuna, gënjeshtra, pabesia e krimi të istitucionalizuara në pushtet. Duhej të ngjallnim shpresën në një të ardhme më të mirë, të nisnim ecjen e ngadaltë, të vështirë por dhe të sigurtë drejt një objektivi të përbashkët me shumë popuj të tjerë, drejt pjesëmarrjes në Bashkësinë Evropjane. Për të sendërtuar këto synime madhore, që do të ndrronin rrjedhën e historisë për një popull të drobitur, siç ishte populli ynë, duhej një mendësi tjetër, jo ajo me të cilën me ose pa dashje ishim brumosur ne. Klasa politike duhej të kishte kurajon dhe largpamësinë e duhur të vinte në jetë një seri reformash rrënjësore, që do të prisnin gjithë urat me sistemin e lënë pas krahëve. Koha e re kërkonte një përveshje të përgjithëshme të mëngëve, kërkonte punë, mund e sakrifica të reja. Nuk kishte asnjë shkop magjik që, me një të rënë, do të sillte mirëqënien.

Mirëqënia, që përbënte një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve, duhet të arrihej si rezultat i vënies në jetë të parimeve të tjera, të rregullave të tjera, të ligjeve të tjera. Mirëqënia do të vinte dalngadalë, hap mbas hapi të ndërtimit të një shoqërie tjetër, në të cilën, Shteti i plotfuqishëm që drejtonte çdo lëvizje të individit, që nga djepi deri në varr, duhej të hiqte dorë nga një pjesë e funksioneve e t’ua kalonte këto qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thoshte se roli dhe rëndësia e tij pakësohej, por ndryshonte fushë veprimi. Ky Shtet, që nuk duhej njëjtësuar më me partitë politike, duhej të ishte garanti i një objektivi tepër të rëndësishëm: t’u siguronte gjithë qytetarëve të tij mundësi të barabarta në nisjen e startit drejt mirëqënies, në një Vend të lirë, por në të cilin ligjet, që rregullojnë jetesën në bashkësi, duhej të ishin e, mbi të gjitha, të respektoheshin nga të gjithë.

Shteti duhej t’u kthente qytetarëve jo vetëm liritë e mohuara për pesëdhjetë vite, por dhe pasuritë e shtetëzuara padrejtësisht, nga një regjim kusarësh. Ai duhej të gjente rrugët më të frytshme për të vënë në shfrytëzim gjithë pasuritë e mundëshme të Vendit, nëpërmjet një strategjie të menduar mirë e të zbatuar po aqë mirë. Ai duhej të vlerësonte e të ndante  me kritere të ndershme e të drejta atë pasuri të trashëguar nga homologu i tij i mëparshëm, pasuri që ishte baraz me djersën dhe mundin e gjysëm shekulli pune të papaguar të shqiptarëve nga kapitalizmi shtetëror komunist. Ai duhej të shpërblente veçanërisht ata, që në këtë pasuri kishin ndihmesën e tyre, nëpërmjet viteve të gjata të punës së detyruar pa shpërblim, si pasojë e dhunës së Shtetit proletar. T’i kthente kësaj pjese të popullsisë, jo vetëm me fjalë, dinjitetin e nëpërkëmbur, t’i njihte me sinqeritet peshën e vuajtjeve të saj, të kthente në të shpresën e t’i siguronte mundësitë lëndore për t’u ndjerë barabar me të tjerët, ishin nga të parat detyra, që viheshin para kujtdo që pretendonte të printe ecjen drejt një shoqërie, të bazuar mbi vlerat e larta të qytetërimit.

Këto ishin përparësitë që duhet të kishte në rrugën e tij Shteti demokratik e së bashku me to, reformimin e tij, krijimin e istitucioneve të reja, futjen e një mendësie tjetër në to. Kjo mendësi e re, që dalngadalë do të pushtonte gjithë mjediset, do të ishte baza e krijimit të një shoqërie civile që, nga ana e saj do të shprehte një klasë politike, të denjë për emrin e të aftë për t’a drejtuar atë shoqëri drejt synimesh gjithënjë e më lakmuese. Por si i realizuam neve këto detyra, që papritmas koha na vuri në tryezë? A qemë në gjëndje t’i përgjigjeshim sfidës së madhe të fundit të shekullit?

Pa mohuar një sërë arritjesh të rëndësishme si liria, në kuptimin e gjërë të fjalës, nisma private, mërgimi e ndonjë tjetër, më duket se synimet e tjera nuk qemë në gjëndje t’i kapim, madje as të hyjmë në rrugën e drejtë që çon në sendërtimin e tyre. Kuadri politik i vendit, faktor përcaktues në zhvillimet e mundëshme kaloi nga një skaj në tjetrin.Kishim dikur një parti shtet dhe uria gjysëm shekullore për to na çoi sot në një numur të stërmadh, disa dhjetra në një Vend me tre miljon banorë, një paradoks i vërtetë. Nuk mohohet se dhe në Vende të tjera, me sistem parlamentar, ka shumë parti, por kjo gjë nuk është një dobi për to e një arsye për t’u marrë shembull nga ne. Në Vendet që peshojnë sot në botën e zhvilluar, gjejmë një bipolarizëm politik, që përfaqësohet nga dy parti të fuqishme ose, në ndonjë rast  në dy blloqe partish. Këto dy parti ose dy blloqe shprehin dy mënyra të ndryshme të të konceptuarit të shoqërisë e të drejtimit të saj, kanë dy programe të ndryshme e çdo katër a pesë vjet dalin para zgjedhësve, për të marrë votbesimin e qeverisjes. Kush fiton qeveris, kush humbet kontrollon dhe përgatitet të qeverisë.

Në Shqipëri teorikisht dy grupimet kundërshtare janë të pranishëm, por praktikisht, ndryshimi mes tyre dhe lufta e mprehtë politike nuk ka në qendër, të konceptuarit e ndryshëm të modeleve të zhvillimit, por lakminë e pakufi për të zënë pushtetin. Ky synim është i lidhur krejtësisht, jo me dëshirën për të sendërtuar në të mirë të Vendit ato gjëra që kundërshtari nuk i bëri, por me krijimin e mundësive të përfitimit vetiak, familiar, farefisnor e të rrethit të përkrahësve e simpatizantëve. Si pasojë e kësaj mendësije Shteti, që duhet të ishte garanti i mundësive për të gjithë, është kthyer në një vegël të një grupi, që në çfarëdo mënyre merr drejtimin e tij. Klientelizmi është bërë kriteri bazë i funksjonimit e korrupsjoni, karburanti që e vë në lëvizje. Alternanca e pushtetarëve shërben për të vazhduar “luftën e klasave” deri në nivelet më të ulta të administratës shtetërore, gjë tepër e dëmshme, mbasi nuk lejon formimin e asaj strukture të përherëshme të Shtetit, që është shtylla kurrizore e tij e që, në teori, duhet të formohet duke patur si të vetmin kriter meritokracinë.

Në dhjetë vjet Shteti demokratik qeveritë e parlamentet e kuqe apo blu nuk vendosën të kthenin pronat pronarëve të ligjshëm, nuk krijuan në kohë kuadrin e duhur ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, të domosdoshme për daljen nga palëvizshmëria gjysëm shekullore. Ata nuk qenë në gjendje të siguronin funksjonimin normal të Shtetit të së Drejtës, nuk krijuan modelet e istitucioneve të pavarura, vazhduan të qeverisin nga sekretaritë e partive, kaluan stafetën tek njëri tjetri për ligje iliberale, shpërblyen me copa letre pa vlerë jetët e marra apo të gjymtuara të viktimave të komunizmit, kontribuan në shkatërrimin e shtetit dhe imazhit të vendit më 1997, etj. Këto dy forca politike madhore të Shqipërisë drejtohen nga përfaqësues të Brezit tonë, të formuar moralisht e intelektualisht në shkollat e regjimit më dogmatik të Lindjes komuniste, të mbrujtur me mendësinë stataliste e populiste, të paaftë të konceptojnë e të shtjellojnë një strategji afatmesme e afatgjatë, për të nxjerrë Vendin nga bataku.

Paaftësia për të shfrytëzuar shortet e demokracisë, shpërdorimi në mundësitë që krijon ajo për të shprehur pikpamjet dhe opsionet politike, pamundësia për të hartuar strategjitë e taktikat e duhura ekonomo-politike bindëse, rezultative e në pajtim me veçantitë e Vendit e kërkesat e kohës, vërtetojnë katërcipërisht se klasa politike shqiptare nuk është në lartësinë e detyrave të saj. Pasojat e këtij përfundimi pasqyrohen në gjendjen e Vendit që, megjithë ndonjë rezultat makroekonomik si monedha,  fatkeqësisht paraqet një mungesë të madhe përsa i përket zhvillimit të gjithanshëm e të ekuilibruar ekonomik, konsolidimit të Shtetit ligjor, imazhit të përgjithshëm dhe treguesit të besueshmërisë, sidomos mbas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Sot Shqipëria , me ose pa të drejtë, hyn në rradhën e vëndeve problematike për kontinentin, quhet qendër trafiqesh të paligjshme nga më të ndryshmit. Me këto kredenciale ajo paragjykon marredhëniet e saj me botën e sidomos me Evropën.

Sfidën, që koha na vuri para, ne nuk qemë në gjëndje t’a përballojmë. Dështuam në misionin tonë për të ndërtuar një Shqipëri bashkëkohore dhe konkuruese mbi gërmadhat e socjalizmit. Problemeve të vjetra, të trashëguara nga pesë shekuj zgjedhë turke e gjysëm shekulli sprove komuniste, i shtuam të tjera, ose së paku nuk qemë në gjëndje t’i parandalojmë. Më kujtohet një mbasdite festive, për një përvjetor të gazetës Liria në pallatin e kongreseve. Më kanë mbetur në mëndje fjalët e një veterani të burgjeve politike dhe të antikomunizmit: ” Shqipërisë sot i duhen dymijë idealistë”. Ndofta shifra ishte tepër e madhe, ndofta ajo nuk i përgjigjej as popujsh shumë më të mëdhenj e më të zhvilluar se i yni, por pohimi ishte i shenjtë. Ne nuk qemë në gjëndje t’i përgjigjeshim kësaj kërkese parësore të Vendit tonë, në një çast tepër të brishtë për të ardhmen e tij. Ishin vitet e para të demokracisë, ishim ende në kohë për të rimarrë rrugën e drejtë, të cilën, sigurisht, ata qindra idealistë do t’a kishin bërë më të lehtë. Ata nuk u dukën në skenë, ose më saktë nuk patën forcë t’a pushtojnë skenën. Koha dhe të tjerët i thyen dhe ata të paktit që u munduan të qëndrojnë e të luftojnë me të vetmen armë të idealit, ndershmërinë. Asgjë për t’u habitur, historia e botës është e mbushur plot me shëmbuj të tillë…

Ky shkrim daton vitin 2000, atëherë kur pa për herë të parë dritën e botimit. Kishin kaluar vetëm dhjetë vite që ishte tjetërsuar sistemi e ato pyetje me të cilat ballafaqohej mendimi apo përsiatja për të vërtetën, ishin aty e prisnin përgjigje. Zhgënjimit të dhjetë viteve të para, në të cilët shpresat nuk ishin shkimur plotësisht për të ndërtuar shoqërinë e lirisë e të mirëqënies, sot i a ka zënë vëndin një tjetër tabllo, në të cilin brezi im ka dalë në rolin e vëzhguesit, dyfish kritik ndaj vetes. Nëse në gjysmë shekullin e regjimit ai nuk qe në gjëndje të bënte asgjë për të ndryshuar ecjen drejt greminës, në këto tridhjetë vjet, duke pasur në krye të Shtetit e të politikës disa nga antarët e tij krahas edhe bijve që duhej të merrnin stafetën e ecjes përpara, sheh me hidhësirë në gojë se, me gjithë ndryshimet e mëdha të kryera, përsëri Shqipëria nuk është aty ku kishim menduar se do t’ishte kur nisi rrugëtimin e saj n’epokën mbas komuniste.

Gjatë këtyre viteve Shqipëria zgjodhi rrugën drejt Perëndimit dhe shoqërive të tij të hapura, u bë antare e Nato-s, ka dy dhjetëvjeçarë që troket në dyert e Evropës, nuk është më një bunker i mbyllur në mjerimin e vet, por një Vend i hapur, nga i cili shumë qytetarë të saj janë larguar për të ndërtuar jetën gjetiu, në anë të ndryshme të botës së madhe. Megjithatë zhgënjimi vazhdon t’a shoqërojë brezin tim, sepse brengat vazhdojnë të jenë bashkudhëtare të tij deri në frymën e fundit.  Atyre që lanë Atdheun në kërkim të një jete më të mirë, larg tij, nuk i u ndanë mundimet e vështirësitë, për t’u kthyer në  shërbëtorë e shërbëtore, duke gëlltitur në heshtje lotët e hidhur të një dinjteti shpesh të lënduar. E ndjenë ajrin e lirisë, i cili u kishte munguar gjithë jetën. Por vetëm liria nuk mjaftonte, sado e çmuar të mbetet ajo gjithmonë, për të përballuar një jetë që fillonte nga hiçi, mbasi e gjithë puna e bërë deri në atë kohë ishte shumëzuar me zero. Tani shumëve prej tyre u mungon atdheu, familja e zgjeruar, shokët, miqtë, mjedisi shqiptar edhe se koha e ka ndryshuar me shpejtësinë e vetëtimës. I pushton çdo ditë malli për vëndlindjen, edhe se politika e kronika shqiptare, nëpërmjet mediave të përditëshme, nuk u a bëjnë atë shumë tërheqëse. Megjithatë zemra mbetet e lidhur me atë Vend, me kujtimet e rinisë, me dëshirën për t’u prehur përgjithmonë në tokën e tij.

Me dhimbje kalon ditët brezi im i mbetur në Shqipëri, duke luftuar çdo ditë me vështirësi të theksuara ekonomike e jetësore, i velur tej masës nga premtimet e pambajtura të atyre që i drejtojnë ka tridhjetë vite, që vazhdojnë çdo ditë t’i prrallisin me mrekullitë që do të “sjellin”, nëse do t’u japin votën. Shumë prej tyre kanë bijtë jashtë, përmallohen për nipat e mbesat që rriten atje, që me vështirësi flasin shqipen, sepse mësojnë në gjuhët e huaja. Por në thellësi të zemrës gjyshet e gjyshët janë të kënaqur për t’ardhmen e atyre mbesave e nipërve, që mund të gjejnë rrugën e tyre në Vendet ku studjojnë e nuk i shkon në mëndje t’i ftojnë të kthehen pranë tyre, sepse “Shqipëria nuk bëhet”. Në këtë shprehje të shkurtër ndoshta është kyçi i shpjegimit të dramës shqiptare. Humbja e besimit në t’ardhmen e Vendit, në mundësinë për secilin që me punë të ndershme të ndërtojë jetën e tij, të familjes e të japë ndihmesën për zhvillimin e shoqërisë, ndoshta është një ndër të këqijat më të mëdha me të cilat përballohet sot shoqëria shqipfolëse.

(vijon në numurin e ardhshëm)