VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Një Mengjes Kovidian Nga Iris Halili

By | April 14, 2020

Komentet

SHQIPËRIA është GJAKU im që nuk falet – Nga Aurel Dasareti*

 

“Unë frikohesha prej armëve. Serbo-malazezët na terrorizonin me to. Pasi unë mora pjesë në beteja dhe vet u mësova në përdorimin e armëve, e kuptova se armët janë forcë dhe se ne mund të mbrohemi me armë kundër atyre të cilët duan të na shndërrojnë në skllevër.” – gjyshi im.

***

Shqiptari, si produkt i natyrës, është diçka e pallogaritshme, e padepërtueshme, kokëfortë, është rrëke që vërshon nga një mal i panjohur, një pyll i virgjër, i pakalueshëm dhe i ngatërruar. Dhe ashtu si pyll i virgjër që duhet rralluar, pastruar dhe sistemuar me forcë, edhe kolonizatorët në bashkëpunim me tradhtarët e vendit, me ndihmën e përçarjeve midis shqiptarëve përpiqen të mposhtin, të thyejnë e të sistemojnë me forcë shqiptarin natyral. Detyra e armikut është ta shndërroj atë në anëtar të shoqërisë, sipas parimeve që vendos autoriteti.
Le të përkujtojmë lavdinë e së kaluarës dhe begatinë e kohëve të perënduara, të vihet kombësia mbi dallimet partiake, krahinore e fetare, të përshkruhet gjendja e mjerueshme e asaj pjese të kombit tonë nën okupim dhe të dalin qartë rreziqet që i kanosen Shqipërisë Etnike, të cilën populli i saj do ta mbroj me çdo kusht, të tregohen mundësitë e plota të një të ardhmeje të lumtur në një atdhe të ribashkuar të lirë e të përparuar.
Bëjë thirrje që mediumet serioze të botojnë vetëm letra të nevojshme për ATDHEUN e jo shkarravina të dëshirueshme nga pseudo “ekspertët”. Bëjë thirrje për të propaganduar fuqishëm popullin shqiptar, që opinioni botëror të njihet me prejardhjen e tij të lashtë legjendare pellazge-ilire dhe fazat nëpër të cilat ai është detyruar të kalojë gjatë rrjedhës së shekujve, për të arritur deri në ditët tona. Bëjë thirrje që “kalemxhinjtë” të zotërojnë plotësisht lëndën para se të shkruajnë në mediumet lokale dhe ato të huaja. Dhe, jam i bindur për forcën e të dhënave dhe argumenteve, për triumfin e drejtësisë e të çështjes kombëtare që unë dhe atdhetarët tjerë të mirëfilltë mbrojmë. Duke iu drejtuar lexuesve të huaj, krahas qartësisë së qëllimit, në letrat tona të ndihet edhe një nëntekst i fuqishëm polemik kundër keqdashësve. Le të shprehet temperamenti i shkruesit, zemra e zjarrtë e patriotit, horizonti i tij i gjerë kulturor dhe diplomacia superiore.
Liria Kombëtare, liria e natyrshme, pavarësia, fundi i çdo forme sundimi, shfrytëzimi dhe poshtërimet nga grekët, kolonialistët sllavo-ortodoks dhe kodoshët shqipfolës, janë parakushtet e domosdoshme për të vënë në veprim të gjithë dashurinë e shqiptarit për Shqipërinë Etnike, për jetën, forcën e vetme që mund të mposhtë dashurinë e tij për vdekjen. Një shtegdalje në kuptim të gjerë do mund të gjendet vetëm nëpërmjet ndryshimeve rrënjësore në strukturën tonë politike e shoqërore.
O shqiptarë!
Kemi një detyrë të shenjtë për të mbushur. Nuk duhet të tolerojmë që Toka e Atdheut në të cilën stërgjyshërit tanë kanë duruar pa u tundur shumë stuhia, Toka nga të huajt e okupuar, e cila në një periudhë prej shumë kohe ka pat shumë gëzime por edhe shtypje, diskriminime, persekutime, masakra, terror dhe dhimbje të mëdha, të trajtohet si pronë private e aventuristëve shqipfolës të pa skrupull. Kemi përgjegjësi të shenjta përpara gjeneratave të ardhme; beteja sapo ka filluar, të shtypurit nuk e kanë ndër mend pa luftë ta falin lirinë ende të pa-fituar.
Njerëzimi, domethënë pjesa dërrmuese e njerëzve, është gjithnjë kundër atyre që duan të mirën, sepse turma s`është as e mirë, as e keqe por në thelb është e amullt dhe që urren më shumë se çdo gjë thirrjet drejtuar ndërgjegjes së saj. Kalimi në një shkallë më të lartë, kapërcimi i egoizmit dhe plogështisë janë kryer vetëm nga individë të veçantë, kurrë nga turmat.

***
Indiferenca është armiku ynë më i keq.

Duket sikur jetoja në një planet tjetër. Më parë, besoja se njerëzit që diskutonin për politikën nuk kishin asgjë tjetër për të bërë. Por jam i tronditur kur shoh një Shqipëri të tmerrshme që nuk kisha ide se ekzistonte. Por, ne duhet ta ndryshojmë atë. Patjetër.

Shqiptarëve u mungon Uniteti dhe të kuptuarit se në çfarë bazohet liria: Kufijtë, sovranitetin dhe një Ushtri Kombëtare që mbron kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm. Është një kombinim i rrezikshëm të jesh i rrethuar me fqinjë pushtues me histori të rremë dhe vetë-imazh të gabuar, sidomos kur kanë mbështetjen e Rusisë dhe jo vetëm. Shqiptarët e sotëm, të shtypur nga hajnat dhe tradhtarë më të pisët se kurrë, lajnë këmbët e ish skllevërve barbarë të stërgjyshërve të tyre të madhërishëm.

Shqiptaria ka lindur shumë bastardë dhe kuisling, por edhe burra të fortë që do të shkëlqejnë në qiell. Ata gjithmonë do të jenë besnikë ndaj Kombit dhe Vendit të tyre. Dhe, do të luftojnë kundër të gjitha tmerreve të brendshme dhe jashtme.

Qeveritë e paligjshme e kontrollojnë Vendin me një dorë të hekurt. Gjendja në shtetin amë Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk do të ndryshon kurrë në të mirën e shqiptarëve nëse zagarët e armiqve tradicional nuk largohen menjëherë nga politika, por edhe më tutje kontribuojnë në një ftesë për kaos i cili kombin që gjendet në një tunel të errët, e çon drejtë zhdukjes përfundimtare.

Përndryshe, nuk ka president, kryeministër, qeveri apo për një herë – një forcë policore, që është më e fortë se popullata që i ka unifikuar qëndrimet.

Unë nuk jam partiak, jam tërësisht i pavarur, nuk kam asnjë konflikt interesi në trojet shqiptare, nuk paguhem nga askush dhe nuk kam asnjë motiv tjetër përveç që të shpreh mendimin tim në një mënyrë të civilizuar, për t`i ndihmuar sadopak Kombit dhe Atdheut të gjyshërve të mi që unë i dua pakufi. Ideja është gjithashtu e mirë, sepse ne ende nuk e njohim njëri-tjetrin, të paktën jo me të gjithë.

Shqiptarë! Drejtësia (mirëvajtja) e çështjes së juaj qëndron vetëm në duart e juaja.

Kushdo që është dehur nga fuqia (pushteti) dhe është pasuruar, ose thënë më mirë, ka fituar personalisht prej saj si dhe nuk frikohet aspak sepse në ju sheh burra të pavendosur, kurrë nuk do të heq dorë apo largohet vullnetarisht nga ajo karrige për të cilën edhe me kriminalitetet më të ndyra ka luftuar për ta zaptuar. Sidomos kur të njëjtët akuzohen për vrasje dhe Tradhti ndaj Vendit. Këta nuk janë aq budallenj t`u sekuestrohen pasurit marramendëse nga kriminaliteti dhe pjesën tjetër të jetës ta kalojnë në burgjet e rrezikshmërisë së lartë. Harrojini fantazitë – e llafeve…

Kjo është psikologji e sjelljes, e pakontestueshme,  sidomos për mentalitetin fisnor-klanor shqiptar. Dhe, nëse ju nuk i merrni seriozisht këto fjalë, atëherë shumë shpejtë do t`ia shikoni sherrin anshmërisë së juaj për të fjetur në një krevat me armikun, indiferencës së juaj për të bërë asgjë, naivitetit kinse hallku do ua ndreqi problemet e juaja, dhe sidomos ndikimet në ju nga manipulimet e mediumeve antikombëtare dhe sahanlëpirësve të tyre dobiç që lehin nëpër TV apo shkarravisin në portale, vetëm për të shpëlarë tru shqiptare.

Megjithatë, unë kam ndjenjën se ne shumë shpejt do të zgjohemi nga vitet e letargjisë, do të kalojmë në aktivitet dhe do të fillojmë me një fletë të pastër, të rrëmbejmë stilolapsin dhe fillojmë të shkruajmë të ardhmen tonë me duart tona.

Kapësve të vendit – hajnave duhet t`ua bëni të qartë: Lamtumirë këlysh. Shpejtë do hyni në koshin e plehrave të historisë, por ju lutemi mos e mbyllni kapakun mbi veten tuaj!

O shqiptar, nëse e duash veten, Vendin dhe Kombin, mos e prano asnjë rol politik që tjerët ta japin nëse nuk je i kualifikuar ose i zoti për të!

Ne patjetër të përcjellim një mesazh për të gjithë botën – se qëndrojmë së bashku: Ne e duam njeri tjetrin. Ne kujdesemi për njëri-tjetrin sepse vëllezër e motra të një gjaku e të një gjuhe jemi, dhe se historia e të parëve tanë të lavdishëm pellazg-ilir dhe Flamuri kuqezi janë simboli ynë i përbashkët. Ne nuk do të heshtim herën tjetër kur njëri prej nesh vritet ose torturohet, apo historia jonë të falsifikohet dhe përvetësohet. Dhe, në raporte me fqinjët grabitqarë, nuk do të lejojmë më asnjë kompromis në dëmin tonë, asnjë centimetër katror të asaj Toke të Shenjtë.

Për ta luftuar një ide duhet së pari të kesh një ide kundërshtuese. Shikuar nga pikëpamja e një shtypësi, idetë luftohen më shpejtë nëse dikush i frikëson njerëzit nga të menduarit. Një popull i frikësuar nuk ka asnjë kundërshtim.

Le të jenë veprimet tona një burim frymëzimi për të tjerët. Ne duam ta bëjmë vendin tonë një vend më të mirë. Për sa kohë që qëndrojmë së bashku në mbrojtjen e të shtypurve dhe të dobëtëve, bëhemi më të fortë.

***

Një bisedë hipotetike me veten time:

Sa vjeç je ti?

Nuk mund të them me siguri, por që nga dita kur u linda, politikanët tanë kanë qenë të njëjtë. Korrupsioni ka qenë i njëjtë, pasiviteti ka qenë i njëjtë. Dhe partitë politike “Pa shpresë” kanë pasur një monopol mbi shqiptarët.

Dje, para vetes u betova se do të kaloja 2 orët e fundit të çdo dite për të zbuluar të gjithë kriminelët, hajdutët apo spiunët në Albani, Dardani, Maqedoni (…) Nuk dua që vendi im të mbytet. Unë nuk mund ta bëj këtë vetëm. Unë dua që ju të gjithë të punoni me mua, që secili nga ju të ndiejë në zemër se duhet ta ndryshojmë dhe shpëtojmë Shqipërinë.

***

Ekziston vërtet një ndryshim i madh midis njohjes së dashurisë së njerëzve në internet dhe përjetimit të saj në botën reale. Tani, gjëja më e rëndësishme është të mos heqësh dorë nga dëshmorët që dhanë jetën për atë që ëndërruan.

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Shënim:

Përshëndetje të nderuar, artikullin «Shqipëria është gjaku im që nuk falet» e kam shkruar në vitin 2002, dhe titullimi është vetëm rastësi (u tregoj herën tjetër), nuk ka asgjë të përbashkët me «Kosova është gjaku im që nuk falet», e shkrimtarit dhe atdhetarit të shkëlqyeshëm, të ndjerit Ali Podrimja.

Sot, artikullit të para 18 viteve i kam shtuar diçka, që t`i përshtatet situatës pothuajse vdekjeprurëse para së cilës gjendemi në këtë vit, ku sulmohemi njëkohësisht nga virusi kinez dhe virusi i këlyshëve shqipfolës – por me prejardhje etnike të paqartë për ne shqiptarët e vërtet.

PS: Gjatë këtyre viteve të paraqitjes në internetin shqiptar (prej 2002) kisha raste të takohem me disa atdhetar të devotshëm dhe intelektual të shkëlqyeshëm, prej të cilëve edhe kam mësuar shumë për shqiptarinë. Sivjet kisha planifikuar të vizitoj trojet tona dhe të takohem me disa prej jush, sidomos me themelues të portaleve ku postoj, por mbetet shpresa pas vitit të ri. Dhe, unë akoma nuk kam postuar fotografi të qartë, por mendoj se për momentin mjafton kjo në hije, e shkrepur nga largësia, ku gjyshi fotografon nipin…

Respekt për ju, Aurel Dasareti

DY KULTURAT E SHOQËRISË SHQIPTARE NUK MUND TË BASHKËJETOJNË PËRGJITHMONË – Esé nga Thanas L. Gjika

Për këtë temë nuk ka studime të posaçme, por unë po guxoj të hedh disa mendime duke shpresuar se mund të tërheq vëmendjen e studiuesve të specializuar që merren e do të merren me historinë e lëtërsisë, të artit e të gazetarisë shqiptare dhe me historinë e shkencave shoqërore shqiptare të shekujve XX-XXI. Me shkenca shoqërore shqiptare kuptojmë studimet e historisë së popullit tonë, studimet për historinë e letërsisë, të artit e të publicistikës, si dhe hartimin e teksteve shkollore të historisë e të letërsisë shqiptare.

Krijuesit e artit, letërsisë, publicistikës, si dhe studiuesit e shkencave shoqërore e marrin shtytjen e krijimtarisë së tyre të nxitur nga bindjet e tyre artistike, letrare, shkencore, politike, fetare, shoqërore, etj.

Nëse një krijues ka bindje demokratike, vepra e tij trajton probleme që u interesojnë masave të gjera të popullit dhe i interpreton ato në përputhje me interesat e këtyre masave. Këto vepra janë të mbushura me revoltë ndaj padrejtësive të pushtetit e pushtetarëve, kur interesat e kësaj pjese të shoqërisë janë në konflikt me interesat e masave popullore. Të tilla vepra janë jetëgjata si vetë populli, të cilit i shërbejnë.

Nëse krijuesi ka bindje jo demokratike, vepra e tij trajton probleme që lidhen me interesat e tij egoiste dhe në shërbim të politikës së pushtetarëve të kohës. Këto vepra janë të mbushura me egoizëm, servilizëm dhe propagandë. Të tilla vepra nuk mund të jenë as universale dhe as të përjetshme, sepse në to nuk trajtohen tema që interesojnë masat e gjera të lexuesve dhe nuk pasqyrohen me vërtetësi ngjarjet dhe heronjtë. Trajtim me vërtetësi të ngjarjeve dhe herojnëe quajmë shprehjen e qendrimit ideor dhe emocional të autorit në përkrahje të atyre ngjarjeve dhe heronjve të cilëve u përket e ardhmja. Kurse veprat që u mungon vërtetësia janë ato vepra ku autori shpreh qëndrimin e vet ideor dhe emocional në përkrahje të ngjarjeve dhe heronjve që nuk u përket e ardhmja historike. Për ta konkretizuar mund të marrim cdo vepër të realizmit socialist, ku heroi qëndror është një komunist ose një sekretar partie që jepet si hero i së ardhmes në një kohë që dihet se sistemi shoqëror që e polli këtë hero nuk kishte të ardhme, por shkonte drejt kapitullimit.

Shoqëria njerëzore ka synuar gjithnjë për të siguruar sa më shumë të drejta për sa më shumë anëtarë të saj. Hapi më i madh në këtë drejtim u krye me krijimin dhe zbatimin e kushtetutës borgjeze të të drejtave të njeriut, të drejta, të cilat gjatë shekujve XIX-XXI në vendet euroatlantike kanë ardhur duke u pasuruar, forcuar e perfeksionuar gjithnjë e më shumë. Në ato shtete ku këto të drejta zbatohen me rigorozitet shohim se gjallon një kulturë e vetme kombëtare, e cila krijohet prej intelektualëve krijues shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve dhe studiuesve të shkencave shoqërore, të cilët pavarësisht se mund të kenë bindje të ndryshme politike, pra mund të bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike, ose mund të kenë bindje të ndryshme artistike e shkencore, pra mund të bëjnë pjesë në shkolla e rryma letrare artistike, ose shkencore të ndryshme, ata krijojnë së bashku një kulturë kombëtare, kulturën demokratike. Kjo kulturë i shërben zhvillimit dhe emancipimit të masave të gjera të popullit të vendit të vet dhe të popujve të mbarë botës.

Ndryshe ndodh në shtetet ku këto të drejta nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë me shkrim, por nuk zbatohen me rigorozitet në praktikë. Këto shtetet janë jo demokratike dhe në jetën e tyre shoqërore gjallojnë dy kultura kombëtare, të cilat bashkëjetojnë, konkurojnë midis tyre dhe shpesh herë luftojnë njëra tjetrën. Qeveritë e vendeve jo demokratike ndihmojnë e përkrahin intelektualët krijues që i shërbejnë e i servilosen pushtetit. Këta me veprat e tyre publicistike, letrare, artistike dhe shkencore (në studime të historisë kombëtare, të historisë së letërsisë, në kritika letrare dhe në tekste mësimore të historisë dhe të letërsisë) përpiqen të përjetësojnë pushtetin e klasës / kastës që është në pushtet. Kjo kulturë nuk është kulturë demokratike, nuk i shërben zhvillimit dhe përparimit të popullit të vet dhe aq më pak popujve të tjerë të botës. Në veprat që i përkasin kësaj kulture mbizotëron propaganda si në letërsi, në arte dhe në shkencat shoqërore. Kultura tjetër, që konkuron me të është kultura demokratike, e cila gjallon përmes veprave letrare, artistike dhe publicistike, si dhe veprave shkencore historike e teksteve mësimore, ku nuk mbizotëron propaganda, por arti realist, vërtetësia, kurse në studimet e shkencave shoqërore mbisundon jo propaganda, por objektivizmi. Kjo kulturë është kulturë demokratike sepse i shërben zhvillimit dhe emancipimit të popullit të vendit të vet, si dhe popujve të botës.

* * *

Në historinë e popullit shqiptar këto dy kultura kanë ekzistuar që në kohën e pushtimit turk dhe vijojnë të ekzistojnë deri sot, sepse gjatë gjithë kësaj kohe populli ynë nuk është qeverisur dhe nuk po qeveriset prej qeverish të vërteta demokratike.

Në jetën kulturore shqiptare, pra në letërsinë, artet, publicistikën dhe në shkencat tona shoqërore, që nga koha e Rilindjes e deri sot konkurojnë dy kultura, dy rryma të ndryshme që përfaqësohen nga veprat e dy grupeve krijuesish dhe studiuesish. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në gazetarinë dhe letërsinë e kohës u kristalizuan dy rryma: njëra që shprehte interesat liridashëse të masave të gjera të popullit shqiptar dhe tjetra që shprehte interesat e pushtuesit osman dhe të shtresës së nëpunësve shqiptarë që i shërbenin këtij pushtuesi, ose interesave të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.

Shkrimtarët e gazetarët e rrymës së parë propagandonin nevojën e lirisë, arsimin shqip dhe përdorimin e alfabetit me shkronja të veçanta, ose latine. Kjo kulturë filloi të merrte formë me veprat e klerikëve katolikë të shek. XVI-XVII si Marin Beçikemi (alias Marin Barleti), Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, që u pasua në shek XIX prej Naum Veqilharxhit e më pas prej vëllezërve Frashëri, Faik Konicës, At’ Gjergj Fishtës, A. Z, Cajupit, etj. Përfaqësuesit e saj luftuan për nxjerrjen në dritë të identitetit kombëtar shqiptar, duke e shkruar gjuhën shqipe me alfabet të veçantë ose latin, duke mbledhur dhe botuar krijimtarinë popullore, duke himnizuar në letërsi, arte dhe gazetari figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe bëmat e trimave kryengritës. Në veprat e këtyre krijuesve shprehej hapur ose me nëntekst urrejtja ndaj pushtuesit, shovinizmit fqinj dhe shërbëtorëve të tyre.

Kurse kultura tjetër shprehte interesat e Portës së Lartë të Stambollit dhe shërbëtorëve të saj bejlerë ose nëpunës të qeverisë osmane, ose interesat e qarqeve shoviniste greke e sërbe. Përfaqësuesit e kësaj kulture nuk propagandonin idenë e lirisë, ata nuk kërkonin hapjen e shkollave shqipe, ata kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin arab, grek ose cirilik. Këtë kulturë e përpunuan shumë pak veprimtarë, të cilët ishin në shërbim të politikës së sunduesit osman ose të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.

Gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur (1912-1939) dy kulturat morën përmbajtje të re. Kultura jo demokratike u vu në shërbim të pushtuesve të huaj gjatë Luftës së Parë Botërore dhe gjatë viteve 1925-1939 në shërbim të Ahmet Zogut. Kurse kultura demokratike që shprehte interesat e popullit ironizoi mendimet dhe veprimet e gabuara të pushtetarëve të Qeverisë së Vlorës e asaj të Durrësit. Për t’u përmendur janë këtu pamfletet, portretet dhe skicat e Mihal Gramenos, ku pushtetarët turkoshakë u përgjithësuan me epitetin “Honxho-banxho”, kurse zyrtarët gjoja perëndimorë u përgjithësuan me epitetin “Xhongo-rokë”. Kultura demokratike u pasurua dhe me krijimtarinë satirike të At’ Gjergj Fishtës, Gjergj Bubanit, me artikujt, fjalimet dhe pamfletet e Fan Nolit, skicat e Nonda Bulkës, romanin “Doktor Gjëlpëra…” të Faik Konicës, tregimet e Ernest Koliqit, të Migjenit, si dhe me krijimtarinë e shumë këngëtarëve, muzikantëve, të Korit Lira të Korcës dhe të disa piktorëve.

Gjatë pushtimit fashist u punua për krijimin e kulturës profashiste me anën e disa gazetave si “Tomorri”, Tomorri i Vogël”, etj, e cila ishte kulturë jo demokratike. Kjo kulturë ishte thjesht propagandë gazetareske që u shoqërua me shumë pak krijime letrare e artistike. Në kundërshtim me të u zhvillua kultura antifashiste e cila pati dy krahë, krahun që përfaqësuan forcat nacionaliste dhe udhëheqësit e organizatës patriotike “Balli Kombëtar”, dhe krahun që krijuan forcat partizane komuniste. Të dy këto forca kishin buletine dhe gazetat e veta. Populli u këndoi pa dallim luftëtarëve e dëshmorëve të çetave partizane dhe të çetave patriotike nacionaliste, balliste (shumë prej këtyre këngëve kushtuar luftëtarëve nacionalistë e ballistë u botuan në një vëllim më 2019). Kultura demokratike e krahut që krijuan forcat balliste dhe legaliste u fashit pasi Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mikjes të 3 gushtit 1943 dhe u shpalli luftë Ballit Kombëtar e Legalitetit duke i shpallur ato “forca tradhëtare”, me qëllim që në fund të luftës PKSh-ja të merrte pushtetin si forcë e vetme politike antifashiste. Qëllim që e realizoi në fund të nëntorit 1944.

Marrja e pushtetit politik prej Partisë Komuniste të Shqipërisë u shoqërua me forcimin e propagandës proqeveritare, me mbylljen e gazetave dhe revistave që synonin lirinë e shprehjes, me botimin vetëm të gazetave e revistave proqeveritare. Intelektualë, shkrimtarë e klerikë që mendoheshin prej udhëheqjes së partisë shtet se mund të kundërshtonin vijën e saj politike u vranë, u burgosën dhe u dëbuan nëpër kampe pune në internim. Me anën e Radio Tiranës, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Lidhjes së Gazetarëve, Kinostudios “Shqipëria e Re”, Televizionit u forcua propaganda proqeveritare në maksimum. Në letërsi dhe arte u kërkua me ngulm që të krijohej sipas normave leniniste të realizmit socialist, ku të dominonte figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si hero pozitiv, model i shoqërisë së re socialiste. Shqipëria u shpall shteti më demokratik në botë, ndonëse të drejtat e njeriut, e drejta e fjalës dhe e shtypit të lirë, etj nuk ekzistonin fare.

Në të gjitha veprat letrare artistike dhe ato shkencore të shkencave shoqërore dukuritë e jetës duhej të interpretoheshin në përputhje me politikën e partisë shtet. Ky detyrim sillte shpesh herë shtrembërimin e së vërtetës historike. Konkretisht duke qenë se partia kërkonte që Lufta Antifashiste të trajtohej vetëm si luftë e Partisë Komuniste, në asnjë vepër letrare, vepër arti, ose film artistik nuk u trajtua rezistenca e 7 prillit 1939 dhe nuk u përmendën dëshmorët e saj. Po ashtu u mohuan Lufta Antifashiste e çetave nacionaliste e çetave të Ballit e të Legalitetit. Intelektualët me formim borgjez perëndimor dhe kleri, sidomos ai katolik, u paraqitën si forca regresive reaksionare, kur dihet se intelektualë, mësues, ingjinierë, mjekë të formuar në botën perëndimore dhe klerikë si At’ Gjergj Fishta, At’ Shtjefën Gjecovi, Dom Ndre Mjeda me shokë kishin luajtur rol përparimtar në jetën dhe historinë tonë kombëtare. Të tilla shtrembërime të realitetit në veprat letrare e artistike dhe në shkencat shoqërore në fakt ishin pjesë e krimeve të sistemit komunist.

Shkrimtarët që kishin krijuar para luftës sipas parimit realist, pas vitit 1944 me dashje a padashje, filluan të krijonin vepra të reja sipas parimeve të realizmit socialist. Në këtë rrugë filluan të ecin dhe shkrimtarë e artistë të rinj që e nisën krijimtarinë e tyre pas vitit 1945. U stimulua krijimi i veprave të realizmit socialist me dhënie lejësh krijuese, me dhënie çmimesh të ndryshme, me dërgime jashtë shtetit në vendet e kampit socialist, me përkthimin e veprave në gjuhë të huaja, etj.

Në rrugë të gabuar ecën edhe shkencat shoqërore ku hyjnë studimet historike, studimet letrare, tekstet shkollore dhe filozofia. Filozofia marksiste nuk e vlerësoi moralin e krijuar gjatë përvojës së gjatë njerëzore. Filozofia marksiste ashtu si letërsia u përpoq ta edukonte shoqërinë përmes modelit të heroit pozitiv, një njeri i thjeshtë, ose më mirë një komunist ose sekretar partie që shkonte drejt perfeksionit duke zbatuar mësimet e partisë dhe parimin marksist sipas të cilit njeriu i ri i socializmit duhej të luftonte në radhë të parë për interesin e përgjithshëm e pastaj për interesin personal. Harrohej se njeriu nga natyra është qenie interesi dhe në jetë ai lufton para së gjithash për interesin personal e familjar e pastaj për shoqërinë, mjafton që të mos bjerë ndesh me ligjet e shtetit dhe normat morale të shoqërisë. Pra morali që kërkohej në veprat e realizmit socialist dhe në filozofinë marksiste ishte një moral jashtë karakterit njerëzor, moral fals, moral jo i shëndoshë. Njeriu i ri i socializmit, heroi pozitiv i letërsisë dhe arteve, nuk e kishte flakën e brendshme për ndryshimin e shoqërisë përmes luftës së të kundërtave duke pranuar mendimin ndryshe për të arrirë tek e përsosura. Nuk përkrahej, madje luftohej, njeriu i formuar me normat e moralit të shëndoshë që ishte krijuar gjatë shekujve. Kërkohej me ngulm krijimi i njeriut të ri të formuar vetëm sipas normave të moralit komunist, që ishte një moral i sajuar e fals. Kjo solli shkatërrimin e moralit të vërtetë te njeriu i socializmit.

Mirëpo figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si model i heroit pozitiv nuk mund të krijohej e të vihej në qendër edhe në veprat që trajtonin tema historike, pra në vepra ku pasqyrohej jeta shqiptare para krijimit të partisë komuniste. Të tilla vepra ku viheshin në dukje traditat patriotike të popullit tonë nuk mund të ndaloheshin me ligj. Kështu që partia shtet u detyrua të lejonte që krahas veprave që pasqyronin jetën socilaiste me hero pozitiv të krijoheshin edhe vepra me heronj të së kaluarës që nuk ishin komunistë, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, rilindës të ndryshëm, luftëtarë që kishin dhënë jetën për liri kundër zgjedhës turke, italiane (para nëntorit 1941), etj. Heroi pozitiv, njeriu që mishëronte normat e moralit komunist nuk mund të sajohej si hero në veprat historike para formimit të PKSh-së, por as në veprat humoristike, ku kritikoheshin veset e dobësitë njerëzore, dhe as në veprat lirike ku i këndohej ndjenjave të holla dashurore të njeriut.

Si pasojë ndodhi që i njëjti shkrimtar, piktor, muzikant, skulptor, skenarist, regjisor të krijonte vepra të realizmit socialist, kur trajtonte tema nga jeta bashkëkohore dhe vepra thjesht realiste, kur trajtonte tema nga e kaluara historike, ose tema homoristike a lirike. Kështu që brenda kulturës shqiptare në vitet e diktarurës komuniste mbizotëroi kultura servile proqeveritare, por krahas saj gjalloi dhe një kulturë jo servile, që përbëhej prej veprash letrare e artistike realiste dhe që ishte krijuar jo sipas parimeve të letërsisë dhe artit të realizmit socilaist. Këto vepra si psh cikli i romaneve “Rilindasit” i Sterio Spasses, romani “Skënderbeu” i Sabri Godos, romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë bashkë me gjithë korpusin e tij romanor me temë nga koha e Perandorisë Osmane, “Lëndina e lotëve” i Teodor Laços, etj; filma si “Nëntori i Dytë” e “Gjeneral Gramafoni” të Viktor Gjikës, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” e “Përrallë nga e kaluara” të Dhimitër Anagnostit, “Mësonjëtorja” i Muharrem Fejzos, “Kohë e largët” e Spartak Pecanit, “Udha e shkronjave” i Vladimir Priftit, “Ja vdekje, ja liri” i regjisorëve I. Muça e K. Mitro, “Balada e Kurbinit” i Kujtim Çashkut, etj. Përmendim këtu dhe vepra satirike si komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës, romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit, shumë skica humoristike në revistën “Hosteni”, etj, si dhe shumë poezi lirike nga Vehbi Skënderi, D. Agolli, këngë lirike dhe këngë popullore lirike, ku nuk mund të sajohej një hero pozitiv si e donte partia shtet. Edhe në kinematografi u realizuan disa filma humoristikë si filmi “Karnavalet” i regjisorit I. Zhabiaku sipas komedisë “Karnavalet e Korçës të S. Çomorës, si dhe komeditë me temë aktuale “Kapedani” prej Fehmi Oshafit e M. Fejzos dhe “Dy herë mat” prej Bujar Kapexhiut, etj. Po ashtu pati realizime realiste në piktura dhe skulptura me temë nga e kaluar historike si tablotë murale të Zef Shoshit në Muzeu Historik i Krujës, “Beteja e Albulenës” e Lek Pervizit, etj dhe në skulpturë “Monumenti i Skënderbeut” i Janaq Paços në Krujë dhe ai i Odise Paskalit në Tiranë, “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, etj. Me dashje ose pa dashje partia shtet, sponsorizoi edhe këto vepra dhe të tjera, që nuk po i përmendim, të cilat janë vepra që i përkasin kulturës demokratike të cilat kanë vlera të qëndrueshme artistike që nderojnë artin dhe kulturën shqiptare. Në këto vepra u zbatuan parimet e artit realist dhe jo normat e realizmit socialist, prandaj ato bëjnë pjesë në thesarin e kulturës sonë që do të jetojë përgjithmonë.

Në fushën e shkencave shoqërore pati studime të qëndrueshme lidhur me historinë e së kaluarës, pra të periudhës së Antikitetit, Mesjetës dhe Rilindjes, si dhe të historisë së letërsisë shqiptare të para vitit 1944. Ndihmesë të vyer këtu dhanë dhe shumë studiues të të ish-Jugosllavisë si Femi Agani, Ali Hadri, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ali Aliu, etj që punonine krijonin në Krahinën Autonome të Kosovës.

Gjatë viteve të diktaturës komuniste nuk u fol e nuk u pranua kurrë se ekzistonte dhe një kulturë shqiptare demokratike krejt e pastër, kultura e burgut, që përfaqësohej prej krijimeve letrare kryesisht poezi e prozë dhe piktura që krijuan nëpër burgje të dënuarit e ndërgjegjes. Për nderin e kulturës demokratike shqiptare të atyre viteve të vështira, disa nga shkrimtarët e piktorët e burgosur si piktori e rapsodi Lek Pervizi, poetët Frederik Reshpja, Pano Taçi, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Pano Tasi, piktori Maks Velo, romancieri Kasëm Trebeshina, etj, krijuan vepra realiste brenda mureve të burgjeve ferr.

Ndërrimi i regjimit dhe botimi i letërsisë e artit realist të krijuar në burgje treguan se letërsia e realizmit socialist ishte një mish i huaj në procesin historiko letrar e artistik shqiptar. Pikërisht veprat letrare dhe artistike që përbënë kulturën demokratike në vitet e sundimit të diktaturës komuniste, përbëjnë hallkën lidhëse midis letërsisë dhe artit shqiptar të Rilindjes e të kohës së pavarësisë me letërsinë dhe artin shqiptar të ditëve tona e të së ardhmes. Veprat letrare artistike që u krijuan sipas normave të realizmit socialist, mbas ndërrimit të regjimit diktatorial ndjehen të vjetëruara dhe askush nuk krijon më sipas atyre modeleve. Sot shihet hapur se në ato vepra është shtrembëruar e vërteta historike.

Në Shqipëri pas ndërrimit të regjimit dikatorial duhej të arrihej krijimi i një kulture të vetme demokratike, por fatkeqësisht vijuan të gjallojnë ende dy kultura. Njëra demokratike dhe tjetra kultura servile e pushtetit, kultura jo demokratike. Kjo ndodhi sepse mbas ndërrimit të regjimit, udhëheqja e PKSh-së duke zbatuar planin Katovica që sajoi Mikail Gorbaçovi, u përpoq që të sabotonte procesin e ecurisë demokratike përmes pluralizmit partiak. U futën me urdhër të klanit Hoxha në partitë e reja politike shqiptare ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë të tjerë të regjimit diktatorial, për të degjeneruar proceset demokratike.

Zbarimi i planit Katovica në Shqipëri solli si pasojë krijimin e një klase politike me njerëz të korruptuar që shkelin lirinë e fjalës dhe kanë krijuar një shtyp e media që i shërben kryesisht interesave të saj. Tek ne pushtetin politik dhe pasuritë e vendit vijuan t’i gëzojnë edhe pas ndërrimit të regjimit besnikët e klanit Hoxha. Kjo situatë ka lejuar që në publicistikë, letërsi, arte dhe shkencat shoqërore propagandohet politika e kastës sunduese të shpërndarë në parti të ndryshme politike si Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Lidhja Socialiste për Integrim, etj. Ish-krijues të veprave letrare e artistike të realizmit socialist, duke mos dashur të kërkojnë falje për veprat që krijuan gjatë regjimit diktatorial, vijojnë t’i mbrojnë ato vepra, si vepra me vlera edukative, duke mos kuptuar se ky justifikim është një krim i ri, sepse ndihmon në ruajtjen e nostalgjisë ndaj diktaturës dhe enverizmit. Në krijimtari letrare dhe artistike këta krijues janë larguar nga kriteret e socrealizmit dhe përpiqen të krijojnë vepra të reja në përputhje me normat e realizmit botëror. Përpiqen t’u ngjajnë shkrimtarëve përparimtarë botërorë, duke i cituar e përmendur. Merren me trajtim temash filozofike, erotike, sociologjike, por gjithnjë duke u qendruar larg trajtimit të plagëve që shkaktoi regjimi komunist. Për t’u dukur modernë trajtojnë tema dashurie e filozofike, por nuk dënojnë krimet e kohës së komunizmit dhe përpiqen të minimizojnë vlerat e letërsisë që u krijua në burgjet shqiptare dhe të krijimtarisë së re që prodhojnë ish-të përndjekurit e ndërgjegjes dhe krijuesit e rinj që i dënojnë krimet e komunizmit.

Në rrugë edhe më të gabuar kanë ecur historianët që shkruan Historinë e Shqipërisë të shekullit të XX. Këta e ripunuan “Historinë e popullit shqiptar” të viteve 1912-1939 dhe të 1939-1991 dhe e botuan në dy vëllimet III dhe IV, botim i Akademisë së Shkencave, si dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” po ashtu botim akademik i vitit 2008-2009. Në këto vepra për hartimin e të cilave morën rrogën dhjetra kuadro akademikë më shumë se dhjetë vjet, shumë dukuri, ngjarje dhe figura historike i interpretuan dhe i vlerësuan si më parë. Në këto vepra krimet e komunizmit nuk janë dënuar, madje as janë përmendur. Kjo tregon se klani Hoxha ka ende fuqi për të komanduar kuadrin shkencor të Akademisë së Shkencave të RSh-së edhe pas ndërrimit të regjimit diktatorial, si dhe shumë krijues të artit e letrarsisë së sotme.

E thënë ndryshe, edhe sot në jetën shqiptare gjallojnë dy kultura. Nga njëra anë gjallon kultura jo demokratike, e cila justifikon klasën politike dhe nuk i dënon krimet e komunizmit. Nga ana tjetët gjallon kultura demokratike që krijohet prej ish-të përndjekurve të ndërgjegjes dhe krijuesve të vjetër e të rinj, që kanë kurojo qytetare dhe i dënojnë krimet e komunizmit. Këta trajtojnë në veprat e tyre letrare, artistike dhe shkencore probleme thelbësore të jetës shoqërore përmes realizmit si metodë krijuese, kurse në veprat shkencore zbatojnë me objektivitet parimet e historizmit shkencor.

Kësaj kulture i përket e ardhmja, kurse kulturës proqeveritare do t’i vijë fundi shumë shpejt mbas krijimit të shtetit ligjor, kur Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Në këtë bashkësi popujsh nuk do të jetë më i nevojshëm dhe as do të pranohet lëvrimi i kulturës servile ndaj pushtetit. Pushteti do të jetë pushtet demokratik i vërtetë dhe si i tillë do të stimulojë jo servilizmin dhe propagandën proqeveritare në media, art, letërsi, shkenca shoqërore e tekste shkollore, por lulëzimin e kulturës demokratike si kulturë e vetme në shërbim të mbarë shoqërisë shqiptare…

Parisi dhe Moska nuk e zëvendësojnë dot Uashingtonin – Nga SHABAN MURATI

Nganjëherë lojërat diplomatike të fuqive të mëdha ngjasojnë me kapriçio fëminore, ku shfaqja është më e rëndësishme se thelbi. Këtë përshtypje lë nxitimi i Francës dhe i BE që të organizojnë në muajin korrik një samit të ri midis Serbisë dhe Kosovës, të cilin e shpallën menjëherë sapo u ndërpre samiti i dialogut Serbi-Kosovë në Shtëpinë e Bardhë, i caktuar në 27 qershor dhe që nuk u zhvillua për shkak të ndërhyrjes së prokurorit të gjykatës speciale me komunikatën e tij politike me akuza për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe nëntë drejtues të UÇK. Nuk kuptohet përse Moska dhe Brukseli u gëzuan aq shumë që nuk u zhvillua takimi në Shtëpinë e Bardhë. Rusia u përpoq ta fshihte entuziazmin e saj sikur e kishte hallin pse Shtëpia e Bardhë po i merrte BE-së rolin udhëheqës në bisedimet, dhe gazeta ruse “Komersant” shkruante në 29 qershor me titullin e bujshëm “Kosova kthehet në Europë”.

Duhet ta themi qysh në fillim se samiti Serbi-Kosovë, që do të organizohet në Paris nga presidenti i Francës Makron është paraprakisht i pasuksesshëm, dhe as ka karta të reja dhe as shanse të reja. As mund të mendohet se ai do të tejkalojë samitin e ndërprerë Serbi-Kosovë të Shtëpisë së Bardhë.

Së pari, çfarë ka ndryshuar nga 27 qershori i takimit të Shtëpisë së Bardhë tek samiti i ri korrikut i Parisit? Asgjë nuk ka ndryshuar, që t’i japë Parisit ndonjë kartë magjike çudibërëse. Presidenti i Kosovës ka njëlloj një akuzë për krime kundër njerëzimit dhe kryeministri i Kosovës ka deklaruar së është i gatshëm për të vazhduar dialogun me Serbinë. Kryesorja, që nuk duhet harruar, është se samiti i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë nuk është fshirë, por është shtyrë. Nuk besoj se ka diplomat naiv që të besojë se SHBA kanë hequr dorë nga roli i tyre vendimtar për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë. Shtëpia e Bardhë e bëri njoftimin se ajo do të caktojë një datë tjetër për organizimin në SHBA të samitit midis Serbisë dhe Kosovës.

Natyrisht interesimi është dhe koha është pjekur për një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës. Në këtë sens çdo logjikë diplomatike, politike dhe gjeopolitike mbështet atë shtet, forum dhe forcë, e cila është në gjendje dhe ka instrumentet për të detyruar Serbinë dhe Kosovën të nënshkruajnë marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe të njohjes midis tyre. Përvoja e krizave të mëparshme ballkanike me luftërat tragjike të Serbisë kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës dëshmon se qenë vetëm Shtetet e Bashkuara që këputën me shpatën e forcës nyjen gordiane të luftërave kriminale dhe të masakrave serbe kundër popujve të Bosnjës dhe të Kosovës.

Tani kemi nevojën e tretë dhe rastin e tretë të zgjidhjes së konfliktit të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës, konflikt i krijuar nga Serbia, e cila ashtu si u soll ndaj shteteve të tjera, që dolën nga ish-Jugosllavia, nuk pranon që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kanë kaluar 11 vjet nga pavarësimi i Kosovës, një kohë shumë e gjatë, që imponon marrjen e nismës së shpejtuar dhe të rolit drejtues të zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë nga SHBA. Ndaj dalja në plan të parë e diplomacisë dhe e shtetit amerikan duhet parë si një zhvillim pozitiv dhe efikas në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës me njohjen midis tyre.

Është naive të diskutohet gjeografia apo reliefi në një konflikt të tillë, sepse ndonëse Serbia dhe Kosova janë shtete në Europë, konflikti midis tyre nuk zgjidhet dot as nga gjeografia dhe as nga reliefi europian, por nga fuqia.

Le ta fillojmë me BE. Ajo i pati mundësitë gjatë tetë viteve nga 2011 deri ne 2018, që ndërmjetësoi dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, por nuk qe e aftë që të çonte në një zgjidhje të konfliktit. Nuk qe e aftë, sepse ajo nuk aplikoi një strategji të drejtë bisedimesh dhe të zgjidhjes së konfliktit, por në mënyrë të gabuar u përpoq më shumë të lehtësonte rrugën e Serbisë për në BE, se sa normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë. BE nuk qe në gjendje, madje nuk bëri as edhe një tentativë, që të bindte pesë shtetet anëtare, që nuk e njohin Kosovën për të ndërmarrë hapin e vonuar të pranimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Pesë shtetet e BE nuk e njohën Kosovën as pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik të vitit 2010 për ligjshmërinë dhe drejtësinë e aktit të shpalljes së pavarësisë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB. Për më tepër BE ndoqi doktrinën e gabuar të “simetrisë së fajit”, ku për konfliktet në ish-Jugosllavi i vuri në një plan edhe Serbinë, edhe shtetet viktima të agresioneve serbe, përfshirë edhe Kosovën. Hiperbolizimi diplomatik dhe propagandistik, që BE i bëri çështjes së taksës së Kosovës për mallrat serbe, është një faqe e turpshme e diplomacisë europiane për t’i dhënë alibinë e krimit të Serbisë. Tani kemi një faqe tjetër të turpshme, ku përfshihet prokuroria speciale, e cila është në fund të mandatit bashkë me gjykatën speciale, që skadon në 2020, kujtohet të kalojë nga “simetria e fajit” tek absurditeti i fajit dhe i krimit tek ata, që luftuan dhe përballuan agresionin dhe gjenocidin serb. BE bëri një gabim të madh që edhe shefin e politikës së jashtme, edhe përfaqësuesin e saj të posaçëm për dialogun Serbi-Kosovë, zgjodhi dy diplomatë nga shtete, që nuk e njohin Kosovën. Sllovaku Lajçak mund të ketë curriculum të pasur që nga shkolla e lartë MGIMO e MPJ të Rusisë e deri tek posti i ministrit të jashtëm të vendit të tij, por ai nuk e njeh Kosovën, dhe kjo e bën atë një ndërmjetësues të papërshtatshëm diplomatik.

Po kështu mund të thuhet për Francën, që ka dalë me nismën e re për të organizuar samitin e korrikut 2020. Së pari, duhet të kihet parasysh që Franca dështoi një vit më parë për të organizuar samitin e saj Serbi- Kosovë në Paris në 1 korrik 2019, që u njoftua dhe nuk u zhvillua. Së dyti, Parisi e ka komprometuar misionin e saj të ndërmjetësit, sepse në “Strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimor” të shpallur nga presidenti në 30 prill 2019, ka vendosur Serbinë në qendër. Në Beograd ka hapur edhe “Zyrën rajonale franceze të Ballkanit Perëndimor” dhe presidenti francez Makron e shpalli Serbinë shtetin udhëheqës të rajonit gjatë vizitës së tij në Beograd në 15 korrik të vitit të kaluar. Franca u bashkua me Rusinë dhe me Beogradin në idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe presidenti Makron e përkrahu zyrtarisht shkëmbimin e territoreve në tetor 2018 në takimin e tij në Erevan me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Franca është shteti kryesor që ka bllokuar liberalizimin e vizave me Kosovën nga BE, në kohën që të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor gëzojnë regjim të liberalizuar. Pra Franca e ka të pamundur të arrijë një rezultat konkret dhe real në samitin e ardhshëm të organizuar prej saj. Duhet të theksojmë që BE dhe Franca jo se nuk duan, por se nuk mundin që ta zgjidhin konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës.

Përsa i përket Rusisë, Moska nuk don kurrsesi që të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë. Ndaj ajo në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë dërgoi ministrin e jashtëm në Beograd në 18 qershor dhe thirri në Kremlin presidentin serb në 23 qershor për t’i imponuar një vijë obstruksioniste për takimin e Shtëpisë së Bardhë. Moska ishte e alarmuar se Serbia mund të detyrohej që të pranonte në Uashington njohjen e Kosovës,frikë që e shpreh hapur profesoresha e Institutit MGIMO të MPJ të Rusisë, Elena Ponomarjova, e cila në organin shtetëror rus “Russiatoday” deklaronte në 27 qershor se “situata ka qenë e tensionuar dhe gjithë trembeshin se mos Beogradi do të njohë Republikën e Kosovës. Ndërprerja e bisedimeve të Uashingtonit nuk e lejon situatën të shkojë në atë drejtim”. Moska nuk e don dhe ndaj po e saboton me të gjitha mjetet arritjen e një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke. Një marrëveshje e tillë do t’i hiqte Rusisë instrumentin e vetëm të presionit dhe të diktatit diplomatik mbi Serbinë.

Në situatën ere të krijuar është e qartë se çështja e konfliktit midis Serbisë edhe Kosovës dhe nevoja e zgjidhjes së tij ka hyrë në një fazë të re të angazhimit diplomatik ndërkombëtar. Zhvillimet e fundit evidentojnë akoma më qartë se rolin kryesor vendimmarrës duhet ta luajnë SHBA, të cilët kanë jo vetëm instrumentet e fuqisë për të detyruar të dy shtetet biseduese të arrijnë një marrëveshje përfundimtare normalizimi me njohje reciproke, për edhe që mund të neutralizojnë dobësitë dhe interferencat e ndryshme penguese, që vijnë nga Brukseli dhe nga Moska.

E thënë qartë, përvoja diplomatike dhe historike mëson se as Parisi dhe as Moska nuk mund ta zëvendësojnë dot Uashingtonin, i cili mbetet shpresa dhe rruga e vetme e rregullimit afatgjatë dhe pozitiv të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës dhe të stabilizimit përfundimtar të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Shqiptarët më të pakënaqurit në Ballkan për situatën ekonomike

Barometri i Ballkanit, një publikim i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, bën të ditur se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit kanë shënuar një rritje të numrit të atyre që shprehen të kënaqur.

Shqipëria është udhëheqësja rajonale, me popullsinë më të pakënaqur me mënyrën sesi po ecin gjërat në ekonominë e tyre. Barometri i Ballkanit, një publikim i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, bën të ditur se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit kanë shënuar një rritje të numrit të atyre që shprehen të kënaqur, një tregues i fortë se efektet e rritjes në ekonomi po përkthehen në përfitim edhe për qytetarët, por e kundërta ka ndodhur me vendin tonë.

“Shqipëria është liderja rajonale në përqindje të atyre që janë të palumtur, plot 42 për qind e popullatës, teksa në Kosovë, më pak se një çerek apo 23 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur, duke e kthyer këtë në rajonin më të kënaqur ekonomikisht” thuhet në publikim.

Sa i takon situatës financiarë në 12 muajt në vazhdim,18 për qind e shqiptarëve presin që të jetë më keq ndërsa 54 për qind nuk presin asnjë ndryshim.

Më mirë e presin 25 për qind e të anketuarve.

Duke renditur problematikat që shqetësojnë vendet nga papunësia te korrupsioni dhe mbrojtja e natyrës dhe trashëgimisë, barometri i Ballkanit tregon se papunësia, zhvillimi ekonomik mbajnë rekordin e shqetësime në rajon. Korrupsioni ndërkohë renditet i treti, por prevalenca e tij në rajon po rritet dhe në anketën e fundit me 31 për qind në raport me atë të vitit 2018.

Në Mal të Zi, qytetarët janë të shqetësuar nga papunësia në 55 për qind, ndërsa në Shqipëri situata ekonomike është ajo që shqetëson 53 për qind.

Çështjet politike janë ato që shqetësojnë Kosovën me 16 për qind dhe Shqipërinë me 15 për qind.

Korrupsioni në Shqipëri vlerësohet si shqetësim në 33 për qind të të anketuarve.

Barometri tregon se të paktën për Shqipërinë ka ndryshuar disi stereotipi sa i takon frikës.

Në një prej pyetjeve të anketës, e cila specifikon se kur mendoni për Ballkanin Perëndimor, çfarë ndjenje ju vjen në mendje, vetëm 5 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “frikë”.

Kjo është përqindja më e ulët e kësaj përgjigje në gjithë rajonin teksa Serbia ka përqindjen më të lartë në këtë përgjigje me 26 për qind. 38 për qind janë përgjigjur lidhur me Shqipërinë se ju vjen në mendje “shpresa” dhe 28 për qind besimi. Vetëm 16 për qind janë përgjigjur me “dyshim”./Burimi:Monitor

E VEÇANTA E GJERMANISË – DO TË JETË M’E FUQISHME N’EVROPË – Nga DANILO TAINO – Përktheu Eugjen Merlika

Koronavirusi ka nxjerrë në dukje brishtësinë e Evropës – ka thënë Angela Merkel para parlamentit gjerman që diskutonte mbi Këshillin evropian në lidhje me Recovery Fund. Atë që kancelarja gjermane nuk e tha e nuk mund t’a thonte për voli ishte fakti që në këtë brishtësi ka një Vend që bën përjashtim e ky është Gjermania. E cila po del nga faza e parë e pandemisë pa dyshim më mirë se sa Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe pas-Brexit. Të njëjtit gjermanë, mund të mendohet. Në të vërtetë mbarështimi shëndetësor dhe ekonomik i lockdown-it është i paracaktuar të ndryshojë marrëdhëniet dhe dinamikat evropiane. Që Berlini ngurues e dëshëron apo jo, që kryeqytetet e tjerë e pranojnë apo jo, Evropa e s’ardhmes do të jetë dukshëm më gjermane.

Berlini jo vetëm e ka përmbajtur më mirë virusin e kufizuar numurin e vdekjeve, jo vetëm po mbështet më me efekt ekonominë: ka marrë një rol udhëheqës kur Merkel i ka hapur rrugën Recovery Fund-it të Komisionit BE. E ka bërë duke përvehtësuar projektin e Macronit, por me këtë ka shënuar një kthesë në paradigmën zotëruese deri n’atë çast, kthesë që vetëm Gjermania mund t’a bënte: vënien në bashkësi të rezervave për të kapërcyer krizën në një kalim historik që po ndryshon barazpeshat e botës. “Është sfida m’e madhe në historinë e Evropës – tha Merkel përpara Bundestagut – e mënyra se si Evropa do t’a përballojë këtë pandemi në krahasim me të gjthë rajonet e tjera të botës, do të përcaktojë mirëqënien e qytetarëve evropianë dhe rolin e Evropës në botë”.

Në këto çaste, vdekjet nga koronavirusi në Gjermani kanë qënë rreth nëntëmijë (në 84 milion banorë). Në Francë , pothuaj 30.000, n’Itali pothuajse 35 mijë, në Spanjë më shumë se 28 mijë; mbi popullsi dukshëm më të paka në numër. Një studim i krahasuar i Oxford Economics mbi mënyrat se si katër ekonomitë më të mëdha të BE po i përgjigjen krizës arrin në përfundimin  se do të jetë një “gjallërim jo i njëjtë, me dy shpejtësi” e mbi bazën e sasisë e të cilësisë së stimujve të përdorur nga qeveria e Berlinit dhe të 16 Länder- ve, Gjermania do të dalë nga pandemia me një ekonomi të përforcuar në krahasim me të tjerat e kontinentit. Kjo nuk do të thotë se problemet e vjetra të Vendit janë zhdukur: kriza e sektorit automobilistik mbetet e thellë, sektori i shërbimeve është pak garues, financa e bankat çalojnë. Megjithatë Gjermania vendoset në qëndrën e çështjeve evropiane, siç nuk kishte qënë asnjëherë që nga 1945.

Megjithë vatrën e fundit në Vestfalinë Renane Veriore, në mbarështimin e krizës shëndetësore ka treguar se zotëron një aftësi drejtues si pak Vende të tjera. Ka rigjetur një farë qëndrueshmërie politike, me demokristianët e Merkel-it të rikthyer fuqishëm në sondazhe. Ka vërtetuar se, nëse do të duhej, që modeli i saj i defiçitit  zero e borxhit publik nën kontroll është përcaktues për të patur hapësira bilanci në çastet e krizave. Po fuqizon hegjemoninë e saj në Vendet e Veriut të Evropës, të cilët, në një farë mënyre, do të pranojnë Recovery Fund; n’ata të Lindjes që do të mbahen afër nëpërmjet bilancit të BE për vitet 2021 – 2027; n’ata mesdhetarë në sajë të ndihmave evropiane të paracaktuara për ta dhe të faktit që zinxhirët e prodhimit të vlerave, në brëndësi të të cilave Italia ka një rol të rëndësishëm , priren gjithënjë e më shumë të kenë zemrën e tyre në Gjermani. Për më tepër boshti me Francën është bërë i qëndrueshëm.

Jo vetëm aq. Ndërmjet Vendeve të mëdha të botës, me gjasë Gjermania do të jetë ajo që do të dalë më pak e dëmtuar nga kriza: më mirë se Shtetet e Bashkuara me dobësitë e tyre të brëndëshme e mungesën ndërkombëtare, më mirë se sa Kina të cilën bota e quan përgjegjëse për pandeminë; më mirë se sa Hindia e Brazili (ndoshta vetëm Japonia, ndërmjet të mëdhejve, mund të ketë rezultate të ngjajshme me ata gjermane, por në një fushë shumë të ndryshme). Një vlerësim i fuqishëm global i Gjermanisë do të pasqyrohet mbi raportin e forcave në BE.

Barazpesha e re evropiane që po krijohet ndryshon pritshmëritë politike për të gjithë kryeqytetet e për të gjitha qeveritë. Edhe Roma, veçanërisht Roma, siç është parë këto ditë, duhet t’a studjojë.

 

“Corriere della Sera”, 28 qershor 2020      Përktheu Eugjen Merlika     

Esad A.Rizai, shqiptaro-amerikani i shquar që e lartëson shqiptarinë – Nga Skënder Buçpapaj

 

Esad Ali Rizai është një nga bijtë më të mirë që Tropoja ia ka dhënë shqiptarisë dhe një nga shqiptaro-amerikanët më të shquar. Ai lindi në fshatin Luzhë, një nga më piktoreskët e këtyre anëve, i shtrirë në prehrin e butë të luginës rrëzë vargmalit që ndan Bytyçin nga Lugu i Malësisë. ‘Rizaj’ është lagjia më e bukur e fshatit, me kulla të larta dhe të bukura malësore. Rrëzë malit që aty lartohet pjerrët, i famshëm në gjithë Malësinë e Gjakovës është burimi Delvia, me ujë të bollshëm, të ftohtë, të kthjellët si loti.

Në fshatin e Esadit unë, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, e kam filluar mësimdhënien. Shkolla, e vogël dhe e vjetëruar, ndodhej në bregun e majtë të lumit Vitalina, që e përshkon Luzhën. Dy vjeshta, dy dimra dhe dy pranvera e kam bërë dy herë në ditë rrugën nga Tplani, fshati im që është fqinj me Luzhën. Nga këndej, sapo del në kodrën mbi fshat, Luzha i shpaloset udhëtarit e tëra përnjëherësh më bukur se ngado tjetër, nga këndi më panoramik, në tërë shtrirjen e saj.

Rruga më çonte gjithnjë pranë kullës ku ka lindur Esadi. Dhe takoja shpesh gjyshen e tij, Sosen, e cila ishte bijë nga farefisi im në Bujan, nganjëherë edhe banorin tjetër të asaj kulle, Sahit Ali Rizain. Më përshëndeste, më fliste, më përqafonte, si nipin e saj, Sahitin, vëllain e vogël të Esadit, pak më i rritur se unë, më jepte të fala për njerëzit e mi. Luzha, edhe pse e mbante ndaj të dyve distancën e imponuar nga lufta e klasave, nuk e fshihte dot admirimin dhe respektin që kishte për gjyshen dhe nipin, admirim dhe respekt që iu takonte edhe të zotit të shtëpisë, Ali Ali Rizait, zonjës së shtëpisë dhe dy djemve të tyre, Qazim Ali Rizait dhe Esad Ali Rizait, të cilët kishin bërë një nga arratisjet më të bujshme të kohës. Për pamundësi fizike kishin mbetur në atdhe vetëm më e moshuara e shtëpisë dhe më i vogli i shtëpisë.

Esadi është krenar për të atin, Ali A. Rizai, i lindur dy muaj pasi babain ia kishin vrarë si luftëtar të Bajram Currit. Nga mosha 18 vjeçare Ali A. Rizai, i radhitur në formacionet e Gani Beg Kryeziut, nuk kishte pushuar së luftuari kundër fashizmit, nazizmit, komunizmit. Më 1948, Ali A. Rizai ishte burgosur si njeri i rrezikshëm për regjimin komunist ngaqë nuk pajtohej kurrsesi me asnjë lloj shtypjeje dhe padrejtësie.  Më 1951 u arratis nga burgu, mori familjen dhe kaloi në Jugosllavi, ku përsëri u burgos, sepse nuk pranoi të spiunonte kundër Shqipërisë. Më 1960 u arratis nga burgu e nga Jugosllavia, kaloi në Itali dhe më 1962 u vendos përfundimisht në SHBA, ku gjithë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare. Veprimtarët shqiptarë vlerësojnë se me ardhjen e Aliut, iu shtua një dimension i fuqishëm jetës së diasporës shqiptare në Amerikë. Më 2001, pas 49 vitesh, mundi të vizitojë Shqipërinë, mundi të ribashkohej me birin e tij, Sahit Rizai, të cilin e kishte lënë vetëm 3 vjeçar kur ishte larguar nga Shqipëria.

Esadi është krenar për Luzhën e tij. Dhe nuk ka si të mos jetë krenar për Dervish Luzhën, Nderi i Kombit , klerikun aq të dashur për tropojanët dhe shqiptarët gjithandej, sepse nuk iu përkul kurrë regjimit komunist dhe gëzoi mikpritjen e çdo shtëpie malësore. Fare pak larg kullës ku lindi Esadi, ndodhet tyrbja e tij dhe shtatorja, ngritur me mbështetjen e heroit Azem Hajdari, nip i Luzhës.  Të rrallë janë ata vizitorë që shkojnë në Tropojë dhe nuk ndalen te tyrbja e Dervish Luzhës, për të cilën kujdeset ish nxënësi im Neki Balaj. Esadi ka bërë shkrime portretizuese për Dervish Luzhën, në faqen e tij në facebook nuk ka ditë që të mos jenë të pranishme Luzha (Luzha City) dhe Dervish Luzha.

Në shkrimet e tij Esadi rrëfen se Dervish Luzha, njeri i veprave të larta, ka pasur te ai një ndikim të tillë që ia ka ndryshuar përgjithmonë jetën, duke u bërë frymëzim gjithashtu për vepra të larta. E frymëzoi Esadin vetë Dervish Luzha, vetë zëri i tij, për të ngritur shkollën e parë shqipe në Bronks të Nju Jorkut. Dervish Luzha është ai që ia lehtëson rrugën për çdo vepër të lartë që ai ndërmerr. Po atë vit, më  1993, themeloi Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro – Amerikane, i cili deri sot ka zhvilluar disa aktivitete me rëndësi për shqiptarët. “Në të gjitha këto aktivitete unë kam gjetur frymëzimin dhe kurajon tek vepra e Dervish Luzhës. Këtë personalitet të madh e kam takuar vetëm njëherë kur isha tre vjeç. E mbaj mend kur erdhi në shtëpinë tonë dhe më uli në prehër e më dha një mollë. Dervish Luzha ishte një bamirës i madh, një atdhetar, një parashikues, një profet tek i cili unë dhe shumë të tjerë kanë gjetur forcën e kurajos për të kryer punë me rëndësi për shqiptarët,” shkruan Esad Ali Rizai.

Esadi është krenar për nipin e tij gjeneral Tahir Sinani, heroi i luftës në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Në nëntor të vitit 1998 Tahir Sinani iu përgjigj thirrjes së UÇK-së dhe u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. U dallua si komandant dhe si luftëtar drejtpërdrejt në luftime për guxim e trimëri të rrallë.  Më 2000 vepron me UÇPMB në Kosovën Lindore. Në pranverën e vitit 2001 është në beteja në shpatet e bjeshkëve të Sharit dhe në Likovë, në Maqedoninë e Veriut. Në qershor të vitit 2001 brigada 116-të e tij vendoset në Zonën e Gostivarit dhe Radikës. Më 29 korrik 2001 ra në Malsinë e Gostivarit së bashku me katër luftëtarë.

Esadi është krenar për Malësinë e Gjakovës, është krenar për Kosovën, për mbarë Shqiptarinë. Falë tij, në Bashkinë e Bronksit, Nju Jork, ditë të veçanta iu kushtohen figurave më të larta të historisë së shkuar dhe të sotme të kombit tonë. Ai ditë e natë mendon dhe vepron për të lartuar shqiptarinë.

Esad Rizajn e kam njohur personalisht në Nju Jork në fund të pranverës së vitit 1993, kur me zonjën Buçpapaj vizitonim Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na ka organizuar drekën me ish kongresmenin shqiptar Joseph DioGuardi, anëtarë të tjerë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe me veprimtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, na ka shetitur nëpër kryemetropolin botëror, na ka dërguar të vizitojmë edhe në shtëpi DioGuardin, me të cilin ndiheshin sivëllezër të vërtetë. Në të gjitha tryezat, Esadi shtron platformat e bisedave, rreth bashkimit të shqiptarëve për mbarëvajtjen e çështjes shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Diasporë e kudo tjetër. Në të gjitha bisedat, burojnë idetë e tij që gjenin miratim të menjëhershëm tek të pranishmit. Esadi është plot mbresa, plot vizione, vizita në Shqipëri sikur i ka dhënë flatra të reja.

Një nga veprimtarët e shquar të diasporës sonë në Amerikë, Sab Gashi, e cilëson Esadin kapacitet kombëtar. Ai Esadin e thërret Baci i Madh dhe thotë se vjen fill pas Joseph DioGuardit. Është ky Bac njëri nga të parët që i kërkoi DioGuardit:  “Duhet të afrohemi dhe ti do të na prish para.” Pikërisht atëherë DioGuardi filloi Ligën Qytetare Shqiptare Amerikane. Falë njerëzve të tillë si Baci i Madh, si DioGuardi e të tjerë ne shqiptarët arritëm deri te Presidenti i SHBA Bill Klinton, ku edhe u muar vendimi historik për kombin shqiptar, shkruan Sab Gashi.

Në krye të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro – Amerikane, Esadi nuk pushon së ndërtuari ura bashkëpunimi të shqiptarëve me kryetarët e Qytetit të Nju Jorkut, me guvernatorët, senatorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Nju Jorkut, veçanërisht me Rudy Giuliani III, Michael Bloomberg dhe Andrew Cuomo. Me nismën e Fondacionit më 1997, për herë të parë, filloi ngritja e flamurit shqiptar dhe kremtimi i 28 Nëntorit në Bashkinë e Qytetit. Dy herë me radhë, gjatë viteve 2000 dhe 2001, kryebashkiaku i New Yorkut, Rudy Giuliani ia dorëzoi fondacionit proklamatën me të cilën 28 Nëntorin e shpallte si ditë të shqiptarëve në New York.

Ai ka një bashkëpunim tejet të frytshëm mbi dhjetëvjeçar me Kryetarin e Bashkisë të Bronx në shtetin e New Yorkut të SHBA, Z. Ruben Diaz Jr., i zgjedhur në tri mandate, 2009, 2013, 2017, një figurë shumë e respektuar dhe e dashur për komunitetin shqiptaro-amerikan që jeton këtu. Z. Rubern Diaz Jr, e konsideron Esadin një aleat të sukseseve të tij dhe në shkurt të këtij viti i dha Vlerësim për Merita me motivacionin: “Sot, ndërsa hedhim një sy për një dekadë suksesi të Bronx dhe transformimin e vazhdueshëm pozitiv që bashkia jonë ka parë gjatë dhjetë viteve të shkuara, ne reflektojmë dhe jemi të ndërgjegjshëm se këtë rrugë suksesi ne nuk mund ta bënim vetëm.  Mbështetja juaj ka qenë shumë e çmueshme për zyrën time gjatë dhjetë viteve të fundit.  Stafi im dhe unë jemi krenar që ju quajmë aleat dhe mik. Në emër të më shumë se 1.4 milion banorëve të The Bronx, unë, Ruben Diaz Jr., ju përshëndes duke vlerësuar ndikimin tuaj pozitiv në bashkinë tonë.”

Esad Rizai është bashkorganizator në shumë manifestime të mbajtura nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe veçanërisht në ato të organizuara në Nju Jork. Dhe është një ndër oratorët kryesorë të shumë prej këtyre manifestimeve. Portreti i tij burrëror e fisnik në krye të veprimtarive atdhetare, e frymëzon përherë Disaporën Shqiptare në Amerikë, i jep guxim, trimëri e vizion për të qenë në krye të detyrave të larta në shërbim të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe të çeshtjes sonë kombëtare.

Esad A. Rizai ka bërë Miq të shqiptarëve tij gjithë figurat më të ndritura të New York-ut dhe Bronx-it.

Esad A. Rizai është institucion në NYC. Është Ambasador i vërtetë i vlerave të shqiptarëve!

Esad A. Rizai nuk organizon Gala mondane që të mbledhë para të cilave nuk u dihet adresa, por kontribuon me punë dhe dinjitet që lidhjet shqiptaro-amerikane të forcohen.

Më 2001 kryetari i atëhershëm i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, miku i shqiptarëve Rudy Giuliani (Rudi Xhuliani) nderonte Esat Rizain dhe Fondacionin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane (the Albanian American Society Foundation, Inc. ), duke deklaruar më 28 Nëntor 2001, “Ditën e Pavarësisë Shqiptare” (“Albanian Independence Day” ) në qytetin e Nju Jorkut.

Më 2003 kryetari i bashkisë të New York Michael Bloomberg, mik dhe bashkëpunëtor i Esat A Rizait do të vizitonte Kosovën dhe do të takohej me presidentn historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova.

Në 2009, Rubén Díaz Jr., Kryetari i Bashkisë të Bronx në New York, Mik dhe bashkëpunëtor i Esad A.Rizait emërtoi një bllok të Avenue Lydig midis Holland Avenue dhe Wallace Avenue, si  “Mother Teresa Way” – “Rruga Nëna Tereza”, ndërsa i njëjti kryetar bashkie e shpall 26 gushtin 2019 në Bronx si ditën e Nënë Terezës në nderim të trashëgimisë humanitare të Shenjtores Tereza dhe në respekt të komunitetit shqiptaro-amerikan në Bronx.

Me fondacionet që drejton Esad Rizai ka ndikuar që administrata e lartë e New Yorkut dhe Bronx-it të nderojnë e vlerësojnë figura të shquara të historisë, politikës dhe kulturës shqiptare si dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Esad Rizai i ka Miq e ka bashkëpunuar e bashkëpunon me të gjithë guvernatorët dhe kryetarët e bashkive të New York-t dhe Bronx! Janë të rrallë shqiptaro-amerikanët si ai! Rudi Xhuliani, Michael Bloomberg, Andrew Cuomo, Rubén Díaz Senior dhe Rubén Díaz Jr., Bill de Blasio! Të gjithë personalitetet më të larta të administratës të New York dhe Bronx e kanë për nder të bashkëpunojnë me një njeri si Esad A. Rizai.

Që i japin kombit, pa e zhvatur sikur është bërë sot në modë. Esat A.Rizai është një amerikan i nderuar dhe një shqiptar nder i kombit!

I urojmë jetë të gjatë dhe gjithmonë sukses në rrugën e tij në të mirën e përbashkët shqiptaro-amerikane!

 

Hon. Stephen B. Kaufma, Mayor Mike Bloomberg, Esad A. Rizai

 

Me Rubén Díaz Jr., kryetari i bashkisë të Bronx

Senator Alessandra Biaggi & Esad A. Rizai

Me guvernatorin e New York Andrew Cuomo

 

Me Rubén Díaz Jr., kryetari i bashkisë të Bronx dhe guvernatorin e New York Andrew Cuomo

Me Kongresmenin Eliot Engel

Me kryetarin e Bashkisë të New York-ut Bill de Blasio

Në New York autori i shkrimit me Esad A.Rizain gjatë një takimi me kongresmenin Joe DioGuardi

Carl Bildt kërkon dorëheqjen e Hashim Thaçit- Gazeta Express manipulon deklaratën e diplomatit të lartë suedez në Twitter! Nga Elida Buçpapaj

Gazeta Express në Kosovë manipulon sot shëmtuar një deklaratë të Carl Bildt në Twitter nxitur nga fakti se diplomati i lartë suedez dhe Vessela Tcherneva nën drejtoreshë e Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtëme më 26 qershor i kanë kërkuar publikisht dorëheqjen Hashim Thaçit nga posti i Presidentit të Republikës të Kosovës. Ftesë për dorëheqje nga Shtëpia e Bardhë në mënyrë implicite është edhe anullimi i samitit Kosovë-Serbi.

Në një prononcim tjetër tek gzeromedia.com, Bildt shkon më tutje dhe thotë se nëse vërtetohet pretentimi i Prokurorit, Thaçi rrezikon arrestimin.

Dhe pas këtyre prononcimeve të Carl Bildt, gazeta Express për “hakmarrje” manipulon diplomatin e lartë suedez në mënyrën më të pacipë të mundshme.

Pse them “në mënyrën më të pacipë të mundëshme”?

Sepse Carl Bildt këtë deklaratë e ka bërë në Twitter, çka do të thotë se mund të verifikohet lehtë. Ka shumë anglishtfolës shqiptarë që tashmë kanë hyrë për kuriozitet në rrjetin social dhe kanë konfrontuar se ajo që thotë Express në titull,  nuk përkon absolutisht me të vërtetën që e ka shprehur qartë e pa ekuivoke Diplomati suedez.

Gazeta Express që në titull lajmëron se “Bildt vajton humbjen e serbëve në Betejën e Kosovës”. Është krejt fake ose thjeshtë shpifje titulli i Gazetës Express.

Në ditën kur serbët kujtojnë Betejën e Kosovës të 1389, Vidovdanin që bie më 28 qershor, Carl Bildt shkruan ekzaktësisht kështu në Twitter: “A day of historic battles. Many Serbs are still agitated over their loss in the Kosovo battle, but you would be hard pressed to find any Swede who really cares about the loss at Poltava more than three hundred years later.” Që po të shqipërohet shkon pak e shumë kështu: “Një ditë betejash historike. Shumë serbë janë ende të shqetësuar për humbjen e tyre në Betejën e Kosovës, por ju do t’ju bëjë përshtypje të fortë nëse do të gjeni të paktën një suedez që t’i shkojë mendja të interesohet për humbjen në Poltava më shumë se treqind vjet më vonë. (Në Betejën e Poltavës zhvilluar më 8 korrik 1709  Perandoria Suedeze u mund nga ushtria e Pjetrit të Parë të Rusisë – shpjegimi im EB)

Pra sikur shihet qartë, krejt ndryshe nga sa manipulon Gazeta Express e Kosovës, Carl Bildt nuk vajton, por në mënyrë shumë elegante diplomatike u kujton serbëve të heqin dorë nga mitomania që po mban peng Serbinë, Kosovën dhe rajonin.

Kosova nuk duhet të harrojë kurrë se diplomati i lartë suedez Carl Bildt është një nga mbështetësit e Kosovës në këto mbi dy dekada histori moderne. Ai ka qenë kryeministër i Suedisë dhe Ministër i Jashtëm prej 2006 deri 2014, ku përfshihet edhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur më 4 marsin e 2008 nga Suedia.

Pra me pak fjalë, janë shumë të ulta sulmet me bazë shpifje që vijnë nga Kosova në adresë të Carl Bildt vetëm se ky ka shprehur publikisht qëndrimin e tij se Hashim Thaçit i ka ardhur koha që të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës, aq më tepër kur gjithë Kosova mbarë, përfshi edhe gazetën Express kanë njohuri të plota se si Hashim Thaçi me manipulime e ka uzurpuar këtë post.

Sikur tashmë dihet Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Aktakuza pretendon se ata dhe gjithësej rreth dhjetë persona dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 vetëve. Gjykatësi i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë.

Në aktakuzën që Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara për Kosovën Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe disa persona të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të personave, përndjekje dhe tortura.

Gjithashtu në njoftimin e prokurorit të specializuar thuhet më tej se “Prokurori i specializuar  e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës Speciale. Besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtënuar drejtësisë.” “Nëpërmjet këtyre veprimeve zoti Thaçi dhe zoti Veseli, kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Tashmë prej kohësh në opinion flitet publikisht për listën që ka përpiluar Gjykata Speciale me emrat e më të fuqishmëve të politikbërjes në Kosovë. Edhe dialogu Kosovë-Serbi është përfolur si një deal i Thaçit me Vuçiç, që Hashimi për t’i shpëtuar Hagës, është treguar i gatshëm të godasë në sovranitetin territorial e shtetëror të Kosovës të mbrojtur nga KFOR dhe NATO – prej 12 qershorit 1999 pas përfundimit të një konflikti gjakatar kur Milosheviçi e humbi luftën.

Me pak fjalë Hashim Thaçi, për t’i shpëtuar Hagës, është treguar i gatshëm të kallë rajonin në flakë, pasi Serbia nuk ka ndryshuar asnjë qasje dhe nuk ka demonstruar asnjë zbutje qendrimesh ndaj Kosovës.

Dhjetëshen e Drenicës me destinacion Gjykatën Speciale e ka marrë nëpër gojë edhe Milaim Zeka. Kam parasysh një deklaratë të tij gati dy vjet më parë tek Televizion7, për “emra të profilit më të lartë të Drenicës që do të ftohen nga Haga”, ku Zeka parashikonte Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Agim Çekun, Azem Sylën… dhe pritej sipas Zekës që në listë të përfshihej edhe Hashim Thaçi.

Por kur dukej se Hashim Thaçi në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë po e përmbyllte me sukses luftën e tij të nëndheshme për t’a hequr emrin e vet nga lista, udhëtimi i tij për në Washington DC anullohet bashkë me takimin. Pikërisht në prag të nisjen, Prokurori Special, i emëruar nga Presidenti Trump dorëzon aktakuzën. Daniel Serwer me të drejtë supozonte se vendimin e Prokurorit Special nga të parët që e ka marrë vesh ka qenë Ambasadori Richard Grenell, i cili nga ana e tij e inkurajoi Hashim Thaçin të respektojë procedurat.

Për mua respektim procedurash do të thotë:

së pari, anullimi “nga Hashim Thaçi” i udhëtimit në Washington DC. E kam futur në parantezë sepse Hashim Thaçit do t’ia kishte ënda shumë që ta bënte këtë udhëtim edhe pas dorëzimit të aktakuzës por Shtëpia e Bardhë ia ka mbyllur derën.

së dyti, Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqjen. Sikur veproi Ramush Haradinaj. Sikur ia sugjeron Carl Bildt, Daniel Serwer e shumë personalitete të njohura, sepse funksionimi i drejtësisë kërkon që Hashim Thaçi të zhvishet nga pushteti politik i Presidentit të Republikës.

A nuk duket sikur Hashim Thaçi po vijon luftën e tij për t’ju shmangur drejtësisë ?

Edhe manipulimi që Gazeta Express i bën deklaratës të diplomatit të njohur suedez Carl Bildt duket si “obstruction of truth” – si pengim dhe sabotim i të vërtetës për të manipuluar opinionin publik.

Mjaftoi vetëm që diplomati Carl Bildt të shprehë mendimin për procedurat që duhet të ndjekë Hashim Thaçi dhe deklarata e diplomatit të lartë suedez u kthye në fakenews-in e ditës në mes të ditës!

 

 

 

AMBASADORI GRENELL E TRADHTOI PRESIDENTIN THAQI…! – Nga Reshat Nurboja

Sipas mendimit tim, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ka ngritur dhe publikuar aktakuzën kunder presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerëve, 3 ditë para organizimit të dialogut Kosovë – Serbi, sigurisht jo pa pelqimin, pajtimin e administrates Trump…Ky publikim mediatik sipas mendimit tim ishte vlerësuar si instrumenti me adekuat i momentumit për mosmbajtjen e dialogut të paraparë në Washington… Vetem përmes një aktakuze të tillë publike do t’ia bente të mundshme diplomacisë amerikane rrugëdaljen pa njollosje e kritika brenda e jashtë SHBA-ve….

Presidenti Trump, në fund e ka kuptuar se një marrëveshje siq e ka konceptuar dhe tentuar me çdo kusht t’ia imponoi Kosovës ambasadori Grenell me shumë do t’i sjellë probleme e pasoja se sa avantazhe në procesin e zgjedhjeve të nëntorit në Amerikë e sidomos në raportet me shtetet me të fuqishme evropiane të cilat ishin kundër kësaj fushate amerikane të zgjedhjes së problemit Kosovë – Serbi duke mos perjashtuar ndrrimin, kembimin e territoreve, e cila do të hapte “kutinë e pandorës” në Ballkanin Peeendimor….Andaj, kanë vendosur ta flijojnë Thaqin, deri dje “lojtarin: kryesor në ketë skenar….!
Mos u beni nervoz, mendim dhe analizë personale…~!


Nuk besoj se ka njeri që mund të beson se çarqet e caktuara kompetente dhe pergjegjëse të SHBA-ve nuk kanë pasur njohuri se me 24 qershor do të publikohet kjo aktakuzë ….

Një atdhe është më shumë se një parti – Nga Aurel Dasareti

Zotëria jo edhe aq i nderuar Isa Mustafa është titist dhe sllav-jugu i shkëlqyeshëm, por edhe i ndershëm, nostalgjik përrallorë dhe i zgjuar, kështu që në LDK nuk u futë nga dera e madhe por nëpër “kapixhik”. Dhe tani, për kaq shumë vite pas vdekjes së themeluesit të saj, të ndjerit Ibrahim Rugova, LDK është e kundërta nga ajo që ka qenë. Për pasojë, ka pasur vetëm si pikënisje që duhet të mbijetojë çdo vit, dhe bashkë me partitë tjera antishqiptare rrënoi sa mundi Dardaninë antike. Për t`u larguar nga rruga e djallit dhe shkuar më shumë në ofensivë pozitive, partisë i duhej një lider i ri i cili (e cila) mund të udhëheqë më tej vizionet e themeluesit të saj, dhe zonja Vjosa Osmani i plotësoi të gjitha këto kushte nga të gjitha aspektet, duke i vendosur interesat e Kombit dhe Vendit para interesave dobiçe të zotëri Isa Mustafës jo aq të ndershëm.

Nuk përsëris sendet si e qysh, por habitem se si do vajza dhe djem shqiptarë që duhet të ishin analistë të pavarur, për motive xhelozie të sëmurë ndaj kësaj zonje të madhe të shqiptarisë, shpifin dhe rrejnë deri në çmenduri. Këta “analistë” të humbur në katundet veta, duke u manipuluar lexuar nga librat  ish-komuniste titiste dhe enveriste, akoma nuk e kanë kuptuar se asnjë politik-bërës normal, nuk duhet me çdo kusht të mbroj interesat e shefit të saj apo shumicës së partisë në kurriz të Kombit dhe Vendit. Sa për sot kaq, sa më thjesht që të më kuptojnë të gjithë. Herën tjetër, më seriozisht. Ora 8 e mëngjesit, duhet të iki, tung tung dhe kujdes jo vetëm nga virusi kinez…

Po, një sekondë, paskam filluar të harroj. Erdhe koha që zotërinjtë që miratuan gjyqin special, bukuritë e sajë t`i provojnë vetë më përpara se me dërguar atje luftëtarë të vërtetë dhe të pafajshëm. Le të mos flasin në emër të UÇK-së, lufta e së cilës ishte në mbrojtje të atdheut të vetë, në tokat e veta autoktone, kundër pushtuesve barbarë që në 1998/99 kryen gjenocidin e radhës ndaj Kombit tonë, pra e pastër si loti, por të kujdesen për veten e vet, veprat personale nëse i kanë bërë. Dhe unë nuk u uroj burgim në Hagë, por moskthim EmojiEmojinë Kosovë.

AMBASADORI AMERIKAN QË KA DHËNË DORËHEQJEN PËR TË SHPËTUAR SHQIPËRINË – Nga Frank Shkreli

 

“Dashuroj Shqipërinë, dashuroj Kombin shqiptar, siç dashuroj Amerikën”

 

Edhe ky një mik amerikan që nga ditët e para të ekzistencës së Shqipërisë si shtet, ndoshta jo aq i njohur nga shqiptarët. Emri i tij ishte George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson.

 

Ishte viti 1914, koha e Princ Wiedit në Shqipëri. Vendi ishte rrëmujë!  Nga Greqia, ambasadori Williams viziton Shqipërinë.  Si përfundim i vizitës së tij atje, duke qenë dëshmitarë i tmereve që pau në terren – i zemëruar nga situata e krijuar atje – aty për aty ai jep dorëheqjen nga detyra e ambasadorit, për të qenë më i lirë — nga kufizimet diplomatike — për të mbrojtur kauzën e popullit të vuajtur shqiptar.  Ja si e përshkruan gazeta britanike, The Independent e datës 6 Korrik, 1914, vizitën e ambasadorit amerikan të akredituar në Greqi dhe në Mal të Zi, si dhe dorëheqjen e tij nga kjo detyrë pas vizitës së tij në Shqipëri, me qëllim për të folur më lirisht kundër qeverisë së atjeshme të Princ Wiedit dhe të fuqive të mëdha që ia kishin imponuar atë shqiptarëve:

 

Gaeta Independent shkruante se, “Shqiptarët kanë një aleat të ri. Ai është George Fred Williams, Ministri i Shteteve të Bashkuara në Greqi dhe në Mal të Zi, i cili pasi vizitojë Shqipërinë për të parë situatën nga afër në Principatën e re, është shqetësuar aq shumë nga ato që pa atje, nga punët e këqia të regjimit aktual, sa që dha menjëherë dorëheqjen, madje edhe pa pritur përgjigjen nga Washingtoni, ai e bëri publike deklaratën e tij protestë, për të mbrojtur kauzën e popullit shqiptar kundër Princit William Wied, i cili iu imponua shqiptarëve nga fuqitë e mëdha.  Kur ai arrijti në Durrës”, shkruante gazeta The Independent, “Diplomati amerikan, ishte deklaruar kështu për ato që kishte parë atje: “Pesë të ashtuquajtura qeveri ishin të pranishme atje.  S’pari, 6 fuqitë e mëdha me të gjitha fuqitë e tyre.  S’dyti, Komisioni që kontrollon administratën civile dhe financat.  S’treti, xhandarmëria e Hollandës, që kontrollon ushtrinë. S’katërti, Princi me aq pushtet që i ka mbetur.  Dhe s’pesti, Ministria që nuk ushtron asnjë pushtet.  Secila prej këtyre qeverive luftonte tjetrën, me përjashtim të të parës,(fuqitë e mëdha) të cilat siç duket, nuk mund të merren vesh mes vedi, sa që kanë hequr dorë plotësisht nga fati i katër enteve të tjera” të pranishme atje, citohet të ketë thenë ambasadori amerikan George Fred Williams, sipas gazetës britanike,The Indipendent e 6 Korrikut, 1914.  “Të gjithë mallkojnë fuqitë e mëdha për mos-marrëveshjet midis tyre ndërkohë që pritet që të gjithë të dëbohen nga Durrësi dhe që sovraniteti i Shqipërisë të mbetet aty ku duhet të jetë – në dorë të popullit të atij vendi”, citohet në gazetën britanike Independent të 6 Korrikut, 1914, diplomati amerikan George Fred Williams.  Ambasadori amerikan Williams ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Ministrit amerikan në Greqi dhe në Mal të Zi, duke hequr dorë kështu nga një karjerë premtuese në diplomaci, vetëm e vetëm, për të shprehur indinjatën e tij të thellë mbi gjëndjen e tmershme në të cilën gjëndej në atë kohë Shqipëria.

 

Ambasadori amerikan George Fred Williams veproi në atë kohë i shtyr nga ndërgjegjësimi i thellë njerëzor kur sheh padrejtësi kudo qofshin ato si dhe nga qëndrimi moral diplomatik për të venë në dukje ato që ai i ka quajtur punë të këqia të autoriteteve vendore dhe të fuqive të mëdha të asaj kohe — duke hequr dorë, në protestë, nga një karjerë premtuese diplomatike.

Amb.George Fred Williams

 

Po e kujtoj ish diplomatin amerikan të fillim shekullit të kaluar, për dy arsye. Një, për hir të datave të lindjes dhe të vdekjes së tij, pasi po i afrohemi Korrikut: (10-Korrik, 1852- 11 Korrik, 1932) dhe arsyeja e dytë është se situata aktuale sot në trojet shqiptare, por sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, pothuaj i përngjanë situatës – domosdoshmërit më ekstreme në atë kohë — të vitit 1914, ku fuqitë e mëdha, madje edhe sot tre dekada në shekullin 21, “fuqitë e mëdha”, vazhdojnë të bëjnë çorbë punët e Shqipërisë e të shqiptarëve, fatkeqësisht, me ndihmën e vet shqiptarëve.  Ndryshimi i gjëndjes aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, me ngjarjet e vitit 1914, (për të cilat ambasadori amerikan dha dorëheqjen me qëllim për të njoftuar botën për mjerimet e popullit shqiptar), është se në atë kohë mallkimi i popullit i drejtohej, me të drejtë, fuqive të mëdha dhe përfaqsuesve të tyre në Shqipëri.  Ndërsa sot, për gjëndjen e krijuar në Shqipëri dhe në Kosovë – kryesisht, si rrjedhim i konflikteve politike mids përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe partive të tyre që ata përfaqësojnë – shqiptarët e sotëm mallkojnë këtë klasë politike aktuale e cila për 30-vjet post-komunizëm, nuk di a po nuk do të rregullojë punët e shtëpisë, duke shkaktuar largimin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga trojet e veta .

 

Pres me pa durim, dorëheqjen e ndonjë politikani të lartë shqiptar ose edhe të ndonjë ambasadori të fuqive të mëdha që sot merren me punët e shqiptaëve, që të japin dorëheqjen –si çeshtje parimore — për të protestuar gjendjen aktuale të krijuar në trojet shqiptare, nga “ndërkombëtarët” në bashkpunim me klasën politike aktuale shqiptare – ashtu siç ka bërë ambasadori amerikan George Fred Williams në vitin 1914.  Kemi nevojë për njerëz me moral dhe ndërgjegje të thellë, por edhe të guximshëm, për ti parë dhe për ti deklaruar botës punët shqiptare ashtu siç vërtetë janë.  Kemi nevojë për disa George Fred Williamsa modernë – shqiptarë dhe të huaj, të cilët besojnë në lirinë dhe në demokracinë e vërtetë për shqiptarët dhe për Shqipërinë “E vuajtur dhe të mbytur në gjak nga faji i Evropës…”, siç është shprehur më 1914 Ambasadori amerikan i akredituar në Greqi dhe në Mal të Zi, George Fred Williams. I përgjithëmonshëm qoftë kujtimi i tij!

 

 

 

“Nuk është çudi nëse njerëzit që kanë studiuar gjuhën shqipe të thonë se kjo është gjuha origjinale e Homerit dhe që grekët morën nga poetët Pellazgë të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera dëshmojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshërve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njihej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, ishte pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja ishte gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedisë, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.” George Fred Williams

Edhe njëherë për «Patriotët»! Nuk po sulmohet as UÇK, e as lufta e saj – Nga HYSEN ARAPI

Edhe njehere per « Patriotet »! Nuk po sulmohet as UÇK, e as lufta e saj. Gaboheni ne se identifikoni luften me Drejtorin Politik, apo shefin e sherbimit sekret. Kjo do te thote se s’paskemi mesuar fare nga historia. Ne se situata sot ka degraduar duke e vene Kosoven ne nje pozicion te pafavorshem ,ka ardhur si rezultat i gabimeve historike pikerisht te atyre qe moren persiper ta udheheqin ate, ne lufte dhe paqe, te atyre ( perjashto Presidentin Rugova),qe flirtuan per interesa okulte me agresorin gjakatar, te atyre qe falen toke per viza ( ne fakt sic po duket fare per viza),qe artikuluan dhe shiten projektin serb te ndarjes se Kosoves si gjoja te miratuar nga ShBA etj.
Mungese vizioni, apo papergjegjshmeri politike, per te mos thene me shume eshte veshtire ta thuash , por gjithsesi demi eshte bere, dhe Serbia arriti te balancohet e udheheqesit e saj pasardhes te Millosheviçit e Sheshelit ne syte e opinionit (dhe me ndihmen e politikes shqiptare andej e ketej kufirit )po duken si çuna te mire, njerez qe duan paqe dhe ftohen nga kancelarite e fuqishme, per tu ulur me viktimen e tyre si superiore, paçka se duhej te ishin ata ne bangen e te akuzuarit.
Kush u kerkoi llogari atyre??? Askush. E ndersa Thaçi e te tijte, ne vend qe te ngrinin padi per krimet serbe, e te kerkonin denimin e Serbise per genocid, spastrim etnik, e krime lufte, kerkonte tu mbushte mendjen njerezve se do merrte disa fshatra te lugines se Presheves ( qe edhe serbet nuk i duan), duke larguar vemendjen nga problemi kryesor ai i denimit te agresorit.
E sigurisht ne politike ndodh nganjehere si ne futboll: po nuk shenove gol, do te pesosh. Dhe golin e ka ngrene Kosova e jo milioneret e saj perfitues nga lufta ,te gatshem per koncensione te reja ne kembim te vazhdimit te karieres politike dhe ruajtjes se privilegjeve qe rrjedhin prej saj.
Personalisht mendoj qe pa u denuar Serbia si shtet genocidal, dhe krimineli i fundit serb qe ka lare duart me gjak shqiptari ne keto 110 vite, asnje shqiptar nuk meriton te denohet nga gjykatat nderkombetare. Sa i takon gjykates speciale do te ishte nje ogur i mire qe te gjykonte ne Prishtine te gjithe ata shqiptare qe kane vrare, torturuar, burgosur e zhdukur bashkekombasit e vet .
Urdheruesit e ketyre krimeve meritojne nje ndeshkim shembullor, pavaresisht emrit apo funksionit qe kryen apo ka kryer.
Cdo gabim apo krim i kryer ne rrethana lufte ne kundershtim me ligjet e luftes ndeshkohet. Lufta nuk eshte arene per kenaqjet e ambicjeve per pushtetin e ardhshem ,apo instiktet shtazarake te ndonje drejtuesi te saj sic ka ndodhur jo rralle here.
Fjalimet patetike, furcat e ndersjellta ( ne disa raste dhe te pandershme), nuk pine uje perkundrazi I japin me shume bonuse bratskij serbe.
Ajo qe paturpesisht nuk eshte bere deri sot per ta paditur Serbine per genocid , te behet tani sa nuk eshte akoma vone. Krimet nuk parashkruhen dhe ato denohen ne cdo kohe.
Ps. Se harrova , po me Shengenin ballkanik çpo behet ???

Kush ishin më të mëllefosurit për projektaktakuzën ndaj Thaçit – Nga XHAFER SHATRI

Duke përcjellur reagimet e shqiptarëve në rrjetet sociale pas kumtesës së Prokurorit special, u binda se më të mëllefosurit për projektaktakuzën ishin këto kategori vetjesh:
– ata që kanë përfituar më se shumëti materialisht duke qenë pranë Hashim Thaçit;
– ata që frikësohen seriozisht se me rënien e Thaçit nga pushteti do t’i humbin vendet e punës që nuk i kanë merituar me asgjë;
– ata që janë thirrë si të dyshuar ose si dëshmitarë; dhe
– ata që janë të vetëdijshëm se çfarë dëmesh kolosale i janë shkaktuar Kosovës me themelimin e Gjykatës Speciale.
Për çdo shqiptar me minimumin e dijes dhe vetëdijes, ka qenë e qartë që prej fillimit se Raporti i Dick Martit dhe themelimi i Gjykata Speciale kishin vetëm një synim madhor: vënien në pikëpyetje të Pavarësisë së Kosovës dhe copëtimin e saj.