VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Një letër pa përgjigje dhe e ardhmja e Piramidës Nga Ben Andoni

By | August 12, 2018

Komentet

“Më përpara i shpërndanin nëpër qese të zeza”, Tsipras mbron fondet sekrete greke për median në Shqipëri

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, pranoi publikisht ekzistencën e fondeve sekrete për financimin e mediave, shoqatave të gazetarëve dhe kishës në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

 

Në përgjigje të akuzave ndaj qeverisë së tij për financimin e rreth 1 milion eurove vetëm gjatë muajit tetor për gazetarë, media dhe shoqata në Shqipëri, Tsipras theksoi se një praktikë e tillë ekziston prej vitesh. “E kam diskutuar këtë debat që kur ishim në opozitë, në vitin 2011, kemi diskutuar për procedurën sa i përket transparencës së përdorimit të fondeve. Kemi krijuar një procedurë transparente për fondet sekrete. Nuk ka keqpërdorim të këtyre fondeve pa një firmë nga urdhëruesi, jo siç ndodhte më përpara që i shpërndanin majtas e djathtas nëpër qese të zeza. Çdo vend që respekton veten e tij e ka për detyrë të përdorë një politikë të jashtme ku të mbështetet. Prandaj fondet sekrete janë një domosdoshmëri veçse ndokush ka kundërshtime.

Debati që po bëhet kohët e fundit po bëhet në mënyrë të turpshme nga një pjesë e shtypit opozitar që synon pikërisht të godasë këtë procedurë transparente”, deklaroi Tsipras. Kryeministri grek u shpreh i bindur se skandali për keqpërdorimin e fondeve sekrete është bërë nga opozita dhe segmente të caktuara të medias. Tsipras i kërkoi kreut të opozitës të shkojë në zyrën e tij dhe të informohet mbi mënyrën sesi shpenzohet çdo euro e taksapaguesve grekë. Garancinë për përdorimin e fondeve sekrete e dha edhe ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias. Sipas tij, Parlamenti miratoi një ligj të posaçëm sa i takon përdorimit të këtyre fondeve.

“Nëse është e vërtetë gjithçka që thuhet, është sikur t’u tregojmë të huajve se nuk jemi seriozë. Ne bëmë një ligj të posaçëm për fondet sekrete të cilat kontrollohen dhe miratohen nga një këshill dhe shkojnë drejtpërdrejt në Parlament”, tha Kotzias.

Idrizi kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Bushati: Nacionalizëm tepsie

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e cilësoi vendin në emergjencë kombëtare pas skandalit të publikuar në mediat greke se vetëm muajin e fundit janë shpenzuar 1 milion euro nga Greqia për financimin e mediave dhe gazetarëve në Shqipëri. Idrizi i kërkoi Presidentit të Republikës mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Sigurisë Kombëtarë për diskutimin e kësaj çështjeje.

“Sot një pjesë e politikës, ajo që tregon vasalitet të vazhdueshëm ndaj Greqisë hesht. Një pjesë e mediave hesht dhe është e blerë. Prandaj jemi në një emergjencë kombëtare. I kërkojmë Presidentit të Republikës të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të vërë në lëvizje të gjitha agjencitë ligjzbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë ata që kanë marrë para, shumat e qëllimet sepse vetëm në një muaj bëhet fjalë për 1 milion euro. Ritheksoj që janë 1 milion euro vetëm për një muaj, e asnjëherë nuk do kuptojmë sasinë e vërtetë të fondeve të paligjshme të derdhura në vend, nëse nuk shtrohet si një prioritet për sigurinë kombëtare”, tha Idrizi.

Kreu i PDIU-së kërkoi nga Prokuroria të hetojë cilat janë portalet, gazetat, televizionet, gazetarët, biznesmenët, OJQ-të, që janë financuar nga Fondet e Zeza sekrete të Ministrisë së Jashtme Greke.

Por në një reagim për mediat menjëherë pas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e ka cilësuar nacionalizëm për tepsi qëndrimin e kreut të PDIU-së.

“Kush bërtet i dëshpëruar për t’u faktorizuar në hartën e nacionalizmit ballkanik, s’ka lidhje me çështjen kombëtare e as me vendosmërinë e qeverisë @ediramaal që përfshiu në bisedime me fqinjin jugor të gjitha çështjet që i kishte mbuluar pluhuri i harresës #nacionalizëmpërtepsi”, shkruan Bushati.

Zëri i Amerikës – IREX, takim për median

Në Tiranë, përfaqësues të Zërit të Amerikës dhe të organizatës IREX ishin në një veprimtari të përbashkët, ku u publikua Indeksi i Qëndrueshmërisë së Medias dhe u diskutuan vështirësitë e shumta të mediave në rajon.

Studiuesit sollën të dhëna dhe folën me shqetësim për presionet që u bëhen mediave në Ballkan nga qeveria dhe politika, si dhe diskutuan mbi rrugëdaljet nga kjo gjendje.

Zëri i Amerikës dhe organizata IREX zhvilluan sot një konferencë të përbashkët me departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës, titulluar Gazetaria nën kërcënim, ku u paraqit indeksi i qëndrueshmërisë së medias.

Drejtori i Zërit të Amerikës në divizionin e Eurazisë, dr. Elez Biberaj, tha se mediat në rajon po përballen me sfida të mëdha dhe është për të ardhur keq që sot shumë vende janë më pak demokratike dhe media e tyre është më pak e lirë dhe e pavarur, parimet profesionale po shkelen, ndërsa e vërteta po goditet gjithandej nga lajmet e rreme.

“Rusia dhe vende të tjera me qeveri autoritare kanë ndërmarrë përpjekje të gjithanshmepër të minuar parimet dhe vlerat perëndimore demokratike dhe për të penguar integrimin e plotë të vendeve ish-komuniste në institucionet euro-atlantike. Përhapja shumë shqetësuese e të dhënave të rreme dhe manipulimi i të vërtetës, ndërsa mediat sociale janë kthyer në fushë beteja politike. Këto prirje negative mund të çojë në rënien e e besueshmërisë së medias dhe në shtrembërimin e rolit të saj tradicional si pushtet I kartët” – tha zoti Biberaj.

Indeksi i Qëndrueshmërisë së Medias bën një pasqyrë të gjendjes së mediat në botë, ku për Shqipërinë, mes të tjerash thekson se financimi i medias shqiptare mbetet një mister për shumë vite. Sektori I medias, thuhet në raport, është i shumëllojshëm nga ana numerike, por mënyra se si kaq shumë media veprojnë dhe mbijetojnë në një treg kaq të vogël mbetet e panjohur.

Përfaqësuesja e IREX, Tara Susman-Peña theksoi nga raporti se“sipas të dhënave jozyrtare, tregu i reklamave në Shqipëri është rreth 39 mlionë euro, ose 48 milionë dollarë, që është niveli më i ulët në rajon dhe vazhdimisht po pakësohet. Numri i madh i gazetave, tv, dhe portale – thuhet në raport, – nuk mbijeton nga blerjet e lexuesve apo nga shikuesit, por nga lidhjet e interesave momentale të pronarëve të tyre, duke bërë favore në drejtime të ndryshme”.

Pjesëmarrësit në konferencë folën me shqetësim për gjendjen e mediave në Ballkan, ku vonesa e fuqizimit të demokracisë ka sjellë shtimin e trysnisë ndaj medias dhe ndërhyrjet e qeverisë në punën e tyre.

“Përsa i përket sigurisë së gazetarëve, kemi raste të rralla të sulmeve ndaj gazetarëve, por po aq të rralla mbeten dhe zbulimet e këtyre krimeve dhe vënia para drejtësisë e autorëve. Retorika e ashpër politike e kryeministrit ndaj medias gjithashtu u përmend si faktor ndikues në klimën e përgjithshme” – tha Ilda Londo, nga Instituti Shqiptar I Medias.

Ndërsa drejtuesi i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho solli përvojën e Zërit të Amerikës në shmangien e trysnive të politikës dhe pronarëve të mediave. Marrëdhëniet e Zërit të Amerikës me qeverinë janë rregulluar me ligj dhe asnjë zyrtar qeverie nuk mund t’I thotë gazetarëve të Zërit të Amerikës se ngjarjesh të mbulojnë, si të shkruajnë shkrimet apo cfarë këndvështrimi t’u japin texteve.

“Këtë mbrojtje nga “shfrytëzimi i mundshëm” Zërit të Amerikës ia jep Karta mbi të cilin është themeluar, si dhe rregullorja e brendshme, mbi të cilin mbështet funksionimi i VOA, ku ka një kapitull të veçantë për atë që quhet “mur-ndarës, ose mur-mbrojtës” që mbron gazetarët nga ndikimi i një pale të tretë” – tha zoti Xhixho.

Ky vit është 75 vjetori i Zëri të Amerikës në shqip dhe i përpjekjeve të tij për të qenë një burim lajmesh profesionale e të besueshme. Ai i shfrytëzon edhe takime të tilla me studentë dhe profesorë të gazetarisë të nxitë forcimin e mediave në shoqëri demokratike.

Berisha: Argatë të Beogradit nxorën në treg territoret e Kosovës

“Argatë, pa asnjë mandat, në dhunim flagrant të kushtetutës së vendit, për interesa të padronëve të tyre nxorën në treg territoret, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit te pavarur te Kosoves.” Deklarata vjen nga ish kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me një përfaqësi të degës së dytë të Prishtinës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmin e ka publikuar vetë ish kryeministri Berisha në një status në facebook, shoqëruar me foto nga takimi.

“Pershendeta dhe shpreha vleresimin tim per qendrimin e qarte dhe te prere te LDK dhe te gjitha forcave politike ne Kosove ndaj projektit antishqiptar, me emra te ndryshem, per krijimin e Serbise se Madhe, projekt te cilin po e paraqesin si te tyre argatet e Beogradit ne Prishtine.
Me kete akt antikombetar keta albanofobë i bene Kosoves nje dem te pamerituar.Keta argate, pa asnje mandat, ne dhunim flagrant te kushtetutes se vendit, per interesa te padroneve te tyre nxoren ne treg territoret, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit te pavarur te Kosoves. Ata, per te argumentuar aktin e tyre te pashembullt, i servirin publikut si zedhenes te Beogradit nje seri te pafundme trillimesh, mashtrimesh bajte te perditshme, dhe si sharlatane, per te maskuar aktin e tyre antikombetar, njehere flasin ne emer te presidentit Putin, heren tjeter ne emer te presidentit Trump dhe tani se fundi dhe te presidentit Makron”-shkruan Berisha

“Keta aventuriere, qe duan te zhbejne Kosoven si shtet te pavarur, negociojne me Beogradin si perfaqesues te tij ne hije, si Dushan apo Miladin shqipfoles. Ata jane te rrezikshem sepse tani qe e shohin se kane deshtuar, se bashku dhe ne koordinim me Beogradin mund dhe te provokojne per llogari te tij konfliktualitet dhe akte destabilzuese.’ -shkruan Berisha

Del shifra – Miliardat që sollën emigrantët në ekonominë shqiptare

Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve të emigrantëve, deri në fund të 2017-s, janë futur në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë në formën remitancave. Gjysma e tyre kanë financuar konsumin e ushqimeve dhe pjesa e tjetër është përdorur për t’u arsimuar.

Vala e re emigratore ka rikthyer rritjen e dërgesave, teksa bankat kanë reduktuar shërbimet për emigrantët në këto dhjetë vite. Si kanë ndikuar në ekonomi remitancat dhe projektet për përmirësimin e përdorimit të tyre.

 

Emigracioni ndoshta është plaga më e pashërueshme e shoqërisë shqiptare, por përpos kostove që krijohen nga rrudhja e kapitalit njerëzor, emigrantët janë shndërruar në kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë tonë, nëpërmjet dërgesave të rregullta pranë familjeve. Studime të ndryshme tregojnë se remitancat (prurjet monetare të emigrantëve) kanë qenë nxitësi kryesorê për zbutjen e varfërisë, gjithashtu me përvojën e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e aftësive të familjarëve nëpërmjet investimeve në shkollimin dhe në kurimin e tyre.
Përgjatë 28 viteve të fundit, që nga rënia e diktaturës, Shqipëria po përjeton cikle të rregullta të emigracionit dhe të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe remitancat.

Që nga viti 1992, kur nisën prurjet e para, deri më 2017, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet në rreth 8-9% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë valutë në ekonomi më shumë se investimet e huaja. Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare. Në gjashtë muajt e parë të 2018-s, emigrantët sollën në shtëpi 331 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë në 6 vjet, që prej vitit 2012.

Banka Botërore, në një anketë të fundit, gjeti se rreth 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Gati gjysma e financimeve janë përdorur për financimin e jetesës së përditshme, veçanërisht për blerjen e ushqimeve, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në mënyrë proporcionale për arsim, kurim, rikonstruksione shtëpie etj.

Vala e re migratore pas heqjes së vizave, tashmë si azilkërkues në disa vende të BE-së, po rikthen rritjen e remitancave të cilat kishin nisur të uleshin pas vitit 2009. Elton Çollaku, Drejtori Ekzekutiv i Unionit Financiar në Tiranë, tha se, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi. Ndërkohë me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe madje rënie e tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar). Çollaku tha se vitet e fundit, tendencat e reja migratore të shqiptarëve, në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, kanë sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim. Ai tha se edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.

Banka e Shqipërisë, në një vrojtim për tregun e remitancave të publikuar së fundmi, evidenton se bankat në Shqipëri pas vitit 2007 kanë reduktuar dukshëm shërbimet e emigrantëve, teksa Banka Botërore e ka përfshirë Beratin në një projekt pilot, për një përdorim me efikas të dërgesave.
Profesor Ilir Gëdëshi, i cili ka bërë një sërë studimesh dhe vrojtimesh lidhur me emigracionin, thotë se, remitancat kanë luajtur rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë të shumë familjeve në vend. Ndërkohë, nga këndvështrimi i ndikimit të remitancave në zhvillimin ekonomik, Gëdëshi thotë se vetëm një pjesë e vogël e atij burimi (9-12%) është investuar në ekonomi, në biznese kryesisht të vogla. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migrimi deri tani ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendas.

Remitancat dhe ndikimi i tyre në zhvillim

Dërgesat e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm si për të ardhurat dhe për financimin e konsumit dhe janë element thelbësor në kursimet familjare. Banka e Shqipërisë vlerësoi së fundmi në një studim të posaçëm për remitancat se ato kanë pasur kanë efekte absolute mbi mirëqenien dhe ndikimin në ekuilibrat makroekonomikë. Literatura teorike, por edhe studimet empirike, kanë treguar se rëndësia e remitancave ndikohet nga mënyra se si ato përdoren.

Prandaj, efektet e mundshme makroekonomike të remitancave pasqyrojnë strukturën e konsumit të familjeve shqiptare. Banka e Shqipërisë ka gjetur se dërgesat e emigrantëve kanë mbuluar financimin e konsumit të familjeve për nevojat bazë, si ushqim, kujdes shëndetësor, arsim, etj. Mirëpo përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte sikur ato të investoheshin në prodhim. Një studimin për rastin e Meksikës ka treguar se 1 dollar i remitancës së shpenzuar në prodhim gjeneroi 2.69 dollarë në të ardhurat kombëtare të zonave urbane dhe 3.17 dollarë në zonat rurale. Një tjetër rast i rëndësishëm është ai i Greqisë. Vlerësohet se në vitet ’70, kontributi i remitancave ishte sa 50% e rritjes ekonomike të vendit.

Prurjet e emigrantëve janë një zë i rëndësishëm në statistikat e bilancit të pagesave të Shqipërisë. Gjatë periudhës 2008-2017, raporti i remitancave ndaj PBB-së ishte mesatarisht 9.1%. Rëndësia e dërgesave të emigrantëve tregohet edhe nga raportet e saj kundrejt treguesve të tjerë. Gjatë viteve 2008-2017, fluksi i remitancave ishte mesatarisht 36.7% e deficitit tregtar në mallra. Në të njëjtën kohë, raporti mesatar i remitancave ndaj eksportit të mallrave ishte 32.6%, ndërsa për Investimet e Huaja Direkte ishte pothuajse 100%. Para vitit 2008, remitancat ishin më të larta se eksportet dhe investimet e huaja.

Edhe pse dinamika aktuale e deficitit është e përcaktuar gjerësisht nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve, shpeshherë remitancat kthehen në një kontribuues të rëndësishëm. Kështu, gjatë periudhës 2011-2017, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 2.3% dhe kontributi e flukseve hyrëse të remitancave në këtë drejtim vlerësohet në rreth 1.2 pikë përqindjeje. Gjithashtu, gjatë periudhës 2005-2010, ndonëse zgjerimi i deficitit korent ishte rreth 26.1%, remitancat kontribuuan (mesatarisht në 2.4 pikë përqindjeje të ngushtimit të deficitit aktual). Ndërsa kontributi i remitancave mund të jetë më i ulëti, ato mbeten një rrjedhë e rëndësishme (megjithëse jo përcaktuese) në formësimin e dinamikës së deficitit aktual, dhe, herë pas here, ato mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në këto dinamika.

Remitancat, një e dhjeta e PBB-së

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë periudhës analizuese (2010-2017), remitancat kanë kontribuar në rreth 5.6% në nivelin e PBB-së së Shqipërisë. Nga ana tjetër, vlerësimet tregojnë se madhësia e këtij kontributi ka qenë paksa në rënie nga 5.8% në vitin 2010, në rreth 5.3% në 2017. Megjithatë, kontributet e remitancave erdhën në rritje vitet e fundit, krahasuar me performancën gjatë 2010-2013.

Një situatë e ngjashme vërehet edhe në rastin e kontributit të remitancave në rritjen nominale ekonomike të Shqipërisë. Për shkak të uljes së prurjeve, kontributi ishte negativ në 2010-2013 mesatarisht -0.3 pikë përqindje, por ai u rrit në vitet e ardhshme. Për 2014-2017, ndikimi i remitancave në rritjen ekonomike ishte 0.2 pikë përqindjeje, analizon Banka e Shqipërisë. Një kontribut i rëndësishëm është vërejtur në vitin 2014 (0.7 pikë përqindje), dhe një kontribut të vogël në 2015 (0.2 pikë përqindjeje). Norma nominale e rritjes ekonomike në vitin 2014 u raportua në 3.4%, teksa kontributi i remitancave llogaritet në rreth 20 pikë përqindje të kësaj norme. Rastet kur remitancat kanë dhënë kontribute negative kanë të bëjnë me periudhat kur flukset kanë treguar një dinamikë rënëse.

Gjysma shpenzohen për ushqime

Pjesa më e madhe e remitancave shpenzohen në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe në “strehim, ujë dhe energji”. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e prurjeve të emigrantëve, rreth 48% e tyre, përdoren për blerje ushqimesh dhe pije joalkoolike. 3% e prurjeve vlerësohet se shkojnë për mobilimin dhe restaurimin e shtëpive, 4.5% e tyre përdoren për të blerë veshje dhe 5% për shërbimet shëndetësore, 4.8% për udhëtime, 3.3% shpenzohen për t’u arsimuar ndërsa 3,2% harxhohen nga të afërmit në Shqipëri në bare dhe në restorante.

Dibra dhe Kukësi, varësi më të lartë ndaj dërgesave

Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017 treguan se totali i remitancave ishte i barabartë në 1.158 milionë euro, nga të cilat 286 milionë euro kanë ardhur nga punonjësit sezonalë dhe 872 milionë euro si transfertat personale (kryesisht dërgesat e punëtorëve).
Ndikimi i prurjeve në Shqipëri është i rëndësishëm, sepse ato përbëjnë një burim shtesë të të ardhurave për familjet që janë përfituese të tyre. Një studim i Bankës Botërore vlerëson se remitancat përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjeve në Shqipëri. Por rëndësia e remitancave nuk është vetëm në rrafshin e familjeve, shumica e të cilave jetojnë në zonat rurale.

Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare (INSTAT, 2016) tregoi se në Kukës dhe Dibër, remitancat përbëjnë rreth 15-19% të të ardhurave totale të
familjes. Në të njëjtën kohë, këto dy qytete, krahasuar me qytetet e tjera, tregojnë përqendrimin më të lartë të familjeve që pranojnë remitanca në total, përkatësisht 37% dhe 17%. Duke iu referuar Anketës së Matjes së Standardeve të Jetesës (INSTAT, 2012), Kukësi ka shkallën më të lartë të varfërisë, e vlerësuar në 22.5%.

Për rrjedhojë, remitancat e emigrantëve japin kontributin e tyre pozitiv në reduktimin e varfërisë në këtë qytet. Pjesa e madhe e remitancave të përdorura për konsum tregon se qëllimi parësor i tyre është plotësimi i nevojave bazë. Studime të shumta për ekonominë e remitancave pranojnë se herët a vonë, këto flukse monetare do të bien. Por që efekti pozitiv i tyre të jetë më i gjatë, prioriteti qëndron në kanalizimin e tyre drejt investimeve. Në Shqipëri, shumica e remitancave transferohen në rrugë jozyrtare.

Sfida e formalizimit

Remitancat vlerësohen të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shkallën e përfshirjes financiare të popullsisë. Por edhe pse Shqipëria ka prurje të konsiderueshme të remitancave, treguesi i përfshirjes financiare vlerësohet në 40%, një nivel i ulët në krahasim me mesataren globale 69%.
Ndër të tjera, përdorimi i kanaleve zyrtare për prurjet e emigrantëve promovon aktivitetin ndërmjetësues të institucioneve financiare, duke kontribuar në zhvillimin financiar të vendit.

Banka e Shqipërisë referon se, promovimi i përdorimit të sistemit financiar për remitancat ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në kuadrin e reduktimit të përdorimit të parave cash në ekonomi. Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, ndërmori një studim të detajuar të tregut të remitancave me synimin e identifikimit të boshllëqeve infrastrukturore dhe rregullatore për përafrimin me praktikat më të mira.

Monitor

Protagonistë të bisedimeve të Vjenës kritikojnë idenë e ndryshimit të kufirit

Ideja e ndryshimit të kufirit, sipas së cilës Kosova merr territor të ri, por nuk jep asgjë, nuk ka logjikë, ka deklaruar ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Këto komente, ai i bëri gjatë një debati për dialogun me Serbinë, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Aty, përveç Fatmir Sejdiut, panelistë ishin disa prej politikanëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e negociatave gjatë procesit të bisedimeve për definimin e statusit të Kosovës në Vjenë, si ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Panelistët thanë se Prishtina duhet ta ketë një platformë dhe një unitet politik për fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se kjo është një fazë e ndjeshme dhe kërkoi që përfaqësimi i Kosovës në dialog të ketë mandat nga Kushtetuta dhe Kuvendi.

Ai e cilësoi si jo të logjikshme idenë e ndryshimit apo siç po prezantohet nga presidenti aktual Hashim Thaçi, të korrigjimit të kufirit.

Delegacioni i Kosovës në Vjenë

“Cila është esenca e asaj ideje që po marrim dhe korrigjojmë territore, po marrim pjesë nga vendi tjetër dhe s’po japim asgjë. Po flas me një logjikë që mund të pyes secili njeri i zakonshëm”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ngriti nevojën për unitet brenda faktorit politik kosovar në bisedimet me Serbinë. Ai tha se procesi i bisedimeve duhet t’i ketë garancitë e bashkësisë ndërkombëtare se kjo do të jetë marrëveshja e fundit me Serbinë.

“Frika ime më e madhe është frika pas dialogut. Unë po e them me sinqeritetin më të madh, ne edhe atëherë kemi menduar se kjo është marrëveshja finale me Serbinë (bisedimet për dialogun në Vjenë). Duhet kërkuar garanci shumë të forta nga partnerët ndërkombëtarë se a do të jetë kjo marrëveshja finale”.

“Imagjinoni nëse ne e bëjmë një marrëveshje dhe pastaj prapë nuk kalon në Këshill të Sigurimit, prapë nuk ndodh diçka, atëherë ku është finalja tjetër”, theksoi Kuçi.

Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve, Kuçi theksoi se secila ide që buron nga udhëheqësit politikë, do të duhej të sqarohej në detaje në mënyrë që të shihen limitet kushtetuese të zbatimit të saj.

Përderisa mungon pajtueshmëria në Kosovë për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe kontestohet roli prijës i presidentit Thaçi në këtë dialog, kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se askush nuk ka të drejtë të bisedojë për ndryshim të kufijve, demarkacion apo bashkim të ndonjë hapësire tjetër me Kosovën.

Jakup Krasniqi,kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Nisma Socialdemokrate

“Shikoni është shumë e këndshme të thuash se dua t’ia bashkoj Kosovës, Kosovën Lindore, Preshevën, Mevdegjën dhe Bujanocin. Shikoni, është një mashtrim që iu bëhet qytetarëve që janë andej, por edhe këtyre këndej. Do të thotë kjo Serbia nuk po të njeh pa atë pjesë, e jo ti do t’ia marrësh atë pjesë e t’i normalizosh marrëdhëniet, kjo vërtet është pak fyerje e inteligjencës”, tha Krasniqi.

Prishtina dhe Beogradi po hyjnë në fazën finale të bisedimeve me synimin që të arrijnë një marrëveshje të obligueshme ndërkombëtare për të dy shtetet. Nisur nga ky fakt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se aty do të shtrojë edhe çështjen e korrigjimit, siç e quan ai, të kufirit të Kosovës, me përfshirjen e tri komunave në Serbi, por që kanë popullatë shqiptare, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Sidoqoftë, kjo ide tash për tash nuk ka gjetur mbështetjen e pjesës më të madhe të spektrit politik në Kosovë.

Shqipëria dhe Turqia iniciojnë dokumentin e partneritetit strategjik

TIRANË – Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, është takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa dy homologët firmosën edhe deklaratën e përbashkët politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Shqipëri.

Në përfundim të takimit ministrat Çavuşoğlu dhe Bushati mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshë, rritjen e bashkëpunimit , si dhe në luftën kundër organizatës terroriste FETO.

  • Çavuşoğlu: Presim nga Shqipëria mike ekstradimin e anëtarëve të FETO-s

Ndërkohë ministri Bushati, i pyetur në lidhje me aktivitetet e organizatës terroriste FETO në Shqipëri tha se “Përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por edhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar për atë çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për BE dhe ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike”.

Kryediplomati i Shqipërisë, tha se dy vendet kanë rënë dakord dhe iniciuar një dokument të rëndësishëm të partneritetit strategjik për të themeluar Këshillin e Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Shqipëri që do të drejtohet nga Presidenti I Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Patëm mundësi për të marrë shqyrtim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, qoftë në planin politik ashtu dhe atë ekonomik dhe tregtar dhe të këmbejnë pikëpamje për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në rajon dhe rolin që luan Turqia dhe Shqipëria qoftë në NATO apo në instanca të tjera ndërkombëtare. Përmes këtij dokumenti ne i paraprimë edhe mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive dhe takimeve periodike: Shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë vendit tonë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, për punën e lavdërueshme që bën TIKA në Shqipëri, për sa i përket elementëve që kanë të bëjnë më trashëgiminë kulturore”, tha ministri Bushati.

Ministri Bushati tha se e vetmja rrugë për Maqedoninë është rruga e euroatlantike dhe shtoi se “Shpresoj shumë që marrëveshja e Prespës do të materializohet qoftë në Parlamentin e Maqedonisë ashtu edhe në Parlamentin e Greqisë. Është gjithashtu e rëndësishme për ne si Shqipëri që ky proces të zhvillohet paralelisht me angazhimet që ka ndërmarrë Maqedonia qoftë për zbatimin e ligjit të dygjuhësisë”.

Çavuşoğlu është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe presidentin e vendit, Ilir Meta, ndërsa do të takohet edhe kryeministrin Edi Rama. aa

Akuza “bombë” për Kotziasin: Greqia financon portale shqiptare

Ministria e jashtme greke financonte me fonde sekrete media dhe gazetarë në Shqipëri “për të siguruar publikime pozitive rreth Greqisë, për krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe që kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”. Ky është botimi “bombë” që bën gazetari grek Dhimitris Takis në gazetën elektronike iefimerida.gr.

Po sipas gazetës, me këtë fakt ka lidhje edhe debati i ashpër mes Panos Kamenos ministër i Mbrojtjes dhe Nikos Kotzias tashmë ish-ministër i Jashtëm, në mbledhjen e këshillit ministror pak ditë më parë, debat që shkaktoi dorëheqjen e ministrit Kotzias.

Sipas “Iefimerida”, një javë para këtij debati, në 10 tetor, e Mërkurë, ka kaluar për miratim në parlamentin grek dokumenti i klasifikuar sekret me tre kode. Shuma e përgjithshme e fondit thuajse 1 milion Euro, ishte ndarë për pagesa në median në Shqipëri dhe për median ne Maqedoni, ndërsa një fond tjetër për mbështetjen e kishave ortodokse e Ortodoksisë në përgjithësi.

Për sa iu përket shumave për median në Shqipëri, në reportazh theksohet se deputetëve iu dha shpjegimi: “për të siguruar publikime pozitive për imazhin e Greqisë e krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”.

Ministria e Jashtme e Greqisë nuk ka përcaktuar se ku konkretisht janë shpërndarë këto para ne Shqipëri. Ndërkaq, si kryetari i parlamentit grek ashtu dhe kryeministria greke kanë reaguar kundër reportazhit, duke u referuar secila palë në transparencën e punës së Kotzias dhe te drejtës së fondeve sekrete, por nuk kanë mundur te përgënjeshtrojnë dokumentin konkret dhe fondin e investuar për mediat. Debati Kamenos-Kotzias, nisur nga ky i fundit, ka nxjerrë në pah dhe akuzën e Kamenos, se janë dhënë 45 milionë Euro nga fondacioni Soros për mbylljen e marrëveshjes së Prespës.

Ka qenë pikërisht kjo akuze dhe reagimi neutral i kryeministrit Tsipras që shkaktuan nervozizëm tek ministri Kotzias, i cili e konsideron shpifje dhe sulm politik. Së fundi, ministri Kamenos ka akuzuar hapur dhe gazetën “Efimerida ton syntakton” për propagandë me fonde të Soros.

(BalkanWeb)

Haradinaj: Jemi pjesë e NATO-s dhe po bëhemi me ushtri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se NATO do t’i japë mbështetje Forcës së Sigurisë së Kosovës në mandatin e ri që i mundësohet përmes projektligjeve, të cilat tashmë janë miratuar në parim dhe presin leximin e dytë në Kuvend.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Haradinaj tha se është në kontakt me zyrtarët e NATO-s, dhe se sipas tij, nuk ka hezitime rreth mbështetjes që i jepet FSK-së.

“NATO është një vendimmarrës serioz dhe ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Procesi i mandatimit të ushtrisë është me peshë”, tha Haradinaj. Sipas tij, FSK, pavarësisht se nuk do të quhet me emrin ushtri, do ta ketë mandatin ushtarak.

“Dallimi është vetëm ndërrimi i emrit, por mos keni dilema. Jemi thellë të bindur. Ne jemi pjesë e NATO-s dhe ne do të bëhemi me ushtri”, theksoi Haradinaj, duke nënvizuar se nuk është transformim, por shndërrim i FSK-së në ushtri.

Në këtë konferencë, Haradinaj përsëriti dhe qëndrimin e tij në lidhje me idenë për ndryshimin e kufirit, që doli nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Ideja e korrigjimit ka vdekur”, tha Haradinaj.

Tubim përurues për librin “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” të Shaban Muratit

Në datën 18 tetor 2018 në mjediset e Hotel “Tirana International” u zhvillua një tubim përurues për librin tim të ri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”. Ceremoninë e hapi z. Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit të mirënjohur “Alsar”, që ka botuar librin.
Pastaj recensat e tyre për vlerat e librit i mbajtën zëvëndëskryeministri i Kosovës, prof.dr. Enver Hoxhaj, ambasadori Maxhun Peka, prof. Ylber Sela, drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare,Tetovë, dhe z.Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.
Merrnin pjesë ambasadorë dhe diplomatë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësues të botës akademike, të mediave, të institucioneve kulturore dhe të shoqatave joqeveritare, studentë, etj. Merrnin pjesë dhe figura të shquara, intelektualë dhe studjues të ardhur posaçërisht për këtë ngjarje nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi. Ndodhej edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, z.Sylë Ukshini, dhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, z.Qemal Minxhozi.
Tubimin përurues të librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” e nderoi me praninë e tij edhe Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij Z.Ilir Meta.

Mesiq kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi: Mund të sjellë një luftë të re

Kriza mes Serbisë dhe Kosovës mund të sjellë një luftë të re, thotë ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq, në një intervistë për “Der Standard”. Ai është shprehur kundër korrigjimit të kufijve në baza etnike.

“Vetë propozimi i tillë është gabim dhe nuk është ide e mirë, pasi arkitektura e Evropës është përfunduar me pavarësinë e Kosovës. Gjithçka që ka të bëjë me ndryshimin e kufijve, do të sillte katastrofa deri te luftërat e reja”, tha Mesiç, duke shtuar se të gjithë luftërat në historinë e Evropës kanë filluar si pretekst për të mbrojtur minoritetet e tyre kombëtare, por në fakt, qëllimi ka qenë për të fituar territore të reja.

Më tej njohësi i vjetër i politikës ballkanike shtoi se shembulli mes francezëve dhe gjermanëve duhet të ndiqet edhe nga shqiptarët dhe serbët – të jetojnë në një botë të hapur dhe ligje të ngjashme. Si shembull që sjell pasoja katastrofike të ndryshimit të kufijve Mesiç merr politikën e ndarjes së Bosnjë e Hercegovinës mes presidentëve Tuxhman dhe Milosheviç. “Kjo politikë ishte përgjegjëse për vrasje e 100 mijë personave në Bosnjë”, tha ai.

Në fund Mesiç thekson se Franca dhe SHBA e kanë kuptuar rrezikun se çfarë do të thotë ndryshimi i kufijve. Ndryshimi i kufijve mund të mbështetet vetëm nga Rusia, e cila kërkon të legjitimojë aneksimin e Krimesë.

Ambasadori i SHBA: Ideja e shteteve etnikisht të pastra është e rrezikshme

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott foli për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe për vijat e kuqe të SHBA-ve. “Në SHBA nuk ekzistojnë vijat e kuqe apo kufizimet për atë se duhet bërë e çfarë jo, thjesht ua kemi lënë vendeve të vendosin objektivat, kurse SHBA-të do të jenë të hapura që t’i shqyrtojnë”, tha ambasadori i SHBA-ve.

Teksa u ndal tek fakti për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës ai tha se jo domosdoshmërisht SHBA do të pranojë çdo lloj marrëveshje.

“Ideja e shteteve etnikisht të pastra në Ballkan është joreale dhe e rrezikshme. Kudo që vihet vija e kufirit, pres që të dy shoqëritë të jenë multietnike”, ka shtuar Scott.
(BalkanWeb)

Regjistrimi i portaleve, OSBE kundër Ramës dhe AKEP: Shteti nuk duhet të imponojë mediat online

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në një reagim të fundit ka shprehur  shqetësimin në lidhje me sistemin e ri të regjistrimit të portaleve online në Shqipëri dhe kërcënimin e mbylljes së mundshme të tyre.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi përfaqësuesi i OSBE.

 

 

Reagimi i plotë

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu sot shqetësimin për lajmërimin për një sistem të ri regjistrimi për 44 faqe interneti në Shqipëri dhe mbylljen e mundshme të tyre.

Më 15 tetor, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi një listë me 44 faqe interneti mediatike, që duhet të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me NIPT brenda 72 orësh, të cilin duhet ta publikojnë pastaj online. Mosrespektimi i këtij urdhri rezulton në mbyllje të faqeve të internetit. Kjo nismë, e mbështetur nga qeveria, raportohet se është bërë për t’u dhënë zgjidhje shpifjeve online.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir. Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për këtë çështje, Përfaqësuesi ofroi edhe asistencën e tij ligjore. Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.