VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Një i burgosur i Guantanamos transferohet në Mal të Zi

By | June 23, 2016
blank

Komentet

blank

Politikani serb shokon mediat e Beogradit, e pranon se Kosova s’është Serbi

Politikani serb dhe kryetari i partisë socialiste serbe, LSV, Nenad Çanak, ka thënë se Kosova s’është pjesë e Serbisë.

Duke kritikuar opozitën, ai u tha atyre të përpiqen të vijnë në Kosova dhe ta shohin se sa është pjesë e Serbisë, deklaratë kjo që u cilësua si shokuese nga mediat serbe, përfshirë gazetën serbe, Kurir, transmeton Gazeta Express.

 

“Si mund të mos jepni diçka që nuk është e juaja edhe ashtu? Nëse Kosova është Serbi, përpiquni të shkoni në Kosovë dhe do të shihni se sa është pjesë e Serbisë”, tha Çanak.

Ai tha se “opozita e bojkotit” po e sulmon atë sepse ai ka një politikë të qartë për 30 vjet.

“Boris Tadiq është shoku im dhe një njeri me të cilin kurrë nuk kam rënë dakord për një numër gjërash dhe ai i di shumë mirë ato. Por meqenëse premtova të mbaj shumicën në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, në mënyrë që të njëjtit njerëz që janë tani në pushtet të mos vijnë, ne, me pesë deputetë që ishin vendimtar për ruajtjen e shumicës parlamentare, pa asnjë vend në qeveri, ishin në një pozicion për katër vjet dhe unë nuk mund të përfshihem as në komisionet parlamentare. Ne e shpëtuam atë”, tha Çanak.

Ai shtoi se roli i bojkotuesve është të shpikin se ata do të zgjidhin problemin e Kosovës “sepse ata nuk do të heqin dorë nga ajo”.

blank

Pamje e rëndë pas ekzekutimit të gazetarit grek, kush janë dy dëshmitarët kyç të ngjarjes

Policia greke po fokusohet në dëshminë e dy dëshmitarëve, për të hedhur dritë mbi vrasjen e gazetarit Jorgos Karaivaz.

Ky i fundit u gjet dje i pajetë pranë banesës së tij në Alimos, ku u ekzekutua me 6 plumba. Hetuesit në Greqi mësohet se po këqyrin po ashtu kamerat në vendngjarje.

Po ashtu, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar Ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, nisjen e një hetimi të shpejtë mbi çështjen. Madje, lidhur me ngjarjen që tronditi dje Athinën pritet të ketë edhe një takim në Pallatin Maksimos, mes kreut të qeverisë dhe ministrit në fjalë.

Kamerat e sigurisë dhe ato të monitorimit të trafikut rrugor, mund ti ndihmojnë oficerët e sigurisë që të ndërtojnë rrugën që kanë ndjekur vrasësit. Po ashtu po këqyren edhe kompjuterët dhe celularët e viktimës, për të parë bisedat e tij të fundit dhe nëse ka marrë mesazhe kërcënuese.

Dyshohet se vrasësit e kanë monitoruar prej ditësh gazetarin e ndjerë, duke zbuluar lëvizjet e tij. Gazetari nuk i kishte rrëfyer asnjërit prej të afërmeve apo kolegëve të tij se ka marrë kërcënime apo se i rrezikohej jeta, po ashtu ai nuk mbante armë dhe nuk kishte kërkuar mbrojtje policore.

Policia po i kushton vëmendje të veçantë katër dëshmive, dy prej të cilave vlerësohen si shumë të rëndësishme, pasi këta persona ndodheshin fare pranë ekzekutimit dhe panë skenën e vrasjes. Sipas raportimeve paraprake reporteri i kronikës së zezë Jorgos Karaivaz, u qëllua me 6 plumba në trup ndërsa po kthehej nga puna në shtëpi, rreth orës 14:00. 12 gëzhoja që dyshohet të jenë zbrazur nga një armë me silenciator u gjetën në vendngjarje.

Dy dëshmitarët kyç thanë se autorët po lëviznin me një motoçikletë të vogël, me gjasë scooter, me të cilin ia mbathën, duke e lënë të pajetë reporterin pranë makinës së tij.

Vrasja u dënua edhe nga Komisioneri Evropian dhe komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut. “Vrasja e një gazetari është një veprim për tu përbuzur dhe frikacak”, do të shkruante të premten shefja e Komisionit Ursula von der Leyen.

blank

blank

Ursula von der Leyen: Vrasja e gazetarit George Karaivaz është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh

Dy njerëz të armatosur në motoçikletë vranë të premten një gazetar të njohur grek pranë shtëpisë së tij në Athinë, njoftoi policia.

George Karaivaz, një gazetar karriere i televizionit privat STAR TV, ishte i njohur në audiencën greke për mbulimin e ngjarjeve që lidheshin me rendin dhe me policinë.

Ende nuk ka njoftime rreth një motivi të mundshëm për vrasjen, por policia tha se vrasja ishte planifikuar me kujdes.

“Vrasja e një gazetari është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një koment në Twitter.

“Evropa është për lirinë. Dhe liria e shtypit është ndoshta më e shenjta nga të gjitha,” tha ajo.

Policia tha se gazetari u vra të premten pasdite nga dy njerëz në motoçikletë, të cilët qëlluan me breshëri plumbash afër shtëpisë së tij në Alimos, në jug të Athinës. Të paktën 12 gëzhoja u mblodhën nga vendi i ngjarjes, tha një zyrtar i policisë.

“Ishte një atentat profesional,” tha zyrtari i policisë, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të bënte deklarata për median.

Zëdhënësja e qeverisë greke Aristotelia Peloni tha se vrasja “na tronditi të gjithëve”.

“Autoritetet po hetojnë për të arrestuar autorët dhe për t’i sjellë para drejtësisë,” tha ajo. VOA

blank

Vuçiqi mohon gjenocidin serb në Kosovë: S’dua ta fyej ambasadorin Schieb, ai tha çfarë mendon Gjermania

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur sot rreth deklaratës së ambasadorit gjerman në Beograd, se bombardimi i Jugosllavisë ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin serb në Kosovë

Vuçiq ka thënë se shpjegimin e njëjtë për bombardimin e kanë të gjitha 19 shtetet të cilat kanë participuar në ndërhyrjen ushtarake.

 

Derisa ka thënë se është i bindur që s’ka pasur qëllime për gjenocid dhe se sipas Vuçiqit askush s’ka arritur ta provojë që ka pasur përpjekje për gjenocid, shkruan Kosovo Online, transmeton Gazeta Express.

Kreu i shtetit serb tutje ka thënë se për atë çfarë ka ndodhur në vitin 1999 të gjithë kanë pikëpamje të ndryshme.

“Të gjitha 19 shtetet që morën pjesë në bombardime kanë të njëjtin shpjegim. Ambasadori Schieb s’ka thënë diçka ndryshe. Unë e njoh atë si njeri që ka sjellë investime këtu dhe që e do Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Schieb në ato momente është dashur të përgjigjej në vijë me politikën gjermane.

“Nuk më shkon mendja ta fyej personalisht, sepse ai nuk e meriton”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb tutje theksoi se ndonjëherë është mirë të dëgjohen deklarata të tilla, sepse mund të shihet se çfarë mendojnë në të vërtetë ata që morën pjesë në bombardime për gjithçka që ka ndodhur.

“Është detyra jonë të përgjigjemi dhe të themi se nuk është e vërtetë, t’i shohim gjërat ndryshe. Ne duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë me Gjermaninë, e cila është partneri kryesor tregtar i Serbisë. Nuk është vetëm çështja e parave, por edhe e ndryshimit në vend. Është detyra jonë të themi me çfarë pajtohemi dhe çfarë jo, ne mbrojmë me krenari pozicionin tonë, por gjithashtu të kërkojmë të ruajmë integritetin e atyre që janë miq, e jo të bëjmë armiq të atyre që janë miqtë tanë “, përfundoi Vuçiq.

blank

Slloveni, regjistrohet mëngjesi më i ftohtë i prillit ndonjëherë

Lubjanë

Në jug të Sllovenisë në mëngjes u regjistruan temperatura minus 20 gradë Celsius që është mëngjesi më i ftohtë i prillit i regjistruar ndonjëherë në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Temperatura më e ulët u regjistrua në Nova Vas, minus 20.6 gradë Celsius, që është rekordi i ri zyrtar slloven për muajin prill.

Deri tani, temperatura më e ulët e regjistruar në këtë vend ishte minus 18 gradë Celsius, ndërsa ishte matur më 4 prill të vitit 1970, njoftoi Agjencia Sllovene e Mjedisit (ARSO), sipas agjencisë sllovene të lajmeve STA.

Bora mbuloi të gjithë Slloveninë të martën. Në disa pjesë të vendit, bora e vështirësoi trafikun, shkaktoi rrëshqitje në rrugë si dhe disa aksidente trafiku.

blank

Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

Predrag Tomoviq

Katër muaj pas zgjedhjeve, Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, përballet me sfidën më të madhe në raport me shumicën: kërkesën për të shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviq.

Krivokapiq njoftoi më 5 prill se ka kërkuar largimin e Leposaviqit për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Leposaviq u zgjodh ministër i Drejtësisë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 11 ministra të tjerë të Qeverisë së Krivokapiqit.

Qeveria, që rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve pas 30 vjetësh në pushtet, u votua nga një shumicë prej 41 deputetësh, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë këtë javë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit për shkak të deklaratave të tij në lidhje me Srebrenicën.

Deri më tani, provimi më i vështirë për Qeverinë e Krivokapiqit

Qeveria ka rënë në krizën më serioze deri më tani, për shkak të gjenocidit në Srebrenicë – një ngjarje kjo që ka ndodhur 26 vjet më parë – thotë për Radion Evropa e Lirë Daliborka Ulareviq, drejtoreshë e Qendrës për Edukimin Qytetar (CGO).

“Deri më tani, ky është treguesi më i fortë i keqkuptimeve elementare midis kryeministrit dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, si dhe i dallimeve të ndërsjella për një numër çështjesh. Është po ashtu një tregues se kjo qeveri nuk është aq eksperte dhe nuk ndjek agjendën evropiane”, thotë Ulareviq.

Si shembull, ajo përmend pikërisht Leposaviqin dhe pikëpamjet e tij mbi Srebrenicën.

“Leposaviq nuk tregoi ndonjë ekspertizë të dukshme gjatë mandatit të tij të deritashëm dhe nuk promovoi sistemin e vlerave dhe standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, që janë trashëguar nga anëtarët më progresivë të Bashkimit Evropian”, thotë Ulareviq.

Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, më 1995.

Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, më 1995.

Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë në Mal të Zi, Dragan Shoq, thotë se nuk ka asnjë rezultat nga shkarkimi i Leposaviqit – nëse fare ndodh – i cili do të ishte i favorshëm për kryeministrin dhe Qeverinë e tij.

“Është e qartë se kryeministri nuk e ka përkrahjen e grupit që mbështet Qeverinë për largimin e Leposaviqit. Në anën tjetër, nëse e tërheq atë propozim, kjo do ta minonte legjitimitetin e tij si kryeministër”.

“Cilido opsion nuk është i mirë dhe kjo nuk është aspak një situatë e këndshme politike për Qeverinë”, thotë Shoq.

Devijimi nga rruga evropiane, zgjedhje të reja apo vazhdim i trazirave?

Në përgjigje të deklaratës së Leposaviqit për Srebrenicën, Bashkimi Evropian tha më 29 mars se hedh poshtë dhe dënon çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë.

Për të njëjtin rast, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj dhe shpresën se “Qeveria e Malit të Zi do ta dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ka qenë – gjenocid”.

Meqenëse Fronti Demokratik dhe Demokratët, si dy grupet më të mëdha në pushtet, kanë thënë tashmë se nuk do të votojnë për largimin e Leposaviqit, pyetja është se cili mund të jetë epilogu i konfliktit midis kryeministrit dhe partive që e kanë zgjedhur shef të Qeverisë?! Më 5 Mars, kryeministri Krivokapiq nuk kishte asnjë dilemë:

“Pohoj, bazuar në informacionin që kam, se kjo është një përpjekje për ta përmbysur Qeverinë nga brenda. Për këtë punojnë përfaqësues të shumtë të partive të caktuara në pushtet dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve”.

Përkundër situatës së krijuar, Daliborka Ulareviq thotë se nuk pret ndryshim në “kursin evropian” të Qeverisë malazeze.

“Nuk pres ndonjë ndryshim, sepse kemi kohë që luhatemi në atë rrugë… Kjo Qeveri e re nuk ka bërë asgjë për t’i çuar gjërat përpara, kryesisht për shkak të injorancës thelbësore të procesit të integrimit”, thotë Ulareviq.

Ajo gjithashtu nuk beson se zgjedhjet e reja do të ishin një epilog real i krizës aktuale të Qeverisë.

“Unë nuk besoj se ky konflikt mund të shkaktojë menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë mendoj se kjo përmbysje e dhimbshme e aktorëve politikë do të intensifikohet, gjë që nuk do të jetë në favor të interesit publik dhe temave që tani kanë përparësi: shëndetësia, ekonomia, sundimi i ligjit”, thotë Ulareviq.

Kur do të votohet për shkarkimin e Leposaviqit?

Krivokapiq paralajmëroi se do t’ia dërgojë Kuvendit të Malit të Zi kërkesën për shkarkimin e Leposaviqit, por nuk ka asnjë afat ligjor, brenda të cilit kjo pikë duhet të jetë në rendin e ditës.

Dragan Shoq thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetari i Parlamentit vendos se kur kjo pikë do të jetë në rend të ditës.

“Për mua është logjike që kjo të trajtohet me prioritet, sepse bëhet fjalë për Qeverinë, por nuk ekziston afat”, thotë ai.

Nëse ministri Leposaviq hiqet dhe Parlamenti nuk e mbështet zgjedhjen e një kandidati të ri, Shoq thotë se në atë rast, pozita e lirë do të mbushej nga njëri prej ministrave ose kryeministri.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit, çfarë do të thotë se 37 deputetë të shumicës aktuale parlamentare janë kundër.

Si justifikim, Fronti Demokratik tha se pikëpamjet e Leposaviqit ndahen nga të gjithë serbët në Mal të Zi.

“Derisa të ketë deputetë të Frontit Demokratik, Leposaviq nuk do të shkarkohet për shkak të qëndrimeve që ndan secili serb në Mal të Zi”, tha Sllaven Radunoviq nga ky subjekt politik.

Për Demokratët, votimi për heqjen e Leposaviqit është problem, “përveç nëse është marrëveshje e shumicës parlamentare”. Dhe, është e qartë që marrëveshja nuk ekziston, për shkak të kundërshtimit të Frontit Demokratik.

Vetëm URA, me katër deputetë, mendon se ata që “nuk e kuptojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, nuk kanë vend në funksionet e shtetit”.

Nga 40 deputetët e opozitës, për largimin e Leposaviqit tashmë janë deklaruar: Partia Social-Demokrate, Social-Demokratët, Boshnjakët dhe Partia Liberale – gjithsej 9 deputetë.

Një qëndrim i tillë pritet edhe nga 29 deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, që kanë kërkuar largimin e Leposaviqit, si dhe nga dy përfaqësuesit e partive shqiptare.

Aritmetika parlamentare tregon se opsioni i vetëm për shkarkimin mund të jenë votat e opozitës, së bashku me votat e partisë në pushtet – URA.

Vetë Leposaviq nuk është deklaruar në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij.

Krivokapiq tha se Leposaviq do të qëndrojë në pozitën e ministrit deri në zgjedhjen e një të riu, sepse “dëshiron ta vazhdojë kryerjen e këtij funksioni”.

“Kjo është e drejta e tij derisa të shkarkohet”, tha Krivokapiq.

“Kosova është zemra e Serbisë”

Qindra qytetarë në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane dhe qytete të tjera të Malit të Zi protestuan pas vendimit të kryeministrit për të iniciuar shkarkimin e Leposaviqit.

Të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë, ata brohorisnin: “Kosova është zemra e Serbisë”, “Tradhti, tradhti”, “Ne nuk do t’i japim të shenjtët”, “Ju na tradhtuat”.

Podgoricë: Njerëz me flamuj të Serbisë protestojnë kundër shkarkimit të mundshëm të ministrit të Drejtësisë në Mal të Zi, Vlladimir Leposaviq.

Podgoricë: Njerëz me flamuj të Serbisë protestojnë kundër shkarkimit të mundshëm të ministrit të Drejtësisë në Mal të Zi, Vlladimir Leposaviq.

Ata mohuan gjenocidin në Srebrenicë me pankartën: “Për shkak të Srebrenicës, një serb po hiqet nga zyra, mos harroni se nuk kishte gjenocid”.

Të tubuarit gjithashtu fyen kryetarin e Kuvendit malazez, Alleksa Beçiq, duke thënë se ai ka bërë tradhti, pasi i ka uruar Glauk Konjufcës zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës dhe ka thënë se Prishtina mund të llogarisë në ndihmën e Podgoricës.

Urimi u publikua në ueb-faqen e Parlamentit të Kosovës më 2 prill, ndërsa te publiku malazez arriti përmes mediave serbe, të cilat e vlerësuan si “tradhti” dhe “turp”.

Përgatiti: Valona Tela
blank

Iniciohet shkarkimi i ministrit malazez për shkak të deklaratës për Srebrenicën

Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vladimir Leposaviq (në mes).

 

 

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, propozoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë në këtë vend, Vladimir Leposaviq, për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në Parlamentin e Malit të Zi.

Gjatë një seance parlamentare më 26 mars, Leposaviq ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

“Pas deklaratës së diskutueshme i kam dërguar një mesazh, që ai duhet të nxirret vetë nga ajo që ka gatuar vetë. Kam menduar se deklarata e tij do të ishte e atillë që të amortizonte atë që është thënë, por ajo ka mbetur me prapavijën e njëjtë”, tha Krivokapiq, duke aluduar në deklaratën e dytë të Leposaviqit, që ka bërë tre ditë më vonë, duke shprehur të njëjtat pikëpamje.

Deklarata e Leposaviqit ka nxitur reagime të shumta nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, që ka kërkuar dorëheqjen e tij. Po ashtu ka pasur thirrje për reagim të prokurorisë.

Kryeministri Krivokapiq tha se detyrim i Leposaviqit ka qenë që t’i përgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.

“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi. Këtë e kam bërë të premten edhe sot”, tha Krivokapiq.

“Meqenëse Leposaviq ka mbajtur pozicionin e tij, unë kam propozuar shkarkimin e një anëtari të Qeverisë, në këtë rast të ministrit Leposaviq”, tha Krivokapiq, për të shtuar se është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private.

Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrimin në BE, duhet të jenë të gatshëm t’i respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës. rel

blank

Krerët e Malit të Zi ftohen ta vizitojnë Srebrenicën: Ejani njoftohuni me faktet për gjenocidin

Bordi i Drejtorëve të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës i ka ftuar krerët e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Dritan Abazoviq dhe Vladimir Leposaviq, të shkojnë në Srebrenicë, transmeton Gazeta Express.

Ata janë të ftuar, siç thonë ata, të njihen me faktet për gjenocidin.

Deklarata e qendrës, cituar nga mediat e Sarajevës, thotë se deklaratat e fundit nga kryeministri të Malit të Zi, Krivokapiq, zëvendëskryeministri Abazoviq dhe ministri i Drejtësisë, Leposaviq, të cilat mohojnë gjenocidin, relativizojnë fakte të vërtetuara nga gjykata.

“Ato deklarata përfaqësojnë një goditje për sundimin e ligjit dhe procesin e pajtimit në rajon”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kjo qendër.

Krivokapiq, Abazoviq dhe Leposaviq u ftuan ta vizitojnë Qendrën Përkujtimore dhe për të bërë homazhe për viktimat.

“Këtu aata kanë një pasqyrë të drejtpërdrejtë në gjërat personale dhe historitë personale të të mbijetuarve të gjenocidit”, thuhet më tej në deklaratë.

Vendimet e gjykatave, thuhet në deklaratë, janë pika e fundit që një individ duhet të arrijë në mënyrë që të kuptojë që në Srebrenicë u krye gjenocid.

blank

Vuçiq: Do të vazhdoj punën drejt delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar të premten se do të vazhdojë të punojë drejt “delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës”.

Vuçiq ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi përparimin e Serbisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian, të miratuar një ditë më parë.

Presidenti serb e ka konsideruar raportin si “gënjeshtra të zhveshura”, duke shtuar se deputetët e bllokut evropian kanë “humbur në kohë dhe hapësirë”.

“Ata duket se kanë lexuar një raport nga 2011 dhe jo nga viti 2021,” u ka thënë presidenti serb gazetarëve, gjatë një vizite në rrethinën e qytetit Shabac.

Në këtë raport, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, dhe respektimi i vërtetë i të drejtave themelore në këtë vend, është element thelbësor për përcaktimin e ritmit të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.

Lidhur me pjesën e raportit në të cilën PE ka shprehur shqetësim për “fushatën për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës”, Vuçiq tha se ai është krenar për këtë dhe se do të vazhdojë të punojë për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës “për inat të Parlamentit Evropian”.

Duke komentuar pjesët e raportit të PE, i cili përmend “mungesën e pajisjeve mjekësore” për luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe ekspertizën e pamjaftueshme të mjekëve në Serbi, Vuçiq tha se deputetët evropianë “kanë thënë gjithçka vetëm për veten e tyre” kur kanë miratuar atë dokument .

“Ne testojmë më shumë sesa 80 për qind e vendeve të BE-së dhe ata na dënojnë”, ka deklaruar ai.

Në raport janë shprehur shqetësime edhe në lidhje me funksionimin e Parlamentit të ri të Serbisë, i cili nuk ka opozitë parlamentare.

Deputetët evropianë kanë përsëritur rëndësinë e përafrimit të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke pasur parasysh që shkalla e pajtueshmërisë së Serbisë aktualisht është më e ulëta në rajon.

Serbisë i janë kërkuar rezultate “bindëse”, duke përfshirë hetime efektive në fusha të rëndësishme si, gjyqësori, liria e shprehjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mes tjerash është përmendur edhe se liria e medias po përkeqësohet dhe se përdorimi i gjuhës ofenduese, frikësimi dhe madje gjuha e urrejtjes po rritet ndaj anëtarëve të opozitës parlamentare, intelektualëve të pavarur, organizatave joqeveritare, gazetarëve, individëve me ndikim dhe anëtarëve të partive në pushtet.

Në mesin e çështjeve tjera, deputetët e PE-së kanë mirëpritur përparimin që Serbia ka bërë në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut dhe kanë inkurajuar Qeverinë serbe të ndjekë reformat strukturore në këtë fushë. rel

blank

Protesta në Serbi kundër racizmit ndaj shqiptarëve: Të merren masa ndaj Vulinit

Lëvizja kundër dhunës, “Gratë në të zeza” ka mbajtur një aksion protestues me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Racizmit, duke dënuar gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës, tranmseton Gazeta Express.

Kryetarja e kësaj lëvizjeje, Stasha Zajoviq tha për televizionin N1 se përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po fusin terma racistë dhe diskriminues në komunikimin zyrtar dhe se kjo legalizon gjuhën shoviniste dhe raciste të urrejtjes dhe shkel Kushtetutën e ligjet në fuqi.

Si një shembull i nxitjes së intolerancës racore dhe kombëtare, kjo lëvizje theksoi paraqitjet e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili përdor termin “Shiptari” sa herë që flet për shqiptarët.

“Gratë në të zeza” u bënë thirrje institucioneve kompetente të reagojnë dhe ta sanksionojnë Vulinin dhe të gjithë të tjerët që përhapin diskriminim racor.

Aksioni, i cili u zhvillua paqësisht, u sigurua nga anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

blank

Zaharieva: Bullgaria njeh vetëm identitetin e ri maqedonas

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

 

Isuf Kadriu

“Qeveria në Shkup po përpiqet të mohojë historinë tonë të përbashkët dhe kjo është arsyeja pse kemi mosmarrëveshje bilaterale”. Kështu ka deklaruar ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një shkrim të saj për magazinën gjermane “Theeuropean.de.”

Zaharieva ka thënë se Bullgaria pranon vetëm se identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945 ndërsa akuzoi drejtuesit e institucioneve të Shkup, për siç ka thënë “mohimin e historisë së përbashkët”.

“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Bullgaria njeh këtë identitet të veçantë të Maqedonisë së Veriut dhe mbështet integrimin evropian. Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to. Një komision i përbashkët i historisë u krijua për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por rezultate konkrete ende nuk ka”, ka shkruar Zaharieva.

Zaharieva ka akuzuar Shkupin për mos zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017, pastaj për fyerje të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut por edhe për diskriminim të investitorëve bullgarë.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndjejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale. Shkupi po shtyn gjithashtu projektet e transportit të infrastrukturës për korridoret e rëndësishme ekonomikisht të financuara nga BE. 130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së” ka deklaruar Zaharieva.

Shefja e diplomacisë bullgare ka thënë se Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të fillojë negociatat me BE vetëm kur Shkupi dhe Sofja kapërcejnë çështjet e hapura bilaterale.

Sofje në nëntor të vitit të kaluar bllokoi kornizën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Shpresoj se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë në gjendje të fillojë negociatat. Por, që të ndodhë kjo, ne duhet të kapërcejmë çështjet e hapura bilaterale midis dy vendeve tona. Kolegët në Shkup duhet të tregojnë se janë të përkushtuar për një angazhim afatgjatë për të ardhmen e tyre evropiane duke përqafuar vlerat evropiane, siç bëri Bullgaria 14 vjet më parë,” ka theksuar Zaharieva.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut nuk lëkundet nga qëndrimet lidhur me kontestin me Bullgarinë, pavarësisht qëndrimeve tanimë të qarta të Brukselit mbi nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në mënyrë që Shkupi të mund të nisë bisedimet për anëtarësim.

Nga qeveria thonë për Radion Evropa e Lirë, se Shkupi mbetet i hapur për negociata, por jo edhe për kushtëzime që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.

blank

Serbisë dhe Malit të Zi u ofrohet rrugë më e shkurtër për në BE

Në Bashkimin Evropian janë duke vazhduar përgatitjet që Mali i Zi dhe Serbia të përfshihen në metodologjinë e re të zgjerimit të bllokut, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2020.

Në një dokument të brendshëm, të përgatitur nga Komisioni Evropian për shtetet anëtare, janë paraqitur hapat përmes së cilave edhe Mali i Zi dhe Serbia do të përfshihen në këtë metodologji. Në parim, metodologjia e re aplikohet ndaj shteteve, të cilat, në kohën e miratimit të saj, nuk kishin nisur negociatat e anëtarësimit, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por, që prej se ishte miratuar kjo metodologji ishte thënë se edhe këto dy shtete mund të përfshihen në këtë metodologji të re “me kusht që edhe ato të pajtohen me këtë”.

Metodologjia e re e zgjerimit parasheh grupimin e disa kapitujve në një tërësi dhe hapjen dhe mbylljen e tyre në të njëjtën kohë. Po ashtu, parashihet edhe dinamizmi i kontakteve politike, por edhe fokusimi më i madh në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Në këtë dokument po ashtu propozohet që Mali i Zi dhe Serbia nuk mund të mbyllin asnjë kapitull të ri negociues, nëse nuk vërtetohet se i kanë përmbushur të gjitha kushtet kalimtare nga kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe rendin e ligjin. Po ashtu, këta kapituj do të mbyllen vetëm në fund të procesit.

Edhe në këtë dokument, në rastin e Serbisë, përmendet kusht edhe progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën, në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson BE-ja.

“Në rastin e Serbisë, progresi në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën mbetet element kyç, në përputhje me kornizën negociuese për Serbinë”, thuhet në dokument.

Sipas metodologjisë së re, shtetet anëtare të BE-së do të kenë më shumë mundësi që të jenë të përfshira në monitorimin e procesit, duke përfshirë edhe kontributin e tyre në përmbajtjen e Raportit të Progresit si dhe në praninë e ekspertëve të shteteve anëtare në terren.

Po ashtu, do të ketë më shumë takime në nivel politik midis BE-së dhe vendeve kandidate, si përmes Këshillit për Stabilizim Asociim, ashtu edhe me takime së paku një herë në vit në nivel të konferencave ndërqeveritare. Rëndom, konferenca të tilla mes BE-së dhe një vendi që negocion për anëtarësim zhvillohen vetëm për të hapur apo mbyllur kapitujt negociues. Por, tani propozimi është që takime të tilla të mos varen vetëm nga hapja e kapitujve, por të jenë edhe një forum politik, ku mund të diskutohen prioritetet dhe dinamikat e procesit.

Me metodologjinë e re, përmes së cilës BE-ja dëshiron ta bëjë procesin shumë të parashikueshëm, janë paraparë edhe masat korrektuese dhe sanksionet në rast se Mali i Zi apo Serbia kanë ngecje apo kthim prapa në zbatimin e obligimeve në kapitujt negociues, sidomos në ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe fushën e drejtësisë.

Metodologjia e re ishte miratuar në BE me propozimin e Francës, që së bashku me Holandën kishin bllokuar vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas miratimit të kësaj metodologjie, Këshilli kishte arritur të marrë pëlqimin e të 27 shteteve anëtare për të nisur negociatat me këto dy shtete. Por, për këto dy shtete ende nuk është miratuar korniza negociuese, pa të cilën, as Tirana dhe as Shkupi zyrtar nuk mund të nisin formalisht negociatat për anëtarësim në BE.

Mali i Zi dhe Serbia para disa vjetësh kanë nisur negociatat për anëtarësim dhe deri më tani, këto dy shtete kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.

Mbështetësit e metodologjisë së re kanë argumentuar se qëllimi i saj është që nëse shtetet kandidate, vërtetë janë të gatshme që t’i përmbushin kushtet, do të përshpejtohet edhe procesi i negociatave të anëtarësimit. Prandaj, edhe kanë shprehur bindjen se Mali i Zi dhe Serbia do të jenë të interesuara që edhe ndaj tyre të përdoret kjo metodologji e re. rel


RSS
Follow by Email
Twitter
LinkedIn
LinkedIn
Share
Send this to a friend