Mars 2024, Berlin
1.
Një pëllumb kishte shtrirë krahët e bardhë dhe flut’ronte në paqen e species së tij.
Instinktet a eksperienca e zejes nuk i thoshin asgjë. Asnjë gverr. As kurdisje, as pritë, as kapje që, e kalkuluar, do hynte në kronikën e një keqndjesie, madje një fillbeteje njerëzore.
Krahët ishin lodhur dhe Himalajet tepër të frikshme për gjezdisjen e tij.
Por flatrimin e pafaj, do t’a ndalonte një kurth i papritur rojash kufiri. Aty ku mbaronte vendi i tij dhe niste një tjetër. Të dy të mëdhenj, por thellësisht të ndryshëm. Vendi nga vinte, një diktaturë që mbante nën sund gjithçka. Madje dhe ofshâmën e dhimbjes…I dyti, ku, ndërkaq, kishte rënë, dukej i lirë, por i varfër, i padrejtë e rrëmujtar…
2.
Ndër vite perandorie, britët do linin gjurmë gjithandej. Linja kufijsh, paqe të brishtë e farë luftërash. Por, anise kolonizatorë, ata kultivonin kudo një frymë e rend qytetërimi të Europës.
Bima e konfliktit që do të gjethërojë përherë midis Kinës e Indisë, është, ndaj, kufiri postkolonial i britëve në Himalajet majeborë që agimeve takojnë perënditë. Po i papranuar nga të dy palët do t’mbetej gjithmonë.
Madje, pasojisht, do të ndodhte një luftë e përgjakur, viti 1962, që do të mbaronte me fitoren e Kinës. Por qëkur u morën vesh (1990), për statu-quonë e kufirit, një qetësi e lëkundur frike struket lartë mbi kreshtat e saj.
Ndaj dhe indusët u alarmuan si rrallë ndonjëherë. Policia e Mumbait mbajti pëllumbin misionar tetë muaj në arrest.
Arsyeja? Ngjante, thjeshtë, një trill sikur zogu t’mos shpallej armik. Por jo: ishte, thanë, një spiun kinez!
Shërbime, roja, ndjekës,
hetues karriere, falltorë, zoologë të shquar, pastaj sannyasin që, pasi kanë braktisur jetën sociale, bredhin maleve në kërkim të Hyjit, asketë që flasin me vetminë, u vunë zellshëm nën urdhërin e epërm: të gjendet misteri i zogut të largët. Ca shkronja kineze në unazën e poshtme të këmbës parathoshin akuzën kundër tij.
Sepse, sa tronditëse, ai mund të ketë bërë një rreth fluturimi pikërisht mbi zonat kontestimore të Himalajeve të shenjta, duke i përçuar armikut kushedi ç’shenja fatale për interesin kombëtar.
Por, për ironi, mbas vuajtjes së një burgu të rreptë, nuk doli veçse një pëllumb poste nga Tajvani ishullor.
Së voni, i shpërfillur deri në mërzi, për fatin e zogut u kujtuan një ditë aktivistët e shpendnajës. E dërguan në një azil sigurie dhe, më pas, në fundfror, e lanë të lirë.
3.
Në kohë të moçme, tashmë plot mug historie, mesazhet e fshehta kishin formë të ndryshme për të gjurmuar kumtin politik.
Misionarët ishin, shpesh, dinjitarë Kishe. Flisnin shumë gjuhë dhe zhguni shërbestar i ndihte për të hyrë prekshëm në fjalët dhe zemrat njerëzore. Mandej, poaq, ushtarë, tregtarë, zogj të mësuar a dërvishë të zhelosur që munxosnin fushimet armike…
Por, nga të gjithë, më kishte impresionuar pafundshëm një truk i hollë kinez. Inteligjent dhe i pajuar përkorësie, bënte pjesë në kulturën e pritjes dhe durimit epik. Jo më kot një urti popullore e tyre thotë: ulu e prit në breg, që lumi të sjellë kokën e armikut tënd.
E pra, shtegtimi sekret kërkonte ftohtësi e imagjinatë. Ndaj dhe dërgatarit i hiqnin flokët e, më pas, i shkruanin mbi kryet e shflokëzuar shenjën që duhej të arrinte pikëpritjen e vështirë.
Mirëpo ai do të qëndronte në shtëpi për aq sa flokët të rriteshin sërish mbi fjalëfshehtën e bekuar.
E, mandej, përfundimisht, merrte plot beftësi udhën shtegtare. Veçse tani ishte i sigurt se, dhe po të binte ndër sy dyshimtarë, nuk do të hamendej kush për vendshifrën e padukshme.
4.
Që aherë epoka e kohë do të ndryshonin, dhe mbretër e perandori do të rrëzoheshin. Disa harruar krejt n’pluhnajë, e të tjerë prehur n’kujtesën e errët të botës, përjetësinë e të cilëve vulosnin tmerri, gjaku e varret.
Natyrisht, të reja mote do të vinin metodash të stërholluara që zhvillimet mondane sillnin për fatin a kobin e tyre.
(Duke shkruar, s’e di pse, mu kujtuan dhe, në midisshkrim, do thoshja se, nëse shkollat e spiunazhit janë rafinuar, teknikat e vjetra mesjetare të torturës (Michael Kerrigan: “Instrumentet e torturës”) do t’ruanin kurorën e mizorisë efektive. Dhe kryeparimi ishte: e vërteta nuk gjendet në fjalën, por në mishin e të pandehurit.)
Sidoqoftë, rrallëkujt do t’i ketë vajtur mendja se, akoma sërish, porositë e drynuara do të qarkullonin mënyrash të lashta.
Ishte, vërtet, e papritur kur, një mjes, ndërsa shfletoja shtypin revial, pashë një fragment të habitshëm.
Në fakt, një simbolikë shkrimi, një ironi a përtallje mu duk fillim i bukur e interesant.
Ishte bujshmëria e spiunimit pëllumbor kinez që kishte tronditur Indinë.
E, megjithëse i pafaj, zogu krahlehtë dëshmoi një fatkeqësi të botës njerëzore.
Rétë mbi Himalaje (dhe mbi alpe a fushnajë) më shumë se shi, mbajnë lotnajë të ardhshme popujsh që fqinjërojnë poshtë tyre…
5.
Athua të kenë, vallë, shqiptarët (në Kosovë veçanërisht), një pëllumb të artë lojcak që armiku, duke mos kuptuar shkronjat e imta ilirike, t’a mendonte një mision agjenturor?
Dhe të lemeritej, shastisej fare?
Apo, pse jo, një burrë bese, kryerruar e, mbi të, sekretin jetik që nuk e zbulon dot kush?
Jo, natyrisht!
Është joreale, romantike dhe krejt e pakohshme…
Si ndodh aherë, që, ndërsa Amerika mbledh bletërisht fshehtësira që janë vitale për Kosovën, Sigurimi shtetëror sheh ëndrra zgjuar në prehje limontie?
A, ndoshta, janë prirur e ngarkuar të jenë vetëm “sy të pafjetur Faraoni”, si cilësoheshin nga egjiptianët e “Perandorisë së re”, spiunët që përgjonin njeriun e vendit të vet!
I evokuar nga Ferdinand von Schirach (“Pasditet”), Mark Aureli, perandor e stoik, kishte shkruar se besimi është privat, ndërkohë që riti religjioz duhet statusuar në Urdhër “Staatreason”i të lartë.
Po nëse besimi është privat, e kjo domethënë mund t’mos besosh fare, aherë për ç’duhet teatri ritual?
Por, sërish, a nuk ishte përkushtimi ndaj ritit, vetishëm dhe një përkushtim nyjëtor ndaj shtetit të paanë imperial?
Që këtej mendova: përse shqiptarët trefetarë t’mos ngrejnë ritin e atdheut në urdhër “Staatreason”i, e pra që gjithçka t’i nënshtrohet Arsyes së Lartë të Shtetit?
Dhe, ashtu, i shndërruar në kulturë, jashtë rrezes së saj të mos priret të dalë kush. Aq më pak titullarët e paideal të Arenës politike!
r.
ME NGJYRAT E SHPIRTIT
Stinët hakërrohen
Dimri përflaket
Pranvera drithërohet
Vera e vjeshta trazohen
Me ngjyrat e shpirtit
Me lotin e diellit
E me kumtin tim
E mbaj frymën tënde
Me hidhësin e kafes
E mirësinë e fjalës
Jeta si qelqnajë e brishtë
Brenda syve të tu
E zgjoj gjumin e fjetur
Qetësoj ngjyrat e shpirtit
Të kërkoj në pendesën e heshtjes
Ti me zhurit shpirtin
Si vera e Khajamit
Me forcën e heshtjes
Me ty e ushqej shpresën
Bashkë me Ty
Mbi çdo pikë vese
Shuaj etje fjalë
Me lotin e trëndafilit
E shëroj plagën e shpirtit
E shijoj smirën e Edinit
Me ngjyrat e shpirtit
I qetësoj rrahjet e erës
Të kërkoj si dritë dashurie
Aty ku lind e nuk perëndon
Valëron në qiellin gri
Do gjej një shteg e do të vije
Me ty të shuaj etje vargjesh
Me kumtin tim
E kryqëzoj dëlirësinë
E vizatoj peizazhin tëndë
Shpirti im
Fluturim t’iu jap ngjyrave
Aty ku lind e nuk perëndon …
Pershendetje te nderuar!
Nje poezi nga radhet e mia. Librin e pare e kam ne botim. Kam mbaru studimet ne Univerzitetin “Aleksander Xhuvani” ne Elbasan dega Bio-Kimi. Poezi eshte pasin imi. Pak fjale per veten time. Mendoi qe poezia ime te kete drite mediumim
tuaj online te pjesa e kuktures. Respekt dhe mirenjohje! Ajne Iberhysaj