VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Nesër do na thonë se ka UFO në Kukës”, ironia e Palokës: Ja pse e publikuan tani celulën terroriste iraniane

By | October 23, 2019

Komentet

Tiranë: Nis transmetimet Euronews Albania

Ilirian Agolli

Në orët e para të mëngjesit të sotëm nisi transmetimet e pandërprera 24-orëshe nga Tirana stacioni më i ri televiziv i përkushtuar krejtësisht informacionit Euronews Albania.

Mbi 150 profesionistë të rinj dhe me përvojë po përgatitin lajme në gjuhën shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veriore nën logon e mirënjohur e mirënjohur të kontinetit Euronews.

Ata u përzgjodhën për afro një vit mes një mijë kandidaturave dhe për të qenë nën drejtimin e një shefe me përvojë në fushën e televizioneve shqiptare, Ilva Tare, e cila më shumë se dy dekada më parë e nisi punën si një gazetare e thjeshtë terreni.

“Duke ruajtur një distancë të shëndetshme profesionale, në raportin me lajmin dhe verifikimin e tij, me hulumtimin e thelluar të tij, do të shkojmë përtej ngjarjes së ditës, do të përpiqemi t’u japim qytetarëve të gjitha këndvështrimet e asaj që po ndodh. Sipas filozofisë tonë, të gjitha këndvështrimet kanë rëndësi. Ne nuk imponojmë opinionin e askujt ndaj publikut, por do të lejojmë qytetarët të krijojnë vetë opinion e tyre. Ne do t’u japim atyre një panoramë sa më të qartë në mënyrë krejt të pavarur, me integritet dhe cilësi profesionale” – tha drejtuesja Ilva Tare.

Stacioni më i ri informativ, falë teknologjive të reja dhe pajisjeve moderne, po mbulon me sinjal Shqipërinë, Kosovën dhe Maqednë Veriore. Në krye të redaksisë së lajmeve të Euronews Albania është Franko Egro, një tjetër autor dhe redaktor i mirënjohur nga publiku shqiptar për profesionalizmin e tij për më shumë se dy dekada.

“Euronews Albania është françaisi i parë në historinë e Euronews Grup. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se Euronews Albania do të përpiqet të përqëndrohet tek vlera editoriale dhe te vlera e lajmit. Logoja e Euronews-it do të thotë: “Të gjitha zërat, të gjitha pikëpamjet”. Ky televizion i ri që nisi udhëtimin e tij sot do të përpiqet në formë sintetike të bëjë pikërisht këtë: të bëjë një gazetari të vërtetë, ku qytetari të ndjekë lajmin që i intereson” – tha zoti Egro.

Stacioni më i ri Euronews Albania nisi sot punën normale, si sfidanti më i ri i konkurrencës në gazetari, ndërkohë që qarqet mediatike vendase po kalojnë një periudhë të vështirë me kritika për njëanshmëri politike, autocensurë dhe mungesë profesionalizmi.

Skandali tjetër, Kosova pjesë e Serbisë edhe në librat shkollorë në Shqipëri

Edhe sot ka vazhduar skandali me harta në Shqipëri ku Kosova shfaqet si pjesë e Serbisë, raporton Gazeta Express.

Pasi që kryeministri Edi Rama publikoi një video në të cilën shihej në hartë Kosova si pjesë e Serbisë, sot gjatë ditës janë publikuar harta të librave shkollorë ku shteti i Kosovës shfaqet nën kufijtë e Serbisë.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shkruar në Facebook se sot gjatë ditës dikush i ka dërguar një foto të një librit ‘Qytetaria’ të klasës së 8, derisa, në të shihet Kosova si pjesë e Serbisë.


Fotografia e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha

Këtë akt e ka quajtur tradhti kombëtare Berisha, derisa ka publikuar fotografinë e librit.

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi një fotografi ku Kosova shihej si pjesë e Serbisë. I njëjti postim qëndroi në llogarinë e tij për më shumë se pesë orë, derisa u editua më vonë.

Për këtë temë, pati reagime të shumta drejtuar Ramës, ani pse ky i fundit nuk e ka sqaruar vetë këtë veprim. /GazetaExpress/

Zëri i Amerikës: Apelimi, shkarkohet anëtari i ri i Kushtetueses, Muçi

Në Shqipëri, Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi sot shkakrkimin nga detyra të Besnik Muçit, i zgjedhur vetëm pak javë më parë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me dekret të Presidentit Ilir Meta. Kolegji vërejti se zoti Muçi, i cili ju nënshtrua procesit të rivlerësimit në cilësinë e një prokurori i përfshirë dhe në garën për Prokurorinë speciale antikorrupsion, nuk kishte burime të mjaftueshme financiare për të justifikuar shpenzimet për katër vite, huatë e marra për blerjen e dy apartamenteve, apo dhe mos deklarimin enjë sipërfaqeje tokë të përfituar nga bashkëshortja si pjesë që I takonte nga familja e saj. Zotit Muçi ju kontestua dhe fakti se kishte patur marrëdhënie shoqërore me një person të përfshirë në një konflikt me armë nga cili kishte siguruar privilegje dhe për blerjen e një apartamenti apo dhe të një huaje të pashlyer. Një situatë që sipas Kolegjit ka sjellë “cënimin e publikut të sistemi i drejtësisë”.

Ndërsa hodhi poshtë si të padrejta vlerësimet e Kolegjit të Apelimit, zoti Muçi deklaroi edhe se sipas tij vendimi për shkarkim nga detyra nuk ishte i vlefshëm. Ai tha se që në momentin që ai ka bërë betimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kishte humbur statusin si prokuror, për të cilën i ishte nënshtruar procesit të rivlerësimit, e për pasojë, nuk mund të ishte më subjekt i trajtimit nga Kolegji. Për këtë arsye, ai tha se do të vazhdonte të qëndronte në detyrë, ndonëse kushtetuta dhe ligji përcaktojnë prerë se vendimiet e Kolegjit të Apelimit, hyjnë në fuqi menjëherë dhe nuk lënë hapësira që dikush që shkarkohet të jetë sërish në sistemin e Drejtësisë.

Presidenti Ilir Meta, i cili në momentin e dekretimit të zotit Muçi, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ishte në dijeni të pikëpyetjeve të ngritura ndaj tij gjatë procesit të rivlerësimit në Kolegjin e Apelimit, e konsideroi vendimin e sotëm një “turp”. Zëdhënësi i tij Tedi Blushi përmes një statusit në Facebook u shpreh se nuk pati “asnjë surprizë nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese rikthehetskenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njejtët aktorë që e bllokuan për tre vjet”.

Me vendimin e sotëm të KPA-së, reduktohet sërish numri i anëtarëve të Gjykatës kushtetuese, duke zbritur në 4. Ndërkohë që shanset mbeten që ajo të mund të bëhet funksionale, me 6 anëtarë, nëse do të përmbyllet me sukses procesi i rivlerësimit të kandidaturave për dy vende vakante të shpallura nga Parlamenti dhe Presidenti.

Zëri i Amerikës: Kushtetuesja, Meta sulmon ambasadën e SHBA-së

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta ju rikthye sot sulmeve ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me Reformën në Drejtësi dhe kryesisht për komentet e tyre mbi përplasjen rreth çështjes së emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shkak për këtë duket se u bë një deklaratë e shpërndarë më herët nga ambasada amerikane lidhur me ringritjen e Gjykatës kushtetuese e cila konsiderohet “një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi”. Duke ju referuar situatë së krijuar, ambasada vëren më tej se “ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi. Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara – thekson deklarata – mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”.

Menjëherë më pas, zëdhënësi i presidentit Meta reagoi me të njejtën gjuhë të ashpër, të përdorur nga Kreu i Shtetit ditët e fundit, duke mos kursyer as përfaqësuesit ndërkombëtarë, të etiketuar “garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit”, kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED.

Presidenti Meta sulmoi në mënyrë të drejtëprdrejtë ambasadorin italian Alberto Cutillo, i cili ishte i pari që hodhi publikisht idenë e përfshirjes së Komisionit të Venecias për zgjidhjen e përplasjes mbi emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ide e cila u mbështet dhe nga Brukseli. Por për Kreun e Shtetit shqiptar “tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës”.

Reagimi i zëdhënësit të Presidentit, vijon me një referencë të qartë ndaj ambasadës amerikane kur shprehet se “Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë”, lokalitet ku disa vite më parë u zbulua një laborator kokaine. “Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Laë” si çdo vend demokratik”, vijon reagimi.

Zëdhënësi i zotit Meta konfirmoi më pas zhvillimin e një bisede që presidenti shqiptar ka patur mbrëmë me zëvendës ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit Mattheë Palmer, “me kërkesë të këtij të fundit. Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese”, shpegoi zëdhënësi Tedi Blushi duke shtura se nëse ambsada amerikane do të ishte dakort presidenca do të ishte gati “ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar. Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur! Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë!”, mbyllet reagimi.

Gjashtë vite pa Sokol Olldashin, miku i tij nxjerr videon e rrallë

Ish-deputeti i PD, Sokol Olldashi humbi jetën më 20 nëntor të vitit 2013, teksa udhëtonte me makinën e tij nga Elbasani drejt Tiranës.

Sot, kur bëhen gjashtë vite pa të, miku i tij, Çim Rexha, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku Olldashi shfaqet duke luajtur kitarë.

Në videon e filmuar disa vite më parë, shfaqet në 30 sekonda ish-deputeti i ndjerë demokrat, teksa shpalos talentin edhe në muzikë.

Luan Rama: Kosova brenda Serbisë – një postim provokativ dhe fyes i Kryeministrit të Shqipërisë!

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama thotë se harta e publikuar nga kryeministri Edi Rama nuk është lapsus dhe as ndonjë lajthitje e rastit.

 

Ai e konsideron një postim provokativ dhe fyes.

Reagimi i plotë:

Nuk është një lapsus. Nuk është as ndonjë gabim prej pakujdesisë, publikimi në faqen e profilit të Edi Ramës në fb i hartës së “investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë në zonat rurale të vendit nga veriu në jug”, siç shkruan ai vetë, ku ndër shtetet që ndajnë kufi me Shqipërinë, mungon Kosova, e cila është vendosur brenda kufijve të Serbisë.

Nuk është as ndonjë lajthitje e rastit, po të kemi parasysh se me sa vëmendje e përkujdesje e kuron gjithë performancën e vet mediatike Kryeministri i Shqipërisë.

Eshtë një postim provokativ dhe fyes i Kryeministrit të Shqipërisë, jo vetëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, po për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë dhe punojnë!

Vuçiq flet për herë të parë pasi del nga spitali: Unë jam i sëmurë kronik

Në një konferencë për shtyp, Presidenti i Serbisë iu përgjigj komenteve që gazetari N1 ishte fajtor për shtrimin e tij të papritur në spital.

I pyetur për të komentuar pretendimet se gazetari i këtij televizioni, Miodrag Sovilj ishte “fajtor” që Vuçiq, u pranua në spital të premten pasdite dhe se a kishte të drejtë të fajësonte shtypin, Aleksandar Vuçiq u përgjigj se shëndeti i tij nuk kishte asnjë lidhje me këtë çështje.

“Gazetari i televizionit tuaj nuk ka lidhje me shëndetin tim. Unë jam i sëmurë kronik”, shtoi Vuçiq. Ai gjithashtu sqaroi se në erdhi në konferencë nën terapi gjatë gjithë ditës dhe se ky nuk është sekret.

“Shëndeti im nuk ka asnjë lidhje me televizionin N1. Këto janë problemet e mia. Për momentin nuk jam në formën më të mirë, por për sa kohë që kam energji do të luftoj”, u shpreh Vuçiq.

Shkallon Rama: Publikon një foto me hartën ku Kosova është pjesë e Serbisë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, sapo ka publikuar një hartë në të cilën Republika e Kosovës figuron brenda territorit të Serbisë.

Duke iu uruar mirëmëngjesi ndjekësve të tij në Facebook me një fytyrë të zgërdhirë, Rama ka treguar hartën e “investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë në zonat rurale të vendit nga veriu në jug” të Shqipërisë në kuadër të një videoje që e ka shpërndarë disa orë më parë.

Por ajo që shqetëson, siç mund ta vini re, është se territori i Republikës së Kosovës është lënë brenda Serbisë.

Kreu i opozitës pas takimit me Presidentin: Asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale

Kreu i opozitës, Lulzim Basha foli pas takimit me Presidentin Meta.

Basha ndër të tjera u shpreh se një prej çështjeve që u diskutua në takimin me Metën, ku të pranishëm ishin edhe aleatët e Partisë Demokratike, ishte zgjidhja e krizës politike.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka refuzuar në paktën katër raste ofertën e institucioneve ndërkombëtare për ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

“Nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale kushtetuese.

Do të marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë për zgjedhjet e parakohshme dhe do i bëjmë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë për të marrë pastaj të gjitha hapat e nevojshme”, tha Basha.

Ishte e para që tregoi përdhunimet gjatë luftës në Kosovës, gruaja “vdiq në dëshpërim”. I biri rrëfim tronditës

Haxhi Balaj mban mend që 5 maji 1999 ishte një ditë me diell dhe se nëna e tij Shehrija po mundohej të gjente diçka për drekë për familjen. Atyre u kishte mbaruar mielli, ndër shumë gjëra të tjera që mungonin në ato ditë të vështira gjatë luftës në Kosovë.

Nëna e tij, një grua rome, ishte në shtëpinë e tyre në fshatin Bllagaje, në komunën perëndimore të Pejës, kur u dëgjuan të shtëna me armë. Ajo u tha fëmijëve të saj të qëndronin në shtëpi dhe të mos dilnin jashtë.

Pak më vonë, një makinë policie serbe hyri në oborrin e tyre dhe katër policë me uniformë e morën atë dhe e çuan në një vend të panjohur. Në mbrëmje, ajo u kthye, e gjakosur dhe me të nxira në të gjithë trupin.

Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë dëshmitarja e parë femër nga Kosova që dëshmoi se si u përdhunua, duke dhënë prova në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç dhe 10 të tjerëve në Beograd për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan , Zahaq dhe Lubeniq afër qytetit të Pejës, ku të paktën 100 civilë u vranë në prill dhe maj 1999.

Autorët e krimit ishin anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave të njohur si “Çakallët”, të komanduar nga Nebosoja Miniç, i njohur ndryshe edhe si “Mrtvi”. “Çakallët” nuk u krijuan gjatë luftës në Kosovë. Ata kishin kryer tashmë masakra në Bosnje dhe Kroaci.

Shehrija identifikoi tre prej tyre në gjykatë – Srecko Popoviç, Boban Bogiceviç dhe Dejan Bulatoviç. Një grup luftëtarësh të njësisë “Çakallët” u dënuan në Beograd në 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata serbe e apelit më pas e rrëzoi vendimin dhe çështja tani po rigjykohet.

Ndërkohë, Shehrije Balaj vdiq në varfëri në shtator 2018, pasi vuajti për shumë vite nga sëmundje të ndryshme.

Gjykata e Beogradit nuk u ofroi masa mbrojtëse viktimave dhe dëshmitarëve në gjyqin e njësisë “Çakallët, si edhe nuk u ofroi atyre këshillim apo mbështetje, tha djali i saj.

Në Kosovë, nënës së tij nuk iu dha as ndihmë dhe as përkrahje ekonomike. Dëshmia e saj për përdhunimin e saj nuk tërhoqi ndonjë vëmendje në vendlindjen e saj dhe ajo kurrë nuk u shtua në listat e ndonjë prej OJQ-ve të Kosovës që ofrojnë ndihmë për viktimat e përdhunimit gjatë luftës.

Ajo gjithashtu nuk arriti të fitonte statusin e viktimës së dhunës seksuale, një skemë e qeverisë së Kosovës që i jep mundësinë të mbijetuarave të kërkojnë pension mujor prej 230 eurosh pasi të kalojnë një proces verifikimi.

Ajo paraqiti një kërkesë, por Komisioni i qeverisë për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Kosovës nuk pranoi t’i konfirmonte BIRN nëse kjo kërkesë ishte rishikuar apo jo.

Ligji i Kosovës ofron statusin e të mbijetuarve për ata që u sulmuan seksualisht në luftën midis 27 shkurtit 1998, kur filloi konflikti i armatosur, dhe 20 qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s.

Por ligji nuk përfshin pensione për familjet e viktimave që vdiqën gjatë procesit të verifikimit ose për të afërmit e atyre që vdiqën si rezultat i sulmit.

“Me vdekjen e viktimës, merr fund edhe e drejta e saj për të përfituar statusin”, tha për BIRN Mirlinda Sada, drejtoresha e Medica Gjakova, një OJQ që ofron mbështetje shëndetësore dhe ekonomike për viktimat e dhunës seksuale në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Sada tha se ligji mund të ndryshohet në mënyrë që të përfshihen ata që kanë vdekur tashmë, por edhe të zgjasë afatin pesë vjeçar për aplikim.

Ajo ngriti çështjen e njerëzve që u bënë viktima të dhunës seksuale dy herë – shqiptarët e Kosovës dhe romët që u përdhunuan nga serbët gjatë luftës dhe nga shqiptarët menjëherë pas luftës.

“Kemi raste viktimash të përdhunuara nga të dyja palët – nga forcat e armatosura serbe dhe nga shqiptarët. Kemi gjithashtu raste në të cilat viktimat thonë se janë përdhunuar nga serbët, por kanë frikë të thonë se pësuan të njëjtën gjë edhe nga shqiptarët”, tha ajo.

“Trauma e luftës e përndiqte”

 

Ardiana Shala, një studiuese në psikologjinë sociale me fokus në traumën e luftës dhe përdhunimit, tha se aplikantët për statusin e verifikuar duhet të durojnë periudha të gjata pritjeje derisa aplikimi i tyre të rishikohet dhe të vendoset për të.

Ajo gjithashtu tha se duke njohur vetëm ata që iu nënshtruan dhunës seksuale para 20 qershorit 1999, autoritetet po shpërfillin vuajtjet e disa viktimave.

“Supozohet se shumica e viktimave të përdhunimit të luftës, të cilat u përdhunuan pas 20 qershorit mund t’i përkisnin grupeve etnike të pakicave (jo shqiptarë) dhe ata duhet të ndryshojnë afatin kohor”, argumentoi ajo.

Salih Nikci, i cili ishte dëshmitar në të njëjtin gjykim të “Çakallët” si Shehrije Balaj dhe dëshmoi dy herë në gjykatën e Beogradit për vrasjen e prindërve të tij dhe dhjetëra civilëve të tjerë në fshatrat Pavlan, Qyshk, Zahaq dhe Lubeniq, mendon se dëshmia e tij nuk ishte e plotë sepse ai nuk foli për përdhunimet që ishin kryer.

“Pjesa më e vështirë për burrat ishte të flisnin për përdhunimin e grave. Të gjithë ne që dëshmuam ishim në dijeni të këtyre rasteve, por nuk mund t’i tregonim të gjitha, edhe pse e patëm mundësinë për të folur për të gjitha”, tha Nikci.

Megjithatë, dy gra shqiptare etnike që dëshmuan në gjyq e kanë fituar statusin e viktimës seksuale të kohës së luftës.

Halit Gashi, një tjetër dëshmitar në çështjen kundër “Çakallët”, të afërmit e të cilit u vranë në Pavlan, tha se gratë rome që u bënë viktima të përdhunimit gjatë luftës, si Shehrije Haxhi, nuk morën vëmendjen e duhur “për shkak të prejardhjes së tyre etnike”.

“Unë jam në dijeni të rastit të saj. Është për të ardhur keq ajo që i ndodhi asaj gjatë dhe pas luftës”, tha tha Gashi.

Haxhi tha ndërkohë që gjykata e Beogradit nuk dha asnjë masë mbrojtëse për viktimat dhe dëshmitarët, apo t’u ofronte atyre ndonjë këshillim apo mbështetje.

Pas dëshmisë së saj në Beograd, ai kujtoi se si shëndeti i nënës së tij u përkeqësua më tej.

“Ajo kishte shumë probleme shëndetësore. Trauma e luftës e përndiqte akoma. Dëshmoi dy herë në gjykatë dhe kjo ishte shumë e vështirë për të”, shpjegoi Haxhi.

“Ajo shkoi dy herë në Beograd për të dëshmuar dhe kjo ishte shumë e lodhshme për të. Një herë humbi ndjenjat në gjykatë dhe e çuan në spital. Ballafaqimi me ata që e përdhunuan dhe risjellja në kujtesë e asaj ndodhie në sallën e gjyqit ishte tepër e padurueshme për të”, shtoi ai.

Ai shtoi se familja e ka shumë të vështirë të kujtojë vuajtjen e nënës së tij.

“Ajo vdiq në dëshpërim sepse askush nuk e njohu apo mbështeti atë, edhe pse ajo dëshmoi në gjykatë për përdhunimin”, tha ai.

Burimi: BIRN

DOKUMENTI- Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE: Vuri në diskutim dekretin për 30 qershorin dhe u tregoi gishtin shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE Bernd Borchardt.

Në dokumentin që disponon “Panorama”, kreu i shtetit është drejtuar me një letër Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se “Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.

LETRA E PLOTE

“Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t’i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë’, shkuhet në shkresën që presidenca i dërgon Zyrës së OSBE-së.

“17 nëntori” fyerje për tironasit, si pushkatuan komunistët civilë të pafajshëm kur hynë në qytet – Nga Armando MAHO

Pashe kalimthi kremtimet e asaj që komunistët e quajnë “çlirimi i Tiranës”. Data korrespondon me hyrjen e bandave komuniste, që morën në dorë kryeqytetin pas largimit pa shumë e rrokopujë të ushtrisë gjermane, së cilës “heroizmi” i bandave komuniste, me ç’duket, nga njëri vesh i hynte dhe nga tjetri i dilte.

Në planin global Shqipëria ishte, as më shumë e as më pak, një vrimë në mes të detit dhe Gjermania, që kishte nisur të merrte rrokullimën, e kishte mendjen gjetkë, në gjëra shumë më të rëndësishme sesa të merrej me një vend që ia la Italia peshqesh. Por krerëve jugosllavë, të ndjekur nga banditët komunistë shqiptarë, u duhej një luftë, qoftë dhe e stisur, për të justifikuar krimet që do të vinin më pas. Nga ana tjetër, komunistët shqiptarë, të trembur se mund t’u ikte shansi i fundit për të marrë pushtetin, e mbështetën me afsh idenë serbomadhe për zhdukjen e nacionalizmit, madje kishin detajuar një listë emrash, të cilët do të bëheshin kurbani i parë i komunistëve në Tiranë. E gjithë loja, më shumë se çlirimi i kryeqytetit, ishte të shtrohej tapeti për ardhjen e Enver Hoxhës.

E ç’kuptim do të kishte në rast se ata do të hynin në qytetin e braktisur? Gjërat ishin kalkuluar mirë. Luftën ata s’e kishin me ushtrinë gjermane, sepse çobanët dhe argatët tanë, pavarësisht injorancës së tyre, e dinin sa e kishin hapin. Ata e dinin fare mirë se mund të shiteshin si trima me popullsinë civile, të pambrojtur dhe të pangatërruar me luftën, por një ushtri të mirorganizuar dhe që kishte pushtuar gjysmën e botës as në sy nuk ishin në gjendje ta shikonin dhe jo më të luftonin me të.Banditët në fillim u organizuan në rrethinat e Tiranës dhe vëzhguan mirë lëvizjen e trupave gjermane.

Pasi ishte tërhequr më shumë se ¾ e divizionit gjerman që mbronte Tiranën, së bashku me pjesën tjetër të ushtrisë, pas urdhrave të krerëve të lartë të Vermahtit për të mbledhur trupat në Berlin, mësynë trimat me opinga. Shënjestra ishte e qartë: nën fushatën e terrorit që kishin ndjekur dhe në rrethe të tjera të vendit, gjëja e parë që bënë ishte bastisja dhe vrasja e nacionalistëve dhe njerëzve që kishin sadopak ndikim në popull. Vjedhja dhe plaçkitja ishin gjëra normale për kohën. Shumë familjeve tiranase u ishte dashur të linin qytetin jo për shkak të luftës, as nga frika e ushtrisë gjermane, por pikërisht nga frika e terrorit komunist. Vrasjet dhe përdhunimet që kishin bërë bandillët e Enver Hoxhës kishin marrë dhenë dhe në shtëpi kishin mbetur vetëm pleqtë, me mendimin se komunistët do t’i kursenin.

Në një bisedë që kam bërë me Dashamir Shehun më ka treguar se gjyshi i tij, një njeri fetar dhe me njëfarë ndikimi te njerëzit, u vra pikërisht nga bandat komuniste teksa merrnin Tiranën, madje i kishin vjedhur dhe ato pak para që i kishin gjetur në shtëpi. Familja kishte dalë në male dhe komunistët nuk ia kishin kursyer plumbin plakut, që kishte qëndruar për të ruajtur shtëpinë. “Më pas të afërmit e mi u detyruan ta varrosnin shpejt e shpejt dhe të thoshin se u vra nga bombardimet”, – më tregonte Dashamir Shehi. E njëjta gjë ndodhi dhe me pushkatimet te hoteli “Bristol” të shumë intelektualëve dhe nacionalistëve, të cilët u morën shtëpi më shtëpi më 16 nëntor dhe u pushkatuan të gjithë. Më tej historia dihet: vrasjet, plaçkitjet dhe në jo në pak raste dhe përdhunimet vazhduan, duke e shndërruar pushtimin komunist në një ankth të pafund.

Tiranasit në pjesën dërrmuese të tyre nuk i kanë dashur komunistët. Madje dhe ndonjë që i bashkohej qoftë dhe nga halli ideologjisë së kuqe, nuk fitonte ndonjë respekt të madh në sytë e pjesës tjetër të fisit, për të mos thënë se shihej shtrembër, aq sa thënia “s’ka mo keq se tironci komunist” e tiranasit të vjetër Sefer Daja (një tiranas i hershëm, të cilit komunistët i morën dhe atë pak pasuri që kishte dhe e punësuan si pastrues të WC-të publike te monumenti “Ushtari i panjohur”, ku sot vihen kurorat e çlirimit të Tiranës) u kthye në profeci për kohën. Por antipatia, madje mund të thuhet dhe urrejtja e tiranasve për komunistët, ishte edhe më e hershme se pas çlirimit. Dhe kjo për bëmat që përjetonte kryeqyteti nga ata që i thoshin vetes ilegalë.

Vjedhje të tregtarëve, vrasje pas shpine nga antetatorët e tipit Kajo Karafili, pa asnjë shkak e të tjera si këto. Por një tjetër arsye se pse Tirana i mbante larg ata ishte dhe se temat mbi imoralitetin e tyre në shtëpitë që u merrnin me qira tiranasve kishin marrë dhenë. “Shoqet” që mblidheshin në këto baza shërbenin më shumë si femra haremi për krerët e lartë të partisë. Në shumë raste të zotët e shtëpive zgjidhnin në mënyrë të njëanshme qiratë me ilegalët, duke i kërcënuar se për veprimet e tyre do t’i raportonin dhe në milici, por pa e ditur se më pas do të futeshin në listat e zeza të tradhtarëve dhe armiqve të luftës. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse nga Tirana ka pasur pak ose aspak femra që do t’u bashkoheshin çetave komuniste.Festimi i 17 nëntorit për tiranasit është ofendim.

Atyre u kujton marrjen e pronës dhe katrahurën që solli pushtimi komunist. Mund të quhet “dita e largimit të gjermaneve nga Tirana”, por kurrsesi çlirimi i saj. Tiranasit e vjetër janë ata që e vuajtën më së shumti këtë paçavure që na i vënë një emër të madh, që simbolizon lirinë. Si pasojë e atyre që dje i vranë e i vodhën, sot ata duhet të enden nëpër dyert e gjykatave me vite të tëra për të njohur pronën e tyre. Përfaqësuesit e PS-së u mblodhën sërish duke vendosur kurora. dhe jo vetëm se me këtë veprim duan të kënaqin interesat e shumicës së votuesve të tyre, që janë ish-komunistët dhe pinjollët e tyre, por sepse në shumë raste ata e mendojnë si çlirim ose data simbol e lirisë. Kjo është e tepërt për këtë qytet.