VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Nënkryetari i Grupit të CDU/CSU ofron ndërmjetësim për krizën në Shqipëri: S’hapen negociatat me BE pa u burgosur blerësit e votave

By | May 9, 2019

Komentet

Kadri Veseli e quajti “fosil që s’i ndihmon të vërtetës”, Jusuf Buxhovi i reagon ashpër Kadri Veselit

Buxhovi: Ka mbetur pa iu bashkuar fushatës linçuese vetëm edhe presidenti, që e gjitha të marrë vulën shtetërore nga “Triumvirati i komandantëve”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka reaguar për deklaratën e historianit Jusuf Buxhovi se “UÇK-ja ka qenë e drejtë, por nuk ka qenë e pastër”.

Veseli në një intervistë për Zërin e Amerikës, e ka quajtur “një lloj fosili” Buxhovin, i cili sipas tij, “nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike dhe vrasjeve të pasluftës”.

“Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

E ndaj kryeparlamentarit ka reaguar historiani Buxhovi, i cili ka akuzuar Veselin për përfshirje në “fushatën linçuese kundër mendimit të lirë dhe të autoritetit shkencor”, përcjell Bota sot.

Buxhovi ka thënë se kësaj fushate, ka mbetur pa iu bashkuar vetëm edhe presidenti në mënyrë që e gjitha të marrë vulën shtetërore nga “Triumvirati i komandantëve”.

“Pas Kryeministrit, në SHBA, në vendin e demokracisë dhe të lirisë, në fushatën linçuese kundër mendimit të lirë dhe të autoritetit shkencor, qenka përfshirë edhe Kryeparlamentari i Kosovës. Mbetet që asaj t’i bashkohet edhe Presidenti në mënyrë që e gjitha të marrë vulën shtetërore nga Triumvirati i komandantëve!”, ka shkruar Buxhovi në një postim në Facebook.

Ursula von der Leyen zgjidhet presidente e Komisionit të Bashkimit Evropian

VOAL – Ursula von der Leyen arriti një shumicë në Parlamentin Europian për t’u zgjedhur presidente e Komisionit të BE. Votuan po 383 parlamentarë, nëntë më shumë se është e nevojshme. Kishte 327 kundër, 22 abstenime dhe një votim të pavlefshëm.

Vendimtarë për kandidaturën e politikanës gjermane, e cila premtoi një kthesë të gjelbër dhe pagën minimale evropiane, ishin krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve në një mbledhje të Këshillit të Evropës në fillim të muajit.

“Për mua vetëm një gjë është e rëndësishme, Evropa duhet të forcohet dhe ata që duan ta bëjnë atë të lulëzojnë do të më kenë në anën e tyre, por ata që duan ta dobësojnë këtë Evropë do të më gjejnë një armik të ashpër”, tha von der Leyen, duke folur sot në Strasburg. Sa i përket paktit të stabilitetit, “nevojiten reforma dhe investime, duhet të sigurohemi që të gjithë fleksibilitetin e parashikuar nga rregullat të mund të përdoren” për këtë qëllim.Nuk janë njerëzit që i shërbejnë ekonomisë, por ekonomia që është shërbimi i popullit tonë “, shtoi ai.

“Unë do të propozoj një pakt të ri për emigracionin dhe azilin, duke përfshirë rifillimin e reformës së Dublinit”, tha ai.

ATS

Shitja dhe blerja e floririt vetëm me urdhrin e Kryeministrit, Meta i rikthen ligjin në Kuvend PS-së. Ja argumentet

Presidenti, Ilir Meta i ka kthyer Parlamentit për rishqyrtim ligjin për “Për rezervat materiale të shtetit”.

Në argumentin e Presidentit theksohet se me ndryshimin e ligjit më datë 20 qershor, me urdhër të Kryeministrit mund të vendoset blerja e Mallrave të Grupit A.

Në këtë grup sipas relacionit përfshihen “Prodhime ari, argjendi, platini etj. të kësaj natyre.
Mjete të rënda për çdo lloj transporti, Grurë.  Mallra të ndryshme tepër vëllimorë”.

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre”, thuhet në relacionin e kreut të shtetit.

Por argumenti ligjor sipas kreut të shtetit nuk është I mjaftueshëm. “Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzistues”.

“Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet”, thekson Presidenti.

Argumentet e plota

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 36/2019

 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”

 Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 20 qershor 2019 ka miratuar ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”. Me shkresën e Kuvendit nr. 2596 prot, datë 26.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.2003 prot, datë 26.06.2019, ligji nr. 36/2019, i është përcjellë Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje.

Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky projektligj është propozim i Këshillit të Ministrave, nisëm e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo nisëm ligjore është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Referuar relacionit shpjegues të Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar propozimin e projektligjit, si dhe raportit të datës 17.06.2019 të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, rezulton se ndryshimi ligjor i miratuar synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kjo mënyrë e re e vendimarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave.

Presidenti i Republikës për shqyrtimin e ligjit nr. 36/2019, ju referua përmbajtjes së vet aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim. Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së qëllimit për të cilën ky akt është propozuar në raport me interesin publik.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 36/2019, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.

 Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr.36/2019, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” është vërtet i nevojshëm apo jo.

 Konkretisht;

Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” ka krijuar bazën ligjore të nevojshme për rregullimin e të gjitha marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

Ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që prej datës 10.04.2008, nuk është ndryshuar për një periudhë 11 vjeçare dhe implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjell ndonjë problematikë të theksuar, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë administrative të strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.

Sipas nenit 2 të ligjit ekzistues nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, rezervat materiale të shtetit janë lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, prodhimet dhe mjetet e tjera të domosdoshme për depozitimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, ndërkohë që administrimi i tyre është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër, që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.

Në po këtë nen në pikën 4 të tij, jepet përkufizimi i termit “lëvrim” ku sipas ligjit lëvrimi është dhënia, falas ose me pagesë, e rezervave materiale të shtetit.

Ndërkohë në nenin 3, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, përcaktohet se:

“Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare”.

 Referuar dispozitës së mësipërme, është e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar të përcaktojë me ligj rëndësinë madhore që ka krijimi, administrimi dhe përdorimi i rezervave materiale të shtetit, të cilat përveç krijimit dhe rifreskimit permanent të tyre, përdoren kryesisht në ato raste kur vihet në rrezik jeta dhe shendeti i popullatës, apo prona publike dhe private që në thelb të tyre bëjnë pjesë në ato marrëdhënie juridiko shoqërore mbrojtja e të cilave përbën interes të lartë publik.

 Pikërisht për nga shumëllojshmëria dhe rëndësia e materialeve që përbëjnë rezervat shtetërore, ligjvënësi në nenin 5, pika 3 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, ka përcaktuar se:

Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave” .

Këshilli i Ministrave me vendimin nr.1128, datë 05.08.2008 ka miratuar listën përbërëse të mallrave rezervë shtetërore, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull, ku në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi parashikohet dhe Grupi A, i mallrave rezervë material shtetërore si më poshtë:

Lidhja nr. 1

LISTA E MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE, SIPAS GRUPEVE,

E NDARË NË LLOJE DHE SASI

 GRUPI A

Nr.ArtikujtNjësia MatëseGjendja orientuese e mallrave (Sasia)Limiti minimal
1.Prodhime ari, argjendi, platini etj. të kësaj natyrekgRelative sipas burimitrelativ
2.Mjete të rënda për çdo lloj transporticopë5030
3.Grurëton600300
4.Mallra të ndryshme tepër vëllimorëcopëRelative sipas burimitrelativ

Kuvendi i Shqipërisë, për lëvrimin e mallrave të Grupit A, që kanë një rëndësi të lartë dhe një vlerë të konsiderueshme për rezervat shtetërore, ka përcaktuar në nenin 10 pika 1, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, se:

Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit”.

Ndërkohë që me ndryshimet që propozohen të realizohen me ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, Kuvendi ka miratuar ndryshimin pikërisht të pikës 1, të nenit 10 të ligjit bazë. Sipas nenit 1 të ligjit nr. 36/2019, parashikohet se:

Pika 1, e nenit 10, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, ndryshohet si më poshtë:

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri më tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre.

Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzitues.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 100 përcakton ndër të tjera se Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 9000, date 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ligj ky në të cilin është përcaktuar faqe qartë, mënyra se si mblidhet, kush e thërret dhe si i merr vendimet qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 13 të këtij ligji përcaktohet se mbledhja e Këshillit te Ministrave thirret nga Kryeministri ose, ne mungesë dhe me porosi të tij, nga Zëvendëskryeministri.

Pra, autoriteti që ka për detyrë dhe përgjegjësi që të thërrase mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është vet Kryeministri. Në këtë mënyrë rezulton se, ndryshimet e propozuara në ligjin nr.9900/2008, për t’i kaluar Kryeministrit një kompetencë të Këshillit të Ministrave, nën argumentin se Kryeministri mund të vonojë mbledhjen dhe vendimarrjen e këtij organi kolegjial është absolutisht i pambështetur në ligj dhe krejtësisht i pajustifikuar.

Për më tepër, ligji nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ka parashikuar edhe ato raste kur mbledhja e Këshillit të Ministrave është e domodoshme të realizohet në mënyrë urgjente dhe në raste të jashtëzakonshme.

Konkretisht në nenin 14 të ligjit, parashikohet se: Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të jashtëzakonshme nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji”.

Pra edhe sipas kësaj dispozite është parashikuar edhe zgjidhja e atyre situatave të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur zbatimin e rregullit se rendi i ditës dhe projektaktet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dërgohet 2 (ditë) përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.

Pra është vet ligji organik i Këshillit të Ministrave që e ka zgjidhur qartësisht se si veprohet në situata emergjece me rëndësi të jashtëzakonshme.

Në këtë mënyrë, referuar parashikimeve të ligjit nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, rezulton se argumenti i përdorur për ndryshimin e nenit 10 pika 1 të ligjit  nr. 9900/2008 “Për rezervat material të shtetit”, nuk qëndron dhe është ligjërisht i pajustifikuar, pasi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të mblidhet në çdo kohë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vështirësojë procesin vendimarrës të tij, përfshi këtu edhe vendimarrjen për lëvrimin e mallrave pjesë e rezervës shtetërore.

Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë

Siç u relatua më sipër, në përfundim të këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, konstaton se;

  • Nisma ligjore për ndryshimin e nenit 10, pika 1 të ligjit 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, është e pajustifikuar;
  • Dispozitat e ligjit të miratuar nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.

Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.

Doktor i Ri i Adhamudhit tek “Blloku” (Përgjigje H. Çilit, botuesit të tij) – Nga SADIK BEJKO

Profesor Isuf Kalo, ish-doktori i Adhamudhit të Bllokut, ka shkruar një libër. Në një status timin në fb, i shpenguar, si në një status fb-je, unë shpreha me shkrim një përshtypje. E them prapë: përshtypje. Gazetat, rrjetet sociale atë status e shpërndanë pa ndonjë autorizim prej meje. Botuesi i librit të Doktorit të Adhamudhit të Bllokut më kthehet sot me në një goxha përgjigje.
Prej më shumë se pesëdhjetë vjetëve në këtë vend kam statusin e shkrimtarit. Dhe e kam me shumë nder. E kam që atëherë kur Henri Çili and Co… ishin ende matanë kësj bote, në… AND-në e prindërve të tyre. Formalisht kam respekt për Çilin, kam respekt dhe për dr. Isuf Kalon. Deri më sot ishim secili në punë të vet. Nuk doja, nuk kisha pse të vihesha me ta përballë. Por … duhet të përgjigjem.
Shkrimtari për nga motivi i genit është dëshmitar. Ja… po dëshmoj:
Mora pjesë në promovimin e librit të dr. Isuf Kalos në hotel Rogner. Vapë e lemerisshme, kohë pushimesh, korrik. Jo klimë fort e përshtatshme për të botuar, për të promovuar një libër. Por Henri Çili, beznesmen me nuhatje tregu, mendon ndryshe. Ai nxiton ta publikojë, ta promovojë, t’i bëjë marketing librit për të joshur lexuesin e sezonit veror dhe atë turistik. Dhe… e shpall, e plas me bujë promovimin në hotel Rogner. Ngjarje… ngjarje në një kryeqytet bosh, pas zgjedhjeve, në një kryeqytet vape, pa ngjarje. Oooo ! Dr Isuf Kalo ka bërë libër… për Ne… për Enverin… për Bllokun. Oooo.. o burraaaa!
Ishin mbledhur aty në Rogner gjithë “buka e vjetër”, pra, gjithë rrethi i atyre që kanë përtypur jargë e thërrime nga sofra e ish-Bllokut.
Ja, po vjen dhe vetë dr. Sali Berisha, po… edhe çifti Berisha. Një qokë kjo e Berishës jo vetëm si e kolegut për kolegun dr. Kalo, por dhe se ata kanë qenë bashkë në një “varkë”, kanë shijuar flladet e valët e liqenit të kohërave bashkë me djemtë e zonjës së parë të Bllokut. Zoti Berisha… një veteran i zvenitur prej moshës, prej konsumimit të gjatë, së paku, duhet të ishte mënjanuar prej politikës, të vetmohej drejt e në shenjtninë e tij. Por ja, si hije e kohërave të shkuara e të perënduara dhe vetë zoti Berisha… na e nderon, doktorin e Adhamudhit të Bllokut. Ahh…ahh Moj kasolle (mor Rogner) ku na mblodhe..
Librin e prezanton biri i ish-nëndrejtorit të Institutit të Nexhmijes, prof F. Tarifa. Ky zotni Tarifa junor para ca javësh ka deklaruar në shtyp se është krenar për atin, Tarifën senjor-nëndrejtor në Bllok, që edhe sot e në këto ditë shkruan e boton në një gazetë shkrime glorifikuese për kryeministrin, udhëheqësin “tao tao”, për Adil Çarçanin. (Moj kasolle… ku na mblodhe).
Kjo është shija që ka botuesi, administratori i një universiteti, promovuesi i neoliberalizmit, gazetari, intelektuali, biznesmeni, i suksesshmi dhe i shumë etj, etj i rëndësishmi, zotëria e tij Henri Çili.
Është era e tij, është e drejta e tij ta ketë cilëndo shije.
Po unë? Ç’po më duhej mua këtu? Mua më vinte një erë aq e ndohtë, e ndohtë sikur lumin e Lanës ta kishin kthyer e ta kishin ndryrë, përhapur në mjediset luksi të hotel Rognerit.
Dola, u largova prej andej me të shpejtë.
Tani që fragmente nga libri “Blloku” janë në faqet e para të shtypit më me peshë në këtë vend, më vjen era e një shpifësire më të madhe sesa e asaj mbasditeje në Rogner. Jo lumi i Lanës, po gjirizet e Tiranës kanë shpërthyer sheshit dhe po rrëkëllehen në bulevardet dhe sheshet e Tiranës dhe në sheshet e të gjithë vendit. Fotot luksi të bllokmenëve, nuseve, bijve e mbesave të tyre i sheh në faqet e pra të gazetave. Nga dita në ditë.
Kjo m’i bie zorrët në grykë. Një idolatri e shfrenuar për zotat e dikurshëm komunistë. Kjo është pasoja e botimit të këtij libri të doktorit të Adhamudhit të Bllokut. Dhe e botuesit, e neoliberalit Henri Çili.
Nuk besoj se sot do të mbusheshin kështu faqet e para të gazetave me fotot e Egon Krenzit në Gjermani, me fotot e Brezhnjevit në Rusi, apo me fotot e bllokmenëve në Poloni, në Hungari.
Po pse te ne ndodh? Mos doktor Isuf Kaloja ka bërë një kryevepër e na ka bërë të gjithëve magji?
Jo, nuk është as libër për të qenë, as magji. Mos u hutoni. Shpjegimi është diku tjetër.
Shqipëria ka ndërgjegje të deformuar. Në zonat e vdekura të trurit të saj janë të gjallë zotat e vjetër.
Para disa javësh një deputet i mykur enverist skrapali u ngrit kundër Institutit të studimeve kundër komunizmit. Në krye të atyre që sulmonin ata që denonconin si kriminal komunizmin, ishte Fatos Tarifa dhe ati i tij. Ky fliste dhe në promovimin e Çilit. Ky rreth njerëzish që duan t’ia mbrojnë erzin komunizmit ishte atë ditë në Rogner, për të promovuar librin rehabilitues të Bllokut nga doktori i Adhamudhit të Palortosë.
Deputeti i mykur skrapali dhe neoliberali Henri Çili janë në një vijë. Por secili për hesap të tij. Të cilit hesap? Ka vetëm një luftë, vetëm një motiv… madhor. Lufta e paskrupullt për para e për pushtet.
Ndaj Blloku është i gjallë ende. Jo vetëm në nëndërgjegje. Në realitet. Ne ende po qeverisemi prej tij. Këta që kemi në krye sot janë kopja e ish-bllokut. Jo origjinalet. Henri Çili guxon e boton origjinalet e bllokut, etërit e hijeve që i kemi sot në qeveri
Shumë nga personazhet e elitës së Shqipërisë së sotme ngjajnë me atë fshatarin nga Labinoti (nga është Henri Cili), fshatar që në bodrumin me kashtë kishte fshehur statujën e Enver Hoxhës.
Ne qeverisemi nga filozofia e old school: luftë e pamëshirë shfarosëse politike, luftë vrastare për privilelegje, për pushtet, për xhepin e bllokmenëve… për dje sot e në seri.
Ne ecim përpara, përpara gjithmonë… përpara me Bllokun e Ri. Me Enin, me Çilin, me Fevzon etj…me infrastrukturën e superstrukturën në seri.
Herë pas here duhet t’i vadisim me lule e me lajle e me lavde idhujt e vjetër, duhet t’u blatojmë dafina kufomave të kalbura në morgun e historisë.
Ky është mision i vazhdimësisë, i mirënjohjes së brezave, i mosmbetjes pa emër, pa histori.
Veç se mision, ky është biznes. Elitat universitare, letrare, mediale duhet të jenë gjithmonë pranë tepsisë së bllokmenëve të rinj. Ta zgjasin të parat dorën në sini/tepsi.
Kështu doktorët e Adhamudhëve të vjetër, Isuf Kalot, e shkëmbejnë përvojën me dishepujt e sotëm neoliberalë, me ujqit në moshë e në modë më të rinj.
Unë jam shkrimtari. Pesimisti. Pa të ardhme. Pa të sotme. Pa histori. Vetëm dëshmoj.

Artan Fuga letër të hapur Komisionit të Arsimit në Kuvend: Asnjë ligj për reformimin e Akademisë së Shkencave përpara vetingut të institucionit

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë! Përpara disa ditësh pata rastin të paraqes përpara jush komentet dhe vërejtjet e mia për projektligjin që keni marrë në shqyrtim për Akademinë e Shkencave, si edhe për të paraqitur perspektivën time për rithemelimin e saj nëpërmjet një reformimi të thellë.

Më kërkuat që gjithçka ta paraqes me shkrim, çka edhe kam bërë, por po ju drejtohem edhe publikisht duke përmbledhur gjithçka kam thënë me një thirrje: Mos u nxitoni të votoni një projektligj si ai dhe ta dërgoni atë në Kuvend për votim, sepse ai që keni në dorë jo vetëm nuk e reformon Akademinë e shkencave të Shqipërisë, por edhe përbën një alibi të rëndë për të mbajtur në gjendje kalbëzimi një institucion monist, dogmatik dhe pa asnjë funksion shoqëror.

Mbi të gjitha, duke e votuar atë ligj me nxitim ju përligjni një Akademi Shkencash, e cila si institucion ka nevojë për një veting të veprimtarisë shkencore të akademikëve, të pastërtisë së figurës së tyre, si edhe për një hetim me duar të pastra të veprimtarisë së drejtuesve të asaj Akademie në planin ligjor, financiar dhe administrativ. Hetim me duar të pastra për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë! Pastaj të merret në shqyrtim projektligji i paraqitur, i cili është produkt i trafiqeve të interesave dhe në kundërshtim me të mirën publike.

Ju nuk më lejuat të shprehem përpara jush për shkeljet ligjore, financiare dhe administrative në Akademinë e Shkencave. Kompetenca dhe përgjegjësia juaj. Por, në çastin kur problemet do të shpërthejnë shumë shpejt, ju do të jeni përballë opinionit publik shqiptar, prandaj më mirë ballëlartë sesa kokulur.

Sapo Presidenti i Republikës i konsideroi zyrtarisht zgjedhjet e fundit në Akademinë e Shkencave si të parregullta ligjërisht dhe i ktheu ato mbrapsht, duke refuzuar të emërojë kryetarin e zgjedhur! Nuk ka asnjë dyshim, sikur e ka parashtruar dhe argumentuar zyrtarisht edhe kryetarja e komisionit tuaj, zonja Fatjona Dhimitri, se ato zgjedhje u bënë në kundërshtim me ligjin.

Nuk ka nevojë të jesh “baba i jurisprudencës shqiptare”, por mjafton student i vitit të dytë Drejtësi, për ta pasur fare të qartë këtë. Por, zgjedhjet me shkelje të rënda ligjore nuk janë veçse maja e ajsbergut në veprimtarinë e asaj Akademie, ku shpërdorimi i parasë publike bie në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar. U drejtohem fillimisht dhe veçanërisht deputetëve të shumicës qeveritare, për t’u rikujtuar se strategjia e qeverisë së tyre shprehur nga ana e Kryeministrit ka qenë “rithemelim i Akademisë së Shkencave”. I gjithë opinioni publik, si edhe juve vetë, e keni fare të qartë se aty jo që nuk ka rithemelim, por as edhe njëfarë reformimi.

Po t’i hiqen atij projektligji nenet që konsiderohen si shkelje të ligjeve në fuqi, prej tij nuk mbetet më asgjë. Madje, unë kam guximin t’ju deklaroj që ligja në fuqi aktualisht është edhe më e mirë në kalbësinë e vet sesa projektligji që e fundos përfundimisht shkencën shqiptare! Mos u bëni varrmihësit e dijes shqiptare në emër të bindjeve politike! Jua tha edhe zëvendësministri i Arsimit i pranishëm në seancën dëgjimore, z. Redi Shtino. Nuk ka kuptim të votohet një ligj për Akademinë e Shkencave përpara hyrjes në fuqi të një ligji kuadër për kërkimin shkencor në përgjithësi. Dhe ka të drejtë.

Jua tha edhe ish-ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla, të gjitha pretendimet sikur Akademia e Shkencave ka respektuar diversitetin e mendimeve, janë rrena, ajo dëshmoi se ndaj mendimit alternativ në atë Akademi ka një censurë zyrtare, ushtruar kryesisht nga ish-sekretari i saj shkencor dhe sot nënkryetar i saj, Vasil Tole. Faktet për këtë janë të administruara shkresërisht dhe ju i keni në dispozicion. Vetë ministrja aktuale e Arsimit, qytetarja Besa Shahini, ka deklaruar publikisht që Ministria e Arsimit u mënjanua nga grupi i deputetëve me në krye qytetaren Eglantina Gjermeni, në çastin kur kishte arritur në krye të procesit të hartimit të atij ligji.

Dhe ka pasur të drejtë. A nuk jua kanë thënë të gjithë rektorët që dëgjuat se ai projektligj shkel me këmbë autonominë universitare dhe të drejtat e kërkuesit shkencor? Jua thanë dhe me shumë të drejtë! Nuk ju ka paralajmëruar me shkresë zyrtare qeveria, firmosur nga zëvendëskryeministri, z. Erion Braçe, se ai projektligj në shumë e shumë pika bie në kundërshtim flagrant me kuadrin ligjor në fuqi? Dhe ka të drejtë.

Mos u nxitoni të redaktoni gjoja si shqyrtim nen për nen atë projektligj, me nxitim në këtë vapë korriku me diell, por edhe me furtuna të forta. Mos mundohet deputetja, qytetarja Milva Ikonomi, t’u mbyllë gojën specialistëve dhe teknicienëve, sikurse bëri me zëvendësministrin, z. Redi Shtino, në seancën ku unë isha i pranishëm dhe filmuar integralisht.

Nuk mundet që projektligji për shkencën të redaktohet nen për nen nga deputetë që janë përfaqësues politikë, ndërkohë që specialistët e fushës kanë ngritur shqetësime e probleme serioze për atë tekst. Hiqni nenet që konsiderohen edhe nga qeveria si antiligjore dhe gjeni se çfarë mbetet nga ai ligj. Kush mund t’u japë përgjigje dy pyetjeve që nuk lidhen me nene të veçanta, por me frymën e përgjithshme të atij projektligji? Nga ndryshon ai ligj në thelb nga ligji në fuqi? Në çfarë e reformon Akademinë e Shkencave ai projektligj tërësisht i deformuar dhe i dështuar?

A keni ju sot një relacion shpjegues për këtë? Jo, nuk e keni. Ju nuk mundeni që me nxitim brenda këtyre tri ditëve vere me vapë dhe furtuna të çoni në Kuvend për votim sikur të ishte një ligj për gjykatë ushtarake, një projektligj që ka probleme të rënda konceptuale. Në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, që grupi iniciator i deputetëve e ka shkelur me të dyja këmbët, konkretisht nenin 82 të Kushtetutës, ju ende nuk keni një relacion të mirëfilltë financiar për projektligjin sikurse jua ka vendosur në vëmendje edhe z. Erion Braçe dhe me të drejtë!

Akademia e Shkencave, sikurse e keni parë vetë, është e paaftë ta bëjë atë relacion financiar dhe prandaj i bën karshillëk edhe qeverisë, duke anashkaluar vërejtjet e saj. Kritikat dhe vërejtjet për atë projektligj kanë qenë aq të shumta nga ana e ekspertëve të Bashkimit Europian, sikurse ua thanë në mbledhjen e seancës dëgjimore, Asnjë ligj për reformimin e Akademisë përpara vetingut të institucionit! nga ana e rektorëve, nga ana e qeverisë, si edhe nga ana ime si përfaqësues i mendimit alternativ brenda Asamblesë së Akademisë së Shkencave, saqë ai projektligj është bërë copë–copë, katandisur si mos më keq, si një xhaketë e kthyer mbrapsht qepur në vitet ’80 dhe rikuperuar në vitin 2019. Kthejuani atë projektligj atyre që ua sollën duke e grabitur të papjekur në sirtarët e Ministrisë së Arsimit!

Ata duhet ta ripunojnë propozimin e tyre pas një reflektimi shumë të thellë, sepse e kanë futur procesin në qorrsokak. Madje, ju takon për të ruajtur nderin tuaj ta riktheni atë në Ministrinë e Arsimit që ju dhe ne qytetarët paguajmë me taksat tona pikërisht për të na dhënë projektligje të mira, bazuar në ekspertiza profesionale dhe kompetente.

Sado të zotët që të jeni në politikë, ju nuk mund të merrni përsipër formulime që në mënyrë urdhëruese të zgjidhin probleme të sociologjisë së njohjes, të industrisë së krijimit, të epistemologjisë së shkencave, të logjikës së shkencave etj., sepse do të kishte qenë sa absurde edhe qesharake, dhe unë e di se midis jush ka që e dinë shumë mirë këtë pamundësi, sikurse ju të gjithë jeni të përgjegjshëm për këtë.

Do të kishte qenë një puç i politikës ndaj shkencës nëse ju brenda tri ditësh do të kishit çuar në Kuvend një projektligj, i cili është thjesht një alibi për të shmangur vetingun në Akademinë e Shkencave, të cilin dikush nga ju, me heshtjen tuaj, ma pengoi ta paraqisja para jush.

Ai projektligj, që dikush prapa skene kërkon dhe urdhëron ta çoni në Kuvend, nuk mund të mbrohet as nga ndonjë shprehje qesharake e ndonjë deputeti, që i futur në rol nga dikush tjetër që i pret sot palla, bën sikur nuk kupton as gjënë më bazike të një njeriu të kulturuar në shekullin tonë, ndarjen mes familjares dhe publikes!

Ai projektligj nuk mund të konfigurojë as edhe një Akademi Shkencash honorifike, sepse Shqipëria, madje as edhe një vend i botës, nuk ka luks dhe nuk është çmendur të paguajë miliarda për honore dhe ynere. Ai projektligj është bërë thjesht për të siguruar privilegje dhe paga të majme për një grusht njerëzish, që në mënyrë të paligjshme kanë uzurpuar një institucion publik. Ai projektligj nuk ju jep asnjë mundësi ta përmirësoni atë.

E para, sepse nuk është në kompetencën tuaj dhe e dyta, sepse ai në parim është kaotik, i shqepur, pa logjikë minimale sepse nuk përcakton se çfarë do të jetë kjo Akademi Shkencash: Institut kërkimi shkencor? Institucion koordinues i shkencës? Kupolë drejtuese e një grumbulli institutesh kërkimore? Polici truri dhe polici etike për kërkimin shkencor? Komitet shkencor për shkencën? Çfarë?

Apo institucion honorifik? Ka një rrugë të vetme, sipas mendimit tim, sikurse jua thashë: Ta ktheni si të papjekur dhe joadekuat këtë projektligj, në mënyrë që të mos bëheni palë me një Akademi Ahkencash që ka nevojë për reformim, rithemelim, por përpara nga të gjitha, për veting! Unë e thashë fjalën time. PËR VETING! Unë ende shpresoj se ju do të dini të merrni veprimin e pjekur dhe ta pranoni peshën e rëndë të kësaj fjale: veting! Me konsiderata, Artan Fuga

Banorët e Astirit: O të na vrasim o do ti vrasim. Do bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë

Banorët e Astirit kanë protestuar sërish ditën e sotme për banesat e tyre. Të revoltuar ata janë shprehur se nuk do të dalin nga shtëpinë dhe do të bëjnë kufoma në pragun e shtëpive të tyre. “Te Unaza e Re nuk keni asnjë lloj shansi t’i prishni. Ne jemi për shtëpitë tona. O të na vrasin ata, o do i vrasim ne, kështu do të përfundojë. Ne do të bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë tonë. Duam drejtësinë tonë”, u shpreh një prej banorëve. Protesta ka nisur pas informacionin se ditën e sotme mund të niste prishja e shtëpive që do ti hap rrugën ndërtimit të Unazës së Madhe.

Çka përmban letra që Albright ia dërgoi Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar letër nga ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ku konfirmon miqësinë që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se është mirënjohës përjetë për përkrahjen dhe kujdesin që ish Sekretarja Albright dhe Amerika kanë treguar për Kosovën.

“I nderuar të pranoj letër falënderimi nga ish Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, që rikonfirmon edhe njëherë miqësinë speciale që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish Sekretarja Albright, është ikonë e paqes dhe gruaja që bëri shumë për shtetin e Kosovës. Mirënjohës përjetë për përkrahjen dhe kujdesin që ish Sekretarja Albright dhe Amerika kanë treguar për vendin tonë! Amerika është aleati ynë i përhershëm dhe ne jemi të bekuar që jemi në rreshtin e tyre”, ka shkruar në Facebook, Haradinaj.

Fotografi e rrallë e presidentit Rugova në ëmbëltoren e tij të preferuar

Në vitin 1978 në Prishtinë brenda hapësirave të Pallatit të Rinisë u hap ëmbëltorja “Elida”, një nga lokalet më të frekuentuara të viteve 90-ta.

Kjo ëmbëltore e cila është futur në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, ishte edhe vendi i preferuar i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, përcjellë Indeksonline.

Në një fotografi të rrallë të Rugovës ruajtur në arkiva, ai shihet i rrethuar nga miqtë duke biseduar e pirë kafe në ëmbëltoren “Elida”. Një imazh ky bardh e zi, por që flet shumë për lëvizjet e atëhershme.

Si gjithmonë, me një pamje prej vizionari, i qetë dhe modest, me syze dhe shallin e tij, ish-presidenti dëgjon të tjerët teksa flasin.

Ndryshe, “Elida” dikur mblidhte edhe elitën kosovare, teksa sot janë hotelet luksoze në të cilat politikanët tanë shërbehen e darkojnë.

Por, një kafe në këtë vend vite më parë e piu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Ndryshim dramatik, sa do shkojnë temperaturat në Tiranë më 2050

Rreth 8 në 10 qytete në botë do të përjetojnë ndryshime dramatike, sa i përket temperaturave, sipas studimit të 520 qyteteve kryesore të botuara në revistën shkencore britanike Plos One.

Tirana nuk bën përjashtim. Përkundrazi, është në qytetet që do kenë rritje të ndjeshme të mesatares së temperaturave në të gjithë stinët e vitit. Sipas studimit, në kryqytetin shqiptar deri në 2050, do të rriten me thuajse 4% temperaturat.

E gjithë situata në Europë duket se do të ndryshojë ndjeshëm, sikur të dhënat e hartës tregojnë qytetet kryesore të ngjyrosura me të kuqe. Veçohet Lubjana, kryeqyteti i Sllovenisë, e cila parashikohet të ketë ndryshimin më të lartë sa i përket temperaturave, me rreth 15 gradë rritje.

Studimi nënvizon se, nga 2050 qytete të ndryshme të botës do të bëhen më të nxehta, sidomos gjatë dimrit dhe verës. Sezonet e lagështa do të jenë më të thata dhe sezonet e thata do të thahen edhe më shumë. Analiza tregon se 77% e qyteteve në mbarë botën do të përjetojnë një ndryshim të habitshëm të kushteve klimatike, me 22% që do të hasin kushte që aktualisht nuk ekzistojnë.

Zhvendosja më dramatike do të ndodhë në qytete më veriore, me klimën e tyre në vitin 2050, që do i ngjajë klimës së sotme të qyteteve mbi 1.000 kilometra në jug. Në Evropë në veçanti, qytetet do të jenë 3,5 ° C më të ngrohtë në verë dhe 4,7 ° C në dimër. Kjo do të thotë që Londra, për shembull, do t’i ngjante Barcelonës së sotme, Moska- Sofjes së sotme, Stokholmi – Vjenës së sotme.

Rajonet tropikale do të përjetojnë ndryshime më të vogla në temperaturë, por ndryshimet konsistojnë në reshje me muajt më të lagësht me 5% dhe muajt më të thatë do jenë 14% më të thatë. Në përgjithësi, tropikët do të bëhen më të thata dhe thatësirat më të rënda. Megjithatë, këto parashikime duhet të konsiderohen si rasti më i mirë dhe përmbajnë një përqindje të lartë të pasigurisë, pasi nga 22% e qyteteve që do të përjetojnë kushte të reja klimatike, 64% janë të vendosura në tropikë.

Studimi tregon se, Madridi do të shndërrohet si Marrakesh i tanishëm deri në vitin 2050, dhe Stokholmi si Budapesti.

Mungesa e ujit do të ndikojë në shumë qytete në klimë të butë si rezultat i ngrohjes globale, e cila parashikohet të jetë deri në 3.5C në qytetet evropiane në verë dhe 4.7C në dimër./Monitor

Banka Botërore: Nga Shqipëria do ikin 280 mijë persona deri më 2050

Së paku deri në vitin 2050 shqiptarët që do të emigrojnë do të jenë në nivele shumë më të larta se ato që do të zgjedhin të rikthehen për të jetuar në Shqipëri.

Një parashikim i fundit i Bankës Botërore, tregon se për periudhën 2017- 2022 emigracioni neto (diferenca ndërmjet të ikurve dhe atyre që rikthehen) do të jetë-40,000 persona.

Deri në vitin 2047, Banka parashikon që emigracioni neto të vazhdojë me të njëjtat ritme, pra çdo 5 vjet të ikin (neto) nga vendi rreth 40 mijë persona, duke e çuar numrin total të të larguarve (duke zbritur ata që kthehen) në 280 mijë persona.
Me shtesën natyrore të popullsisë që po shkon drejt zeros dhe nivelin e lartë të emigracionit, Shqipëria pritet të tkurret me shpejtësi.

Shtesa natyrore drejt zeros

Diferenca ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, ajo që përcakton shtesën natyrore të popullsisë, është duke ngushtuar me shpejtësi vit pas viti, duke lajmëruar se shumë shpejt numri i vdekjeve në Shqipëri të jetë më i lartë se i lindjeve. Kjo do të çonte popullsinë e vendit në rënie pa kthim, pa marrë në konsideratë fenomenin e emigracionit.

Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsie ishte 7130 persona, niveli më i ulët së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore sipas të dhënave të INSTAT. Por të dhënat më të hershme, por jo të grupuara vit pas viti, tregojnë se Shqipëria ka shtesën natyrore të popullsisë në nivelin më të ulët që nga viti 1923, pasi shtesa e popullsisë gjatë viteve 1923-1945, sipas të dhënave zyrtare, ishte mesatarisht mbi 18 mijë persona në vit. https://www.monitor.al/shqiperia-drejt-shuarjes-shtesa-natyrore-e-popullsise-ne-2018-n-me-e-uleta-qe-kur-ka-nisur-regjistrimi-ne-1923/

Popullsia nën 1 milion banorë

Sipas projeksioneve të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Varianti pesimist parashikon që vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht. https://www.monitor.al/parashikimi-frikshem-okb-popullsia-shqiptare-rrezikon-te-katandiset-860-mije-banore-deri-ne-vitin-2100/

Emigracioni në vite

Vendi e përjetoi traumën më të madhe të fenomenit të emigracionit në vitin 1992 kur emigracioni neto shënoi -443 mijë persona, sipas Bankës Botërore.
Ngjarja shokuese u përsërit me ritme të forta në periudhën 1992- 1997, dukeku emigracioni neto shënoi -179 mijë persona, ku kulmi ishte në periudhën e piramidave. Më pas, deri në vitin 2002 ikën edhe 93 mijë persona.

Banka parashikon që në mënyrë sistematike emigracioni neto -40 mijë persona në pesëvjeçarët deri në 2022, 2027, 2032, 2042 dhe 2047.
Shqipëria radhitet në vendet me potenciale të larta të emigrimit. Parashikimet e Bankës Botërore për tre dekadat në vijim u bënë në projeksionet e reja të saj të publikuara së fundi mbi ecurinë e popullsisë globale.

Sipas një analize të mëparshme të BB-së, Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë.

Emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve). Pas Shqipërisë Serbia ka shënuar një emigracion neto ne rreth 100 mijë persona në pesë vitet e fundit, por popullsia e saj është gati tre herë më e madhe se Shqipërisë.

Pas një stabilizimi në mesin e viteve 2000 emigracioni ka nisur të theksohet pas krizës së viteve 2008. Me këto ritme rajoni i Ballkanit sidomos Shqipëria është duke humbur avantazhin konkurrues, kapitalin njerëzor dhe krahun e lirë të punës që zë mbi 80 për qind të eksporteve në vend.
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes./Monitor

Opozita ‘dogji’ mandatet, ‘Rilindja’ është duke ‘djegur’ Shqipërinë – Nga Kim Mehmeti

Nuk janë të pakuptimta, përbuzëse dhe çmendurake vetëm thëniet e Kryeministrit të Shqipërisë se vendi shkon përpara duke u kthyer në shtet njëpartiak, por edhe ato të ‘intelektualeve të pavarur’ që pohojnë se nuk e përkrahin qeverinë e sotme pse ajo është më e mirë se e mëparshmja, por pse ‘ata’ të opozitës e mbollën farën e bimës së keqe dhe janë edhe më të këqij se ‘Rilindja’!? Me çka pohojnë diçka që u ka hije debatuesve nëpër kafenetë e fshatit, por jo edhe atyre që pretendojnë ta ngrenë më lartë vetëdijen e votuesve: se nuk është demokraci kur e zgjedh të mirën më të madhe, por të keqen më të vogël?! Dhe e promovojnë mendësinë politike se hajduti i partisë tënde, që i vjedh të tjerët, por të jep edhe ty, është më i mirë se ai i partisë kundërshtare, që e punëson të vetin, e të lë ty pa punë.

Është e pritshme që Kryeministri i Shqipërisë, me prirje të diktatorit, zgjedhjet njëpartiake t’i mbrojë me qëndrimin se ‘djegia’ e mandateve është e pandodhur, që mund ta dëmtojë rëndë demokracinë mbarëbotërore, por është e dhimbshme kur e sheh se edhe disa ‘opinionistë’ mendjendritur nuk e vërejnë se opozita i dogji mandatet, por ‘Rilindja’ është duke e ‘djegur’ Shqipërinë. Çka tregon se jo vetëm shumica e votuesve të rëndomtë, por edhe njerëz me nam e nishan, e mësuan si mbrohet pushteti dhe i pushtetshmi, por jo edhe shteti dhe shqiptaria. Pra e kuptuan se je më i mbrojtur, më i sigurt, e më i pëlqyer, kur mbanë anën e të pushtetshmin dhe kur ke mik të fortin, të pasurin e të famshmin, por duke harruar se, miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit personal, është pasqyrë ku shihet dobësia e individit dhe se, kanë qenë, e do mbeten të fortë e të njerëzishëm, vetëm ata që e mbrojnë, e ndihmojnë dhe janë në anën e të dobëtit, të dëmtuarit dhe skamnorit.

Nga një Kryeministër si ky i Shqipërisë së sotme, është e natyrshme të presësh të lëvdohet edhe me dukuri të turpshme për gjithë shqiptarinë, siç ishin votimet njëpartiake të 30 qershorit. Por është e pabesueshme verbëria e alamet ‘intelektualëve jopartiak’, verbëri që nuk u lejon atyre të shohin se njësoj si Envreri dikur, edhe Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, e forcon “Rilindjen” e vet duke shkatërruar vendin. Dhe e promovon mendësinë e vet, të cilën siç duket e ka trashëgimi gjenetike’, se s’ka ç’të duhet Shqipëria e fortë, me një parti të dobët! Me çka edhe e bëri vendin shtet ku ke protestues që e mbrojnë dhe vdesin për partinë, por jo edhe për Shqipërinë!

Dhe është e kuptueshme që një piktor i bërë politikan, të besojë se brekushet e tij dhe daljet cullak nëpër plazhe, janë vlera tradicionale shqiptare, me të cilat duhet të mburremi para botës, por është e neveritshme se si edhe njerëz të dijes, të dalin të thonë vetëm atë që duan ta dëgjojnë perëndimorët, por jo edhe atë që duhet treguar shqiptarëve. Me çka e ndihmuan piktorin që ta bëjë Shqipërinë vend me drejtësi të reformuar, por pa gjykata dhe që të gjithë kundërshtarët e vet politik t’i shpallë si dashamirës të shtetit me gjykata, por pa drejtësi. Dhe e ndau popullin në ‘ne’ opozitarët perëndimorë që duam drejtësi pa shtet, dhe ‘haxhiqamilët ’ opozitarë që duan shtet pa drejtësi. Pra duke e ‘deshqiptarizuar’ shqiptarinë dhe duke e bërë Shqipërinë mëmë nga djep i patriotizmi shqiptarë, në vendbanim të turpit kombëtarë.

Po pra, është e vërtetë se gjatë tri dekadave të kaluara, shumë politikanë e burrështetas që e drejtuan Shqipërinë, u bënë hajdutë dhe është e pritshme që këtë të vërtetë, piktori Kryeministër ta përdor si jorgan për ta mbuluar vetveten si njeri të pushtetshëm më shumë se dy dekada me radhë. Por është trishtuese heshtja e alamet personaliteteve me emër e mbiemër, të përfshirë edhe nëpër enciklopeditë shqiptare, të cilët u shtirën që nuk e shohin se gjatë sundimit të ‘Rilindjes’ ndodhi diçka edhe më tragjike: shumë hajdutë e kriminelë, u bënë politikanë dhe morën në duar vendin. Me çka Shqipërisë thuajse iu pamundësua që pa një ‘revolucion’ të dhembshëm, t’i shlyejë nga ‘biografia’ e saj emrat e politikanëve që i janë ngjitur si shushunja, që asaj ia thithin gjakun e freskët rinorë, e popullit ardhmërinë.

Po, është e pritshme që një diktator qesharak si Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, ta përdorë gjithë aftësinë e tij folëse dhe atë pakë imagjinatë krijuese që ka, për ta fshehur të vërtetën se më shumë e do pushtetin se sa shtetin e popullin e vet, si dhe për ta mbuluar atë që shihet qartë: se di ta sundojë vendin, por jo edhe vetveten. Por është shumë e panatyrshme që këtë të mos e kenë vërejtur ata që duhej të parët të alarmonin se Shqipëria është duke shkuar rrugës të ketë pushtet, por jo edhe shtet dhe ku, sa më e fortë bëhet ‘Rilindja’, sa më të pasur bëhen ‘rilindësit’, aq më i dobët bëhet shtet dhe aq më shumë varfërohet populli.

Andaj edhe mund te thuhet se Kryeministri që e pikturoi Shqipërinë njëpartiake, nuk është fajtori i vetëm pse shteti zhbëhet e ‘Rilindja’ forcohet, por mëkatarë janë edhe ata që këtë e dinin dhe kishin mundësi ta thoshin, por shkaku i interesit personal heshtën dhe, popullit kurrë nuk i treguan se burrështetasit e tij hajdut bërtisnin – kapeni hajnin dhe se, jeton në një shtet ku politikanëve kriminelë u falet krimi, e mëkatarët hallexhinj e të papushtetshëm, i mbushnin burgjet..

Buxhovi, ky shërbëtor i lirisë Nga Getoar Mjeku

Në foto Getoar Mjeku me shkrim­tarin Jusuf Bu­xhovi në nji pro­mo­vim libri, në lib­ra­rinë Du­ka­gji­ni në Pri­sh­tinë, dhjetor 2016

Populli i Dardanisë ka ba shumë lufta për liri. E mbrama ka mbaru para 20 vje­të­ve. Por vendi ynë nuk asht ende krejt i lirë, ndërsa sun­dim­tarët e pa­su­nuem prej pu­shtetit sul­mojnë inte­lek­tualët e ska­mun që shpre­hin men­dimin e tyne të mirë­mbë­shtetun.

Kët javë, shkrimtari e his­to­riani Jusuf Bu­xhovi e çmoi luftën e drejtë t’Ush­trisë Çlirim­ta­re të Ko­so­vës, por dënoi krimet që dy­­sho­het se i kanë ba pjesë­­tarët e saj.

«UÇK-ja nuk ka qenë e pas­tër», tha Buxhovi. «Ka qenë e drejtë, por ka pasur edhe shumë gjëra të kë­qi­ja. Janë vrarë mbi 100 zyr­tarë të LDK-së, mbas luf­tës».

Njerëzit e pushtetit iu vër­su­lën pas­krupull­sisht, tue e qujtë pro­pa­gan­dist, tradh­tar të ko­m­bit e shpiun të Sërbisë. Do thanë se Bu­xho­vi po e njo­llon «luftën e pa­s­tër të UÇK-së» dhe «pjesë[n] më të lav­di­shme të his­torisë së kom­bit dhe po­pullit shqip­tar».

Me reagimet e tyne, kun­dër­­shtarët e Buxho­vit shpër­­faqën sa mos­dije aq dhe mos­durim ndaj drej­tësisë e lirisë.

Tregunë mosdije, sepse shpikën kon­ceptin e «luf­tës së pastër». Dije­tarët kanë ri­kujtu këto ditë se e drejta dhe marrë­dhaniet ndër­kom­bë­tare nuk e njo­hin luf­tën e pastër; njo­hin vetëm luftën e drejtë. Dhe Buxhovi e ka për­sëritë ma fort se kush­­do se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Kët javë ai foli për krime që shteti ynë ende nuk i ka ndëshku.

Tue i shpërfillë ato krime — mbi 100 vrasje poli­tike të mbas­luftës — për­ndje­kë­sit e Bu­xho­vit tregunë shpir­tin des­potik. Tue u thirrë në gjoja inte­resat e gru­pit, këta zhvleftë­sojnë je­tën e njeriut, shty­pin li­rinë e in­di­vidit, dhe pen­gojnë sun­dimin e ligjit. Kë­shtu sjellja e tyne për­ban për­kufi­zimin klasik të fa­shiz­mit, kurse guximi i Bu­­xho­vit thel­bin e luftës për liri.

Librat e Jusuf Buxhovit i kam pasë në dorë qysh fë­mijë. Atëherë nuk dij­sha se ç’brezi i për­kiste, nga vin­te, a ç’dia­lekt fliste. E çmoj­­sha si tre­gim­­tar shqip­­tar. Por ma fort i ad­mi­roj­sha herojtë liri­da­shës për të cilët shkrunte.

Te Shënimet e Gjon Nikollë Ka­zazit, osmanët e va­rin Col Shku­pin që ka guxu me shkru arbë­nisht dhe me andë­rru për lirinë e po­­pu­llit tonë. E shkrim­ta­rët e nji­mendtë duhet me qenë po aq trima sa per­so­na­zhet që krijojnë.

Vite ma vonë, shkrimtarin tonë e kam taku kur kam qenë student n’Ame­rikë. Aso­kohe kam për­kthy ang­­lisht librin e tij për Ko­so­vën nën Peran­do­rinë Os­­mane. E kam përcjellë në ligjerata n’univer­si­te­te ame­ri­kane, në takime me bo­tues e in­telek­tualë ven­das, dhe në tu­bi­me me mër­­gim­tarët tanë. Të gjithë e çmoj­shin dhe e për­krah­shin.

Disa e mbajshin mend prej kohës kur vep­rat i le­xo­­he­shin si radio­dramë në Pri­sh­­tinë, disa prej vi­te­ve kur pu­nonte ko­rres­po­n­dent i Rilind­jes në Gjer­­mani, e do tjerë nga ditët e the­me­limit të LDK-së dhe vizitat e her­shme në ShBA me krye­ta­rin Ib­ra­­him Ru­gova. Kish miq bashkë­­kombas nga të gjitha tro­jet tona dhe nga ko­­lonitë arbë­reshe. E prit­shin in­telek­tualët, biznes­menët, pro­fe­sio­nis­tët, dhe pu­në­torët e thjeshtë. Dhe e nde­roj­shin veçmas ata mër­gim­tarë që e kishin mbë­sh­tetë luf­tën çlirim­tare, tue dhanë mi­liona dollarë për UÇK-në ose tue iu bashku vetë ra­dhëve të saj.

E kemi lehtë me gjetë di­çka me të cilën s’paj­to­he­mi në mbi 40 libra dhe qinda in­ter­vista e li­gje­ra­ta, dhe Bu­xho­vi ka po aq. Por asht pa­qy­te­ta­ri me e sha nji njeri aq të res­pek­tuem si Bu­xhovi.

Shkrimtari ynë asht kthy në vend­lindje më 2000, mbasi ka kalu mbi dy de­kada në mër­gim si gaze­tar e re­fugjat. Për dallim prej kundër­shta­rëve të tij që ndje­kin pri­vi­legjet e pu­sh­tetit, Bu­xhovi nuk ka kër­ku kurrë post në qeveri. Sot jeton mo­de­s­tisht në nji ba­nesë të vogël në Pri­sh­tinë, ku vijon me shkru ro­­mane e pu­bli­cistikë.

Foto: Unë me shkrim­tarin Jusuf Bu­xhovi në nji pro­mo­vim libri, në lib­ra­rinë Du­ka­gji­ni në Pri­sh­tinë, dhjetor 2016