VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Nënë Tereza – si lutej shqip

By | September 2, 2016

Komentet

Qeveria e Kosovës shton masa të reja të reciprocitetit tregtar me Serbinë

Prishtinë

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur në orët e vona të së shtunës mbledhje virtuale ku është vendosur që të plotësohet edhe më shumë vendimi për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur komunikata nga qeveria, sipas ndryshimeve të fundit të masës së reciprocitetit, nuk do të lejohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që mohojnë shtetin e Kosovës.

“Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatë.

Po kështu, vendimi i mbrëmshëm i qeverisë tani e tutje obligon Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomikë serbë tani e tutje duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Kosovë nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

“Vendimi mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare”, përfundon komunikata.

Qeveria e në detyrë e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ka marrë vendim më 1 prill të këtij viti për heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe fillimin e zbatimit gradual të reciprocitetit, si parim me marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa ka vendosur për heqjen e kësaj tarife për produktet me origjinë nga Bosnjë e Hercegovina pa asnjë masë reciprociteti me të.

Tarifa 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina hyri në fuqi në fund të vitit 2018, si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës për fushatën e Serbisë kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës si dhe kundër anëtarësimit të saj në mekanizma ndërkombëtarë.

Qytetarët e Kosovës janë shumë të kënaqur me punën e qeverisë, kryeministrit dhe kryetares së parlamentit

Leonat Shehu

Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, vë në pah se shumica e qytetarëve në Kosovë janë të pakënaqur me drejtimin politik të vendit, por janë shumë të kënaqur me punën e qeverisë, kryeministrit dhe kryetares së parlamentit.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin Pulsi Publik i kryer nga ky program me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar me 1 mijë e 305 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Në raport thuhet se ka rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve posaçërisht të qeverisë dhe parlamentit. Kjo shkallë është më e larta e regjistruar që nga viti 2010.

Sipas raportit, “60.7 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur të kënaqur me ekzekutivin, një rritje prej 46.3 për qind nga anketa e nëntorit 2019 kur ishte 14.4 për qind. Ndërsa, niveli i kënaqshmërisë së regjistruar me punën e Kryeministrit është 65.4 për qind krahasuar me 20.7 për qind sa ishte në nëntor të vitit 2019 kurse me punën e kryetares së parlamentit ka arritur në vlerën siç thuhet rekord prej 72.4 për qind krahasuar me 20.5 për qind të regjistruar në nëntor 2019”, thuhet në raport.

Sipas raportit 33.6 për qind e qytetarëve të anketuarve do të ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike.

Anketimi i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara i cili në radhë të parë synon të pasqyrojë opinionet e qytetarëve për situatën në vend nxjerr në pah po ashtu se qytetarët i kanë radhitur papunësinë, korrupsionit dhe varfërinë si tri çështjet themelore që ndikojnë në mirëqenien e tyre.

Në raport thuhet se më shumë se 62.8 për qind e qytetarëve të anketuar janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës, një rritje prej 12.7 pikë përqindje krahasuar me gjashtë muaj më parë.

Anketimi është kryer gjatë muajit prill, kur Kosova tashmë ishte me qeveri në detyrë, pasi që me 25 mars, u miratua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Të enjten Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të presidentit të vendit për mandatimin e një kryeministri të ri duke i hapur rrugën formimit të qeverisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve pakicë.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, e cila kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, e cilësoi të padrejtë dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo lëvizje paralajmëroi të shtunën organizimin e një peticioni për të kërkuar zgjedhje të reja në vend, të cilat sipas deputetit të saj, Liburn Aliu janë zgjidhja e vetme për Kosovën.

“Më 25 mars politika e vjetër mbyti vullnetin politik të votuesve shprehur më 6 tetor ndërkohë më 28 maj Gjykata Kushtetuese u bë avokate e politikës së vjetër duke ndryshuar kushtetutën dhe rregullat e lojës. Kjo është e papranueshme. Vullneti qytetarë, demokracia dhe e drejta e votës dhe kushtetuta e vendit nuk mund të shkelet. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja dhe vetëm kjo është rruga për dalje nga kjo gjendje, zgjedhjet janë mënyra e vetme e marrjes së një legjitimiteti të ri, le të garojnë në zgjedhje dhe populli le të vendos se ç’lloj shteti e qeverisje dëshiron”, tha zoti Aliu.

Ai tha se lëvizja Vetëvendosje do të kundërshtojë qeverinë e re me mjete paqësore.

“Lëvizja Vetëvendosje është një lëvizje paqësore dhe veprimet tona do të jenë tërësisht paqësore dhe me mjete sa më legjitime dhe pjesë e këtyre veprimeve tona është pikërisht edhe ky peticion që po e përmendim sot. Do të jetë kundër qeverisë, mënyra se si do ta shprehim atë do të shihet në seancë, kur do të mbahet ajo. Zakonisht meqenëse kemi një legjitimitet të plotë, kemi rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi edhe këto peticione të vazhdueshme, përkrahja qytetare tregon se do të jenë të panevojshme mbase çfarëdo lloj mjeti tjetër”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha të shtunën se po pret aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese para se të bëj kërkesë për seancën e votimit në parlament për qeverinë e re të udhëhequr nga mandatari i saj, Avdullah Hoti.

Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa në një postim në rrjetin Facebook shkroi se marrja e përgjegjësive në këtë kohë të pandemisë dhe krizës së marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë nuk do të jetë e lehtë për qeverinë e ardhshme.

“Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik. Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE”, shkroi ai duke nënvizuar se qeveria e ardhshme duhet të përkrahet gjerësisht, e cila sipas tij nuk shpall dhe nuk krijon armiq, por që ndërton ura të brendshme dhe të jashtme bashkëpunimi.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit më 25 mars, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Borrell: S’jemi në garë me Amerikën për dialogun Kosovë-Serbi, kufijtë të mos preken

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një bisedë me disa gazetarë të vendeve evropiane, foli të premten edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Borrell tha se BE-ja është e gatshme për vazhdimin e dialogut, porse duhet pritur sqarimi i situatës politike në Kosovë. “Ne nuk jemi në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dialogut. Është vetëm një dialog, e ai është dialogu që e ka nisur BE-ja. Nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, kjo është mirë, të na japin një dorë ndihme. Ne nuk veprojmë për qëllime propagandistike, por bëjmë punë serioze për të rinisur dialogun, i cili është i bllokuar”, tha Borrell.

Kosova, qysh më 25 mars, është me qeveri në detyrë, ndërsa këtë javë Gjykata Kushtetuese e vendit i ka dhënë mbështetje dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar një kryeministër të ri, pa shkuar në zgjedhje.

Duke u përgjigjur në pyetjet rreth ideve për ndryshimin e kufijve, më saktësisht për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, Borrell shprehu një ndryshim pozicioni në krahasim me atë që ka thënë më herët, kur nuk e ka përjashtuar këtë mundësi. Ai tha se idetë e tilla nuk kanë mbështetje dhe se BE-ja do të preferonte që të mbahet gjendja e tanishme e kufijve.

“Së pari, duhet thënë se marrëveshja duhet të jetë mes serbëve dhe kosovarëve. Nëse ata nuk pajtohen, atëherë asgjë. Por, është thënë tashmë se marrëveshja duhet të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ato [Kosova dhe Serbia] nuk i kanë duart e lira që të vendosin çfarëdo të duan, sepse mund të ketë edhe pasoja kolaterale në rajon. Dihet shumë mirë se sa e ndjeshme është të ndryshohen kufijtë”.

“Nëse filloni t’i ndryshoni kufijtë në një vend, atëherë edhe të tjerët mund të thonë se duan të njëjtën gjë. Pra, gjëja më e mirë për t’u bërë është ruajtja e status quo-së dhe të shihet se si do të shkojnë negociatat. Është e qartë se ne në BE do të preferonim të ruhet gjendja e tanishme sa u përket kufijve. Po ashtu, disa shtete anëtare janë kundër çfarëdo lëvizjeje në këtë drejtim”, tha Borrell.
Ideja për ndryshimin e kufijve si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është shpërfaqur nga vetë presidentët e të dyja vendeve në vitin 2018, por ajo ka hasur në reagime për dhe kundër si në Prishtinë dhe Beograd, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar. Borrell u pyet edhe për të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është nga Sllovakia – shtet që nuk e ka njohuar pavarësinë e Kosovës.

Ai dha të njëjtin argument si edhe më herët, duke thënë se sikur i dërguari i posaçëm të ishte nga ndonjë vend që e ka njohur Kosovën, atëherë Serbia do të mund të ishte e pakënaqur. Borrell tha se duhen ndalur këto kritika dhe se duhet punuar në mënyrë serioze, sepse, sipas tij, bëhet fjalë për diplomat që përfaqëson Bashkimin Evropian. Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia. Përfaqësues të posaçëm në dialog tani kanë edhe Shtetet e Bashkuara: diplomatin Richard Grenell. /REL

Lekovo, fshati në Greqi që nuk e ka humbur Gjuhën Shqipe (video)

Shqiptarët autoktonë të një fshati në Greqi pranojnë traditat e tyre shqiptare, gjuhën, muzikën, trashëgiminë brez pas brezi nga të parët e tyre…

Çfarë thonë sot banorët për rrënjët e tyre? Përse heshtet për këtë histori ?

Ndiqni të plotë videon e dokumentarit të gazetarit ende “Non Grata” Marin Mema.

Protestë, protestë, protestë – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Teatri Kombëtar u shemb. Gërmadhën e tij e kemi në qendër të Tiranës si varr i freskët. Unë nuk jam nga ata që besojnë se ai mund të ringrihet siç ka qenë, dhe aty ku ka qenë, edhe pse një punë e tillë është ende e mundur dhe do të më pëlqente shumë të ndodhte. Nuk mendoj, po ashtu, se duhet të vazhdojmë ta vajtojmë pa fund. Kjo nuk do të kishte asnjë dobi. Vetëm do t’i jepte raste të reja Edi Ramës të tallej, siç u tall edhe herën e fundit në aulën e Parlamentit të Republikës, kur shpalli se, po, Teatri do të bëhet krejt siç ka qenë, por diku tjetër (projektin e kemi, tha ai) dhe do të shërbejë si teatër kukullash. Seancën tjetër plenare të Parlamentit, ai, me siguri, do të gjejë një variant tjetër talljeje për këtë temë. Sepse i tillë është Kryeministri ynë. Çdo mospajtim të një pjese të opinionit publik me vendimet e tij ai e përfton si sfidë, mbi të cilën duhet triumfuar jo përmes argumenteve, siç janë rregullat e lojës në demokraci, por përmes dhunës së pushtetit dhe mandej të mundurit duhen poshtëruar deri në fund që të mos ngrenë kurrë më krye.

Në qoftë se nuk mund të shpresojmë se Teatri do të ringrihet ashtu siç ka qenë, dhe aty ku ka qenë, në qoftë se nuk ka dobi as ta vajtojmë të dekurajuar si një humbje të pakthyeshme, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Të kthehemi për të rënë në gjunjë si bij plëngprishës përpara Babës (siç ai e ka dekretuar veten tashmë)? Jo. Ka një rrugë, që ne ta mbajmë lart e ta çojmë përpara frymën e krijuar nga kauza e Teatrit. Fjala është për atë pjesë të kësaj fryme, e cila shkon përtej mbrojtjes së një objekti, qoftë ky edhe me rëndësi kulturore dhe simbolikë historike të veçantë, siç ishte Teatri Kombëtar. Nisur sidomos nga fakti që qëndresa zgjati më shumë se dy vjet e gjysmë, duke dalë jashtë çdo parashikimi të Kryeministrit Rama, do të kisha thënë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, si strumbullar i kësaj qëndrese, ka arritur të mbjellë në shoqërinë tonë, sidomos në Tiranë, frymën e vazhdimësisë në mospajtimin me politikën e keqe qeverisëse. Në këto tridhjetë vjet nuk e kemi parë në asnjë rast tjetër një cilësi të tillë, e cila, nëse provohet në javët e në muajt e ardhshëm, do të shënonte pa dyshim një pjekuri të re, civilizuese, të opinionit tonë publik.

Po flitet gjithnjë e më shumë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” do të shndërrohet në lëvizje të re politike. Madje, kolegu Mentor Kikia, duke cituar një burim pranë qeverisë, shprehej së fundmi në një shkrim me njëfarë sigurie të shtuar se një akt i tillë është në përgatitje. Edhe mund të ndodhë. Nuk është çudi dhe as nuk shoh ndonjë gjë të keqe. Por dy nga figurat më të zëshme dhe më koherente të kësaj Aleance gjatë kësaj periudhe, Elona Caslli dhe Edmond Budina, secili veç e veç dhe në rrugë të ndryshme mediatike, kanë pohuar publikisht se nuk do të bëheshin pjesë e një lëvizjeje të tillë politike. Të tjera deklarata nuk kam parë. Nga ana tjetër, Robert Budina, në një dalje të fundit publike, duke bërë një sintezë të dy protestave të organizuara në Shkodër dhe Kukës, tha se “do të kthehemi në Tiranë me një protestë politike, por jo partiake”. Kur flas për provat e reja, që duhet të kalojë fryma e re e mospajtimit me politikën e keqe të qeverisë, krijuar gjatë periudhës në mbrojtje të Teatrit, nuk e kam aspak fjalën për themelimin e një lëvizjeje të re politike. E kam vetëm për vazhdimin e protestave, të cilat, ashtu siç u shpreh Robert Budina, duhet të jenë doemos politike, por jo partiake. Në gjykimin tim, protestat e tilla nuk janë aspak rivale me protestat që mund dhe duhet të organizojnë pa humbur kohë partitë e opozitës. Dhe nuk ka asgjë të keqe pse një pjesë e madhe e pjesëmarrësve do të jenë në shesh edhe për njërën protestë, edhe për tjetrën.

Mbetem i bindur se opinionit tonë publik i mungon në një masë të ndjeshme vetëdija për forcën e vet, gjë që nuk do të thotë aspak se kjo shoqëri nuk ka sy për ta vënë re të keqen. Parë më në hollësi, kjo vetëdije i mungon individit, i cili, në një mjedis të lirë është me sovranitet të plotë në themel të shoqërisë. Pra, edhe individi shqiptar, më duket mua, e sheh mjaft qartë të keqen publike të mishëruar të përfaqësuesit e tij në qeverisjen e vendit. Për t’u bindur për këtë realitet mjafton të hedhësh një sy të shpejtë në rrjetet sociale. Të rrallë janë ata që shprehen të kënaqur me vendimet apo me sjelljet publike të Edi Ramës dhe të ministrave të tij. Nuk po them aspak se kjo mori e madhe individësh të pakënaqur me qeverinë janë mbështetës të opozitës. Në rrjetet sociale vërshon çdo ditë një lumë vërejtjesh, kritikash, madje edhe sharjesh po ashtu për opozitën dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha. Por, ndryshe nga ç‘ndodh në një shoqëri të civilizuar, substancialisht moderne, kjo mori e panumërueshme individësh të pakënaqur me qeverinë apo edhe me politikën në përgjithësi shihet pak dhe në mënyrë sporadike në rrugë e në sheshe. Ndërkohë që historia e vendeve të zhvilluara, qoftë në Europë, apo edhe në Amerikë, na mëson mjaftueshëm se vetëm protesta në rrugë e në sheshe ka fuqi për ta mbajtur elitën politike në shina, duke u bërë kështu vërtet faktor vendimtar për progresin e vendit.

Në gjykimin tim, pra, shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë jetike të kalojë nëpër shkollën e protestave, të cilat duhet të jenë të gjera, horizontale dhe të vazhdueshme. Pakënaqësia duhet të shpërthejë për ta pushtuar qytetin, në kuptimin që i jep Platoni kësaj fjale. Vetëm përmes protestës do të mund ta hedhim poshtë me përbuzje stigmën që na kanë vënë të tjerët, madje edhe miqtë, por që edhe ne ia themi shpesh vetes plot pezëm se kemi qeverinë që meritojmë. Apo qoftë edhe opozitën që meritojmë. Unë vetë kam shkuar dhe do të shkoj në çdolloj proteste, pavarësisht kush e thërret, sa herë kam pasur e të kem mundësi, me bindjen qytetare se protestën ua kam borxh fëmijëve të mi. Vetëm duke kaluar përmes shkollës së protestës së tillë, të vendosur, pa kompromis me të keqen, individi shqiptar e rrjedhimisht edhe grupi, ku ai bën pjesë, do të mund të gjykojë me kthjelltësi kur thirrjet për protestë apo edhe për miting i bën një parti, e cila, përveç kriticizmit të natyrshëm, del edhe me një program politik, si dhe me njerëzit që do ta realizojnë këtë program nesër, kur ai të shndërrohet në program qeverisës. Shkolla e protestës, si kjo që propozon “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” apo edhe cilado strukturë tjetër e shoqërisë civile, e mëson individin jo vetëm të mos pajtohet me të keqen publike, por edhe ta gjejë veten pa u gabuar si mbështetës apo qoftë edhe si votues në peizazhin e propozimeve nga partitë. Përfitimi më i thjeshtë që ka demokracia në këtë rast është se një votues i regjur nëpër protesta, të paktën votën nuk e shet dhe as nuk lejon t’ia vjedhin. Do të jetë turp kombëtar të përsëritet ajo që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2017, kur votuesit shqiptarë i dhanë besimin një njeriu, i cili shëtiste fshat më fshat e qytet më qytet si një kloun cirku, duke u kërkuar njerëzve timonin e tepsinë.

A do të mundet “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” të organizojë protesta të tilla të mëdha e në vazhdimësi, gjithnjë politike, por jo partiake? Kjo është një pyetje, që unë për veten time nuk do ta shtroja këtu sikur të mos e kisha dëgjuar e lexuar shumë herë gjatë këtyre ditëve. Unë them se po. Madje, edhe struktura të tjera të shoqërisë civile, me shumë më pak përvojë se kjo Aleancë, mund të organizojnë protesta të tilla. Nuk është fjala për revolucione. Protestat, ashtu siç i kemi parë madje edhe në këtë kohë karantine në vendet perëndimore e siç i përfytyroj të zhvillohen edhe në Tiranë e në qytetet e tjera të vendit, kërkojnë fare pak organizim. Sepse ato nuk kanë hierarki oratorësh për të respektuar e as program politik për të shpjeguar. Ditën e shembjes dramatike të Teatrit, Edmond Budina e përmendi një nga format e shumta të këtyre protestave e që është mosbindja civile. Mos harroni, përmes mosbindjes civile, indianët ulën në gjunjë perandorinë më të madhe të kohës e që ishte ajo britanike. Çfarë është Edi Rama krahasuar me mbretin e Anglisë?/Panorama/

Kurti del në ballkon të Qeverisë, protestuesit e VV-së brohorasin për zgjedhje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në ballkonin e qeverisë për të përshëndetur protestuesit në shesh të Prishtinës, raporton Gazeta Express.

Kur Kurti doli që të përshëndesë protestuesit, ata filluan që të brohorisnin “Duam Zgjedhje”.

Në ballkon të Kuvendit ndërkaq janë parë edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëvendosje mban “provën” e protestës në Prishtinë

Në Prishtinë ka nisur një tubim, që është cilësuar nga organizatorët si “provë për protestë” në kohën e pandemisë së koronavirusit. Ky tubim është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.


Aktivistët mbajnë distancën fizike gjatë “provës” së protestës në Prishtinë.

Qytetarët janë mbledhur në sheshet e Prishtinës, në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit.

Vetëvendosja e Kurtit, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe është shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas pandemisë. Ndërkaq, Thaçi ka thënë se askush nuk ka të drejtë, siç është shprehur ai, të “uzurpojë” pushtetin me metoda jodemokratike.

Më 19 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

Sipas kësaj Gjykate, këta zyrtarë duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kurti: Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI, Qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive dhe se po refuzojnë ta kuptojnë që koha e tyre ka mbaruar.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një popull nuk iu nënshtrua një njeriu dhe se as qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq.

Lexoni të plotë postimin e Kurtit:

“Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre.

Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq.

Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI. Në cilën anë je ti?”.

Shkëlzen Gashi i reagon Hashim Thaçit: S’kam thënë asnjëherë që UÇK ishte terroriste

Shkelzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, i është përgjigjur presidentit Hashim Thaçi, i cili dje në një intervistë tha se Gashi e ka quajtur UÇK’në terroriste. Ish-këshilltari i Kurtit thotë se kjo nuk është e vërtetë.  

Gashi kujton se Presidenti Thaci përmendet 26 herë në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, i cili nga ngritur dyshime se gjatë luftës në Kosovë janë trafikuar organe. Gashi thotë se Thaci asnjëherë nuk e paditi Martyn, edhe pse kur kishte dalë raporti, në vitin 2011, ishte zotuar se do ta padiste senatorin zviceran.

Ish-këshilltari i Kurtit, përmend edhe Gjergj Dedajn, për të cilin thotë se Thaci e ka emëruar gjithmonë në pozita shtetërore, pas akuzave që Dedaj ia ka bërë Thacit se e ka torturuar gjatë luftës.

“Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare”, ka shkruar Gashi.

Shkrimi i plotë:

Hashim Thaçi, Dick Marty, Gjergj Dedaj dhe Gjykata Speciale

Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime».

Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin.

Presidenti Thaçi në intervistën e mbrëmshme e përmendi Raportin e Dick Marty-t. Duhet thënë se në atë raport, Hashim Thaçi përmendet plot 26 herë. Pas publikimit të këtij raporti, z. Hashim Thaçi, atëherë Kryeministër i Kosovës, pati paralajmëruar se do ta padiste Dick Marty-n për shpifje. Kuptohet, lëre që nuk e paditi asnjëherë, por madje e themeloi Gjykatën Speciale mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t.

Edhe diçka. Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj, e ka akuzuar publikisht Hashim Thaçin duke thënë se gjatë luftës në Kosovë e pati torturuar fizikisht atë dhe disa veprimtarë të LDK-së. Hashim Thaçi iu përgjigj këtyre akuzave duke e emëruar Gjergj Dedajn katër herë zëvendës-ministër: në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (2008); në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2013); në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (2015) dhe së fundmi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2017). Më vonë, në vitin 2018, Presidenti Thaçi e dekoroi Dedajn me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e më pas, po më 2018, e caktoi Ambasador të Jashtëzakonshëm Fuqiplotë në Shkup.

Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Meta dekoron Vasil Laçin me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”: Shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë më instalimin e një diktature

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot Heroin e Popullit Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Atdhetarit antifashist, që me aktin e tij heroik dhe vetëflijues u tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë, se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, gjatë ceremonisë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit u shpreh se:

“Sot me rastin e 79-vjetorit të kalimit në përjetësi të Heroit të Popullit, Vasil Laçi, kam nderin t’i akordoj Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, atë të Flamurit Kombëtar.

Një djalosh nëntëmbëdhjetë vjeçar, i shtyrë vetëm nga liria dhe atdhedashuria kreu një akt heroik e vetëflijues që do mbetej në historinë e popullit shqiptar si simbol i qëndresës dhe i rezistencës ndaj pushtimit dhe tiranisë. I veshur me kostum kombëtar shqipëtar ai i tregoi pushtuesve, kuislingëve vendas dhe mbarë botës se populli ynë nuk i nënshtrohet kurrë asnjë armiku, të jashtëm apo të brendshëm.

Se liria është gjëja më e çmuar për ne! Se ajo mbrohet me çdo akt e sakrificë.

Vasil Laçi nuk ishte i shtyrë nga ideologjitë e kohës. Por diçka tjetër shumë më e madhe dhe më e fortë e shtyu Vasilin të kryente atë akt patriotik. Ky ishte vetëm ideali dhe ndjenjat e krenarisë kombëtare. ‘E bëra për Shqipërinë!’ tha ai gjatë torturave dhe përpara ekzekutimit. Një guxim i tillë i dha zemër një populli të tërë dhe shërbeu si frymëzim për Lëvizjen Anti-fashiste Nacional Çlirimtare, duke sjellë çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit tonë nga pushtuesit.

Madhështia e vërtetë e gjestit të tij është se ai u mëson brezave edhe sot që një njeri i vetëm mund të kontribuojë për të dhënë një mesazh të madh dhe frymëzues. Se çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie. Se një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli.

Një shqiptar zemërluan tronditi një nga perandoritë më të mëdha të kohës. Vasil Laçi mbetet hero edhe i ditëve të sotme. Duke i kujtuar brezave se liria nuk dhurohet por fitohet. Se çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual por edhe kombëtar.

Një popull që harron të kaluarën nuk e gjen dot rrugën për të ardhmen e tij për liri.

Ndaj edhe ne duhet të edukojmë më shumë brezat e rinj mbi historinë e heronjve tanë që ata të mësojnë dhe kuptojnë se sa e shtrenjtë ka qenë dhe është liria që ne gëzojmë sot.

Një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie. Ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit, dhe të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet.

Populli shqiptar është një popull i pasur pasi ka në gjirin e vet të rinj e të reja, punëtorë dhe intelektualë, njerëz të zakonshëm të cilët e duan Shqipërinë dhe do përballen gjithnjë kundër çdo tiranie, madje njerëzit e thjeshtë japin shembujt më të mirë kur elitat korruptohen me tiranitë vendase apo të huaja.

‘E vetmja gjë që lejon të keqen të triumfojë është kur njerëzit e mirë vendosin të mos bëjnë asgjë,’ – tha shtetari dhe filozofi britanik Edmund Burke. ‘Rroftë Shqipëria e lirë!’ ishte thirrja e fundit e Vasil Laçit, e cila vazhdon të bëjë jehonë edhe sot.

Ne nderojmë e krenohemi me të gjithë heronjtë tanë, por edhe me njerëzit e thjeshtë të mrekullueshëm, trima e patriotë që ka Shqipëria, të cilët në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të tyre nuk do lejojnë kurrë të shtypen e dhunohen më nga asnjë tirani.

Falë kësaj dashurie për lirinë, shqiptarët nuk do kthehen më kurrë në diktaturë, dhe i madh e i vogël në këtë vend nuk do lejojë instalimin e asnjë regjimi tiranik dhe anti-kombëtar, por ata do ecin përpara krenarë dhe me dinjitet drejtë së ardhmes demokratike dhe evropiane të vendit, një ëndërr lirie e heroit tonë Vasil Laçi, një ëndërr e çdo të riu shqiptar edhe sot e përgjithmonë”.

Protestë e madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Aleanca për Teatrin: Ja pesë kërkesat!

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka paralajmëruar një protestë të madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të kërkohet mes të tjerash hetim ndërkombëtar për çështjen e teatrit.

Përmes një deklarate Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë kërkuar largimin e menjëhershëm nga detyra të Kryetarit të Bashkisë dhe pjesëtarëve të Këshillit Bashkiak si personat që i dhanë fund me vullnet të plotë Teatrit Kombëtar duke shkelur çdo ligj, ndërkohë që mundësinë e kishin të prisnin dhe mos ta zbatonin VKM-në pasi ajo u çua për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti i Republikës.

DEKLARATË

Ka kaluar më shumë se një javë nga shembja barbare e godinës së Teatrit Kombëtar nga qeveria shqiptare me një sulm terrorist ku forcat speciale dhe policia e shtetit u përdorën për të nxjerrë artistët dhe qytetarët me dhunë nga shtëpia e tyre. Përgjatë kësaj jave mediat më të mëdha botërore kanë pasqyruar ngjarjen dhe protestat e artistëve dhe qytetarëve po vijojnë në të gjitha qarqet për të çuar në një protestë të madhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit ku do të kërkohet:

  1. Pezullimi i çdo lloj aktiviteti në truallin e kompleksit të Teatrove Kombëtare.
  2. Hetim Kombëtar dhe Ndërkombëtar i çështjes së Teatrit Kombëtar dhe vrasjes së mbetur në tentativë, shembjes së tij që nisi kur shumë artistë e qytetarë ishin ende brenda në ndërtesë dhe dhunës së ushtruar mbi të ndaluarit si gjatë operacionit policor të zhvilluar në kushtet e ndalimqarkullimit për shkak të pandemisë ashtu edhe gjatë protestave të zhvilluara më vonë gjatë ditës më 17 maj 2020.
  3. Rindërtimi i kompleksit të Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte aty ku ishte, jo vetëm si tempull i kulturës dhe trashëgimisë, por në këta dy vjet e tre muaj edhe si tempull i institucionit të protestës, lirisë, demokracisë dhe qytetarisë.
  4. Largimi i menjëhershëm nga detyra i Kryetarit të Bashkisë dhe pjesëtarëve të Këshillit Bashkiak si personat që i dhanë fund me vullnet të plotë Teatrit Kombëtar duke shkelur çdo ligj, ndërkohë që mundësinë e kishin të prisnin dhe mos ta zbatonin VKM-në pasi ajo u çua për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti i Republikës.
  5. Ne e pamë sesi pushteti e shembi Teatrin. Ne e pamë sesi Teatri i vjetër e shembi drejtësinë e re. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë e të tjera organe të drejtësisë nuk funksionojnë. Duke e provuar me viktimën e parë të drejtësisë së munguar, Teatrin Kombëtar, që kushtetuta shkelet nga një parlament ilegjitim dhe qeveri kriminale qendrore dhe lokale, si dhe duke qenë se ne po zgjojmë përfaqësimin qytetar në vendimarrje, ne kërkojmë drejtësi, demokraci, dhe kjo arrihet me rrëzimin e kësaj qeverie për t’i hapur rrugë njëherë e mirë një epoke të re për Shqipërinë, e cila do të futet në Europë përmes Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të mbetet një lëvizje kulturore-qytetare jo partiake e hapur për qytetarët nga i gjithë spektri politik dhe si e tillë do të nxisë vlerat më të mira të qytetarisë duke protestuar kundër kësaj qeverie tashmë antikulturë, të dhunshme e diktatoriale.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
26 Maj 2020

Aleanca për Teatrin paralajmëron protestë të madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”: Ja çfarë do kërkojmë!

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thekson se po vijojnë protestat në të gjitha qarqet e vendit, kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Pas protestave në qarqe, Aleanca për Teatrin paralajmëron një protestë të madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të kërkohet mes të tjerash hetim ndërkombëtar për çështjen e teatrit.

DEKLARATË

Ka kaluar më shumë se një javë nga shembja barbare e godinës së Teatrit Kombëtar nga qeveria shqiptare me një sulm terrorist ku forcat speciale dhe policia e shtetit u përdorën për të nxjerrë artistët dhe qytetarët me dhunë nga shtëpia e tyre. Përgjatë kësaj jave mediat më të mëdha botërore kanë pasqyruar ngjarjen dhe protestat e artistëve dhe qytetarëve po vijojnë në të gjitha qarqet për të çuar në një protestë të madhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit ku do të kërkohet:

1. Pezullimi i çdo lloj aktiviteti në truallin e kompleksit të Teatrove Kombëtare.

2. Hetim Kombëtar dhe Ndërkombëtar i çështjes së Teatrit Kombëtar dhe vrasjes së mbetur në tentativë, shembjes së tij që nisi kur shumë artistë e qytetarë ishin ende brenda në ndërtesë dhe dhunës së ushtruar mbi të ndaluarit si gjatë operacionit policor të zhvilluar në kushtet e ndalimqarkullimit për shkak të pandemisë ashtu edhe gjatë protestave të zhvilluara më vonë gjatë ditës më 17 maj 2020.

3. Rindërtimi i kompleksit të Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte aty ku ishte, jo vetëm si tempull i kulturës dhe trashëgimisë, por në këta dy vjet e tre muaj edhe si tempull i institucionit të protestës, lirisë, demokracisë dhe qytetarisë.

4. Largimi i menjëhershëm nga detyra i Kryetarit të Bashkisë dhe pjesëtarëve të Këshillit Bashkiak si personat që i dhanë fund me vullnet të plotë Teatrit Kombëtar duke shkelur çdo ligj, ndërkohë që mundësinë e kishin të prisnin dhe mos ta zbatonin VKM-në pasi ajo u çua për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti i Republikës.

5. Ne e pamë sesi pushteti e shembi Teatrin. Ne e pamë sesi Teatri i vjetër e shembi drejtësinë e re. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë e të tjera organe të drejtësisë nuk funksionojnë. Duke e provuar me viktimën e parë të drejtësisë së munguar, Teatrin Kombëtar, që kushtetuta shkelet nga një parlament ilegjitim dhe qeveri kriminale qendrore dhe lokale, si dhe duke qenë se ne po zgjojmë përfaqësimin qytetar në vendimarrje, ne kërkojmë drejtësi, demokraci, dhe kjo arrihet me rrëzimin e kësaj qeverie për t’i hapur rrugë njëherë e mirë një epoke të re për Shqipërinë, e cila do të futet në Europë përmes Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të mbetet një lëvizje kulturore-qytetare jo partiake e hapur për qytetarët nga i gjithë spektri politik dhe si e tillë do të nxisë vlerat më të mira të qytetarisë duke protestuar kundër kësaj qeverie tashmë antikulturë, të dhunshme e diktatoriale.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
26 Maj 2020