VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Nënat e Srebrenicës” ngrenë padi kundër Holandës

By | January 21, 2020

Komentet

Vuçiçi: Jam i gatshëm të nis dialogun kur të formohet Qeveria në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë dialogun posa të formohet qeveria e re në Kosovë.

Vuçiq i ka thënë mediave në serbi se serbët dhe shqiptarët duhet të kenë marrëdhënie të mira nëse dëshirojnë të jetojnë në paqe.

“Serbët dhe Shqiptarët përfaqësojnë dy nga kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe ne duhet të kemi marrëdhënie të mira nëse dëshirojmë të jetojmë në paqe”, ka thënë Vuçiq, shkruan b92, transmeton Gazeta Express.

Këto komente Vuçiq i ka bërë pasi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Presidentit Hashim Thaçi lidhur me dekretin e mandatarit të ri për formimin e qeverisë.

Sulejman Rexhepi shkarkohet nga posti i kryemyftiut të Maqedonisë së V.

Isuf Kadriu

Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi të mërkurën kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.

Në deklaratën e lexuar nga myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu, thuhet se Rexhepi u shkarkua nga detyra për shkak të shkeljes së Kushtetutës së BFI-së, respektivisht nenit 36.

Në këtë nen, veç tjerash, thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij janë në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.

Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh nga ai, që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe për aktin personal të martesës.

Veç kësaj, reagime të shumta në opinion ka shkaktuar edhe një prononcim i Rexhepit gjatë Festës së Bajramit, këtë javë, kur ka thënë se koronavirusi është i vdekur.

“Nga sot, sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi] e shpall të vdekur. Zoti është me ne dhe kur Zoti është me ne, ne jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Rexhepi.

Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, të cilët kërkuan kujdes nga vlerësimet e tilla, pasi, sipas tyre, mund të kenë pasoja të rënda në opinion.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të BFI-së u vendos që postin e kryetarit të këtij institucioni ta ushtrojë myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.

Mali i Zi përjashton Serbinë nga lista e shteteve prej nga lejohet hyrja

Beograd

Mali i Zi dje njoftoi se së shpejti do të hapë kufijtë dhe do të fillojë të lejojë vizitorët nga disa vende evropiane, pasi në këtë shtet nuk ka raste aktive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, Serbia është përjashtuar nga lista e vendeve të aprovuara, gjë që tërhoqi zemërimin e qytetarëve dhe zyrtarëve serbë.

“Hapja e kufijve me vendet që plotësojnë kriteret e duhura epidemiologjike pritet që në ditët e para të qershorit. Aktualisht, ato janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Malit të Zi.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha sot se vendimi vërteton se serbët nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi.

“Qytetarët tanë tani mund të shohin se nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi. Kjo sepse ne nuk kemi gënjyer se njerëzit tanë po vdesin nga gripi dhe pneumonia, e jo nga koronavirusi”, tha Brnabiç.

Ajo tha se Serbia nuk planifikon në vendosjen e masave reciproke dhe se nuk do t’i mbyllte kufijtë për qytetarët malazez.

Të dielën, 68 ditë pasi njoftoi rastin e parë pozitiv me COVID-19, Mali i Zi njoftoi se nuk ka raste aktive në vend.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 324 raste, prej të cilëve 9 kanë vdekur ndërsa të tjerët janë shëruar.

Biserko: Muajt e ardhshëm vendimtarë se a do të ketë sukses plani i Vuçiqit për ndarje

Ndarja e Kosovës është e vetmja mundësi që Beogradi e ka mbajtur në tryezë për më shumë se tre dekada, thotë Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, duke komentuar për Danas një deklaratë të fundit të presidentit serb për mënyrën se si ai dëgjoi për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.

Sonja Biserko thotë se marrëveshja e Brukselit ka ngecur në momentin kur është arritur interpretimi në lidhje me asociacionin e komunave serbe.

“Vuçiq deklaroi në qershor të vitit të kaluar: “Unë jam për demarkacionin dhe nuk kam turp për këtë, por serbët janë kundër tij dhe unë e kuptova mesazhin e njerëzve”. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, edhe kur të gjithë e dinë atë. Njerëzit nuk do ta pranojnë këtë sepse prek emocionet e tyre. Një plan për ndarjen e Kosovës po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale. Burime nga Uashingtoni pohojnë se ndarja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiq në Uashington në shkurt të këtij viti. Muajt ​​e ardhshëm do të jenë thelbësor nëse plani do të ketë sukses apo jo. Shumë varet nga mënyra se si do të vendosë BE-ja, përkatësisht Gjermania dhe Franca”, thotë Biserko.

Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, thotë se Vuçiq ka mbrojtur idenë e shkëmbimit të territoreve gjatë 2017 dhe 2018, por nuk ishte mjaftueshëm i qartë.

“Herë fliste për korrigjim kufijsh, e herë thoshte se nuk duhet që të gjithë të fitojnë të gjitha, e Serbia asgjë”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiq është padyshim një përgatitje për një raund të ri bisedimesh politike për Kosovën me emisarin e presidentit amerikan Richard Grenell.

“Kishim vetëm të ashtuquajtura bisedime politike dhe ekonomike. Por një raund i ri bisedimesh me Lajçak dhe BE po afron qartë. Pritja është më e rrezikshmja. Dhe nuk besoj se Vuçiq po pret diçka”, tha Janjiq.

Vuçiçi: I kam thënë Pendarovskit: mos fol për Kosovën!

Lidhur me intervistën e presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, të dhënë për Gazetën Express gjatë së premtës, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kreu i shtetit serb thotë se Pendarovski me deklaratat e tij kundër idesë së ndryshimit të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve dëshiron që t’u hyjë në qejf gjermanëve, pasi sipas tij, një deklaratë të ngjashme e ka dhënë ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass.

“Pendarovski dëshiron t’iu hyjë në qejf gjermanëve”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për TV Prva teksa ka komentuar qëndrimet e Pendarovskit të dhëna për Gazetën Express.

Më tej kreu i shtetit serb ka treguar se kur kishte shkuar në përurimin e Pendarovskit si president i kishte kërkuar që të kishte kujdes dhe të mos fliste për temat që lidhen me dialogun me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë.

“Kur shkova në përurimin e Pendarovskit, i kërkova vetëm një herë që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe që të mos flasë për temat që ndërlidhen me Kosovën”, ka potencuar Vuçiq.

Megjithatë thotë se Pendarovski e ka bërë të kundërtën çdo herë dhe sipas tij veprimet të tilla të maqedonasve janë për t’ua bërë qejfin gjermanëve.

“Sigurisht, ata bënë gjithçka kundër kërkesës time, për t’ia bërë qejfin Gjermanisë”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb.

Teksa ka folur rreth kundërshtimeve për idenë e korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, Vuçiq ka thënë se një gjë e tillë tregon se BE dhe liderët e rajonit presin që Serbia ta njohë plotësisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ndaj deklarimeve të Pendarovskit në Gazetën Express ka reaguar sot ashpër edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin.

Vulin ka thënë se askush nuk do ta pyet Pendarovski dhe as s’do të marrë opinionin e tij për atë se si Serbia duhet të zgjidhë problemin me Kosovën.

“Askush nuk do ta pyet Pendarovskin për opinionin e tij rreth zgjidhjes së problemit me Kosovën”, ka thënë Vulin, raporton Gazeta Express.

Të premtën ekskluzivisht për Gazetën Express nga zyra për media e Presidencës së Maqedonisë së Veriut, kanë thënë se Pendarovski beson që korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve mund të ketë efekte të dëmshme dhe se rrezikon gjithë progresin në rajon.

“Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet që mund të çojnë në korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e tokës dhe njerëzve mund të kenë ndikim të pafavorshëm në rajon dhe efekt të dëmshëm për përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multi-etnike”, ka thënë për Gazetën Express, Biljana Radeva.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një zgjidhje që mund të vijë përmes një ideje të tillë do të ketë efekte të dëmshme për rajonin dhe do të vërë në rrezik gjithë progresin që është bërë në 20 vjetët e fundit. Pendarovski ndërkohë mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe thotë se është për një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit që ka garancinë e fortë ndërkombëtare dhe që i kontribuon stabilitetit.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi mbahen më 21 qershor

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi do të mbahen të dielën më 21 qershor.

Vendimi është marrë sot pas një takimi të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq me përfaqësuesit e partive politike.

Zgjedhjet ishte dashur të mbahen në prill, por që u shtyen për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Kumanova, qyteti më i goditur nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Kumanova është qyteti më i prekur, menjëherë pas Shkupit nga koronavirusi dhe masat shtrënguese atje u vendosën pas disa raste vdekjesh dhe rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve.

Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila ka për detyrë të gjurmojë, identifikojë dhe izolojë bartësit dhe të prekurit nga koronavirusi, po përpiqet së bashku me autoritetet spitalore të qytetit të ndalë përhapjen e infeksioneve.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, doktor Arif Latifi në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në spitalin e qytetit ndryshon me dinamizëm brenda ditës, me që rastet me simptoma më të lehta ndalen këtu, mirëpo atyre shumë shpejtë mund t’u përkeqësohet gjendja dhe duhet të dërgohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Zoti Latifi thotë se një numër i qytetarëve të Kumanovës nuk po i respekton rekomandimet e mjekëve, megjithëse u janë bindur urdhërave për ndalim-qarkullim:

“Mirëpo, kur e fitojnë atë lirinë disaorëshe, ata dalin në rrugë, grumbullohen dhe disa nuk mbajnë maska, kështu që vetëm rrezikojnë të rrisin numrin e të infektuarve”, thotë kreu i Shëndetit Publik në Kumanovë.

Doktor Latifi u bën thirrje atyre që mund të jenë bartës të virusit që të vetëizolohen, sikurse të gjithë qytetarëve sepse në këtë mënyrë, thotë ai, na ndihmojnë t’i identifikojmë pacientët e mundëshëm ose bartësit e infeksionit.

“Do t’i lusnim qytetarët të cilët i anketojmë në anketat epidemiologjike që të jenë të sinqertë dhe të na tregojnë të vërtetën, sepse disa nga ta po i fshehin kontaktet që kanë pasur, e me këtë edhe bartësit e mundshëm të infekstionit. Duhet ta kenë të qartë se po të jesh i prekur me koronavirus nuk do të thotë turp; ështe shqetësim për të gjithë ne, ndërsa vihet në rrezik personeli mjekësor dhe familjet tona”, thotë ai.

Doktor Latifi vlerëson se numri i të prekurve po vjen duke u rritur.

Virusi ka prekur dhe një numër të konsiderueshëm të mjekëve dhe personelit mjekësor jo vetëm në Kumanovë, por në këtë qytet fillimisht u konfirmuan 11 mjekë dhe infermierë me koronavirus, sipas të gjitha gjasave të infektuar nga pacienti i ashtuquajtur zero në këtë zone, teksa numri i tyre sot ka shkuar në mbi 20.

Nga mbi 600 personat e prekur me COVID-19 në Maqedoninë e veriut, rreth dhjetë përqind janë mjekë dhe personel spitalor. Autoritetet u bëjnë thirrje atyre që të mbrohen duke përdorur pajisjet e domosdoshme që i kanë në dispozicion.

Së fundmi, në Shkup kanë arritur mijëra maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga Sllovenia, Hungaria e Turqia, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një ndihmë prej 1.1 milion dollarësh për zbutjen e gjendjes dhe luftimin e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Ministri serb: Reciprociteti më i keq se sa taksa 100%, do të ketë zero tregti me Kosovën

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiç deklaroi se reciprociteti, masa e paralajmëruar nga Kosova, është më e keqe se sa taksa prej 100 për qind.

Teksa foli për heqjen e taksës pas 1 prillit, ministri serb tha se “disa mallra kanë shkuar, ndonëse në sasi të papërfillshme, megjithatë ato shkuan. Nëse aplikohet reciprociteti siç është paralajmëruar, që në të gjitha faturat duhet të deklarohet se dërgohet në Republikën e Kosovës, ato mallra nuk do të shkojnë, sepse autoritetet tona doganore nuk mund të t’i njohin këto dokumente”.

Ai pohoi se me këtë strategji të ndjekur nga Kosova, “tregtia do të jetë zero”. bw

Twitter fshin 8 558 llogari të lidhura me partinë e Vuçiçit

Kompania Twitter njoftoi se ka fshirë 8,558 llogari të lidhura me Partinë Përparimtare të Serbisë (SNS) në pushtet.

Këto llogari, sipas Twitter-it, promovonin partinë në pushtet dhe udhëheqësin e saj.

“Në fund të vitit të kaluar, ne identifikuam grupe llogarish të përfshira në veprimtari të koordinuara joautentike që çuan në fshirjen e 8,558 llogarive të cilat promovonin partinë qeverisëse të Serbisë dhe udhëheqësin e saj”, tha Twitter.

Përmes një njoftimi tjetër, Twitter tha se gjithashtu kishte mbyllur një rrjet llogarish të lidhura me Arabinë Saudite dhe që vepronin edhe në vende tjera: Egjipt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këto llogari e kanë ekzagjeuar përmbajtjen duke lavdëruar udhëheqjen Saudite, si dhe kanë kritikuar veprimtarinë e Katarit dhe Turqisë në Jemen.

“Janë fshirë gjithsej 5.350 llogari”, tha Twitter.

Pas një hetimi nga një organizatë ndërkombëtare e gazetarëve hetues – Bellingcat – për një operacion informacioni në Indonezi që synoi Lëvizjen e Pavarësisë së Papuas Perëndimore në Indonezinë lindore, Twitter hoqi 795 llogari mashtruese, të cilat nga faqe të dyshimta promovonin përmbajtje pro-qeveritare.

Kompania gjithashtu pohoi se kishte zbuluar se shumë llogari të paautorizuara po hynin në Twitter nga një IP (shifra identifikuese e një kompjuteri të kyçur në internet) në Honduras dhe kryesisht po reklamonin llogarinë e presidentit.

Twitter gjithashtu njoftoi se kishte mbyllur 2.541 llogari në një rrjet me qendër në Egjipt të njohur si El Fagr. rel

Vdes ministri serb Branisllav Bllazhiq nga koronavirusi

Pamje nga Beogradi.

Një pjesëtar i Qeverisë serbe ka vdekur pasi është prekur nga koronavirusi i ri.

Branisllav Bllazhiq, ka qenë sekretar shetëror në Ministrinë e Ambientit. Ai është zyrtari i parë serb që ka vdekur nga kjo sëmundje.

Politikani i krahut të djathtë, Bllazhiq ka qenë edhe bashkëthemelues i Partisë Progresive.

Ai ka shërbyer si ministër i Ambientit në fund të viteve 1990 dhe i është kthyer sërish politikës në vitet e fundit, së fundmi si sekretar shtetëror.

Ky lajm vjen në kohën e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet.

Serbia ka raportuar për 1 060 raste me koronavirus dhe pothuajse 30 vdekje deri më tani.

Në këtë shtet është duke u zbatuar edhe masa e gjendjes së jashtëzakonshme. rel

VIDEO – Glezos për shqiptarët

Ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare, ish-deputeti grek Manolis Glezos. Ish-deputeti ka humbur jetën mesditën e sotme si pasojë e një ataku kardiak.

Ish deputeti arvanitas njihet edhe për qendrimet e tij liberale ndaj emigrantëve dhe fqinjëve të Greqisë, ndërkohë që pesë vite më parë mbajti një fjalim të fortë në Parlamentin e Greqisë duke thënë se të paktën 13 deputetë kishin prejardhje shqiptare duke qenë arvanitas.

Në fjalën e tij, Glezos pyeti kreun e Parlamentit grek nëse ishte i sigurt që ishte grek pasi mbiemri i tij ishte arvanitas.

“Ne jemi fqinj (me shqiptarët sh.r), gruan mund ta largosh nga shtëpia, edhe djalin mund ta largosh, por fqinjin jo”, u shpreh ai ndër të tjera në atë fjalim që mbetet një ndër më të fortit sa i përket shqiptarëve në Parlamentin grek.

Ndahet nga jeta në moshën 98 vjeçare Manolis Glezos, hero i rezistencës antifashiste greke, mik i popullit shqiptar

 

Glezos – (Mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës me Shqipërinë ) Është një gabim i rëndë dhe trashanik i të gjitha qeverive greke të pas luftës. Historia e ka sqaruar këtë. Nuk ka grek që të mos e dijë të vërtetën se pse u vendos ai ligj absurd. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë asnjë faj apo përgjegjësi. Por absurditeti më i madh është që ky ligj mbahet ende në fuqi, kur në fakt të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Nuk mund të ecet përpara duke mbajtur në gojë fjalën luftë. Grekët e mi përpara se të flasin për luftë me shqiptarët, le të flasin se në shumë etapa të historisë kemi luftuar së bashku krah për krah kundërtë njëjtit armik, që nga pavarësia e Greqisë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë historike që duhet të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe jo ligji i luftës…

 

Glezos – Kam patur vazhdimisht një dashuri të veçantë për popullin shqiptar sepse jo vetëm jemi vende fqinj, por edhe popuj me histori dhe rrënjë të përbashkëta. Jemi dy kombe që kemi bërë histori. Jemi mbajtur e mpleksur me njeri tjetrin me shekuj, grek e arvanitas të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në historinë shekullore të popullit grek. Heronjtë e historisë së lashtë por edhe të Rilindjes i kemi të përbashkët. Përulem me respekt të veçantë përballë historisë se popullit shqiptar, Luftës së tij Çlirimtare, figurave të shquara antifashiste që ai ka nxjerrë. Kemi vetëm një rrugë: të ruajmë vlerat unikale të antifashizmit, ta zhvillojmë atë, ta mbajmë të pastër nga deformimet e ideologëve neofashistë e neonazistë, të rigjallëruar në këto vite në Europë dhe ndaj të cilëve ju jeni vërtet i shqetësuar. Dhe me të drejtë. Unë e kuptoj thellësisht shqetësimin tuaj. Të gjitha betejat me ta i kemi fituar gjatë shekullit të kaluar dhe përsëri do t’i fitojmë edhe gjatë këtij shekulli sepse mbrojmë aspiratat e drejta të njerëzimit, mbrojmë humanizmin, solidaritetin, civilizimin, paqen dhe zhvillimin e gjithanshëm.

Manol Glezosi lindi në fshatin Apiranthos (Aperathu), të ishullit Naxos. Ai u shpërngul në Athinë në vitin 1935 së bashku me familjen e tij, ku mbaroi shkollën e mesme. Gjatë viteve të shkollës së mesme në Athinë punoi edhe si punonjës farmacie. U pranua në Shkollën e Lartë të Studimeve Ekonomike dhe Tregtare (i njohur sot si Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë) në vitin 1940. Më 1939,  duke qënë akoma një gjimnazist, Glezos mori pjesë në krijimin e një grupi të rinjsh antifashistë kundër pushtimit italian të Dodekanezëve dhe diktatura e Ioannis Metaxas.

Në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u bashkua me ushtrinë Greke në frontin shqiptar kundër Italisë, por u refuzua sepse ishte i mitur. Në vend të kësaj, ai punoi si vullnetar për Ministrinë Greke të Ekonomisë. Gjatë okupacionit të Greqisë, punoi për Kryqin e Kuq Helenik dhe komunën e Athinës, ndërsa u përfshi aktivisht në rezistencë. Svastika (kryqi i thyer) në Akropol.  Më 30 maj 1941 Glezos dhe shoku i tij tjeter antifashist Apostolos Santas u ngjitën në Akropol dhe ulën flamurin nazist. i cili kishte qenë atje që nga 27 Prilli 1941, Ky veprim i kryer prej Glezos dhe Santas frymëzoi jo vetëm Grekët, por të gjithë levizjen antifashiste greke dhe pati jehone ndërkombëtarë. Regjimi nazist i ketij akti iu përgjigj duke dënuar ata me vdekje në mungesë.Ai u arrestua nga forcat gjermane më 24 mars 1942 dhe iu nënshtrua burgimit dhe torturave. Si rezultat i trajtimit brutal në burgjet naziste ai u prek edhe nga tuberkulozi.

Veprimtaria pas luftës II Botërore

Fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk ishte fundi i fatkeqësive së Glezos. Më 3 Mars 1948, në periudhën e Luftës Civile në Greqi, atij iu bënë disa gjyqe për bindjet e tij politike si komunist dhe u dënua me vdekje shumë herë nga qeveritë e djathta. Edhe pse ende ishte i burgosur, Manolis Glezos u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek në vitin 1951, nën siglën e së majtës Demokratike të Bashkuar, i njohur edhe si EDA (Eliniki Dhimokratiki Aristera). Pas zgjedhjes së tij, i burgosur ai filloi grevë urie duke kërkuar lirimin e deputetëve të tjerë antifashistë.

Ai i dha fund grevës së urisë vetëm pa lirimit në 16 Korrik 1954.

Më 5 dhjetor 1958 u arrestua përsëri dhe vetëm pas 4 vjetësh ne 15 Dhjetor 1962 u lirua si rezultat i protestave të mëdha publike dhe zemërimit të opinionit grek dhe atij ndërkombëtar i cili i kishte akorduar atij dhe çmimin e paqes. Gjatë grushtit të shtetit më 21 prilli 1967, Glezos arrestohet së bashku me një pjesë tjetër të liderëve politikë të të majtes greke. Gjatë Regjimit të diktaturës ushtarake (Hunda) të udhëhequr nga George Papadopoulos, ai u burgos me burgim dhe internim jashtë Athinës deri kur dhe u lirua në 1971. Burgosjet e arrestimet dhe dënimet e Manolis Glezos, nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitin 1974 janë të panumërta arrijnë në 11 vjet e 4 muaj burg, dhe 4 vjet e 6 muaj internim. Bashkë me të nëpër burgje dhe internime kanë vuajtur edhe figura të tjerë të mëdha antifashiste të Greqisë si poeti Janis Ricos, e të tjerë bashkëkohës të Glezosit.

Pas rivendosjes të demokracisë në Greqi në 1974, Glezos ishte nga nismëtarët në ringritjen e partisë së tij EDA. Në zgjedhjet e tetorit 1981 dhe qershor 1985, ai u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek si deputet, me partinë e Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Në 1984 u zgjodh Anëtar i Parlamentit Evropian, përsëri me nën siglën e PASOK. Ai ishte edhe Presidenti i EDA nga 1985 deri në 1989. Ndërkohë, në vitin 1986, për shkaqe të pakënaqësisë të zhvillimeve të partisë ai u tërhoq nga Parlamenti, dhe u angazhua të zbatojë një eksperiment të demokracisë direkte me komunitetin e vendlindjes se tij Aperathu. Ky model i eksperimentuar  prej tij funksionoi për disa vjet, por pa sukses. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2000 ai kryesoi listën e partisë Synaspismos (Koalicioni) të së majtës radikale. Në 2002, ai formoi grupin politik Qytetarë aktivë (i cili është pjesë e Koalicionit të së Majtës Radikale, një aleancë me Synaspismos dhe parti të tjera të vogla të së majtës Greke) dhe kandidoi si prefekt për Atikën (gadishulli i Athinës).

Në Mars 2010, Glezos ishte duke marrë pjesë në një demonstratë proteste në Athinë, kur u godit në fytyrë nga një bombë gazi lotësjellës i hedhur nga policia. Ai u transportua i plagosur në spital. Në shkurt të vitit 2012, Glezosi udhëhoqi mjaft demonstrata proteste në Athinë dhe siç e tregojnë disa foto të asaj periudhe në përleshje edhe me policinë ai u godit dhe plagos. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2012, ai u zgjodh si deputet i partisë së Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA) dhe u zgjodh edhe deputet ne parlamentin europian duke marrë 430 000 vota, më shumë se çdo kandidat tjetër në Greqi ndonëse ishte në moshën 91 vjeçare. Qëndroi në parlamentin europian gati për dy vjet duke qenë deputeti më i vjetër në moshë dhe në korrik të 2015 ai u tërhoq nga jeta aktive politike.

Karriera jo-politike

Përveç angazhimit te tij politik, Glezos ka qenë i angazhuar si aktivist shoqëror në ruajtjen e ambientit, në ndërtimin e mjaft veprave ujore dhe shkencat gjeologjike duke marrë pjesë në ndërtimin e mjaft digave në sistemet ujore në Greqi.

Ai është shpallur doktor nderi i filozofisë në disa universitete të Greqisë si në Athinë, Patras, Selanik etj

Glezos ka qenë aktiv edhe në shtypin e shkruar grek duke shkruajtur artikuj në gazetat greke që nga viti 1942 dhe ishte redaktori i gazetave Rizospastis (Radikali) dhe i Avgi (Agimi) në vitet ’50. Atij iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Gazetarisë në 1958, Medalja e Artë Joliot-Curie të Këshillit Botëror të Paqes në 1959 dhe Çmimi i Lenin për Paqen në 1963. Ai ka botuar gjithashtu gjashtë libra në Greqisht të botuar kudo në Europë.