VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Nëna e Skënderbeut, Vjosava Tribalda, ishte puro shqiptare, nga Pollogu i Iliridës – Nga Dr.sc. Ilmi Veliu*

By | December 6, 2018

Komentet

1984 – Historia që tronditi kryeqytetin, si u hodh kosovari nga kati i 14-të i hotel Tiranës. Rrëfimi i ish-hetuesit

Në verën e vitit 1984 në qendër të Tiranë ndodhi një ngjarje e rëndë që pushteti i kohës e mbajti pothuajse të fshehtë. Nga kati i 14-të i Hotel Tiranës u hodh një person, i cili vdiq në vend.

 

I sapo ardhur nga Kosova ai ndodhej nën presionin e oficerëve të Sigurimit të Shtetit për tu bërë bashkëpunëtor por nuk e pranoi këtë dhe u hodh  nga dritarja e hotelit. Pas 35 vjetësh kjo histori vjen nga hetuesi i kësaj çështje Ferdinand Doja.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” ai rrëfeu historinë që për rastësi ishte edhe dëshmitari që e pa të gjithë skenë, por edhe e hetoi atë.

 

Ja rrefimi i ish-hetuesit

“Ishte pasdite rreth orës 18:00 dhe për koincidencë unë isha në sheshin “Skënderbej” duke ecur me biçikletë. Në atë kohë unë isha hetues në Hetuesinë e Tiranës dhe atë ditë isha i gatshëm. Papritur shikoj që nga kati i 14-të u hodh një person dhe u rrëzua në verandën e hotelit, pra në katin e dytë. Natyrisht që ai vdiq në vend. Pas pak çastesh më marrin në radio nga hetuesia. Përveçse isha dëshmitar isha edhe hetues i çështjes, një rastësi që ndodh shumë rrallë kjo.

Shkova në vendin e ngjarjes dhe bashkë me ekspertët nisëm hetimet. Personi që u hodh nga dritarja ishte i moshës 55 vjeç dhe ishte nga Kosova dhe jetonte në zonën e Mamurrasit. Ishte i martuar dhe kishte dy djem. Ishte nga ata kosovarë që erdhën në Shqipëri pas protestave të vitit 1981. Ngjarja lidhej me shtrëngimin që shefi i Degës së Brendshme të Krujës po i bënte kosovarit ta bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kosovarit i kërkonin të bëhej bashkëpunëtor për të spiunuar kosovarët që erdhën në Shqipëri.

Ai ishte marrë fshehtas nga oficerët e Sigurimit dhe për 4 ditë familja nuk dinte asgjë. Djemtë kishin bërë denoncim në policia por askush nuk u jepte përgjigje. Kosovari në fjalë nuk e pranoi kërkesën dhe nën presion e sipër preferoi vetëvrasjen.

Ai mbahej në hotel Tirana sepse Sigurimi i Shtetit kishte dy katet e fundit atje si qendër pune. Ishte një hetim delikat dhe ne akuzuam direkt kryetarin e degës për shpërdorim detyre. Kryetari u shkarkua nga ajo detyrë dhe u vu nën akuzë por me urdhër nga lart ne e pushuam çështjen”.

Dashuria e pamundur e Ramizesë, vendimi për pushkatim në shkurt ‘44 – Nga Leonard Veizi

Ditët e luftës nuk të linin kohë të mendoje për një festë si ajo e “Shën Valentinit”, të shkëmbeje dhurata të rastit apo të përcillje ndonjë puthje spontane. Kjo situatë fort romantike për një vend të pushtuar, mund të vlente vetëm për disa orë në ditën e mesit të muajit, ndërsa në të vërtetë, gjatë fundit të shkurtit ndodhi që për të dënuar dashurinë të bëhej një gjyq e të merrej një vendim: me pushkatim…

…Më siguri kjo ka të bëjë me një rastësi dhe aspak me një kalkulim. Por gjithsesi fakti ishte që Ramize Gjebreja, agjitatorja më e mirë e Partisë Komuniste do të ekzekutohej mizorisht nga një skuadër partizane, ndërsa një trim i çartur si Zaho Koka, po për të njëjtin motiv do të përjashtohej nga partia dhe do të degradohej për t’u çuar si një partizan i thjeshtë në Brigadën IV.

Dosja

Në librin e tij “Dashuri & Plumba” Dr. i Shkencave Pavllo Gjidede shkruan se dosja e Ramize Gjebresë për herë të parë është hapur në fillim të viteve ’70, por më gjerësisht ajo është bërë e njohur në vitet e demokracisë. Por ligji përcakton se për çështje intime, një dosje hapet vetëm pas 100 vjetësh. E në këtë rast, pjesa themelore ka të bëjë me një çështje intime, nga e cila ka ardhur dhe reagimi i ashpër që e dënoi atë me vdekje. 74 vite më parë, kur filloi historia e Gjebresë dhe Kokës, për Zahon flitej e shkruhej hapur. Por nuk ndodhte e njëjta gjë me Ramizenë.

Ekzekutimi në Brigadën V

Pikërisht në 6 mars të vitit 1944, kur lufta kundër trupave gjermane të Rajhut III ishte në kulmin e saj, në Brigadën e 5-të Sulmuese ndodhi ngjarja e pazakontë. Në fakt ajo ishte tragjike, por për shumë kohë nuk u konsiderua si e tillë. Më 6 mars, në një ditë me diell, por e ftohtë, kur dëbora vende-vende kishte shkrirë dhe fshati Ramicë e Vlorës nuk ishte më aq i bardhë sa më parë, një vendim i gjyqit partizan të Shtabit të Brigadës duhej zbatuar medoemos. Morali partizan ishte “shkelur” me të dyja këmbët. Dy prej luftëtarëve për çlirim po shkonin gjithnjë e më shumë drejt “degjenerimit”. Po në të njëjtën kohë, forcat kundërshtare të Ballit Kombëtar proklamonin me të madhe se në jetën partizane kishte një ndjenjë të fortë amoraliteti. E gjithë kjo dukej ndaluar, me hir a me pahir. E që gjithçka të merrte fund sa më shpejt, u sakrifikua jeta. Pushkatohet një nga eksponentët më të rëndësishme të luftës, Ramize Gjebrea. Vendimi i kobshëm ishte dhënë gati 10 ditë më parë, në fundshkurtin e po atij viti, por vetëm atë ditë marsi u krye ekzekutimi.

“Interesantja” e bukur

Në një intervistë të tij dhënë vite më parë për autorin e shkrimit, Mato Hasamataj, dikur partizan 15 vjeçar në Brigadës V, ka rrëfyer se Ramize Gjebrenë e ka njohur gjatë përurimit të Brigadës së 5-të, më 20 janar 1944. Atë ditë ajo kishte përgatitur një fjalim, që u ngriti zemrat peshë luftëtarëve të lirisë. “Ishte e re, e bukur dhe kishte një elokuencë që të habitte”, shprehet Mato Hasamataj. Por duket se gjatë kësaj periudhe, bukuroshja që ishte pagëzuar me pseudonimin “Interesantja”, dhe që ishte e fejuar me një nga kuadrot kryesorë të partisë siç ishte Nako Spiru, kishte ndjenja të veçanta dhe për një nga trimat e Brigadës, Zaho Kokën. Dyshimet në ishte një dashuri e mirëfilltë, apo një ndjenjë e pastër shoqërore, janë debatuar gjatë në qarqet politike të kohës. Por më në fund u vendos që akuza të bazohej tek një letërkëmbim i të dyve.

Nga ditari personal

Studiuesi Pavllo Gjidede, i cili është marrë gjatë me hetimin e kësaj historie, ka mundur të nxjerrë në dritë dhe një pjesë nga ditari personal i Ramize Gjebresë. Në ditarin e saj janë shkruar këto fjalë: “Sot do të shkruaj dhe për ndjenjat e mia. Në të vërtetë kam dëshirë, që edhe sot, edhe nesër të më kuptojnë shokët dhe shoqet. Secili ka dëshirë të pëlqehet dhe të kuptohet. Edhe unë për të krijuar një lidhje të re me njerëzit… S’më kanë parë sytë djalë si ky! Më duket sikur jam rritur me të. Më pëlqen ta dëgjoj kur flet… Megjithëse e qortoj veten për shkujdesje, përsëri më tradhtojnë sytë, kur i kryqëzoj me sytë e Zahos”. Dhe duket se kjo shkujdesje ka sjellë dhe pjesën tjetër të problemit tragjik.

Morali i luftës

Çështja e dashurisë së “paligjshme” të Ramize Gjebresë me Zaho Kokën, kishte shkuar deri në Shtabin e Brigadës. Mato Hasamataj thotë se “morali partizan” ishte një ligj i pashkruar, por gjithsesi shumë i rreptë në ato vite të vështira lufte. “Në të njëjtën kohë, nga kundërshtarët politikë të Ballit Kombëtar, përflitej më së shumti se në mal bëhej nami mes partizanëve, të cilët kishin pranuar të merrnin me vete edhe femrat. Për t’iu shmangur një gjëje të tillë, që kishte gjasa të përhapej edhe tek ata që ishin në mëdyshje të veprimtarisë partizane, ishte vendosur që në të tilla raste të mbaheshin qëndrime të rrepta”, është shprehur në intervistën e tij, Mato Hasamataj.

Thirrja për gjyq

Gjithsesi fjalët se mes Ramizesë dhe Zahos kishte “diçka”, po qarkullonin rëndom. Mirëpo Ramize Gjebreja ishte një nga përfaqësueset e Seksionit Politik të Brigadës e për rrjedhojë cilësohej si një nga kuadrot kryesore të saj. Për t‘i vënë “frerin” një dashurie që mund të krijonte dhe probleme të tjera, krerët e Brigadës në atë kohë, morën vendimin për të bërë një gjyq ushtarak. Shtabi i Brigadës së 5-të e kishte rezidencën e vet në shtëpinë e Zotajve në Ramicë. Zaho Kokën e thirrën me urgjencë nga Vunoi. Ndërsa Ramizenë e njoftoi Hito Çako për t’u paraqitur në shtab. Erdhi ora e gjyqit. Të dy me uniformën e partizanit, qëndronin në këmbë, të shtangur e duarlidhur.

Mospranimi i akuzës

Mato Hasamataj ka rrëfyer se ai ka qenë dëshmitar i një ndodhie për të cilën emocionohej sa herë e kujtonte. Ai thotë se pjesëmarrës në gjyqin e Ramizesë dhe Zaho ishin: komandanti i Brigadës, Shefqet Peç; komisari, Hysni Kapo; zëvendëskomisari, Manush Myftiu. Ishin gjithashtu: Tanush Shyti, Zenel Hamiti, Ramadan Xhangolli, Saliko Sulo, Liri Gega, Stoli Lipivani, Bilbil Klosi, Hito Çako dhe Veis Pipa. I ftuar i Komitetit  Qarkor të Vlorës, Pajo Islami. Shumica e tyre ishin kundër një vajze 21-vjeçare dhe një djali 24-vjeçar. I pari ishte Tanush Shyti ai që parashtroi arsyet se përse po gjykohej Ramizeja dhe Zahoja. Më pas nisi procesi. Ka qenë komandanti i Brigadës, Shefqet Peçi, i cili bëri dhe akuzën e drejtpërdrejtë: “Ke shkelur ligjin e shenjtë partizan”. Ramizeja nuk e ka pranuar. “Jo, asnjëherë”, është shprehur ajo. Akuzohej se kishte shkuar me Zahon dhe se duke qenë e fejuara e Nako Spirut e kishte tradhtuar atë.  Madje akuza thoshte se kishte një raportim se më 20 shkurt Ramizeja ishte parë… me Zahon. Ramizeja kërkon që dëshmitari ta dëshmojë në sy atë që ka parë. Madje në këtë gjyq Ramize Gjebreja deklaron se marrëdhëniet e saj me Zaho Kokën ishin të pastra dhe ajo nuk e kishte tradhtuar të fejuarin e saj Nako Spirun. Pasi e çojnë në një dhomë tjetër Ramizenë, gjyqi vazhdon me Zaho Kokën. E njëjta akuzë: “shkelje e moralit partizan”. Zaho nuk pranon të ketë marrëdhënie me Ramizen. Por Shtabi kishte marrë edhe masa të tjera. I tregojnë disa letra. Zaho u thotë se të tilla letra kishte dhe të tjera në çantën e tij, të cilat mund t’i bënte publike.

Letra e Enverit

Për 10 ditë rresht Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka janë mbajtur të izoluar në dhoma të ndryshme. Ekzekutimi i krye në 6 mars ’44. Thuhet se dy orë më vonë në Shtabin e Brigadës së 5-të mbërriti një letër e Enver Hoxhës ku urdhërohej: “Asnjëri të mos ekzekutohet”. Ka mbërritur apo jo një letër e tillë, është pak e besueshme. Studiuesi Pavllo Gjidede vë dyshimin vërtetësinë e këtij thashetheme pasi sipas tij asgjë arkivore nuk e pohon një gjë të tillë. Megjithatë në Arkivin Qendror të Shtetit ndodhet një letër e firmosur nga Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, drejtuar Nako Spirut ku shkruhet: “… Megjithëse djallja (lexo Ramizeja) s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë ishte shumë i rëndë. Çështja e dashurisë së lirë është shumë delikate dhe shokët nuk e kanë kuptuar… Shokët e Brigadës, të alarmuar, panë punën që kishte bërë Ramizeja… dhe morën atë vendim të shpejtuar, pa pyetur Komitetin Qendror”.

DËSHMIA

Ramizen kërkuan ta qëllonin pas shpine

Në intervistën e tij Mato Hasamataj ka rrëfyer gjithçka ndodhi atë ditë dimri, kur përpara 400 partizanëve u pushkatua Ramize Gjebrea. Ishte 6 mars 1944. Dimri ende nuk kishte dalë, ndërsa një pjesë e lëndinës ku ishin rreshtuar dy batalionet e Brigadës së Pestë, vazhdonte të mbulohej pjesërisht nga dëbora. Diku nga ora 10 e mëngjesit u dha urdhri për rreshtimin e Batalionit I  dhe II, pasi tre batalionet e tjera të Brigadës ndodheshin me misione të tjera. “Për shkak se isha inkuadruar në skuadrën e parë të Batalionit të Parë, isha në fillim të rreshtit dhe e pashë të gjithë ngjarjen nga afër”, ka dëshmuar Mato Hasamataj. Sipas tij, fillimisht partizanët kanë menduar se do të shkonin në ndonjë aksion. U rreshtuan dhe qëndruan në pritje. Përpara dy batalioneve doli shefi i Sektorit Politik të Brigadës, Hito Çako. Ndryshe nga ç’e pritnim, ai filloi të fliste për moralin partizan dhe më në fund përmendi emrat e Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës. “Isha i pari në rresht nga e djathta, ku shihej dhe fshati. Pashë të vinte Ramize Gjebrea e shoqëruar nga dy partizanë dhe me duar të lidhura. Nuk mund ta besoja që një nga kuadrot kryesore të Brigadës, e cila kishte fituar simpatinë e të gjithëve, të ndodhej përpara nesh në ato rrethana. Po në të njëjtën kohë Hito Çako u shmang dhe u fut mes radhëve të Batalionit. Në të majtë, në fund të Batalionit II, dolën tre partizanë: dy meshkuj dhe një femër dhe drejtuan armët për nga Ramizeja. Ne të gjithë mbetëm të shtangur. Ramizeja ishte e vetme përballë tytave të tyre dhe iu drejtua: “Prisni, more shokë, ç’bëni kështu”. Por në fakt ata të tre ishin shumë të irrituar. Qëlluan në ajër dhe kërkuan që të kthehej pas. Ramizeja, kur e pa që s’kishte rrugë shpëtimi, iu drejtua: “Mos qëlloni nga mbrapa. Plumbat tuaj unë i pres ndryshe… Qëllomëni!” Dhe ata e qëlluan. Të gjithë skenën makabre e kam përpara sysh edhe sot.”, ka rrëfyer Mato Hasamataj.

Leonard Veizi/ DITA

Ramize Gjebreja, (e dyta, ne këmbe, nga e djathta)

DIKTATURA DHE SHKOMBTARIZIMI – Nga Fritz RADOVANI

EDHE  “RILINDJA” ASHT  VETVRASJE !

“Rilindja” asht fjala ma mashtruese sllavokomuniste ballkanike dhe anadollake!

Të gjitha recetat i gjeni tek libri i Kol Bib Mirakaj “VETVRASJA E NJË KOMBI”!

Rusia po eksperimenton me injoranta pasanikë komunizmin kapitalist të shek. XXI…

Shqipnia gjithmonë laboratori i qeverisjes së të droguemve me “marksizem” aziatik!

Një mbretni errësine, ku çdo dritë apo shkëndi e saj shuhet me dhunë e vrasje!

Shkëlqen deri në marramendje e çmendi vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”.

Drita që shpërndanë ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta e të pandryshueshme, pra nënkuptohet të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”.

Ai asht “dija e pafund”!… Edhe njerzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë mbasi janë takue me até. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësimi ashtu si e “donte” ai, kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të kushtonte me kokë…Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata mendime ishin “udhërrëfyese” për secilin shtetas kjoftë dhe “ prof. akademik”.

Fotografia e tij ishte në krye të vendit!.. Kudo, në zyre, rrugë kryesore, shkolla e edhe në mjaft shtëpija…jo vetëm komunistësh por edhe njerzish të thjeshtë…

Bustet e statujat e tij mbizotnonin qytetet e vendit! “Veprat” e tij kudo, po po kudo!

Komunizmi në Europë asht kenë në disa “tonacione” të tij, po të flasim me gjuhën e piktorve… Rusia e kishte të kuq në të verdhë, …Italia rozë, Franca pak ma të mbylltë se Italia, Gjermania lindore ma të çiltë se e kuqja e vendëve tjera Lindore, Vendët Baltike e kishin të kuqen mjaftë të fortë…Vendët ballkanike edhe ma të fortë se të tjerët… ndërsa, na në Shqipni e kishim ngjyren e kuqe të gjakut të freskët… që lante pa kursim zallishtat pra: “Të një komunizmit real totalitar stalinjano – enverjan”!..

Na ishim një laborator hermetik ku eksperimentohej çdo “mendsi” e çmendi e kësaj teorije të shëmtueme antinjerzore, ku qenja mbi të cilën bahej prova ishte “një shifer” …, por kurr i quejtun as formalisht “njeri”! Mbas vendimëve të Jaltës, ku Ruzvelti ndau zonat e influencës në Botë me Stalinin dhe me “vezhgues” Çiurçillin, komunizmi u nda në Evropë në tre tipare të përaferta, por kurr të barabarta…

Rusia, Kina dhe Shqipnia nuk kanë ndryshue ngjyrë fare njeni nga tjetri, mbasi duhej ruejtë “tansia tokësore” me armë në dorë, për vetë faktin e përbamjes etnike të tyne.

Rusia ishte shumëkombesh e besimesh shumë ma kontradiktore se Kina. Kina shumë e pakuptueshme… Tibeti, Mongolia, Tajvani, Shangai, Hongkong…si t’ishin instalue nga kontinente të ndryshme në atë vend aq të largët, por me baza kulture mijra vjeçare. Shqipnia, me tre besime që u mbështetëshin nga fqinjtë për të sigurue sundimin e tyne…si orthodoksët nga sllavët dhe myslimanët nga lindorët, për të zhdukë çdo element Shqiptar Europjan Katolik! Pra, përveç kenjes “pakicë” popullsia Katolike, ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe veprimet e përbashkëta të tyne, për çkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta Europjano Përendimore, ku pjesa Katolike kishte krye universitetet dhe shkollat e nevojshme dhe ku ishte përgatitë e formue edhe Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, vetëm me punën e palodhun dhe sakrifica të pashkrueme asnjëherë nga askush shkollat e kulturës Europjane që në vitet 1460… Kjo bahej vetëm nga zilia apo smira dhe kenja inferior ndaj këtyne shkollave si nga ana e shumë Myslimanve, si nga ana e Orthodoksve, që mbizotnonin pjesën jugore të vendit tonë si dhe Kryeqytetin e saj, ndonse ishte i ndodhun në Veri formalisht… dhe, që asht qendra politike, sociale dhe ekonomiko “kulturore” e vendit, aty ku ka qytetnim.

Ja pra, pse Shkodra nuk u ba Kryeqyteti i Shqipnisë!

Asnjëherë nuk duhej prekë interesi sllav që sundonte tokat tona, si Kosoven, Hotin, Gruden dhe zonat e Tivarit e Ulqinit nga Mali i Zi… mbasi bashkimi i Tyne me trojet Shqiptare do të fuqizonte edhe katoliçizmin, gja e cila nuk i ka interesue kurr as Serbisë, as Greqisë, as edhe Rusisë dhe as Turqisë, ndërsa mbas Luftës së Dytë Botnore as protestantizmit Europjan e, kjo vërtetohet nga lanja e Evropës Lindore, nën thundrën Ruse. Për këte arësye unë në librin “Një Monument nën dhé” kam shkrue:

“Sigurimi i shtetit  vëpronte kështu se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovenistët sllavo – aziatikë. Torturat mizore të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë”, edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari! Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye përtokë dhe mandej, qetësohej e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në gjakun e pastër të prehës së tij….” (“Yjet e Kombit” faqe 61.)

Kjo asht arësyeja e vërtetë e masakrave të bame që në Janarin e vitit 1945, mbi trupin e Atdhetarit Shkodranë, Klerikut, publiçistit, shkrimtarit, poetit dhe disave nga të parët Demokrat t’ Opozitës Shqiptare të vitit 1924,.. E, kjo vazhdoi jo një e dy dekada, por 47 vjet pandërpremje me të gjithë Ata Atdhetarë Shqiptarë që guxuen me thanë se “jam Demokrat” ose edhe jam “vëlla me Katolikët” si, Muzafer Pipa, Qemal Draçini, Fahri Rusi, Xhevat Korça, Myfit Q.Bushati, Arshi Pipa, Ragip Meta, Bardhosh Dani, Elez Troshani, Sami Repishti etj., që vuejtën me vite e vite të tana nder burgjet komuniste.

Komunizmi asht vetëm një propagandë fund e maje vetëm rrena apo gënjeshtra.

Komunizmi asht sistemi i sundimit ma përbindsh i Shekullit XX dhe XXI.

Terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” arrinë me këthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin një dorë naltë, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort e, që asht dora e diktatorit që mbjellë frikë, terror, pasiguri, dhe kërcnim tue shpërba edhe pamjen e tyne si njerëz… Sa Shqiptar sot kanë harrue se ka vdekë Ramiz Alia?!

Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sëpse aty gjenë terrenin e vet me mashtrue me parullen ma të njohun por, edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”.

Ndersa,  fshatarët analfabet i siguron me hy në vathën e tij, me kopshtijet e drogës, që asht praku i kapercyllit për vetshfarosjen me zhdukje, me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe false të “popullit” , tue shfarosë krejt brezin e vjetër të kulturuem dhe përparimtar dhe, tue e zëvendsue ate me kastën e “re” të paditun dhe pa kurrfarë tradite për me organizue shtet. Shembulli ma i sakti sot asht “Rilindja”

Kështu, në mënyrë të vetdijshme pranojnë humbjen e Lirisë, si një “dhuratë” për këdo që do me jetue…tue pranue si të ligjëshme edhe dhunimin dhe shkeljen e të drejtave e Lirive të njeriut, gjoja “të mbrojtuna” vetëm ndër letra nga shumë institucione ndërkombëtare. E gjithë kjo “betejë” që ka vetëm një qellim: “Marrjen e Pushtetit me dhunë” dhe qeverisjen e gjithë popullit nga një dorë marksiste – leniniste terroriste, që u realizue në Shqipni nga jugosllavët me kriminelin anadollak Enver Hoxha, ka pasë një mbështetje të fuqishme dhe shumë të organizueme në Sigurimin e Shtetit dhe metastazat e tij në çdo skutë të vendit…Në këte organ të shemtuem grumbullohen të gjithë ata që nuk kanë asnjë tipar të dukshëm ose të mbrendshëm të njeriut. E kjo qeverisje po vazhdohet edhe sot nga bijt’ e tyne, që nuk i lanë asgja mangut baballarve.

Brajan Capmen thotë: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbjellët përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Mbasi të rilexoni edhe njëherë këte citat keni me kuptue se, cila kje arësyeja që Enver Hoxha me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës, vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, e mbajti 47 vjet nën diktaturë komuniste, tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit agjenta dhe torturuesit apo organet e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne vrasësve, të gjithë të lindun, të rritun dhe edukue nga “shkolla e re socialiste” e kudondodhun…

Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia nëpërmjet të dhunës që ushtrohej nga institucioni ma i paligjshëm i tij Sigurimi komunist, vetëm mbi një parim friksimi, kërcënimi dhe shtypje të pashoqe, sëpse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të vitit 1967 në qytetin Martir të Shkodres.

Ata ishin zagar qe hanin njerzit e shtëpisë, prandej edhe duheshin vra tha “njeni”. Fakti asht se sot ka mjaft Burra që u distancuen nga kjo kolerë antikombtare…

Me shkatrrimin e Kullave të Veriut, të Prek Calit, Luigj Gurakuqit, At Fishtës, Osman Kazazit…Shqiptari humbi tiparët e Tij Shekullore, Burrni, Besë e Bujari.

Ja vendi ku u shembë Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon e traditë mija e mija vjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste e ateiste, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare.

Rruga që po ecë Populli Shqiptar asht rruga e shperbamjes perfundimtare Atdhetare!

Paturpsisht “Rilindasit” dëbuet nga Alpet tona “Lahuten e Maleve”…

Dhunuet Gjuhen Gegënishte Shqipe të folun nga shumica e Popullit Shqiptar!

Zhdukët nga faqet e lavdishme të Historisë së Shqipnisë, Burrat që bane Historinë:

Dedë Gjo Lulin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Imzot Luigj Bumçin, At Fishten…

Fshijtë nga fletët e Letersisë Shqipe të Veriut mbi 60 pena t’ arta… Atdhetarësh! 

***

Populli Shqiptar i njohun në Europë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së Atdheut si dhe, të Drejtave njerzore: Të Madhin Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë… “Në mes të Europës”… por jashta Saj!..

Melbourne, 14 Shkurt 2019. 

Traktati i Versajës po e përndjek ende botën tonë

Një shekull më parë, u mblodh konferenca e paqes që hartoi Traktatin e Versajës. Ishte një kohë e shpresave. Lufta e Parë Botërore, e quajtur ndryshe Lufta e Madhe, Lufta që duhej t’i jepte fund Luftës dhe Lufta për Demokraci, për fat të mirë kishin përfunduar.

Konflikti më i rëndë në historinë moderne kishte shkaktuar vdekje të shumta, shkatërrim dhe kaos. Tani do të ndërtohej një botë e re. Mjerisht, ne jetojmë ende dhe vuajmë në atë botë. Inxhinierët e sotëm socialë, s’mund të krahasohen me megalomaniakët dhe hipokritët që në fillim të vitit 1919, u përpoqën të riorganizonin globin me fantazitë e tyre.

Në këtë mënyrë, ata mbollën “farat” e Luftës së Dytë Botërore një brez më vonë, si dhe të konflikteve të panumërta më të vogla në dekadat pasuese. Trashëgimia e tyre, na paralajmëron për “sirenat” moderne, që këmbëngulin se përgjegjësia e Amerikës është ta riorganizojë botën, edhe përmes luftës nëse është e nevojshme.

Më 28 qershor 1914, serbi Gavrilo Princip, i armatosur nga zyrtarët e qeverisë nacionaliste, qëlloi ato që mund të jenë 2 të shtënat më të rëndësishme të historisë, kur vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez në rrugët e Sarajevës në Bosnje Hercegovinë. Princip zgjoi kësisoj frikërat, urrejtjet, ambiciet dhe fantazitë e Evropës, dhe brenda disa javësh ushtritë u nisën për luftë.

Konfliktit iu bashkuan edhe kombet më të largëta, veçanërisht SHBA-ja dhe Japonia. Princip nuk i mbijetoi luftës, duke vdekur nga tuberkulozi në burg, por akti i tij shkaktoi të paktën 20 milionë njerëz të vdekur, shkatërroi 4 perandorie të vjetra, solli një rrënim të madh ekonomik, një zhvendosje të muliona njerëzve, lëvizje të shumta të dhunshme revolucionare aktive dhe të rrezikshme, dhe konflikte që ende ziejnë në Lindjen e Evropës, në mbarë Rusinë, dhe në të gjithë Kaukazin dhe Lindjen e Mesme.

Më 18 janar 1919, aleatët u mblodhën në Paris – megjithëse traktati do të nënshkruhej në qershor në pallatin e Versajës, shumica e negociatave u zhvilluan në mjedisin e zakonshëm të ministrisë së Jashtme të Francës. Kryeministri francez Zhorzh Klamanso, një nacionalist i ashpër dhe i pamëshirshëm, i cili ruajti një pjesë të madhe të meritës për fitoren e kombit të tij, pranoi: “Bërja e paqes, është diçka më e vështirë se sa lufta!”.

Në dallim nga pasojat e Luftërave Napoleonike, humbësit u përjashtuan nga konferenca. Në fakt, Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane pushuan së ekzistuari dhe dinastia Hohenzollern ishte shuar. Ndaj përfaqësuesve të shteteve të tyre pasardhëse demokratike, më e rëndësishmja Gjermania, duhej te kishte më shumë diktat sesa mirëkuptim.

Historia e pesë muajve të ardhshëm, është rrëfyer në detaje të tmerrshme. Kryeministri i Italisë, Vitorio Orlando, kryeministri i Britanisë së Madhe, Dejvid Lloid Xhorxh dhe presidenti i Amerikës, Udrou Uillson, e dominuan atë konferencë. Uillson e ricilësoi luftën si një kryqëzatë, dhe shumë njerëz u fokusuan tek idealet për të cilat ai foli.

Një Uillson frymëzues, i ndershëm, por i paditur mbi shumë çështje, do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm. Homologët e tij realpolitikë, u lodhën me pretendimi i tij për të folur në emër të njerëzimit. Klemanso i shpotiti 14 pikat e tij të famshme, duke thënë: “Vetë Zoti kishte vetëm 10 urdhëresa!”.

Uillson e pranoi më vonë, se nuk e dinte që miliona gjermanë etnikë mbetën në rajonin e Sudeteve në Çekosllovaki. Dy dekada më vonë, statusi i tyre u bë justifikimi i Adolf Hitlerit për pushtimin e atij kombi. Përkundër retorikës, shumica e pjesëmarrësve luftuan për interesat e kombeve apo njerëzve të tyre.

Konferenca ofroi mundësi për një plaçkitje të madhe, dhe për plane madhështore për inxhinieri sociale. Gjermanët do të detyroheshin të paguanin për të gjitha kostot e luftës, pavarësisht nga përgjegjësia e përbashkët për fillimin e konfliktit. Do të krijoheshin shtete të reja etnike, me popullsi të grupimeve të pakënaqura në anën e humbësve.

Disa nga këto njësi të reja, veçanërisht në Lindjen e Mesme, do të shndërroheshin në koloni në formën e “mandateve”, mbi të cilat Uillson u përplas me të tjerët për përgjegjësitë formale. Dhe Lidhja e Kombeve e Uilsonit, do të shfrytëzohej për të zbatuar paqen e fitimtarëve në vitet në vijim.

Kritikët ishin të shumtë. Marshalli francez Ferdinand Fosh, komandanti i aleatëve në fund të luftës, donte kushte më të ashpra. Ai u ankua:”Kjo nuk është paqe. Ky është një armëpushim për vetëm 20 vjet”. Gjenerali i Afrikës së Jugut, Jan Smuts, i cili ishte pjesë e delegacionit në konferencë dhe u bë kryeministër pak pas kthimit të tij, kritikoi ashpër duke e detyruar Gjermaninë të nënshkruante nën “majën e bajonetës”, duke shtuar se për “rend të ri dhe më të ndershëm ndërkombëtar, nuk janë shkruar fjalët më të mira në këtë traktat”

Xhon Mejnard Kejnes, përpara se të fitonte famën botërore në ekonomi tha:”Fushata për t’i faturuar Gjermanisë të gjitha shpenzimet e përgjithshme të luftës, ishte një nga veprimet më të pazgjuara politike për të cilën kanë qenë ndonjëherë përgjegjës burrështetasit tanë”.

Mjerisht, skema e Rube Goldbergut, e krijuar nga planifikuesit arrogantë, u refuzua gati menjëherë. Në terren, nacionalistët i injoruan deklarata e liderëve të huaj, që po nënshkruanin dokumente në Sallën e Pasqyrave, të hartuara qindra e mijëra kilometra larg.

Pavarësisht nga fitorja e madhe e aleatëve, nuk do të kishte ekspedita ushtarake, për të imponuar zbatimin e çdo mase ndërshkuese dhe kufizuese të traktatit. Rusët u përjashtuan, teksa një luftë e hidhur, brutale civile, e konsumoi territorin e saj të madh.

Pavarësisht ndërhyrjes me gjysmë-zemërim të aleancës, shteti bolshevik triumfoi, duke krijuar një kërcënim të ri në lindje. Amerikanët u zhgënjyen si me evropianët ashtu edhe me presidentin e tyre. Uillson kishte negociuar, pa u konsultuar me senatorët republikanë, të cilët hodhën poshtë kërkesën e tij të tipit ‘gjithçka ose asgjë’, duke e lënë Amerikën jashtë Lidhjes së Kombeve të lavdishme.

Francezët dhe belgët ishin të frustruar. Të vendosur të dobësonin Gjermaninë, ata synuan të përforconin shumë diktatet e Versajës mbi gjermanët e pabindur. Por me kalimin e kohës, e panë veten të vetmuar. Britanikët ishin të zhgënjyer, të bindur se mbështetja e Berlinit do të ishte një politikë më e mirë, dhe shumë shpejt nuk pranuan të mbështeste aleatët e tyre.

Italianët ishin fitues, por megjithatë të pakënaqur, dhe së shpejti u kthyen tek Benito Musolini.

Ç’është më e rëndësishmja, gjermanët ishin të zemëruar, pasi nuk kishin asnjë fjalë mbi fatin e tyre. Opozita ndaj Versajës, mblodhi dy mbështetësit dhe kundërshtarët e rendit të ri të dobët demokratik, por shumica përfituan nga ky i fundit.

Qeveritë gjermane i kundërshtuan kushtet e traktatit, dhe kërkuan ripajtimin, ndërsa sistemi politik u fut në krizë në mesin e Depresionit të Madh, me rritjen si të nazistëve ashtu edhe komunistëve. Më 30 janar 1933, vetëm 14 vjet pasi ata në Versajë u mblodhën për të ndërtuar një rend të ri paqësor, Adolf Hitleri u bë kancelari i kombit më të pasur, më të populluar dhe më të militarizuar në Evropë. Pjesa tjetër, siç thonë ata, është histori.

Nga fundi i viteve 1930, shumë nga kërkesat e Versajës u reduktuan në letra të vdekura nga agresioni gjerman, dhe neglizhenca e aleancës perëndimore. Tragjikisht, fituesit kishin rënë midis dy zjarreve, të gatshëm që as të mos impononin një lloj paqeje kartagjenase, dhe as të pajtoheshin me republikën e re demokratike.

Rrjedhja globale e ngjarjeve, zhduku edhe aspekte të tjera të rendit të Versajës. Dhe fundi i Luftës së Ftohtë, dhe shembja e Bashkimit Sovjetik do të përfundonte me shkatërrimin e Versajës. Kolonitë de fakto të Moskës ishin çliruar. Ballkani u riorganizua në atë që gjermanët shumë kohë më parë e kishin quajtur “Saisonstaaten”, ose “shtete për një sezon”, duke u transformuar dhe zhdukur.

Ironikisht, ajo që doli prej andej, duket shumë si traktati i urryer Brest-Litovsk, i imponuar nga Gjermania perandorake ndaj bolshevikëve që po luftonin. Ai forconte dominimin gjerman dhe shkatërroi Perandorinë Ruse, duke çliruar 11 kombe nga kontrolli sovjetik (megjithëse ato priteshin të ishin subjekte, madje edhe vasale të Berlinit).

Traktati u shmang nga aleatët, edhe pse sot edhe Brest-Litovsk, duket më realist se sa Versaja.Një proces i ngjashëm i shpërbërjes e shndërroi Lindjen e Mesme. Libani, Siria, Iraku, Izraeli, Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit, u shkëputën nga rrënojat e Perandorisë Osmane dhe plani britaniko-francez.

Gradualisht aleatët u detyruan të largoheshin pas Luftës së Dytë Botërore, dhe nacionalizmit arab në rritje. Shtetet ekzistuese mundën të mbijetojnë, por jo si sisteme të qëndrueshme, të bashkuara, demokratike. Disa mundën të përfundojnë si vende vetëm me emër.

Se si do të kishte evoluar rajoni në mungesë të përpjekjeve të “paqebërësve” aleatë, kjo është e pamundur të dihet. Por do të kishte kërkuar përpjekje, dhënia e rezultateve më të këqija.

Megjithatë, një shekull më vonë, zërat vazhdojnë të këmbëngulin që Uashingtoni të angazhohet në ndërhyrje ushtarake shtesë, vizatim të linjave dhe inxhinierinë sociale globale. Le të shpresojmë se udhëheqësit politikë, do të mësojnë përfundimisht nga përvoja katastrofike e vitit 1919.

Shënim: Dag Bandou, është anëtar në Institutin Kato. Ai ka qenë ish-ndihmës special i presidentit Ronald Regan, dhe autor i librit “Çmenduritë e huaja:Perandoria e Re e Amerikës”./ The American Conservative – Bota.al

Xhevat Korça – Përballja në qeli me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun: Enver Hoxha do t’ju hajë kokën

Historia e një qëndrestari të rrallë në burgjet komuniste. Si u fut në grevë urie në burgun e Burrelit dhe nuk pranoi ta ndërpresë edhe pas kërcënimeve të Kadri Hazbiut, por as pas lutjeve të Padër Mëshkallës dhe Gjergj Kokoshit…

 

Xhevat Korça, avokat e professor, ish Ministër i Arsimit, i dënuar në gjyqin special në vitin 1945 me burgim të përjetshëm, pasi ishte kërkuar për të dënimi me vdekje nga Bedri Spahiu, ka një prej historive më domethënëse të qëndresës antikomuniste. Jeta e tij pati fund tragjik, por ngjarjet e viteve të burgut dhe dëshmitë që vijnë për të nga ajo kohë, na japin sot, leksione  të mëdha për qëndresën, idetë progresive dhe guximin.

Mes dëshmive të shumta të bashkëvuajtësve të tij, në qelitë e Burgut të Tiranës e më pas të burgut të Burrelit, do të veçojmë disa: një takim domethënës me Mehmet Shehun në Tiranë, përballjen me drejtorin e burgut të Burrelit kur nisi grevën e urisë, një debat të fortë më Kadri Hasbiun dhe momentet e ditëve të fundit të jetës, ndërsa shokët e vuajtjeve përpiqeshin ta bindnin që ai të mos e sakrifikonte veten me greve urie…

***

I mbyllur në kaush, në Burgun e Tiranës pas gjyqit special, Xhevat Korça u përball një ditë me Mehmet Shehun, me të cilin kishin shkëmbyer një bisedë në kufijtë e debatit politik. Sipas dëshmive të të burgosurve të pranishëm, Mehmet Shehu ishte futur në kaushin ku e mbanin të izoluar Xhevat Korçën dhe me qesëndi i kishte thënë: Eh more Xhevat Korça, u binde tani se ne luftuam për kauzën e drejtë, kurse ju e kishit gabim?

Pas kësaj pyetje, kishte nisur një replikë, ku Mehmet Shehu i drejtohej me “Xhevat” dhe ky i fundit me “zoti ministër”. Duke diskutuar për teoritë e marksizmit, Mehmet Shehu i ulur në krevatin portativ të të burgosurit, i impresionuar nga përgjigjet dhe argumentet e Xhevat Korçës, fillon t’i drejtohet “profesor”. Pas kësaj, edhe Xhevat Korça i drejtohet në emër “Mehmet”.

Të gjithë të burgosurit e pranishëm, por edhe shoqëruesit e Mehmet Shehut, po ndiqnin me interes debatin teorik mes të dyve. Më tej, diskutimi ishte shtrirë në fushën e zbatimit të revolucionit të Tetorit, në Bashkimin Sovjetik. Pasi Mehmet Shehu e kishte dëgjuar me kujdes, kishte pyetur: “Po ti profesor, si e njihke kaq mirë Revolucionin e Tetorit?”

Shehu shtangu kur dëgjoi përgjigjen e Xhevat Korçës: “E ke lexuar ti Mehmet, librin  “Dhjetë ditë që tronditën botën”, të John Reed-it? E pra, dije se unë e kam përkthyer.

Atëherë Mehmet Shehu i kishte thënë: “…duke e njohur kaq mirë teorinë komuniste, si u gabove e nuk u bëre me ne?”

Atëherë, Xhevat Korça ia kishte kthyer: “Pikërisht, ngaqë e njoh kaq mirë teorinë dhe zbatimin në Rusi të kësaj teorie, u bëra antikomunist i vendosur!”

Kjo përgjigje e kishte xhindosur Mehmet Shehun, i cili, sipas dëshmive, ishte ngritur vrik nga shtrati portativ, i kishte hedhur një vështrim hakërrues profesorit të burgosur dhe ishte larguar pa thënë asnjë fjalë.

***

12 vjet më vonë, një tjetër përballje do të nxirrte në pah vlerat më të larta njerëzore e intelektuale të Xhevat Korçës. Ai ndodhej i izoluar në burgun e Burrelit. Pasi ja kishin kthyer dënimin me vdekje në dënim të përjetshëm, ai vijonte me qëndrimin e tij të paepur edhe në qelitë e Burrelit.

Kushtet aty ishin çnjerëzore, uria e tmerrshme, dhe kujdesi mjekësor pothuajse zero. Një ditë, Xhevat Korça i drejtohet prerë drejtorit të burgut, duke i kërkuar të ndërhynte menjëherë, për për të përmirësuar kushtet dhe për të plotësuar të drejtat themelore të të burgosurve, e nëse nuk do i përmirësonin kushtet, ai do të vetëflijohej duke filluar grevën e urisë.

Dy ditë më vonë, ndërsa bashkëshortja me djalin e tij, me pak ushqime me vete, prisnin ta takonin Xhevatin, gardianët e njoftojnë drejtorin e burgut për ardhjen e tyre, por edhe që i burgosuri kishte nisur grevën e urisë.

Drejtori i burgut kishte shkuar tek i burgosuri dhe e kishte kërcënuar t’i jepte fund grevës që kishte nisur. Por Xhevat Korça i ishte përgjigjur se nuk lëkundej nga vendimi që kishte marrë. “Ju kam thënë se do t’ju kundërvihem me grevën e urisë. Kjo është e vetmja armë që kam dhe nuk heq dorë. Por lërmëni t’i takoj për herë të fundit gruan dhe djalin tim”, i kishte thënë ai.

Drejtori i burgut, duke menduar se do ta thyente, nuk e lejoi të takonte familjarët, duke shpresuar se të nesërmen Korça do të tërhiqej nga vendimi që kishte marrë. Por ai nuk u tërhoq as të nesërmen, e as më vonë.

Dy ditë pas nisjes së grevës, drejtori i burgut të Burrelit kishte njoftuar për ngjarjen e pazakontë drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrinë e Brendshme.

Menjëherë pas kësaj, në Burrel, mbërrin me urgjencë Kadri Hazbiu, i cili urdhëron që t’i sjellin në drejtorinë e burgut të burgosurin rebel.

Sipas dëshmisë së avokatit Xhevdet Kapshtica dhe Reis Hashos, të dy bashkëvuajtës në të njëjtën qeli me Xhevat Korçën, në fillim Kadri Hasbiu ishte përpjekur me të mira e premtime për t’ia ndërshuar mendjen por më vonë, kur e kishte parë që Xhevat Korça nuk lëshonte pe, kishte nisur nga presionet e kërcënimet. Pasi e kishte dëgjuar deri në fund, Xhevat Korça i kishte thënë ”dëgjo këtu more Kadri Hasbiu. Ti e ke kot që mundohesh të më thyesh me presione. Unë me vendimin që kam marrë, nuk jam më në mes të të gjallëve, e si pasojë, as që ekziston për mua, as ti e as Enver Hoxha! E di si më duket mua tani Enver Hoxha? I vooogël…” dhe duke afruar gishtin tregues me gishtin e madh, sa gati i puthiti, i thotë: “ja kaq të vogël e shikoj unë tani Enver Hoxhën! Por ki mendjen, se pikërisht ty, ai ka për të ta hequr kokën nga trupi!”

***

Kujtimet e hidhura të ditëve të fundit të jetës së tij i sjell avokat Xhevdet Kapshtica, i cili ndodhej në një dhomë me të, ndërsa ai vazhdonte grevën e urisë… Shokët e burgut u përpoqën me të gjitha mënyrat ta detyronin të tërhiqej nga një vendim i tillë… Dikush kujton, kur caktuan at Pjetër Meshkallën, si njeri me shumë autoritet dhe respekt.

Për ta bindur atë të ndërpresë vetëvrasjen… Ati i afrohet, ulet në gjunjë, mbasi dysheku ishte përtokë dhe i drejtohet me fjalët: -Xhevat, të lutem mos e humb shpirtin… Hiq dorë! – Por përgjigjja me zë të ulët ishte e prerë: -Padre, kam kujtuar se të kam patur mik, nuk ma merrte mendja që tani, ndërsa unë vazhdoj rrugën e nisur që mos të bëhem lodër e komunistëve, ti kërkon të më thyesh! Atit i rrodhën dy pika lot. E puthi dhe u largua.

Një tjetër dëshmitar kujton: “E përsëritën këtë provë me ish-Ministrin e Arsimit Gjergj Kokoshin… Në fakt, Xhevat Korça nuk fliste me të, pasi i kishte prerë relatat që kur ai ishte lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe Xhevati e konsideronte si komunist… Prandaj, miqtë i kërkuan që të shkonte për t’ia kthyer mendjen, duke gjykuar se vajtja e Gjergj Kokoshit do të merrej si një kthesë nga kursi i mëparshëm, gjë që mund ta bënte të ndërpriste grevën e urisë. Dhe dëshmitarët tregojnë se si Kokoshi i afrohet dyshekut, ulet në gjunjë, i jep dorën dhe ndërsa të tjerët prisnin se ç’mund t’i thoshte për ta bindur, ai i drejtohet me këto fjalë: -Xhevat, ti po e mbyll jetën tënde me kapak floriri… Hallall të qoftë, se po bën atë që ne s’e bëjmë dot! Me lot në sy, edhe ai largohet, për ta lënë Xhevat Korçën të vdiste disa ditë pas asaj greve urie.

Të dhënat e këtij shkrimi i referohen librit “Dosjet e diktaturës” të studiuesit Pjetër Pepa, kujtimeve të  ish të burgosurve politik, avokatit Xhevdet Kapshtica dhe Reis Hashos, si dhe shkrimit studimor “Xhevat Korça, fundi i një korifeu” i Prenjo Imerajt. / kujto.al

Rrëfimi i Adiles, motrës së madhe të mbretit Zog, në median franceze (1939) : “Jam e lumtur që arrita në Francë dhe kam ndërmend të qëndroj këtu.”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Shkurt 2019

 

“Paris-soir” ka botuar, të mërkurën e 5 korrikut 1939, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me rrëfimin e motrës së madhe të mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

 

Motra e madhe e mbretit Zog është nisur për në Paris

 

Marsejë, 4 Korrik.

 

Motra më e madhe e ish mbretit Zog të Shqipërisë, princesha Adile, mbërriti dje në Marsejë me dy vajzat e saj, kunatën e ish mbretit, gjyshen dhe vëllain e vogël të mbretëreshës Geraldinë, kontin Jul Apponyi.

 

— Jam e lumtur që arrita në Francë dhe kam ndërmend të qëndroj këtu, tha ajo. Po nisem për në kështjellën e Mayes, pranë Versajës, e cila është marrë me qira për ne. Aty do të vijë edhe vëllai im. Nga Polonia, ai do të shkojë në Londër, ku do të bëjë një qëndrim të shkurtër. Pastaj do të vijë në Versajë.

 

Princesha Adile dhe shoqëruesit e saj u larguan nga Marseja për në Paris me trenin e orës 14:40.

Rrugëtimi historik i Kryeqytetit shqiptar – Nga Dr. proc. Andriola Kambo

Tirana kryeqytet feston 99 vjetorin e ditëlindjes së saj. Rrugëtimi ndër vite e përmes ngjarjeve të pafund e të natyrave nga më të ndryshmet, të ngjarjeve të mëdha e kthesave historike e ka sjellë Tiranën në pamjen e statusin që ka sot. Historia e këtyre gati 100 viteve ka vendosur vulën e saj kudo nëpër Tiranë.

Për ta njohur këtë histori të kryeqytetit të shënuar e të dokumentuar nga historianë e intelektualë si dhe nga qytetarë autoktonë tiranas mjafton që të ravijëzohen disa nga momentet kryesore të saj.

Tirana që në agimin e shtetit të pavarur kombëtar shqiptar u ndodh në pararojën e qyteteve e të forcave atdhetare që ngritën flamurin kombëtar e që dërgoi përfaqësuesit e saj në Kuvendin Kombëtar të Vlorës për t’i dhënë jetë në 28 nëntor 1912 ëndrrës së brezave për një Shqipëri të lirë e të mosvarme. Tirana përjetoi kalvarin e pushtimeve të huaja gjatë Luftës së Parë Botërore por qytetarët më të përkushtuar e më të ndërgjegjshëm të saj nuk e humbën shpresën dhe as nuk shkuan pas pinjollëve të degraduar të ndonjë familje të madhe të saj që nga etja e pafund për pushtet ishte gati të shiste të gjithë Shqipërinë. Ata në përfundim të luftës u bashkuan me atdhetarët e vërtetë të mbarë Shqipërisë për të rivendosur lirinë e pavarësinë e nëpërkëmbur të atdheut e për të ndalur njëherë e mirë një copëtim tjetër të trojeve shqiptare në pazaret e diplomacisë evropiane.

Pikërisht atëherë kur një grup atdhetarësh krijuan Komisionin për organizimin e një kongresi kombëtar për shpëtimin e Shqipërisë. Kryetari i Katundarisë së Tiranës (1918 – 1922) Ismail Ndroqi kërkoi qëky Kongres të mbahej në Tiranë. E nëse Kongresi për arsye të ndryshme nuk u arrit të mblidhej në Tiranë dy përfaqësues të shquar të saj, Abdi Toptani e Mytesim Këlliçi shkuan në Lushnjë e morrën pjesë në Kongresin historik që u zhvillua atje në dhjetëditëshin e fundit të muajit janar 1920. “Populli i Tiranës, i madh e i vogël e priti me një gëzim të madh” organizimin e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës, thuhet në një dokument të kohës. Për merita të tyre por edhe si përfaqësues të Tiranës, Abdi Toptani, firmëtar i aktit të pavarësisë kombëtare u zgjodh nga Kongresi një prej katër anëtarëve të Këshillit të Lartë, ndërkohë që Mytesim Këlliçi u zgjodh senator në Këshillin Kombëtar.

Delegatët e Kuvëndit të Lushnjës në përfundim të tij në rrethanat e krijuara,  në 9 shkurt morrën vendimin që Tirana të shpallej kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë. Në 11 shkurt anëtarët e Këshillit të Lartë, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Mihal Turtulli e Imzot Luigj Bumçi u zgjodhën të shkonin në Tiranë së bashku me qeverinë e re me në krye Sulejman Delvinën dhe delegatët e tjerë të Kuvendit. Atë ditë ata u pritën me solemnitet nga kryetari i Katundarisë së Tiranës Ismail Ndroqi dhe nga shumë qytetarë të kryeqytetit tëri. Forcat italiane të pushtimit ashtu siç u përpoqën të pengonin organizimin e Kongresit të Lushnjës po ashtu edhe tentuan të mos lejonin delegatët, qeverinë e Këshillin e Lartë të hynin në Tiranë por dështuan.

Zgjedhja e Tiranës si kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë nuk ishte thjeshtë një rastësi e diktuar nga rrethanat e krijuara në Shqipërinë që ende kishte trupa pushtimi të huaja në territorin e saj. Është e vërtetë që kur u shpall pavarësia e Shqipërisë ka patur diskutime se cili do të ishte kryeqyteti i shtetit tëri shqiptar. Madje në këto diskutime kanë marrë pjesë jo vetëm faktorët e brendshëm politikë e social shqiptarë por edhe qeveri e përfaqësues të fuqive të mëdha evropiane të kohës. Përveç Vlorës në të cilën u shpall pavarësia dhe veproi qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, pretendime serioze ka patur edhe Durrësi si kryeqytet i Principatës së Vidit, por edhe Shkodra, Elbasani, madje edhe Kruja. Gjithësecila nga këto kanditatura ka patur favoret e saj, argumente politike, ekonomike, sociale, gjeografike, ashtu siç kanë patur edhe minuset e tyre.

Tirana u përzgjodh si kryeqytet me argumentin e fortë se ajo ishte jashtë zonës së kontrollit ushtarak italian, siç ishte Vlora e Durrësi e jashtë kërcënimeve të forcave jugosllave siç ishte Shkodra, afër të cilës ishin dislokuar trupat ushtarake të Beogradit. Elbasani gjithashtu nuk mund të ishte për shkak të influencës negative të Shefqet Vërlacit, i cili ishte një kundërshtar i rreptë i Kongresit të Lushnjës. Tirana kishte edhe një argument të favorshëm gjeografik: ajo ndodhej në qëndër të vendit, me një shtrirje hapësinore të gjërë për modelimin e një qyteti tëri, me një distancë të shkurtër nga Deti Adriatik e me një mburojë mbrojtje si mali i Dajtit. Ishte ashtu siç ëndërronte ideologu i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri: “Mezi i Shqipërisë, domethënë kryeqytet i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët flitet gjuha shqip… në një vend të shëndetëm e të bukur, me udhë të gjera e të drejta me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë”.

Krijimi i institucioneve të reja të shtetit shqiptar nuk ishte i lehtë.Mungonin godinat, zyrat dhe njerëzit e përshtatshëm për administratën e re shqiptare. Populli i Tiranës çfaqi përkushtim e vullnet për të ndihmuar në ringritjen e vështirë të shtetit shqiptar. Në dispozicion të Qeverisë, të Këshillit Kombëtar e të institucioneve të reja shtetërore u vendosën godinat dhe hotelet më të mira private që kishte në atë kohë Tirana. Selia e Qeverisë u vendos në godinën që ekziston edhe sot si pjesë e Bibliotekës Kombëtare ngjitur me zyrat e Komunitetit Mysliman. Këshilli i Lartë u vendos në godinën aktuale të Akademisë së Shkencave dhe po aty pak më vonë zhvillonte punimet edhe Këshilli Kombëtar (Parlamenti).Në 13 shkurt 1920, ministri i brendshëm Ahmet Zogu njoftoi të gjitha prefekturat e vëndit se “Tirana u shënua për kryeqytet.” Përfundimisht pas debatesh intensive zyrtare e publike dyvjeçare (1923-1924), Tirana u shpall kryeqytet në fund të janarit 1925.

Administrimi dhe qeverisja e Tiranës si kryeqytet u vendos mbi baza ligjore që nga viti 1922.Në janar të këtij viti Këshilli Kombëtar aprovoi ligjin mbi zgjedhjet e këshillave të bashkive, i cili pasi u miratua edhe nga Këshilli i Lartë hyri në zbatim. Mbi këtë bazë në Tiranë u zhvilluan zgjedhjet e para bashkiake për kryetar e këshillin bashkiak. Kryetar i parë i Bashkisësë Tiranës përmes zgjedhjeve në vitin 1922 ka qënë Ali Bega, ndërsa pasi Tirana u bë përfundimisht kryeqytet, në janar 1925, kryetar u zgjoh Fuat Toptani, në dhjetor të atij viti.

Tirana si kryeqëndra politike e Shqipërisë përcolli të gjitha ngjarjet më të mëdha e më të rëndësishme të vëndit. Ajo njohu përplasjet dhe kthesat e mëdha politike, përjetoi qeveri e qeverisje autoritariste e diktatoriale, pushtimin fashist e çlirimin e saj prej tij. Tirana ka reflektuar e ka fiksuar në truallin e në memorjen e saj natyrën e regjimeve që kanë kaluar, konceptet e shijet e tyre të qeverisjes. Të gjithë deri në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullin XX-të kanë dhënë kontributet e tyre për të mirë e për të keq për të patur atë Tiranë që kemi sot me disa përjashtime.

Tirana e pasviteve 90- të shekullit të kaluar ka pësuar ndryshime në disa drejtime. Ajo tashmë është bërë metropoli i botës shqiptare me rreth një milionë banorë, me një jetë intensive politike, ekonomike, kulturore, arsimore e shkencore. Por duke humbur monotoninë e një qetësie të imponuar nga regjimi monist, Tirana fitoi një dinamikë që solli ndryshime thelbësore në mënyrën e jetesës, në shtresëzimin social, në intensitetin e vetë jetës qytetare. Por solli edhe fenomene negative politike, ekonomike e sociale, kriminalitet të organizuar e ordiner, informalitet e ndotje ambienti, e shumë e shumë gjëra të tjera shqetësuese.

Qeverisja e Tiranës është një sfidë e madhe, sepse në kryeqytet jeton e punon rreth një e treta e popullsisë së vendit. Qytetarët e Tiranës kanë qënë e mbeten gjykatësit më të mirë të cilësisë së qeverisjes në vite të kryeqytetit, të investimeve që janë bërë e të përkushtimit që ka karakterizuar ekipet drejtuese bashkiake të tij. Do të ishte e pëlqyeshme që në këtë rast të ketë adresime falenderuese për të gjithë ata që kanë kontribuar për zhvillimin e Tiranës. Por nuk ka qytetar të Tiranës sot që pavarësisht nga bindjet politike të mos të vlerësoj arritjet cilësore të kryeqytetit në të gjitha fushat nën drejtimin e kryetarit të Bashkisë, zotit Erion Veliaj. Tirana po transformohet në stil e në përmbajtje në një qytet të admirueshëm evropian ku ka kuptim e shpresë për të jetuar e punuar e me sytë nga e ardhmja evropiane. Kjo është edhe një arsye që duke hedhur vështrimin prapa në ditën e themelimit të Tiranës si kryeqytet e duke e përkujtuar atë me të gjitha nderimet që meriton t’i japim atij (asaj) edhe një garanci tjetër për vazhdimësinë e qeverisjes e të drejtimit nga ata që kanë treguar me punë e me vepra që e duan Tiranën, që i janë përkushtuar asaj dhe mirëqënies së qytetarëve të saj.

Fotografi austriak: Shqipëria e ‘90, në luftë për mbijetesë

Diku në Lezhë, një tufë djemsh të rinj me pantallona kauboj, xhupa xhins dy numra më të mëdhenj, flokë të gjatë të ngërleshur, luajnë bilardo mbi një tryezë nxjerrë në qiell të hapur…

Diku më në veri, një burrë mban mbi supe një arkivol të zi, bosh dhe kalon nëpër përrua, më tej një tufë fëmijësh të veshur keq e me flokë të palarë bëhen kuriozë ndaj kamerës… Janë fillimvitet ’90. Shqipëria sapo ka dalë nga një prej diktaturave më të egra të shek. XX.

Nuk po përpiqet të rimëkëmbet, por të mbijetojë, si të mundë… Kanë kaluar vite prej atëherë. Disa tablo i gjen sërish, të tjera duken absurde, sikur nuk kanë kaluar ndonjëherë këtej pari. Fotografi austriak, Robert Pilcher, na kthen pas në kohë përmes një koleksioni fotografish, që vijnë pikërisht prej gati 30 vitesh më parë.

 

Edhe ekspozitën e ka titulluar pikërisht kështu, “Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90″. Pasi e ka ekspozuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga Veriu, të cilin ai e njeh më së miri, në Jug, në Gjirokastër në Shtëpinë Muze të Kadaresë, ai e sjell ekspozitën në Tiranë, në bashkëpunim me ambasadën austriake, Bashkinë Tiranë dhe Muzeun Kombëtar.

Ekspozita e nisi udhëtimin e saj me autobus dhe u përurua fillimisht në stacionin e autobusëve të zonës së veriut në Tiranë, 18 muaj më parë. Autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio, veshur me fotografitë e ekspozitës, do t’i bashkohet koleksionit “Kthim në kohë-Shqipëria e viteve ‘90″ në versionin e saj -ekspozitë në lëvizje.

“Me anë të fotografive të Robertit duam të zgjojmë kujtesën e përbashkët, jo si nostalgji, por si pikënisje për t’u marrë me një periudhë të historisë sonë që është lënë pas dore dhe ka mungesë të vetëdijes së duhur”, shprehet Edit Pula, kuratore e kësaj ekspozite.

FOTOGRAFI

Fotografi austriak nuk e kishte menduar se pas vizitës së parë në vitin 1989 në atë vend të çuditshëm, që gati-gati nuk kishte asgjë të përbashkët me vendin nga vinte, do kthehej e rikthehej aty. Kishte diçka sa tragjike aq edhe tërheqëse në atë vend, që e ftonte të kthehej sërish.

“Për herë të parë e vizitova Shqipërinë si student në 1989. Atë kohë, ishte tashmë e qartë se projekti komunist kishte dështuar- ekonomia po kalbej dhe shoqëria ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm. Njerëzit që takuam ishin të frikësuar, por kuriozë të takoheshin me ne. Udhëtimi i parë e ka lënë një shenjë tek unë, vetëbesimi im u sfidua, por isha i tunduar të kthehesha në këtë vend sa më shpejt të ishte e mundur”, tregon fotografi, që do të kthehej vetëm tre vjet më vonë falë një burse gjashtëmujore për të kryer hulumtime mbi ndryshimet shoqërore në Shqipërinë e Veriut.

“Kushtet gjatë kësaj kohe kishin ndryshuar dramatikisht. Shqipëria po përballej me një transformim të zhurmshëm, gjë që vështirësoi përqendrimin tim mbi hulumtimin; edhe unë u përthitha nga trazirat politike. Ishte një rifillim total, por pa ditur se ku të çonte ai rrugëtim. Për shumë të tjerë ishte një luftë për mbijetesë, për të mbuluar nevojat më bazike, por njëkohësisht ekzistonte një shtytje dhe dëshirë e jashtëzakonshme për atë që ishte refuzuar kaq gjatë, liria për të menduar, lëvizur, për t’u shprehur dhe për të konsumuar arritjet e modernizimit teknologjik.

Vendi u përmbyt me mallra nga jashtë, trysnia e lëvizjeve u shfaq dhunshëm dhe makina, kamionë, çiklistë, karroca, kalimtarë zhvendoseshin nëpër rrugët që u kthyen në karvanë dhe pazaret u ngritën nga të gjitha anët. Për mua ishte një rikthim në rrethana, që i njihja vetëm nëpërmjet historive të treguara nga gjyshërit e mi: furnizimet e shtrënguara në ushqim, ujë dhe elektricitet, por në të njëjtën kohë kishte një orvatje të jashtëzakonshme për të mëkëmbur diçka të re”, shton ai.

“Shpesh kisha dëgjuar njerëz që thoshin se Shqipëria mund të kthehet në Zvicrën e Ballkanit, kushtet kishin qenë gjithmonë të pranishme, edhe pse fati nuk ia kishte bërë të lehtë vendit, por tani është koha e tij. Kur gjithçka vazhdoi rrugëtimin e nisur përpara, unë u zhyta në kërkime për lidhje historike, doja të eksploroja të kaluarën, arsyet për këtë udhëtim të veçantë, por gjithashtu humnerën shoqërore, fatet e atyre që u lanë vetëm dhe të dëbuarit. Takimet emocionuese, bashkë me respektin që gjeta te njerëzit, rritën interesimin tim për vendin dhe historinë e tij dhe kjo bëri që të kthehem rregullisht prej asaj kohe”.

REVOLUCIONI I PAHARRUESHEM KULTURAL – Nga Fritz RADOVANI

 

INSTITUTI  PEDAGOGJIK  SHKODER

 

1967: EDHE MURET E INSTITUTIT FLASIN… PYETNI !

6 Shkurt 1967: Terroristi Enver Hoxha në fjalimin e vet programatik shpall “Revolucionin Ideologjik e Kultural të 1967” të tipit kinez.

Shqipnia shpejt shpallet me Kushtetutë “Shteti i Parë ateist në Botë” !

Me 15 Shkurt 1967 Kishat dhe Xhamijat mbulohen me “Fletë Rrufe”…

Në Shkoder vjen per zbatimin e këtij “revolucionit” terroristi Ramiz Alia dhe, bashkë me anadollakët Xhemal Dini, Musa Kraja, Jup Kastrati (Kryetar i Komisionit Pergjedhjes së Leteraturës Fetare Kishtare), si dhe Sadik Rama dhe Angjelin Kumrija, janë organizatorët e të gjitha krimeve të Sigurimit të Shtetit që tashti varej direkt nga komiteti i PPSh së rrethit Shkoder. Lidhja e këtyne vrasësve agjenta të sigurimit, ishte direkte me Byronë Politike në Tiranë. Veprimet ua aprovonte krimineli E.Hoxha.

Menjëherë fillojnë arrestimet me Klerikët Katolik Shqiptar: Don Mark Hasi, At Pjeter Mëshkalla, At Gegë Lumaj…Dhe, pa kalue pak ditë fillojnë veprimet e Gjenocidit në Shqipni me pushkatime, interrnime e zhdukje njerzish. “Lufta e kllasave” pergjakë barbarisht qytetin e Shkodres!

Zhduken nga sigurimi i shtetit: Ernesto Çoba Kryetar i Kishës Katolike, Don Zef Bici, Don Mark Dushi, Don Marin Shkurti, Don Shtjefen Kurti, Don Anton Doçi, Don Mikel Beltoja, Don Prek Nikçi, Don Mark Hasi, Don Lazer Jubani, Don Lec Sahatçija, Don Nikoll Gjini, Imzot Lazer Sheldija, Don Pjeter Gruda, dhe kështu plotsohet numri i 65 Klerikve të vramë… Po me perkthyes e intelektual shka u ba… Apo, janë zhdukë “dosjet”?  

Të gjithë ata vrasës që kryene këta krime vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit”, po të cilit “Popull” nuk po e percaktoj… Percaktimi sot i perket Akademisë “antishkencore” të Tiranës, dhe “Kuvendit Popullor”…

Shumë veprime dhe dokumenta po punohet me i zhdukë ose me i harrue, e Kishen e Vaut të Dejës ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti–Skenderbeu, nuk do ta fshijnë as shekujt që vijnë në Historinë e Popullit Shqiptar!

Ashtu si ju, edhe Historia nuk do të ketë mëshirë ndaj krimeve tua!

            Melbourne, 9 Shkurt 2019.

Gjendja e rëndë shëndetësore e mbretëreshës Geraldinë në Greqi, mbreti Jorgo i dërgoi në shërbim gjinekologun më të talentuar grek (Paris-soir, 1939)

Mbretëresha Geraldinë, fotografuar së bashku me zonjën Giraud, ish-konteshën Apponyi, nënën e saj (në të djathtë) dhe bashkëshortin e saj, mbretin Zog I (në të majtë). (Foto e realizuar në Tiranë një ditë pas martesës së sovranit me konteshën hungareze.)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Shkurt 2019

 

“Paris-soir” ka botuar, të mërkurën e 12 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me gjendjen shëndetësore të mbretëreshës Geraldinë, asokohe e strehuar në Greqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Mbretëresha Geraldinë seriozisht e sëmurë

 

Thuhet se e kanë zënë gjatë largimit ethet e lehonisë (puerperale)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

 

Athinë, 11 Prill.

 

(Nëpërmjet telefonit.)

 

Mbreti Zog mbërriti me mbretëreshën Geraldinë, fëmijën dhe të afërmit e tyre, në Portaria, pranë Volos, në Thesali. Sovranët shqiptarë do të qëndrojnë në Portaria derisa të përmirësohet mbretëresha Geraldinë, sepse ajo është sëmurë rëndë për shkak të lëvizjeve të shkaktuara nga largimi i saj prej Tirane, 48 orë pas lindjes. Mbretëreshën Geraldinë e kanë zënë ethet e lehonisë (puerperale).

 

Profesori Luros, gjinekologu më i madh (i talentuar) grek, u dërgua në shërbim të sovranes nga vetë Mbreti Jorgo i Greqisë.

 

Gjendja shëndetësore e mbretëreshës, e cila ishte përkeqësuar natën e kaluar, duket se është përmirësuar lehtësisht këtë mëngjes.

 

Le të shtojmë se Mbreti Zog i ka kërkuar Turqisë një leje qëndrimi.

Shtatë xhelatët që internonin mijëra familje shqiptare, që nga viti 1955

Dekreti i 8 gushtit 1955 i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku miratohen 7 anëtarët e komisionit të Internim Dëbimeve.

 

Ky është dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i datës 8 gusht 1955, ku vendoset se cilët do të ishin 7 anëtarët e komisionit, që do të merrte vendimet për të internuar gjithë familjet shqiptare që ata mendonin se ishin rrezik për regjimin komunist.

Ky komision do të kishte në dorë gjithçka rreth fatit të tyre, si: zonën ku do të internoheshin; ndarjen e familjeve, një pjesë në një fshat e një pjesë në një fshat tjetër; kohën e internimit të tyre dhe përsëritjen e vazhdueshme të dënimit çdo pesë vjet. Më poshtë, e sjellim të plotë sipas origjinalit, dekretin e presidiumit, firmosur nga Haxhi Lleshi me 7 anëtarët e komisionit të internim dëbimeve.

Dokumenti i plotë

Republika Popullore e Shqipërisë

Presidiumi i Kuvendit Popullor

Dekret

Mbi caktimin e anëtarëve të Komisionit të veçantë të parashikuar nga dekreti mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative

– – – – – – – –

Në mbështetje të nenit 4 të dekretit nr.1906 datë 2 gusht 1954

Presidiumi i Kuvendit Popullor

Vendosi:

Përbërja e Komisionit të veçantë pranë Ministrisë së Punëve të brendshme të parashikuar  nga dekreti nr.1906 datë 2 gusht 1954 mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative të jetë si vijon:

1)      Gjeneral-major Kadri Hazbiu               – Kryetar

2)      “          “          Mihallaq Ziçishti         – anëtar

3)      “          “          Delo Balili                   –           “

4)      “          “          Teki Kolaneci              –           “

5)       Kolonel          Rexhep Kolli               –           “

6)       N/Kolonel      Nevzat Haznedari        –           “

7)      Major               Qamil Mane                –           “

  1. – Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. –

Tiranë, më 8 gusht 1955

Nr. i dekretit: 2116

Për presidiumin e Kuvendit Popullor

Të republikës Popullore të Shqipërisë

Sekretari

Sami baholli

(firma)

Kryetari

Haxhi Lleshi

(firma)

Burimi: AQSH, F.Këshilli I Ministrave, D.1207, V 1955

Kujto.al Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit

Historia e panjohur – Sokrat Dodbiba, ministri shqiptar i Financave që u bllokoi arin gjermanëve

Historia e panjohur të Sokrat Dodbibës, intelektualit të njohur nga qyteti i Elbasanit, i cili gjatë periudhës së pushtimit gjerman të vëndit, shërbeu si ministër i Financave në disa kabinete të qeverive të asaj kohe. Kujtimet e avokatit të tij, Dr. Spiro Stringa lidhur me kundërshtimin e Dodbibës për t’ua kthyer forcave gjermane arin që ata kishin depozituar pranë thesarit të shtetit shqiptar në Tiranë.

 

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Në nandorin e vjetit 1943 Sokrati bahet Ministër i Financave dhe gjermanët kërkuen prej tij që t’u jepte 30 milion franga ari shqiptare për çdo muej, por se Sokrati kundërshtoi dhe nuk ua dha. Çdo pagim që u ashtë ba gjermanëve nga nandori i vitit 1943 e deri në korrikun e 1944-ës, u asht ba me imponim, sa që koloneli Richard e ka kanosun edhe me kobure dhe Sokrati gjatë veprimtarisë së tij nuk ka dhanë ma tepër se 4-5 miljon në muej kundrejt të 30-të miljonëve që pretendonin gjermanët. Në këtë politikë Sokrati mujti t’ë evitojë vumjen në qarkullim të markut gjerman të Luftës. Gja që do të ishte katastrofale për ekonominë e vëndit, duke u çvleftësue fare frangu shqiptar dhe me markun që do të vinin në qarkullim, gjermanët do të merrnin krejt mallrat që ishin në Shqipëri ashtu siç bënë në shtetet e tjera që okupuan”.

Kjo është dëshmia e avokatit të famshëm Dr. Spiro Stringa (avokat i Qemal Stafës nw vitin 1938), e dhënë para trupit gjykues të Gjyqit Special në marsin e vitit 1945, kur ai ishte duke mbrojtur klientin e tij Sokrat Dodbiba, i cili në periudhën e pushtimit gjerman të Shqipërisë kishte mbajtur postin e Ministrit të Financave në qeverinë e asaj kohe. Po kush ishte Sokrat Dodbiba cila ishte e kaluara e tij dhe pse e pranoi ai funksionin e Ministrit të Financave në qeverinë shqiptare të asaj kohe? Cilat ishin mosmarrëveshjet e Ministrit Dodbiba me autoritetet gjermane që ndodheshin në Shqipëri dhe si mundi ai që t’ua ndalonte atyre marrjen e arit nga thesari i shtetit shqiptar? Cila ishte mbrojtja që i bëri avokati Spiro Stringa klientit të tij Dodbiba dhe si shpëtoi ai nga pushkatimi?

Pse e pranoi Dodbiba postin e ministrit?!

Lidhur me të kaluarën e Sokrat Dodbibës dhe arsyet se përse e pranoi ai postin e Ministrit të Financave gjatë periudhës së pushtimit gjerman të Shqipërisë, avokati Spiro Stringa në Gjyqin Special midis të tjerash u shpreh: “Para se të hyj dhe të analizoj veprimtarinë e Sokrat Dodbibës, desha të ndalem dhe të bëjë një përshkrim të gjëndjes ku ndodhej Shqipëria në atë kohë që Sokrati pranoi postin e Ministrit të Financave. Kur kapitulloi Italia, u ringjallën shpresat për një Shqipëri indipendente. Në atë kohë mbas një periudhe shtypëse të gjithë shqiptarët e ndershëm kërkuan që të merrnin frymë lirisht dhe të shkëpusnin të gjitha lidhjet me Italinë.

Ashtu si të gjithë intelektualët e ndershëm dhe patriotë edhe Sokrat Dodbiba kërkoi që të bënte diçka, por pa menduar se në portat e Shqipërisë po qëndronte një armik akoma dhe më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm se i pari. Të shtytur vetëmn nga qëllimi i mirë, të imedizimuar nga flaka e atdhedashurisë, të pasionuar gjer në palcë për një pamvarsi shqiptare, u hodhën me mish e me shpirt në marrjen pjesë në punrat shtetërore. Ishte jo interesi, ishte zëri i ndërgjegjes që i shtynte mos me qenë apatik në një kohë të kritikshme, ishte mirëbesim, qoftë i gabuar, që i bante me veprue në interesat e larta të Kombit, që kërkonte që ndokush ta udhëhiqte n’ato çaste të vështira të jetës së tij. Ishte një vetmohim të merrje përgjegjësina të rënda në atë kohë, të cilat që në fillim dukeshin të pakapërcyeshme dhe që të thëthitnin në vetvehte.

Mirëpo dikush duhej të dilte në skenë, qoftë dhe me konsekuenca të randa për përgjegjësinë që do të merrte përsipër. Edhe Sokrati doli së bashku me të tjerët, në kohën e fashizmit ai u persekutua prej tyre dhe u pushua nga puna. Sokrati ishte një tip me sensibilitet të lartë dhe proletar i mëndjes. Ai punonte për të fituar por nuk kishte trashëguar ndonjë titull nobiliteti. Sokrati nuk ka pasur percesion ekzakt në punrat që pati marrë përsipër. Ai nuk gjykonte se guximi i tij ishte tej fuqisë reale që ai kishte në ato momente, për arsye se ai i ishte përveshur punës me të vetmin qëllim për të bërë diçka të mirë. Si bir i këtij vëndi Sokrati shpresonte të bënte diçka jo për krenarinë e tij personale dhe titujt e lavdërimit, por vetëm e vetëm me qëllimin fisnik për të mirën e Shqipërisë.

Sokrati ishte mësuar me qenë i sinqertë por nuk e dinte se politika nuk asht ashtu siç e mejtonte dhe se ajo punë nuk i përshtatej loajalitetit të tij. Në atë kohë që ai e pranoi atë detyrë, të gjithë ishin të sunduar nga një psikozë që të shkëpusnin prangat e robërisë. Ata kërkonin me pa, duke pasë sytë e mbyllun. Ishte kaosi i mbrendshëm i krijuem nga përmbysja e Imperos që shtynte secilin që kishte një pozitë me ba diçka. Po kështu edhe Sokrati nuk kishte qëllim me marrë koltuqe, por e pranoi atë detyrë vetëm nga pasioni me shërbye në interes të Kombit. Sokrati e dinte se nuk ishte politikan dhe nuk kishte ndonjë rreth ndaj të cilit të zhvillonte ndonjë aktivitet, por se hyri në atë punë me bindje vetëm e vetëm me ndihmue Kombin. Pra tek Sokrati mungonte qëllimi i keq.

Me rastin e kapitullimit të Italisë, Shqipëria u ndodh në një situatë shumë kritike: o me pas nji qeveri qoftë dhe formale, ose me pranue një okupatë ushtarake të përgjithshme gjermane. Në atë kohë kurkush nuk merrte përgjegjësina, për shkak se quhesh kompromis, me që gjermanët kishin shpallun se nuk do të trazoheshin në punët e mbrendshme të Shqipërisë. Prevaloj kësodore teza: “Të shpëtojmë të mundurën”. Kështu u shpreh avokati Spiro Stringa para Gjyqit Special lidhur me arsyet sepse klienti i tij Sokrat Dodbiba e pranoi postin e Ministrit të Finacave në periudhën e pushtimit gjerman të Shqipërisë.

Stringa: “Pse duhej krijuar qeveria”

Pasi avokati Stringa argumentoi arsyet sepse Dodbiba e mori atë post qeveritar, ai e vazhdoi më tej fjalën e tij të mbrojtjes duke argumentuar se cilat ishin anët pozitive të qeverisë shqiptare nën pushtimin gjerman, në të cilën bënte pjesë dhe klineti i tij Sokrat Dodbiba. Lidhur me këtë në mes të tjerash Dr. Stringa u shpreh: “Pasi Dodbiba dhe Ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar të asaj kohe e pranuan postin që u ishte ngarkuar, ata filluan nga puna dhe në atë kohë u krijua një Komitet Ekzekutiv, në të cilin Sokrati nuk mori pjesë. Kjo gjë vërtetohet edhe nga telegrami që disponoj unë dhe që i bashkangjitet kësaj mbrojtje.

Në atë Komitet Ekzekutiv u rrahën mejtimet dhe u shpall Indipendenca e Shqipërisë. Po kështu u liruan të burgosurit politikë nga të gjitha burgjet dhe nga fushat e përqëndrimit dhe u thirr një Asamble për të aprovuar apo jo veprimet e Komitetit Ekzekutiv. Në Asamble u aprovua shpallja e Indipendencës, u vendos neutraliteti i Shqipërisë, u zgjodh Këshilli i Lartë i Shtetit dhe nga gjiri i Asamblesë doli Parlamenti. Këto veprime që u bënë në atë kohë gjejnë aprovimin e dhe nga pikpamja e së Drejtës Ndërkombëtar ashtu edhe nga ajo e së Drejtës Konstitucionale, për arsye se Shteti asht shoqnia e rregullueme politikisht për me ia mbrrijt një qëllimi të përbashkët dhe ka bazën në natyrën e njeriut, i rrethuem gjithmonë nga nevojat urgjente. Shteti nuk asht baras me qeverinë dhe as nuk mundet me u mejtue. Teoria e anarkiste që kerkon zhdukjen e qeverisë, asht e parealizueshme, me që duke u zhdukun qeveria, do të asgjesohet koncepti i Shtetit.

Cilado qoftë forma politike e një vëndi, atë që e drejta ndërkombëtare kërkon, ashtë qenia e një qeverie, mbasi me anën e veprimtarisë bahet i dukshëm Shteti. Shteti asht një unitet, jo vetëm i konceptuem dhe abstrakt, por i jashtëm edhe i dukshëm dhe Shteti transfomohet nga një koncept abstrakt në një ent konkret, me anë të organeve të tij, ndërsa janë të përdoruna në një nga funksionet e ndryshme të Shtetit. Pra, nevojë e domosdoshme e një qeverie, jo vetëm nga pikpamja e nevojave të përditshme, por edhe e së drejtës, imponohet. Një nga veprimet e Komitetit Ekzekutiv që u krijua në atë kohë ishte dhe abrogimi i Statutit t’okupatorit fashist, tue ri-vumn në fuqi Statutin e 1928-ës”, përfundoi në mes të tjerash avokati Stringa lidhur me akuzat që i bëheshin klientit të tij Dodbiba nga prokuroria e Gjyqit Special, se pse ai kishte marrë pjesë në qeverinë shqiptare nën pushtimin gjerman.

“Implikimi” në 4 shkurtin 1944-ës

Më pas në mbrojtjen e tij avokati Spiro Stringa u përqëndrua lidhur me akuzat që prokuroria e Gjyqit Special bëri ndaj klientit të tij Dodbiba, e cila e akuzoi atë se kishte marrë pjesë dhe kishte bashkëpunuar në masakrën e 4 dhe 27 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ku gjermanët dhe Xhaferr Deva ekzekutuan 82 qytetarë tiranas. Lidhur me këtë akuzë, midis të tjerash avokati Stringa u shpreh: “Sokrati akuzohet se ka bashkëpunuar me terroristat në masakrat e 4 dhe 27 shkurtit 1944. Nga gjithë rrjedhimi i gjykimit del se këto dy data të tmershme të jetës së popullit shqiptar, nuk janë pjella e qeverisë, porse e personave të caktuem: Xhaferr Deva me shokët e tij.

Nuk mund të dyshohet se fakti qindron kështu, për arsye se si nga deponimet e dëshmitarëve t’akuzës ashtu dhe nga ato të mbrojtjes, si nga apollogjia e të gjithë të pandehunmve, rezulton në mënyrë bindëse dhe të padiskutueshme, se 4 e 27 shkurti janë pjellë e instiktit kriminal t’atyneve që lyen duart

me gjak shqiptari, t’atyneve që për egoizma personale, për me shti ndër thonj gjithë fuqinat Shtetnore, banë të derdhet gjak i kuq vllaznor në këtë Tiranë martire.

Sokrati njihet këtu në Tiranë njerzor e vllazëror dhe jo si “sadist”, sepse këtë gjë nuk ja len edukacioni i tij familjar, kultura e tij, përkundrazi, ku ka mujtun ka ba vepra të mira, duke u fshijtë lotët atyne që vuejshin. Këto fakte vërtetohen me ndërhyrjet e shpeshta që Sokrati ka ba për lehtësimin e ndonjë vuejtje, ose zhdukjen e saj, siç theksohet nga dëshminat që bashkëparaqesim, ku del personaliteti njerzuer i Sokratit. Sokrati nuk asht as i Ballit dhe as i Legalitetit dhe këto fakte dalin në shesh gjatë rrjedhimit të gjyqit, dhe për ma tepër i pandehuni Nedim Kokona ka deponue: “Sokrati dhe Rrok Kolaj s’kanë qenë të rreptë kundra Lëvizjes dhe Sokrati ka kundërshtue dhanien e të hollave Ballit”.

Konflikti me gjermanët për arin

Pas argumentave të shumta që avokati Stringa shtroi në atë gjyq lidhur me të kaluarën e ish-Ministrit Dodbiba dhe arsyet e pjesmarrjes së tij në qeverinë shqiptare të asaj kohe, ai më pas u ndal në veprimtarinë konkrete të tij gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër në digasterin e Financave. Një nga argumentet më kryesore që paraqiti ai lidhur me veprimtarinë e Dodbibës, ishin përpjekjet që ai bëri me autoritetet gjermane të Tiranës, për t’u ndaluar atyre marrjen e thesarit të shtetit për nevojat që ata kishin në Shqipëri. Lidhur me këtë në mes të tjerash avokati Stringa u shpreh:

“Sokrati në veprimtarinë e tij si Ministër i Financave ka qenë kundër inflacionit, por megjithkëtë rrethanat pruen një zmadhim pasi gjermanët mbasi grabitën 120 milion franga ari (shqiptare) nga Banka d’Italia, i sollën këtu duke dashur që t’i mbajnë vetë. Por mandej ia dorzuen qeverisë me një konditë që kurdoherë që të donin, t’i merrnin mbasi i konsideronin si “plaçkë lufte”. Në nëndor të vjetit 1943, Sokrati bahet Ministër i Financave dhe gjermanët kërkuen përsëri 30 milion franga ari, për çdo muej, por se Sokrati u kundërshtoi.

Çdo pagim që u asht ba gjermanëve nga nëndori i vitit 1943 e deri në korrikun e vitit 1944, u asht ba me imponim, saqë koloneli Richard i asht kanosun me kobure në dorë. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në atë post Sokrati nuk ka dhanë ma tepër se 4-5 miljon në muej, kundrejt 30 miljon që pretendonin gjermanët. Me këtë politikë Sokrati mujti me evitue vumjen në qarkullim të markut gjerman të Luftës, gja që do të ishte katastrofale për ekonominë e vëndit, duke u çvleftësue fare frangu shqiptar dhe me markun që do të vinin në qarkullim do të merrnin gjithë mallin që kishte Shqipëria dhe do ta dërgonin në Gjermani ashtu siç ka ndodhur me shtetet e tjera të okupueme. Iu përmënd Sokratit gjatë gjykimit se i kishte dhënë organizatës “TODT” 5 miljon franga shqiptare, por se ky fakt nuk i përshtatet së vërtetës, me që këtë shumë e ka dhënë Komiteti Ekzekuti.

Asht fakt i pakntestueshëm se gjermanët kanë sjellë në Shqipëri rreth 500-600 mijë napolona ari flori, edhe një operacion i tillë edhe për një profan që nuk mirret me çështjet ekonomike, bind se ka qenë në dobi të vëndit. Kjo shumë të hollash nuk ka të bëjë aspak me Thesarin shqiptar në Romë, i cili përbahet prej shufrash ari. Pra nga kjo pikpamje Sokrati nuk mund të ketë përgjegjësi, për çka i vërvitet në të tilla terma. Gjatë gjykimit akuza i përmëndi emisionin e bankënotave të reja, por se Sokrati këtë e ka kundërshtuar, dhe gjermanët pa e pyetun fare kanë dasht të veprojnë por se bankënotat nuk u vuen në qarkullim dhe kësodore vëndi nuk pati ndonjë dam. Gjithçka thashë ma nalt, rezulton në mënyrë të kjartë nga dishmija e dishmitarit Zotit Dr. Dhimitër Pasko, i cili i treguar prej nesh si dishmitar, nuk mujti

me u paraqit në gjyq për shkak se ndodhesh në Korçë me mision zyrtar, por pati mirësinë me na lëshue një deklaratë të cilën ia bashkëngjisim kësaj mbrojtje, dhe Gjykata mund të marrë vizë se si qëndron gjithë aktiviteti i Sokratit në Ministrinë e Financave.

Asht fakt i pakontestueshëm se një pjesë e molos së Durrësit u prish nga gjermanët, por se ky veprim asht krye pa dijenin e qeverisë shqiptare, fakt ky që vërtetohet me shkresën që i asht adresue Gjykatës s’Uej nga Ministria e Punëve të Jashtëme. Sokrati nuk asht nazist, në këtë kuptim që vërtetohen me dëshminë e dishmitarit Koço Lipivani ashtu dhe me deklaratën e zotit Dr. Dhimitër Paskos, mbi të cilën besoj se s’duhet të dyshohet, jo vetëm për edukacionin e tyne, por edhe për pozitat shoqënore që kanë sot. Ja ky është Sokrati me plotkuptimin e fjalës dhe jo ashtu siç don ta paraqesë akuza me ngjyrën ma të zezë si një njeri që kapardiset në kolltukun e tij vetëm e vetëm për interesa personale.

Prandaj për arsyen e naltpërmëndur, kërkoj që Sokrat Dodbiba të deklarohet i pafajshëm përsa i përket të gjitha akuzave dhe tue qëndrue vetëm ajo e qënies Ministër, por në kushtet që zhvillova ma nalt dhe për konsekuencë ndëshkimi i tij eventual të jetë propocional me fajin e qënies vetëm Ministër dhe përfundimisht ku ndëshkim asht amnistue me faljen e dhënë në 28 nëntor të vitit 1944”. Kështu e përfundoi mbrojtjen e tij avokati Dr. Spiro Stringa për Sokrat Dodbibën, ish-Ministrin e Financave gjatë periudhës së pushtimit nazist të Shqipërisë të cilin Gjyqi Special në marsin e vitit 1945 e dënoi me 20 vjet burg për të vetmin fakt se kishte qenë ministër në kabinetin nën pushtimin gjerman?!

(Kujtimet e avokat Spiro Stringës si dhe mbrojtjet që ai u ka bërë disa nga personaliteve të njohura dhe ish-zyrtarë dhe politikanë të lartë të para viteve 1944 dhe që më pas përfunduan në bankon e të akuzuarve të gjyqeve komuniste, ruhen në familjen e të birit, Pandi Stringa, i cili me dashamirësi na i ka vënë në dispozicion vite të shkuara, para se të ndahej nga jeta.)

Tirane 9 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te deputeteve.Muhamet Prishtina perpara trupit gjykues.Foto:Atsh

Tirane 9 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te deputeteve.Muhamet Prishtina perpara trupit gjykues.Foto:Atsh

Tirane 4 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te deputeteve.Hysen Sheh Karbunara.Foto:atsh

Tirane 4 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te deputeteve.Hysen Sheh Karbunara.Foto:atsh