Qytetarët shqiptarë votojnë sot për 157 kandidatë në 61 bashki dhe për 1595 vende në këshillat bashkiakë sipas ndryshimeve që solli reforma territoriale, që reduktoi ndjeshëm numrin e njësive vendore. 62 subjekte politike janë regjistruar zyrtarisht në KQZ për të konkurruar në garën elektorale, 57 nga të cilat janë grupuar në dy koalicione.
Koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i drejtuar nga Partia Socialiste, grupon 37 parti, ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, i drejtuar nga Partia Demokratike, grupon 15 parti. 11 parti garojnë të vetme. Nga kandidatët e regjistruar në shkallë vendi për kryebashkiakë vetëm 15 prej tyre janë femra.
Janë thirrur për të votuar 3.382.295 zgjedhës. Ditën e votimeve do të funksionojnë 5299 qendra votimi. Dokumenti që do të përdoret nga zgjedhësit ditën e zgjedhjeve është pasaporta biometrike ose letërnjoftimi elektronik. 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor do të administrojnë procesin.
Në total janë prodhuar 6.876.366 fletë votimi, ku 3.437.683 janë fletë votimi për kryetarët e bashkive, ndërsa 3.438.683 të tjera janë për anëtarët e këshillave bashkiakë. Në zgjedhjet e këtij viti janë mbi 143 mijë të rinj që do të votojnë për herë të parë.
Votimi është hapur në orën 7:00 dhe mbyllet në orën 19:00. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Sipas Kodit, sot nuk lejohet që kandidatët apo subjektet politike të bëjnë propagandë.
I gjithë procesi do të monitorohet nga rreth 3 mijë vëzhgues, 274 prej të cilëve janë përfaqësues të ODIHR-it. Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë e për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar 6699 forca policore
vetëm për Qendrat e Votimit.
LEZHË, NIS PROCESI I VOTIMIT PËR BASHKITË RRËSHEN DHE LEZHË
Në Lezhë votimi ka nisur për dy bashkitë e Lezhës dhe Rrëshenit. Ndërsa në Kurbin nuk ka nisur ende, për shkak se ende nuk ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore. Janë 163 mijë votues që votojnë në qarkun e Lezhës.
Ora 07:40- Në qendrën e votimit pranë fakultetit të Mjekësisë ka pasur disa vonesa por më pas ka vijuar procesi normal.
TË BLLOKUARA DY QENDRA VOTIMI NË KORÇË
Ora 07:30- Dy qendra votimi në Korçë janë të bllokuara. Bëhet fjalët për QV 3648 dhe 3648/1. Sipas të dhënave shkak i bllokimit janë bërë posterat në këto qendra votimi. Në Korçë janë përballë Sotiraq Filo i ASHE-së dhe Gjergji Mero i APPD-së.
LUZI: VOTONI, ZGJEDHJET ME RËNDËSI HISTORIKE PËR TË ARDHMEN E SHQIPËRISË
Ora 07:12- Kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi voton në ZAZ numër 35 të vendosur tek Akademia e Arteve. Luzi ka qenë qytetarja e parë që ka votuar në këtë qendër votimi. Fill pas hedhjes së votës së saj në kutinë e votimit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefteri Luzi i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të votojnë. Gjatë një deklarate para mediave, Luzi theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.
“Sikurse ju e kemi ndjekur KQZ ka punuar nderi në orët e para të mëngjesit për të bërë të mundur që sot ditën e zgjedhjeve çdo qytetar të votoje. Nuk kemi informacion nëse janë hapur të gjitha qendrat, do marrin informacionet e nevojshme pak më vonë. Baza materiale për të cilat ishte problematike në Kurbin është shpërndarë.”, tha Luzi.
Teksa u ndal tek deklaratat e opozitës për Kavajën dhe Kurbinin, Luzi theksoi se të gjitha pretendimet e një subjekti politik duhet të respektohen. “Kjo është një deklaratë e subjektit zgjedhor dhe vendimmarrja e saj Sot shkoni të gjithë në qendrat e votimit, pasi siç e dini këto zgjedhje janë test i radhës për këto votime. Dua ti bëj thirrje dhe grave, se vota e tyre ka rëndësi, pasi vota e tyre është deri në 50 për qind. Ndaj ju ftoj dhe të rinjt që votojnë për herë të parë që ti drejtohen qendrave të votimit. I bëj thirrje gjithë shqiptareve që ti drejtohen qendrave të votimit, pasi këto janë zgjedhje me rëndësi, për të ardhmen e Shqipërisë. Duhet të ruajmë qetësi dhe të zhvillojmë zgjedhje të qeta“, përfundoi Luzi.
HAPEN QENDRAT E VOTIMIT
Ora 07:00- Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit. Gazetarët e News24 kanë raportuar nga dy qendra votimi në kryeqytet: ajo tek Akademia e Arteve, ku pritet të votojë edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi si dhe tek shkolla “Ismail Qemali”. Edhe në Durrës janë hapur qendrat e votimit. bw
Komentet