VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

‘Në pritje të mrekullisë së 40’- Duke raportuar mes rrënojave, gazetarja turke nuk i mban lotët në raportim live

By | January 25, 2020

Komentet

Hyn në fuqi marrëveshja e pavarësimit energjetik të Kosovës

Të martën ka hyrë në fuqi marrëveshja ndërmjet Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), me ç’rast Kosova do të kontrollojë kufijt e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike – Kosovë-Shqipëri.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 30 qershor ndërsa të martën Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale (RGCE) ka vlerësuar se marrëveshja i plotëson kushtet për të hyrë në fuqi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një komunikate tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia.

“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, tha kryeministri Hoti.

Kosova parasheh përfitime prej disa milionë euro në vit nga shkëputja përfundimtare me sistemin rregullues energjetik të Serbisë.

Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se nga viti 2008 e deri më 2019, shteti i Serbisë, sipas tij, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.

“Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, ka thënë Shala.

Një bisedë në platformën videozoom nga Dr Gezim Alpion më 29 Shtator në 7 pasdite (8 me orën tonë). “Nga Shkupi në Kalkuta: Rruga e Nënë Terezës drejt shenjtërisë”


Si ia hapën Nënë Terezës vitet e saj të Shkupit rrugën drejt shenjtërisë

VOAL – Më 29 shtator, në orën 7 pasditë (me orën britanike), domethënë në orën 8 pasdite (me orën tonë) mban në platformën videozoom bisedën “Nga Shkupi në Kalkuta: Rruga e Nënë Terezës drejt shenjtërisë”

Duke u mbështetur në informacionin e botuar për herë të parë në ‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj’ (Bloomsbury Academic 2020), në këtë bisedë Gëzim Alpion i afrohet jetës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës (lindur Gonxhe Agnes Bojaxhiu) nga tri këndvështrime: kombëtare, stërgjyshore dhe personale.

Në pjesën e parë të bisedës, Alpion eksploron sistemin e besimit të shqiptarëve para ardhjes së besimeve monoteiste, përpara se të përqëndrohet në traditën e tyre të krishterë apostolike. Pohimi kryesor i Alpionit në këtë aspekt është se bazat e civilizimit evropian janë triadike, d.m.th. ilire, greke dhe romake.

Pjesa e dytë e bisedës identifikon disa nga arsyet që qëndrojnë pas migrimit të brendshëm ’të shqiptarëve, të gjurmueshme që nga pushtimi romak i Ilirisë. Alpion argumenton se migrimi i paraardhësve të Nënë Terezës nëpër tokat e banuara shqiptare është një shembull modern i këtij fenomeni të përjetshëm që është parë më së fundmi më 1999 me dëbimin e rreth një milion shqiptarëve nga Kosova.

Në pjesën e fundit të fjalimit, Alpion eksploron ndikimin e fatkeqësisë – vdekja e babait të saj nga helmimi dhe humbja e tetë të afërmve nga gripi spanjoll (1918-1920) – në thirrjen e Nënë Terezës, zgjedhjen e Indisë si destinacion dhe mision. Alpion arrin në përfundimin se, gjatë shtatë dekadave të jetës së saj misionare, besimi i Nënë Terezës – si për sa i përket natës së errët të shpirtit ’dhe raportit me njerëz të besimeve të ndryshme në Indi dhe më gjerë – shfaq anët shpirtërore të kombit të saj.

 

Aplikimet për hetues specialë në BKH, ambasada e SHBA: Afati deri nesër, nxitoni për këtë mundësi shumë të mirë…

Ambasada e SHBA ka bërë thirrje të interesuarve për të aplikuar në BKH të nxitojnë pasi deri nesër është afati i fundit për të dorëzuar aplikimet.

Në statusin zyrtar, ambasada amerikane shkruan se për ata që përmbushin kriteret kjo është një mundësi shumë e mirë për t’ub ërë pjesë e ekipit që do të punojë nën drejtimine  SPAK,  që do të hetojë shkeljet penale në fushën e krimit dhe korrupsionit të organizuar, si dhe do të garantojnë një strukturë të pavaruar.

Për më tepër një një link poshtë statusin, ambasada amerikane rikujton edhe kriteret që duhet të përmbushë një aplikant për BKH, institucionin e ri të drejtësisë që pritet të jetë gati brenda këtij viti.

 

 

STATUSI NGA AMBASADA E SHBA

🇦🇱️ | Aplikimet për hetuesit specialë të BKH-së janë të hapura edhe për një ditë. ÇDOKUSH që përmbush kriteret e kërkuara mund të aplikojë për këtë mundësi shumë të mirë për t`u bërë pjesë e një ekipi që do të punojë nën drejtimin e Prokurorëve të SPAK për të hetuar shkeljet penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për të garantuar një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm. Nxitoni, kjo është mundësia juaj! Aplikimet duhen dorëzuar deri nesër, 29 shtator. Shihni kriteret e kërkuara dhe çdo gjë që duhet të dini përpara se të aplikoni duke klikuar këtu: https://bit.ly/342pGTS

U MBAJT ME SUKSES MITINGU I 56 I POEZISË NË GJAKOVË

VOAL – Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, me kryetar z. Muharrem Kurti, mbajti me sukses online Mitingun e 56 të Poezisë, veprimtaria më prestigjioze e këtij lloji në mbarë hapësirën shqiptare dhe një ndër më prestigjiozet në rajon.

Tema e debateve sivjet ishte “Letërsia e të rinjve dhe problematikat e sotme”.

Dita qëndrore e Mitingut u mbajt dje, 25 shtator, e premte, nga ora 19.00 deri në orën 21.00.

Në orën qendrore, pjesëmarrësit i lexuan drejtpërdrejt online poezitë e tyre dhe u ndoqën me videozoom nga publiku.

Mitingu i 56 i Poezisë shpalli fituesit e sivjetëm:

  1. Për librin më të mirë poetik të botuar midis dy mitingjeve u shpall fitues Agron Tufa
  2. Për veprën më të mirë të botuar midis  dy mintingjeve u shpall fitues Jeton Kelmendi
  3. Për romanin më të mirë të botuar midis dy mitinjgjeve u shpallën fitues Besnik Mustafaj për “Dëmtuar gjatë rrugës” dhe Ibrahim Kadriu për “Ata të dy të burgjeve”
  4. Për veprën jetësore u vlerësua poeti Tahir Bezhani

Specialja nxjerr të hënën Salih Mustafën para Gjykatës, e akuzon për vrasje dhe krime lufte të tjera

Dhomat e Specializuara njoftojnë se i akuzuari i parë, Salih Mustafa, do të paraqitet para gjykatës të hënën.

Më 28 shtator në orën 15, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës.

Njoftimi i plotë i Dhomave të Specializuara:

SEANCË PUBLIKE: PARAQITJA E PARË E SALIH MUSTAFËS NË ÇËSHTJEN PROKURORI I SPECIALIZUAR KUNDËR SALIH MUSTAFËS

Të hënën, më 28 shtator në orën 15, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë. Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. Aktakuza publike e redaktuar mund të lexohet këtu. Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim“.

Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjithashtu, DHSK-ja ka një qendër të posaçme për median nga e cila gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër. Për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e Kovid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për median do të jetë shumë I kufizuar dhe regjistrimi paraprak është i nevojshëm. Për regjistrimin paraprak, ju lutemi të dërgoni një mesazh elektronik në public@scp-ks.org deri në orën 12 në mesditë më 27 shtator. Në mesazh duhet të shënoni emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes, shtetësinë, numrin e pasaportës/letërnjoftimit, përkatësinë tuaj (p.sh, person privat, diplomat i akredituar, OJQ/shoqëria civile) dhe të dhëna të tjera relevante. Gazetarët duhet të japin edhe emrin e organit të medias, vendin ku janë të bazuar, si edhe një skanim të kartelës së shtypit. Do t’ju informojnë sa më shpejt nëse ka ulëse të lira. Kërkojmë mirëkuptimi tuaj duke mbajtur parasysh kufizimet e imponuara prej masave për shëndetin publik në përgjigje të KOVID-19. Më shumë të dhëna për vizitë në DHSK, ndër të cilat edhe të dhëna për masat në lidhje me KOVID-19, mund të gjeni këtu.

Gjykata Speciale publikon aktakuzën kundër Salih Mustafës

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, kanë bërë të ditura të enjten detajet e aktakuzës kundër Salih Mustafës, i cili po të njëjtën ditë është arrestuar me urdhër të këtij trupi.

Ky njëherësh është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë.

Mustafa akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.

Teksa është bërë e ditur se Mustafa është dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kjo Gjykatë ka thënë se ai aktakuza pretendon se “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Në aktakuzë përmendet po ashtu se prej periudhës 19 prill të vitit 1999 e deri në fund të atij muaji, në atë vendndodhje është vrarë një i ndaluar.

Në komunikatë është thënë edhe se gjykatësi i procedurës paraprake e ka konfirmuar aktakuzën kundër Mustafës më 12 qershor të këtij viti, mirëpo në përputhje me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk është bërë publike në atë kohë.

Salih Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai njihet si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Në kohën kur Forcat e Sigurisë së Kosovës njiheshin si Trupa Mbrojtëse të Kosovës, Mustafa ka shërbyer atëbotë si shef i departamentit informativ.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar. rel

Shqipëri: Rreth 24 mijë shqiptarë nën 34 vjeç kanë aplikuar për azil 20 muajt e fundit, 29% e tyre janë më pak se 14 vjeç

Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-s kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian dhe të tjera rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor.

Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona, ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç.

15.3 mijë persona, ishin të grupmoshës 18-34 vjeç.

Shumë e lartë është ikja e minorenëve. Në periudhën janar 2019-gusht 2020 ka pasur 6,895 aplikime për azil nga minorenët më pak se 17 vjeç, që përbën rreth 29% të aplikimeve nën 34 vjeç, ose 23% të totalit.

Të dhënat e detajuara të Eurostat tregojnë se Franca është destinacioni më i preferuar për minorenët nën 14 vjeç, me 3,460 aplikime për periudhën në fjalë, ose 50% e gjithë kërkesave nga minorenët. Franca njihet si një shtet social, sidomos për minorenët, çka i nxit prindërit që të rrezikojnë të lënë fëmijët në kampe me shpresë se ata do të sigurojnë një të ardhme më të mirë. Preferenca tjetër është Gjermania (1,145 aplikime), më pas Greqia (695), Mbretëria e Bashkuar (525) dhe Italia (310)- (shih grafikun: Aplikimet për azil nga Shqipëria, nën 14 vjeç, janar 2019-gusht 2020).

Kanë aplikuar për azil edhe 1,615 persona të moshës 17-18 vjeç.

Në total për periudhën janar 2019-gusht 2020, shteti me aplikimet më të mëdha nga azilkërkuesit shqiptarë mbetet Franca, me 40% të totalit. Franca është bërë vitet e fundit tërheqëse për shqiptarët për shkak të politikave sociale në lidhje me trajtimin e çështjeve, duke ofruar disa shkallë deri në vendimin final, ka trajtime më të mira në qendrat e pritjes, nuk ka kthime me forcë.

Shteti i dytë është Mbretëria e Bashkuar, me 18.4% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Greqia (1.7%). Gjermania që ishte deri para disa vitesh si destinacion i preferuar për azilantët tani është në vend të katërt, për shkak të politikave më pak sociale dhe dëbimeve me forcë. Pas Gjermanisë vjen Italia, me 6% (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga Shqipëria, totali, janar 2019-gusht 2020).

Mbi 60% e aplikimeve në total në vendet e BE+ në 20 muajt e fundit janë bërë nga meshkujt, sipas të dhënave të Eurostat.

Fjala e Presidentit Meta në sesionin e 75-të të OKB: Me ndërmjetesimin e BE-së, Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen për njohje reciproke

Presidenti Ilir Meta ka mbajtur një konferencë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të në OKB.

Mes shumë temave kombëtare dhe ndërkombëtare, Meta ceku dhe integrimin europian të Shqipërisë në BE.

Meta siguron se Shqipëria vijon të jetë në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të Unionit në rajon. Ai gjithashtu theksoi se duhen përmbushur standarded e kërkuara para Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Po ashtu ai kërkon një bashkërendim përpjekjesh në nivelin kombëtar, të udhëhequra nga vendosmëria për të realizuar objektivat.

Meta thotë se objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë mbetet ende anëtarësimi në BE.

 

FJALA E PLOTË NGA ILIR META

Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Sh. T. Z. Ilir Meta
në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

24 shtator 2020

“E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme!
Zoti Sekretar i Përgjithshëm!
Të nderuar delegatë!

Ju lutem më lejoni ta nis fjalën me urimet e ngrohta për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Turqisë, Volkan Bozkir për zgjedhjen e tij në detyrën prestigjioze të Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme!

Zoti President, Shqipëria është e nderuar të shërbejë nën udhëheqjen tuaj si Zëvendëspresident i sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, duke përfaqësuar Grupin e Evropës Lindore.

Përgjatë këtij sesioni historik ju mund të mbështeteni plotësisht në bashkëpunimin dhe partneritetin tonë.

Zoti President,

Kemi pasur shumë arsye për të qenë krenarë gjatë 75 viteve të ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. Si rezultat i bashkëpunimit global në kuadrin e OKB-së, ia kemi dalë mbanë të parandalojmë shpërthime të mëdha ushtarake dhe të pakësojmë vuajtjet njerëzore.

75-vjetori i Kombeve të Bashkuara shënon një moment historik dhe duhet të shërbejë si një kohë reflektimi se si të forcojmë OKB-në dhe ta bëjmë atë edhe më të efektshme në përballjen dhe zgjidhjen e sfidave të paprecedenta globale, me të cilat përballen sot shoqëritë tona.

Zoti President,
Pandemia Covid-19 ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike. Pasojat e saj socialo-ekonomike me siguri që do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe sigurinë globale.

Kriza aktuale kërcënon të ngadalësojë, madje edhe ta kthejë pas përparimin e shënuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Bëhet fjalë për rrezikun që iu kanoset sigurisë ushqimore, çrrënjosjes së varfërisë, zhvillimit ekonomik, ndryshimit të klimës dhe barazisë gjinore, duke përkeqësuar dobësitë ekzistuese dhe duke rritur pabarazitë që ekzistojnë në dhe midis vendeve të ndryshme.

Mënyra se si do të reagojmë dhe do të përgjigjemi ne do të përcaktojë se sa shpejt do të rimëkëmbet bota, si dhe do të formësojë aftësinë tonë për të arritur dhe përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe për të menaxhuar sfida të tjera globale.

Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror.

Pandemia ka theksuar nevojën e njerëzimit për një sistem më të fortë multilateral, bazuar në parimet dhe idealet e mishëruara në Kartën e OKB dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe të efektshëm, ku organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, shoqëria civile, bashkësia e sipërmarrjes dhe grupet e tjera të interesit, të veprojnë përmes lidhjeve më të ngushta institucionale.

Ne mbështesim fuqimisht në këtë drejtim vizionin dhe axhendën ambicioze të reformave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shqipëria është e bindur se një Organizatë e reformuar e Kombeve të Bashkuara do të ofrojë një qasje më të integruar dhe gjithëpërshirëse për të realizuar Axhendën 2030 dhe për të qenë të sigurt se askush nuk do të mbetet pas.

Të nderuar delegatë,

Në këto momente kritike ne duhet t’iu përgjigjemi frikës dhe shpresave të njerëzve, të cilëve iu shërbejmë.

Me qëllim që të zbusim kurbën e pandemisë dhe të parandalojmë një krizë ekonomike globale, duhet të reagojmë në mënyrë kolektive në frymën e bashkimit e të solidaritetit.

Do të dëshiroja të shfrytëzoj këtë rast që të përgëzoja Kombet e Bashkuara për mobilizimin e mbështetjes me pajisje mbrojtëse dhe pajisje të tjera mjekësore në më shumë se 130 vende, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të përshpejtuar kërkimin, gjetjen dhe prodhimin e një vaksine, e cila duhet të jetë e përballueshme financiarisht dhe në dispozicion të gjithë njerëzve në mbarë globin.

Zoti President,

2019 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, sepse u goditëm nga dy tërmete të fuqishme, që shkaktuan më shumë se 50 të vdekur dhe një miliard dollarë amerikanë dëme.

U jemi mirënjohës atyre kombeve mike që na ndihmuan në kohën kur kishim aq shumë nevojë, dhe që na ofruan mbështetje financiare dhe materiale gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme të rindërtimit.

Ne jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që provoi se ishte një partnere e vërtetë.

Agjencitë e saj u angazhuan qysh nga dita e parë. Ekspertët e shpëtimit dhe të ndihmës iu futën punës menjëherë, duke mbështetur autoritetet tona, së bashku me partnerë nga Evropa dhe vende të tjera.

Më pas u përballëm me goditjen e COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë na është gjendur në krah në çdo hap të rrugës dhe veprimeve që ndërmorëm për ta përballuar këtë pandemi. OKB-ja ka hartuar gjithashtu një plan të përgjigjes socialo-ekonomike për të garantuar një veprim të koordinuar në të gjithë hapësirën e saj dhe një mbështetje të efektshme ndaj masave në rang kombëtar.

Shqipëria po punon fort për të arritur synimin global të Kombeve të Bashkuara për të ulur emetimet e gazrave dhe efektin serë me 45% në dekadën e ardhshme, si dhe për të mundësuar zero emetime deri në vitin 2050, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2016.

Për më tepër, ne kemi miratuar Strategjinë për Ndryshimin e Klimës si dhe Planin e Veprimit për Zbutjen e emetimeve të gazrave dhe të efektit serë.

Ndërsa Shqipëria po përpiqet të përdorë plotësisht gjithë potencialin e saj ekonomik, ne i kemi përputhur përparësitë dhe objektivat tona kombëtare me Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, si dhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Objektiva shumë të rëndësishme të kësaj Strategjie janë mbrojtja e bashkësive rome dhe egjiptiane, e personave me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera potencialisht të të pambrojtura dhe të margjinalizuara.

Kemi shënuar përparim edhe në drejtim të barazisë gjinore, me rritjen dita-ditës të numrit të grave që punojnë në institucionet shtetërore si dhe në administratën publike.

Zoti President,

Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë nevojave të grupeve më të rrezikuara, veçanërisht atyre të të rinjve. Efektet ekonomike që rezultojnë nga pandemia do të çojnë në rritjen e numrit të të rinjve të papunë, duke i shtyrë ata të largohen nga vendi i tyre i origjinës.

Padyshim që ky është një kërcënim global, që prek veçanërisht vendet me ekonomi të dobëta.

Të nderuar delegatë,

Kryesia e Radhës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020 është një tregues i prekshëm i angazhimit tonë të palëkundur për të promovuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes dialogut dhe bashkëpunimit shumëpalësh, në një kohë kur po përjetojmë rritjen e tensioneve dhe polarizimit.

Në cilësinë e saj si Kryetare e Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka mbështetur fuqimisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim global.

Me qëllim vijimin e angazhimit aktiv në dobi të stabilitetit dhe të sigurisë, Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj për t’u zgjedhur si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mandatin 2022-2023.

Shqipëria beson fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale. Ne do të ofrojmë një kontribut proaktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes përvojës sonë rajonale, si një faktor kryesor paqeje, stabiliteti dhe sigurie.

Do të ushtrojmë një qasje aktive, konstruktive dhe të matur, si dhe do të veprojmë me përgjegjësi për të forcuar multilateralizmin përmes partneriteteve dhe bashkëpunimit.

Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjitha shteteve të nderuara të Asamblesë së Përgjithshme që të mbështesin kandidaturën e Shqipërisë për në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023.

Zoti President,

Në zhvillimet e sotme të ndërlikuara dhe të ndërlidhura globale, vende modeste si Shqipëria nuk priten të konkurrojnë me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale.

Ato mund të kontribuojnë duke e pasuruar botën me gjithçka që kanë më të çmuar: me identitetin, historinë, kulturën, traditat dhe vlerat e tyre.

Njëra prej traditave që vlerësojmë dhe çmojmë më tepër është harmonia e rrallë ndërfetare që mbizotëron në Shqipëri.

Megjithëse shqiptarët tradicionalisht u përkasin besimeve të ndryshme fetare, ata kanë jetuar paqësisht krah për krah me njëri tjetrin që nga kohë që nuk mbahen mend. Kur vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, Papa Françesku e cilësoi atë si “vëllazëria fetare”.

Në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së ne organizuam vjet në Shqipëri një konferencë rajonale, me temë “Feja si instrument për paqen”, me synimin për ta çuar përpara lirinë e fesë si një çështje themelore e të drejtave të njeriut.

Kjo trashëgimi e çmuar e tolerancës ndërfetare dhe kulturore përcakton se cilët jemi ne si komb. Historia e jashtëzakonshme se si shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit është një tregues dhe shprehje e jashtëzakonshme e frymës sonë të tolerancës, dhembshurisë dhe respektit ndaj të tjerëve.

Shqipëria është krenare që i ofron botës mbarë një mesazh të bashkëjetesës dhe dialogut midis feve të ndryshme.

Është një mesazh që mund të shërbejë si një antidot i fuqishëm kundër rritjes së intolerancës dhe ekstremizmit të dhunshëm që minojnë paqen dhe sigurinë.

Të nderuar delegatë,

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë.

Në fillim të këtij viti mirëpritëm vendimin politik të Këshillit të BE-së për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na duhet të përmbushim standardet e kërkuara para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ky proces kërkon një bashkërendim përpjekjesh në nivelin kombëtar, të udhëhequra me vendosmëri nga qeveria, që do të na çojë drejt reformave të mirëfillta dhe të qëndrueshme.

Ky angazhim i ripërtërirë pritet të prodhojë rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve kryesore që lidhen me funksionimin demokratik dhe me sundimin e ligjit, të cilat duhet të pasqyrojnë konsensusin politik ndërpartiak dhe t’i shërbejnë njëkohësisht stabilitetit të përgjithshëm të vendit tonë.

Ne ua kemi shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare për ndihmesën që na dhanë për t’u rimëkëmbur nga tërmeti që na goditi si dhe nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Shqipëria vazhdon të jetë plotësisht në një linjë me politikën e jashtme të BE-së në rajon, duke u krenuar me aleancën tonë të fuqishme evropiane dhe euro-atlantike të vlerave të përbashkëta.

Zoti President,

Shqipëria është mëse e vetëdijshme edhe për detyrimet e saj si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake, nën drejtimin e OKB-së, BE-së dhe të NATO-s, në operacione të ndryshme paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali dhe Afganistan.

Qëllimi dhe interesi ynë kryesor janë të sigurojmë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.

Rajoni ynë ka një histori tragjike diktaturash, shtypjesh të popujve dhe konfliktesh ushtarake. Pavarësisht trashëgimisë së vështirë që ende e përndjek rajonin tonë, gjatë dy dekadave të fundit është shënuar një përparim i rëndësishëm, kryesisht falë ciklit të reformave të ndërmarra në kuadër të proceseve të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Inkurajojmë dhe mirëpresim faktin se faktori shqiptar vazhdon të mbështesë kursin evropian dhe euro-atlantik në të gjithë rajonin, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin rajonal dhe pronësinë në hartimin dhe realizimin e projekteve ambicioze.

Ne e mirëpresim marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua dhe u garantua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme të njohjes reciproke si dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes tyre.

Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Kosova ka ngritur në këmbë një kornizë të fortë kushtetuese dhe ligjore që siguron mbrojtjen e papërjetuar më parë të të drejtave të pakicave dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo është plotësisht në përputhje, madje edhe e tejkalon kuadrin ligjor përkatës evropian për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sot Kosova është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe nismave rajonale.

Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.

Në përfundim Zoti President, do të dëshiroja të ripohoja edhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij. Ne, shtetet anëtare, duhet të përmbushim pjesën që na takon dhe të luajmë rolin tonë për zbatimin, respektimin dhe forcimin e sistemit shumëpalësh në mënyrë që të përfitojmë nga ai.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Gjykata Speciale bën arrestimin e parë

Salih Mustafa, ish- shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit,  i cili e ka drejtuar njësitit të quajtur BIA, është i arrestuari i parë i Speciales.

Ai është arrestuar mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij, nga Eulexi.

Familjarët e kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës.

Mustafa ishte intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

BE për drogërat: Trafiku në rritje, treg rekord 30 miliardë €. Ballkani rruga kryesore. Krimi po minon shoqërinë dhe demokracinë

Këtë vit trafiku i drogërave të forta ka pësuar rritje. Kjo ishtje gjetja e raportit të Bashkimit Europian për vitin 2020. Sipas të dhënave të përpiluara problemi i kokainës në Evropë po përkeqësohet. Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha se droga në Europë është bërë mjaft shqetësuese, dhe kap një një treg prej 30 miliardë eurosh.

Fitimet qarkullojnë në banka dhe grupet e krimit të organizuar po fuqizohen duke blerë njerëz, fuqi, e duke bërë që krimi i organizuar të minojë shoqërinë dhe demokracinë. Sipas komisioneres rruga e Ballkanit është furnizuesja kryesore e heroinës në BE, dhe përdorimi i drogërave po rritet eksponencialisht, vit pas viti.

“Aty ku ka drogë, shpesh ka edhe armë, krim dhe vrasje. Aty ku ka trafikantë droge, ka edhe krim të organizuar. 5 mijë grupe të krimit të organizuar janë aktive në Evropë. Më shumë se 1/3 merren me drogë. Tregtia e drogës mbështet krimin e organizuar me 30 miliardë euro në vit. Tregtia e jashtëligjshme e drogës është tregu më i madh kriminal në Bashkimin Evropian.’

Në raport thuhet se në vitin 2018 sasia e kokainës së sekuestruar në Bashkimin Evropian arriti nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë, me më shumë se 110 000 konfiskime të raportuara, që arrinin në 181 ton. Sasia e kokainës së kapur tejkaloi rekordin e mëparshëm, nga 2017, me më shumë se 42 tonë.
Drejtori i Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogat dhe Varësinë nga Droga Alexis Goosdeel i druhet rënies ekonomike pasi sipas tij do të sjellë përfshirjen e shumë njërëzve në aktivitetin e drogës.

‘Duhet të jemi të kujdesshëm me çfarë ndodh në muajt në vijim. Të gjithë presin një rënie të thellë ekonomike që mund të rrisë cenueshmërinë e disa grupeve të popullatës që janë vulnerabël. Gjithashtu ka rrezik për shkak të situatës. Mund të kemi përfshirjen e më shumë njerëzve në aktivitete të lidhura drejtpërdrejt ose jo me drogën”.

Raporti vëren gjithashtu se pandemia e koronavirusit ka ndikuar edhe në aspektin e trafikut dhe marrjes se drogës. Raporti tregon se izolimi i ka bërë më krijues trafikantët me mënyrën si ata furnizojnë përdoruesit, ndërsa të varurit kanë pasur vështirësi në marrjen e trajtimeve për lënien e drogës.

Prokuroria e Specializuar: OVL e UÇK-së, e përfshirë në aktivitete që minojnë administrimin e drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Tri herë këtë muaj, OVL e UÇK-së ka thënë se ka pranuar disa dokumente, që pretendon se kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumentave nuk është e qartë dhe nuk dihet nëse ato janë origjinale.

Identiteti i personit, i cili, sipas OVL-së, ka dërguar në këtë organizatë “mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ndërkohë, i ka nisur hetimet për “rrjedhjen” e këtyre dokumenteve të pretenduara konfidenciale.

Në një deklaratë për media, të lëshuar të martën nga zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, thuhet se kjo zyrë “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.

“Gjatë kësaj kohe unë kam vënë re gjithashtu profesionalizmin e lavdërueshëm dhe integritetin etik të gazetarëve të Kosovës dhe komentatorëve të tjerë publikë, shumë prej të cilëve kanë folur qartë se si aktivitetet e tilla minojnë sundimin e ligjit dhe kursin e drejtësisë“, tha Bennett.

Dhomat e Veçanta – apo, siç njihen në Kosovë, Gjykata Speciale – merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selia e Gjykatës Speciale është në Hagë.

Deri tani, ajo ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në muajin korrik, në Hagë është intervistuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se, në prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Gjyqtari ka gjashtë muaj kohë, nga prilli, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Prokuroria ka paraqitur aktakuza për shqyrtim edhe në muajin shkurt. rel

Top Channel publikon aktakuzën e Hagës – bashkë me Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin e Sylën ka të akuzuar të tjerë

Mediumi shqiptar Top Channel gjatë ditës së sotme ka publikuar pjesë nga propozim aktakuza që Prokurori Special  ka ngritur ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ky medium pretendon se posedon dosjen e plotë me mbishkrimin kofidencial, e cila ka mbi 260 faqe.

Gjatë ditës së sotme përveç Thaçit e Veselit në propozim aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale u përmendën edhe tre emra të tjerë, ai i Azem Sylës, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi.

Kjo u bë e ditur përmes një dosje që OVL-UÇK ka pranuar, e treta me radhë brenda disa ditësh.

Rrjedhja e propozim aktakuzës së Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së,  bëri që hetuesit e Hagës të shkelin sërish në zyrat e OVL-UÇK për të konfiskuar materialin e pranuar.

Kujtojmë se më 24 qershor të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar  i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”.

Dokumenti edhe më tutje vazhdon të jetë konfidencial.

Artikullin e plotë të Top Channel mund ta lexoni KËTU.


Send this to a friend