VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Në Maqedoninë e Veriut po mbahet balotazhi për zgjedhjet presidenciale

By | May 5, 2019

Komentet

Një emigrant i vdekur dhe 13 të lënduar në Maqedoninë e Veriu

Një emigrant e ka humbur jetën ndërsa 13 janë lënduar në një aksident komunikacioni në autostradën Demir Kapi- Negotinë në jug të Maqedonisë së Veriut.

Katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spitalin shtetëror në Shkup.

Aksidenti ka ndodhur kur automjeti me emigrantë është përplasur një një mjet transportues që lëvizte në drejtim të njejtë dhe pas përplasjes është ndezur në flakë. Migrantët janë nga Pakistani dhe Bangladesh të moshës mes 22 dhe 25 vjeç.

Lëvizja e emigrantëve ilegalë ka alarmuar drejtuesit e institucioneve të cilat kanë ndërmarrë masa në parandalimin e tyre. Të enjten policia maqedonase ka kapur 45 migrantë nga Afganistani dhe Siria në një furgon afër kufirit me Serbinë. Sipas policisë, ata dyshohet të kenë hyrë ilegalisht nga Greqia ndërsa si destinacion të fundit kanë pasur ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Policia gjithashtu ka arrestuar drejtuesit e mjetit nën dyshimin e kontrabandës me njerëz. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti nga Greqia në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë rreth 10 mijë emigrantë ilegalë.

Shqiptari emërohet zëvendës-kryetar në LSDM-në e Zoran Zaevit

Ish-gazetari, tani më deputet i LSDM-së, Muhamed Zekiri, pas rizgjedhjes për nënkryetar të LSDM-së ka përcjellë një porosi në rrjetet sociale, të cilin ia ka dedikuar kryetarit të tij, Zoran Zaev.

“Rrespekti meritohet. Sinqeriteti çmohet. Besimi fitohet. Besnikëria kthehet”, ka shkruar Zekiri në facebook.

Ai u përkrah nga Këshilli Qendror i kësaj partie, si dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zekiri nga profesioni i gazetarit kaloi në politik duke u përfshirë si pjesë e LSDM, duke fituar edhe mandatin e deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Maqedoni: Arrestohet prokurorja e posaçme, Katica Janeva

Isak Ramadani

Policia maqedonase ka arrestuar të mërkuren prokuroren e posaçme Katica Janeva, e cila mund të jetë përfshirë në skandalin e korrupsionit të njohur si “zhvatja”. Policia bllokoi rrugën që çonte tek shtëpia e saj në një lagje në jugperëndim të Shkupit. Hollësitë rreth ngjarjes pritet së shpejti të njoftohen nga Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut.

Prokuroria publike tha se prokurorja Janeva ka kryer vepër penale duke keqpërdorur detyrën e saj zyrtare. Prokuroria kërkon masën e paraburgimit për zonjën Janeva.

Prokurorja e posaçme ka ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit për biznesmenin Jordan Kamçev dhe zëvendësimin me masën e arrestit shtëpiak. Ajo, sipas prokurorisë republikane, ka ndikuar në zhvillimin e veprimit që nuk duhej të ndodhë e që është kërkesa nga ana e dy personave të tjerë të dyshuar në këtë rast të tetë milionë eurove prej biznesmenit Kamçev.

Dy të dyshuarit të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, kanë arritur që në muajin shkurt të këtij viti t’i marrin biznesmenit një milion euro dhe t’i nxjerrin ato me një valixhe Louis Vuiton nga shtëpia e tij, ndërsa 500 mijë euro i kanë marrë nga gruaja e tij.

Kryeprokurori Lubomir Jovevski dhe prokurorja e Prokurorisë për luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska bënë të ditur se edhe persona të tjerë jan nën hetime, por ato i hodhën poshtë zërat se po bëhen bastisje në shtëpitë e disa politikanëve.

Prokurori Jovevski tha se nuk ka indicje që mjetet të kenë përfunduar tek politikanë vendas apo të huaj.

Prokurorët republikanë thanë se ngjarjet e sotme dëshmojnë se prokuroria punon në mënyrë joselektive.

Zonja Janeva u mor në pyetje të marten në Prokurorinë publike, ndërkohë që vetë ajo tha se atje shkoi në cilësinë e dëshmitarit. Ajo mohoi të kishte faj lidhur me këto zhvillime. Në prokurori ajo ishte me një avokat të njohur, i cili mbron të akuzuar në raste që po procedon pikërisht Prokuroria e posaçme në krye të cilës ndodhet Katica Janeva.

Skandali i publikuar në gazetën italiane La Verita ka tronditur themelet e gjyqësorit në Shkup, ndërsa në një video regjistrim duket tashmë Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 duke dalë së bashku me një ndihmës të tij nga shtëpia e biznesmenit Jordan Kamçev me dy valixhe të mbushura me para. Boki 13 në kët rast shikohet si një lloj ndërmjetësi i prokurores Katica Janeva në këtë skandal të madh korrupsioni. Ndërkaq, biznesmeni Kamçev është i akuzuar për larje parashë dhe vepra kriminale.

Komunikimi i tij me njeriun e afërt të kryeprokurores së posaçme dhe korruptimi apo zhvatja, varësisht kush si e komenton, kishte të bënte me lehtësimin e rrethanave të arrestit të tij, sipas audio-regjistrimeve të publikuara në shtypin italian.

Shkup: Kryeprokurorja e Posaçme dëshmon për rastin “zhvatja”

Isak Ramadani

Prokurorja në largim e Prokurorisë së Posaçme në Maqedoninë e Veriut, Katica Janeva u paraqit të martën para Prokurorisë publike për të dëshmuar lidhur me rastin gjyqësor të njohur si ‘zhvatja’, një skandal korrupsioni ky që ka tronditur themelet e gjyqësorit atje. Zonja Janeva u tha gazetarëve se nuk ndjehet fajtore. Megjithatë, në një publikim në shtypin italian dëgjohet zëri i saj duke biseduar me një biznesmen maqedonas, i cili dyshohet të ketë dhënë më tepër se një milion euro në këmbim të rrethanave lehtësuese për sa i përket paraburgimit të tij.

Shefja në dorëheqje e Prokurorisë së Posaçme, Katica Janeva për disa orë dëshmoi para prokurores së Prokurorisë publike për luftë ndaj kriminalitet të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska në lidhje me rastin gjyqësor “zhvatja”. Prokuroria publike në Shkup nuk ka dhënë hollësi se në çfarë cilësie ishte ftuar zonja Janeva, si dëshmitare apo e dyshuar në skandalin e përfolur të korrupsionit prej më tepër se një milion eurosh. Publikimi i skandalit nga gazeta italiane La Verita e implikon zonjën Janeva madje pretendon edhe përfshirjen e Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev në të.

Katica Janeva në prokurori erdhi me avokatin e saj, që la hapsirë për komente shtesë nëse ajo do të ishte ftuar vetëm për të dëshmuar.

Kryeprokurorja në largim Janeva u tha gazetarëve se nuk ndihet fajtore ndërsa shpresonte që me paraqitjen e argumenteve dhe deklaratës së saj do të bënte përshpejtimin e hetimeve të rastit ‘zhvatja’.

Lidhur me këtë rast, që padyshim ka tronditur jo vetëm opinionin publik këtu por edhe elitat politike, kanë dëshmuar deri tash edhe prokurorët e Prokurorisë së posaçme Lile Stefanova, Burim Rrustemi dhe Elizabeta Josifovska.

Dy të dyshuarit e parë për rastin, Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski tashmë ndodhen në paraburgim. Vetëm Milevski deri tash ka dalë para prokurorit.

Rasti ka zgjuar interes, veç Maqedonisë së Veriut, sidomos në Serbinë fqinje me shtypin e atjeshëm që këmbëngul përfshirjen e Kryeministit maqedonas Zoran Zaev në skandal.

Në video dhe audio-regjistrimin e publikuar në gazetën italiane La Verita duken dy të dyshuarit Boki 13 dhe Zoran Milevski duke dalur nga shtëpia e biznesmenit Jordan Kamçev me dy valixhe të mëdha në të cilat mendohet se kishte mbi një milon euro me që më parë vdeoja shfaqte numërimin e shumave të mëdha të parave në këto valixhe. Në një audio, ndërkaq dëgjohej zëri i prokurores Katica Janeva duke folur me biznesmenin Jordan Kamçev të dyshuar për një rast tjetër gjyqësor duke i thënë atij: “Mos u shqetëso se gjithçka do të jetë Okej”. Në po të njejtën bisedë dëgjohej edhe Boki 13. Biznesmeni synonte lehtësime rreth situatës me paraburgimin, sipas prokurorisë. Ai ende nuk është marrë në pyetje.

Nga ana tjetër, autoritetet qeveritare e cilësojnë autorin e publikimit të skandalit në gazetën italiane si të afërt me partinë maqedonase të opozitës VMRO-DPMNE, ndërkohë që dyshojnë se vetë drejtuesi opozitar Kristijan Mickovski mund të ketë gisht në kurdisjen e skandalit.

Shkup, probleme me zbatimin e marrëveshjes së Prespës

Përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të riemërtuar statujat publike të figurave historike, bazuar në një marrëveshje me Greqinë fqinje, kanë pasur një fillim të vështirë.

Gjatë natës, si pasojë e disa akteve të vandalizimit, u hoqën pllakatet e instaluara të enjten në tre statuja në Shkup, të mbretit të lashtë grek Aleksandrit të Madh dhe familjes së tij, të cilat sqaronin se ato i përkasin historisë antike greke. Një prej pllakateve të hequra u rikthye më vonë gjatë ditës së premte. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.

Greqia ka akuzuar për një kohë të gjatë vendin fqinj, që më parë quhej “Maqedoni”, se përpiqej për të përvetësuar kulturën e lashtë greke si dhe për pretendime territoriale ndaj pjesës veriore të Greqisë.

Shkupi i ka mohuar këto pretendime, por në të njëjtën kohë qeveria e mëparshme, konservatore ngriti disa statuja të Aleksandrit të Madh dhe familjes së tij në zona të njohura publike.

Në një zhvillim të rëndësishëm, me qëllimin për të normalizuar marrëdhëniet pas rreth 30 vitesh, vendi u riemërtua këtë vit si Maqedonia e Veriut. Nga ana tjetër Greqia ra dakord ta mbështesë atë në proceset për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Rreth 10 statuja në të gjithë Maqedoninë e Veriut po emërtohen sërisht.

Ambasada e Turqisë në Shkup dënon qëndrimin e Gjergj Dedajt

Ambasada e Turqisë në Shkup ka dënuar postimin e fundit që bëri ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në rrjetet sociale kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ambasadorja e Turqisë në Shkup ka theksuar se dënojnë fuqishëm pretendimet e pabaza dhe retorikën armiqësore me objektiv presidentin Erdogan që Dedaj ka përdorur në postimin e tij lidhur me memorialin që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” në Tiranë.

“Postimi i fundit tregon saktësinë e vendimit tonë për të mos u takuar me Ambasadorin e Kosovës në Shkup, Dedaj, i cili edhe më parë ka bërë deklarata kundër vendit tonë dhe i cili nuk është në dijeni të përgjegjësisë që i është ngarkuar nga titulli që mban”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Turqisë në Shkup.

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në llogarinë e tij në rrjetin social ka bërë postim lidhur me memorialin e përbërë nga një pllakatë e vendosur në Liqenin Artificial në Tiranë mbi të cilën ndodhen emrat e 251 dëshmorëve të rënë gjatë tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 në Turqi.

Pendarovski: Institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski thotë se institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin në mënyrë drastike, saqë mund të minojnë perspektivat për hapjen e shumëpritur të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne kemi dekada – jo vite – por dekada keqfunksionimi të institucioneve, përfshirë institucionet politike,” i tha zoti Pendarovski Shërbimit Maqedonas të Zërit të Amerikës në një intervistë ekskluzive në Shkup të enjten.

“Nuk flas këtu vetëm për sistemin gjyqësor,” tha ai, duke iu referuar një skandali zhvatjeje që ka tronditur qeverinë si dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale, të krijuar në 2015 për të hetuar krimin e nivelit të lartë në vend.

“Këto institucione jetike nuk po u shërbejnë njerëzve ashtu siç duhet,” tha Presidenti Pendarovski. “Ato nuk e luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelin që duhet ta bëjë një demokraci e pjekur.”

Skandali shtrihet

Muajin e kaluar, kryeprokurorja e posaçme në largim, Katica Janeva, paraqiti papritur dorëheqjen, në klimën e akuzave se ishte implikuar në një skemë për të zhvatur miliona nga një biznesmen i akuzuar në këmbim të një uljeje dënimi. Ajo ka mohuar përfshirjen “në çfarëdo trajte apo forme”.

Zyrtarët e BE-së dhe të SHBA-së kanë kërkuar që Shkupi të bëjë një hetim të plotë dhe transparent të akuzave dhe, nëse është e nevojshme të ndjekë ligjërisht fajtorët.

Por gjatë disa ditëve të kaluara zhvillimet në skandalin e supozuar të ryshfetit morën përmasa të reja, kur gazeta italiane La Verita publikoi një video ku duket se bëhet fjalë për dhënie e marrje parash mes të dyshuarve – të cilët që të dy thonë se kanë qasje te zonja Janeva – dhe biznesmenit të akuzuar, e që zyra e saj do ta ndiqte penalisht.

Të dyshuarit, të cilët tani janë në paraburgim, i thanë biznesmenit se do të merrte trajtim më të butë nga prokurori përgjegjës për çështjen e tij nëse u jepte atyre para. Ende nuk dihet nëse Janeva kishte ndonjë dijeni për skemën e zhvatjes, por ajo konfirmoi se zëri i dëgjuar në regjistrimin e videos është i saji.

Një mundësi e veçantë

Presidenti Pendarovski e përshkroi skandalin si një turp me përmasa ndërkombëtare, por edhe si një mundësi të veçantë që zyrtarët e qeverisë së Shkupit dhe ligjvënësit të shkojnë përtej grindjeve politike dhe t’i përmbahen zbatimit të ligjit.

“Ne nuk mund ta lejojmë veten të lëmë hapësirë për hamendje,” tha ai duke iu referuar pikëpyetjeve nëse vendi mund ta zgjidhë me shpejtësi çështjen. “Mënyra se si do të reagojmë për skandalin – jo si do të reagojnë individët, por ne si vend – do të përcaktojë vendimin e vendeve anëtare të BE-së këtë vjeshtë për ta pranuar Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në bllok”.

Ai tha gjithashtu se është i skandalizuar që disa nga “aktorët kryesorë në këtë dramë”, siç janë hetuesit, ishin me pushime.

“Kjo nuk është një çështje e zakonshme,” tha ai. “Është sfiduar thelbi i sundimit të ligjit në vend.”

Të martën, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev u kritikua brenda dhe jashtë vendit për përdorimin e një fyerjeje ndaj homoseksualëve ndërsa përpiqej të mbronte qeverinë e tij ndaj skandalit të korrupsionit, i cili ka përfshirë shumë zyrtarë të drejtësisë.

Ai po i referohej pronarit gej të një kanali televiziv, Bojan Jovanovski, që është në qendër të aferës “Zhvatja”.

Zoti Zaev, i cili sapo ishte kthyer nga pushimet, postoi menjëherë në Twitter një ndjesë, që disa thanë se ishte po aq fyese.

Të dy partitë më të mëdha politike të Maqedonisë së Veriut, opozita VMRO-DPMNE dhe Unioni Social Demokrat në pushtet, vazhdojnë të grinden lidhur me hartimin e një ligji për rregullimin e ndjekjes penale, i cili që do të përcaktonte fatin e zyrës së prokurorisë speciale që drejtonte Janeva.

Nëse legjislacioni i ri ratifikohet – një parakusht për bisedimet e pranimit në BE – kjo do të përcaktojë ritmin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. za

Lirohet Tomor Morina

Isuf Kadriu

Autoritetet maqedonase kanë njoftuar për lirimin e Tomor Morinës, nga burgu i Shkupit.

Familjarët janë parë teksa kanë marrë atë, dhe një familjar, Bujar Xërxa nga Gjakova është dëgjuar të ketë thënë se “drejtësia ka fituar”.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi.

“Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim…Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Tomor Morina nuk do të ekstradohet në Serbi

Isuf Kadriu

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatën Penale Shkup se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi.

“Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim… Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme duhet t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë e cila edhe përgatit vendimin final për refuzimin e kërkesës së palës serbe për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Arrestimi i tij ka shkaktuar reagime të shumta nga autoritetet në Kosovë dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Morinës.

Clark: Gligorovi më tha më 1999 se shqiptarët nuk janë si boshnjakët, nuk durojnë, do të luftojnë

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka treguar se si gjatë një bisede me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Kiro Gligorov

Gligorov i kishte thënë se “shqiptarët nuk janë si boshnjakët” dhe se “ata nuk durojnë, do të luftojnë”.

“Presidenti maqedonas, Kiro Gligorov, më thirri dhe më tha: ‘E dini, do të keni problem të madh në Kosovë. Atje do të bëhet luftë, sepse shqiptarët nuk janë si boshnjakët: ata nuk durojnë. Ata do të luftojnë’. Dhe, kështu ndodhi, luftimet nisën”, thotë Clark në këtë bisedë, transmeton Gazeta Metro.

Më tej, ai tregon se si Ambasadori Richard Hoblrooke kishte shkuar në qershorin e vitit 1999 për takim me Slobodan Milosheviqin.

“Më lidhi me telefon me Millosheviqin, të cilin e njihja nga koha e Daytonit dhe i thashë: ‘Ju lutem, mos ia bëni këtë popullit shqiptar’. Ai më tha: ‘Gjeneral Clark, këta janë njerëzit e mi. Unë nuk do t’i lëndoj’. Natyrisht, kjo ishte gënjeshtër, sepse spastrimi etnik tashmë po ndodhte”, ka deklaruar Clark.

Tetëmbëdhjetë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Shkup

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po përfundojnë 18 vite që nga nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend dhe u vendosën kornizat për bashkëjetesë ndëretnike.

Konflikti i armatosur në Maqedoni i vitit 2001 filloi në fillim të vitit, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë. Konflikti vazhdoi në pjesën më të madhe të vitit 2001, ndërsa përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit në gusht të po të njëjtit vit, me çka u avancuan fillimisht të drejtat e shqiptarëve, por edhe bashkësive tjera jo shumicë në vend (turqve, boshnjakëve, serbëve, vllehëve dhe romve).

Negociatat filluan në Shkup, më pas vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në rezidencën presidenciale në Shkup.

Marrëveshja kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit, u mbajtën nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ana e liderëve të atëhershëm të partive politike, Branko Cërvenkovski, lider i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Arben Xhaferit, lider i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Lubço Gjeorgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Imer Imerit nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD).

Nënshkrues të Marrëveshjes, në cilësinë e garantuesve, ishin edhe përfaqësuesi special i BE-së, Fransoa Leotar dhe përfaqësuesi special i SHBA-ve, James Perdue, të cilët morën pjesë në negociatat.

Përgjatë viteve, nga implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, janë miratuar mbi 130 ndryshime dhe plotësime ligjore, prej të cilave pjesa më e madhe janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, ndërsa një pjesë e tyre janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Në muajin mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për avancimin e gjuhëve, pa debat amendamentesh.

Me ligjin parashihet që në të gjitha organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik që ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonishte dhe alfabeti të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabeti i saj, (gjuha shqipe).

Përfaqësimi i drejtë i pjesëtarëve të bashkësive etnike në institucionet publike po ashtu është segment i Marrëveshjes kornizë, implementimin e plotë të së cilës e kërkojnë liderët politik të bashkësive etnike.

Sipas raportit vjetor për vitin 2018 të Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administrimit të Maqedonisë së Veriut, në institucionet e sektorit publik nga 112.164 të punësuar 83.993 ose 74,88 për qind janë maqedonas, 22.060 ose 19,67 për qind janë shqiptarë, 2.110 ose 1,88 për qind janë turq, 1.355 ose 1,21 për qind janë romë, 1.019 ose 0,91 për qind janë serb, 754 ose 0,67 për qind janë të tjerë, si dhe 450 ose 0,40 për qind janë boshnjakë dhe 423 ose 0,38 për qind janë vllehë.

Krahasuar me raportin e vitit 2017, gjendja ishte si vijon: 82.374 ose 75,36 për qind ishin maqedonas, 21.112 ose 19,31 për qind janë shqiptarë, 2.012 ose 1,84 për qind ishin turq, 994 ose 0,91 ishin serb, 1.245 ose 1,14 për qind ishin romë, 429 ose 0,39 për qind ishin boshnjakë, 408 ose 0,37 ishin vllehë, ndërsa 730 ose 0,67 për qind të tjerë.

18 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, opinioni i ekspertëve dhe publikut të gjerë për marrëveshjen është i ndarë.

Për disa, kjo marrëveshje kontribuoi në ndërtimin e Maqedonisë së Veriut multi-etnike, garantoi dhe promovoi të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, ndërsa të tjerët mendojnë se duhet ende shumë të bëhet për ta zbatuar atë.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, vlen të përmendet se në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionon në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sekretariat i për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka për detyrë të zbatojë plotësisht Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. aa

“Nesër fakte të reja”, shtohet paniku në politikën maqedonase

Maqedonia e Veriut nuk gjen qetësi, teksa skandali me korrupsionin gjigant “Zhvatja” vijon të zgjerohet dhe në dritë paralajmërohet se do të dalin të tjera detaje.

Këtë lajm e ka dhënë gazetari italian, Larsi Gajser, i cili publikoi me video super-skandalin, në të cilin ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut. Gazetari Gajser ka paralajmëruar se nesër do të publikojë fakte të reja për këtë rast, të quajtur “Reket”.

“Maqedonia: Nesër 13 gusht, prej ora 11, në Raido Kapodistrija. Do të kyçem brenda në faktet drejtpërdrejtë në studio”, njofton Gajser, përmes statusit të tij në “Facebook”.