Ah, mëmëdhé! Ç’u bëra qesharak.
Një e skuqur më shket faqeve dhe druaj
T’i flas ndokujt, se s’më kupton aspak.
Në vendin tim po ndihem krejt i huaj!
Sergej ESENIN (1895 – 1925)
Sytë e fshehtë të vendlindjes
Në univers sytë e fshehtë
të vendlindjes shndërrohen në zog pa flatra
Në rropullitë e tokës gjuha e kuqe
e vendlindjes nga shpellat e Stërlashtit
rrjedh koha lehonë – amësim parajse
Nga furkat e mistershme me nimfa
të vendlindjes tjerrin shtëllunga yjesh kujtese
Nga mëngët e oshënarit të vendlindjes
dalin mrekullit’e botës, këngët, bletët
vendlindja se ndërron ngjyrën e syrit –
Vendlindja është pasqyrë kolosale
(fotografia e historisë sonë)
Vendlindja e ndriçon zemrën
njeriun e ndarë dhe të tejdukshëm
s’është turp ta thuash të vërtetën
për vendlindjen e bredhjeve,
me rrëfanën e qershigëlave
në dorë të lulëzuara
sqepit të pëllumbit të paqes.
Për vendlindjen
Krejt dituritë për vendlindjen
tërë forcat futen në Kutinë e Pandorës
në ëndrrën e thellë dhe të gjatë
të rrugës me sibila luleve u zgjatet jeta
(shpërblimin e vendlindjes e merr tjetri)
Sipas hartës vendlindja
bëhet harkëtyrë e stërgjyshit
llastohen si turtulleshat –
emrat e fisnikëve tanë të mjegulltë
Qielli është pasqyrë oqeani
rri mbi vendlindje fajkua
dhe çdo gjë që është jashtë kontrolle
Vendlindja të këshillon si nënë
nga kodi i vërtetësisë
është pllakë bakri e historisë
është ferman i gjeografisë
në të cilat janë vizatuar kontinentet
nga gjaku i fisit tonë
Nga milli dalin shpatat vizëlluese
në tehet e tyre të mprehta
zemra e vendlindjes ndahet si thele portokalli
Çdo gjë është në vendlindje dhe lejleku
në mijëvjeçarin e thellë të vjetëve
para lindjes sime
dhe tim eti me kalë të verbër malli.
Vendlindja e mbuluar me pluhur
Në paguret e trasha të qiellit
është krijuar ishulli me hala peshku mitik
Shih si ulet mjegulla e bakrit
lyer me vaj të detit që shkruan histori
Vendlindja është bukë
e ndarë në thela mbi sofër
(gastarja me verë – dy bukuri në dyluftim)
macja e moçme
në pragun e derës
kërkon hirin e vet në urnë
Njeri!
je çkredhur nga heshtja e pluhurit
Vendlindja është mbuluar me paskajë
është kthyer kujtesa
e fëmijërisë si lulja e ujit
është errësuar mendja, urtësia
zgjohu e ndriçoje këtë gëzim
– Vargu im është më i nevojshëm
këtu!
Në vendlindje s’ndalen lindjesimet
Vendlindja është krijim
Vendlindja është krijim pa jetima
vendlindja është histori para Herodotit
vendlindja është pushtet mbi botën
Ajo në botën e rrafshtë me ngé rri,
e pastron si lotin e fëmijës
e kryemjeshtron me gardhiqe jetike
e gjerbë si ujin që kjason
derisa bota nuk bëhet vendlindje
me fytyrën e lyer me blozë
që në te të shikohemi
në lëkurën e mëkatit
në lëkurën që e zëvendëson natyrën
(pa ngrohje globale)
kohë
romancë
shtegtim
(gënjeshtra)
dasma me nuse të klonuara
të cilat na ninullojnë
me rrebeshin e puthjeve
na detyrojnë të zbresim
në vendlindje për dashuri
të shikohem në pasqyrë
ku janë krijuar heronjtë
e imazheve tona në kurriz.
Asgjë s’është e mbyllur si vendlindja
Drita e zgjuar nuk depërton në vendlindje
në errësirën e saj
drita nuk refleksohet
tek në sipërfaqen e saj
në mukozën e lëkurës
Asgjë s’është e mbyllur si vendlindja
asnjë shtëpi
asnjë guacë
as kokrra e lajthisë
as veza
Ata pa ëndrra
në te takohen
vetëm para rikujtesës.
Që numrohemi me ditët e javës
mbrapsht nga e diela
bëhemi ithtarë të stinëve
duke i fshehur mëkatet e zhveshura
në plasat e murit me plitharë
nga pezmi ynë i hartuar vetvetiu.
Vendlindja e mbushur me frymë
Era i barti vijat e fytyrës
era e ka rrëxuar shkëndinë e vendlindjes
fryma është dushmane e prapa shpinës sime
e ka bërë çdo gjë të paqartë
shndërruar e ka në vlagë
dhe në dritare të boshadisur
e stërmbushur me frymë
Prej pasqyrës së vendlindjes toka
deri te vendlindja qielli
prej të njejtës në të ngjashmen
nga kujtimi se jeta
është vendlindje tjetër
në të cilën fytyrat humben nga flladi
nga jeta si gjethe bërshemi
erërat e zotërave tanë
Frymëmarrja është
vendlindja në trupin tonë
frymët që lundrojnë
njëra pas tjetrës në limane qiellore
njëkohësisht të vyeshëm si mokra
po aq dhe të qëndrueshëm
mbi granitin e palcës ujore.
Ç’është njeriu është vendlindja
Vendlindja është oqean i pafund
vdekja e saj që sërisht rilindet
Ç’është njeriu –
ajo është vendlindja
Vendlindja është çdo bukuri
e cila ta zbardhë e zbulon fytyrën tënde
dhe dy-tri kokrra kripe
Nëse fytyra humb si uji
kur është hëna e plotë
Vendlindja bashkohet
me universin
(bashkohet me tokën bukanike)
Në vendlindje jeton ajo prapa që s’duket
ajo që frymëmerr para stinëve të paardhura
Kështu njeriu e sheh fytyrën tjetër
krejt prej asaj që e ka ëndrruar
rërës së zhurtë gjurmëve të vendlindjes.
Ç’është njeriu është vendlindja
Profecitë e vendlindjes
Vendlindja rrëfen – orakulli
me gjuhën e xixëllonjave
me gjuhën e kristaleve
Ajo e profetizon fatin
duke ia zënë frymën e syve
duke e shndërruar në hi
(zjarri dhe asgjë)
Shtrigat e fshehura në mëndafshin e tyre
e sulmojnë vendlindjen
e stërpikin me ujin e pakapshëm
Vendlindja me agim nuk vjen nga Persia
as nga Thesalia
bile as nga Anamorava
nëpër lisa dhe shpella
netëve me shijavinë
Ta masin vendlindjen me gjakftohtësi
me Teoremën e Pitagorës
e cila pyetet prej nga kaq shumë rrëmet
në vendlindje
fytyra të panjohura
s’kemi njohuri se ndonjëherë kanë jetuar
Nuk di vallë a rrëfen vendlindja
për ata që sapo do të vinë
profetizon
me gjuhën e qytetërimit
me gjuhën e prejardhjes
me gjuhën e njeriut
prej të cilit me sa duket
do ta presim fatin nopran.
Deri në pikën e fundit të dritës
Arave të ritueshme të vendlindjes
grihej deri në kokrrën e fundit drita
deri në gjethin e ajrit e fshehur
grihej që sa më bukur oshëtimë të merr
imazhin në shkëlqimin e plotë
e nuk ka mbetë jehonë pa vendlindje
s’ka mbetur e tëra ajo që ishte
dhe si ka qenë
vetëm gjilpëra e shkëlqimit
(për ta arnuar vendlindjen)
Vetëm kujtimet në pluhur
të shpërndara nëpër vendlindje
që do rigjallërojë formën
do ta zgjoi kreshnikun
kush se ka grih vendlindjen kot e kot
tepër sensibile për thikat e tij
për ta mbrojtur vendlindjen
Deri në pikën e fundit të dritës
apo takimin para zërit.
Vendlindja është rritur në vallëzim
Vendlindja është rritur
në shtresën e allçisë së mykut
të bardhë të rrugës
nëpër te asnjë udhëtarë
as drunj
as shtëpi
Nga fundi i murit – vendlindja
vigjilon gjarpërin
dhe ia rrëmben zërin e heshtjes
Është fare e paqartë
vallë vendlindja e solli orën me orë të madhe
ose gratë e ndara të bardha
ose është ndonjë shenjë e bujareshës
në të cilën shikohen varfanjakët
Vendlindja si pasqyrë me hije të gjata
e gërshetuar në erë
që mezhdat i ka vizatuar
fëmija i panjohur
Vitet ia mbathën si hajgerët
në përpjekje për rregullimin e bojërave
sa është rritur vendlindja
dialektika e natyrës nuk shihet
vetëm me pasqyrën e vendlindjes
na ngazëllejnë djepat e rinj
Të gjitha rrugët e gëzimit nisen
Ose si djaloshi magji
përgjërimi të na shpienë në vendlindje
të dëlirtë e virgjinë na pret
Sa është rritur vendlindja në vallëzim.
Në çarçafin e vendlindjes
Në plasaritjen e qimeve të dritës
mielli i vendlindjes gatuhet
në ninëzën me përflakje të gjallë
Ngritet lëmishtshëm sikur thyhen bredhat
pa hetueshëm
si nëpër shtyllën e kurrizit të vendlindjes
deri në petalet e thonjve
Me vendlindjen në hejbe
jetën e jetoj
në buzët e tokës së brishtë
në pllajën e rrugës së natës me hënë
U vesha në çarçafin e vendlindjes
në zmaltin e saj kryemotiv
e kapullama e zjarrit të vendlindjes
pajtohet njëzëshëm me peisazhe
derisa e ndjen dimrin shtërgu kthehet
drita e cila zbardhet e nektartë
Dhe nga gjerdani i plasaritjes
vendlindja zgjerohet me baticë e zbatica
me kovat e bunarëve mbushur me yje
kurse zhargu i tij prej metali
bëhet lëkurë e re e jetës
sa vendlindja
në vargje.
Kaq bukuri ka në vendlindje
Kaq bukuri ka në vendlindje
që s’ia del ta mbulosh me harresë
Bukuria ia shton bukurinë vendlindjes
(si pasqyra)
del prej saj në vreshta
dhe nisesh këmbë nëpër botë.
Bota është përplot vendlindje, poet
vendlindjet janë të shumta si droja
vendlindja e pandriçuar në mes nesh
lëviz ngadalë dhe fuqishëm
Kaq shumë bukuri e mbulojnë vendlindjen
që vendlindja në ne transformohet
në vendlindjen e bëshmërisë
për herë të parë në te haptas puthemi
ti ngjajmë atyre të tjerëve
Vendlindja nuk na qorton.
Vendlindje!
Vendlindje je me pesë pole
e din fshehtësin’ e dritës
fshehtësin’ e gjuhës
Vendlindje je e shenjtë
e din dhe mundesh ti tregosh
atij kush din shtegun e Afërditës
atij që nuk ka haber
është krejtënjësoj ti e erëmon nga larg
Vendlindje je fjalë e ndritur
urtësia e lindjes
plasje për prodhimin e qelqit
nën sipërfaqen e ujit
të vendlindjes barku i gruas
Vendlindje je vajzërorja e Anamoravës
as e thyeshme
as e rrafshtë
e thellë dhe e fshehtë
si materje e jetës, minierë
Vendlindja nuk zemrohet
as nuk pakësohet
se ndjen zjarrminë
e etheve të planetit.
Vendlindja s’futet në kornizë
Vendlindja fare s’mjegullohet
oh, sikur të kishim mundësi ta shohim
emërtimin fill vetëm pa humbje
në te që kanë parë dhe përjetuar
ajo që në te zbukurohet
dhe zbrazet
në ftohtësirën e saj
Vendlindja s’futet në kornizë metali
Vendlindja nuk blindohet
Vendlindja është me gropa
të kohës, s’është
mitër e mbyllur
e cila nuk rri
në natyrën personale
të vendlindjes së emërtuar.
Ty, kurrë qefini mos të mbuloftë!
Kurrë sllavoserbi barbar mos të shqetësoftë!
P.S. Nata e kuqe – gjerdan
Nata e bardhë, Nata e kaltërt,
Vendlindja bën gjumë, Këndo për te,
ore Mustafa! Kaherë je përcaktuar, ë?
Në vendlindje,
1/14 janar 2013
Komentet