VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Komentet

Vetëvendosje: Presidenti nuk i takon askujt, ai zgjidhet pas zgjedhjeve

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se me përjashtim nga LVV-ja, të gjtiha subjektet tjera politike unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë me kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre, ndërsa shtoi se zgjidhja e vetme për çështjen e presidentit janë zgjedhjet.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje insiston që presidenti nuk i takon askujt, për shkak se nuk është pronë.

Ai edhe njëherë përsëriti se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se pas zgjedhjeve të reja, ai kuvend duhet ta zgjedh edhe presidentin.

“Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit”, shkruan Kryeziu.

Postimi i plotë:

Nuk kalon ditë që klubi i vjetër politik nuk demaskohet. Kësaj radhe, rendin e ka “kërkesa dhe nevoja për unitet” rreth çështjes së presidentit.

Po për çfarë uniteti, rreth kujt dhe për çka?

AAK thotë me këmbëngulje se ajo tashmë ka kandidatin e saj dhe nuk përkrahë ndonjë tjetër, e madje për të kërkon edhe “votë veresi”.

PDK thotë se nuk ka votë për ndonjë kandidat tjetër pos nga rradhët e saja, dhe se pas presidentit Thaçi ka ardhë “koha të nderohet me një kandidat tjetër për president”.

LDK, e tmerruar nga zgjedhet e reja, kërkon shpëtim gjetiu teksa thotë se ky post i takon PDK-së.

Si përfundim, të gjitha subjektet, në përjashtim të LV-së, unitetin për presidentin e radhës po e kushtëzojnë më kandidatin e tyre dhe për interesat e tyre. Pra po kërkohet unitet rreth ambicieve dhe interesave të tyre, dhe rreth një qasjeje krejt jokushtetuese pasi të gjitha po synojnë presidentin përmes një kandidati partiak.

Nuk mund te ketë unitet, pa legjitimitet. Veçanërisht jo rreth figurave të vjetra e partiake. Prandaj, ne insistojmë që presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Ai nuk është pronë. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, sipas disa kritereve që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit unifikues e përfaqësues të unitetit e popullit.

Edhe për këtë dilemë, zgjidhjen e gjejmë tek zgjedhjet.

Analistët amerikanë: Vemendje e shtuar për Ballkanin nën administratën Biden

Bashkimi Evropian po përpiqet ta shfrytëzojë ardhjen së shpejti të administratës Biden për një fillim të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas katër vjet tensionesh nën Presidentin Donald Trump.

Por çfarë ndryshimesh mund të shohim në marrëdhëniet e administratës së re me Evropën dhe në drejtim të çështjeve me të cilat përballet sot Ballkani Perëndimor?

Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës bisedoi me dy analistë në Uashington dhe përgatiti këtë material:

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian shpresojnë se pas katër vite tensionesh nën Presidentin Donald Trump, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të njohin një frymë të re me administratën Biden.

Charles Kupchan, drejtor i studimeve për Evropën në Këshillin prestigjioz për Marrëdhëniet me Jashtë, ka punuar për një kohë të gjatë me zotin Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka shoqëruar atë shpesh gjatë vizitave në Evropë.

“Vetë Joe Bideni e ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës i përqendruar te siguria evropiane dhe tek NATO-ja, ndryshe nga zoti Trump, i cili në thelb u tërhoq nga integrimi evropian. Prandaj, nuk ka dyshim se të gjithë në Evropë po marrin frymë të lehtësuar. Ndoshta jo të gjithë, sepse një pjesë kanë mbajtur marrëdhënie të mira me Presidentin Trump, por ata janë përjashtim,” thotë analisti.

Zoti Kupchan pret që ndryshimi më i madh që do të vihet re do të jetë së pari në atmosferën e marrëdhënieve:

“Do të ketë një mirëkuptim se SHBA janë kthyer në rolin e tyre tradicional si udhëheqëse e NATO-s. Së dyti, unë besoj se zoti Biden do ta zhbëjë vendimin e Presidentit Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Gjermania.

Janusz Bugajski është studiues në Fondacionin Jamestown.

“Unë pres që nga administrata Biden të ketë më shumë angazhim dhe vazhdimësi ndaj marrëdhënieve ndëratlantike… Është mirë që t’i tregojmë edhe brezit më të ri, të rinjve që nuk e kuptojnë rëndësinë e NATO-s apo të marrëdhënieve ndëratlantike se Amerika nuk mund të veprojë e vetme. Përhapja e viruseve, e dezinformimit e luftës kibernetike, të gjitha këto kërcënime ndaj sigurisë ndërkombëtare kërkojnë një aleancë të fortë,” thotë zoti Bugajski.

Zoti Kupchan nuk pret që presidenti i ardhshëm Biden të veprojë me shpejtësi përsa i përket marrëdhënieve me Evropën:

“Duhet të kuptojmë se zoti Biden, të paktën në vitin e parë do jetë mjaft i përqendruar në çështjet e brendshme, si pandemia, rihapja e ekonomisë. Por mendoj se ka gjithashtu rëndësi që edhe Evropa të bëjë lëshime në marrëdhëniet me zotin Biden, duke u treguar e gatshme për të bërë më shumë, për shembull duke shpenzuar më shumë për mbrojtjen.”

Por sa i rëndësishëm do të jetë Ballkani Perëndimor në politikat e administratëssë ardhshme?

“Mendoj se ndryshe nga shumë politikanë që të them të drejtën nuk e dinë se ku bie Ballkani, Joe Bideni gjen gjithnjë kohë për Ballkanin. Kur punoja me të në Shtëpinë e Bardhë, ai ishte gjithnjë i gatshëm të shkonte atje dhe fliste vazhdimisht në telefon me udhëheqësit e rajonit….” shpjegon Kupchan.

Sipas tij, Ballkani mori vemendje gjatë administratës Trump, pjesërisht sepse ambasadori Richard Grenell u angazhua shumë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. “Pra, jo se rajoni u la mënjanë, por mendoj se do të shohim një theks më të qëndrueshëm nga Departamenti i Shtetit dhe në një farë mase nga Shtëpia e Bardhë për Ballkanin, sepse ka shumë punë të papërfunduara,” thotë zoti Kupchan.

Sipas analistit Bugajski, u takon vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të realizojnë reformat brenda tyre, por ka shumë rëndësi që Shtetet e Bashkuara t’i inkurajojnë këto vende:

“Mendoj se ka patur shumë njerëz, që duke u nisur nga politikat e administratës Trump kanë thënë: Ndoshta Bashkimi Evropian nuk është aq me rëndësi sa e mendonim, sepse administrata Trump nuk po punon ngushtë me evropianët. Mendoj se një rianagzhim i zotit Biden ndaj BE-së do të ndihmojë vendet që kërkojnë të anëtarësohen dhe do të bindë shumicën e politikanëve në këto vende që t’i hyjnë punës për të plotësuar kushtet e anëtarësimit.”

Zoti Charles Kupchan thotë se solidariteti më i madh Amerikë-Evropë që pritet të shihet me ardhjen e administratës së re, do të ndikojë për mirë në normalizimin mes Beogradit dhe Prishtinës:

“Në një farë mënyre ka patur një rivalitet për Ballkanin mes administratës Trump dhe Bashkimit Evropian, sidomos sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Do të shihni se Uashingtoni do të punojë shumë më nga afër me Brukselin dhe me kryeqytetet evropiane për të sjellë më tepër qëndrueshmëri në Ballkan.”

Zoti Kupchan beson se do të ketë një rikthim në situatën kur Amerika do të përdorë si diplomacinë personale ashtu edhe peshën diplomatike për ta shtyrë rajonin në drejtimin e duhur.

VOA: Zgjedhjet, kritika të forta të Venecias për mënyrën e ndryshimeve Kushtetuese në Shqipëri

Komisioni i Venecias shprehu kritika të forta ndaj shumicës për mënyrën se si u veprua me ndryshimet kushtetuese që prekin zgjedhjet, të miratuara në fund të muajit korrik nga parlamenti, ndërsa vlerëson se ato nuk mund të konsiderohen ndryshime thelbësore që cënojnë parimin e stabilitetit të ligjit zgjedhor.

Komisioni u vë në lëvizje pas një kërkese urgjente të presidentit Ilir Meta. Në draft opinionin, të cilin ekspertët e Venecias e kanë hartuar në bashkëpunim me ODIHR-in, të dyja institucionet shprehen “të keqardhura që procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe të Ligjit Nr. 118 ishte jashtëzakonisht e nxituar. Një konsultim i gjerë ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar afatet e duhura, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre dokumenteve themelore”, vë në dukje opinioni paraprak.

Sipas Komisionit dhe ODIHR-it “ndryshimet kushtetuese u bënë në kundërshtim me rregullat më themelore të procesit legjislativ demokratik, edhe nëse supozohet se objekti i ndryshimeve ishte diskutuar më parë me opozitën parlamentare”. Sipas variantit paraprak “demokracia e qeverisur nga shteti i ligjit, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin formal të procedurave që lejojnë shumicën të qeverisë, por gjithashtu me diskutimin dhe me një shkëmbim kuptimplotë të pikëpamjeve midis shumicës dhe opozitës”.

Komisioni nënvizon se ka vlerësuar përputhjen e ndryshimeve më standartet ndërkombëtare dhe jor kushtetuetshmërinë e tyre, pasi “kjo duhet të jetë detyra e Gjykatës Kushtetuese sapo të bëhet përsëri funksionale”. Ndonëse shpjegon se “situata e pakëndshme në lidhje me Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të çojë në ndalimin e plotë të çdo aktiviteti legjislativ”, në opinionin paraprak theksohet se “në mungesë të një Gjykate Kushtetuese, të gjitha autoritetet duhet të sigurojnë, në një mënyrë shumë të kujdesshme, pajtueshmërinë me Kushtetutën, të procedurës që ndjekin, si dhe të teksteve që ata propozojnë për miratim dhe që eventualisht miratojnë”.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i, vërejnë se “ndryshimet legjislative në lidhje me institucionet kryesore shoqërore dhe politike, të tilla si ligjet zgjedhore, duhet të bëhen pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshin publikun e gjerë. Kjo vlen akoma më shumë për ndryshimet kushtetuese, të cilt nuk duhen bërë me nxitim, por “vetëm pas diskutimeve publike të gjera, të hapura dhe të lira “, duke përfshirë “forca të ndryshme politike, organizata joqeveritare dhe shoqata të qytetarëve, botën akademike dhe mediat”, si dhe duke parashikuar “ afate të përshtatshme”. Procedura zyrtare në Parlament ishte jashtëzakonisht e shkurtër (rreth një javë), dhe i tërë procesi nga prezantimi i nismës deri në miratimin e saj zgjati vetëm një muaj. Nuk ka standarde ndërkombëtare për sa kohë duhet të zgjasë procedura në Parlament, por ajo duhet të garantojë një diskutim publik në thelb të ndryshimeve”. Komisioni madje vëren se “ndryshimet hynë në fuqi pasi Presidenti kishte shpallur datën e zgjedhjeve, domethënë pas hapjes së procesit zgjedhor”.

Ndryshimet kushtetuese prekën ndër të tjera formulën e koalicioneve, pragun zgjedhor si dhe shmangën listat e mbyllur duke ofruar një formulë të komplikuar për lista të hapura. Ndërsa kujton se stabiliteti i ligjit zgjedhor, është thelbësor për të garantuar besimin në procesin zgjedhor, komisioni analizon dhe ndërhyrjet e bëra.

“Ndërsa amendamentet kushtetuese ndryshuan rregullat për caktimin e zonave elektorale, ato nuk u prekën me Kodin zgjedhor. Stabiliteti i ligjit zgjedhor nuk është vënë në diskutim në këtë fushë. Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë fuqimisht që të mos ndryshohet caktimi i kufijve të zonave elektorale para zgjedhjeve të ardhshme, sepse kjo do të ishte në shkelje të qartë të parimit të stabilitetit të ligjit zgjedhor”, vë në dukje opinioni paraprak.

Sa i përket futjes së listave pjesërisht të hapura, sipas Komisionit dhe ODIHR-i “është e vështirë të parashikosh efektin” e tyre. Ndërsa efektet e saj duhet të vlerësohen, duket se kjo risi nuk duhet të konsiderohet si një ndryshim thelbësor”. Të njejtin vlerësim Komisioni jep dhe për ndryshimin e pragut, dhe vendosjen e një niveli 1 përqind në nivel kombëtar.

Për Komisionin e Venecias, shmangia e koalicioneve në formën sipas së cilës kishin funksionuar më parë “mund të duket si themelor. Nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime, në caktimin e një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”. Në vlerësimin e ekspertëve të Komisionit dhe ODIHR-it “është e dyshimtë që ndryshimet në rregullat për koalicionet siç parashikohen në versionin e mëparshëm të Kodit mund të konsiderohen si një ndryshim thelbësor”.

Opinioni i jep përgjigje gjithashtu pikëpyetjeve të ngritura mbi legjimitetin e parlamentit për të ndërmarrë ndërhyrje të tilla, duke qenë se ai nuk funksionon me numrin e plotë të deputetëve, për shkak të braktisjes së mandateve nga opozita. “Komisioni i Venecias dhe ODIHR janë të mendimit se fakti që parlamenti nuk është i përbërë nga numri i plotë i anëtarëve, nuk është në vetvete problematike, sa i përket standarteve ndërkombëtare, duke qenë se vepron në linjë me kuorumin e përcaktuar nga Kushtetuta”.

Në opinionin paraprak, jepen një sërë rekomandimesh që duhen mbajtur parasysh përpara se të zhvillohen zgjedhjet, por dhe për periudhën e mëpasshme.

Sot në Istog u përurua Kompleksi Memorial “Ibrahim Rugova”, në ditëlindjen e 76 të Presidentit (Fotot)

Sot në Istog u përurua Kompleksi Memorial “Ibrahim Rugova”, në ditëlindjen e 76 të Presidentit.

Në ceremoninë e përurimit të Kompleksit Memorial “Ibrahim Rugova”, ishin të pranishëm Kryeministri Avdullah Hoti, kryetari i Istogut, Haki Rugova, vajza e ish-Presidentit, Teuta Rugova, si dhe zyrtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu duket shtatorja e Rugovës që u përurua sot në Istog:

Kompleksi “Ibrahim Rugova” në Istog ka kushtuar 350 mijë euro. Kuvendi i Kosovës kishte ndarë 200 mijë euro, ndërkaq Komuna e Istogut 150 mijë./GazetaExpress/

Gjykata e Lartë e Pensilvanisë hedh poshtë padinë që sfidonte zgjedhjet

Marrë nga Associated Press

Gjykata më e lartë e Pensilvanisë të shtunën në mbrëmje hodhi poshtë një urdhër të një gjykate më të ulët që kishte ndaluar shtetin të çertifikonte dhjetëra gara të zgjedhjeve të 3 nëntorit në padinë e fundit të depozituar nga republikanët që po përpiqen të sfidojnë fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në këtë shtet vendimtar.

Gjykata e Lartë e këtij shteti, në një vendim njëzëri, hodhi poshtë urdhrin tre ditor, duke thënë se padia ishte ngritur muaj pas skadimit të një afati kohor të ligjit njëvjeçar të Pensilvanisë për votimin me postë që lejonte sfidat ndaj tij.

Gjyqtarët gjithashtu vunë në dukje atë që e quajtën kërkesë të tepruar në padi që gjithë procesi zgjedhjor të rrëzohej në mënyrë retroaktive.

“Ata nuk kanë arritur të argumentojnë që qoftë edhe një fletë votimi e vetme me postë është hedhur ose numëruar në mënyrë të manipuluar”, shkruante shkroi gjykatësi David Wecht në opinionin e përbashkët.

Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, demokrati Josh Shapiro, e quajti vendimin e gjykatës “një tjetër fitore për demokracinë.”

Presidenti Donald Trump dhe avokati i tij, Rudy Giuliani, ndërkohë, kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur dhe të pabazë se demokratët falsifikuan fletëvotimet me postë për të vjedhur fitoren nga zoti Trump. Zoti Biden fitoi ndaj zotit Trump me më shumë se 80,000 vota në Pensilvani, një shtet që presidenti e kishte fituar në vitin 2016.

Padia që ishte paraqitur para një jave nga anëtari republikan i Kongresit Mike Kelly i Pensilvanisë veriperëndimore, pretendonte se ligjin për votimin me postë i shtetit ishte antikushtetues.

Kelly dhe paditësit e tjerë republikanë kishin kërkuar që të zhvlerësoheshin 2.5 milionë fletëvotimet me postë dërguara sipas ligjit – shumica e tyre nga demokratë – ose të anuloheshin rezultatet e zgjedhjeve dhe të udhëzohej legjislatura me shumicë republikane e shtetit, të përcaktonte elektorët e kolegjit presidencial të Pensilvanisë.

Në çdo rast, kjo kërkesë – që ligjvënësit e shtetit të zgjedhin delegatët e kolegjit elektoral të Pensilvanisë – bie ndesh me një ligj shtetëror gati një shekullor që parashikon se është vota popullore ajo që përcakton fuqinë për të zgjedhur, shkruan gjykatësi Wecht.

Megjithëse dy republikanët e gjykatës së lartë u bashkuan me pesë demokratët në kundërshtimin ndaj propozimeve në padi, ata u ndanë nga demokratët kur sugjeruan se pretendimi themelor i padisë – që ligji i shtetit për votimin me postë, mund të shkelte kushtetutën – ia vlen të konsiderohet.

Gjykatësja, Patricia McCullough, e zgjedhur si republikane në vitin 2009, kishte lëshuar urdhrin të mërkurën për ndalimin e çertifikimit të votave të çdo gare të mbetur, përfshirë ato për Kongresin.

Kjo nuk dukej se pati ndikim në garën presidenciale pasi një ditë më parë, guvernatori Tom Wolf, një demokrat, kishte çertifikuar zotin Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Pensilvani.

Zoti Wolf menjëherë apeloi vendimin e zotit McCullough në Gjykatën e Lartë të shtetit, duke thënë se nuk kishte asnjë “justifikim të arsyeshëm” për të.

Hedhja poshtë e padisë vjen pasi republikanët kanë humbur një sfidë ligjore të paraqitur në gjykatat shtetërore dhe federale në Pensilvani nga fushata e zotit Trump dhe aleatët e saj republikanë.

Të premten, një gjykatë federale e apelit në Filadelfia refuzoi tërësisht përpjekjen e fundit të fushatës së zotit Trump për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve të shtetit.

Në atë proces gjyqësor, fushata e Trump ishte ankuar se vëzhguesit e saj nuk ishin në gjendje të kontrollonin fletëvotimet me postë ndërsa po përpunoheshin në dy bastione demokrate, Filadelfia dhe qarkun Alegeno, që përfshin Pitsburgun.

Avokatët Presidentit Trump premtuan të apelojnë në Gjykatën e Lartë pavarësisht vlerësimit të gjyqtarëve se “pretendimet e fushatës nuk kanë asnjë meritë”.

zëri i amerikës

Pompeo uroi shqiptarët me rastin e ditës së Pavarësisë

VOA

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo ka ndarë një mesazh urimi për Shqipërinë dhe shqiptarët, në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan.

Këtë vit festojmë gjithashtu vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë, një shenjë e përparimit të rëndësishëm që ka bërë vendi në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE”, shprehej zoti Pompeo në deklaratën e tij.

Sekretari amerikan i shtetit përgëzon “Shqipërinë për rolin e saj udhëheqës si kryesuese e OSBE-së në vitin 2020 dhe vlerëson gjithçka që vendi ka bërë për të demonstruar përkushtimin ndaj komunitetit transatlantik”.

Shqipëria luan një rol qendror për të siguruar paqen dhe stabilitetin si pjesë e aleancës së NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë si një aleat i palëkundur”, thuhej në deklaratë.

I uroj siguri dhe shëndet popullit shqiptar ndërsa punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat që paraqet pandemia e COVID-19”, përfundonte deklarata e zotit Pompeo.

Pavarësisht ndalesave nga Serbia, në Luginën e Preshevës valoi flamuri kombëtar

Në komunën e Preshevës edhe pse është i ndaluar nga Serbia sot dita u zbardh me flamurin kombëtar ndërkohë në Bujanoc i pari i komunës Nagip Arifi pasi nderoi flamurin në zyrën e tij, e vendosi edhe në ndërtesën e komunës.

Përfaqësuesit e veteranëve të luftës së UÇPMB’së sot bën homazhe te varrezat e dëshmorëve ndërkohë e nderuan edhe spiralen e dëshmorëve tek vendi i lapidarit q forcat serbe e hoqën dhunshëm.

Flamuri u vendos edhe në godinën e Këshillit Nacionalshqiptar.

Për nder të Ditës së Flamurit Shqiprim Musliu zëvendëskryetar i komunës në Bujanoc me bashkëpunëtorë kanë mbjell në Dobrosin 28 fidanë që simbolizojnë 28 dëshmorët e UÇPMBS’së.

Ndërsa flamuri kombëtar shqiptar është i sanksionuar me ligj në Serbi, shqiptarët asnjëherë nuk e kanë përfill ligjin dhe këtë ditë të madhe e kanë festuar me flamur.

Ndërkohë gjithnjë janë dënuar dhe vazhdojnë dënimet për flamur në gjykatat serbe./rtk

Osmani bën thirrje për forcim të lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për forcim të lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Përmes një telegrami dërguar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për nder të 28 Nëntorit, 108-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Osmani tha se flamuri kombëtar simbolizon ndjenjën e ekzistimit të kombit shqiptar.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen”, thuhet në telegramin e Osmanit.

Osmani me tej thotë se si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë shndërruar në faktorë paqeje dhe stabiliteti në rajon.

“Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit, dërguar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Këtë 28 nëntor Shqipëria shënon 108-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Shqipëria shpalli pavarësinë në vitin 1912 në qytetin e Vlorës.

VOAL: Gëzuar, o shqiptarë! 28 Nëntori tjetër të na gjejë shëndosh e mirë dhe më të bashkuar se kurrë!

VOAL – 28 Nëntori 2020 na gjen ne shqiptarëve në përballje nga më të mëdhatë në historinë e kombit tonë, na gjen të tronditur nga humbjet njerëzore të shkaktuara nga pandemia, nga tëhuajtjet dhe vetmia që e shoqërojnë atë, të sfilitur nga qeverisjet e papërgjegjshme, nga skandalet e panumërta, nga korrupsionit dhe nga gangrenat e tjera gjithnjë e më kronike në jetën e kombit tonë dhe të shoqërisë sonë. Kjo ditë e shenjtë na e kujton se ne jemi vëllezër në gjak, në zemër, në shpirt, në flamur, jemi vëllezër që na bashkon fati historik, fati aktual dhe fati i së ardhmes në mënyrë të pandarë!

28 Nëntori, Dita e Flamurit, është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën, sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavaresia e Shqiperisë nga Ismail Qemaili në Vlorë.

Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. Bile mund të themi se Dita Jonë e Madhe – 28 Nëntori, është diçka më shumë se një kremte kombëtare, «DITA E SHENJTË ARBËRORE». 28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenare dhe me yllin gjashtëcepësh në mes dy krenash, në Kalanë e Krujës, ku valoi plot 25 vjet. Gjergji, deri në vdekje luftoi me atë flamur në dorë dhe kurrë nuk diti për humbje. Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet, sa Kryeheroi Ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë.

Pas vdekjes së Tij (më 1468), pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe ia ndaluan valimin flamurit tonë. U dashtën edhe 444 vite pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë ekzode e zbrazje masive të trojeve tona nga qeniet arbërore, derisa rifilloi sërisht valimi i Flamurit të Arbërit. T’i kemi parasysh arbëreshët, që ikën përterj detit, ose në veri (në Dalmaci), me qëndresën e tyre stoike dhe me ruajtjen fanatike të gjuhës, traditave dhe kulturës së të parëve. Qindra mijëra shqiptarë, duke mos mundur ta durojnë terrorin e pushtuesve, kishin ikur në shumë vende të botës – deri në Amerikë, Afrikë, Azi e deri në Australi.

Edhepse të mërguar, qeniet arbërore nuk ndejtën kurrë duarkryq, por gjithherë, në mënyra të ndryshme ishin të vënë në shërbim të kombit dhe të atdheut të braktisur nga dhuna e pushtuesve. Sidomos vlen të përmendet gjysma e parë e shekullit XIX, kur figurat e ndritura të kombit themeluan një lëvizje mbarëkombëtare, për të mbajtur gjallë shpirtin arbëror dhe për ta ndihmuar lirimin e atdheut nga pushtuesit. Kjo lëvizje, në historinë tonë, u regjistrua me germa ari dhe u quajt: Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ndër rilindasit e parë duhet veçuar: Vëllezërit Frashëri, Jeronim De Radën, Jani Vreton dhe shumë të tjerë.

Në kohën kur gërshetimi joparimor i interesave ishte shtrirë në mbarë hapësirat ballkanike e më së rëndi rëndonte supet e popullit tonë, liderët e kombit filluan artikulimin e zëshëm të aspiratave të ligjshme kombëtare, për liri dhe pavarësi. Nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, Perandoria Osmane u detyrua t’ua njohë autonominë disa vendeve fqinje, si: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, gjë që nuk ndodhi edhe me Shqipërinë, që në vorbullën e interesave dhe të marrëveshjeve ruso-turke, mbeti ende nën kthetrat otomane.

Të ndaluar të marrin pjesë në Kongresin e Berlinit dhe të indinjuar thellë nga pazarllëqet që u bënë për copëtimin e tokave tona, krerët shqiptarë, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Pashko Vasa e të tjerë, më 10 Qershor 1978, në Prizren mbajtën Kuvendin Mbarëkombëtar dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke shpallur kështu autonominë e Shqipërisë. U bë edhe një kabinet qeveritar dhe u organizua një administratë mbarëkombëtare, mirëpo Turqia – e tërbuar nga ky akt i shqiptarëve, me “bekimin” dhe heshtjen edhe të fuqive të mëdha të kohës, me një fushatë shumë të egër ushtarake dhe me terror, pas tre vjetësh – më 1881 e shuajti Lidhjen e Prizrenit dhe autonominë shqiptare.

Shqiptarët nuk janë dorëzuar kurrë. Ata gjithmonë e luftonin pushtuesin dhe e forconin Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare – me pushkë e me penë. Në vitin 1899, nën drejtimin e Haxhi Zekës, u mbajt në Pejë edhe nhjë kuvend i madh mbarëkombëtar, që historia e njeh si Lidhja e Dytë e Prizrenit. Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane që shtrihej në tri kontinente (Azi, Europë dhe Afrikë) dhe e ndarë në 33 vilajete, katër nga të cilat ishin shqiptare, nga sulmet që nga të gjitha anët i bënin popujt liridashës, ishte dobësuar dukshëm. Njëri nga Vilajetet shqiptare ishte Vilajeti i Kosovës, me kryeqytet Shkupin, që përfshinte territoret e Dardanisë së dikurshme.

Luftërat çlirimtare, që plasën në të gjitha viset e pushtuara, i dhanë një goditje të rëndë “të sëmurit nga Bosfori”. Si pjellë e konçesioneve, që kishte fituar Serbia në Kongresin e Berlinit, në vorbullën e interesave, me marrëveshjen e fshehtë ruso-turke, kombit tonë i ishte imponuar edhe fronti verior, sepse shumë troje tona u pushtuan nga Serbia, që me sulme barbare deri në gjenocid i kishte detyruar të shpërngulen shumë shqiptarë nga trojet e tyre, që si rezultat pati spastrimin e mbi 700 vendbanimeve të Krahinës së Toplicës nga fara arbërore.

Në vitin 1908, e dobësuar shumë nga sulmet që i vinin nga të katër anët, Perandoria Osmane u detyrua të bëjë reforma dhe të lëshojë pe në shumëçka, në vendet e pushtuara. Xhonturqit, edhe nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, me këto reforma u kishin njohur disa të drejta popujve të pushtuar, përfshirë edhe shkollimin në gjuhën e tyre amtare dhe shprehjen e identitetit kulturor. Në nëntor të vitit 1908, nën drejtimin e At Gjergj Fishtës, në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, ku u njësua alfabeti i gjuhës shqipe. Në të gjitha viset shqiptare filloi organizimi i shkollave kombëtare.

Në vitin 1909, kur u organizua kryengritja e madhe e popullit arab kundër Turqisë, kur shpërthej edhe lufta e madhe italo-turke në Tripoli dhe kur plasën luftërat ballkanike, krerët e kombit filluan ta mobilizojnë edhe popullin tonë. Në pranverën e vitit 1910, Idriz Nikollë Seferi, bashkë me Dom Mikel Tarabulluzin, në zyrën famullitare në Stubëll të Karadakut, kishin hartuar planin e Luftës së Kaçanikut. Trimat e ardhur nga viset e Karadakut dhe të Moravës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe ata të ardhur nga Carraleva dhe nga viset tjera të Kosovës, nën udhëheqjen e Isë Boletinit, ishin bashkuar në Stagovë, prej nga futen në Grykën e Kaçanikut dhe i dërmojnë taborret e Turgut Pashës.

Lufta e Kaçanikut ishte fillimi i kryengritjes mbarëkombëtare për çlirim nga zgjedha pushtuese otomane, që në vitin 1911 – nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, ishte zgjeruar në Malësinë e Shkodrës dhe në krahinat fqinje, deri në Shqipërinë e Mesme, për t’u zgjeruar edhe në jug, kështuqë në vitin 1912 ishte përfshirë mbarë Shqipëria – nga Janina deri në Mitrovicë e nga Durrësi deri në Preshevë.

Tashmë vërehej qartë se Perandoria Osmane po kapitullonte, prandaj fuqitë e mëdha të kohës kishin filluar tregtimin mbi tokat që do të dilnin nga kthetrat otomane. Pamëshirësitë absurde kundrejt shqiptarëve, mbi tavolinat diplomatike, nuk kishin fund. Derisa Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi u ishte njohur pavarësia, më 17 tetor 1912 fuqitë e mëdha kishin vendosur që Shqipërisë t’i njihej një autonomi, ende nën varësi nga Turqia. Duke mos përballuar më turpet dhe absurdet diplomatike të fuqive të mëdha, krerët e kombit tonë, që me pushkë e me penë e kishin udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare, kishin vendosur mbajtjen e një kuvendi mbarëkombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Duke iu përgjighjur thirrjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë ishin mbledhur krerët e të gjitha krahinave shqiptare: Luigj Gurakuqi, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Dom Nikollë Kaçorri, Jani Minga. Avdi Toptani, Pandeli Cale, Llesh Nosi, Mid’hat Frashëri, Mehmet Tërralla, Hasan Hysen Budakova, Sherif Efendi Dibra, Hajdin Draga, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Taiu e shumë të tjerë. Për shkak të pengesave gjatë rrugës, Isë Boletini me mbi 10 mijë kalorës nga Kosova, kishte mbërritur vetëm të nesërmen.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të Shtetit Shqiptar. Kryetar i Kuvendit e natyrisht edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali, i cili, kur po e ngriste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera ka thënë: “Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”. Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Megjithë ndërhyrjet e parreshtura diplomatike të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë Shqiptare, në të gjitha institucionet e qarqeve ndërkombëtare, gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, të involvuar në gërshetim interesash, kanë lejuar copëtimin e tokave shqiptare. Kështu, në konferencën e ambasadorëve në Londër, më 1913, pa përfillur luftën çlirimtare as vullnetin e popullit tonë, u morën vendime tragjike kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më shumë se gjysma e toka tona iu dhuruan fqinjëve: Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë (sllavomaqedonasit në atë kohë nuk kishin identitet kombëtar, pra ishin bullgarë). Kështu, ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe, kanë përligjur gjakderdhjen në Ballkan, duke lënë të hapura varrë që do të kullonin gjak gjatë gjithë shekullit XX. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1920, që për shkak të vendimeve të tilla, edhe pas Luftës së Parë Botërore, tokat tona mbetën të pushtuara nga vendet e përmendura. Me të drejtë, i Madhi At Gjergj Fishta e shan Europën e asaj kohe, duke e quajtur edhe kurvë: “Oj Zanë këndojmë, o të vajtojmë deshta me thanë…”.

28 Nëntori i tretë Shqiptar ndodhi në vitin 1944, kur Shqipëria u çlirua përfundimisht nga pushtuesit fashistë, mirëpo diplomacia ndërkombëtare, sërish na e la një Shqipëri të cunguar, duke njohur dhe përligjur edhe brenda shtetit shqiptar një diktaturë të egër komuniste, që shkatërroi edhe ato pak të arritura në rrafshin kombëtar – politik, ekonomik, kulturor… Ai regjim pushtuesve (grekërve, serbëve e sllavomaqedonasve), heshtas u lejonte dhunën e pandalshme mbi shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara, deri në spastrime etnike e gjenocid.

28 Nëntori i vitit 1955, mu në kohën e gjenocidit rankoviqian mbi shqiptarët e Kosovës, në Prekaz të Drenicës lindi kryekomandantin Adem Jasharin, i cili do të niste Luftën Çlirimtare vendimtare, për t’u çliruar nga zgjedha serbiane. 28 Nëntori i vitit 1997 e shpalli botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 28 Nëntori i vitit 2001, e solli me krenari, në qendrën e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin – Skënderbe, i cili edhe sot u jep zemër shqiptarëve dhe u garanton se një ditë të afërme do të jenë pronarë të ligjshëm të të gjitha tokave të tyre.

Në këtë festë të madhe, që sivjet po e kremtojmë edhe në shenjë të Vitit të Gjergj Kastriotit – Skënderbe, kryekalorësit të Europës!

Zoti e bekoftë Ditën Tonë të Shenjtë – 28 Nëntorin!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjitha tokat shqiptare jashtë kufijve të saj administrativë!

Zoti i bekoftë të gjitha qeniet arbërore!

Gëzuar!

Natasha Lako: Lumja ime, më ike pa të përshëndetur!

Lumja ime, zemra ime, mikja ime, piktorja ime, trimja ime, e vetmuara ime ne kete kohe te veshtire, me ike pa te pershendetur.
Ju lutem, duroni mbani distance, mbani masken plotesisht, le te bejme aq sa mundemi per te mos dhene lamtumira kaq te hidhura.
Lume Blloshmi, artistja me inteligjente shqiptare !

Koronavirusi ia merr jetën piktores së njohur, humb betejën pas 3 javësh Lumturi Blloshmi

Ndahet nga jeta për shkak se ishte infektuar me Covid 19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi.

Mesohet se ajo po luftonte me virusin e rrezikshëm prej tri javësh, pa mundur t’i bëjë ballë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lume Blloshmi njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë.

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë. Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.

Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë.

Joe Biden letër shqiptarëve: Kurrë s’kam qenë kaq optimist për të ardhmen, do të shpëtojmë planetin!

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka shkruar një letër shoqatës kosovare “Miqtë e Amerikës”, me rastin e Ditës së Falënderimeve (Thanksgiving Day), që u festua një ditë më parë në SHBA.

Letra është publikuar nga kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, ku Biden shprehet se dita e falënderimeve është një kohë e veçantë për Amerikën, për të reflektuar mbi atë që ka sjellë viti dhe për të menduar për atë që pritet përpara.

Letra:

Agim,

Dita e falënderimeve është një kohë e veçantë për Amerikën. Një kohë për të reflektuar mbi atë që ka sjellë viti dhe për të menduar për atë që pritet përpara.

Besimi, guximi, sakrifica, shërbimi ndaj vendit, shërbimi ndaj njëri-tjetrit dhe mirënjohja edhe përpara vuajtjeve, kanë qenë prej kohësh pjesë e asaj që do të thotë falënderimet në Amerikë.

Në fakt, unë kurrë nuk kam qenë më optimist për të ardhmen e Amerikës sesa jam tani.

Unë besoj se Shekulli 21 do të jetë një Shekull Amerikan.

Ne do të ndërtojmë një ekonomi që udhëheq botën.

Ne do ta udhëheqim botën me fuqinë e shembullit tonë – jo me shembullin e fuqisë sonë.

Ne do të udhëheqim botën për klimën dhe do të shpëtojmë planetin.

Ne do të gjejmë shërimin për kancerin, alzheimerin dhe diabetin.

Nga familja Biden tek e juaja, kudo dhe sido që të jeni duke festuar, ne ju urojmë një Falenderim të Gëzuar.

Zoti ju bekoftë.

Joe Biden


Send this to a friend