Jovan Jano
Margarita Xhepa (Prifti) ka një jetë të tërë në skenën e teatrit dhe të shesh-xhirimeve të filmave. Jeta e saj kaloi nëpërmjet kohës së mjerimit, të ëndrrave dhe zhgënjimeve të mëdha, por ajo gjeti rrugën e bukur e të vështirë të artit. Asgjë nuk është kaq rastësi sa thuhet në këtë botë, çdo njeri i ngjizur, përtej fatit e rrethanave priret të përmbushë një “mision” në jetë, “mision” mbase i pamundur për shumëkënd, por i realizueshëm për disa. Mjafton vetëm dëshira e zjarrtë, vullneti i hekurt dhe…ëndrra të kthehet në realitet.
Margarita ishte 8 vjeçe kur nëna e saj biologjike u nda nga jeta duke lënë pas katër fëmijë: një djalë, Josifin dhe tre vajza: Margaritën, Tikën dhe Anastasinë e vogël. E rritur në një mjedis myzeqar, me njerëz të urtë dhe të gjendur për njëri-tjetrin, por edhe e kalitur që e vogël me vështirësitë, Margarita gëzoi dhe gëzon cilësi të rralla njerëzore.
Mund të themi pa ndrojtje se ajo është shëmbëlltyrë e largët e gjysheve, tetove dhe nenave tona zëmjalta që me fjalët e tyre zbusnin pejsazhin e vrazhdë patriarkal të mjedisit shqiptar. Margarita gëzon një respekt të veçantë tek të gjithë njerëzit, të njohur dhe të panjohur. Bukuria dhe zgjuarësia e lindur, talenti i shprehur në një moshë të njomë, mjedisi ku ajo u rrit, në Lushnje dhe në familjen e Janove, nëLibofshë; fshati, kopshti me gjithfarë pemësh frutorë, pyjet, lumi, njerëzit, cicërimat e zogjve, blegërimat e deleve, festat kishtare dhe mbase pak fat, u gërshetuan për të na dhëne aktoren, nje nga obelisket me te mire e me te bukur te skenes dhe ekranit, Margarita Xhepën.
Vitet e hershme të fëmijërisë së Margaritës përkojnë me një periudhë kur në qytetin e Lushnjes dhe të fshatrave të saj kambanat e kishës binin 3-4 herë në ditë, gjë që do të thotë se vdisnin shumë njerëz.Tuberkulozi dhe malarja bënin kërdinë. Edhe sot po të pyesësh të moshuarit, ata thone se në Myzeqe njerëzit ndaheshin: në të varfër, të mjeruar dhe gjorçinarë, (të gjorët) pra shkalla më e ulët e mjerimit. Vetëm në Stanin e Bobos brenda një jave kanë vdekur nëntë vetë. Ky fakt nuk duhet harruar.
Por manushaqet dhe të gjitha llojet e luleve gjenin terren dhe mjedis për të shpërthyer dhe lulëzuar. Kështu ndodhi edhe me Margaritën.
Që në moshën e fëmijërisë së hershme spikati tek ajo dëshira për të recituar, për të lexuar vargje nga Naim Frashëri, Mjeda, Migjeni dhe Lasgush Poradeci. Recitonte ajo në shkollë ku dallohej nga fëmijët e tjerë, në lagjen e vet në Lushnje, ku thurte ëndërrat e veta me shoqet e saj, Ferial Alibali apo me vajzat e respektuara të familjes Fuga, që i kujton me nostalgji për bujarinë e tyre, kur loznin në atë kalldrëmin e rrugës së lagjes tek Kroi i Krakullit dhe sidomos në Libofshë kur shkonte për pushimet e verës.
Ajo pati tërhequr vëmëndjen e artistëve te talentuar vendas si Ilia Shyti, Kristaq Dhamo, Vangjel Myzeqari etj., se Myzeqeja është trevë artistësh, kujtojmë këtu Vaçe Zelën, njerëzit e shquar të letrave si Jakov Xoxa, Nasho Jorgaqi, Vath Korreshi, Faslli Haliti etj.
Hyri në teatër kur ishte filiz i njomë dhe u rrit me veprat shekspiriane, interpretoi tragjeditë polidimensionale që ishin të mbështetura në antikitetin e lashtë. Kontribuoi në art duke u përballur me lloj lloj mendësish patriarkale.
Në moshën e rinisë së hershme Margarita, duke spikatur me sharmin e saj rinor që rrezatonte mirësi dhe me talentin e saj tërhoqi vëmendjen e artistëve më të rritur e më të shquar të kohës dhe vazhdoi jetën artistike nga Lushnja në Tiranë, ku pas një pune këmbëngulëse dhe fal talentit të saj do të kthehej jo shumë vonë në një ikonë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Sharmi i saj është sinonim i fisnikërisë, i bukurisë dhe inteligjencës së femrës shqiptare. Jo shpesh qëndrojnë kaq hijëshëm këto tipare njerëzore, se sa tek Margarita.
Statura e saj artistike i jep nder kombit tonë. Ajo është një qytetare dinjitoze shumë e mire, sa edhe një nënë me cilësi të mrekullueshme. Ajo së bashku me bashkëshortin e saj, të ndjerin, artistin dhe aktorin Xhavit Xhepa, lindën dhe edukuan tre djem, të cilët spikasin me punën e tyre në shërbim të detyrës, që kanë. Është i shquar për talentin e tij një nga bijtë e saj, Ndriçim Xhepa, një ndër aktorët më në zë të brezit të vet.
Margarita është shumë e komunikueshme, e papërtuar dhe e thjeshtë. Pallatet e Kulturës së Fierit dhe Lushnjes kushedi sa herë janë dridhur nga duartrokitjet që korrte ajo në skenë. Ajo qysh në moshen e rinise luajti në skenë role mjaft të vështira të cilat i realizoi me dinjitet. Kujtojmë me këtë rast Ofelinë te “Hamleti”, Dezdemonën te tragjedia “Otello”, Klean tek “Dhelpra dhe rrushtë” dhe dhjetëra role në filmat tanë.
Nëse ka një teto Ollgë, ajo është Artistja e Popullit, Violeta Manushi. Nëse ka një Bude, ajo ëshë Artisja e Popullit, Drita Pelingu. Por nëse ka një Ofeli, një Hekubë, ajo, pa dyshim është Artistja e Popullit dhe Mjeshtre e Madhe e Artit, Margarita Xhepa.
Sot Margarita Xhepa është një obelisk i gjallë me 85 vite mbi supe.Deri para disa kohësh, edhe pse në moshë të shtyrë, mori përsipër role të vështira si “Hekuba” e Euripidit, ku mbajti në shpirt gjithë tragjedinë e Trojës, ose “Kënga e Mjelmës”, ku mban për një orë e gjysëm të mbërthyer publikun artdashës.
Margarita ështëklasifikuar si ikona e skenës shqiptare, si kurora e artë në artin shqiptar ose si lulja më e bukur në kopshtin e teatrit popullor.
Ajo është Qytetare Nderi e Fierit dhe Lushnjes, është Artiste e Popullit dhe Mjeshtre e Madhe e Artit.
Margarita është një margaritar në mozaikun e grave artiste, pse jo, edhe të gjithë Shqipërisë.
Me këtë rast më kujtohen ca fjalë të një njeriu të madh ku me të drejtë shkojnëpër Margaritën:Të të dojë familja është gjë e mirë. Të të dojë shoqëria, është mrekulli. Ndërsa të të dojë kombi, është madhështi.
Komentet