VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Në 50-vjetorin e lindjes, publikohet poezia sekrete e Tupac Shakur

By | June 17, 2021
blank

Komentet

blank

Letërsia dhe Psikoanaliza Nga Iris Halili

Cili është kuptimi që mbart ky titull?

Cili është senci konvencial dhe tradicional?

E verteta është se ekziston një lidhje e fortë midis letërsise dhe psikoanalizës. Ky konkludim mbështetet tek disa arësye:

⦁ Pikë së pari kjo lidhje gjendet tek marrëdhënia shumë vjecare, madje shumë shekullore që shoqëron këtë raport. Duhet të sqarojmë se lidhjet midis letërsisë dhe psikoanalizës nisin në fillim të shekullit të 20th me shkëputjen e psikologjisë nga filozofia, kjo si rezultat i lindjes së Frojdizmit (psikoanalizës). Por duke patur parasysh lidhjet e vjetra të letërsise me ish binjakët filozofi -psikologji, bindemi se historia e lidhjes mes tyre është rezultat i nje tradite të provuar në kohë. Kujtojmë këtu Simpoziumin e Platonit, ku autori përpunon teorinë idealiste të dashurisë.Si një vepër e krijuar mes filozofisë dhe letërsise, ky simpozium prezanton diskutimin idealist të dëshirave dhe merr formën mespërmes fjalëve, që arrijne kulmin në këngët e Sokratit, ku ai i këndon dashurisë dhe filozofisë në të njëjtën kohë.

⦁ Nuk mund të mos afrosh letërsinë me psikoanalizën, po të kihet parasyh se vetë Frojdi ka një studim jo të vogël rreth procesit krijues të artistit dhe shkrimtarit. Dr. Frojd si asnjë tjetër deri më sot është përpjekur të argumentojë: Pse shkruajmë? Çfarë na shtyn të shkruajmë? Ku arrijmë apo shkojmë duke shkruar? Dr. Frojd nuk konkludon por propozon dy lloje hipotezash për shprehjen e natyres poetike si proces në vetvete. Këto hipoteza ai i karakterizon “Si teknikat e mposhtjes së ndjenjës së kundërshtisë, e cila ka mbyllur me barriera ato arësye mes një egoje të vetme dhe të tjerave”. Sipas teorisë frojdiane, shkrimtari vuan karakterin egoist të fantazisë, duke e ndryshuar apo degustuar atë. Në ketë mënyre ai krijon nje pastërti të formës, që është një kënaqeësi estetike, të cilën na e ofron me praninë e fantazisë së tij. Kështu, gjithmonë sipas Frojdit na krijohet mundësia e një qetësimi dhe kënaqësie, që zanafillen e errët e ka fizike.

⦁ Një moment tjetër ku shfaqet lidhja midis letërsisë dhe psikoanalizës, është mbështetja e teorive me të sukseshme frojdike mbi analiza mitesh apo veprash letrare. Duhet thene se teoritë me dominante të psikoanalizës e kanë bazën apo burimin tek kryeveprat e letërsise. Kështu kemi teorinë psikonalitike të kompleksit të Edipit, mbështetur në mitin e Edipit që në një akt të pavetedijshëm vrau të atin dhe u martua me të emen, mit që na vjen gjithashtu përmes tragjedisë së famshme të Sofokliut. Kemi teorinë psikoanalitike të Narcisit mbështetur në mitin me të njëjtin subjekt, kemi studimin frojdian mbi Hamletin, sipas të cilit e gjithë drama hamletiane nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje me vetveten e Shekspirit të cilit sapo I kishte vdekur i jati.

Po të studiosh historinë e lindjes së psikonalizës mund të themi se prej fillimit të hershëm letërsia ka qenë për psikoanalizën jo vetëm një fushë vazhdimi, por edhe një pikë fillimi për zbulimin e më të rëndësishmeve analiza psikoanalitike!

⦁ Një këndvështrim të lidhjes midis letërsise dhe psikoanalizës e sjell profesoresha e Universitetit të Jelës, Shoshana Felman. Në argumentet e saj ajo parapëlqen të bëjë një paralelizem midis punës së psikonalistit dhe asaj të kritikut letrar. Ajo i gjen këto profesione si shumë pranë njeri -tjetrit, të tillë që sikur përballë psikoanalistit ndodhet pacienti, edhe perballë kritikut letrar ndodhet teksti letrar sikur është përcaktuar apo ofruar nga autori. Profesoresha Felman shkon deri në ekstrem tek konkludon se një kritik letrar e zgjedh këtë profesion ose duke qenë mosdashës ose i pazoti të bëjë psikoanalistin. Sipas saj “Në të njëjtën kohë kur psikoanaliza flet për pavetëdijen në letërsi, letërsia si kompensim mbetet pavetëdija e psikoanalizës”.

Përpos argumentave që shtruam më sipër, padyshim duhet thënë se letërsia dhe psikoanaliza nuk janë e njëjta gjë, ndonëse mes tyre ka një lidhje sa të brendshme aq edhe të jashtme. Ato janë njëkohësisht sa të ndryshme nga njera -tjetra aq edhe të “përqafuara”me njera- tjetren. Ajo çka i intereson më tepër letersisë nuk është sa dhe si qëndron lidhja mes saj dhe psikoanalizës, por si psikoanaliza e ndihmon letersinë në kuptimin dhe interpretimin e tekstit dhe karakterit letrar si dhe procesve që ndodhin brenda ngjarjes letrare.

Eshte pranuar tashmë se së pari psikonanaliza i vjen në ndihme letërsisë në të kuptuarit të asaj që ajo e quan “lexim frojdik i një vepre letrare”. Ka shumë argumenta pro dhe kundër kësaj teorie, nëse është e rreme apo është e vërtete, mbetet korrekte apo jo korrekte. Ndoshta mund të pranohen të dyja bashkë sikur thuhet: “Leximi frojdik është i vërtetë, por jo me i vërtetë se pozicioni opozitar, i cili është në kontraditë me të”.

Dr. Frojd ka jo pak teori që kanë qenë pikë së pari zanafilla e të ashtuquajturit “lexim frojdik”. Leximi frojdik ka qene provuar edhe nga Jasques Lacan (1901-1981), që mbahet edhe lideri i psikonalizes francese si dhe një ndër korifejte e psikoanalizës që krijoi gjithashtu shkollën laciane të psikoanalizës. Më i shquar se kudo Lacan ka qënë tek punimet “Katër konceptet themelore të psikoanalizës” dhe ‘Studimi për Hamletin”. Për shkollen lacaniane pavetëdija është “Jo vetëm cfarë mund të jetë e lexueshme, por gjithashtu parësore në atë cka lexon”. Për Lakanin letërsia nuk paraqiste asnjë interes tjetër për aq kohë sa ajo nuk ilustronte një metodë apo koncept psikoanalitik. Duket se Frojdizmi dhe Lacanizmi kanë një të përbashkët përsa i perket afrimit dhe interpretimit të teksit letrar nëpermjet psikoanlizes së krijuar nga dr. Frojd. Sot “leximi frojdik” është i mirënjohur dhe shumë i zbatuar nga studiues të shumtë , vecanërisht autorë amerikanë dhe franceze.

Por le ti hyjmë argumentin më thjeshte. Çdo të thotë lexim frojdik i nje vepre letrare? Cfare është leximi frojdik dhe cfare nuk është ? Cfarë është teksti ftues dhe cfare në një tekst mund ti qëndrojë një interpretimi psikoanalitik ? Në çfarë rruge letërsia e autorizon psikoanalizën të bashkëpunojë në diskutimin rreth letërsisë dhe në cfarë rruge bën letërsia skualifikimin e këtij diskutimi?

Pyetjet mund te konceptohen edhe ndryshe. Përshembull, cfarë teoria psikonalitike ka për të thënë rreth teksit letrar, por në të njëjtën kohë edhe cfarë letërsia ofron për psikoanalizën? Në cfare pike një fillim leximi nis të bëhet “frojdik i mjaftueshëm”?

Një karakterizim i përgjithshëm na thotë se “Leximi frojdik është insistimi i leximit në anën seksuale dhe të pavetëdijshme të tekstit, kur këta të fundit luajnë një rol vendimtar në të”. E gjithë analiza psikoanalitike mbështetet në natyrën e brendshme erotike të metaforës dhe simbolit. Sipas kritikës psikoanalitike teksti letrar është i përcaktuar me tri mënyra të ndryshme:

⦁ Përmes retorikës

Kjo do të thotë se vlen per tu vecuar në një tekst pjelloria e metaforës erotike dhe simboleve jo direkte, “emri i vecantë” i natyrës së tyre seksuale.

⦁ Menyra e dytë është “kenaqësia tematike”. Kjo ka të bëjë me ngjarjen anormale të tekstit, elementit fantastik ose manifestimeve të cuditshme.

⦁ Përcaktimi i tretë është përmes strukturës narrative, e cila synon ti përngjaje një enigme. Në lidhje me narracionin në kritikën psikoanalitike pyetja nuk është “cfarë do të tregojë historia?”, “Por si tregon historia?”

Le të ndalemi tek seicila pikë më sipër.

Çështjes së retorikës Dr. Frojdi i përgjigjet me shpjegimin dhe interpretimin e asaj që përbën apo na sjell “emrin e vecantë” në tekst, kuptimin letrar të këtij emri dhe metaforën apo simbolikën qe mbart ky “emër i vecantë” Për ta kuptuar më mirë retorikën e “emrit të vecantë” sipas leximit frojdik unë jam ndalur në novelezën “Qershia” të Migjenit. Në veçanti krijmtaria e Migjenit do të përbënte një shëmbull shumë të kënaqshem për leximin frojdik. Në novelezen “Qershia”prologu apo nisja ecën shumë shpejt dhe në përgjithesi kritika psikoanalitike e paraqet këtë hap si një proces të veshtirë për t’u kapërcyer. Kështu tek që në fjalinë e parë lexojmë: “Qershitë janë pjekur, janë bërë të kuqe si gjaku dhe në malësoren e re është pjekur fruti i dashurisë”. Fjala e parë e fjalisë së parë do të përbënte “emrin e vecantë” të leximit frojdik. Ky symbol I fshehur nënkupton epshin e ngjallur tek malësorja në vitin e parë të martesës. Tek Migjeni natyra e fshehur e simbolit ( çka është dominant në një lexim frojdik) i humbet vlerat e plota, pasi vetë autori gjatë rrëfimit bën zbërthimin e tij.

Raste tipike të retorikës që mbartin “emrin e vecantë” pas të cilit fshihet një simbol apo metaforë që kërkon zbërthim apo analize frojdike kemi me shumicë në letërsi, përralla apo mite. Ajo që e bën më interesante interpretimin frojdik në mite apo në përralla është se në to në kundershtim psh me Migjenin pothuaj kurrë nuk gjejme përgjatë rrëfimit zbulimin e simbolit apo metaforës së fshehur pas “emrit të veçantë”.

Duhet shënuar se gjithcka që përmbledh analiza përmes retorikës sipas leximit frojdik është zbërthimi I simbolit dhe metaforës së fshehur të cilat në vetvete janë shfaqe të pavetëdijes së protagonistit në tekst apo të pavetëdijes së vetë autorit. Këtu na vjen ndër mend edhe shprehja e Ernesto Sabatos sipas të cilit ëndrrat, mitologjia dhe arti nuk janë gjë tjetër vecse shfaqje të pavetëdijes.

2. Në lidhje me tematikën leximi frojdik ka për qëllim zbulimin e elementit fantastik përmes një diagnoze. Psh kafka e babait në dorë të Hamletit si dhe gjithë dilemat e tij në monologjet e tragjedisë nuk janë tjetër vetëm se shprehje e hapur e kompleksit të Edipit, që ka për qëllim zëvendësimin e vendit të babait tek nëna.

3. Ndërsa çështjes së narracionit, leximi frojdik i përgjigjet me nevojën e shoshitjes së botës apo nëpërmjet shoshitjes së misterit. Ketu leximi frojdik dallon rastet e narracionit ku bën pjesë vetëm një narrator si dhe rastet e narracionit me më shumë se një narrator, kur ky i fundit ndërtohet nëpërmjet narracionit zinxhir i cili fillon dhe përfundon me prejardhjen e vetë historisë. Pikërisht në ndërtimin e narracionit zinxhir komplikohet prejardhja e historisë.Te tregosh orrigjinën e historisë sipas kritikës historike është si të tregosh historinë e asaj orrigjine të zhdukur. Gjithashtu në një narracion të tillë vihen re hapësira të brendshme dhe të jashtme të historisë. Alkesander Jones na meson se vetëm së jashtëmi zmadhohet brendësia e historisë, duke sjellë brenda saj rrëfyesin, narratorin dhe lexuesin.

Duke vazhduar analizën për cka thamë duhet gjithashtu të theksojmë se ajo që duhet patur parasysh në një lexim frojdik janë edhe dy momente të tjera.

⦁ Gjatë një analize frojdike apo psikoanalitike të vepres letrare e kemi të pamundur të bëjmë sqarime të plota, duke u ndalur vecas në retorikë, në narracion apo në tematikë.

⦁ Gjithashtu gjatë një leximi frojdik seksualiteti do të përbëje thelbin e interpretimit kritik. Sipas këtij parimi edhe një tekst sado i vogël letrar ka “provokimet” e veta dhe fsheh prapa tij shumë pasione, kontraversione energjike si dhe shumë interpretime.

Mbështetur në cka më sipër , në mënyre që ta prezantojë sa më natyrshëm si realizohet një interpretim frojdik apo një lexim frojdik unë po sjell në analize disa përralla popullore shqiptare, e bindur se vlera e një punimi varet pikë së pari nga vlerat e materialit që ai ka marrë në analizë. Kështu në volumin e parë me titull “Përralla popullore shqiptare” botim I vitit 1963 , më tërheqin vëmendjen tri përralla me titull “ Vajza e mbreit dhe koka e të vdekurit”, ‘Gjarpri dhe e bija e mbretit “ si dhe “ E bija e mbretit dhe i biri i Diellit”. Të trija këto përralla, por vecanërisht e fundit ka një ngjashmëri të madhe me mitin e famshëm të mitologjisë Greke “Psika dhe Erosi”, mit ky i njohur gjithashtu në versionet e dhëna sipas “Metamorfozës” së poetit latin Ovid si dhe “ Gomari i artë” I Apoleut te Madaurës (shekulli 2 para erës sonë).

Në të tria perrallat duket sikur kemi një tematikë të njëjtë me elemente fantastike që do të gjejnë shpjegimin frojdik: vajza e vogël e mbretit duhet të martohet me një ‘emër të vecantë’ prapa të cilit fshihet një simbol që kërkon interpretimin nëpërmjet një leximi frojdik. Në përrallën e parë vajza e vogel e mbretit duhet të martohet me një imazh që vjen si koka e një të vdekuri, në të dytën me një imazh që shfaqet si koke gjarpri dhe në të tretën me një paimazh. Për rrëfimtarin apo rrëfimtaren e të trija përrallave, këto “emra të vecantë” përcjellin një lemeri gjë që nuk vihet re tek vajzat e mbretit. Detyra e kritikes letrare psikoanalitke është që nëpërmjet leximit frojdik të zbërthejë simbolin që fshihet pas këtyre ‘emrave të vecantë’ si dhe shkakun e lemerisë që ngjallin ato tek rrëfimtari apo edhe mungesën e lemerisë tek vajzat e vogla të mbretit. Detyra e leximit frojdik është pra të gjejë “diagnozën” e kësaj lemerie. Sipas psikoanalizës frojdike femra shfaq një formë fobie apo lemerie ndaj c’virgjerimit I cili gjithmonë sipas Dr. Frojd “provokon një reagim arkaik të armiqësisë kunder burrit, armiqësi që shpesh merr forma patologjike”. Kjo na con në analizen frojdike që rrëfimtari apo me saktë narratori në të trija përrallat i bie të jetë një femër që ka kaluar këtë moment psikologjik në forme traumatike dhe e sheh burrin /partner si lemeri, ndaj e përfytyron atë në perrallen e parë si koke të vdekuri, në të dytën si kokë gjarpri dhe ne të treten si vete hije apo makth. Në kundërshtim me rrefimtaren të trija vajzat e vogla të mbretit nuk shfaqin lemeri ndaj partnereve të tyre apo aktit seksual me to dhe kjo sipas leximin frojdik do të thotë se tek ato po ndodh procesi i kundërt i lemerisë, pikërisht në vend te revoltes tek ato po vihet re ndjenja e robërimit i cili gjithmonë sipas psikoanalizës frojdike është një reaksion tjetër që mund të shfaqet tek një grup femrash pas aktit të parë të c’virgjërimit . Vetë zhvillimi i ngjarjes në të trija përrallat na bind për këtë, pasi në përfundim koka e gjarprit, ajo e të vdekurit apo dhe paimazhi janë kthyer në njerëz të vërtetë.

Në të trija përrallat gjejmë edhe një tjetër moment interesant që nuk do të mund të kalonte pa vëmëndje në leximin frojdik. Në çastin kur vajzat e mbretit kanë shpallur funksionimin e raportit të tyre në çift , artificialisht është krijuar një ndarje jo e vogël në kohë mes ciftit. Sipas frojdizmit është e domosdoshme një ndarje mes ciftit. Edhe kur ajo nuk është e motivuar, ajo duhet me patjetër të provokohet pasi teoria e provuar e psikoanalizës na meson “Forca e një instikti rritet me mosfunksionimin e tij “.

Ajo që kap gjithashtu vëmendjen e leximit frojdik në këto përralla është përgjigja e pyetjes: “Përse të treja protagonistet, vajza të mbretit, njëlloj sikur Psika me Erosin në mitin e lashtë Grek, krijojnë një marrëdhënie intime të fshehur?” Duket sikur përrallat duan të na japin një leksion jete në lidhje me këtë leksion që vetë Dr. Frojdi do e shprehte në këtë citim në leksionin e tij “Mbi psikologjinë e jetës dashurore”: “Dashuria i humbet vlerat kur për të e kanë marre vesht të tjerët. Nganjëherë ky motiv bëhet i mbifuqishëm dhe mund të pengojë fare zhvillimin e aftësisë dashurore në bashkeshortësi”.

Sikur shihet nga më siper kritika psikonalitike apo leximi frojdik të ofron shumë interpretime dyert e të cilave mbeten gjithmonë të hapura. Marrja e seksualitetit si primar në këto analiza nuk ti mbyll shtigjet, por përkundrazi të con deri aty ku vetë ti se ke imagjinuar. “Të kuptosh anën seksuale në një vepër letrare, sipas Dr. Frojd, këtu çështja ka të beje më pak me seksualitetin dhe më shumë në kompleksin midis seksualitetit dhe kuptimit. Ky nocion nuk është thjesht i varur prej kuptimit letrar, por një problem i literaritetit si të tillë”.

Kritika letrare e ortodoksisë frojdiane ka lindur me vetë shembujt e Dr. Frojd, sikur ai shënon: “Ishte pikërisht letërsia që e shpuri atë tek psikoanaliza”. Baza e kritikës letrare frojdiane është qëndrimi ndaj kategorive individuale të karaktereve në letërsi si dhe duke vënë theksin në seicilen kategori. Vetë procesi i shkrimit letrar është një proces i kalimit nga pavetëdija në vetëdije, një proces sublimimi, kështu që interpretimi i këtij procesi është vetë interpretimi i teksit si te tille, me te gjitha ngjarjet, narracionin, karakteret, “emrat e vecantë” , retorikën ku të gjitha se bashku nuk janë gjë tjetër vetëm se pavetëdija e hedhur në letër dhe si e tillë më mirë se psikoanaliza dhe leximi frojdik asgjë nuk mund t’i shpjegojë ato deri në detaj. Kjo na con në konkluzionin që psikoanaliza ka shumë për të na mësuar rreth letërsisë, ndërkohë që letërsia mbetet një burim i pashtershëm për psikoanalizën.

Gusht 1996

 

 

blank

PETJA… – Nga XHAHID BUSHATI

-Kujtime shkodrane për njeriun e mirë, buzagaz, shpirtflori, poetin e talentuar Petrit Ruka (21 gusht 1954 – 06 korrik 2021)-
Petrit Rukën e njoha afro 49-vjet më parë. Vinte nga Turani i Tepelenës, student në Shkodër, në degën Gjuhë shqipe-Letërsi. Unë isha i Vendlindjes, po në degën Gjuhë shqipe-Letërsi. Unë në grupin e pestë, ai, në mos gabohem në grupin e tretë apo të katërt.
Ishim të rinj e plot ëndrra. Ngaqë vinte nga një fshat i largët, Shkodra ishte e panjohur për të. Ndoshta disa poetë shkodranë mund t’i kishte lexuar nga tekstet shkollore. Mbase kjo ishte lidhja e parë… Por, me natyrën kureshtare e fisnike që kishte, shpejt do ta njihte Shkodrën, do të krenohej me të, do të ishte entuziasti i bukurive dhe mahnitjeve të saj. Do të dashuronte traditën e saj, po aq dhe bashkëkohësinë. Nuk do të kalonim shumë ditë e pak muaj, kur ai me të qeshurën e tij magjike e përrallore, shumë shpejt do të bëhej “shkodran”. Shumë shpejt do të njihte, atë apo ato, që disa vendali nuk i dinin.
E gjithë kjo arkivë e traditës dhe arkivë e bashkëkohësisë, bën që Petja të kishte një kulturë solide e të admirueshme. E, erdhi një ditë e…,kur e njohën; kush nuk donte të rrinte me të, të fjalosej, të bisedonte ëmbël e shtruar, të lexonte e të fliste plot afsh për poezinë shkodrane, shqiptare e botërore dhe të ëndërronte nën qiellin shkodran me yje e pa yje, me hënë e pa hënë, mureve të gurta të Kalasë me emër gruaje apo brigjeve, aty, ku bashkohej Drini me Bunën, ku udhëtonin bashkë një cope rrugë…
Shpesh mbrëmjeve, i vetmuar kthehej në konvikt, gjatë gjithë rrugës përsëriste në heshtje vargje poetësh lirikë… Përsëri me zë dashurie ata vargje mbresëlënëse, tek merrte në të majtë të rrugës “Zdralej”, pastaj në të djathtë, ku e priste godina me drita të ndezura… Petja nuk ishte një student i vonuar, harrakat apo trazovaç. Jo, ishte një student zemërçiltër, i brishtë, i ëmbël, me ndjesi të holla filigrami të një bukurie të pashoqe… Ai ishte poet, poet i vërtetë. … Për këtë rrugë ishte nisur… Koha, më vonë, e vërtetoi këtë fakt.
Shpesh Petjan e takoja mbrëmjeve na lagjen “Zdralej”, sepse ishte kjo rrugë që duhet të bëja për të shkuar në shtëpi. Bisedonin në mënyrë të atillë, sikur po çmalleshim… I uronim njëri-tjetrit ‘Natën e mirë!’ Në atë ‘natë të mirë’ çelte përherë si një lule ndjesia e tij poetike aq e bukur dhe mahnitëse. Ecja rrugës dhe “këtë lule…” nuk doja të ma trazonte kush…
Petja ecte e nuk bënte zhurmë. Petja ecte e puthte qetësinë. Nuk e trazonte atë, por e dashuronte atë! I falte shpirtin lirik e poetik. Ky ishte poeti Petrit Ruka. Ëndërrimtari, pasionanti, i vërteti, njerëzori dhe dashamirësi i pakufi! Ky ishte Petriti, që shumë shpejt nuk e thërrisja me emër, por Petja. Gjithëherë: Petja kur takoheshim. Edhe sot, edhe mot. Dhe… kur mora lajmin e papritur që nuk doja ta besoja, mbeta i pikëlluar sa më s’ka për ikjen e tij të parakohshme! Sa herë që do përmend emrin e tij, sa herë që do lexoj poezitë e tij apo kur do të shoh filmat e dokumentarët e tij, pikëllimi do të jetë bashkudhëtari im…
Kur u takuam përherë të parë, e kam të freskët, dita ishte me diell dhe qielli ishte i kaltër. E qeshura dhe drita e syve të Petritit këtë ditë e bënin më të bukur. Edhe qiellin e bënin më të bukur. Ishte pakëz i ndrojtur. Kjo ‘ndrojtje’, ishte e kuptueshme, do ta shoqëronte edhe për disa ditë udhëve të Shkodrës. Por Shkodra shpejt do t’ia hiqte ‘ndrojtjen’ sepse zbuloi ardhjen e një talenti që zakonisht nuk vjen shpesh, të një frymëzimi me një gamë të gjerë motivesh që i gurgullonte herëpas here, e që i dilnin nga shpirtin i tij i pastër – kristal.
Ditët studentore kalonin një nga një… Sa herë që takoheshim, dhe takoheshim çdo ditë, vija re se ndrojtja i largohej si pakuptuar, ishte arratisur për t’u mos u kthyer më. Sytë kishin një dritë si të Petjas. Buzëqeshja po ashtu si të Petjas. Pasuri e vyer e Petritit! Fliste tërë gjallëri dhe e shoqëronte atë me lëvizje duarsh dhe me buzëqeshje pafund… E kuptova, dhe nuk isha gabuar Petja ishte bërë, tashmë, 100% Shkodran.
Me Petjan jo vetëm ishim miq e bashkëstudentë, por edhe anëtarë të rrethit letrar të Institutit, rreth, i cili ku drejtohej me kompetencë dhe pasion nga pedagogu i paharruar Hasan Lekaj. Kur bëhej gati numri i ri i poezive për gazetën e murit, çuditërisht, merrnin pjesë dhe dy pedagogë të tjerë. Poezitë e Petjas kishin ngjyra e motive talenti, ku dridhërima e poezisë së veçantë bashkëjetonte me drithërimin e shpirtit nazik e delikat. Kalonin pa vërejtje, me pëlqim unanim. Më “problematiku” ishte poezi Visar Zhiti. E kujtoj një mbledhje të gjatë diskutimesh për poezinë e tij të guximshme, të bukur e simbolike të titulluar “Shtriga”. Mbaj mend këto vargje: “Shtriga mban në duart e saj dy net të ndezuara”. Gjatë diskutimeve, shikoja edhe frikë në sytë e pedagogëve për poezitë e Visarit, i cili po shfaqej në letërsinë shqipe si një zë i ri, i panjohur deri atëhere, duke thyer kanonet e mediokritetin e poezisë uniforme. Poezia e tij kishte prirjen e një talenti të veçantë që i frikësonte të tjerët, veçanërisht të paaftët, mendjengushtët e të pakulturuarit.
Më vonë, Petjan e ftoi që të bëhej dhe anëtar i rrethit letrar i Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut”. Aty mblidheshin kryesisht krijues-studentë: të talentuar dhe që çdo ditë emri i tyre ishte i pranishëm në gazetat letrare të kohës. I kujtoj ato ditë si momentet më të bukura të jetës sime. Sigurisht këto i kujtonte dhe Petja, që i bisedonim herëpashere. Bisedat tona kishin shijen e një gëzimi të veçantë, të një ëndrrërrimi të bukur që premtonte fluturime të reja letrare. Ato biseda me Petjan i kujtoj dhe tani me mall. Disa që më kanë mbetur në kujtesë, i përsëris me dashuri edhe sot. Nuk mund t’i harroj ata diskutime plot kulturë të krijuesve të talentuar, atë mjedis dashurie që na e krijonte Drejtori i atëhershëm zotni Nardi. Kështu e thërrisnim atëherë. Kështu e thërrasim edhe sot. Dhe ky ishte Ferdinand Bushati.
Zotni Nardin e takoj shpesh. Këto ditë e takova me mikun tim të çmuar Astrit Fani . E pimë kafenë në një lokal afër shtëpisë së tij. Po e ndiqja me vëmendje teksa po vinte. Ndonëse vitet kanë bërë punën e tyre, vëreja hapin e tij, ishte hapi i një djaloshi që nuk donte të mplakej. Çdo hap i tij është gjurmëlënës dhe ka moshë rinie, edhe pse shumë dekada vitesh kanë kaluar. Ecte trupdrejtë. Pse të mos ia kisha zili! Gjatë bisedës kujtuam me mall e nostalgji vitet e Klubit të dashur… Kujtuam shumë histori, ngjarje e batuta…, dhe shpesh shpërthenim në të qeshura herë të lehta e herë me zë të lartë. Teksa zotni Nardi qeshte, e kuptoja se rinia nuk i kishte ikur. Ajo rini i jetonte ende në shpirt. Sa bukur! Për aq sa ndenjëm dhe jo pak, kuptova se isha takuar me një Djalosh Ëndërrimtar…
Duke rendur në gjurmë vitesh, u kujtova se Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut” botonte almanakun “Shtigje të çelura”. U botuan numrat 1, 2, 3… I katërti që pritej të botohej, nuk u botua. U ndalua dhe u tha, se në poezitë e të rinjve shfaqeshin nota modernizmi. U hidhëruam, por fluturimin nuk na e ndaluan, as ëndërrimin, as shtigjet e çelura që i hapëm me talentin tonë.
Gjatë bisedës, kujtuam dhe disa poetë që sot nuk jetojnë më, si: Agim Spahiun, Dodë Kaçajn, Novruz Shehun (Noken), Simon Vrushon, Vasil Tabakun, Vasil Deden… dhe tani, së fundi Petrit Rukën. U përlotëm, dhe zotni Nardi, në një moment, tha: “Petriti sapo vinte këmbën në klub, thërriste me një zë poetik dhe fllad pranvere: “Zotni Nard, erdha unë! Kjo ishte shprehja e tij. Dhe buzëqeshte pafund… Dhe sytë i lëshonin dritë pafund… Kurrë nuk e pashë atë djalë një herë, së paku një herë të vetme të nervozuar apo të zemëruar. Jo, i takonte rinisë së Klubit që mbante emrin: Klub Rinie…”
Petja, me poezitë e tij që po botonte kishte filluar dhe po bëhej interesant si poet në gazetat “Drita”, “Zëri i rinisë” e revista “Nëntori”. Filloi të botojë edhe librat me poezi. Unë isha një nga dëshmitarët e pakët e të fillimit që dëgjoja poezitë e tij që m’i recitonte me aq zemër e, që më vonë do të botoheshin në librin poetik “Rinia ime” (1978). Edhe pse libri i parë poetik, ishte mrekullidhënës; sepse mrekullidhënës ishte dhe vetë Petja. Ishte njeriu që rrëfente bukur e që falte dashuri pa kursim. Ishte njeriu fisnik dhe poeti i shpresës dhe i dashurisë. Shpirtëmbël dhe ëndërrimtar. Ishte nga ata njerëz që të keqen ta hiqte me qerpik syri, siç themi ne nga Shkodra. Fjalosej bukur dhe ti kishte dëshirë të rrije sa më gjatë me të. Kishte dëshirë të mos mbaronte kuvendimi. Kishe dëshirë të ktheheshe përsëri e përsëri tek ai si te një strehëz dashurie… (Teksa them këto fjalë, pikëllimi im për të, bëhet më i madh… Më i madh se qielli. Se Petja i takonte poetëve Qiellorë!)
Një moment i rëndësishëm i jetës së Petjas gjatë viteve studentore, ishte dhe një shtëpi karakteristike shkodrane, që në themelet dhe palcin e saj kishte të mbrujtura motive atdhedashurie, e që ndodhej në lagjen “Zdralej”. Ishte një shtëpi me aromë dashurie e mirësie, ku jetonte Nana Dritë, e cila kishte të birin poet. Dhe ky ishte Bedri Islami. Në këtë konak, Petja hynte si djalë shtëpie; rrethohej nga drita e mikpritjes e mirëpërcjelljes së Nana Dritës. Petjan, djalin nga Tepelena, e rrethonte një dashuri e Nëne fisnike shkodrane. Dashuri që dinte vetëm Nana Dritë ta jepte. Dhe po të kalosh edhe sot pranë asaj shtëpi, ti do të ndjesh përqafimin e dritës mëmësore, që dhuron Nana Drita.
Bedriu e kishte shok të ngushtë Petritin. Pasditeve, apo mbrëmjeve në atë shtëpi recitoheshin vargje nga Esenini, Lasgushi dhe Rreshpja… Shkruheshin lirika e shtegtonin ëndrra rinie…
Ajo shtëpi, ajo Nënë me emrin e shtrenjtë Dritë, Bedriu poeti i talentuar… do t’i dhurojnë Petjas, dashuri e ngrohtësi. E, vetë, Petja, në kujtimet e tij, këtë shtëpi prindërore gjithmonë e ka quajtur ‘të shenjtë’.
***
Petjan e takova…
Pas disa vitesh, dhe është fjala për vitet 1985 – 1986, Petjan e takova në Tiranë. Ai kishte ardhur për studime pasuniversitare për dramaturgji filmike, pranë Akademisë së Arteve të Bukura; ndërsa unë kisha ardhur për studime pasuniversitare për kritikë letrare. U takuam dhe u çmallëm. Kujtuam dhe gjithçka kujtuam… Ai mes pyetjeve, më pyeti edhe për shëndetin e Nana Dritës. Unë i thashë: – Është si Dritë!” Ai përsëri më tha: “M’i bëj shumë të fala! M’i ço shumë shëndete!” Sigurisht që amanetin ia kreva.
Petjan e takova…
Pas shumë vitesh, përsëri në Tiranë. U ulëm në një lokal afër Teatrit të Kukullave dhe pimë kafe. Kujtuam shumëçka… Kur u ndamë, më dhuroi librin e sapobotuar “Vërtitu, kokë e prerë!” (2000).
Petjan e takova…
Pas shumë viteve, në Shkodër, në promovimin e librit poetik të poetit të talentuar Bedri Islami. U takuam dhe shumë u çmallëm, dhe hapëm dritare kujtuam për Shkodrën. Me ne ishte dhe Nana Drita. Nuk e harroi atë përqafim të Petjas me Nana Dritën! E kam të vështirë ta përshkruaj! Ç’të them… Ishin Nënë e Bir!..
Petjan e takova…
… kësaj radhe te libri me balada. Në ka poet në Shqipëri që Baladën e ka lëvruar me dinjitet dhe zotësi, ai është Petrit Ruka. Në ka poet në Shqipëri që është stilist dhe magjiplotë në lëvrimin e Baladës, duke e vendosur atë në Panteonin e Kulturës shqiptare me kurorën e saj rrezëllitëse, ai është Petrit Ruka.
Petjan e takoj…
Xhahid Bushati, Shkodër, më 29.07.2021
blank

Krushq të shkrirë… (Mbi fronin e poshtërimit) – Esé nga REX KASUMAJ

Verë, 2021 Berlin

 

1.
Dikur moti, në kohët që, më pas, do të përbuzen me neveri e mallkim, femra e viseve shqiptare martohej me ndërmjetësim. Sidomos në rrezen alpine a kanunore të tyre.

Dashuria ishte ndaluar. Por më parë se mëkat, për vajzërinë arbërore hirësi e saj bënte një rrezik. Mnerin vetë. Matej shpesh me hijen e vdekjes.

Ndaj, gjithçka përfundonte në dorën e një plaku të shuar shpirti për ndjeshmërinë e vrullit rinor.

Ishin tjerrë norma morale, madje juridike të Kanúsë së lashtë, që përfilleshin rreptë. E, natyrisht, dhe institucioni i ndërhyrjes për t’i bashkuar në lidhjen e jetës ata që nuk ishin njohur kurrë.

Ndërmjetësi quhej shkues ose mësit (në Kosovë), kurse puna e kryer ishte shkuesi, mësitni apo mblesëri.

Peshore për shkuesinë nuk kishte, por shpërblesa pasonte përpjestimisht me gjendjen ekonomike të nuselypësit, rangun e mikut të ri dhe, sigurisht, nga bukuria e vashës që priste orën e saj.

Ndonëse shpesh në pritje ankthi se ç’i kishte rezervuar fati, martesa e kryehershme e vajzës sërish ndryshon themelsisht nga një shfaqje e saj e vonë.

Atëbotë nusja gatiste pajën e mbështjellë me qenar dhe, prapë, megjithë shtrëngesën, gëzohej tek shihte dasmorët rrethit malit…E kur vente në oxhakun e tjetrit, ulej në tryezën e virtytit dhe i jepte dëshmi tokës së vjetër ilirike.

2.
Ndër vite pastaj, sistemi tjetër shoqëror, njëj të drejte e kulture të re, ligjëroi vullnetin e lirë të femrës për dashurinë.

Tirania patriarkale fironte ngadalë. Dhe femra merrte pjesë drojshëm në fatin e vet.

Tani, ndërkohë, si një substitut i shkuesisë, janë themeluar kudo forma mondane të saj. Rrjete socialë, e sidomos, grupe kontaktimi të veçantë, afrojnë dertarë në bashkëjetesë mes tyre.

Megaqytetet e paskaj ku ndjehesh i përhumbur, anonimiteti dhe vetmia sociale, sikur i japin nëvojshmëri kësaj instance mësitnore të motit të ri…

3.
Mirëpo, midis tyre qerthullon një mblesëri hibride: merr nga të dyjat, por anët shëmtuara të tyre.

Madje, ka një përmasë dramatike për etninë dhe përtëritjen e saj jetike.

Të ngrirë qindra vjet, krushqit tashmë janë shkrirë…Veçse pa flamuj, djalë qerreje e krushkaparë…

Në vend të tyre, së fundmi janë fantazmat që shfaqen me ftyrë të këndejme tokësore shesheve të mizorisë. Vajza nga Shqipëria veriore martohen në Serbi (disa për serbë Kosove!) me ofertë agjencish dhe, kësodore, duke braktisur tharkun, lëkurëndyrët ngrejnë mbi kurorën fatkeqe kullën e kamjes plot shkëlqim.

Sepse, ndryshe nga shkuesia e hershme që shpërblehej simbolikisht ose fare, tani ndërmjetësi ka një tarifë të prerë për mundin kontraktual. Njësoj si për mallin e tregtuar: miell, tjegulla, perime, hekur, llokume, teknikë sanitare. E të tjera.

Rrjedhimisht, femra shqiptare, thjeshtë, shitblehet. Ka çmimin fillestar, por pazari, si rëndom, mund t’a ndryshojë atë. Sidoqoftë, kontrata nuk dështon asnjëherë dhe udhët çojnë gjithnjë andej, në thellësitë e tretura të Serbisë!

Më kujtohet kur, po kështu, shqiptarët e Dukagjinit blinin gra në pjesën malazeze të Sanxhakut boshnjak. Kur i pyesnin pse atje, thoshin atë shprehjen e njohur bajate: e mora lirë mbas bjeshke! Në fakt, ato qysh në brezin e parë ose të dytë pararendës rridhnin shqiptare. Kishin shpirtësi e kujtesë të tillë që rikthehej shpejt në gurrën e humbur…

Martesa e femrës shqiptare në Serbi, ndërkaq, është e një natyre a përmase krejt tjetër: as njëjtësi me mblesëritë e shqiptare, as me “nuset e mbasbjeshkës” boshnjake.

E pra, është një fatkeqësi e dyfishtë. Një shtrat përlindës ndër fshatra serbe që i vret murtaja e bardhë dhe, poaq, poshtërim kombëtar, më i ulti i të gjithëve.

Kanë shnjerëzuar femra në Kosovë, e tani serbët blejnë e, poashtu, shnjerëzojnë femra të Shqipërisë. Dhe shkallëzimi i së ligës është kaq komplementar në pikëllimin e vet. Ndërsa shnjerëzimi i t’parës kryhej në tymnajë lufte, i të dytës ushtrohet vullnetlirshëm në trajtën e ftohtë merkantile.

Duke përtallur gjakun e të rënëve shqiptarë, ato – sa trishtim – nxitojnë drejt klasit të dytë qytetar dhe një roli makine që prodhon brez pasrendës për vrastarët e tyre. Çfarë deshpërimi të imagjinosh tek, si çobaneshë e devotë, ajo ruan derrninë pranë një varreze masive ku nën dhéun e zi fshehen gëzime t’pajetuara fëmijësh të gjuhës dhe kombit të vet martir!

Por ja që dhimbja tyre, sheh më mirë se sytë nusërorë dhe balta veshtullore e udhës së largët që rëndon hapat vragëthellë…Ah, ju t’pagojë në pluhnajën armike dhe ju robina të shekullit të ri! Ç’takim ironik në tragjikën e tij: pa prekje, pa përqafim, pa fjalë, pa lot, pa ndjesë, pa lamtumirë e pa kujtesë!

Po ç’thonë serbët për këtë fron krushqie të pabesë? Heshtin? Jo, asnjëherë! Të etur gjithmonë për vuajtje arbnore, ankohen rrejshëm se Shqipëria e madhe kërcënon sërish: ka nisur të shtrijë kthetrat në hullitë e Rashës.

Poashtu, si plotësim mozaiku të ironisë, një vjehërr diku afër Prizrenit bën vaj që nusja shqiptare u flet fëmijëve në gjuhën e vet…E kjo domethënë, e gjora paskësh shkelur ndonjë dispozitë të kontratës së lumnisë. Ose kodin e traditës serbiane…

Një kod i kthyer mbrapsht qëmoti: aherë kur zotërinjtë e parë shndërroheshin në shërbëtorë të vonë!

4.
Deri kur, vallë, shqiptarët do urrejnë qenien e vet?!

Të pushtohesh, digjesh e dëbohesh nga trualli është një fundbotëshmëri…E përjetuar në Rende e nga armiqë të ndryshëm tejendanë truallit etnik. Dhjetra herë. Së voni, në mbarim mijëvjeçari që purpuroi horizontin e lirisë.

Mirëpo, të shkretohesh vetë, duke shitur (si Antonio i Shekspirit që kthente borxh me copëra nga trupi i tij) jetë nga trungu etnik në ditë qetësie të gëzuar, është për të qarë me njëmijë palë lot..!

Aspak e çuditshme, ndaj, pse shtohen librat e gënjeshtrës në Bibliotekë. Pothuajse çdo bibliotekë paskësh një repart të tillë. Por ngreha e bestiarëve të gënjeshtrës në bibliotekën serbiane, është, padyshim, më e bujshmja e botës.

Tepria është mëkat. Veçse, si thotë Eko, jo vetëm tepria e fjalës, po dhe tepria e heshtjes!

R. K.

blank

Naum Prifti Kujton Poemthin Shën Gjikë Shqiptari – Një nga Perlat e Letërsisë Shqipe

 

Këtë poemth humoristik për një shenjtor shqiptar m’a dha ta recitoja në fund të vitit shkollor 1946 mësuesi im Kostë Cerja. Atëherë në shkollat fillore ishte traditë organizimi i aktiviteteve artistike ku ftoheshin të merrnin pjesë edhe prindërit e nxënësve. Mësuesi më tha se vjershën e kishte kopjuar nga një revistë e kohës, pa e shënuar emrin e autorit.

Sipas meje poemthi duhet ta ketë burimin nga pena e Kristo Floqit, autor i disa komedive dhe pjesëve me një akt, dhe një nga humoristët e shquar të pavarësisë. Poemthi i përngjan trashëgimisë letrare të Floqit si nga konceptimi, ashtu edhe nga gjuha e stili. Shenjti i parë i Shqipërisë shkon së pari në ferr dhe atje kërkon të lirojë nga mundimet gjithë bashkatdhetarët, duke kryer një akt të admirueshëm nga ana e tij. Rrëmuja që shkakton te portat e ferrit dhe vrasja e shejtanit që guxon të vërë në dyshim aftësitë e tij, ngjallin respekt te auditori. Meqë poemthin po e risjellë ashtu sic më ka mbetur në kujtesë qysh prej shtatë dekada e gjysmë përpara mund të ketë ndonjë pasaktësi aty këtu dhe nga fundi. Studiuesit e letërsisë shqipe janë të lutur të shfletojnë revistat që delnin në Korçë në vitet ’30 për të gjetur origjinalin e kësaj perle të letërsisë shqipe.

Shën Gjikë Shqipëtari

Që ka qënë nga Vithkuqi,

Kur dha shpirt jetë-mbari,

E shoqja në varr e vuri.

Por pa vdekur, trim’ i mirë

I pat thënë gruas së vet:

“Kur të vdes moj zemërdlirë

Me armë të më kallç n’dhet.

Mundet që të kem nevojë

Për armët e kësaj bote,

Mundet shpirti të ma dojë

Fuqinë e asaj të kote.”

Dhe e shoqja mbajti mend

Fjalët që i pat thënë Gjika,

Porositë ia mbarojti,

Ca nga turpi, ca nga frika.

Pallaskat dhe jataganë

Dhe koburet e ergjenta

Në qivurt ia vuri pranë

Gjikës siç ia kishte ënda.

Pranë i vuri edhe gjutën,

Që kish dymbëdhjetë pafilla.

Trajsën edhe tarkaxhiken

Ia mbushi me njëmij’ të mira.

Dhe si grua Shqipërie,

Me një nder shumë të madh,

Mbajti zi siç i kish hije

Dhe më s’u martua prapë.

           ***

Gjika vërtet ishte ngritur

Me emrin e Perëndisë,

Dhe nga varri kishte dalë

Shenjt’ i parë i Shqipërisë.

Dhe duke dalë nga varri

Me armët që kishte marrë,

U mendua nga t’ia niste?

Në xhehnem vajti më parë.

Shkoi në derë të xhehnemit

Dhe trokiti shumë herë,

Zë dëgjonte prej rrëmetit,

Por nuk i hapej derë.

Zu trokiste me furi

Dhe thërret me zë të prerë:

“Ju o djaj, djaj të zi

Hapmani, tha, këtë derë!

Dua ç’janë shqipëtarë

Që këtu brenda i mbani,

Dua jashtë të m’i qitni

Edhe më mos më mundoni”.

Ia prêt një djall me thikë:

“Gjë të madhe na kërkove,

S’e besonim nga ty Gjikë,

Të na dilje i kësaj radhe!”

Thelë-thelë se ç’e bëri

Atë djall që i foli ashpër,

E pat të thënë i gjori,

Që ta bënte Gjika lakër.

Verzevuli atje brenda

Gjithë djajtë i thërret:

“Si t’ia bëj atij shqiptari

Që në derë po troket?

T’i afroheni mengadalë,

E ta kapni me përdhunë,

Të ma sillni këtu përpara,

Pastaj di se ç’i bëj unë!”

Djajtë s’po dilnin përballë,

Se s’mbahen për trimëri,

Po një djall këmbë çalë

Bërtiti me lebeti:

“Ah, tha, ky është ay Gjika,

Që më theu këmbën mua,

Në Vithkuq kur iu qasa,

Që ta shtyja në përrua”.

Gjika jashtë po bërtiste:

“Pa plotësuar porosinë

Unë s’kam ndërmend të ik,

Pa në m’u mbaroftë dhe baruti,

Do t’u pres, tu grij me thikë!…

blank

Një portret i pashkruar… – Esé nga REX KASUMAJ

Korrik 2021, Berlin

 

Shumë vite më parë. Mjes i bukur veror. Nga të fundmit e shekullit të ikur që kryente ciklin e vet.

Isha nisur me punë në një zyrë senati. Shpejtoja për të zënë ritmin e ditës, por aty, tashmë, kishte plot njerëz që ishin zgjuar bashkë me diellin. Nga e gjithë bota. Mes tyre dhe vietnamezë.

U ula dhe unë e po prisja. Mërzia e paftuar shoqëronte orën e gjatë…

Por zonja, më në fund, filloi të thërriste sipas një rendi të ardhjes. Pasuan emra të ndryshëm, gjermanë më shumë, pastaj turq e të tjerë. E dija që isha vonë dhe nuk e dëgjoja aq kujdesshëm kur ajo shfaqej dhe ftonte dertarin e radhës.

Por, papritur, një emër më tërhoqi vëmendjen. Mbase jo emri, aq sa titullimi që i printe. Dhe kur zonja thirri: Herr Qen (se ashtu quhej njëri nga ata) ktheva kokën vetishëm për të parë kush ishte ky i bekuar. E supozoja pak. Emër i shpeshtë nga Azia e verdhë. Ndaj e shoh të nisej drejt nëpunëses një vijetnamez trupshkurtër e thatak.

Mezi mbajta të qeshurën. Një vel ironie të lehtë thuase mbulonte skenën. Posi në Teatrin e komedisë në Kurfürstendamm. Thashë me vete: ja dhe këtë e mora vesh. Paskësh edhe zotni edhe qen. Dmth. Zotni qen…

Pastaj ndër vite e mendoja një shkrim, një figurë kompakte latimi për një dorë vulgokratësh të Prishtinës.

Natyrisht, përtej zyrës berlineze me një “Herr qen” të harruar e t’pafaj. Si statuja të gjalla, ata njiteshin lartë dhe gëzonin të drejtën mbi gjithçka. Nëse familja është atdhe i zemrës (Mazzini), aherë, si pasojë e të drejtës së tyre t’pakufi, mijëra zemra shqiptare do të humbisnin atdheun…

Por koha rrodhi e unë, s’e di pse, nuk e shkrova ndonjëherë!

r.

blank

Më 28 korrik 1988 u nda nga jeta At Pjetër Meshkalla, gjigant i fesë dhe i kulturës shqiptare

Gjigant i fesë dhe i kulturës shqiptare, At Pjetër Meshkalla nё përvjetorin e vdekjes, simbol i martirizimit të Kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar dhe mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.

At Meshkalla lindi në Shkodër më 26 shtator 1901, ndërroi jetë më 28 korrik 1988. Gjigant i fesë e i kulturës shqiptare, At Pjetër  Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar dhe mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.

26 shtator 1901 – 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar At Pjetër Meshkallës nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i At Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931.

Veprimtaritë e panumërta pastaj të At Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku At Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit.

Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e At Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme komuniste, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist të kohës e shqiptuar në kulmin e reaksionit.

Ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju – tha at Pjetër Meshkalla – mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem i lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”.  Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.

Siç dihet, më 29 prill tё vitit 1967 u arrestua nga regjimi komunist At Pjetër Meshkalla,  jezuit e meshtar shembullor, dëshmitar i patrembur i Krishtit, pishtar i demokracisë, kultivues i kulturёs dhe vlerave kombёtare, i cili u dënua me burg për “agjitacion e propagandë” nga regjimi komunist.

I burgosur dy herë nga regjimi komunist, At Pjetёr Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësua historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë”.

Në një tjetër moment, At Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, zhyten, nuk shihen ma…. hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë… Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!”

Sot, të gjithë jemi dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie dhe të mirave të lirisë e të demokracisë, që gëzon shoqëria shqiptare, e cila ka për themel gjigantë si At Pjetër Meshkalla. Prandaj, nuk e teprojmë kur pohojmë se At Pjetër Meshkalla, i prin njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë. Si Shёn Nënë Tereza, Ai është shembull i dashurisë në veprim.

Neriton shumë, ky Njeri i madh, që nuk vdiq në tortura, sepse nën mbrojtjen e Zojës ë Bekuar, siç e shkruan ai vetë:

“… po … ju diftoj çka më ndodhi kur u arrestova në fillim. Nisi hetuesia me pyetjet që nuk meritojnë as të kujtohen. I kundërshtova hetuesit… Përgjigjja ishte një shputë aq e fortë, sa nuk më mbajtën kambët e rashë përtokë… atë çast m’u duk se u hap qiella. Mes xhixhave që më lëshojshin sytë, m’u duk se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme: ‘O Zojë, më ndihmo me i bajtë torturat – iu luta – më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!’… Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë hangra vetëm një shputë. Ç’prej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyne me dorë!”.

At Pjetër Meshkalla vijon të flasë si flasin Vegimtarët:

“Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdhaj e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, zhyten, nuk shihen ma…. hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdhaj a të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë… Qe ambicioni i temelit: me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”.

Por që ta kemi këtë Shqipëri, duhen kujtuar mirë fjalët, që ia pat thanë një prifti të ri në vitin 1962, lidhur me “gjashtë arësyet që  mësojnë se njeriu duhët me heshtë!…” të mësuara nga imzot Çoba; – “Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arsyet që duhen për me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”…

E sidomos: “Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”. Kështu e kujtojmë Pater Meshkallën sot.

At Pjetër Meshkalla, mbetët udhërrëfyes i njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë, si e Shenjtja Nënë Terezë, edhe ai ishte e mbetët shembull i dashurisë në veprim. Po e përkujtojmë me një montazh, shkëputur nga vepra e tij poetike, pjesërisht e botuar, pjesërisht e shpërndarë në organe shtypi ose e mbetur në dorëshkrim:

“Lëviz mbrendia qenësore e sendeve,
që burimin
tek Zoti e ka e kah Zoti priret.
Këtu thehet copë-copë;
nën peshën e Orakullit të natyrës,
nën peshën e të mëdhajve ‘Psehe”?
penda e Zheniut;
gjuha e Zheniut belbëzon…
Nuk shpreh dot çka shijon…
Vetëm mbi-natyra
Me zanin e Revelacionit e të Mistikës,
mund të na bijë një “Fjalë të re”…
… … … … …

Rigoni, o qiellë nga siper,
e retë të qesin si shi
të Drejtin.
Të hapet toka
e të mugullojë Shëlbuesi…

… … … .. … …

Zgjoju, zgjoju, o fisi i Jakobit,
harpën tande bane sot t’tingëllojë ;
ngrehnju të gjitha, o ju bija të Sionit,
kanga e juej deri në qiell le të ushtojë!
Nga një Virgjin e trollit të Davidit,
një fëmijë do t’u lindka në këtë dhe,
emni i tij: “Engjull këshilli e misteri”,
emni i tij: “Perëndija me ne!”.
Rrufe s’ka, s’asht i rreptë si duhia,
Po â’ i kandshëm si voesa n’agime,
urdhni i tij: siellni shpatat në parmenda,
ktheni shtizat per kosa n’punime!

… … … … … … … … …

Sa Jezusin ta kemi
nder zemra të vajtueshme;
të ngrohun na jemi
me hire t’hyjnueshme:
i drejti n’ket jetë,
ka pagj’n e vertetë,
që t’tjerët nuk e kanë.

… … … … … …

Lindi Krishti në zemrën time,
më pruni pagjë e dashuni,
më reshi forcë e ngushëllime
zhduku terr e burg të zi.
Unë dikur me mburrje shkojshe
Per pusina, kurtha e leqe;
krime në terr unë farkëtojshe:
hodha hapin për rrugë të keqe…
Epshi e faji janë veriga
Që, tue t’lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi n’punë t’liga,
që veç rrathët ma fort shtrëngojnë.
Mallkue kjoftë përherë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pre!
U thyen prangat, ktheu liria,
shtegu u hap për jetë të re!

… … … … … …

Ti, lajmëtar, që bje lamimin e mirë,
lësho, pa frikë, me fuqi zanin tand,
thuej : “Një Bir shpëtimtar na âsht falë!”,
e jehona t’marrë dhenë anekand!
Popujt mbarë të vrapojnë e të thërrasin:
t’vemi Malit të Shêjtë bashkë përpjetë,
të ecim, të ecim n’ shkelqimin prarues,
lajmi i mirë ne sot na dha fletë!”.
Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë,qe, po shfaqet Zoti – lavdi!
Rruga e tij âsht mëshirë e sherim,
Ligji i ri: vllazënim e dashni!”.

********

Lutje!
O Zoti em, ma fal sinqeritetin,
ma jep instinktin me e njohun n’erë
hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,
të vërtetën vehtes me ia thanë pa frikë,
si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;
hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’çojë krye,
mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,
as varr i zbardhun jashtë e, mbręndë kufomë!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin
e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtri!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin
E njerëzve vullnet- mirë, që paqë lypin,
me vehten e me shoqin e, me Ty!
Oh, kjo lutje nuk asht,
Nuk asht h i po k r i z i!

Nanë, ktheju!
Njâsaj, që’ i ditë prej sulmeve
Të Kulçedrës me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nęmuna
s’duroi t’i shohë këto dhena.
Njasajë… por vaj, na fajeve
në verbim s’u vume cak
e Nanës iu randue zemra,
iku edh’e la këtë prak!
O ju, që parzme hekuri
Luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun Flamurin,
shenjtnue me gjak e bé,
Zgjonju nën rrasa të heshtuna,
ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna
ç’u ba?… Si drita u shkim !!…
Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrinjë Rozafës… M A R I A ?!
Tepër lënguem këso shtigjeve
Si fëmija mbetë pa nanë,
për né ma dritë nuk lëshuene
as hyj, as diell, as hanë
Po a kurrë, ma kurrë, s’do të ngrohemi?
Pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë valleja
Do të ngeli, në terr kah dënesim?!
Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “ E Zojës asht Shkodra,
e, Zoja e Shkodrës së vet!”
Qé, ké ato mure të ndrituna,
-zemra m’a ndiën,- qé zani
i një populli në hov të galdimave,
Tue brohoritë: “O ngâni !…
Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra
që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
Në fé shenjte na vëllazno!
Shkodër, 1927

(Radio Vatikani)

blank

EMBLEMA ARSHI PIPA – Nga VISAR ZHITI

Kujtojmë Profesor Arshi Pipën sot në datëlindjen e tij të 101-të.  Një jetë e madhe – një vepër e madhe.
Nga burgjet e komunizmit në Shqipëri – profesor në SHBA, qytetar i lirë në Washington; nga sonetet e kanalit në kampin e kenetës së Maliqit, në korpusin e madh të veprave albanologjike, studime, kritika, letërsia shqipe, gjuha shqipe, socrealizmi shtypës etj, Migjeni, Camaj e deri te poeti nobelist Montale e i përbotëshmi Dante.
Arshi Pipa – emblemë e vuajtjes dhe e qëndresës,
e madhështisë dhe e veprës, e ndërgjegjes
së një kohe e të një populli…
blank
blank

Aforizmi i ditës – 28 korrik 2021

He who is not everyday conquering some fear has not learned the secret of life.

Ralph Waldo Emerson

Ai që nuk po pushton ndonjë frikë çdo ditë, nuk e ka mësuar sekretin e jetës.

Ralph Waldo Emerson

blank

PSE FSHAT ËSHTË VËRZHEZHA?!!! * – Esé nga Përparim HYSI

SI shenjë nderimi e mirënjohjeje për PROFESOR-DOKTOR PANDELI ÇINA

 

Kjo pyetje retorike që e ka brenda përgjigjen, më është bërë,pothuja 9-vjet më parë dhe jo vetëm më bashkëshoqëron,por edhe më rri varur mbi kokë si”SHPATA MITIKE E DEMOKLEUT”. Shkurt i jam përgjigjur kësaj pyetjeje dje tek faqa “JEHONA E SKRAPARIT”, se VËRZHEZHA ndodhet në SKRAPAR. E shkrova për VËRZHEZHËN se është vendlindja e timeti,HAZIS HYSI; të xhaxhallarëve dhe hallove të mia. Në VËRZHEZHË kanë lindur motra ime e madhe,PROTOKOJA dhe vëllai im i madh,QAZIMI. Mandej,nga tetori i vitit 1941 ne kemi ikur dhe jemi vendosur në fshatin PETOVË të FIERIT. Nisur,nga sa shkruaj,unë jam myzeqar. Dhe,para se t’i përgjigjem KARDIOLOGUT TË SHQUAR,PANDELI ÇINA, vendosa që ta zgjeroj përgjigjen e kësaj pyetjeje.
* * *
Parabolë:

Mesviteve ’70-të të shekullit kaluar kam përjetuar me të tillë pyetje që,edhe ato, kanë brenda një histori të tërë dhe,veç historisë,edhe domethënie të madhe. Ishim në makinë si pasagjerë që udhëtonim për në Tiranë. Në të djathtë një lab me veshjen”VERSAÇE made in SELAM SALARIA” (me dok të zi,pothuaj të zgjyrosur dhe identitetin që ishte lab,ia jepte qeleshja me shajak të bardhë dhe”thumbi” si rrufepritëse mbi kokë. Pasagjeri tjetër,veshur qytetëse,por dhe kostumi i roitur,tregonte për një jetë të vështirë. Nga të folmet,dukej që ishte shkodran. Sa u ul,shkodrani pyeti labin:
-Nga të kemi?
-Jam nga fshati i SHEFQET PEÇIT,- tha labi.
Shkodrani u murrtye një fije,kur thonë në Shkodër, mend do t’i thoshte diçka këtij të”SHEFQET PEÇIT”,por duket ndaloi.
Tani qe radha e labit të pyeste.
-Na, mor shok, nga të kemi?
Dhe shkodrani sikur mori vijëshënimi mbi labin,e mbushi “pushkën e mllefit,e ngriti nja dy oktavë zërin dhe tha:- Jam nga BURGAJETI i MATIT,fshati i LARTMADHNISË,MBRETIT ZOGU i PARË!!!
U murrëtye labi,më keq se xhaketa që kish veshur,por shkodrani u shtriq tërë kënaqësi mbi kolltukun ku qe ulur.
Dhe tani që shkruaj për t’I dhënë përgjigje PROFESOR-DOKTOR PANDELI ÇINËS, e përqasa këtë ndodhi si për të zgjeruar përgjigjen time.
* * *
Pyetja retorike nga PROFESOR-DOKTOR PANDELI ÇINA m’u bë në një promovim libri. Shkova atje dhe rastisi që të ulem pranë PROFESORIT. Natyrisht,unë e njihja.E dija, në vija të trasha,gjithë Golgotën e tij. Kish mbaruar në Poloni dhe bashkë me diplomën e mjekut kardiolog,mori dhe gruan polake. Sado që qe lauruar shkëlqyeshëm,kish filluar”lufta e shtrigave”,ngaqë gruan e kish polake,e degdisën në SKRAPAR. Më vonë, në BERAT dhe,kur erdh demokracia në TIRANË. Nuk është vetëm kardiolog,por dhe POET. Shkruan poezi dhe ka përkthyer në polonisht MIGJENIN dhe poetë të tjerë. Përkthime ka bërë dhe në gjuhën franceze.Unë u ula ngjitur me të dhe në dorë kisha revistën “HORA” që ma dhuroi,miku im.DURO MUSTAFAJ! DURO MUSTAFAJ, gazetar i vjetër;shkrmtar,poet,skenarist,sado që kish dalë në pension, duhet të shkruhet në librin”Geenes”. Për 25-vjet me radhë boton revistën “HORA”. HORA është emri i vjetër i fshatit VRANISHT të VLORËS dhe,ngaqë gjaku nuk bëhet ujë,sado që DUROJA nga viti 1960 jeton në TIRANË,ka qenë i lidhur pazgjidhmërisht me VRANISHTIN e tij. E kujtoj me dhimbje e mall mikun tim të mirë,se ka njëvit e ca që është ndarë nga jeta. U ula pranë PROFESORIT dhe në dorë,mu në kapak DOROJA kish shkruar me gërma kapitale emrin dhe mbiemrin tim. Profesori,sa pa emrin, më pyeti:

– Nga jini?
– Prindërit i kam nga SKRAPARI?
– Nga ç’fshat?
– Nga VËRZHEZHA.
– Pse fshat është VËRZHEZHA? Mos të dëgjoj që të thuash që VËRZHEZHA është fshat.
Unë e mbylla shkarpën dhe vërtet isha në atë pozcionin që djali i tha babait.-Hajde, baba, se do të tregoj arat. PROFESORI i kish nxjerrë ujtë e zi VËRZHEZHËS dhe,pse e “kish pirë atë ujë”,kish arritur në atë përfundin aq me domethënie.
* * *
Dhe ca më tutje. Ka qenë verë e vitit 1957,kur isha në SKRAPAR dhe ca më shumë në VËRZHEZHË. Zbrita në ÇOROVODË dhe,pasi kalova URËN e SHAROVËS, lashë SPATHARËN,VËLESHNJËN,djathtas në një faqe mali Cërovën dhe duke ngjitur malore të sforcuara,mbrrita në NISHICË ku rronte gjyshi im nga nëna,HEKURAN PËLLUMBI dhe dajot e mi:ENEVER dhe SKËNDER PËLLUMBI. I kishin cilësuar kulakë dhe të mëdhenj e të vegjël,mend u binte bretku në atë zheg vape. Më dhimbeshin dhe më dukej që,ndërsa atyre u digjej mjekrra,unë kërkoja të ndizja cigar. I shkurtova ditët e mia në NISHICË dhe,pasi u riktheva në ÇOROVODË,u nisa për tek dajot e babait tim në KORITË. Kur ngjita maloren e fortë të PIROGOSHIT,hasa tek pusi i DERVISH ILAZIT.KY bamirës me zemrën oqean qe nga VËRZHEZHA dhe më bëhej si i gjallë aty,pranë pusit.NË KORITË në shtëpinë e XHEPES(REXHEPIT) dhe NESHATIT,Safetit ;XHELalit e ZAIMIT qendrova një javë dhe malit e malit rashë në DOBRUSHË. Tek teze REFIKOJA,atëherë e ve dhe djali i vetëm i saj,ALIU ishte dëshmor. Pak qendrova në DOBRUSHË dhe u vara tatëpjetë për në VËRZHEZHË. Së pari, e rroka qytetarinë e VËRZHEZHËS tek DERA E MADHE E KAPLLANËVE. E KAPLLANËVE që ishin kulakë; që partia i kish burgosur;që kish pushkatuar oficerin me akademi italiane,Muharrem KAPLLANIN. Porta dykanatëshe e KAPLLANËVE ishte e hapur. Unë qendrova një çast para asaj porte. Oborrin ta lëpije me gjuhë me një pastërti virgjine dhe,ndryshe,fare ndyshe nga shumë shtëpi, në oborr kundërmonin lule. Epo qytetaria nuk ka brirë dhe një syripreçiz si të PROFESORIT nuk kishte se si i shpëtonte ky fakt me kaq domethënie.Por qëndrova dhe për një fakt tjetër. Në shtëpinë tonë, në PETOVË të FIERIT,kish ardhur për punë të pushtetit një veteran i asaj kohe:XOXI ANDONI. Në darkë i tha babait:-Ore HAZIS ku bëhen ata,KAPLLANËT e VËRZHEZHËS dhe,ndërsa imatë po tregonte seç i kish gjetur,veterani tha:- Vëllan e MUHARREM KAPLLANIT,DERVISHIN e kishim arrestuar.Ishte 17-vjeç. Kërkoj të vinte në banjo dhe një nga partizanët e shoqëroi për atje. Prit,prit dhe i burgosuri nuk po dilte. Partizani hapi derën dhe e gjeti që me brisk,kish çarë barkun dhe me duarët e gjakosuar copëtonte zorrët.Derëtrimmash.- tha veterani. Kërkoja mos shquaj njeri dhe,pa u larguar nga ajo portë,m’u kujtua xhaxhai im,HILMI HYSI që kish mbaruar si jurist në MON PELIE dhe u bë avokat mbrojtës për bashkëfshatarin e tij,MUHARREM KAPLLANI,por partia ua kish prerë qyrkun që të dyve,duke u marrë jetën.
QYtetarinë e VËRZHEZHËS,atë verë,e hasa tek GJINECËT,tek QAFOKËT;tek MYFTARAJT;tek ÇELAJT dhe kudo ku më shpuri kushëriri i babait,XHA MAKSUTI apo siç e thërrisnim: MAKSUT BE! Padyshim,qytetarinë edhe tek HYSËT se në SKRAPAR askush nuk e ha bukënthatë
* * *
Natyrshëm,që ndihem krenar për atë mendësi të PROFESORIT për VËRZHEZHËN dhe ka të tjerë që dinë të flasin më mirë për VËRZHEZHËN,por,tek e mbyll,dua të them që VËRZHEZHA e ka të bardhë ballin para historisë. I ka dhënë vendit patriotë e luftëtarë;i ka dhënë njerëz të ditur dhe,pa menduar se mund të jem i drejtpërdrejtë,pa frikë mund të shkruaj: VËRZHEZHA ka patur KLERIKUN më ZEMËRMADH,njësoj si NËNË TEREZA që është quajtur:DERVISH ILAZI! VËRZHEZHA ka një nga prozatorët më të mirë që quhet SHKËLQIM HAXHI ÇELA,me profesion ekonomist që rron në AMERIKË dhe para trivjetësh mori çmimin”KADARE”. Nga VËRZHEZHA është sopranoja me emër në botë,ERMONELA JAHO alias MARIA KALLAS. NGa VËRZHEZHA janë Ekonomisti GJERGJI QAFOKU që veçlibrit për “DERVISH ILIAZIN” ka bërë “PEMËN GJENEALOGJIKE TË VËRZHEZHËS”. Nga VËRZHEZHA është i ndjeri,kolonelGAZMOR HYSI që ka bërë “PEMËN GJENEALOGJIKE” të HYSËVE. Dhe me kaq,sikur i jam përgjigjur asaj pyetjes retorike të PROFESORIT. Vërtet ca vonë. Vonë është më mirë se kurrë.
Sa për PROFESOR-DOKTOR,kardiologun e shquar,PANDELI ÇINA e di që mot mbush 90-vjeç.I uroj të rrojë një shekull.
*Fshat i madh në SKRAPAR.
Tiranë,25 korrik 2021

blank

SURPRIZA – Tregim nga HAMIT TAKA

 

Ishte pragfestash, java e fundit e Nëntorit. Albina ecte me ngut buzë Lanës, nën një shi të imtë të paparashikuar nga meteorologët për pasditen e asaj të hëne. Cingërima e celularit brenda çantës së thjeshtë, por elegante, nën ritmin e shiut të bezdisshëm, dëgjohej e shuar dhe kjo e bënte disi të pa rëndësishme. Ajo e ruante si hajmali  celularin e parë personal, të cilin ia kishte bërë dhuratë babai ditën, kur mësoi se e bija kishte fituar të drejtën e studimit në shkollën e lartë për farmaci, pikërisht në degën e pëlqyer prej tij. Edhe vetë ishte farmacist dhe dëshironte t’ia linte trashëgim vajzës së madhe profesionin  dhe farmacinë, që e kishte fituar nga procesi i privatizimit. Ditët e para të universitetit, komunikonte pothuajse çdo ditë me të shtëpisë. Gjatë bisedave ndihej në gjirin e ngrohtë të familjes. Muajin e dytë i rralloi telefonatat, pasi e pa se kostoja ishte e ndjeshme për xhepat e një studenteje.

Pasi bëri disa hapa, celulari cingëroi përsëri dhe ajo përsëri nuk e hapi.Me cingërimën e tretë, nuk duroi dot më. Do të jetë mami, që ngulmon kaq shumë, mendoi dhe shtypi butonin.

-Syrpriiiizë!… -tha me zë të zgjatur folësi  në anën tjetër, që i shkaktoi vajzës ca pulsime të forta të zemrës.  Ajo shtangu ca çaste pa lëvizur, duke mos  e përfillur shiun freskues, që po ia ngjiste rrobat pas mishit.

-Mos ke humbur zërin, zemra ime? –i erdhi përsëri i qartë zëri nga krahu tjetër. Ai zë i njohur ishte si rrufe në qiell të kthjellët.

-Bertiii! -thirri ajo frymëmarrur nga emocionet.

-Syrpriiiizë! –përsëriti Berti  pa u ndikuar nga emocionet e Albinës.

– Bertiiii!…Më kërko më parë ndjesë që nuk ke ardhur të më takosh gjithë këto ditë… As më ke telefonuar, -ia ktheu vajza. Por Berti e ndjeu se ishte një qortim përkëdhelës dhe jo shpërfillje ndaj të  papriturës që po i afronte.

-Dashuria do prova, zemra ime… Dhe prova jonë doli e suksesëshme. Vuajtja ime e papërshkruar gjatë këtyre ditëve, dhëmbshuria me të cilën m’u përgjigje ti, belbëzimi dhe malli që ndihet në zërat tanë, janë provat më të mëdha të dashurisë së amëshuar.

-O Bertiiii! Pse, deri tani nuk më ke besuar, që më vure në këtë provë torturuese?…

-Sa naive je zemra ime.,, Desha të thoja sa e çiltër…

-Ta dije ti, Berti im i dashur, sa të gjata më janë dukur këto ditë, se në leksione kam qëndruar si mumje, se pasditeve kam pritur me ankth të më kërkoje te porta e godinës apo të shikoja emrin tend kur cingërinte celulari, nuk do të duroje kaq gjatë pa më takuar e pa më folur në telefon.

Në të vërtetë ato ditë vajza herë zbehej e herë zymtohej si natë me hënë e me re. Gati kishte prerë komunikimin me shoqet e dhomës, madje kishte rralluar dhe bisedat telefonike me familjen. Por prindërit, që formulojnë gjithmonë mendimet më të mira për fëmijët e tyre,  mendonin se vajza ishte përshtatur me mungesën e familjes dhe u ishte shtruar studimeve.

-Bëra shaka, jeta ime. Nuk ka nevojë për asnjë provë mes nesh. Kam qënë ca ditë matanë detit, në Itali. Tërë këto ditë jam përpjekur të sajoja diçka të bukur për ne të dy. Dhe ia arrita. Nuk e merr dot me mend çfarë dhurate të kam përgatitur për festat.

Berti  njëzetë e një vjeçar ishte i pari djalë, i cili i ishte afruar Albinës që javën e dytë të universitetit.  Natyra i kishte dhënë atij sy të zinj vezullues dhe flokë të dendur me oshilacione korb të zinj. Albinës i kishte pëlqyer pa masë me vështrimin e parë. Edhe Berti, me fytyrën e ndritshme,  e kishte marrë me sy një copë herë vajzën dhe i qe dukur shumë e këndëshme. Karakteri i Albinës ishte i gjallë, si vajzë e lirë dhe e përkëdhelur, por edhe e pastër dhe e dëlirë si bora e maleve te Gramozit nga kishte ardhur në Qytetin Studenti.  Që në takimet e para, djaloshi i shkathët, iu duk i vetësigurtë dhe i drejtë. Shkurt ajo i ishte përgjigjur… Edhe në ato çaste ajo ishte përpirë nga ligjërata e tij dhe nuk ndërmendëte ndonjë çast më të gëzuar në jetën e saj. Dëshironte ta dëgjonte pa pushim atë zë, që i kumbonte në zemrën e saj të patrazuar më parë nga ato ndjesi të forta ekzaltuese, që kishte provuar në çdo takim me Bertin.

– Ah, zemra ime, në vend të heshtjes, flasim për syrprizën! –ia ndërpreu mendimet  i adhuruari i saj zëftohtë, por Albinës i dukej i ngrohtë si vala e gjakut që i vërshonte në deje nga dashuria për të. Me gjithë atë ajo ngulmonte t’i shpjegonte se nuk mund të duronte asnjë ditë pa u takuar e pa komunikuar me njëri-tjetrin.

-Të prëmten pasdite do të shpjegoj gjithçka nga afër, por dëgjo syrprizën tani, -iu përgjigj Berti dhe, pa pritur miratimin e saj, filloi t’i fliste për surprizën:

-Një uikend përallor për ne të dy…

-Vetëm ne të dy?! –tha vajza sa e hutuar aq edhe e gëzuar.

-Po, vetëm ne të dy.  E ka pronotuar një kushëriri im në një agjensi turistike italiane. Kam në xhep dy bileta trageti për në Torino. Të shtunën në mëngjes nisemi.

Albina nuk kishte ndier ndonjëherë një ngazëllim të atillë. Sa bukur e madhështore tingëllonin në trurin e saj fjalët e reja, të panjohura më parë, që kishin hyrë në ligjërimin e përditshëm të shqiptarëve: uikend, sponsor, pronotim… Jehona e tyre përhapej nëpërmjet  rrëmbave të gjakut në tërë gjymtyrët e qelizat e trupit. Ajo donte ta kishte afër Bertin, t’i varej në qafë, ta përqafonte e ta puthte me tërë afshin e zemrës. Surpriza që i afronte i dashuri ishte vetë mrekullia. Sa kohë kishte që ëndërronte një udhëtim jashtë shtetit. Kishte bërë zili shoqet e shkollës, që kishin ikur me prindërit në mërgim për bukën e gojës. S’donte t’ia dinte për motivet, mjaftonte të iknin në vende të tjera të panjohura.  Bile ndonjë herë i kishte shkuar në mend të kishte qënë më mirë e varfër. Sa herë kishte lakmuar fatin e vajzave, që kishin lënë mësimet dhe ishin martuar me emigrantë, pa ditur se ku shkonin e çfarë do të bënin më tej. Etleva, shoqja e saj e tetëvjeçares ishte martuar që në klasën e parë të gjimnazit me një djalë të panjohur, të cilin ia kishte prezantuar një shoqe e klasës nga një fshat i largët, vetëm e vetëm se ishte refugjat në Greqi. Pas dy  vjetësh Etleva ishte rikthyer në shkollë, duke filluar mësimet atje ku i kishte lënë. Aventurë kurajoze dhe romantike, e kishte quajtur Albina. Por mendimet e nbukura, që ia kishin ndezur imagjinatën, ia ndërpreu Berti.

-Hë, Bina, nuk u befasove nga syrpriza e bukur që të bën i dashuri yt në prag të festave?… Do të vizitojmë Romën, e dashur!…Pse nuk më thua një fjalë?

-Pikërisht se u befasova, se u emocionova, Nuk di si të përgjigjem. Më duket  si një mrekulli e rënë nga qielli.

-Ha-ha-ha! Domethënë të pëlqeu. Sa më lumturove, e dashur.

-Cilës vajze nuk do t’i pëlqente një udhëtim kaq i papritur. Ngjan si një film: Një provinciale në Romë. Po deri sa thuhet se të gjitha rrugët të shpien në Romë, cila rrugë mund të jetë para dashurisë. Më ka mbetur në mëndje filmi “Beteja për Romën”, ku vajza e të parit të qytetit i tha pushtuesit Totila: “Edhe zogjtë këtu këndojnë: To-ti-la! To-ti-la! To-ti-la!…”  – këto fjalë Bertit i tingëlluan tërë përdëllim.

-Atëherë ti je jo vetëm e dashura ime, por edhe poetja ime, Na mbetet të fillojmë përgatitjet për udhëtimin madhështor. Të prëmten pasdite do të takohemi dhe do të flasim për detajet e udhëtimit.

– Po prit,ore! Prapë nuk do të takohemi ne deri të prëmten?…O Bertiii? …

Në vend të përgjigjes, dëgjoi sinjalin e mbylljes së telefonit në krahun tjetër. Si e mbyll kështu telefonin, ky Bertiiii! Tha me zë.

Nga e marta në pasditen e të prëmtes, Albina i binte pa pushim numrit të Bertit. Po zilja nuk cingërinte deri sa vinte përgjigjja e kompjuterit: personi i kërkuar mund të ketë mbyllur telefonin. Asaj as i shkonte në mend se të rinjtë në moshën e saj mund të përdornin dy celularë. Por trishtimi e zemërimi me të dashurin e saj, për shkak të moskomunikimit, shpejt e zëvendësonte arsyetimi se i dashuri i saj ishte i zënë me përgatitjet e udhëtimit. Shpirti i saj ishte i garkuar nga ëndërrat, ndërsa produktet e imagjinatës kapërcenin çdo limit. Ajo përfytyronte një udhëtim të bukur me një anije luksoze si Titaniku, përfytyronte Italinë e bukur dhe Romën Koloseut.

Pas surprizës së Bertit, falë atij kushëririt të tij bujar e zemërmirë, nuk ekzistonin më leksionet, leximet, detyrat studentore. Pasditeve  merrej me punë të kota, qeraste shoqet, shetiste nëpër mjediset e Qytetit Studenti dhe lozte e qeshte nëpë korridoret e godinës së fjetjes si një çupëlinë e dehur nga lumturia. Natën përpëlitej në shtratin e pagjumësisë, duke e munduar dilema: t’i  vinte në dijeni prindërit apo të shkonte pas të dashurit të saj symbyllur. Intuita i thoshte se ishte e vështirë të binin në një mëndje të dy palët. Ajo e dinte se në shtëpi të gjithë e prisnin me padurim, për të kaluar së bashku festat. Ndonëse nuk kishin kaluar as dy muaj, i kishte marrë malli shumë për vajzën. Po aq edhe atë për familjen. Ishte hera e parë që largohej nga shtëpia. Shpesh i mbusheshin sytë me lotë.  Përfytyronte se do të ishin festat më të gëzuara në jetën e saj, për shkak të statusit të ri dhe largësisë dymujore nga gjiri i familjes. Nga ana tjetër imagjinonte mrekullira të tjera shumë më entuziaste e më zbavitëse, që do t’i falte i dashuri me surprizën e tij të paimagjinueshme më parë. Dëshira për të dalë jashtë shtetit të saj ishte e papërballueshme. Heronjtë e librave nuk i dukeshin asgjë para refugjatëve, që kishin kapërcyer telat me gjemba.

Dhe, sa herë zhytej e pështjellohej në mendime, duke mos gjetur dot zgjidhjen më të arsyeshme, të mos qejfmbetej as i dashuri as familja, kapte celularin dhe i bënte zile Bertit. I thoshte mëndja dhe zemra se ai do t’i jepte zgjidhjen e duhur. Por telefoni i tij gjëndej gjithmonë i mbyllur. Pastaj merrte mamin, duke dashur t’i tregonte për surprizën e afruar, por ndërronte mëndje dhe fliste për gjëra të rëndomta, si: çfarë ke gatuar për darkë?… Po për drekë ç’kishe gatuar?… Si është Majlinda me mësime?…Ndonjë herë i thoshte mendja t’i hipte autobuzit të linjës që në datën 26 në mëngjes dhe surprizën t’ua bënte ajo prindërve, duke mbritur në shtëpi  një ditë para ditës kur e prisnin ata.

Shpesh edhe në lëksione ia përcëllonte trurin dilema torturuese. Të ikte pa lejen e prindërve, i dukej absurditet, e pa mundur. Të mos shkonte me të adhuruarin e saj në udhëtimin përrallor, i dukej se humbëte gjysmën e botës. Në ato çaste koka i digjej furrë, zemra i rrihte gjoksin, sikur donte të dilte jashtë dhe t’i tregonte udhën e drejtë që duhej të ndiqte.  Sa herë shtronte pyetjen se çdo të mendonin babi e mami, po të shkonte pa i vënë në dijeni, e jepte vetë përgjigjen:  Këto vendime duan konsultim me prindërit, por duan edhe guxim e kurajo. Me gjithë atë, në thellësinë e shpirtit, e kishte bërë zgjedhjen: Të shkonte një herë në Romë me të dashurin, pa bota le të përmbysej.

Të prëmten pasdite, rreth orës tetë, ra zilja e telefonit. Kur në ekranin e celularit u shfaq emri i shumëpritur i Bertit, në fytyrën e saj u shpërfaq ajo që poetët e quajnë “poezia e ndjenjave”, një ngazëllim i shndritshëm, që nuk mund të shprehet me asnjë fjalë.  E shtypi menjëherë butonin dhe zëri i tij i erdhi më i plotë dhe më i vendosur se çdo herë tjetër:

-Hë, e ke bërë gjithçka gati për nesër?

-Por unë, o Berti, të pres në takim sot, siç më premtove. Pak kohë na ka mbetur për të sqaruar detajet e udhëtimit dhe plot gjëra të tjera.

-S’ka gjëra të tjera për të diskutuar. S’e gjejmë më këtë rast. Një herë jepet shansi, thotë amerikani dhe, po nuk e shfrytëzove, mos t’ua kesh inatin të tjerëve.

-Po si do të shkoj unë deri në Itali me një djalë të panjohur, o Bertiiii, pa lajmëruar shtëpinë?!…

-Pse një djalë i panjohur jam për ty, zemra ime?!…

-Po jo, o Bertiii, nuk desha të thoja atë. I panjohur pë familjen time..

-Po ç’prite atëherë gjithë këto ditë? Pse nuk i ke vënë në dijeni?…

-Po unë doja ta diskutonim bashkë, o Berti. Ne ende nuk jemi prezantuar me prindërit. Mbase ata donin të dëgjonin edhe ty, të merrnin një siguri më të madhe prej teje.

-Ç’u bë u bë tani, Bina. Nuk ka më kohë për të humbur me biseda emocionale. Vendimi është marrë, janë prerë biletat, janë pronotuar hotelet. Sponsorizuesi ka harxhuar një thes me para…-Zëri i tij erdhi i thatë si zhurmë llamarine.

-Po si, o Berti, pa dijeninë e prindërve do të vij unë?! –lutej e përgjërohej Albina.

-Zgjidhe vetë atë problem sonte. Nesër në mëngjes të pres para korpusit të universitetit. Unë kam pronotuar taksinë për orën tetë dhe kam bërë gati gjithçka. Ti s’ka nevojë të marrësh asgjë me vete. Rregullohu, vishu bukur, se të tjerat i kam unë. Në orën dhjetë niset trageti nga porti i Durrësit. Natën e mirë!

-O, Bertiiii…-thirri vajza, por telefoni ishte mbyllur. U mbyt në lotë, që nuk merrej vesh në se ishin lotë trishtimi, mallëngjimi, gëzimi apo zemërimi. Mbeti në këmbë, pa lëvizur, duke vështruar telefonin. I vinte ta përplaste në tokë, sikur t’ia kishte celulari fajin, të cilin kishte kohë që e trajtonte si mikun më të afërt e më besnik. Mbylli sytë pak sekonta dhe mori vendimin. Le të ishte një aventurë. Aaventurat rinore gjithmonë i dukeshin  të bukura. Do të shkonte pas të dashurit të saj në Romën e ëndërruar. Kur ta njihnin prindërit Bertin, me siguri do të ndiheshin të lumtur për fatin e vajzës. Djalë simpatik, universitar, nga një familje e mirë në mes të Tiranës. Pikërisht ai djalë, që do t’u hynte në zemër me ta parë, ia kishte bërë atë dhuratë të pamundur për ta.

Të nesërmen , fiks në orën tetë, Albina ishte te taksia. Berti u vonua pesë minuta dhe sa mbriti, pa thënë as mirëmëngjes, i tha Albinës:

-Hip shpejt në taksi, se nuk kemi kohë, u bëmë vonë.

I hapi Albinës derën e pasme, në krahun e kundërt të taksistit, futi një çantë të madhe në bagazh dhe mbylli me forcë derën nga krahu tjetër, pasi kishte zënë vend në sedilen pranë saj. Ajo i buzëqeshi dhe mbështeti kokën në supin e tij. Berti i afroi fytyrën te leshrat, filloi t’i nuhaste aromën e flokëve të krehur me merak dhe i puthi lehtë qafën e gjatë.

Diku, midis Durrësit dhe Tiranës, vetura ndali. Hapi derën me furi një tip muskuloz e me bebëza gri, që i lëvrinin sytë si mace e egër. Sa futi kokën brenda kabinës, ia përpiu fytyrën vajzës së panjohur me shikimin e një shpendi grabitqar. Vajzës i shkaktoi një ndjenjë frike dhe pasigurie. Pastaj Sygriu i uli sytë në cicat, që kishin ngritur fustanin. Nuk i krahasoi me mollët e këngëve popullore, por me vezët e patës. Teksa po ulej në sedile, e kaloi shikimin poshtë fustanit dhe për herë të parë fytyra e tij u duk e kënaqur, sikur thoshte: Sa të bukura i ka kupat e gjunjëve! Sa të bukura i ka këmbët! Albina u ngjesh pranë Bertit si një zogth i truar, përballë atij shpendit grabitqar, që ia behu papritur.

Diku, u kthyen në një servis veturash. Atje Albinës minutat i dukeshin orë. Atje mendonte vetëm për familjen. Tani kishte filluar t’i qartësohej në trurin e saj të ladhatuar nga debulesa e prindërve, si fëmija e parë e tyre, sa serioze ishte mosvënia në dijeni e familjes. Ndjente një boshllëk të thellë në tërë qënien e saj për këtë udhëtim. Tashmë surpriza i dukej sa realizimi i një ëndërre aq edhe një aventurë e marrosur. Hapi çantën, nxorri celularin dhe formoi numrin, por në çast Sygriu, që Albinës i pëlqente ta quante Syujku, iu drejtua me sytë e zgurdulluar: Lere telefonin! Nuk kemi kohë për biseda tani. Albina u tërhoq e tmerruar pranë Bertit…

Rrugës së mbetur deri në Durrës  Berti dhe Syujku flisnin për uikendin e mrekullueshëm të çiftit Berti-Albina. Te trageti mbritën 10 minuta pas nisjes së tij. Berti u bë si i tërbuar, duke vështruar me shqetësim nga Albina. Ajo ndihej e prekur thellë në shpirt nga dështimi i surprizës, që ia kishte ndezur imagjinatën,  Ama edhe e lehtësuar, se nuk do të bëhej mashtruese e prindërve. Pas një stepjeje ajo foli me zë të mekur, për të qetësuar të dashurin e saj:

-S’ka problem, mos u shqetësoni.  Mirë u bë edhe për mua. Do të shkoj për festa te prindërit. Eshtë hera e parë që jam larguar nga shtëpia dhe më presin me padurim.

-Ç’thua, -u hodh Berti, – kushëriri e ka  paguar tarifën si frëngu pulën.

-Mos u shqetësoni,- ndërhyri Syujku,- do ta gjejmë një zgjdhje. Do t’ju nis unë me ndonjë anije tjetër. Humbët një udhëtim luksoz, por do të shijoni të tjerat. Dhe kujdes në kthim, mos u vononi, t’ju lërë sërish trageti. Këto fjalë, plot siguri, sikur e rigjallëruan Albinën, por edhe e trishtuan. Ikjen e tragetit ajo e kishte quajtur një rastësi e dobishme, duke e mbledhur mëndjen top për t’u kthyer te prindërit.

Pas një ore, siç premtoi Syujku, Berti dhe Albina hipën në një anije mallrash. U futën poshtë në hambarin e ngarkesës dhe rrinin ngjeshur njëri pas tjetrit, si dy dashnorë të vërtetë të mbyllur në një  kafaz metalik. Nuk kaloi as gjysmë ore dhe Albina filloi të ndjente dhimbje në lukth. Mbështeti kokë në gjoksin e Bertit, ku i dukej se gjente mbrojtje dhe siguri. Menjëherë u ndie më mirë. Mirëpo, nga qëndrimi skiç, iu trazua edhe më shumë. Pas pak filloi të ndihej aq keq, sa i dukej se nuk mund të jetonte më në atë gjëndje. Sado që bënte përpjekje të sforcuara të mos e jepte veten, t’i rezistonte torturës, për të mos e shqetësuar Bertin, nuk mund ta fshihte më sikletin në të cilin ndodhej. U dobësua aq shumë sa nuk kuptonte më se ku ishte. Thellë në vetëdijen e saj filluan të lëvrinin të shfytyruar Berti, mami, babi, motra, vëllai i vogël dhe mjedisi i shtëpisë, ku çdo gjë ishte e ngrohtë, e ëmbël dhe paqësore. Syujku, për të cilin kishte menduar se kishte mbetur në Durrës, filloi t’i binte lëngje, për ta qetësuar. Pas ndonjë ore humbi ndjenjat, pa kuptuar asgjë se çfarë ndodhte rreth saj. Kur erdhi në vete, vuri re se ishte zhytur në një pellg të vjellash dhe vreri të gjelbër…

Zbritën në Pulja, jo në Torino. Berti dhe Sygriu morën dy çantat dhe u nisën me nxitim. Albina, e kapur për dore nga Berti, me vështrim e vizitorit të parë të një planeti të panjohur, mezi lëvizte. I dukej sikur tërhiqte zvarrë kufomën e vet. U futën në ca rrugica dhe sosën në një shtëpi, tip vile dykatëshe, e rrethuar me pemë, në mes të një fushe, jashtë qytetit. Vajzës, pasi kishte dalë nga ai kazan tmerrues, sado e lodhur dhe e kapitur nga mendimet kontrakditore për vendimin e marrë pa dijenine e prindërve, iu gjallëruan disi ndjesitë e çasteve të lumtura që e prisnin në atë udhëtim të shumëpritur. Gjithçka në oborrin e mjedisin e asaj vile iu duk romantike. Por, sa u futën brenda, në një dhomë gjysmë të errët, Albinës iu tretën ndjesitë lumturuese. Berti, pa e njohur ende me mjediset e brendëshme të ndërtesës,  i tha se do të shkonte tek puna e kushëririt dhe do të kthehej bashkë me të. Pastaj do të shkonin me makinë tek shtëpia e tij. Të nesërmen do të niseshin për në Romë. Albina ndihej e lodhur, e hutuar dhe nuk kuptonte asgjë nga sa ndodhte rreth saj. Kur u hap dera dhe pa siluetën e bustit të Bertit në dritën e derës, ajo thirri, me një pikëllim, që do ta kishte zili dhe Hekuba: O Bertiiiiii! Por ai s’iu përgjigj. Dera e mbyllur bllokoi fashën e dritës, që vërshoi nga jashtë dhe vajzës iu duk se u zhyt në terrin e varrit, që e kishte hapur me duart e veta. Ishte një dhimbje dhe trishtim i tillë, që as lotë nuk i prodhonin më  sytë. Shoqëruesi sygri u ngërdhesh dhe i tha me qetësi: Mos u shqetëso. Tani do të jesh në shoqërinë time. Bashkë do të bëjmë punë të mira. Do të fitojmë shumë para. Vajza e vështroi si ajo ulkonja që i kanë rrëmbyer këlyshët e saj, ndërsa ai e vështroi me kënaqësinë e një ulkonje që ia ka rrëmbyer prenë  rivales së vet. Mblodhi të gjitha fuqitë dhe  u hodh te dera, duke kapur dorezën.

-Lere derën! Nuk hapet më ajo derë deri sa të vijë Berti, -tha me ton urdhëror Syujku.

Vajza e troshitur nga ai udhëtim i panjohur dhe e frikësuar deri në llahtari sytë gri të shoqëruesit të panjohur, mezi mbahej në këmbë. Për atë njeri ndiente një urrejtje që s’e kishte provuar kurrë. Kapi dorezën fort dhe tentoi ta hapte. Njeriu i fuqishëm e kapi nga krahët, e hodhi si një pulë të ngordhur në një divan të pistë dhe, duke nxjerrë para kërcënueshëm gishtin tregues, i tha: Tani e tutje je nën kujdestarinë time. Je nën urdhërat e mia. Do të bësh çfarë do të themë unë. Bertin harroje. Nuk e ke njohur kurrë. As ka ekzistuar ndonjë herë një farë Berti për ty. Ndryshe…

Studentes Albina iu errësua edhe më shumë bota para syve. Toka filloi t’i rrëshqiste  nën vete. Ajo e kuptoi fundin e aventurës së saj dhe, që nga ai çast, filloi të mendonte pasojat e vendimmarrjes katastrofike pa u konsultuar me prindërit. Ai zjarr i ëmbël dashurie tashmë ishte kthyer në një llavë vullkani që po digjte e përpinte gjithë dëshirat e ëndërrat e saj. E shtrirë në atë divanin e pistë, e mbledhur kruspull kokë e këmbë, sikur krijonte një mburojë e një sipërfaqe sa më të vogël kontakti me atë mjedis të neveritshëm, e kuptoi se në atë botë të trazuar pafajsia dhe sinqeriteti nuk ishin më mburojë e një vajze tetëmbëdhjetëvjeçare.  Me sy të çngjyrosur filloi të kujtonte njohjen me djalin e adhuruar prej saj. Por zemra nuk guxonte ta quante mashtrues dhe të pabesë. Gjithë mynxyrën e saj ajo e quante vepër të syujkut. Nuk kishte fuqi ta gjykonte mëndjelehtësinë e vet dhe pasojat në të ardhmen. E krahasoi veten me një mizë të zënë në rrjetën e një mirimange të madhe… Më në fund ajo e kuptoi se ishte kthyer në një mall të pastër të një tregu të pistë. Gjëja e parë që i erdhi ne mend ishte celulari. Për një çast mendoi se ai do të ishte varka e shpëtimit. Rrëmbeu çantën, që kishte mundur ta mbante pranë vetes, e hapi, kërkoi në të  si shtaza hyrjen e folesë së prishur, por celulari nuk ekzistonte. Atëherë e lëshoi veten si ajo antilopa që bëhet pre e luanëve të uritur. Ia kishin hequr edhe urën lidhëse me të njohurit e vet edhe armën e vetme të mundëshme për mbrojtje.

blank

DHIMBJE QË SHPON ASHTIN – Poezi nga TAHIR BEZHANI

 

(me rastin e aksidentit në rrugët e Kroacisë)

Sot dhimbja e loti mbuluan Kosovën

Pas lajmit të hidhur mëngjesor

Ëndrrat e dashurisë u përplasen në asfaltin kroat

Dasmat mbeten të nxira, pa daulle, valle e bajrak

Përqafime të ngrira  përmallshëm  hutimeve

Pakuar valixheve të mallit, me të falat e zemrës

Vetëm lotët e dhimbja  udhëtojnë në vendlindje

E trupat tuaj- shpirti në Parajsë,

Flamujt në gjysmështizë në dridhje trishtuese

Sy të përlotur e të ngrirë si akull

Dhimbje që shpon edhe ashtin

 

Sot loti nuk pyet askënd pse udhëton i valët

Ai vjen deri te shpirti juaj në përqafim gjakimi

Secilin përqafim  i ndarjes  krejt zjarr

Për një kore bukë, gjithë kjo lemeri

Kurrë nuk qe mjaft ndër shekuj kjo plagë

Të plagosur mbetem akoma rrugëve të botës…

 

26 Korrik 2021

blank

Më 26 korrik 2018 u nda nga jeta Adem Demaçi, veprimtar i çështjes kombëtare dhe shkrimtar shqiptar

Adem Demaçi (Prishtinë, 26 shkurt 1936 – Prishtinë, 26 korrik 2018) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova. Më 2010 mori titullin Hero i Kosovës.

U lind, zyrtarisht, më 26 shkurt 1936, kurse, si mësojmë nga romani “Libër për Vet Mohimin”, që ka pjesërisht edhe karakter autobiografik, u lind, në të vërtetë, në kosimet e dyta, dikund në korrik.

U rrit në një familje të varfër të Prishtinës. Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët nga tuberkulozi. Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet. Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllanë e tij të madh, Maliqin, i cili, si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kashatën e gojës për familjen (tregimi “Një Natë Bajrami”). Por, pas pesë-gjashtë vjetësh i vdiq edhe i vëllai Maliqi po nga tuberkulozi. Atëherë, për t’i mbajtur në jetë dy fëmijët e mbetur, Ajshen dhe Ademin, nënë Nazifja iu qep vekut dhe duke endur pëlhura të ndryshme, arriti t’i ushqente disi fëmijët, madje edhe ta shkollonte Demaçin (tregimet “Vegjëtarja”, “Vegjëtarja në treg”).

Demaçi do ta mbarojë shkollën fillore në Prishtinë më 1946, ku do ta kryejë edhe Gjimnazin real. Studimet në Degën e Letërsisë Botërore do t’i ndjekë plot pesë semestra në Universitetin e Beogradit, të cilat do të shtrëngohet t’i ndërprejë për shkak të sëmundjes së nënës. Ndaj, u kthye në Prishtinë dhe gjeti punë në veprimtarinë botuese të ndërmarrjes “Rilindja”.

Burgosjes së Tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t’i paraprijë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i armëve dhe Procesi i Prizrenit. Do ta goditë sidomos burgosja e gazetarit të devotshëm Sedat Dida, e cila do të ngjallë frikë e panik në mesin e punëtorëve dhe gazetarëve të “Rilindjes”. Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Për këto qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska Mitrovicës.

Pas lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t’u kallnin edhe më shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. Për më tepër, me ardhjen e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit, më 1963, e izoluan dhe e mbajtën në burg gjatë gjithë qëndrimit të tij në ish-Jugosllavi.

Megjithatë, në fillim të viteve ‘60 ishin krijuar në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë e gjetiu, organizata të ndryshme, që luftonin në mbrojtje të kauzës kombëtare. Duke parë disponimin e masës për t’iu kundërvënë terrorit dhe dhunës së shtetit totalitar, veçmas politikës së egër antishqiptare, Demaçi bëri çmos të formohej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, si dhe hartoi (bashkë me Ramadan Shalën, tash të ndjerë) Statutin dhe Programin e Lëvizjes. Lëvizja formoi komitetet e saj në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan; ndërmori një varg aksionesh për ngritjen e flamujve kombëtarë, u përpoq të vite kontakte me lëvizjet e ndryshme revolucionare dhe ta propagandonte sa më shumë çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, kjo LRBSH u zbulua mjaft herët dhe Demaçi si kryetari i saj u dënua me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, të cilat në fillim i vuajti në Nish, e pastaj, për ta larguar sa më shumë nga familja, e dërguan në Pozharevc, ku në kohën e ish-Jugosllavisë kishin vuajtuar dënimet shumë atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe Azem Bejta. Po e theksojmë këtë fakt, sepse kjo mbase do të jetë arsyeja që Demaçi të shkruajë në shtator të vitit 1969 dramën e parë me titull “Popu” (shkurtim i fjalëve po-litika dhe pu-shka), dorëshkrimin e së cilës e nxori nga burgu Xhafer Mahmutxhiku, kryetar i Komitetit të Prishtinës, në një arkë me dy kapakë.

Pas ndryshimeve dekorative politike në ish-Jugosllavi më 1966, dënimin ia zvogëluan në 10 (dhjetë) vjet, të cilat i vuajti ditë më ditë deri më 8 qershor 1974.

Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 në procesin e montuar politik dhe u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhërin e Kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë.

Janë proverbiale fjalët e tij pas daljes nga burgu: Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit – në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare.

Si luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, si mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut, Paralamenti Evropian, më 4 dhjetor 1991, i dha Çmimin Saharov. Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore, që do t’u bënin të mundshme grupeve etnike të ish-Jugosllavisë të jetonin së bashku në paqe e harmoni… Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet shoviniste serbe e akuzonin për luftënxitje?!

Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel per letersi. Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të intelegjencisë paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndëkombëtar për problemin e Kosovës.

Sipas burimeve të nënës së tij u lind diku në gusht-shtator 1935, por zyrtarisht i ati Zeqiri e regjistroi më 26 shkurt 1936. Pas okupimit italian më 1941 dhe hapjes së shkollave shqipe në Kosovë, familja e regjistroi në shkollë më 1942.

Në vitet ’50 Demaçi shkroi në revistën letrare “Jeta e re” drejtuar nga Esad Mekuli, dhe më 1958 shkroi romanin e tij të parë Gjarpijt e gjakut që trajton temën e gjakmarrjes në viset shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Demaçi u arrestua së pari më 1958 nga regjimi autoritar i Josip Broz Titos, duke u dënuar me tre vite burgim. Pas lirimit ai e inicoi dhe u radhit në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin Shqiptar. U burgos sërish më pas më 1964 për dhjetë vjet burgim dhe u ridënua më 1975 me pesëmbëdhjetë vjet burgim. Më 1969 Amnesty International e njeh si të burgosur të ndërgjegjes. U lirua prej burgut të Stara Gradishkës, Kroaci, me 21.04.1990 në kohën e presidentit të RSFJ-së së atëhershme Janez Dërnovshek, maj 1989-maj 1990.

Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, në bashkëpunim me Shoqatën simotër AICL dhe Universitetin francez, dhe me dekanin e Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, në dhjetorin e vitit 2015, është nominuar zyrtarsiht për çmimin Nobel për Paqe.

Ndërroi jetë më 26 korrik 2018 në Prishtinë, Kosovë në moshën 82-vjeçare. Sot Adem Demaçi prehet ne Panteonin shqiptar.

Tituj të veprave

  • “Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.
  • 2. “Gjarpijt e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.
  • 3. “Gjarpijt e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.
  • 4. “Gjarpijt e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.
  • 5. “Gjarpijt e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.
  • 6. “Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.
  • 7. “Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.
  • 8. “Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norway, 1994.
  • 9. “La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.
  • 10. Adem Demaçi, “Tung, vargu im”, “Rilindja”, Prishtinë, 2002.
  • 11. Adem Demaçi, “Heli dhe Mimoza”, botoi autori, Prishtinë, 2006.
  • 12. Adem Demaçi, “Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.

Mirënjohjet

  • Çmimi “Sakharov” i Parlamentit Europian për Lirinë e Mendimit, 4 dhjetor 1991;
  • Çmimi kundër Racizmit e Ksenofobisë i “Universidad de Complutense” të Madridit, 1992
  • I nominuar për Cmimin Nobel për Letërsi – shkurt 1994 , ndërsa për Cmimin Nobel për Paqe në shtator 1994- nga pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë
  • Çmimi ” Lizel dhe Leo Aitinger” për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos, 14 dhjetor 1995
  • Clirimtar i Prishtinës; Komuna e Prishtinës, 28 nëntor 1999
  • Urdhëri Hero i Kosovës – Presidenca e Kosovës 26 nëntor 2010;U.D.i Presidentit Z.Jakup Krasniqi
  • Doctor Honoris Causa – Universiteti i Prishtinës 17 janar 2011;
  • Doctor Honoris Causa – Universiteti i Tetovës 5 maj 2016
  • Urdhëri ” Nderi i Kombit” nga Presidenti  Republikës së Shqipërisë Z.Bamir Topi; 10 qershor 2012;
  • I nominuar për Cmimin Nobel për Paqe 2016 (propozimi ” Unioni i i shkrimtarëve dhe kritikëve të Kosovës” z.Reshat e Behare Sahitaj; dekan në UP : Prof Bujar Dugolli dhe aplikimit nga “Asociacioni Internacional i Kritikës Letrare” prof Daniel Leuwers e Helen Stafford);
  • (Wikipedia)

 


Send this to a friend