VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ndëshkim që do të shtonte kandidaturat për azil politik! – Nga ARTAN FUGA

By | June 20, 2019

Komentet

Rozhaja nderon diplomatin Shaban Murati me Çmimin e Lartë “Ora e maleve”

Në Manifestimin e njohur Tradicional Kulturor mbarëkombëtar “Ora e maleve” në Rozhajë, Mali i Zi, u zhvillua promovimi i librit “Bosnja: Një pikpamje nga Tirana” të autorit Shaban Murati, ku merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, studjues, artistë, gazetarë, etj.nga të gjitha trevat shqiptare.
Fjalën e hapjes në këtë promovim e mbajti drejtori i këtij manifestimi z.Ali Daci, i cili theksoi vlerat e librit në shkallë kombëtare dhe rajonale. Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” z.Ismet Azizi foli për rëndësinë e kontributit të librit dhe të autorit në ndriçimin e të vërtetave dhe të drejtave të dy popujve për liri dhe për mesazhin e rëndësishëm të librit për miqësinë midis dy popujve.
Analizë të gjërë për librin paraqiti shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur z.Çerçiz Loloçi.
Në fund, drejtori i Manifestimit Tradicional Kulturor, z.Ali Daci, i dorëzoi autorit Shaban Murati “Çmimin e Lartë “Ora e maleve””, me këtë motivacion:
“Për kontribute të çmuara në diplomaci, histori, kulturë dhe studime, duke sjellë refleksione të çmuara në fushën e politikës dhe diplomacisë, në Ballkan dhe më gjërë”.

Njihuni me “Lagjen e hajdutëve të politikës”, blloku i 122 vilave të bardha, blerë me miliarda “të zeza”

Vetëm 4 kilometra larg Tiranës në Petrelë, pasanikët e bërë të tillë me lekë krimi e korrupsioni shtetëror dhe lidhjeve me botën e mafies, kanë krijuar një bllok banimi me vila luksi, ku janë bashkuar e jetojnë pa pikë morali, agallarët dhe shërbestarët e tyre, të çdo lloji, ngjyre politike e mëkatesh.

Janë 122 vila të bardha, me sipërfaqe nga 350 m2, në mbi 600 m2, të blera me miliarda të zeza, prej deputetësh, ministrash, ambasadorësh, moderatorësh televizivë, opinionistë të medias, dashnore shtetarësh, prokurorë, gjyqtarë, krye-doganierë e krye-tatimorë, kryepolicë, kriminelë, trafikantë dro ge, arm ësh e femrash.

Ky bllok banimi, me sipërfaqe 226 mijë m2, nga të cilat 79 mijë m2 janë vila, është pagëzuar me emrin “Lagja e hajdutëve të politikës” dhe me plotë të drejtë, mbasi çmimi më i ulët i një vile është 500 mijë euro.

“Vdekje e paralajmëruar”, Berisha me akuzë të fortë: Viktimat e Thumanës, vrasje shtetërore

Viktimat e Thumanes dhe disa nga te Durresit mund te ishin te gjalle!
Ato jane vrasje shteterore, pa dashje apo pa qellim dhe duhet te trajtohen te tilla.

Te dashur miq, termeti i 26 nentorit u parapri nga nje termet prej 5,6 te shkalles richter me qender ne te njejten zone dhe thellesi. Termeti i 22 shtatorit u shoqerua me demtim te shkalleve te ndryshme te 1528 objekteve, shkaterroi plotesisht 50 banesa dhe demtoi dukshem 160 pallate etj etj ne Durres, Kruje dhe Tirane.

Nder ndertesat e demtuara ne menyre serioze dhe qe ishin raportuar si te pabanueshme nga banoret e tyre ishin edhe dy pallatet qe i moren jeten 22 banorve nen rrenojat e tyre por me siguri edhe te pallateve dhe banesave ne Durres.

Ne rast se autoritetet zyrtare qe inspektuan keto pallate ne Thumane dhe Durres nuk do te nenvleftesonin demtimin ne strukture, te shkaktuar nga termeti, banoret me detyrim do te ishin zhvendosur ne vendsterhime te tjera dhe do te ishin gjalle sot. Pra ata de fakto vertet vdiqen nga termeti i 26 nentorit por kjo ishte nje vdekje e paralajmeruar per sa kohe nuk u larguan forcerisht nga pallatet e tyre te bera te pabanueshme me 22 shtator. Per rrjedhoje kemi te bejme me nje vrasje shteterore, natyrisht jo e qellimte por detyrimi i shtetit ndaj familjeve te ketyre viktimave ka rregulla te tjera dhe eshte demshperblim i plote sikunder pergjegjesia e atyre qe u treguan indiferent ne detyre ne rastin konkret eshte personale dhe direkte.

Pikerisht per te fshehur gjurmet, provat e ketij krimi shteteror Edvin Mafia emeroi Çuçin e tij, ministrin e Familjes shef te gjendjes se jashtezakonshme nje rast unik ne historine e botes qe nje minister bujqesie emerohet ne nje detyre te tille. Ky i fundit, ne misionin e tij familjar, ne nje akt te paster kriminal oret e para te dites se pare te punes shembi ne kundershtim flagrant me ligjin dy pallatet prova te gjalla te krimit shteteror ne Thumane dhe pallatin nen hetim ne Durres etj etj. Nderkohe shpresat per nje hetim te ndershem me Edvinin, krye kreu i meduzes, jane zero.

Ndaj duke denuar me ashpersine me te madhe qendrimin kriminal ndaj pasojave te termetit te 22 shtatorit 2019 dhe veprimet kriminale te zhdukjes se proave te krimit nga Edvin Mafia dhe Çuçi i tij dhe duke patur parasysh faktin se mafia veten nuk e heton kurre, bej thirrje per nje hetim te ndershem te pavarur nderkombetar te ketij krimi te shemtuar qe kushtoi dhjetra jete dhe qe rendon e do rendoje ne ndergjegjen e çdo shqitari. sb

Midis humanizmit dhe barbarisë – Çfarë fitimesh do të kenë tani disa kompani ndërtimi!!! – Nga Artan Fuga

 

Midis humanizmit dhe barbarisë

Çfarë fitimesh do të kenë tani disa kompani ndërtimi!!!

Dy gjera i pengonin.

E para: Njerëzit nuk kishin lekë për të blerë apartamentet e ndërtuara dhe e dyta nuk kishte hapësira të mjeftueshme ndërtimi.

Tani vuuuuuu!

Tërmeti e zgjidhi problemin.

Industrisë të ndërtimit i doli fati!

Lekët erdhën dhe do të vijnë nga kontributet speciale, nga buxheti, nga ndihmat, etj.

Spastrimin e ndërtesave të vjetra e bëri tërmeti.

Sa të negociohej me banorët jo ashtu jo kështu, jo dalim jo nuk dalim, jo ku do të strehohen jo ku nuk do të strehohen banorët nëse në vend të të të vjetrave bëhen ndërtesa të reja, tërmeti e zgjidhi problemin me një të rënë të dorës!!!

Faaaap! Hapi pa fund terrene.

Hajde tërrrrrmet hajde!

Tani mjafton një krisje në pallat, vuuup hidhet në erë dhe hapen vende plot për ndërtim.

Nuk doniiiiii? Mirë po kini mendjen se do t’u zejë brenda dhe ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi pastaj!

Jo mos prishja, por prishja e ndërtesave është politika e duhur! – Do të thoshte ndonjë skile e zgjuar! Edhe në Lezhë madje ku u bë debati në rrugë!!!

Fatkeqësia për disa është fatmirësi në drejtime të tjera për të tjerë!

Po mos shkaktoheshin të vrarë?!

Për disa tërmetet do të ishin bekim i Zotit për biznes!

Ndërto, prishu, përsëri ndërto përsëri! Ohoho! Mrekulli. Gjithë kanceri i industrisë është se e ngop konsumatorin dhe i prish tregun vetvetes. Me tërmetin edhe kjo u zgjidh. Konsumatori është tani gjithmonë i uritur.

A nuk i dha hov të paparë ekonomisë shkatërrimi në Europë gjatë Luftës së dytë botërore?

Shkatërrimi është krijues – thotë dikush!

Ca kohë në hotele me pesë yje banorët dhe ec përpara!

Na doli fati edhe neve të industrisë hoteliere. Nuk kishim turistë gjatë dimrit. Tërmeti na i solli. Bëjmë edhe ne pak derman.

E kthejnë fatkeqësinë në forcë! – sipas sloganit të vjetër komunist!

Shqiptari më i fortë se tërmetet!

Puna është se ne na duhet një model tjetër urban! Nuk duhet të përsërisim të njejtat gabime duke ndërtuar qendra urbane të superpopulluara. Po na vdes qyteti i bllokuar. Po na merr frymën! Po na kancerigjon! Po biem cip më cip mbi njeri tjetrin.

E eeee mirë , fol ti fol!

Ne gjetëm për 20 vjetët e ardhshëm truaje të reja për ndërtim!

Atje ku ishin zënë tashmë. Atje do të ndêrtojmë përsëri, ose pak më tutje.

Ajo që ishte kanceri i industrisë të ndërtimit dhe i pushtetit lokal, ajo që po e mbështillte lakun në fyt ekonomisë u zgjidh.

E zgjidhi tërmeti!

Ritmet e rritjes ekonomike do të shkojnë për tre ose katër vite në stratosferë, fitimet e industrisë së ndërtimit gjithashtu, pushteti lokal do të bëjë qejf me terrenet për ndërtim.

Dhe mbi të gjitha : E gjitha kjo do të vishet me një vello humanitare: Po zhdukim pasojat e tërmetit të 26 nëndorit 2018!

Po mos ishin të vrarët?!

Dyshoj se poshtë jorganeve disa ndoshta do të fërkonin duart: Rrofsh moj natyrë! Rrofsh o Zot! Rrofsh o tërmet!

Edhe ligjin e gjendjes së katastrofave, gjendje e jashtëzakonshme e mbajmë nja njëzet vjet!

Edhe zgjedhje nuk bëjmë më derisa të zhduken aty nga viti 2050 pasojat e tërmetit!

Gjendje e jashtëzakonshme! Fitime të jashtëzakonshme! Rritme të jashtëzakonshme rritjeje ekonomike!

Na ktheve shpresën !

Por drama është se nëse sot u vramë në 50 nga ne, në rast të një tërmeti tjetër, poqese vazhdojmë kështu, me këtë model urban, pa bërë korrigjimet e duhura mund të kemi kushedi sa herë më shumë viktima. Mund edhe të mos kemi, por gjithë jetën do të jetojmë me frikën se komshinjtë do të na bien mbi kokë ose ne do të biem mbi kokën e komshinjve. Frika nga një vdekje makabre do të na qendrojë gjithë ditën në nën-ndërgjegje.

Kushedi sa herë do të vritemi gjatë jetës sonë të gjatë nëse nuk vemë mend nga budallalliqet që kemi bërë ose kanë bërë mbi kokat tona.

Nuk na duhen modele urbane që na mbajnë si në gjendje lufte!

Prandaj t’i vemë gishtin kokës!

Ne qytetarët apo ekonomia e ndërtimit?

Zgjedhja është e qartë, ne jetojmë në qytetet që ndërtojnë ata, kurse ata nuk jetojnë në qytetet që ata ndërtojnë për ne!

“Heronjtë e metropolit, revista gjermane ‘Theater der Zeit’ për teatrin

Gazetari gjerman Tom Mustroph i kthehet edhe një herë temës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, këtë herë me një artikull në revistën “Theater der Zeit”.
Luftën për Teatrin që zhvillohet në Tiranë përmes qëndresës ai e ka pasuruar me shumë finesë me luftën e teatrit e me mjete teatrore në Prishtinë kundër keqbërjes së mafies së ndërtimit nëpërmjet analizës së pjesës “Pesë stinët e armikut të popullit” nga Jeton Neziraj.
Një ndërthurje që Mustroph e ka sjellë nën titullin “Helden den Großstadt – Heronjtë e metropolit”. Nga artikulli është shkëputur pjesa që ka të bëjë me qëndresën për mbrojtjen e teatrit dhe me pjesën e Jeton Nezirajt që më 6 dhjetor vjen në skenën e Teatrit Kombëtar.

ARTIKULLI
Heronjtë e metropolit.
Në Tiranë artistët mbrojnë teatrin e tyre përballë investuesve lakmitare, në Prishtinë një pjesë teatrale fajëson mafien e ndërtimit – dy aksione jo tërësisht të parrezikshme
“Monument kulture, mbrohet nga populli” qëndron e shkruar në një banderolë të madhe në hapësirën e lirë mes Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit Kombëtar nga qendër të Tiranës. Pikërisht këtu, në pikëprerjen mes këtyre dy institucioneve, policët në korrik 2019 goditen fizikisht aktorë dhe regjisorë (shih, gjithashtu, TdZ 09/2019). “Ishte absurd: Policët që paguhen nga taksat tona, sulmuan qytetarët, që donin të mbronin nga shembja një monument kulture si Teatri Kombëtar”, thotë Neritan Liçaj, pjesëtar i trupës së Teatrit Kombëtar në kryeqytetin shqiptar dhe asokohe në mes të trazirave. Liçaj bashkë me kolegët e trupës së tij zhvillon shfaqje në një skenë rezervë sepse Teatri është larguar nga ndërtesa e teatrit e ndërtuar në vitin 1939 nga një arkitekt italian. “Por Teatri im është këtu”, thotë ai dhe tregon për nga ndërtesa historike, që ai tani, bashkë me rreth pesëdhjetë aktivistë të tjerë, e ruan në një sistem me turne. Për ta është me rëndësi ruajtja e ndërtesës së vjetër të teatrit, por para së gjithash është me rëndësi qëndresa ndaj shndërrimit të plotë të bërthamës së qytetit në një parajsë tregtare dhe ndaj shitjes së pronës publike. Kulla prej 17 dhe 21 katesh janë parashikuar në planin e zhvillimit të zonës. Më shumë se 8000 m2 duhet të privatizohen.

Në shkurt 2018 nisi protesta. “Fillimisht zhvillonim një herë në javë takime para Teatrit, shpejt për shkak të mbështetjes së madhe nisi të zhvillohet në ritëm të përditshëm. Por kur në korrik 2019 policia deshi të sulmonte Teatrin, ne e morëm dhe prej atëherë e ruajmë ditë e natë”, tregon Lindita Komani, shkrimtare dhe një nga organizatorët e qëndresës. Për çdo mbrëmje artistë e qytetarë mblidhen para Teatrit. Janë sajuar mundësi për t’u ulur, është krijuar një arenë e vërtetë për debate politike. “Njerëzit flasin për probleme të përditshmërisë si papunësia, korrupsioni dhe mbi atë sesi shumë njerëz të rinj në moshë ende largohen nga vendi”, raporton Komani.
Më 28 tetor debatet u ndoqën nga monologu për teatër “Amerika”, një shfaqje e Teatrit Thalia Hamburg me regjinë e Bastian Kraft. “Duam t’i sigurojmë kolegët dhe koleget për mbështetjen dhe solidaritetin tonë”,-thotë aktori Bekim Latifi, i lindur në vitin 1994 në Durrës. Ai shpreson që të tjerë do të ndjekin shembullin e tij. “Nëse këtu ka artistë ndërkombëtare, për policinë do të jetë e vështirë që të sulmojë ndërtesën”,-mendon ai teksa sheh për nga ndërtesa e Ministrisë së Brendshme që nuk do të preket nga planet e shembjeve.

Disa ditë më vonë në Teatrin Kombëtar kosovar të Prishtinës aktori Armend Smajli sulmohet me shkumë të bardhë nga shuarësit e zjarrit. Një vdekje metaforike. Sepse Smajli luan në “Pesë stinët e armikut të popullit”, një përshtatje e “Armikut të popullit” nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj për urbanistin Rexhep Luci, i cili në vitin 2001 u vra në rrugë. Për kryeqytetin e Kosovës së pasluftës Luci kishte planifikuar parqe dhe transport lokal. Me këtë gjë, sikurse tregohet në pjesën teatrale, ai i kishte zënë rrugën mafies së ndërtimit. Në skena të përqendruara tregohet sesi një investues prototip josh sindikalistët – fjala kyçe: vende pune dhe sesi ai lidh pas vetes mediat përmes fushatave të reklamave. Urbanisti në fund është i izoluar – dhe vritet.
Me figurën e Rexhep Lucit, që ndërthuret me atë të heroit Stockmann nga drama “Armiku i Popullit” i Ibsenit, Neziraj arrin në një tjetër dimension të shkrimtarisë së tij. Përmes figurës tragjike të Lucit/Stockmann-it ai krijon çaste empatie. Arkitektura e tërësishme e kësaj përshtatjeje është më e pasur, shkon përtej humorit sardonik, që ishte tashmë shumë i theksuar edhe në pjesët mbi tendencat homofobike në shoqëri (“55 hijet e Gay”) ose për trafikun e organeve dhe korrupsionin në shëndetësi (“Hipokritet ose Pacienti anglez”).

DOKUMENTI – Agron Tufa ngre padi kundër Spartak Brahos dhe Fatos Tarifës pas ikjes nga vendi

Ish-kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa ka paditur në gjykatë deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho dhe publicistin Fatos Tarifa.

Duke marrë shkasë nga një artikull i Brahos i një dite më parë, Tufa shkruan në padi, se ai pa shpifur dhe fyer në forma të ndryshme si :”Hajdut e mashtrues i neveritshëm”, “njeri ordiner” dhe “bëmat e ndyra të këtij njeriu”, si “vjedhjet e institucionit që drejtonte”, “abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë” e “plagjiaturë në universitet”.

I akuzuari Spartak Braho është i vetëdijshëm që viktima nuk ka qenë asnjëherë i ndjekur penalisht apo i proceduar administrativisht për hajtur dhe mashtrues, madje edhe i cilësuar si njeri ordiner, por me këto fraza të përdorura, ka fyer dhe shpifur me qëllim për t’i ofruar opinionit publik se Agron Tufa, nuk është ai që ju njihni për njeri të ndershëm”.

Gjithashtu në padi thuhet se Braho ka shpifur kur akuzon zt.Tufa sikur ka vjedhur fondet publike dhe është larguar nga vendit. Në padi thuhet se nuk ka asnjë akt kontrolli administrativ që tregon për vjedhje të fondeve.

Edhe ndaj Zt. Tarifa renditen të njëjtat akuza penale bazuar mbi një artikull të tij po në të njëjtën gazetë, me titull “Iku Tufa, një mashtrues e një plagjiator më pak”.

Për sa më sipër, Agron Tufa thekson se në “kushtet e sulmeve të paprecedenta ndaj tij por kryesisht edhe ndaj familjes së tij, bashkëshortes dhe fëmijëve, më datë 3 dhjetor 2019, vendosi të largohej nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në një nga vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në midis të tjerash në padi.

Në fund të padisë, Tufa kërkon nga gjykata shumat prej 250 mijë lekësh për secilin nga personat e akuzuar.

 

KUSH E MBRON Z. AGRON TUFA DHE FAMILJEN E TIJ? Nga Frank Shkreli

Ja dhe lajmi i papritur, i çuditshëm, por edhe shqetësues.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se Agron Tufa, tani ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka kërkuar azil politik në një vend të Europës.  “Azil politik”, është ky një term që nuk e kam dëgjuar për pothuaj 30-vjet tani, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Por, kur flitet për Shiqpërinë post-komuniste, asgjë nuk është dhe nuk duhet të na çudit –madje as të kërkuarit e azilit politik në vendet perëndimore nga shtetasit shqiptar, si dikurë në kohën e komunizmit, megjithëse është një rast tepër shqetësues.  Heshtja e autoriteteve ndaj faktit se Agron Tufa largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhet të shqetësojë të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë.

Për më tepër në këtë rast nuk kemi të bejmë me një shtetas të thjesht shqiptar, jo.  Është fjala për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, i cili deri dje kryesonte Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.  Agron Tufa i tha “Zërit të Amerikës, se kërkoi azil politik në një vend të Europës, “Për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij për shkak të detyrës”

Me anë të një letre të cilën mund ta lexoni më poshtë, dërguar Kryetarit të Bordit të Institutit të lartëpërmendur, Uran Butka dhe përcjellë për dijeni edhe Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Prokurores së Përgjithshme, Z. Tufa ka paraqitur dorëheqjen e tij si Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, një detyrë kjo që ai e mbante ç’prej vitit 2010.   Që të jemi të qartë, duhet theksuar se Agron Tufa nuk ishte kryetar i ndonjë do si do organizate jo-qeveritare ose të ndonjë grumbullimi të ish-përndjekurish të regjimit komunist që politika dhe shoqëria shqiptare i injoron dhe i anashkalon, jo.  Ai ishte Drejtor i një enti shtetëror, i themeluar, i sanksionuar dhe financuar nga vet qeveria dhe shteti shqiptar, me akt të Kuvendit të Shqipërisë.  Ai dhe familja e tij janë kërcënuar në kapacitetin e detyrës që ai ka mbajtur në një detyrë shtetërore.

Të rifreskojmë kujtesën se sipas legjislacionit shqiqptar, “Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1944-1991), në të gjitha aspektet e tij”.   Sipas nenit 5, të Ligjit Nr. 10 242, datë 25.2.2010, Instituti, ndër të tjera: “Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist; analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit….”  Misioni i Institutit që drejtonte Agron Tufa ishte dhe është i qartë dhe i sanksionuar me ligj.  Sipas shumë vërejtësve, Agron Tufa e kryente detyrën e tij me përgjegjësi ndaj ligjit, me përpikëmëri morale dhe me ndershmëri akademike.   Atëherë ku qendron problemi me punën e bërë nga Z.Tufa dhe pse ai dhe familja e tij u kërcënuan me jetë nga individë të njohur ose të panjohur, disa në nivele të larta të pushtetit socialist.

Problemi është se një ndër pikat e misionit të Institutit Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është se këtij enti i kërkohet me ligj që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto të “vëjë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”, pikërisht nga personat që dikur ishin pjesë e organeve shtetërore në regjimin komunist — që mund të kenë kryer edhe krime kundër njerëzimit — e të cilët vazhdojnë edhe sot të mbajnë poste të larta në shtet dhe në qeverinë e qashtuquajtur “demokratike” të Republikës së Shqipërisë, madje edhe 30 vjet pas asaj që mendonim se ishte një “shembje” njëherë e mirë e komunizmit.

Agron Tufa thotë në letrën e dorëheqjes nga detyra e tij, se si përfundim i kërcënimeve kundër tij dhe familjes, ai sidomos këtë vit, “ishte vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ”.  Tufa shprehet se përball kërcënimeve të vazhdueshme dhe“Pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër”, është shprehur Tufa në letrën drejtuar Kryetarit të Bordit të Institutit, Z. Uran Butka.  Mjafton të përmendet fakti se media të ndryshme kanë ndjekur, për pothuaj një vit tani, debatin e ashpër publik me ish Kryetarin e Komisionit të Sigurisë, deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, për të cilin thuhet se ka patur detyra të larta edhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe që vazhdon gjithnjë të ushtrojë influencë në Partinë Socialiste, pasardhëse e Partisë Komuniste/Partisë së Punës si dhe në Kuvendin aktual të Shqipërisë, i dominuar nga kjo parti.

Unë nuk jam në dijeni të ndonjë krimi nga Agron Tufa.  Kjo duhet të jetë puna e Prokurorisë dhe e enteve të tjera të drejtësisë, ashtu siç janë, fatrkeqsisht dhe jo e ndonjë “aparatçiku” komunist.  Por ajo që dihet është se ai nuk ka asnjë mbështetje nga askush.

Pa asnjë garanci mbrojtjeje nga autoritetet shqiptare, Agron Tufa detyrohet të kërkojë azil politik në Evropë për veten dhe familjen e tij.  E kush duhet ta mbrojë, në parim, Z. Agron Tufën dhe familjen e tij përball kërcënimeve serioze për jetë?  Ku është Kryeministri?  Ku është Ministri i Mbrendshëm.  Po ku është Prokuroria?  Po opozitën, çfarë e dallon nga pozita përsa i përket kërcënimeve ndaj Z. Tufa dhe familjes së tij.   Ndanë opozita të njëjtat vlera me pozitën në lidhje me këtë rast???   Në një vend normal, këta dhe zyrtarë të tjerë të lartë në pushtet do jepnin menjëherë dorëheqjen para një rasti të tillë mosveprimi e heshtjeje.  Po ku është Kuvendi i Shqipërisë, i cili miratoi ligjin në bazë të cilit veproi Z. Tufa???  Z. President?

 Askush nuk reagon!  Shteti heshtë, qeveria heshtë opozita heshtë, mediat e mëdha heshtin, organizatat jo qeveritare heshtin.   Po Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka gjë të thotë për të drejtat e njeriut për Z. Agron Tufën?  Po mbrojtësit e fjalës së lirë në Shqipëri, ku janë, pse nuk flasin?   Po ndërkombëtarët ku janë, të cilët nuk lënë gjë pa reaguar në Shqipëri?  Ku jeni përfaqsues të Perenëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni????   Po Diaspora, sidomos ajo në Amerikë, ku është, pse nuk flet, si individ, si organizata, a po në terësi???  Ku janë akademikët shqiptarë, anë e mbanë trojeve?  Një papërgjegjësi e tmershme morale e kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!  Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror e familjes së tij – me ndonjë përjashtim të vogël, aty këtu!

 

Bravo Gentiana Sula dhe Jonila Godole!   Znj. Gentiana Sula, Shefe e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shprehu keqardhjen e saj për largimin e Agron Tufës nga atdheu për të kërkuar azil politik në Evropë përballë kërcënimeve për jetën e tij dhe të familjes sës tij, ndërkohë që shprehu shqetësimin e saj për mosveprimin e ligjeve dhe të organeve të shtetit, në këtë rast.  “Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin.  Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.”, ka shkruar Znj. Gentiana Sula në faqen e saj të internetit.   Edhe anëtarja e Bordit të të Përndjekurve Politikë, Znj. Jonila Godole ka komentuar rastin e Agron Tufës, si një zë kritik ndaj qeverisjes aktuale që u detyrua të largohej, duke shtuar se “Fatkeqsisht, Shqipëria i është rikthyer, sërish trashëgimisë të kalbur komuniste, që katandisi Shqipërinë sërish në një vend mono-partiak”.

 

Në mungesë të reagimeve të autoriteteve shqiptare dhe të organizatave jo-qveritare në Shqipëri përball kërcënimeve ndaj jetës së Agron Tufës dhe familjes së tij, reagoi Platforma Evropiane e Kujtesës dhe e Ndërgjegjës (PEMC), duke shprehur shqetësimin e kësaj organizate evropiane ndaj trajtimit të Agron Tufës:  “PEMC mësoi me shqetësim të madh për kërcënimet që i janë drejtuar Z. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.  Platforma u bën thirrje autoriteteve përkatëse të garantojnë sigurinë e tij dhe të sigurojnë punën e Institutit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në Deklaratën e Paltformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjës(PEMC).

 

Po, në mungesë të mbrojtjes nga autoritetet shqiptare dhe përball kërcënimeve të reja, madje edhe pas largimit të tij nga Shqipëria, kush do e garantojë sigurinë e Agron Tufës dhe të familjes së tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Evropë ku po kërkon azil politik?  Është shumë vështirë të shihet, nën këto rrethana, se kush do t’i dalë në mbështetje për t’i garantuar sigurinë Z. Agron Tufa dhe familjes së tij.

 

Frank Shkreli

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të skanuar të Agron Tufës drejtuar Kryetarit të Bordit të ISKK, me dijeni për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Znj. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Kush është Olsian Çela, kryeprokurori i sapovotuar

Me 101 vota pro Olsian Çela u zgjodh këtë e enjte kryeprokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke zënë kështu vendin që më parë e mbante përkohësisht Arta Marku. 

Çela ishte i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgoi Kuvendit, pasi mori më shumë pikë gjatë procesit të intervistimit. Cela beri edhe betimin sot ne Kuvend, per te nisur keshtu detyren e re.

PROFILI

Olsian Çela është konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’.

Kjo pasi ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa.

Si prokurori ai hetoi edhe mbi masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Çela e ka nisur karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar. Është njohës i 4 gjuhëve të huaja.

Olsian Çela zgjidhet Kryeprokuror i Republikës së Shqipërisë

“Kuvendi” ka zgjedhur sot Kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm, Olsian Çela, me 101 vota pro 2 kundra 10 abstenim, Çela u miratua kryeprokurori i ri.

Ai do te beje betimin ne Parlament ne fund te seances plenare. Nderkohë Çela ishte i pranishëm në lozhën e Kuvendit ku ndoqi nga afër votimin e Kuvendit.

 

Arta Marku mori 11 vota pro, 22 kunder, 78 abstenim dhe 2 nuk kane marre pjese ne votim.

 

Fatjona Memcaj mori 8 pro, 6 kundër 87 abstenim dhe 3 s’kanë marrë pjesë në votim.

Udhëheqësit e Natos: Samiti i Londrës, një sukses

Udhëheqësit e NATO-s lanë mënjanë fyerjet publike me fjalë si “kriminale”, “vdekje klinike”, apo “dyfytyrësh”, duke deklaruar të mërkurën se do të qëndrojnë të bashkuar kundër një kërcënimi të përbashkët nga Rusia dhe në përgatitje të rritjes së Kinës.

Zyrtarët këmbëngulën se samiti ishte një sukses: më e rëndësishmja, Presidenti turk Tayip Erdogan u tërhoq nga kërcënimi për të bllokuar planet e mbrojtjes së Evropës Veriore dhe Lindore, me kusht që aleatët t’i shpallin si terroristë luftëtarë kurdë në Siri.

Megjithatë, takimi filloi dhe mbaroi me tensione që mund të quhen befasi edhe në epokën e një presidenti amerikan si Donald Trump, i cili kur arriti e cilësoi si “të pasjellshëm” presidentin francez dhe u largua duke e quajtur kryeministrin kanadez “njeri me dy fytyra”, pasi ky u filmua duke e ironizuar presidentin amerikan.

“Ne ishim në gjendje t’i kapërcenim mosmarrëveshjet dhe vazhdojmë të përmbushim detyrat tona kryesore për të mbrojtur njëri-tjetrin,” tha me tone si gjithnjë optimiste Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

Në një deklaratë të përbashkët, 29 udhëheqësit e aleancës thanë: “Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne”.

Samiti gjysmë ditor në një vendpushim golfi në periferitë e Londrës me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, gjithnjë pritej të ishte i komplikuar, por zyrtarët shpresonin të shmangnin kritikat e befta si ato në takimin e tyre vitin e kaluar kur Presidenti Trump u ankua për aleatët që nuk ndanin barrën e sigurisë kolektive.

Takimi i këtij viti u bë edhe më i vështirë për shkak të presidentit Erdogan, i cili nisi një inkursion në Siri dhe bleu raketa ruse megjithë kundërshtimet e aleatëve, si dhe nga deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një intervistë muajin e kaluar e përshkroi aleancën si në “vdekje klinike”.

Në publik gjërat dukej se po shkonin më keq sesa pritej, duke filluar nga dita e martë, kur Presidenti Trump i quajti komentet e zotit Macron “shumë, shumë të pasjellshme” dhe i përshkroi aleatët që shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen si “kriminalë”, koment që sipas zyrtarëve, Presidenti Trump e përdori përsëri të mërkurën pas dyerve të mbyllura gjatë samitit.

Trump Erdogan

Ndërkaq, Presidenti i SHBA e quajti Kryeministrin kanadez Justin Trudeau si “njeri me dy fytyra” pasi ky i fundit u kap në kamera të martën mbrëma duke ironizuar një konferencë shtypi të Presidentit Trump.

Incidenti ndodhi gjatë një pritjeje në Pallatin Buckingham, pasi zoti Trump kishte kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë kur iu përgjigj gazetarëve në prag të samitit të NATO-s.

Macron, Trudeau, Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Kryeministri hollandez Mark Rutte u filmuan duke biseduar në pritje, së bashku me vajzën e mbretëreshës Elizabeth, Princeshën Anne.

“A është kjo arsyeja pse u vonove?” e pyeti Kryeministri Johnson Presidentin Macron.

“.. Ishte si një konferencë shtypi 40-minutëshe. Po, po, po! Dyzet minuta,” tha Trudeau.

Të pranishmit shkëmbyen edhe fjalë të tjera por që nuk u kapën nga mikrofoni i kamerës.

Pastaj, Trudeau shtoi me të qeshur: “Po shihja se si ekipi i tij i këshilltarëve mbeti i shtangur.”

I pyetur të mërkurën për komentet e zotit Trudeau, Presidenti Trump u përgjigj: “Ai është me dy fytyra.”

Zoti Trump la të kuptohet se Kryeministri Trudeau ishte i mërzitur pasi ishte kritikuar prej tij që nuk kishte përmbushur objektivin e shpenzimit të 2% të prodhimit kombëtar për mbrojtjen.

Në një konferencë shtypi pas samitit, Trudeau tha se fjalët e tij që “këshilltarët shtangën” kishte të bënte me njoftimin e papritur të Presidentit Trump se samiti tjetër i G7 do të zhvillohet në Camp David dhe se ai nuk e kishte thënë këtë në formë fyese.

“Kemi pasur një takim të shkëlqyer dje mes meje dhe presidentit,” deklaroi Trudeau.

Presidenti Trump vendosi të mos mbajë një konferencë përfundimtare për shtyp, duke thënë se kishte folur mjaft.

HUAWEI DHE RREZIQET E SIGURISË

Megjithë mosmarrëveshjet, zyrtarët thanë se ishin arritur vendime të rëndësishme, përfshirë një marrëveshje për të garantuar sigurinë e komunikimeve, përfshirë rrjetet e reja të telefonisë celulare G5.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që aleatët të mos përdorin pajisje të firmës kineze Huawei, prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomunikacionit në botë. “Unë mendoj se është një rrezik sigurie,” tha Presidenti Trump në përgjigje të një pyetje për Huawei-n.

“Fola me Italinë dhe duket se ata nuk do ta vazhdojnë planin për blerjet nga Huawei. Kam folur edhe me vendet e tjera, edhe ata nuk do të vazhdojnë të blejnë,” tha ai.

Ndërkaq, Presidenti Macron u qëndroi kritikave të tij të mëparshme ndaj strategjisë së NATO-s, duke thënë se është e rëndësishme që udhëheqësit t’i diskutojnë problemet të hapur nëse duan të gjejnë zgjidhje.

“Mendoj se është përgjegjësia jonë të nxjerrim në pah dallimet të cilat mund të jenë të dëmshme dhe kështu të kemi një debat të vërtetë strategjik,” tha ai.

“Kjo ka filluar, kështu që unë jam i kënaqur”, shtoi presidenti francez.

Një nga ankesat kryesore të zotit Macron është se Turqia, anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe aleate me rëndësi në Lindjen e Mesme, po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë të njëanshme, duke filluar me inkursionin e saj në Siri dhe me blerjen e raketave anti-ajrore ruse S-400.

Në komentet e tij për shtypin, shefi i NATO-s Stoltenberg tha se ndërsa Rusia ishte një kërcënim, NATO-ja gjithashtu dëshiron të sigurojë një dialog konstruktiv me të. Ai shtoi se Sistemi S-400 nuk përputhet në asnjë mënyrë me mbrojtjen e NATO-s.

Franca dhe Gjermania gjithashtu morën mbështetje për një rishikim strategjik të misionit të NATO-s. Aleanca do të krijojë një “grup personash të mençur” për të studiuar se si duhet të ripozicionuar aleanca në të ardhmen. Kjo mund të përfshijë zhvendosjen e operacioneve të saj nga Evropa Lindore drejt kërcënimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Samiti u zhvillua ndërsa Presidenti Trump përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikën e tij për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca dëgjimore ndërsa ai po merr pjesë në samit.

Donald Trump nuk është presidenti i parë i amerikan që merr pjesë në një samit të NATO-s nën renë e fajësimit. Në vitin 1974 Richard Nixon shkoi në takimin e 25-vjetorit të NATO-s në Bruksel, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po përmbyllte hetimin e saj për procesin e shkarkimit. Nixon dha dorëheqjen pak javë më vonë. zëri i amerikës

“Ne jemi unik si kurrë më parë”, Ramush Haradinaj: Të bashkuar nuk ka tërmet që në ligështon!

PRISHTINË

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në Prishtinë, ku i pranishëm është edhe kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, i cili ka udhëtuar sot drejt Prishtinës për të vlerësuar punën e FSK-së së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit theksoi faktin se kur Kosova dhe Shqipëria janë bashkë nuk ka tërmet që i ligështon shqiptarët.

Më tej, Ramush Haradinaj tha se Shqipëria dhe Kosova nuk janë më terrin e vetmisë së madhe dhe kjo sipas tij, u faktua nga ndihmat dhe solidariteti që treguan shumë vende të rajonit, por jo vetëm.

“Ne nuk jemi në dimrin e vetmisë së madhe. Na erdhën në ndihmë shumë miq, dhe kjo është një rrugë e duhur se ne jemi të rreshtuar në drejtimin e duhur. Pasi i qajtëm dhe i varrosëm njerëzit tanë, tani nis beteja e vërtetë për të gjallët. Ne jemi  unik si kurrë më parë, të majtë dhe të djathtë, të ngrihemi mbi interesat dhe të punojmë për ta. Ne kemi reaguar si shtet me të gjitha resurset që në orët e para të 26 nëntorit fatal. Vetëm kjo Kosovë na bën më të vlefshëm për Shqipërinë dhe për rajonin, SHBA, NATO. Të bashkuar  nuk ka tërmet që në ligështon. Urime për 107-vjetorin e Forcave të Shqipërisë.”-tha ai.

Meta falënderon Kosovën: Themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh prekës, teksa po merr pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal të Kosovës në këto momente dramatike për Shqipërinë, Kreu i Shtetit theksoi se tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

Gjithashtu, Meta falënderoi vendin e dytë të shqiptarëve edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme financiare, duke u shprehur se “Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre”.

Mesazhi i Metës:
Nuk ka emër dhe vlerësim më të mirë, sesa “shpëtimtarë” për të gjithë ju të FSK. Do donim t’i festonim festat e nëntorit së bashku, por ja që nuk ishte e thënë. Megjithatë, edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas, na gjeti të përbashkuar si asnjëherë tjetër në historinë tonë, të gjithë shqiptarëve, për t’u përballur me pasojat katastrofike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Në këtë betejë të vërtetë, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike e partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e çdo shqiptari. Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, policisë ushtarake, ekipit të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, etj, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri. Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta.

“Kush shpëton jetë, shpëton një botë të tërë”, ka thënë Nënë Tereza. Ju shpëtuat shumë jetë dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Kosova dha dhe kontribut financiar, duke nxitur mbështetjen e jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e palëkundur edhe në momente dramatike. Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, dhe madje i rrëzoi shumë keq disa prej tyre, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

(BalkanWeb)M