VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ndeshja Shqipëri-Skoci, ja masat e marra nga Policia e Shtetit

By | November 16, 2018
blank

Komentet

blank

Plotësohen 16 skuadrat e 1/8 finale, çiftet dhe datat e përballjeve në fazën tjetër

Tashmë janë mësuar të 16 skuadrat që kaluan në turin tjetër të Euro2020. Madje janë përcaktuar edhe 8 çiftet që do të përballen mes tyre.

FAZA E 1/8-ave

Të shtunën 26 Qershor, Londër

Itali – Austri                             21:00

Të shtunën 26 Qershor, Amsterdam

Uells – Danimarkë                          18:00

Të dielën 27 Qershor, Sevijë

Belgjikë – Portugali                       21:00

Të dielën 27 Qershor, Budapest

Holandë – Republika Çeke                   18:00

Të hënën 28 Qershor, Bukuresht

Francë – Zvicër                            21:00

Të hënën 28 Qershor, Kopenhagën

Kroaci – Spanjë                            18:00

Të martën 29 Qershor, Glasgou

Suedi – Ukrainë                            21:00

Të martën 29 Qershor, Londër

Angli – Gjermani                           18:00

blank

Sot kompletohet 1/8 e finales në Euro 2020, Portugalia, Gjermania dhe Spanja e kërkojnë kualifikimin

Sot do të kompletohet rrethi i 16 ekipeve më të mira kombëtare në Euro 2020, me kampionen në fuqi, Portugalia, dhe Gjermaninë që do ta kërkojnë kualifikimin në ndeshjet e fundit në grup.

Ndeshjet e rrethit të fundit në dy grupet e mbetura, E dhe F, do të zhvillohen sot, për t’i mbushur edhe katër vendet e mbetura në rrethin e 1/8 së finales, raporton Gazeta Express.

Suedia, e cila e ka siguruar kualifikimin, do të përballet me Poloninë, ndërsa Sllovakia me Spanjën, në ndeshjet e grupit E që nisin në orën 18:00.

Spanja do ta arrijë kualifikimin nëse fiton ndaj Sllovakisë. Por Spanja shkon edhe me barazim nëse Polonia nuk e mund Suedinë.

Sllovakia shkon tutje me një barazim, ndërsa Polonisë i duhet fitorja për ta arritur këtë.

Në Grupin F, që njihet si grupi i vdekjes, Franca e ka siguruar kualifikimin, ndërsa Portugalia, Gjermania dhe Hungaria do ta kërkojnë këtë në përballjet e fundit.

Gjermania kualifikohet tutje nëse e shmang humbjen ndaj Hungarisë.

Edhe Portugalia kualifikohet tutje nëse e shmang humbjen ndaj Francës.

Ndërsa Hungaria shkon tutje vetëm nëse e mposht Gjermaninë.

Ndeshjet e Grupit F zhvillohen në orën 21:00.

blank

Kylian Mbappe futbollisti më i shtrenjtë në EURO 2020

Futbollisti francez Kylian Mbappe me një vlerë prej 189 milionë euro është futbollisti më i shtrenjtë në mesin e futbollistëve që luajnë në Kampionatin Evropian të Futbollit “EURO 2020”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas hulumtimit të ekipit KPMG Football Benchmark, totali i 10 futbollistëve më të shtrenjtë në EURO 2020 është 1 miliard e 189 milionë euro.

Futbollisti 22-vjeçar francez Mbappe me 189 milionë euro renditet i pari ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë janë lojtarët anglezë Harry Kane (127 milionë euro) dhe Marcus Rashford (121 milionë euro).

Në listë nga Anglia gjenden 4 futbollistë, nga Belgjika 2 ndërsa nga Franca, Holanda, Gjermania dhe Portugalia nga një futbollist.

“10 futbollistët më të shtrenjtë në EURO 2020” janë si në vijim:

Futbollistët Vlerë (euro)
1 Kylian Mbappe (Francë) 189 milionë
2 Harry Kane (Angli) 127 milionë
3 Marcus Rashford (Angli) 121 milionë
4 Raheem Sterling (Angli) 115 milionë
5 Kevin de Bruyne (Belgjikë) 115 milionë
6 Bruno Fernandes (Portugali) 114 milionë
7 Jadon Sancho (Angli) 110 milionë
8 Romelu Lukaku (Belgjikë) 105 milionë
9 Frenkie de Jong (Holandë) 100 milionë
10 Joshua Kimmich (Gjermani) 93 milionë
blank

Në Lojërat Olimpike të Tokios do të lejohen deri në 10.000 tifozë lokalë

 

Tokio

Në Lojërat Olimpike të Tokios do të lejohen të marrin pjesë një numër i kufizuar i tifozëve lokalë, theksuan zyrtarët e komitetit organizues, raporton Anadolu Agency (AA). Anadolu Agency (AA).

Organizatorët vendosën kufirin prej 50 për qind të kapacitetit, 10.000 spektatorë në të gjitha ngjarjet brenda Lojërave Olimpike.

Vendimi u shpall pas bisedimeve të organizatorëve lokalë, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar, qeverisë japoneze dhe të Tokios.

Këshilltar mjekësor në këtë vend dr. Shigeru Omi, javën e kaluar, rekomandoi që mënyra më e sigurt për të mbajtur Lojërat Olimpike është pa tifozë. Ai më parë e quajti “jonormale” mbajtjen e Lojërave Olimpike gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Lojërat Olimpike janë planifikuar për më 23 korrik dhe mbërritja e tifozëve të huaj është e ndaluar.

Zyrtarët theksojnë se tifozët lokalë do të jenë nën rregulla të rrepta. Ata nuk do të lejohen të bëjnë tifo, duhet të mbajnë maska ​​dhe të shkojnë drejt në shtëpi pasi të shikojnë ndonjë garë.

Organizatorët theksojnë se midis 3,6-3,7 milionë bileta janë në duart e banorëve japonezë.

blank

Shaqiri pas paraqitjes mahnitëse kundër Turqisë: S’e dija që këmba ime e djathtë ishte kaq e mirë

Xherdan Shaqiri është shprehur i lumtur që i ndihmoi Zvicrës me dy gola të mrekullueshme ta mundë 3:1 Turqinë në një ndeshje jetike për shpresat e helvetikëve për të mbetur në Euro 2020, duke bërë shaka se nuk e dinte se kishte një këmbë të djathtë vrastare.

Sulmuesi shqiptar i shënoi dy gola dhe i krijoi dy mundësi të tjera për t’i ndihmuar Zvicrës ta arrijë fitoren e parë në këtë turne, e cila ia mban asaj gjallë shpresat për kualifikim në mesin e 16 më të mirëve, raporton Gazeta Express.

Zvicra përfundoi në vendin e tretë me pikë të barabarta me Uellsin, por kjo e fundit u kualifikuar direkt falë goldallimit më të mirë. Prandaj, Zvicra shpreson se do të jetë njëra prej katër skuadrave nga gjashtë grupe që kualifikohen nga pozita e tretë.

Pas dy paraqitjeve të zbehta në barazimin me Uellsin në ndeshjen hapëse dhe në humbjen kundër Italisë, ishte koha e fundit që Shaqiri të dilte në skenë për Zvicrën.

Ai e bëri këtë atëherë kur iu desh më së shumti zviceranëve, duke shënuar dhe krijuar për 75 minuta lojë në fushë.

Shaqiri shënoi gol spektakolar me këmbën e tij të dobët, të djathtë, nga rreth 20 metra lartësi, në minutën e 26-të, para se të realizonte për herë të dytë në këtë takim në minutën e 68-të.

blank

Duke folur pas ndeshjes Shaqiri tha për golin me të djathtën: “Sot ishte ndryshme me këmbën e djathtë, ndryshe nga ato ditët kur mendoj se këmba ime e majtë është shumë më e mirë (qesh). Nuk e kisha menduar se këmba ime e djathtë do të ishte kaq e mirë.”

“Mendoj se luajtëm të bashkuar dhe ishte jetike sot kundër këtij ekipi. Ne e dinim se nëse do të luanim mirë do të krijonim shumë mundësi shënimi kundër këtij ekipi dhe këtë e bëmë. Ne jemi të lumtur me fitoren sot. Ne kemi mundur të shënonim më shumë gola, sigurisht, por në fund të fundit, më e rëndësishme ishte ta fitonim ndeshjen dhe ne e bëmë këtë”, shtoi ai.

Ky është evropiani i dytë radhazi që ylli i Liverpoolit shënon gol, ndërsa turneu i katërt i madh që shënon gol radhazi, pas Botërorit 2014, Euro 2016 dhe Botërorit 2018.

Falë këtyre dy golave, 29-vjeçari nga Gjilani e barazoi rekordin e Hakan Yakinit si dy lojtarët me më së shumti golave të shënuara për kombëtaren e Zvicrës në historinë e Kampionatit Evropian.

Shaqiri u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes Zvicër – Turqi të dielën në Baku.

blank

blank

Euro 2020: Pas ndeshjeve të dyta në grupe – Nga Adriatik R. Dosti, Michigan, SHBA

Italia, Belgjika e Hollanda, tashmë pas fitoreve të dyta në grupe janë tre të kualifikuarat e para të sigurta dhe kanë nisur të mendojnë për kundërshtarin e radhës në 1/16 …

Turqia, Maqedonia e Veriut e Danimarka pothuajse 99% i kanë thënë që tani lamtumirë europianit, pasi janë tre ekipet që pësuan humbjen e dytë

Nga ekipet e mëdha e me emër, rrezikojnë ose me saktë nuk e kanë ende të sigurtë kualifikimin Kroacia, Anglia, Spanja, por edhe Franca, Gjermania e Portugalia, të cilat do të duhet t’i bëjnë mirë llogaritë e tyre, por edhe të të tjerëve në ndeshjet e treta në grupe, ku më së shumti, e për të qenë të sigurt duhet të fitojnë ose minimumi të barazojnë e të mos humbasin, ndryshe Good bye Euro 2020.

Në ndeshjet e dyta në grupe ranë në sy e spikatën forca e grupit tek Italia, dëshira e Uellsit për lojë e rezultat pozitiv, Belgjika që nuk bën pazar me askënd, Hollanda në rritje, Ukraina e këndshme për t’u parë, Anglia e privuar nga fitorja me një nga rivalët e vet historikë, Skocinë, vetëm në sajë të atij topi goditur në mënyre fenomenale me kokë nga Stouns, e që në vend që të ndalej në rrjetë preku shtyllën, Kroacia e plakur, e lodhur e zhgënjyese, Spanja – hija e vetvetes dhe as gjysma e asaj që ka qenë deri dje, Suedia që mund t’i  prishë punë kujtdo, rizgjimi i Gjermanisë, shpirti i  garës tek Hungaria që frenon Kampionët e Botës – Francën dhe Portugalia që këte radhë mundi veten.

blank

Ç’pritet nga ndeshjet e fundit në grupe dhe ç’mund të ndodhë? Kush mund të eliminohet e kush do t’u bashkangjitet Italisë, Hollandës e Belgjikës, e kush do t’u bëjë shoqëri post-europiane Turqisë, Maqedonisë së Veriut e Danimarkës?

Në grupin A – Zvicra mund e duhet ta mundë Turqinë, në mënyrë që të shpresojë për të qenë një nga 4 ekipet e tretë më të mirë që do të mund të kualifikohen, ndërsa ndeshja mes Italisë e Uellsit luhet më shumë për të parën e grupit e për prestigj kombëtar.

Në grupin B – Finlanda do ta ketë tepër të vështirë përballë Belgjikës ndërsa Rusia disi më ndryshe ndaj Danimarkës, tashmë të rënë moralisht, aq më shumë që edhe një barazim është mëse i mjaftueshëm për rusët për të kaluar më tej.

Në grupin C – Kryendeshja është Ukrainë-Austri dhe unë personalisht parashikoj një fitore të skuadrës së Shevçenkos, por vetëm nëse luan siç luajti në pjesën e parë kundër Maqedonisë së Veriut, aq më shumë që ukrainasve iu mjafton edhe barazimi për të qenë ata të kualifikuar. Ndeshja mes Hollandës e Maqedonisë së Veriut ma do mendja se do t’iu vlejë Tulipanëve thjesht për të bërë spektakël.

Në grupin D – Situata është disi e nderlikuar, pasi Anglisë i duhet të mos humbasë ndaj Çekisë, ndryshe nëse fiton Kroacia me Skocinë, llogaritë do të duhet të bëhen ndryshe, por një barazim mes Anglisë e Çekisë zhvleftëson fitoren e kroatëve, të cilët mund të kualifikohen pastaj vetëm nëse hyjnë tek 4 të tretët më të mirë të grupeve. Pak besoj tek ndonjë mrekulli e skocezëve.

Në grupin E – Spanja me vetëm 2 pikë rrezikon së tepërmi, aq më shumë që nuk e shoh të lehtë ndeshjen e saj të radhës kundër Sllovakisë, ndërkohë që Suedia duket disi më e qetë dhe i mjafton edhe barazimi me Poloninë për të qënë ajo e para e grupit. E megjithate, në këte grup gjithçka mund të ngjasë, sepse pyetja shtrohet: A është dakord Levandovski me shokë të ikin kaq shpejt nga europiani?

Në grupin F – Matematikisht të katër ekipet janë në lojë, madje edhe Hungaria me 1 pikë e që do perballet me Gjermaninë, ndërkohë që pritet një ndeshje zjarr mes Francës e Portugalisë. Personalisht, përfshirë edhe opsionin e të tretëve më të mirë në grupe, mendoj që Franca, Gjermania e Portugalia do të mund të kualifikohen për më tej.

blank

Cilët ekipe kualifikoj unë direkt nga grupet e për cilët ekipe mendoj se do jenë në 4-shen e të tretëve më të mirë?

Italinë e Uellsin dhe Zvicren si e treta e grupit. Belgjikën e Rusinë, Hollandën dhe Ukrainën, e ndoshta edhe Austrinë si e treta e grupit. Anglinë e Kroacinë dhe Çekinë si e treta e grupit. Suedinë dhe Spanjën, e ndoshta edhe Poloninë si e treta e grupit. Francën e Gjermaninë dhe Portugalinë, e renditur pas tyre.

Megjithatë, gjithçka mund të ngjasë, pasi parashikimet, jo vetëm të miat, që e njoh mjaft mirë futbollin dhe kam një jetë të tërë me të, por edhe të specialistëve më të mirë të botës, në jo pak raste, e veçmas në evenimente të tilla nuk kanë rezultuar plotësisht ashtu siç kanë thenë ata, sepse futbolli shpesh e përjashton logjikën, traditën e deshirën, e aq më shumë që është një lloj sporti e loje ku në historinë e tij mbi 100 vjeçare të gjitha kanë ngjarë, e aq më shumë që nuk hyn tek shkencat egzakte.

Ju kujtohet viti 1950, kur Kampion i Botës u bë Uruguaji, e Brazili shpërtheu në lot? Po viti 1954, kur Gjermania e panjohur në futbollin botëror deri atëherë, mundi Hungarinë e famshme të Pushkashit me shokë? Po Hollanda e viteve 70, që nuk mundi të fitojë dot asnjë trofe madhor europian e botëror? Po Italia e vitit 1982 që mundi Brazilin më të mirë të të gjitha kohërave? Po Çekosllovakia e Danimarka, kampione të Europës në 1976 dhe 1992 ju kujtohen? Po Greqia kampione e Europës në 2004 etj. etj.?

E pra, ndaj futbolli është kaq i bukur!

Shijojeni!

©Adriatik Riza Dosti

blank

Emocionet dhe leksionet nga “Euro 2020”

Bekim Bislimi

Kampionati Evropian i Futbollit “Euro 2020”, i cili për shkak të pandemisë së koronavirusit, është shtyrë të mbahet këtë vit, ka nisur më 11 qershor dhe tashmë ai po përcillet me mjaft interesim nga dashamirët e futbollit edhe në Kosovë.

Tribunat në stadiumet ku po luhen ndeshjet në kuadër të këtij kampionati, të cilat gjatë vitit të kaluar kanë qenë të zbrazëta për shkak të pandemisë, tashmë janë të plota me tifozë që përkrahin kombëtaret që po zhvillojnë ndeshjet në kuadër të garës së “Euro 2020”.

Qytetarët: Kampionat me emocione dhe zhvillime interesante

Disa qytetarë në Prishtinë, të cilët thonë se po i ndjekin takimet ndërmjet kombëtareve në kuadër të kampionati “Euro 2020”, vlerësojnë se kthimi i tifozëve në tribunat e stadiumeve po i shton emocionet edhe tek ata që i shikojnë takimet nga ekranet televizive.

Vanesa Nuredini, studente, thotë se kryesisht i shikon takimet që zhvillohen në orët e mbrëmjes, e sidomos të ekipeve, për të cilat ajo bën tifo.

“Po më duket shumë më emocionuese tash. Mbase për shkak se gjatë pandemisë nuk kemi pasur rastin të shohim ndeshje të tilla dhe tash po na duket më interesante. Kur i shoh tifozët nëpër stadiume, po më duket që gjithçka po shkon me rregull. Portugalia më ka pëlqyer se si ka luajtur. Por, Zvicrën e kam pasur gjithmonë ekipin më të preferuar edhe në kampionatet tjera, por edhe tash”, tha Vanesa Nuredini.

Endi Bytyqi, nxënës i shkollë së mesme, thotë që e përcjellë kampionatin “Euro 2020”, i cili, fillimisht, sipas tij, është karakterizuar me lojë agresive të kundërshtarëve në takime. Por, siç thotë ai, ky kampionat ka sjellë mjaft gjëra interesante, ndërkaq që favoriti i tij është Italia.

“Ka treguar rezultate të mira dhe kam pa diçka të re, që ka bërë lojë shumë më intensive. Më duket se e kanë pritur me shumë dëshirë mundësinë në vitin 2021, pas pandemisë, që të na japin një shfaqje shumë të mirë të futbollit. Në përgjithësi, ka qenë interesante angazhimi i të gjitha ekipeve dhe ekipeve të reja sikurse Finlanda apo Maqedonia (e Veriut), që kanë treguar lojë shumë të mirë”, tha Bytyqi.

Artan Deliu thotë që kryesisht i përcjellë ndeshjet e “Euro 2020” që zhvillohen në mbrëmje, për shkak se gjatë ditës është i zënë me punë.

“Po duket që ka shumë interesim. Unë i kam parë disa ndeshje dhe më kanë pëlqyer shumica prej tyre. Më ka pëlqyer gjithmonë Italia dhe unë kam mbetur tifoz i Italisë”, tha Deliu.

Inovacionet e kampionatit

Arbnor Morina, trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kampionatin “Euro 2020” po e karakterizojnë kombëtaret me ekipe të kompletuara dhe me një larushi të koncepteve të formacioneve të angazhuara në takimet që zhvillojnë.

Sipas tij, në bazë të takimeve të zhvilluara deri më tash në kuadër të “Euro 2020”, numri i favoritëve që janë potencialë për të arritur deri te finalja e këtij evropiani, është rritur. Sipas tij, ekipet, sikurse të Francës, Holandës, Italisë, Gjermanisë, por edhe të tjera, tashmë po tregojnë se janë të përgatitura për t’i shkuar deri në fund garës.

Madje sipas Morinës, edhe kombëtaret e disa shteteve, të cilat, siç thotë ai, “janë zvarritur deri sa kanë hyrë në kampionatin evropian”, tashmë po i tregojnë forcat e veta reale.

Morina thotë që tashmë edhe nga analizat dhe debatet televizive të ekspertëve të futbollit në Kosovë, të cilat po bëhen lidhur me takimet që zhvillohen në “Euro 2020”, po tregojnë që ky kampionat po reflekton edhe në Kosovë, në mënyrë që të përfitohen përvojat për të ardhmen e kombëtares së Kosovës, e cila nuk ka arritur të kualifikohet për “Euro 2020”.

“Unë e di që edhe trajnerët dhe përzgjedhësit janë duke i përcjellë dhe pastaj do të shohim se si do t’i zbatojnë këto inovacione të kampionatit evropian në kombëtaren e Kosovës, pra, në përfaqësuesen e saj. Mirëpo, për t’i zbatuar të gjitha ato, përveç kushteve infrastrukturore, nevojiten edhe futbollistë, të cilët do të mund t’i aplikojnë këtë përvoja në realitet. Mendoj që kemi futbollist, por duhet pak kohë, duhet durim dhe duhet të jemi real”, tha Morina.

Morina: Politikanët të mësojnë nga “Euro 2020”

Morina thekson që “Euro 2020” do të duhej të shërbente si përvojë për motivim dhe shtysë edhe të politikanëve dhe faktorëve vendimmarrës në Kosovë, për krijimin e mundësive infrastrukturore për zhvillimin e futbollit në Kosovë.

“Do të duhej të kishte një ndikim të madh edhe te njerëzit e politikës, të cilët vendosin për shumë gjëra në shtetin tonë. Po i shohim stadiumet (në ‘Euro 2020’), po i shohim terrenet me bari natyral dhe jo me sintetikë sikurse te ne. Po i shohim stadiumet se si janë, se çfarë qasjesh kanë njerëzit aty dhe shumë elemente të tjera, të cilat, nga jashtë nuk i duken askujt interesant. Por, për aktorët brenda, ato janë shumë domethënëse. Nëse e them që te ne një stadiumi i ndërrohen tribunat për katër apo pesë vjet, atëherë mendoj që dikush duhet t’ia vë gishtin kokës dhe të mendojë se a meritojnë futbollistët e Kosovës diçka më mirë dhe më shpejtë”, theksoi Morina.

Ndryshe nga kampionatet e kaluara evropiane, ku takimet garuese zhvilloheshin brenda një ose dy shteteve që organizonin kampionatin, “Euro 2020” është duke u zhvilluar në stadiumet e 12 shteteve evropiane.

Ndeshja e parë në “Euro 2020” është zhvilluar më 11 qershor, ndërmjet Turqisë dhe Italisë, në Romë. Me këtë ndeshje ka nisur edhe faza e kualifikimeve në grupe brenda këtij kampionati, e cila fazë do të përfundojë më 23 qershor. Në fazën tjetër do të kalojnë 16 kombëtare fituese, të cilat do të garojnë për çerekfinale më 2 dhe 3 korrik. Gjysmëfinalet do të luhen më 6 dhe 7 korrik, ndërkaq që takimi final i cili do ta përcaktojë fituesin e “Euro 2020” do të luhet më 11 korrik në Londër.

blank

Atletikë, Ryan Crouser vendos rekord të ri në hedhjen e gjyles

Oregon

Kampioni olimpik në hedhjen e gjyles, amerikani Ryan Crouser, vendosi një rekord të ri botëror me një rezultat prej 23,37 metrash, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Hayward Field në Oregon, u mbajtën kualifikimet e ekipit të atletikës të Shteteve të Bashkuara për Lojërat Olimpike të Tokios.

Kampioni olimpik amerikan, i cili në kualifikime hodhi gjylen në një distancë prej 23,37 metrash, theu rekordin botëror 31-vjeçar, të cilin e mbante bashkëkombësi i tij Randy Barnes.

Barnes mbante rekordin prej 23,12 metrash, të cilin e arriti në vitin 1990.

“Prej kohësh kam dashur të thyej këtë rekord. Ndihem sikur një peshë e madhe është hequr nga shpatullat e mia. Kam ëndërruar për këtë moment që kur kam filluar. Për mua është e veçantë që ia dola ta arrij këtë”, tha Crouser në një deklaratë në faqen e internetit të Federatës Botërore të Atletikës (WA).

Crouser vendosi një rekord të ri botëror të brendshëm në janar në hapjen e American Track League në Fayetteville.

Ai atëherë tejkaloi rekordin 32-vjeçar me 16 centimetra, të cilin gjithashtu e mbante Barnes, i cili kishte hedhur gjylen 22,66 metra në vitin 1989.

Crouser fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2016 në Rio de Janeiro dhe medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të Doha-s 2019.

blank

Ramos i jep fund aventurës me Real Madridin me trofe dhe fitore të paharrueshme

Gjersa bota e futbollit është përqendruar në Kampionatin Evropian EURO 2020, një lajm i papritur tronditi tifozët këtë javë kur kapiteni legjendar i Real Madridit Sergio Ramos njoftoi largimin e tij nga klubi spanjoll, shkruan Anadolu Agency (AA).

I konsideruar si një nga qendërmbrojtësit më të mirë të brezit të tij, Ramos u bë figurë e dashur për tifozët me etikën e tij të punës, personalitetin ambicioz dhe karakterin e tij të fortë. Karriera e tij e ngarkuar me trofe përfundoi në Madrid, ku ai kishte një karrierë të bujshme në klub që nga viti 2005, në një lamtumirë emocionale në të cilën ai nuk arriti t’i mbajë lotët derisa njoftonte largimin e tij.

“Do të kthehem këtu një ditë, jam i sigurt. Dua t’i them një falënderim të madh Real Madridit. Do t’ju mbaj gjithnjë në zemrën time”, tha ai.

Largimi i Ramosit ishte i papritur për tifozët pasi ai donte të qëndronte me klubin për t’i dhënë fund karrierës së tij. Megjithatë, kishte një mosmarrëveshje me ekipin në lidhje me zgjatjen e kontratës së tij dhe klubi vendosi kundër.

“Kurrë nuk kam menduar se kjo ditë do të vijë, por gjithçka ka një fillim dhe një fund”, shkroi ai në Twitter.

“Ti krijove një nga karrierat më të mëdha në historinë e klubit tonë. Për shumë vite, ishe model për tifozët tanë dhe pa dyshim, tani je një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit”, tha presidenti i klubit Florentino Peres.

Goli i parë në vitin 2005, i 100-ti më 2020

Duke bërë një transfer të madh me vlerë 27 milionë euro në Real Madrid nga Sevilla në vitin 2005, Ramos është në mesin e shënuesve më të mirë mbrojtës, duke shënuar 101 gola në 671 ndeshje.

Ramos, 35 vjeç, shënoi golin e tij të parë për Los Galacticos në një ndeshje të Ligës së Kampionëve të UEFA-s kundër skuadrës greke Olympiacos në vitin 2005.

Ndërkaq, ishte nëntori i vitit 2020 kur spanjolli shënoi të 100-tin me kokë në një ndeshje të grupeve të Ligës së Kampionëve kundër Inter Milanit të Italisë.

Ai luajti 671 ndeshje për ekipin e tij në 16 sezone dhe ngriti 22 tituj, duke përfshirë katër të Ligës së Kampionëve në vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2018.

Mbrojtësi është pesë herë kampion në La Liga, 2007, 2008, 2012, 2017 dhe 2020, ndërsa ndihmoi Realin të fitonte katër trofe të Kupës Botërore të Klubeve FIFA në vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2018.

Pjesë thelbësore e ekipit kombëtar

Ramos ishte një nga anëtarët më të vlefshëm të ekipit kombëtar, duke shënuar 23 gola në 180 paraqitje.

Kapiteni mori pjesë në turnetë e Kupës Botërore 2006, 2010, 2014 dhe 2018 dhe kampionate evropiane 2008, 2012 dhe 2016.

Ramos ndihmoi vendin e tij të fitonte tituj në kampionatet evropiane 2008 dhe 2012, krahas Kupës së Botës 2010, por ai nuk është më pjesë e skuadrës spanjolle.

Ai u përball me lëndime gjatë sezonit 2020-2021 dhe u la jashtë skuadrës për EURO 2020 nga menaxheri Luis Enrique.

blank

Futbollisti francez që u bë hungarez, edhe pse kishte fituar Kampionatin Evropian me Francën e Antoine Griezmann

Antoine Griezmann do të takohet përsëri me një fytyrë të njohur, atë të Loic Nego, futbollist francez, por tani me nënshtetësi të Hungarisë dhe lojtar i kësaj kombëtareje.

Anësori që luan te Fehervar, atëherë luante te Nantes dhe u shpall kampion Evropian për U19 në vitin 2010 me Francën, ndërsa për shokë skuadra kishte emra si Antoine Griezmman, Alexandre Lacazette, Francis Coquelin, Gael Kakuta (MVP i atij turneu) dhe Cederic Bakambu.

‘Les bleus’ mundën Spanjën që kishte emra si Marc Bartra, Thiago Alcantara, Rodrigo, Iker Muniain, Sergio Canales dhe Dani Pacheco në finale me rezultat 2-1.

“Jam i ngazëllyer, do të jem i lumtur që do të shoh përsëri disa nga kolegët e vjetër”, e ka pranuar ai.

Loic Nego pas Nantes shkoi te Roma, pastaj bëri karrierë te Standard, Ujpestit, Charlton dhe Fehervar, klube që ia mbyllën ‘derën’ e Francës.

Nga ana tjetër, Hungaria, ia hapi derë, duke i dhënë nënshtetësinë, pasi në kampionatin vendas ka 203 ndeshje dhe 31 gola.

Négo e kishte kuptuar që ai nuk do të “përfaqësonte” më ‘Gjelat’ dhe në vitin 2020 ai pranoi të “bëhej ” hungarez.

“Franca është vendi im, por Hungaria është shtëpia ime”, kishte thënë ai.

Ai shpejt fitoi zemrat e hungarezëve, kur në finalen e play-offit për Kampionatin Evropian ndaj Islandën që u mbyll 2-1, ai barazoi në minutën e 88-të.

“Unë kam shumë respekt për këtë fanellë. Shpresoj që tifozët të jenë krenarë”, kishte deklaruar ai.

blank

Derbi i zjarrtë britanik, një sfidë më shumë se shekullore, Angli-Skoci ndezin “Euro2020”

“Euro2020” sjell për tifozët sfidën më antike në nivel ndërkombëtare, Angli-Skoci, derbin më të zjarrtë në kontinentin e vjetër. Në 149 vite histori mes dy përfaqësueseve, Anglia dhe Skocia janë përballur plot 114 herë ndërmjet tyre, sigurisht “tre luanët” kanë qenë superiore me 48 fitore dhe 25 humbje. Tensionet e Brexit me dy shteteve, dhe pa diskutim historia e një përballje më shumë se shekullore e bën këtë një sfidë jo normale, për këtë është i bindur edhe Gareth Sothgate: “Kundër Skocisë nuk mund të jetë kurrë një ndeshje normale, është një përballje shumë dimesionale por ne duhet të përqendrohemi vetëm në fushën e lojës”, u shpreh Sothgate duke shtuar: “Nuk i referohem sfidës së parë, unë e kam ndjekur Skocinë gjatë kualifikueseve është një skuadër e mirë se cila di të behet e rrezikshme. Favorit në Euro2020? Është herë për ta thënë, të mbyllim llogaritë me fazën e grupeve në radhë të parë”, u shpreh trajneri i përfaqësueses Angleze.

Sothgate
Sothgate

Një sfidë po kaq e rëndësishme është edhe për Skocinë, mbi të gjitha pas humbjes së pësuar kundër Republikës Çeke: “Është një ndeshje që ka shumë rëndësi, edhe për anglezët, ata nuk duan kurrë të humbasin kundër nesh”, u shpreh Steve Clarke, trajneri i Skocisë duke shtuar: “Preferoj që lojtarët e mi të fokusohen vetëm në një detaj, kjo është një nga dy sfidat e fundit për të marrë pikët e duhura për të kaluar grupin, që do të ishte historike për ne” u shpreh Clarke. bw

blank

Humb Maqedonia e Veriut, shënon futbollisti shqiptar

Ezgjan Alioski u bë shqiptari i parë që shënon gol në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Humbja nga Ukraina ia shuan shpresat Maqedonisë së Veriut për kualifikim në fazën tjetër

Maqedonia e Veriut e ka pësuar humbjen e dytë në “Euro 2020”.

Fqinjët tanë u mposhtën nga Ukraina me rezultat 1:2, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C.

Katër futbollistë shqiptarë janë paraqitur nga minuta e parë.

Bëhet fjalë për Visar Musliun, Arijan Ademin, Ezgjan Alioskin dhe Enis Bardhin.

Kurse, Egzon Bejtullai dhe Ferhan Hasani kanë përfunduar në bankinë, shkruan Gazeta Express.

Alioski megjithatë u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në këtë Evropian.

Futbollisti i krahut të majtë fillimisht e humbi penalltinë në minutën e 57-të, por topin e kthyer e plasoi në rrjetë.

Paraprakisht, ukrainasit kishin shënuar dy herë.

Ata i kaloi në epërsi Andriy Yarmolenko në minutën e 29-të pasi e mori një top nga Alexander Karavaev.

Kurse golin e dytë për ekipin e Andriy Shevchenkos e realizoi Roman Yaremchuk në minutën e 34-t, me asistimin e Yarmolenkos.

Ukrainasit e humbën penalltinë në minutat e fundit.

Portieri Dimitrievski e priti penalltinë e Ruslan Malinovskyt në minutën e 84-t.

Maqedonisë së Veriut me këtë rast iu shuan thuajse krejt shpresat për ta kaluar fazën e grupeve pasi e pësoi humbjen e dytë, pas asaj nga Austria.

Ndeshjen e tretë, Enis Bardhi me shokë do ta zhvillojnë me Holandën.

Kurse Ukraina mbetet në lojë për kualifikim pas kësaj fitoreje, e cila vjen pas humbjes nga Holanda.


Send this to a friend