VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ndahet nga jeta ligjvënësi veteran Elijah Cummings

By | October 17, 2019

Komentet

Bloomberg kualifikohet për debatin e demokratëve

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg është kualifikuar për debatin e ardhshëm presidencial të demokratëve, hera e parë që ai do të marrë pjesë në garat e tyre për t’u përballur me Presidentin Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Një sondazh i ri i NPR / PBS NewsHour / Marist, i publikuar të martën, e nxjerr zotin Bloomberg të dytin me 19% mbështetje, pas senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili kryeson me 31%.

Paraqitja e mirë e Bloombergut e ndihmoi atë të arrinte mbështetjen mesatare prej 10% në të paktën katër sondazhe kombëtare, që është kusht i partisë demokrate për të marrë pjesë në debatin e së mërkurës në shtetin Nevada.

Megjithatë zoti Bloomberg i ka fokusuar përpjekjet në 14 shtetet që do të zhvillojnë zgjedhje paraprake më 3 mars.

Ish-nënpresidenti Joe Biden ishte i treti në sondazh me 15% mbështetje, i pasuar nga senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren me 12%, ajo nga Minesota Amy Klobuchar me 9% dhe ish-kryebashkiaku i South Bendit, Pete Buttigieg me 8%.

Ndërsa Bloomberg është ngritur në sondazhe pas hyrjes në garë me vonesë, ai është bërë objekt i goditjeve të ashpra nga rivalët e tij demokratë, si dhe Presidenti Trump, i cili e talli atë javën e kaluar duke e quajtur një “masë të energjisë së vdekur”, dhe “Mini Mike (Majku i vogël)” për shtatin e tij të shkurtër.

Nga ana tjetër, Bloomberg e quajti Presidentin Trump “një klloun,” duke shtuar: “Në anët tona, ne e masim gjatësinë nga qafa e lart”.

Kundërshtarët demokratë e kanë akuzuar zotin Bloomberg, i cili thuhet se ka një pasuri prej 62 miliardë dollarë, se është përpjekur të blejë emërimin e partisë. Bloomberg raportohet se ka harxhuar gati 400 milionë dollarë nga paratë e tij për reklama fushate, dhe ka punësuar qindra punonjës fushate përpara votimit të 3 marsit, që njihet si Super e Marta, kur ai do të jetë në votim.

Bloomberg e bëri pasurinë kur ishte themelues i kompanisë së informacionit të biznesit që mban emrin e tij dhe gjithashtu faqen e internetit Bloomberg News.

Sanders, një demokrat i vetë-shpallur socialist, ka sulmuar gjithnjë e më shumë zotin Bloomberg, i cili ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut nga viti 2002 deri në vitin 2013.

“Kryebashkiaku Bloomberg, me të gjitha paratë e tij, nuk do të krijojë llojin e entuziazmit dhe energjisë që na duhet dhe në pjesëmarrjen e votuesve që duhet të kemi për të mposhtur (Presidenit) Donald Trump”, tha Sanders në një tubim.

Sanders sulmoi politikën “raciste” të Bloombergut për arrestimet pas “ndalimeve dhe kontrolleve” të njerëzve në lagjet me krime të larta në lagjet e Nju Jorkut kur ishte kryetar bashkie, një politikë për të cilën Bloomberg ka kërkuar falje.

Një video regjistrim i vitit 2015 u publikua javën e kaluar, ku Bloomberg thoshte se mënyra më e mirë për të zvogëluar dhunën me armë tek të rinjtë e pakicave ishte t’i “hidhnin ata përpara një muri dhe t’i kontrollonin”.

Bloomberg e pranoi gjatë fundjavës, “Kohën e fundit kam marrë shumë kritika për poltikën “ndalo dhe kontrollo”, por unë e mbrojta atë shumë gjatë sepse nuk e kam kuptuar plotësisht dhimbjen që shkaktoi padashje tek familjet e të rinjve afrikano-amerikanë dhe ata të pakicave të tjera. Duhet të kisha vepruar më shpejt, dhe ta kisha ndaluar atë. Por nuk e bëra, dhe kërkova falje për këtë”.

Biden, në emisionin Meet Press të kanalit NBC të dielën, tha: “Gjashtëdhjetë miliardë dollarë mund t’ju blejnë shumë reklama, por nuk mund të fshijnë historinë e vendimeve tuaja.”

Në të njëjtin emision, Klobuchar tha: “Ai thjesht nuk mund të fshihet pas reklamave televizive. Unë nuk mund ta mposht atë në reklama, por mund ta mposhtë në debat, dhe mendoj se njerëzit e Amerikës e meritojnë këtë për të vendosur (se cilin kandidat do të votojnë).”

Bloomberg gjithashtu ka nxitur një kontroll më të hollësishëm të historisë së tij nga media kryesore amerikane. Gjatë fundjavës, gazeta The Washington Post publikoi një histori të gjatë për komentet seksiste të Bloombergut, që kishin në shënjestër gratë që punonin në kompaninë e tij të shërbimeve financiare.

Këshilltarja Presidentit Trump Kellyanne Conway i tha emisionit Fox News Sunday se, “Mënyra se si Michael Bloomberg trajtonte punonjësit, punonjëset, të cilat ishin nën udhëheqjen e tij, të cilat po mbështeteshin tek ai për jetesën e tyre, për përfitimet e tyre shëndetësore, për pensionet e tyre, ishte bazuar në një lloj kulture me vend pune të pasigurt, ku ndiheni sikur po ngacmoheni për shkak të gjinisë suaj. Kjo është problematike. Unë mendoj se do të dëgjoni më shumë për këtë”.

Fushata zotit Bloomberg mohoi disa nga citimet që i atribuohen në rrëfimin e gazetës, ndërsa kandidati ofroi një koment më të përgjithshëm për qëndrimin e tij ndaj grave profesionale në vendin e punës.

“Unë jam mbështetur tek udhëheqja e tyre, këshillat e tyre dhe kontributet e tyre,” shkroi ai në Twitter. “Siç e kam demonstruar gjatë gjithë karrierës time, unë gjithmonë do të jem kampion për gratë në vendin e punës”.

Sa për sulmet e papritura, fushata e zotit Bloomberg ishte e zhgënjyer.

“Nuk është për t’u habitur që ndërsa Mike vazhdon të rrisë mbështetjen në sondazhe, kandidatët e tjerë, përfshirë (Presidentin) Donald Trump, fillojnë të nervozohen”, tha ai./ zëri i amerikës

Miliarderi Bloomberg intensifikon fushatën presidenciale

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, miliarderi Michael Bloomberg ishte i fundit mes kandidatëve demokratë që hyri në garën presidenciale dhe i vetmi kandidat që ende nuk ka marrë pjesë në debatet e demokratëve. Amerikanët mësojnë për axhendën dhe platformën e tij nga reklamat politike që ai vetë i financon. Kohët e fundit, zoti Bloomberg hapi një zyrë të re në Harlem, zyra e parë e fushatës së tij në shtetin e Nju Jorkut.

Në Rrugën 125 të Harlemit, në qytetin e Nju Jorkut ndodhet zyra e re e fushatës së kandidati presidencial Mike Bloomberg.

Zyra ende nuk është përfunduar nga brenda, por hapja zyrtare e saj është bërë.

“Unë jetoj këtu afër, shoh se ai po vendoset në Harlem, që është gjë e mirë, ai është i angazhuar me komunitetin. Kam qenë aktiv në fushatën e kandidates Kamala Harris, për fat të keq, ajo u tërhoq nga gara sepse nuk u angazhua sa duhet. Të shohim se çfarë do të ndodhë!”, thotë një banor i Harlemit.

Për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për President, Bloomberg do të ketë nevojë për mbështetjen e votuesve afrikano-amerikanë, të cilët janë një grup i konsiderueshëm në zgjedhjet paraprake të demokratëve.

Politika e ndalimit dhe kontrollimit e zbatuar nga administrata e zotit Bloomberg, kur ai ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, një ligj që lejonte policinë të ndalonte dhe të kontrollonte njerëzit për armë dhe kontrabandë, vuri në shënjestër anëtarët e komuniteteve pakicë.

Mënyra se si ky ligj u zbatua u shpall antikushtetuese nga Gjykata Federale e Nju Jorkut.

Pas hyrjes në garën presidenciale, Bloomberg kërkoi falje për veprimet e tij të së kaluarës. Qëllimi i tij më i madh tani, thotë ai, është të frenojë Presidentin Donald Trump.

“Përparësia ime e parë është të heq nga pushteti Donald Trumpin. Po shpenzoj të gjitha paratë e mia për të hequr Trumpin. Doni që unë të shpenzoj më shumë, apo më pak?”

Bloomberg tashmë ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për reklama televizive dhe është gati të shpenzojë deri në një miliard dollarë të parave të tij në garën për president.

Mesatarisht, ai shpenzon rreth 3 milionë në ditë për fushatën.

Megjithatë, shumë njerëz e shohin strategjinë e Bloomberg-ut si një dëshirë për të “blerë demokracinë”.

“Ne nuk kemi nevojë për para. Ne kemi nevojë për një udhëheqës! Dikush që do të na çojë në një vend të mirë. Bloombergu mendon se më shumë para mund ta sjellin atë në këtë pozitë”, thotë një banore e Nju Jorkut.

Por këshilltari politik Hank Sheinkopf thotë se pozicioni centrist i Bloombergut mund të funksionojë.

“Mike Bloomberg nuk merr vendime pa bërë kalkulime, ai ka mbaruar studimet për inxhinieri. Ai ka një ide për çdo gjë që bën. Nëse nuk fiton dot, ai me siguri do të jetë në gjendje të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve në vjeshtë.”

Pavarësisht se nuk ka marrë pjesë në debatet e demokratëve, Bloomberg po fiton terren. Sipas sondazheve, tani ai është kandidati i pestë më i njohur i demokratëve pas konkurrentëve Joe Biden, Bernie Sanders, Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg.

Bloomberg ka marrë një mbështetje të madhe nga Judge Judy, një personazh i famshëm amerikan, e cila drejton një emision televiziv popullor që merret me zgjidhjen e çështje të vogla juridike. zëri i amerikës

Presidenti Trump dhe vija që ndan politikën nga zbatimi i ligjit

Michael Brown

Në SHBA, William Barr, kreu i Departamentit të Drejtësisë (ose Prokurori i Përgjithshëm, siç njihet këtu), tha të enjten se tweet-et e Presidentit Trump në lidhje me departamentin që ai drejton dhe çështjet që shqyrton “ma bëjnë të pamundur të kryej punën time”, siç u shpreh ai. Komentet vijnë në një kohë që Departamenti i Drejtësisë është përfshirë në polemika mbi afatin e burgimit që duhet t’i jepet njërit prej miqve të zotit Trump, të cilin gjykata e ka shpallur fajtor.

Deklarata bombë vjen nga njëri prej anëtarëve më të besuar të kabinetit të presidentit Trump.

Ajo bëhet pak ditë pasi Departamenti i Drejtësisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, rrëzoi prokurorët e vet dhe rekomandoi një dënim më të lehtë me burg për një mik të hershëm të zotit Trump.

Roger Stone u shpall fajtor se kishte gënjyer Kongresin, se kishte manipuluar dëshmitarët dhe kishte penguar drejtësisnë gjatë hetimit për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Prokurorët kërkojnë një dënim të gjatë me burg për Roger Stone-in. Presidenti Trump e kundërshtoi rekomandimin e tyre dhe u shpreh në Twitter se kjo ishte “diçka e tmerrshme dhe shumë e padrejtë”.

Por, në një deklaratë të pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm Barr tha në një intervistë për rrjetin ABC News se ka ardhur koha që Presidenti Trump të mos bëjë më tweet-e për çështjet penale të Departamentit të Drejtësisë.

“Të bësh deklarata publike dhe tweet-e për departamentin, për njerëzit në departament, për çështje që janë në pritje në departament dhe për gjyqtarët të cilëve u kemi paraqitur çështje për gjykim, kjo ma bën të pamundur të kryej punën time, e bën të pamundur të garantojmë gjykatat, prokurorët dhe departamentin se ne po e kryejmë punën tonë me integritet,” tha zoti Barr.

Megjithatë, Presidenti Trump u duk se e mbështeti prokurorin e përgjithshëm. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha në një deklaratë se presidenti nuk u shqetësua nga komentet.

Rekomandimi që dhanë prokurorët për dënimin e mikut të vjetër të Presidentit u rrëzua nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe kjo ka ngritur pikëpyetje për një presion politik të padrejtë të Shtëpisë Bardhë.

Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha se vendimi për të rrëzuar atë që ai e quajti një rekomandim “ekstrem dhe të tepërt” u mor para se Presidenti Trump të komentonte në Twitter të martën në mëngjes.

Katër prokurorët dhanë dorëheqjen nga çështja Stone në shenjë proteste. Vëzhguesit thonë se shqetësimi kryesor është se mos po errësohet vija që ndan politikën nga zbatimi i drejtësisë.

“Ekziston një traditë e vjetër që prokurorët janë të pavarur nga autoritetet politike. Kjo bën që ata të jenë në gjendje të japin gjykime profesionale dhe të informuara, pa ndonjë ndërhyrje politike,” thotë Darrell West, i Institutit Brookings.

Vendimi përfundimtar për dënimin e Roger Stone-it do të merret nga një gjykatës federal dhe mund të shpallet qysh javën e ardhshme.

Ky është një tjetër episod polemikash për Prokurorin e Përgjithshëm William Barr, i cili vitin e kaluar e shfajësoi Presidentin Trump për pengim të drejtësisë lidhur me hetimin për Rusinë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi shprehu pakënaqësi.

“Prokurori i Përgjithshëm e ka ulur veten në nivele të tilla,” tha ajo.

Zoti Barr do të përballet me ligjvënësit kur të dëshmojë në një komision të Kongresi në fund të marsit.

Trumpi sulmon ish shefin e stafit John Kelly

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi të enjten ish-shefin e tij të stafit, John Kelly, pasi ky i fundit mbrojti ndihmësin e shkarkuar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Alexander Vindman, i cili dëshmoi kundër presidentit disa javë më parë.

John Kelly, gjeneral në pension, i cili shërbeu si shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë për 17 muaj, deri në fillim të vitit të kaluar, mbështeti nënkolonelin Vindman gjatë një fjalimi në një universitet të Nju Xhersit, ku shprehu kundërshtime edhe për disa politika dhe veprime të Presidentit Trump.

“Kur e hoqa John Kelly-n, gjë që mezi prisja ta bëja, ai e dinte fare mirë se e kishte mbushur kupën,” shkruante zoti Trump në Twitter të enjten.

“Puna si shef i stafit nuk ishte për të,” shkruante presidenti Trump. “Ai hyri me bujë, por doli me heshtje, por si shumë ish zyrtarë të tjerë, ai nuk e kupton situatën dhe nuk e mban dot gojën mbyllur, gjë që në fakt e ka detyrim ushtarak dhe ligjor ta bëjë. Gruaja e tij e fantastike, Karen, për të cilën kam shumë respekt, në një rast më tërhoqi mënjanë dhe më tha me insistim se ‘John-i ju respekton shumë. Kur nuk do të jemi më këtu, ai do të flasë vetëm mirë për ju’. Por nuk ndodhi kështu!”

Në komentet e së mërkurës mbrëma, John Kelly tha se nënkoloneli Vindman, si oficer ushtarak, “bëri pikërisht atë që ne i mësojmë ata të bëjnë nga djepi në varr. Ai shkoi dhe i tha shefit të tij atë që sapo kishte dëgjuar.”

Vitin e kaluar, Vindman u shprehu shqetësim eprorëve kur mësoi se Presidenti Trump i kërkoi Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy “një favor”, të niste hetime ndaj njërit prej rivalëve kryesorë të zotit Trump në fushatën prtesidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden që punonte për një kompani gazi ukrainase.

Më pas, nënkoloneli Vindman në fund të vitit të kaluar u bë ndër dëshmitarët kryesorë kundër Presidentit Trump pasi demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve ngritën akuza ndaj presidentit, me synimin për ta shkarkuar atë.

“Ne i mësojmë ata: Mos zbatoni një urdhër të paligjshëm,” tha Kelly duke iu referruar nënkolonelit Vindman.

Vindman, së bashku me vëllain e tij binjak, Eugene Vindman, një tjetër nënkolonel që punonte në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, u shoqëruan nga Shtëpia e Bardhë të premten e kaluar dhe u kthyen në postet e tyre të mëparshme në Departamentin e Mbrojtjes. Kritikët kanë akuzuar Presidentin Trump se u tregua hakmarrës për heqjen e nënkolonelit Alexander Vindman, por presidenti e quajti atë “tepër të pabindur”.

Në fjalimin e së mërkurën, zoti Kelly tha se kishte pasur një numër mosmarrëveshjesh me Trump.

Ai mori në mbrojtje median, një objektiv i shpeshtë i zemërimit të zotit Trump; vuri në pikëpyetje vlerën e dy samiteve të presidentit me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, dhe kritikoi vendimin e Presidentit për të falur një komando të marinsave, i dënuar për krime lufte. zëri i amerikës

Senati kufizon kompetencat e Presidentit për luftë kundër Iranit

Senati miratoi të enjten një masë legjislative dypartiake e cila kufizon kompetencat e Presidentit Donald Trump për të zhvilluar luftë kundër Iranit.

Sipas masës legjislative, të hartuar nga senatori demokrat Tim Kaine, Presidenti duhet të marrë miratimin e Kongresit, përpara se të angazhohet në veprime të mëtejshme ushtarake kundër Iranit. Tetë republikanë iu bashkuan demokratëve për të miratuar rezolutën e cila mori 55 vota pro dhe 45 kundër.

Duke iu përgjigjur argumentimit të disa prej mbështetësve të zotit Trump dhe vetë presidentit se masa do t’i dërgonte një sinjal dobësie Iranit dhe kundërshtarëve të tjerë të mundshëm, zoti Kaine tha se “e kundërta është e vërtetë”.

Kur ne jemi të vendosur për sundimin e ligjit në një botë që ka uri për këtë gjë, ky vendim është thelbësor. Ne kemi rregulla që duhet të ndjekim në mënyrë që të marrim një vendim të mirë dhe ky është një mesazh force”, tha zoti Kaine.

Senatori republikan Mike Lee ra dakord me komentet e zotit Kaine.

Presidenti Trump e ka kundërshtuar masën legjislative, duke argumentuar në dy postime në twitter të mërkurën se “një votim kundër propozimit të Tim Kaine ishte i rëndësishëm për sigurinë kombëtare”.

Masa legjislative pason vendimin e presidentit për të sulmuar e vrarë një komandant të lartë ushtarak iranian, që rriti shqetësimet për një konflikt në rajon nisur nga kundërpërgjigjja e Teheranit, me një sulm me raketa ndaj bazave amerikane në Irak.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” Presidenti Trump ka bërë të ditur se do të vendosë veton ndaj projekligjit të miratuar në Senat.

Kandidati miliarder Bloomberg dhe shanset e tij

Në SHBA, rezultatet e dy garave të para mes kandidatëve për president brenda Partisë Demokrate e kanë fragmentarizuar krahun e moderuar të partisë dhe nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë.

Disa analistë e shohin këtë si një mundësi për fushatën e ish-kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Mike Bloomberg, e cila tani për tani është zhvilluar kryesisht në media.

Brian Padden i Zërit të Amerikës na njeh me strategjinë jokonvencionale të miliarderit Bloomberg për të mos marrë pjesë në garat e para mes kandidatëve, por të shfrytëzojë të metat e tyre, që sipas demokratëve ua bëjnë të pamundur të mposhtin Presidentin Donald Trump në nëntor.

Autobusi i fushatës Michael Bloomberg ishte këto ditë në Richmond të Virxhinias, duke tërhequr një grup mbështetësish të zjarrtë, të cilët besojnë se biznesmeni miliarder dhe ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut është i vetmi kandidat demokrat që mund të mposhtë Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Ai mund ta bëjë këtë. Të tjerët do të skualifikojnë veten e tyre. Është e tmerrshme. Trumpi do të na mundë fare lehtë nëse nuk kemi Bloombergun”, thotë Craig Hedley, votuesi i Partisë Demokrate.

Zoti Bloomberg nuk mori pjesë në garat e para në dy shtete mes demokratëve.

Në këto dy gara, senatori progresist i Vermontit Bernie Sanders ishte fituesi i votës popullore. Por axhenda e tij për ta bërë falas arsimin në universitete dhe kujdesin shëndetësor është parë nga shumë të moderuar si diçka polarizuese dhe ekstreme.

“Unë nuk mendoj se Sanders mund të ndërtojë një koalicion dhe ta mposhtë Trumpin. Neve na dihet dikush që mund të fitojë, një i moderuar”, thotë Deborah Hedley, votuese demokrate.

Pretendentët e moderuar – ish-kryebashkiaku i South Bendit në Indiana, Pete Buttigieg dhe senatorja e Minesotës Amy Klobuchar – janë paraqitur mirë, por mund ta kenë të vështirë tani që garat zhvendosen në shtete me më shumë votues të pakicave. Ndërkohë, ish nënpresidenti Joe Biden është paraqitur keq në dy garat e para.

Zoti Bloomberg, i cili po hyn në garë me vonesë, po e paraqet veten si një forcë bashkuese. Më parë ai ka qenë republikan.

Michael Bloomberg

Michael Bloomberg

“Unë garoj për ta bashkuar përsëri vendin, për të risjellë fjalën ‘të Bashkuara’ në emrin e vendit tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thotë zoti Bloomberg.

Ish kryebashkiaku ka fituar mbështetjen e disa drejtuesve partiakë, si kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser. Ai gjithashtu ka dhuruar miliona dollarë për kandidatët demokratë dhe organizatat që luftojnë kundër ndryshimit të klimës dhe dhunës me armë.

Calandrian Simpson Kemp humbi të birin për shkak të dhunës me armë:

“Askush nuk kujdeset për fëmijët tanë, por mund t’ju përmend dikë që e bën. Emri i tij është Mike Bloomberg. Ai kujdeset.”

Por zoti Bloomberg është kritikuar për taktikën policore që zbatohej në kohën kur ishte kryebashkiak, me të cilën policia ndalonte njerëzit edhe kur nuk kishte dyshime serioze. Më vonë ai kërkoi falje për këtë taktikë që synonte pakicat.

“Tani e shoh që ne mund dhe duhet të kishim vepruar më shpejt për ta ndalur këtë taktikë. Më vjen keq që nuk e bëmë,” tha ai në fund të vitit të kaluar.

Fakti që zoti Bloomberg po e financon me paratë e tij fushatën ka ngjallur kritika nga ana e kandidatit Sanders dhe të tjerë, që thonë se ai po përpiqet të blejë zgjedhjet.

E gjithë kjo do të vihet në provë kur zoti Bloomberg të garojë në votimet e Super të Martës në muajin mars, kur gara të shtrihet në 14 shtete me elektorate të mëdha dhe të larmishme.

Senati çon përpara rezolutën që kufizon veprimet e Trumpit kundër Iranit

Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Senati i kontrolluar nga republikanët ka çuar përpara një masë që synon të kufizojë aftësinë e presidentit amerikan, Donald Trump për marrjen e veprimeve ushtarake kundër Iranit.

Tetë republikanë kanë mbështetur demokratët në votimin fillestar të këtij dokumenti.

Rezoluta jodetyruese i kërkon Trumpit që të largojë trupat amerikane, të përfshira në armiqësi kundër Iranit, përveç nëse Kongresi shpall luftë apo miraton autorizim specifik për përdorim të forcës ushtarake.

Trump dhe mbështetësit e tij kanë thënë se kjo masë do të dërgojë sinjal të gabuar te Irani dhe armiqtë tjerë potencialë.

“Është shumë e rëndësishme për sigurinë e shtetit që Senati i Shteteve të Bashkuara të mos votojë për Rezolutën për Fuqitë e Luftës ndaj Iranit. Ne jemi duke kaluar mirë me Iranin dhe kjo nuk është koha për të treguar dobësi”, ka thënë presidenti Trump përmes një postim në Twitter.

Megjithatë, senatori demokrat, Tim Kaine, që ka udhëhequr procedurat e kësaj rezolute, u ka thënë gazetarëve: Ne nuk dërgojmë sinjal të dobësisë kur ngrihemi për sundim të ligjit”.

Dhoma e Përfaqësuesve, e drejtuar nga demokratët, ka miratuar një rezolutë të ngjashme muajin e kaluar, pasi demokratët dhe disa republikanë janë zemëruar pas dështimit të Trumpit për t’i informuar ata rreth strategjisë për Iranin.

Ky veprim ka ardhur pas Trump ka udhëruar sulm me dron për të vrarë gjeneralin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani.

Trump nuk kishte informuar Kongresin për këtë vendim.

Në përgjigje të vrasjes së Soleimanit, Teherani ka nisur sulme me raketa në Irak, në dy baza ku strehohen ushtarë amerikanë.

Sipas kushtetuës amerikane, Kongresi ka fuqi për të shpallur luftë, dhe jo presidenti. rel

Joe Biden humb garën në Nju Hempshër, Sanders kryeson

Senatori amerikan, Bernie Sanders, ka shpallur fitoren në Nju Hempshër pas mposhtjes së Pete Buttigieg, ish-kryebashkiakut të South Bend në Indiana, me një diferencë të vogël në zgjedhjet e Partisë Demokratike për kandidatin në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

Sanders e shpalli rezultatin si “fillimin e fundit” për presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Gara tani zhvillohet në Nevada më 22 shkurt.

Pas senatorit të Vermontit u rradhitën Buttigieg dhe senatorja e Minesotas, Amy Klobuchar, e cila doli si një pretendente e befasishme duke zënë vendin e tretë.

Senatorja, Elizabeth Warren dhe Joe Biden, të cilët konsideroheshin kandidatët kryesorë, përfunduan në vendet e katërt dhe të pestë.

Sipërmarrësi i teknologjisë, Andrew Yang dhe senatori i Kolorados Michael Bennet të dy u larguan nga gara.

Cilat ishin rezultatet në Nju Hempshër?

Rreth 280.000 votues demokratë votuan të martën, duke i siguruar fitore prej 26% senatorit Sanders.

Me 95% të votave të numëruara, Sanders, 78 vjeç, doli para kandidatit Buttigieg, me vetëm 1.6%, ose rreth 4,300 vota.

Sanders premtoi se do të ndërtojë një “lëvizje politike shumë-gjeneruese, shumë-racore” për të mposhtur republikanët.

Rezultati në Nju Hempshër do t’i sigurojë Sandersit nëntë nga 24 delegatët që do të përfaqësojnë këtë shtet në Konventën Kombëtare të Demokratëve që mbahet në muajin korrik, ku partia nominon kandidatin për president të SHBA-së.

Edhe pse ai kishte më pak vota, Buttigieg gjithashtu do të sigurojë nëntë delegatë.

Duke falënderuar përkrahësit, ai u zotua se nuk do t’i nënshtrohej “vizionit të polarizuar” të politikës.

Çfarë kishte ndodhur javën e kaluar në votimet e para të demokratëve?

Rezultatet e një votimi të demokratëve në Ajoa, gjatë javës së kaluar, u vonuan për shkak të problemeve teknike.

Për dallim nga Ajoa, votimet në Nju Hampshirë tradicionalisht konsiderohen si parësore pasi votat numërohen nga shteti, jo partia.

Të dy shtetet janë kryesisht rurale dhe të bardha, dhe jo përfaqësuese të elektoratit më të madh të demokratëve.

Mbetet pikëpyetje nëse votuesit që kanë dalë nga Ajoa dhe Nju Hempshër mund të tërheqin një koalicion më të gjerë të votuesve që përfshin edhe votuesit me ngjyrë.

A është fundi i garës për Biden?

Për muaj të tërë pasi ai i hyri garës në prill të vitit 2019, Joe Biden u pa si pararendës, duke marrë 41% në anketimet në shkallë vendi.

Ish-nënpresidenti i SHBA-së, 77 vjeç, zuri vendin e katërt në Ajoa, dhe mbështetja e tij ka rënë në 20% në shkallë vendi, duke e rradhitur atë për herë të parë pas senatorit Sanders.

Ende pa u mbyllur vendvotimet Biden u nis nga Nju Hempshër drejt Karolinës së Jugut.

Mbështetja për Biden është më e fortë në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, të cilët përbëjnë rreth dy të tretat e elektoratit kryesor demokrat të shtetit jugor.

Sidoqoftë, një sondazh i Quinnipiac tregoi se mbështetja ra pas rezultateve në Ajoa, nga 52% në 27% – megjithëkëtë,Biden është ende demokrati më i popullarizuar për votuesit me ngjyrë.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor dhe nga Partia Republikane, presidenti aktual, Donald Trump, do të garojë edhe për një mandat.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Presidenti Trump dhe kandidati demokrat Bloomberg shkëmbejnë kritika

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe kandidati për president Michael Bloomberg akuzuan njëri-tjetrin për racizëm, gjë që ka çuar në shkallëzimin e luftës së fjalëve mes dy biznesmenëve të pasur.

Presidenti Trump e nisi i pari, duke postuar në Twitter një klip audio të vitit 2015, ku dëgjohet zoti Bloomberg duke mbrojtur përdorimin e një taktike të caktuar të policisë në kohën kur ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut mes viteve 2002 dhe 2013.

Taktika e njohur si “stop and frisk” ka të bëjë me ndalimin e një të dyshuari pa patur ndonjë arsye të fortë.

“UOU, BLOOMBERG është një racist kokë e këmbë!” shkroi Presidenti Trump në Twitter, koment që më pas e fshiu.

Edhe presidenti Trump në të kaluarën e ka mbështetur një taktikë të tillë.

Zoti Bloomberg, i cili po kandidon për të marrë emërimin e Partisë Demokrate për të sfiduar republikanin Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, kërkoi ndjesë për përdorimin e kësaj teknike policore nëntorin e kaluar, pak ditë para se të shpallte kandidaturën.

Në një deklaratë të martën, zoti Bloomberg citoi atë që e quajti angazhim tij për reformën në drejtësinë penale dhe barazinë racore, duke shtuar: “Presidenti Trump trashëgoi një vend që ishte duke marshuar drejt një barazie më të madhe dhe na ndau me apelimet e tij raciste dhe retorikën e urrejtjes”.

Të dy personalitetet janë miliarderë. Donald Trump u pasurua me biznesin e pasurive të palujtëshme ndërsa Michael Bloomberg i fitoi miliardat duke shitur informacion financiar.

Zoti Bloomberg nuk po garon në katër garat e para mes demokratëve por po bën një fushatë të kushtueshme në të gjithë vendin përpara garave brenda partisë në muajin mars. Ai është ngritur në anketat e opinionit publik ndërkohë që po shpenzon qindra miliona dollarë për reklama televizive./zëri i amerikës

Custin: Ambasadori Grenell kurrë nuk ka thënë se do anulohen investimet në Kosovë

Dick Custin, zëdhënës i të dërguarit të posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i tha të martën mbrëma Zërit të Amerikës se ambasadori Grenell kurrë nuk ka thënë se “Shtetet e Bashkuara do të anulojnë projektet dhe investimet deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.

Ai i bëri këto komente duke u përgjigjur në kërkesën e Zërit të Amerikës për të sqaruar njoftimet që dolën në mediet lokale në Kosovë sipas të cilave ambasadori Grenell ka komunikuar gjatë ditës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani rreth çështjes së tarifave ndaj mallrave serbe. Sipas Radiotelevizionit të Kosovës ambasadori Grenell “ua ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë investime miliona dollarëshe në Kosovë, nëse hiqen tarifat. “Megjithëkëtë’, shkroi RTK duke ju referuar një burimi të saj, “SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.

Zëdhënësi Custin tha se ambasadori Grenell kurrë nuk e ka thënë një gjë të tillë. Ai në përgjigjen e tij u shpreh se “Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë një mesazh të keq sektorit privat se Kosova nuk është një vend për të bërë biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë afaristë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po i dëmtojnë ata. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato “si masa të reciprocitetit ” gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të të dërguarit të posaçëm amerikan Richard Grenell.

Ambasadori Grenell, ritheksoi të martën kërkesën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe. Në një postim në rrjetin social tëitter, ambasadori Grenell tha se “është thelbësore që tarifat të hiqen, në mënyrë që investimet të funksionojnë”.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një postimi po në twitter të shefit ekzekutiv të programit për Kosovën të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, Petrit Selimi, lidhur me investimet e kësaj korporate në Kosovë.

Qeveria e re e Kosovës e ka kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë. Por, ende është e paqartë se si do të realizohet një synim i tillë i qeverisë së re.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.

Opozita nuk pajtohet me planet e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifave madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, paralajmëroi sot se “do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të penguar heqjen e tarifave”

Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”. Ambasadori Grenell gjatë muajit janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar që Prishtina të heqë tarifat, ndërsa Beogradi t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Ai kritikoi qasjen e opozitës duke ritheksuar qëndrimin amerikan për heqjen tarifave.

Matthew Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Rusia dëshiron që ky rajon të jetë “i përçarë, kundër vetes dhe me një element kaosi në të”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Sofje, Palmer tha se SHBA-ja është e shqetësuar për qëllimet dhe aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse i identifikoj disa, do të veçoja përpjekjet e Rusisë për të zvogëluar mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Ato janë shembull i aktivitetit malinj të shtetit rus”, tha Palmer.

Sipas tij, rusët duan që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë, ku ata “mund të çojnë poshtë-lart nivelin e tensioneve”.

Me Marrëveshjen e Prespës, Shkupi është dakorduar për ndryshimin emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – gjë që i ka hapur rrugë përparimit të tij në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, vitin e kaluar, Këshilli Evropian ka dështuar t’i ndajë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Por Palmer, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se shpreson shumë që për këtë çështje të vendoset në muajin mars dhe që përgjigjja të jetë “po”.

“Ne mendojmë se të dyja vendet kualifikohen me meritë. Mendojmë se është një sinjal i rëndësishëm që duhet t’i dërgohet rajonit. Mendojmë se është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë rrugë të qartë evropiane dhe perspektivë evropiane”, tha Palmer.

Ai tha se SHBA-ja ka një vizion për Ballkanin Perëndimor dhe se ai është një vizion pozitiv.

“Një vizion për një rajon në paqe me veten, në paqe me fqinjët, i qëndrueshëm, i begattë dhe i integruar në familjen evropiane të kombeve. Ky nuk është vizioni i Rusisë”, tha Palmer.

Rusia është fajësuar edhe për mbështetjen e një përpjekjeje për grushtshtet në Mal të Zi në vitin 2016.

Rusia mbështet ushtarakisht Serbinë dhe ka lidhje të ngushta me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar Departamenti amerikan i Mbrojtjes në një raport të parë nga Radio Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar.

Palmer është emëruar i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit të kaluar.

Pak muaj më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell ka realizuar disa vizita në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i shtyrë palët drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Palmer, në një intervistë për një televizion të Serbisë në muajin dhjetor, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, ka thënë atëbotë Palmer.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA akuzon katër ushtarakë kinezë për një sulm të madh kibernetik

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr.

Shtetet e Bashkuara akuzan katër zyrtarë ushtarakë kinezë për një sulm të madh kibernetik kundër gjigantit amerikan të vlerësimit të kredive, Equifax.

Mbi 147 milionë amerikanë janë prekur në vitin 2017 kur hakerët kanë vjedhur të dhëna të ndjeshme personale, përfshirë emra dhe adresa.

Disa konsumatorë britanikë dhe kanadezë janë prekur po ashtu.

Duke i shpallur akuzat, prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, e përshkroi sulmin e hakerëve si “një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave në histori”.

“Ka qenë një ndërhyrje e qëllimshme dhe gjithëpërfshirëse në informacionet private të popullit amerikan”, tha ai.

Sipas dokumenteve të gjykatës, katër të akuzuarit janë anëtarë të Institutit 54 të Kërkimeve në Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Ata kanë kaluar javë të tëra në sistemin e kompanisë Equifax, duke vjedhur të dhëna personale, thuhet në dokumente.

Grupi gjithashtu akuzohet për vjedhje të sekreteve tregtare, përfshirë përpilimin e të dhënave dhe modelin e bazës së të dhënave.

Kina nuk i ka komentuar ende akuzat.

Firma e vlerësimit të kredisë, Equifax, mban të dhëna për më shumë se 820 milionë konsumatorë, si dhe informacione për 91 milionë biznese. rel