Profesor Aurel Plasari nuk është i vetmi që zbulon në rrënjët e tij suliotin e Shqipërisë, pra e konsideron Napolon Zervën shqiptar. Në fakt, nuk kemi asnjë gjurmë në jetën e tij që e dinte gjuhën shqipe, e shkruante apo këndonte “Tumankuqen”, kur ishte çakërqejf. Ka kryer një veprimtari mirëfilli spastrimi etnik ndaj shqiptarëve dhe nuk ka patur pikën e brejtjes së ndërgjegjes për këtë. Ka qenë më shumë se gjakatar, kur janë vrarë prejt tij në Parimithi gra, fëmijë, madje foshnje në barkun e nënës. Të gjithë këtë veprimtari e ka kryer në emër të helenizmit dhe pa dyshim ëndrrës së Vorio Epirit.

Teza që ai është shqiptar është më shumë se djallëzore. Në këtë mënyrë gjendet justifikimi më i arrirë se shqiptarët ia kanë bërë të keqen njëri-tjetrit dhe nuk ka përse t’i kërkosh Greqisë së sotme as ndjesën për atë krim monstruoz mbi një popullsi të pambrojtur dhe normalisht nuk ke përse të kërkosh vendosjen e të drejtës së pamohueshme të pronës për një krahinë të tërë.

Ballkani është i mbushur me plot me personazhe me rrënjë të çuditshme që kanë kryer koloni ndëshkimore ndaj popujve të origjinës së tyre, por askush nuk ka përse të mbroj tezën që shqiptarët e kanë parë të keqen nga vetja, grekët nga grekët, serbët nga serbët. Vetë në librin “Skënderbeu” të profesor Plasarit një pjesë e ushtarakëve të lartë osmanë janë me origjinë shqiptare. Këta duhet t’i konsiderojmë pushtues dora jonë? Dhe kjo histori kështu vazhdon deri në pavarësinë e Shqipërisë. Pyetja është: Çfarë është Kombi? Analizë e ADN-së?

Në këtë rast çfarë duhet t’i konsiderojmë patriotët e Rilindjes Kombëtare që kanë bërë të pamundurën për përhapjen e gjuhës shqipe? Një pjesë e tyre janë me origjinë vllehe. Ata kanë kryer një aktivitet patriotik, madje duke e paguar me jetë. Ata janë patriotët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, janë shqiptarë pa asnjë dyshim.

Ndaj Napolon Zerva është kolaboracionist, kriminel i Greqisë që ushtroi terror dhe spastrim etnik mbi popullsinë e Çamërisë. Një tezë tjetër thjesht të rreshton në anën e barrikadës së Zervës dhe të kthen në justifikues të masakrës, ku ka plot që u janë vrarë robt’ e shtëpisë.