Edi Rama adhuron në fshehtësi kundërshtarin e tij më të ashpër, Sali Berishën, madje mundohet ta imitojë atë. Ky është konkluzioni që ka arritur analisti Artur Zheji në shkrimin me titull “Përse kryeministri adhuron të Fortët dhe Berishën”, publikuar në 360grade.al
Ai, adhuron këmbënguljen dhe forcën e tij të paepur, për të qëndruar ballë për ballë kundërshtarit, në të mirë dhe në të keq dhe me barutin thatë. Ai adhuron, aftësinë që ka Berisha, për të mbajtur zap dhe nën kontroll, grigjën e vet, aftësinë për të ushtruar pushtet dhe bindje. Dhe për të mbajtur në një rreshtim spektakolar, “forcat e veta të armatosura politike”, shkruan Zheji.
Ai e argumenton idenë e tij me realitetin ku është shndërruar sipas tij Partia Socialiste.
Një parti “djemsh” e “vajzash” pasanike tanimë, ku askush nuk pipëtin më kundrejt kryetarit, pas largimit të Blushit, për model ka, padyshim partinë e Berishës. Të “displinuar”, të “bindur” dhe pa një disidencë të brendshme”.
Ai bën një kahasim me ish-kryetarin historik të socialistëve.
Fatos Nano grindej, shahej, por nuk të tregonte derën”, shton Zheji. Ndërsa me Ramën, parimi parë që shkelet është demokracia brenda partisë, ndërsa i dyti është mbajtja e fjalës së dhënë.
Artur Zheji stigmatizon edhe kastën e re të zyrtarëve të qeverisë Rama.
Drejtorët e ministrat e shumtë servilokratë, si rregull, të pazotë për punën që ju është ngarkuar, por mjeshtërisht kurriz ulur”
Por edhe nëse Liderit i vjen një ide e mirë, këta zyrtarë janë të paaftë për ta realizuar.
Dhe atëhere, Lideri xhindoset dhe shan e uluret dhe bërtet dhe nxihet e skuqet rradhazi, por makinë e shtetit, nuk del, që nuk del dot nga lluca, sado të bërtasë e të shfryjë e të xhindoset Ay! Për faj të atyre, që në të vërtetë, janë pjellë e faj i Tij! Dhe “këta”, futen skutave nga frika, shkojnë te qypat me para, i fusin ato më thellë, dhe presin me kokën mbuluar me carcaf, që stuhia të kalojë, shefi të zbutet dhe ti thërrasë përsëri. Sepse edhe këta e dinë këtë lojë:
Shefi ata do të thërrasë përsëri!”
Shkrimi i Zhejit ka ‘goditur’ edhe ish-Kryeministrin dhe ish-Kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano. I cili i shkruan Zhejit se e ka tejkaluar Ramën edhe si piktor.
Ai nuk do të ishte i zoti, të bënte një autoportret më të mirë, se ky që ke vizatuar ti”, shkruan Nano.
Për cilin autoportret e ka fjalën ish-Kryeministri?
Më poshtë, ‘vizatimi’ që i bën Zheji Ramës:
Në ftohtësinë e tij të thellë, ai është i paaritshëm! Në ngricën dhe akullin që Ay ka, aty, ku shumica e njerzve, kanë nënshtresa të ngrohta dhe të buta, qofshin edhe të gabuara apo të tepruara, Ay, edhe për të keqe të vet, ka vetëm dimër, acar dhe vetmi të thellë.
Askush nuk ecën si Ay, pa kthyer kokën pas, e pa rrëfyer kurrë, ndaj askujt, mirënjohjen apo borxhin më të vogël. Qoftë kjo, njerëzore, politike apo vanitoze!
Kjo dhe është pika e tij më e fortë dhe në këtë pikë, miqtë apo ish miqtë e kanë tanimë, më frikë se kushdo tjetër! Andaj dhe shumë kush ka kuptuar që është më mirë ta kesh përballë! Dhe shumë më e rrezikshme ta kesh në krah, apo ta llogarisësh si një mbështetje imagjinare.
Sepse kryeministri i sotshëm, njeh, respekton, adhuron apo merr në konsideratë, vetëm Forcën e Sotme që dikush ka dhe disponon. Pamvarsisht nga buron kjo Forcë, nga sferat e errta apo gri të shoqërisë, apo dhe krejt e pastër qoftë!
E pra, qytetari i dobët, këtë kryeministër të “Majtë” që ka zgjedhur ta udhëheqë, vështirë ta ketë mik ndonjëherë dhe kjo është më e keqja! Prandaj në këtë Vend, të pasurit do të bëhen më të Pasur, të fortët më të Fortë, nën qeverisjen e tij! Sepse ata, të Fortët dhe të Pasurit, dhe jo populli, kanë zgjedhur sot, Kryeministrin e tyre!”.
Megjithatë Fatos Nano ka një rezervë të vogël kur Zheji shkruan për ish-miqtë e Ramës:
Unë, nuk e kam frikë!”
Por Nano ka një konstatim tjetër për Ramën:
Ndoshta ai, është i paaftë të bëjë një autoportet, por është shumë i zoti, për t’u vetëshkatrruar! Dhe kjo është arësyeja sepse unë po e le të qetë… për t’u vetshkatrruar nga vetvetja! Sepse kësaj, ai ja del mrekullisht!
Askush nuk do të mund të mendonte, që ai, do ta bënte vetëshkatrrimin e tij kaq shpejt!” / HashtagAL
Komentet