VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Mustafaj: “Shteti ka rënë, por pushteti është në këmbë… Shqipëria është në një situatë çmendurie”

By | July 11, 2019
1 Comments
  • author avatar
    Meti Tirane 7 months ago Reply

    Totalishte krize ekonomike politike. Nuk funksionon gjykata e larte dhe ajo kushtetuese. Vendi drejtohet nga nje grup Oligarkesh te cilet mendojne dhe veprojne vetem per pasurimin e seres tyre.

Komentet

Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi nga Shqipëria, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti

Policia e Shtetit Shqiptar ka konfirmuar se kamioni me kokainë ka kaluar përmes Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Në një njoftim, Policia sqaron se  ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.

“Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti”, sqaron Policia e Shtetit Shqiptar.

Aksioni i Policisë u krye në disa shtete evropiane, ndërsa në Maqedoni është kapur vetëm 1 kg kokainë, pjesa tjetër është sekuestruar në Itali.

Lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia dhe e gjitha ngarkesa me peshë 1.3 ton është zbuluar në Itali.

Policia italiane kishte lënë vetëm një qese që peshonte 1 kg me një GPS brenda, me qëllim që të mësonte destinacionin përfundimtar.

Të rinjtë po ikin, radhë të gjata në ambasadën gjermane në Tiranë

Kjo është radha e përditshme në dyert e Ambasadës së Gjermanisë. Të rinjtë shohin përtej kësaj dere mundësinë e artë për të nisur një jetë të re drejt shtetit gjerman, apo për të fituar një të drejtë studimi.

Klintoni sapo ka dalë nga dyert e ambasadës dhe me një vizë 6-mujore në duar ka nisur të mendojë për jetën e re.

“Jam i detyruar të zbatoj kontratën që më ka bërë pronari deri në një periudhë të caktar. Ta cakton komuna sa do rrish me këtë pronar. Pastaj unë do të shfrytëzoj gjëra të tjera. Nuk është se mora këtë vizë dhe do i jap fund çdo gjëje. Në sektorin e ndërtimit do të punoj. Pastaj duke parë, duke bërë. Mund të bëj një biznes timin ose do të shfrytëzoj diplomën tim për inxhinieri ndërtimi“, u shpreh i riu për tematv.

Drejt shtetit gjerman, 26-vjeçari do të niset në muajin prill teksa pas lë edhe pakënaqësitë që e detyruan të kërkojë emigrimin.

“Mund të të ofrohen më shumë mundësi. Të paktën kushtet e punës janë më të mira. Mund të punosh si punëtor dhe gjen kushte më të mira sesa këtu si inxhinier. Nuk të respektohen orët shtesë, që atje si punëtor i thjeshtë të merren për bazë, ndërsa këtu edhe po qe mjek, si teknik IT nuk t’i marrin për bazë“, shtoi më tej.

“Me 2 mars lidhim besën!” Meta – Ramës: Kryeministria e Kuvendi i kthehen popullit. Porosit poture të gjera

TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paralajmëruar një protestë më 2 mars pasdite. Në konferencën e sotme për mediat, Kreu i Shtetit paralajmëroi një besëlidhje me popullin dhe tha se institucionet në bulevard do i kthehen popullit. Edhe një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama.

“Ata që kërkojnë popullin e presidentit në whatsapp, të porosisin poture të gjera”, tha ndër të tjera Meta.

Këto deklarata erdhën pasi Presidenti u pyet se përse nuk e shpërndan parlamentin që cilëson gjysmë apo kjo tezë është vetëm një presion.
Meta theksoi se maxhoranca e qeveria është pjesëmarrëse në këtë grusht shteti dhe se emra të tjerë do të evidentohen në ditët në vijim.

“Pjesëmarrës në këtë grusht shteti është vetë qeveria, maxhoranca dhe ai që e quaj gjysmë parlamenti, arsyet që ju i dini dhe që është jokushtetues. Ka padyshim persona të tjerë që do të evidentohen në ditët në vijim. Çdo ditë do ketë lajme për grushtin e shtetit. Do ta marrim me qetësi çmontimin e grushtit të shtetit. Veprimet e presidentit do jenë gjithmonë në mbrojtje të kushtetutës. Sot kjo godinë është një kështjellë e vetme për fat të keq por e pamposhtur dhe e paepur për mbrojtjen e Kushtetutës. Nga data 2 mars do firmoset dekreti i parë, para popullit shqiptar në bulevardin do të lidhim një besëlidhje. Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe ju japim fjalën se shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion në mbrojtje të republikës por të gjithë këta institucione që janë në bulevardin Dëshmorët e Kombit do t’i kthehen popullit shqiptar. Ata që kërkojnë popullin e presidentit në whatsapp, të porosisin poture të gjera”, deklaroi Meta.

Kujtojmë se 2 marsi është një datë e shënuar për popullin shqiptar pasi, pikërisht më 2 mars në vitit 1444 u themelua Besëlidhja e Lezhës me udhëheqës Gjergj Kastriot Skënderbeun për t’iu kundërvënë Perandorisë Osmane.

VIDEO – Basha pas takimit me Metën: Rrezikohet grusht i pastër shteti, do përballen me bashkim dhe rezistencë nga qytetarët

Pak pas përfundimit të takimit me Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe me aleatët, kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi për mediat se vendi rrezikohet nga një grusht shteti.

Teksa dha detaje nga takimi me presidentin Ilir Meta, Basha ishte në të njëjtën linjë me kreun e shtetit, ndërsa theksoi se maxhoranca po tenton që të kapë Gjykatën Kushtetuese. Mes të tjerash ai foli për një bashkim dhe rezistencë të madhe nga qytetarët.

“Presidenti i Republikës më ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes së personave të maxhorancës në gjykatën kushtetuese. Kapja e Kushtetueses është objektiv i Ramës. Atij i duhet për të mbrojtur kriminelët dhe për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm. Ky është një grusht i pastër institucional shteti. Nuk bëhet me ushtri dhe tanke, por me shërbëtor të bindur në organet e reja të drejtësisë. Kemi diskutuar për këtë dhe të tjera për hapa të maxhorancës, që bëhen për të rrezikuar të drejtat e shqiptarëve. Ne kemi papajtueshmëri të plotë. Do të marrim çdo vendim si opozitë. I bëj thirrje çdo qytetari që do marrim hapa ta tillë, se do të ndeshen me bashkimi më të madh dhe rezistencën e qytetarëve (mazhoranca).”, tha Basha.
(BalkanWeb)

Tiranë, aktivitet mbi persekutimin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë komunizmit

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur aktiviteti me temë “Persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë përgjatë regjimit komunist”, që kishte në fokus publikimin e të dhënave rreth persekutimit ndaj këtij komuniteti, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet tha se zona e Konispolit ka pasur persekutimet më të mëdha gjatë regjimit komunist.

“Është e pamundur sot sesi institucionet shqiptare akoma nuk kanë një dokument relevant për dënimin e atij sistemi, për ta dënuar sistemin komunist, një sistem i cili ishte i vendosur në Shqipëri në mënyrë jo të natyrshme, sepse na vinte pikërisht nga Rusia sovjetike e implementuar për të mbajtur pushtetin një diktator si Enver Hoxha. Ne asnjëherë nuk bëmë asnjë radiografi të sistemit komunist dhe të kuptonin sesi besimi në Zot e zëvendësuan me partinë dhe me Enver Hoxhën, sesi lufta e klasave ishte një mënyrë permanente për ta mbajtur në konflikt të gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Idrizi.

Ai u shpreh se mos ndarja nga e kaluara komuniste dhe mos dënimi i saj “ne na shoqëron vazhdimisht.”

Duke folur mbi persekutimin komunist ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Idrizi theksoi se “Të gjithë ne e kemi ndier diskriminimin, por kjo mundësi e artë që na jepet është për të kuptuar dhe vërtetuar sot atë që ne ndienim në shtëpitë tona, marxhinalizimin për të qenë shqiptar i Çamërisë, diskriminimin deri në kufijtë e racizmit për të qenë shqiptar i Çamërisë, sepse ne kishim vetëm një faj, na kishin larguar nga vendi jonë sepse ishim shqiptarë dhe për shkak të besimit në Zot”.

Sipas Idrizit, janë rreth 200 familje të shqiptarëve të Çamërisë të cilët janë ndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike nga regjimi komunist dhe dhjetëra personalitete të ekzekutuar.

Në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Patriotike Çamëria folën edhe studiues dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kanë në fokus studimet mbi të kaluarën komuniste në Shqipëri.

Sipas dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit komunist, të cilat tashmë janë të aksesueshme për publikun, qindra familje çame u përndjekën dhe persekutuan nga institucionet e regjimit komunist, ndërsa dhjetëra personalitete nga ky komunitet u ekzekutuan, me pretendimin si kundërshtarë të regjimit.

Çamëria është një krahinë e madhe gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit (Deti Jon). Në vitin 1913 me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse.

Përveç gjenocidit grek në Çamëri, që shkaktoi mijëra viktima dhe të shpërngulur, shqiptarët e Çamërisë përjetuan persekutim edhe pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë sistemit komunist në Shqipëri.

Meta thërret në takim Bashën: Si do ta shpartalloj grushtin e shtetit

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim sot me liderin e opozitës Lulzim Basha një ditë pas shtimit të akuzave ndaj KED dhe deklaratave për grusht shteti nga maxhoranca.


Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i Presidentit, z. Tedi Blushi, i cili informon dhe për diskutimin mes Kreut të Shtetit dhe kreut të PD. Në takim Meta i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare, ndërsa është shprehur se do bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thirri sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha.

Presidenti Meta e njohu z.Basha me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare.

Presidenti Meta bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”, shkruan Blushi. gsh

Gara për kreun e BKH-së, dy nga kandidatët përballen sot me “makinën e së vërtetës”, 4 orë në test

8 kandidatët që janë në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, këtë javë do t’i nënshtrohen testit të Poligrafit ose “makinës të së vërtetes”. Mësohet se ditën e sotme do të përballen me testin e të vërtetës dy kandidatë dhe seancat do të zhvillohen pranë SHÇBA-së tek ministria e Brendshme, të cilat do të zgjasin nga 2 deri në 4 orë. Aktualisht në garë për kreun e “FBI-së shqiptare” janë Aida Veizaj, Ardian Çipa, Ervin Hodaj, Ylli Pjetërnikaj, Artur Beu, Gentjan Shehaj, Lindita Nushi dhe Idajet Faskaj.

Mësohet se testimi do të mbyllet të premten dhe më pas SPAK-u do të përzgjedhë një nga tetë garuesit për t’ia përcjellë KLP-së, për të bërë emërimin.

Çfarë është makina e së vërtetës?

Poligrafi bazohet mbi faktin se gënjeshtra provokon përgjithësisht ankth tek peronat që janë duke kryer këtë test. Po kështu në momentin që kandidati gënjen ndryshojnë parametrat fiziologjike, si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, ritmi i frymëmarrjes e deri tek rezistenca e ndryshuar e lëkurës ndaj përcjelljes se rrymës elektrike.

Në garë për të drejtuar “FBI-në shqiptare” hynë 40 aplikantë profesionet e të cilëve varionin që nga avokatë, policë apo edhe ish-oficerë policie, të cilët prej kohësh jetonin jashtë Shqipërisë. Një pjesë e tyre që nuk përmbushnin kushtet u skualifikuan nga gara, ndërsa të tjerë humbën ‘betejën’ me provat. Lidhur me procesin ka dalë garant Ambasada Amerikane, e cila ka siguruar shqiptarët se ka qenë transparent. Ambasada njoftoi se ka dhënë një fond prej 4 milion dollarësh, i cili do të përdoret në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë. Nga ana tjetër, për këtë post, kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se duhet një person me integritet dhe se do të trajnohet nga SHBA-ja./Express

Meta: “Do të shkoj vet në Komisionin e Venecias për të shpjeguar grushtin e shtetit nga shumica socialiste”

Ilirian Agolli

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, publikoi sot dokumente të reja drejtuar SPAK-ut për të helluar hetimet mbi ato, që ai i quajti “veprimtaria kriminale e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, gjatë detyrës së tij”.

Këto dokumenta zoti Meta ia shtoi kallëzimit penal të nëntorit, ku zoti Dvorani akuzohet për shkelje që shkaktuan mosplotësimin e kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj i “duhet ndaluar menjëherë shpërdorimi i funksionit publik, përmes të cilit ai synon kapjen politike të Gjykatës Kushtetuese”.

Presidenti Meta tha sot në një deklaratë për mediat se “vendin e fundit vakant në Gjykatën Kushtetuese zoti Dvorani po përpiqet ta zërë vet përmes vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, keqinformimeve dhe shkeljeve në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Presidenti Meta tha se parlamenti nga një anë ftoi Komisionin e Venecias të interpretonte mbi betimin e gjyqtarëve kushtetues, por një ditë para se delegacioni i tyre të mbërrinte në Tiranë parlamenti e ndryshoi vet atë nen të ligjit mbi betimin e gjyqtarit kushtetues, pa pritur përgjigjen nga Komisioni i Venecias.

“Ky ligj synon vendosjen e këtij procesi nën kontroll politik të Partisë Socialiste dhe të nxijë integritetin e çdo anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke i dhënë mesazhin se çdo emërim në këtë Gjykatë do të kalojë përmes testit të besnikërisë politike”.

Ai theksoi se do të shkonte vet në Komisionin e Venecias për t’u shpjeguar ato që po ndodhnin në Tiranë me institucionet dhe reformën në drejtësi.

“Republika e Shqipërisë po përjeton gjendjen më të rëndë të kapjes së shtetit në kontinent, por nuk do të pranoj instalimin e grushtit të shtetit, përmes shndërrimit të institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, në një polici antikushtetuese të shtetit të PPP-së” – tha zoti Meta.

Palët kërkuan si arbitër Komisionin e Venecias, por shumica socialiste miratoi në parlament një ndryshim në ligjin për organizimin e Gjykatës Kushtetuese i cili synon të shmangë betimin e anëtarëve të kësaj gjykate vetëm te presidenti i Republikës. Kushtetuta parashikon shprehimisht se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

83 mijë veta nga Shqipëria dhe 53 700 nga Kosova azilkërkues në vitet 2015-2017 në Gjermani

Në 1 mars në Gjermani hyn në fuqi ligji për emigrantët e kualifikuar, që parashtron rregulla më të lehta për personat që duan të punojnë në vend me një diplomë profesionale.

OECD-ja thotë se mijëra azilkërkues hasin vështirësi në vend për këtë shkak, përfshirë shtetasit nga Shqipëria që ndër vite numërohen në dhjetëra mijëra.

Gjermania është një destinacion i dëshiruar për refugjatët dhe azilkërkuesit shqiptarë, por edhe një vend i vështirë për të gjetur punë për ata që nuk kanë njohuri të gjuhës dhe arsimin përkatës.

Në këtë konkluzion arrin Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në një studim mbi pengesat që hasin në vend të ardhurit e huaj.

Sipas analizës, aplikantët nga Kosova dhe Shqipëria pesë vite më parë përbënin grupet më të mëdha të azilkërkuesve në vend.

Zyra federale për emigrantët dhe refugjatët mësohet se në vitet 2015-2017 trajtoi 83,200 kërkesa për azil në rastin e Shqipërisë dhe 53,700 të tilla nga Kosova.

Për Tiranën, norma e njohjes së azilit ishte më pak se 0,5 për qind, 81 për qind e aplikimeve u refuzuan dhe 19 për qind u cilësuan të papranueshme.

Sipas OECD-së, nga ata pak aplikantë që arritën të fitonin azilin, pak shqiptarë por edhe të huaj kanë mundur të avancojnë me sukses në shkollimet profesionale për të siguruar një vend pune.

Deficite paraqesin edhe rrjetet e kufizuara shoqërore, apo punëdhënësit që nuk marrin refugjatët në punë, jo detyrimisht prej racizmit apo diskriminimit, por prej keqkuptimeve, thekson studimi i financuar nga Ministria gjermane e Arsimit.

Rregulla të reja po përpilohen në favor të refugjatëve të cilëve u është refuzuar azili, dhe që tani mund ta përfundojnë pa problem kontratën e shkollimit profesional dhe të punojnë për dy vite.

Rregullat janë pjesë e Ligjit për Emigracionin Profesional që do hyn në fuqi më 1 mars./ora

Ligji për betimin e gjyqtarëve, Meta: Atentat ndaj Kushtetutës, përpjekje për grusht shteti

I ashpër ka qenë në reagimin e tij presidenti Ilir Meta sa i takon ligjit të ri për betimin e gjyqtarëve, që Kuvendi miratoi të mërkurën, ndërsa e ka cilësuar këtë hap të maxhorancës një atentat ndaj Kushtetutës.

Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat kreu i shtetit përsëriti qëndrimin e tij se qeveria po tenton që të bëjë grusht shteti, ndërsa theksoi po tentohet kontrolli mafioz për të pasur në dorë Gjykatën Kushtetuese.

“Bazuar në kërkesën e Kuvendit dhe më pas të presidentit, Komisioni i Venecias i konfirmoi Kuvendit se në 13-14 shkurt do të vinte një delegacion. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të pabesë, të pamoralshme, ndërkohë që anëtarët e Venecias mbërritën në Tiranë, në 12 shkurt votuan në seancën plenare, në errësirë të plotë ligjit për disa ndryshime mbi emërimin e gjyqtarëve, duke ia hequr të drejtën e betimit para Presidentit.

Dhunohet neni 129 i Kushtetutës dhe parimet themelore të Kushtetutës. Votimi i këtij ligji është atentat i rëndë i mazhorancës ndaj Kushtetues, me qëllimin e vetëm kontrollin mafioz të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Ky proces kërkon të nxi integritetin e punonjësve të gjykatës
Kjo s’do të pranohet kurrë nga presidenti. Ky nxitim, është fyerje që i bëhet organizmave, Komisionit të Venecias, ambasadave, ambasadorëve, që dolën në krah të mazhorancës, për të kërkuar thirrjen e Komisionit të Venecias, për këtë çështje aq e thjesht sa dhe vet abetarja. Me këtë krim, mazhoranca ka zhvleftësuar rëndësinë e tyre (Komisionit të Venecias). I kërkoj ndjesë Komisionit të Venecias që u keqpërdor nga mazhoranca në funksion të fillimit të realizimit të grushtit të shtetit.
Republika po përjeton gjendjen e rëndë të kapjes së shtetit. Unë konfirmoj se do të marr pjesë në seancën plenare të komisionit të Venecias ku do t’i njoh të gjithë të pranishmit me fakte dhe më të rënda të përpjekjes për të realizuar një grusht shteti në këtë vend. Rilindja është teatri dhe estrada nr. 1 e këtij shteti dhe e këtij populli.”, tha Meta.
(BalkanWeb)

12 vjet pavarësi, Bushati: Gjenerata e re e udhëheqësve të çojë para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet

TIRANE

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës duke theksuar se gjenerata e re e udhëheqësve në Kosovë duhet të çojë me vendosmëri para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutimet arritjet e mëdha historike.

Në një urim në rrjetet sociale, Bushati thotë se “nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se Kosova shtet është produkt i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektin për të drejtat e njeriut”, duke u shprehur se 17 shkurti 2008 shënoi realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike”.

Postimi i plotë:

Kosova si shtet i pavarur lindi nga sakrificat, mundi dhe mençuria e disa gjeneratave. Ajo u ngrit në këmbë nga gjaku i dëshmorëve dhe dhimbja e popullit, i cili e pati në krahë mbështetjen e SHBA-ve dhe të aleatëve tanë në NATO. 17 shkurti i vitit 2008 shënon realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të drejtë që respekton dinjitetin e qytetarëve të saj, që garanton barazinë, që synon mirëqenien dhe që është e hapur për marrëdhënie të mira e bashkëpunuese me të gjitha shtetet, sidomos në rajon.

Në këto 12 vite rrugëtimi jo të lehtë, Kosova ka shënuar hapa përpara në procesin e shtetndërtimit demokratik. Këtë e treguan edhe zgjedhjet e mirëorganizuara parlamentare të 6 tetorit, të cilat u vlerësuan edhe nga organizatat ndërkombëtare. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike.

Ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se shteti i Kosovës është rezultat i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Ndaj, sot është dita gjithashtu që të shprehim mirënjohjen për SHBA-të dhe aleatët tanë në NATO!
Gëzuar jetë e mot Pavarësinë Kosovë!

(BalkanWeb)

Analiza nga ish-gjyqtari i Strasburgut Ledi Bianku: Merreni seriozisht reformën sepse Drejtësia rrezikon të jetë e vdekur pa mbërritur mirë!

Analiza nga ish-gjyqtari i Strasburgut/ “Pse duhet marrë seriozisht Reforma në Drejtësi. Vendimet për pronat dhe ndërhyrjet nga zv.kryeministri e ministri, e ca denarë që donin të influenconin…”

MERRENI SERIOZISHT REFORMËN

Një analizë fillestare dhe empirike e reformës në drejtësi në Shqipëri, nën këndvështrimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut

Titulli i këtij artikulli kujton padyshim atë të një prej kontributeve më me ndikim në filozofinë e së drejtës në shekullin e XX, “Take rights seriosly” nga Ronald Dworkin. Megjithatë Dworkin është shumë larg realitetit shqiptar. Artikulli ka për qëllim të ngrejë probleme që për mua janë konceptuale dhe sistemike të pushtetit gjyqësor, si dhe të gjithë sistemit tonë shtet-formues dhe kushtetues. Ndaj titulli lidhet me mesazhin që synohet të jepet në lidhje me këto probleme. Ky artikull, që nga titulli dhe deri në përfundimet e tij iu drejtohet në mënyrë të veçantë kumbarëve të reformës në drejtësi – të huajve – sa në Tiranë edhe gjetiu. Termin “të huaj” nuk po e përdor thjesht në kuptimin juridik, të shtetësisë së tyre, pasi kjo për mua ka rëndësi tejet relative. Unë po e përdor termin “të huaj” në kuptimin figurativ, duke pasur parasysh personazhin e Camus-ë, Meursault-in. Në fakt evokimi i këtij të fundit mund të jetë i mjaftueshëm për ata që e njohin shumë më mirë se unë letërsinë për të shpjeguar rolin e “të huajve” në Shqipëri në raport me sistemin e drejtësisë dhe sistemin kushtetues në Shqipëri dhe me problemet konceptuale dhe sistemike që ky i fundit ngërthen. Ky evokim është edhe më i vlefshëm kur analizon pasojat, qoftë edhe të përkohshme, të reformës në drejtësi. Megjithatë, metaforat letrare ua lë atyre që iu takon kjo punë, studiuesve të letërsisë. Unë kam për detyrë intelektuale të bëj analizën juridike, sidomos atë nën këndvështrimin e njërës prej fushave të së drejtës që pretendoj se e njoh mjaftueshëm – sistemin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo e fundit duke qenë kushtetuta e kushtetutave në Evropë dhe në Shqipëri (shih përkatësisht nenet 6 TFBE dhe nenin 17 § 2 të Kushtetutës Shqiptare), standardet e saj janë themelore për të vlerësuar problemet konceptuale që sistemi i drejtësisë ka, dhe për pasojë që çdo reformë apo kumbar i reformës duhet të ketë përgjegjësinë që, së pari, të kuptojë, të pranojë dhe pastaj të trajtojë. Analizën po e bëj thjeshtë dhe tepër shkurtër, të ndarë në dy momente duke i kursyer sa më tepër që të mundem, për arsye lehtësie leximi, referencat dhe analizat jurisprudenciale. Po përpiqem të mos analizoj reformën që po bëhet[1], por atë që po ç’bëhet dhe nuk po bëhet. Këto të fundit janë përcaktuese për suksesin e reformës në vazhdim e sipër dhe për fatin e çdo sistemi drejtësie, në Shqipëri dhe kudo.

  1. Tek porta e Ligjit

Prej më shumë se 20 vjetësh, herë në këndvështrimin akademik, herë në atë gjyqësor, jam marrë me çështje të ankuesve që kërkonin në Shqipëri apo në Strasburg ekzekutimin e vendimeve të gjykatave shqiptare që iu njihnin të drejta të caktuara, që nga prona e deri te kthimi në punë. Shihja se si vendimet gjyqësore përfundimtare mund të mos kishin askurrfarë vlere juridike në Shqipëri. Një sërë prej tyre gjetën përgjigje vetëm në Strasburg, që në 2004 e në vijim. Mund të thuhet se arsyet e pamundësisë për të ekzekutuar një vendim gjyqësor në Shqipëri kanë qenë zvarritja, vonesa, vështirësitë financiare, ose administrata shqiptare. Megjithatë problemi është më i thellë. Shkon në zemrën e reformës në drejtësi.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut në çështjen Ramadhi k. Shqipërisë, i 13 nëntorit 2007 gjen shkelje për mos-ekzekutimin e një vendimi administrativ përfundimtar. Vlera e tij, thuajse unike në gjithë jurisprudencën e Strasburgut, qëndron në një moment tjetër. Ai konstaton se në Shqipëri nuk ka gjykatë që të jetë mjet efektiv për zgjidhje mosmarrëveshjesh, prandaj një vendim administrativ mund të ankohet direkt në Strasburg pa pasur nevojën e shterimit të mjeteve gjyqësore, sipas nenit 35 të Konventës. Ky konstatim i ra në fakt alarmit për problemin sistemik dhe strukturor të  gjyqësorit Shqiptar, por askush nuk e dëgjoi. Ai vendim, e konfirmuar edhe më vonë nga një sërë vendimesh të tjera nuk thonë asgjë tjetër veçse që gjyqësori – në kuptimin evropian, pra si mjet efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve – në Shqipëri praktikisht nuk ekziston. Sipas filozofisë së vendimit Ramadhi, i vetmi organ që të zgjidh hallin në Shqipëri është ekzekutivi.

Ligji 133/2015 i miratuar nga Kuvendi në nëntor 2015, ndryshon formulën e kompensimit të pronave. Mënyra se si kompensimi bëhet tani, ku në raste të caktuara për një pronë konkrete pronari merr edhe zero vlerë, në fakt nuk është asgjë tjetër veçse një prishje në themel e qindra e mijëra vendimeve gjyqësore përfundimtare me një akt legjislativ të mëvonshëm. Ky ligj konfirmon në fakt alarmin që ngrinte Gjykata në vendimin Ramadhi që në vitin 2007. Por ndërsa më parë i zvarrisnim vendimet e gjykatave tani efektet e tyre i fshijmë me ligj. Kjo ndërhyrje nga ligjvënësi, që në jurisprudencë quhet validation législative është ndërhyrja më flagrante e legjislativit, në rastin shqiptar praktikisht e ekzekutivit, ndaj pushtetit gjyqësor. Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar me dhjetëra herë të papajtueshme me nocionin e procesit të rregullt dhe të shtetit ligjor këtë praktikë (shih Rafineritë greke Stran dhe Strasis Andreadis k. Greqisë, Pressos Compania Naviera k. Belgjikës, Zielinski dhe Pradal dhe Gonzalez dhe të tjerë k. Francës, Scordino (I) k. Italisë, etj, etj) ku, ndër të tjera, Gjykata thotë:

“Gjykata konsideron se rreziku financiar i pretenduar nga Qeveria…, nuk mund të lejojë që ligjvënësi të zëvendësojë … gjyqtarët për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.”

Ndërhyrje të tilla të ligjvënësit ndaj vendimeve gjyqësore përfundimtare janë konsideruar si shkelje e nenit 16 të Deklaratës të të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit, të 1789 që garanton ndarjen e pushteteve (shih Këshillin Kushtetues Francez, Déc. n° 80-119 DC, 22.07.1980, Déc. n° 99-422 DC, 21.12.1999, etj. Shih gjithashtu Gjykatën Kushtetuese italiane me vendimet binjake nr. 348 dhe 349 të 22.10.2007 ku vetëm për masën e dëmshpërblimit u konsideruan antikushtetuese disa dispozita të dekret-ligjit nr. 333 të 11.07.1992, të ligjit nr. 662  të 1996 dhe të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 327 të 8.06.2001. Shih Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, BVerfGE, vëll.45, fq. 142 [167]; vëll. 72, fq, 200 [242], vëll. 80, fq. 89 [109s.], Gjykatën Kushtetuese Spanjolle, vendimi 234/2001, BOE nr. 14 i 16.01.2002, e shumë të tjera. E drejta e BE e konsideron “pjesë të rendit juridik komunitar”, që në Topfer k. Komisionit, 3.5.1978 dhe si “parim themelor të Komunitetit”, që në Dürbeck k. Hauptzollampt Frankfurt a.M. apo me sagën e vendimeve Mulder dhe Spagl.

Megjithatë ne ende nuk e kemi kuptuar, ose bëjmë sikur nuk e kuptojmë. Këtë element konceptual thelbësor nuk e kanë kapur ose i janë shmangur edhe Gjykata jonë Kushtetuese, në vendimin nr. 1, datë 16.01.2017 edhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin 00-2018-611. Ndërkohë që ligji nr. 133/2015, në një sërë situatash, duket sikur po ekzekuton vendimin Manushaqe Puto, në fakt nuk bën asgjë tjetër veçse kason dhe rivlerëson në themel atë që kanë vendosur në mënyrë përfundimtare gjykatat shqiptare dhe administrata shqiptare e kthimit të pronës me një mori vendimesh që në fillim të viteve 1990. Të huajt e reformës nuk thanë gjë për këtë. A thua se ajo nuk ka të bëjë me drejtësinë!!! Të shohim a do ta “kuptojë” Gjykata e Strasburgut.

Kjo situatë kur qindra shqiptarë kanë pritur dhe ende presin me vite që vendimet gjyqësore që kanë fituar, të ekzekutohen, më kujtonte shpesh pasazhin vijues të përfshirë në Kreun 9 të kryeveprës së Franz Kafka, “Procesi”:

“Tek porta e Ligjit qëndronte një rojë. Një njeri nga rrethinat arrin para tij dhe i lutet ta lejojë të hyjë tek Ligji. Por roja i thotë që nuk mund ta lejojë të hyjë në atë moment.

Njeriu nuk kishte pritur vështirësi të tilla, ai kishte menduar se Ligji duhet të ishte i arritshëm për të gjithë dhe në çdo kohë, por tani, duke vëzhguar më mirë rojën, pallton e tij prej leshi…, ai vendos të presë gjithsesi derisa të lejohet të hyjë.

… porta e ligjit qëndron e hapur, si gjithmonë, dhe roja del nga njëra anë e saj, kështu njeriu përkulet për të parë brenda përmes portës. Kur roja e sheh, qesh dhe i thotë ‘Nëse të tërheq aq shumë, atëherë përpiqu të hysh, ndërkohë që unë të ndaloj. Por ki kujdes: Unë jam i fuqishëm…”

Në Shqipëri vlera formale apo edhe substanciale e një vendimi gjyqësor është zero nëse nuk do ekzekutivi. Nuk po ju lodh me shembuj, që nga vendimet e gjykatave të brendshme, përfshirë kushtetuese, të Gjykatës së Strasburgut, të arbitrazheve ndërkombëtare, ose duke u kthyer në kohë, te vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Kanalin e Korfuzit që e ekzekutuam pas 40 vjetësh. Juridikisht thelbi është i njëjtë me atë periudhë të historisë sonë që të gjithë duket se rreken zellshëm ta anatemojnë. Ndaj problemi në Shqipëri është Roja, pavarësisht se e imagjinojmë me pallto apo me poture, të veshur si shqiptar, si sovjet apo si evropian. Për këtë u binda përfundimisht nga një çështje tjetër në Strasburg. Kësaj radhe krahasimin po e bëj më poshtë me një shembull amerikan.

  1. “Turn that plain around”

Ky ishte urdhri që gjyqtari Emmet Sullivan, i gjykatës së rrethit në Washington, u dha më 9 gusht 2018 autoriteteve amerikane, për një avion në të cilin po udhëtonin drejt El Salvadorit, Carmen dhe e bija e saj, ndërkohë që gjyqtari Sullivan po shqyrtonte ankimin e tyre për azil në SHBA. Gjyqtari Sullivan u shpreh:

“Dikush … kërkon drejtësi para një gjykate të Shteteve të Bashkuara dhe dëbohet jashtë ndërkohë që avokatët e saj po pretendojnë dhënien e drejtësisë për të? Kjo është mizore. Kthejeni mbrapsht atë avion dhe sillini ata njerëz përsëri në Shtetet e Bashkuara.”

Sullivan ishte aq i prerë me urdhrin e tij të ndërmjetëm, sa ai u shpreh se Jeff Sessions, Ministri i Drejtësisë në SHBA në atë kohë, dhe çdo zyrtar tjetër që mund të pengonte kthimin e Carmen dhe të bijës në SHBA do të akuzohej prej tij për contempt to court – cenim i autoritetit të gjykatës. Në fakt avioni u ul në San Salvador, por pas urdhrit të gjyqtarit Sullivan, as Carmen dhe as e bija nuk zbritën prej tij. Me të njëjtin avion ato u kthyen ne SHBA në pritje të vendimit të gjyqtarit Sullivan. Mesazhi i këtij shembulli nuk është e drejta e Carmen dhe së bijës për të migruar në SH.B.A. por autoriteti i një gjyqtari amerikan dhe kuptimi i vendimit që ai do të merrte në lidhje me çështjen e tyre. Ndryshe e drejta për t’u ankuar dhe as funksioni i gjyqtarit dhe i vetë sistemit amerikan të drejtësisë në vetvete nuk do kishte asnjë kuptim.

Ç’lidhje ka ky shembull që solla me situatën shqiptare? Më 5 tetor 2012, në kuadrin e presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të KE isha ftuar të mbaja një fjalë në një konferencë të organizuar në Tiranë. Ndër të tjera, solla si shembull vendimin e Gjykatës së Strasburgut në çështjen Rrapo ku Republika e Shqipërisë u dënua vetëm sepse kishte refuzuar t’i bindej një urdhri të ndërmjetëm të Gjykatës së Strasburgut, që të mos e ekstradonte Almir Rrapon drejt SHBA derisa Gjykata të shprehej mbi themelin e çështjes. Gjatë referimit, përveçse përmenda faktin se vendimet gjyqësore të ndërmjetme janë të detyrueshme,  theksova se neni 320 i Kodit Penal Shqiptar, i cili penalizon pengimin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës mund dhe duhej të interpretohej fare kollaj në mënyrë të tillë që të siguronte efektivitetin edhe të vendimeve të ndërmjetme ndërkombëtare. Ndryshe edhe vendimi përfundimtar mund të bëhej i paekzekutueshëm. Vetëm kështu mund të sigurohej autoriteti i pushtetit dhe procesit gjyqësor dhe logjika e funksionit të gjykatave. Në atë kohë mendoja ende se problemi qëndronte tek paqartësia dhe tek vlera e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare në sistemin ligjor shqiptar.

Çështja që më bëri ta rishikoj në themel këtë mendim u vendos në 2018. Vendimi Sharxhi dhe të tjerë k. Shqipërisë, i 11 janarit 2018, shpalosi tërësisht problemin më endemik të sistemit kushtetues në Shqipëri. Në atë çështje një gjykatë administrative e shkallës së parë vendosi që autoritetet shqiptare mos merrnin asnjë masë derisa të vendosej në themel nëse ishte e ligjshme apo jo një ndërtesa që synohej të prishej (nenet 207 e vijues të Kodit Procedurës Civile). Pa kaluar një muaj nga ky vendim i gjykatës administrative ndërtesa u prish, në kundërshtim të hapur me urdhrin e gjykatës. Themeli i vendimit, pra nëse ndërtesa ishte e ligjshme apo e paligjshme, nuk kishte më asnjë kuptim.

Megjithatë saga e absurdit juridik vazhdoi. Dy gjykata administrative, edhe e shkallës së parë edhe e apelit vendosën, si pasojë, mbi masën e kompensimit ndaj ankuesve për të gjitha dëmet që vinin nga prishja e ndërtesës – në kundërshtim me urdhrin gjyqësor. Përsëri ekzekutivi do ndërhynte. Jo vetëm që nuk do respektonte vendimet e gjykatave mbi masën e dëmshpërblimit, por i prishte vendimet gjyqësore në themel dhe vendoste një masë tjetër!!! Ndërkohë që ankuesit ankoheshin në gjykata, pala kundërshtare, Qeveria, ankohej…tek Qeveria. Dhe kjo e fundit vendoste. Në këtë vend Gjykata e Lartë nuk është ajo që ishte, atëherë kur ishte, e që drejtohej nga Zaganjori. Në këtë vend Gjykata e Lartë është Ajo, që sot drejtohet nga Rama. Po vendosi kjo e fundit, vendimet e kësaj janë në fuqi dhe prishin çdo vendim tjetër. Nuk ka gjykatë që guxon t’i dalë kundra?! Dhe si?! Roja është i fuqishëm, madje i plotfuqishëm.

Në vendimin R(Unison) k. Lordit Kancelar, (2017) UKSC 51, Gjykata Supreme Britanike, me anë të penës brilante të Kryetarit të saj të sapo zgjedhur, Lord Reed, shprehet:

“Në zemër të konceptit të shtetit të së drejtës është ideja që shoqëria qeveriset nga ligji. Parlamenti ekziston kryesisht për të bërë ligje për shoqërinë në këtë vend. Gjykatat ekzistojnë për të siguruar që ligjet e bëra nga Parlamenti,…, të zbatohen dhe ekzekutohen. Ky rol përfshin garantimin që dega ekzekutive e qeverisë kryen funksionet e saj në përputhje me ligjin. Në mënyrë që gjykatat ta kryejnë këtë rol, njerëzit në parim duhet të kenë mos pengohen të kenë akses në to. Pa një akses të tillë, ligjet bëhen një letër e vdekur, puna e bërë nga Parlamenti bëhet e kotë, dhe zgjedhja demokratike e deputetëve mund të bëhet një farsë e pakuptimtë.”

Duke mos respektuar vendimin e ndërmjetëm të një gjykate në çështjen Sharxhi ekzekutivi shqiptar nuk prishi vetëm ndërtesën përkatëse. Mbi të gjitha ai rrënoi vetë qëllimin e procesit gjyqësor në lidhje me ligjshmërinë apo jo të saj, që është vetë arsyeja e ekzistencës së gjykatës. Nuk kishte më asnjë kuptim as procesi, as gjyqtari, as palët, as avokati, as vetingu dhe, siç thotë Lord Reed në vendimin Unisson të sapo përmendur, nuk kanë më kuptim as ligjet. Dhe ju flisni për reformë?!

Natyrisht që në Strasburg, në Dhomë dhe pastaj Paneli i Dhomës së Madhe vendosën njëzëri se ndërhyrja në çështjen Sharxhi ishte shkelje e procesit të rregullt – flagrante madje. Nga afro 30 mijë çështje që kam vendosur në Gjykatën e Strasburgut, dhe nga ca mijëra të tjera që kam lexuar, vetëm në një tjetër ma ka zënë syri një ndërhyrje thuajse kaq flagrante të ekzekutivit ndaj gjyqësorit – në Bursa Barosu dhe të tjerë k. Turqisë[2].

Ndërkohë që në maj 2017 qeveria shqiptare përpiqej të justifikonte në Strasburg mosrespektimin e një vendimi gjyqësor të ndërmjetëm, në shtator 2017 Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare e konsideronte një shkelje të tillë si shkelje të parimeve të përgjithshme të së drejtës të kombeve të qytetëruara (shih 3 RES FINAL FR, 8.9.2017). Meursault-ë – a doni ta pranoni se sa i thellë ku është problemi me sistemin ligjor në këtë vend apo jo? Se nuk e besoj dot se nuk arrini ta kuptoni.

Çfarë reforme duhet bërë për këtë situatë? Në këtë vend Roja vendos se kur dhe si individët mund të drejtohen gjykatave, dhe jua bën të qartë, edhe me deklarata publike, atyre në çështjen Sharxhi, dhe të tjerëve tek Astiri e gjetiu, të mos lodhen të shkojnë në gjykata. Është vetëm ai që vendos nëse ju takon kompensim apo jo, atyre dhe të tjerëve që kanë fituar në gjykata prej afro 30 vjetësh. Është Roja që vendos se ç’është apo s’është e drejtë në këtë vend. Çështja Sharxhi pret ende ekzekutimin, me pasojat juridike dhe institucionale që ka. Qeveria Shqiptare dhe sidomos Ministrja e Drejtësisë e di mirë për çfarë po flas[3]. Prokurori i ri i Përgjithshëm apo SPAK duhet të bëjnë fare PAK – të zbatojnë ligjin shqiptar në fuqi. Shkeljet i kanë të konfirmuara nga 12 gjyqtarë të Strasburgut. Me këtë vendim kanë në dorë një rast ku mund të tregojnë, por edhe detyrimin institucional që të konfirmojnë, se sa u intereson drejtësia, pavarësia e gjyqësorit dhe, si pasojë, reforma. Të shohim a do të kenë qartësinë dhe guximin profesional që pati një gjyqtar “i thjeshtë” rrethi në Washingon DC që ishte gati të niste procedurat për cenim të funksionit të gjykatës edhe ndaj ministrit të drejtësisë në SH.B.A. Këto janë themelet e reformës sipas shembullit amerikan, evropian, anglez, francez, italian, etj, dhe jo filmat vizatimorë që shihen në televizor për reformën. Megjithatë “të huajt” nuk folën në lidhje me këto hedhje në erë të themeleve të çdo arsyeje të ekzistencës të funksionimit të gjyqësorit. Ndërkohë që ekzekutivi dhe ligjvënësi de(re)formonin dhe de(re)formojnë dhjetëra vendime gjyqësore përfundimtare, dhe bën pa kuptim që në nisje dhjetëra ankesa gjyqësore, në Shqipëri flitej dhe vazhdohet të flitet për reformë në drejtësi!!! Atë që e konsideroni si problematike tani në lidhje me mungesën e gjykatave apo me ligjin për mediat elektronike, aksesin në gjykatë, e keni qëndrim konsekuent në lidhje me shumë të drejta që po jua kalojnë nën rrogoz duke i mbuluar me nga një reformë. Prandaj mos u habisni shumë. Është një çështje koncepti themelor mbi funksionimin e shtetit të së drejtës në lojë, dhe jo e këtij apo e atij ligji.

Një përfundim…i ndërmjetëm

Alexis de Tocqueville, në atë që mbetet edhe prej afro 200 vjetësh një nga analizat më brilante të sistemit politik amerikan, “Mbi Demokracinë në Amerikë”, thotë se “është e rrallë që ndonjë çështje politike në Shtetet e Bashkuara të mos zgjidhet, herët ose vonë, si një çështje gjyqësore”. Kurse në Shqipëri, është e pamundur që një çështje gjyqësore, kur i intereson politikës, të mos zgjidhet apo të mos ndikohet nga kjo e fundit. Ka nevojë për të tjerë shembuj? Po ju jap dy të fundit, të shkruar dhe të provuar. Në nivel kombëtar ndryshimet e neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit me vendimin 85/2019 që i japin të drejtë Kuvendit – organ politik – të vendosë se çfarë përbën provë në rast akuzash ndaj një deputeti!!! Në nivel ndërkombëtar, përveç vendimeve të Strasburgut që përmenda mund të kujtoj edhe disa ‘trena’ me Zv. Kryeministër,  Ministra dhe ca denarë të tjerë që përpiqeshin të influenconin Kryetarin dhe gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut për zgjidhje në favor të Qeverisë në çështjet e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Ndërhyrje si kjo, në dijeninë time, ka pasur vetëm një rast tjetër në historinë e Gjykatës së Strasburgut që, natyrisht, i përket një vendi tjetër ish-komunist. Ky është mentaliteti që ushqen mënyrën e (mos)funksionimit dhe të (mos)ekzistencës të gjyqësorit në Shqipëri.

Problemi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk është vetëm korruptiv apo cilësor. Madje unë mendoj se problemi nuk është as vetëm funksional. Problemi themelor i gjyqësorit tonë është ekzistencial. Mospasja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë gjatë dy vjetëve të fundit nuk është asnjë tjetër vetëm se konkretizimi dhe materializimi më i prekshëm i një fenomeni konceptual që e ka shoqëruar gjyqësorin tonë në vite. Shembujt e lartpërmendur, dhe sa të doni të tjerë, tregojnë hapur se e drejta në këtë vend nuk vendoset nga gjykatat, të mira apo të këqija qofshin ato dhe gjyqtarët dhe prokurorët që i përbëjnë. Gjyqësori jonë ka pasur dhe ka një marrëdhënie vasaliteti, herë më shumë e herë më pak, me pushtetin politik dhe këtë, herë e ka bërë në mënyrë të vullnetshme, herë e ka bërë për mungesë fuqie sistemike. Disa gjyqtarëve iu intereson ky vasalitet, sepse nxirrnin frytet e veta, korruptive apo karrieriste, për aq sa nuk preknin interesat e suzerenit. Ca gjyqtarëve të tjerë iu mungon guximi, qartësia apo aftësia e duhur profesionale si dhe instrumentet dhe mekanizmat, për tu vetë-analizuar dhe vetë-korrigjuar. Kurse një kategorie të tretë, gjyqtarëve që guxonin, kur jepnin shenja për shkëputje nga ky vasalitet, Roja u tregonte dhe tregon reforma dhe elemente thellësisht politikë ndërhyrjeje, ose vendimet e tyre i kason me ligj. Këto ndërhyrje janë konfirmim i kësaj marrëdhënie, të cilës gjyqësori edhe një herë, me dashje, me detyrim, për mungesë karakteri, për meskinitet apo karrierë individuale, apo për mospasje organizimi ose mekanizmash profesionalë të kontrollit, iu nënshtrua edhe një herë[4]. Ndaj shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve tani po gëlltisin lugë nga ajo çorba që e kanë përzier edhe vetë ndër vite. Kjo marrëdhënie është burimi i çdo papërgjegjshmërie në gjyqësor. Korrupsioni financiar është pasojë dhe ana tjetër e medaljes e korrupsionit ose vasalitetit politik. Këtu drejtësia vendoset nga qeveria, marrë kjo e fundit në kuptimin e ngushtë të termit. Këtu madje edhe drejtësia ndaj gjyqtarëve vendoset nga qeveria. Problemi i drejtësisë në këtë vend nuk është në nivel mikro, ky apo ai gjyqtar apo prokuror, këtu problemi është në nivel makro – ky apo ai sistem. Problemi themelor në Shqipëri nuk është qeveria e gjyqtarëve, por gjyqtarët e qeverisë. Një hap i ndan këta të fundit që të bëhen pastaj gjyqtarë të lekut. Pavarësia është një koncept që kur gjyqtari e ka, e mbron dhe e përdor ndaj cilitdo pushtet të tretë, politik, financiar apo tjetër, që kërkon të ndërhyjë në përmbushjen e funksionit gjyqësor.

Ndaj përpara se të merreni vetëm me gjyqtarët dhe prokurorët merruni me problemin themelor që ka gjyqësori dhe i gjithë sistemi ligjor shqiptar. Merruni me burimin e papërgjegjshmërisë dhe të varësisë së tyre nga pushteti – politik ose financiar, i dyti rrjedh nga i pari. Merruni me Rojën, si koncept, që kontrollon gjithë parabolën Kafkiane të Ligjit në Shqipëri. Është ai që kontrollon çdo portë të Ligjit. Është ai që kontrollon nëse, kur dhe si mund të ankohemi përpara gjykatave. Me anë të projekt-ligjit mbi betimin e gjyqtarëve kushtetues që u miratua këtë javë në Kuvend, ai po kontrollon edhe funksionin e gjykimit kushtetues – zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi interpretimin e Kushtetutës. Është ai që kontrollon gjithashtu, tek porta e daljes nga Ligji, nëse dhe si vendimet e gjykatave mund të ekzekutohen apo jo, përfshirë edhe vendimet e Strasburgut, si edhe ato të Hagës. Mos bëni Meursault-in e gjyqësorit! Po hiqni dhe po lini fotografi gjyqtarësh dhe prokurorësh në muret e një kështjelle prej rëre. Kur të kuptoni dhe të zgjidhni problemin e themeleve atëherë merruni me detajet. Atëherë detajet duken edhe më mirë. Sepse kriteri themelor për të ngritur sistemin e drejtësisë është ai i profesionistëve të pavarur që, së pari kanë përgjegjësinë, qartësinë dhe pavarësinë që të mund t’i imponohen edhe vetë Rojës. Ndryshe ata do korruptohen sa nga Roja pastaj edhe nga paraja dhe kjo reformë nuk do jetë asgjë më shumë sesa një ‘reformatio in peius’.

Të huaj, ata që nuk i pëlqejnë këto që shkruaj do vijnë t’u thonë se unë jam kundër reformës. Unë jam për drejtësinë. Nëse reforma juaj është në shërbim të drejtësisë atëherë unë jam padyshim për të, por nëse ajo shuan letrën e parë të alfabetit të sistemit drejtësisë – aksesin në gjykata, dhe nuk garanton letrën e fundit të qëllimit të funksionimit të tyre – ekzekutimin e vendimeve, atëherë ajo rrënon në themel vetë arsyen e ekzistencës së gjyqësorit. Nuk është kjo drejtësia që jepet në Evropë dhe në Amerikën veriore. Por askush nuk po flet për këtë – as reformatorët.

Përsa i përket reformës unë jam për një më të fortë se kjo që po bëhet, por edhe më të drejtë. Unë jam që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë shitur drejtësinë jo thjesht të largohen nga puna. Ky është thjesht dënim plotësues sipas Kodit Penal, madje këtë zgjidhje e konsideroj si amnistim të të korruptuarve. Largimi nga puna, i vetëm, është një ndëshkim që populli ia jep me votë politikanëve të paaftë ose se ju ka ardhur koha të ikin, ose që shefat u japin funksionarëve publikë për shkelje në detyrë. Të korruptuarve, drejtësia ju jep dënime të tjera, me gjykata të krijuara me ligj, siç kërkon neni 6 § 1 KEDNJ[5]. Një reformë e tillë do ta bënte gjyqësorin të pavarur, të përgjegjshëm dhe të pakorruptuar në të njëjtën kohë.

Për reformë në gjyqësor kishte dhe ka shumë nevojë. Madje është domosdoshmëri. Por ama duhet marrë seriozisht kjo reformë dhe të trajtojë themelet, jo të çojë në rrënimin total të funksionit gjyqësor në të gjithë vendin. Duhet marrë së pari seriozisht nocioni, funksioni dhe institucioni i drejtësisë, që të merret seriozisht reforma. Kam pasur rast të shoh në shumë raste, edhe në vende të zhvilluara, sisteme gjyqësore dhe gjykata, përfshirë edhe Gjykatën e Strasburgut dhe të Luksemburgut, që kishin dhe kanë nevojë për reforma, por reforma gjyqësore që fshijnë gjykata, është realisht hera e parë që shoh!!!  Ndaj kjo situatë më kujton atë shprehjen e famshme që Lewis Carroll vë në gojën e Lizës në Botën e Çudirave “…Kam parë shpesh mace që nuk zgërdhihen,… por zgërdheshje pa një mace! Është gjëja më e çuditshme që kam parë ndonjëherë në jetë”. Që ne jemi vendi i çudirave, këtë e kanë thënë të tjerë përpara meje. Mesa duket reforma në drejtësi po ofron një shembull modern të këtij konstatimi të kahershëm!

Strasburg, 10 shkurt 2020

Ledi Bianku

Profesor i Asociuar në Universitetin e Strasburgut

Ish-gjyqtar në GJ.E.D.NJ.

*****************************************************************

[1] Reformën që po bëhet do kem rast ta komentoj në detaje më vete, duke pasur parasysh edhe problemet që ngrihen nga disa ankesa të regjistruara ndërkaq përpara Gjykatës së Strasburgut.

[2] Krahaso edhe me Molla k. Shqipërisë, vendim komiteti i GJEDNJ, 2016.

[3] Për kujtesë Ambasadorëve të vendeve të Këshilllit të Evropës në Tiranë – kur Greqia refuzonte të ekzekutonte plotësisht vendimin e lartpërmendur të Rafinerive Greke, Komiteti i Ministrave, në maj 1996, ngrinte fort zërin duke i kujtuar Greqisë edhe mundësinë e përjashtimit nga Këshilli i Evropës.

[4] Aspekte të këtij problemi i kam ngritur në artikullin “Kush i gjykon gjyqtarët”, të botuar në Reforma Gjyqësore si një ndër prioritetet e sfidës së integrimit të Shqipërisë në BE – 4 maj 2012.

[5] Këtë element, që është një nga kërkesat e Bundestagut për hapjen e negociatave për aderim në BE, do duhet që më vonë, ta analizoj më vete.