Kur mbarova të pestin rend të gjymnazit në Janinë, jo veç qi dola i pari në shkallzimin e përgjithshëm, por gati edhe në secilën lândë të veçantë prap pata çmimin e parë. Në mathematikë ishem nji fenomen. Mund të them se n’arithmetikë, në gjeometrí e n’algjebër s’kam çelë ndonji herë libër veçse për të kopjue ushtrimet qi na shënonte profesori për t’i bamë në shtëpi. Mësimi i mësuesit në klasë më mjaftonte. Asnji lândë tjetër s’ishem i zoti të bluej aqë lehtë e aqë me ândë sa këtê.
Profesori i im në mathematikë, Z. Qamil Bala, porsa qenë mbarue provimet dhe kur un po u përgatitshem me kthye në shtëpí për pushimet e verës, më thirri nji ditë e më kshilloi me i premë me kaqë studimet gjymnazore për me hŷmë n’Ingjinjerí, ku pranoheshin edhe studenta të gradës s’eme me nji provim qi ai, profesori i im, ishte i bindun se un mund t’a fitojshem, sidomos po t’i vêhesha m’u përgatitun gjatë pushimevet. I dhash fjalën pa tjetër se do të bâjshem ashtu si më kshilloi, dhe para se me u nisun për Krujë vojtsh e u fala me gjithë Eprorët e mij dhe me shokët për mos me u kthye mâ n’atë shkollë.
Nji nga shokët mâ të dashun qi kishem, Z. Hajri Çani nga Gjirokastra, m’u lut qi gjatë udhtimit t’em të shmângesha për disa dit më tê n’atë qytet, se deshironte qi të njihesha edhe me familjen e tij e në këtë rasë të shihshem edhe kryevêndin e sundimit të Gjin Bue Shpatës. E prita dhe pranova me gzim grishjen e mikut. Bashkë me tê vojtëm fill e në Gjirokastër dhe, natyrisht, rash në shtëpít të tij, ku ishem i ftuem si nji vëlla e ku qesh i pritun bujarisht prej gjithë gjindes së shtëpís. Gjirokastritët kanë famë koprracësh. Un nuk dij se pse. Prova e parë qi kam pasun në këtë rasë në nji familje gjirokastrite dhe tjerat qi më kanë dhânë miq e shokë të mij qyshë prej bankave të shkollave e deri sod, tregojnë të kundërtën. Mue më duket se Gjirokastriti âsht i përkorë e kursimtar, por jo aspak koprrac. Dý cilsít e para janë vërtyte, e treta ves.
Të parën ditë qi u shtruem për darkë në tryezë të Shefqet Çanit – ky ishte kushrí i parë i Hajriut dhe i par’i shtëpís – vûna re se hahej bukë e misërt. Me këtê ishem rritun edhe në shtëpít t’eme. Por në Janinë hajshim bukë të grunët. Pa dashun e pa më shkue mêndja fare me shfaqun nji deshir, por vetëm për nji qëllim studimi shoqnuer m’u dha të pyes:
– Z. Shefqet, vetëm bukë e misërt hahet në Gjirokastër, apo ka dhe të
grunët?
– Ka dhe të grunët, më përgjigjet ai pà shtue asnji fjalë tjetër.
U kujtova për gabimin qi kishem bâmë vetëm nesret në drekë kur pash se në tryezë bukës së kollomboqit i a kishte zânë vêndin ajo e grunit.
Ndêjta nji javë ke miku në Gjirokastër, vizitova e pash anekând qytetin, njoha shumë miq e farefis të mikut t’em dhe u nisa për Krujë asaj rruge qi po rrihshem për të gjashtën herë: Delvinë – Sarandë – Durrës.
Kur i ktheva krahët bregut të Sarandës në vapor, kujtova se nuk do t’a shihshem mâ at’anë si student. Por kishem qênë gabue. T’arrimen në shtëpí e t’u pjekmen me t’im atë, i diftova këtij vêndimin qi kishem dhânë për vazhdimin e studimeve të mija n’Ingjinerí.
– Ku âsht kjo shkollë? më pyeti im atë.
– Në Stamboll, i u përgjegja.
– Ç’kâmbë zën ai qi del prej ksaj shkolle?
– Del myhendis.
– Sa e ka rrogën myhendisi?
– Më duket se fillon me 700 grosh,
– S’qênka pun’e keqe, po ti e di se un në punë shkollash s’marr vesht. Kur të vijsh ke Pasha ndonji ditë pyet atê, se ai din me të mësue.
Nuk e zgjata shumë e vojta në Rreth, në nji çiflik t’Esad Pashës afër Shjakut ku ai kishte zakon të shkonte verën e ku im atë i shërbente si qehajà. Dojshem qi vêndimi i im për Ingjinerí të përforcohej nji orë e mâ parë prej t’im et e për këtê prej Pashës. Nesret qi mbërrîna më paraqiti Baba ke Pasha. Kishem marrë edhe deshmín shkollore me vete për t’i a dëftye kur të më pyette se si kishem shkue me studimet. Pasha e pa e mbet shum’i kënaqun. Më lavdroi e më limoi faqen me dorë në shênj dashunije. E mbandej po më pyet:
– Më tha Mehmet Aga se dashke me shkue në Stamboll në nji farë shkolle qi s’dijti me m’a ftillue mirë; ç’âsht ajo shkollë?
– Shkolla e Ingjineris, Pashë.
– Për me dalë myhendis a?
– Si urdhnoni, Pashë.
– Ç’e do, mre, myhendislikun? Kush t’a paska mësue këtë rrugë?
– Profesori i mathematikës, tungjatjeta.
– Mashallah, ç’profesor të mirë paske! Kush e paska bâ profesor atë koqe budallai, mre? Myhendis! Ani me këtë farë deshmije qi paske! Të jesh i par’i klasës edhe të lakmojsh me ndërtue rruga, me urdhnue nja njizet a tridhetë puntorë gjithë ditën në shi e në diell me 700 grosh në muej sa të jesh gjallë! Mashallah, mashallah, mos raftë sŷsh ai profesor qi të paska mësue kaqë mirë. Jo, biro, jo; ti mbaro gjymnazin, studjo gjithmonë kështu si ke studjue deri tashti e mbasandej do të hŷjsh në Mekteb-i Mylkije-i Shahane (në Shkollën Civile Mbretnore). Kjo shkollë të qet Kajmakam (Nënprefekt) e t’a çel rrugën deri më Sadrazam (Kancellari i Madh i Perëndorís). A more vesht?
Kështjellet e mija kishin ramun për tokë krejt. Pasha don qi të bâhem Kajmakam, Mytesarrif, Valí, Nazir e Sadrazem! Un diç kam fillue me nxânë e me ndie ndryshe atje në gjymnaz të Janinës nëpër do libra të këqij, nëpër do fletore të liga e nëpër bisedime të fshehta me do ândrratarë mâ të pjekun se un. Kam fillue me nxânë t’i urrej të gjithë ata tituj lartushtues qi adhuronte Pasha. Por ç’me bâmë? Për tashti nji herë duhet me i u shtrue vullnetit të tij. Me mbarue gjymnazin e me u përgatitun për Shkollën Civile Mbretnore. Mbrapa do të shohim ç’na ka premtue fati.
Mbarova pushimet dhe u ktheva prap në Janinë. Kur u paraqita në konvikt e në shkollë, shokët qi kishem përshëndetun për mos me u pamë mâ me ta në këtë vênd, u çuditën e u gzuen. Prof. Balës i a dëfteva krejt të vërtetën. ” S’ka gjâ!” më tha tue dashun me më ngushullue; ” Kështu mendojnë, kështu ndiejnë të gjithë Pashallarët shqiptarë, por nesra âsht e jona, âsht e jueja, e djelmnís qi po rritet.”
Tue kujtue se un s’do të kthehesha mâ, numrin t’em në shkollë i a kishin pasë dhânë nji nxânsi të ri e mue m’u desh me marrë nji tjetër. Në gjymnazet e Tyrqís ishte zakon me u thirrun studentat me nga nji numër e jo për emën e mbiemën. Un tri vjett e para ishem shënue me numrin 20, tashti më dhanë numrin 51.
Edhe ky mot në gjymnazt të Janinës kaloi ashtu si tjerët: me studime të zellshme e me përfundime të shkëlqyeshme. Por shpirtin e kishem gjithmonë pak si pezull, më dukej vetja tashmâ si mik n’atë shkollë, si gardh i shkulun, si nji grue e lëshueme qi kthen prap te burri i parë. Ingjinerija kishte dekun për mue por mêndja nga Stambolli s’më hiqej. Mbasandej, rruga qi do të ndiqshem, rruga e karrjerës s’eme m’ishte caktue; por a do t’ishem un i zoti me ecun asajt? Gjithkush e tregonte të vështirë shumë. Mun atë vjetë ishte sprovue nji shoq i im qi kishte mbarue mjaft mirë gjymnazin po atje në Janinë dhe kishte dështue në konkurs, ishte shtrëngue me ndërrue udhë, me hymë në Medicinë. Konkursi për pranimin në Shkollët Civile ishte i rreptë, lakmija me i a hapun karrjerës së vet atë derë të prarueme ishte e madhe prej kujdo, deshprimi i të dështuemvet i pamasë. Por….ah! sa ironik âsht Fati nga nji herë me robt e vet. Sa herë e kam kujtue e e kujtoj edhe sod me zilí dashamire atë shoq e mik të lumtun qi në 1905 dështoi në konkurs t’asaj shkolle e u shtrëngue me dredhue rrugë, me hŷmë në Mjeksí! Ai kush e di sa deshprimin do t’a ketë pasun n’atë rasë e sa lot ndoshta do të ketë derdhun me at’afshin e nji djaloshi qi kujton se i u mbyllën para sŷve të tij dyert e jetës, dyert e nji jete të lume, bash atëherë kur ato, magjija e Fatit i a ka haprrue sa harku i nji ylberi të shkëlqyeshëm. Ai sod punon e gzon në lumnín e vet, i shërben njerzís e vetvetes, dhe un…. un qi hajsmi pata mâ fat se ai, un qi kam fitue konkursin e Shkollës Civile Mbretnore e kam korrun lavde, un mbas tridhetenândë vjeç prej asaj date, mbas tridhetenândë vjet trazimesh, mundimesh e idhnimesh për nji gjâ qi dikush e quen të shênjtë e dikush të marrë, un do të vijoj edhe sod të daj me të mijt shpërblimin e idhët t’atij fitimi e t’atyne lavdeve, t’atyne trazimeve, përpjekjeve e pikllimeve të vazhdueshme![1] Tash pra, në të gjashtëtit rend të gjymnazit, gjithë mendimi i im ishte ngulun në Stamboll e në Shkollët Civile Mbretnore. Dhe jo për lakmí karrjere si tjerët, se prjerrja e ime ishte mathematika e ingjinerija, por vetëm për sedër e për atë detyrë qi ndiejshem në shpirtit t’em për me kënaqun t’im atë, i cili për me më mbajtun mue në shkollë ishte bâmun rob i nji pune e i nji zotnije. Vêndosa të shkoj e t’a bâj në Stamboll rendin e fundëm të gjymnazit e t’i kaloj atje edhe pushimet e asaj vere për të mujtun me u vûmë në të përpjekun me gjind qi mund të m’udhzojshin në përgatitjet për konkursin e ardhshëm. Këtë mendim nuk m’a kundrështuen as Baba as Pasha. Madje ky m’a pëlqeu fort. Në fund të verës 1906 qi, si gjithmonë, kalova në shtëpít t’eme, u ngrêjta e vojta ke Pasha për t’a përshëndetun e për të marrë kshillet e tija para se të nisesha për Stamboll. Ky më porositi me hŷmë në kolegjët Nymune – i Terakkij qi e drejtonte nji i ungji i së shoqes, Tewfik Danish Beu, për të cilin më dha edhe nji letër. E u nisa për Stamboll.
Ime gjyshe, Nânë-Gonxhja, pat pasun nji parandiesí të çudiçme ksi shtegu. Erdh e më shoqnoi nji copë udhë të gjatë, e gjithsa herë ngulshem kâmbë qi të kthehej në shtëpí, se mbas nji vjete prap do t’u piqshim, ajo më përgjigjej:
– Ehe! mbas ksaj here gjyshen s’ke për t’a gjetun mâ, ti më qofsh bekue e Zoti të dhashtë të mbarën, se nâna e sosi mâ të veten. Por lemë të të përsiell e të të shoh edhe pak për të mbramen herë!
Ishte, për të qênë, e moçme, sigurisht të shtatdhetat i kishte mbushun e kalue. Por e fortë, e s’kishte kurrkund ndonji shênj lëngate qi t’i a kujtonte dekën mâ fort se kur më përsillte vjeshtat e shkueme. Dhe duel ashtu si e kishte pasë ndie. Në pushimet e vjetës tjetër s’e gjeta mâ, mbas pak muejve qi u damë vdiq.
Nymune – i Terakkij-a ishte nji institut i mbajtun mjaft me kujdes, si shkollë e si konvikt. Drejtori i saj Tewfik Danishi ishte nji personalitet në rradhët arsimtare. Un vojta e i u paraqita drejt për drejt atij me deshmín e klasës së gjashtët të gjymnazit të Janinës e me letrën e Esad Pashës. I hodhi nji sŷ mâ parë deshmís, tue e lânë si mbas dore letrën, qi ndoshta e kish marrë për ndonji porosí të mërziçme mbasi un s’i kishem kallzue se prej kuj e kishte, dhe ngrêjti kryet e më shikoi me nji fytyrë haptazi të kënaqun e më tha:
– Aferin! Paske nji deshmí shumë të mirë, këtu te na rrallë herë i tokon nji nxânsi ky fat; nga je ti?
– Nga Shkodra, Z. Drejtor.
Në Tyrqí kur u gjindte kush shumë larg vêndit të vet ishte zakon të tregonte për origjinë kryeqêndrën e vilajetit, si mâ të njohun se qyteti a fshati i tij.
Kapi atbotë e çeli letrën, e porsa njohu nënshkrimin dhe pa e këndue ende:- Aha! i a bâni, tash po e kuptoj mysterin e nji deshmije shkollore kaqë të bukur: qênke mik i Esad Pashës e i porositun prej tij!
Dhe si e lexoi: – Shiko, lum djali; un Esad Pashën e kam t’emin, ka për grue t’ime mbesë. Por ja ku po t’a them qyshë tash se këtu s’ka Pashë as mik qi i ecën fjala pa vênd. Ti mund të pështetesh vetëm në forcat e tua e në vjeftën t’ânde, mos gabo me shpresue gjâ, kurrgjâ nga porosija e Pashës. Edhe dije mirë qi këtu ka nxânës nga të katër anët e Mbretnis[2], e shumë të squet. Do t’a shohim, pra, në mbarim të vjetës në se kjo deshmí qi më ke sjellë prej Janine âsht fryt i mundit e i squetís s’ate apo i porosivet t’Esad Pashës.
Të gjitha këto fjalë, gati tekstuale, Drejtori i kolegjës m’i tha me fytyrën mâ të rândë qi mund të bâhej, por nuk dij a tue besue me gjithë mênd ashtu apo donte me më shtrëngue qi të studjojshem mirë pa ândrrue se do të kishem ndonji farë përkrahjeje të pameritueme tue u pështetun në porosín e Pashës. Sido qoftë, un u dava prej tij me këtë premtim qi i dhash me krenín e nji besimi të patundshëm në vetet t’eme.
Shqiptarë s’mbaj mênd në kam gjetun n’atë kolegjë. Në gjymnazet e tjera të Stambollit kishte plot, por un s’dilshem asnji herë përjashta. Mbas pak ditsh na erdh nji djalë i vogël, flokverdhë, mjaft i hijshëm, veshun elegant, pastër e mirë, aristokratisht i mbyllët. M’a suell nji shërbtuer i kolegjës në baçë tek po shetitshem me shokë:
– Qe, tha, nji djalë shqiptar; më çoi Z. Drejtori me t’a paraqitun e porositun qi t’a kesh kujdes ti.
Djali më përshëndeti me nji temená e un i dhash dorën me dashuní. U dava shokësh e mbeta tue bisedue me tê:
– Nga je, or djal’i mirë?
– Prej Matje.
– Prej Matje? Oh, sa mirë! Edhe un jam prej Kruje, pra jemi shokë. Si e ke emnin?
– Ahmet – Muhtar.
– Mue më thonë Mustafa – Asim; i bir’i kuj je ti?
– I bir’i Xhemal Pashë Zogollit, e ti?
– Un i Metës së Fajës së Merlikës, i nip’i Xhiut të Fajës. Sa vjeç je?
– 12 vjeç.
– Në të parin rend?
– Në të parin filluer.
– Un jam në të shtatëtin të gjymnazit, sivjet mbaroj. Gjithë ksaj vjete pra jemi bashkë, për çdo nevojë qi të kesh eja ke un si ke nji vëlla.
Shoqní nuk mund të bâjshim njâni me tjetrin, ndryshimi i moshës ndërmjet nesh ishte tepër i madh. Por u shihshim për ditë në baçë e u përshëndetshim. E pyetshem shpesh në se kishte ndonji nevojë për mue. S’kishte kurrë. Studjonte mirë. Mâ të shumën i pëlqente vetmija. S’u zdatte me kurrkênd.
Në mbarim të vjetit shkolluer e të provimevet, Tewfik Danishi mundi t’i telegrafojë Esad Pashës në këtë kuptim: ” Përfundimi i shkëlqyëshëm me të cilin Mustafa – Asimi i mbaroi studimet e gjymnazit, provon se s’ka pasun nevojë për t’a porositun tek un. Jam i sigurtë se ka për të dalë faqebardhë gjithmonë edhe në rasat mâ të vështirat.” Më thirri e m’a lexoi kopjen e telegramës, qi porsa e kishte dërgue, e më bâni edhe shumë lavde tjera me gojë. Më dha kshilla për konkursin të cilit tash duhej me i u përgatitun, ma prûni të rândë mjaft barrën, por, siç e kishte thânë edhe në telegramën e dërgueme Esad Pashës, m’a përsriti se nuk duhej të më trêmbej sŷni.
Mbetëm dy fijsh miq me Tewfik – Danishin, si për kah ana e Esad Pashës ashtu edhe për çmimin e simpathín qi i kishem frymzue un vetë në motmot shkollë qi bâna nën drejtimin e tij. Gati se e patëm prishun, veç, në rasë të provimit të frëngjishtes tue kalue prej së parës në të dytët klasë të Shkollës Civile Mbretnore ku ai ishte mis i komisjonit provimtar. Profesori më kishte ngarkue me zhvillue në provim gojarisht nji themë ç’fare do qi do të më pëlqente mue vetë. Problemat shoqnore kanë qênë qyshë në të rít t’em ato qi më kanë interesue mâ fort. Zgjodha, prandej, themën “Le socialisme et son histoire“. Ishim atëherë ende nën regjimin despotik t’Abdyl – Hamidit II. E dijshem mirë rrezikun e nji theme të këtilë të zhvillueme përpara nji komisjoni zyrtar provimesh. Por nji riní revolucjonare s’arsyeton gjatë kur i mbushet mêndja se âsht në rrugë të drejtë. Dola pra me këtë themë, pa mendue gjatë as un, përpara Komisjonit provimtar. Zhvillimi i themës ngjati nja njizet minuta. Nji zhvillim synthetik, tepër i shkurtën, natyrisht. I kishem dhanë nji karakter thjesht shqêncuer e jo politik. Porsa e mbarova, Tewfik Danish Beu m’u suell me këto fjalë:
– Mustafa – Asim, vous avez été mon élève et vous êtes le protégé de mon ami Esad Pacha; je vous lui dénoncerai pour un turbulent! (Ke qênë nxânës i im e je i pruejtun prej mikut t’em Esad Pashës; kam me të paditun te ky si njeri turbullues) . Kërkova ndjesë tue theksue se thema e ime s’kishte aspak as qëllim as karakter politik, por vetëm shqêncuer e prandej s’kishem besue se mund të m’u merrte për keq. Nesret vojta e i bâna nji vizitë Tewfik Danishit në shtëpí, mâ fort për të pamë në se do të më priste apo jo. Më priti, por më priti me poterë. Më shau, më qërtoi, m’arseu, më kshilloi gjat’e gjatë. Më premtoi se për ksi shtegu s’do t’a lajmonte Pashën për gabimin t’em, por po të vazhdojshem me u marrë me idena e punë qi s’janë për të mirën t’eme, kishem me marrë mbë qafë veten e me marrue edhe të parin t’em, Më spjegoi se fjalët qi më kishte drejtue mue në komisjon kishin për qëllim me u diftue tjervet tërthuer se kam qênë nxânës i tij e se kam përkrahjen e nji Pashe, për me më shpëtue, se ndryshe mund të më paditshin tek Autoritetet. I u fala nderës për të gjitha dhe u damë prap miq si përpara.
[1] Ky âsht Fati, qi kur ti kujton se âsht tue të buzëqeshun ai të zgërdhihet me sarkazëm, e kur ti pandeh se t’âsht ngrysun ai të ka shtrimë krahët për me të pushtue plot me dashuní e mëshrirë.
[2] E drejta, fjalët tekstuale të tija qenë “aktar-i-aalemden” (nga çdo krahinë e botës); por nji zmadhim kaqë të papërpjesëm s’ma muer mêndja me e vûmë në tekst.
Komentet