1.
Kufijtë e ditës kanë humbur,
kufijtë e natës gjithashtu,
mumja e eklipsit sa gjatë gjërë shtrihet,
mumja -mur sot në tokë e në qiell.
Lindja- mur. Dhe i perëndimit,
perëndimi- mur. Dhe i lindjes,
jugu- mur. Dhe i veriut,
veriu- mur. Dhe i jugut,
lindja, perëndimi, jugu, veriu- kub i të gjallit sot
apo vetë i gjalli- kub i tyre,
veriu, jugu, lindja, perëndimi- drejtkëndësh i të vdekurit sot
apo vetë i vdekuri- drejtkëndësh i tyre,
lindja, perëndimi, jugu, veriu, pa njërën nga katërtat-
trekëndësh i as të gjallit, i as të vdekurit sot
apo trekëndësh i tyre
sikurse ky portret politikani shqiptar sot,
njërin sy ( i majti ) – bunker,
tjetri sy ( i djathti) – bunker,
goja- çadër e ngrehur.
2.
Mur- afër,
mur- larg,
mur- te shtetet ballkanike, ku popujt- lëngje të shkrirë,
formën e çdo ene politike marrin,
pak ujë dheut pjellor po i mbetet,
paralajmërim i shkretëtirës nga dhëmbët e porcelanit.
Mur,
andej, nga Amerika ku tornadot- lëmsha telash,
këtej, nga Rusia ku kllonim i Zogjve të Stimfalit,
para, nga BE ku ameba simboli i saj për heraldikën,
mbrapa, nga Lindja e mesme ku e bardha e shkretëtirës
me trekëndsha akrebash të zinj,
majtas, nga Kina ku detrat në llaç betoni për territore ,
mur- djathtas nga Afrika ku refugjatët e OKB-së
për pastrim parashë nga bankat botërore,
mur, mur…
3.
Mur jashtë,
i ngritur brenda,
mur brenda,
i ngritur jashtë,
mur- interferencat e sotme intime dhe dixhitale,
mur dhe vargjet e poetëve hipokritë në dashuri,
shkruajnë për të varfërit,
sytë i mbyllin me dorën e lypsave,
i lënë mizat e dheut si romët pa shtëpi,
vrimën duke ua zënë me gojët e tyre,
ata vrimës i fryjnë pezull për të nxjerrë
tollumbacet e të paqenës.
4.
Mur, mur,
jo nga gurët,
se gurët më s’rrinë në vend të vet,
re- gurët,
re,
shi reumatizmal bie,
ku si këpurdhat pas shiut, iluminatët dalin,
sytë e parlamentarëve sot- kandilat e tyre.
Mur dhe në mes të dashuruarve,
argument: kacavjerrja
dhe thyerja qafe.
5.
Kufijtë e dritës sot- prej karthijash të njoma,
kufijtë e territ sot- prej shkarpash të thata,
mos po pritet të ndodhë djegia e kufomës?
Mumja e eklipsit- mur i ekstazës ,
sisa e hënës dhe ajo diellit shtypen bashkë,
një enë qelqi me peshq organesh prej kësaj.
E dhembshura nënë me ibrik në dorë,
ujë po rreket të mbushë nën kufomën e eklipsit,
pragun e derës të spërkasë
me ujë të vdekuri, për mbarësi,
siç i pëshpërit fallxhesha e hijes së vet.
I shoqi përpara i del,
me duar të shtrira si somnambul-
( pamje e Edipit të inçestit ),
Edipi u hakmorr duke qërruar të parët mëkatarë
dhe te njerëzit e hadithit,
sytë (e vet ) në ballë.
6.
Lart- mur,
poshtë- mur,
pas ajrit fort mbahem të mos bie nga ky mur politik,
i reformave për ” shtet pa popull “,
kohë pa gjeografi,
paralelet dhe meridianët bashkë – shtretër të sëmurësh.
Unë poeti i heshtjes,
larg nga turma,
që turmën zgjedh në internet e në tekste,
për shkrimtarë shqiptarë.
Nga dashuria i internuar jam,
në arqipelagun e vendlindjes,
këtu më i djeguri nga etja,
etjen e shuan me lotin e vet-
ujë i pijëshëm i bëhet,
dhe prej kësaj logjika etimologjike e emrit Krujë:
Krini- kroni- kroi- krue,….Krujë.
7.
Sot kjo bebe në mes muresh po lind,
nga shtatë qiejtë zbret,
nga gjithësia ulet,
nga çdo element i universit del,
pakëz grimcë nga secili element në atë shportëz- trup.
E padukshmja e zbritjes së bebes peshon.
Sa?
Sa një guriçkë mund të rëndojë,
dhe sa një mal apo asteroid.
Sa?
Mund të peshojë sa një kokrrizë dheu,
dhe sa një kontinent apo hënë.
Sa?
Sa një pikë vesë mund të rëndojë,
dhe sa një det apo akullnajë në planetin e pagjetur.
Sa?
Sa krejt rrugët e ecjes,
dhe veshin duke e kapur nga mbrapa.
Përfundimisht, sa?
Lexo Librat e Shenjtë
Teurati (at-Tawrāt), Musait, i zbritur
Zeburi (az-Zabur), Davudit, i zbritur
Inxhili (al-Injil), Isait, i zbritur
Kurani (al-Qurʼān), Muhammedit, i zbritur
Prandaj, ti bebush, vajzë a djalë,
shënoje me kokë,
shtyje me këmbë,
thërmoje fund e krye me zë,
vetëm ti e shemb këtë mur-mumje,
vetëm ti, ardhje kozmike,
pas kësaj në katër vijat e horizontit,
pampersa të varur.
Komentet